‘Kënga e pranverës’, poezia e Yllka Domit që u botua në New York Times

Yllka u vra bashkë me disa bashkëluftëtarë dhe ushtria serbe, për të fshehur gjurmët, trupin e Yllkës bashkë me trupat e tjerë të vrarë, i dërguan në një varrezë masive në Batajnicë, për t’u gjetur e rivarrosur më 23 dhjetor 2003 në Kodrën e Çabratit, në Gjakovë.

Në kohën kur ajo u vra, ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme “Mazllom Këpuska” dhe nuk arriti ta përjetonte diplomimin e saj. Por, Yllka ishte shumë më tepër se kaq. Ajo ishte poete që premtonte të sillte një frymë të re në poezinë shqiptare.

Në vijim, KultPlus ju sjell poezinë ”Kënga e pranverës”, poezi kjo e cila ishte botuar edhe në New York Times Magazine” nga Chris Stephen.

Nuk do të jemi bashkë,
jetërave tona po u afrohet fundi.
Nuk do të njihemi,
bashkë nuk do të takohemi,
do të derdh lot,
duhet ta dish se nuk ka shpresë më për mua,
e kam dashur shpirtin tënd më tepër se veten.
Shkrova për ty kujtimin
që të mund të gjesh prehje.
 / KultPlus.com

“Sa e bukur ishte jeta, e sa djegës ishte dielli”

Jacques Prévert

Oh, do të kisha dashtë shumë
që edhe ti t’kujtoje ditët e lumtuna 
të dashnisë tonë.
Sa e bukur ishte jeta,
e sa djegës ishte dielli.
Me pirgje bijn gjethet e vdekuna.
A e sheh: nuk kam harrue,
gjethet e vdekuna bijn me pirgje
si kujtimet e keqardhjet,
dhe era e veriut merr gjithçka me vedi
në natën ma të ftohtë që harron.
A e sheh: nuk e kam harrue 
kangën që më ke këndue…/ KultPlus.com

83 vjet nga vdekja e Norbert Jokl, albanologu austriak që ia kushtoi jetën gjuhës shqipe

Ai ishte një prej figurave më të ndritura që ka njohur albanologjia. Lindi me 25 shkurt 1877 në Bzenec, apo siç njihet ndryshe Bisenz, në jug të Moravisë dhe vdiq në rrethana tragjike, në maj të vitit 1942. Përveçse si albanolog, ai pati një kontribut të çmuar edhe si studiues i filologjisë balto-sllave dhe si bibliotekar i Universitetit të Vjenës.

Admirues i madh i Fishtës, Konicës, Skiroit, Naimit dhe traditës bektashiane, njohës i De Radës dhe i arbëreshëve, simpatizues i Shantojës dhe i Koliqit, Jokli pati një letërkëmbim të dendur me shumë personalitete kulturore dhe politike shqiptare.

Është meritë e tij që, qysh në vitin 1914, u kryen në Vjenë regjistrimet e para të zanoreve në gjuhën shqipe me subjekte shqipfolës. Ai njihet si autor i shumë studimeve që trajtojnë kryesisht probleme etimologjike dhe çështje letrare të gjuhës shqipe.

Jokli ia kushtoi jetën e tij gjuhës shqipe që, sipas Çabejt, është pasuria e vetme dhe më e çmuar që kemi si komb.

Fundi i jetës së tij ishte tragjik. Ai u arrestua nga Gestapoja më 4 mars 1942 në banesën e tij. Si datë e vdekjes së Norbert Jokl konsiderohet 6 maji i vitit 1942. / KultPlus.com

Konica: Një tipar karakteristik i shqiptarëve është dashuria për paratë

Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

Po shkëpusim një pjesë ku Faik Konica tregon për shqiptarët se si dhe sa i duan paratë.

Një tipar karakteristik i shqiptarëve është dashuria për paratë; ata janë gjithnjë të gatshëm t’u hyjnë aventurave më të rrezikshme, po të jetë se e shohin që del fitim. Në kohët e Perandorisë Turke të vjetër, turqit tregonin një histori: “E pyetën shqiptarin: a do të shkosh në ferr?” Ai u përgjigj: “Sa të paguajnë atje?”./ KultPlus.com

I Tretuni

Poezi e shkruar nga shkrimtari Ndre Mjeda

Nuk kalon nji natë e n’andërr
porsi zgjandërr
e shof nanën këtu përbri;
me krye vjerrte, me lot për sy
rri tue shfry
njat idhnim që don me e gri
Ndejun m’duket prap te votra
ku me motra
n’dritë t’kandilit qepte e arnote
por njat gaz ka që i shndritte
kur goditte
petkat e djalit e shendote
Kqyr njat vend ku n’mbramje rrishe
kur nuk kishe
fije idhnimi nëpër ftyrë
e ngurron, si t’kenke gurit
e, pshtetë murit
lot’ i dalin rrkaje tuj kqyrë
“T’kishe dekë ma mirë, o i mjerë –
thotë sa herë, –
Afër nanës qe t’desh e t’ruejti;
t’kishe mbyllë me duer te mia
këtu te shpia
njata sy qe mordja shuejti
Afër vorrit tand nan-shkreta
porsi bleta
ishte sjellun tue gjimue
e n’at bar qe kishte qitë
për gjithë ditë
ndonji lule kish kerkue…”
…E mandej, si del nji krue
tue bumue
rreth e rreth prej brijes s’malit
rrkaj i ulen lot’ per rrudha
– Nuk asht udha
nanë, m’u idhnue per t’zeza t’djalit
Kur n’kët shekull n’drit’ e qite
kur e rrite
me njat mund qe nep hitia (kujdes i madh)
“Nji nanë tjetër, – thoshe, – ke,
bir n’kët dhe
nana jote a shqiptaria
Mend e zemër për të shkriji
e përtriji
nam e lavd kur t’i vijë dita”
Mbas fjalësh t’tua përherë shkova
e t’ndigjova:
shqiptarin’ nuk e korrita./KultPlus.com

‘Qëllimi i personalitetit të njeriut është i përcaktuar nga përmasat e problemit, që arrin ta shtyjë atë njeri të lajthisë’

Ai është një nga shkencëtarët më të spikatur të shekullit të 20-të. Studentët e psikologjisë në mbarë botën i referohen atij si “gjysh Frojdi”. Gjatë jetës së tij, disa e konsideruan një sharlatan, të tjerët një gjeni. Coco Chanel e ka quajtur feministin e parë mashkull – sepse ishte Frojdi, në mënyrë të veçantë, që u bë teoricien i revolucionit seksual,i cili shtyu gratë drejt idesë së të drejtave të barabarta.

Dy zbulime në veçanti e kanë siguruar ndoshta reputacionin e tij përjetë; ai zbuloi misterin e ëndrrës, dhe ishte personi i parë që doli me një teori universale për funksionimin e mendjes së nënndërgjegjeshme të njeriut.

  • Qëllimi i personalitetit të njeriut është i përcaktuar nga përmasat e problemit, që arrin ta shtyjë atë njeri të lajthisë.
  • Para se të diagnostikoni veten me depresion ose vetëbesim të ulët, sigurohuni që nuk jeni të rrethuar nga budallenjtë.
  • Detyra për të bërë njerëzit të lumtur nuk është pjesë e planit të Krijimit.
  • Çdo gjë që ju bëni në shtrat është përsosmërisht dhe absolutisht e pranueshme. Me kusht që të dyja palët ta shijojnë.
  • Mungesa e plotë e seksit është e vetmja gjë që mund të konsiderohet si devijim seksual. Çdo gjë tjetër është vetëm çështje shijeje.
  • Në atë moment kur njeriu fillon të mendojë kuptimin dhe vlerën e jetës, atëherë mund ta konsideroni atë të çmendur.
  • Personi i parë që hodhi një fyerje në vend të një guri, ishte themeluesi i qytetërimit.
  • Dashuria e përjetshme, ideale, e spastruar nga të gjitha format e urrejtjes, ekziston vetëm mes të droguarit dhe drogës tij.
  • Ne jetojmë në një kohë krejt të çuditshme, në të cilën befasohemi tek vërejmë se progresi marshon në një hap me barbarizmin.
  • Sa më shumë i përsosur që është një person së jashtmi, aq më shumë demonë ka brenda vetes.
  • Kur njerëzit më kritikojnë, unë e di se si të mbroj veten. Por unë jam i pafuqishëm përballë lëvdatave.
  • Ne nuk jemi kurrë aq të dobët, sa kur dashurojmë, dhe kurrë aq të palumtur e pa shpresë, se sa kur humbasim objektin e dashurisë.
  • Tregues i parë i idiotësisë, është një mungesë e plotë e turpit.
  • Njerëzit janë më shumë moralë se sa mendojnë, dhe shumë më tepër amoralë sesa imagjinojnë.
  • Një pjesë e madhe e asaj që është e vërtetë brenda nesh nuk kuptohet; dhe ajo që kuptohet, nuk është e vërtetë.
  • Çdo njeri normal është, në fakt, vetëm pjesërisht normal.
  • Ndonjëherë, një cigare është thjeshtë një cigare.

Fragment nga libri “Zonja Bovari”

Gustave Flaubert (1821-1880) ishte një romancier francez i cili konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj në historinë e letërsisë. Ai lindi në Rouen, Normandi, Francë dhe kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij atje. Babai i tij ishte mjek dhe vetë Floberi studioi drejtësi në Paris, por shpejt e braktisi këtë rrugë karriere për të ndjekur pasionin e tij për të shkruar.

Më poshtë gjeni fragmente nga libri i tij ‘Zonja Bovari’:

“…Po ç’rëndësi kish! Ajo e lumtur nuk ishte, as kishte qenë ndonjëherë. Nga t’i vinte vallë kjo zbrazësi e jetës, ky kalbëzim i menjëhershëm i gjërave mbi të cilat mbështetej ajo?… Mirëpo në qoftë se kishte diku një njeri të fuqishëm dhe të hijshëm, burrë të vërtetë plot afsh dhe sqimë njëkohësisht, me zemër poeti si engjëll i lirë me korda tunxhi, që ngre larg në qiell tingujt e një poeme elegjiake të vajtueshme, përse rastësisht mos e gjente atë?

Oh! Sa e pamundur që ishte! Madje nuk ia vlente të kërkoje asgjë! Gjithçka ishte gënjeshtër! Çdo buzëqeshje fshihte një gogësimë mërzitjeje, çdo gëzim një mallkim, çdo kënaqësi neverinë e vet, dhe puthjet më të zjarrta të linin mbi buzën dëshirë të ndezur të parealizueshme për të shuar një epsh edhe më të përvëluar…”./KultPlus.com

Kur isha i ri, kisha dashuri

Poezi e shkruar nga William Shakespeare
Përktheu: Fan Noli

Kur isha i ri kisha dashuri,
ah dashuri,
E kisha zëmrën plot me lumtëri,
Me nuse e me dasm’ e me kurorë,
Isha si dash me brir’ e me këmborë,
Po e pabesa pleqëri më theu,
ah më theu,
Me pançën e me thonjtë më mbërtheu,
Më çthuri, m’arratisi në kurbete,
ah kurbete,
Në male, në shkëmbinj, në pronj e dete.
Një bel, një bel, një kaz’m e një lopatë,
ah lopatë,
Dhe një savan i gjërë dhe i gjatë;
Një grop’ e thellë dhe përsipër baltë,
ah moj baltë,
Kështu e do kjo mysafir’ e naltë./KultpPlus.com

Presidentja Osmani uron Papën Leo XIV pas zgjedhjes si kreu i ri i Vatikanit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Papën e sapozgjedhur Leo XIV, pas zgjedhjes së tij në krye të Selisë së Shenjtë.

Në një postim në platformën X, Osmani ka shprehur urimet e saj në emër të popullit të Kosovës, duke e cilësuar këtë një moment shprese për mbarë njerëzimin.

“Në një kohë kur bota ka etje për paqe, unitet dhe dhembshuri, zëri i tij do të ketë peshë të madhe”, ka shkruar presidentja Osmani, duke uruar që pontifikata e Papës Leo XIV të karakterizohet nga qartësi morale, udhëheqje e qëndrueshme dhe përkushtim i thellë ndaj dinjitetit të çdo qenieje njerëzore.

Papa Leo XIV pason Papën Françesku dhe pritet të udhëheqë Kishën Katolike./KultPlus.com

“Ti po vjen që prej së largu”

Poezi nga Lasgush Poradeci

Ti po vjen që prej së largu magji-plotë e dal-ngadal.
Ti po vjen që prej së largu dyke shkitur mbi lendina.
Nënë thëmbërzat e tua përgëzohet trendelina,
Shtrihet luleja mitare e zëmbakut që t’u fal.

E si shkon me hap të matur, më pushton një dhëmshuri:
Do të tretem të kullohem në kalim të këmbës s’ate,
T’i pushtoi i llaftaruar ato hapëza mëkate
Ndaj kalon mbi tufë lulesh madhërisht si yll i ri.

Dhe të qaj me mall të rëndë poshtë teje pa pushim,
Poshtë fillit të poleskës ku do shkeli kamba jote.
Të të shtroj nga dhëmbja ime një çudi prej pikash lotë,
Një pluhurë të përvajshme vetëm dhëmbj’ e dëshirim.

Të m’a shkelish hije- letë! të m’a shkelish mes për mes!
Të të shoh si më lëkundesh me sy fjetur e fatuar,
Brënda lotëve të mija të të shoh të pasqyruar,
E pastaj le të venitem, le të hesht e le të vdes. / KultPlus.com

Soprano Marigona Qerkezi debuton me shfaqjen operistike “Tosca” të Giacomo Puccinit në Operën Mbretërore Daneze

Sopranoja shqiptare Marigona Qerkezi ka ndarë me emocion lajmin se do të marrë pjesë për herë të parë në shfaqjen operistike “Tosca” të Giacomo Puccinit, ku do të interpretojë rolin kryesor. Ky angazhim shënon gjithashtu debutimin e saj në skenën e Operës Mbretërore Daneze në Kopenhagë dhe paraqitjen e saj të parë në Danimarkë.

“Një ëndërr që po bëhet realitet – Do të bëj debutimin tim në rolin e ‘Tosca’ nga Giacomo Puccini. Gjithashtu, do të jetë edhe debutimi im në shtëpinë e Operës Mbretërore Daneze Det Kongelige Teater në Kopenhagë”, ka shkruar Qerkezi

Produksioni do të hapë sezonin e ri artistik 2025/26 dhe do të vihet në skenë nga regjisori i njohur Kasper Holten./KultPlus.com

Promovohet “Mali i qumështit”, autorja Ervina Halili shpalos prozën poetike që trajton farën e krijimit

Romani “Mali i qumështit” (Onufri, 2025) është një tjetër dritë në krijimtarinë e autores Ervina Halili e cila vazhdimisht ballafaqohet me lexuesin, duke paraqitur mendime dhe skena të cilat vënë pikëpyetje të shumta në kokën e lexuesit. Promovimi i këtij libri u bë dje në ambientin e librarisë Dukagjini në Prishtinë, me ç’rast u diskutua stili, rrëfimi dhe kalimi nga poezia në prozë i autores Halili e cila konsiderohet të ketë shkruar një vepër që lehtësisht zgjon imagjinatën e njeriut, shkruan KultPlus.

“Mali i qumështit” është një rrëfim me kujtime nga ngjarje të vërteta nga jeta jashtëletrare. “Udhëtimi i vetes sonë metafizike nëpër botën që na pret krahapur me dashuri e shërim si një nënë e madhe, ndonëse ngjan fantastik, është po aq i realtë, pavarësisht çfarë pamje merr i reflektuar nga imagjinata jonë”, ka bërë të ditur autorja Halili.

Sipas saj në libër, mali përveç një hapësirë e realtë përjetimesh është poashtu një hapësirë utopike që jeton në zemrën e secilës grua.

Promovimi i cili filloi në orën 18:00 mblodhi rreth vetës artdashës, shkrimtarë e poetë. Në këtë ngjarje në panel të ftuar ishin autorët Ernestina Gjergji Halili, Ag Apolloni dhe autorja e librit, Ervina Halili. Panelin e moderoi Latif Mustafa i cili librin e trajtoi si një temë që flet dukshëm për shoqërinë tonë.

“Ervina është personi i parë e cila shkruan për letërsinë në të cilën nuk e sheh Zotin të shkrirë në gjithçka, por gjithçka e sheh të shkrirë tek Zoti apo sido që dëshironi ta quani atë. Edhe tek ky libër bëhet rezonimi i saj, pra ajo shkrihet në natyrën dhe natyra shkrihet në të. Autorja përpiqet të shkruajë për jetë, për mënyrën se si gjërat lindin. Edhe aktin e ngjizjes e sheh sikur poesis, diçka që vjen nga universi dhe frutizohet në botë”, thotë Mustafa.

Në anën tjetër, autorja Erenestina Gjergji Halili thotë se Ervina dhuron një copë të fantazisë së meditimit ku rrjedha lineare ndërpritet bukur.

“Është një ngjarje artistike dhe kulturore pasi që autorja ka arritur të sumblimojë një dhimbje e cila është e rrallë në jetën e njeriut. Mund të them se Ervina e ka tejkaluar veten si individ dhe ka sjellë rrëfimin e një autoreje që ka shfaq guxim dhe kjo ka një shijeje postmoderniste. Ajo na ka sjellë një hap përpara në gjininë e prozës. Jam nga ata personat që e kam lexuar dy herë librin e saj, për të kuptuar se çfarë ndodh me një autore që kalon në rrëfimin e gjatë dhe për të kuptuar procesin e saj. Jam e mahnitur me qenien grua jo vetëm të Ervinës por të të gjitha grave. Përgjatë rrëfimit mund të shohësh se ajo çfarë Evrina thotë është një copëz e fantazisë sonë, e meditimit tonë. Elementi i parë që më ka tërhequr është fragmentariteti dhe ndërprerja e rrjedhës lineare, ky është element postmodern. Kemi tre kategori, kemi meditim, përjetim emocional të natyrës, narrativë reale të përditshme, jeta në fshatin malor etj. Kemi rrugëtime filozofike dhe biologjike. Kjo është risi e jashtëzakonshme dhe një element i cili më tërhoqi gjithë qenien time brenda librit. Kemi një çrregullim kohor në narrativë dhe kjo është teknikë postmoderne dhe vë në pikëpyetje stabilitetin e realitetit tonë”, thotë ajo.

Sipas saj, elementi që ka vënë re është zhveshja e subjektit dhe autoritetit të një qendre. Pra, subjekti nuk është hero klasik por një vetëdije që endet, i ndarë mes meditimit, kujtesës, frikës dhe fantastikes apo magjikes.

“Personazhi kryesor përjeton një krizë ekzistenciale në kufi mes trupores dhe shpirtërores, reales dhe metafizikes, individuales dhe mitologjikes. Këtu kemi një autoritet qendror, një shkrike perceptimesh. Janë disa elemente që shohim se janë mbështetur nga realizmi magjik në romanin e autores. Kemi një ndjeshmëri të theksuar ndaj frazës poetike, një ndjeshmëri ndaj stilit dhe ndërtekstualitetit i cili është shumë figurativ, poetik, ka stil të lartë estetizmi të përditshmërisë që shndërron gjithçka në metaforë. Libri është një protestë ndaj mjedisit social e kulturor. I gjithë libri e ka protestën njerëzore brenda. Ervinës nuk i intereson as vetja, as nëna por njeriu i cili mund të jetë vetja, nëna, pasardhësi/ja, dhe në këtë ambiguitet e shikoj unë letërsinë e autores që ka një dëshirë për të kuptuar botën. Kështu krijohen kryeveprat shpirtërore”, përfundon Gjergji Halili.

Gjithashtu, shkrimtari Ag Apolloni ka thënë se brenda librit ‘Mali i qumështit’, autorja Halili ka krijuar një paralele, një orkestër ku zemrat femërore japin kontributin e tyre.

“Është shumë mirë që ju shoh kaq shumë në promovimin e këtij libri. E vlerësoj shumë poezinë dhe letërsinë e Ervinës dhe me qejf jam këtu. Është një nga autorët më të talentuara që kemi tani dhe e lexova me kënaqësi librin e saj. Letërsia shqipe ka qenë një letërsi në diskurs androcentrik dhe shumë rrallë i është bashkuar këtij kori ndonjë zë femëror. Tani ka nisë të krijohet një paralele, një orkestër ku zemrat femërore japin kontributin e tyre. Duke lexu librin shohim se ka një perspektivë gjinocentrik dhe duhet të jesh femër për ta shkruar një libër të tillë. Është e domosdoshme perspektiva e librit sepse pasuron letërsinë shqipe pasi që jemi duke folur për një krijim që flet për krijimin e një fëmije dhe nuk është thjeshtë një shtatzëni por një varg idesh ku krijohen relacione të çuditshme mes brezave. Personi që rrëfen përshkruan subjektivisht dhe tregon paralele të realitetit të sotëm dhe asaj të një kohe kur Kosova ishte nën regjimin serb. Janë paralele mes dy linjave të dy lindjeve dhe bartja nga personalja tek socio-politikja është një prurje e veçantë e kësaj proze që më shumë anon kah ana poetike duke mos u përqendruar tek narracioni. Është një meditacion mbi temën e librit”, thotë Apolloni.

Sipas tij, është një libër i veçantë sepse autorja ka ndërruar zhanrin dhe ka krijuar një roman që është anti-postmodern.

Ndërkaq, autorja e vetë librit, Ervina Halili ka treguar se libri është një prozë poetike në vete dhe ka lindur si pasojë e dëshirës për të ia dedikuar një tekst më të gjatë poezisë së saj ‘Nana’ që u publikua në librin ‘Nuk janë sytë e mi’.

“Nga poezia kanë lindur shumë shkenca dhe vetë filozofia, sipas meje. Por, metafizika të cilën e shfrytëzoj për të shpjeguar shumë koncepte, është vetë poezia. Poezia është shumë intime, e brendshme. Poezitë janë protestë emocionale dhe poezia është njëfarë thani i qetësisë dhe jo protestë. Ndonjëherë nuk mjafton për të komunikuar në rrafshe të tjera. Libri është një prozë poetike në vete. Ka qenë një proces jo i lehtë i tekstit të prozës së librit ‘Mali i qumështit’, për shkak të vetëbesimit për të shkruar prozë. Proza kërkon njëfarë teknike të daljes nga ajo që vjen automatikisht. Dua të them se gjinia tejkalohet ngaqë ideja ka qenë fillimisht që përmes procesit të një gruaje, të përjetohet principi femëror universal. Kur personazhi është grua atëherë krijohet një ngarkesë tjetër sociale dhe politike. Kam pasur dëshirë që eko-feminizmi që është aktiv në botë, të flasë jo për gjininë por për botën, tokën, natyrën, Zotin si princip femëror. Ekziston një poemë e imja, ‘Nana’ tek libri ‘Nuk janë sytë e mi’, ndaj së cilës doja ta krijoja një tekst të zgjeruar, dhe libri është pikërisht dedikim ndaj asaj poezie. Unë kam pasur një proces luftarak me këtë tekst sepse sa herë që lëshohesha në shpjegime, ndalesha dy-tri ditë dhe doja që teksti të jetë i përmbytur dhe jo i hapur”, thotë Halili.

Ajo ka thënë tutje se libri trajton dy botë që janë kundërshtare me njëra-tjetrën por që janë opozitare në mënyrën se si shoqëria e percepton.

“Mali shkon karshi egos së njeriut dhe kur njeriu i hyp malit me shumë ego, mali nuk e duron. Njeriu krejt sferën e ka ndërtuar me egon e tij por është diçka esenciale që ka njeriu. Mbiegoja është më e rrezikshme sesa egërsia natyrore e vetë malit. Do të vijë një kohë kur njeriu do ta harrojë prejardhjen e tij, burimin e tij, gjithçka. Ashtu e imagjinoj unë. Njeriu do të harroj se zemra e tij është e lidhur me diçka shumë më esenciale sesa truri. Ndoshta libra të tillë do të ia rikujtojë kësaj gjenerate, burimin e njeriut”, thotë ajo.

Në fund, të pranishmit patën mundësinë të flasin gjerësisht me autoren e cila i ftoi ata në një koktej rasti./ KultPlus.com

Hapet Pavijoni i Kosovës në Ekspozitën Ndërkombëtare të Arkitekturës – La Biennale di Venezia, 2025

Pavijoni i Kosovës në Bienalen e 19-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia u hap sot me prani të përfaqësuesve institucionalë, arkitektëve, kuratorëve, studiuesve dhe mediave ndërkombëtare. Ky vit, Pavijoni përfaqësohet me instalacionin “Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje” nga Erzë Dinarama, i cili ofron një eksplorim të marrëdhënieve ekologjike dhe sistemeve të dijes që janë nën trysninë e krizës klimatike.

Hana Halilaj, kuratore dhe përfaqësuese e Galerisë Kombëtare të Kosovës, institucion komisionues i Pavijonit, shprehu falënderimin për mbështetje dhe theksoi se instalacioni është ndërtuar rreth një kalendari relacional që e përshkruan përvojën e fermerëve të Kosovës në përballje me pasiguritë klimatike, ku aromat dhe shqisat janë të ngjitura me ritmet ekologjike.

Nita Shala, Ambasadorja e Kosovës në Itali, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje, duke e quajtur një moment të veçantë që përfaqëson jo vetëm vizionin artistik, por edhe identitetin e Kosovës në një platformë ndërkombëtare të artit dhe arkitekturës.

Arkitektja dhe kuratorja Erzë Dinarama shpjegoi se ky projekt ndjek një kalendar ekologjik të ri, ku momentet kyçe të ndryshimeve klimatike, si ngricat e vona dhe mungesa e borës, krijojnë një tension që ndikon në jetën e fermerëve dhe në natyrën që ata kultivojnë. Pavijoni shpalos këto tensione përmes dy elementeve kryesorë: erës dhe dheut.

Pavijoni i Kosovës është i mbështetur nga kërkime me bujq në të gjithë territorin e Kosovës, dhe thekson transformimin e peizazhit bujqësor, ku kultura tradicionale po ndeshet me vështirësi dhe të reja po po lindin. Instalacioni materializon këto tensione ekologjike në një formë që angazhon shqisat e vizitorëve.

Pavijoni përfshin gjithashtu një platformë digjitale dhe një libër të publikuar pas hapjes, ku do të ndahen ese, reflektime dhe njohuri që zgjeron hulumtimin dhe imagjinatat hapësinore të projektit.

Kosova është pjesëmarrëse e Bienales së Venecias që nga viti 2012, duke ofruar projekte të ndryshme nga arkitektë dhe artistë të shquar. Prezantimet e kaluara përfshijnë punë nga Përparim Rama (2012), Gëzim Paçarizi (2014), Eliza Hoxha (2018), Maksut Vezgishi (2021), dhe Poliksen Qorri–Dragaj & Hamdi Qorri (2023)./KultPlus.com

Tym i bardhë në Vatikan – është zgjedhur Papa i ri

Nga oxhaku i Kapelës Sistine në Vatikan ka dalë tymi i bardhë, duke shënuar zyrtarisht përzgjedhjen e Papës së ri nga Kolegji i Kardinalëve. Në të njëjtën kohë, kambanat e Bazilikës së Shën Pjetrit kanë nisur të bien si simbol i këtij momenti historik për Kishën Katolike.

Turma e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit është shpërthyer në duartrokitje e brohoritje sapo janë parë sinjalet e bardha që dalin nga Kapela Sistine, që tradicionalisht tregojnë se votimi për Papën e ri ka përfunduar me sukses.

Së shpejti, Papa i ri pritet të shfaqet për herë të parë në ballkonin e Bazilikës, ku do të përshëndesë besimtarët dhe do të prezantohet me emrin e tij të zgjedhur papnor. Përpara daljes së tij, një kardinal i lartë do të shpallë fjalët e njohura “Habemus Papam” – “Kemi një Papë”./KultPlus.com

Presidentja Osmani e gatshme të presë liderët politikë në takim gjithëpërfshirës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur gatishmërinë e saj për të takuar liderët e partive politike që nga data 16 prill, në rast se një gjë e tillë kërkohet nga vetë partitë. Deri më dje, sipas këshilltarit për media Bekim Kupina, nuk ka pasur ndonjë kërkesë për një takim të tillë nga asnjëra prej partive.

Megjithatë, meqë disa prej subjekteve politike kanë shprehur tashmë interesimin që presidentja të thërrasë një takim të përbashkët, kabineti i saj do të nisë së shpejti kontaktet me partitë për të përcaktuar një kohë të përshtatshme për të gjithë pjesëmarrësit.

Takimi synon të jetë gjithëpërfshirës dhe të shërbejë si platformë për dialog mes spektrit politik në Kosovë./KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq

Më 8 maj të vitit 1948, u festua për herë të parë Dita Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq.

Në Shqipëri, Kryqi i Kuq përbën shoqatën më të vjetër humanitare, e themeluar më 4 tetor të vitit 1921.

Kjo shoqatë u njoh zyrtarisht prej Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në vitin 1923.

Vetëm pak janë në dijeni të faktit se, kryetari i Kryqit të Kuq ka qenë Ahmet Zogu, i cili pas pak vitesh do të bëhej mbret./KultPlus.com

Shqipëria hap pavijonin e saj në Bienalen e 19-të të Arkitekturës në Venecia

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka njoftuar se Shqipëria është bërë pjesë e Bienales së 19-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, një nga ngjarjet më prestigjioze në fushën e artit dhe arkitekturës botërore.

Pavijoni shqiptar, i cili u përurua zyrtarisht në prani të kuratorit të këtij edicioni Carlo Ratti, vjen këtë vit me temën “Building Architecture Culture”, një koncept që trajton arkitekturën si mjet për dialog shoqëror, përfshirje dhe transformim.

Pavijoni është kuruar nga Anneke Abhelakh, ndërsa projekti është drejtuar nga Alessandra Biscaro, me kontribute nga një ekip ndërkombëtar dhe shqiptar në fushën e dizajnit, kurimit dhe komunikimit. Një nga momentet më të veçanta të përurimit ishte prania e emrave të mëdhenj të arkitekturës botërore si Bjarke Ingels dhe Winy Maas, të cilët dëshmuan vëmendjen në rritje që po i kushtohet Shqipërisë në arenën globale.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë bienale është përtej një prezence simbolike – ajo përfaqëson një qasje të re, ku arkitektura shihet si instrument për zhvillim ekonomik, ndërtim identiteti, inovacion urban dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Pavijoni shqiptar do të jetë i hapur për publikun nga data 10 maj deri më 23 nëntor 2025./KultPlus.com

‘Me u ndejtë dhimbjeve n’teh…’

Poezi nga Azem Shkreli

Çka mësova unë

Me u ra tërthoreve në trup
Me ndie andjet tue lehë
Me ra mbas xixave n’pup
Me u ndejtë dhimbjeve n’teh

Me shkel parashëm n’për tokë
N’venë t’fjalëve mos me u deh
Me i ndreqë muret me kokë
Me thanë fat kobi ku je

Mos me dashtë ngushëllim
Me folë pa hile me mikun
M’u varë n’çengelin tim
Me ndezë kandila të fikun

Me i vënë vetimët ne sy
Me mat me dorë në zemër
Me gjerbë e mos me pështy
Me prek Akilin ne themër

Ndër sqota mos me u mekë
Me dashte si me vdekë
Me vdeke si me luejtë./KultPlus.com

73 vite nga lindja e kompozitorit shqiptar me origjinë armene, Haig Zacharian

Më 8 maj 1952, në Durrës, lindi kompozitori i njohur shqiptar me origjinë armene, Haig Zacharian. Që në fëmijëri, ai tregoi talent në muzikë, duke filluar mësimet e para për piano dhe teori muzikore në shkollën fillore të qytetit të tij të lindjes.

Në vitet 1969-1973, Zacharian ndoqi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (sot Universiteti i Arteve), në klasën e kompozicionit të profesorit të njohur Tonin Harapi. Pas diplomimit, punoi fillimisht si drejtues artistik i ansambleve amatore në Fierzë dhe Tropojë, e më pas, që nga viti 1977, në qytetin e tij të lindjes, Durrës.

Nga viti 1980 deri në 1986, ai ishte mësues i lëndëve teorike në Shkollën e Muzikës “Jan Kukuzeli”. Pas një periudhe si krijues i lirë, në vitin 1993 u emërua shef i Katedrës së Teorisë dhe Kompozicionit në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Në një karrierë që shtrihet mbi katër dekada, Haig Zacharian ka dhënë një kontribut të çmuar në muzikën shqiptare. Ai ka kompozuar vepra të shumta në zhanre të ndryshme – nga muzika e dhomës, veprat korale dhe këngët për fëmijë, te muzikat për filma dhe aranzhimet për ansamble. Veprat e tij janë interpretuar brenda dhe jashtë vendit, në vende si Kosova, Maqedonia, Zvicra, Italia, Austria e Spanja.

Pas viteve ’90, ai u përqendrua në muzikën e dhomës dhe në eksperimentimin me teknika bashkëkohore, duke ruajtur gjithmonë një stil të veçantë e të komunikueshëm.

Zacharian ka kompozuar muzikë për një numër të madh filmash shqiptarë, përfshirë: “Ilegalët”, “E fshehta e një nate”, “Yjet mbi Drin”, “Një ndodhi në port”, “Të mos heshtësh”, “Dora e ngrohtë” dhe shumë të tjerë.

Për kontributin e tij, ai është vlerësuar me një sërë çmimesh e mirënjohjesh, duke mbetur një nga emrat më të spikatur të muzikës shqiptare./KultPlus.com

Promovohet instalacioni ‘FROM HERE TO ANYWHERE’ i Driton Selmanit: Drita e Evropës ndriçon më fort kur liria bëhet art

Në Ditën e Evropës, te Parku i Shkallëve të Arbërisë, sot është promovuar instalacioni “FROM HERE TO ANYWHERE” i artistit të njohur Driton Selmani.

Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi me këtë rast ka thënë se ky instalacion është ftesë për të imagjinuar një të ardhme ku kufijtë nuk janë pengesë, por pikënisje.

““Nga këtu drejt kudo” mishëron idealin e lirisë, të lëvizjes, të mendimit dhe të shprehjes, si themel i një rruge që na bashkon, na ndërlidh dhe na jep kuptim si individë e si komunitet.

Mirënjohje të veçantë për organizatën Lëvizja FOL, Prishtina Institute for Political Studies (PIPS) dhe Ambasadën e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, të cilët me mbështetjen e tyre bënë të mundur realizimin e kësaj vepre që ngjall dialog dhe frymëzim.

Drita e Evropës ndriçon më fort kur liria bëhet art”, ka thënë drejtoresha Halimi./ KultPlus.com

‘Vermiglio’ kryeson në çmimet ‘David Di Donatello’, Timothee Chalamet nderohet me çmim nderi

Në edicionin e 70-të të çmimeve “David di Donatello” në Itali, filmi “Vermiglio” i Maura Delpero fitoi çmimin “Filmi dhe Regjia më e Mirë”, duke shënuar një fitore historike për një regjisore, sipas “Deadline”.

Gjithashtu, aktori i njohur amerikano-francez, Timothee Chalamet mori nje çmim nderi “David Di Donatello” për “Ekselencë Kinematografike”.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua dje në mbrëmje në “Teatrin 5” të studiove “Cinecittà”, në Romë.

Delpero është gruaja e parë që fiton çmimin “David di Donatello” për “Regjinë më të Mirë” në historinë e çmimeve – dhe regjisorja e tretë që fiton për “Filmin më të Mirë”.

Filmi mori gjithsej, shtatë çmime “David di Donatello”, të cilat përfshinin “Skenarin më të Mirë Origjinal”, “Kastin më të Mirë”, “Producentin më të Mirë”, “Kinematografinë më të Mirë” dhe “Zërin më të Mirë”.

Ngjarjet e “Vermiglio” sillen rreth një familjeje në një fshat të largët malor në vitin 1944 – jeta e së cilës ndërpritet nga mbërritja e një ushtari të braktisur.

Filmi me metrazh të gjatë u shfaq si premierë në Venecia dhe fitoi Çmimin e Madh të Jurisë “Luani i Argjendtë” dhe ishte kandidat për çmim “Oscar” 2025.

Komedia muzikore e Margherita Vicario “Gloria!” –  fitoi çmimet për “Filmin më të Mirë Premierë” dhe “Kompozimin dhe Këngën më të Mirë”.

Filmi, i cili u shfaq në Berlin në vitin 2024, zhvillohet në Venecia – në fund të viteve 1700 dhe sillet rreth një jetimoreje dhe një Konservatori të Muzikës për vajza – ku vajzat e reja trajnohen sipas standardeve më të larta, por u mohohet e drejta për të shkëlqyer në botën e gjerë.

“The Art of Joy” e Valeria Golino gjithashtu fitoi çmimin për “Aktoren më të Mirë” (Tecla Insolia), “Aktoren më të Mirë Mbështetëse” (Valeria Bruni Tedeschi) dhe “Skenarin më të Mirë të Përshtatur”.

Drama pasqyron një grua të lindur në rrethana modeste në Siçili në vitin 1900, e cila vazhdon jetën në një manastir dhe më pas krijon një vend në një familje aristokratike – duke arritur lumturinë dhe emancipimin.

Drama në gjuhën frënge e Gianluca Jodice, “The Flood” – me aktorët Guillaume Canet dhe Melanie Laurent në rolet e Louis XVI dhe Marie Antoinette fitoi çmimet për “Regjinë më të Mirë Artistike”, “Kostumet”, “Grimin dhe Stilimin më të Mirë i Flokëve”. /atsh/ KultPlus.com

Thimi Mitko, ndriçuesi i mendimit kombëtar dhe i kulturës shqiptare

Biblioteka e Korçës, organizoi një sesion shkencor në nderim të rilindasit Thimi Mitko, në 205-vjetorin e lindjes së tij, me temë “Thimi Mitko – Ndriçues i mendimit kombëtar dhe i kulturës shqiptare”

I pranishëm në aktivitetin e zhvilluar së fundmi, prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, u shpreh se, ishte më shumë se një sesion shkencor.

“Ishte takim me rrënjët tona, me mendimin e kthjellët dhe pasionin e një njeriu që e deshi pa kushte gjuhën amtare, kulturën dhe identitetin shqiptar. Korça ka ditur gjithmonë të nderojë bijtë e saj dhe të mbajë gjallë kujtesën e atyre që ndriçuan rrugën tonë kombëtare”, u shpreh prefekti Jole, në një postim në rrjetet sociale.

Në fjalën e tij, prefekti i Qarkut Korçë, vuri theksin edhe tek mungesa e vetëdijes dhe sjelljes patriotike që hasim jo rrallë sot në mjedisin shoqëror dhe që Jole ftoi të plotësohet me homazhe të vazhdueshme të figurave të këtij kalibri.

Euthimio (Thimi) Mitko është një prej figurave më fisnike të Rilindjes sonë Kombëtare, emrin e të cilit e mban edhe Biblioteka e Korçës. Mitko ia kushtoi jetën çështjes kombëtare si edhe folklorit. Koleksioni i folklorit shqiptar të Mitkos përmbante këngë, tregime dhe thënie popullore nga Shqipëria e jugut. /atsh/ KultPlus.com

Chopin Piano Fest nis sonte në Prishtinë

Ceremonia e hapjes së edicionit jubilar të 15-të të Chopin Piano Fest do të filloj me pianisten Maria Ludwika Gabrys- Heyke, profesoreshë dhe Shefe e Departamentit të Muzikës së Vjetër dhe e Çembalos në Universitetin e Muzikës “Fryderyk Chopin” në Varshavë.

Gabryś-Heyke është fituese e shumë Çmimeve të Para, përfshirë Konkursin Ndërkombëtar “Ludwig van Beethoven” në Hradec nad Moravicí (Republika Çeke), “Edwin Fischer-Wettbewerb” në Lucernë (Zvicër) dhe “Chopin Golden Ring” në Ptuj, Slloveni.

Festivali më i madh i muzikës klasike “Chopin” vjen në bashkëpunim me Zyren e Bashkimit Evropian në Kosovë, për nder të Ditës së Evropës.

Ceremonia e hapjes së Chopin Piano Fest nis në ora 20:00, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qëndrore Universitare./ KultPlus.com

Në galerinë e roleve të Saimir Pirgut

Jonida Xhyra-Entorf

Në galerinë e roleve të Saimir Pirgut

(Ky bashkëbisedim i çlirët me tenorin Saimir Pirgu u bë me një kafe përpara, një ditë pas interpretimit të tij në operën Manon Lescaut në Mynih, në prill të këtij viti. Pas shfaqjes iu bashkova grupit të vogël të shqiptarëve, të cilët bashkë me konsullen e Republikës së Shqipërisë në Mynih, zonjën Gentiana Mburimi, po e prisnin për ta uruar personalisht, dhe iu luta për një takim të nesërmen, lutje të cilën ai e pranoi me shumë dashamirësi. Ishte dita e parë e pushimeve të Pashkëve dhe qyteti kishte qetësinë që të jep ideja se gjysma e banorëve të tij me siguri ishin larguar diku për t’u shkëputur sadopak nga e përditshmja. Kafeneja pranë operës ishte ndër të paktat që ishin hapur. Bashkëbisedimi ynë rrodhi shumë natyrshëm, duke dalë shpesh jashtë shtratit të pyetjeve që unë isha munduar të strukturorja si parapërgatitje për të, por duke u bërë kështu shumë më i ngrohtë, interesant dhe i bukur. Varianti i shkruar i këtij bashkëbisedimi botohet me miratimin e Saimirit.)

Ishe një De Grijë (Des Grieux) fantastik mbrëmë dhe publiku të duartrokiti shumë gjatë. Asaj thirrjes sime “bravo Saimir” iu bashkuan dhe ato të shqiptarëve të tjerë në publik.

Falemnderit. Është një rol që e kam vërtet për zemër, ndonëse për fat të keq opera Manon Lescaut, ndër më të bukurat e Puçinit, nuk vihet shpesh në skenë.

Carmen – Edinburgh Festival

Romani i Abe Prevostit (Abbé Prévost)[1] ka shërbyer si bazë jo vetëm për Puçinin (Puccini), por gati 10 vite para tij (1884) edhe për operën Manon të Zhyl Masnesë (Jules Massenet). Ti e ke interpretuar këtë rol në të dy operat. Si i përjeton këto dy role, si fytyra të të njëjtit njeri apo si dy karaktere tërësisht të ndryshme që mbajnë të njëjtin emër?

Nuk besoj që De Grijë si figurë apo karakter është i ndryshëm në të dy operat. Ndryshimi është pa dyshim përçimi në muzikë. De Grijë i Masnesë përjetohet psikologjik, elegant, melankolik, kurse De Grijë i Puçinit është dramatik, emocionalisht i vrullshëm, pasionant deri në shkatërrim, dhe mendoj që përcjellja e intensitetit të këtij pasioni shkatërrues në operën e Puçinit është sfidë për çdo tenor. Në përgjithësi De Grijë është ndër rolet më të vështirë të Puçinit.

Nga Masne ti ke kënduar dhe Verterin (Werther)[2]. Verter dhe De Grijë janë dy figura që Masne i ka ndërtuar si dy fytyra të ndryshme të dashurisë. Njëri është poeti i dëshpërimit dhe i vetmisë, tjetri njeriu i pasionit që flijon gjithçka për dashurinë. Sa ndikon kjo në qasjen vokale dhe emocionale në skenë?

Mendoj që Verteri është më sfidues si rol, qoftë edhe me praninë gati të gjithëkohshme në skenë dhe me monologët që përçojnë një melankoli të thellë, por pa shpërthime pasioni si tek De Grijë. Aria e Verterit Pse më zgjon (Pourquoi me réveiller)p.sh. është kulmi i dëshpërimit poetik.

De Grijë nuk është i vetmi rol i dyfishtë për ty. Ti ke kënduar gjithashtu Faustin e Gunosë (Charles Gounond)[3] në operën me të njëjtin titull dhe Faustin e Berliozit në të ashtuquajturën legjendë dramatike Nëma e Faustit (Hector Berlioz: La damnation de Faust)[4]. Një mit, por dy vizione të ndryshme muzikore dhe teatrale me temperament dhe dramë shumë të ndryshme. I pari gjen shpëtim përmes dashurisë dhe pendesës, i dyti humbet nga pakti i bërë me djallin. Si përjetohet për një tenor ky dyzim i Faustit romantik të Gunosë dhe atij filozofik, gati vizionar të Berliozit?

Në këtë rast unë mendoj se qasjet muzikore karshi kësaj figure janë të ndryshme. Fausti i Gunosë është një operë klasike, personazhet shpërfaqen në skenë përmes një rrëfimi linear. Natyra hibride e veprës së Berliozit ka një karakter më simfonik dhe konkretisht roli i Fasutit kërkon jo vetëm zotërimin e toneve të buta, delikate, të nuancuara, por dhe të shpërthimeve heroike.

Fausti i Gunosë, përveç ëmbëlsisë dhe elegancës franceze, kulmon dhe me një ut de poitrine në arien Të përshëndes, strehëz e dëlirë dhe e paqme (Salut! demeure chaste et pure), një do tepër e lartë, normalisht jashtë partiturës origjinale, por tashmë një kulm i kthyer në standard. Çfarë është e rëndësishme për ty në një kulm të tillë, për të cilin publiku ka një pritshmëri të veçantë?

Që të vijë natyrshëm. Aria në fjalë përçohet nga një lirizëm i thellë dhe një sforcim sado  minimal do të ndjehej menjëherë si i panatyrshëm.

Werther – Tokyo New National Theatre

Ut de poitrine, ose varianti italian do in petto mbetet gjithmonë një moment legjendar për tenorët dhe ti ke pasur fatin të kesh mësues dhe mentor the King of the High Cs[5], Pavarotin (Pavarotti). Pavaroti ofron një shkrirje të teknikës së përsosur me emocionin e pastër, pa teprime, me një intensitet të brendshëm, por dhe me një maturi gjeniale. A mund të përcillet kjo gjë nga mësuesi tek nxënësi?

Absolutisht jo, Unë mendoj që ky është një tharm të cilin ta ka falur perëndia. Një mësues apo mentor mund të të mësojë teknika të ndryshme, të të orientojë. Unë pata fatin e madh që bazat e bel canto-s t’i mësoj nga Pavaroti. Por ai tharmi hyjnor, të cilin e ndiejmë të gjithë ndoshta kur dëgjojmë Pavarotin, nuk është e mundur të përcillet, të mësohet. Kur unë iu prezantova Pavarotit, nuk ishte fjala që ai të më thoshte: “djalë i mbarë, që të bëhesh tenor duhet punë.” Peshën e kësaj të vërtete ti e ndien shumë shpejt, edhe pa ta thënë njeri. Pavaroti u gjend në momentin e duhur në jetën time për të vënë re shkëndijën e talentit apo të atij tharmit hyjnor dhe për të më thënë: “tani në qofsh i mençur bëj diçka me këtë dhuratë që të ka falur perëndia.”

Le të qëndrojmë shkurt tek bel canto. Krahas Tebaldit fisnik, Nemorinos së pafajshëm apo Edgardit tragjik[6], role të këtij stili, ti ke interpretuar dhe atë të këngëtarit italian[7], një rol i vogël, por në të vërtetë një parodi e bërë me dashuri, ironi elegante dhe nostalgji për stilin bel canto. I jep një vend të veçantë këtij roli?

Jo. Ky rol për mua është si të thuash një kartëvizitë, të cilën unë e kam.

Duke iu kthyer edhe një herë Gunosë. Nga ky kompozitor ti ke interpretuar përveç Faustit dhe Romeon (Roméo et Juliette)[8]. I pari shet shpirtin për dashurinë, i dyti vdes për dashurinë. Ku ndahen këta dy role të dy burrave që dashurojnë, vuajnë dhe zgjedhin rrugë kaq të ndryshme për të jetuar dashurinë e tyre?

Fausti është një figurë tragjike që përjeton një transformim të thellë, duke kaluar nga dëshpërimi në pasion dhe më pas në pendesë.​ Këto emocione të thella duhen përcjellë dhe vokalisht. Romeo kërkon një tenor me ndjeshmëri të lartë dhe me delikatesë për ta bërë vokalisht të besueshme dashurinë e sinqertë dhe të pafajshme mes tij dhe Xhuljetës. Përveç të tjerash Romeo është dhe një rol shumë i gjatë që kërkon kondicion në skenë.

Ti ke kënduar shumë herët Moxartin (Mozart)[9]. Pse i mëshohet vazhdimisht rëndësisë së roleve moxartiane në këndimin klasik?

Moxarti është një kompozitor që kërkon ekuilibër mes teknikës së përkryer dhe shpirtit që rrjedh nëpër nota. Ky ekuilibër, kjo disiplinë, e bën atë kaq të rëndësishëm teknikisht dhe muzikalisht, është një sfidë që të jep mundësinë të zhvillohesh.

La Damnation de Faust – Bolshoi Theatre – Moscow

Duke qenë se jemi tek Moxarti, Konservatori i Bolxanos (Bolzano), ku ti ke studiuar, gjendet në një udhëkryq mes kulturës gjermanike dhe asaj italiane, mes shkollës së disiplinës vokale dhe ndjeshmërisë lirike mesdhetare. Ka ndikuar kjo në formimin tënd?

Ka mundësi. Unë nuk e zgjodha atë konservator, por shkova atje sepse ata iu përgjigjën kërkesës sime. Mbaj mend që kur udhëtoja për në Bolxano vija re se numri i binarëve nëpër stacionet ku ndalonte treni rrugës zvogëlohej, sa më shumë i afrohesha destinacionit tim. Dikur mbërrita dhe gjëja e parë që më ra në sy ishte një binar i vetëm treni mes malesh, duke menduar me vete: “ku kam ardhur këtu!”

Më tregove më parë që në Elbasan ke banuar tek pallatet pranë shkollës De Rada. Në anën tjetër të rrugës ishin shinat e trenit, stacioni i të cilit në Elbasan kishte gjithashtu një binar të vetëm, nëse e mban mend.

Me sa duket e mbaj mend shumë mirë, përderisa siç të tregova më sipër në mënyrë të pandërgjegjshme e kisha formuluar si masë krahasimi.

Ke një lidhje shpirtërore me Elbasanin?

Jo, unë rastësisht kam lindur në Elbasan. Familja ime bën pjesë ndër ata të ardhur për të punuar në kombinatin metalurgjik në këtë qytet. Ka një fjalë që elbasanasit e përdorin për ne.

Jabanxhinj. Më vjen keq të ta kujtoj këtë fjalë, sepse është vërtet e pabukur.

Po, jabanxhinj. Si të tillë, ne ose të tjera familje si ne, e kishin të vështirë të bënin pjesë në grupimet vendase që e ruanin me fanatizëm përkatësinë e tyre. Dhe kur një fëmijë e ndien këtë, është diçka që i mbetet në kujtesë.

Unë e kuptoj shumë mirë ndjesinë tënde. Për vite me radhë e kam dëgjuar këtë fjalë në fëmijërinë time pa ndonjë emocion të veçantë, sepse unë bëja pjesë në anën tjetër, në atë të vendasve. Peshën e saj e ndjeva vërtet deri në palcë pasi u largova nga Elbasani. Pa e përligjur aspak, mendoj megjithatë, se ky mentalitet u bë regresiv në Elbasan pikërisht pas ndërtimit të kombinatit metalurgjik. Gjatë kësaj kohe qyteti pësoi një rritje shumë të sforcuar dhe të panatyrshme, të cilën nuk e përtypi dot në çdo drejtim. Por le të mbetemi në Elbasan dhe konkretisht tek shkolla e muzikës. Mund të më thuash diçka për të, pa të bërë një pyetje të drejtpërdrejtë.

Më tregove më parë që edhe ti ke qenë për tetë vjet rresht nxënëse në shkollën e muzikës.

Po, konkretisht 10 vite përpara teje, gjithashtu për violinë.

Pikërisht këtu është dhe ndryshimi. Ti ke qenë nxënëse në një kohë kur shkolla e muzikës funksiononte brenda një sistemi. Le ta lëmë mënjanë për një moment vlerësimin e këtij të fundit. Unë hyra në atë shkollë në kohën kur sistemi po lëkundej drejt shembjes dhe përjetova si fëmijë këtë shembje vit pas viti. Ato dritaret e stërmëdha të shkallëve që ti i mban mend plot dritë, unë i kam në kujtesë me mushama ose me kompensatë.

Ky është një imazh vërtet i trishtuar. Mund të më përmendësh megjithatë një lidhje të bukur me këtë shkollë?

Në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë shumica e harqeve kanë mbaruar pikërisht këtë shkollë, pra unë dhe ata kemi kaluar të gjithë nëpër atë korridorin e ngushtë me klasa të vogla të katit të parë. Kam respekt për të gjithë instrumentistët e tjerë të orkestrës, që janë të mrekullueshëm, por harqet, natyrisht njerëzit pas tyre, kur jam aty, më japin brenda vetes ndjesinë e një lidhjeje të hershme, të bukur.

Les Contes d’Hoffmann – Opernhaus – Zurich

Galeria jote verdiane[10] dhe puçiniane[11] është tejet e pasur. Ajo përfshin përthyerje të fuqishme dramatike, p.sh. joshjen e rrezikshme të dukës së Mantovës, idealizmin e thyer të Don Karlos apo zërin e ndërgjegjes tek Makdufi, por dhe pasionin e poetit ëndërrimtar tek Rodolfo, të dashnorit impulsiv tek Kavaradosi apo të atij që ky pasion e shkatërron tek De Grijë. Si ka ndryshuar qasja jote në kohë për rolet verdiane dhe ato puçiniane?

Unë mendoj se përvojat që fitohen me kalimin e kohës si individ dhe si artist, duke përfshirë këtu edhe zhvillimin vokal, sepse edhe zëri ndryshon, të ndihmojnë të kuptosh më thellë shtresëzimet dramatike të Verdit dhe nuancat emocionale të pasionit puçinian. Verdi më hapi dyert e suksesit, por pasionin puçinian e ndiej më afër vetes.

Pasioni à la française i Don Hozesë (Don José: Carmen)[12] kap në thelb transformimin e një njeriu të zakonshëm në një figurë tragjike, jo sepse është i lig, por sepse nuk është i aftë të përballojë fuqinë e ndjenjës që e kaplon. Cila është sfida vokale e këtij roli?

Pikërisht ky transformim, kalimi nga lirizmi i butë (La fleur que tu m’avais jetée: Lulja që më pate hedhur) deri tek obsesioni (C’est toi, Carmen! Il est temps encore…: Je ti Karmen! Ka akoma kohë…).

Roli i Hofmanit (Hoffmann: Les contes d’Hoffmann)[13] është unik në repertorin francez: një poet që jeton mes reales dhe fantazisë, mes dashurisë dhe iluzionit, rrëfyes dhe në të njëjtën kohë viktimë e rrëfimit të tij. Sa Saimir ka në dyzimin e Hofmanit?

Është vërtet një rol i veçantë dhe ka shumë Saimir brenda. Hofmani është njeriu që humbet gjithmonë dashurinë, por dhe artisti që gjen veten përmes dhembjes. Përthyerjet e dashurisë së tij zgjojnë anën intime, personale brenda meje, ndërkohë që në dilemën e tij është e pamundur që një artist të mos gjejë veten.

Ndoshta kjo i jep këtij interpretimi një autenticitet që përçohet shumë bukur. Personalisht kam një preferencë të veçantë për këtë rol, më tingëllon shumë i besueshëm.

Ka të ngjarë dhe më vjen mirë ta dëgjoj, sepse këtë vlerësim e kam marrë nga shumë dashamirë të roleve të mia.

Në shumicën e roleve ti je një dashnor i zjarrtë dhe idealist: Romeo, Faust, Rodolfo, Verter, Alfredo, De Grijë e kështu me radhë. Para tri vitesh në operën Jenůfa të Janaçekut (Janáček)[14] u shfaqe në rolin e Shtevës (Števa), një dashnori egoist dhe emocionalisht krejt të zbrazët. Si përjetohet një zhvendosje kaq e fortë karakteriale në skenë?

Si sfidë vokale, aktoriale, madje edhe etike. Ta interpretosh pa e gjykuar në skenë një karakter të zbrazët, egoist, të paaftë për të dashuruar, krejt ndryshe nga dashnorët idealistë, me të cilët është më e lehtë të identifikohesh, por një karakter që është pjesë e së vërtetës njerëzore, është një performancë e vështirë, por pikërisht ajo ku ti rritesh si artist.

Dy rolet e tua nga Çajkovski (Tschaikowski), Lenski (Lenskij: Eugen Onegin)[15] dhe Vodëmo (Vaudémont: Jolanthe)[16] janë dy figura të ndjeshme, por me fate krejt të ndryshme: i pari vdes i zhgënjyer nga jeta dhe dashuria, i dyti rilind përmes dashurisë. Çfarë kërkon përçimi i “shpirtit rus”?

Unë mendoj shprehjen e një ndjeshmërie të skajshme për tragjedinë e brendshme dhe një ngjyrim të veçantë që shpreh dhembjen, pasionin dhe krenarinë e përmbajtur. Role të tilla, jo vetëm nga Çajkovski, por edhe nga kompozitorë të tjerë rusë, zgjojnë  shumë kërshëri profesionale tek unë.

Në diskun e fundit[17] ke përfshirë dhe arien In fernem Land (Në vendin e largët) nga Vagneri (Wagner)[18]. Është rrëfimi përfundimtar i Lohengrinit (Lohengrin) në aktin e 3-të, kur Elsa, gruaja që ai dashuron, thyen premtimin dhe e pyet për emrin dhe origjinën e tij. Zëri yt i ndritshëm i shkon kaq shumë për shtat kësaj arieje. Është ky rol një çapitje e kujdesshme për pakëz më shumë në këtë drejtim?

Pakëz, por mundësitë e mia në këtë drejtim janë të kufizuara, sado që mua më pëlqen shumë muzika e Vagnerit. Zërit tim ndoshta mund t’i shkonte dhe një Erik tek Hollandezi fluturues (Der fliegende Holländer)[19]. Unë mendoj që çapitje duhen bërë gjithmonë, por ato duhet të jenë të matura.

Tashmë koha që ke kaluar në Shqipëri pas çdo viti që lëmë pas bëhet më e vogël se ajo që ke kaluar jashtë saj. Sa kritik të bën kjo largësi në kohë?

Mjaft kritik, por mbetet gjithmonë një kritikë e bërë nga dashuria dhe me dashuri.

Duke të të falënderuar me gjithë zemër për kohën, a më lejon të të ftoj unë për këtë kafe?

Jo.

(Qeshëm të dy, sepse asnjëra nga përgjigjet e mëparshme të Saimirit nuk kishte qenë kaq e vendosur dhe e shpejtë.)

Një pyetje të fundit: kur do të jesh përsëri në Mynih?

Pas disa muajsh në rolin e Rodolfos tek La Bohème.

I gëzohem qysh tani solos tënde të mrekullueshme Che gelida manina (Sa e ftohtë kjo dorë).

Falemnderit, gjithashtu edhe për bashkëbisedimin.

(E shoqërova Saimirin deri në hyrjen e operës, ku ai kishte një pikëpjekje, dhe u ndamë si miq të vjetër.)

[1] Abbé Prévost: L’Histoire du chevalier Des Grieux et de Manon Lescaut, 1731.
[2] Jules Massenet: Werther, 1892.
[3] Charles Gounond: Faust, 1859.
[4] Hector Berlioz: La damnation de Faust, 1846.
[5] Në vitin 1972 Pavarotti vendosi një rekord legjendar në Metropolitan, New York me nëntë do-të e tij të famshme (Tonio: Ah! mes amis, quel jour de fête!, në operën La fille du regjiment, Gaetano Donizetti) https://www.youtube.com/watch?v=lu4-jaw8yKo (së fundmi më 04.05.25, 08:16).
[6] Tebaldo: I Capuleti e i Montecchi, Vincenco Bellini, 1830; Nemorino: L’Elisir d’Amore, Gaetano Donizetti, 1832; Sir Edgardo di Ravenswood: Lucia di Lammermoor, Gaetano Donizetti, 1835.
[7] Italienischer Sänger: Der Rosenkavalier, Richard Strauss, 1911.
[8] Charles Gounond: Roméo et Juliette, 1867.
[9] Tamino: Zauberflöte, Ferrando: Cosi fan tuttë; Idomeneo: Idomeneo; Tito: La Clemenza di Tito; Don Ottavio: Don Giovanni.
[10] Fenton: Falstaff, Duca di Mantova: Rigoletto, Riccardo: Un ballo in maschera, Alfredo: La Traviata, Gabriele Adorno: Simon Boccanegra, Don Carlo: Don Carlo, Rodolfo: Luisa Miller, Ernani: Ernani, Oronte: I Lombardi alla prima crociata, Macduff: Macbeth.
[11] Rodolfo: La Bohème, Pinkerton: Madama Butterfly, Ruggero: La Rondine, Rinuccio: Gianni Schicchi, Cavaradossi: Tosca, Des Grieux: Manon Lescaut.
[12] Georges Bizet: Carmen, 1875.
[13] Libreti i operës Les Contes d’Hoffmann (Tregimet e Hofmanit), kompozuar nga Jacques Offenbach (1819-1880), mbështetet në tri tregime të shkrimtarit gjerman E.T.A. Hoffmann (1776-1822), ndër më të rëndësishmit e romantizmit gjerman, me një aktivitet intelektual edhe si jurist, kritik muzikor, karikaturist, dirigjent dhe kompozitor. Në rolin e protagonistit Hofmani rrëfen tri histori dashurie të dështuara, dashurinë për Olimpian, një kukull mekanike, për Antonian, një këngëtare të brishtë që vdes nga dashuria për artin dhe dashurinë për kurtizanen mashtruese Xhuljetën. Në thelb të tri historitë janë përthyerje të dashurisë së jetës së tij, Stelës. Muza, që dëshiron ta shpëtojë artistin nga vuajtjet e dashurisë dhe ta kthejë te krijimtaria poetike, merr formën e mikut të tij besnik Niklausit. Portretizimi i artistit midis dëshirës për dashuri dhe përkushtimit ndaj artit e bën figurën e Hofmanit shumë interesante dhe komplekse.
[14] Leoš Janáček: Jenůfa, 1890.
[15] Pjotr Iljitsch Tschaikowski: Eugen Oniegin, 1879.
[16] Pjotr Iljitsch Tschaikowski: Jolanthe, 1892.
[17] https://www.saimirpirgu.com/
[18] Richard Wagner: Lohengrin, 1850.
[19] Richard Wagner: Der fliegende Holländer, 1843./ KultPlus.com