Gmail është përmirësuar – çfarë ka të re

Google ka përmirësuar Gmail me veçori dhe shkurtore të reja të Inteligjencës Artificiale (AI).

Google ka shtrirë fushatën “Më ndihmo të shkruaj” në Gmail për ueb, duke i lejuar përdoruesit të krijojnë ose modifikojnë emailet me ndihmën e Gemini AI.

Ashtu si funksionon në pajisjet celulare, përdoruesve do t’u paraqitet opsioni për të përdorur funksionin kur hapin një kuti të zbrazët të kompozimit të postës elektronike në Gmail.

Funksioni “Më ndihmo të shkruaj” i Google është i disponueshëm vetëm për përdoruesit me një abonim në Google One AI Premium ose duke përdorur shtesën Gemini për Workspace.

Përveç krijimit të një emaili, “Më ndihmo të shkruaj” mund të ofrojë gjithashtu sugjerime se si të formosh, zgjerosh ose shkurtosh mesazhin tënd.

Google gradualisht do t’u japë përdoruesve qasje në funksionin “Më ndihmo të shkruaj” në ueb, së bashku me një shkurtore të re për pajisjet celulare.

Një shkurtore e re, e quajtur “Përmirëso draftin tim” është e disponueshme për pajisjet celulare, si një zëvendësim për “Më ndihmo të shkruaj”. Dhe në vend të opsioneve për të formuar, zgjeruar ose shkurtuar mesazhin, ai do ta përpunojë automatikisht mesazhin kur të shtypet shkurtorja “polish”./ KultPlus.com

Muzeu Kombëtar bisedë përkujtimore mbi rolin e gruas në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare

Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit,” Muzeu Historik Kombëtar, së bashku me Institutin e Studimeve Ushtarake dhe forumin “Nderojmë dhe mbrojmë traditat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare,” organizuan një bisedë përkujtimore në Qendrën e Artit “Agimi”.

Tema e këtij aktiviteti ishte “Roli i gruas në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.”

Në hapje të aktivitetit, studiuesi Jorgo Qirko prezantoi sekuenca filmike, duke rikthyer në kujtesë kontributin e grave në këtë luftë.

Studiues të fushës mbajtën kumtesa për të nderuar kontributin e grave: Prof. asoc. dr. Bernard Zotaj: “Luftëtare, partizane dhe drejtuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare”; Drita Shehi: “Gruaja pezake në luftë”; Liljana Mero: “Udhëtimi i luftëtareve të lirisë për në Kongres të Gruas dhe përkujtimi pas 25 viteve të kongresit”; Gjinovefa Kadiu: “Gruaja në shtypin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”; Studiuesi Naxhi Kasaruho, Mjeshtër i Madh: “Këngët partizane vlerë e çmuar në kulturën tonë kombëtare”

Diskutimet e pjesëmarrësve theksuan rolin vendimtar dhe kontributin e çmuar të gruas shqiptare në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke nderuar me mirënjohje historinë dhe sakrificat e tyre./ KultPlus.com

‘Mos më lër vetë, kam shumë frikë të rri pa ty, është botë e egër’ (VIDEO)

Redon Makashi është këngëtar dhe tekstshkrues i njohur, që gjatë karrierës së tij i ka sjell publikut mjaft këngë me tekste të bukura, të shoqëruara me zërin e tij unik, shkruan KultPlus.

Në vitin 1989, prezantohet për herë të parë në televizion në Radio Televizionin Shqiptar me këngën “Vitet më të bukura”. Kjo ndodh në spektaklin “Maratona e këngës popullore” e regjisores Vera dhe redaktor muzike Shaban Ibrahimi. Po në këtë vit krijon këngën “Rruga me fllade kujtimesh”.

Sonte po e risjellim këngën e tij “Dikur luaja me ndjenjën e saj” e cila është lansuar në vitin 1994 dhe shquhet për tekstin e bukur dhe të ndjeshëm, si dhe për performancën e Makashit. / KultPlus.com

Kamala Harris: Nga bijë emigrantësh, tek një emërim historik për presidente 

Kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris vjen nga një prej zonave më të larmishme dhe liberale të Shteteve të Bashkuara. Siç njofton nga Oakland i Kalifornisë korrespondenti i Zërit të Amerikës Matt Dibble, ajo e ka ndërtuar karrierën duke gërshetuar rolin si zyrtare e rreptë e zbatimit të ligjit me atë të reformatores me shikim nga e ardhmja.

Kamala Harris lindi në vitin 1964 dhe historia e saj fillon në lagjet e larmishme dhe progresive të Gjirit të San Franciskos.

Prindërit e saj emigrantë, Shyamala Gopalan nga India dhe Donald Harris nga Xhamajka, u takuan në Berkeley të Kalifornisë, ku të dy studentët e talentuar ndiqnin studimet pasuniversitare në Universitetin e Kalifornisë.

Universiteti Berkeley i viteve 1960 ishte një qendër e të drejtave civile dhe aktivizmit për paqen.

Zonja Harris ka thënë se ndër kujtimet e saj më të hershme janë kur merrte pjesë me nënën e saj në protesta.

Në vitin 1970, nëna dhe babai i saj u ndanë.

Shyamala Gopalan, me dy vajzat e saj, morën me qera një apartament në një zonë të Berkeley-t.

“Ata jetonin mbi një çerdhe fëmijësh, në një apartament modest me dy dhoma gjumi, me një banjë.”

Shoqja e fëmijërisë e zonjës Harris, Carole Porter e njohu atë në stacionin e autobusit të shkollës.

“Ne ishim grupi i dytë që i dhamë fund ndarjes racore në shkollat ​e ​Berkeley-t.”

Zonja Harris ndoqi Universitetin Howard, një kolegj historikisht afrikano-amerikan dhe më pas fakultetin juridik.

Në një kohë kur burgosja e burrave me ngjyrë në Kaliforni ishte në nivele rekord, ajo punoi si prokurore, një rol që shpesh shihet negativisht në komunitetin afrikano-amerikan.

“Ajo donte të sillte ndryshim në mënyrë që njerëzit të mos ndiqeshin penalisht bazuar në racizmin sistemik dhe strukturor.”

Në vitin 2002, zonja Harris hyri në garë për postin e Prokurorit të Qarkut të San Franciskos.

“Nuk kishte pasur kurrë më parë një prokurore qarku grua. Ajo erdhi nga pozita më e dobët, por që në fillim kishte diçka shumë të veçantë”, thotë Andrea Dew Steele, aktiviste demokrate për angazhimin e grave.

Zonja Harris fitoi garën e ngushtë dhe filloi të punojë për rritjen e dënimeve për krimet e dhunshme, ndërsa ata që dënoheshin për herë të parë për krime të lehta i drejtonte në programin e saj të rehabilitimit të quajtur “Back on Track”.

E zgjedhur Prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë në vitin 2010, ajo u bëri trysni bankave të paguanin 20 miliardë dollarë për praktikat mashtruese të huadhënies, luftoi tregtinë ndërkufitare të drogës dhe trafikantët e qenieve njerëzore dhe mbrojti barazinë për martesën.

Në vitin 2016, zonja Harris u zgjodh në Senat, ku u bë shpejt një zë i fuqishëm për çështjet e emigracionit, kujdesit shëndetësor dhe reformës së drejtësisë penale. Ajo u bë e njohur për pyetjet e saj të mprehta gjatë seancave dhe aftësinë e saj për të mbajtur përgjegjës udhëheqës të fuqishëm.

Por në garën për president të vitit 2020, fushata e zonjës Harris pati vështirësi mes kaosit në ekipin e saj.

“Padyshim që është folur për ndryshime të shpeshta në ekipin e saj, vështirësitë për të mbajtur njerëz të talentuar në orbitën e saj’”, thotë Gil Duran, ish-ndihmës i zonjës Harris.

Zoti Biden fitoi emërimin dhe në fund i kërkoi zonjës Harris të ishte kandidatja për nënpresidente. Të dy ata fituan dhe ajo u bë gruaja e parë dhe personi i parë me ngjyrë në atë post.

Përballë një fluksi të madh imigrantësh që përpiqeshin të hynin në Shtetet e Bashkuara, Nënpresidentja Harris u angazhua me udhëheqësit rajonalë për të trajtuar problemet e paqëndrueshmërisë dhe varfërisë në vendet e tyre.

Ajo u vu shpejt në shënjestër.

“Ajo ishte përgjegjëse për sigurimin e kufirit dhe nuk e di as nëse ka qenë ndonjëherë atje”, thotë republikania Kathy Willmont.

Zonja Harris është bërë më komode si përfaqësuese në skenën botërore, duke e vënë theksin tek mbështetja dhe qetësimin e tensioneve.

Dhe në një karrierë të karaketrizuar nga thyerja e barrierave dhe tejkalimi i pritshmërive, zonja Harris arriti edhe një majë tjetër, duke u bërë kandidatja demokrate për presidente kur Joe Biden u largua papritur nga gara./VOA/ KultPlus.com

Kabinat e drurit në Liqenin e Çekrezit, Rama ndan historinë e Vanit: Sot s’gjen asnjë bosh, atraksion për turistët nga e gjithë bota

Kabinat e drurit në liqenin e Çekrezit në Tiranë, janë kthyer në një destinacion turistik, ku vizitorët mund të përjetojnë qetësinë që të fal natyra.

Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka ndarë historinë e Vanit, i cili sipas kryeministrit, kishte vetëm çantën e kampingut në shpinë kur nisi të zbulonte natyrën e Shqipërisë, në këmbë, gjatë pandemisë.

“Nëpër ecjet e gjata, shtigjeve e maleve, zhvilloi idenë për të ndërtuar kabinat e drurit që gjenden mes kodrave të liqenit të Çekrezit, pak minuta larg Tiranës,” shkroi Rama, duke përshkruar se si kjo iniciativë është shndërruar tashmë në një destinacion të dashur për turistët.

Ai shtoi se “sot, është e vështirë të gjesh një prej tyre të lirë, sepse turistë nga e gjithë bota shkojnë çdo ditë për të kaluar natën nën yjet e këtij oazi magjik.”/ KultPlus.com

Koliqi, Asdreni, Fishta dhe Lasgushi në një fotografi të rrallë

Kjo është fotografia e rrallë në të cilën shihen disa nga emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe në një fotografi të përbashkët, shkruan KultPlus.

Marie Lasgush Pogradeci, pati publikuar një fotografi të realizuar në shkurt të vitit 1938 gjatë festimeve në Shkodër, në Kinemanë Rozafa.

Në këtë fotografi mund të shihni të ulur Ernest Koliqin, tutje Asdrenin, Fishtën dhe Lasgushin. / KultPlus.com

“Fake News do na fundosë”: Clooney dhe beteja për të vërtetën

Duhet edhe më pak se një javë deri në zgjedhjet që do të vendosin për fatin e Amerikës dhe botës.

Dhe George Clooney ka zbritur në fushë.Aktori 63-vjeçar, mbështetës i demokrates Kamala Harris kundër Donald Trump, nuk shihet në dokumentarin me regjisor austriakun Friedrich Moser. Por, së bashku me Grant Henslov, ai është producent ekzekutiv i “Si të ndërtosh një motor të së vërtetës”, një projekt të cilin e ka fort për zemër. Domethënë, si të ndërtohet një motor i së vërtetës, kundër dezinformatave dhe lajmeve të rreme, që sipas Clooney dhe filmit të tij po rrezikojnë seriozisht “qytetërimin tonë, në rrezik zhdukjeje”.

Ylli fitues i Çmimeve Oscar nuk ka dyshime: “Nuk ka pasur kurrë një moment më të rëndësishëm në histori për të folur për dezinformimin,” tha Clooney në prag të shfaqjes së dokumentarit.

“Friedrich na udhëzon nëpër këtë botë shumë komplekse, duke hyrë në detaje të jashtëzakonshme. Është si një tren që udhëton me shpejtësi të ngadaltë, të gjithë e dinë këtë, por askush nuk mund ta ndalojë. Por, këtë herë nuk do të mund të pretendojmë se nuk na kanë paralajmëruar”.

“Dezinformimi dhe gënjeshtra tani po bëhen diçka e pranueshme,” paralajmëron Peter Cochrane, profesor i Shkencës dhe Teknologjisë në Universitetin e Kembrixhit, në fillim të filmit, “Ndjehem sikur po rilexoj artin e luftës të Sun Tzu, kur ai pretendon që për ta mposhtur armikun duhet ta ngatërrosh me dezinformim. Kjo është ajo që po ndodh edhe sot”.

Në një epokë në të cilën mediat sociale si X kanë ngadalësuar mjetet për parandalimin e lajmeve të rreme dhe ku vetë pronari i X, Elon Musk, u shpërndan 100 milion ndjekësve lloj-lloj broçkullash

Siç na thotë filmi “Si të ndërtoni një motor të së vërtetës”, teoritë e dezinformimit dhe konspiracionit kanë arritur nivele kolosale, të papara që nga vitet 1930. Dokumentari, përveç mbledhjes së opinioneve nga ekspertë dhe studiues të shquar, demonstron se si rrjedha e informacionit dhe “për rrjedhojë edhe mendjet e njerëzve dhe realiteti” mund të “hacker-ohen” shkencërisht.

Ka teknika të ndryshme, siç tregon gazetarja dhe aktivistja amerikane për shprehjen e lirë Susan Benesch. Për shembull, duke krijuar me vetëdije, me përdorues të tjerë, të ashtuquajturat “dhoma të jehonës” për të përsëritur në mënyrë obsesive mashtrimet dhe për të infektuar qarqet e tjera të diskutimit në internet, duke përsëritur lajmet e rreme që kështu shndërrohen në “superorganizma të gjallë dhe organikë”.

Ose, fabrikuesit e dezinformatave shfrytëzojnë mekanizmat e trurit tonë, siç është “sistemi i shpërblimit” mbi të cilin bazohet truri, i cili kapet në befasi kur nuk mund të parashikojë më ngjarje dhe në vend të kësaj tërhiqet nga rindërtimet imagjinare ose të rreme të ngjarjeve.

Ose përsëri, thonë ekipet investiguese të New York Times, ka aparate shtetërore dezinformuese, veçanërisht nga Rusia, siç tregojnë filmi dhe ekspertët e tij në rastet e masakrës së civilëve në Bucha ukrainase, ose në përdorimin e armëve kimike nga diktatori sirian Bashar al Assad.

Është një udhëtim shqetësues, i cili na shpjegon sesi mendjet tona mund të manipulohen dhe devijohen nga dezinformatat në nivele shkencore. Çfarë duhet bërë?

Në radhë të parë roli i gazetarisë mbetet qendror, “i vetmi subjekt që tani ka mjetet, kapacitetin dhe burimet për të provuar të mbrojë të vërtetën”. Dhe pastaj armatosja me shumë durim të përditshëm: “Të krijosh gënjeshtra është e thjeshtë dhe shpesh shumë e shpejtë. Megjithatë, rivendosja e së vërtetës kërkon shumë kohë dhe pasion”, thotë Tim Tangherlini, profesor në Berkley: “Na takon ne ta mbrojmë atë. Nuk mund të bëjmë më sikur nuk ka ndodhur gjë”. / bota.al/ KultPlus.com

OSHEE: Nuk ka rritje të çmimit të energjisë për furrat e bukës, çdo lëvizje abuzive

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) bën të ditur se nuk ka asnjë rritje të çmimit të energjisë elektrike për furrat e bukës.

Sipas OSHEE-së, skema e faturimit për këto subjekte ka hyrë prej muajit prill dhe është përcaktuar pas dakordësisë së plotë me vetë subjektet.

OSHEE sqaron se koncepti i “orarit pik”, i cili po diskutohet kohët e fundit është një koncept specifik i vendosur që në vitin 2016 nga ERE, si institucioni i ngarkuar me ligj për përcaktimin e tarifave në sektorin e energjisë.

“Orari pik” gjatë të cilit aplikohet çmimi për energjinë e konsumuar është: për periudhën 1 nëntor – 31 mars nga ora 18:00 deri në 22:00. Për periudhën 1 prill – 31 tetor nga ora 19:00 deri në 23:00.

Vetëm gjatë “orarit pik”, për subjektet private, çmimi është 15% më i shtrenjtë se çmimi i zakonshëm.

Koncepti i “energjisë pik” është një koncept ndërkombëtar, i përdorur në gjithë Europën dhe më gjerë. “Orari pik” është orari kur konsumi i energjisë është më i lartë dhe çmimi i energjisë në tregje është mjaft i lartë. Prandaj entet rregullatore ndërhyjnë me masa të tilla që të favorizojnë uljen e konsumit në këto orare.

Pas disa raportimeve në medie se prodhuesit e bukës do të rrisnin çmimin e bukës në treg, OSHEE sqaron se asgjë nuk ka ndryshuar nga data 1 nëntor. Vendimi i ERE për “energjinë pik” është i zbatueshëm që nga viti 2016 për gjithë subjektet private që kanë të instaluar matës inteligjent (vetëm matësit inteligjent janë të aftë të lexojnë konsumin sipas orareve).

Si rrjedhojë, çdo rritje e çmimit nga subjektet e furrave të bukës është i padrejtë dhe abuziv.

Sipas të dhënave nga OSHEE, aktualisht janë rreth 1600-1700 furra bukë të regjistruara si të tilla. Për sa i përket periudhës 2018-2024 mesatarja mujore e subjekteve furra buke të cilat janë tarifuar me “çmimin pik” është si më poshtë:

Për vitin 2018 janë tarifuar 11 subjekte; për vitin 2019 janë tarifuar 87 subjekte; për vitin 2020 janë tarifuar 86 subjekte; për vitin 2021 janë tarifuar 95 subjekte; për vitin 2022 janë tarifuar 120 subjekte; për vitin 2023 janë tarifuar 164 subjekte; për vitin 2024 janë tarifuar 194 subjekte.

Pra çmimi i energjisë në “orarin e pikut” ka filluar të zbatohet për furrat e bukës që nga viti 2016 dhe asnjeherë nuk ka patur ankesa për këtë tarifë.

Skema e tarifimit të energjisë elektrike për prodhuesit e bukës
Që prej muajit prill 2024 kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të furrave të bukës. Edhe për këto tarifa është i zbatueshëm koncepti i “orarit pik”.

OSHEE sqaron se në bashkëpunim të ngushtë me Shoqatën e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave, me qëllim aplikimin e drejtë dhe jo diskriminues të çmimeve të energjisë elektrike te furrave te bukes, propozuan në ERE çmime të reja për furrat e bukës.
Këto çmime reflektonin situatën konkrete të biznesit të furrave të bukës, të cilat tashmë ushtrojne edhe aktivitete të kombinuara, si pasticeri, bar kafe, etj.

Kategoritë e miratuara nga ERE në muajin prill 2024 janë si më poshtë:

Kategoria I – vetëm furra buke/prodhim mielli, çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 7.6 lekë/kWh.

Kategoria II – furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri, Çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 9.5 lekë/kWh.

Kategoria III – furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri, shërbim Kafe (ekspres), Çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 12 lekë/kWh.

OSHEE thotë se deri në prill të 2024-ës, për kategoritë II dhe III çmimi ka qënë 14 lekë/kWh, pra më i lartë se sa tarifat aktuale të miratuara nga ERE.

Çmimi për furrat e bukës nuk është rritur, ai subvencionohet nga shteti

OSHEE sqaron se çmimi i energjisë elektrike për furrat e bukës dhe kategoritë e bizneseve që prodhojnë produkte buke është i subvencionuar nga ana e shtetit.

Ky çmim nuk reflekton asnjë kosto të energjise dhe qeveria e subvencionon si një masë sociale për popullsinë.

Bashkëpunimi shumë i ngushtë me grupet e interesit, si Shoqatën e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerive dhe Brumrave, ka sjellë një tarifim më të drejtë të subjekteve dhe mbështetjen e një konkurrence të ndershme ndërmjet kategorive të ndryshme të furrave të bukës.

Për sa i përket periudhës maj-shtator 2024, numri i subjekteve “furra buke” të cilat faturohen sot janë rreth 1600, të ndarë sipas tre kategorive.

Në kategorinë “furra buke” janë 480 subjekte; në kategorinë “furra buke dhe pastiçeri”, janë 865 subjekte, ndërsa në kategorinë “furra buke, pastiçeri dhe bar kafe” janë 222 subjekte./ KultPlus.com

Trump dhe Harris në Karolinën e Veriut, në fundjavën e fundit të fushatës zgjedhore

Demokratja Kamala Harris dhe republikani Donald Trump do të jenë sot në Karolinën e Veriut në një përpjekje për të siguruar mbështetje në shtetin fushëbetejë, ndërsa amerikanët i ndajnë vetëm tre ditë nga zgjedhjet presidenciale.

Kjo do të jetë dita e katërt me radhë që Nënpresidentja Harris dhe ish-Presidenti Trump vizitojnë të njëjtin shtet, në të njëjtën ditë, duke nënvizuar rëndësinë kritike të shtatë shteteve fushëbetejë, që kanë të ngjarë të jenë përcaktues për fatin e zgjedhjeve. Sondazhet tregojnë se në këto shtete, mbështetja për ta është pothuajse e barabartë.

Më shumë se 70 milionë amerikanë kanë votuar tashmë, sipas Laboratorit Zgjedhor në Universitetin e Floridës, më pak sesa shifrat rekord të shënuara në votimin e hershëm në vitin 2020 gjatë pandemisë së COVID-19, por gjithsesi tregues i një niveli të lartë të entuziazmit mes votuesve.

E shtuna shënon ditën e fundit të votimit të hershëm në Karolinën e Veriut, ku deri tani janë hedhur mbi 3.8 milionë vota. Zgjedhjet po mbahen ndërsa pjesa perëndimore e shtetit vazhdon ende me përpjekjet për t’u rimëkëmbur pas përmbytjeve vdekjeprurëse të shkaktuara nga uragani Helene.

Zonja Harris planifikon të paraqitet krah yllit të muzikës rrok Jon Bon Jovi në Charlotte, qyteti më i madh i Karolinës së Veriut, që sikurse Xhorxhia ka 16 vota elektorale, dhe renditen në vendin e dytë për nga numri i tyre, mes 7 shteteve fushëbetejë. Që një kandidat të shpallet fitues i zgjedhjeve presidenciale duhet të që të sigurojë të paktën 270 vota elektorale nga 538 gjithësej.

Karolina e Veriut mbështeti zotin Trump në zgjedhjet e vitit 2020, por në të njëjtën ditë zgjodhi një guvernator demokrat, duke u dhënë shpresë të dyja palëve.

Ne kemi një mundësi në këto zgjedhje për të kthyer faqen e një dekade me Donald Trump-in, i cili ka shpenzuar gjithë kohën e tij duke u përpjekur që amerikanët t’i drejtojnë gishtin njëri-tjetrit”, tha zonja Harris në një tubim në Janesville të shtetit Uiskonsin, të premten.

Zoti Trump do të mbajë një takim elektoral në Gastonia, në perëndim të Charlotte në mesditë, përpara se të flasë në mbrëmje në arenën “First Horizon Coliseum”, me një kapacitet prej 22 mijë vendesh në qytetin Greensboro.

Këto zgjedhje janë një zgjedhje mes asaj nëse do të kemi edhe katër vite të tjera paaftësie dhe dështimi të rëndë, apo do të fillojmë katër vitet më të rëndësishme në historinë e vendit tonë”, tha zoti Trump para një turme njerëzish në Miçigan të premten. /REL/ KultPlus.com

Arkitekti Ricardo Santonja përmes fotografive sjellë Spanjën bashkëkohore në Tiranë

Një seri fotografish të realizuara nga arkitekti Ricardo Santonja rrëfejnë evolucionin e një Spanje bashkëkohore e cila në shekullin e XXI-të ka ditur të përshtatet me kohët e reja, duke krijuar infrastruktura themelore për komunikimin dhe funksionimin e një vendi.

Ndërtesa nga më të njohurat në Spanjë sa i përket arkitekturës së tyre, vijnë përmes fotografive në ekspozitën “Arkitektura emblematike në Spanjën Bashkëkohore”.

Fotografitë janë ekspozuar për publikun në galerinë FAB, duke shënuar hapjen e Javës Kulturore Spanjolle në Tiranë.

“Arkitektura i çon përpara vendet. Shihet dëshira e njerëzve për të përparuar nëpërmjet arkitekturës. Përmes këtyre arkitekturave do të shikoni se si Spanja kë kaluar përmes një tranzicioni dhe ka arritur përmes demokracisë një arkitekturë të vlerësuar në të gjithë botën.”, – u shpreh fotografi dhe studiuesi Santonja, raportojnë mediat.

Fotografia si një mjet për komunikimin e punës njerëzore dhe e trajtuar si një art plastik nga fotografi dhe studiuesi Ricardo Santonja, tregon një mënyrë të re të të kuptuarit të territorit spanjoll.

Ricardo Santonja është profesor në Shkollën e Lartë Teknike të Arkitekturës të Madridit – Upm, i Departamentit të Ideimit Grafik Arkitekturor, artist plastik dhe fotograf profesionist i specializuar në arkitekturë dhe inxhinieri./atsh/ KultPlus.com

Për Darkën e Lamës përgatitet flija 2-metërshe, po shikohet mundësia për të aplikuar në Guinness

Këtë të shtune në Has të Prizrenit po mbahet për herë të dytë Darka e Lamës, që nga banorët vendas njihet edhe si “Darka e bereqetit”.

Për këtë ditë të shënuar për ta, banorët e kanë përgatitur një fli me diametër prej dy metrave, e që është hera e parë me këtë madhësi.

Për ta bërë këtë fli, u deshën rreth 4 orë, e organizatori Haziz Hodaj, tha për Klan Kosovën se janë duke shikuar mundësitë për të aplikuar për Librin Guinness, për shkak të madhësisë së saj.

Për pjekjen e flisë është dashur që tepsia dhe saçi të bëhet ekstra, e në fund të organizimit, kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, e preu flinë dhe të pranishmit e patën mundësinë ta shijojnë atë.

Në këtë festë pati edhe pika artistike me këngë dhe valle./ Klan Kosova/ KultPlus.com

Natë çame

Poezi nga Bilal Xhaferi

Ndali çapin kopeja e ulqve
Në errësirën e thinjur me flokë bore.
Ndali çapin pranë staneve të heshtura
Kopeja e egër e pyjeve çame.
S’dëgjohen të lehura, s’dëgjohen blegërima,
Nuk duken më zjarret ku dremitin çobenët.
Vetëm deti rreh bregdetin me dallgë pa pushuar,
Vetëm hëna porsi dele e ndarë nga kopeja
Nëpër shtigjet e reve baret e vetmuar.
Ndali çapin kopeja e ulqve
Dhe përgjon e uritur në errësirën thinjoshe.

Ku ini ju çobenë me gunat e bardha?
Ku i kini delet që blegërinin kullotave?
Ku i kini qiprat, ku këmborët si këmbana?
Ku i kini qent e staneve që ulurinin si luanë?
Murrot, balot, gudot – armiqtë tanë të vjetër?
Ku janë që t’u tregojnë me çatallet e hekurt
Se si në shesh të luftës luftohet për jetën?

Hesht në errësirë Çamëria shkretëtirë,
vetëm dallga rreh parreshtur shkëmbenjtë kryeulur
Dhe jehona e saj e gjerë nëpër natën joniane
Përzihet me ulurimen e ulqve të uritur.

U botua në revistën “Krahu i shqiponjës”
nr.2, 1997 me pseudonimin Kiman Halil Çami/ KultPlus.com

Velijaj viziton kantierin e Teatrit të Ri: Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut

Puna për Teatrin e Ri po ecën me ritme të shpejta, teksa pritet që brenda vitit 2025 të përfundojë karabinaja e godinës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha, së bashku me një grup kritikësh, drejtorë teatrosh dhe gazetarësh nga vende të ndryshme të Europës, vizituan kantierin e Teatrit të Ri, si dhe njohën vizitorët me projektin dhe ecurinë e punimeve.

Kryebashkiaku Veliaj tha se Teatri i Ri do të jetë njësoj me teatrot e tjerë të Europës dhe do të mirëpresë artistët dhe publikun siç i ka hije. Ai shtoi se vendi ecën përpara vetëm duke parë nga e ardhmja.

“Është një kënaqësi e veçantë që pritëm një grup njerëzish që merren me teatër, që prodhojnë art dhe kulturë, nga dhjetëra teatrot e Europës, të cilët panë se si edhe në Tiranë arti dhe kultura prodhojnë ekonomi, njësoj siç ne shohim që kjo ndodh në Itali ose në Greqi. Ne duam të provojmë se edhe në Tiranë, të qenit Kryeqyteti Europian i Rinisë, pastaj Qyteti Europian i Sportit, por sidomos vitin tjetër kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, prodhon ekonomi për vendin. Jo vetëm ata që punojnë në industrinë teatrore, por edhe turistët, apo ata që vijnë si spektatorë, konsumojnë, qëndrojnë në hotele, prodhojnë energji ekonomike për qytetin. Ne duam ta kthejmë 2025 në një histori suksesi edhe për Teatrin e Ri, i cili të paktën vitin tjetër të mbarojë si ndërtesë. Duam që vitin kur Tirana të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut të shkëlqejë po njësoj si me titujt e tjerë. Fakti se në Tiranë do të vijnë të gjitha trupat e Mesdheut, na jep një mundësi që, bashkë me Ministrinë e Kulturës, Teatrin Kombëtar dhe Bashkinë e Tiranës, të tregojmë më të mirën tonë”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se Teatri i Ri po ndërtohet për 100 vitet e ardhshme. “Sa më shumë afrohemi drejt Bashkimit Europian, të asaj që është vizioni “Shqipëria 2030”, aq më shumë duhet të evropianizohet çdo hapësirë. Edhe pjesa e Teatrit të Ri, pavarësisht se gjithmonë do të ketë debate për ndryshime, ndryshimet gjithmonë provokojnë një diskutim publik. Në fund ne duhet të marrim vendime dhe duhet t’i kemi teatrot njësoj siç i ka Bashkimi Europian, me ajër të kondicionuar në verë dhe me ngrohje në dimër. Kjo do të thotë se po ndërtojmë një teatër për 100 vitet e ardhshme, jo për 100 vitet e shkuara. Vetëm duke parë nga e ardhmja, vetëm duke ecur përpara, mund të prodhojmë histori suksesi. Unë jam i privilegjuar që Bashkia e Tiranës ka mbështetur këtë super paraqitje të këtij bashkimi, të kësaj energjie të jashtëzakonshme kreative, të teatrove të Shqipërisë edhe të Kosovës. Më vjen mirë që kjo kornizë, kjo tablo, ka qenë sot përballë gjithë përfaqësuesve të teatrove europiane. Ka qenë edhe një mundësi e jashtëzakonshme për të treguar se ‘Po’, në këtë qytet ka debat, por në këtë qytet merren edhe vendime për të ecur përpara”, nënvizoi Veliaj.

Drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha tha se me Teatrin e Ri, Shqipëria po hyn në procesin e ndërkombëtarizimit të hapësirës teatrore. “Patëm mundësinë t’i prezantojmë kantierin e Teatrit të ri Kombëtar një grupi të madh me kritikë, gazetarë dhe drejtorë teatrosh nga e gjithë Europa, të cilët kanë ardhur këto ditë në Tiranë për të ndjekur ‘showcase’ e teatrit shqiptar dhe kosovar. Është një nga aktivitetet më të rëndësishme, ndoshta më unik, në historinë e teatrit shqiptar, që kaq shumë njerëz që merren me teatër të shohin, të vlerësojnë dhe të njohin  kulturën tonë, sigurisht me perspektivën se kjo vizitë do të kthehet dhe do të përkthehet në bashkëprodhime, në pjesëmarrje, në festivale. Shqipëria po hyn në procesin e ndërkombëtarizimit të hapësirës teatrore, me shpresën se në momentin kur Teatri i Ri do të jetë në funksion, e gjithë kjo do të përkthehet në një fluks të jashtëzakonshëm të cilësisë së teatrit”, u shpreh Basha./atsh/ KultPlus.com

‘Saranda-explore.al’: Platforma që zbulon vlerat kulturore, arkeologjike dhe natyrore të qytetit bregdetar

 “Saranda-explore.al” është platforma më e re interaktive që zbulon vlerat kulturore, arkeologjike dhe natyrore të Sarandës.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau sot në rrjete sociale linkun e kësaj platforme, që i vjen në ndihmë çdo vizitori me informacione dhe vendndodhje të destinacioneve atraktive në qytetin e Sarandës, krahas pasurive kulturore dhe arkelogjike që gjenden në këtë zonë.

“Një thesar mesdhetar për turistët që ofron një përzierje të historisë, kulturës dhe peizazheve të mrekullueshme”, u shpreh Denaj.

Ministrja bëri të ditur se ky projekt është financuar nga Bashkia Sarandë dhe ”Programi Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor 2 – ReLOaD2”, i Bashkimit Evropian (BE) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Saranda ndodhet në jug të Shqipërisë, buzë detit Jon dhe është lehtësisht e aksesueshme përmes rrugëve dhe transportit publik.

Gjurmët më të vjetra të zbuluara në zonën përreth qytetit, datojnë në periudhën antike, me prani të qytetërimeve të hershme dhe gjurmë të pasura historike.

Qyteti i bukur i Sarandës ka një klimë mesdhetare. Bregdeti i Sarandës, me ujërat e tij të kristalta dhe plazhet e mrekullueshme, tërheq turistë nga e gjithë bota. Vlerat e pasura të trashëgimisë kulturore, arkeologjike dhe natyrore të qytetit së bashku me pamjet piktoreske të detit Jon, përbëjnë një bazë të fuqishme për zhvillimin e turizmit./ atsh/ KultPlus.com

‘Dardan Fest’ çel siparin në Tiranë

Festivali i filmit me metrazh të shkurtër dhe dokumentar “Dardan Fest”, ngriti siparin edicionit të tretë mbrëmë te Piramida e Tiranës.

Në një kohë kur shoqëria është në një zhvillim të pandalur, “Dardan Fest” përzgjodhi që këtë vit projeksionet filmike të krijoheshin duke pasur në fokokus temën “Urbanizimi, zhvillimi dhe Qytetërimi”, për të reflektuar problemet dhe ndryshimet e njëpasnjëshme që pasojnë  jetën e përditshme.

Mbi 750 aplikime nga e gjithë bota, dhe vetëm 15 prodhime janë selektuar për t’ju shpalosur publikut gjatë 4 netëve të festivalit, ku një hapësirë dhe mbështetje u jepet studenteve që aspirojnë të jenë kineastët e ardhshëm. 

“Dardan Fest” do të mbahet deri më 3 Nëntor, ku do të përzgjidhen edhe tre produksionet filmike më të mira./tvklan/ KultPlus.com

Kurti në përvjetorin e rënies së Zhitisë e Fazliut: S’harrojmë kurrë nga vijmë, punën kryesore e bënë dëshmorët

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe te varret e heronjve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu në përvjetorin e 35-të të rënies heroike të tyre.

Kurti tha se saktësisht para 35 vjetëve, mbi gjashtë orë kanë zgjatur luftimet në lagjen “Bregu i Diellit” tek hyrja e tretë tek blloku i tretë, ku luftuan Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, derisa ranë heroikisht për çlirimin e Kosovës dhe për dëbimin e forcave okupatore serbe nga atdheu.

“Afrimi dhe Fahriu ishin udhëheqës të Lëvizjes Popullore asokohe dhe pikërisht me ta, udhëheqja e organizatës dhe udhëheqja e aktiviteteve bëhej nga brenda Kosovës e jo më prej jashtë sikurse deri atëherë. Viti 1989 ka qenë vit i demonstratave të fuqishme të shpeshta gjithandej Kosovës. Një ditë para se të bien heroikisht, kanë marrë pjesë në demonstratën e 1 nëntorit të vitit 1989, meqë masës demonstruese i është drejtuar Afrim Zhitia.

“Në Kosovë po fillonte aparteidi i Serbisë, pas okupimit klasik që e pasoi heqjen edhe të asaj autonomie që kishim, ndërkaq Evropa po çlirohej, pasi një javë më vonë do të shembej Muri i Berlinit. Kur Evropa po çlirohej nga diktatura dhe po bashkohej, në Kosovë po niste aparteidi”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.

Më tej, ai tha se në ato rrethana janë kalitur veprimtarët më të denjë, luftëtarët më të paepur dhe heronjtë e popullit të Kosovës, siç janë Afrim Zhitia e Fahri Fazliu.

“Ne nuk e harrojmë asnjëherë nga vijmë dhe nuk e harrojmë se pjesën më të madhe të punës dhe kryesore e kanë kryer dëshmorët e kombit. Ndërkaq, neve të tjerëve na ka ngelur një pjesë e rëndësishme e punës, por megjithatë, shumë më e vogël sesa e atyre dhe ajo çfarë duhet të bëjmë tash është që të japim maksimumin në rrugën që na kanë ndriçuar ata”,  tha Kurti.

Kryeministri Kurti në Zvicër: Serbia gjithmonë do të jetë rrezik për Kosovën dhe vendet fqinje që i pengojnë projektit të ‘botës serbe’

Kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit dyditor në Zvicër, ishte i ftuar për një adresim dhe diskutim nga Shoqëria zvicerane për Politikë të Jashtme, të shoqëruar me një bashkëbisedim me redaktorin për politikë të jashtme të NZZ, Andreas Ernst.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti trajtoi edhe raportet me Serbinë dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian, raporton Gazeta Express.

Ai foli për refuzimin e Serbisë për të nënshkruar Marrëveshjen e dakorduar Bazike dhe Aneksin e saj të zbatimit dhe nënvizoi shkeljet e vazhdueshme nga ana e Serbisë të cilat kulmuan me letrën e ish-kryeministres serbe Ana Bqrnabiq dërguar Bashkimit Europian në të cilën thuhet se Serbia nuk do të respektojë integritetin territorial të Kosovës, gjë që praktikisht nënkupton tërheqje nga Marrëveshja Bazike dhe parimet themelore të saj.

Kurti për Serbinë tha se “përderisa elita e saj autoritare vazhdon të propagandojë dezinformata, të mobilizojë trupa përgjatë kufirit tonë dhe të refuzojë të ndjekë penalisht terroristët që vranë rreshterin tonë të policisë një vit më parë në Banjskë të Zveçanit”.

“Serbia gjithmonë do të përbëjë një rrezik të madh për sigurinë jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera fqinje që i pengojnë projektit të “Serbisë së Madhe”, që tani e quajnë “bota serbe”, përkatësisht Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina po ngacmohen përveç Kosovës”.

Kurti atje tha se Moska do të jetë e para që do t’i bashkohet këtij “kori përçarjeje dhe shkatërrimi”.

“Rusia por edhe Kina kanë zgjeruar ndikimin e tyre në rajon, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht. Rusia përdor lidhjet historike dhe kulturore për të ushtruar fuqinë e saj, duke i bërë thirrje shpirtërores së thellë të popullit serb, i cili është i lidhur ngushtë me Kishën Ortodokse Ruse, ndërsa Kina përdor investime dhe kredi për të forcuar ndikimin e saj. Këto ndikime destabilizojnë rajonin dhe krijojnë një pengesë të fortë kundër përparimit demokratik”.

Ai tha se për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor është thelbësore të mbesin të ankoruar në bashkësinë europiane të vlerave.

“Ky angazhim nuk ka të bëjë vetëm me rritjen ekonomike – ka të bëjë me ruajtjen e demokracisë dhe lirisë. Ne parashikojmë që Ballkani Perëndimor të rritet si një pjesë e qëndrueshme, sovrane dhe plotësisht e integruar e Europës – jo si një tabelë shahu gjeopolitike për fuqitë e jashtme. Ballkani Perëndimor në Europë. Me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE, është Bashkimi Europian ai që bëhet Europë”.

Tefta Tashko Koço, këngëtarja e mrekullueshme me një vokal të jashtëzakonshëm

Një grua, sa e këndshme aq dhe unike në zërin e saj. E mrekullueshme dhe me një vokal të jashtëzakonshëm. Me një personalitet të mbrujtur në kulturë të gjerë, hyri në vetëdijen shqiptare të atyre viteve të pështjellimta si një shkrepëtimë drite. Tefta Tashko Koço kishte kaq shumë të jepte këngës shqiptare. Ajo i dha këtij visari të çmuar jo vetëm zërin dhe përkushtimin plot pasion, por edhe shpirtin, atë shpirt që e thërriste në këtë gjëmim atdhetarie, në këtë mëvetësim të vlerave dhe manifestim pasuror, që erdhi si një balsam për plagën e mjerimit që solli koha. Ishin ato vite të vështira, të cilëve ajo u dha, prej shpirtit, prej hireve dhe bukurisë së saj, çfarë  kishte më të shtrenjtë.

Tefta Tashko Koço u lind më 2 nëntor 1910 dhe vdiq më 30 dhjetor 1947. Spikati si këngëtare e shquar lirike. Përvoja dhe talentiishin një garanci për vlerat ku ajo ngriti interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare.

Tefta Tashko Koço 16. 12. 1936 (Kel Marubi)

Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit. Në vitin 1930, Tefta bën inçizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote Neço Mukon. Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali. Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”, Të dua, moj goc’ e vogël”, Bilbil çapkëni”, Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”,”As aman, moj lule” etj. Sipas Hysen Files: Tefta diti të nxirrte nga kënga popullore ndjenjën e thellë që populli kishte shkrirë në të. Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muziktarëvë të shuar popullore të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence, Itali më 30 Maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali etj. Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta do të bashkangjisnim edhe këngët popullore të përpunura nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Krahas Teftës, do të përmendim edhe dy këngëtare të tjera të shquara në interpretimin e këngës popullore qytetare: Jorgjia Filçe Truja dhe Maria Paluca (Kraja). Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit. Në vitin e fundit të jetës ka qënë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37-vjeçare. Ajo ndëron jetë në moshën e re 37-vjeçare pa pasur mundësi të zhvillojë karrierën e saj të plotë artistike. Motos ‘’Vdes dhe nuk dorëzohem’’ ajo i qëndroi besnike deri në  fund të jetës dhe nuk u dorëzua për emancipimin e Shqipërisë.

Nji fotografi e Gjergji Cancos, 21 shkurt 1938, kuadraton në të njajtën hapësinë emna të tillë si Ernest Koliqi, Asdreni, L. Poradeci, Tefta Tashko Koço, Lola Aleksi-Gjoka (pianiste), Mikel Koliqi apo Koço Tashko. Para Kafes së Madh

Ajo mori titullin “Artiste e Popullit”. Më 2 mars 2004 Këshilli  i Bashkisë së Përmetit i dha titullin “Qytetare Nderi e Përmetit”. Busti i saj ngrihet sot në qendër të qytetit të Përmetit. Për të është bërë dhe një monografi nga Pandi Bello.

Tefta Tashko Koço la një familje të madhe. Një emër i madh nga një femër e madhe dhe shpirt i pasur artistikisht që quhet me plot gojën Divë.

***

Këngët popullore të Tefta Tashkos, regjistruar pranë “Columbias”-Itali, 1942: “Un’o ty moj të kam dashur”; “Kjo dashtnija kjoft mallkue”; “Kenke nur’ i bukurisë”; “Për një ditë, kur del goca në pazar”; “Këndon Kumrija”; “Metelikun ta kam falë”; “Ma ven dorën përmbi dorë”; “Dallandyshe vaj, vaj”; “Qante lulja lulen”; “Moj fëllanxë”; “Sa me shpejt ma vunë, moj, kambën”; “Dy gisht përmni vetull”; “Moj hyrije, bukurie”; “ Shamija e beqarit”; “Iku nata”; “Del një vashë prej hamamit”; “Zare trëndafile”; “Të dua, moj goc, e vogël”; “As aman, moj lule”; “Kroi i fshatit tonë”; “O moj sylarushe”; “Dolla në penxhere”; “Bilbil çapkëni”; “As u gremis moj lejthate”; “Dashtnuer tu bana”; “Ani, moj Hatixhe”; “Seç këndon bilbili malite”; “Shkapërceva dy-tri male”; “Edhe ky bilbili çka qënke një zog”; “Kam shtëpinë e vogël”; “I kam hypë vaporit”; “Fry, moj er’ e malit”; “O na atë fushë t’mejdanit”; “Edhe gurët e sokakut”.

Referime

Krantja Mustafa, “Artistja e Popullit Tefta Tashko Koço”, gaz. “Drita”, 1961, 31 dhjetor; Naçe P, “Tefta Tashko Koço”, “Ylli”, 1963, nr. 12; Kono Kristo, “Me dashurinë për atdheun dhe këngët e popullit”, gaz. “Drita”, 1976, 25 korrik; Mio Sokrat, “Bilbili i këngës shqiptare”, gaz. Përpara, 1977, 21 dhejtor; Filja Hysen, “Tefta Tashko Koço”, Tiranë 1980; Frashëri Thoma, “Interpretuese e shquar e këngës popullore”, gaz. Drita, 1982, 26 dhjetor; Koço Eno, “Tefta Tashko Koço dhe koha e saj”, Tiranë 2000; Zaja Sami C, “Heti njeri i urtë i Shkodrës” Shkodër 2000 etj. /Albert Vataj /KultPlus.com

Vdekja e të paqenës

Lulzim Tafa

Gjërat që kurrë nuk kanë ekzistuar
Papritmas nisin
Të zhduken

Dhimbjet
Të ndjejnë vetë dhimbje

Ikën të gjitha mungesat
Ka filluar të digjet shkrumbi
Të vdesin varret

Një i verbër më në fund
Shikon errësirën

Të gjithë të ngrirët u shndërruan në gurë
Andrra tani e sheh në andërr
Veten

O Zot
Po si më rrëshqiti kështu nga duart
Vetja
Një gjë s’e kam kuptuar kurrë
Qysh mundet me e marrë ujin
Etja./ KultPlus.com

De Andrade: Ti e bart botën në supet e tua

Carlos Drummond de Andrade (1902 – 1987), prozator dhe poet brazilian. De Andrade është shndërruar tashmë në simbol të kulturës braziliane; poezia e tij që ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm, “Canção Amiga”, është përdorur në kartmonedhën 50 kruzado.

TI E BART BOTËN NË SUPET E TUA

Nga Carlos Drummond de Andrade

Vjen një kohë kur thua: O Zoti im.
Një kohë e pastrimit absolut.
Një kohë kur resht së thëni: dashuria ime.
Ngase dashuria u dëshmua të jetë e padobishme.
Dhe sytë e tu nuk lotojnë.
Dhe duart e tua valëvitin veç fjalë të vrazhda.
Dhe zemra jote është e fishkur.
Gratë trokasin në derën tënde së koti, nuk do ta hapësh.
Je krejt i vetmuar, drita është e fikur,
por në errësirë sytë e tu shkëlqejnë pafundësisht.
S’do mend se ti je vetvetja, nuk mund të vuash më.
Dhe nuk pret asgjë prej miqve të tu.
Atëherë çka nëse po plakesh? Çka është mosha e shtyrë?
Ti e bart botën në supet e tua,
dhe nuk peshon më shumë se një dorë fëmije.
Luftërat, zitë e bukës, zënkat brenda ndërtesave
dëshmojnë vetëm atë se jeta vazhdon,
dhe shumë njerëzve u duhet ende ta çlirojnë vetveten.
Disave (prekatarëve) u duket ky spektakël
barbar dhe më parë do të donin të vdisnin.
Ka ardhur një kohë kur të vdesësh nuk i hyn në punë asnjë qëllimi.
Ka ardhur një kohë kur jeta është urdhër.
Jeta; thjesht jeta, pa mistifikime.

***

Sido që të jetë, është vetëm jetë

«Vjen një kohë» kur njeriu, pasi që ka grumbulluar vitet, përvojen, dijen, përfundon në atë që do të përkufizohet si «pastrim absolut». Për poetin, ky nuk është një nocion religjioz, megjithëse një pjesë e mirë e pakënaqësive që ia ka shtruar jeta gjatë rrugës së tij, ndaj të cilave do të shprehet në vijim, mund të jenë të njohura edhe për, nëse do të mund të vlente ky krahasim-barasvlerë – edhe për klerikun; të cilit, megjithatë, i ofrohen paralajmërimet e tilla, për dallim nga poeti që do t’i zbulojë në proces. Në të vërtetë, duhet të këmbëgulim ta themi këtë si një të vërtetë pothuajse të vetëkuptueshme, poeti nuk është besimtar. Klithja e tij «O Zoti im» është klithja e refuzuesit, dëbuesit, i tillë çfarë ka qenë gjithmonë. Madje, e në këtë rast do të kishte më shumë druajtje te lezuesit për ta marrë për të mirëqenë, edhe dashuria «është dëshmuar të jetë e padobushme». Andaj regjistri i diskursit do të tkurret në atë që duket si një thatësi, vyshkje, por në fakt është grumbullim i dijes, mprehje e stilit, zhvoshkje: «fjalë të vrazhda»; thjeshtësia e të shkruarit, folurit, kënduarit që është lakmuar përherë, që përherë është sugjeruar.

Mosha të ka rënduar mbi supe, duke të të kërrusur si pemën e brishtë të mbuluar nga bora, por e vërteta e vërtetë është se ti «po e bart botën mbi supet e tua». Por, njohja supreme është ajo mbase më therësja: «Luftërat, zitë e bukës, zënkat brenda ndërtesave/ dëshmojnë vetëm atë se jeta vazhdon,/ dhe shumë njerëzve u duhet ende ta çlirojnë vetveten./ Disave (prekatarëve) u duket ky spektakël/ barbar dhe më parë do të donin të vdisnin./ Ka ardhur një kohë kur të vdesësh nuk i hyn në punë asnjë qëllimi./ Ka ardhur një kohë kur jeta është urdhër./ Jeta; thjesht jeta, pa mistifikime».

/Marrë nga Carlos Drummond de Andrade, “Multitudinous Heart”, Penguin, 2015/Gazeta Express/ KultPlus.com

Ben Blushi me ‘Komplotin’ fiton çmimin ‘Sami Frashëri’ në Belsh

Në Art Galeri në Seferan të Bashkisë Belsh, Shqipëri, u zhvillua këtë prag fundjave një nga aktivitetet më të rëndësishme në kuadër të “Muajit të Letërsisë” i cili ishte edhe edicioni i parë i ndarjes së çmimit “Sami Frashëri” për shkrimtarë, studiues e botues për vitin 2024 .

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm akademikë, figura të rëndësishme të Letërsisë dhe Artit si edhe të rinj e të reja të apasionuar pas Letërsisë e Artit. Në fund të aktivitetit u ndanë edhe çmimet “Sami Frashëri”.

Juria e edicionit të parë të çmimit “Sami Frashëri” e përbërë nga Namik Dokle, ish-kryetar Parlamenti dhe shkrimtar, Behar Gjoku, studiues, Gëzim Hoxha, arkeolog, Viola Isufaj, profesoreshë e Letërsisë Bashkëkohore në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Dega Gjuhë-Letërsi, Universiteti i Tiranës dhe Naim Gjoshi, kompozitor, shpallën fituesit e këtij edicioni.

Çmimi “Sami Frashëri” në letërsi iu dha shkrimtarit Ben Blushi për romanin “Komploti”.

Çmimi “Sami Frashëri” në Publicistikë iu dha botuesit Bujar Hudhri për gazetën EXLIBRIS dhe Çmimi “Sami Frashëri” në “Studime Albanologjike” iu dha studiuesit Mariglen Kasmi për librin “Wilhelm Zu dhe Shqipëria”.

Nga ana e tij, Namik Dokle, kryetar i Jurisë së ndarjes së Çmimit “Sami Frashëri”, u shpreh se kjo ditë është një ditë emocionuese jo vetëm për shkrimtarët, studiuesit dhe botuesit por edhe për Belshin dhe zonën e Dumresë ku fillon rrugëtimi i një eventi kaq të rëndësishëm.

“Edicioni i parë i ndarjes së këtij çmimi me emrin e rilindasit të shquar nis në Belsh dhe do kthehet në një traditë të përvitshme të këtij qyteti qytet të vogël por me emër të madh. Belshi është më i bukur se bukuroshja e Belshit. Sot promovojmë një Çmim me shumë vlera me emrin e Sami Frashërit, këtij dijetari, shkrimtari, publicisti, enciklopedisti, i cili ka një nga veprat më të famshme ‘Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e çdo të bëhet’”.

“Si udhëheqës ideologjik, demokrat, mendje e ndritur prej dijetari, ai mbetet një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes. Ai dha kontribut në çdo fushë dhe pena e tij shkëlqeu kudo. Ai ëndërronte që Belshi të ishte kryeqyteti i Shqipërisë dhe Belshi e ka vendosur bustin e tij në pedonalen e këtij qyteti duke i shprehur mirënjohjen e përjetshme për vlerësimin që i pati bërë. Në nderim të veprës së këtij rilindasi të shquar, këshilli bashkiak i bashkisë Belsh vendosi këtë vjeshtë krijimin e Çmimit vjetor me emrin e rilindasit të madh, aktivitet mjaft i rëndësishëm letrar ky që do të kthehet në të ardhmen në një event të përmasave të kombëtare”, ka thënë Dokle.

Ben Blushi, fitues i çmimit “Sami Frashëri” në letërsi me librin “Komploti” duke përshëndetur të pranishmit shprehu falënderimet e tij për jurinë dhe për lexuesit shqiptarë që kanë zgjedhur më së shumti këtë libër.

“Si të gjithë ata që vijnë në Belsh edhe unë, mendoj se Belshi është një mrekulli natyrore dhe Sami Frashëri ka patur të drejtë kur propozonte që Belshi të zgjidhej për kryeqytet dhe Belshi do kishte qenë kryeqyteti ideal i Shqipërisë. Faleminderit për çmimin për librin ‘Komploti’ që është lexuar nga mjaft lexues këto kohë kur leximi nuk është më aq i preferuar”.

“Ne si shkrimtarë jemi të detyruar të përshtatemi dhe brezi i ri të kuptojë sesi do jetë Shqipëria pas 20, 30, 40 vitesh. Ne duam që Belshi dhe Shqipëria të mos shpopullohet sepse kemi një vend të mrekullueshëm. Edhe njëherë dua të vlerësoj themeluesit e këtij çmimit ‘Sami Frashëri’ i cili promovon jo vetëm shkrimtarët, studiuesit e botuesit, por promovon edhe Belshin si një destinacion turistik mjaft i rëndësishëm i Shqipërisë”, ka thënë Blushi.

Botuesi Bujar Hudhri u shpreh se për të ishte nder i madh marrja e çmimit prestigjioz “Sami Frashëri”.

“Jam i lumtur”, u shpreh Hudhri para të pranishmëve, “që e marr një çmim me kaq vlera në një ‘kryeqytet’ që ishte ëndërr e rilindësve”.

“Ky është një çmim i papritur për mua dhe uroj që të kenë fatin ta marrin shkrimtarët ,studiuesit dhe botuesit më të mirë shqiptarë të së ardhmes”, tha ai.

Studiuesi Mariglen Kasmi i cili gjithashtu u vlerësua me çmimin “Sami Frashëri” gjatë ceremonisë së ndarjes së këtij çmimi, u shpreh i surprizuar për vlerësimin që i është bërë veprës së tij “Studime Albanologjike” të titulluar “Wilhelm Zu dhe Shqipëria”.

“Më vjen mirë që puna ime dhe ky studim u vlerësua dhe besoj se studime të tjera cilësore do të sjellim unë dhe të gjithë kolegët për lexuesit në të ardhmen”, u shpreh ai. /BW/ KultPlus.com

89 vite nga lindja e shkrimtarit Bilal Xhaferri

89 vite më parë, më 2 nëntor 1935 lindi shkrimtari Bilal Xhaferi. Ai lindi në fshatin Ninat afër Konispolit. Në vitin 1967 botoi vëllimi me poezi “Lirishta e kuqe”, por nuk u vu kurrë në qarkullim.

Po atë vit konkurroi me romanin “Krastakraus” në konkursin letrar të mbajtur me rastin e 500 vjetorit të lindjes së Skënderbeut, por nuk fitoi. Ky roman u botua në vitin 1993.

Më 30 gusht 1969 u arratis nga Shqipëria për në Greqi. Në vitin 1970 shkoi në SHBA, në Boston, ku deri më 1972 punoi në gazetën “Dielli”. Më 1974 u vendos në Çikago ku themeloi revistën “Krahu i shqiponjës”, botim i Lidhjes Çame të cilën e drejtoi, botoi dhe redaktoi për 39 numra në dy gjuhë, shqip e anglisht. Vdiq në Çikago më 22 gusht të vitit 1986.

Më 6 maj 1996 shkrimtari Shefki Hysa, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare nisi dhe organizoi ceremonialin e rikthimit në atdhe të eshtrave të poetit, prozatorit dhe publicistit të shquar disident Bilal Xhaferri që tanimë prehet në vendlindje, në Sarandë.

Më 2014 shtëpia e tij në Ninat të Sarandës u bë Shtëpi Muze,dhe më 2 nëntor u inaugurua busti pranë shtëpisë.

Në vitet 1962-1963 botoi poezitë dhe tregimet e para në gazetat “Zëri i Rinisë”, “Drita”, në revistat “Nëntori”, “Ylli”, etj.Më 1963 debutoi me romanin Rrugë dhe fate,ndërsa 1966 botoi një vëllim me tregime Njerëz të rinj, tokë e lashtë, Tiranë 1966, vepër me mendim e me nivel artistik, por ndoshta tepër realiste për kohën.

Në të përkohshmen “Krahu i Shqiponjës” botoi shumë artikuj publicistikë, poezi, tregime, romane, skeçe, vizatime, karikatura, foto artistike, etj. Aty botoi fragmente të romanit “Trotuare të kundërta” dhe “Hëna e kantjereve”. Në vitin 2017 u botua libri i shkruar nga e motra, Antike Hoxha, “As vdekja nuk e shoi dot urrejtjen”, që i kushtohet të vëllait./ KultPlus.com

Tropojë: 166 000 turistë gjatë 9 muajve, vizitorë nga e gjithë bota

Turizmi malor dhe atraksionet e veriut të Shqipërisë, vazhdojnë të mbeten një “pasaportë” atraksioni për vendasit dhe të huajt që vazhdojnë ta vizitojnë këtë zonë në çdo periudhë të vitit.

Aranit Imeraj, përfaqësuesi për mediet në bashkinë e Tropojës, i kontaktuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, pasqyroi të dhënat dhe shifrave për periudhën 9-mujore, janar-shtator 2024.

“Si rezultat i promovimit nga bashkia Tropojë, viti 2024 ka rezultuar i suksesshëm duke pasur një bum vizitorësh vendas dhe turistësh të huaj. Nisur nga këto shifra për periudhën 9-mujore janar-shtator 2024 në bashkinë Tropojë kanë hyrë 75,426 shtetas shqiptarë; 24,389 automjete; 49,147 shtetas kosovarë me 15,651 automjete; 41,660 shtetas të huaj me 10,592 automjete; gjithsej 166,233 vizitorë me 50,632 automjete”, tha Imeraj.

Sipas përqafuesit të kësaj bashkie, Tropoja vazhdon të mbetet një nga vendet më magjepsëse të natyrës dhe relievit shqiptar.

“Pozita gjeografike, klima, pasuritë e trashëgimisë kulturore, zonat e gjuetisë, fshatrat karakteristikë si dhe mikpritja tradicionale e banorëve të kësaj treve, ofrojnë turizëm malor cilësor. Vit pas viti interesi për zona të caktuara ka ardhur duke u rritur, ku përveç Parkut Kombëtar të Valbonës ka pasur interes edhe për zonën e lumit të Gashit, Currajn e Epërm dhe bjeshkët tona të mrekullueshme”, tha Imeraj.

Tropoja vitet e fundit po vizitohet nga mijëra turistë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit. Lugina e Valbonës, pjesë e Parkut Kombëtar Alpet e Shqipërisë, mbetet një prej destinacioneve më të preferuara nga turistët dhe të pasionuarit pas alpinizmit.

Kryeministri Rama, gjatë takimit me shqiptarët në Amerikë pak ditë më parë u shpreh se miniera më e çmuar e turizmit për Shqipërinë mbetet veriu i vendit, ndërsa siguroi se do të vijojnë investimet për ndërtimin e akseve rrugore. Kryeministri tha se Tropoja sot është bërë pjesë e hartës së destinacioneve turistike.

“Kur unë shkoja në Tropojë dhe thosha këtu turizmi do të jetë pika e kthesës më shikonin si komunist i pandreqshëm. Ja që Tropoja sot është bërë pjesë e hartës së destinacioneve turistike. Ne bëmë një sërë ndërhyrjesh dhe do të vazhdojmë të bëjmë një sërë ndërhyrjesh në atë zonë, ku kanë filluar edhe shumë investime private, sidomos në luginën e Valbonës deri lart në Lekbibaj, ku ka investime private”, tha Rama.

Sa i përket investimeve, tha Rama, “brenda pak javësh besoj ne do të publikojmë një program të ri për të gjitha zonat malore, pikërisht për emigrantët që vijnë nga ato zona, një program që quhet “Paketa e Maleve” dhe që do t’i japë të gjithë atyre që janë në emigracion dhe duan të investojnë kursimet e tyre në vendlindje për agroturizëm, për agropërpunim, për çfarëdo qoftë, një mundësi të re me shumë avantazhe të natyrës së taksave, të natyrës së detyrimeve dhe me mbështetje të drejtpërdrejtë nga qeveria”.

“Kështu që, ajo që unë i them të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Amerikë ose në Evropë, që kanë punën e tyre këtu, që kanë familjen e tyre këtu, që kanë vendosur të rrijnë këtu, nuk është kthehuni përgjithmonë, por është: Po të investoni kursimet tuaja në Shqipëri tek shtëpia e gjyshit, për ta kthyer atë në një agroturizëm, apo për të bërë agropërpunim, në fund të muajit do të fitoni më shumë nga shtëpia e gjyshit sesa nga ai që ju jep punë këtu dhe që ju paguan me një rrogë. Kështu flasin shifrat e të gjithë atyre që kanë filluar ta bëjnë këtë gjë”, tha Rama./atsh/ KultPlus.com

Gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël sa e gjerë…

Naim Frashëri

O vëllezër shqiptarë
Gëzohi! që erth kjo ditë,
Kaq’ e mir’ e kaq’ e mbarë
Që sjell gjithë mirësitë.

Hapu, hapu errësirë,
Pa jakë tëhu o dritë!
Se arriti koh’ e mirë,
U gdhi nata u bë ditë

Lumja ti moj Korç’ o lule!
Q’i le pas shoqet e tua
Si trimi në ball u sule,
Ta paçim për jetë hua

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël sa e gjerë
Sa e lehtë sa e lirë!
Sa e bukur sa e vlerë!