Në vend të përkujtimit për maestron Muharrem Sylejmani

Nga Isak N. Bilalli

Muharrem Sylejmani (1954-2021)

Aspak e lehtë, të shkruash dhe të shpalosësh krijimtarinë e bohemit të heshtur Muharrem Sylejmani, një nga mjeshtërit e mëdhenj të fjalës në skenë, si aktor e regjisor i dalluar për mprehtësi dhe elokuencë i cili prodhoi art cilësor deri në grahmën e fundit. Përkalimi i tij në amshueshmëri, vazhdon të përçojë nostalgji tek të gjithë ata që e kanë njohur, por boshllëku më së shumti ndjehet në Teatrin e Qytetit që frymon me mungesën e liderit të tij, respektivisht pa mjeshtrin e madh të skenës.

Skenës vërtetë i mungon Muharrem Sylejmani

Për zbrazëtinë që ka krijuar i ndjeri, të gjithë pa përjashtim sikur ndalen dhe marrin frymë thellë apo kërkojnë fillin për të vërtetuar që Muharremi apo Muja, siç e kanë thirrur shumica e anëtarëve te shtëpisë/teatrit, ishte i përmasave jo të zakonta dhe sikur ndjehet që pa të gjerat janë më të vështira, fakt i pranuar katërçipërisht. Fakt tjetër është që komuniteti artistik shprehet borxhli ndaj krijimtarisë së tij, jo vetëm tani por edhe sa ishte gjallë, që nuk ia bëri sajginë mjaftueshëm maestros së skenës, i cili nga dita e parë që shkeli dërrasat e teatrit, dhuroi edukatë, kulture, e art të mirëfilltë. Muja, ishte kërkues pasionant, vrojtues i heshtur dhe njeri shumë fisnik, që vazhdimisht ka reflektuar qytetari dhe vlera të larta njerëzore dhe këto virtyte i gërshetonte me punë të vazhdueshme pa bërë zhurmë, duke qenë i prirur të mbetej gjithmonë modest deri ne skajshmëri.

“Modestia është virtyti më i lartë njerëzor që kultivohet dhe jetësohet më së miri përmes artit”, ishte një farë mënyre postulat i tij që e kam shkoqitur nga bisedat e gjata që kam pasur me të ndjerin në përpjekje për ta kuptuar më mirë frymëzimin e tij si artist, krijues, mësuese mik, nga e cila shprehje bazuar në njohjen personale dhe lojën në skenë, po mundohem ta shtjelloj dimensionin e trashëgimisë që ka lënë pas ky  mjeshtër i madh i skenës. Muharrem Sylejmani ishte një artist me shpirt të madh, njësoj siç është dhe krijimtaria e tij.

Çfarë e ka bërë të ndjerin të ishte artist i kalibrit të lartë?

Serioziteti, pasioni dhe pedanteria në punë, kanë qenë binarët mbi bazën e së cilës i ndjeri ka krenuar  rolet e tija, veçori që e kanë bërë atë të jetë  ndryshe nga të tjerët por më e rëndësishmja është se personazheve të tij, ai i ka dhënë shpirt, i ka bërë t’iu rrah zemra fort. Falë dhuntive të tija ai ka komunikuar me publikun jo vetëm me fjalë, por me tërë qenien e tij, madje kur ka qenë nevoja ka folur vetëm me shikime. Ka qenë zotësia e tij për të lexuar saktë, drejtë dhe shpejt, përgjegjësitë e tija skenike ndaj dhe në vartësi të kornizës regjisoriale, ai ka ditur të punojë rolet në konformitet me rrethanat, sa me daltë e çekiç por aq dhe me mellë në latimin sa më ideal të tyre.

Kur jemi të mënyra se si i punonte rolet, duhet theksuar se ai ishte nga të rrallët që shquhej për mprehtësinë intelektuale dhe zgjuarsinë e veçantë për t’u thelluar në ndërtimin e tyre duke spikatur dritëhije jo të zakonshme që kanë reflektuar përmes detajeve dhe finesave të cilat publiku e kritika gjithmonë e kanë vlerësuar me nota superlative. Artdashësit dhe kritikët e kanë cilësuar atë, si aktori më i mirë që ka arritur t’i paraqes publikut brendinë e karaktereve, respektivisht ka shpalosur shpirtin e vërtetë të personazheve që ka luajtur dhe këtë ia ka mundësuar në radhë të parë dashuria e madhe për skenën dhe zotësia e tij për t’i servirur publikut realitetin dhe mesazhin pa filtra.

Aktrimi i tij ka qenë vlerësuar si më i natyrshmi që shpeshherë publiku ka harruar se është në sallë por është ndjerë sikur ndodhet në ambientet e “botës reale” të personazhit. Kjo ka qenë mjeshtëria e jashtëzakonshme që i ndjeri e ka poseduar dhe për këtë zotësi konfirmojnë edhe kolegët, te cilët pohojnë se gjatë lojës, me raste janë zënë gafil në reagim sepse ai ka qenë jashtëzakonisht bindës dhe real në skenë, duke i tërhequr aktorët dhe publikun plotësisht në përjetimin e ngjarjes skenike.

Një nga kolegët, tash në moshë të shtyrë, dëfton që në një nga rolet- roli i të burgosurit, Muharremi kishte arritur të fuste frikën në palcë kolegëve, të cilët gjatë shfaqjes kishin fituar përshtypjen se ai vërtetë kishte lajthitur mendërisht sa që në një moment ishin tunduar ta ndërprisnin shfaqjen për të “shpëtuar” respektivisht për ta qetësuar aktorin (të ndjerin). Bashkëaktorët e përshkruajnë njëzëri si një amortizues një skenë që ka ditur t’i ofrojë partnerit ndjesinë e stabilitetit sepse në çdo situatë, ai ka ditur jo vetëm të gjej aty për aty zgjidhje por, dhe ka arritur të mbulojë çfarëdo lloj krize pasigurie që mund ta kenë kapluar dikë nga ekipi. I ndjeri, jo vetëm që ka ditur të vallëzojë më së miri, por ka udhëhequr vallen që në momentin kur i ka shkelur këmba në skenë duke e ngritur dhe ringritur shfaqjen në nivele të kënaqshme dhe gjithçka ka realizuar pa kuptuar publiku rrezikun apo ekzistencën e rënies së nivelit të shfaqjes. Muharremi ka ditur, jo vetëm të mbajë ritmin e shfaqjes në nivelet e dëshiruara por ka pasur aftësinë të rris intensitetin sikur të ishte kuzhinier që dinte të bënte gjellën me kripe e të hidhte kripen me kararin e duhur.

Këto lloj tipare të veçanta dëshmojnë dimensionin e madhështisë së të ndjerit por që nuk mund të përshkruhen detajisht në një shkrim si ky, por janë pikërisht këto elemente që kanë bindur ustallarët e skenës të preferonin të ndjerin, gjithnjë për role kyçe sepse ai ka ditur t’i dhurojë natyrshmërinë çdo lloj roli, të cilat i ka realizuar me përkushtim dhe dedikim maksimal.

Frymëzues për kastën e artdashësve të rinj

Ai asnjëherë nuk ka pasur qasje vetjake lidhur me dashurinë që kishte për skenën sepse ai dëshironte në çfarë do rrethane ta ndante pasionin e tij me të tjerët, sidomos me aktorët e rinj që vinin në teatër. Axha Muharrem, siç e thërrisnin të rinjtë, ka pasur nuhatje të shkëlqyer në identifikimin e talenteve të rinj dhe në njëfarë forme ka bërë babain për të gjithë sepse ai ka ditur të shtrije fije afruese me të gjithë që kanë shfaqur shkëndija alkimie të vërteta me Teatrin. Duke qenë i tille, Muharremi mbetet miku i përjetshëm i të gjithë aktoreve që erdhën në teatër të qytetit dhe sot janë pjesë e komunitetit artistik të Kosovës.

Ai nuk ka ditur kurrë të miklojë, respektivisht nuk ka bërë lajka me askënd, por duke qenë selektiv dhe nuhatës i vlerave tek ata që vërtetë kanë shfaqur dëshirë të theksuar për t’i kontribuar skenës, ai pa hezitim iu është vënë në ndihmë dhe ka asistuar pa kushte. Kjo lloj marrëdhënie e ndërtuar ka qenë e ndërsjellë sepse të gjithë i janë gëzuar kësaj marrëdhënie të shëndoshë ta quaj “brenda familjare” që është iniciuar dhe ushqyer në vazhdimësi nga i ndjeri, prandaj ka qenë i dashur për të gjithë dhe me të gjithë.

Muharremi ka qenë urtak, natyrë e qetë, i heshtur, por substanca e tij ka qenë shpërthyese, brendi e cila ka patur vullkane e shkëmbinj të fortë dhe të palëkundur, ndaj dhe këto atribute janë dalluar vetëm nga ata që kanë ditur ta ngacmojnë dhe ta lexojnë drejt shpirtin e tij kërkues. Ai, në të vërtetë ka qenë një karakter tejet i fortë sa i përket parimeve dhe objektivave që ka parapërcaktuar por në të njëjtën kohë ka patur durim të jashtëzakonshëm për të arritur tek destinacioni i synuar. Duke qenë i tillë, ai nuk ka mëtuar te arrij çmimet prestigjioze, vlerat monetare apo promovimin i tij individual, por ka synuar vetëm ngritjen e vetëdijes kulturore dhe njohjen e vetvetes përmes artit. Kjo fisnikëri dhe zgjuarësi ka bërë qe ai të kishte dhuntinë të ishte lexues i shpejtë i situatave dhe rrethanave dhe këtë e reflektonte në punën e tij ditore në prova në skenë dhe kudo ku ka krijuar. Ai me çdo kusht është munduar që këto vlera t’i bashkëndajë me këdo që dashuronte teatrin, skenën dhe artin në përgjithësi. Mjeshtëria dhe shkathtësia në interpretimin skenik tek i ndjeri kanë qenë atribute të pamohueshme por duhet të vihet në spikame fakti që ai aq sa ka qenë i njohur si realizuesi brilant i roleve të mëdha aq suksesshëm njihet për lojën skenike në role të vogla dhe ka ditur të lundrojë të gjitha zhanret artistike. Kritika e ka vlerësuar ndër vitesh si mjeshtër i pa-zavendësuar i komedisë por me të drejtë e ka cilësuar si aktori me eminent i tragjedive.

Muharrem Sylejmani ka qenë në gjendje që në vartësi të shfaqjeve në repertoar, në komedi,  ka mundur të bëj të qeshësh dhe po ashtu kur ka luajtur në tragjedi të ka bërë të qash, në të dyja rastet me lot.

Aftësia për tu transformuar ka qenë një dhunti tjetër qe i ndjeri i ka realizuar deri në detajet më të vogla duke i servirur publikut atë qe e ka merituar por duhet pranuar se realizimet e tija me raste kanë prekur kufijtë e të pamundurës. Ai ka pas fuqi të tillë kreative që vështirë të gjenden tek aktorët e tjerë ndaj dhe është e vështirë të arrihet vetëm me punë, niveli profesional që ka prekur i ndjeri. Mbase arritja e nivelit profesional tek Muharremi është realizuar gjatë moshës se tij rinore por sfidë më e madhe në këto raste është ta mbash nivelin e lartë pa rënë nga ky piedestal.

Muharremi ka arritur të dallohet lehtësisht si më i veçuari, me i dashuri i publikut dhe me e rëndësishmja gjatë gjithë karrierës së tij, ka arritur të qëndroje në majat e suksesit si mjeshtër i madh i skenës.

Virtuoz si artist, por dhe një njeri me integritet të lartë qytetar

Aq sa ishte madhështor në skenë, Muharremi ishte po aq i afërt dhe me këmbë në tokë në jetën post-teatrum. Atë e shoqëronte si hije modestia ndaj dhe ky tipar i jepte avantazhin të dallohej si njeri me vlera të larta njerëzore e qytetare.

Ai nuk fliste kurrë për punën e tij mjeshtërore, madje i shmangej komplimenteve sepse kujtoj që e dinte me saktësi çfarë i kishte ofruar publikut ndaj dhe preferonte të largohej nga tavolinat e lëvdatave. Muharremin, askush nuk e ka dëgjuar të ketë ngritur zërin për diçka, jo se është pajtuar me gjithçka dhe me çdokënd por ai ka zgjedhur të mos bërtas dhe të shpreh kundërshtinë me qetësi duke vërë në pah qytetarinë e urtësinë që e ka pasur të gravuar si pjesë e ADN-së së tij. Ai me shumë takt ka shfaqur kujdesin dhe respektin që ushqente për njerëzit, pavarësisht se dikush mund të ketë ngulmuar me mendim ndryshe, me qasjen e tij ka arritur që çdo situate edhe të gravuar ta melmësojë dhe ta mbyllë me zgjidhje civile.

Njerëzorja, respektivisht natyra e tij altruiste ndaj teatrit ishte vetja e tij që ne e pamë në skenë.

Rruga e përshkruar drejt majave të suksesit

Në njëfarë mënyre, krijimtaria e tij ka shumë pika takimi me historikun e vetë Teatrit të Gjilanit sepse janë fillim vitet e ’70-ta, kur ky institucion me ardhjen Muharrem Shahiqit dhe Fetah Mehmetit nga Teatri i Kombësive të Shkupit fillon punën profesionalisht, në këtë kohë Muharremi, edhe pse në moshë fare të re orientohet të vihet në shërbim të këtij institucioni dhe i bashkohet karvanit të artbërësve Gjilanas.

Ishte vendimi i tij i bazuar në vullnetin e palëkundur të ndërpriste studimet për Ekonomi në Leskovc dhe të merrte vendimin te kthehej në Teatrin e Qytetit dhe t’i bashkohet shfaqjes ”Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” 1976, shfaqje e cila theu akullin për të qenë jo vetëm një shfaqje e zakonshme por shfaqja që lansoi epokën e themelimit të teatrit. Realisht ky realizim shënon edhe fillimin e zhvillimit të teatrit dhe të karrierës në ngritje të shumë të rinjve që filluan karrierën artistike përfshirë edhe Mujën.

Vetëm pjesëmarrja në kompeticionet Krahinore, Republikane dhe Federative të Teatrove nuk ishin synim përfundimtar i të riut Sylejmani por nën siglën e Teatrit të Gjilanit, ai ëndërronte të sfidohej me të gjithë zanatlinjtë e Jugosllavisë së kohës, sfidë e cila e motivoi atë të arrinte aty ku, pak njerëz besonin se mund të ngjitej. Po e shkëpus një rrëfim  nga Hysen Këqiku, veteran i arsimit po edhe i teatrit. “Në vitin 1979, Teatri gjysmë profesional i Gjilanit vuri në skenë dramën “Aradha qiellore” autor i së cilës ishte George Leboviq nga Beogradi. Para se të shkonte shfaqja ne konkurrim në Garat e Teatrove Amatore në Kullë të Vojvodinës, kjo drame u shfaq në Beograd. “Salla e Universitetit të Punëtorëve ishte  përplot spektatorë, në fillim fare, ulur në një kolltuk edhe autori i dramës. Kur e mbaruam, publiku u ngrit në këmbë me duartrokitje. Një burrë  thatanik dhe me shtat të gjatë u ngjit në skenë duke zënë vend në mes aktorëve gjilanas. Publiku e rriti aplaudimin për ta nderuar edhe autorin e dramës, duke ia imponuar që ta thotë ndonjë fjalë. Ai për nja tre hapa  u largua nga grupi i aktorëve dhe nga përshtypja e tij tha: “Të dashur  spektatorë, dola dhe u futa në mes kësaj trupe të shkëlqyeshme dhe sinqerisht sonte e  përjetova  kohën kur isha në krematoriumin gjerman të Aushficit, e përjetova se ishin aq të natyrshëm sa më rrëmbyen të tërin dhe më futën  po në atë gjendje që e kam përjetuar”. Autori i tekstit Lebovic foli për rolet me theks të veçantë për rolin e Muharrem Sulejmanit, i cili, sipas tij, shkëlqeu duke i dhënë skenës atmosferë përjetimi, sikur te ishte ne krematorium.

Muharremi, me këtë rol arrin të stoliset me medalje ari në Festivalin Republikan te Teatrove në Kullë të Vojvodinës, për rolin më të mirë të realizuar. Tashmë ishte bërë e qartë për shfaqje-bërësit e kohës se çfarë thesari ishte Muharremi ndaj dhe u piketua  si një nga talentet më premtues të skenës e për rrjedhojë nuk rendën së besuari tek ai me role më komplekset dhe më të vështirat, të cilat ai i realizoi duke mos zhgënjyer asnjërin prej tyre, por më me rëndësi ai nuk e zhgënjeu kurrë publikun.

Medalja e artë ne Kullë të Vojvodinës ishte vetëm fillimi

Roli me i realizuar në karrierën e tij është padyshim ai i Princit në shfaqjen “Princi i Hijeve” nën regjinë e Ruzhdi Mehmetit me të cilin rol i ndjeri arriti të rrëmbejë çmimin e parë në Jugosllavinë e kohës ku u stolis me “maskën e artë” në këtë kompeticion Federativ të Teatrove. Ky vlerësim, respektivisht “Maska e Artë” e fituar në Trebinje për rolin më të mirë, e patë bërë atë shqiptarin e vetëm që kishte arritur të marr këtë çmim. Krahas shpërblimit të tij, teatri i Gjilanit me këtë shfaqje u shpërblye si me e mira për regji, kostumografi, dhe muzikën më të mirë. Kjo shfaqje me çmimet që u stolis e ngriti në nivel serioziteti dhe vlerësimi maksimal për herë të parë artin Kosovar dhe ndryshoi perceptimin nënvlerësues për teatrot e Kosovës në nivelin federativ në Jugosllavi dhe në veçanti u vlerësua realizimi brilant i të ndjerit ne rolin e princit. Kjo garë e madhe,  e teatrove të Jugosllavisë e bëri emrin Muharrem Sylejmani dhe të trupës se Teatrit të Gjilanit të ishin dy emrat që u lakuan më së shumti në qarqet artistike dhe mediatike të kohës ngaqë ky ishte çmimi më i lartë që kishte pranuar një Teatër dhe një aktor që vinte nga Kosova.

Atëbotë ishte e pazakontë të përzgjidhej për rol kryesor një princ thatanik, jo i gjatë sepse trendi i padiskutueshëm ishte të ishte dikush trupmadh e fjalë pak, por Princi i Kosovës ishte ndryshe ndaj kishte mbetur gjithçka në mizanskenë dhe në rëndesën e fuqisë së fjalës në skenë qe i ndjeri e kishte përpunuar edhe në detajet më të vogla. Ata që kanë patur fatin të ndjekin këtë shfaqje e përshkruajnë si shfaqjen më milimetrike të realizuar ndonjëherë dhe kanë parë një Princ te përmasave Shekspiriane që ka arritur ta mbajë publikun as ulur e as në këmbë nga fillimi deri në rënien e perdes. Pas këtij festivali, Muharremi vazhdoi të jetë fabrikë e prodhimit të roleve kryesore dhe të vazhdonte të ishte aseti më i kërkuar dhe më i dëshiruar për krijuesit, regjisorët e artë bërësit jo vetëm në Gjilan por edhe më gjerë.

Fatkeqësisht, intervali kohor ishte i shkurtër për të vazhduar me krijimtari të tillë monumentale sepse vitet e ’90-ta po sjellnin re të zeza në qiellin e Kosovës, të cilat prekën shpirtin dhe funksionimin e teatrit dhe të krijimtarisë së artisteve, sepse me fillimin e dhunës e të diskriminimit në çdo pore të jetës, nga regjimi shkatërrues i Serbisë, Teatri ishte halë në sy dhe objektivi i parë për eksterminim.

Këto vite ishin më të rëndat për Teatrin, por aq ishin të rënda dhe të vështira për të ndjerin sepse ai e përjetonte rëndë rrënimin institucional si rrjedhojë e aplikimit të masave të dhunshme në teatër, por nuk ndaloi. Muharremi i dha vetes detyrë që aktiviteti teatral në Gjilan të mos ndalojë dhe bashkë me kolegët dhe artistë të tjerë vendosi të mos heshtë. Gjatë kësaj kohe ai u be pjesë e teatrit lëvizës “Aleksandër Moisiu” duke realizuar shfaqje në ambiente improvizuese, vetëm e vetëm që publiku të mos mbetej pa ushqim shpirtëror. Këto shfaqje ju paraqitën publikut nëpër shtëpi të kulturës në fshatra, nëpër shkolla e ambientet tjera, ku sajoheshin kushte minimale për shfaqje.

Ishte kjo periudha kur familjet Kosovare përballeshin me sfida ekzistencializmi kur mungesa për gjithçka ishte ulur këmbëkryq në sofrat tona dhe në rrethanat e tilla, Muharremi si shumë kolegë të tjerë siguronte bukën e gojës si taksigji dhe në kohën sa priste udhëtarët mësonte tekstin e shfaqjeve që  përgatiteshin për t’ia ofruar publikut ushqim shpirtëror. Në rrethana të tilla të vështira gjendej Teatri bashkë me njerëzit që e mbanin në këmbë këtë tempull kulture të cilët vazhdonin të prodhonin shfaqje kundrejt presionit e dhunës së ushtruar ndaj tyre.

Muharremi ishte nga ata që në çdo shfaqje që luhej edhe ne rastet kur luhej komedi ai gjente hapësirë dhe i drejtohej publikut gjysmë privatisht që mos t’i kaplojë kota, sepse është koha kur kërkohet zgjim e rezistencë ndaj regjimit që synonte të shkatërronte artin e kulturën shqiptare. Shembull tipik është rasti ne rolin e plakut matuf në një nga komeditë e luajtura pas vitit “90-të, roli e obligonte të largohej nga skena shumë i nevrikosur, Muharremi ndalet tek dera dhe të qeshurat e publikut i sheshon me tekstin e tij privat “po rrini kot këtu, shihni Tugjmanin kërrsh po bon” sentencë që e bukosi publikun për një moment por e bëri të mos harrojë që orët e rezistencës po vinin. Ai ishte koshient se çfarë do të ndodhte të nesërmen sepse edhe ashtu ndodhi, inspektorët e sigurimit e pritnin tek dera për të ushtruar dhunën e tyre hibride psikofizike në përpjekje për ta detyruar të mbyllte gojën në skenë, por Muharremi nuk heshti.

Puna e tij vazhdoi në skenë(të improvizuara) deri në filmimin e bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë.

Periudha e pasluftës, kapitull i ri në krijimtari

Në vitin 2001 u arrit që Teatri të merrte statusin e Teatrit Profesionist, për të cilin titull Muharrem Sylejmani është një nga meritorët dhe më të lumturit ndër-kolegë, sepse fundja kontributi i tij artistik e jetësor po shpërblehej nga shteti i ri i Kosovës. E arritura e Teatrit dhe shpërblimi për krijimtari jetësore për të, nga Republika jone, janë të arriturat që e kanë bërë atë të jetë i plotësuar, i lumtur dhe falënderues përjetësisht.

Punën, dhe krijimtarinë nuk e ndali edhe gjatë kësaj periudhe kohore.

Ai nuk ndaloi së vazhduari të punojë dhe nuk kurseu nga vetja e tij asgjë që dinte dhe mundte për t’i bindur të gjithë se misioni i artit dhe kulturës nuk njeh kufij kohe dhe hapësire por duhet gjithmonë punë dhe angazhim të pandërprerë. Përpjekjet e tija vërtetuan këtë teoremë sepse i ndjeri krahas roleve që po realizonte në shfaqje të ndryshme filloi të ushtrojë edhe funksionin e regjisorit të cilën sfidë e realizoi me ekselencë.

Vështrimi dhe realizimi regjisorial i Muharremit ishte shumë shtresor dhe filozofik. Ai si regjisor kishte një qetësi shpirtërore dhe ndërtonte besim që në fillim tek kasta e aktorëve në realizimin e objektivave të tyre zhvillimore dhe pastaj e gjente rrugën si regjisor në përcjelljen e mesazhit brenda për brenda shfaqjes. Ky virtyt dëshmon se paraprakisht sistemonte të gjithë ekipin dhe veten e linte të fundit.

Regjisori Sylejmani i besonte kreativitetit individual të çdo aktori me të cilin punonte dhe me shumë elokuence e qytetari, nxiste gjetjen e rrugës së ndërtimit të roleve dhe i bënte të gjithë natyrshëm pjesë përbërëse të shfaqjes pavarësisht sa tekst apo rol kishin. “Çdo kush e ka momentin e vet dhe secilit i duhet kohë për të gjetur formulën e rolit që luan në skenë, kjo punë do durim dhe përkushtim të pandërprerë” ishin fjalët e tij kur bisedoje me tepër punën dhe sfidat që ishin para tij si regjisor dhe njeri i skenës.

Regjisura u bë shpejt, hapësira ku ai preferonte të qëndronte dhe të shkrinte gjithë arsenalin e tij kreativ sepse në një fare mënyre, specifikat e punës, e nxisnin që ai tashmë gjatë gjithë kohës të ishte në meditim dhe në kërkim të zgjidhjeve regjisoriale. Kjo ishte edhe arsyeja që ai vërtetë dëshironte të merrej me regjisurën, sepse realisht ai posedonte njohuritë dhe zotësitë empirike për të krijuar me shumë dhe në pikëpamje cilësore. Afërsia dhe dashuria për njerëzit, ishte atributi shtesë që ai të vazhdonte të jepte për artin sepse të gjithë artdashësit në teatër i kishte si anëtarë të shtëpisë, iu njihte kapacitetet dhe fundja synonte të pasuronte trashëgiminë artistike të tyre. Por, para se gjithash duhet pranuar se ulja e tij në karrigen e regjisorit erdhi natyrshëm sepse Muharrem Sylejmani ishte nga ata që dinte ndoshta me se miri të ushtronte këtë detyre.

Shfaqjet që prodhoi si regjisor, shquhen për gërshetim stilesh dhe zgjidhjesh brilante shumë të pëlqyera për publikun, sepse Muharremi siç e mbante publikun afër vetes si aktor po ashtu bënte edhe nga pozicioni i regjisorit. Ishte i kujdesshëm dhe largpamës në realizimin sa me ideal të shfaqjeve sa që asnjëherë, dhe në asnjë setup nuk ka përdorur as edhe një rekuizitë të vetëm pa dhënë arsyen në heshtje se pse është vendosur në atë vend specifik. Ai shquhet për vendosje skenike mbresëlënëse me realizime që kanë përçuar mesazh nxitës për të menduar edhe publiku për shfaqjen apo dukurinë e caktuar që e ka trajtuar në shfaqje.

Këto tipare te veçanta, ishin për shkak se ai kishte krijuar gjatë ne periudhën socialiste dhe për pasojë njihte shumë mirë shkollat e Teatrit dhe ndikimet që kanë ushtruar rrymat e ndryshme në këtë industri. Ne këtë etapë te re historike, ku shqiptarët nuk kishin më pengesa komunikimi, Muharremi ishte i lumtur të fillonte bashkëpunimin me regjisore nga Shqipëria dhe të zgjeronte gamën e njohjeve të zhvillimeve të reja në art që po vinin si periudhë krijimtarie që ai i quante kohë flladi.

Muharremi punoi ngushtë me ta dhe mund të ishte nga të rrallët qe kuptohej shumë shpejt dhe komunikonte me kode të gjuhës së teatrit sepse dëshironte me çdo kusht të përvetësonte sa më shumë nga shkolla e teatrit të Shqipërisë dhe të gërshetonte këto elemente të ndryshëm në diçka më të pranueshme, më të bukur për publikun e etur të Gjilanit e Kosovës. Ai deshifronte kujdesshëm ndikimin e shkollës ruse tek regjisorët shqiptarë dhe këto influenca dinte t’i seleksiononte se çfarë duhej integruar në trendin aktual modern dhe si duhet të ngjizen shkollat skenike Shqiptaro-Kosovare për te qenë një trend i përbashkët apo një trup i vetëm. Muharremi mund të jetë nga artistët e rrallë që njihte shumë mirë piketat se çfarë duhet përvetësuare çfarë duhet skarcuar nga influencat e soc-realizmit dhe ndikimet e tjera dhe cilido të duhej të ishte rrugëtimi i duhur i artit skenik i një shoqërie. Ai mendonte qe artistët kosovarë kanë brumin e duhur dhe talentin për ta paraqitur identitetin autentik para audiencës evropiane se kush janë dhe cilët janë sot shqiptarët sepse historia jonë e largët dhe e afërt na obligon ta shpalosim të vërtetën e kombit.

Arti është formal e vetme që shpalos para botës se kush janë shqiptarët

Për këtë arsye ai gjatë gjithë kohës ishte në kërkim të ndërtimit të një komunikimi ndryshe me publikun, ai vrojtonte si punonin edhe regjisorë të jashtëm (i pëlqenin Anglezët) të cilët vinin në skenë shfaqje teatrale në Kosovë dhe dëshironte që sa më shumë të pasurohej dhe të mësonin njerëzit e teatrit nga shkëmbime të tilla. I ndjeri mëtonte të integronte teatrin e qytetit si pjesë e familjes së madhe të teatrove evropiane jo me synimin vetëm që të siguronte pjesëmarrje por ëndrra e tij ishte të futej në kompeticione me vlera sepse sipas tij shqiptarëve nuk iu mungon asgjë për t’u bërë konkurrentë me më të mirët e pse jo të dalin ngadhënjimtarë.

Ai ishte një shpirt i lirë që zoti i dhuroi jetën, të cilën ia fali skenës me qëllimin e vetëm të ishte një nga nxitësit e ngritjes kulturore që ia arriti suksesshëm të flas përmes krijimtarisë së tij jetësore në teatër dhe jashtë tij si një qytetar ekzemplar.

Ne kishim fatin ta njihnim themeltarin e teatrit të qytetit tonë, të shijonim veprat e kryeveprat e tij në skenë, kishim fatin ta njihnim si njeri me kulturë të lartë qytetare dhe sot kemi krijimtarinë e tij nga e cila vazhdojmë të mësojmë duke e rikujtuar me pietet e respekt te veçantë./ KultPlus.com

‘Nëse pak e nga pak ti ndal të më duash, unë do të ndal të dua pak e nga pak’

Poezi nga Pablo Neruda

Ti e di se si është kjo:
nëse unë vështroj
në hënën e kristaltë, në degën e kuqe
të vjeshtës të ngadaltë në dritaren time,
nëse unë prek
pranë zjarrit
hirin e imët
ose trupin e rrudhosur të drurit,
gjithçka më sjell tek ty,
sikur gjithçka që ekziston,
aromat, dritat, metalet,
të ishin anije të vogla
që lundrojnë
drejt atyre ishujve të tu që më presin mua.

E pra tani,
nëse pak e nga pak ti ndal të më duash,
unë do të të ndal të të dua pak e nga pak.

Nëse papritmas
ti më harron
ti do të ndalësh të më kërkosh
sepse unë do të të kisha harruar tashmë.

Nëse e mendon gjatë dhe marrëzisht,
erën e flamujve
që kalon përmes jetës time,
dhe ti vendos
të më lësh mua në bregun
e zemrës ku i kam rrënjët e mia,
mos harro
se atë ditë.
se atë orë,
unë do të ngre krahët e mi për fluturim
dhe rrënjët e mia do të çrrënjosen
në kërkim të një toke të re.

Por
nëse çdo ditë dhe,
çdo orë,
ti e ndjen se je fati im dhe unë jam fati yt,
me buzëqeshjen që s’të shqitet,
nëse çdo ditë një lule
ngjitet në buzët e tua duke më kërkuar,
ah dashuria ime, ah vetja ime,
tek unë është kthyer rishtaz zjarri,
tek unë asgjë s’është fikur dhe as harruar,
dashuria ime ushqehet prej tëndes dashuri, e dashur,
dhe deri sa ti të jetosh do të jetë në krahët e tu
shtrënguar e lidhur pazgjidhshëm me të mijtë

Përktheu: Elida BuçpapajKultPlus.com

Bienalja Ndërkombëtare e Karikaturës “Niko Nikolla”, Flora Nikolla: 257 artistë nga 60 shtete të botës do të vijnë në Tiranë

Bienalja e tretë Ndërkombëtare e karikaturës Niko Nikolla do të mbahet prej 8 deri më 10 nëntor në Tiranë, ku do të marrin pjesë 257 artistë nga 60 shtete të botës, shkruan KultPlus.

Bota tregoi edhe një herë vëmendje ndaj Shqipërisë në këtë edicion të tretë të Bienales Ndërkombëtare të Karikaturës Niko Nikolla, duke iu përgjigjur seriozisht temave: bashkëjetesa jonë një botë dixhitale dhe realizimit të portretit të politikanit shqiptar në Malin e Zi, Dritan Abazovic.

“60 shtete, 257 pjesëmarrës, 709 punë, janë konkluzionet e këtij konkurrimi panbotëror që do të prezantohen në kryeqendrën e shqiptarëve në Tiranë në 8-10 nëntor, me një almanak punësh që të bëjnë të mendosh, konceptosh veten përballë teknologjisë, dimensionosh e ridemensionosh jetën përmes humorit e pse të mësosh se nuk është aspak keq që duhet të dish edhe të tallesh me veten tënde”, ka thënë Flora Nikolla, organizatore e kësaj Bienaleje.

“Por edhe këtë herë, Albanian Excellence, do të nisë aty ku përfundon një koncept e ide të saj … sepse nga ky almanak arti në shpërfaqje idesh mendimesh, koloriti, do të nisë në vitin 2025 një rrugëtim prezantimi në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare për t’i dhënë një dimension të ri karikaturës, këtij zhanri të zhvilluar sot në botë, po që për fat të keq e për shumë arsye që nuk varen nga artistët, nuk ka një terren pjellor sot në Shqipëri”, ka vijuar më tutje ajo.

Flora Nikolla më pas ka spikatë se me këtë ndërmarrje, ideim dhe organizim kanë dalë faqebardhë në këto katër vite, kur të paktën, sipas saj, arritën të kthejnë vëmendjen e botës nga Shqipëria, por edhe të kujtojnë vitet 70-90 të shekullit të XX.

“Kur karikatura në vendin ku jetojmë, arriti pikun e saj dhe kur në atë kohë u krijuan edhe artistët më të mirë të këtij arti i cili me fuqinë që ka, arrin të tregojë filozofinë njerëzore në mënyrën më të bukur të abstragimit të saj. Në këtë përpjekje, tentim e pune në një terren ende bosh dhe me pak emra, pjesëmarrja e kaq shumë artistëve është një hop e hap për ta parë dhe me entuziazëm karikaturën në Shqipëri dhe për të vendosur pika të qarta në rrugën që kemi përpara, për t’i krijuar terren e vendosje dinjiteti konturimit dhe qenësisë së karikaturës shqiptare përmes një programi të qartë organizimi dhe zhvillimi. E them këtë, sepse ky organizim serioz, ka krijuar tashmë lidhjet e veta, me disa mijëra artistë në botë, organizime, shoqata të humorit që merrem enkas e sistematikisht me këtë art e që janë një derë e madhe zhvillimi dhe bashkëpunimi dhe me Shqipërinë. Ndaj në këtë kontekst ditët e karikaturës në Tiranë, nuk do të jenë vetëm një prezantim dinjitoz i këtij arti, për të gjithë njerëzit civil që e duan, por edhe një projeksion me pika të qarta për të ardhmen e afërt e për krijimin e një shtrati të ngrohtë për të ecur drejt e pa kthim pas, drejt karakterit të një karikature shqiptare mbi baza te plota profesionale”, ka përfunduar Nikolla./ KultPlus.com

Nga skenat botërore, Elbenita Kajtazi dhe Kori Siparantum kthehen me koncert vokal të bashkëdyjëzuar në hapje të ReMusica-s

Vjollca Duraku

Pak ditë pas një debutimi të suksesshëm në skenën e Teatrit të Operës së Vjenës, sopranoja Elbenita Kajtazi rikthehet te rrënjët e saj për të interpretuar në skenën e improvizuar vendore, në koncertin e dyfishtë hapës të Festivalit ReMusica, nën shoqërimin e pianistes Elda Laro. Përderisa pjesë e hapjes së edicionit të XXlll-të të ReMusica ishte edhe kori më i njohur në vend, Siparantum, i cili po ashtu pak ditë më parë nën drejtimin e Memli Kelmendit i siguroi shtetit të Kosovës dy çmime në Spanjë, shkruan KultPlus.

Në mesin e figurave të njohura të artit, kulturës, medias e politikës, koncerti filloi rreth orës 19:10, në Atelienë e Pallatit të Rinisë, së cilës sallë për ta shëndrruar në një ambient më të bukur, e estetik i ishin m’veshur perde të zeza rreth e përqark. Kombinimi me dritat e projektorëve dhe shkronjat ndriçuese të ReMusica-s jepnin një pamje solide. Mbrëmja u hap nga organizatorët Donika Rudi dhe Viktor Berisha, të cilët përveq fjalimit përshëndetës, njoftuan audiencën për rrjedhën e festivalit, i cili do të mbahet përgjatë katër netëve me double koncerte.

Pas pak në skenë u paraqit sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi dhe pianistja Elda Laro me kontrabastin Fraim Gashi, për të filluar performancën me veprën e Ardian Gegës “Trembem”. Për shkak të tensionit që e ndiente artistja këtë performancë e dha ulur, si shkak i shtatëzanisë së saj. Nuri shëndrritës dominonte përkundër fustanit dhe flokut të saj të zi, duke u përshtatur shumë me pamjen pianistes flokë-artë. Një koncert me një artiste që performon në skena të njohura në botë nuk kishte se si të fillonte më bukur pos me tinguj e fjalë të gjuhës sonë të lashtë shqipe.

Tinguj shpërthyes që nxirrnin në pah vokalin e kristaltë të sopranos Kajtazi u dhanë në veprën e Claude Debussy “Apparition Suite bergamasque, L.75: III. Clair de lune”. Të gjithë sy e vesh ndiqnin performancën e artistes që po e bën krenarë një popull të tërë. Duartrokitjet nuk mungonin në fund të secilës pjesë: Franz Liszt- “Die Lorelei S.273”, Erich Wolfgang Korngold- “Mariettas Lied opera Die tote Stadt” & “Vier fröhliche Walzer, II. Margit”, Charles Gounod- “Amour, ranime mon courage” Roméo et Juliette”, Giacomo Puccini- “Senza mamma” – Suor Angelica, dhe Sergei Rachmaninov- “Elegie op.3 nr.1”.

Kurse vepra “Tatiana’s letter” – Eugene Onegin e Peter Ilich Tschaikovsky e fundit me radhë ishte ajka e mbrëmjes. E mishëruar në rolin e Tatianës, Kajtazi shpërfaqte historinë tragjike të një dashurie të pamundur. Ishte mimika dhe lëvizjet e saj që tregonin historinë e ngjarjes, përderisa zëri i saj aq sa i bukur, po aq zgjonte trishtim të thellë në zemrat e publikut duke e ndierë dhimbjen e personazhit të veprës.

Pas një pauze disa minutëshe, skenës me një energji të lartë nga fundi i sallës iu bashkua Kori më me nam në vend, Siparantum. Pjesa e dytë e koncertit filloi me vepre e Jeffery Ames- “Tshotsholoza Traditional South African”, tinguj ritmik që të ftonin në vallëzim. Secili pesëtar i korit përmes energjisë së vet luante rol në plotësimin e mozaikut SIPARANTUM.

Interpretimi i tyre që herë ishte plotë energji e zjarr, herë në tinguj të brishtë, herë në përshpërima të mistershme, e herë neutralë, kombinuar me përplasjet e fuqishme të këmbëve dhe duarve, në çdo moment dëshmonte nivelin e lartë artistik, me të cilin Kosovës arrijnë t’i sigurojnë çmime e medalje në çdo prezantim nëpër botë.

Pikat interpretuese të cilat u dhanë nën drejtimin e dirigjentit Memli Kelmendi ishin: Vepra e Michael McGlynn- “Media Vita” (Leon Shehu, vocal, Fidan Strumcaku, shaman drum), Jan Van der Roost- “Amor io fallo”, Katerina Gimon- “Fire” (Fidan Strumcaku, shaman drum), Josephine Poelinitz- “City called heaven, traditional spiritual” (Erijon Palucaj, solo, Denita Dedushaj, piano), Jake Runestad- “Nyon, Nyon” dhe Samo Vovk- “Ta na solbici”.

Kurse vepra e kompozitorit Baki Jashari “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndër” (Aurora Hyseni, recitatore) e cila u dha krejt në fund të koncertit përbën pothuajse një himn të Korit, e cila me një peshë të madhe artistike trajton fatin tragjik të popullit shqiptar, që ndër mileniume është persekutuar nga armiq shekullorë.

Kështu, emra shqiptar të njohur në botë, në natën hapëse të ReMusica sollën përvojën dhe shpirtin e tyre në vendin prej nga e filluan rrugëtimin artistik ndonëse në kushte aspak të përshtatshme.

Në një prononcim për media organizatori i Festivalit, Viktor Berisha ka thënë se ndihej i lumtur që nata ahpëse e festivalit filloi mbarë.

“Nata e sotme ishte me shumë sfida, por më duket që treguesi më i mirë ka qenë reagimi i publikut në të dy koncertet. Për ne më mbarë nuk ka mundur të niset pjesa e konceteve të mbrëmjes. Pas një dite me shumë aktivitete kjo ka qenë një përfundim që na fle edhe neve si një nismë e mbarë”, ka thënë Berisha duke i treguar ngjarjet pasuese të ReMusica-s.

“Është dinamikë e njejtë. Edhe tri ditë tjera plotë aktivitete, prej mëngjesit deri në mbrëmje si për fëmijë me tryeza të diskutimeve, ashtu edhe me koncerte të parambrëmjes dhe me koncertet qëndrore. Nesër tërë ditën jemi në Prizren, ku kemi një duo nga Spanja që do të sjellin një repertor të muzikës mesjetare me ansamblin vokal të ReMuzica-s. Është viti i dytë që kjo nismë e jona është duke u jetësuar për publikun Prizrenas, kështu që jemi shumë të lumtur”, ka thënë organizatori Berisha.

Kurse, dirigjenti i Korit Siparantum Memli Kelmendi i cili sapo është kthyer me dy çmime nga Spanja mbrëmjen e ka cilësuar të jashtëzakonshme, përkundër kushteve aspak të përshtatshme.

“Emocioni brenda vendit është krejt ndryshe prej të gjitha atyre koncerteve që ne i mbajmë jashtë vendit. Natyrisht skenat në të cilat ne perforojmë janë krejtësisht ndryshe nga këtu. Do të kisha dashur që edhe Prishtina të ketë një sallë adekuate, sepse vërtetë sonte ka qenë një sfidë e madhe të punoj me një akustikë të tillë. Ka kohë që nuk kam koncertuar në Prishtinë dhe uroj që në skena të tilla të mos realizojmë koncerte sepse kjo është diçka që ndikon drejtpërdrejtë te atmosfera dhe energjia brenda vokalit. Gjithsesi ne kemi arritur që të mbajmë energjinë dhe pulsin”, ka thënë dirigjenti Kelmendi duke uruar që koncertin e radhës ta mbajnë në një sallë adekuate.

Tutje, dirigjenti Kelmendi tha se ndihej jashtëzakonisht i lumtur që në koncertin hapës u paraqit me shoqen e tij të klasës, Elbenita Kajtazi, e cilas sipas tij është inspirim për të gjithë.

“Ishte një mbrëmje jashtëzakonisht e bukur. Aq më bukur kur sonte në pjesën e parë ishte kolegia, shoqja ime e klasës, Elbenita, një vokaliste fantastike, e cila të gjithëve na bën krenarë për sukseset dhe rrugëtimin e saj. Konsideroj, dhe është inspirim për të gjithë ne”, ka thënë Kelmendi.

Kurse kompozitori Baki Jashari bashkëdyjëzimin e dy koncerteve në një e ka cilësuar si gjetje interesante.

“Koncerti i sotëm i dyfishtë ishte një mbrëmje maft inetereant edhe pse ishin dy botë të ndryshme. Në njërën anë kishim solisten tonë të mrekullueshme, me zërin e saj të jashtëzakonshëm, me karrierën e saj të jashtëzakonshme botërore që ishte në rolin e solistes. Në anën tjetër kishim korin Siparantum si një ansambël i të rinjve shumë të suksesshëm me dirigjent Memli Kelmendin. Ndërlidhja e këtyre dy pjesëve të koncertit ishte vokali. I uroj për këtë mbrëmje të mrekullueshme, shumë interesante me gjithë këtë paletë të veprave dhe stileve të ndryshme”, ka thënë kompozitori Baki Jashari duke potencuar që ndihej i lumtur që vepra e tij “Pakëz ëndërr pakës Zgjëndërr” po paraqitet dhe po depërton edhe jashtë vendit.

“Kori Siparantum u paraqit edhe me veprën time “Pakëz në Ëndërr pakës në zhgjëndërr” që është shkruar qysh në vitin 1986. Unë e pata marrë si bazë tekstin e autorit tonë të mirënjohur Din Mehmeti, e cila është një poezi jashtëzakonisht e fuqishme edhe pa muzikë. Ajo ishte aq e fuqishme dhe dramatike në thelbin e saj ku përshkruan vuajtjet e popullit tonë dhe aspiratat tona për liri, ku përmenden në mënyrë poetike, se si popull kemi qenë të shtypur, të ndjekur, të rrahurr. Dirigjenti Memli ka kërkuar që kjo vepër të shkurtohet dhe të përshtatet për skena jashtë Kosovës, dhe në shumë gara ku Kori Siparantum prezantohet kjo vepër është në program mes tjerash. Dhe, më vjen mirë që pothuajse në çdo prezantim të tyre Siparantum po fitojnë medalje. Ky është një plus i madh edhe për korin por edhe që  vepra po depërton jashtë”, ka thënë dirigjenti Jashari.

Ndëraq, pianistja e njohur Lejla Pula, e cila ishte pjesë e publikut i ka  përgëzuar kolegët për fillimin e suksesshëm, e të mbarë të festivalit ReMuzica.

“Më ka ardhur jashtëzakonisht mirë që përsëri kam pasur rastin ta dëgjoj Elbenitën, e cila me të vërtetë është një soprano në ngritje e sipër të karrierës së saj. Interpretimi i saj ishte jashtëzakonisht emocional dhe me aftësi të jashtëzakonshme zanore. Ka krijuar një ambient artistik të jashtëzakonshëm, nën përcjelljen e Elda Laros e cila ishte një artiste dhe profesioniste tejet e shkëlqyer. Vërtetë jemi kënaqur me muzikimin e tyre dhe ju dëshiroj shumë suksese”.

Më tej, pianistja Lejla Pula ka uruar që në të ardhmen festivali i saj dhe i kolegëve të tjerë të mbahen në një vend me kushte kualitative.

“Paraqitja e tyre skenike  dhe artistike e Korit Siparantum është aq komplete, aq interesante, me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Unë i përgëzoj për paraqitjet dhe çmimet e fundit nëpër botë. Vërtetë ishte një kënaqësi e madhe që të jem sonte këtu. Unë ju dëshiroj të gjithëve suksese të mëtejme, dhe gjithashtu kam dëshirë që festivalet tona të kenë shtëpinë koncertale, ku në të ardhmen të mbahen këto koncerte kaq kualitative” ka thënë ajo.

Ndërsa, pjesëtari i Korit Siparantum, Shaban Behramaj, ka thënë se është ndier i lumtur me pjesëmarrjen e madhe të publikut, para të cilit kanë përgjegjësi artistike të paraqitjes sikurse në garat e ndryshme gjithandej nëpër botë.

“Ishte një ndjenjë shumë shumë e veçantë sepse Festivali ReMusica këtë vit ka pasur “double koncerte”, ku ne sot ndamë skenën dhe mbrëmjen bashkë me sopranon tonë tashmë me famë botërore Elbenita Kajtazi. Për ne ka qenë një kënaqësi e jashtëzakonshme për të interpretuar në natën hapëse të festivalit Remusica për këtë edicion, para publikut kosovar që ishte në numër shumë të madh, gjë e cila në bëri të ndihemi shumë mirë. Ne sapo u thyem nga Barcelona ku fituam dy çmime në garat botërore, për ne përgjegjësia është shumë e madhe që edhe para publikut tonë të sjellim repertorin e njejtë, por edhe atmosferën dhe energjinë e njejtë me të cilën ne garojmë në të gjitha këto gara”, ka përfunduar Behramaj.

TOGETHERNESS (SË BASHKU) – është motoja e sivjetme e edicionit të XXlll-të të ReMusica në të cilin përveç tjerësh deri më 8 nëntor do të interpretojnë edhe Petrit Çeku, ReVocal Ensemble, Trio Elogio, Margherita Berlanda, Flaka Goranci etj. / KultPlus.com

“Shekspiri zbret në Vlorë”, festivali ndërkombëtar i teatrove gjatë nëntorit

“Shekspiri zbret në Vlorë” është festivali ndërkombëtar teatror që do të zhvillohet në qytetin bregdetar prej 9-13 nëntor.

Ashtu siç kuptohet dhe nga emri, ky festival do të sjellë shfaqje bazuar mbi krijimtarinë e dramaturgut të shquar britanik Uilliam Shekspir. Shekspiri është ndër dramaturgët më të mëdhenj të të gjithë kohërave, poet dhe tregimtar i shquar, i cili e zhvilloi aktivitetin e tij letrar gjatë shekullit XVI në Britaninë e Madhe.

Festivali nis me shfaqjen teatrore “Masë për Masë” me regji të Altin Bashës. Kjo shfaqje vjen përmes interpretimit të aktorëve të Gjakovës e Prizrenit, mbrëmjen e datës 9. Kjo shfaqje do të pasohet nga “Dashuri shekspiriane” e Fakultetit të Artit Skenik të Universitetit të Arteve të Tiranës.

Në vijim për publikun do të vijë “Sonetet e Shekspirit” nga trupa e teatrit “Petro Marko” të Vlorës dhe me regji të të mirënjohurit Kristaq Skrami.

Vepra teatrore “Nata e dymbëdhjetë” nga teatri Metropol Tiranë do të jetë në skenë më 12 nëntor dhe në 13 nëntor do të vijë për publiku shfaqja “The Lost King” nga Teatro Pubblico Pugliese-Bari.

Ndër mbështetësit e këtij aktiviteti artistik janë Bashkia Vlorë, “Shakespeare Center” dhe teatri “Petro Marko”./ KultPlus.com

Kryevepra e Xhakomo Puçinit, “Bohemët” vjen në kuadër të “Muaji i Puçinit”

Xhakomo Puçini (22 dhjetor 1858 – 29 nëntor 1924), duke shënuar 100 vjet nga vdekja e mjeshtrit të përjetshëm të operës, do të shfaqet kryevepra “Bohemët” në skenën e Operës dhe Baletit Nacional më 8 nëntor, duke filluar nga ora 20:00.

Historia e jetës së të dashuruarve Rodolfo dhe Mimi, do të shfaqet nën shkopin drejtues të të ftuarit nga Italia, Mauricio Kollasanti, me regji të Dejan Proshevit, shfaqja është fiksuar nëpërmjet skenografisë masive të Zoran Nikollovskit dhe kostumografisë shumëngjyrëshe të Marija Pupuçevskës, mjeshtre e koncerteve është Verica Llambevska, mjeshtre e korit Jasmina Gjorgjeska dhe Gjurgjica Dashiç.

Performojnë: Domeniko Menini (Itali), Anastasia Doroshenko (Gjermani), Goran Naçevski, Dragan Ampov, Vlladimir Sazdovski, Katerina Stojanovska, Neven Siljanovski, Borko Bixhovski, Jane Dunimaglloski, Aleksandar Nikodinovski, Tihomir Jakimovski, Ema Ginovska, të shoqëruar nga kori dhe orkestra e Operës dhe e Baletit Nacional.

“Bohemët” nga Xhakomo Puçini është operë në katër akte, veprimi zhvillohet në Paris, libreti është bazuar në “Skena nga jeta e bohemëve” të Henri Murgerit. Publiku për një çast do të transportohet në nënkulmet parisiane ku disa artistë të rinj, pavarësisht varfërisë dhe luftimit për nevojat elementare të jetës së përditshme (ushqim, dru zjarri), jetojnë të mbështetur nga idealet dhe dashuria, duke pretenduar se jetojnë bohem pa asnjë qindarkë në xhep./ KultPlus.com

Në nëntor do të hapet ekspozita e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2024

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka kënaqësinë të ftojë publikun për një ecje dhe bisedë nëpër ekspozitën e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 me artistët e nominuar Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri, të udhëhequr nga Albert Heta, drejtor i Stacion-Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe bashkëkurator i ekspozitës.

Ngjarja synon të krijojë hapësirë për diskutim me publikun në lidhje me punët dhe praktikën artistike të artistëve të nominuar për Çmimin Artistët e së nesërmes 2024, hulumtimin, përvojën e tyre gjatë procesit dhe lidhjen e ekspozitës me dimensione të tjera shoqërore. Ekspozita mbahet më 7 nëntor, duke filluar nga ora 20:00.

Tre finalistët e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 në punën e tyre ofrojnë provokime të guximshme dhe të nevojshme që flasin për kompleksitetin tonë të përbashkët.

Vepra “How Sad, How Lovely” (“Sa e trishtueshme, sa e bukur”) e Mimoza Sahitit, e krijuar për ekspozitën e finalistëve të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, është një eksplorim i qëndrueshmërisë, identitetit dhe udhëtimit nëpër peisazhe të brendshme dhe të jashtme. Është në mënyrë specifike një udhëtim nga “kauboji” si një maskë shoqërore në realizimin e vetvetes – përballja përfundimtare me veten. Në pikturën e dytë koka e kaubojit është një kafkë, duke mbajtur dy armë – njëra e drejtuar nga jashtë, tjetra drejt vetes. Ky imazh kap tensionin midis vetes së brendshme dhe botës së jashtme, duke reflektuar luftën midis vetë-ruajtjes dhe peshës së vështrimit të shoqërisë. Ky kauboj bëhet një figurë e kapur në hapësirën midis vetes dhe shoqërisë, midis cenueshmërisë dhe mbijetesës. Në qendër të veprës qëndron një derë, me një xhaketë lëkure të varur, që funksionon si objekt dhe simbol kalimtar. Xhaketa, e qepur me fije të kuqe me fjalët “Sa e trishtueshme, sa e bukur” vepron si armaturë dhe ftesë, një portë midis botës së jashtme dhe hapësirës intime përtej.

Ky prag i fton shikuesit të lënë pas identitetet e tyre të jashtme dhe të hyjnë në një botë ku cenueshmëria nuk fshihet, por shfaqet.

Kauboji që vesh këtë xhaketë, një figurë e përsëritur në ekspozitë, është një simbol personal dhe universal i qëndrueshmërisë. Këtu fillon udhëtimi në botën e brendshme, ku albumi i Connie Converse “How Sad, How Lovely” funksionon si një alegori. Këtu fillon biseda mes artistes dhe Connie Converse – një përvojë e përbashkët izolimi, betejash të brendshme, vetë-reflektimit, vetmisë, mallit dhe elasticitetit. Në fund të shfaqjes pret përsëri kaubojin, këtë herë arma ngrihet drejt qiellit, duke fryrë një yll të vetëm – një simbol i triumfit dhe vetë-pranimit. Kapela e majës është një gjest mirënjohjeje, një përshëndetje jo vetëm për shikuesin, por për veten brenda secilit prej nesh. Kjo vepër përmbledh të kuptuarit se, në fund të fundit, pavarësisht se ku vrapon, ne të gjithë përfundojmë me veten.

Në përgjithësi: Kauboji përfaqëson një ide të botës së jashtme që lundron sfidat e jetës, duke mishëruar forcën, përulësinë dhe vetminë, duke evokuar një figurë që endet nëpër peizazhe të shkreta të jetës.

Vepra “Vend i drejtuar nga toka” e Luiza Thaqit, e krijuar dhe shfaqur për ekspozitën e finalistëve të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, është një ndërhyrje artistike në një hapësirë të jashtme dhe të ndërmjetme në ndërtesën e Klubit të Boksit në Prishtinë, që është e paarritshme si shkak të ndërtimeve përreth dhe faktorëve të tjerë që ndikojnë në mirëqenien e tokës. Nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje të bazuar në kërkim, artistja nxjerr në pah çështjet që lidhen me trajtimin e tokave, pronave, pronave publike dhe shkëputjen e njerëzve nga natyra me pretendim pronësie. Në bashkëpunim me tokën, duke nxjerrë të dhëna për gjendjen aktuale të tokës dhe asaj që ka ndodhur me te, tregojmë realitetin, praktikat për një shoqëri të qëndrueshme dhe kontekstin tonë shoqëror.

Vepra “Oh, mindgut” e Dion Zeqirit, e krijuar dhe shfaqur për ekspozitën e finalistëve të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, paraqet një skulpturë gjipsi ku truri dhe zorrët janë të kombinuara në formë rrethore, sikurse dalin nga vetë muri. Skulptura shërben si një paraqitje simbolike e dy forcave themelore, por shpeshherë të kundërta në përvojën njerëzore: intelektit dhe intuitës. Duke u përballur me trurin dhe zorrët – dy organe vitale që formësojnë perceptimin tonë për realitetin – artisti hyn në debatin e vjetër midis intelektit dhe instinktit, arsyes dhe ndjenjës, objektivitetit dhe subjektivitetit.

Artisti shtron një pyetje provokuese: “A manifestohet intelekti si mungesë intuite apo është mishërim i gjithçkaje shijuese mes zorrëve dhe mendjes? Vepra prek një narrativë më të gjerë kulturore rreth intelektit, sipas të cilës “një njeri i veprimit e jo i intelektit” mund të shihet si joracional ose i pamatur. Kjo krijon një tension midis të qenit i zgjuar dhe të qenit i mençur. Artisti e përdor këtë koncept për të nxitur reflektim të mëtejshëm duke pyetur se: kur marrim vendime – nëse duhet t’i besojmë dikujt, të ndjekim këshillat apo të ndërmarrim veprime – a veprojmë nga arsyetimi intelektual apo ndjenja intuitive? A mund të konsiderohet racional besimi në diçka të padukshme? Apo vendimet tona shpesh rrjedhin nga ndjenjat e zorrëve përpara se truri ta ketë përpunuar situatën?

Çmimi Artistët e së nesërmes është një çmim dhe njohje prestigjioze e krijuar për artistët pamor nën moshën 35 vjeç. Çmimi u ofron atyre mundësinë për të krijuar vepra të reja përmes një procesi të përkushtuar prodhimi dhe zhvillimi, me punën e tyre duke u vlerësuar nga një juri e pavarur.

Tre artistët e nominuar bashkëpunojnë ngushtë me ekipin kuratorial në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë dhe marrin pjesë në ekspozitën vjetore që prezanton finalistët e çmimit Artistët e së nesërmes. Për më tepër, ata do të kenë mundësinë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të përjetojnë skenën e gjallë të artit në Nju Jork gjatë një qëndrimi artistik dy mujor.

Fituesit të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 shpërblehen me një program dy-mujor qëndrimi artistik në Nju Jork, SHBA, në Residency Unlimited, i planifikuar për maj/qershor 2025. Për më tepër, fituesi do të ketë një ekspozitë personale në vitin 2026 në programin vjetor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.

Çmimi Artistët e së nesërmes është një çmim i spikatur, i pavarur, i organizuar në bashkëpunim me Residency Unlimited në Nju Jork dhe i mbështetur nga The Trust for Mutual Understanding në Nju Jork.
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë kërkon të përforcojë potencialin dhe ndikimin e Çmimit Artistët e së nesërmes, duke kontribuar në zhvillimin më të gjerë të artit bashkëkohor, kulturës dhe përparimit shoqëror në mbarë Kosovën.

*Mbështetësit kryesor të Çmimit Artistët e së nesërmës 20234 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, x-print dhe DZG. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerët bashkëpunues do të shpallet me kohë. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti uron presidentin Trump: SHBA-ja është një aleat, mik dhe partner kyç i Kosovës

Kryeministri Albin Kurti ka uruar presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, përcjell KultPlus.

“Urime President, Donald Trump për fitoren tuaj në zgjedhje. SHBA-ja është një aleat, mik dhe partner kyç i Kosovës dhe ne mezi presim të punojmë së bashku për progres dhe paqe”, ka shkruar Kurti.

Para pak minutave, Trump zyrtarisht ka arritur t’i fitojë zgjedhjet duke siguruar mbi 270 vota elektorale./ KultPlus.com

Donald Trump shpall fitoren, zgjedhet president i ShBA-së

Kandidati republikan Donald Trump u zgjodh presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, duke shënuar një rikthim të jashtëzakonshëm.

Me një fitore në Uiskonsin, Trump siguroi 277 vota elektorale nga 270 sa janë të nevojshme për të siguruar presidencën.

Donald Trump shpalli fitoren e tij në zgjedhjet e së martës dhe u tha mbështetësve të tij të mërkurën se ky moment “do ta ndihmojë vendin që të shërohet”.

Ai u bë presidenti i dytë në historinë e Shteteve të Bashkuara që rikthehet në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë jo të njëpasnjëshëm.

“Ne kemi një vend që ka nevojë për ndihmë dhe ka shumë nevojë madje. Ne do të rregullojmë kufijtë tanë dhe do të rregullojmë gjithçka për vendin tonë”, tha Trump.

Duke folur në Uest Palm Beach të Floridës, Trump u premtoi amerikanëve se “çdo ditë do të luftoj për ju” dhe se do të sjellë “epokën e artë për Amerikën”.

“Tani është e qartë se kemi arritur gjënë më të pabesueshme politike… shikoni çfarë ndodhi, a është kjo çmenduri?” shtoi ai në fjalimin e tij përgjatë të cilit u shoqërua në skenë nga anëtarët e familjes dhe gruaja e tij, Melania Trump, si dhe kandidati për postin e nënpresidentit, JD Vance, dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson. /KultPlus.com

Valdrin Thaqi në artin e regjisë, shpalosi shfaqjen surreale “Short poems and other tales”

Era Berisha

“Short poems and other tales”, titullohet shfaqja e cila u shpalos në kryeqytet këto ditë. Me një skenografi e tekst të veçantë, artisti Valdrin Thaqi i cili shpeshherë nëpërmjet artit vizual shpalos tema që lidhen rreth ballafaqimit me jetën e përditshme, duke shtruar pyetje të shprehive e të jashtëzakonshme në të njëjtën kohë, kësaj radhe vjen nën penën e një formati tjetër. Aq sa është i dhënë pas detajeve në piktura, aq ka qenë edhe në këtë shfaqje që e ka prodhuar vetë, shkruan KultPlus.

“Short poems and other tales”, ndeshet me identitetin dhe traumat kulturore. Është e mbështjellë me shumë simbolika dhe ngjarje surreale, por në thelb, është një përrallë klasike e një të riu që kthehet në shtëpi.

Është një shfaqje eksperimentale që prezanton disa mediume njëkohësisht, si: poezi, performancë, muzikë dhe imazhe. Megjithëse është një shfaqje shumë e shtresuar dhe jo gjithmonë ndjek një histori lineare, publiku ka pasur mundësinë të lidhet me temat universale që paraqet vepra.

Praktikat e artistit Thaqi ndërrojnë nga pikturat eksperimentale, skulpturat, instalacioni dhe intervenimi. Mirëpo, kësaj here na shpalos dhuntinë e artit regjisorial.

Premiera e shfaqjes qe më 24 tetor në katin e gjashtë të hotelit Grand. Vendi qe i mbushur plot, për të parë nga afër krijimin e bukur të artistit Thaqi. Pamjet vizuale janë ato që fillimisht shpojnë atmosferën këndshëm. Pastaj, gërshetimi i koreografisë me muzikën rrëqethëse, ka zgjuar emocione të shumta brenda katër mureve. Si një vegim i kamotshëm, teksti lulëzon mbi diçka unike që vjen nga brendësia e Thaqit, i cili me mjeshtëri ka prezantuar një shfaqje që kalon përtej “normales”. Ai arrin të krijoj një paralel mes reales dhe imagjinatës, në të cilën audienca mund të hyjë e të dalë, kur të dojë.

Në një intervistë për KultPlus, ai na tregon se shfaqja është shkruar nga vetë ai, vitin e kaluar në Berlin. Fillimisht, e ka menduar si një përmbledhje me poezi të shkurtra dhe tregime imagjinare, por tanimë ka gjetur dritën si një shfaqje tradicionale.

Shfaqja konsiderohet të jetë gjysmë-autobiografi, e frymëzuar nga ngjarjet e vërteta, qofshin ato ngjarje të përditshme apo nga mendimet e tij të përsëritura. Por, padyshim që është e përzier me elemente të fantazisë që ndërlidhen me kujtimet dhe ndodhitë nga jeta personale e artistit Thaqi.

“Short poems and other tales”, interpretohet nga dy aktorë: Art Pasha në rolin kryesor dhe Klara Grapci, me Ensar Lutaj valltar, si dhe tre muziciente live: Viola Rrecaj në piano dhe tastierë, Yll Krasniqi në bas kitarë dhe Lum Veseli në bateri.

Në qendër të shfaqjes është Arti, personazhi kryesor, ndërsa Klara dhe Ensar përfaqësojnë aspekte imagjinare të mendjes së tij – Klara anën pavetëdijshme të tij dhe Ensar, (përmes kërcimit), anën ëndërrimtare të tij.

Dinamikat e personazheve janë të dallueshme: Arti mbetet kryesisht i palëvizshëm, ndërsa Klara dhe Ensar lëvizin rreth tij, duke ndërvepruar dhe duke i dorëzuar objekte.

Ky kontrast në lëvizje zbulon botën e brendshme të tij, me dy karakteret tjera që mishërojnë mendimet dhe imagjinatën e tij. Për më tepër, një ekran shfaq Artin të heshtur, të izoluar, duke sugjeruar një person të vetëm që ndërton skenën përreth tij. Në thelb, gjithçka që ndodh në skenë pasqyron mendimet e brendshme të personazhit të sjella në jetë.

Frymëzimi për emrin e shfaqjes vjen nga një seri lektyrash që i kam dashur shumë qysh si fëmi, ‘Poezi dhe Tregime të Shkurtra’. Më ka pëlqy tepër, sesi çdo faqe e librit ofronte tregime të ndryshme, duke të leju të hidhesh e te lexosh kudo. Kam synu me e pasqyru këtë format në shfaqje, megjithëse në fund të fundit doli sfiduese, përfundova duke futë të dhëna delikate mes skenave për të kap ndjenjën e zbulimit”, thotë Thaqi.

Sipas tij, kjo ka qenë përvoja e tij e parë me një ekip relativisht të madh, dhe nuk mund të jetë më i lumtur me njerëzit me të cilët ka zgjedhë me bashkëpunu në këtë projekt.

“Natyrisht, kemi pasur sfida, sikurse menaxhimi i elementeve të performancës live, dhe gjithashtu mbajtja e gjithçkaje të sinkronizuar, ishte kërkuese. Përtej kësaj, kemi mbajt trajnim në gjuajtje me hark, seanca koreografike dhe kompozim muzikor për shfaqjen. Procesi ka qenë tepër i kandshëm dhe jam ndje që i gjithë ekipi ka qenë i investuar plotësisht, duke sjellë më të mirën si teknikisht ashtu edhe në pjesën kreative”, thotë tutje ai.

“Short poems and other tales”, është shfaqja e parë e artistit Thaqi. Regjia për të ka qenë një andërr e kahershme. Artet pamore, kryesisht piktura, ka qenë në thelb të krijimeve të tij, mirëpo gjithmonë ka qenë adhurues i teatrit dhe kinematografisë, dhe e konsideron veten një artist multidisiplinar.

“Besoj se mediumet e ndryshme të artit ekzistojnë për të mbështetur dhe përmirësuar vizionin e artistit, duke ofruar mjetet e nevojshme për të shprehur idetë plotësisht.”

Si një artist në zhvillim me bazë në Prishtinë dhe Berlin, tashmë artisti Valdrin Thaqi në plan ka që të vazhdoj të zgjeroj punën e tij. Ai nuk mund të parashikoj saktësisht se cili do të jetë projekti i ardhshëm, por ka një ndjenjë se për të është duke nisë diçka emocionuese. / KultPlus.com

Udhëheqës botërorë përgëzojnë ish Presidentin Trump

Udhëheqës nga e gjithë bota përgëzuan të mërkurën ish Presidentin Donald Trump, i cili është më afër fitores në zgjedhjet e së martës.

Kryeministri britanik Keir Starmer e uroi zotin Donald Trump, pak pasi kandidati republikan shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale amerikane.

“Mezi pres të punoj me ju në vitet në vijim”, tha kryeministri Starmer në një postim në rrjetin X të mërkurën.

“Unë e di se marrëdhënia e posaçme ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të përparojë në të dyja anët e Atlantikut për vitet në vijim”, shkroi ai.

Presidenti francez Emmanuel Macron uroi zotin Trump duke theksuar se është I gatshëm të punojë me të “ siç bëmë për katër vjet. Me bindjet tuaja dhe të miat. Me respekt dhe ambicie. Për më shumë paqe dhe begati”, shkroi ai në rrjetin X.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, duke e uruar Presidentin Trump, shkroi se “Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar së bashku me sukses për një kohë të gjatë për të nxitur përparimin dhe lirinë në të dyja anët e Atlantikut. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për të mirën e qytetarëve tanë”.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, tha në urimin e saj për zotin Trump se Italia dhe Shtetet e Bashkuara kanë një “aleancë të palëkundur”.

“Është një lidhje strategjike, të cilën jam e sigurt se tani do ta forcojmë edhe më tej”, shkroi ajo.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se e ka uruar zotin Trump pëe fitoren, duke theksuar se “udhëheqja e tij do të jetë përsëri thelbësore për të mbajtur të fortë aleancën tonë. Mezi pres të punoj përsëri me të për të avancuar paqen përmes NATO-s”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen uroi zotin Trump duke shtuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë “më shumë se thjesht aleatë”.

“Ne jemi të lidhur nga një partneritet i vërtetë mes njerëzve tanë, duke bashkuar 800 milionë qytetarë. Pra, le të punojmë së bashku për një agjendë të fortë transatlantike…”, tha ajo në një postim në rrejtin X.

Edhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përgëzoi zotin Trump për atë që e quajti një fitore “mbresëlënëse”.

“Unë e çmoj angazhimin e Presidentit Trump për qasjen “paqe përmes forcës” në çështjet globale. Ky është pikërisht parimi që praktikisht mund të sjellë më afër paqen në Ukrainë”, shkroi Presidenti Zelensky në rrjetin X. /VOA/ KultPlus.com

AP

Në British School of Kosova u mbajt ‘Ora e Shkrimtarit’ me poeten Xhevaire Izmaku

Të martën, më 5 nëntor 2024, në British School of Kosova u mbajt Ora e Shkrimtarit me poeten Xhevahire Izmaku, në kuadër të aktiviteteve të cilat po i organizon PEN Qendra e Kosovës në institucione të ndryshme të Kosovës, projekt i përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Qëllimi i këtyre takimeve është bashkëbisedimi i shkrimtarëve me lexuesit, veçanërisht me nxënësit dhe studentët, në mënyrë që të njihen me përvojën e shkrimit letrar, por edhe me rëndësinë që ka leximi dhe edukimi kreativ.

Në praninë e nxënësve dhe mësimdhënëse të British School of Kosova si dhe të pjesëmarësve të tjerë, takimin letrar me poeten Xhevahire Izmaku, e moderoi poeti dhe studiuesi i letërsisë, Sali Bashota, i cili paraqiti krijimtarinë letrare e deritanishme letrare të Xhevahire Izmakut.

Në fjalën e saj, Xhevahire Izmaku, evokoi kujtime nga fillimet krijuese të saj si nxënëse e shkollës fillore dhe shkollës së mesme në Vushtrri, pastaj si studente e letërsisë shqipe në Prishtinë. Me këtë rast, poetja Izmaku ofroi mjaft shembuj nga përvoja e saj krijuese, ndërlidhur me shkrimin letrar, veçanërisht me poezinë që ishte dhe mbeti udhërrëfimi më interesant në jetë, por edhe për vepra të shkrimtarëve të njohur botërorë, të cilat i kishte lexuar me pasion të veçantë, qysh në moshë të re, duke thënë se lidhje e saj shpirtërore me letërsisë nuk ishte e rastësishme, por ishte një ndër qëllimet jetësore.

Duke folur për tematikën dhe motivet e poezisë që shkruan, në mënyrë të veçantë dalloi motivet që ndërlidhen me vendlindjen, me temat e luftës, si dhe lirikën e dashurisë.

Kujtimet e saj, sidomos për librin “Lot i zemrës”, i cili ishte botuar në rrethanat e mbijetesës së fjalës shqipe, ishte mjaft mbresëlënëse për të pranishmit.

Pjesë e Orës së Shkrimtarit ishte edhe leximi i poezive të zgjedhura nga autorja, por edhe nga studentët e Kolegjit AAB.

Në fund të takimit u zhvillua një bashkëbisedim me poeten Xhevahire Izmaku. Kishte mjaft pyetje, sidomos nga nxënësit, lidhur me krijimtarinë e saj letrare, por edhe edhe pyetje të tjera për letërsinë e gruas dikur dhe sot, si dhe për trendet bashkëkohore të zhvillimit të letërsisë shqipe.

Xhevahire Izmaku ka mbaruar studimet për letërsi dhe gjuhë shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Gjithashtu, ka kryer studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës ku ka fituar gradën shkencore Doktor i Shkencat e Komunikimit. Gjithashtu, ka punuar si profesoreshë dhe ka vazhduar me veprimtarinë e saj si aktiviste për të drejtat e njeriut brenda KMLDNJ, ndërsa me fillimin e luftës në Kosovë, në vitet 1998 -1999, mori pjesë aktive në ndihmën e popullatës së rrezikuar nga masakrat serbe, duke qenë në shërbim të luftëtarëve të lirisë. Ishte raportuese për agjenci të lajmeve të ndryshme shqiptare dhe ndërkombëtare, si reportere e luftës.

Më pas në vitet 1999 – 2002 ka punuar gazetare-reportere në RTV 21.
Xhevahire Izmaku ka një përvojë të pasur politike, duke qenë deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës në tri mandate gjatë viteve 2010- 2019, por edhe pjesë e institucioneve vendore nivel lokal dhe qendror.

Si deputete ka qenë kryetare e komisioneve për hartimin e ligjeve kryesore që kanë të bëjnë me mediet në Kosovë, të cilat janë ende në fuqi.

Njihet si poete dhe bartëse e manifestimeve kulturore në organizime me karakter kombëtar, siç janë Takimet e Poeteshave në Vushtrri. Ka botuar librat me poezi “Lot i zemrës”, “Dremitja e shpirtit”, “Farajona”.

Xhevahire Izmaku është profesoreshë në lëndët e komunikimit dhe gazetarisë në Kolegjin Universitar AAB, në Prishtinë. / KultPlus.com

164 vjet nga zgjedhja e Abraham Lincoln si president i SHBA: Figura që i dha fund skllavërisë

Abraham Linkoln (Abraham Lincoln) zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara – i pari president i dalë nga Partia Republikane. Ai erdhi në detyrë, ndërsa Amerika ishte pushtuar nga fryma e ndarjes veri – jug.

Linkolni e filloi mandatin me një apel për banorët e shteteve jugore; “Ne nuk jemi armiq, por miq. Ne nuk duhet të jemi armiq … Kordat mistike të kujtesës, që shtrihen nga çdo fushëbetejë e varr atdhetari e deri në çdo zemër e vatër në mbarë vendin, do të vazhdojnë të fuqizojnë korin e Unionit, të përbërë nga engjëjt më të mirë të natyrës sonë “. Por…  dështimi i bisedimeve veri – jug më 1861,  sinjalizoi se kompromisi për ruajtjen e bashkimit  ishte i pamundur, ndërkohë që Linkolni këmbëngulte se shpërbërja nuk mund të tolerohet.

Abraham Lincoln zgjidhet presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara për një Partia Demokratike të thellë, duke u bërë republikani i parë që fitoi presidencën. Lincoln mori vetëm 40 për qind të votës popullore, por mundi të mposhtë tre kandidatët e tjerë: Demokratët e Jugut John C. Breckinridge, kandidati i Bashkimit Kushtetues John Bell dhe Demokrati i Veriut Stephen Douglas, një senator amerikan për Illinois.

Lincoln, një avokat i lindur në Kentaki dhe ish-përfaqësues i Whigëve në Kongres, fitoi vendin e parë gjatë fushatës së tij kundër Stephen Douglas të Illinois për një vend të Senatit të SHBA në 1858. Fushata senatoriale paraqiste një seri të mrekullueshme të takimeve publike mbi çështjen e skllavërisë, si debatet Lincoln-Douglas, në të cilat Lincoln argumentoi kundër përhapjes së skllavërisë, ndërsa Douglas pohonte që çdo territor duhet të ketë të drejtën të vendosë nëse do të bëhet i lirë ose skllav. Lincoln humbi garën e Senatit, por fushata e tij solli vëmendjen kombëtare te Partia e Re Republikane. Më 1860, Lincoln fitoi nominimin presidencial të partisë.

Në zgjedhjet e nëntorit 1860, Lincoln u përball përsëri me Douglas, i cili përfaqësonte fraksionin e Veriut të një Partia Demokratike të ndarë, si dhe Breckinridge dhe Bell. Njoftimi i fitores së Lincolnit sinjalizoi shkëputjen e shteteve jugore, të cilat që nga fillimi i vitit kishin kërcënuar publikisht ndarjen nëse republikanët marrin Shtëpinë e Bardhë.

Deri në kohën e inaugurimit të Lincolnit më 4 mars 1861, shtatë shtete u ndanë dhe Shtetet e Konfederatës së Amerikës ishin themeluar zyrtarisht, me Jefferson Davis si presidentin e tij të zgjedhur. Një muaj më vonë, Lufta Civile Amerikane filloi kur forcat Konfederale nën gjeneralin P.G.T. Beauregard hapi zjarr mbi Fort Sumter të Unionit të mbajtur në Karolinën e Jugut. Në vitin 1863, kur vala u kthye kundër Konfederatës, Lincoln liroi skllevërit dhe në vitin 1864 fitoi rizgjedhjen. Në prill 1865, ai u vra nga simpatizanti i Konfederatës John Wilkes Booth në Teatrin e Fordit në Uashington, D.C. Sulmi erdhi vetëm pesë ditë pasi Lufta Civile Amerikane përfundoi në mënyrë efektive me dorëzimin e gjeneralit Konfederata Robert E. Lee në Appomattox.

Duke ruajtur Bashkimin dhe duke i dhënë fund skllavërisë, si dhe për karakterin e tij të veçantë dhe oratorinë e fuqishme, Lincolni është përshëndetur si një nga presidentët më të mëdhenj amerikanë. / KultPlus.com

30 librat që duhet t’í lexoni para se të mbushni 30 vjet

Çfarë rëndësie ka kur në jetën tuaj lexoni një libër? Ndoshta shumë.

Megjithatë, çfarëdo keqkuptimesh që mund të çimentojë një lexim rinor, ngulitja e një libri të caktuar në një kohë të caktuar në jetën tuaj mund të ketë një ndikim të pamohueshëm.

Nëse nuk e hasni Ramonën në vitet tuaja fillore, a do të shfaqet ndonjëherë shpirti i tërbuar i thirrur nga Beverly Cleary në formën e tij më të plotë? A do të rrëmbejë Holden Caulfield ndonjëherë rrugën e tij në zemrën tuaj nëse nuk e hasni “The Catcher in the Rye” në adoleshencën tuaj?

Dhe çka nga ata libra që lexoni në ato vite të çrregullta e të ndezura të njohura si të 20-tat tuaja – një dekadë në të cilën jeta juaj madhore afrohet gjithnjë e më shumë dhe megjithatë mund të jeni ende duke u endur në digresione të gëzueshme?

Cilat vepra letrare duhet të informojnë atë vendkalim dhjetëvjeçar? Nuk ka përgjigje, natyrisht (as në të vërtetë nuk ka ndonjë gjë të veçantë për të përfunduar vitin tuaj të 29-të), por megjithatë kemi disa mendime. Në frymën e festimit të ndikimit që ndryshon jeta në letërsi, Vogue ofron 30 sugjerime librash për të lexuar para se të mbushni 30 vjet.

Librat që duhet t’i lexoni para se të mbushni 30 vjet: Wuthering Heights – Emily Bronte(1847) House of Mirth – Edith Wharton (1905) Maurice – E.M. Forster (1913) Mrs. Dalloway – Virginia Woolf (1925) I Capture the Castle – Dodie Smith (1948) Giovanni’s Room – James Baldwin (1956) The Group – Mary McCarthy (1963) The Millstone – Margaret Drabble (1965) A Book of Common Prayer – Joan Didion (1977) The Transit of Venus – Shirley Hazzard (1980) Money: A Suicide Note – Martin Amis (1984) Self-Help – Lorrie Moore (1985) Beloved – Toni Morrison (1987) The Swimming-Pool Library – Alan Hollinghurst (1988) The Secret History – Donna Tartt (1992) Novelat e Patrick Melrose: Never Mind (1992), Bad News (1992), Some Hope (1994), Mother’s Milk (2005), and At Last (2012) Operating Instructions – Anne Lamott (1993) Open Secrets – Alice Munro (1994) Never Let Me Go – Kazuo Ishiguro (2005) The Year of Magical Thinking – Joan Didion (2005) On Beauty – Zadie Smith (2005) Exit West – Mohsin Hamid (2017) Conversations With Friends (2017) and Normal People (2018) – Sally Rooney Pleasure Activism – Adrienne Maree Brown (2019) All About Love: New Visions – bell hooks (2000) The Undocumented Americans – Karla Cornejo Villavicencio (2020)./ KultPlus.com

Kafeja e mëngjesit

Poezi nga Jasques Prevert

Ai hodhi kafe
Në filxhan
Hodhi qumësht
Në filxhanin e kafesë
I hodhi sheqer
Kafes me qumësht
Me lugën e vogel
E përzjeu
E piu kafen
Dhe vuri filxhanin mbi tavolinë
Pa më folur
Ndezi një cigare
Bëri rrathë
Me atë tym
Shkundi hirin
Në taketuke
Pa më folur
Pa më shikuar
U ngrit
Vuri kapelen në kokë
Veshi xhaketën e shiut
Sepse binte shi
Dhe doli jashtë
Nëpër shi
Pa një fjalë
Pa më shikuar
Dhe unë
Futa kokën
Mes duarve
Dhe qava / KultPlus.com

“Lumturia është vepër arti, trajtoje me kujdes”

Thënie nga Edith Wharton

Sonte po sjellim disa thënie të njohura nga shkrimtarja amerikane Edith Wharton:

“Lumturia është vepër arti. Trajtoje me kujdes.”

“Mund të mbetemi gjallë vetëm nëse nuk kemi frikë nga ndryshimi, nga kureshtja e pangopur intelektuale ndaj gjërave të ëmdha, si dhe nga lumturia ndaj gjërave të vogla.”

“Ruhu nga monotonia. Ajo është nëna e mëkateve më të rënda”.

“Ka dy mënyra për të përhapur dritën: të jesh qiri ose pasqyrë.”

“Asgjë nuk e shastis më shumë një burrë se sa procesi mendor i një gruaje, e cila i motivon emocionet e saj.” /KultPlus.com

Kryeveprat letrare, të urryera nga shkrimtarët e mëdhenj

Përgatiti: Armin Tirana

Nuk është e lehtë të thuash se diçka nuk na pëlqen kur të gjithë e pëlqejnë. Rreziku është se mos akuzohemi se nuk kuptojmë apo deri për mendjemadhësi: si guxon ta shprehësh opinionin tënd mjeran kur është e qartë se do të përplaset me murin e përjetësisë që mbron kryeveprat? Dhe, mbi të gjitha, kush guxon se je? Në Literary Hub, Emily Temple ka hartuar një prej listave të saj fantastike. Ka listuar 14 kryeveprat më të urryera nga kush që në fakt kishte plotësisht të drejtën për t’u shprehur: gjenitë e padiskuteshëm të letërisisë.

Kryeveprat: shpesh shfaqen menjëherë, nganjëherë kalojnë pa u vënë re për një farë kohe, të tjera e kalojnë provimin e elitës, por jo të masës. Gjithsesi, herë a vonë, zbulohen dhe forcohen mbi piedestalin e tyre dhe qëndrojnë aty, të palëvizur. Do të jetë edhe për këtë, pasi nuk ka asnjë rrezik për t’i gërvishtur, se do të ishte e bukur që herëpashere të bëhej ushtrimi i vëzhgimit me shikimin e paturpshëm e shkrimtarëve të renditur këtu, duke u stërvitur për të zvilluar një mendim kritik më kurajoz. Por fjalët e këtyre autorëve na kujtojnë edhe sa është e rëndësishme të mos kihet frikë për të gjykuar bashkëkohësit tanë dhe shprehur pa frikë opinionet tona. Më e keqja që mund të na ndodhë? Nëqoftëse do të bëhemi gjeni, Emily Temple do të na fusë në ndonjë prej listave të saj. Në rast të kundërt, askush nuk do të kujtohet.

Virginia Woolf, Uliksi

Kështu shprehet shkrimtarja më e madhe e të gjitha kohërave kur vjen puna për kryeveprën e James Joyce: «Më është dukur një libër i pakulturuar, i trashë. Libri i një punëtori autodidakt dhe të gjithë e dimë sesa mund të jenë stresues, egocentrikë, këmbëngulës, të jashtëzakonshëm dhe, në analizë të fundit, të shpifur».

Dorothy Parker, Winnie the Pooh

Në kolumnen e saj të 20 tetorit 1928 tek New Yorker, Parker përcjell dialogë të tërë nga libri i A. A. Milne, duke ju përqeshur personazhet dhe të folmen e tyre.

Charlotte Brontë, Krenari dhe paragjykim, Ema

Brontë e kishte për vdekje me Jane Austen dhe i kritikoi si Krenari e paragjykim, ashtu edhe Emën. Në vitin 1848 i shkruante e dëshpëruar G.H. Lewes: «Pse ju pëlqen kaq shumë Mis Austen? Gjëja më le vërtet pafjalë».

Mark Twain, Krenari dhe paragjykim

Duhet thënë se e kishte me të edhe Mark Twain: «Nuk kam asnjë të drejtë t’i kritikoj librat, e bëj vetëm kur i urrej. Shpesh kam dëshirë të kritikoj Jane Austen, por librat e saj më tërbojnë aq shumë, sa që nuk arrij as ta kamufloj tërbimin dhe kështu që e lë fare më përpara akoma sesa të filloj».

Aldous Huxley, Në rrugë

Duke folur pë klasikun e shkruar nga Jack Kerouac, autori i një prej kryeveprave më të mëdha të fantashkencës (Bota e re) fiton çmimin për shprehjen më lezetshme: «Pak më vonë kam filluar të mërzitem. Dua të them, rruga më është dukur tmerrësisht e gjatë».

Katherine Mansfield, Shtëpia Howard

Në vitin 1917, e mbrojtur nga faqet e ditarit të saj, Mansfield ia lejon vetes që ta kritikojë librin e E. M. Forster nëpërmjet përdorjes së një metafore të veçantë. «Nuk arrin të shkojë më tej, kufizohet duke ringrohur çajnikun. Është shumë i zoti në këtë. Dëgjoje këtë çajnik: A nuk është i ngrohur shkëlqyeshëm? Po, por nuk do të ketë asnjë çaj».

Martin Amis, Don Kishoti

Sipas Amis, leximi i kryeveprës së Miguel Cervantes mund të krahasohet me një vizitë të papërcaktuar të «kushëririt më tw pamundur të moshuar, me të gjitha difektet e tij, zakonet e pështira, remineshencat e pandalshme dhe shokët e tmerrshëm të fëmijërisë».

David Foster Wallace, American Psycho

Në një intervistë me Larry McCaffery të botuar në revistën Review of Contemporary Fiction në vitin 1993, Wallace kapet keq me Ellis: «Për pak e nxjerr në plan të dytë në mënyrë të pacipë sadizmin e publikut, por në fund është e qartë se objekti i vërtetë i sadizmit është vetë lexuesi». Kur intervistuesi e mbron, ai i përvishet më keq: «Po demonstron pikërisht llojin e cinizmit që u mundëson lexuesve të manipulohen nga të shkruarit e keq». Është fillimi i një debati letrar midis të dyve që ka vazhduar edhe pas vdekjes së Wallace.

Elizabeth Bishop, Seymour – Një hyrje

Bishop nuk ia përton ta thotë: «E kam urryer historinë e Salinger», shkruan në një letër. «Më janë dashur ditë ta lexoj dhe më është dashur ta bëj me maturi, nga një faqe, nga një faqe, duke u skuqur nga sikleti për secilën prej shprehjeve të tij qesharake».

Mary McCarthy, Franny dhe Zooey

Vështirë të mos e çmosh këtë kryeveprën tjetër e Salinger. Megjithatë, dikush ia ka arritur. Kështu, McCarthy, që i kritikon praktikisht çdo gjë dhe nuk arrin të përtypë as vetëvrasjen finale: «Pse vret veten Seymour? (…) Ndoshta sepse ka gënjyer, ndoshta autori i tij ka gënjyer, gjithçka ishte e tmerrshme, bile edhe ai ishte mashtrim?».

H.L. Mencken, Gatsby i madh Gatsby

Debuton kështu në reçensionin e tij për romanin e mrekullueshëm të F. S. Fitzgerald në Chicago Sunday Tribune e vitit 1925: «Në formë, libri i ri i Fitzgerald nuk është asgjë më shumë se një anekdotë e glorifikuar. (…) Natyrisht, kjo histori është e parëndësishme».

Vladimir Nabokov, Doktor Zhivago, Vëllezërit Karamazov, Krim dhe ndëshkim, Finnegans Wake

Por urryesi më i flaktë dhe më i zellshëm i të gjithëve është i madhi Nabokov: jepini një klasik dhe ai do t’ua çmontojë copa copa. Pasternakut i lavdëron poezinë, por i kritikon prozën: Doktor Zhivago nuk i pëlqen aspak (një roman me një banalitet provincial), konsideron si librat më të rëndësishëm të Dostoevskij veprat e tij më të këqija (të mërzitshme, konfuze), dhe shprehet lidhur me eksperimentin e Joyce me këtë shprehje, që në vetvete është kryevepër: «E urrej Finnegans Wake, në të cilën rritja kanceroze e indeve të fjalëve fantastike nuk arrin pikërisht që të ngjallë harenë e tmerrshme e folklorit dhe alegorinë e lehtë, tejet të lehtë». bota.al //KultPlus.com

‘The Guardian’: Aventurë emocionuese skijimi në peizazhet e Bjeshkëve të Nemuna

Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi bashkohen në Bjeshkët e Nemuna, duke ofruar ditë të mrekullueshme skijimi, shkruan Katy Dartford në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Guardian”.

Është e vështirë të dish saktësisht se në cilin vend ndodhesh kur je lart në Bjeshkët e Nemuna.

Të njohura si Alpet Shqiptare, ky varg malor i thyer shtrihet nga Shqipëria veriore në Kosovën perëndimore dhe në verilindje të Malit të Zi.

Ne ishim në një udhëtim turistik për ski për të eksploruar zonën, e cila tërheq 200 deri në 300 vizitorë gjatë sezonit dimëror.

Vendosëm të eksploronim zonën për borën e pa gjurmuar dhe mundësinë për të eksploruar tre vende brenda një dite, të rrethuar nga një shkretëtirë e bardhë vezulluese me vetëm disa fshatra të veçuara.

Kërkohen aftësi të mira skijimi jashtë dhe një nivel i mirë fitnesi për ngjitjet, por Alpet premtojnë një aventurë larg shpateve të destinacioneve të zakonshme evropiane të skive, të tejmbushura me turistë.

Gjatë një jave, kemi bërë 4-8 milje në ditë ngjitje dhe u akomoduam në bujtina.

Ne vazhduam drejt majës (Maja e Bardhë) 2392 metra, të nxitur nga bora e pastër që na priste në shpatin e saj jugperëndimor në Kosovë.

Ne u ngjitëm përgjatë Qafës së Pejës (2275 metra), që përshkon dy vendet, duke ruajtur një ritëm metronomik me skitë tona turistike.

Ndërsa arritëm majën, majat përreth ofronin një shfaqje magjepsëse, duke zbuluar një pamje të një vargmali dhe të një maje me dëborë, përpara se të kalonim edhe një herë pas një perdeje të trashë reje.

Ne u shpëtuam mjegullave të vazhdueshme të Shqipërisë dhe zbritem në peizazhin e mbuluar nga dielli të Kosovës.

Kishim kohë edhe për një xhiro tjetër në këtë peizazh të pacënuar dimëror – përpara se të skijonim nëpër luginën kosovare të Zalli i Rupës me bredha – dhe të përfundonim turneun tonë të skive rreth Bjeshkëve të Nemuna.

Udhëtimi ynë nisi një javë më parë në Pejë, në fund të skajit lindor të vargmalit malor. Pasi arritëm në qytetin e Kosovës në mbrëmje, na ranë në sy majat mbresëlënëse gëlqerore të larta – të cilat dominuan peizazhin e pyllëzuar mëngjesin tjetër.

Përveç ndërtesave që datonin nga e kaluara e tij romake, bizantine dhe otomane, si banjot termo-minerale aty pranë, të krijuara që nga lashtësia, qyteti kishte gjithashtu një fabrikë birre të njohur (Birra Peja).

Virtyt Gacaferri i cili na njohu me zonën – bëri shaka se kishte jetuar në gjashtë vende pa u zhvendosur fizikisht, një referencë për të kaluarën e trazuar të rajonit, veçanërisht shpërbërjen e Jugosllavisë dhe konfliktin e Kosovës në vitet 1990.

I frymëzuar nga suksesi i një shtegu ecjeje prej 119 miljesh (192 kilometra) (Majat e Ballkanit i iniciuar në 2013) për të promovuar paqen dhe për të ofruar punësim në Shqipëri, Mal të Zi dhe Kosovë, Virtyti donte të shihte nëse malet mund të tërhiqnin vizitorë edhe gjatë muajve të dimrit.

Kështu që, ai punoi për hapjen e tre bujtinave për sezonin dimëror dhe u krijua Balkans Natural Adventure – një nga kompanitë më të mira që ofron turne të vetëdrejtuara në Majat e Ballkanit.

Ne i kaluam netët në këto bujtina gjatë turneut tonë. Të nesërmen në mëngjes u nisëm nga Hotel – Kulla e Zenel Beut në drejtim të parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Me pajisjet për skijim dhe bagazhet tona të lidhura në majë të furgonit, ne kaluam në shtigje të pjerrëta pyjore dhe përrenj shkëmborë, duke u ngjitur drejt majave me borë që shfaqeshin në horizont.

Më në fund arritëm në bujtinën Gacaferi, në një luginë me borë në provincën e Deçanit në Kosovën perëndimore.

Ndërsa ne ngjiteshim në Qafën e Ali Pejës, zbuluam një panoramë të maleve të thepisura dhe luginave të pacënuara.

Pas një ngjitjeje dy-orëshe arritëm në dy maja të rrumbullakosura 2300 metra, të cilat, si shumë të tjera në rajon, nuk ishin emërtuar ende.

Këto maja ofronin pamje të luginës së Dobërdolit dhe Valbonës në kufirin shqiptar, ndërsa Gjeravica e Kosovës, maja e dytë më e lartë e Bjeshkëve te Nemuna rreth 2656 metra, ngrihej pas nesh.

Gjatë kthimit tonë në bujtinë pas skijimit për 30 minuta nëpër borën e butë, Safete Gacaferi na priste me filxhanë kafe turke pranë një zjarri të ndezur.

Pas një dite të gjatë, ne pushuam rreth sobës, duke parë punën e vështirë që po bëhej në kuzhinë.

Safetja përgatiti piten duke rrotulluar copa brumi në rrathë të hollë dhe duke i përhapur ato me një përzierje qumështi kremoze të njohur si halta, përpara se t’i mbështillte në formë spiraleje dhe t’i piqte.

Ne i hëgrëm ato me qofte shtëpie dhe speca, përpara se të shkonim në dhomat tona të përbashkëta me shtretër të rehatshëm.

Të nesërmen në mëngjes u nisëm për ski në një peizazh të pastër njëngjyrësh, me synimin për të vizituar tre vende në pak sekonda.

Duke arritur Majën e Trekufirit (2,366 metra), ku takohen të tre kufijtë, ne thirrëm emrat e secilit vend – Shqipëri, Mali i Zi dhe Kosovë – ndërsa ndodheshim ne majën e malit.

Më pas zbritëm drejt një fshati të zbrazët, Bogiçevicës, ku na mirëpriti një oficer gazmor i patrullës kufitare, kureshtjen e të cilit e zgjoi risia e vizitorëve të sezonit dimëror.

Një ish-kamion i ushtrisë, i pajisur me një rimorkio për pajisjet tona, na çoi në një udhëtim në Babino Polje në Mal të Zi.

Në bujtinën “Eko Katun Hrid” na pritën fëmijët e Enes “Enko” Dreskovic, të cilët na ofruan lëng boronice të bërë në shtëpi dhe pantofla të ngrohta.

Bujtina ishte aq larg sa nuk kishte sinjal telefoni, por kishte dushe të nxehta në apartamentet e sapondërtuara, të cilat kishin krevate dyshe dhe teke. Ne shkuam për të fjetur nën zhurmën e lumit poshtë.

Ndërtesa kryesore ishte një shtëpi tradicionale familjare me një dhomë ndenjeje dhe kuzhinë të madhe dhe të ngrohtë.

Enko është një figurë madhështore dhe gjithashtu drejtori i Parkut Kombëtar Prokletije të Malit të Zi.

Gjatë një darke ku na shërbyen bërxolla qengji, peshk të skuqur, pulë dhe patate, ai ndau historinë e përfshirjes së tij në krijimin e parqeve kombëtare në të tre vendet, rreth 20 vite më parë.

Vizioni i tij ishte të bashkonte parqet dhe të thyente kufijtë.

“Njerëzit këtu janë të njëjtë, pavarësisht nga kombësia. Fqinji juaj mund të jetë më i afërt se vëllai juaj”, tha ai.

Gjatë dy ditëve në vijim, ne vizituam fshatrat e thella si Dobërdoli në Shqipëri, duke qëndruar në bujtinën “Leonardi”, një nga vendet më të veçuara deri më tani.

Prej këtu skijuam deri në majën e Shpatit (2203 metra), duke ndjekur kreshtën befasuese që të çonte në majën e quajtur “Kershi i Kocit” – para se të ktheheshim në ngrohtësinë e bujtinës, ku na servirën një shishe raki.

Udhëtimi u mundësua nga Balkans Natural Adventure; pushimet shtatë ditore kushtuan rreth 1500 euro, duke përfshirë guidat lokale, transfertat dhe disa vakte.

Mbahet premiera e “Paddington in Peru”

Yjet e filmit të ri “Paddington in Peru”, Antonio Banderas dhe Olivia Colman, kaluan në tapetin e kuq në premierën e tij në Londër.

Filmi tregon ariun e dashur në Peru teksa ai kthehet për të vizituar tezen e tij të dashur Lucy. Me familjen Brown në vazhdimsi, një aventurë pason kur një mister i zhyt ata në një udhëtim të papritur nëpër Amazon.

Në tapetin e kuq u vu re shumë dashuri për personazhin kryesor, të shprehur nga Ben Whishaw, e  veçanërisht nga Olivia Colman, e cila luan një murgeshë që mbart një sekret në film.

“Ai është si një krijesë e vogël perfekte dhe nëse ndonjë fëmijë apo i rritur kërkon dikë që të shikojë, nuk mund bëjnë keq duke ndjekur Paddington. Ai është gjithmonë i sjellshëm, mendon më të mirën e të gjithëve”.

Në film Hugh Bonneville si Mr Brown dhe Ben Whishaw është kthyer si zëri i Paddington. Krijuar nga autori Michael Bond në vitet 1950, dhjetëra miliona libra pas aventurave të ndryshme të ariut janë shitur në mbarë botën.

I kthyer në një serial televiziv popullor, Paddington, me çizmet e tij të veçanta Wellington, kapelën e vjetër dhe pallton, u portretizua nga një kukull stop-motion./ Klan News/ KultPlus.com

“Asnjë gjuhë nuk e nis historinë me formulën e pagëzimit”

Fjalim i shkrimtarit Ismail Kadare

Për një shkrimtar që vjen të marrë titullin “Doctor honoris causa“, gjëja e parë që i vjen ndër mend është se, në qoftë se është i detyrueshëm një fjalim, ai duhet të përshkohet nga filli i një argumenti shkencor.

Nuk besoj se them ndonjë gjë të re, po të theksoj këtu se një gjë e tillë është jo fort e lakmueshme për mjeshtërinë tonë.

Kam vënë re se sivëllezërit e mi nga ish-perandoria e përmbysur komuniste, në raste të tilla kanë folur për shtypjen ndaj letërsisë. Thënë ndryshe, një temë që duhej t’i përkiste publicistikës, madje do të shtoja, kujtimeve emocionale, ka marrë statusin e argumentit shkencor.

Në thelb nuk ka ndonjë gabim kushedi çfarë. Shtypja e letërsisë dhe arteve në botën komuniste u ngrit në rangun e një shkence. Rrjedhimisht, trajtimi i kësaj shtypjeje mund të bëhej në të njëjtin stil.

Të gjitha rendet autoritare në botë kanë patur probleme me letërsinë. Në të gjitha rastet është letërsia që, në fund të fundit, ka ngadhënjyer. Ndërkaq, duhet thënë se nga të gjitha rendet, i vetmi që iu afrua fitores kundër letërsisë ka qenë komunizmi.

Është folur shumë për këtë, ndaj nuk do të zgjatem. Do të kujtoj vetëm pyetjen që është bërë shumë herë: a ka shpikur komunizmi ndonjë armë të re, një armë që do të ishte fatale kundër letërsisë? Përgjigja është po. Është përdorur vërtet një shpikje e re. Komunizmi ishte i pari rend në botë që e kuptoi se letërsia e madhe nuk pësonte asgjë, as prej censurës, as prej burgjeve e as prej tmerreve të tjera. Për ta vënë në gjunjë përfundimisht duhej diçka tjetër. Kjo shpikje e re ishte krijimi i një race të re shkrimtarësh, një racë që me duart e veta do ta prishte artin e fjalës. Me fjalë të tjera, për të perifrazuar Josif Brodskin, nuk ishte e nevojshme të rrënohej drejtpërdrejt ngrehina e letërsisë, mjaftonte të prisheshin tullat, pra lënda me të cilat ajo ishte ngritur. Kështu, me tulla të sabotuara, ngrehina vetvetiu do të binte. Kjo zgjidhje radikale u arrit vetëm pjesërisht, nëpërmjet atij që u quajt “realizëm socialist”. Përse nuk triumfoi përfundimisht? Çfarë nuk mjaftoi? Mosha e sistemit, ndoshta? Ka gjasë të ketë qenë kjo e fundit. Komunizmi, dihet, ka pasur dy mosha, njëra 70-vjeçare, që e arritën vetëm dy shtete, Bashkimi Sovjetik dhe Mongolia dhe drejt së cilës po ecën Kuba me Korenë e Veriut. Dhe mosha tjetër 45-vjeçare, që është pak a shumë ajo e vendeve të Europës Lindore, ku hynte edhe vendi im, Shqipëria.

Në historinë e njerëzimit, ajo që e përmenda si “zgjidhje radikale për letërsinë”, ka pasur edhe një version tjetër tepër të rrallë e tepër të lemerishëm. Ky version nuk ka lidhje me komunizmin, por me një tjetër fatkeqësi: sundimin osman.

Ju e dini këtë sundim. Ai u shtri mbi krejt Gadishullin Ballkanik. Ai vuri nën vete dhjetëra popuj, gjuhë, kultura. Ai e shkëputi Ballkanin nga Europa, synoi pushtimin e qendrës së Europës në veri dhe gadishullin tuaj italian, në perëndim. Ashtu si në rastin e komunizmit, edhe në rastin e pushtimit osman, vendi im, Shqipëria, kurrsesi nuk mund të pretendojë se ka qenë një viktimë e vetmuar. Ajo ra nën atë sundim bashkë me gjithë popujt e Ballkanit. Ajo vuajti të njëjtin ferr.

Meqenëse e përmenda moshën e komunizmit, po theksoj se koha e sundimit osman për nga gjatësia mund të quhet pa frikë infernale: pesëqind vjet. Tingëllon e pabesueshme, dhe është vërtet aq e pabesueshme, saqë kohët e fundit, revizionistët e historisë kanë ngritur tezën se një pushtim kaq i gjatë nuk mund të quhet pushtim. Ata janë duke kërkuar një emër tjetër, më të ndryshëm e, sidomos, më të përshtatshëm me vizionin e sotëm europian për pajtimin e popujve. Me gjithë përpjekjen për mirëkuptim, personalisht nuk besoj se do të gjendet një tjetër fjalë për të zëvendësuar fjalën pushtim.

Ashtu siç nuk ka ndodhur për fjalën “vdekje”, e cila ndonëse është shumë më e gjatë se çdo pushtim, vazhdon të quhet, ashtu si dhe më parë, “vdekje”. Tërhoqa vëmendjen tuaj për kohëzgjatjen pesëqindvjeçare të pushtimit osman, jo për të rritur dramacitetin e diçkaje, të cilit dramaciteti i del dhe i tepron, por thjesht për të ardhur prapë te problemi që përmenda më lart, ai i zgjidhjeve radikale të problemit të letërsisë.

Është fjala për një tjetër zgjidhje radikale, dy herë, ndoshta dhjetë herë më të lemerishme: ndalimin e vetë shkrimit. Po e them qysh në krye: nga gjithë gjuhët e Gadishullit të madh Ballkanik, gjuha shqipe, ajo që unë përdor, është e vetmja, shkrimi i së cilës u ndalua për pesëqind vjet. Unë nuk di ndonjë vend tjetër në kontinentin europian, gjuha e të cilit të ketë pësuar një tmerr të tillë. Përse? Si u gjykua më pas, përse nuk ndryshoi me kalimin e shekujve, si vazhdoi gjer në fund, në çastet kur perandoria plakë po jepte shpirt? Këtyre pyetjeve e kam vështirë t’u përgjigjem. Shqiptarëve u lejoheshin shumë gjëra: u lejoheshin kishat, pronat, gradat e larta në ushtri e në administratë, madje posti i kryeministrit perandorak, që ata e patën disa herë, por nuk iu lejua kurrë një gjë: shkrimi i gjuhës shqipe. Ky ishte një ndalim i vërtetë, dramatik e pa kthim.

Në kronikën botërore të arsimimit, nuk besoj se gjenden raste kur mësues e vocërrakë, të kapur tek mësonin në fshehtësi shkrimin e gjuhës, masakroheshin aty për aty pa mëshirë dhe pa pendim. Çfarë mund t’i ndodhë një gjuhe që pëson një lemeri të tillë? Ç’ndodh brenda saj, në thellësi, atje ku vërtiten mekanizmat? Si bashkëjetojnë veglat e gjalla me ato që njëra pas tjetrës vdesin? Vetë gjuha si mbahet në këmbë, si zbutet apo egërsohet? Ç’cilësi fiton, apo humb? Cilësi engjëllore apo më shumë demoniake? Gjer më sot nuk kam ndeshur në studime që të merren me këto çështje. Thjesht mund të përsëris se jam njëri prej shkrimtarëve që kam përdorur këtë gjuhë.

Dhe tani më lejoni të flas diçka më tepër për të. Më saktë, të rikujtoj disa shënime që i kam marrë vite më parë, në një periudhë jo të lehtë, jo vetëm të jetës s’ime, por të gjithë popullit që i përkas.

“Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit.”

Kjo është fraza e parë e shkruar në gjuhën shqipe.

Nuk njoh tjetër gjuhë të nisë historinë e saj të shkruar me formulën e pagëzimit. Ngjan si e sajuar prej poetësh, ndonëse nuk ka kurrfarë sajimi. Fakti është më se i saktë, madje dokumenti ku kjo frazë është gjendur, një qarkore e shkruar në latinisht prej peshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, ka datën e lëshimit. Atje është 8 nëntor 1462. Gati pesëqind vjet më pas, pikërisht në këtë ditë, 8 nëntor 1941, komunistët shqiptarë do të themelonin partinë e tyre, çka ngjan si një tjetër përkim. Por këtë herë në kahe tjetër. Partia Komuniste do të luftonte vdekshëm me fenë që ta shkulte e ta nxirrte jashtë universit shqiptar. Por ajo do të vërtitej, do të vërtitej pa pushim rrotull Shqipërisë, me shpresën e kundërt: të kthehej prapë atje.

Më 1555-ën, një murg katolik, Gjon Buzuku, botoi librin e parë në shqip, një përkthim lutjesh, duke bërë kështu për shqiptarët atë që kishte bërë pak a shumë për gjermanët tridhjetë vjet më parë se ai, i famshmi Martin Luther.

Në vitin 1592, Lekë Matranga, botoi “këngën e përshpirtshme“, vjershën e parë të letërsisë shqipe të kultivuar:

Gjithëve u thërres, kush do ndejese,

Të mirë të kreshté, burra e gra

Mbi fjalë të Tinëzot të shihni meshe

Se s’ishte njeri nesh që mkate s’ka.

Hijeshia e vargjeve njëmbëdhjetërrokëshe dëshmon për një traditë më të hershme vjershërimi, pa llogaritur dhënesën gojore shumë më të vjetër. Por, gjatë ikjes së madhe të shqiptarëve, asaj ikjeje të pikëllueshme, që duhej të ketë qenë brenga më e hidhur e këtij kombi gjatë dy mijë vjetëve, shumë libra e dorëshkrime duhet të kenë humbur. Dëshpërimi i zi, nxitimi, trandja nervore, arkat e harruara, balta, hendekët e rrugës, ujët e detit, të gjitha këto gëlltitën pjesën e tyre nga arkivat e princërve e të baronëve, nga kambanat që ngarkoheshin nëpër anije, nga ikonat e kishave dhe stolitë e zonjave.

Shumë kambana ranë e u mbytën në det.

Ende dergjen atje, në terr e në ndryshk

Me gjëmimin që e ndrynë përbrenda përjetë,

E q’ashtu që së brendëshmi i gërryen e i ha.

Por kambanat e tretura mund të derdheshin sërish në trojet italiane, ku ata u mërguan. Do të tingëllonin ndryshe pa dyshim, dhe do të gjendeshin gjithfarë shpjegimesh për këtë: ajri që s’është po ai, mungesa e bjeshkës aty pranë që kthen jehonën dhe trajta e luginës ose metali që s’qe i njëllojtë, gjersa të gjendej dikush që të thoshte se kambanat ishin po ato, por qenë ata që s’ishin më ata që kishin qenë.

Pra, mund të zëvendësoheshin njëfarësoj kambanat dhe stolitë e grave dhe shumë gjëra të tjera, veç dorëshkrimet e tretura s’ribëheshin më.

Shqipërisë i ndodhi diçka që rrallë i kishte ndodhur ndonjë vendi. Kur elita e vendit, kryezotët, oficerët, njerëzit e letrave, të arkivave, diplomatët, kontët, dukët, shkronjësit e manastireve, duke mos e menduar dot jetën nën shenjën e islamit, ikën përtej detit, u duk se bashkë me arkat e rënda morën me vete edhe trurin e kombit.

Dhe, në njëfarë mënyre, ashtu ishte. Gjithë rrafshnalta shqiptare ra në mpirje e në zi. U duk se vendi, si i goditur në kokë, do të mbetej i gjymtë përgjithmonë.

Por, pikërisht në atë kohë, shtysa e vetëruajtjes rivuri në veprim një mekanizëm të vjetër: letërsinë gojore. Lart në male, atje ku kishte mbetur ende një mugullimë drite, makina e lashtë u trand përsëri. Kishte qenë përherë aty, por disi jashtë vëmendjes, sidomos qysh nga koha që shqiptarët kishin mësuar të shkruanin, madje të botonin edhe libra në gjuhën latine, si gjithë evropianët e ditur. (Njëri prej tyre, prifti shkodran, Marin Barleti, qe përkthyer ndërkaq në krejt gjuhët e Evropës.)

Pra, makina kishte qenë aty, veç tani, në ditët e apokalipsit, u duk se sa shumë i duhej këtij vendi. Por ajo, si çdo makinë e këtij lloji, kishte teknologjinë e saj trillane: nuk punonte dot veç me brumë të lashtë. Ishin ligje misterioze të trashëguara që në kohërat homerike. Sytë e rapsodëve, ndërsa qenë të veshur për gjashtëqind-shtatëqind vjetët e afërt, shikonin shkëlqyeshëm, përtej tyre: shtatëqind e pesëdhjetë, tetëqind, një mijë vjet.

Dhe kështu, ndërsa Shqipëria po jetonte një tragjedi të re, ata, të verbër ndaj saj, iu rikthyen një tragjedie të kryehershme, dyndjes sllave. Poshtë në rrafshultë, ndiheshin ndërkaq tek-tuk ca kambana të rralla, regëtinin ca zjarre, një këtu, një aty, nëpër famullitë gjysmë të shkreta.

Diku midis viteve 1566-1622, një tjetër prift katolik, Pjetër Budi, shkruante vargjet:

Ku janë ato gra e vasha

nde sqimë e nde madhështi

me petka të mëndafshta

nalcuom mbë zotërij?

Gjithë mortja i rrëzoi

Sikur i pret me shpatë…

Ato të kujtonin çuditërisht vargjet e François Villonit:

Ku janë zonjat e dikurshme

Ku është bora e vitit që shkoi?

çka dëshmonte se ciklonet poetike e kanë përshkruar rruzullimin tokësor edhe atëherë kur dukej se gjithçka ishte ndarë dhe se ndërkomunikimi midis poetëve ishte i pamundur.

Pas Pjetër Budit, në letërsinë shqipe erdhi Pjetër Bogdani, një nga mendjet më të gjera e të ndritura të botë shqiptare. Ai ishte poet, filozof e dijetar i madh. Në gjithë veprën e tij ndihet mundimi, lodhja e një titani. Ka gati dyqind vjet që Shqipëria ndodhet në natën osmane. Pra ajo është ende afër mesnatës (ora e mesnatës duhet të bjerë pas pesëdhjetë vjetësh, përderisa nata e gjithë do të jetë e gjatë pesëqind vjet). Pavarësisht se askush nuk e di se në ç’pjesë të natës ndodhet vendi, poeti e ndien. Ai e ndien se nën peshën aziatike, bota shqiptare jep çdo ditë krisje e pëson shembje.

Feja është një nga ledhet e para që trandet. Për një habi të pashpjegueshme qartë, dy nga popujt më të moçëm e kokëshkretë të rajonit, shqiptarët në veri dhe kretasit në jug, bëjnë kthimet e para në fenë islamike. Janë tepër të vjetër dhe janë lodhur nga krishterimi? Ashtu siç qenë ndër të parët që të lodhur nga paganizmi kishin marrë krishterimin? Askush s’mund ta shpjegojë gjer në fund enigmën.

Pjetër Bogdanit, që është peshkop katolik, i dhemb pa dyshim kjo çarje. E bashkë me të i dhembin shumë gjëra të tjera, krejt universi shqiptar që shkon drejt teposhtjes. Ai e ndien se po irnosen ngjyrat e veshjeve, po zvarget si e damllosur muzika, madje lëvizjet e shqiptarëve po flashken edhe në trutë e tyre pikë-pikë po depërtojnë përftimet orientale: “javashllëk” dhe “kismet”.

Ai e ndien madje se edhe gjuha shqipe, sado sipërane e tigreshë të ishte në krahasim me turqishten, po lodhej prej goditjes së shurdhër të bishtit të tjetrës. Ai i ndien të gjitha këto, ndaj vendos të ndërmarrë diçka titanike: t’i vërë supet botës që rrezikon të shembet. Kjo kushtëzon përftimin si prej galaktike të veprës së tij, universalizmin e saj, vizionet planetare dhe sidomos motivet kozmogonike.

Këto të fundit e mahnitnin veçanërisht Lasgush Poradecin. Duke kujtuar njohjen e tij të parë me veprën e Bogdanit, ai shkruan: “Kam kopjuar një poezi kozmogonike, e cila nga pikëpamja e koncepsionit origjinal, e idesë së fuqishme dhe e formës së veçantë të saj, jam i mendimit se duhet konsideruar si një monument letrar, jo vetëm i gjuhës shqipe, por i republikës së letrarëve përgjithësisht. Kozmogonia e të Madhit Shqiptar u bën ballë, me cilësitë e veta, kozmogonisë asiriane (babilonase), ashtu sikundër këtë e shohim në Biblën hebraike dhe kozmogoninë indike, ashtu sikundër këtë na e shfaqin Vedat e Shenjta”.

Titanizmi, ashtu sikurse dhe katastrofa, do të shfaqen herë pas here në letërsinë shqipe, njëlloj si ciklet kozmike. Ato do të shfaqen gjatë Rilindjes Kombëtare me Naim Frashërin. Ato do të rishfaqen në fund të shekullit XX gjatë dramës së Kosovës, që ende mban erë shkrumb.

Pjetër Bogdani është nga Kosova, por s’është kjo arsyeja kryesore, që vepra e tij është studiuar më mirë atje. Arsyeja e thellë është se pikërisht atje u përsërit tragjedia e vjetër. Ashtu si në epikën gojore shqiptare makthi turko-osman ringjalli dyndjen sllave, ashtu në letrat kosovare, makthi sllavo-serb ringjalli dyndjen osmane.

Shkreptima idesh i karfosnin harmonikisht letrat shqipe, ato që duke lindur me formulën e shenjtë të pagëzimit kanë mbyllur ciklet e ringjalljes me një tjetër formulë të shenjtë: Shqipëria u ngjall së vdekurish. Në mbyllje të kësaj fjale do të doja të kthehesha përsëri te fillimi i saj: ndalimi i shkrimit të gjuhës shqipe. Ç’do të bënin shkrimtarët e mundshëm (potencialë) shqiptarë me një gjuhë të tillë? Zgjedhjet nuk ishin të shumta. Dhe, veç kësaj, të gjitha ishin të trishtueshme.

E para gjë që të vjen ndër mend në kësi rastesh është heqja dorë prej një prej pasioneve më të vjetra të njerëzimit: krijimit letrar. Dhe, shumica e shkrimtarëve të mundshëm shqiptarë bënë pikërisht këtë: e braktisën artin e të shkruarit. Ne nuk e dimë dhe as mund ta dimë numrin e tyre. Ne dimë me saktësi vetëm një gjë: që humbja e kulturës shqiptare ishte e pandreqshme.

Një zgjedhje tjetër, më tepër iluzore se e vërtetë, ishte rikthimi i shkrimtarëve në traditën e vjetër rapsodike të letërsisë gojore. Ndërkaq, duhet thënë se, pavarësisht glorifikimit që i bëhet shpesh kësaj tradite, ajo mbetet përherë e mangët në krahasim me letërsinë e shkruar. Një zgjedhje e tretë, në thelb e pikëllueshme, ishte përdorimi i gjuhëve të tjera për t’u shprehur, kryesisht latinishtja e pas saj, gjuhët e tjera europiane.

Një pjesë e shkrimtarëve shqiptarë u strehua kështu në gjuhë të tjera, duke i dhënë fjalës emigrim një tingëllim dyfish dramatik. Një letërsi e tërë u krijua kështu nga ata që u cilësuan si shkrimtarë katolikë të veriut, letërsi e fuqishme, brenda kostumit latin të së cilës ndihej drama shqiptare. Konformizmi me një sajesë letrare turko-osmane, një farë letërsie e lejuar, madje e nxitur nga pushtuesi, ishte një zgjidhje jo vetëm iluzive, por edhe me pasoja fatale në qoftë se do të zinte rrënjë në kulturën shqiptare. Veçantia e parë e kësaj sajese ishte të shkruarit e shqipes me shkronja arabe. Veç kësaj, më e rëndë se kjo ishte brumi gjuhësor me të cilin ngjizej kjo kinseletërsi. Në këtë brumë, gjuha shqipe zinte një vend minoritar. Si në një pasqyrë dukej qartë se si ajo po jepte shpirt e asfiksuar prej shtrëngimit të një tjetër gjuhe që, jo vetëm ishte gjuhë e pushtuesit, por që nuk ishte as e familjes indoeuropiane.

Në kushte dhe dilema të tilla, shkrimtarët shqiptarë u vërtitën një kohë tepër të gjatë, si tigrat në kafaz.

Një zgjidhje të fundit, nga ato që krijon vetëm dëshpërimi, do të merrte shkas ndoshta nga një model i vjetër, dhe pikërisht nga fraza e parë e gjuhës shqipe të shkruar, formula e pagëzimit, që përmenda në pjesën e parë të fjalës s’ime. Kjo formulë, e hartuar, siç thashë, më 1462-shin prej peshkopit shqiptar të Durrësit, gjendet brenda një teksti latinisht.

Shkrimtarëve shqiptarë nuk u mbetej veçse ky model: të strehonin tekste të kursyer shqip, brenda teksteve të gjuhës latine, të cilën nuk e kapte dot ligji osman. Me fjalë të tjera, të shpresonin që ca modele të gjuhës së tyre të rrezikuar, t’i strehonin për mbrojtje në trupin e ftohur të një gjuhe që nuk frymonte më.

Më lejoni ta mbyll fjalën time me këtë përfytyrim, që sa ç’duket tragjik, aq është edhe mallëngjyes në simbolikën e vet. Simbolikën e shpëtimit që gjuha e popullit tim ka kërkuar te gjuha, që vërtet nuk ishte më e gjallë, por pa të cilën nuk mund të përfytyrohet qytetërimi europian. Ju faleminderit.

(Fjalimi (Lectio magistralis) i mbajtur nga Ismail Kadare me rastin e pranimit të Doctor honoris causa në Shkencat e komunikimit social, nga Universiteti i Palermos, 11 qershor 2007.) konica.al /KultPlus.com

Drama ‘Grerëza’ shfaqet në Gjirokastër

Grerëza ishte vepra që erdhi për publikun në qytetin e Gjirokastrës. Ajo u ngjit në skenën e teatrit Zihni Sako ndërsa drama thriller erdhi me regji të Eraldo Malajt. Shfaqja trajton çështje sociale dhe dilemën e përzgjedhjes.

Eraldo Malaj, regjisor: Është hera e parë që vendoset në Shqipëri një dramë thriller. Pjesa trajton bullizmin dhe pasojat që shkaktojnë mospasja e një fëmije dhe pasojat që kanë në jetën e këtyre personave.

Ina Zoto, aktore: Ishte një pritje shumë e mirë. Gjithë publiku dhe gjithë personat që ishin në sallë ishin shumë të mirë dhe nuk e dinim në fakt që do të ishin kështu.

Asiana Koka, aktore: Në fakt ne ishim të surprizuar nga pritja që na bëri qyteti i Gjirokastrës. Është një qytet shumë artdashës dhe pritja ishte shumë e ngrohtë.

Grerëza ishte shfaqja e radhës në kalendarin e pasuri të teatrit të Gjirokastrës.

Lejda Çeli, drejtore e teatrit: Përgjithësisht kemi zgjedhur vepra të autorëve të huaj të vendosura nga teatro të ndryshme të vendit, por edhe nisma private si kjo e sotmja që dua ta theksoj më shumë se të tjerat duke qenë se janë tre të rinj që sapo kanë mbaruar universitetin e Arteve, kanë punuar një vepër dhe falë bashkëpunimit me ne vendosën ta jepnin premierën e tyre sot në teatrin Zihni Sako.  

Drama Grerëza erdhi gjatë fundjavës  për artdashësit gjirokastritë./ Klan News/ KultPlus.com

Tosca kthen Saimir Pirgun në TKOB/ Opera e Puccinit vjen premierë për 4 netë, tenori rikthehet pas 13 vitesh

Tosca, opera me tre akte e kompozitorit italian Giacomo Puccini vjen premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, në katër netë unike nga data 6-10 tetor, me dy kaste të ndryshme artistësh.

Tosca përshkruan intrigat dhe romancën politike në ditët e luftërave të Napoleonit, në një udhëtim mes pasionit, xhelozisë dhe sakrificës. Vepra vjen për publikun artdashës shqiptar në 100-vjetorit e vdekjes së Puccinit dhe rikthen pas 13 vitesh në TKOB tenorin Saimir Pirgu.

“E kam pritur prej kohësh të rikthehem, e kam zgjedhur operan Tosca me dedikim për vitin puçinian, jam tepër i emocionuar se sapo kam ardhur dhe mezi pres të këndoj për publikun shqiptar”, shprehet Pirgu.

Vepra vjen nën regjinë e Manu Lalli dhe dirigjimin e Jacopo Sipari di Percasseroli. Krah tenorit do të performojë sopranoja e skenave botërore, Krassimira Stoyanova.

“Vij për herë të parë në Tiranë. Është shumë interesante sepse di shumë gjëra nga Shqipëria dhe kam qenë kurioze ta shihja. Ndihem e lumtur dhe e mikpritur. Me Saimirin njihemi prej 20 vitesh, kemi një bashkëpunim të ngushtë, si miqësor ashtu dhe profesional. Jam e lumtur që gjej te ai një zhvillim të jashtëzakonshëm vokal, madje jam e bindur se pas pak vitesh do të arrijë të arrijë të këndojë edhe Otellon dhe pse ai thotë se nuk do ta arrijë kurrë”, tha ajo.

Në këtë rikthim të shumëpritur, Pirgu vjen me një album të ri me 21 arie të interpretuara me ndjeshmëri dhe përkushtim. Saimir është një homazh për Shqipërinë dhe artin ndërkombëtar.

“M’u desh të analizoja shumë vepra shqiptare dhe të përzgjidhja atë më të veçantën, aria e Lekës nga Opera Skënderbeu e të madhit Prenk Jakova ishte më e përshtatshmja dhe mendoj se ky homazh i bukur për Shqipërinë ishte gjëja më e pakët që mund të bëja për vendin tim”, u shpreh ai./ Top Channel/ KultPlus.com

Pianisti i ri nga Kosova, Lir Hajrizi, zë vendin e dytë në Salzburg International Music Competition

Një sukses i jashtëzakonshëm për skenën muzikore kosovare vjen nga talenti i ri Lir Hajrizi, i cili ka fituar vendin e dytë në garën ndërkombëtare Salzburg International Music Competition në Austri. Kjo garë prestigjioze mbledh disa nga pianistët më të talentuar të rinj nga e gjithë bota dhe konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme për artistët e rinj.

Lir Hajrizi, me performancën e tij virtuoze, ka arritur të lërë gjurmë në këtë konkurs, ku pjesëmarrësit vlerësohen për interpretimin, teknikën dhe ndjeshmërinë muzikore. Juria, të cilët përfshinin muzikantë dhe pedagogë të mirënjohur, shprehën admirim për kontrollin teknik të Lirit, interpretimin e tij të ndjerë dhe aftësinë për të sjellë emocione të thella përmes pianofortes. Ky konkurs ndërkombëtar, pjesë e serisë “Virtuozi i Çmimit të Madh”, është i njohur për tërheqjen e muzikantëve të jashtëzakonshëm nga i gjithë bota, duke përfshirë kategori për grupmosha dhe disiplina të ndryshme, njofton Klankosova.tv.

Ky sukses është një arritje madhore jo vetëm për Lirin, por edhe për Kosovën, duke e përfaqësuar vendin me dinjitet në një skenë ndërkombëtare dhe duke dëshmuar talentin e shkëlqyer që Kosova po nxjerr në artin muzikor. Familja dhe mbështetësit e Lirit janë tejet krenarë për këtë arritje të tij, ndërsa komuniteti artistik në Kosovë e konsideron si një frymëzim për të gjithë muzikantët e rinj që aspirojnë skena ndërkombëtare.

Konkursi, i mbajtur në vende si Mozarteum në Salzburg dhe Musikverein në Vjenë, u ofron muzikantëve të rinj një platformë për të shfaqur aftësitë e tyre në një skenë ndërkombëtare, shpesh duke çuar në mundësi të mëtejshme në sallat e njohura evropiane të koncerteve. Arritja e jashtëzakonshme e Lirit nxjerr në pah përkushtimin e tij ndaj muzikës dhe aftësinë e tij për të konkurruar në nivel global, duke sjellë krenari për Kosovën dhe komunitetin më të gjerë shqiptar.

Ky sukses i djaloshit nga Kosova në Salzburg International Music Competition është një dëshmi e fuqishme e potencialit të muzikantëve të rinj kosovarë dhe shërben si një shembull i shkëlqyer i asaj që mund të arrihet përmes punës së palodhur dhe përkushtimit ndaj artit.

80-vjetori i Çlirimit, Rama: Festime në të gjithë vendin, ngjarje e rëndësishme në gjurmët e historisë

Në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit në të gjithë vendin dhe jo vetëm do të organizohen një sërë aktivitetesh.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale kalendarin e aktiviteteve që do të zhvillohen nga Ministria e Mbrojtjes gjatë nëntorit.

“80-vjetori i Çlirimit, një nga ngjarjet më të rëndësishme në gjurmët e historisë, që kujtohet dhe festohet në të gjithë vendin”, tha Rama.

Aktivitetet do të zhvillohen në Dibër, Berat, Ulqin, Tuz, Vlorë, Tiranë, Podgoricë, Shkodër, Korçë, Shkup, Prishtinë,etj.

Shqiptaria feston më 29 nëntor, 80-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë. Prej 7 prillit 1939, Shqipëria gjendej nën vargonjtë e pushtimit fashist. Pas kapitullimit të Italisë në vjeshtë të vitit 1943, vendi pushtohet nga forcat gjermane.

Në dalje të nëntorit 1944, pas çlirimit të Tiranës, u çliruan edhe një pjesë e konsiderueshme e qyteteve në veri. Çlirimi i Shkodrës shënoi edhe ditën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi gjerman./atsh/ KultPlus.com