Para 24 viteve, RTK transmetoi emisionin e parë të lajmeve drejtpërdrejt

Në dëtë ditë të vitit 1999, Radio Televizioni i Kosovës (RTK) transmetoi emisionin e parë të lajmeve drejtpërdrejt, përcjell KultPlus.

Misioni në Kosovë (OSCE) është ndër operacionet më të mëdha në terren të OSBE-së.

Përmes një postimi në “Facebook”, ata janë shprehur krenarë për bashkëpunimin e tyre me Unionin Evropian të Transmetuesve – EBU, për të mbështetur themelimin e Radio Televizionit të Kosovës.

“Mezi presim të vazhdojmë të forcojmë rolin jetësor të RTK-së!”, shprehen ata. /KultPlus.com

Miratohet rregullorja e Festivalit të Këngës në RTK, Adi Krasta emërohet drejtor i festivalit

Në mbledhjen e së martës, Bordi i RTK-së ka njoftuar se ka miratuar rregulloren e Festivalit të Këngës që do të organizohet nga Radio Televizioni i Kosovës.

Me këtë rregullore përcaktohet mënyra e themelimit dhe organizimit të brendshëm të festivalit, duke përfshirë udhëheqjen e tij, si dhe të drejtat dhe detyrat e të angazhuarve dhe të pjesëmarrësve.

“Krahas plotësimit të një detyrimi ligjor për t’i ofruar publikut ngjarje të mëdha kulturore e artistike, RTK-ja nëpërmjet festivalit synon ta përmbyllë një angazhim shumëvjecar të sajin për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës në Eurovizion”.

“Sipas rregullores së miratuar në mbledhjen e fundit të Bordit, Festivali i Këngës në RTK është i mëvetësishëm në skenën muzikore të Kosovës me simbolet e veta identifikuese, institucionale dhe artistike me qëllim të ruajtjes, kultivimit dhe prezantimit të vlerave muzikore”, ka njoftuar Bordi i RTK-së.

Bëhet e ditur se pas miratimit të rregullores, Bordi i RTK-së sot ka miratuar propozimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së për emërimin e Adi Krastës në pozitën e drejtorit të festivalit. /Zëri/ KultPlus.com

RTK dënohet përsëri nga Inspektorati i Punës, gjobitet 4,900 euro

Inspektorati i Punës ka dënuar Radiotelevizionin e Kosovës me 4,900 euro gjobë si dhe drejtorin gjeneral, Shkumbin Ahmetxhekaj me 500 euro.

Kjo gjobë ka ardhur për shkak të shkeljes së Ligjit të punës dhe rregulloreve të RTK-së me rastin e degradimit të Udhëheqësit të departamentit të Marketingut, për mos zbatim të vendimit të IP-së si dhe për mospërfilljen e zbatimit të dispozitave të ligjit të punës.

Kjo është gjoba e dytë brenda një muaji që i shqiptohet RTK-së nga Inspektorati i Punës, që në total kap shifrën 8,400 euro.

Në vendimin e Inspektoratit të Punës thuhet se ankesa eventuale nuk e shtyn ekzekutimin.

RTK obligohet që gjobën e shqiptuar në lartësi prej 4900 euro ta paguaj në afat prej 8 (tetë) ditësh nga dita e pranimit të vendimit.

Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, për përgjegjësinë direkte të mosekzekutimit të vendimit i shqiptohet gjobë në lartësinë prej 500 euro, dhe i njejti obligohet që në afat prej tetë (8) ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi, ta paguajë atë.

Sipas Inspektoratit të Punës. RTK është e obliguar që një kopje të fletpagesës t’ia prezantojë IP-së në afat prej tre (3) ditësh nga dita e skadimit të afatit prej tetë (8) ditësh të cekur më lartë.

SPRTK kërkon nga Bordi i RTK-së si dhe nga Kuvendi i Kosovës që të reagojnë me urgjencë për shkak se nëse vazhdohet me këtë trend të paligjshmërive dhe gjobave, funksionimi i Transmetuesit Publik do të rrezikohet seriozisht. / KultPlus.com

RTK gati për Gala Koncertin e 15 vjetorit të pavarësisë

Për nder të 15 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, dhe 25 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, RTK ka organizuar një Gala Koncert, të titulluar “Rrno për me tregue”, thënie kjo e njohur dhe e marrë nga libri i At Zef Pllumit.

Ky koncert do të mbahet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, e ku përgatitjet për mbajtjen e tij ka kohë që kanë filluar.

Ideatori dhe udhëheqësi i këtij organizimi, Festim Kabashi nga RTK, deklaroi se kjo punë është përpjekje dhe angazhim i të gjithëve, pasi Transmetuesi Publik, siç tha ai, ka brenda vetës mjaftueshëm staf profesional e njerëz të shquar.

“Tash e sa ditë vetëm në këtë sallë, është duke u punuar vazhdimisht”, tha Kabashi, duke shtuar se koncerti “Rrno për me tregue” është ide e mbështetur menjëherë nga Komisioni Ndërshtetëror i Republikës së Kosovës.

“Pra është organizim i përbashkët i RTK-së dhe këtij Komisioni”, tha ai, duke shtuar se ideja bazohet në historinë e madhe dhe vuajtjet, dhimbjet e mëdha të vendit tonë, por edhe për faktin se vazhdimisht është kënduar.

“Të gjitha këto bashkë kemi menduar t’i sjellim në këtë koncert” tha Kabashi.

Duke treguar arsyen përse koncerti është titulluar “Rrno për me tregue” ai tha se kjo është e përbashkëta e të gjithëve, e ku ato janë vuajtjet e shqiptarëve, pavarësisht sistemeve e regjimeve të ndryshme në Shqipëri e në Kosovë.

Kabashi më tej theksoi se koncerti do të mbahet më 17 shkurt në orën 20:00, dhe do të jetë i hapur për publikun, duke shtuar se do të ketë edhe të ftuar specialë.

Ai deklaroi se emrat që do të këndojnë janë Elsa Lila, Gjon’s tears, Jericho, Rona Nishliu, Florent Abrashi, pastaj kori Siperantum e shumë të tjerë.

Kurse dirigjenti i këtij koncerti, Valton Beqiri, deklaroi se organizime të tilla të mëdha janë sfidë dhe përgjegjësi.

Megjithatë, ai tha se këtë herë është një ekip më i madh i artistëve që janë ftuar.

“Por kapacitetet tona janë duke u fuqizuar për të mbërritur në një nivel më të lartë”, tha ai.

Sipas tij, përveç festimit të 15 vjetorit të pavarësisë, ky koncert do të jetë edhe si një lloj prove gjenerale e kapaciteteve të Kosovës para organizimit të festivalit të Këngës, që për herë të parë pritet të mbahet këtë vit. / KultPlus.com

Inspektorati i Punës e dënon RTK-në me 3 mijë euro gjobë

Sindikata e Pavarur e RTK-së ka njoftuar se Radiotelevizioni i Kosoës është gjobitur me 3 mijë euro nga Inspektorati i Punës “për degradimin e jashtëligjshēm tē kryetarit të Sindikatës Fadil B.Hoxha”.

“Inspektorati i Punës e ka dënuar Radiotelevizionin e Kosovës me tre mijë euro gjobë për degradimin e jashtëligjshēm tē kryetarit të Sindikatës Fadil B.Hoxha. Në vendimin e Inspektoratit, të cilin e gjeni të bashkangjitur, RTK obligohet që në afat prej tetë ditēsh ta paguajë këtë  dënim, në të kundērtën do të inicohet procedurë pērmbarimore. SPRTK- e mirëpret këtë vendim të Inspektoratit pēr ndëshkimin e paligjshmërisë,  por në anën tjetër ështē e shqetësuar pēr dëmin financiar që po i shkaktohet Radiotelevizionit të Kosovës për shkak tē veprimeve të papērgjegjshme të Menaxhmentit”, thuhet në njoftim.

Sindikata ka një kërkesë për bordin e RTK-së.

“SPRTK kërkon nga Bordi i RTK-së qē ta thērras në pērgjegjësi Menaxhmentin, për dëmin materail dhe jomaterial që po ua shkakton të punësuarve tē RTK-së si dhe për dëmtimin e buxhetit dhe imazhit tē RTK-së. Gjithashtu, Kuvendi i Kosovës me kryesinë dhe komisionet përkatëse që mbikëqyrin Transmetuesin Publik, të reagojnē dhe të kërkojnē që përgjegjēsit për veprimet e paligjshme të japin llogari. Pasojat nga veprimet e jashtëligjshme si kjo e degradimit të kryetarit Hoxha, do ta përkeqësojnë edhe më shumë gjendjen financiare të RTK-së e cila edhe ashtu është e rëndë”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com

RTK nis këtë vit Festivalin e Këngës

RTK-ja gjatë këtij viti do të themelojë orkestrën e saj dhe poashtu do të organizojë edicionin e parë të Festivalit të Këngës. Këto aktivitete janë pjesë e një memorandumi më të gjerë bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës që u nënshkrua nga të dyja institucionet.

Nënshkrimi i këtij memorandumi u bë pas disa muajsh bisedimesh, i filluar nga qershori i vitit  2022, ndërmjet MKRS-së dhe drejtuesve të RTK-së, duke marr për bazë edhe modelet e transmetuesve të tjerë publik. Ky bashkëpunim i mundëson RTK-së që të zgjerojë mbulimin e aktiviteteve kulturore anekënd Kosovës dhe për realizimin në praktikë të synimeve të Bordit dhe Menaxhmentit për shndërrimin e RTK4, në RTK Art. Me këtë memorandum, RTK do të rris kapacitetet e saj të produksionit dhe do të jetë edhe më afër artdashësve.

Memorandumi i Bashkëpunimit është nënshkruar për një periudhë 5 vjeçare.

Ministri i kulturës  Hajrullah Çeku,  në një postim në rrjetin social Facebook , shkroi: 

“Ministria e Kulturës dhe Radio Televizioni i Kosovës nga sot nisin një bashkëpunim afatgjatë për të mirën e kulturës në vendin tonë. Ndër zotimet kryesore të marrëveshjes pesë vjeçare që nënshkruam sot është themelimi i kanalit të RTK-së kushtuar eksklusivisht kulturës, organizimi i festivalit të këngës, fuqizimi i kapacitetit orkestral të RTK-së, mbulimi i programit të institucioneve të kulturës dhe përcjellja e ngjarjeve të kalendarit vjetor kulturor”. /KultPlus.com

Nga sot Ministria e Kulturës dhe RTK nisin bashkëpunimin në fushën e kulturës

Ministria e Kulturës dhe Radio Televizioni i Kosovës nga sot kanë nisur një bashkëpunim në fushën e kulturës, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri Çeku përmes një postimi në Facebook.

“Ministria e Kulturës dhe Radio Televizioni i Kosovës nga sot nisin një bashkëpunim afatgjatë për të mirën e kulturës në vendin tonë. Ndër zotimet kryesore të marrëveshjes pesë vjeçare që nënshkruam sot është themelimi i kanalit të RTK-së kushtuar eksklusivisht kulturës, organizimi i festivalit të këngës, fuqizimi i kapacitetit orkestral të RTK-së, mbulimi i programit të institucioneve të kulturës dhe përcjellja e ngjarjeve të kalendarit vjetor kulturor”, ka shkruar Çeku./ KultPlus.com

Rilind Gërvalla emërohet drejtor i Radio Televizionit të Kosovës

Rilind Gervalla, është emëruar drejtor i kanalit shqip të Radio Televizionit të Kosovës (RTK1, 3, 4).

Këtë vendim e morën sot bordi i RTK-së, me tetë vota për dhe asnjë kundër, përcjell klankosova.tv.

Rekomandimi për emërimin e tij, erdhi nga drejtori i përgjithshëm i RTK-së.

Për më shumë ja komunikata e plotë:

”Bordi i RTK-së me tetë vota për dhe asnjë kundër, ka miratuar rekomandimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, për emërimin e z. Rilind Gervalla në pozitën e drejtorit të kanalit shqip të RTK-së (RTK1, 3, 4).

Në mbledhjen e sotme u diskutua edhe për zhvillime të tjera në RTK”. / KultPlus.com

Përsëritet konkursi për pozitën e anëtarit të bordit në RTK

Në vazhdimin e seancës plenare, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta zgjedhë një anëtar të ri të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar.

Në garë ishin dy kandidatë, të cilët nuk morën votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur anëtar bordi. Në votimin me procedurë të fshehtë, kandidati Mehmet Kalisi ka fituar 29 vota, dhe kandidati tjetër Besnik Aliu ka marrë vetëm 10 vota.

Në votim kanë marrë pjesë 78 deputetë, të pa vlefshme 39 fletëvotime.

Nënkryetarja e Komisionit, Saranda Bogujevci tha se në bazë të të dhënave nga Komisioni, asnjëri nga kandidatët e propozuar për anëtar të Bordit të RTK-së nuk kanë marrë votat e mjaftueshme.

Bogujevci tha se për këtë pozitë të anëtarit të bordit në RTK, duhet të përsëritet konkursi. / KultPlus.com

Besa Çejku-Buçinca, prezantuesja ikonë e RTK-së që lajmëroi bombardimet e NATO-s

Prezantuesja e njohur Besa Çejku-Buçinca sot ka dhënë lajmet për herë të fundit në Radio Televizionin e Kosovës.

Ajo do të mbetet gjatë në kujtesën e shumë njerëzve pasi ishte e para që dha lajmin për bombardimet e NATO-s në Kosovë në vitin 1999.

Çejku-Buçinca, gjithashtu ka qenë pjesë e Radio Televizionit të Prishtinës.

Lajmin se sot Çejku-Buçinca do të japë lajmet për herë të fundit në RTK, e ka dhënë drejtori, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Ahmetxhekaj, duke e quajtur ikonë Buçincën, ka njoftuar se sonte, ajo do të jetë para shikuesve bashkë me prezantuesin e njohur, Mustafa Muçaj.

“Pas pak në Lajmet Qendrore. Mustafa Muçaj dhe Besa Çejku Buçinca. Edicioni lamtumirës i ikonës së RTP-së dhe RTK-së, Besa Çejku Buçinca.”. / KultPlus.com

Shkumbin Ahmetxhekaj zgjidhet Drejtor i Radio Televizonit të Kosovës

Bordi i Drejtorëve të RTK-së zgjodhi Ahmetxhekajn në krye të Radio Televizionit të Kosovës për një mandat tre vjeçar me 8 vota për, 1 abstenim dhe asnjë votë kundër.

Në intervistën e mbajtur të mërkurën më 15 qershor, Ahmetxhekaj grumbulloi plotë 83.1 pikë. Shkumbin Ahmetxhekaj deri më tani ka qenë ushtrues detyre i drejtorit të RTK-së.

Pjesëmarrës në procesin e intervistimit ishin gjithsej nëntë kandidatë. Ndësa një nga kandidatët ishte larguar nga gara më herët.

“Në çdo fazë të procesit kanë qenë të ftuar monitoruesit nga shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare, por ka pasur edhe qytetar të interesuar që kanë marrë pjesë në monitorim”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Pas një procesi të rregullt vlerësues, bazuar në Ligjin për RTK-në 04/L-046 dhe në Rregulloren për Procedurat e Përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm dhe menaxhmentit të lartë të RTK-së, Bordi në mbledhjen e mbajtur me datë 20.06.2022 ka zgjedhur z. Shkumbin Ahmetxhekaj për Drejtor të Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për një mandat tre vjeçar.

Për herë të parë në RTK, i gjithë procesi i vlerësimit dhe intervistimit ka qenë tërësisht transparent. Në çdo fazë të procesit kanë qenë të ftuar monitoruesit nga shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare, por ka pasur edhe qytetar të interesuar që kanë marrë pjesë në monitorim.

Pyetjet për kandidatët janë bërë në prani dhe bashkë me monitoruesit rreth gjysmë ore para se të fillojnë intervistat. Edhe propozimet e monitoruesve janë marrë parasysh gjatë përpilimit të gjashtë pyetjeve.

Në procesin e intervistimit, janë paraqitur nëntë kandidatë. Ndërkaq, një kandidate nuk e ka vazhduar garën.

Procesi i intervistimit ka qenë i ndarë ne dy pjesë, ku në pjesën e parë kandidatët kanë prezantuar konceptin strategjik për zhvillimin e RTK-së, ndërsa në pjesën e dytë ata janë përgjigjur në gjashtë pyetjet e njëjta. Ky është rezultati i kandidatëve pas intervistimit:

Zgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së do t’i hapë rrugë një procesi të rëndësishëm reformash në transmetuesin publik të Kosovës për ta bërë atë konkurrent me mediumet në rajon dhe më gjerë.

Bordi i RTK-së rikujton se Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e auditimit të përformancës (2019-2021) dhe të pasqyrave financiare të RTK-së për  vitin 2021, ka gjetur një numër të konsiderueshëm shkeljesh për mënyrën se si është menaxhuar RTK-ja.

Prandaj, Bordi si organ udhëheqës dhe drejtues do t’i ofrojë bashkëpunim të plotë drejtorit të sapozgjedhur duke e inkurajuar dhe mbikëqyrur adresimin e plotë të rekomandimeve dhe gjetjeve të paraqitura në raportin e ZKA-së. / KultPlus.com

Nëntë kandidatë do të intervistohen nga bordi i RTK-së për postin e Drejtorit të Përgjithshëm

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) do të intervistojë nëntë kandidatë për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të këtij mediumi.

Në takimin për përpilimin e listës së kandidatëve të paraqitur në konkursin publik për këtë vend të lirë të punës ata kanë shqyrtuar aplikacionet e kandidatëve.

Siç thuhet në njoftim, kandidatët të cilët i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret e përcaktuara me konkurs dhe që do të ftohen për intervistë janë:

1.     Adriana Kutllovci

2.     Arbëreshë Arifi-Teli

3.     Arta Bajrami

4.     Bekim Hasani

5.     Bekim Shehu

6.     Naser Thaci

7.     Shkumbin Ahmetxhekaj

8.     Valentina Saracini

9.     Ylli Kaloshi /KultPlus.com

RTK me Gala Koncert “Thirrje për paqe” (VIDEO)

Radio Televizioni i Kosovës, për 23 vjetorin e Lirisë së Kosovës por edhe dedikim për Paqe në Ukrainë do të organizojë Gala Koncertin “Thirre për paqe”, me artistë të cilët nëpër vite kanë realizuar këngë që përkojnë edhe me sfidat dhe vuajtjet e popullit të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ky koncert do të mbahet më 11 qershor, në orën 20:20 në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe koncerti është mbështetë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/watch/?v=1166240100825637

Auditori për RTK’në: Qindra mijëra euro shujta për punëtorët që s’ishin në punë

Mbi 160 mijë euro Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka shpenzuar më tepër për shujta krahasuar me atë sa kishte nevojë.

Këto gjetje i ka bërë Zyra Kombëtare e Auditorit, përmes një raporti të publikuar, të enjten. Në bazë raportit thuhet se janë paguar shujta për punëtorët të cilët s’kanë qenë fare në punë.

Këtë gjetje auditimi e ka bërë duke llogaritur praninë në punë të secilit punëtor dhe mjeteve të shpenzuara për shujta brenda një viti. “Ne kemi pjesëtuar numrin e orëve mujore të realizuara me orët ditore (prej 8 orëve) për të përfituar ditët e pranisë në punë.

Orët e fituara për praninë në punë e kemi shumëzuar me 2.5 euro për ditë dhe kemi përfituar shujtat të cilat do duhej paguar. Secili punonjës do duhej të kishte 176 orë evidentimi sipas ligjit të punës dhe diferenca me orët faktike të evidentimit shndërruar në ditë paraqet edhe bazën e mbi pagesës së shujtës”, është thënë në raportin e ZKA-së.

Në këtë raport pos tjerash thuhet se mungesa e kontrolleve e ka reflektuar një situatë të tillë.

“Mungesa e kontrolleve efektive të brendshme lidhur me vijueshmërinë e stafit në punë sjellë rrezikun e pagesave të parregullta pa ndonjë bazë të qartë ligjore të cilat e ngarkojnë buxhetin e RTK-së për shpenzime që nuk duhet paguar”, thuhet në raport.

Auditimi i RTK-së ka nisur vetëm në fund të vitit 2021. RTK-ja financohet direkt prej buxhetit të shtetit. Ky televizion vazhdimisht është përballur me Kritika për keqmenaxhim të parasë. /Express/ KultPlus.com

EBU-ja përjashton televizionet ruse, Kosova me strategji të re drejt anëtarësimit

Këtë javë Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) ka pezulluar zyrtarisht transmetuesit e tij anëtarë rusë nga Organizata.

RTR-ja, Channel One dhe Radio Dom Ostankino tani janë pezulluar nga Unioni Evropian i Transmetuesve, pas një vendimi unanim nga Komiteti Ekzekutiv në fillim të kësaj jave. Konfirmimi i vendimit iu dërgua të gjithë transmetuesve anëtarë të EBU-së me një deklaratë, transmeton Zeri.info.

“Në emër të Komitetit Ekzekutiv, dëshiroj t’ju informoj për vendimin e marrë nga Këshilli për tre anëtarë rusë të EBU-së (RTR, Channel One dhe Radio Dom Ostankino) në mbledhjen e tij të djeshme. Bazuar në masat e marra nga Këshilli Ekzekutiv në mbledhjen e tij të fundit më 7 prill, kur nisi procedurën e pezullimit, Këshilli vendosi njëzëri të pezullojë menjëherë tre anëtarët rusë të EBU-së për një kohë të pacaktuar, të cilat Bordi Ekzekutiv do t’i shqyrtojë rregullisht”, thuhet në deklaratë.

Tre transmetuesit rusë i bashkohen transmetuesit bjellorus BTRC, i cili vitin e kaluar u pezullua gjithashtu nga EBU-ja.

EBU-ja e ndaloi Rusinë të marrë pjesë në “Eurovision 2022”, pas thirrjeve nga transmetues të shumtë për ta bërë këtë pas pushtimit rus të Ukrainës. Në përgjigje të kësaj, Channel One, VGTRK dhe Radio “Dom Ostankino” deklaruan se do të tërhiqen nga EBU-ja.

Rusia jashtë, Kosova brenda

Radiotelevizioni i Kosovës tash e disa vjet është refuzuar nga EBU-ja, pasi sipas tyre Kosova nuk i plotëson kushtet për të qenë anëtare e plotë në këtë organizatë, duke ia mohuar kështu edhe pjesëmarrjen në Eurovision, shkruan Zeri.info.

Burime të “Zërit” brenda RTK-së kanë bërë të ditur se menaxhmenti i ri i televizionit publik është duke përgatitur një strategji për të aplikuar për anëtarësim në EBU, ndërsa të njëjtët janë ftuar edhe në Asamblenë e Përgjithshme të EBU-së, e cila më 30 qershor do të mbahet në Zagreb të Kroacisë.

Ky moment nga Kosova po shihet si një mundësi e mirë për anëtarësim në EBU në mungesë të Rusisë dhe Bjellorusisë, dy prej vendeve që kanë kundërshtuar në vazhdimësi çdo iniciativë të Kosovës.

Mësohet se një delegacion nga RTK-ja do të marrë pjesë në Asamblenë e EBU-së, ndërsa do të shihen mundësitë për anëtarësim dhe pjesëmarrje në Eurovisionin e vitit të ardhshëm.

Shumë artistë kosovarë kanë prekur skenën e Eurovisionit, duke përfaqësuar shtete tjera në pamundësi për ta përfaqësuar Kosovën, ndërsa një fushatë bashkë me një peticion i hapur kohë më parë tashmë ka marrë mbi 10 mijë nënshkrime, ku i bën thirrje EBU-së ta pranojë Kosovën në Eurovision. / KultPlus.com

Dështon zgjedhja e drejtorit të ri të RTK-së, do të rishpallet konkursi

Bordi i RTK-së ka bërë të ditur se ka dështuar zgjedhja e drejtorit të ri të RTK-së për shkak të, siç thonë ata në një komunikatë, mungesës së bazës së qartë ligjore.

Në komunikatë bëhet e ditur se bordi ka votuar kundër zgjedhjes së secilit kandidat, andaj procesi kthehet në fazën fillestare.

Kjo është komunikata e plotë:

Në mungesë të bazës së qartë ligjore, Bordi i RTK-së e rikthen në pikën zero procesin e rizgjedhjes së drejtorit të RTK-së

Në mbledhjen e mbajtur me datë 22 Mars 2022, anëtarët e Bordit te RTK-së kanë votuar kundër secilit kandidat për pozitën e Drejtorit te RTK-së.

Një rezultat i tillë ka ardhur për shkak të mungesës së bazës së qartë ligjore qe do te garantonte përfundimin e procesit.  Rrjedhimisht, për të evituar shkeljet ligjore, Bordi i RTK-së e ka përmbyllur procesin e konkursit duke mos  e votuar asnjë kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së, duke mos paragjykuar profesionalizmin dhe vizionin e disa kandidateve për zhvillimin e RTK-se.

Bordi i RTK-se sqaron opinionin publik se historikisht gjatë procedurave për konkurse publike, RTK i është referuar Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale nr. 07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. I njëjti Udhëzim Administrativ është përdorur edhe në konkurset për drejtorët paraprakë të RTK-së. Në të njëjtën kohë, zyra ligjore e RTK-së i ka rekomanduar bordit se i njëjti  proces mund të ndiqet edhe tani, pasi RTK-ja nuk ka dokument tjetër ligjor që mund ta përdorë për procedurën e konkursit për drejtor të përgjithshëm.

Gjatë zhvillimit të procedurës së konkursit për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së, bordi ka vërejtur që zbatimi i këtij udhëzimi në këtë proces është problematik sepse parasheh procedurë të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm, në shpërpushje me Ligjin për RTK-në.

Udhëzimi përcakton se vetëm tre (3) anëtarë mund të jenë në komisionin vlerësues dhe vlerësimin final ia dërgojnë bordit për aprovim, ndërkaq Ligji për RTK-në e thotë qartë se Drejtori i RTK-së duhet të emërohet me 2/3 të votave të anëtarëve të bordit dhe përcakton qartë se anëtarët e bordit nuk duhet të ndikohen nga asnjë palë në vendimin e tyre, pra as nga një komision i tillë prej tre anëtarëve. Megjithatë, duke zbatuar dhe respektuar Ligjin për RTK-në, bordi ka vendosur që të gjithë anëtarët të jenë pjesë e komisionit të vlerësimit. Një praktikë e tillë ka ndodhur edhe në të kaluarën. Por, duke shikuar këtë praktikë, bordi ka hasur edhe në anomali tjera ligjore përgjatë procesit.

Në proceset e njëjta të bordeve të kaluara, të gjithë anëtarët kanë qenë në komisionin vlerësues, dhe po të njëjtit anëtarë kanë qenë edhe në komisionin për shqyrtimin e ankesave. Duke mos pasur asnjë rrugëdalje tjetër ligjore, kjo për bordin aktual është e papranueshme, sepse është shkelje ligjore që i njëjti komision të vlerësojë kandidatët dhe i njëjti të shqyrtojë ankesat eventuale të tyre. Prandaj, Bordi konsideron se kjo praktikë ka qenë dhe është në mospërputhje me Ligjin për RTK-në dhe Udhëzimin Administrativ të lartcekur.

Për më tepër, pothuajse në të gjithë hapat, Udhëzimi Administrativ është në kundërshtim me Ligjin për RTK-në dhe është e pamundur të zbatohen të dy këto dokumente në këtë konkurs në mënyrë të rregullt. E për Bordin e RTK-së është prioritare të respektohet Ligji i RTK-së, pavarësisht mangësive të shumta që i ka.

Duke pasur si qëllim bazë kthimin e ligjshmërisë në RTK dhe respektimin e legjislacionit aktual, Bordi konsideron se nuk ka bazë të duhur ligjore e cila do të siguronte zgjedhjen e drejtorit në mënyrë të rregullt dhe pa çështje të kontestuara ligjore. Rrjedhimisht, Bordi në asnjë rrethanë nuk mund të zgjedh drejtorin e RTK-së duke mos respektuar procedurat ligjore ose duke mos i sqaruar ato në tërësi duke shmangur çdo paqartësi dhe duke siguruar transparencë dhe ligjshmëri të plotë.

Si përfundim i këtij procesi, Bordi nuk ka emëruar asnjërin nga pesë kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së, pasi një emërim i tillë nuk siguronte qartësi të plotë procedurale dhe ligjore.

Bordi menjëherë do të kërkojë nga menaxhmenti krijimin e një grupi punues për krijimin e një rregulloreje të veçantë, e cila do të jetë në përputhje të plotë me Ligjin për RTK-në dhe brenda një afati kohor sa më racional do ta rishpallë konkursin për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së. Drafti i kësaj rregulloreje do të diskutohet edhe me shoqërinë civile dhe me sindikatat e RTK-së.

Deri në rishpalljen e konkursit dhe emërimin e drejtorit të ri, z. Shkumbin Ahmetxhekaj e ka besimin e plotë të bordit që të vazhdojë ushtrimin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së. / KultPlus.com

Publikohen rezultatet finale për drejtor të RTK-së, Ahmetxhekaj me më së shumti pikë

Sot ka ndodhur intervistimi i kandidatëve për Drejtor të Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës, shkruan KultPlus.

Sipas komunikatës së Bordit të RTK-së, në intervistë janë paraqitur pesë kandidatë. Tre kandidatë që kanë qenë në testin me shkrim (Fisnik Durguti, Fadil Hoxha dhe Hysen Hundozi) nuk janë paraqitur në intervistë.

Kandidati që mori më së shumti pikë është Shkumbin Ahmetxhekaj.

“Ashtu siç ka qenë i gjithë ky proces, edhe procesi i intervistimit ka qenë tërësisht transparent, ku kanë marrë pjesë nëntë monitorues, duke përfshirë shoqërinë civile, Zyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm BE-së në Kosovë dhe tri sindikatave të RTK-së”.

Tutje në komunikatë thuhet se kandidatët janë përgjigjur në pesë pyetjet e njëjta te përpiluara nga komisioni (një orë para intervistës), ndërkaq secili anëtar i komisionit vlerësimin e ka bërë në mënyrë të pavarur për secilën pyetje.

“Gjithashtu, në kuadër të transparencës dhe vlerësimit korrekt, anëtarët e komisionit e kanë arsyetuar vlerësimin për secilën pyetje para anëtarëve të tjerë të komisionit dhe monitoruesve”, u theksua në komunikatë.

Më poshtë mund të gjeni edhe pikët e plota të të intervistuarve. /KultPlus.com

Këto janë rezultatet finale të testit me shkrim të kandidatëve për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së

Lista finale e rezultateve të testit me shkrim të kandidatëve për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së është bërë publike.

Përmes një komunikate për media të Bordit të RTK-së thuhet se komisioni vlerësues dhe përzgjedhës për Drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së ka pritur të mërkurën kandidatët për drejtor të RTK-së, të cilët kanë shprehur interesim për ta parë testin dhe vlerësimet e bëra nga anëtarët e komisionit.

Ky proces ka pasuar me finalizimin e listës së kandidatëve për drejtor dhe pikët përfundimtare për secilin prej tyre.

Janë gjithsej tetë kandidatë të cilët do t’i nënshtrohen intervistës me gojë që do të mbahet të shtunën me datë 19 Mars me fillim nga ora 10.00.

Në linkun e mëposhtëm mund të gjeni dokumentin i cili përmban vlerësimin e anëtarëve të komisionit përzgjedhës për secilin kandidat, në secilën pyetje.

https://www.rtklive.com/sq/docs/archive/338.pdf / KultPlus.com

Publikohet lista fillestare e personave që kanë kandiduar për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së

U publikua lista fillestare e personave që kanë kandiduar për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së. Pas verifikimit të aplikacioneve do të publikohet lista finale.

Komisioni vlerësues dhe përzgjedhës për përpilimin e listës së kandidatëve të paraqitur në konkursin publik, për vendin e lirë të punës: Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës, ka mbajtur takim, në të cilin ka hapur aplikacionet e kandidatëve.

Kandidatët që kanë aplikuar brenda afatit kohor të përcaktuar me konkurs janë:

Adriana Kutllovci
Arben Berisha
Bekim Hasani
Burhan Lata
Fadil Hoxha
Fahredin Shehu
Fisnik Derguti
Fitore Miftari
Gjergj Filipaj
Hysen Hundozi
Mehmet Kalisi
Orhan Hajrizi
Remzije Zeqiraj
Shkumbin Ahmetxhekaj
Valentina Saraçini
Zenel Hajrizi

Komisioni do të verifikojë aplikacionet bazuar në kriteret e konkursit dhe brenda afateve të caktuara kohore, do të përpilojë listën finale dhe do t’i njoftojë kandidatët për datën, vendin dhe kohën e mbajtjes së testit me shkrim. / KultPlus.com

Hapet konkursi për drejtor të përgjithshëm të RTK-së

Bordi i RTK-së ka shpallur konkursin për drejtor të përgjithshëm të mediumit publik, përcjell KultPlus.

Konkursi do të jetë i hapur deri më 21 shkurt në orën 16:00.

Në konkursin e publikuar në uebfaqen e RTK-së, thuhet se të gjithë të interesuarit duhet t`’i dorëzojnë dokumentet personalisht në Zyrën e Bordit të RTK-së.

Ndërsa, në konkurs thuhet se në bazë të Ligjit për RTK-në, Drejtor i Përgjithshëm nuk mund të emërohet personi, i cili: Mban post publik të zgjedhur (funksionarët publikë), ka qenë deputet, ministër, zyrtar i lartë i pushtetit qendror ose lokal, ose anëtar i forumeve drejtuese të subjekteve politike gjatë tri viteve të fundit, ka interes financiar të drejtpërdrejtë ose indirekt në biznesin e mediave dhe reklamave ose është dënuar pas procesit të rregullt, për vepër penale e cila është e dënueshme mbi gjashtë muaj burg.

Këtu mund ta shkarkoni aplikacionin. / KultPlus.com

Bordi i RTK-së do t’i shkurtojë vendet e punës: Ka mbi 80 redaktorë dhe rreth 60 gazetarë

Një pjesë e madhe e shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës, shkojnë për paga, ka thënë sot para deputetëve kryesuesi i bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Boletini tha se nuk kanë shkuar në RTK për të hequr njerëz prej punës, por për t’i motivuar ata që të punojnë. Megjithatë, ai tha se nuk do të ketë rritje të vendeve të punës, por përkundrazi.

“Nuk ka me pasë rritje të vendeve të punës qysh është raportu para disa ditëve. Përkundrazi, ka me pasë shkurtime racionale në dobi të funksionimit të mirë të RTK-së”, tha ai.

Paraprakisht, Boletini theksoi se situata në RTK është shumë problematike, me më shumë gazetarë sesa redaktorë, raporton Gazeta Express.

“Situata të cilën e kemi gjetur është pak problematike sepse p.sh. si punëtorë të rregullt në televizion, më shumë ka redaktorë sesa gazetarë. Janë diku mbi 80 redaktorë dhe diku rreth 60 gazetarë”, tha ai.

RTK-ja ka angazhuar në vazhdimësi punëtorë përmes disa kontratave për shërbime, me të cilat, sipas Boletinit, nuk njihet realisht statusi i punëtorit.

“Kemi pa që numri i këtyre personave të angazhuar është 239. Kjo nënkupton që të gjithë kanë hyrë pa konkurs dhe të gjithëve u është vazhduar kontrata ndër vite pa iu vlerësuar performanca, sepse ky lloj i kontratës me kontratë për shërbime nuk parasheh as vlerësime, nuk është realisht status i punëtorit”, tha ai.

“Ne jemi të shqetësuar edhe për të drejtat e punëtorëve sepse ky lloj i kontratës nuk parasheh asnjë benefit që parashikohet me ligjin e punës”, shtoi Boletini.

Ka pasur raste, tha Boletini, kur gratë lehona kanë dalë në punë një muaj pas lindjes për ta përmbushur këtë kontratë. / KultPlus.com

Bordi merr vendim, Mentor Shala shkarkohet nga RTK

Bordi i Radio Televizonit të Kosovës, i cili është votuar nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar, ka marrë vendim në mbledhjen e sotme për të shkarkuar nga pozita e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të televizionit, Mentor Shalën, shkruan KultPlus.

“Z. Shala gjatë kohës së kryerjes së detyrave në RTK, në vazhdimësi dhe në mënyrë të përsëritur ka shkelur Ligjin për RTK-në dhe Rregulloret e Brendshme të RTK-së, qoftë duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe aktet e brendshme apo duke mos ruajtur paanshmërinë”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e u.d. të Drejtorit të Përgjithshëm për shkarkimin që e ka aprovuar Bordi i RTK-së.

Shala do të zëvendësohet nga Arsim Halimi, deri sa të zgjedhet një kandidat tjetër në këtë pozitë sipas konkursit publik, por jo më shumë se 6 muaj.

Propozimin për shkarkimin e Shalës e ka bërë Shkumbin Ahmetxhekajt, ushtrues i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në RTK. /KultPlus.com

Nis “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, Berisha: RTK dhe AShAK janë shembull i shkeljes së të drejtës autoriale në Kosovë

Era Berisha

Sot në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, për herë të parë nisi projekti i ri i titulluar “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, projekt ky i organizuar nga PEN Qendra e Kosovës i cili synon të krijojë aktivitete të veçanta kulturore e letrare, me ç’rast sot për të shënuar fillimin e rrugëtimit të këtij projekti origjinal, u shqyrtua tema “Liria dhe e drejta e autorit”, shkruan KultPlus.

Për të biseduar e diskutuar rreth kësaj teme, në panel të ftuar ishin: shkrimtari Milazim Krasniqi, shkrimtari dhe publicisti, Ibrahim Berisha si dhe moderatori Avni Spahiu.

Ora shënoi 17:00 kur të pranishmit zunë vendin e tyre për të dëgjuar nga afër temën “Liria dhe e drejta e autorit”, temë kjo që shpeshherë zgjon kureshtjen tek jo vetëm të rinjtë e pasionuar pas letërsisë, por edhe tek ata të cilët në bagazhin e tyre tashmë kanë një numër të madh veprash por të cilët çdo herë vazhdojnë të dëgjojnë e të jenë pjesë e këtyre temave që e preokupojnë letërsinë shqiptare në përgjithësi, por sidomos atë në Kosovë.

Po ashtu, u bë e ditur se të gjitha punimet e pjesëmarrësve në panel do të botohen në një libër kur të përfundojë i gjithë projekti. Në këtë projekt të përfshirë janë gjithsej 22 intelektualë që do të flasin nga kontekste të ndryshme për tema të caktuara përgjatë muajit janar dhe shkurt.

Mbrëmjen e hapi moderatori Avni Spahiu, i cili fillimisht nisi këtë mbrëmje duke folur për dy temat të cilat do të shtjelloheshin pas pak momentesh.

“Janë disa tema që do të diskutohen gjatë periudhës në vijim dhe në fakt janë shumë me interes. Liria e autorit dhe të drejtat e autorit, janë këto dy tema që do të shtjellohen sot. ‘A duhet të ruhet pasuria intelektuale’, ‘A ka të drejta autori’, ‘Cilat janë të drejtat  e autorit’, janë vetëm disa nga pyetjet që bëhen vazhdimisht. Ne shkrimtarët e kemi pasur një përvojë jo të mirë në këtë aspekt por tani është koha që të filloj një debat që të shihet qëndrimi i autorit nga dy pikëpamje të ndryshme”, thotë Spahiu.

Fillimisht në këtë ngjarje për të diskutuar më gjerë rreth këtyre temave që trajtojnë disa aspekte të shkrimtarit, intelektualit dhe kulturës në tërësi por edhe në kontekstin e pandemisë, shkrimtari dhe publicisti Ibrahim Berisha ka paraqitur disa vrojtime në lidhje me lirinë e shprehjes dhe të drejtat e autorit.

“Në Pandemi 2020, njerëzit u hutuan duke e kujtuar lirinë që e kishin dhe nuk e panë më herët as nuk e ndjenë në përmasën e duhur. Kishte dhe ka gjithë keqkuptime për të kuptuar lirinë, edhe lirinë e shprehjes. Kjo ndodhte edhe kur gjithçka ecte në ritmin normal, e lërë më në një gjendje pandemie, kufizimesh e mbylljesh drastike. A e ndryshoi mendimin për lirinë, Pandemia? Mendimin e botën e shkrimtarëve, krijuesve? Vështirë, për të thënë po, por kaq edhe për të thënë jo. Liria është me e thellë dhe më e largët se Pandemia. Por, do pranuar, se edhe Pandemia nisë pikërisht nga një cep i lirisë së virusit Kovid 19”, thotë Berisha.

Sipas tij, virusi sprovoi mendimin e Erih Fromit, psikologut social, i cili shkruan se njerëzit nuk janë të dhënë mbas lirisë, së paku jo aq sa thonë. Fromi nuk kishte pasur parasysh gjithaq lirinë fizike, të cilën Shopenhaueri e përcakton si liri të nivelit më të ulët.

“Thënë thjeshtë, liria e fjalës dhe e mendimit, bënë pjesë në fushën e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe ajo barazohet me detyrimet dhe përgjegjësitë. Nuk ishte edhe pamundur që të shkruhej e mendohej edhe në Pandemi. Edhe në kontekstin tonë, të Kosovës, pra, liria është e padefinueshme, sepse koha dhe rrethanat janë të pazakonshme. Kujtoj, të drejtat janë të përfshira në nenin 10 (1) te Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ku thuhet: Secili ka të drejtën e shprehjes së lirë. Kjo e drejtë do të përfshijë lirinë për mbajtjen e mendimeve dhe pranimin dhe dhënien e informacioneve dhe ideve pa ndërhyrjen e autoriteteve publike, pavarësisht nga kufijtë. Megjithatë, neni 10 (2) përcakton që: “Ushtrimi i lirive, mbasi përmban me vete detyrë dhe përgjegjësi, mund të jetë subjekt i formaliteteve, kushteve, kufizimeve dhe sanksioneve të parashikuara nga ligji dhe në një shoqëri demokratike, është në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial”, shpalos Berisha.

Për të, pandemia ka treguar saktë atë që thotë Russo: Lira ka të bëj më atë që nuk do. Pra duhet bërë e padëshirueshmja. Ndodhi dhe vazhdon konflikti edhe ndër intelektual për detyrimin e vaksinimit. Natyrisht, dilema është e pazgjidhshme. Kushtetuta e Republikës, Kosovën e përkufizon shoqëri demokratike. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të garantuara. Në Kushtetutë klasifikohen një varg të drejtash dhe lirisë, po për temën për të cilën flasim, theksohen veçantë tri: Të drejtat dhe liritë personale; Të drejtat dhe liritë civile dhe politike; Të drejtat dhe liritë sociale, ekonomike dhe kulturore. Tek liritë civile dhe politike është e garantuar liria e shprehjes, liria e medieve, e tubimit, asoocimit, e drejta e zgjedhjes dhe e pjesëmarrjes etj.

“E vërteta, Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, organ administrativ, nuk duket e gjallë, po aq sa edhe të tjerë organizma që marrin frymë publike duke pasur fokus programor këtë mbrojtje. Ngado sillesh, janë të dukshme fotokopjet, cenimi i autorësisë, publikimet pa autorizim. Pandemia nuk ka ndryshuar këtë praktikë, madje veç e ka konservuar. Në Kosovë, është e përhapur plagjiatura apo shfrytëzimi i vlerave intelektuale pa u shënuar burimi apo edhe pa u marrë pëlqimi i autorit apo trashëgimtarëve të të drejtës autoriale. Fotokopjet, lokale fizike këto, përreth fakulteteve të Universitetit të Prishtinës janë dëshmi e paprekshmërisë së shkelësve të të drejtës së autorin në sy dhe prani të të gjitha institucioneve që duhej të merreshin me ndëshkimin si; parashihet me ligj”, thotë ai.

Tutje, ai si plagjiaturë specifike të kohëve të reja, veçmas në vitet i 2000, e konsideron edhe paraqitjen e veprës si e tij, të cilën “ia ka punuar tjetërkush (autori i vërtetë nuk dihet). Kur dikush e paraqet një vepër të huaj me emrin e tij (plagjiaturë e plotë). Edhe huazimet pa theksimin e burimit, po kështu janë konsideruar nga ana e tij, si dukuri publike në Kosovë. Pra, ai beson se nuk ka ndonjë rast të jetë ndëshkuar dikush për plagjiaturë të tillë, sado që janë dëshmuar e vërtetuar ato.

“Rast drastik i shkeljes së të drejtës së autorit është RTK. Ajo shfrytëzon arkivin e një institucioni tjetër, RTP, madje duke mos treguar në asnjë formë kur shfrytëzon ato se nuk kanë të bënë me prodhim origjinal të RTK, madje në ekran del logoja gjithnjë RTK. Për dukurinë e vetëplagjiaturës në Kosovë ende nuk flitet. Shembull i shkeljes së të drejtës autoriale, vetëautoriale, për përfitime materiale, është Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ribotime dhe modifikime librash pa rezultate origjinale që proklamohen dhe prodhojnë privilegje karriere dhe financiare. Formë e përhapur e shkeljes së të drejtës së autorit, kjo edhe një praktikë globale, po e pranishme gjerësisht edhe në Kosovë, është edhe plagjiatura në internet, plagjiaturë kjo e një vepre të plotë, të pjesshme, huazim teksti të huaja, pa theksuar në asnjë rast burimi. Kjo dukuri është e njohur si copy & paste. Pikërisht në këtë kontekst, gjykoj, se ka ende zbrazëti në normën aktuale pozitive po edhe në kodet etike në Kosovë, për të rregulluar, nëse jo plotësisht së paku, në një përmasë më reale”, përfundon Berisha.

Krejt në fund ai citoi edhe shkrimtarin nobelist Mario Vargas Llosa, i cili në një intervistë duke bërë fjalë për Pandeminë dhe shkrimtarin, ka dhënë një përgjigje universale që do të mund t’i përgjigjej edhe natyrës së këtyre temave: “Jam mirë, falë Zotit! Gjatë disa muajve të izolimit, praktikisht u burgosa këtu, në shtëpinë time në Madrid, i përkushtuar ekskluzivisht leximit të librave dhe shkrimit, që është një kurë për çdo shkrimtar. Shpresoj që nga kjo përvojë të dalim më të zgjuar dhe më të përgjegjshëm ndaj mjedisit, si dhe të ndajmë shumë më tepër fonde për sistemin shëndetësor në të ardhmen. Sepse, ishte e qartë se asnjë vend nuk ishte gati të përballej me një sfidë kaq të madhe sa kjo Pandemi.”

Ndërsa, shkrimtari Milazim Krasniqi foli rreth dy pikave kryesore në analizën e tij: liria e shkrimtarit si ‘Albatrosi’ i Bodlerit dhe të drejtat e autorit si fshatrat e Potemkinit.

“Liria e shkrimtarit është në përmasat e fantazisë së tij, aty ku ai e imagjinon botën sipas mënyrës së vet, pa pasur ndërhyrje nga oponentët, ose nga institucionet e specializuara për censurë, kontroll, mbikëqyrje kafkiane e orveliane. Liria e shkrimtarit në fantazinë e tij, është tharmi i krijimtarisë artistike, sepse pa atë liri, krijimtaria do të mbetej si rrëfim kuazihistoriogafik, pseudoreligjioz, ose pseudofilozofik. Kjo liri i thyen konvencat e të menduarit konceptual, linear, duke e bërë si kalë beteje të menduarit asociativ, abstrakt dhe spekulativ. Për këtë shkak, Platoni ishte i zemëruar në poetët dhe thoshte se ata nuk mund ta realizojnë njohjen. Duke e matur me kutin e filozofit dhe ideologut të shtetit ideal, ai thoshte se poeti nuk e kupton as vetë atë që shkruan. I tmerruar nga liria e fantazisë së tyre, ai propozonte që ata të përjashtoheshin nga shteti ideal, përveç atyre që do të konvertoheshin në shkrimtarë të kontrollueshëm, realisht në poetë pa liri”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, Platoni kërkonte që poezia t’i subordinohej shtetit dhe etikës: “Në shtetin tonë mund t’i pranojmë vetëm ato këngë që janë himne perëndive dhe fjalime lavdëruese të dedikuara të mirave.” Është konsideruar se që nga ajo kohë e deri në ditët tona, ajo liri e shkrimtarit, që banon në fantazinë e tij, është denoncuar e luftuar në forma të ndryshme, që nga futja me dhunë e shkrimtarëve në spitalet psikiatrike, siç bëhej në regjimin e Stalinit, ose dënimet e tyre me pushkatime siç ka pasur raste në regjimin tij, po edhe të Enver Hoxhës.

“Lufta me lirinë e fantazisë së shkrimtarit nuk ka mundur e as nuk mund të fitohet. Ai aty mbetet i lirë dhe sovran. Natyrisht në jetën reale shoqërore nuk është ashtu. Në jetën reale shoqërore liria e shkrimtarit është e dozuar nga natyra e regjimit, nga vlerësimi për rrezikshmërinë që paraqesin idetë e tij dhe angazhimi i tij, nga ndikimi që ka vepra e tij mbi publikun. Në disa shtete si në Çekosllovaki, në Poloni dhe në ish Jugosllavi, shkrimtarët u bënë adresa e rebelimit antikomunist. Kujtojmë Adam Mihnjik, Franjo Tuxhmani, Ibrahim Rugova, Dimitrije Rupeli, Jasha Zllobeci, Adem Demaqi, Dubravko Horvatiqi e shumë të tjerë. Por, në të njëjtën kohë pati edhe raste të angazhimit për restaurimin e regjimit nazifashist, siç ndodhi në Serbi, fjala vjen me shkrimtarët si Dobrica Qosiqi, Vuk Drashkoviqi, Miodrag Bullatoviqi, Brana Cërnqeviqi e dhjetëra të tjerë. Deri sa në rastin e parë shkrimtarët aspironin ta fitonin lirinë duke iu kundërvënë regjimit totalitar, në rastin e dytë shkrimtarët iu shitën regjimit totalitar e gjakatar serbomadh kundër lirisë së kombeve të tjera”, shpalos Krasniqi.

Për të, shkrimtarët si: Mario Vargas Ljosa, Adam Mihnjik, Vacllav Havel, Umbeto Eko, Suzan Sontag, Eli Vizel dhe Hans Magnus Enserberger, ndihmuan që publiku të kuptonte përmasat e tragjedisë së popullit shqiptar të Kosovës. (Fatkeqësisht dhe në këtë rast pati shkrimtarë që ndoqën linjë të kundërt, siç bënë Gabriel Garsia Markes, Peter Handke e deri edhe dijetari Noam Çomski.)

“Një rol konkret dhe domethënës gjatë kohës së spastrimit etnik serb kundër shqiptarëve të Kosovës ka pasur shkrimtari hebrejo-amerikan, Eli Vizel, si emisar special i presidentit Bill Klinton. Raporti i tij që konfirmoi se në kampet e refugjatëve në Maqedoni ishte fjala për dëbim me dhunë dhe për spastrim etnik të shqiptarëve, u përdor si argument edhe nga administrata amerikane e edhe nga OKB. Kur e kam lexuar romanin e tij „Agimi“ ku e denoncon edhe cinizmin hebraik, e kam kuptuar edhe më qartë se ku e ka burimin integriteti i tij moral, te liria e tij si shkrimtar dhe si njeri, e fituar si i mbijetuar i kampeve naziste të përqendrimit. Shkrimtarët që kanë liri maksimale në fantazinë e tyre dhe konfrontime permanente me realitetin, ku shumë herë janë humbës, i ka përshkruar më së miri Sharl Bodleri në poezinë e tij me titull ,,Albatrosi” Sipas Bodlerit, ai shpend guximtar, që fluturon lart e nëpër furtuna, kur është në tokë, në mol është i objekt i talljes së marinarëve”, thotë ai.

Krejt në fund ai e shtron pyetjen: ‘A ka ndonjë shkrimtar në Kosovë që mund të jetojë nga puna si shkrimtar?’, teksa përgjigjet vetë: “Jo. Atëherë, ose kjo punë është e pavlerë, ose nuk vlerësohet realisht. Që është punë e pavlerë nuk mund të thuhet, e pakta në rastet e shkrimtarëve seriozë dhe që kanë sjellë vlera mirëfilli estetike në letërsinë shqipe.”

“Në Kosovë kushdo mund të jetojë nga puna e vet si elektricist, taksist, hidraulik, çoban, por jo si shkrimtar. Konkluzioni: ashtu si e ka shteti qëndrimin ndaj shkrimtarëve e letërsisë, ashtu e kanë qytetarët qëndrimin ndaj shtetit, pra janë mospërfillës dhe injorues. Në Kosovë ekziston infrastruktura ligjore për mbrojtjen e të drejtave të autorit. Por, është ligj që synon të mbrojë diçka që nuk ekziston në realitet. Kjo ka të bëjë veçmas me krijimtarinë letrare, e cila në shtetin tonë është e dërrmuar, e injoruar, praktikisht e ngulfatur, në njërën anë nga injoranca në rritje e popullit e në anën tjetër nga politikat injorante të parlamenteve e qeverive tona. Rrjedhimisht ajo infrastrukturë ligjore për të drejtat e autorit, në këtë rast u përngjet shumë fshatrave të Potemkinit”, përfundon Krasniqi.

Pastaj të pranishmit vazhduan me bisedimet e tyre të mëtutjeshme nën praninë e dritave të ngrohta të vendosura anash bibliotekës së KultPlus Caffe Gallery dhe njëkohësisht admiruan edhe ekspozitën e artistit Sadri Morina që ende po qëndron e hapur për admiruesit.

Projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Kosovës.  

PEN Qendra e Kosovës më parë ka realizuar disa projekte, po ashtu me përkrahje të MKRS-së.  

Nga këto projekte vlen për të përmendur ato që bosht kishin përkujtimin e shkrimtarëve të ndjerë të Kosovës që kanë lënë gjurmë në letërsinë tonë. Kështu, në vitin 2020 janë mbajtur takimet me titull “Ora e Shkrimtarit”, dhe vjet, më 2021, takimet “Ora e Shkrimtarit 2”. / KultPus.com

Sindikata e punëtorëve: RTK-ja do të kolapsojë me buxhetin e planifikuar nga Qeveria

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ka reaguar ndaj buxhetit për të cilin thonë se Qeveria e Kosovës e ka ndarë për RTK-në.

Sipas tyre, në projektbuxhetin që e ka dërguar në Kuvend për vitin 2022, Qeveria i ka hequr RTK-së 2.2 milionë euro.

Sipas tyre, në këtë situatë, RTK do të kolapsojë, duke shtuar se edhe ashtu RTK ka pasur buxhet të vogël.

“Citim nga projektbuxheti për vitin 2022 pjesa për RTK-në: 12. ‘Për periudhën janar-dhjetor të vitit 2022, Radiotelevizionit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë RTK), i ndahen tetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë mijë euro (8,960,0000 €), në kategorinë e shpenzimeve ‘Subvencione dhe Transfere’. Para secilit tremujor, RTK-ja do të dorëzojë në Komisionin për Buxhet dhe Transfere në Kuvend, programin e shpenzimeve të planifikuara. Në fund të çdo tremujori, RTK-ja do të dorëzojë në Kuvend raportin për shpenzimet e bëra. Mjetet sipas këtij paragrafi alokohen dhe transferohen nga Thesari në llogarinë të përcaktuar nga RTK-ja në bankë komerciale, sipas vendimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere”, thuhet në reagimin e tyre, duke cituar projektbuxhetin.

Sindikata u ka bërë thirrje drejtuesve të Komisionit për Buxhet dhe Transfere, që gjatë dëgjimit publik dhe shqyrtimit të projektbuxhetit për vitin 2022 ta korrigjojnë pjesën për RTK-në dhe të kthehet buxheti në lartësinë e caktuar sipas ligjit aktual të RTK-së.

“Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, shkurtimi i buxhetit të RTK-së është bllokim i punës së transmetuesit të vetëm publik në vend, duke pasur parasysh se këto ditë janë ngritur edhe çmimet e të gjitha produkteve. Në shumë vende po ndodh ngritja e pagave, ndërsa neve si RTK, po na shkurtohet buxheti dhe po rrezikohet funksionimi. Po ashtu rrezikohet edhe mirëqenia e kolegëve tanë dhe familjeve të tyre, andaj kërkojmë nga ju që ta ndryshoni propozimin e Qeverisë dhe ta ktheni buxhetin e RTK-së ashtu si ka qenë vitet e kaluara. Të nderuar, Sindikata do të organizojë takime me përfaqësuesit e Komisionit dhe deputetë, por nëse kërkesat tona nuk kanë efekt, ne do t’i përdorim rrugët ligjore e sindikale”, thuhet në reagim.