Përgjërim

Poezi nga Aleksandër Pushkini

Oh, po të jetë e vërtetë,
Se natën kur gjithçka pushon,
Kur rrezet hënëza e zbetë,
përmbi murrana i vërshon,

Shkretohen varret e nemitur
Dhe hijet bredhin nëpër terr,-
Do thirrnja miken e zhuritur:
Tek unë eja menjëherë!

M’u çfaq ashtu siç ishe ti
Përpara ndarjes plot trishtim,
E ftoht’ e zbehtë, si qiri,
Në prag të fundit gjithë mundim.

M’u çfaq porsi një yll i ndritshëm,
Si zë i leht’ apo si erë,
Apo si një vegim i frikshëm,-
S’ka gjë: ti eja menjëherë!…

Spo të thërras për të qortuar
Me hijen tënde, njerëzinë,
S’po të thërras për t’i zbuluar
Territ të varrit fshehtësinë,

Dyshimet nuk më brejnë mua;
Po të thërras me shpirtin vrer,
Qe të të them me mall: të dua.
Jam yti, eja menjëherë!./KultPlus.com

J. N. Tolstoit

Poezi nga Aleksandër Pushkin

Digju prapë o llamp’ e zjarrtë,
O mike e ditëve plot gëzim
Vezullo o gotë e artë,
O këngë e shenjtë e shpirtit tim
Ku jeni ju o miq të shtrenjtë,
O shokë të dashur të Kup(r)idit
Na thërret prapë or’ e shenjtë,
Sërish po shkrin dëbor’ e dimrit
Në ditët e zymta të syrgjynit
Shpirti plot plagë veç ndjen gaz,
Në orët e shtrenjta të kujtimit
Që ju o miq më latë pas
Përpara meje ke qëndruar…
Ja ti o streh’ e bujarisë,
Ti muz’ e shpirtit të shqetësuar
Ku prehet zjarri i dashurisë
Atje ku kënga na bashkonte,
Ku të gjithë ishim betuar
Se shpirti ynë do jetonte,
Plot afsh e zjarr i dashuruar,
Se zemr’ e lodhur s’do pushonte,
S’do prehej kurrë në kraharuar,
Atje ku ishim krejt të lirë
Dhe ngrinim gotat një nga një
Këndonim këngë që pa pirë,
Bërtisnim s’pyesnim për asgjë
Atje dëgjoj sërish një këngë,
Këngë poeti të pagjumë
Prandaj të lutem që pa brengë,
Mbushma gotën që dhe unë
Me ju prapë të qesh i lirë,
Të pi, të dehem kam dëshirë.

KultPlus.com

Aleksandër Pushkini, poeti rus që u vra në duel për çështje nderi

Po e përkujtojmë sot në 219 vjetorin e lindjes, poetin Aleksandër Pushkin, shkruan KultPlus.

Aleksandër Sergejevic Pushkini lindi në Moskë më 6 qershor 1799 në një familje oborrtare.

Më 1811 u regjistrua në një lice ku mësonin fëmijët e Aristokracisë Peterburgase. Ambienti ne lice la gjurmë të pashlyeshme në mendjen dhe zemrën e djaloshit. Mjedisi aty ishte i pasur me idetë e anti-carizmit. Që në moshë të vogël ai shkroi vjershat e para lirike për gëzimet e jetës, për dashurinë, për miqësinë dhe për natyrën. U bë i njohur me odën “Liria”, poezitë “Cadajevit” dhe “Fshati”. Poezia e Pushkinit u ndalua nga censura cariste, por ajo u përhap dorë më dorë në qarqet përparimtare.

Popullaritetin e poetit anti-carist të gjithë sundimtarët e kishin halë në sy. Intrigat dhe shpifjet arritën kulmin kur poeti pa i mbushur akoma të 38-at. Kështu, një nga poetët më të mëdhenj të Rusisë u vra në duel për çështje nderi, më 27 janar 1837./ KultPlus.com

Acari

Poezi e shkruar nga Aleksandër Pushkin.

Atje ku vapa djeg si zjarri
në trojet tharë e bërë prush
I tmerrshëm vigjilon acari
Ne shkretëtirën e pafund

Natyre e stepave pa jetë
E polli në një ditë inati
Me vdekje dhe farmak të shkretë
Kurorën, rrënjët ja spërkati

Kur dielli djeg përmbi djerine
Nga korrja rrjedh farmaku i shkrire
Pastaj rrëshira nis e ngrin
Kur mbrëmja vjen me ftohtësirë

Atje as zogu s’fluturon
As tigri s’shkon, tufan i zi
Te peme e vdekjes seç gjëmon
Dhe ikën larg me mort në gji

Kur retë udha ndodh ti shpjerë
Përmbi kurorën e dremitur
Nga degët helmi nis te bjerë
Si shi mbi rerën e zhuritur

Njeriu urdhëroi njerinë
Te vinte tek acari plak
Kur rrezet e agimit ndrinë
Ai u kthye me farmak

Rrëshire pru prej koreve
Dhe një degëz te ronitur
Dhe djerse e ftohte si rreke
I rridhte ballit te venitur

I pruri dhe u lig, u shtri
Pa hyre ne kasolle dot
Dhe vdiq i gjori skllav fatzi
Atje nën këmbët e të zot

Rrëshirën mori princi e shkoi
Ne helm e ngjeu çdo shigjete
Dhe fqinjëve vdekjen ç ’u dërgoi
Përtej kufireve të vet