Në mes mjegullash të nxira hëna zhduket, hëna bredh. Mbi të trishtëmet rrafshira trishtëm dritën ajo derdh. Udhës shkretë dimërore rend kjo trojka gjithnjë. Zile e kalit monotone mezi ndihet nëpër të. Seç më kap një mall rinie karrocieri kur këndon, herë gas çapkënërie herë mall ai më zgjon. S’shoh as zjarr e as kasolle vetëm borë si pambuk. Dhe përtej shtyllat rrugore duken, zhduken tek e tuk. Ah, ç’mërzitje… nesër, Ninë, tek e shtrenjta do të vi. Pranë zjarrit kur të rrimë të të shoh me mall në sy. Dhe akrepi i sahatit do vij’ rrotull me qetësi E mërzitshmja mesnatë s’do na ndajë përsëri. Mërzi udhës dimërore karrocieri zu dremit Zile e kalit monotone hënë e mjegullt që ndrit.
Pranverë, o kohëz dashurie, ç’më mbush plot me pikëllim. Sa mall sërish ti po më bie në shpirtin tim, në gjakun tim. Për mua gazi është i huaj… çdo ngazëllim e çdo shkëlqim më sjell mërzi, më bën të vuaj.
Oh, nëmëni shqotën, suferinën dhe të pafundmen natë dimri. Pse, moj jetë je dhuratë që të bie rasti kot? Pse të dha i fshehti fat një ndëshkim me tmerr në botë? Ç’është ai pushtet i nxirë, që prej hiçit më ka thirë, që në shpirt më dha mundime dhe dyshim në mendjen time? Pa një dritë e një qëllim, më rreh zemra në shkreti. Më mbush plot me pikëllim jeta gjith monotoni./ KultPlus.com
Galeria Kombëtare e Kosovës ka hapur thirrjen për programin vjetor të vitin 2025.
Pranohen propozime për ekspozita ndërdisiplinare (duke përfshirë mediumin e pikturës, skulpturës, grafikës, instalacionit, fotografisë, videos, performancës, etj.) si dhe për projekte edukativo-arsimore, hulumtuese, botuese, multimediale.
Ekspozitat dhe projektet mund të implementohen brenda ose jashtë objektit të GKK në koordinim dhe diskutim me stafin e galerisë. Inkurajohen projekt propozimet nga artistë dhe kuratorë, organizata dhe komunitete kulturore (kontratat lidhen me individë), hulumtues dhe praktikues tjerë të arteve pamore.
112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë do të rikthejë në Tiranë paradën kuqezi. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka njoftuar se parada do të mbahet më 28 Nëntor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit.
Ai i bën thirrje të gjithë shqiptarëve të mblidhen për të festuar në zemër të Tiranës, “me kostumet e këngët nga çdo trevë shqiptare, në një bashkim vëllazëror festimesh të paharrueshme”.
“28 Nëntor – Parada e shqiptarëve, parada kuqezi”, shkruan Veliaj.
“E ku ka më mirë se sa kur të gjithë shqiptarët mblidhen bashkë në Tiranë më 28 Nëntor, për të kremtuar 112-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, në një paradë me ngjyra Kuq e Zi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me kostumet e këngët nga çdo trevë shqiptare, në një bashkim vëllazëror festimesh të paharrueshme.
Eja festojmë në zemër të Tiranës”, përfundon postimin e tij Veliaj./atsh/ KultPlus.com
“Lucia Nadin dhe shqiptarët në Venedik” ishte dokumentari historik i Ilir Yzeirit, i cili pati premierën mbrëmjen e djeshme në kinema “Millennium”, në praninë e Kryeministrit Edi Rama.
Dokumentari i bazuar në hulumtimet e albanologes Luçia Nadin, nxjerr në pah të shkuarën evropiane të shqiptarëve duke vlerësuar rolin dhe qëndresën e tyre kundër pushtimit osman në mbrojtje tē trojeve dhe të krishtërimit evropian.
Në zbulimet e Lucia Nadin përfshihet edhe e vetmja kopje origjinale e “Statuti di Scutari” (Statutet e Shkodrës).
Kontributi i Lucia Nadin konsiderohet mjaft i madh për Shqipërinë. Dokumentari dedikuar asaj, nis me një pamje të rrallë, atë të “Rrethimit të parë të Shkodrës” në Pallatin Dukal, duke treguar kështu vëmendjen e pashoqe dhe rëndësinë që kishte Shqipëria për Venedikun.
Dokumentari është ndërtuar dhe mbështetur në veprat e Lucia Nadin: “Shqiptarët në Venedik-Emigrim e integrim”, “Shqipëria e rigjetur”, “Statutet e Shkodrës”, “Figura e Skënderbeut në jetën kulturore e artistike të Venedikut” e plot studime të tjera. Ajo që vërehet nga Nadin është se Shqipëria mesjetare ishte në fakt një Shqipëri evropiane, një Shqipëri të cilën ajo e ka futur në hartën e atyre vendeve që i dhanë shumë historisë politike evropiane.
Dokumentari u realizua me mbështetjen e Këshillit të Ministrave. /atsh/ KultPlus.com
Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Kinemasë për Fëmijët dhe Adoleshentët, ngjarje kjo që nënvizon rolin e rëndësishëm që ka kinemaja në zhvillimin e kreativitetit dhe edukimin e të rinjve.
Kjo ditë është e dedikuar për të promovuar filmin si një mjet të fuqishëm edukativ, që ndihmon në zhvillimin e mendjes, aftësive sociale dhe të shprehuri të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Kinemaja ofron mundësi të jashtëzakonshme për t’i prezantuar të rinjtë me histori, kultura dhe tematika që stimulojnë mendimin kritik dhe përmirësojnë aftësinë për të kuptuar botën. Filmat për fëmijë dhe adoleshentë shpesh pasqyrojnë vlerat e rëndësishme si miqësia, guximi, përballja me sfidat dhe respekti për diversitetin, duke ofruar kështu mundësi të mrekullueshme për mësim dhe reflektim.
Në këtë ditë, organizatat dhe festivalet e kinemasë shpesh organizojnë shfaqje filmash, diskutime dhe aktivitete që synojnë të sjellin në vëmendje rëndësinë e kinemasë si një mjet edukativ dhe si një formë arti që ka ndikim të fuqishëm tek brezat e rinj.
Dita Ndërkombëtare e Kinemasë për Fëmijët dhe Adoleshentët është një mundësi për të nxitur industrinë e filmit të krijojë më shumë përmbajtje të kualitetit të lartë, që i drejtohen kësaj grupmoshe dhe që i ndihmojnë ata të zhvillojnë imagjinatën, kreativitetin dhe empatinë, duke i përgatitur për të ardhmen.
Shi në rrugë bie pa pushim Ç’po mendon atje ti shpirti im? Në atë kënd, e vetme, ç’të mundon? S’mban shënime, vija vizaton.
Tetëmbëdhjetë vjeçe nuk është shpejt që menduar xhamat t’i vëresh duhemi por zemra seç të ndjell Sytë e bukur trembur pse mi hedh?
Koha ikën klasën do kujtosh do të gdhihet befas një mëngjes sytë rreth do hedhësh të shikosh se si derdhet shiu në mes resh Por në bankën pranë s’do ta gjesh djalin që e deshe dhe të desh /KultPlus.com
“Guximi është çelësi i gjithçkaje në jetë. Shumë njerëz kanë lindur në situata, në të cilat janë shprehur: “Unë kurrë nuk do të dal prej kësaj situate” dhe nuk ia dalin. Unë them se është faji i tyre që nuk guxojnë ta ndryshojnë jetën dhe situatat e jetës së tyre.
Të gjithë mendojnë se këto mesazhe që ne japim, janë të kota. Mendojnë se janë thjesht disa fjalime që ne i bëjmë për të fituar vëmendje, sepse ne jemi të famshëm tashmë.
Këto janë thjesht mendime nga persona që e kanë vendosur të mos kenë sukses në jetë. Çdo person mund t’ia dalë në jetë. Edhe suksesi im s’ka qenë i lehtë. Kam kaluar nëpër një rrugë të gjatë e të vështirë. Ka pasur edhe për mua ditë, kur kam thënë: “Nuk kam për t’ia dalë mbanë. Është më mirë të nis diçka tjetër. Thjesht, jo më aktrim”.
Por gjithmonë ndodhte diçka që më shtynte akoma më fort të vazhdoja përpara. Mendoni se nuk kishte apo nuk ka persona më të talentuar se unë? Sigurisht që ka. Por ata ndoshta s’kanë guximin të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të përpiqen t’i arrijnë ato.
Unë e di që në çdo aspect duhet edhe fati, por fati shkon me ata që përpiqen. Ndaj, ja ku jam unë sot. Po qëndroj sot përpara gjithë jush.
Rregulli kryesor është ky, nëse e beson se mund ta bësh diçka, do ta bësh. Mos hiqni dorë nga ato që doni t’i arrini. Gjëja që unë i them çdo të riu, është të mos heqin dorë, sepse kur nuk përpiqesh, e ke të sigurtë humbjen.
Kuptoje se çfarë do, “ndërto” një rrugë në mendjen tënde dhe përpiqu ta ndjekësh atë me gjithë përkushtimin tënd. Ndiqi gjithmonë ëndrrat e tua!”/bota.al /KultPlus.com
Sot është Dita Ndërkombëtare për Parandalimin e Shfrytëzimit të Mjedisit në Luftëra dhe Konflikte të Armatosura.
Gjashtë nëntori është caktuar për këtë qëllim qysh në vitin 2001 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
“Edhe pse njerëzimi ka numëruar gjithmonë viktimat e luftës, në kuptim të ushtarëve dhe civilëve të vdekur dhe të plagosur, qytetet dhe lagjet e shkatërruara kanë mbetur shpesh të papublikuara”.
“Puset e ujit janë ndotur, të lashtat janë djegur, tokat janë helmuar dhe kafshët janë vrarë, me qëllim të avancimit ushtarak”, thuhet në deklaratën e OKB-së. / KultPluscom
“Lucia Nadin dhe shqiptarët në Venedik” ishte dokumentari historik i Ilir Yzeirit, i cili pati premierën mbrëmjen e djeshme në kinema “Millennium”, në praninë e Kryeministrit Edi Rama.
Dokumentari i bazuar në hulumtimet e albanologes Luçia Nadin, nxjerr në pah të shkuarën evropiane të shqiptarëve duke vlerësuar rolin dhe qëndresën e tyre kundër pushtimit osman në mbrojtje tē trojeve dhe të krishtërimit evropian.
Në zbulimet e Lucia Nadin përfshihet edhe e vetmja kopje origjinale e “Statuti di Scutari” (Statutet e Shkodrës).
Kontributi i Lucia Nadin konsiderohet mjaft i madh për Shqipërinë. Dokumentari dedikuar asaj, nis me një pamje të rrallë, atë të “Rrethimit të parë të Shkodrës” në Pallatin Dukal, duke treguar kështu vëmendjen e pashoqe dhe rëndësinë që kishte Shqipëria për Venedikun.
Dokumentari është ndërtuar dhe mbështetur në veprat e Lucia Nadin: “Shqiptarët në Venedik-Emigrim e integrim”, “Shqipëria e rigjetur”, “Statutet e Shkodrës”, “Figura e Skënderbeut në jetën kulturore e artistike të Venedikut” e plot studime të tjera. Ajo që vërehet nga Nadin është se Shqipëria mesjetare ishte në fakt një Shqipëri evropiane, një Shqipëri të cilën ajo e ka futur në hartën e atyre vendeve që i dhanë shumë historisë politike evropiane.
Dokumentari u realizua me mbështetjen e Këshillit të Ministrave./atsh/KultPlus.com
Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se kanë nisur një iniciativë bashkë me fotoreporterin e njohur, Visar Kryeziu.
Në njoftim thuhet se kjo iniciativë është nisur për digjitalizimin e arkivit të tij personal, që përfshin disa nga momentet më të rëndësishme të shtetndërtimit të vendit.
“Ky arkiv përmban fotografi historike që dokumentojnë ngjarjet kryesore dhe zhvillimet që kanë formësuar të ardhmen tonë, duke krijuar një pasuri të vyer për gjeneratat e reja”, ka shtuar Halimi./KultPlus.com
Pjetër Çajkovskij, kompozitori i madh rus i erës romantike si edhe dirigjenti e pedagogu i vlerësuar, përkujtohet sot në 131 vjetorin e vdekjes.
Muzika e tij njihet dhe pëlqehet për karakterin e theksuar rus si edhe për harmoninë e pasur dhe meloditë energjike. Veprat e tij kanë një frymëzim më perëndimor se bashkëkohësit e tij, ato mishërojnë elemente ndërkombëtare të gërshetuara me meloditë popullore kombëtare.
Çajkovski jetoi dhe krijoi në të njëjtën periudhë kur jetuan dhe krijuan veprat e tyre “Grupi i të pestëve” por orientimi ideo-estetik i këtij kompozitori dallohet nga programi ideor i “Grupit të fuqishëm”.
Çajkovski e mbështet krijimtarinë e tij në traditat e klasikëve dhe të romantikëve të Evropës Perëndimore e në radhë të parë të kompozitorëve gjermanë e francezë. / KultPlus.com
Njerëzit e thjeshtë dhe fryma e tyre ndër dejet e Vjosës është ajo çka përcjell Jutta Benzenberg Klosi me projektin e saj të radhës, ekspozuar në mjediset e Piramidës së Tiranës.
Mbi ftohtësinë që tejçojnë muret e betonta, vijnë portrete të relaksuara, që duket se artistja nuk i ka dirigjuar të pozojnë, por thjesht ka huazuar imazhin e tyre, ashtu siç ai shpërfaqet në çdo ditë të jetës.
Projekti “Fryma e Vjosës” mbështetur nga Patagonia, e dërgoi Jutta-n për 1 muaj të punonte në Parkun Kombëtar të Vjosës, këtij lumi që megjithëse i egër, është “burim fryme”.
“Është e rrallë që njerëzit të jetojnë e punojnë në parqe të mbrojtura dhe prandaj ky park duhet parë duke u kujdesur jo vetëm për natyrën por edhe për njerëzit”, thotë fotografja Jutta Benzenberg. Ajo mban mend emrat, madje edhe detaje të temperamentit të tyre, i cili perceptohet edhe nga fotografitë dhe Jutta kënaqet që kjo është e dukshme edhe për sytë tanë si një publik që prezantohet rishtazi me ta. Fotografia e djalit që mban butësisht një mace, është epitomë e ndjeshmërisë dhe lidhjes që ekziston mes njerëzve, kafshëve dhe natyrës së këtij vendi.
Aktorët e Jutta-s janë njerëz që jetojnë në Vjosë dhe me Vjosën. Disa i gëzohen ajrit të mrekullueshëm, dikush bimëve medicinale, e të tjerë rrojnë përmes turizmit të këtyre anëve. Pavarësisht mundësive apo asaj çfarë bëjnë për të jetuar, këta njerëz e shohin jetën e tyre, tani e në vazhdim, të lidhur pandashmërisht me Vjosën.
Rrëfimet e tyre, poshtë çdo fotografie, janë autentike dhe siç shprehet Jutta Benzenberg, vetëm fotot janë të sajat. Ajo ngazëllehet që dalloj një lloj misticizmi në fotot e saj, gjë që nuk e perceptoj në përditshmëri. Por Jutta thotë se pikërisht kjo i pëlqen nga Shqipëria dhe se këtë misticizëm ajo e gjen gjithkund tek ne.
“Fryma e Vjosës” do të jetë e ekspozuar në hollin e Piramidës, deri më 12 nëntor dhe gjithkush mund të hyjë falas për të shijuar pak nga ndjesitë e Vjosës./atsh/KultPlus.com
Laura Nezha, Eni Jani dhe Violeta Trebicka sollën mbrëmë në sallën e Universitetit të Arteve, shfaqjen teatrale “Agnesa e Zotit”. Trioja interpretoi nën regjinë e të mirënjohurit Kiço Londo, mbi mitin e paparashikueshëm të nënës dhe natyrës njerëzore. Spektatori ishte dëshmitar i interpretimit modern, tronditës dhe njerëzor të treshes së aktoreve.
“Agnesa e Zotit” është një dramë e vitit 1979 nga dramaturgu amerikan John Pielmeier, i cili tregon historinë e një murgeshe të re (interpretuar nga Laura Nezha) që lind një fëmijë në manastir dhe këmbëngul se foshnja erdhi si rezultat i ngjizjes së virgjër. Pasi fëmija gjendet i vdekur, një mjeke psikiatre (interpretuar nga Eni Jani) dhe nëna eprore e kuvendit (interpretuar nga Violeta Trebicka) përleshen gjatë hetimit për zbardhjen e ngjarjes.
“Drama është një vepër që provokon mendime. Ajo vë në pikëpyetje siguritë ligjore, psikiatrike, fetare dhe ekzistenciale, duke ekspozuar paqartësitë morale, duke përdorur një dialog jashtëzakonisht gazmor, dramatik, i cili është plot humor dhe zgjuarsi”, është shprehur vetë regjisori më herët, për mediet.
Drama “Agnesa e Zotit” do të vijojë të luhet edhe sonte e nesër (6 dhe 7 nëntor) në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë./atsh/ KultPlus.com
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u bë sot promovimi i librit “Përrallëtarët e gjuhës shqipe” të autorit Ardian Vehbiu.
Libri i sapobotuar kërkon të jetë një përgjigje e arsyetuar ndaj të gjithë atyre që duan të rrëzojnë traditën albanologjike dhe rezultatet e studimeve serioze për gjuhën shqipe dhe historinë e saj.
Përballë një fushate intensive në masmedia, mediat sociale dhe portalet, ku persona me ekspertizë të dyshimtë vihen t’i hedhin gjuhës shqipe fall e t’i shohin filxhanin e kafesë, duke shpjeguar e shkoqitur nëpërmjet saj çdo gjuhë të botës që u del përpara, lexuesit mendjehapur i nevojitet një dozë e shëndetshme mendimi kritik, e shoqëruar me respekt dhe nderim të përtërirë, për të gjithë ata dijetarë shqiptarë dhe të huaj që i kanë ndriçuar shtegun albanologjisë këta dy shekujt e fundit.
Sipas autorit, libri “Përrallëtarët e gjuhës shqipe” vjen në rrjedhën e debatit për origjinën e gjuhës shqipe dhe është menduar si një përpjekje për të kundërshtuar, sistematikisht, denigrimin e albanologjisë nga alternativët, amatorët dhe demagogët; të cilët falë edhe simpatisë së papërgjegjshme të masmediave dhe frymës konspirativiste që këto ushqejnë, tani gëzojnë një numër të habitshëm ndjekësish dhe përkrahësish anembanë botës shqiptare.
Pse, si dhe ku gabojnë amatorët që merren me historinë e gjuhës shqipe. Libri i merr me radhë të gjithë autorët e sotëm që duan të merren me origjinën e gjuhës shqipe dhe të vetë shqiptarëve, duke i njohur lexuesit edhe ku e kanë burimin fillestar këto hipoteza dhe si kanë ardhur deri në ditët tona të ambalazhuara me slogane kombëtariste.
Libri “Përrallëtarët e gjuhës shqipe” është një ese monografike, botim i 2024-ës. Autori i tij, Ardian Vehbiu është diplomuar në Tiranë për gjuhë-letërsi shqipe në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, pastaj ka studiuar gjuhësi historike dhe teorike në Romë (Universiteti “La Sapienza”) dhe ka punuar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave, si dhe në Institutin Oriental të Napolit. / KultPlus.com
Aspak e lehtë, të shkruash dhe të shpalosësh krijimtarinë e bohemit të heshtur Muharrem Sylejmani, një nga mjeshtërit e mëdhenj të fjalës në skenë, si aktor e regjisor i dalluar për mprehtësi dhe elokuencë i cili prodhoi art cilësor deri në grahmën e fundit. Përkalimi i tij në amshueshmëri, vazhdon të përçojë nostalgji tek të gjithë ata që e kanë njohur, por boshllëku më së shumti ndjehet në Teatrin e Qytetit që frymon me mungesën e liderit të tij, respektivisht pa mjeshtrin e madh të skenës.
Skenës vërtetë i mungon Muharrem Sylejmani
Për zbrazëtinë që ka krijuar i ndjeri, të gjithë pa përjashtim sikur ndalen dhe marrin frymë thellë apo kërkojnë fillin për të vërtetuar që Muharremi apo Muja, siç e kanë thirrur shumica e anëtarëve te shtëpisë/teatrit, ishte i përmasave jo të zakonta dhe sikur ndjehet që pa të gjerat janë më të vështira, fakt i pranuar katërçipërisht. Fakt tjetër është që komuniteti artistik shprehet borxhli ndaj krijimtarisë së tij, jo vetëm tani por edhe sa ishte gjallë, që nuk ia bëri sajginë mjaftueshëm maestros së skenës, i cili nga dita e parë që shkeli dërrasat e teatrit, dhuroi edukatë, kulture, e art të mirëfilltë. Muja, ishte kërkues pasionant, vrojtues i heshtur dhe njeri shumë fisnik, që vazhdimisht ka reflektuar qytetari dhe vlera të larta njerëzore dhe këto virtyte i gërshetonte me punë të vazhdueshme pa bërë zhurmë, duke qenë i prirur të mbetej gjithmonë modest deri ne skajshmëri.
“Modestia është virtyti më i lartë njerëzor që kultivohet dhe jetësohet më së miri përmes artit”, ishte një farë mënyre postulat i tij që e kam shkoqitur nga bisedat e gjata që kam pasur me të ndjerin në përpjekje për ta kuptuar më mirë frymëzimin e tij si artist, krijues, mësuese mik, nga e cila shprehje bazuar në njohjen personale dhe lojën në skenë, po mundohem ta shtjelloj dimensionin e trashëgimisë që ka lënë pas ky mjeshtër i madh i skenës. Muharrem Sylejmani ishte një artist me shpirt të madh, njësoj siç është dhe krijimtaria e tij.
Çfarë e ka bërë të ndjerin të ishte artist i kalibrit të lartë?
Serioziteti, pasioni dhe pedanteria në punë, kanë qenë binarët mbi bazën e së cilës i ndjeri ka krenuar rolet e tija, veçori që e kanë bërë atë të jetë ndryshe nga të tjerët por më e rëndësishmja është se personazheve të tij, ai i ka dhënë shpirt, i ka bërë t’iu rrah zemra fort. Falë dhuntive të tija ai ka komunikuar me publikun jo vetëm me fjalë, por me tërë qenien e tij, madje kur ka qenë nevoja ka folur vetëm me shikime. Ka qenë zotësia e tij për të lexuar saktë, drejtë dhe shpejt, përgjegjësitë e tija skenike ndaj dhe në vartësi të kornizës regjisoriale, ai ka ditur të punojë rolet në konformitet me rrethanat, sa me daltë e çekiç por aq dhe me mellë në latimin sa më ideal të tyre.
Kur jemi të mënyra se si i punonte rolet, duhet theksuar se ai ishte nga të rrallët që shquhej për mprehtësinë intelektuale dhe zgjuarsinë e veçantë për t’u thelluar në ndërtimin e tyre duke spikatur dritëhije jo të zakonshme që kanë reflektuar përmes detajeve dhe finesave të cilat publiku e kritika gjithmonë e kanë vlerësuar me nota superlative. Artdashësit dhe kritikët e kanë cilësuar atë, si aktori më i mirë që ka arritur t’i paraqes publikut brendinë e karaktereve, respektivisht ka shpalosur shpirtin e vërtetë të personazheve që ka luajtur dhe këtë ia ka mundësuar në radhë të parë dashuria e madhe për skenën dhe zotësia e tij për t’i servirur publikut realitetin dhe mesazhin pa filtra.
Aktrimi i tij ka qenë vlerësuar si më i natyrshmi që shpeshherë publiku ka harruar se është në sallë por është ndjerë sikur ndodhet në ambientet e “botës reale” të personazhit. Kjo ka qenë mjeshtëria e jashtëzakonshme që i ndjeri e ka poseduar dhe për këtë zotësi konfirmojnë edhe kolegët, te cilët pohojnë se gjatë lojës, me raste janë zënë gafil në reagim sepse ai ka qenë jashtëzakonisht bindës dhe real në skenë, duke i tërhequr aktorët dhe publikun plotësisht në përjetimin e ngjarjes skenike.
Një nga kolegët, tash në moshë të shtyrë, dëfton që në një nga rolet- roli i të burgosurit, Muharremi kishte arritur të fuste frikën në palcë kolegëve, të cilët gjatë shfaqjes kishin fituar përshtypjen se ai vërtetë kishte lajthitur mendërisht sa që në një moment ishin tunduar ta ndërprisnin shfaqjen për të “shpëtuar” respektivisht për ta qetësuar aktorin (të ndjerin). Bashkëaktorët e përshkruajnë njëzëri si një amortizues një skenë që ka ditur t’i ofrojë partnerit ndjesinë e stabilitetit sepse në çdo situatë, ai ka ditur jo vetëm të gjej aty për aty zgjidhje por, dhe ka arritur të mbulojë çfarëdo lloj krize pasigurie që mund ta kenë kapluar dikë nga ekipi. I ndjeri, jo vetëm që ka ditur të vallëzojë më së miri, por ka udhëhequr vallen që në momentin kur i ka shkelur këmba në skenë duke e ngritur dhe ringritur shfaqjen në nivele të kënaqshme dhe gjithçka ka realizuar pa kuptuar publiku rrezikun apo ekzistencën e rënies së nivelit të shfaqjes. Muharremi ka ditur, jo vetëm të mbajë ritmin e shfaqjes në nivelet e dëshiruara por ka pasur aftësinë të rris intensitetin sikur të ishte kuzhinier që dinte të bënte gjellën me kripe e të hidhte kripen me kararin e duhur.
Këto lloj tipare të veçanta dëshmojnë dimensionin e madhështisë së të ndjerit por që nuk mund të përshkruhen detajisht në një shkrim si ky, por janë pikërisht këto elemente që kanë bindur ustallarët e skenës të preferonin të ndjerin, gjithnjë për role kyçe sepse ai ka ditur t’i dhurojë natyrshmërinë çdo lloj roli, të cilat i ka realizuar me përkushtim dhe dedikim maksimal.
Frymëzues për kastën e artdashësve të rinj
Ai asnjëherë nuk ka pasur qasje vetjake lidhur me dashurinë që kishte për skenën sepse ai dëshironte në çfarë do rrethane ta ndante pasionin e tij me të tjerët, sidomos me aktorët e rinj që vinin në teatër. Axha Muharrem, siç e thërrisnin të rinjtë, ka pasur nuhatje të shkëlqyer në identifikimin e talenteve të rinj dhe në njëfarë forme ka bërë babain për të gjithë sepse ai ka ditur të shtrije fije afruese me të gjithë që kanë shfaqur shkëndija alkimie të vërteta me Teatrin. Duke qenë i tille, Muharremi mbetet miku i përjetshëm i të gjithë aktoreve që erdhën në teatër të qytetit dhe sot janë pjesë e komunitetit artistik të Kosovës.
Ai nuk ka ditur kurrë të miklojë, respektivisht nuk ka bërë lajka me askënd, por duke qenë selektiv dhe nuhatës i vlerave tek ata që vërtetë kanë shfaqur dëshirë të theksuar për t’i kontribuar skenës, ai pa hezitim iu është vënë në ndihmë dhe ka asistuar pa kushte. Kjo lloj marrëdhënie e ndërtuar ka qenë e ndërsjellë sepse të gjithë i janë gëzuar kësaj marrëdhënie të shëndoshë ta quaj “brenda familjare” që është iniciuar dhe ushqyer në vazhdimësi nga i ndjeri, prandaj ka qenë i dashur për të gjithë dhe me të gjithë.
Muharremi ka qenë urtak, natyrë e qetë, i heshtur, por substanca e tij ka qenë shpërthyese, brendi e cila ka patur vullkane e shkëmbinj të fortë dhe të palëkundur, ndaj dhe këto atribute janë dalluar vetëm nga ata që kanë ditur ta ngacmojnë dhe ta lexojnë drejt shpirtin e tij kërkues. Ai, në të vërtetë ka qenë një karakter tejet i fortë sa i përket parimeve dhe objektivave që ka parapërcaktuar por në të njëjtën kohë ka patur durim të jashtëzakonshëm për të arritur tek destinacioni i synuar. Duke qenë i tillë, ai nuk ka mëtuar te arrij çmimet prestigjioze, vlerat monetare apo promovimin i tij individual, por ka synuar vetëm ngritjen e vetëdijes kulturore dhe njohjen e vetvetes përmes artit. Kjo fisnikëri dhe zgjuarësi ka bërë qe ai të kishte dhuntinë të ishte lexues i shpejtë i situatave dhe rrethanave dhe këtë e reflektonte në punën e tij ditore në prova në skenë dhe kudo ku ka krijuar. Ai me çdo kusht është munduar që këto vlera t’i bashkëndajë me këdo që dashuronte teatrin, skenën dhe artin në përgjithësi. Mjeshtëria dhe shkathtësia në interpretimin skenik tek i ndjeri kanë qenë atribute të pamohueshme por duhet të vihet në spikame fakti që ai aq sa ka qenë i njohur si realizuesi brilant i roleve të mëdha aq suksesshëm njihet për lojën skenike në role të vogla dhe ka ditur të lundrojë të gjitha zhanret artistike. Kritika e ka vlerësuar ndër vitesh si mjeshtër i pa-zavendësuar i komedisë por me të drejtë e ka cilësuar si aktori me eminent i tragjedive.
Muharrem Sylejmani ka qenë në gjendje që në vartësi të shfaqjeve në repertoar, në komedi, ka mundur të bëj të qeshësh dhe po ashtu kur ka luajtur në tragjedi të ka bërë të qash, në të dyja rastet me lot.
Aftësia për tu transformuar ka qenë një dhunti tjetër qe i ndjeri i ka realizuar deri në detajet më të vogla duke i servirur publikut atë qe e ka merituar por duhet pranuar se realizimet e tija me raste kanë prekur kufijtë e të pamundurës. Ai ka pas fuqi të tillë kreative që vështirë të gjenden tek aktorët e tjerë ndaj dhe është e vështirë të arrihet vetëm me punë, niveli profesional që ka prekur i ndjeri. Mbase arritja e nivelit profesional tek Muharremi është realizuar gjatë moshës se tij rinore por sfidë më e madhe në këto raste është ta mbash nivelin e lartë pa rënë nga ky piedestal.
Muharremi ka arritur të dallohet lehtësisht si më i veçuari, me i dashuri i publikut dhe me e rëndësishmja gjatë gjithë karrierës së tij, ka arritur të qëndroje në majat e suksesit si mjeshtër i madh i skenës.
Virtuoz si artist, por dhe një njeri me integritet të lartë qytetar
Aq sa ishte madhështor në skenë, Muharremi ishte po aq i afërt dhe me këmbë në tokë në jetën post-teatrum. Atë e shoqëronte si hije modestia ndaj dhe ky tipar i jepte avantazhin të dallohej si njeri me vlera të larta njerëzore e qytetare.
Ai nuk fliste kurrë për punën e tij mjeshtërore, madje i shmangej komplimenteve sepse kujtoj që e dinte me saktësi çfarë i kishte ofruar publikut ndaj dhe preferonte të largohej nga tavolinat e lëvdatave. Muharremin, askush nuk e ka dëgjuar të ketë ngritur zërin për diçka, jo se është pajtuar me gjithçka dhe me çdokënd por ai ka zgjedhur të mos bërtas dhe të shpreh kundërshtinë me qetësi duke vërë në pah qytetarinë e urtësinë që e ka pasur të gravuar si pjesë e ADN-së së tij. Ai me shumë takt ka shfaqur kujdesin dhe respektin që ushqente për njerëzit, pavarësisht se dikush mund të ketë ngulmuar me mendim ndryshe, me qasjen e tij ka arritur që çdo situate edhe të gravuar ta melmësojë dhe ta mbyllë me zgjidhje civile.
Njerëzorja, respektivisht natyra e tij altruiste ndaj teatrit ishte vetja e tij që ne e pamë në skenë.
Rruga e përshkruar drejt majave të suksesit
Në njëfarë mënyre, krijimtaria e tij ka shumë pika takimi me historikun e vetë Teatrit të Gjilanit sepse janë fillim vitet e ’70-ta, kur ky institucion me ardhjen Muharrem Shahiqit dhe Fetah Mehmetit nga Teatri i Kombësive të Shkupit fillon punën profesionalisht, në këtë kohë Muharremi, edhe pse në moshë fare të re orientohet të vihet në shërbim të këtij institucioni dhe i bashkohet karvanit të artbërësve Gjilanas.
Ishte vendimi i tij i bazuar në vullnetin e palëkundur të ndërpriste studimet për Ekonomi në Leskovc dhe të merrte vendimin te kthehej në Teatrin e Qytetit dhe t’i bashkohet shfaqjes ”Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” 1976, shfaqje e cila theu akullin për të qenë jo vetëm një shfaqje e zakonshme por shfaqja që lansoi epokën e themelimit të teatrit. Realisht ky realizim shënon edhe fillimin e zhvillimit të teatrit dhe të karrierës në ngritje të shumë të rinjve që filluan karrierën artistike përfshirë edhe Mujën.
Vetëm pjesëmarrja në kompeticionet Krahinore, Republikane dhe Federative të Teatrove nuk ishin synim përfundimtar i të riut Sylejmani por nën siglën e Teatrit të Gjilanit, ai ëndërronte të sfidohej me të gjithë zanatlinjtë e Jugosllavisë së kohës, sfidë e cila e motivoi atë të arrinte aty ku, pak njerëz besonin se mund të ngjitej. Po e shkëpus një rrëfim nga Hysen Këqiku, veteran i arsimit po edhe i teatrit. “Në vitin 1979, Teatri gjysmë profesional i Gjilanit vuri në skenë dramën “Aradha qiellore” autor i së cilës ishte George Leboviq nga Beogradi. Para se të shkonte shfaqja ne konkurrim në Garat e Teatrove Amatore në Kullë të Vojvodinës, kjo drame u shfaq në Beograd. “Salla e Universitetit të Punëtorëve ishte përplot spektatorë, në fillim fare, ulur në një kolltuk edhe autori i dramës. Kur e mbaruam, publiku u ngrit në këmbë me duartrokitje. Një burrë thatanik dhe me shtat të gjatë u ngjit në skenë duke zënë vend në mes aktorëve gjilanas. Publiku e rriti aplaudimin për ta nderuar edhe autorin e dramës, duke ia imponuar që ta thotë ndonjë fjalë. Ai për nja tre hapa u largua nga grupi i aktorëve dhe nga përshtypja e tij tha: “Të dashur spektatorë, dola dhe u futa në mes kësaj trupe të shkëlqyeshme dhe sinqerisht sonte e përjetova kohën kur isha në krematoriumin gjerman të Aushficit, e përjetova se ishin aq të natyrshëm sa më rrëmbyen të tërin dhe më futën po në atë gjendje që e kam përjetuar”. Autori i tekstit Lebovic foli për rolet me theks të veçantë për rolin e Muharrem Sulejmanit, i cili, sipas tij, shkëlqeu duke i dhënë skenës atmosferë përjetimi, sikur te ishte ne krematorium.
Muharremi, me këtë rol arrin të stoliset me medalje ari në Festivalin Republikan te Teatrove në Kullë të Vojvodinës, për rolin më të mirë të realizuar. Tashmë ishte bërë e qartë për shfaqje-bërësit e kohës se çfarë thesari ishte Muharremi ndaj dhe u piketua si një nga talentet më premtues të skenës e për rrjedhojë nuk rendën së besuari tek ai me role më komplekset dhe më të vështirat, të cilat ai i realizoi duke mos zhgënjyer asnjërin prej tyre, por më me rëndësi ai nuk e zhgënjeu kurrë publikun.
Medalja e artë ne Kullë të Vojvodinës ishte vetëm fillimi
Roli me i realizuar në karrierën e tij është padyshim ai i Princit në shfaqjen “Princi i Hijeve” nën regjinë e Ruzhdi Mehmetit me të cilin rol i ndjeri arriti të rrëmbejë çmimin e parë në Jugosllavinë e kohës ku u stolis me “maskën e artë” në këtë kompeticion Federativ të Teatrove. Ky vlerësim, respektivisht “Maska e Artë” e fituar në Trebinje për rolin më të mirë, e patë bërë atë shqiptarin e vetëm që kishte arritur të marr këtë çmim. Krahas shpërblimit të tij, teatri i Gjilanit me këtë shfaqje u shpërblye si me e mira për regji, kostumografi, dhe muzikën më të mirë. Kjo shfaqje me çmimet që u stolis e ngriti në nivel serioziteti dhe vlerësimi maksimal për herë të parë artin Kosovar dhe ndryshoi perceptimin nënvlerësues për teatrot e Kosovës në nivelin federativ në Jugosllavi dhe në veçanti u vlerësua realizimi brilant i të ndjerit ne rolin e princit. Kjo garë e madhe, e teatrove të Jugosllavisë e bëri emrin Muharrem Sylejmani dhe të trupës se Teatrit të Gjilanit të ishin dy emrat që u lakuan më së shumti në qarqet artistike dhe mediatike të kohës ngaqë ky ishte çmimi më i lartë që kishte pranuar një Teatër dhe një aktor që vinte nga Kosova.
Atëbotë ishte e pazakontë të përzgjidhej për rol kryesor një princ thatanik, jo i gjatë sepse trendi i padiskutueshëm ishte të ishte dikush trupmadh e fjalë pak, por Princi i Kosovës ishte ndryshe ndaj kishte mbetur gjithçka në mizanskenë dhe në rëndesën e fuqisë së fjalës në skenë qe i ndjeri e kishte përpunuar edhe në detajet më të vogla. Ata që kanë patur fatin të ndjekin këtë shfaqje e përshkruajnë si shfaqjen më milimetrike të realizuar ndonjëherë dhe kanë parë një Princ te përmasave Shekspiriane që ka arritur ta mbajë publikun as ulur e as në këmbë nga fillimi deri në rënien e perdes. Pas këtij festivali, Muharremi vazhdoi të jetë fabrikë e prodhimit të roleve kryesore dhe të vazhdonte të ishte aseti më i kërkuar dhe më i dëshiruar për krijuesit, regjisorët e artë bërësit jo vetëm në Gjilan por edhe më gjerë.
Fatkeqësisht, intervali kohor ishte i shkurtër për të vazhduar me krijimtari të tillë monumentale sepse vitet e ’90-ta po sjellnin re të zeza në qiellin e Kosovës, të cilat prekën shpirtin dhe funksionimin e teatrit dhe të krijimtarisë së artisteve, sepse me fillimin e dhunës e të diskriminimit në çdo pore të jetës, nga regjimi shkatërrues i Serbisë, Teatri ishte halë në sy dhe objektivi i parë për eksterminim.
Këto vite ishin më të rëndat për Teatrin, por aq ishin të rënda dhe të vështira për të ndjerin sepse ai e përjetonte rëndë rrënimin institucional si rrjedhojë e aplikimit të masave të dhunshme në teatër, por nuk ndaloi. Muharremi i dha vetes detyrë që aktiviteti teatral në Gjilan të mos ndalojë dhe bashkë me kolegët dhe artistë të tjerë vendosi të mos heshtë. Gjatë kësaj kohe ai u be pjesë e teatrit lëvizës “Aleksandër Moisiu” duke realizuar shfaqje në ambiente improvizuese, vetëm e vetëm që publiku të mos mbetej pa ushqim shpirtëror. Këto shfaqje ju paraqitën publikut nëpër shtëpi të kulturës në fshatra, nëpër shkolla e ambientet tjera, ku sajoheshin kushte minimale për shfaqje.
Ishte kjo periudha kur familjet Kosovare përballeshin me sfida ekzistencializmi kur mungesa për gjithçka ishte ulur këmbëkryq në sofrat tona dhe në rrethanat e tilla, Muharremi si shumë kolegë të tjerë siguronte bukën e gojës si taksigji dhe në kohën sa priste udhëtarët mësonte tekstin e shfaqjeve që përgatiteshin për t’ia ofruar publikut ushqim shpirtëror. Në rrethana të tilla të vështira gjendej Teatri bashkë me njerëzit që e mbanin në këmbë këtë tempull kulture të cilët vazhdonin të prodhonin shfaqje kundrejt presionit e dhunës së ushtruar ndaj tyre.
Muharremi ishte nga ata që në çdo shfaqje që luhej edhe ne rastet kur luhej komedi ai gjente hapësirë dhe i drejtohej publikut gjysmë privatisht që mos t’i kaplojë kota, sepse është koha kur kërkohet zgjim e rezistencë ndaj regjimit që synonte të shkatërronte artin e kulturën shqiptare. Shembull tipik është rasti ne rolin e plakut matuf në një nga komeditë e luajtura pas vitit “90-të, roli e obligonte të largohej nga skena shumë i nevrikosur, Muharremi ndalet tek dera dhe të qeshurat e publikut i sheshon me tekstin e tij privat “po rrini kot këtu, shihni Tugjmanin kërrsh po bon” sentencë që e bukosi publikun për një moment por e bëri të mos harrojë që orët e rezistencës po vinin. Ai ishte koshient se çfarë do të ndodhte të nesërmen sepse edhe ashtu ndodhi, inspektorët e sigurimit e pritnin tek dera për të ushtruar dhunën e tyre hibride psikofizike në përpjekje për ta detyruar të mbyllte gojën në skenë, por Muharremi nuk heshti.
Puna e tij vazhdoi në skenë(të improvizuara) deri në filmimin e bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë.
Periudha e pasluftës, kapitull i ri në krijimtari
Në vitin 2001 u arrit që Teatri të merrte statusin e Teatrit Profesionist, për të cilin titull Muharrem Sylejmani është një nga meritorët dhe më të lumturit ndër-kolegë, sepse fundja kontributi i tij artistik e jetësor po shpërblehej nga shteti i ri i Kosovës. E arritura e Teatrit dhe shpërblimi për krijimtari jetësore për të, nga Republika jone, janë të arriturat që e kanë bërë atë të jetë i plotësuar, i lumtur dhe falënderues përjetësisht.
Punën, dhe krijimtarinë nuk e ndali edhe gjatë kësaj periudhe kohore.
Ai nuk ndaloi së vazhduari të punojë dhe nuk kurseu nga vetja e tij asgjë që dinte dhe mundte për t’i bindur të gjithë se misioni i artit dhe kulturës nuk njeh kufij kohe dhe hapësire por duhet gjithmonë punë dhe angazhim të pandërprerë. Përpjekjet e tija vërtetuan këtë teoremë sepse i ndjeri krahas roleve që po realizonte në shfaqje të ndryshme filloi të ushtrojë edhe funksionin e regjisorit të cilën sfidë e realizoi me ekselencë.
Vështrimi dhe realizimi regjisorial i Muharremit ishte shumë shtresor dhe filozofik. Ai si regjisor kishte një qetësi shpirtërore dhe ndërtonte besim që në fillim tek kasta e aktorëve në realizimin e objektivave të tyre zhvillimore dhe pastaj e gjente rrugën si regjisor në përcjelljen e mesazhit brenda për brenda shfaqjes. Ky virtyt dëshmon se paraprakisht sistemonte të gjithë ekipin dhe veten e linte të fundit.
Regjisori Sylejmani i besonte kreativitetit individual të çdo aktori me të cilin punonte dhe me shumë elokuence e qytetari, nxiste gjetjen e rrugës së ndërtimit të roleve dhe i bënte të gjithë natyrshëm pjesë përbërëse të shfaqjes pavarësisht sa tekst apo rol kishin. “Çdo kush e ka momentin e vet dhe secilit i duhet kohë për të gjetur formulën e rolit që luan në skenë, kjo punë do durim dhe përkushtim të pandërprerë” ishin fjalët e tij kur bisedoje me tepër punën dhe sfidat që ishin para tij si regjisor dhe njeri i skenës.
Regjisura u bë shpejt, hapësira ku ai preferonte të qëndronte dhe të shkrinte gjithë arsenalin e tij kreativ sepse në një fare mënyre, specifikat e punës, e nxisnin që ai tashmë gjatë gjithë kohës të ishte në meditim dhe në kërkim të zgjidhjeve regjisoriale. Kjo ishte edhe arsyeja që ai vërtetë dëshironte të merrej me regjisurën, sepse realisht ai posedonte njohuritë dhe zotësitë empirike për të krijuar me shumë dhe në pikëpamje cilësore. Afërsia dhe dashuria për njerëzit, ishte atributi shtesë që ai të vazhdonte të jepte për artin sepse të gjithë artdashësit në teatër i kishte si anëtarë të shtëpisë, iu njihte kapacitetet dhe fundja synonte të pasuronte trashëgiminë artistike të tyre. Por, para se gjithash duhet pranuar se ulja e tij në karrigen e regjisorit erdhi natyrshëm sepse Muharrem Sylejmani ishte nga ata që dinte ndoshta me se miri të ushtronte këtë detyre.
Shfaqjet që prodhoi si regjisor, shquhen për gërshetim stilesh dhe zgjidhjesh brilante shumë të pëlqyera për publikun, sepse Muharremi siç e mbante publikun afër vetes si aktor po ashtu bënte edhe nga pozicioni i regjisorit. Ishte i kujdesshëm dhe largpamës në realizimin sa me ideal të shfaqjeve sa që asnjëherë, dhe në asnjë setup nuk ka përdorur as edhe një rekuizitë të vetëm pa dhënë arsyen në heshtje se pse është vendosur në atë vend specifik. Ai shquhet për vendosje skenike mbresëlënëse me realizime që kanë përçuar mesazh nxitës për të menduar edhe publiku për shfaqjen apo dukurinë e caktuar që e ka trajtuar në shfaqje.
Këto tipare te veçanta, ishin për shkak se ai kishte krijuar gjatë ne periudhën socialiste dhe për pasojë njihte shumë mirë shkollat e Teatrit dhe ndikimet që kanë ushtruar rrymat e ndryshme në këtë industri. Ne këtë etapë te re historike, ku shqiptarët nuk kishin më pengesa komunikimi, Muharremi ishte i lumtur të fillonte bashkëpunimin me regjisore nga Shqipëria dhe të zgjeronte gamën e njohjeve të zhvillimeve të reja në art që po vinin si periudhë krijimtarie që ai i quante kohë flladi.
Muharremi punoi ngushtë me ta dhe mund të ishte nga të rrallët qe kuptohej shumë shpejt dhe komunikonte me kode të gjuhës së teatrit sepse dëshironte me çdo kusht të përvetësonte sa më shumë nga shkolla e teatrit të Shqipërisë dhe të gërshetonte këto elemente të ndryshëm në diçka më të pranueshme, më të bukur për publikun e etur të Gjilanit e Kosovës. Ai deshifronte kujdesshëm ndikimin e shkollës ruse tek regjisorët shqiptarë dhe këto influenca dinte t’i seleksiononte se çfarë duhej integruar në trendin aktual modern dhe si duhet të ngjizen shkollat skenike Shqiptaro-Kosovare për te qenë një trend i përbashkët apo një trup i vetëm. Muharremi mund të jetë nga artistët e rrallë që njihte shumë mirë piketat se çfarë duhet përvetësuare çfarë duhet skarcuar nga influencat e soc-realizmit dhe ndikimet e tjera dhe cilido të duhej të ishte rrugëtimi i duhur i artit skenik i një shoqërie. Ai mendonte qe artistët kosovarë kanë brumin e duhur dhe talentin për ta paraqitur identitetin autentik para audiencës evropiane se kush janë dhe cilët janë sot shqiptarët sepse historia jonë e largët dhe e afërt na obligon ta shpalosim të vërtetën e kombit.
Arti është formal e vetme që shpalos para botës se kush janë shqiptarët
Për këtë arsye ai gjatë gjithë kohës ishte në kërkim të ndërtimit të një komunikimi ndryshe me publikun, ai vrojtonte si punonin edhe regjisorë të jashtëm (i pëlqenin Anglezët) të cilët vinin në skenë shfaqje teatrale në Kosovë dhe dëshironte që sa më shumë të pasurohej dhe të mësonin njerëzit e teatrit nga shkëmbime të tilla. I ndjeri mëtonte të integronte teatrin e qytetit si pjesë e familjes së madhe të teatrove evropiane jo me synimin vetëm që të siguronte pjesëmarrje por ëndrra e tij ishte të futej në kompeticione me vlera sepse sipas tij shqiptarëve nuk iu mungon asgjë për t’u bërë konkurrentë me më të mirët e pse jo të dalin ngadhënjimtarë.
Ai ishte një shpirt i lirë që zoti i dhuroi jetën, të cilën ia fali skenës me qëllimin e vetëm të ishte një nga nxitësit e ngritjes kulturore që ia arriti suksesshëm të flas përmes krijimtarisë së tij jetësore në teatër dhe jashtë tij si një qytetar ekzemplar.
Ne kishim fatin ta njihnim themeltarin e teatrit të qytetit tonë, të shijonim veprat e kryeveprat e tij në skenë, kishim fatin ta njihnim si njeri me kulturë të lartë qytetare dhe sot kemi krijimtarinë e tij nga e cila vazhdojmë të mësojmë duke e rikujtuar me pietet e respekt te veçantë./ KultPlus.com
Ti e di se si është kjo: nëse unë vështroj në hënën e kristaltë, në degën e kuqe të vjeshtës të ngadaltë në dritaren time, nëse unë prek pranë zjarrit hirin e imët ose trupin e rrudhosur të drurit, gjithçka më sjell tek ty, sikur gjithçka që ekziston, aromat, dritat, metalet, të ishin anije të vogla që lundrojnë drejt atyre ishujve të tu që më presin mua.
E pra tani, nëse pak e nga pak ti ndal të më duash, unë do të të ndal të të dua pak e nga pak.
Nëse papritmas ti më harron ti do të ndalësh të më kërkosh sepse unë do të të kisha harruar tashmë.
Nëse e mendon gjatë dhe marrëzisht, erën e flamujve që kalon përmes jetës time, dhe ti vendos të më lësh mua në bregun e zemrës ku i kam rrënjët e mia, mos harro se atë ditë. se atë orë, unë do të ngre krahët e mi për fluturim dhe rrënjët e mia do të çrrënjosen në kërkim të një toke të re.
Por nëse çdo ditë dhe, çdo orë, ti e ndjen se je fati im dhe unë jam fati yt, me buzëqeshjen që s’të shqitet, nëse çdo ditë një lule ngjitet në buzët e tua duke më kërkuar, ah dashuria ime, ah vetja ime, tek unë është kthyer rishtaz zjarri, tek unë asgjë s’është fikur dhe as harruar, dashuria ime ushqehet prej tëndes dashuri, e dashur, dhe deri sa ti të jetosh do të jetë në krahët e tu shtrënguar e lidhur pazgjidhshëm me të mijtë
Bienalja e tretë Ndërkombëtare e karikaturës Niko Nikolla do të mbahet prej 8 deri më 10 nëntor në Tiranë, ku do të marrin pjesë 257 artistë nga 60 shtete të botës, shkruan KultPlus.
Bota tregoi edhe një herë vëmendje ndaj Shqipërisë në këtë edicion të tretë të Bienales Ndërkombëtare të Karikaturës Niko Nikolla, duke iu përgjigjur seriozisht temave: bashkëjetesa jonë një botë dixhitale dhe realizimit të portretit të politikanit shqiptar në Malin e Zi, Dritan Abazovic.
“60 shtete, 257 pjesëmarrës, 709 punë, janë konkluzionet e këtij konkurrimi panbotëror që do të prezantohen në kryeqendrën e shqiptarëve në Tiranë në 8-10 nëntor, me një almanak punësh që të bëjnë të mendosh, konceptosh veten përballë teknologjisë, dimensionosh e ridemensionosh jetën përmes humorit e pse të mësosh se nuk është aspak keq që duhet të dish edhe të tallesh me veten tënde”, ka thënë Flora Nikolla, organizatore e kësaj Bienaleje.
“Por edhe këtë herë, Albanian Excellence, do të nisë aty ku përfundon një koncept e ide të saj … sepse nga ky almanak arti në shpërfaqje idesh mendimesh, koloriti, do të nisë në vitin 2025 një rrugëtim prezantimi në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare për t’i dhënë një dimension të ri karikaturës, këtij zhanri të zhvilluar sot në botë, po që për fat të keq e për shumë arsye që nuk varen nga artistët, nuk ka një terren pjellor sot në Shqipëri”, ka vijuar më tutje ajo.
Flora Nikolla më pas ka spikatë se me këtë ndërmarrje, ideim dhe organizim kanë dalë faqebardhë në këto katër vite, kur të paktën, sipas saj, arritën të kthejnë vëmendjen e botës nga Shqipëria, por edhe të kujtojnë vitet 70-90 të shekullit të XX.
“Kur karikatura në vendin ku jetojmë, arriti pikun e saj dhe kur në atë kohë u krijuan edhe artistët më të mirë të këtij arti i cili me fuqinë që ka, arrin të tregojë filozofinë njerëzore në mënyrën më të bukur të abstragimit të saj. Në këtë përpjekje, tentim e pune në një terren ende bosh dhe me pak emra, pjesëmarrja e kaq shumë artistëve është një hop e hap për ta parë dhe me entuziazëm karikaturën në Shqipëri dhe për të vendosur pika të qarta në rrugën që kemi përpara, për t’i krijuar terren e vendosje dinjiteti konturimit dhe qenësisë së karikaturës shqiptare përmes një programi të qartë organizimi dhe zhvillimi. E them këtë, sepse ky organizim serioz, ka krijuar tashmë lidhjet e veta, me disa mijëra artistë në botë, organizime, shoqata të humorit që merrem enkas e sistematikisht me këtë art e që janë një derë e madhe zhvillimi dhe bashkëpunimi dhe me Shqipërinë. Ndaj në këtë kontekst ditët e karikaturës në Tiranë, nuk do të jenë vetëm një prezantim dinjitoz i këtij arti, për të gjithë njerëzit civil që e duan, por edhe një projeksion me pika të qarta për të ardhmen e afërt e për krijimin e një shtrati të ngrohtë për të ecur drejt e pa kthim pas, drejt karakterit të një karikature shqiptare mbi baza te plota profesionale”, ka përfunduar Nikolla./ KultPlus.com
Pak ditë pas një debutimi të suksesshëm në skenën e Teatrit të Operës së Vjenës, sopranoja Elbenita Kajtazi rikthehet te rrënjët e saj për të interpretuar në skenën e improvizuar vendore, në koncertin e dyfishtë hapës të Festivalit ReMusica, nën shoqërimin e pianistes Elda Laro. Përderisa pjesë e hapjes së edicionit të XXlll-të të ReMusica ishte edhe kori më i njohur në vend, Siparantum, i cili po ashtu pak ditë më parë nën drejtimin e Memli Kelmendit i siguroi shtetit të Kosovës dy çmime në Spanjë, shkruan KultPlus.
Në mesin e figurave të njohura të artit, kulturës, medias e politikës, koncerti filloi rreth orës 19:10, në Atelienë e Pallatit të Rinisë, së cilës sallë për ta shëndrruar në një ambient më të bukur, e estetik i ishin m’veshur perde të zeza rreth e përqark. Kombinimi me dritat e projektorëve dhe shkronjat ndriçuese të ReMusica-s jepnin një pamje solide. Mbrëmja u hap nga organizatorët Donika Rudi dhe Viktor Berisha, të cilët përveq fjalimit përshëndetës, njoftuan audiencën për rrjedhën e festivalit, i cili do të mbahet përgjatë katër netëve me double koncerte.
Pas pak në skenë u paraqit sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi dhe pianistja Elda Laro me kontrabastin Fraim Gashi, për të filluar performancën me veprën e Ardian Gegës “Trembem”. Për shkak të tensionit që e ndiente artistja këtë performancë e dha ulur, si shkak i shtatëzanisë së saj. Nuri shëndrritës dominonte përkundër fustanit dhe flokut të saj të zi, duke u përshtatur shumë me pamjen pianistes flokë-artë. Një koncert me një artiste që performon në skena të njohura në botë nuk kishte se si të fillonte më bukur pos me tinguj e fjalë të gjuhës sonë të lashtë shqipe.
Tinguj shpërthyes që nxirrnin në pah vokalin e kristaltë të sopranos Kajtazi u dhanë në veprën e Claude Debussy “Apparition Suite bergamasque, L.75: III. Clair de lune”. Të gjithë sy e vesh ndiqnin performancën e artistes që po e bën krenarë një popull të tërë. Duartrokitjet nuk mungonin në fund të secilës pjesë: Franz Liszt- “Die Lorelei S.273”, Erich Wolfgang Korngold- “Mariettas Lied opera Die tote Stadt” & “Vier fröhliche Walzer, II. Margit”, Charles Gounod- “Amour, ranime mon courage” Roméo et Juliette”, Giacomo Puccini- “Senza mamma” – Suor Angelica, dhe Sergei Rachmaninov- “Elegie op.3 nr.1”.
Kurse vepra “Tatiana’s letter” – Eugene Onegin e Peter Ilich Tschaikovsky e fundit me radhë ishte ajka e mbrëmjes. E mishëruar në rolin e Tatianës, Kajtazi shpërfaqte historinë tragjike të një dashurie të pamundur. Ishte mimika dhe lëvizjet e saj që tregonin historinë e ngjarjes, përderisa zëri i saj aq sa i bukur, po aq zgjonte trishtim të thellë në zemrat e publikut duke e ndierë dhimbjen e personazhit të veprës.
Pas një pauze disa minutëshe, skenës me një energji të lartë nga fundi i sallës iu bashkua Kori më me nam në vend, Siparantum. Pjesa e dytë e koncertit filloi me vepre e Jeffery Ames- “Tshotsholoza Traditional South African”, tinguj ritmik që të ftonin në vallëzim. Secili pesëtar i korit përmes energjisë së vet luante rol në plotësimin e mozaikut SIPARANTUM.
Interpretimi i tyre që herë ishte plotë energji e zjarr, herë në tinguj të brishtë, herë në përshpërima të mistershme, e herë neutralë, kombinuar me përplasjet e fuqishme të këmbëve dhe duarve, në çdo moment dëshmonte nivelin e lartë artistik, me të cilin Kosovës arrijnë t’i sigurojnë çmime e medalje në çdo prezantim nëpër botë.
Pikat interpretuese të cilat u dhanë nën drejtimin e dirigjentit Memli Kelmendi ishin: Vepra e Michael McGlynn- “Media Vita” (Leon Shehu, vocal, Fidan Strumcaku, shaman drum), Jan Van der Roost- “Amor io fallo”, Katerina Gimon- “Fire” (Fidan Strumcaku, shaman drum), Josephine Poelinitz- “City called heaven, traditional spiritual” (Erijon Palucaj, solo, Denita Dedushaj, piano), Jake Runestad- “Nyon, Nyon” dhe Samo Vovk- “Ta na solbici”.
Kurse vepra e kompozitorit Baki Jashari “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndër” (Aurora Hyseni, recitatore) e cila u dha krejt në fund të koncertit përbën pothuajse një himn të Korit, e cila me një peshë të madhe artistike trajton fatin tragjik të popullit shqiptar, që ndër mileniume është persekutuar nga armiq shekullorë.
Kështu, emra shqiptar të njohur në botë, në natën hapëse të ReMusica sollën përvojën dhe shpirtin e tyre në vendin prej nga e filluan rrugëtimin artistik ndonëse në kushte aspak të përshtatshme.
Në një prononcim për media organizatori i Festivalit, Viktor Berisha ka thënë se ndihej i lumtur që nata ahpëse e festivalit filloi mbarë.
“Nata e sotme ishte me shumë sfida, por më duket që treguesi më i mirë ka qenë reagimi i publikut në të dy koncertet. Për ne më mbarë nuk ka mundur të niset pjesa e konceteve të mbrëmjes. Pas një dite me shumë aktivitete kjo ka qenë një përfundim që na fle edhe neve si një nismë e mbarë”, ka thënë Berisha duke i treguar ngjarjet pasuese të ReMusica-s.
“Është dinamikë e njejtë. Edhe tri ditë tjera plotë aktivitete, prej mëngjesit deri në mbrëmje si për fëmijë me tryeza të diskutimeve, ashtu edhe me koncerte të parambrëmjes dhe me koncertet qëndrore. Nesër tërë ditën jemi në Prizren, ku kemi një duo nga Spanja që do të sjellin një repertor të muzikës mesjetare me ansamblin vokal të ReMuzica-s. Është viti i dytë që kjo nismë e jona është duke u jetësuar për publikun Prizrenas, kështu që jemi shumë të lumtur”, ka thënë organizatori Berisha.
Kurse, dirigjenti i Korit Siparantum Memli Kelmendi i cili sapo është kthyer me dy çmime nga Spanja mbrëmjen e ka cilësuar të jashtëzakonshme, përkundër kushteve aspak të përshtatshme.
“Emocioni brenda vendit është krejt ndryshe prej të gjitha atyre koncerteve që ne i mbajmë jashtë vendit. Natyrisht skenat në të cilat ne perforojmë janë krejtësisht ndryshe nga këtu. Do të kisha dashur që edhe Prishtina të ketë një sallë adekuate, sepse vërtetë sonte ka qenë një sfidë e madhe të punoj me një akustikë të tillë. Ka kohë që nuk kam koncertuar në Prishtinë dhe uroj që në skena të tilla të mos realizojmë koncerte sepse kjo është diçka që ndikon drejtpërdrejtë te atmosfera dhe energjia brenda vokalit. Gjithsesi ne kemi arritur që të mbajmë energjinë dhe pulsin”, ka thënë dirigjenti Kelmendi duke uruar që koncertin e radhës ta mbajnë në një sallë adekuate.
Tutje, dirigjenti Kelmendi tha se ndihej jashtëzakonisht i lumtur që në koncertin hapës u paraqit me shoqen e tij të klasës, Elbenita Kajtazi, e cilas sipas tij është inspirim për të gjithë.
“Ishte një mbrëmje jashtëzakonisht e bukur. Aq më bukur kur sonte në pjesën e parë ishte kolegia, shoqja ime e klasës, Elbenita, një vokaliste fantastike, e cila të gjithëve na bën krenarë për sukseset dhe rrugëtimin e saj. Konsideroj, dhe është inspirim për të gjithë ne”, ka thënë Kelmendi.
Kurse kompozitori Baki Jashari bashkëdyjëzimin e dy koncerteve në një e ka cilësuar si gjetje interesante.
“Koncerti i sotëm i dyfishtë ishte një mbrëmje maft inetereant edhe pse ishin dy botë të ndryshme. Në njërën anë kishim solisten tonë të mrekullueshme, me zërin e saj të jashtëzakonshëm, me karrierën e saj të jashtëzakonshme botërore që ishte në rolin e solistes. Në anën tjetër kishim korin Siparantum si një ansambël i të rinjve shumë të suksesshëm me dirigjent Memli Kelmendin. Ndërlidhja e këtyre dy pjesëve të koncertit ishte vokali. I uroj për këtë mbrëmje të mrekullueshme, shumë interesante me gjithë këtë paletë të veprave dhe stileve të ndryshme”, ka thënë kompozitori Baki Jashari duke potencuar që ndihej i lumtur që vepra e tij “Pakëz ëndërr pakës Zgjëndërr” po paraqitet dhe po depërton edhe jashtë vendit.
“Kori Siparantum u paraqit edhe me veprën time “Pakëz në Ëndërr pakës në zhgjëndërr” që është shkruar qysh në vitin 1986. Unë e pata marrë si bazë tekstin e autorit tonë të mirënjohur Din Mehmeti, e cila është një poezi jashtëzakonisht e fuqishme edhe pa muzikë. Ajo ishte aq e fuqishme dhe dramatike në thelbin e saj ku përshkruan vuajtjet e popullit tonë dhe aspiratat tona për liri, ku përmenden në mënyrë poetike, se si popull kemi qenë të shtypur, të ndjekur, të rrahurr. Dirigjenti Memli ka kërkuar që kjo vepër të shkurtohet dhe të përshtatet për skena jashtë Kosovës, dhe në shumë gara ku Kori Siparantum prezantohet kjo vepër është në program mes tjerash. Dhe, më vjen mirë që pothuajse në çdo prezantim të tyre Siparantum po fitojnë medalje. Ky është një plus i madh edhe për korin por edhe që vepra po depërton jashtë”, ka thënë dirigjenti Jashari.
Ndëraq, pianistja e njohur Lejla Pula, e cila ishte pjesë e publikut i ka përgëzuar kolegët për fillimin e suksesshëm, e të mbarë të festivalit ReMuzica.
“Më ka ardhur jashtëzakonisht mirë që përsëri kam pasur rastin ta dëgjoj Elbenitën, e cila me të vërtetë është një soprano në ngritje e sipër të karrierës së saj. Interpretimi i saj ishte jashtëzakonisht emocional dhe me aftësi të jashtëzakonshme zanore. Ka krijuar një ambient artistik të jashtëzakonshëm, nën përcjelljen e Elda Laros e cila ishte një artiste dhe profesioniste tejet e shkëlqyer. Vërtetë jemi kënaqur me muzikimin e tyre dhe ju dëshiroj shumë suksese”.
Më tej, pianistja Lejla Pula ka uruar që në të ardhmen festivali i saj dhe i kolegëve të tjerë të mbahen në një vend me kushte kualitative.
“Paraqitja e tyre skenike dhe artistike e Korit Siparantum është aq komplete, aq interesante, me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Unë i përgëzoj për paraqitjet dhe çmimet e fundit nëpër botë. Vërtetë ishte një kënaqësi e madhe që të jem sonte këtu. Unë ju dëshiroj të gjithëve suksese të mëtejme, dhe gjithashtu kam dëshirë që festivalet tona të kenë shtëpinë koncertale, ku në të ardhmen të mbahen këto koncerte kaq kualitative” ka thënë ajo.
Ndërsa, pjesëtari i Korit Siparantum, Shaban Behramaj, ka thënë se është ndier i lumtur me pjesëmarrjen e madhe të publikut, para të cilit kanë përgjegjësi artistike të paraqitjes sikurse në garat e ndryshme gjithandej nëpër botë.
“Ishte një ndjenjë shumë shumë e veçantë sepse Festivali ReMusica këtë vit ka pasur “double koncerte”, ku ne sot ndamë skenën dhe mbrëmjen bashkë me sopranon tonë tashmë me famë botërore Elbenita Kajtazi. Për ne ka qenë një kënaqësi e jashtëzakonshme për të interpretuar në natën hapëse të festivalit Remusica për këtë edicion, para publikut kosovar që ishte në numër shumë të madh, gjë e cila në bëri të ndihemi shumë mirë. Ne sapo u thyem nga Barcelona ku fituam dy çmime në garat botërore, për ne përgjegjësia është shumë e madhe që edhe para publikut tonë të sjellim repertorin e njejtë, por edhe atmosferën dhe energjinë e njejtë me të cilën ne garojmë në të gjitha këto gara”, ka përfunduar Behramaj.
TOGETHERNESS (SË BASHKU) – është motoja e sivjetme e edicionit të XXlll-të të ReMusica në të cilin përveç tjerësh deri më 8 nëntor do të interpretojnë edhe Petrit Çeku, ReVocal Ensemble, Trio Elogio, Margherita Berlanda, Flaka Goranci etj. / KultPlus.com
“Shekspiri zbret në Vlorë” është festivali ndërkombëtar teatror që do të zhvillohet në qytetin bregdetar prej 9-13 nëntor.
Ashtu siç kuptohet dhe nga emri, ky festival do të sjellë shfaqje bazuar mbi krijimtarinë e dramaturgut të shquar britanik Uilliam Shekspir. Shekspiri është ndër dramaturgët më të mëdhenj të të gjithë kohërave, poet dhe tregimtar i shquar, i cili e zhvilloi aktivitetin e tij letrar gjatë shekullit XVI në Britaninë e Madhe.
Festivali nis me shfaqjen teatrore “Masë për Masë” me regji të Altin Bashës. Kjo shfaqje vjen përmes interpretimit të aktorëve të Gjakovës e Prizrenit, mbrëmjen e datës 9. Kjo shfaqje do të pasohet nga “Dashuri shekspiriane” e Fakultetit të Artit Skenik të Universitetit të Arteve të Tiranës.
Në vijim për publikun do të vijë “Sonetet e Shekspirit” nga trupa e teatrit “Petro Marko” të Vlorës dhe me regji të të mirënjohurit Kristaq Skrami.
Vepra teatrore “Nata e dymbëdhjetë” nga teatri Metropol Tiranë do të jetë në skenë më 12 nëntor dhe në 13 nëntor do të vijë për publiku shfaqja “The Lost King” nga Teatro Pubblico Pugliese-Bari.
Ndër mbështetësit e këtij aktiviteti artistik janë Bashkia Vlorë, “Shakespeare Center” dhe teatri “Petro Marko”./ KultPlus.com
Xhakomo Puçini (22 dhjetor 1858 – 29 nëntor 1924), duke shënuar 100 vjet nga vdekja e mjeshtrit të përjetshëm të operës, do të shfaqet kryevepra “Bohemët” në skenën e Operës dhe Baletit Nacional më 8 nëntor, duke filluar nga ora 20:00.
Historia e jetës së të dashuruarve Rodolfo dhe Mimi, do të shfaqet nën shkopin drejtues të të ftuarit nga Italia, Mauricio Kollasanti, me regji të Dejan Proshevit, shfaqja është fiksuar nëpërmjet skenografisë masive të Zoran Nikollovskit dhe kostumografisë shumëngjyrëshe të Marija Pupuçevskës, mjeshtre e koncerteve është Verica Llambevska, mjeshtre e korit Jasmina Gjorgjeska dhe Gjurgjica Dashiç.
Performojnë: Domeniko Menini (Itali), Anastasia Doroshenko (Gjermani), Goran Naçevski, Dragan Ampov, Vlladimir Sazdovski, Katerina Stojanovska, Neven Siljanovski, Borko Bixhovski, Jane Dunimaglloski, Aleksandar Nikodinovski, Tihomir Jakimovski, Ema Ginovska, të shoqëruar nga kori dhe orkestra e Operës dhe e Baletit Nacional.
“Bohemët” nga Xhakomo Puçini është operë në katër akte, veprimi zhvillohet në Paris, libreti është bazuar në “Skena nga jeta e bohemëve” të Henri Murgerit. Publiku për një çast do të transportohet në nënkulmet parisiane ku disa artistë të rinj, pavarësisht varfërisë dhe luftimit për nevojat elementare të jetës së përditshme (ushqim, dru zjarri), jetojnë të mbështetur nga idealet dhe dashuria, duke pretenduar se jetojnë bohem pa asnjë qindarkë në xhep./ KultPlus.com
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka kënaqësinë të ftojë publikun për një ecje dhe bisedë nëpër ekspozitën e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 me artistët e nominuar Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri, të udhëhequr nga Albert Heta, drejtor i Stacion-Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe bashkëkurator i ekspozitës.
Ngjarja synon të krijojë hapësirë për diskutim me publikun në lidhje me punët dhe praktikën artistike të artistëve të nominuar për Çmimin Artistët e së nesërmes 2024, hulumtimin, përvojën e tyre gjatë procesit dhe lidhjen e ekspozitës me dimensione të tjera shoqërore. Ekspozita mbahet më 7 nëntor, duke filluar nga ora 20:00.
Tre finalistët e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 në punën e tyre ofrojnë provokime të guximshme dhe të nevojshme që flasin për kompleksitetin tonë të përbashkët.
Vepra “How Sad, How Lovely” (“Sa e trishtueshme, sa e bukur”) e Mimoza Sahitit, e krijuar për ekspozitën e finalistëve të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, është një eksplorim i qëndrueshmërisë, identitetit dhe udhëtimit nëpër peisazhe të brendshme dhe të jashtme. Është në mënyrë specifike një udhëtim nga “kauboji” si një maskë shoqërore në realizimin e vetvetes – përballja përfundimtare me veten. Në pikturën e dytë koka e kaubojit është një kafkë, duke mbajtur dy armë – njëra e drejtuar nga jashtë, tjetra drejt vetes. Ky imazh kap tensionin midis vetes së brendshme dhe botës së jashtme, duke reflektuar luftën midis vetë-ruajtjes dhe peshës së vështrimit të shoqërisë. Ky kauboj bëhet një figurë e kapur në hapësirën midis vetes dhe shoqërisë, midis cenueshmërisë dhe mbijetesës. Në qendër të veprës qëndron një derë, me një xhaketë lëkure të varur, që funksionon si objekt dhe simbol kalimtar. Xhaketa, e qepur me fije të kuqe me fjalët “Sa e trishtueshme, sa e bukur” vepron si armaturë dhe ftesë, një portë midis botës së jashtme dhe hapësirës intime përtej.
Ky prag i fton shikuesit të lënë pas identitetet e tyre të jashtme dhe të hyjnë në një botë ku cenueshmëria nuk fshihet, por shfaqet.
Kauboji që vesh këtë xhaketë, një figurë e përsëritur në ekspozitë, është një simbol personal dhe universal i qëndrueshmërisë. Këtu fillon udhëtimi në botën e brendshme, ku albumi i Connie Converse “How Sad, How Lovely” funksionon si një alegori. Këtu fillon biseda mes artistes dhe Connie Converse – një përvojë e përbashkët izolimi, betejash të brendshme, vetë-reflektimit, vetmisë, mallit dhe elasticitetit. Në fund të shfaqjes pret përsëri kaubojin, këtë herë arma ngrihet drejt qiellit, duke fryrë një yll të vetëm – një simbol i triumfit dhe vetë-pranimit. Kapela e majës është një gjest mirënjohjeje, një përshëndetje jo vetëm për shikuesin, por për veten brenda secilit prej nesh. Kjo vepër përmbledh të kuptuarit se, në fund të fundit, pavarësisht se ku vrapon, ne të gjithë përfundojmë me veten.
Në përgjithësi: Kauboji përfaqëson një ide të botës së jashtme që lundron sfidat e jetës, duke mishëruar forcën, përulësinë dhe vetminë, duke evokuar një figurë që endet nëpër peizazhe të shkreta të jetës.
Vepra “Vend i drejtuar nga toka” e Luiza Thaqit, e krijuar dhe shfaqur për ekspozitën e finalistëve të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, është një ndërhyrje artistike në një hapësirë të jashtme dhe të ndërmjetme në ndërtesën e Klubit të Boksit në Prishtinë, që është e paarritshme si shkak të ndërtimeve përreth dhe faktorëve të tjerë që ndikojnë në mirëqenien e tokës. Nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje të bazuar në kërkim, artistja nxjerr në pah çështjet që lidhen me trajtimin e tokave, pronave, pronave publike dhe shkëputjen e njerëzve nga natyra me pretendim pronësie. Në bashkëpunim me tokën, duke nxjerrë të dhëna për gjendjen aktuale të tokës dhe asaj që ka ndodhur me te, tregojmë realitetin, praktikat për një shoqëri të qëndrueshme dhe kontekstin tonë shoqëror.
Vepra “Oh, mindgut” e Dion Zeqirit, e krijuar dhe shfaqur për ekspozitën e finalistëve të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, paraqet një skulpturë gjipsi ku truri dhe zorrët janë të kombinuara në formë rrethore, sikurse dalin nga vetë muri. Skulptura shërben si një paraqitje simbolike e dy forcave themelore, por shpeshherë të kundërta në përvojën njerëzore: intelektit dhe intuitës. Duke u përballur me trurin dhe zorrët – dy organe vitale që formësojnë perceptimin tonë për realitetin – artisti hyn në debatin e vjetër midis intelektit dhe instinktit, arsyes dhe ndjenjës, objektivitetit dhe subjektivitetit.
Artisti shtron një pyetje provokuese: “A manifestohet intelekti si mungesë intuite apo është mishërim i gjithçkaje shijuese mes zorrëve dhe mendjes? Vepra prek një narrativë më të gjerë kulturore rreth intelektit, sipas të cilës “një njeri i veprimit e jo i intelektit” mund të shihet si joracional ose i pamatur. Kjo krijon një tension midis të qenit i zgjuar dhe të qenit i mençur. Artisti e përdor këtë koncept për të nxitur reflektim të mëtejshëm duke pyetur se: kur marrim vendime – nëse duhet t’i besojmë dikujt, të ndjekim këshillat apo të ndërmarrim veprime – a veprojmë nga arsyetimi intelektual apo ndjenja intuitive? A mund të konsiderohet racional besimi në diçka të padukshme? Apo vendimet tona shpesh rrjedhin nga ndjenjat e zorrëve përpara se truri ta ketë përpunuar situatën?
Çmimi Artistët e së nesërmes është një çmim dhe njohje prestigjioze e krijuar për artistët pamor nën moshën 35 vjeç. Çmimi u ofron atyre mundësinë për të krijuar vepra të reja përmes një procesi të përkushtuar prodhimi dhe zhvillimi, me punën e tyre duke u vlerësuar nga një juri e pavarur.
Tre artistët e nominuar bashkëpunojnë ngushtë me ekipin kuratorial në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë dhe marrin pjesë në ekspozitën vjetore që prezanton finalistët e çmimit Artistët e së nesërmes. Për më tepër, ata do të kenë mundësinë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të përjetojnë skenën e gjallë të artit në Nju Jork gjatë një qëndrimi artistik dy mujor.
Fituesit të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 shpërblehen me një program dy-mujor qëndrimi artistik në Nju Jork, SHBA, në Residency Unlimited, i planifikuar për maj/qershor 2025. Për më tepër, fituesi do të ketë një ekspozitë personale në vitin 2026 në programin vjetor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.
Çmimi Artistët e së nesërmes është një çmim i spikatur, i pavarur, i organizuar në bashkëpunim me Residency Unlimited në Nju Jork dhe i mbështetur nga The Trust for Mutual Understanding në Nju Jork. Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë kërkon të përforcojë potencialin dhe ndikimin e Çmimit Artistët e së nesërmes, duke kontribuar në zhvillimin më të gjerë të artit bashkëkohor, kulturës dhe përparimit shoqëror në mbarë Kosovën.
*Mbështetësit kryesor të Çmimit Artistët e së nesërmës 20234 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, x-print dhe DZG. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerët bashkëpunues do të shpallet me kohë. / KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka uruar presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, përcjell KultPlus.
“Urime President, Donald Trump për fitoren tuaj në zgjedhje. SHBA-ja është një aleat, mik dhe partner kyç i Kosovës dhe ne mezi presim të punojmë së bashku për progres dhe paqe”, ka shkruar Kurti.
Para pak minutave, Trump zyrtarisht ka arritur t’i fitojë zgjedhjet duke siguruar mbi 270 vota elektorale./ KultPlus.com
Kandidati republikan Donald Trump u zgjodh presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, duke shënuar një rikthim të jashtëzakonshëm.
Me një fitore në Uiskonsin, Trump siguroi 277 vota elektorale nga 270 sa janë të nevojshme për të siguruar presidencën.
Donald Trump shpalli fitoren e tij në zgjedhjet e së martës dhe u tha mbështetësve të tij të mërkurën se ky moment “do ta ndihmojë vendin që të shërohet”.
Ai u bë presidenti i dytë në historinë e Shteteve të Bashkuara që rikthehet në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë jo të njëpasnjëshëm.
“Ne kemi një vend që ka nevojë për ndihmë dhe ka shumë nevojë madje. Ne do të rregullojmë kufijtë tanë dhe do të rregullojmë gjithçka për vendin tonë”, tha Trump.
Duke folur në Uest Palm Beach të Floridës, Trump u premtoi amerikanëve se “çdo ditë do të luftoj për ju” dhe se do të sjellë “epokën e artë për Amerikën”.
“Tani është e qartë se kemi arritur gjënë më të pabesueshme politike… shikoni çfarë ndodhi, a është kjo çmenduri?” shtoi ai në fjalimin e tij përgjatë të cilit u shoqërua në skenë nga anëtarët e familjes dhe gruaja e tij, Melania Trump, si dhe kandidati për postin e nënpresidentit, JD Vance, dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson. /KultPlus.com