Bregdeti i Durrësit u kthye sot në një arenë të vërtetë emocionesh, ku mbi 30 sportistë nga Shqipëria dhe rajoni morën pjesë në Kampionatin e Parë Kombëtar të Kitesurf-it.
Plazhi i sektorit Rinia shpërtheu në ngjyra dhe energji, ndërsa qielli u mbush me parashuta shumëngjyrëshe që fluturonin mbi detin e trazuar.
Fation Konçi, president i Federatës Kombëtare të Kitesurf-it, tha se kjo garë përfshin dy disiplina nga shumë të tjera që përfshijnë sportet ujore ekstreme.
“Jemi afro 30 sportistë që do të marrin pjesë sot. Kemi dy disiplina: disiplinën e distancës, pra kemi katër etapa nga pesë kilometra që do të bëhen, në total 20 kilometra që do të zhvillohen dikur te 30 deri në 40 minuta, si dhe disiplinën e kërcimit së larti duke bërë stile,” tha Fation Konçi, President i Federatës Kombëtare të Kitesurf-it.
Ky sport ekstrem, që po njeh gjithnjë e më shumë të apasionuar edhe në vendin tonë, bëri bashkë të rinj që sfiduan jo vetëm njëri-tjetrin, por edhe natyrën.
“Këtu godet era shumë mirë dhe deti është i cekët. Kjo ligatina na pëlqen sepse na favorizon që të mos ketë dallgë që na bezdisin”.
“E kemi gjetur përmes rrjeteve sociale, kam kontaktuar me çunat, na ka pëlqyer pjesa e adrenalinës, mënyra dhe kemi ardhur këtu për ta mësuar.”
“I lus të gjithë prindërit t’i sjellin fëmijët këtu dhe të ushtrojnë këtë sport, është shumë i mirë dhe i favorshëm”.
Atmosfera në plazh ishte elektrizuese. Muzika ritmike, parashutat shumëngjyrëshe dhe adrenalina ndjehej në çdo cep të bregdetit.
Kjo garë, e para në llojin e saj në Shqipëri, synon të kthehet në një traditë vjetore, duke e promovuar vendin si një destinacion të ri për turizmin aktiv dhe sportet ujore në Mesdhe.
Në historinë e pikturës Peter Paul Rubens do të mbamendet jo vetëm si një nga piktorët më të jashtëzakonshëm flamand të barokut, penelata flakatare e tablosë, por edhe mishërimi i idilit epik të mitologjisë. Nëse Homeri sendërtoi një monument të letërsisë klasike siç ishte “Iliada”, duke ngjizur me nervin, mishin dhe gjakun e së atëhershems, historikën heroike, eposin antik dhe perënditë që na magjepsin, Rubens i jetësoi ato në imazhe, i veshi ato me kurme të fuqishme duke i pavdekësuar këto trille në kujtesën e përgjithmonshme. Ai e shkroi si pakkush tjetër atë faqe të historisë së njerëzimit, me gjithë shkëlqimin dhe të perëndishmen që ngriti në kult mitin.
I fundit prej tre piktorëve Flamand dhe krijuesi i stilit barok në veri, Rubensi u shqua në botën e artit si galeria më e bollshme. Sasia e punëve dhe shpejtësia me të cilën ai i kryente pikturat do ta veçojnë atë prej të gjithëve. Plot 1403 tablo me tema të antikitetit, skena gjuetie, të zhanrit, peizazh, portret, vizatime të panumërta, grafika ilustruese, projekte arkitekturore dhe kompozime skulpturore, që ai i krijoi në më pak se katër dekada, vu në dukje zjarrin dhe entuziazmin e tij. Kësisoj ai do të cilësohej si zot i gjithëpushtetshëm. Sipas një përllogaritje të thjeshtë, dilet në përfundimin se Rubensit nuk i duheshin më shumë se njëzetë ditë për të përfunduar një punë. Çdo krahasim me të mëhershmit apo të mëvonshmit e pikturës do të ishte i pagjasë.
Ezhen Delakrue, piktori francez që shpesh mori penën në vend të penelit, e quajti Rubensin, “Homeri i pikturës” , …perëndi e zjarrit dhe antuziazmit në pikturë, ku i eklipsio të gjithë, jo vetëm në saj të përsosmërisë, por edhe në forcën e fshehur dhe shpirtin njerëzor që ngjizte kudo, kumton Delakrue. Në qendër të këtij përkufizimi qëndron, jetësimi që piktori i bëri në imazh pothuaj të gjithë miteve të përfshira në vepren monumentale, “Iliada” të Homerit, dhe jo vetëm, krejt mrekullisë që dëshmonte njerëzimit kohardhjen.
Gjeneratat e trashëguan nëpërmjet zërit kungues të dëshmive biblike dhe letërsisë klasike, pasurinë e jashtëzakonshme shpirtërore, lindjen e hyjnive dhe mitet, Rubensi ishte ai që mishëroi gjithë këtë përfytyrim idilik. Gjithë kjo gamë e jashtëzakonshme personazhesh, tipash dhe karakteresh, supërheronjsh, do të ishte pjesa më vitale e pikturës së Rubensit. Ai nuk u pajtua ta linte këtë shkëlqim vetëm si pjellë e imagjinatës dhe forcës së fjalës. U dha me mish e me shpirtë për ti gjalluar këto shkrepëtima në pikturë, dhe ia arriti përmes ngjyrës, tonit, dritës dhe energjisë depërtuese që kjo forcë rigjen në penelin e këtij gjeniu. Me kolorin e tij të hareshëm ai e shkroi letërsinë klasike në pikturë. Pakkush, si dhe sa ai e ka njohur dhe e ka ushqyer penelatën me ushqimin historik, mitologjik, me densitetin dhe forcën depërtuese që ajo zanafillë rrëmen atëditë e përgjithmonë ëndjen dhe dëshirimin e gjeneratave.
Studjuesi ka vërejture mënyrën entuziaste të pikturimit të drejtpërdrejtë me ngjyrë, pa vizatim elementar dhe punë paraprake të Rubensit.
Peter Paul Ruben lindi në qytetin e vogël gjerman Zigel, ku i ati, avokat i njohur, kishte qenë i detyruar të emigronte për arsye politike. Pas vdekjes së të atit familja u kthye në Flander, dhe e ëma u kujdes që herët me edukimin e Rubensit.
Djaloshi 11-vjeçar ndoqi studimet në shkollat latine. Në vitet e fundit të dijenxënies pati mundësinë të lexonte në origjinal autorët antikë. Pasioni për ta do ta rrëmbente duke e kthyer në një dishepull të këtij mëtimi artthënës. Ai ngeli deri në fund një zelltar i temave historike, antike dhe biblike. E thënë me fjalë të tjera, dielli i këtyre ndërkohjeve do të ngjynte pareshtur penelin dhe shpirtin dhe të sillte në jetë tablo monumentale që na mahnisin edhe sot.
Pas mbarimit të shkollës latine ai studioi për pikturë, në fillim pranë peizazhistit, Tobias Verhat, më pas në atelienë e Adam van Norti dhe në të mbramë, për katër vite radhazi, në studion e Oto Verniusit. Kështu ai, i formuar sa duhej në traditën flamande, në vigjilje të shekullit XVII-të Rubensi e lëshoi veten në pelegrinazhin tradicional të artistëve veriorë, për në Itali. Vizitoi Romën, Firencën, Mandovën. Studioi me interes të veçantë monumentet antike dhe kryeveprat e Mikelanxhelos, Da Vinçit, Rafaelit, Xhorxhones, Korrexhos, Karavazhos e Ticianit, të cilin pati rastin ti njihte dhe një herë në koleksionin e veprave që gjendeshin në Madrid, gjatë udhëtimit që pati atje midis vjeshtës së vitit 1603- 1604. Tetë vjet që kaloi në atdheun e artit antik e rilindas, përcaktuan piketat e kumteve të tij artistike. Pa pikturën dhe artin italian, vështirë që Rubensi të ishte ngjitur aty ku e shohim ne sot.
Sëmundja e së ëmës e detyroi atë të linte Italinë, ndonëse dëshironte të qëndronte më gjatë aty. Një vit pasi i vdiq e ëma, Peter Paul Rubens u martua me Izabel Brandin, vajzën e një avokati dhe humanisti të njohur, Jan Brandit.
I shumënjohur në rreth artistike dhe zyrtare flamande, me nxënës të shumtë pranë, e me porosi të panumërta, ai filloi të realizonte atë që kishte bërë Dyreri në epikën e Rilindjes, të krijonte stilit barok flamand, në të cilin tradita e artit vendas, shkrihej natyrshëm me artin antik, rilindas dhe barokun italian. Ne tablotë e mëdha fetare dhe mitilogjike të këtyre viteve, figurat e mëdha muskuloze e që çuan përnga përthithja e rrumbullaksisë së skulpturave, shprehin një forcë të madhe fizike dhe hyjnizojnë bukurinë e trupit të njeriut, njëlloj si në veprat e Milelanxhelos në Kapelën Sistina. Kompozimet në formë trekëndore, gjestet dhe fytyrat e personazheve që pasqyrojnë dramën e tyre të brendshme, gjithashtu vijnë nga Buonarroti. Femrat e kolme, shpesh me një ngarkesë të tepruar shëndeti, janë një kumtin që Rubens bën për të mbajtur gruan sa sensuale aq dhe të fuqishme, sa amësore aq dhe natyrale, një grua të gatshme për tu ndeshur si me tërbimin e jetës aq dhe me përkushtimin e nënës. Ai lëvroi dhe mbarështoi traditat dhe kulturat, përvojat dhe tematikat, stilet dhe sharmin për të ardhur deri sot jo si një rastësi, por si një dëshmi dhe tharm që ngjizi pikturën, këto mjete shprehëse komunikimi dhe kumtimi estetik.
Gama e pasur ngjyrore i përket artit venecian, në veçanti Ticianit, ndërsa loja e dritës së fortë, me ngarkesë dramatike, ngjan e huajtur nga Karavaxho. Ndërkohë paraqitja e hollësishme e gjërave, e një luleje apo e një veshje të një ushtari flet qartë për ndikimin që pati tek ai tradita flamande, vizatimi i zhdërvjellët, lëvizjes e vrullshme të personazheve dhe format dramatike dhe dinamike njiheresh, që rrezatojnë tablotë, pasqyrojnë trajtat më origjinale të Rubensit.
Të shkrira nga dora e artistit të madh, këto burime krijuan stilin që në pikturë njihet me emrin rubensian. Fryma dramatike dhe ndjenja e gjallërisë së jashtëzakonshme, janë cilësitë më dalluese të tij, të cilat piktori i zhvilloi me përkushtim përgjatë rrugëtimit artistik. Tabloja, “Rëmbimi i vajzave të Levkipit” që Rubensi e realizoi në vitin 1617, flet nëpërmjet ngarkesës emocionale dhe mjeteve shprehëse të kësaj natyre. Figura plastike si skulptura të rrumbullakta që jetësohen nëpërmjet koloritit flakatar, gjithë patos, shprehin energjinë, kurajon, forcën dhe bukurinë e njeriut. Linja e horizontit e mbajtur ulët, qielli fort i ndriçuar dhe ndërthurja e guximshme skulpturore, shtojnë formën monumentale dhe dramatike të tablosë, ndërkohë që lëvizjet e fuqishme të katër figurave dhe të kuajve të hazdisur, së bashku me kompozimin tipik barok, i japin veprës një gjallëri të jashtëzakonshme. Veprimi dhe tendosja sjellin me një aftësi depërtuese dramën, tempin e ngjarjes. Në çdo kohë shikuesi pjesëmerr emocionalisht në tragjizmin që përcjell penelata e Rubensit.
Në mesin e viteve ’20, me serinë prej 23 tabloshë që u vendosën në Pallatin e Luksemburgut në Paris, “Jeta e Maria Mediçit”, Rubensi hyn në moshën e pjekurisë dhe shkëlqimit të plotë artistik. Shtëpia në Antverpen me atelietë e mëdha, me kopshtet e zbukuruara plot me skulptura dekorative, prej kohësh mbahej si qendra artistike e vendit. Misioni i piktorit që kishte marrë udhë një dekadë e gjysëm më parë ishte realizuar me sukses, dhe barokut, nën petkun e stilit rubensian, lulëzuan në Flandër. Nxënës të shumtë, me të cilëve dhe figura shumë të njohura si Van Djuk dhe Snejdersi, punonin në veprat e panumërta që i porositeshin mjeshtrit dhe vetë atë e quanin “piktor të mbretërve dhe mbret i pikturës”. Vlerësimi i parë rrjedhon për aktivitetin e piktorit në lëmin e diplomacisë. Rubensi bën pjesë ndër artistët e rrallë që iu përkushtua kësaj kahje dhe shpesh në cilësinë e ambasadorit shëtitës, përfaqësoi dhe mbrojti interesat e Flandrës pranë mbretit të Spanjës dhe ndërmjetësoi për të qetësuar marrëdhëniet e acaruara të kësaj të fundit me Anglinë.
Pas vdekjes së Izabel Brandit më 1626 në moshën 53-vjeçare, Rubensi u martua me Elenë Furmenin, me të cilën pati pesë fëmijë dhe një jetë plot mirëkuptim. Ky hop i ri ndjesor do të zgjonte tek gjenialiteti i piktorit një tjetër aftësi, atë të portretit intim. Megjithëse deri atëherë ishte marrë jo pak me këtë nëngjini, por gjithnjë i shtërnguar të respektonte pozitën shoqërore të modelit e të pasqyronte me doemos atë. Ne galerinë e portreteve të Rubensit gjendeshin ato të karakterit zyrtar, si ai i Henrikut të IV të Spanjës, dekorativ, si ai i Isabel Brandit, ai i Maria Mediçit, etj. por ishin të rrallë ato intime. Megjithatë vjen një nxitës në jetën e shpirtërore që të zgjohet jo dhe aq një ndryshesë se sa një pasurim i galerisë. “Gëzoftarja”, portreti që paraqet Elenën në një qëndrim krejt intim, mbahet si një nga veprat më të mira të Rubensit në këtë nëngjini. Si askund tjetër, prej tij shpërthen dashuria e piktorit për të afërmit, për bukurinë fizike dhe shpirtërore të njeriut, lëndë e cila kishte ngjyer jo pak herë penelin e tij prej zjarri. Rumensi ecën kështu në gjurmët e portretistëve të mëdhënj, Holbainit, Dyrerit, Rembrandit, që i nxorën kryeveprat pikërisht duke patur si model njerëzit më të afërt shpirtërisht.
Martesa e dytë gjithashtu i zgjoi një interes për tablonë e zhanrit të peisazhit. I larguar nga qyteti dhe i vendosur në Stin që më 1635 Rubensi njohu nga afër jetën e fshatit dhe bukurinë mahnitëse të natyrës. Jeta fshatare që më parë nuk e kishte tërhequr dhe aq, tani e ka fare pranë, dhe fshatarët që vallëzojnë, ngasin karroca apo gjuajnë, vijnë e mbushin gjithnjë e më shumë tablonë e tij, duke e bërë gjithnjë e më larushitëse mozaikun e punëve.
Veç nxënësve të shumë e me kombësi të ndryshme që nxori nga duart, ai ndikoi mjaft piktorë të stilit rokoko, romantik dhe paraimpresionist. Megjithëse kritika e sotme i gjykon figurat tepër të shëndosha, disa herë ceremoniale dhe të pakujdesshme ndaj ligjeve të gravitetit në tablotë e Peter Paul Rubens, ai zë një vend të nderuar në pikturën evropiane dhe së bashku me Van Ejukun dhe Bryegelin, numërohet ndër piktorët që i dhanë Belgjikës emrin e madh që mban në botën e artit.
Me vdekjen e Peter Paul Rubens, më 30 maj 1640, pothuajse pas tre shekuj lulëzim, emri i Flandës e humbi shkëlqimin për tu ringritur edhe një herë më lart me piktorët realist belg të periudhave të mëvonshme. Gjithqysh Peter Paul Ruben, ishte dhe mbeti Homeri që shkroi Iliadën me penelata zjarri. Ai ndezi çdo tablo për të mbetur një diell që ngroh ende shpirtrat dhe shpuzit ende ëndjet për artin klasik, historinë, mitet dhe heroiken.
Ezhen Delakrue, piktori francez që shpesh mori penën në vend të penelit, e quajti Rubensin, “Homeri i pikturës” , …perëndi e zjarrit dhe antuziazmit në pikturë, ku i eklipsio të gjithë, jo vetëm në saj të përsosmërisë, por edhe në forcën e fshehur dhe shpirtin njerëzor që ngjizte kudo, kumton Delakrue
Tabloja, “Rëmbimi i vajzave të Levkipit” që Rubensi e realizoi në vitin 1617, flet nëpërmjet ngarkesës emocionale dhe mjeteve shprehëse të kësaj natyre. Figura plastike si skulptura të rrumbullakta që jetësohen nëpërmjet koloritit flakatar, gjithë patos, shprehin energjinë, kurajon, forcën dhe bukurinë e njeriut. Linja e horizontit e mbajtur ulët, qielli fort i ndriçuar dhe ndërthurja e guximshme skulpturore, shtojnë formën monumentale dhe dramatike të tablosë, ndërkohë që lëvizjet e fuqishme të katër figurave dhe të kuajve të hazdisur, së bashku me kompozimin tipik barok, i japin veprës një gjallëri të jashtëzakonshme. Veprimi dhe tendosja sjellin me një aftësi depërtuese dramën, tempin e ngjarjes. Në çdo kohë shikuesi pjesëmerr emocionalisht në tragjizmin që përcjell penelata e Rubensit.
Frida Kahlo ishte një grua e mrekullueshme, jeta e saj ka qenë e gjitha mes artit dhe vuajtjes, por sot flasim për poezitë, frazat, aforizmat.
Jeta e saj u shënua nga sëmundje dhe një aksident i tmerrshëm, por forca e saj dhe dëshira e saj për dashuri e bënë atë një ikonë, arti i saj surreal i pikturës plot dhimbje njihet në mes të mijëra pikturave, fjalët e saj të forta, të vendosura dhe të pasionuara mund të jenë një pikë mbështetjeje për ata që kanë nevojë për forcë dhe vullnet.
Më poshtë është një përmbledhje e thënieve të saj më të rëndësishme dhe më të fuqishme.
“Këmbë, pse më duhen ato, kur kam krahë për të fluturuar?”
Frida kaloi shumë muaj në shtrat pas poliomelitit dhe më pas për shkak të aksidentit të saj, por asgjë nuk mund ta pengonte atë të fluturonte me krahët e imagjinatës së saj.
“Të mbjellësh një vuajtje është të rrezikosh ta lejosh atë që të gëlltisë, nga brenda”
Izolimi në dhimbjen tënde nuk të çon drejt asgjëje të mirë, dhe ajo e dinte, për këtë arsye ajo shfaqi dhimbjen e saj duke pikturuar dhe shkruar, një mënyrë për të lënë vuajtjet dhe për të mos lejuar që ato ta vinin përfund.
“Ankthi dhe dhimbja, kënaqësia dhe vdekja nuk janë asgjë tjetër veçse një proces që ekziston. Lufta revolucionare në këtë proces është një derë e hapur për inteligjencën “
Ajo e dinte mirë, nuk ka jetë pa vdekje, pasi nuk ka gëzim pa vuajtje … të gjitha janë procese të tranzicionit për të qenë në gjendje të jetosh plotësisht, të hapësh mendjen dhe të zhvillosh inteligjencën.
“Në fund të ditës, mund të durojmë shumë më tepër sesa mendojmë se mund të mbajmë”
Kjo është e drejtë, në mbrëmje në ngrohtësinë e shtratit mund të reflektojmë dhe gjithmonë e gjejmë veten pak më të fortë se sa kishim menduar që të ishte e mundur. Ne jetojmë një ditë të tërë me mendimin se nuk jemi në gjendje ta bëjmë, por në fund e kuptojmë se edhe kësaj here ia kemi dalë.
“Asgjë nuk vlen më shumë se qeshura”
Asgjë për të shtuar, nëse një grua që ka vuajtur kaq shumë thotë se qeshja është e vetmja gjë që ka vlerë, ashtu duhet të jetë.
“Ajo që nuk më vret, më bën më të fortë”
Ajo e përjetoi këtë mbi veten e saj, rrezikoi jetën dhe doli fitimtare, ajo kishte defekte fizike të tmerrshme dhe megjithatë kishte aq shumë adhurues dhe shumë njerëz që e ndoqën … ajo ishte pa dyshim një grua shumë e fortë, ndoshta ishte falënderuese për ato prova që kishte kaluar në rini.
“Bukuria dhe shëmtia janë një mirazh, sepse të tjerët përfundojnë duke parë brendshmërinë tonë”
Frida sigurisht nuk mund të thuhet se ishte një grua e bukur sipas standardeve të tanishme, ajo kishte vetullat e mëdha, një këmbë më të vogël se tjetra, plagë në trupin e saj, por kushdo që e takoi ra në dashuri me të, sepse ajo ishte e bukur brenda, e aftë ta pohonte bukurinë e saj të brendshme më shumë se atë të jashtme … një shembull që duhet ndjekur.
“Dua t’ju jap gjithçka që nuk keni pasur kurrë, as nuk do ta dini se sa e mrekullueshme është të të duan”
Ajo ishte një grua shumë e pasionuar, gruaja e Diego Rivera gjithashtu kishte shumë adhurues, por ndër më të famshmit mund të kujtojmë revolucionarin rus Leon Trocki, poetin André Breton dhe fotografin Tina Modotti. Letrat më të apasionuara, megjithatë, ishin për dashnorin José Bartoli, një refugjat i artit spanjoll në Nju Jork, të cilin Frida e donte me pasion, rreth 100 faqe të shkruara me dorë nga Kahlo midis viteve 1946 dhe 1949.
Më poshtë është një ekstrakt i atyre letrave:
“Natën e kaluar u ndjeva sikur kaq shumë krahë më përshkuan të gjithën, sikur këshilla e gishtërinjve të tu kishte gojë që më puthnin lëkurën time. Atomet e trupit tim janë tuajat dhe dridhen së bashku në mënyrë që ta duam njëri-tjetrin. Unë dua të jetoj dhe të jem e fortë për të të dashur me gjithë butësinë që meriton, për të të dhënë gjithçka që është e mirë në mua, kështu që nuk do të ndjehesh vetëm. Ndihem që gjithmonë të kam dashur, që para se të lindje. Ndonjëherë ndjej që unë kam të lindur për veten time”
“Unë besoj se në dashuri nuk ka as inteligjencë, as marrëzi, dashuria është si një aromë, si një rrymë, si shiu. Ti e njeh, qiellin tim, ju bini si shi mbi mua dhe unë, si toka, ju pranoj”.
Fjalët e dashurisë së pasionuar dhe të butë në të njëjtën kohë, vetëm një grua si Frida Kahlo mund t’i shprehte në këtë mënyrë të fortë.
“Shpresoj se çlirimi është i lumtur dhe shpresoj se kurrë nuk do të kthehem”
Këto janë fjalët e saj të fundit të shkruara në ditarin e saj pak para vdekjes. Jeta e saj ishte një jetë e vështirë, por e plotë dhe madje në pikën e vdekjes donte të ishte e fortë dhe e vendosur./bota.al/KultPlus.com
Eranda Libohova është këngëtare shqiptare e cila ka lindur në Tiranë. Ajo ka një karrierë të bujshme muzikore, me mbi 10 albume me këngë shqipe. Ne spektaklin “Kënget e Shekullit” është përzgjedhur një ndër dhjetë këngëtaret më të mira.
KultPlus ju sjellë tekstin dhe këngën ‘Grurë dhe Këngë’ të interpretuar nga Eranda Libohova:
Oj erdhi bilbili, oj erdhi ne lëme. Tak ma beri zemra, kur i ndjeva zene. Dhe shoqet me pane, o me bisht te syrit, c’u perzie me grurin kenga e bilbilit.
Oj erdhi bilbili, oj erdhi ne lëme. Shoqet mbillnin grure une mblidhja kenge, dhe nuk di c’me gjeti dhe nuk di c’me zuri. O sa shpejt u bera kuq o si purpuri.
Lemi plot me grure grure edhe kenge, o bilbil i dashur o pse erdhe ne leme.
Tani vajzat syte tek une shpesh i kthejne, oh sikur ta dine ku e ke folene.
Ne zemer folene e ke thurur vete, o bilbil i dashur o pse s’me le te qete.
O c’dasem do bejme, o po c’dasem ne leme, shoqet mbillnin grure une mblidhja kenge./KultPlus.com
PRINCI I VOGËL Prozë nga ANTOINE DE SAINT EXUPÉRY (1900-1944), përktheu PETRO ZHEJI
I
Kur isha gjashtë vjeç, pashë njëherë në një libër mbi Pyllin e Virgjër me titull: “Ngjarje të rrojtura” një figurë të jashtëzakonshme: një boa duke gëlltitur një bishë të egër. Ja një kopje e këtij vizatimi.
Në libër thuhej: “Boat e kullufitin prenë e tyre të gjithë njëherësh, pa e përtypur e mbllaçitur. Por pas kësaj nuk lëvizin dot dhe gjatë tërë gjashtë muajve sa vazhdon tretja flenë gjumë.”
Asokohe, mbaj mend, e vrisja goxha mendjen mbi ato sa ndodhnin e nuk ndodhnin në xhungël dhe bëra me një laps me ngjyrë vizatimin tim të parë. Vizatimin tim numër 1, që ishte ky:
Ua tregova kryeveprën time të mëdhenjve dhe i pyeta në kishin ndonjë çikë frikë kur e shikonin.
Po ata m’u përgjigjën: “E nga se duhet të kemi frikë, nga një kapelë?”
Po në atë vizatim nuk paraqitej aspak një kapelë, por një boa që kishte shkuar në bark një elefant dhe po e treste. Atëherë, që të mëdhenjtë të kuptonin për se qe fjala, thashë të vizatoja edhe të përbrendshmet e boas. Se të mëdhenjtë duan gjithmonë t’ua shpjegosh gjërat, se ndryshe nuk kuptojnë. Vizatimi im numër 2 ishte ky:
Po të mëdhenjtë më këshilluan të hiqja dorë nga vizatimi i boave, qofshin këto shkrehur e shtrirë a qofshin këto ngrehur e kutullaç dhe të merresha përkundrazi me gjeografinë, me historinë, me aritmetikën dhe me gramatikën. Dhe ja kështu ndodhi që unë braktisa që në moshën gjashtë vjeç një karrierë kaq të shkëlqyer, siç ishte ajo e piktorit. Më qe thyer zemra edhe nga dështimi i vizatimit numër 1 dhe nga ai i vizatimit numër 2 e kisha humbur krejt besimin në veten time. Të mëdhenjtë nuk kuptojnë dot vetë dhe është një punë e lodhshme për fëmijët që të rrijnë e t’u shpjegojnë përherë e ngaherë këtë e atë e të gjitha.
M’u desh, pra, të zgjidhja ndonjë zanat tjetër dhe fillova të mësoja kështu të ngisja aeroplanin. Dhe fluturova me të nga pak kudo nëpër botë. Dhe gjeografia, ç’është e vërteta, m’u desh e jo pak… Mësova të dalloja, me një të parë, Kinën nga Arizona. Dhe kjo, kur s’di natën nga t’ia mbash nga shkaku i errësirës, është një gjë që të hyn shumë në punë.
Dhe kështu pata rast gjatë jetës sime pata të ndeshesha me plot njerëz solidë e hijerëndë. Dhe kam jetuar një kohë të gjatë mes të mëdhenjve, duke pasur mundësi t’i shoh e t’i njoh nga afër. Por kjo nuk më shtyu dot prapë ta ndërroja mendimin që kisha për ta, nuk m’u dukën, shkurt, më të mirë!
Kur takoja ndonjë që ishte, sipas mendimit tim, ca më i esëllt e i kthjellët, i tregoja vizatimin tim numër 1, të cilin vazhdoja ta ruajtur akoma. Dhe këtë e bëja vetëm si biçim eksperimenti, për të parë, me fjalë të tjera, në ky njeri ishte apo jo i zgjuar, apo në ishte edhe ai njëlloj si të tjerët. Por ai, pavarësisht kush qe, do të më përgjigjej: “Është një kapelë.” Po atëherë edhe unë s’i flisja më as për boa, as për pyje të virgjëra, e as për yje. I vija pas qejfit. Dhe i flisja kështu për brixh, për golf, e ia vërtisja bisedën rreth politikës e rreth kravatave. Dhe atij i vinte mirë që ishte njohur kështu me një njeri kaq, po kaq të arsyeshëm. / KultPlus.com
Archie Albert Barwick (1890 – 1966), bujk dhe ushtar austalian, i njohur për ditarin e tij të Luftës së Parë Botërore, që konsiderohet një prej ditarëve më gjithpërfshirës dhe të shkruar mirë rreth kësaj lufte
5 mars 1916
Na urdhëruan të paketoheshim dhe shumica e djemve iu gëzuan kësaj. Të nesërmen u nisëm dhe marshuam deri te stacioni hekurudhor i Kairos ku, pas një orë a dy vonese, hipëm në vagonë të hapur dhe u mbudhëm.
Arritëm në destinacionin tonë, Serapeum, në kohën e darkës dhe mbante vapë që të piqte për së gjalli. Kishte një kanal uji aty dhe menjëherë shumica prej nesh po shllapuriteshim dhe notonim ne atë ujë të këndshëm të freskët.
Pas notit marshuam përgjatë kalanit një copë udhë deri taty ku inxhinierët tonë kishin ndërtuar një urë lundruese përmes ujit. Ura lëvizej nga litarët nga të dy anët dhe mund të barte ngarkesa bukur të rënda – duhej të ishte e fortë ngase praktikisht gjithë ushqimi dhe rezervat tona duhej të vinin përmes këtoj peri të hollë dhe ishte mënyra e vetme e bartjes së trupave para e mbrapa.
Pasi kaluam urën u desh të ecnim nja dy milje deri aty ku ishte fushuar batalioni ynë dhe qemë bukur të lumtur kur arritëm aty.
Koloneli na dha një mësim këtu një ditë mbi atë se si duhet të sillemi kur të shkojmë në Francë dhe të gjithë ishim të kënaqur si Punchi, ngase kjo ishte një këshillë njëmend e mirë duke pasur parasysh se për ku jemi nisur. Ishim ngopur tashmë me Egjiptin dhe gjithçka që lidhej me të, të gjithë po prisnim me padurim të mbërrinim në Francë, të përballershim me suxhukngrënësit, armikun tonë të vërtetë. Pas kësaj i kryem punët tona me më lehtësi, duke pritur me padurim të niseshim.
Posa lamë Serapeumin, princi i Uellsit na e bëri një vizitë të papritur. Duhej t’i kishit parë djemtë duke vrapuar t’i hidhnin një sy, disa me çizmet e mbathura, disa pa tunika a kapele dhe të tjerët veç në pantallona. Ju garantoj se do të ketë menduar se jemi një tufë djemsh që mezi shihen me sy, por sidoqoftë djemtë e pritën shumë ngrohtë. E rethuan atë duke u munduar të merrnin fotografi me aparatët e tyre. Gjenerali Birdwood ishte me të, po buzëqeshte si asnjë njeri mbi faqe të tokës. Të gjithë mund ta njihnim princin nga xhufka e kapelës së tij. Dukej si çunak dhe kishte faqe të tërndafilta si vajzë.
Patëm një studi të frikshme pluhuri pikërisht një ditë a pak më shumë pasi që u nisëm. I çoi në ajër shumicën e trendave dhe e zuri dritën e diellit. Sa bukur ishte. Çdonjëri pothuajse sa s’ishim verbuar nga gjërat e hedhura. Pasi që mbaroi e gjitha u lamë nën shi, çka ishte një dhuratë nga qielli, siç është ajri i freskët dhe kështu e largoi pluhurin.
Duhej nga dita në ditë që të niseshim dhe po prisnim në ankth urdhrin të bpnim gati plaçkat , kështu që më në fund të dilnim nga kjo vrimë. Ky është kontinenti i katërt ku kam qenë; duam të shohim edhe Shtetet e Bashkuara dhe do të jemi trokuesit e globit.
21 mars
Në mëngjes morëm urdhrat të ulnim tendat dhe t’i paktonim. Njeri i gjallë kurrë s’e ka bërë këtë më me qejf se sa që e bëmë ne. Marshuam rreth orës 4 grupin që printe dhe Batalionin II që vinte menjëherë pas nesh. Patëm një marshim të ngjeshur deri te platforma ku duhej të hynim – nuk ishte aq larg, për çka kishim marrë me vete praktikisht gjithçka, përfshirë mbulojat.
Kur arritëm te platforma u rreshtuam, pastaj na liruan për një orë a më shumë, se treni nuk nisej deri në orën 12 të natës. Ndezëm një zjarr të madh dhe pa vonuar shumë patëm një koncert të njëmendtë. Grupi po ashtu na ndihi të mbarështonim gjërat. Rreth orës 10 të natës një anije e madhe pasagjerësh erdhi përmes kanalit i drejtuar për në Australi. Sapo nxori kokën e gjithë turma ngarendi andej dhe e përshëndetëm ngrohtësisht; edhe ata na përshëndetën. Mund të shihnim njerëzit bukur qartë në kuvertë. I gugatem derisa humbi sysh.
Atë natë e shkundëm pluhurin e Egjiptit nga këmbët tona dhe po shpresoj njëherë e përgjithmonë, se jam i sigurt se të gjithë ne kemi gëlltitur më shumë se sa pirgu i bërllokut prej se kemi qenë në Egjipt. Të shkonim në Aleksandri me vagonë të hapur ishte një udhëtim fortë i gjatë dhe i ftohtë, por ku na e ndien neve. Treni na çoi drejt e te anija. S’na u desh kohë e gjatë të hipnim dhe shumë shpejt na udhëzuan drejt pjesës sonë të anijes. Pasi hipëm një person na e dha secilit nga një kupon ushqimi, se tryeza e bukës duhej të shtrohej dy herë, meqë nuk kishte vende të mjaftueshme për të gjithë njëherësh. Kjo kishte qenë një anije amigrantësh, ishte e pajisur me banka dhe na na i dhanë ato, ishin njëmend të mira. E di se kam fjetur si qengj aty.
Rreth orës 4 atë pasdite lundruam nga Aleksandria dhe kapërcyem disa prej anijeve spitalore të Gallipolit gjatë rrugës sonë. Shumë shpejt dolëm në det të hapur, kështu që ishim në zonën e rrezikshme peshkimit të Kaiserit. Po bënim një lundrim zigzag që të mos i binim në su ndonjë nëndetëseje që mund të ishte në afërsi.
Brigjet e Francës i shquam më 27 mars, të gjitha bjeshkët që mund të shihnim tutje larg në distancë ishin të mbuluara nga bora dhe dukeshin aq të bukura ngase dielli po shkëlqente fort mbi to. Brigjet e Francës nga distanca duken vendi më jo ftues, por sa më shumë që afroheshim e pabesueshme se si ndryshonte peizazhi. Mund të shihnim parqe të këndshme me drurë që ngrinin kokën lart kodrave dhe kishte fusha të gjelbra ngado. Pranvera po vinte nxitimthi në jug të Francës dhe po fillonte të dukej e hatashme.
Shkuam përgjatë bregut derisa vërejtëm Toulonin. Kur u avitëm te porti, një anije torpedo franceze erdhi të na takonte dhe na e tregoi rrugën. Kur u futëm në port i shpalosem flamujt francezë dhe australianë në shtizë. Është një prej porteve të vogla më të bukura që kam parë ndonjëherë; duket disi si Sidney. Bankat e porteve janë thjesht një park i madh me pemë të bukura që rriten ngado, shtëpi të mira dhe rrugë ngado. Duket kaq gjelbër dhe bukur pas Egjuptit me nxehtësinë dhe rërën përvëluese; iu bën mirë syve tonë kur shikojmë. Kur shkuam në qytet grupi bëri muzikë dhe dielli shkëlqente dhe të gjothë e morëm këtë si një amen të lumtur për hyrjen tonë të parë në Francë.
Mbrëmjen e kaluam në port dhe patëm një një koncert në bord.
Në mëngjes u nisëm për në Marsejë dhe gjatë këtij udhëtimi një hajn i ndyrë ma vodhi tunikën dhe ato që kisha në kabinë. U pasurua edhe me një barrë prej: 2.10 dollarësh, një stilograf të shkëlqyeshëm, një kuletë, mprehës lapsash dhe shumë gjëra të tjera, por gjëja që e çmoja më së shumti ishin fotografitë e mia dhe kam një koleksion të mirë të tillë, me njerëz të shumtë, të afërm. Qeni i poshtër m’i mori të gjitha, edhe goxha do dëfesa e dokumente që i kisha në kuletë. […]
Lundrimi deri në Marsejë na i mori katër orë, por nuk më erdhi keq kur mbërritëm aty. Marseja është një qytet i madh i bukur dhe ka një murmbrojtës të shkëlqyeshëm që s’e lë ujin pothuajse fare të kapërcejë. Nuk është fare afër portit të Sidneyt ose Hobartit, se ato janë porte natyrore, ndërsa Marseja nuk është.
Nuk na lejohet të laegohemi nga bregu, sado që do të donim aq shumë. Na kanë thënë të mbajmë gjërat tona gati për të lëvizur në mbrëmje, se kemi një udhëtim prej tre netësh para nesh.
/Marrë nga, Archie Barwick, ‘In Great Spirits’, HarperCollins, 2014
Valë të mëdha të të nxehtit janë duke mbretëruar në të gjithë Evropën Jugore si në Spanjë, Portugali, Itali dhe Greqi, temperaturat atje janë më shumë se 40 gradë Celsius.
Dy të tretat e Portugalisë janë në gjendje gatishmërie të lartë nga vapa ekstreme dhe rreziku nga zjarret të dielën, me temperaturat në Lisbonë që pritej të kalonin mbi 42°C.
Në disa pjesë të Spanjës jugore, temperaturat janë shumë mbi mesataren, me 42 gradë Celsius që priten gjithashtu në Sevilje dhe qytete të tjera.
Shërbimi meteorologjik i vendit thotë se ky qershori ka gjasa të jetë më i nxehti që Spanja ka përjetuar që nga fillimi i regjistrimeve.
Në disa rajone italiane, duke përfshirë Lacion, Toskanën, Kalabrinë, Puglian dhe Umbrinë, puna në natyrë u ndalua gjatë orëve të pikut me diell të dielën, me sindikatat që nxisnin që masat të zgjateshin dhe të zbatoheshin në të gjithë vendin.
Njëzet e një nga 27 qytetet ishin nën alarmin më të lartë të mundshëm për nxehtësi, duke përfshirë Romën, Milanon dhe Napolin.
Greqia është përfshirë tashmë nga zjarret këtë verë, me një që shpërtheu në jug të Athinës të enjten dhe disa në ishullin e Kiosit të dielën e kaluar.
Pranë Athinës, autoritetet vendosën 130 zjarrfikës, 12 helikopterë dhe 12 aeroplanë, me 40 persona të evakuuar nga zonat me rrezik më të lartë.
Një grua u arrestua me dyshimin për zjarrvënie të paqëllimshme pasi zjarret u përhapën në shkurre dhe kullota për tre ditë në Kios.
Shkencëtarët e lidhin frekuencën në rritje të ngjarjeve ekstreme të motit, siç janë valët e të nxehtit, zjarret dhe stuhitë, me ndryshimet klimatike.
Në Francë dhe Gjermani, të paktën tre persona vdiqën për shkak të kushteve të stuhive, shkruan Skynews, transmeton Klankosova.tv.
Antoine de Saint-Exupéry (29 qershor 1900 – 31 korrik 1944), ishte një shkrimtar, poet, aristokrat, gazetar dhe aviator pionier francez. Ai u bë laureat i disa prej çmimeve më të larta letrare të Francës dhe gjithashtu fitoi National Book Award të Shteteve të Bashkuara.
Ai mbahet mend më së miri për novelën e tij Princi i vogël (Le Petit Prince) dhe për shkrimet e tij lirike të aviacionit, duke përfshirë Wind, Sand and Stars dhe Night Flight.
Saint-Exupéry ishte një pilot i suksesshëm tregtar përpara Luftës së Dytë Botërore, i cili ka punuar në rrugët e postës ajrore në Evropë, Afrikë dhe Amerikën e Jugut. Ai iu bashkua Forcave Ajrore Franceze në fillim të luftës, duke kryer misione zbulimi deri në armëpushimin e Francës me Gjermaninë në vitin 1940. Pasi u çmobilizua nga Forca Ajrore Franceze, ai udhëtoi për në Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar në bindjen e qeverisë së saj për të hyrë në luftë kundër Gjermanisë naziste.
Saint-Exupéry kaloi 28 muaj në Amerikë, gjatë të cilëve ai shkroi tre nga veprat e tij më të rëndësishme, më pas iu bashkua Forcave Ajrore të Lirë Franceze në Afrikën e Veriut – megjithëse ai e kishte kaluar moshën maksimale për pilot. Ai u zhduk dhe besohet të ketë vdekur gjatë një misioni zbulimi nga Korsika mbi Mesdhe më 31 korrik 1944.
Para luftës, Saint-Exupéry kishte arritur famë në Francë si aviator. Veprat e tij letrare pas vdekjes e rritën statusin e tij në statusin e heroit kombëtar në Francë, duke përfshirë Princin e Vogël i cili është përkthyer në 300 gjuhë të ndryshme të botës./ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Via Ferrata e parë në Shqipëri e cila ndodhet në fshatin Kuç dhe frekuentohet nga turistë të shumtë të apasionuar pas hikung-ut.
“Përveç detit ka dhe kështu si në Kuç”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Via ferrata e parë në Shqipëri ndodhet në fshatin Kuç, në rajonin e Himarës, dhe quhet Via Ferrata Himarë.
Ajo u zhvillua me mbështetjen e Platformës së Inovacionit në Turizëm (TIP).
Projekti u zbatua nga Çeta Hiking pasi ata fituan vendin e parë në një konkurs për ndërtimin e via ferratës.
100 metrat e parë të këtij shtegu janë financuar nga GIZ, si dhe 150 metra shtesë u financuan nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH). Përmes një Memorandumi Mirëkuptimi mes GIZ, FSHZH dhe Bashkisë Himarë, ky produkt i ri po bëhet realitet.
E vendosur në një zonë ende të pashfrytëzuar e të paprekur nga turizmi, Via Ferrata në Kuç do të krijojë një eksperiencë unike përpara se turistët të zbresin drejt bregdetit jugor.
Ky zhvillim jo vetëm që diversifikon ofertën turistike në rajon, por gjithashtu krijon mundësi të reja ekonomike për banorët lokalë dhe operatorët turistikë, duke i dhënë zonës një dimension të ri tërheqës për vizitorët dhe aventurierët.
“Të tridhjetat janë të bukura, dhe tridhjetë e një, tridhjetë e dy, tridhjetë e tre, tridhjetë e katër, tridhjetë e pesë vjeç. Ato vite janë të mrekullueshëm sepse jemi të lirë, rebelë, mashtrues, sepse ankthi i pritjes ka mbaruar, melankolia e rënies nuk ka filluar, sepse më në fund, në moshën tridhjetë vjeçare, ne po shkëlqejmë!
Nëse jemi fetarë, ne jemi fetarë të bindur. Nëse jemi ateistë, ne jemi ateistë të bindur. Nëse jemi të dyshimtë, jemi të dyshimtë pa turp. Dhe ne nuk i frikësohemi talljeve të djemve, sepse edhe ne jemi të reja, nuk i frikësohemi qortimeve të të rriturve, sepse edhe ne jemi të rritur. Ne nuk i frikësohemi mëkatit sepse e kemi kuptuar se mëkati është një pikëpamje, nuk kemi frikë nga mosbindja sepse kemi zbuluar se mosbindja është fisnike.
Ne nuk kemi frikë nga ndëshkimi, sepse kemi arritur në përfundimin se nuk ka asgjë të keqe të duash kur e gjen dikë dhe ta braktisim nëse humbim: llogaritë nuk bëhen më me mësuesin e shkollës dhe ne nuk duhet t’i bëjmë ato me priftin e shenjtë. Ne i bëjmë ato me veten dhe mjafton. Në të tridhjetat ne jemi një fushë me grurë të pjekur, jo më të papjekur.
I gjithë gëzimi ynë është i gjallë, gjithë dhimbja jonë është e gjallë, ne qeshim dhe qajmë, pasi kurrë nuk do të kemi sukses. Ne kemi arritur në majë të malit dhe atje në krye çdo gjë është e qartë: rruga në të cilën do të zbresim.
Nuk do të ndodhë që të ulemi për t’u kthyer prapa në kohë dhe të meditojmë fatet tona…”/ KultPlus.com
Në Korçë janë instaluar tre stacione moderne meteorologjike, të cilat synojnë të ndihmojnë fermerët duke sjellë një frymë të re në mënyrën e punës së tokës.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri të ditur se këto stacione ndihmojnë fermerët të parashikojnë më mirë ndryshimet klimatike, të menaxhojnë dëmtuesit dhe sëmundjet dhe të përdorin burimet në mënyrë më efikase.
“Janë instaluar tre stacione meteorologjike moderne, të pajisura me sensorë dhe kurthe digjitale, për të mbështetur fermerët në kultivimin e mollëve dhe qershive, një hap konkret drejt fuqizimit të bujqësisë së zgjuar”, theksoi ministrja Denaj.
Nisma ndihmon drejtpërdrejt në ndërtimin e qëndrueshmërisë afatgjatë ekonomike për sektorin bujqësor në Korçë, duke e bërë bujqësinë një aktivitet më të qëndrueshëm dhe fitimprurës, pavarësisht sfidave të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.
Sipas ministres Denaj, kjo iniciativë e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me GIZ, është pjesë e vizionit “Bujqësia2030”, që synon një bujqësi të qëndrueshme, të pajisur me dije dhe teknologji, dhe i jep fermerit fuqinë për të përballuar sfidat e së ardhmes.
Ministrja Denaj tha se ky investim është realizuar nga GIZ Albania dhe WB Adapt, në bashkëpunim me QTTB Korçë, AREB Korçë dhe ADAD Malore.
Nga vendosja e tre stacioneve meteorologjike moderne për fermerët në Korçë./ KultPlus.com
Tingujt e muzikës baroke u mirëpritën nga publiku artdashës në një mbrëmje në Korçë, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar “Vox Baroque”.
Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo e etiketoi këtë festival si hapësirën ku muzika udhëton përtej kohës dhe kufijve.
“Mbrëmë, në mjediset e veçanta të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, u zhvillua koncerti “Ex Silentio”, një udhëtim përmes tingujve të muzikës antike mesdhetare, pjesë e edicionit të XII-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Baroke”, tha Filo në një postim në rrjetet sociale.
Sipas kryebashkiakut të Korçës, “artistët nga Greqia, Dhimítris Koundouras (flaut), Iríni Bilini-Moraiti (vokal & vielë) dhe Thýmios Atzakas (liutë orientale) sollën një interpretim të rrallë dhe të përmbajtur, në respekt të atmosferës që ruan thesare të shenjta të trashëgimisë sonë shpirtërore”.
“Një mbrëmje që bashkoi hijeshinë e muzikës së lashtë me madhështinë e ikonografisë shqiptare dhe që i shtoi një tjetër kapitull të paharruar verës kulturore të Korçës”, pohoi Filo.
Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Baroke “Vox Baroque” mbetet aktiviteti i vetëm në llojin e tij në Shqipëri. Ky festival synon gërshetimin mes përhapjes së repertorit të kohës kur lindi si zhanër të ekzekutuar sipas rregullave të traktateve të kohës dhe iniciativave alternative promovuese të atyre artefakteve pjesë të trashëgimisë kulturore kombëtare.
Nga festivali Vox Baroque në Muzen Kombëtar të Artit Mesjetar Korçë./ KultPlus.com
bëra më mirë natën dola në oborr Hana lart nuse violet spërkat gjethet e trëndafilit me piklat që vezullojnë sedef natë vere pemësh që piqen m’degë shtrirë barit im at po fle ka gjashtë vjet që ka vdek’
vonë këso netësh nga gjirët e Drinit nga peshkimi kthehej ai pesëdhjetë vjet me pemën e papjekur me ujin e zi që udhëtonte me çikletë me shtambat që varte timonit plot ajër e peshk dhe midis oborri në govatë druri krijonte detin e tij të kufizuar
po sonte? kush e solli peshkun në govatë kaq të lirë pa gjuhë të lundrojë në ujin e kufizuar i lirë
ah të ishte midis katër muresh do t’ia linte fajin burgut që s’e la të vinte deri te ti deti
dhe unë mund të dal të eci e të eci të shkel barin, pluhurin, lumin, kënetën oh moj ti vdekja – vetëm. / KultPlus.com
Nëse në Britani ekziston si model katedra e Shekspirologjisë, e pakta që mund të bëhet në sistemin tonë arsimor, kulturor e mediatik, është përfshirja si objekt studimi i veprës së Teki Dërvishit, njërit prej kodifikuesve të rrallë të shenjëzimit letrar, duke filluar që nga tregimet e para të botuara në revistën ‘Jeta e re’, në fillim të viteve 60, që drejtohej nga Esad Mekuli, ku bënte pjesë edhe tregimi ‘Sania’ , e deri te krijimet fundit, të shpërndara nëpër gazeta e revista në dhjetëvjetëshin e fundit para se të ndërronte jetë, më 29 qetshor 2011.
Emin AZEMI
Të gjithë studiuesit e letërsisë, por edhe lexuesit e vëmendshëm të veprës së Teki Dërvishit, janë shoqëruar me jo pak dilema para se t’iu kenë qasur këtij shkrimtari, sa origjinal,po aq edhe kompleks, sa modernist, po aq edhe eksperimental. Teki Dërvishi është ndër shkrimtarët e rrallë të letërsisë sonë që ka mbetur jo vetëm i pastudiuar, por për rrjedhojë, statusi i tij si individualitet krijues nuk e ka zënë vendin e merituar në sistemin e përgjithshëm valorizues të universit tonë letrar, por edhe në njohjen e meritave që ai pati në mbajtjen gjallë të rezistencës intelektuale e protestës krijuese kundrejt sistemeve antikombëtare e akulturuese.
Teki Dërvishi erdhi si fenomen krijues dhe mbetet i tillë për shumë arsye, sepse ai nuk ishte shkrimtar mode, ndonëse nuk ishte demode, ai nuk shkroi që t’i përshtatet kohës, ndonëse nuk ishte jashtë kohe, ai nuk i takonte oborrit letrar, por vepra e tij theu shumë gardhiqe që i kishte vendosur kritika zyrtare dhe fryma letrare e poltronëve oborrtarë…
Në vitin 1981 Teki Dërvishin e larguan nga Flaka e Vëllazërimit, sepse refuzoi të shkruante kundër Ismail Kadaresë, që i bie se ai refuzoi të del kundër vetvetes dhe po të vepronte ndryshe ai nuk do të ishte më Teki Dërvishi. Ishte po ai që i takonte Grupit të Demaçit, si përfaqësues i Rrafshit të Dukagjinit dhe i dënuar si 17 vjeçar me burg të rëndë në ishullin famkeq të Goli Otokut, , që njihej si Alkatrazi i Jugosllavisë së atëhershme, ku vuajtën dënime shumë disidentë të kohës. Kjo ishte edhe një shkollë për T. Dërvishin të cilën ai kishte arritur ta nxëjë jashtë librave, që më vonë ai vet do të bëhej një shkollë për të tjerët e nxënë jashtë librave, por edhe një aksiomë jetësore që e kishte mësuar nga Dush Kusari që ‘kurrë të mos i takonte shumicës’. Ishte po ai i cili veproi gjithmonë sipas dellit të krijuesit e njeriut vertikal që udhën e nisur e përfundonte atje ku i thoshte ndërgjegjja.
Dhe ndërgjegjja e Teki Dërvishit ishte baraz me fuqinë krijuese për t’i bërë një radiografi poetike shtëpisë së sëmurë, e cila po lëngonte mbi gërmadhat e një ngrehine qe herët a vonë duhej rrënuar, por, edhe si i varun me vargje për drurin e blertë, ai arriti ta ruajë pastërtinë e poezisë nga klishetë e socrealizmit dhe skemave të mërzitshme të një letërsie me patos social dhe me avangardizëm të shpifur. (me vëllimet poetike Nimfa 1970, I Varun me Vargje për drunin e blertë 1971, Shtëpia e Sëmurë 1978, Thashë 1981. Ai, madje, siç do të vëjë në dukje njëri prej njohësve më të spikatur të veprës së këtij shkrimtari, prof. Nehas Sopaj, sipas të cilit Teki Dërvishi jo vetëm që ishte kompleks për nga natyra dhe veçantia e shkrimit, por edhe për faktin se “ai, krahas Marin Camajt dhe Beqir Musliut ,në letërsinë tonë bashkëkohore është një ndër shkrimtarët më produktivë dhe vepra e tij shënon shkollë shkrimi më vete ku autorin e shohim shumë pjellor duke lëruar tri gjinitë letrare paralelisht: poezi, prozë dhe dramë dhe është vështirë të kuptohet pesha dhe rëndësia e veprës së tij nëse lexohet parcialisht, pra nëse lexohet vetëm si poet, si prozator apo si dramaturg. Por, edhe të lexuarit në tërësi të veprës së tij është i vështirë, sepse problem numër një për receptim paraqet mosnjohja e domosdoshme e kodeve të shkrimit të autorit”.
Të rrallë janë shkrimtarët në letërsinë tonë që sistemin e ideve dhe konceptin estetik e kishin të mishëruar si një tërësi në vetë natyrën e krijimit, ose siç do të shprehet një studiues tjetër meritor i veprës së Teki Dërvishit, Ramadan Musliu sipas të cilit “Teki Dërvishi arriti të krijojë një opus letrar në të cilin hetohet një sistem idesh, një koncept unik estetik, një vetëdije krijuese, e cila kur vështrohet në të gjitha planet, del si një artist në rolin e demiurgut, ai që arrin të krijojë një univers artistik”.
Brezi i shkrimtarëve që erdhi bashkë me Teki Dërvishin, siç ishin Beqir Musliu, Musa Ramadani, Ymer Shkreli, Xhabir Ahmeti, Resul Shabani, Nexhmedin Soba e ndonjë tjetër, ishte fryma që po thyente një traditë shkrimi, por edhe brezi i shkrimtarëve që arritën të bëjnë kalime të pahetueshme nga zhanri në zhanër duke qenë të suksesshëm në çdo njërin prej tyre.
I tillë ishte edhe Teki Dërvishi, i cili madje edhe kur shkruante prozë, shkrinte elemente të tjera të natyrës shkrimore, (duke filluar nga vëllimi me tregime ‘Etje dhe borë’) dhe siç do të vërejë edhe studiuesi Ibrahim Rugova teksa analizonte romanin ‘Pirgu i lartë’ që e konsideronte një prurje të re në letërsinë shqipe për kohën kur u botua (1972) , sidomos sa i përket funksionit të poezisë në roman. Kjo strukturë novatore e të rrëfyerit mbase do ta bëjë ‘Pirgun e lartë’ romanin e parë lirik në letërsinë shqipe, për të vazhduar me një tjetër observim narrativ përmes romanit ‘Herezia e Dërvish Mallutës’’, në të cilin Teki Dërvishi tematizon herezinë e raportit në mes të individit dhe rrethit dhe thellësinë e paradoksalitetit të keqkuptimeve në këto raporte, ku Dervish Malluta prish kanonet të cilave është dashur t’iu përmbahet.
Se Teki Dërvishi është një shkrimtar që kapërcimin e fakturës shkrimore nga një zhanër në zhanrin tjetër e bën me sukses, por edhe me pasion eksperimental, pa rënë në grackën e eklektizmit të tepruar stilistik, dëshmon edhe përkushtimi i tij ndaj dramaturgjisë, që dikush prej miqve dhe krijuesve e pat quajtur ‘Shekspiri shqiptar’, përmes dramave: Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi, Bregu i Pikëllimit, Pranvera e Librave, Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, Kufiri me atdhe, Mbreti i lirë, Vojceku, Eshtrat që vinë vonë, Nesër nisemi për Parajsë, 1999, Ku është Populli?.
Në gjithë këtë opus dramatik, ai kulmin e arriti me ‘Bregu i pikëllimit’, një cikël prej nëntë njësish dramaturgjike, të cilat edhe po të lexohen dhe të luhen veç e veç, mund të funksionojnë si mëvetësi kuptimore, pa e prishur tërësinë e integralitetit, ndonëse në skenat e Teatrit, sidomos realizimi në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, me regjisorin Vladimir Milçin, Bregu i Pikëllimit, jo vetëm që po e freskonte tempullin e Talisë me një prurje tepër të komplekse e të guximshme, por po i jepte Teatrit shqiptar një ritëm të ri zhvillimi, një dinamikë që kishte filluar ta humbë në kohën kur kjo dramë u vu në skenën e Prishtinës në fillim të nëntëdhjetave. Përmes Bregut të pikëllimit Teki Dërsvishi bëri konfigurimin skenik të një udhëtimi të dyzuar mitik e real të njeriut, i cili , siç ndodhte edhe me Itakën e Odisës, ashtu Suka e Cërmjanit ishte për Udhësin Lojëtar sizmologjia e gjendjeve shpirtërore, që duhej të kalonte nëpër nëntë rrathë, që ishin nëntë shtresa të sprovës njerëzore, por edhe nëntë hallka të vetëpërcaktimit moral të individit në kontekst të xhunglës sociale e psikologjike që e rrethonte.
Teki Dërvishi erudit e shkrimtar, estet e publicist, eksperimentues e postmodernist, i cili kurrë nuk parapëlqeu t’i takonte shumicës, mbetet pengu më i madh i i një misioni të papërfunduar i botuesve, studiuesve e përgjithësisht lexuesve, sepse njohja më cilësore me këtë shkrimtar tash e në të ardhmen nuk mund të bëhet pa një ridefinim të statusit të tij në letrat tona dhe kjo uk mund të bëhet pa u botuar e plotë vepra e tij, në poezi, prozë, dramë, ese, kritikë (letrare dhe teatrore), publicistikë, dhe pa u studiuar me themel sistemi estetik e shkrimor i kësaj vepre.
Nëse në Britani ekziston si model katedra e Shekspirologjisë, e pakta që mund të bëhet në sistemin tonë arsimor, kulturor e mediatik, është përfshirja si objekt studimi i veprës së Teki Dërvishit, njërit prej kodifikuesve të rrallë të shenjëzimit letrar, duke filluar që nga tregimet e para të botuara në revistën ‘Jeta e re’, në fillim të viteve 60, që drejtohej nga Esad Mekuli, ku bënte pjesë edhe tregimi ‘Sania’ , e deri te krijimet fundit, të shpërndara nëpër gazeta e revista në dhjetëvjetëshin e fundit para se të ndërronte jetë, më 29 qershor 2011.
Qofshin të përjetshëm emri dhe vepra e Teki Dërvishit!/ KultPlus.com
Në sa mënyra të dashuroj? Lermë t’i numëroj. Të dashuroj deri në thellësinë, në gjerësinë dhe në lartësinë Që shpirti im mund të arrijë, kur merr pjesë i padukshëm Në qëllimet e Ekzistencës e të Faljes ideale.
Të dashuroj po aq sa nevoja më modeste E çdo dite, në diell dhe në dritën e qiririt. Të dashuroj bujarisht, si dikush që lufton për drejtësi. Të dashuroj me pastërti, si dikush që nga lutja kthehet.
Të dashuroj me pasionin që hidhja Në dhimbjet e mia të shkuara, e me besimin e fëmijërisë sime. Të dashuroj me një dashuri që e besoja të humbur, Së bashku me engjëjt e mi të humbur- të dashuroj me frymëmarrjen, Buzëqeshjet, lotët, e gjithë jetës sime! – e nëse Zoti do dojë, Do të të dashuroj akoma më shumë pas vdekjes./ KultPlus.com
Segmenti Ura e Çerenecit – Zgosht, që lidh Bulqizën me Librazhdin, rreth 47 km e gjatë ka përfunduar.
Kjo ndërhyrje pritet të sjellë një ndikim direkt pozitiv në zhvillimin ekonomik, bujqësor e turistik duke përmirësuar mundësinë e hyrje-daljeve për komunitetin, fermerët dhe ndërmarrje të tjera ekonomike, për turistë drejt destinacioneve në Shqipërinë lindore, duke përfshirë zona të reja turistike si Parku Shebenik-Jabllanicë në Librazhd dhe zonat kulturore, natyrore e historike në qarkun e Dibrës.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjete sociale pamjet e këtij segmenti, tashmë të përfunduar.
Rama tha se “segmenti i përfunduar Zgosht – Ura e Çerenecit, një tjetër investim i rëndësishëm në infrastrukturën rrugore që lidh zonat malore të Librazhdit me Dibrën, duke lehtësuar ndjeshëm jetën e banorëve dhe duke i dhënë frymë zhvillimit lokal”.
Me planin për hapjen e një pike kufitare të re në Urën e Bushtricës, për ndërtimin e së cilës po punojnë si Shqipëria edhe Maqedonia e Veriut, pjesë e Korridorit 8, do të jetë e mundur që banorët e të gjitha zonave që kalojnë në segmentin Zogsht-Ura e Çerenecit të lëvizin më shpejtë./ KultPlus.com
Çmimet e naftës u rritën të premten, megjithatë projeksionet po tregojnë se do të pësojnë uljen më të madhe që nga marsi 2023.
Mungesa e ndërprerjeve të mëdha në furnizim si pasojë e konfliktit mes Iranit dhe Izraelit ka bërë që primet e rrezikut gjeopolitik të zhduken pothuajse plotësisht.
Nafta Brent u rrit me 54 cent, ose 0.8%, duke arritur në 68.26 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u rrit me 60 cent, ose afërsisht 0.9%, në 65.83 dollarë për fuçi.
Gjatë konfliktit 12-ditor që nisi më 13 qershor, pasi Izraeli goditi objektet bërthamore iraniane, çmimet e Brent-it u ngjitën përkohësisht mbi 80 dollarë për fuçi, por më pas ranë në 67 dollarë pas njoftimit të Presidentit amerikan Donald Trump për një armëpushim mes dy vendeve. Si pasojë, të dy kontratat janë në rrugë për të regjistruar një rënie javore prej rreth 12%.
“Tregu pothuajse e ka injoruar tërësisht rrezikun gjeopolitik të para një jave dhe po i rikthehet një tregu të drejtuar nga themelet ekonomike”, deklaroi analisti i Rystad Energy, Janiv Shah.
Vëmendja është gjithashtu e përqendruar në takimin e ardhshëm të OPEC+, i cili do të mbahet më 6 korrik dhe pritet të përcaktojë nivelet e prodhimit për muajin gusht.
Sipas analistëve, mund të ketë hapësirë për një muaj tjetër me ulje të shpejtuar të kufizimeve të prodhimit, por gjithçka do të varet nga treguesit e kërkesës gjatë verës.
Të dhënat e Administratës për Informacionin mbi Energjinë në SHBA (EIA), të publikuara të mërkurën, treguan se rezervat e naftës së papërpunuar dhe karburanteve kanë rënë në javën e kaluar, ndërsa aktiviteti i rafinimit dhe kërkesa janë rritur.
Po ashtu, të dhënat e së enjtes treguan se rezervat e naftës gasoil në qendrën e rafinimit dhe magazinimit Amsterdam-Roterdam-Anvers (ARA) kanë rënë në nivelin më të ulët në më shumë se një vit.
Në të njëjtën kohë, importet kineze të naftës iraniane pësuan rritje të ndjeshme në muajin qershor, si rezultat i përshpejtimit të dërgesave përpara përshkallëzimit të konfliktit dhe rritjes së kërkesës nga rafineritë e pavarura.
Kina është importuesi më i madh në botë i naftës dhe blerësi kryesor i naftës iraniane.
Sipas të dhënave të kompanisë së ndjekjes së anijeve Vortexa, Kina ka blerë mbi 1.8 milion fuçi naftë iraniane në ditë gjatë periudhës 1–20 qershor, një rekord sipas të dhënave të firmës./ KultPlus.com
Bumerangu më i vjetër në botë është më i vjetër nga sa mendohej më parë, duke hedhur dritë të re mbi zgjuarsinë e njerëzve në atë kohë, shkruan BBC.
Vegla, e gjetur në një shpellë në Poloni në vitin 1985, tani vlerësohet të jetë 40 000-vjeçare.
Arkeologët thonë se bumerangu është punuar nga një dhëmbë mamuthi me një nivel të mahnitshëm aftësish.
Nga forma e saj, studiuesit arritën në përfundimin se objekti do të kishte fluturuar pasi të hidhej, por nuk do të ishte kthyer te ai që e kishte hedhur.
Me shumë mundësi është përdorur për gjueti, megjithëse mund të ketë pasur vlerë edhe kulturore apo artistike.
Bumerangu i fildishtë i mamuthit u gjet në shpellën e Oblazowas në Poloninë jugore.
Fillimisht mendohej të ishte rreth 30 000-vjeçar.
Por, datimi i ri dhe më i besueshëm me radiokarbon i kockave njerëzore dhe shtazore të gjetura në vend e vendos atë midis 39 000 dhe 42 000-vjeçare.
“Është bumerangu më i vjetër në botë dhe i vetmi i kësaj forme dhe gjatësie i gjetur në Poloni”, theksoi Dr. Sahra Talamo e Universitetit të Bolonjës në Itali.
Ofron “një pasqyrë të jashtëzakonshme” mbi sjelljen njerëzore, tha ajo, veçanërisht se si Homo sapiens, i cili jetoi deri në 42 000 vjet më parë, mundi të krijonte “një objekt kaq të përsosur” me dijeninë se mund të përdorej për të gjuajtur kafshë.
Bumerangu është ruajtur jashtëzakonisht mirë, me shenja prerjeje që sugjerojnë se ishte lëmuar dhe gdhendur për t’u përdorur nga një individ me dorën e djathtë.
Bumerangu në përgjithësi shoqërohet me kulturën aborigjene australiane.
Megjithatë, gjetjet e rralla në të dhënat historike jashtë Australisë sugjerojnë se ato janë përdorur në kontinente të shumta.
Bumerangu më i vjetër i njohur në Australi daton rreth 10 500 vjet më parë dhe ishte bërë prej druri.
”Megjithatë, imazhet më të vjetra të bumerangut në Australi janë piktura shpellash që datojnë 20 000 vjet më parë”, sipas Muzeut Kombëtar të Australisë.
Një bumerang druri 7 000-vjeçar u gjet në Jutland, një gadishull midis Danimarkës dhe Gjermanisë, ndërsa fragmente të një bumerang lisi 2 000-vjeçar u gjetën në Holandë./ atsh/ KultPlus.com
Michael A. Slote është profesor i etikës në Universitetin e Miamit.
FUNDI I ETIKËS TELEOLOGJIKE
Nga Michael Slote
Termi ‘teleologjik’ vjen nga greqishtja telos që do të thotë cal, qëllim, pse fund. Ideja e etikës teleologjike në përdorimin e kohëve të fundit është kuptuar, më thellësisht, si e kundërta e qasjeve ‘deontologjike’ ndaj etikës. Moralitetet deontologjike u kërkojnë popujve ose shoqërive ndonjëherë të veprojnë në shpërfillje të, ose madje kundër pasojave të mira, për shembull, me ndalimin e vrasjes së një personi të pafajshëm edhe nëse kjo është mënyra e vetme për të parandaluar një humbje më të madhe të jetëve njerëzore. Teoritë teleologjike, përkundrazi, që të gjitha supozohet të pranojnë disa versione të idesë se qëllimi (gjithmonë) i juastifikon mjetet.
Për më tepër, nocioni i një etike teleologjike përgjithësisht është menduar të përqafojë dy lloje bukur të ndryshme të qasjeve ndaj moralitetit ose etikës: virtytet antike etike dhe konsekuentializmin e ditëve të sotme (përfshirë utilitarizmin). Sidoqoftë, supozimi i shpërhapur se këto dy forma të etikës kanë diçka të përbashkët që i dallon ato prej teorive deontologjike është subjekt i ca vështirësieve të mëdha, nëse jo të patejkalueshme, që e rrezikojnë idenë e vërtetë të një dallimi fundamental mes teleologjisë dhe deontologjisë.
Në radhë të parë, ideja se (akt-)utilitarizmi dhe (akt-)konsekuecizmi janë teleologjike është diçka e zmadhuar. E vëtetë, utlilaristë si Henry Sidgwick shpesh flasin për lumturinë ose kënaqësinë si një/për fund/in (final) të veprimit njerëzor dhe po ashtu pohon se moraliteti i çdo veprimi përcaktohet nga ajo se sa (i një bilanci të pastër të ) lumturi/së ose kënaqësi/së është përfituar. Por asgjë nga kjo nuk kërkon që agjenti që vepron me të drejtë duhet të ketë qëllim lumturinë e përgjithshme, apo në të vërtetë të ketë qëllim vetë lumturinë. Nëse përfudimet më të mira për lumturinë njerëzore në të vërtetë do të arrihen nga një agjent që është i dhënë vetëm pas familjes së vet, ose duke refuzuar madje të mendojë rreth përdorimit të mjeteve të ndaluara deontologjikisht për të arritur ca rezultate të mira, atëherë do të jetë e lejueshme, bile edhe e detyrueshme ta harrojë “cakun” e lumturisë universale. Në këtë rast, utilitarizmi konsiderohet më tepër si një pikëpamje konsekuencialiste se sa si teleologjike; dhe kështu tendenca e sotme, e iniciuar nga Elizabeth Anscombe, të përqendrohet tek karakteri konsekuentialist më parë se sa tek ai teleologjik, i utlitarizmit, perfektsionizmit, e të ngjashme, tregon, mendoj, një pranim implicit të pasaktësisë në kur konsiderohen këto pikëpamje si domosdoshmërisht të parashkruara, sipas të cilave njerëzit duhet të kenë lumturinë universale ose çfarëdo të mire tjetër të veçantë si synim, qëllim, ose cak të jetës së tyre.
Në të njëjtën mënyr, aplikimi i padiskrimueshëm i termit ‘teleologjik’ për të gjitha format antike të virtyteve etike është po ashtu problematik. Që të jemi të qartë, Aristoteli jo vetëm e nis Etikën nikomakeane duke thënë se lumturia, ose eudaimonia, si një fund i epërm i të gjitha veprimeve njerëzore, po po ashtu i nënshtrohet një forme metafizike të teleologjisë, sipas së cilës të gjitha qeniet (e gjalla) mëtojnë caqe ose qëllime që duktohen nga natyra e tyre. Kjo në mënyrë të kuptueshme mund të na bëjë të supozojmë se Aristoteli mendon për virtyt(et) njerëzor/e që i përshkruan në librin II deri te V të ‘Etikës’ si tipare të krakterit që nevojiten për lumturinë individuale njerëzore dhe se me gjasë është një egoist etik ai që konsideron se individi racional i virtytshëm synon lumturinë vetanake në të gjitha veprime e tij (të llogaritura). Por në të vërtetë kjo na jep një pasqyrë të shtrembëruar të pikëpamjes së Aristotelit tek ‘Etika’ dhe mund të bëjmë hapin e parë përpara duke shikuar a mund të kuptojmë se Aristoteli e koncepton lumturinë ose eudaimonia-n si diçka që kryesisht konsiston në veprimin e virtytshëm (gjatë gjithë jetës).
Nëse eudaimonia duhet të kuptohet në terma të të jetuarit virtytshëm, atëherë, për shkak viciozitetit, virtyti nuk mund të kuptohet si ajo që kontribuon në ose kërkohet për eudaimonia-n. Ka një mori dëshmish tek ‘Etika’ se Aristoteli e përjashton idenë e vonë dhe në vend të kësaj e kupton virtytin në terma intuitivë. Individi i virtytshëm, sipas atij leximi, është ai që, pa benifitin e formulave ose rregullave, “sheh” çka është e drejtë ose e guximshme dhe, prandaj, shkëlqen në situata të ndryshme dhe, pa ndonjë mundim a rezervë mendore, (zakonisht) vepron në përputhje. Faktet situacionale rreth asaj çka është e drejtë ose e guximshme atëherë do të funksonojnë si përdhese e etikës aristoteliane, me lumturinë që kuptohet në terma të virtytit më parë se sa anasjelltas.
Për më tepër, Aristoteli shpesh e përshkruan personin e virtytshëm (p.sh., ushtarin që rrezikon jetën për vendin e tij) si dikush që vepron për “hir të fisnkërisë” dhe kjo duket të përjashtojë ose të paktën shmang idenë se virtyti (racional) konsiston në kërkimin e lumturisë vetanake. Sigurisht, në një mënyrë më shumë tipike për etikën antike të virtyteve, Aristoteli nganjëherë pohon se, duke bërë atë që është e fisme (për hir të vetvetes), ne jemi më të mirë, në mënyrë të pandryshmeshme, se sa po të kishim qenë ai lloj i personit që është në gjendje, ose përafërsisht, të bëjë të kundërtën (prandaj edhe një i ri që vdes trimërisht në betejë do të kishte pasur një jetë më të mirë se sa një frikacak që jeton një jetë të gjatë). Por, prapë, kjo do të thotë vetëm se veprimet e virtytshme kontribuojnë në ose janë të nevojshme për lumturinë tonë, jo se lumturia jonë është qëllimi i tyre. (Aristoteli është eudaimonist, por duket gabim të mendojmë atë se një egoist etik).
Në këtë rast, ideja se etika artistoteliane është teleologjike në një mënyrë joambiguo është gabim, ose e pakta e dyshimtë, dhe ky përfundim është përforcuar më shumë së fundmi nga shqyrtimi i karakterit në dukje deontologjik të mendimit të Aristotelit.
Aristoteli thotë, prë shembull, se vetëm vullneti i individit i shpërndan të mirat në pëlqim me virtytin ose meritë dhe se nuk ka ndonjë sugjerim se kjo ndalesë ndonjëherë mund të pezullohet në mënyrë etike, ose të pezullohet në emër të pasojave të mira të përgjithshme. Për më tepër, disa lloje të caktuara të veprimeve – për shembull, tradhtia bashkëshortore dhe amëvrasja – themi se janë gjithmonë të gabuara dhe një ndalim i tillë absolut duket të vërë Aristotelin pranë deontologjistëve dhe kundër konsekuencialistëve, edhe njëherë, pra, duke vënë në çështje mbarë dallimin teleologjik/deontologjik.
A do të thotë kjo se ne nuk kemi dobi nga ideja e etikës teleologjike?
Jo tamam. Problemet që i kemi hasur vijnë nga pohimi se virtytet antike dhe konsekuencializmi janë (përgjithësisht) klasifikuar së bashku dhe pohimi se teleologjia dhe deontologjia së toku i shterin mundësitë për një etikë. Por nëse, në linjë me etimologjinë, ne do të konceptonim etikën teleologjike më ngushtësisht si një lloj etike që parashkruan disa qëllime, synime ose caqe për agjentët, atëherë duhet të shmangim pohimet e sapopërmendura dhe prapë të kemi një dallim të dobishëm. Pas së gjithash, ca forma të etikës – për shembull, format e ndryshme të etikës së “vetëkuptimit”, aq tipike për neo-hegelianizmin britanik – duket sikur i thonë agjetit me vetëdije të angazhohet për ose të kërkojë caqe të caktuara dhe mund të jetë dobishme që të jetë në gjendje të dallojë format e tilla nga qasjet ndaj moralitetit që nuk lypin qëllime të posaçme nga agjentët (edhe nëse i lypsin disi agjentit të sjellë pasoja ose rezultate të mira).
Si alternativë, mund të rezervojmë termin “teleologjik” për format e etikës që derivojnë nga ose e shoqërojnë një (filozofi të) shkencë/s ose metafizikë teleologjike; dhe ky përdorim i ngushtë po ashtu, mendoj unë, do t’iu bëjë bisht vështirësive që një interpretim më i gjerë duket të krijojë. Por përdorime kaq të mbërthyera ose specifike e bëjnë idenë e etikës teleologjike më pak të rëndësishme si nocion klasifikues dhe madhe mund të jetë e mundshme që qnciklopeditë e ardhshme filozofike/etike nuk do të ndiejnë të njëjtën nevojë të shpjegojnë nocionin që sigurisht deri më tash e kanë shpjeguar gjer e gjatë.
/ Michael Slote, ‘Essays on the history of ethics’, Ocford University Press, 2010 /Gazeta Express/
Në kinema “Republika” në Shkodër u shfaq premiera e dokumentarit “Zyliha Miloti – aktorja e 1000 roleve”, kushtuar një prej artisteve më të talentuara të humorit dhe një prej figurave më të dashura për publikun shkodran e atë mbarëkombëtar.
Dokumentari, i sjellë me mjeshtëri nga regjisori Arian Çuliqi dhe skenaristja e realizuesja Klodiana Shpendi, u prit me entuziazëm nga publiku shkodran, i cili e mbushi sallën plot, në këtë ngjarje të veçantë kulturore.
“Ju keni qenë dhe jeni frymëzimi jonë, shpirti jonë, zemra jonë. Dua të falënderoj regjisorin Arian Çuliqi. Një regjisor i mrekullueshëm i 30 e ca filmave humoristikë, i disa shfaqjeve të suksesshme të Estradës së Shkodrës. Sonte kemi të ftuar dhe artistë që kanë ardhur nga larg”, tha Zyliha Miloti.
Aktorja Zyliha Miloti numëron mbi 65 vite përkushtim ndaj artit skenik dhe ekranit, gjë që për regjisorin Çuliqi e bënte më sfiduese punën për figurën e saj.
“Unë e di mirë ç’do të thotë të shpalosësh për një orë gjithë karrierën e 65 viteve të një aktoreje si Zyliha Miloti, që janë aktorë që vijnë një herë në 100 vjet. E rëndësishme është që në këtë dokumentar, për të cilin jemi bazuar në marrëdhëniet e Zylit me kolegët dhe marrëdhëniet e saj me publikun, ndihej një mirësi e saj gjatë punës me ne. Është e palodhur, e jashtëzakonshme”, tha regjisori Arian Çuliqi.
Gjithashtu edhe kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci, ndau në rrjetet sociale disa momente nga premiera e dokumentarit, ndërsa shkruan se “u prit me duartrokitje të zjarrta nga spektatorët në nderim të një figure kaq shumëdimensionale si nana Zyli jonë e dashur, së cilës i urojmë shëndet e jetë të gjatë e të vazhdojmë ta shohim në role të tjera!”./atsh/ KultPlus.com
Erdhi për të bërë gjëra të mëdha, për të lënë gjurmë të pashlyera në botën e muzikës, në atë qiell të shtresimeve të epërme estetike. U gjegj si një shkreptimë që grisi perden e terrtë që mbështillte nevojën për të bashkudhëtuar me popujt dhe kulturat e mëdha të kohës. Shkodra dhe Shqipëria e asokohshme meritonte më shumë, ngulmonte të përkundej prej magjisë së kolosëve Bethoveni, Bah, Hendel, Moxart, Shubert, Belin, Verdi. Dhe jetë do të merrte ëndrra e këtyre ninullave klasike. Ai, Prenkë Jakova ishte i zgjedhuri. Ai ishte i dërguari i vullneteve të hyjshme estetike, i çeljes së shtigjeve në udhën e vështirë të sfidave operistike.
Prenkë Jakova u lind më 27 qershor të vitit 1917 në qytetin e Shkodrës në familien e patriotit të njohur Kol Ded Jakova, i cili ka qenë ndër organizatorët e mbrojtjes së kufinjve kombëtarë nga agresioni jugosllav në Luftën e Koplikut, në vitin 1920. Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit për t’u shndërruar në logo të kësaj përkatësie të traditës dhe kulturës. Ai ishte themeltari i operës shqiptare, troku ma i njimendttë i djepit të kulturës, rrugëtimi drejt qiellit të famës të këtij ylli.
Rrugëtimi i formësimit të gjeniut
Arsimin profesional fillestar Jakova e kreu në kolegjin françeskan “Ylliricum”, drejtor i së cilës në atë kohë ishte At Gjergj Fishta. Mësuesi që i dha edukatën e parë artistike, njohuritë fillestare të muzikës së bashku dhe me disa njohuri të instrumenteve muzikorë si klarinetë, violinë, fizarmonikë dhe dirigjim, ishte Padër Martin Gjoka.”Mrika” dhe “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” janë kësodore dëshmimi i këtij akti sublim krijimi.
Jemi në vitet 1942 kur Prenkë Jakova së bashku me shokët e tij Çesk Zadeja, Ramadan Sokoli etj, do të fillojë studimet në Konservatorin “Santa Çiçilja” të Romës, studime të cilat për fatin e tij jo të mirë, për arsye të përmasave që mori Lufta e Dytë Botërore, do të detyrohet që t’i ndërpresë shumë herët. Megjithatë dhe me ato njohuri të marra në aq pak kohë të qëndrimit të tij në atë Konservator, do të arrijë një përgatitje profesionale të konsiderueshme, përfitim ky që shpejt do të ndjehet në krijimtarinë e tij muzikore. Me shumë vullnet do t’i dedikohet kryesisht studimeve teorike të muzikës, lëndëve të solfezhit dhe të harmonisë, orkestracionit dhe dirigjimit koral. Me një pasion të veçantë do t’i kushtohet plotësisht dhe përvetësimit të instrumentit të klarinetës, i cili shumë shpejt do t’i shërbejë si një mbështetje e fuqishme për njohjen e të gjitha instrumenteve të tjera të frymës.
Ditët e trishta
Do të jenë vitet 1944-’45. kur Jakova do të thellojë krijimtarinë muzikore, ndonëse në rrethana jetësore të vështira. Është koha kur Prenkëa mbahej familjarisht i izoluar në një shtëpi-burg për arsye tashmë të njohura. (Ndoc Jakova, vëllai i tij, një nga patriotët e njohur të kësaj periudhe, në këto momente ndodhej i arratisur, e mbas disa muajsh do të mbetet i vrarë nga forcat e ndjekjes së Sigurimit të Shtetit.) Megjithatë lirohet nga ky izolim për të punuar në realizimin e premierës së melodramës kaq të njohur, “Juda Makabe”, vepër kjo me të njëjtën titull e At Gjergj Fishtës, ku me një punë intensive e përfundon dhe arrin që ta shfaqë më 28 Nëntor 1945, në kuadrin e njëvjetorit të Çlirimit. Vepra pati një sukses të jashtëzakonshëm, u shfaq për disa net në Teatrin e Jezuitëve të Shkodrës, deri sa iu fut në vesh e në tru qeveritarëve të rinj komunistë, ku iu bë menjëherë censurimi i saj si një vepër dekadente. “Juda Makabe” u pezullua për të mos u shfaqur kurrë më, ndërsa autori u burgos. U burgos vetëm për frymëzimin e fuqishëm fishtjan dha në këtë vepër, si dhe për ndjeshmërinë e madhe që ky krijim muzikor ngjalli në popull.
Do të jetë viti 1947 koha kur Prenkë Jakovës do t’i jepet përsëri dora e krijimtarisë. Këtë radhë do të jetë drejtues artistik i Shtëpisë së Kulturës të qytetit të Shkodrës, përgjegjësi artistike,përgjegjësi kjo që do ta mbajë deri në ditët e fundit të jetës.
Nëpër galerinë e krijimtarisë së Jakovës
Aktivitete të tjera cilësore që do të rrisin ndjeshëm nivelin kulturor të këtij qyteti, paralelisht dhe personalitetin e Prenkë Jakovës si kompozitor, dirigjent dhe organizator i shquar. Janë, Kënga e bariut, Merdhin trumcaku, Hymni i kolegjit françeskan, Ave Maria, Litianit e Zojës, Marshi i fiskulturistëve, Elegji për Luigj Gurakuqin, Margjelo, mjaft krijime vokale të fuqishme të kohës, të cilat do ta pasurojnë galerinë e Jakovës. Të kësaj periudhe janë dhe opereta për fëmijë: “Xhuxhimaxhuxhat”; “Dasma shkodrane”; Melodrama “Juda Makabe”; veprimin muzikor “Dritë mbi Shqipëri”, romancat vokale dhe tabloja muzikore “Guri i Zi”; kompozime për piano, violinë, violonçel, klarinetë etj.
Kur lindi opera e parë shqiptare
Nistorja ma e kurajshme e një gjeniu, e cila kërkonte me ngulm ta përfshinte Shkodrën dhe krejt Shqipërinë në rendin e shoqërive aristokratike është sfida operistike. “Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenkë Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti. Më 1 dhjetor 1958 u shfaq premiera e operës së parë shqiptare, “Mrika”. Shfaqja e parë si dhe tetëmbëdhjetë të tjera në vazhdim u dhanë në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, interpretuar nga muzikantët e këtij qyteti, nën drejtimin e mjeshtrit Prenkëë Jakova. Pas një viti, më 1959, opera u shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit, duke u bërë pjesë e rëndësishme e fondit të artë të repertorit të këtij institucioni.
Mbi të gjitha një njeri modest
Ai u ba një mit i vërtetë dhe i pakrahasueshëm qysh se ishte i gjallë e vazhdonte me ecë me çanten e vet të punës të mbushun me dru në kohë dimni per me shkue në dhomen e ftohët të Tijen, në katin e dytë të Shtëpisë së Kulturës, ku drita e asaj dhomë fikej e fundit… Një Burrë modest, trim dhe besimtarë katolik i vertetë, që porsa hapte sytë në mengjez mendonte kujt me i ba sot një të mirë…që per fat të keq, asnjeni nga “ata” që ka zbritë nga makinat e rekrutimit kur do të niseshin me shkue me krye sherbimin ushtarak nuk e shkruejnë një rresht per Té!-shruan Fritz Radovani.
Mjeshtri Prenkë Jakova
Prenkë Jakova ishte një ndër kompozitorët e brezit të parë të muzikës profesioniste, krijues i operës së parë shqiptare, përfaqësues i nivelit më të lartë të muzikës sonë të kultivuar, personaliteti dhe vepra e të cilit hapi rrugë dhe la gjurmë në artin tonë muzikor duke mbetur një shkreptimë drite në mbamendjen e gjeneratave.
Veprimtaria muzikore që la Prenkë Jakova është shumë e pasur e konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat. Nisur nga virtuoziteti i tij dhe veprat e larmishme muzikore, Prenkë Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj të muzikës shqiptare për të gjitha kohërat.
Kompozitorin Prenkë Jakova do ta cilësoja si një talent të rrallë, krijues i përmasave të gjera muzikore, dirigjent i aftë, klarinetist i shkëlqyer, njohës i të gjitha instrumenteve të orkestrës, i përgatitur mirë teorikisht, me një nivel të lartë profesional, por mbi të gjitha një njeri të mrekullueshëm. Ai u nda nga jeta tragjikisht më 16 shtator të vitit 1969 duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës në Shkodër. Gjithsesi kumtimet e ndryshme rreth këtij fundi tragjik të mjeshtrit orvaten me kriju aludime rreth vrasjes nga Sigurimi i Shtetit. Misteri i ndarjes nga jeta të Prenkë Jakovës mbetet një prej pikëpyetjeve që mbajnë larg të vërtetën.
Takimi me diktatorin Hoxha
Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operas së parë shqiptare “Mrika”, gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkëën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun. Një nga funksionarët e lartë të qytetit të Shkodrës, i cili ka qenë prezentë në atë bisedë të Prenkëës me Enver Hoxhën, dëshmon: Pas atyre fjalëve të Enver Hoxhës, Prenkëa iu përgjigj: “Po mor shoku Enver, por puna e operas nuk është si bukët që i fut kur të duash në furrë”. Pas përgjigjes së Prenkëës, Enver Hoxha filloi të qeshte dhe dha porosi që t’i plotësoheshin të gjitha kushtet Prenkëës, me qëllim që ai të vinte në skenë operën “Skënderbeu”, kujton ish funksionari i lartë lidhur me bisedën e Enver Hoxhës me Prenkëë Jakovën. Pas atij takimi, Prenkëa iu vu punës duke punuar nga mëngjesi deri në orët e vona të natës, për të realizuar atë që i kishte vënë si detyrë Enver Hoxha.
Ai e shkroi të gjithë muzikën e operas “Skënderbeu” dhe për disa muaj me radhë u muar vetëm me ndarjen e muzikës turke nga ajo arabe, gjë e cila deri në atë kohë konfondohej nga shumë kompozitorë. Kur e përfundoi muzikën e saj dhe e solli për miratim në Tiranë, Prenkëës i nxorën shumë pengesa dhe ata që ishin ngarkuar për shikimin e saj, i kërkonin të shkurtonte disa pjesë që sipas tyre stononin. Prenkëa refuzonte në mënyrë kategorike për ta bërë atë gjë dhe i vetmi që i doli në mbrojtje ishte Fadil Paçrami, i cili në atë kohë kishte dalë hapur kundër metodave të vjetra e konservatorizmit.
Ndonëse opera “Skënderbeu” u shfaq dhe pati sukses të madh, e Prenkëa pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkëës. Kjo gjë ndodhte në një kohë, kur Prenkëa kishte nënën e tij të paralizuar në shtëpi, gjë e cila ia rëndoi së tepërmi gjendjen e tij nervore. Nisur nga këto strese që iu paraqitën, më 16 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenkë Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Në varrimin e tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.
Epilogu
I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte shkruar vetë katër dekada më parë. Veprimtaria muzikore që la Prenkë Jakova është shumë e pasur e konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat. Nisur nga virtuoziteti i tij dhe veprat e larmishme muzikore, Prenkë Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj të muzikës shqiptare për të gjitha kohërat.
Edhe pse kanë kaluar dekada nga koha kur kompozitori Prenkë Jakova shkroi veprat e tij, ato vazhdojnë të admirohen, ndërsa autori i tyre konsiderohet në mënyrë të padyshimtë nga shtypi dhe kritika e artit, si kompozitori gjenial shqiptar. Kjo natyrisht përbën një sadisfaksion të madh për qytetarët shkodranë në mes të cilëve, u lind, jetoi dhe shkroi mjeshtri i madh Prenkë Jakova.
Prenkë Jakova do të mbetet përgjithnjë një emër i rëndësishëm i traditës dhe kulturës së qytetit verior. Ai solli në jetë operën e parë shqiptare “Mrika” dhe së bashku me “Skënderbeu” përbëjnë jo vetëm dy gurëthemelet e traditës sonë operistike por njiherash dhe kryeveprat e galerisë sonë kombëtare në këtë gjini të artit dhe komunikimit estetik. Kujtesa është një mirënjohje që do të na lërë gjithnjë borxhli para këtij njeriu modest dhe talenti të përmasave botërore. Shndritsh gjithmonë si yll, Prenkë Jakova./ KultPlus.com
Muzetë në qytetin e Gjirokastrës janë shndërruar në qendra të rëndësishme për zhvillimin e turizmit dhe tërheqjen e vizitorëve vendas dhe të huaj.
Sipas statistikave të publikuara nga Agjencia e Trashëgimisë Kulturore, vizitueshmëria e muzeve që funksionojnë në qytetin e gurtë është rritur me 30%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Muzeu Kadare mbetet një ndër stacionet më të preferuara të guidës turistike në Gjirokastër, duke tërhequr të apasionuar pas veprës letrare të korifeut të letrave shqipe.
“Çdo vizitor që vjen në Gjirokastër ka si destinacion kryesor të vizitojë Muzeun Kadare, sepse ka mundësinë që të njihet me zhvillimin kulturor, ekonomik dhe historik të qytetit. Pavarësisht jehonës që shkrimtari i madh Ismail Kadare ka bërë nëpërmjet veprave të tij, njohja e realitetit është diçka më e prekshme. Shohim që numri i vizitorëve dhe interesi i tyre për të vizituar muzetë tona është në rritje – këtë e tregojnë edhe statistikat, krahasuar me vitin e kaluar, ku kemi një rritje të interesit me 30%,” – thotë Befjola Braho, koordinatore e Muzeut “Kadare”.
Muzeu i Luftës së Ftohtë, i vendosur në mjediset e një vendstrehimi të periudhës së komunizmit, vizitohet me shumë kuriozitet nga turistët e huaj që mbërrijnë këto ditë vere në Gjirokastër.
Tuneli prej betoni, reliket e Luftës së Ftohtë dhe mjediset origjinale ngjallin interes për këtë periudhë historike.
“Tuneli i Luftës së Ftohtë është një nga vendet më të vizituara për momentin në Gjirokastër. Kemi turistë pothuajse nga të gjitha vendet e botës – nga Europa, kryesisht Spanjë, Francë, Gjermani – por edhe nga vende të tjera. Kemi një rritje të nivelit të turistëve, duke e krahasuar me vitin e kaluar, që ka qenë një ndër vitet më të suksesshme të turizmit në Gjirokastër,” – thotë Albana Matushi, koordinatore e Muzeut të Luftës së Ftohtë.
Në shërbim të turistëve në Gjirokastër funksionojnë gjithashtu Muzeu i Armëve dhe Muzeu Etnografik, të cilët në këtë periudhë kanë regjistruar një numër të konsiderueshëm vizitorësh.
Turizmi është tashmë sektori kryesor për ekonominë lokale në qytetin e gurtë.
Franca do të ndalojë pirjen e duhanit në plazhe, parqe, oborre publike dhe stacione autobusësh prej të dielës, ka thënë Qeveria.
Dekreti, i publikuar në Gazetën Zyrtare të shtunën, do të ndalojë pirjen e duhanit edhe jashtë bibliotekave, shkollave, pishinave, dhe synon mbrojtjen e fëmijëve nga duhanpirja pasive.
Në dekret nuk janë përmendur cigaret elektrike, ndërsa ata që shkelin ndalesën do të përballen me gjobë prej 135 eurosh.
“Duhani duhet të zhduket nga vendet ku ka fëmijë”, ka thënë Ministrja për Shëndet dhe Familje, Catherine Vautrin në maj, duke përmendur “të drejtën e fëmijëve për të thithur ajër të pastër”.
Hapësirat jashtë kafiterive janë përjashtuar nga ndalesa.
Sipas autoriteteve franceze, çdo vit në këtë shtet vdesin 75.000 njerëz si pasojë e komplikimeve të lidhura me duhanin.
Sipas një ankete të realizuar së fundmi, gjashtë në 10 francezë – 62 për qind – janë për ndalimin e pirjes së duhanit në ambiente publike./REL/ KultPlus.com