Zëvendëspresidentja Kamala Harris u shfaq me ish-presidentin Barack Obamën për herë të parë bashkë në skenë gjatë fushatës, duke dhënë argumente për votuesit afro-amerikanë në periferitë lindore të Atlantës, një pjesë vibrante dhe simbolike e Gjeorgjisë.
“E jona është një luftë për të ardhmen”, tha Harris në tubimin në Clarkston, shkruan The Guardian.
Ajo preku temat e strehimit, ushqimit e drogës.
“Unë vij nga klasa e mesme dhe nuk do ta harroj kurrë se nga vij”.
Harris tha se ajo beson se “kujdesi shëndetësor duhet të jetë një e drejtë dhe jo vetëm një privilegj për ata që mund ta përballojnë atë”, dhe tha se Trump do të prishë ligjin e kujdesit të përballueshëm dhe do të heqë kufirin prej 35 dollarësh për insulinën.
Kandidatja demokrate riafirmoi gjithashtu mbështetjen e saj për të drejtat e abortit, duke iu referuar vdekjes së Amber Nicole Thurman, një gruaje nga Gjeorgjia, vdekja e së cilës u zbulua kohët e fundit se ishte rezultat i ndalimit të abortit nga shteti. Harris tha: “Donald Trump ende refuzon të pranojë dhimbjen dhe vuajtjen që ka shkaktuar … grave u mohohet kujdesi gjatë abortit”.
Anketuesit dhe komentuesit kanë sugjeruar se fushata e Harris ka humbur mbështetjen mes votuesve burra afro-amerikanë. Ky pohim nuk ka shumë besim midis aktivistëve demokratë, të cilët thonë se konservatorët po ekzagjerojnë anomalitë e sondazheve për efekt politik.
“Unë nuk besoj se një numër i konsiderueshëm do të votojë për njerëz të tillë si Donald Trump”, tha Rev Raphael Ëarnock, senatori Demokratik i Gjeorgjisë, duke rrëfyer historinë e Trumpit të diskriminimit racor dhe akteve publike të fanatizmit.
Ai tha: “Ne nuk jemi monolit. Do të ketë disa, por ne e dimë se kush është Donald Trump. Ne nuk jemi të hutuar”.
Ndërkaq, Obama e drejtoi zemërimin e tij ndaj Trumpit, duke e kritikuar atë për dështimet e tij në pandemi, paaftësinë e tij të përgjithshme dhe për – sipas fjalëve të ish-shtabit ushtarak të Trump – që do të donte që oficerët e tij të përgjithshëm të ishin më shumë si ata të Hitlerit.
Sjellja e çrregullt e Trump është “bërë aq e zakonshme sa njerëzit nuk e marrin më seriozisht. Vetëm për shkak se ai sillet budalla nuk do të thotë se presidenca e tij nuk do të ishte e rrezikshme”./ KultPlus.com
Familja Rothschild (shpesh herë quhen thjesht Rothschildët) është një dinasti ndërkombëtare në sektorin bankar dhe të financave me origjinë hebreje nga Gjermania, që nisi veprimtarinë në të gjithë Evropën dhe mori titull fisnikërie nga qeveritë austriake dhe britanike.
Ngjitja e famës së familjes në skenën ndërkombëtare nisi me Mayer Amschel Rothschild (1744-1812), strategjia e të cilit për suksesin në të ardhmen ishte të ruante kontrollin e bizneseve të tyre në duart e familjes, gjë që u lejonte atyre të ruanin sa më shumë sekretin në lidhje me pasurinë e tyre si dhe arritjet në fushën e biznesit. Mayer Rothschild arriti që me sukses të ruajë pasurinë brenda familjes, përmes martesave të menduara me kujdes brenda pjesëtarëve dhe të afërmve të ngushtë të familjes.
Nathan Mayer Rothschild nisi biznesin e tij londinez, “N. M. Rothschild and Sons” në vitin 1811 në New Court, në qytetin e Londrës, biznes që vazhdon të ekzistojë në të njëjtin vend edhe sot e kësaj dite. Në vitin 1818, ai dha një hua prej 5 miliardë stërlinash për qeverinë prusiane dhe dhënia e bonove për huatë qeveritare u shndërrua në shtyllën kryesore të biznesit të tij në fushën e bankave. Ai arriti një pozicion kaq të fuqishëm në qytetin e Londrës, sa që deri në vitin 1825-1826 ishte tashmë në gjendje që t’i ofronte një sasi të mjaftueshme monedhash Bankës së Anglisë me qëllim që t’i mundësonte asaj shmangien e një krize likuiditetesh.
Plantagenetët
Në përfundimin e paqartë mes Plantagenetëve dhe Tudorëve, Plantagenetët fituan për arsye se pjesa më e madhe e zhvillimit të kulturës angleze si dhe e sistemit politik (që mbetet edhe sot e kësaj dite) e pati startin pikërisht në kohën e sundimit të tyre. Në kohën e Tudorëve, u krijua Kisha Anglikane dhe disa thonë se në kohën e tyre ka patur edhe një epokë të artë, por rëndësia e linjës së Plantagenetëve është shumë më e madhe (dhe veç të tjerash, nuk duhet harruar se edhe Henri i VIII ishte një pasardhës direkt nga nëna i familjes së Plantagenetëve). Shtëpia e Plantagenetëve ishte një Shtëpi Mbretërore e themeluar nga Henry II i Anglisë, djali i Geoffrey V i Anjousë. Një kulturë dhe art i spikatur anglez lindi dhe u zhvillua gjatë erës së Plantagenetëve, inkurajuar edhe nga disa prej monarkëve të cilët ishin përkrahësit e mëdhenj të “babait të poezisë angleze”, Geoffrey Chaucer. Stili i arkitekturës gotike ishte shumë popullor gjatë asaj kohe, me ndërtesa të tilla si Westminster Abbey dhe York Minster që u rimodeluan pikërisht sipas atij stili. Pati gjithashtu edhe zhvillime me një rëndësi jetëgjatë në sektorin social, si për shembull firmosja e Magna Cartas nga ana e Johnit I të Anglisë. Institucionet politikë, si Parlamenti i Anglisë dhe Parlamenti Model e kanë origjinën pikërisht në periudhën e Plantagenetëve, ashtu si edhe shumë institucione arsimorë, përfshirë Universitetet e Kembrixhit dhe Oksfordit.
Familja Nehru-Gandhi
Familja Nehru-Feroz Gandhi është një familje politike indiane që ka dominuar në Kongresin Kombëtar të Indisë përgjatë pjesës më të madhe të periudhës së pavarësisë së hershme të Indisë. Tre pjesëtarë të kësaj familjeje kanë qenë Kryeministra të Indisë, dy prej të cilëve (Indira dhe Rajiv Gandhi janë vrarë). Një pjesëtare e katërt e familjes, Sonia Gandhi është aktualisht Presidente e Kongresit, ndërkohë që ajo dhe djali i Rajivit, Rahul Gandhi janë pjesëtarët më të rinj të familjes që hyjnë në politikën aktive, kur ai konkuroi dhe më pas fitoi një vend në dhomën e ulët të parlamentit të Indisë në vitin 2004. Familja Nehru-Feroz Gandhi nuk ka asnjë lidhje me udhëheqësin e pavarësisë së Indisë, Mohandas Gandhi.
Familja Khan
Ghengis Khan ishte themeluesi, Khan (sundues) dhe Khagan (perandor) i Perandorisë Mongole, perandoria më e madhe e solide në historinë e njerëzimit. Ai erdhi në pushtet duke bashkuar shumë prej tribuve nomade të Azisë verilindore. Pasi themeloi perandorinë Mongole dhe u shpall “Genghis Khan”, ai filloi pushtimet mongole si dhe sulmet në zonat e Kara-Khitan Khanate, Kaukaz, Perandorinë Khvarezmid, Ksian Perëndimore dhe dinastitë Jin. Gjatë jetës së tij, perandoria mongole pushtoi një pjesë shumë të madhe të Azisë Qendrore. Përpara se Genghis Khan të vdiste, ai emëroi Ogedei Khanin si pasardhës të tij dhe e ndau perandorinë e tij në Khanates mes bijve dhe nipërve. Genghis Khan vdiq në vitin 1227 pasi mposhti Tangutsët. Khan u varros në një varr pa shenjë diku në Mongoli në një vend të panjohur. Pasardhësit e tij vazhduan pëprpjekjet për të shtrirë perandorinë mongole deri në pjesën më të madhe të Eurazisë duke pushtuar ose krijuar shtete vasalë në zonat e Kinës së sotme, Koresë, kaukazit, shteteve të Azisë Qendrore si dhe një pjesë të madhe të zonave të asaj që sot është Evropa Lindore dhe të Lindjes së Mesme.
Familjet Claudia and Julius
Këto dy familje janë bashkuar në një duke qenë se kanë qenë familjet më të rëndësishme të Romës së Lashtë dhe ato u bashkuan së bashku për të krijuar dinastinë Julio-Claudiane nga e cila kanë dalë edhe pjesa më e madhe e perandorëve më të famshëm të Romës: Kaligula, Augusti, Klaudiusi, Tiberiusi dhe Neroni. Këta pesë perandorë sunduan perandorinë romake në periudhën që nga viti 27 para Krishtit deri në vitin 68 pas Krishtit, atëherë kur i fundmi i kësaj linje, Neroni kreu vetëvrasje. Këta pesë sundimtarë u lidhën përmes martesave dhe adoptimeve. Secili prej tyre zgjeroi territorin e perandorisë romake dhe inicioi projekte masivë ndërtimi. Ata përgjithësisht duheshin nga njerëzit e zakonshëm, por kishin kundër armiqësinë e klasës së senatorëve – një ndjenjë që pasqyrohet nga historianët e lashtë. Historianët e lashtë e përshkruajnë dinastinë Julio-Claudiane si vetëzmadhuese, të marrë, perverse dhe tiranike.
Habsburgët
Shtëpia e Habsburgëve ishte një shtëpi shumë e rëndësihsme mbretërore në Evropë dhe ajo njihet më së miri si furnizuesja me Perandorët e Shenjtë Romakë të zgjedhur formalisht në periudhën mes viteve 1452 dhe 1740, si dhe sunduesit e Spanjës dhe të Perandorisë Austriake. Me origjinë nga Zvicra, dinastia mbretëroi fillimisht në Austri, të cilën e sunduan për më shumë se gjashtë shekuj, por një seri martesash dinastike sollën Burgundin, Spanjën, Boheminë, Hungarinë dhe territore të tjerë në trashëgiminë e saj. Dinastia e ka marrë emrin nga vendi i origjinës, Kështjella Habsburg që ndodhet në Kantonin zviceran të Aargaut. Motoja e dinastisë është: “Le të bëjnë luftë të tjerët, por ti, Austri e lumtur, do të martohesh”, që është edhe një tregues i talentit të Habsburgëve për të lidhur pjesëtarët e vet në martesë me shtëpi të tjera mbretërore të Evropës, me qëllimin për të bërë aleanca dhe trashëguar territore. Perandoresha Maria Tereza njihet mbi të gjithë në këtë drejtim dhe ndonjëherë ajo quhet edhe si “Nënëgjyshja e Evropës”.
Familja Ptolemaike
Dinastia Ptolemaike ishte një familje mbretërore nga zona e Maqedonisë në Greqi që sundoi Perandorinë Ptolemaike në Egjipt për afro 300 vjet, nga viti 305 para Krishtit deri në vitin 30 para Krishtit. Ptolemi, njëri prej shtatë truprojave që shërbyen si gjeneralë dhe zëvendës të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, u emërua satrap i Egjiptit pas vdekjes së Aleksandrit në vitin 323 para Krishtit. Në vitin 305 para Krishtit, ai u vetëshpall Mbreti Ptolemi I, më vonë i njohur si “Soter” (shpëtimtar). Shumë shpejt, egjiptianët pranuan familjen Ptolemaike si pasardhës të faraonëve të Egjiptit të pavarur. Fami;lje ptolemaike e sundoi Egjiptin deri kur ndodhi pushtimi romak në vitin 30 para Krishtit. Pjesëtarja më e famshme e kësaj linje ishte mbretëresha e fundit, Kleopatra VII, e njohur më së miri për rolin e saj gjatë betejavce politike romake ndërmjet Jul Cezarit dhe Pompeit, dhe më vonë ndërmjet Oktavianit dhe mark Antonit. Vetëvrasja e saj pas pushtimit prej romës shënoi edhe fundin e sundimit ptolemaik në Egjipt.
Familja Medici
Familja Medici ishte një familje e fuqishme dhe me shumë influencë në Firence në periudhën nga shekulli 13-tw deri në shekullin 17-tw. Nga kjo familje dolën tre Papë (Leo X, Klement VII dhe Leo XI), shumë sundimtarë të Firences (më i spikaturi ishte Lorenco i Mrekullueshmi, një prej përkrahësve dhe sponsorizuesve të disa prej veprave më të famshme të artit të Rilindjes) si dhe më vonë pjesëtarë të shumë prej familjeve mbretërore angleze dhe franceze. Ashtu si shumë familje të tjera zotërinjsh, ata dominuan qeverisjen e qytetit të tyre. Ishin në gjendje të vendosnin Firencen nën pushtetin e familjes së tyre, duke krijuar një ambient në të cilin lulëzuan arti dhe humanizmi. Ata u bënë udhëheqës të rrugës drejt Rilindjes së Italisë së bashku me shumë familje të tjera të mëdha zotërinjsh në Itali, si familjet Visconti dhe Sforza në Milano, familjen Este në Ferrara dhe Familjen Gonzaga në Mantua. Banka Medici ishte një prej institucioneve financiarë më të suksesshme dhe më të respektuara në Evropë. Sipas disa përllogaritjeve, familja Medici ka qenë për një periudhë kohe familja më e pasur e Evropës. Duke u nisur nga kjo bazë, ata fituan pushtet politik fillimisht në Firence dhe më pas më gjerësisht në Itali dhe në Evropë./ KultPlus.com
Nazmie Hoxha lindi më 25 tetor 1952 në Gjonaj të Hasit të Prizrenit dhe vdiq më 5 maj 2007 në Prishtinë.
Nazmie Hoxha ishte këngëtare e popullarizuar e muzikës popullore shqiptare në vitet 1970-2000. Si fëmijë i pëlqente interpretimi dhe me hyrjen në shkollën e mjekësisë, si pjesë e aktiviteteve të lira fillon ta realizojë edhe dëshirën fëminore për të interpretuar. Aty futet në Shoqërinë Kulturo Artistike të qytetit dhe fillon karrierën e saj. Me këngën “Ylli i bardhë, djalë i dashur”, Nazmia paraqitet para publikut në një koncert në Prishtinë.
Nga këtu, muzikantët e kohës e shihnin si këngëtare me perspektiv dhe më këtë i hapen dyer e inxhizimit të këngëve të saja në RTP. Këngët e para të transmetuara në mjetet mediatike pos këngës së përmendur ishin dhe “Qetësia e lartë mbretëron mbi ne”, “Sa më shpejt ma vure këmbën”. Me kalimin kohës bënë inxhizimin e këngëve edhe me shoqëri të tjera artistike në Kosovë si b.f. me shoqërinë “Emin Duraku” të Zhurit, “Kastrioti” të Ferizajit por edhe si soliste e RTP-së. Nga viti 1972 është si pjesëmarrëse e rregullt e festivaleve të organizuara në nivel të Kosovës. Po ashtu Nazmia merr pjesë në shfaqjet e ndryshme të organizuara jashtë vendit nga shoqatat e ndryshme kulturore të Kosovës.
Ndër këngët më të njohur të saj kanë qenë Si dukat i vogel je dhe Oj zogo dhe disa të tjera. Nazmia vdiq më 5 maj 2007 në orën 19, ajo u varros në Prishtinë. /KultPlus.com
Sot shënohet 143 vjetori i lindjes së piktorit Pablo Picasso.
Pablo Picasso u lind më 25 tetor 1881 në Málaga të Spanjës. Ai ishte piktor, skulptor, punues qeramike, projektues grafik, poet dhe dramaturg, publicist dhe kumtues. Kudo la gjurmë me sprova t’kurajshme dhe ndryshesa çapërluese e transformuese. Me ç’nuk i mbushi ai të 91 vitet e moshës, deri më 8 prill 1973 kur u shua.
Rreth 15.000 piktura, vizatime, grafika, plastika dhe qeramika, dëshmojnë jo dhe aq volumin e tij të jashtëzakonshëm, se sa vlerat shumëdimensionale, me të cilat ai promovoi emrin dhe veprën e tij, duke qëmtuar kështu për të vendosur majën më të lartë. “Kur isha fëmijë, dëshiroja të pikturoja si të rriturit. Tani kur jam rritur, e madje, edhe moshuar, dëshiroj të pikturoj si fëmijë”, – është kjo perifrazë shkëputur nga ligjërimet e piktorit të madh, dhe njëherazi, një nga filozofitë e krijimit dhe përjetimit.
Në punën e tij, çdo gjë përqendrohej te ndjeshmëria, te dëshira, forca dhe hapësira, që i veshi këtij dimensioni prej nga erdhi kumtimi krijues. Qëllimi i Pablo Picassos nuk ishte të argumentonte koherencën, por që të arrinte të ndiente nivelin më të lartë të ndjeshmërisë, forcën e shprehisë dhe formën e çartun të artikulimit. /KultPlus.com
Rifat Kukaj lindi më 25 tetor 1939 në Tërstenik të Drenicës, studioi në Normalen e Prishtinës.
Rifat Kukaj ishte prozator, poet, dramaturg, përkthyes dhe skenarist i letërsisë për fëmijë dhe të rritur. Shkrimtari Kukaj po ashtu ka udhëhequr programet për fëmijë të Radio Prishtinës dhe ka redaktuar librat për fëmijë të Shtëpisë Botuese “Rilindja”.
Përktheu letërsi për fëmijë nga autor slloven, kroat, serb, e hungarez por edhe botoi shkrime vetanake në shumë nga këto gjuhë. Emrin e tij e mbajnë rreth 100 vëllime librash dhe 30 radio-drama.
Kontribuoi në afirmimin e krijimtarisë letrare sidomos asaj për fëmijë në rrjedhat ndërkombëtare dhe se ndihmoi autorë të shumtë të rinj.
Rifat Kukaj, vdiq më 11 shtator 2005./ KultPlus.com
Përse moj hënë argjendore, ti larg nga retë pa pushim, përmbi kanatet e dritores, vërshon të mekurin shkëlqim?
Sa herë që më shfaqesh ti, në shpirt më zgjohen shqetësime, dhe brenga plot me dhembshuri, dëshirë plot me flakërime.
Oh, ikni, ikni o kujtime! o dashuri fatkeqe fli! O, le të mos më shfaqet më, të perdja e errët në dritore, nën dritën tënde argjendore, fytyr’ e dashur si gjithnjë, fytyr’ e ëmbël engjëllore e vashës që s’do ta shoh më.
O ëmbëlsi e dashurisë, plot ledhatime, plot me gaz, plot me shkëlqim të lumturisë, a mund të kthehesh rishmez pas?
I shpejtë porsi një vegim, me ndritë ti në fluturim; U zhdukën hijet krejt papritur, se erdh agimi menjëherë, dhe ti moj hën’e ndritur në qiell u mbyte atëherë! Agimi dritën pse shpërndau? Nga vash’ e shtrenjtë pse me ndau?/KultPlus.com
Është e vështirë të thuash me fjalët e një biri, atij të cilit në zemër fare pak i ngjasoj. Ti je e vetmja në botë që din, për zemrën time, atë që ish ngahera, përpara secilës tjetër dashuri.
Prandaj duhet të t’them çfarë është e tmerrshme të njohësh: është brënda hirësisë tënde që lind pikëllimi im. Je e pa-ndërrueshme, prandaj është e dënuar me vetmi jeta që më ke dhuruar. Dhe s’dua të jem vetëm. Kam një uri të pasosur dashurie, të dashurive prej trupave të pashpirt. Ngaqë shpirti është në ty, je ti, por ti je nëna ime dhe dashuria jote është skllavëria ime: kam kaluar një fëmijëri skllav i kësaj ndjenje të madhe e pa-shpëtueshme, të një detyrimi të pasosur. Ishte e vetmja mënyrë për të ndjerë jetën, e vetmja ngjyrë, e vetmja formë: tani ka mbaruar.
Mbijetojmë: dhe është çrregullsia e një jete të rilindur jashtë arsyes./KultPlus.com
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë më 1 nëntor hap ekspozitën e Çmimit “Artistët e së nesërmes” 2024 me artistët Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri.
Tre finalistët e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri në punën e tyre ofrojnë provokime të guximshme dhe të nevojshme që flasin për kompleksitetin tonë të përbashkët.
Çmimi Artistët e së nesërmes është një shpërblim dhe njohje prestigjioze e krijuar për artistët pamor nën moshën 35 vjeç. Çmimi u ofron atyre mundësinë për të krijuar vepra të reja përmes një procesi të përkushtuar prodhimi dhe zhvillimi, me punën e tyre duke u vlerësuar nga një juri e pavarur.
Juria e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 ka në përbërje Julieta Aranda, artiste, bashkëthemeluese dhe redaktore e e-flux, Berlin, Miljana Dunđerin, artiste, drejtoreshë e qendrës private kulturore “Akvarijus”, Mitrovicë Veriore, Dr Vjollca Krasniqi, sociologe, profesore e asociuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar, me seli në Nju Jork dhe Stamboll, dhe Lulzim Zeqiri, artist, që punon dhe vepron ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.
Tre artistët e nominuar bashkëpunojnë ngushtë me ekipin kuratorial në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë dhe marrin pjesë në ekspozitën vjetore që prezanton finalistët e çmimit Artistët e së nesërmes. Për më tepër, ata do të kenë mundësinë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të përjetojnë skenën e gjallë të artit në Nju Jork gjatë një qëndrimi artistik dy mujor.
Çmimi Artistët e së nesërmes është një çmim i spikatur, i pavarur, i organizuar në bashkëpunim me Residency Unlimited në Nju Jork dhe i mbështetur nga The Trust for Mutual Understanding në Nju Jork.
Adresa: Klubi i Boksit, Mark Isaku 8, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës./express/KultPlus.com
Në kushtet e emergjencës Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Gjirokastër ka filluar punën për restaurimin e çatisë së banesës “Karaulli” në qendrën historike të qytetit.
DRTK bën të ditur se çatia e kësaj banese ka pasur probleme serioze me një pjesë të konsiderueshme të saj dhe rrezikonte nga degradimi i mëtejshëm.
Dëmtimet që ky objekt ka pasur ishin komplekse, duke filluar nga trarë dhe mahi të thyer, petavër të kalbur dhe spreth të dëmtuar.
Punimet restauruese DRTK-ja po i kryen në bashkëpunim me pronarët e objektit, që mundësuan ndërhyrjen e menjëhershme në banesën “Karaulli”./atsh/KultPlus.com
“Turi i Kullave’’, vjen për herë të parë si një model inovativ për të eksploruar atraksionet shqiptare në kullat e gurta të veriut të vendit tonë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga ky tur, ku çdo turisti do t’i jepet mundësia për të njohur nga afër mënyrën e jetesës tradicionale shqiptare, edhe si një ftesë mirëseardhjeje në ato vatra nga merr kuptimin mikpritja si virtyt përmes shprehjes “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.
Në vazhdën e modelit pilot “Turet Agroturistike”, produkti i tretë turistik, “Turi i Kullave”, bashkoi operatorë turistikë, bashkëpunëtorë dhe dashamirës të traditës, arkitekturës dhe historisë në një udhëtim të shkurtër, por mbresëlënës, në disa prej kullave që janë pjesë e këtij turi.
Dyert e kullave u hapën me bujari për të ofruar gatimet tradicionale të zonës së Matit dhe Bulqizës, të cilat u pasuan me këngë, valle dhe histori të trashëguara brez pas brezi.
Ndër disa kulla, pjesë të turit, pjesëmarrësit vizituan “Kullën e Barçit”, “Bujtinën Çeliku”, “Kullën e Shaban Zajmit”, “Kullën e Moçme” dhe “Kullën Hupi”.
“Turi i Kullave” vjen si një ide inovative e mbështetur nga GIZ Albania, për të përjetuar Shqipërinë nga një kënd i paeksploruar më parë./atsh/KultPlus.com
Muzeu “Besa”, me projektin nga Oppenheim Architecture, është vlerësuar me çmimin prestigjioz “Honour Award of Excellence” nga Instituti Amerikan i Arkitetktëve (AIA) në Miami.
Lajmin e bëri të ditur, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja teksa ndau në rrjete sociale, pamje nga Muzeu “Besa”.
“Vlerësimi me çmimin prestigjoz e vendos Muzeun “Besa”, në radhët e klasifikimeve më të larta në botën e arkitekturës”, tha ministri.
Oppenheim Architecture janë kujdesur që në çdo element të dizenjuar të pasqyrohet “Besa” në vetvete dhe traditat e vyera të transmetuara brez pas brezi, duke u ofruar të gjithëve një pasqyrë të artë të shqiptarisë.
Muzeu do të jetë një destinacion i ri në qytet për të gjithë ata që duan të njihen me faqen e lavdishme të historisë së shqiptarëve në mbrojtjen e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ai do të ngrihet në godinën e njohur si “Shtëpia e Libohovitëve”, Monument Kulture i Kategorisë I, që ndodhet në krah të Kalasë së Tiranës dhe Sarajeve të Toptanëve./atsh/KultPlus.com
Në ambientet e shtëpisë së Kadaresë në Tiranë, u promovua romani “Balada” i autorit Adrian Lesenciuc i cili qe i pranishëm bashkë me studiuesin Luan Topçiu, botuesin rumun Virgil Onița dhe të tjerë personalitete shqiptare e rumune, mes të cilëve zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Vasil S. Tole, deputeti i Parlamentit të Rumanisë, z. Bogdan-Alin Stoica si dhe kryetari i ALAR Dr. Radu-Cosmin Săvulescu.
Ky roman i kushtohet tërësisht një figure shumë të rëndësishme dhe të dashur për shqiptarët, kompozitorit të himnit tonë kombëtar, Cipirian Porumbescut. Ai botohet në kuadër të një bashkëpunimi mes shtëpisë botuese “Onufri” dhe Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR).
Autori i romanit tha ndër të tjera se ndihej i nderuar për praninë e tij në Shqipëri dhe për faktin që ky roman e gjeti udhën e vet drejt lexuesit shqiptar. Po ashtu, rëndësia e ardhjes në shqip të këtij romani u veçua edhe nga Akademiku Tole që e quajti një ngjarje me rëndësi të veçantë.
Nga nesër, libri do të gjendet në të gjitha libraritë si dhe, patjetër, në Panairin e Librit të Tiranës që mbahet nga data 13-17 nëntor./atsh/KultPlus.com
Në kuadër të projektit “Lufta kundër trafikimit të jashtëligjshëm të pasurive kulturore në Ballkanin Perëndimor” nisi seminari 5-ditor për ngritjen e kapaciteteve për kategori të ndryshme të partnerëve kryesorë institucionalë në Shqipëri.
Projekti financohet nga Komisioni Evropian (DG NEAR/DG EAC) dhe i zbatuar nga UNESCO përmes Zyrës Rajonale të UNESCO-s për Shkencë dhe Kulturë në Evropë (Venecia) dhe Antenës së saj në Sarajevë.
Projekti ka si objektiv kryesor të nxisë bashkëpunimin rajonal, pajtimin dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore përmes trashëgimisë dhe kulturës, si parakushte thelbësore për përparimin në rrugën evropiane, dhe veçanërisht nxitjen e përafrimit të kuadrit ligjor kombëtar me atë të BE-së.
Në veçanti, projekti synon të promovojë dialogun, respektin e ndërsjellë, besimin dhe mirëkuptimin ndërkulturor midis komuniteteve, duke kontribuar në një mjedis të favorshëm për pajtimin, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm./atsh/KultPlus.com
Java e Kulturës Amerikane është mbyllur me një ekspozitë mahnitëse mode dhe novacioni me stilisten e njohur Noor Bchara dhe studentët e talentuar nga Universiteti i Arteve, të cilët shfaqën krijimet e tyre unike nga veshje të ripërdorura.
E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, së bashku me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe zëvendësministren e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa, iu bashkuan shfaqjes dhe festimeve.
“Xhinset janë një simbol i pavarësisë, novacionit dhe ndonjëherë, i thyerjes së rregullave. Dhe unë mendoj se kjo është ajo që do të shohim këtu këtë mbrëmje, në këtë shfaqje të jashtëzakonshme të modës… Dhe ashtu siç e kam parë në takimet e muajve të fundit këtu në Shqipëri, energjia që kanë të rinjtë shqiptarë, krijimtaria që kanë, mendoj se do të shfaqen plotësisht”, tha VanHorn.
Nata ishte e mbushur me gëzim, muzikë dhe argëtim, duke përfshirë këndin e “Robotikës” nga Këndi Amerikan i Tiranës dhe një panair të vogël me gra sipërmarrëse vendase të mbështetura nga programet e Ambasadës së SHBA./atsh/KultPlus.com
E shikova “Pasqyrën e propozimeve për zgjedhjen e anëtarëve korrespondentë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”.
Lista ishte, përgjithësisht, skandaloze. Derisa e shihja, pyesja veten: si ka mundësi që nga të gjitha departamentet e Fakultetit të Filologjisë, ka kandidatë, vetëm nga Departamenti i Letërsisë Shqipe mungojnë? A është kjo edhe një dëshmi që çon ujë në mullirin e atyre që thonë se po s’pati profesorë të LDK-së, s’mund të ketë as kandidatë për ASHAK? E, për fatin e mirë të tyre, të gjithë profesorët e kësaj partie janë anëtarësuar në Akademi, kurse disa të rinj që janë aty ende s’e kanë arritur moshën e kandidaturës. (S’ka gjë që e komprometon më shumë këtë parti sesa ky institucion, prandaj nëse ndonjëherë duan të pastrohen, duhen t’ia nisin nga aty. Një qëndrim autokritik, është jetik për të).
A e dini që në Akademi kemi historianë idiotë, shkencëtarë sharlatanë, ekspertë të shakasë dhe foreve, artistë që s’i njeh as mahalla e tyre?
A e dini që ata që s’njihen kurrkund, përveç në parti, bëhen akademikë, kurse ata që njihen në botë, s’do të bëhen kurrë?
Para disa vitesh pata treguar dy shembuj: njërin, që as Putini s’i kishte lejuar anëtarët e partisë të bëhen akademikë; tjetrin, që një shtet në Ballkan, pasi e kishte anëtarësuar krejt llumin në Akademi, ishte kujtuar ta thërriste edhe poetin e vet më të njohur. Ai, poeti, duke pasur neveri nga ai batak “intelektualësh”, nuk kishte pranuar, dhe, pas pak vitesh kishte marrë një thirrje nga një Akademi tjetër për t’ia uruar marrjen e çmimit Nobel.
Meqenëse shumica në ASHAK janë aty pa kredite shkencore e artistike, mund të them se më të mirët e shkencës dhe artit i gjeni jashtë Akademisë.
Në gjuhën greke, Akademisë i thonë Akadhimia. Ndoshta edhe ne ashtu duhet t’i themi. A po e shihni që ambasadorja amerikane, zonja Jacobson, ka pasë të drejtë kur na pati porositur: “Mos e dhini punën!”/KultPlus.com
Më 30 tetor, në Shtëpinë e Kulturës “Kinoatelie”, promovohet monografia “Riprodhimi shoqëror me punë dhe kafe” i autores Liridona Sijarina.
RIPRODHIMI SHOQËROR ME PUNË DHE KAFE është monografi e autores Liridona Sijarina rreth punës dhe shoqërimit të grave fshatare para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Mbështetur në një studim që sjell rrëfime dhe teorizime të grave me prejardhje të ndryshme, kjo punë eksploron se si organizohen puna dhe ritualet shoqërore, dhe se si lufta dhe neoliberalizmi kanë ndikuar në përvojat e grave të moshuara duke i pozicionuar ato si subjekte periferike e jo të dobishme për tregun.
Gjatë promovimit, do të mbahet një diskutim mes Luljeta Demollit, Kaltrina Krasniqit, Bjeshkë Gurit dhe autores.
Liridona Sijarina është aktiviste feministe dhe doktorante në studime krahasuese gjinore (CEU), me master në studime kritike të gjinisë (CEU) dhe bachelor në shkenca politike (UP). Interesat e saj përfshijnë punën, gjininë, ndërmarrësinë, ruralitetin dhe zhvillimin./express/KultPlus.com
“Turi i Kullave”, një model inovativ për të eksploruar atraksionet shqiptare nga një vështrim i panjohur më parë, hapi portat e kullave të gurta për të zbuluar trashëgiminë e pasur materiale, shpirtërore e kulturore të luginës së Matit.
Në vazhdën e modelit pilot “Turet Agroturistike”, produkti i tretë turistik, “Turi i Kullave”, bashkoi operatorë turistikë, bashkëpunëtorë dhe dashamirës të traditës, arkitekturës dhe historisë në një udhëtim të shkurtër, por mbresëlënës, në disa prej kullave që janë pjesë e këtij turi.
Dyert e kullave u hapën me bujari për të ofruar gatimet tradicionale të zonës së Matit dhe Bulqizës, të cilat u pasuan me këngë, valle dhe histori të trashëguara brez pas brezi.
Ndër disa kulla, pjesë të turit, pjesëmarrësit vizituan “Kullën e Barçit”, “Bujtinën Çeliku”, “Kullën e Shaban Zajmit”, “Kullën e Moçme” dhe “Kullën Hupi”.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se ky tur është një mundësi për të njohur nga afër mënyrën e jetesës tradicionale shqiptare, që e bën më interesante ofertën gjithpërfshirëse të aktiviteteve që operatorët turistikë ofrojnë.
Gjithashtu, theksoi ministrja, ky tur vjen edhe si një ftesë mirëseardhjeje në ato vatra nga merr kuptimin mikpritja si virtyt përmes shprehjes “Shtëpia është e Zotit dhe e mikut”.
Ministrja Kumbaro bëri të ditur se së shpejti, turi i kullave do të jetë gjithashtu pjesë e aplikacionit të agroturizmit.
“Turi i Kullave” vjen si një ide inovative e mbështetur nga GIZ Albania, për të përjetuar Shqipërinë nga një kënd i paeksploruar më parë./tema/KultPlus.com
Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët, uroi sot, përmes një postimi në rrjetet sociale, shkrimtarin e njohur arbëresh, Karmine Abate, i cili sot feston 70-vjetorin e lindjes.
Karmine Abate, një ndër shkrimtarët më të njohur të Italisë së dy dhjetëvjeçarëve të fundit, lindi më 1954 në katundin arbëresh Karfici, në Kalabri. Pas diplomimit për letërsi në Universitetin e Barit ai u zhvendos në Hamburg, të Gjermanisë, ku i ati kishte emigruar më herët. Këtu mori jetë edhe krijimtaria e tij letrare me publikimet e para në gjininë e tregimeve, poezive dhe publicistikës.
Në vitin 1984, doli libri i tij i parë me tregime i shkruar në gjuhën gjermane “Den Koffer und weg!”, mbi emigrimin, historinë dhe jetën e një komuniteti kalabrez dhe emigrantëve të tij.
Në vitin 1991, u publikua romani i tij i parë “Vallja rrethore”, i cili u pasua nga “Muri i mureve” (1993), “Midis dy deteve” (2002), “Festa e kthimit” (2004). Librat e tij paraqesin mozaikun e jetës dhe mendësive arbëreshe përmes rrëfimit të autorit nën petkun e personazheve të veçantë e karakteristikë, si në romanin “Motoçikleta e Skënderbeut” botuar në vitin 1990, apo te “Mozaiku i motit të madh”, në vitin 2006. Libri i fundit i dalë nga botimi “Il cercatore di luce” (Kërkuesi i dritës) është një histori familjare intensive që ndërthuret me historinë artistike të piktorit të madh, Xhovani Segantini (Giovanni Segantini).
Krijimtaria e Karmine Abates, ka njohur sukses të madh në Itali, por gjithashtu është përkthyer në shumë vende të botës dhe është vlerësuar nga kritika me disa çmime letrare. / KultPlus.com
Nis sot një ngjarje e rëndësishme e artit figurativ, tradita e përvitshme e mbledhjes së piktorëve në Koloninë Ndërkombëtare “Ditët e Mios”.
Bashkë me vjeshtën, çdo vit në Korçë vijnë dhe piktorët me shpirtin e tyre krijues. Ky aktivitet ka hyrë në edicionin e tij të 14-të që zhvillohet nga 24 deri më 27 tetor.
Kolonia Ndërkombëtare e Piktorëve “Ditët e Mios” është një nga aktivitetet më të spikatura që revokojnë jo vetëm traditën e arteve figurative por krijojnë edhe ura bashkëpunimi dhe komunikimi midis artistëve nga e gjithë bota. Tashmë është bërë traditë që piktorët e ftuar në këtë aktivitet, përveç se të njihen me kolegët e tyre vendas, njihen gjithashtu me pikat turistike të Korçës dhe traditat e këtij qyteti.
Në këtë edicion marrin pjesë 25 piktorë nga Polonia, Ukraina, Rumania, Maqedonia e Veriut, Greqia, Islanda, Korea e Jugut, Kina, Mali i zi, Turqia, Kosova, Serbia, Bullgaria dhe Shqipëria./ KultPlus.com
Qendra për Hapje dhe Dialog në bashkëpunim me Klubin e Dramës, të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin të Tiranës, sollën mbrëmjen poetike “Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia” kushtuar At Gjergj Fishtës, një ndër përfaqësuesve më të spikatur të kulturës dhe letërsisë kombëtare, publicist antikonformist, atdhetar dhe klerik me vlera të rralla shpirtërore dhe intelektuale.
Mbrëmja u shoqërua nga tingujt e korit “Vox Iuvenum” në drejtimin e maestro Harlen Nikolli, si dhe interpretimet nga të rinjtë e Klubit të Dramës. Pjesëmarrës në aktivitet ishin figura të spikatura si Mark Marku, Persida Asllani, Atë Flavio Cavallini, Kastriot Gjika, Erenestina Gjergji Halili, akad. Gjovalin Shkurtaj, Kristaq Jorgo, Albi Lushi, baritoni Anduel Kovaçi, Kozeta Hoxha e shumë studiues të veprës së Fishtës dhe studentë të Degës së Gjuhës dhe Letërsisë.
Atë Gjergj Fishta është konsideruar si figura më e madhe dhe më e fuqishme e letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX, i cili më shumë se cilido shkrimtar tjetër i dha shprehje artistike shpirtit kërkues të shtetit të ri sovran të shqiptarëve./ KultPlus.com
Me përmbylljen e aktiviteteve të Javës Kulturore Amerikane, po përgatiten aktivitetet e Javës Austriake.
Java Kulturore Austriake nis më 26 tetor dhe vazhdon deri në 31 tetor, në një javë të mrekullueshme që feston artin dhe kulturën austriake. Ditët e fundit të tetorit do të sjellin një gamë të gjerë aktivitetesh për të gjitha shijet e publikut shqiptar dhe jo vetëm.
Publiku do të ketë mundësinë të shijojë filma, koncert për piano, performanca të Ansamblit të Gracit, prezantim librash, shfaqje teatrale, ligjërata frymëzuese dhe performanca të Body Music. Organizatorët ftojnë të mos i humbisni këto mundësi unike për të eksploruar kulturën austriake në të gjitha format e saj dhe për t’u bërë pjesë e kësaj jave të veçantë.
Aktivitetet e Javës Kulturore Austriake do të jenë të përqendruara në dy qytete: Tiranë e Shkodër./ KultPlus.com
Në freskinë e një vjeshte është bukur, të dridhet shpirti si gjethe mbi mollë – dhe të shohësh parmendën e diellit si çan sipërfaqen e lumit, ujin kaltror.
Është bukur të shkulësh nga trupi Gozhdën e nxehtë të një kënge dhe me fustan të bardhë festiv të presësh trokitje në derën tënde.
Unë mësoj me zemër, mësoj, të ruaj në sytë e mi lulen e egër të qershisë Vetëm vetpërmbajtja ndjenjat ngroh Kur një krisje e hollë gjoksin e gris.
Në heshtje kumbon kambanorja e yjeve, Për mëngjesin çdo gjethe është një qiri. S’do lejoj të futet në dhomën time askënd s’kam ndërmend t’i hap derën kujt assesi./ KultPlus.com
Në ceremoninë e çmimeve “At Gjergj Fishta” 2024, të mbajtur në Lezhë për të përkujtuar 153-vjetorin e lindjes së poetit dhe shkrimtarit të madh shqiptar, u vlerësuan katër autorë të shquar për krijimtarinë e tyre.
Marash Mirashi u shpall fitues në kategorinë e prozës me romanin “Brirët”, Stefan Çapaliku triumfoi në poezi me vëllimin “Camera Obscura”.
Fatmir Toçi mori çmim për studime letrare me veprën “Arbëreshët, shqiptarët e Italisë”, ndërsa Rudolf Marku u nderua për përkthimin letrar me librin “Safo”.
Gjatë ceremonisë, të pranishmit përkujtuan figurën e At Gjergj Fishtës dhe nënvizuan rëndësinë e aktiviteteve të tilla për promovimin e trashëgimisë kulturore në kohët moderne.
Përveç katër çmimeve kryesore, u ndanë edhe disa çmime për arritje dhe kontribute të veçanta: Ardi Murçllari, Life Hasa, Nikoll Njeçi, Liza Brunga dhe i ndjeri Dom Jak Zeka u nderuan për meritat e tyre të veçanta.
Kjo ngjarje, e kthyer tashmë në traditë, u organizua nga Bashkia Lezhë me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, duke pasur si synim ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore kombëtare./Top Channel/ KultPlus.com
Është publikuar thirrja për pjesëmarrës në programin “OneBeat Balkans 2025“, me qëllim që të mblidhen muzikantë të rinj të moshës 19-35 vjeç, qytetarë të shteteve në vijim: Bosinia dhe Hercegovina, Shqipërisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, dhe të ShBA-së.
Prej 11 Shukrt deri më 3 Mars 2025, ky grup muzikantësh do të luajë së bashku, do të krijojë muzikë të re, dhe do të udhëtojë nëpër Ballkan duke e shpërndarë frymën e bashkëpunimit, komunitetit, dhe barazisë.
OneBeat Balkans do t’i mbledh 12 muzikantë të angazhuar në shoqëri, të cilët së bashku do të prodhojnë muzikë dhe përmbajtje shumëdisiplinare, të udhëheqin punëtori publike, dhe ta përdorin artin si mjet pajtimi dhe zhvillimi ekonomik në pjesët e përçara të Ballkanit.
Programi zgjat nga 11 shkurt deri më 3 mars, 2025, dhe përfshin periudhën e rezidence muzikore në Prizren, e cila do të ndjeket nga një turne koncertesh në Prishtinë dhe Beograd. OneBeat Balkans është pjesë e projektit të gjërë global OneBeat, i krijuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si nismë e Byrosë për Edukim dhe Çështje Kulturore e Departamentit të Shtetit Amerikan dhe prodhohet nga Bang on a Can’s Found Sound Nation.
OneBeat Balkan është inkubator muzikor, ku muzikantët nga e gjithë bota krijojnë projekte bashkëpunuese të dizajnuara për të pasur ndikim pozitiv në komunitetet lokale dhe globale. Me një numër të madh pjesmarrësish në të kaluarën, është krijuar hapësira që të organizohen programe OneBeat jashtë ShBA-së, dhe kështu filloi OneBeat Balkans. Edicioni i parë u mbajt në vitin 2019, i drejtuar nga Balkan Art Zone me ish-pjesmarrësin Bajram Kafu Kinolli si themelues i programit.
OneBeat Balkans 2025 do të fillojë me një rezidencë muzikore dyjavore në Prizeren, ku pPjesëmarrësit do të krijojnë muzikë origjinale, do të zhvillojnë ide të reja muzikore dhe projekte të kushtuara për komunitetet lokale. Rezidenca do të pasohet prej një turneu në qytete të Ballkanit, ku Pjesëmarrësit do të performojnë në koncerte, do të bashkëpunojnë dhe luajnë me muzikantë vendorë dhe do të drejtojnë punëtori me të rinj e të reja.
Thirrja është e hapur për muzikantë të moshës 19-35 vjeç, banorë të Bosnie dhe Hercegovinës, Shqipërisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, dhe ShBA-së.
Është e rëndësishme të theksohet së edukimi formal muzikor nuk është i domosdoshëm për të aplikuar për OneBeat Balkan. Po ashtu, projekti nuk ka kufizime për nga zhanri: muzikantët që bëjnë muzikë tradicionale ose folklorike, hip hop, xhez, eksperimentale, elektronike a klasike, dizajnerë muzikorë dhe artistë multimedialë, të gjithë janë të ftuar të aplikojnë.
Çfarë duhet të dini për OneBeat Balkans:
Bashkëpunimi është qendror. OneBeat Balkans ua jep muzikantëve mundësinë të bashëpunojnë me projekte të reja dhe të gjurmojnë tradita të reja muzikore. Në vend se t’i tregojnë talentet individuale, muzikantët e OneBeat Balkans do të punojnë së bashku, nëpërmes ndasive kulturore, duke mësyrë mundësi të reja muzikore.
OneBeat Balkans është e angazhuar në shoqëri. Ata po kërkojnë muzikantë që janë të angazhuar në komunitetet e tyre dhe që kërkojnë mënyra të reja për t’u angazhuar në zhvillimin e rinisë, edukimin muzikor, terapinë muzikore, zgjidhjen e konflikteve, një dialog global përmes muzikës, dhe mënyra të tjera që çojnë drejt shoqërive më të barabarta dhe demokratike. OneBeat Balkans është program FALAS (por jo dhe koncert i paguar). Programi i OneBeat Balkans mbulon udhëtimin, transportimin, ushqimin dhe strehimin e Pjesëmarrësve. Ata po ashtu ofrojnë një bursë (shumë të hollash) modeste. Edhe pse nuk kanë mundësi të japin pagesa për performanca, OneBeat Balkans u ofron pjesëmarrësve mundësinë për të krijuar material të ri, për të bërë shoqëri dhe ortakëri të përjetshme muzikore, për të mësuar shkathtësi të reja që kanë vlerë në treg, për të bërë turne nëpër Balkan, dhe për të vendosur lidhje të reja profesionale.
Materialet Audio/Video për aplikim:
Aplikantët duhet të planifikojnë për shkruar rreth prapavijës së tyre muzikore dhe interesat, si dhe projektet dhe qëllimet në të ardhmen. Aplikantëve do t’iu kërkohet t’i dorëzojnë 3-5 shembuj të punës së tyre vetjake apo bashkëpunuese (qoftë përmes audios ose videos).
Kriteret e vlerësimit:
Zotësia Muzikore – Niveli i lartë i performimit, kompozimit, improvizimit, prodhimit dhe/ose aftësisë teknologjike. Idealisht, muzikantët e OneBeat Balkanks duhet të jenë novatorë stilistikë, tekstualë, ose teknologjikë brenda botërave të tyre muzikore.
Bashkëpunimi – Gatishmëria e aplikantit/aplikantes për të kaluar përtej ndasive muzikore që të krijojë muzikë origjinale apo të riinterpretiojë e muzikën tradicionale, duke e respektuar thelbin e secilës traditë. Aplikantët duhet të jenë të gatshëm të provojnë gjëra të reja nga aspekti muzikor. Angazhimi shoqëror – Muzikantët që kanë përdorur muzikën për t’u shërbyer komuniteteve të tyre apo shoqërisë në përgjithësi. Kjo mund të përfshijë interesimin e të rinjve rreth edukimit muzikor, adresimin e çështjeve shoqërore apo politike përmes përmbajtjes muzikore, ringjalljen e traditave muzikore, dhe të tjera.
Mosha – Aplikantët duhet të jenë të moshës 19-35 vjeç.
Zotërimi i anglishtes – Aplikantët duhet të kenë aftësi të bisedojnë dhe të kuptojnë anglishten në nivelin bazik, meqenëse do të jetë gjuha e përbashkët e programit OneBeat Balkans.
Shteti ose Territori i Prejardhjes – Pjesëmarrësit e OneBeat Balkans duhet të jetojnë në njërin prej 8 shteteve ose territoreve të pranueshme: banorë të Bosnie dhe Hercegovinës, Shqipërisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, dhe ShBA-së.
OneBeat Balkans është një program aleat i OneBeatSM, dhe është një nismë e Departamentit të Shtetit të ShBA-së – Zyrës për Çështje Arsimore dhe Kulturore. OneBeat Balkans prodhohet pavarësisht nga Balkan Art Zone, në bashkëpunim me Bang on a Can, dhe me mbështetje shtesë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd./ KultPlus.com