“Frymë vjeshte” të hënën në Pallatin e Kulturës në Tetovë

Shoqata për art dhe kulturë “Konsonanca” sjell manifestimin “Frymë vjeshte”edicioni i tretë. Ky edicion sjell operën e njohur me përmbajtje mitologjike “Orfeo dhe Euridiçe” në gjuhën italiane e përmbledhur në narracion shqip nga Avni Qahili.

Opera do të sjellë ngjarje dramatike të gërshetuara me momente dëshpërimi, vuajtje e optimizmi për të dhënë mesazhe të fuqishme të triumfit të dashurisë dhe jetës mbi urrejtjen dhe vdekjen.

Kjo shfaqje vjen si superproduksion i kohës shoqëruar me pamje dhe projeksione në mes reales dhe fantastikes punuar me mjeshtri nga regjisori i Teatrit të Operës së Shkupit, Trajko Jordanovski.

Skenografia: Albulena Shyti!

Kjo temë e dashurisë dhe urrejtjes, vuajtjes dhe gëzimit vjen përmes roleve të Orfeut që e interpreton Besiana Mehmedi- mezosoprano, Euridiçe që e interpreton Dajana Malollari- soprano dhe Amore që e interpreton Katica Mishevska, soprano! Pianist dhe realizator i projektit: Shkëlzen Baftiari.

Ngjarja mbahet më 11 nëntor, ora 19:30 në Pallatin e Kulturës në Tetovë. Hyrja është e lirë dhe e hapur për të gjithë adhuruesit e muzikës klasike./ KultPlus.com

Presidentja Osmani pritet nga kryeministri hungarez, Viktor Orban

Presidentja e shtetit Vjosa Osmani është pritur nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. Këtë e ka bërë të ditur vetë ajo duke publikuar fotografi me kryeqeveritarin hungarez.

“Faleminderit kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbán për mikpritjen në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Budapest”, ka shkruar ajo.

Presidentja Osmani po qëndron në Hungari në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Budapest./ KultPlus.com

I dha një frymë unike Festivalit të Këngës së RTK-së, këngëtari Endrit Krasniqi së shpejti me albumin e parë

Era Berisha

Endrit Krasniqi, artisti i ri i cili rrëmbeu vendin e parë në edicionin e dytë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës, ka një zë të veçantë, një timbër që të merr pas vete dhe nuk të lëshon dot. E atillë, ka qenë edhe kënga “Flas me gjethen”, teksti i së cilës ka një kuptim unik e që vjen e shkruar dhe kompozuar nga Bekim Këpuska, shkruan KultPlus.

Në sallën brenda Pallatit të Rinisë, fokusi përplot tri netë ka qenë tek pjesëmarrësit, të cilët kanë sjellë prurje të reja e krejt të bukura, mirëpo ajo që vodhi vëmendjen e publikut si dhe jurisë, ka qenë kreativiteti, eleganca dhe thjeshtësia e paraqitur nga Krasniqi në skenën gjigande të Festivalit të Këngës.

Është një frymë që i përkon pikërisht kryeqytetit tonë, dhe arti i shprehur nga Krasniqi është shpalosë tejet lirshëm. Tanimë, vendi i rikthyer nga hiri në një vatër të melodive, ka mirëpritur në skenë këngëtarin i cili në paraqitje ishte i veshur sipër me një setër ngjyrë vishnje, flokët në gërsheta, teksa priste hyrjen në këngë. Me një fillim direkt të një sekuence të kitarës elektronike, e cila qysh në sekondën e parë të rrëqeth trupin, nisë gjithçka. Vëmendja e këngëtarit ishte tërësisht tek këndimi. Ai po jepte gjithçka nga vetja.  Zëri i tij i thellë vallëzonte jashtëzakonisht bukur me tekstin e këngës.

Ishin tri netë të mbushura me emocione, duke dëshmuar për dashurinë e tejskajshme të këndimit shqip, për të vënë në pah të bukurën e kulturës shqiptare. Njashtu si reflektorët e vendosur në skenë, kanë qenë të gjithë artistët, megjithatë, ai që vezulloi më së shumti ishte Krasniqi. Bateritë dhe kitara, që shoqëronin këngëtarin, si dhe orkestra e dirigjuar nga Lindita Isufi, i shtonin një hijeshi që rrinte nën hije, mirëpo pa to, asgjë nuk do të dilte kaq mahnitëse.

Në një intervistë për KultPlus, këngëtari Krasniqi na flet më shumë për rrugëtimin e tij artistik, tash pas kalesës së emocione të mëdha të fitores së tij.

Është pikërisht një moment i cili të befason gjatë gjithë jetës, dhe përmendja e emrit të fituesit në natën finale, për Krasniqin ka qenë diçka magjike.

“Në momentin që më përmendet emri, unë rashë në tokë dhe më nuk kam mbajtur në mend asgjë. Ka qenë definitivisht diçka që përnjëmend nuk e kam pritë hiç. Ne kemi hyrë në këtë festival më shumë për pjesëmarrje dhe që muzika jonë të dal në pah”, thotë ai.

Sa i përket kuptimit të tekstit, ai nuk e ka kuptuar deri vonë, vetëm kur është dashur që përmbajtja të i dërgohet festivalit. Megjithatë, ajo e ka bërë që akoma më shumë ta donte këngën, dhe e gjitha kjo ka qenë krejt spontane.

“Flas me gjethen” në mënyrë metaforike paraqet temën e një historie të vërtetë dashurie. Tekst-shkruesi dhe kompozitori Bekim Këpuska këtë këngë ia ka dedikuar bashkëshortes së tij, si shenjë mirënjohjeje e admirimi të përzier me një lloj ‘faji’ e borxhi që ai e ndiente karshi saj, si shkak i një martese dhe prindërimi në një moshë të hershme (19-vjeçe). Këpuska është gjetur në faj pasi ka menduar se i ka marr rininë, andaj duke i shprehur gjithë emocionet për brishtësinë e saj në këtë moshë të re teksti titullohet “Flas me gjethen”, si simbol i një cikli jetësor të “mohuar”.

Krijimi i këtij festivali patjetër që do të sjellë më shumë vëmendje ndërkombëtare ndaj muzikës në Kosovë, dhe këngëtari Krasniqi beson se me këtë kapacitet që ka Festivali i Këngës, është koha që të tregohet se ka shumë talente të shumta që e meritojnë të jenë pjesë e festivaleve përtej kufijve. Për të, e gjitha kjo eksperiencë ka një vlerë të madhe dhe pavarësisht sfidave, suksesi ka qenë gjithmonë në mendje.

Fotografia: Haris Feri

“Ndjesia e të qenurit në Festivalin e Këngës është diçka mahnitëse, njëmend po. I falënderoj përzemërsisht Florent Boshnjakun dhe Adi Krastën për këtë festival shumë shumë të mirë. Ja vlen me përmend po ashtu edhe Orkestrën prezente që ka qenë e jashtëzakonshme, plus të gjithë anëtarët e tjerë që kanë punu prapa skenës së Festivalit. Në anën tjetër, vlen të theksohet se konkurrenca ka qenë mjaft e fuqishme këtë edicion dhe unë jam shumë i lumtur që kam qenë në mesin e tyre.”

Këngëtari Krasniqi ka tashmë dy vite që punon me bendin e tij personal. Ai është njohur me emrin e tij skenik “Dhjetori” dhe ikona e muzikës nga i cili gjen inspirimin është këngëtari i njohur Harry Styles. Rruga drejt një karriere të tillë muzikore padyshim që ka sfidat e veta.

“Rruga ka qenë tepër e vështirë me thënë të drejtën. Ne si bend (Adonisi, Rroni, Zogu) krijojmë një muzikë që e kompozojmë vetë në gjuhën angleze. Po ashtu, këngët që i krijojmë me Bekimin, janë diçka ndryshe dhe nuk janë aspak të zakonshme. Andaj, e kemi një sfidë të madhe, shkak që është shumë e vështirë të pranohemi nga kjo shoqëri që dëgjon një lloj të muzikës tjetër”, tregon ai.

Ai veten e konsideron si një artist pa komplekse, me një zë tejet unik, gjë që iu është potencuar shumë herë gjatë jetës së tij. Ai beson se ka sjellë një frymë të re e të veçantë me këngët e tij në përgjithësi.

Krejt në fund, këngëtari Krasniqi ka bërë të ditur se së shpejti do të publikojë një mini album (EP), të kompozuar nga Bekim Këpuska. Ndërsa, me bendin e tij, është duke punuar në albumin e tyre të parë, që do të publikohet vitin tjetër në këtë periudhë kohore./ KultPlus.com

Fotografia: Haris Feri

Mbahet Festivali i Shtatë i Karikaturës, artistë nga e gjithë bota shpalosën artin e tyre

Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se është mbajtur Festivali i Shtatë i Karikaturës, një festival i rëndësishëm që sjellë në Kryeqytet artistë, karikaturistë të veçantë nga e mbarë bota.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Me shumë dëshirë mora pjesë në Festivalin e Shtatë të Karikaturës, festival i rëndësishëm që sjellë në Kryeqytet artistë, karikaturistë të veçantë nga e mbarë bota.

Tema qendrore e këtij edicioni ishte korrupsioni, një fenomen që u satirizua dhe ironizua përmes artit të karikaturës.

Arti i karikaturës ka një rëndësi të posaqme në demokracitë e zhvilluar dhe për këtë jam e lumtur që Drejtoria e Kulturës nëpërmjet mbështetjes së këtij projekti mbron dhe kultivon vlerat e tilla.

Faleminderit drejtorit të Shoqatës së Karikaturistëve të Kosovës

KrAgi Agim Krasniqi, i cili po e vendos Kryeqytetin në hartën e vendeve të qytetruara!/ KultPlus.com

“Emili” i Ajola Dajës, sot premiera në kinema “Millennium”

Qendra Kombëtare e Kinematografisë njoftoi se sot është premiera e filmit artistik me metrazh të gjatë “Emili”, me regji të Ajola Dajës, një prodhim i mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

“Emili” është filmi i parë i metrazhit të gjatë për Ajola Dajën si regjisore. Ai do të shfaqet sot në kinema Millennium në Tiranë.

Ajola Daja përveç regjisë, ka shkruar edhe skenarin që trajton një marrëdhënie dhune në familje, që shihet nga sytë e grave të shtëpisë.

Aktorja protagoniste, në rolin e Emilisë, është Arta Dobroshi ndërsa rolin e vjehrrës e interpreton Luiza Xhuvani. Lulzim Zeqja është në rolin e bashkëshortit dhunues dhe djali i vogël Noel Miraka në rolin e djalit të Emilisë.

Ajola Daja është shprehur për mediet se, “Emili” është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në kategorinë independent, gjë që e vuri përballë sfidës për të siguruar një buxhet independent, diçka e vështirë për t’u arritur./ KultPlus.com

“Motra Tone” e Idromenos po pasqyrohet në murale në Shkodër

“Motra Tone”, vepër ikonike e artistit poliedrik Kolë Idromenos, po shndërrohet në murale në qytetin e Shkodrës.

Kryebashkiaku Benet Beci ndau në rrjetet sociale pamje nga realizimi i murales.

“Një nga punimet më të veçanta të Kolë Idromenos, po pasqyrohet në një murale nga artistët tanë në hyrje të Shkodrës”, tha kryebashkiaku Beci.

Motra Tone” (75×60) u realizua nga piktori Kolë Idromeno në vitin 1883. Këtë portret, piktori Idromeno, e realizoi në moshën 23-vjeçare dhe është vepra e parë realiste në artet pamore shqiptare.

Mënyra e qëndrimit, realizimi me mjeshtri i çdo detaji dhe drita e qetë që e përshkon të tërë figurën në përgjithësi dhe portretin në veçanti flasin për mjeshtrinë e lartë të penelatave të Idromenos.

Portreti “Motra Tone” nuk u ekspozua për sa kohë ishte gjallë piktori. Dihet mirëfilli që ky portret, nuk është pikturuar në bazë të fantazisë, por në bazë të modelit të gjallë përpara. Për realizimin e veprës ka pozuar vetë motra e piktorit, Tone Shkanjeti (Idromeno), një vit më e madhe se i vëllai. Portreti që u bë i famshëm fillimisht quhej “Portret i gruas Shkodrane”, e më vonë ku vepra mbërriti në Galerinë Kombëtare (pas vitit 1954) u emërua si “Motra Tone”. / KultPlus.com

Net/Rrjet vjen me edicionin e 12-të nën kurimin e Zeni Ballazhit

Projekti Ndërkombëtar Net/Rrjet vjen me edicionin e 12-të më 11 nëntor duke filluar nga ora 18:00 në Barabar Centre, Prishtina (Grand Hotel, kati i 4 katërt).

Expoart.40, nën drejtimin artistik të Majlinda Kelmendit prezanton edicionin e 12 të projektit Ndërkombëtar Net/Rrjet, ideuar dhe realizuar nga Expoart.40. Këtë vit, nën kurimin e Zeni Ballazhit dhe me partneritetin e Barabar Centre, ky edicion vazhdon traditën e krijimit të lidhjeve artistike mes Kosovës dhe skenës ndërkombëtare.

Pjesëmarrësit: Alexia Eliha, Argentina | Andrea Stanić, Croatia | Carroll Tsang Choi Wan, Hong Kong | Daiva Kupstienė, Lithuania | Eunjin Ko, South Korea | Gabrielė Kuizinaitė, Lithuania | Gloria Keh, Singapore | Irena Paskali, Germany /North Macedonia | Iwa Kruczkowska, Poland | Kateryna Repa, Ukraine | Ken Clark, New Zealand | Larissa Holweg, Austria | Leonita Krasniqi, Kosovo | Maria Jardă, Romania | Monique Virelaude, France | Mylene Quito, Philippines | Nelė Jurgelionienė, Lithuania | Rakesh Kumar Chaudhary, India | Ratna Shakya, Nepal | Resul Jusufi, Austria/Kosovo | Rrezeart Galica, Kosovo | Victoria Valuk, Belarus | Wu, Hui-Lien (Prem Anasha), Taiwan | Žaneta Vangeli, North Macedonia | Žiedūnė Aleknaitė, Lithuania.

Projekti mbështetet nga: Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporit dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

‘Ora e Shkrimtarit’ me Sali Bashotën u mbajt në Gjimnazin e Fushë Kosovës

Shkrimtari Sali Bashota, pa më të voglën mëdyshje kishte zgjedhur shkollën ku do ta zhvillonte bashkëbisedimin e tij për tema të ndryshme të letërsisë. Pra, kishte zgjedhur një shkollë të mesme që është model në Kosovë.

Kështu në një atmosferë poetike, në praninë e nxënësve dhe mësimdhësve të gjimnazit “Hivzi Sulejmani” të Fushë Kosovës dhe të përfaqësuesve institucionalë të kësaj komune, si edhe të disa mësimdhënësve të shkollave të mesme të Prishtinës, u mbajt Ora e Shkrimtarit me poetin, studiuesin e letërsisë dhe profesorin universitar, Sali Bashota.

Në fjalën e tij, shkrimtari Ibrahim Berisha, paraqiti të dhëna bio-bibliografike për Sali Bashotën, duke e vlerësuar si njeri të librit dhe të bibliotekës, dhe në radhë të parë si poet, pastaj autor i shumë veprave me prozë poetike dhe studime letrare, si dhe i përkthyer edhe në shumë gjuhë botërore.

Berisha përmendi kontributin e Bashotës në fushën e letërsisë shqipe përbrenda një periudhe mbi dyzetvjeçare dhe u përqendrua sidomos te ndërlidhja e zhanreve përbrenda krijimtarisë së këtij autori.

Në fjalën e tij, poeti Sali Bashota, vuri në dukje ngjarje të paharrueshme që ndërlidhen me fillimet e tij krijuese në shkollën fillore të Kijevës, pikërisht me botimin e poezisë së tij të parë me titullin “Nëna”, e cila qe botuar në rubrikën e së martës “Rilindja për fëmijë”, në kuadër të gazetës së përditshme “Rilindja”.

Në diskutimin e tij për letërsinë, Bashota foli për procesin krijues të veprave të tij, për frymëzimet, për përvojën krijuese, me një fjalë, për hyrjen e tij në botën e letërsisë, aty ku rrinë bashkë, fantazia dhe dashuria.

Duke folur për veprat e tij të shkruara me poezi, Bashota ofroi shembuj të shumtë sesi i shkruan veprat e veta, në cilën periudhë kohore, duke zgjedhur orët e hershme të mëngjesit, pastaj cila është stina më e preferuar e tij që ndërlidhet me aktin e frymëzimimit, si i grumbullon kujtimet dhe si i ndërton mendimet, cilat figura poetike i përdor më së shpeshti për ta fuqizuar ndjenjën e mrekullimit figurativ apo pse ka shkruar dhe shkruan kaq shumë poezi erotike, madje edhe një libër të tërë me 99 poezi të rimuara, me titullin ” Në fillim ishte Drita” apo si e kishte shkruar brenda tri javëve librin poetik “Lutja e parë e shpirtit”, të përbërë me 101 poezi.

Më tutje foli për lidhjen e tij shpirtërore me letërsinë që në periudhën kur ishte në Gjimnazin e Kijevës, kur ishte student, pastaj asistent e profesor universitar.

Në mesin e shumë krijimeve të tij më të dashura, dalloi poezinë “Vjersha që po jepte shpirt”, e cila është përkthyer në pesëmbëdhjetë gjuhët të botës. Para pjesëmarrësve, poeti zbërtheu aktin e frymëzimit dhe ndjesinë shpirtërore në realizimin e kësaj poezive, në prag të periudhës së fillimit të luftës në Kosovë.

Gjithashtu, evokoi kujtime të dhimbshme për djegien e shtëpisë, bibliotekës, fotografive nga pushuesit serbë, dhimbje që e ka trajtuar në shumicën e veprave të tij poetike, ndërsa në mënyrë të veçantë në veprat “Dalje nga trishtimi” (1999) dhe “Dorëshkrimi i ngjallur” (2011).

Bashota i ripërsëriti mendimet që i kishte thënë në një intervistë, se: “Koha, kujtesa dhe shkrimi janë si ëndrra, realiteti, përjetimi apo edhe diçka më tepër kur bëhen të pashmangshme në procesin krijues. Pra, arti artikulon edhe dhimbje, jo vetëm kënaqësi. Kujtimet e hidhura kurrë nuk mund të bëhen të lumtura, edhe pse veprat letrare përpiqen ta bëjnë këtë të dytën”.

Në bashkëbisedim me nxënësit, Bashota i përmendi shkrimtarët shqiptarë që i adhuron (Mitrush Kuteli, Faik Konica dhe Mid’hat Frashëri), shkrimtarët botërorë prej të cilëve ka mësuar më së shumti (D. Alighieri, J. L. Borgesi, U.Eco). Në mënyrë të veçantë përmendi rëndësinë që e ka leximi për gjeneratat e reja në formimin e personalitetit të tyre, në shumë fusha të jetës dhe të profesionit.

Pyetjet mjaft interesante të nxënësve, të cilat kishin të bënin me autorë e vepra të letërsisë shqipe dhe të letërsisë botërore, Bashota iu përgjigj, duke marrë edhe shembuj konkretë. Ndër të tjera, tha: “Leximi është freskim i shpirtit dhe pasurim i mendjes. Kurrë mos i ndani veprat: në vepra të këqija dhe në vepra të mira, por në vepra që mësoni pak apo aspak dhe në vepra që mësoni shumë dhe iu bëjnë të lumtur”.

Në vazhdim të takimit, poeti Bashota, i nxiti talentet e reja të kësaj shkolle që të merren me krijimtari letrare, duke e cituar mendimin e Lasgush Poradecit se: ” Poezia nuk është te fjalët. Poezia është te poeti”. 

Në fund, në shenjë të motivimit të krijuesve të rinj për t’u marrë me shkrime letrare, e dalloi nxënësen e kësaj shkolle, Muza Grajçevci, e cila kishte shkruar poezi të bukura. Me këtë rast, i premtoi botimin e librit të saj të parë, duke përfshirë të gjitha shpenzimet profesionale e materiale. Padyshim, një nismë e qëlluar që sigurisht do ta marrin edhe shkrimtarë e tjerë për përkrahjen e krijuesve të rinj. 

Projekti ‘Ora e Shkrimtarit’ është pērkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Sot promovohet libri “Triumfi i mendjes” i autorit Xhemail Mustafa

Sot në orën 12:00, në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë do të promovohet libri “Triumfi i mendjes” i Xhemail Mustafës.

Esetë, shkrimet kritike dhe publicistike të Xhemail Mustafës, të botuara në vitet nëntëdhjetë në gazetën “Rilindja” dhe “Bujku”, në Prishtinë, Tiranë dhe Zvicër, janë zgjedhur dhe përgatitur për botim nga shkrimtari Ibrahim Berisha, ndërsa botues është PEN Qendra e Kosovës.

Për librin do të flasin Fatmir Sejdiu, ish-president i Republikës së Kosovës dhe shkrimtari Ibrahim Berisha.

Aktiviteti do të moderohet nga shkrimtari Sali Bashota. / KultPlus.com

Magjia e vjeshtës i shton nurin qytetit të Lasgushit

Pogradeci është i bukur në çdo stinë, ndaj dhe është quajtur “qyteti i luleve”, “qyteti i poezisë”, por shkrirja e ngjyrave të arta në vjeshtë si mbi një telajo e bën atë të denjë të quhet edhe “qyteti i vjeshtës”.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot foto të këtij qyteti, të cilit vjeshta i ka shtuar magjinë, teksa fton qytetarët të vizitojnë atë.

“Magjia e vjeshtës ka zbritur në Pogradec, duke ia shtuar edhe më shumë nurin qytetit të Lasgushit si një ftesë për ta vizituar e shijuar këto ditë”, shkruan Rama.

Qyteti i Liqenit, Pogradeci, është qytet elitar i Shqipërisë, i cili vizitohet nga mijëra turistë të huaj e vendas çdo vit.

Shijen e mrekullueshme të vjeshtës, Pogradecit ja shton kuzhina e rrallë, e cila bashkohet me mikpritjen pogradecare dhe verërat e mrekullueshme./ KultPlus.com

111 vjet nga lindja e Albert Camus, shkrimtari i cili nxjerri në pah rëndësinë e ndërgjegjes njerëzore

Shkrimtari, filozofi, mendimtari, publicisti, përfaqësuesi i ekzistencializmit ateist, laureat i Çmimit Nobel në Letërsi (1957), gjatë jetës së tij ai u quajt “ndërgjegjja e Perëndimit”. Lindur në qytetin algjerian të Mondovi më 7 nëntor 1913. Babai i tij, një rojtar i bodrumit të verës, u plagos për vdekje në Betejën e Marly në 1914, dhe pas vdekjes së tij familja e tij u përball me vështirësi serioze financiare.

Nuk dihet nëse Alberti mund të kishte marrë një arsim nëse në 1923 një mësues i shkollës fillore nuk do të kishte bindur nënën dhe gjyshen e nxënësit të tij të aftë ta dërgonin atë në Lice. Në vitin 1930, Camus u sëmur nga tuberkulozi dhe ai duhej të përfundonte sportet aktive, dhe më pas, për shkak të një sëmundjeje të mëparshme, ai nuk u lejua të kalonte trajnime pasuniversitare dhe nuk u dërgua në ushtri. Gjatë viteve 1932-1937. Albert Camus u arsimua në Universitetin e Algjerit (Fakulteti Filozofik), duke u diplomuar me një diplomë master.

Vitet pas diplomimit ishin të mbushura me aktivitete të fuqishme – shoqërore, krijuese, teatrale. Në 1935 ai u bë anëtar i Partisë Komuniste Franceze, nga e cila u largua në 1937, tk. politika e Kominternit u bë e huaj për të. Në të njëjtin vit, ai kupton në mënyrë aktive ekzistencializmin, studion veprat e përfaqësuesve të tij. Në 1936, Camus ishte organizatori i “Teatrit të Punës” udhëtues, ku ai ishte regjisor dhe aktor. Gjatë viteve 1936-1937. ndërmori udhëtime në Evropën Qendrore, Itali, Francë. Në vitin 1936, u botua një koleksion i eseve lirike të titulluar “Ana e gabuar dhe fytyra”, dhe vitin tjetër u botua romani “Martesa”.

Që nga viti 1938 Camus ka punuar si redaktor për revistat periodike. Që nga viti 1940, biografia e tij është shoqëruar me Francën dhe Parisin. Suksesi i jashtëzakonshëm i romanit I huaji, i shkruar në 1942, e bën autorin e tij të famshëm në të gjithë botën. Gjatë luftës, Albert Camus ishte anëtar i lëvizjes së Rezistencës, anëtar i organizatës nëntokësore “Komba”, punonjës i organit të saj të shtypit. Ishte kjo gazetë që botoi në 1943 “Letrat drejtuar një miku gjerman”, të cilat afirmuan vlerat e përjetshme morale. Në 1944, Camus shkruan romanin Murtaja, në të cilin fashizmi është personifikimi i dhunës dhe së keqes (u lirua vetëm në 1947).

Vitet 50 karakterizohet nga dëshira e qëllimshme e Camus për të qëndruar e pavarur, për të shmangur preferencat e diktuara ekskluzivisht nga “përkatësia partiake”. Një nga pasojat ishte mosmarrëveshja me Jean Paul Sartre, një përfaqësues i shquar i ekzistencializmit francez. Në vitin 1951, një revistë anarkiste botoi një libër nga Albert Camus “Njeriu rebel”, në të cilin autori eksploron sesi një person lufton me absurditetin e brendshëm dhe të jashtëm të ekzistencës së tij. Libri u perceptua si refuzim i bindjeve socialiste, dënim i totalitarizmit, diktaturës, të cilit Camus iu referua edhe komunizmit. Hyrjet në ditar dëshmojnë për keqardhjen e shkrimtarit për forcimin e ndjenjave pro-sovjetike në Francë, verbërinë politike të së majtës, e cila nuk donte të vinte re krimet e Bashkimit Sovjetik në vendet e Evropës Lindore.

Kjo periudhë karakterizohet nga rritja e interesit për teatrin. Në 1954, Camus vuri në skenë veprat e tij dhe bëri përpjekje për të hapur një teatër eksperimental në kryeqytet. Në 1957 ai u bë një laureat Nobel me formulën “për kontributin e tij të madh në letërsi, duke nxjerrë në pah rëndësinë e ndërgjegjes njerëzore”.

Jeta e Albert Camus më 4 janar 1960, u ndërpre nga një aksident me makinë në të cilin ai dhe familja e shokut të tij u futën. Shkrimtari-filozofi i madh u varros në jug të Francës, në varrezat në Lourmarin. Në vjeshtën e vitit 2009, Presidenti francez Nicolas Sarkozy doli me një nismë për të rivarrosur eshtrat e Camus në Panteon, por të afërmit e saj nuk e mbështetën atë. Në verën e vitit 2011, njëra nga gazetat italiane njoftoi një version që Camus ishte viktimë e shërbimeve speciale sovjetike, të cilët krijuan një aksident, por nuk mund të duronte kritikat e biografëve. /KultPlus.com

3 profesionet që do të shkëlqejnë nga Inteligjenca Artificiale

Rritja e sofistikimit të inteligjencës artificiale (IA) parashikohet të transformojë rolin e njerëzve në sektorë të ndryshëm të punës.

Megjithatë, Bill Gates, manjati i teknologjisë Microsoft, shprehet optimizëm për të ardhmen. Ai beson se edhe pse IA ka potencialin të prishë rendin e punës, ajo do të bëjë që disa profesione të shkëlqejnë edhe më shumë.

Në një podcast, Gates dhe CEO i OpenAI Sam Altman folën për përfitimet dhe rreziqet e inteligjencës artificiale.

Ndërsa foli për ndikimin e inteligjencës artificiale në botën e biznesit, Gates tha se edhe ai mund ta humbasë vendin e punës, ndërsa tregoi tre fushat që do të jenë imune ndaj IA.

“Edhe unë mund të humbas punën time. Tre planet më të mira të karrierës për të rinjtë janë energjia alternative, bioshkencat shëndetësore dhe fushat që lidhen me zhvillimin e inteligjencës artificiale”.

Ndryshimet klimatike dhe nevoja për energji të qëndrueshme janë shtytësit kryesorë në sektorin e energjisë alternative. Inovacioni dhe zhvillimi i teknologjisë në fushën e energjisë së rinovueshme si dielli, era dhe bërthamoret kërkojnë një prekje të ekspertizës njerëzore.

Aftësia për të menduar në mënyrë kritike, për të zgjidhur probleme komplekse dhe për të rinovuar, janë atributet kryesore të profesionistëve në këtë fushë. IA nuk është ende në gjendje të zëvendësojë arsyetimin dhe kreativitetin njerëzor në krijimin e zgjidhjeve të ardhshme të energjisë. Prandaj, vendet e punës në këtë fushë do të vazhdojnë të ekzistojnë edhe kur IA të bëhet më e përhapur në botën industriale.

Përparimet teknologjike në fushën e bioshkencës shëndetësore kanë hapur me të vërtetë rrugë të gjera për studiuesit dhe praktikuesit. Zhvillimi i barnave të reja, terapive inovative dhe teknologjive të avancuara mjekësore kërkon ekspertizë dhe saktësi njerëzore, që IA ende nuk mund t’i përsërisë. Empatia, aftësitë e komunikimit dhe aftësia për t’u përshtatur me situata komplekse në botën mjekësore janë një vlerë e shtuar e pazëvendësueshme.

Zhvillimi i IA

Ironikisht, edhe pse IA ka potencialin për të zëvendësuar shumë profesione, vetë fusha e zhvillimit të IA kërkon shumë talent njerëzor. Zhvillimi, programimi dhe mirëmbajtja e sistemeve të IA kërkon aftësi unike njerëzore dhe kreativitet. Dizajnerët dhe inxhinierët e IA duhet të kuptojnë nevojat dhe etikën e përdorimit të IA në mënyrë që kjo teknologji të mund të përdoret në mënyrë optimale për të mirën e njerëzimit.

Gates gjithashtu thekson rëndësinë e përmirësimit të aftësive dhe përshtatjes (rikualifikimit) në këtë epokë, duke sugjeruar që individët të fokusohen në zhvillimin e aftësive njohëse, si të menduarit kritik, zgjidhja e problemeve dhe kreativiteti.

Po aq të rëndësishme janë edhe aftësitë ndërpersonale si komunikimi efektiv, ndjeshmëria dhe puna në grup, të cilat do të jenë një armë e fuqishme përballë përçarjes teknologjike.

Bill Gates bëri thirrje më tej për investime në sektorin e arsimit dhe trajnimit. Duke e pajisur brezin e ri me grupe aftësish përkatëse, ata do të jenë në gjendje të përshtaten dhe të kontribuojnë në mënyrë optimale në epokën e dominuar nga IA. Me edukimin e duhur dhe gatishmërinë për t’u përshtatur, njerëzit nuk duhet të kenë frikë nga të margjinalizuarit, por mund të punojnë me IA për të ndërtuar një të ardhme më të mirë./ KultPlus.com

Instalacioni zanor ‘Radhitje në plumb, germë për germë’

Më 9 nëntor, nga ora 14:00, mbahet “Radhitje në plumb, germë për germë”një instalacion zanor që zgjeron historinë e gazetës dhe institucionit të Rilindjes duke sjellë në pah zërat e individëve që e ndërtuan dhe njëkohësisht u formuan përmes këtij institucioni si intelektualë dhe aktivistë.

Përmes rrëfimeve të gazetarëve, shkrimtarëve, teknikëve dhe personelit logjistik që punuan në Rilindje në periudha të ndryshme, ky projekt i drejtuar nga Elisa Maxhuni dhe Tringa Sefedini ofron një perspektivë të re mbi kujtesën e përbashkët dhe identitetin kolektiv të një epoke kyçe për Kosovën.

Elisa Maxhuni është arkitekte me një interes të veçantë për ndërthurjen e tingullit me arkitekturën në hapësirat publike urbane. Puna e saj synon të krijojë përvoja kulturore përmes tingujve që zbulojnë dimensione të reja të hapësirave publike. Elisa fokusohet në dizajnimin e hapësirave që ndërveprojnë me audiencën përmes elementeve zanore, duke ofruar mënyra të reja për t’u lidhur me mjedisin.

Tringa Sefedini ka studiuar antropologji kulturore, me fokus në antropologjinë vizuale, kërkimin arkivor, historinë gojore dhe kujtesën kolektive. Ajo integron këto disiplina për të kryer punë kërkimore, duke eksploruar si ndryshimet politike e sociale pasqyrohen në kujtesë dhe sjellin nuanca të reja kulturore në shoqëritë bashkëkohore.

Nga 1 janari Zvicra e ndalon “Burkën” në hapësirat publike

Zvicra do ta ndalojë mbulimin e fytyrës në hapësirat publike.

Ky vendim hyn në fuqi nga 1 janari i vitit 2025.

Kjo u bë e ditur përmes një deklarate nga qeveria zvicerane, të mëkurën.

“Ndalimi i burkave” siç njihet edhe ndryshe kjo, kishte kaluar në një referendum të vitit 2021 e që u dënua nga shoqatat myslimane, ishte iniciuar nga i njëjtë grup që pati organizuar ndalimin e minareve të reja në vitin 2009.

Sipas Këshillit Federal, çdokush që mbulon fytyrën do të gjobitet deri në 1 mijë franga, shkruajnë mediat zvicerane transmeton Klankosova.tv

Ky ndalim nuk vlen për avionët dhe ambientet diplomatike e konsullore, ndërsa fytyrat mund të mbulohen në vendet e adhurimit, ka thënë qeveria.

Mbulimi i fytyrës do të mbetet i lejuar për arsye që lidhen me shëndetin dhe sigurinë, për zakone vendase ose për kushtet e motit, shtoi qeveria.

Ajo po ashtu do të lejohet për qëllime artistike apo argëtuese, si dhe për reklamim.

“Nëse këto mbulime janë të nevojshme për mbrojtje personale në ushtrimin e lirisë së shprehjes, ato duhet të lejohen nëse autoriteti përgjegjës.

‘Rrugë dimërore’

Poezi nga Aleksander Pushkin

Në mes mjegullash të nxira
hëna zhduket, hëna bredh.
Mbi të trishtëmet rrafshira
trishtëm dritën ajo derdh.
Udhës shkretë dimërore
rend kjo trojka gjithnjë.
Zile e kalit monotone
mezi ndihet nëpër të.
Seç më kap një mall rinie
karrocieri kur këndon,
herë gas çapkënërie
herë mall ai më zgjon.
S’shoh as zjarr e as kasolle
vetëm borë si pambuk.
Dhe përtej shtyllat rrugore
duken, zhduken tek e tuk.
Ah, ç’mërzitje… nesër, Ninë,
tek e shtrenjta do të vi.
Pranë zjarrit kur të rrimë
të të shoh me mall në sy.
Dhe akrepi i sahatit
do vij’ rrotull me qetësi
E mërzitshmja mesnatë
s’do na ndajë përsëri.
Mërzi udhës dimërore
karrocieri zu dremit
Zile e kalit monotone
hënë e mjegullt që ndrit.

Pranverë, o kohëz dashurie,
ç’më mbush plot me pikëllim.
Sa mall sërish ti po më bie
në shpirtin tim, në gjakun tim.
Për mua gazi është i huaj…
çdo ngazëllim e çdo shkëlqim
më sjell mërzi, më bën të vuaj.

Oh, nëmëni shqotën, suferinën
dhe të pafundmen natë dimri.
Pse, moj jetë je dhuratë
që të bie rasti kot?
Pse të dha i fshehti fat
një ndëshkim me tmerr në botë?
Ç’është ai pushtet i nxirë,
që prej hiçit më ka thirë,
që në shpirt më dha mundime
dhe dyshim në mendjen time?
Pa një dritë e një qëllim,
më rreh zemra në shkreti.
Më mbush plot me pikëllim
jeta gjith monotoni./ KultPlus.com

Thirrje e hapur nga Galeria Kombëtare e Kosovës

Galeria Kombëtare e Kosovës ka hapur thirrjen për programin vjetor të vitin 2025.

Pranohen propozime për ekspozita ndërdisiplinare (duke përfshirë mediumin e pikturës, skulpturës, grafikës, instalacionit, fotografisë, videos, performancës, etj.) si dhe për projekte edukativo-arsimore, hulumtuese, botuese, multimediale.

Ekspozitat dhe projektet mund të implementohen brenda ose jashtë objektit të GKK në koordinim dhe diskutim me stafin e galerisë. Inkurajohen projekt propozimet nga artistë dhe kuratorë, organizata dhe komunitete kulturore (kontratat lidhen me individë), hulumtues dhe praktikues tjerë të arteve pamore.

Afati i fundit për aplikim është 23 dhjetor.

Parada kuqezi më 28 Nëntor, Veliaj: Festojmë në zemër të Tiranës me këngët nga çdo trevë shqiptare

112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë do të rikthejë në Tiranë paradën kuqezi. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka njoftuar se parada do të mbahet më 28 Nëntor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit.

Ai i bën thirrje të gjithë shqiptarëve të mblidhen për të festuar në zemër të Tiranës, “me kostumet e këngët nga çdo trevë shqiptare, në një bashkim vëllazëror festimesh të paharrueshme”.

“28 Nëntor – Parada e shqiptarëve, parada kuqezi”, shkruan Veliaj.

“E ku ka më mirë se sa kur të gjithë shqiptarët mblidhen bashkë në Tiranë më 28 Nëntor, për të kremtuar 112-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, në një paradë me ngjyra Kuq e Zi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me kostumet e këngët nga çdo trevë shqiptare, në një bashkim vëllazëror festimesh të paharrueshme.

Eja festojmë në zemër të Tiranës”, përfundon postimin e tij Veliaj./atsh/ KultPlus.com

‘Lucia Nadin dhe shqiptarët e Venedikut’, dokumentari hedh dritë mbi karakterin evropian të Shqipërisë mesjetare

 “Lucia Nadin dhe shqiptarët në Venedik” ishte dokumentari historik i Ilir Yzeirit, i cili pati premierën mbrëmjen e djeshme në kinema “Millennium”, në praninë e Kryeministrit Edi Rama.

Dokumentari i bazuar në hulumtimet e albanologes Luçia Nadin, nxjerr në pah të shkuarën evropiane të shqiptarëve duke vlerësuar rolin dhe qëndresën e tyre kundër pushtimit osman në mbrojtje tē trojeve dhe të krishtërimit evropian.

Në zbulimet e Lucia Nadin përfshihet edhe e vetmja kopje origjinale e “Statuti di Scutari” (Statutet e Shkodrës).

Kontributi i Lucia Nadin konsiderohet mjaft i madh për Shqipërinë. Dokumentari dedikuar asaj, nis me një pamje të rrallë, atë të “Rrethimit të parë të Shkodrës” në Pallatin Dukal, duke treguar kështu vëmendjen e pashoqe dhe rëndësinë që kishte Shqipëria për Venedikun.

Dokumentari është ndërtuar dhe mbështetur në veprat e Lucia Nadin: “Shqiptarët në Venedik-Emigrim e integrim”, “Shqipëria e rigjetur”, “Statutet e Shkodrës”, “Figura e Skënderbeut në jetën kulturore e artistike të Venedikut” e plot studime të tjera. Ajo që vërehet nga Nadin është se Shqipëria mesjetare ishte në fakt një Shqipëri evropiane, një Shqipëri të cilën ajo e ka futur në hartën e atyre vendeve që i dhanë shumë historisë politike evropiane.

Dokumentari u realizua me mbështetjen e Këshillit të Ministrave. /atsh/ KultPlus.com

Dita ndërkombëtare e kinemasë për fëmijë dhe adoleshentë, një dritare e re për krijim dhe edukim

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Kinemasë për Fëmijët dhe Adoleshentët, ngjarje kjo që nënvizon rolin e rëndësishëm që ka kinemaja në zhvillimin e kreativitetit dhe edukimin e të rinjve.

Kjo ditë është e dedikuar për të promovuar filmin si një mjet të fuqishëm edukativ, që ndihmon në zhvillimin e mendjes, aftësive sociale dhe të shprehuri të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Kinemaja ofron mundësi të jashtëzakonshme për t’i prezantuar të rinjtë me histori, kultura dhe tematika që stimulojnë mendimin kritik dhe përmirësojnë aftësinë për të kuptuar botën. Filmat për fëmijë dhe adoleshentë shpesh pasqyrojnë vlerat e rëndësishme si miqësia, guximi, përballja me sfidat dhe respekti për diversitetin, duke ofruar kështu mundësi të mrekullueshme për mësim dhe reflektim.

Në këtë ditë, organizatat dhe festivalet e kinemasë shpesh organizojnë shfaqje filmash, diskutime dhe aktivitete që synojnë të sjellin në vëmendje rëndësinë e kinemasë si një mjet edukativ dhe si një formë arti që ka ndikim të fuqishëm tek brezat e rinj.

Dita Ndërkombëtare e Kinemasë për Fëmijët dhe Adoleshentët është një mundësi për të nxitur industrinë e filmit të krijojë më shumë përmbajtje të kualitetit të lartë, që i drejtohen kësaj grupmoshe dhe që i ndihmojnë ata të zhvillojnë imagjinatën, kreativitetin dhe empatinë, duke i përgatitur për të ardhmen.

Në Leksion

Poezi nga Ismail Kadare

Shi në rrugë bie pa pushim
Ç’po mendon atje ti shpirti im?
Në atë kënd, e vetme, ç’të mundon?
S’mban shënime, vija vizaton.

Tetëmbëdhjetë vjeçe nuk është shpejt
që menduar xhamat t’i vëresh
duhemi por zemra seç të ndjell
Sytë e bukur trembur pse mi hedh?

Koha ikën klasën do kujtosh
do të gdhihet befas një mëngjes
sytë rreth do hedhësh të shikosh
se si derdhet shiu në mes resh
Por në bankën pranë s’do ta gjesh
djalin që e deshe dhe të desh /KultPlus.com

‘Guximi është çelësi i gjithçkaje në jetë’

“Guximi është çelësi i gjithçkaje në jetë. Shumë njerëz kanë lindur në situata, në të cilat janë shprehur: “Unë kurrë nuk do të dal prej kësaj situate” dhe nuk ia dalin. Unë them se është faji i tyre që nuk guxojnë ta ndryshojnë jetën dhe situatat e jetës së tyre.

Të gjithë mendojnë se këto mesazhe që ne japim, janë të kota. Mendojnë se janë thjesht disa fjalime që ne i bëjmë për të fituar vëmendje, sepse ne jemi të famshëm tashmë.

Këto janë thjesht mendime nga persona që e kanë vendosur të mos kenë sukses në jetë. Çdo person mund t’ia dalë në jetë. Edhe suksesi im s’ka qenë i lehtë. Kam kaluar nëpër një rrugë të gjatë e të vështirë. Ka pasur edhe për mua ditë, kur kam thënë: “Nuk kam për t’ia dalë mbanë. Është më mirë të nis diçka tjetër. Thjesht, jo më aktrim”.

Por gjithmonë ndodhte diçka që më shtynte akoma më fort të vazhdoja përpara. Mendoni se nuk kishte apo nuk ka persona më të talentuar se unë? Sigurisht që ka. Por ata ndoshta s’kanë guximin të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të përpiqen t’i arrijnë ato.

Unë e di që në çdo aspect duhet edhe fati, por fati shkon me ata që përpiqen. Ndaj, ja ku jam unë sot. Po qëndroj sot përpara gjithë jush.

Rregulli kryesor është ky, nëse e beson se mund ta bësh diçka, do ta bësh. Mos hiqni dorë nga ato që doni t’i arrini. Gjëja që unë i them çdo të riu, është të mos heqin dorë, sepse kur nuk përpiqesh, e ke të sigurtë humbjen.

Kuptoje se çfarë do, “ndërto” një rrugë në mendjen tënde dhe përpiqu ta ndjekësh atë me gjithë përkushtimin tënd. Ndiqi gjithmonë ëndrrat e tua!”/bota.al /KultPlus.com

– Morgan Freeman

6 nëntori, Dita kundër Shfrytëzimit të Mjedisit në Luftëra

Sot është Dita Ndërkombëtare për Parandalimin e Shfrytëzimit të Mjedisit në Luftëra dhe Konflikte të Armatosura.

Gjashtë nëntori është caktuar për këtë qëllim qysh në vitin 2001 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

“Edhe pse njerëzimi ka numëruar gjithmonë viktimat e luftës, në kuptim të ushtarëve dhe civilëve të vdekur dhe të plagosur, qytetet dhe lagjet e shkatërruara kanë mbetur shpesh të papublikuara”.

“Puset e ujit janë ndotur, të lashtat janë djegur, tokat janë helmuar dhe kafshët janë vrarë, me qëllim të avancimit ushtarak”, thuhet në deklaratën e OKB-së. / KultPluscom

“Lucia Nadin dhe shqiptarët e Venedikut”, dokumentari hedh dritë mbi karakterin evropian të Shqipërisë mesjetare

“Lucia Nadin dhe shqiptarët në Venedik” ishte dokumentari historik i Ilir Yzeirit, i cili pati premierën mbrëmjen e djeshme në kinema “Millennium”, në praninë e Kryeministrit Edi Rama.

Dokumentari i bazuar në hulumtimet e albanologes Luçia Nadin, nxjerr në pah të shkuarën evropiane të shqiptarëve duke vlerësuar rolin dhe qëndresën e tyre kundër pushtimit osman në mbrojtje tē trojeve dhe të krishtërimit evropian.

Në zbulimet e Lucia Nadin përfshihet edhe e vetmja kopje origjinale e “Statuti di Scutari” (Statutet e Shkodrës).

Kontributi i Lucia Nadin konsiderohet mjaft i madh për Shqipërinë. Dokumentari dedikuar asaj, nis me një pamje të rrallë, atë të “Rrethimit të parë të Shkodrës” në Pallatin Dukal, duke treguar kështu vëmendjen e pashoqe dhe rëndësinë që kishte Shqipëria për Venedikun.

Dokumentari është ndërtuar dhe mbështetur në veprat e Lucia Nadin: “Shqiptarët në Venedik-Emigrim e integrim”, “Shqipëria e rigjetur”, “Statutet e Shkodrës”, “Figura e Skënderbeut në jetën kulturore e artistike të Venedikut” e plot studime të tjera. Ajo që vërehet nga Nadin është se Shqipëria mesjetare ishte në fakt një Shqipëri evropiane, një Shqipëri të cilën ajo e ka futur në hartën e atyre vendeve që i dhanë shumë historisë politike evropiane.

Dokumentari u realizua me mbështetjen e Këshillit të Ministrave./atsh/KultPlus.com

Sibel Halimi: Bashkë me fotoreporterin Visar Kryeziu, kemi filluar një iniciativë për digjitalizimin e arkivit të tij personal

Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se kanë nisur një iniciativë bashkë me fotoreporterin e njohur, Visar Kryeziu.

Në njoftim thuhet se kjo iniciativë është nisur për digjitalizimin e arkivit të tij personal, që përfshin disa nga momentet më të rëndësishme të shtetndërtimit të vendit.

“Ky arkiv përmban fotografi historike që dokumentojnë ngjarjet kryesore dhe zhvillimet që kanë formësuar të ardhmen tonë, duke krijuar një pasuri të vyer për gjeneratat e reja”, ka shtuar Halimi./KultPlus.com