Sot, Dita Botërore e Vajzave

Organizata e Kombeve të Bashkuara 11 tetorin e ka përcaktuar si Ditën Ndërkombëtare të Vajzave.

Kjo është vendosur për herë të parë në vitin 2012.

Kjo ditë ndërkombëtare synon të promovojë trajtimin e barabartë dhe mundësitë për vajzat në mbarë botën në fusha të tilla si, ligji, të ushqyerit, kujdesi shëndetësor, arsimimi, trajtimi, etj.

Sipas fakteve botërore të mbledhura enkas për këtë ditë, përreth globit, vajzat janë tri herë më shumë të keq ushqyera se djemtë.

Çdo vit rreth dy milionë vajza të moshës 5 deri në 15-vjeç janë të trafikuara, të shitura ose të detyruara të punojnë në tregtinë e seksit, gjithashtu vajzat vazhdojnë të përballen me pengesa të shumta si në arsim dhe në shërbime të tjera bazë. /KultPlus.com

Media spanjolle “El Economista”: Bumi i turizmit katapulton ekonominë e Shqipërisë

Shqipëria, një vend i vogël ballkanik, po përjeton një bum të vërtetë turistik që po katapulton ekonominë e saj.

Prurjet masive të vizitorëve, kryesisht në plazhet e Rivierës Shqiptare, një zonë bregdetare në jug të vendit e lagur nga deti Jon, po e transformojnë ndjeshëm ekonominë në vend, sipas një artikulli të botuar në revistën prestigjioze spanjolle “El Economista”.

Sipas të dhënave të mbledhura nga analistë të “Oxford Economics”, numri i turistëve të huaj që kanë vizituar vendin nga viti 2024 deri në gusht ka arritur në 300% të popullsisë vendase. Që do të thotë se për çdo banor të Shqipërisë, këtë vit kanë ardhur tre turistë të huaj.

Me një popullsi afërsisht 2,8 milionë banorë, gjithsej 8,5 milionë turistë të huaj kanë udhëtuar drejt vendit mesdhetar në periudhën korrik-gusht të këtij viti. Ndërsa në vitin 2023 u regjistruan 10,1 milionë turistë te huaj.

Sipas të dhënave, Shqipëria kryeson duke lënë pas Kroacinë me 250% dhe Greqinë me 150% – vende që kanë qenë destinacione turistike të profilit të lartë prej vitesh.

Rritja me 300% është në kontrast me pak më shumë se 150% të regjistruar nga Shqipëria deri në gusht 2019, gjë që konfirmon ‘bumin’ e kohëve të fundit.

Logjikisht, ekonomia e vendit nuk mund të jetë imune ndaj këtij fenomeni.

Pas disa dekadash izolimi politik dhe ekonomik nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës, Shqipëria ishte një vend i panjohur për evropianët dhe pjesën tjetër të botës.

Me rënien e komunizmit, vendi u përball me një tranzicion kaotik drejt kapitalizmit, i cili përfshinte krizat financiare dhe rritjen e dobët ekonomike.

Megjithatë, mes gjithë këtij kaosi, hapja në rritje e ekonomisë lejoi, pak nga pak, evropianët dhe pjesën tjetër të botës të njihnin një parajsë natyrore e konsideruar si ‘Karaibet Evropiane’ – falë plazheve me ujëra të pastra kristal dhe peizazheve të pacënuara – në të cilat spikasin mbetjet arkeologjike. Por, jo vetëm kaq.

Një vend shumë i veçantë

Veçantia e këtij vendi është padyshim një nga atraksionet e tij të mëdha.

Ndonëse popullsia e tij rezidente nuk arrin në 3 milionë banorë, e vërteta është se ‘populli shqiptar’ është shumë më i madh.

Vlerësohet se janë rreth 1,7 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Kosovë, Greqi, Serbi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë dhe Itali.

Ky vend shquhet për tolerancën e tij fetare. Fetë bashkëjetojnë në paqe, diçka e nevojshme për një shoqëri me një numër të madh të krishterësh, që janë më shumë se 15% (ortodoksë dhe katolikë).

Qeveria e Shqipërisë njoftoi pak javë më parë se po studion krijimin e një qyteti të ngjashëm me Vatikanin për komunitetin bektashi.

Me gjithë këto stimuj, nuk është për t’u habitur që Shqipëria është kthyer në një atraksion kaq të rëndësishëm turistik, jo vetëm plazhet e saj parajsore dhe malet e bukura tërheqin vëmendjen.

Përmirësimi i ekonomisë së shpejti mund të mundësojë që disa nga ata shqiptarë jashtë vendit të fillojnë të kthehen.

Përmirësimi ekonomik i Shqipërisë

PBB-ja shqiptare u rrit me 3,4% në vitin 2023, mbështetur nga kërkesa e fortë e brendshme dhe performanca e jashtëzakonshme e sektorit të turizmit, e cila arriti nivele record në vend.

Gjithashtu, komponenti i investimeve shënoi një rritje të ndjeshme, i mbështetur nga investimet private, duke përfshirë flukset e larta hyrëse të investimeve të huaja direkte.

Vetë Komisioni Evropian pranon në një raport të fundit ecurinë e mirë të ekonomisë shqiptare: rritje të fortë, inflacion të ulët dhe bilanc më të madh fiskal.

Momenti i fortë i rritjes mbështetet nga një bum në sektorin e turizmit, rritja e investimeve dhe pagat më të larta.

Nuk kishte strategji për turizmin

Rritja e industrisë së turizmit, së bashku me sigurinë e përmirësuar, e ka bërë Shqipërinë destinacionin e ëndrrave të miliona turistëve.

Edhe pa një strategji të qartë të qeverisë për llojin e turizmit për të cilin vendi është i përgatitur – masiv, elitar ose një kombinim i të dyjave – ai ka luajtur një rol vendimtar.

Sipas të dhënave nga Ministria e Turizmit, në gusht, 77% e turistëve vinin nga Evropa Jugore dhe 9% nga Perëndimi. Evropa, duke treguar se Shqipëria është kthyer në një alternativë ekonomike për shtetasit e huaj nga ekonomitë më pak të pasura brenda Evropës.

Megjithatë, qeveria shqiptare po harton së fundmi një strategji të zhvillimit të turizmit, e cila pritet të qartësojë më mirë modelin që duhet ndjekur.

Drejtori ekzekutiv i ACER, Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi dha si shembuj komunikimet, tipologjinë e ndërtesave që nuk shkatërrojnë traditën, promovimin e produkteve vendore, produkteve të pastra dhe ekologjike, rritja e kulturës së shërbimeve turistike.

“Rreziku i dëmtimi të peizazhit si rezultat i mbipopullimit të ndërtesave, kryesisht në bregdet, është një kërcënim real, siç ka ndodhur tashmë dy dekada më parë në disa zona detare të Bullgarisë”, tha Preci.

 Ekonomia përmirësohet në tërësi

 “E vërteta është se ekonomia në tërësi ka përfituar dhe po përfiton nga bumi turistik, por mund të thuhet se shpërndarja e përfitimeve është ende larg të qenit e drejtë”, tha Preçi.

Siç është detajuar, përfituesit kryesorë për momentin janë ofruesit e shërbimeve, si agjencitë e linjave ajrore dhe aeroporti ndërkombëtar i Tiranës, një sërë operatorësh turistikë dhe pronarët e strukturave hoteliere dhe restoranteve./atsh/KultPlus.com

Mangalemi ndër vite, në një ekspozitë në Berat

Berati tërheq interesin jo vetëm të vizitorëve, por edhe të piktorëve. Një rast i tillë është ekspozita Mangalemi me autor piktorin lezhian Pashk Përvathi. Në galerinë e artit të qytetit janë ekspozuar 35 punime, peizazhe të lagjes së vjetër të qytetit historik

“Më mirë se në Berat këto vepra nuk mund të rinë në asnjë vend tjetër. Janë vepra që janë realizuar në vite të ndryshme dhe pastaj ka vazhduar vit pas viti sepse dashuria artistike për Beratin nuk mbaron asnjëherë.”

Gjithçka e ka zanafillën në vitin 1988.

“Kur jam ndeshur me Mangalemin në vitin 1988, jam mahnitur dhe kam kuptuar që Berati dhe Gjirokastra janë një pasuri artistike që për piktorët janë motive të panumërta për veprat e tyre.”

Ekspozita u vlerësua edhe nga kryetari i bashkisë së Beratit Ervin Demo.

“Berati është i magjishëm, por në piktura duket edhe më i magjishëm dhe kjo është pikërisht nga mjeshtria e mjeshtrit tonë të madh.”

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për 10 ditë./KultPlus.com

Adrien, mos mbaj inati


Poezi nga Jacques Prevert.

Adrien mos mbaj inat !
Kthehu !
Topin e borës
që ma ke hedhur
në Chamonix
dimrin e kaluar
e kam ruajtur
Eshtë mbi oxhak
pranë kurorës së nuses
e gjora nëna ime jetëshkurtër
që vdiq e vrarë
nga i ndjeri im atë
që vdiq në gijotinë
një mëngjes të trishtë dimri
apo pranvere…
Adrien mos mbaj inat !
Kthehu !
e kam pasur gabim e pranoj
kam ndenjur vite të tëra
pa hyrë
në shtëpi
Por ta kam fshehur gjithmonë
që isha në burg !
Kam pasur gabime e pranoj
shpesh rrihja qenin
por të doja shumë !…
Adrien mos mbaj inat !
Kthehu !
Edhe fije kashte
qenushin tënd të vogël
që ka ngordhur
javën e kaluar
e kam ruajtur !
Eshtë në frigorifer
dhe kur e hap nganjëherë
për të marrë një birrë
e shoh kafshën e gjorë të pajetë
dhe kjo më dëshpëron !
E pra jam unë që e kam bërë
një mbrëmje për të kaluar kohën
duke të pritur ty…
Adrien mos mbaj inat !
kthehu !
Nga kulla Saint-Jacques
jam hedhur poshtë
pardje
dhe kam vdekur
për ty
Dje më kanë varrosur
në një varrezë shumë të bukur
dhe mendoja për ty
Dhe sonte jam rikthyer
në apartamentin
ku ti shëtisje lakuriq
në kohën që isha e gjallë
dhe po të pres…
Adrien mos mbaj inat !
Kthehu !
Kam pasur gabime e pranoj
kam ndenjur vite të tëra
pa hyrë në shtëpi
Por gjithmonë ta kam fshehur
që isha në burg !
Kam pasur gabime, e pranoj
shpesh rrihja qenin
por të doja shumë !…
Adrien mos mbaj inat !
Kthehu !/KultPlus.com

Nikol Çabeli përgatitet për Junior Eurovision në Madrid: Do të jap më të mirën

Fituesja e “Junior Fest Albania 2024”, Nikol Çabeli, ka nisur përgatitjet për të përfaqësuar Shqipërinë në skenën e Junior Eurovision Song Contest, që do të mbahet më 16 nëntor në Madrid të Spanjës.

Në një prononcim për Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), Çabeli ndau emocionet e saj për këtë moment të rëndësishëm. “Jam shumë e gëzuar, sepse kënga ime ka marrë vlerësime pozitive si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Më pëlqen kur dëgjoj të tjerët që e këndojnë, pasi kënga është bërë shumë e famshme”, u shpreh Çabeli.

Ajo tha se mezi pret të përjetojë emocionet e skenës së Eurovizionit në kryeqytetin spanjoll. “Kam emocione të bukura. Do të jap më të mirën si përfaqësuese e Shqipërisë”, shtoi artistja e re.

Videoklipi i këngës tashmë është realizuar, duke iu përshtatur mesazhit të saj. Festivali i 22-të i Këngës për Junior Eurovision zhvillohet nën sloganin “Ti Lulëzo”, që simbolizon rritjen e artistëve të rinj. Në garën e këtij viti do të marrin pjesë 17 vende./ata/KultPlus.com

Instagrami vendos kufizime në llogaritë e adoleshentëve

Instagrami po i bën në mënyrë automatike llogaritë e adoleshentëve private, duke kufizuar qasjen e të tjerëve në përmbajtjen e këtyre llogarive. Kjo ka qëllim ta bëjë platformën më të sigurt për fëmijët. Vendimi u mor ndërsa ky rrjet social gjendet përball një trysnie në rritje për mënyrën se si media sociale ndikon në jetën e të rinjve.

Duke filluar nga dita e martë në Shtetet e Bashkuara, në Mbretërinë e Bashkuar, Kanada dhe Australi, përdoruesit nën 18 vjeç, të cilët hapin llogari në Instagram, do të vendosen në listën e llogarive kufizuese të adoleshentëve. Ata që tanimë kanë llogari ekzistuese do të kalojnë në atë listë gjatë 60 ditëve të ardhshme. Llogaritë e adoleshentëve në Bashkimin Evropian do të kalojnë në llogari private më vonë gjatë këtij viti.

Meta, pronë e së cilës është dhe Instagrami, pranon se adoleshentët mund të gënjejnë për moshën e tyre dhe thotë se do t’u kërkohet të verifikojnë moshat e tyre në më shumë raste, si dhe do të shohin nëse përpiqen të krijojnë një llogari të re me një ditëlindje të të rrituri. Kompania ‘Menlo Park’, në Kaliforni tha gjithashtu se po ndërton teknologji që gjen në mënyrë proaktive llogaritë e adoleshentëve që pretendojnë se janë të rritur dhe i vendos automatikisht në llogaritë e kufizuara të adoleshentëve.

Llogaritë e adoleshentëve do të jenë private në mënyrë automatike. Mesazhet private që iu dërgohen këtyre llogarive do të jënë gjithashtu të kufizuara, kështu që adoleshentët mund t’i marrin ato vetëm nga njerëzit të cilët i ndjekin. “Përmbajtjet e ndjeshme”, si videot e njerëzve duke u përleshur ose ato që promovojnë procedura kozmetike, do të jenë të kufizuara”, tha Meta. Adoleshentët do të marrin gjithashtu njoftime nëse e përdorin Instagramin për më shumë se 60 minuta dhe do të aktivizohet një modalitet që çaktivizon njoftimet dhe dërgon përgjigje automatike tek njerëzit që dërgojnë mesazhe nga ora 22:00 deri në orën 7 të mëngjesit.

Ndërsa këto veprime do të aktivizohen për të gjithë adoleshentët, 16 dhe 17-vjeçarët do të mund t’i çaktivizojnë ato. Fëmijët nën 16 vjeç do të kenë nevojë për lejen e prindërve për ta bërë këtë.

“Tri shqetësimet që po dëgjojmë nga prindërit janë se adoleshentët e tyre po shohin përmbajtje që nuk duan të shohin ose se po kontaktohen nga njerëz që nuk duan të kontaktohen ose që po shpenzojnë gjithashtu shumë në aplikacion”, tha Naomi Gleit, drejtuese e produktit në Meta. “Pra, llogaritë e adoleshentëve tani vërtet janë të përqendruara në trajtimin e këtyre tre shqetësimeve.”

Njoftimi vjen pasi kompania përballet me padi nga dhjetëra shtete amerikane që e akuzojnë atë për dëmtim të të rinjve dhe kontribut në përkeqësimin e shëndetit mendor të të rinjve duke krijuar me vetëdije dhe qëllimisht funksione në Instagram dhe Facebook që i bën fëmijët të varur në platformat e saj.

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James tha se njoftimi i Metës ishte “një hap i parë i rëndësishëm, por duhet bërë shumë më tepër për të siguruar që fëmijët tanë të mbrohen nga dëmet e mediave sociale”. Zyra e zonjës James po punon me zyrtarë të tjerë të Nju Jorkut se si të zbatohet një ligj i ri shtetëror që synon të frenojë qasjen e fëmijëve në ato që kritikët i quajnë përmbajtje që krijojnë varësi varura të mediave sociale.

Në të kaluarën, përpjekjet e Metës për të trajtuar sigurinë dhe shëndetin mendor të adoleshentëve në platformat e saj janë përballur me kritika se ndryshimet nuk shkojnë aq larg sa duhet. Për shembull, ndërsa fëmijët do të marrin një njoftim kur të kenë kaluar 60 minuta në aplikacion, ata do të jenë në gjendje ta anashkalojnë atë dhe të vazhdojnë të qëndrojnë në aplikacion.

Kjo ndryshon vetëm nëse prindërit e fëmijës aktivizojnë modalitetin “mbikëqyrje prindërore”, ku prindërit mund të kufizojnë kohën e adoleshentëve në Instagram në një kohë specifike, si p.sh. 15 minuta.

Me ndryshimet e fundit, Meta po u jep prindërve më shumë mundësi për të mbikëqyrur llogaritë e fëmijëve të tyre. Ata nën 16 vjeç do të kenë nevojë për lejen e prindit ose kujdestarit për të ndryshuar masat kufizuese.

Nick Clegg, presidenti i Metës për çështjet globale, tha javën e kaluar se prindërit nuk po përdorin kontrollet prindërore që kompania ka prezantuar vitet e fundit.

Drejtuesja e produktit në Meta Gleit tha se ajo mendon se llogaritë e tanishme të adoleshentëve do të “nxisin prindërit dhe adoleshentët për të vendosur në funksion mbikëqyrjen prindërore”.

“Prindërit do të jenë në gjendje të shohin se kush po i dërgon mesazhe adoleshentit të tyre dhe shpresojmë të kenë një bisedë me adoleshentin e tyre”, tha ajo. “Nëse ndodhin ngacmime, prindërit do të kenë qasje të shohin se kë ndjek adoleshenti i tyre, kush e ndjek adoleshentin e tyre, kujt i ka dërguar adoleshenti i tyre mesazh në shtatë ditët e fundit dhe shpresojmë të kenë disa nga këto biseda dhe t’i ndihmojnë ata të kalojnë në këto situata vërtet të vështira në internet.

Zyrtari më i lartë amerikan për shëndetin publik Vivek Murthy, tha vitin e kaluar se kompanitë e teknologjisë presin shumë nga prindërit kur bëhet fjalë për mbajtjen e fëmijëve të sigurt në mediat sociale.

“Ne po u kërkojmë prindërve të menaxhojnë një teknologji që po zhvillohet me shpejtësi, e cila ndryshon rrënjësisht mënyrën se si fëmijët e tyre mendojnë për veten e tyre, si krijojnë miqësi, se si e përjetojnë botën – dhe teknologjinë, meqë ra fjala, që gjeneratat e mëparshme nuk duhej ta menaxhonin kurrë”, tha Murthy në maj 2023./KultPlus.com

Poeti Lulzim Tafa nderohet nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, për kontributin në letërsi

Në një ceremoni solemne të organizuar të enjten, poeti i njohur, Lulzim Tafa, është nderuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, për kontributin e dhënë në fushën e letërsisë shqipe.

Në praninë e personaliteteve të shumta publike të Kosovës e Shqipërisë, ambasadori i Shqipërisë nëKosovë, Sh.T. Petrit Malaj, i ndau poetit Tafa mirënjohjen, duke çmuar lart veprën dhe kontributin e Tafajt për artin dhe letërsinë shqipe.

“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë shpreh mirënjohjen e thellë për kontributin në fushën e letërsisë, si poet dhe shkrimtar. Vepra juaj e ka pasuruar kulturën dhe artin tonë kombëtar. Anëtarësimi juaj si akademik i jashtëm në Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë është nder i merituar, na forcon lidhjet kulturore dhe shkencore të Republikës sëKosovës dhe asaj të Shqipërisë”, tha ndër të tjera ambasadori Malaj.

Ndërsa poeti Lulzim Tafa, duke shprehur falëndërimet e tij theksoi se është thellësisht i nderuar që e merr këtë mirënjohje.

“Ndihem shumë i lumtur që jam në mesin tuaj dhe bashkë me ju kam kënaqësinë ta pranoj këtë mirënjohje. Nderime të tilla nuk e bëjnë shkrimtar më të madh apo më të rëndësishëm, por më të sigurt në punën e tij krijuese”, u shpreh Tafa.

Për veprën e Lulzim Tafës, fjalët më të mira i thanë edhe personalitete e pjesëmarrës në këtë ceremoni. Ndërsa edhe më madhështore e bëri atë, deklamimi i njërës nga poezitë monumentale të Lulzim Tafës (“Sa shpejt më harroi nana”), nga ambasadori shqiptar, Petrit Malaj.

Kujtojmë se poeti Lulzim Tafa është i njohur për poezitë e tij dhe është në mesin e poetëve më të përkthyer shqiptarë, njëherësh laureat i shumë çmimeve ndërkombëtare. 

Përpos çmimeve, mban shumë tituj nderi në akademi e në universitete botërore.

Në gjysmën e dytë të muajit prill të këtij viti, Lulzim Tafa ishte zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë./ KultPlus.com

Edicioni i parë i “Muzak’ Fest” në Apolloni, nisja e një tradite të re kulturore

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau mbrëmjen e sotme përmes rrjetit social Facebook momente nga edicioni i parë i “Muzak’ Fest,” një ngjarje magjike që u zhvillua në qytetin historik të Apolonisë.

“Një mbrëmje e cila përqafoi historinë e Apolonisë dhe frymëzoi zemrat e të pranishmëve. Edicioni i parë i Muzak’Fest”,  solli në qytetin antik hijerëndë të Apolonisë harmoni mbresëlënëse të artit dhe kulturës. Mes monumenteve që dëshmojnë histori, muzika dhe poezia u bënë një, duke shënuar fillimin e një tradite të re kulturore, dedikuar trashëgimisë”, shkruan Gonxhja.

Edhe Bashkia Fier ndau foto nga nata magjike e “Muzak’Fest”. Bashkia Fier e promovon këtë ngjarje si një destinacion të rëndësishëm kulturor, duke i ftuar të gjithë që të vizitojnë dhe të përjetojnë bukuritë e këtij qyteti të lashtë./atsh/KultPlus.com

Shtyhet sërish hyrja në fuqi e rregullave të reja të hyrjes në BE

Sistemi i ri i hyrje-daljeve (Entry/Exit System – EES) i Bashkimit Evropian – i paraparë të hynte në fuqi nga 10 nëntori i këtij viti – është shtyrë për një kohë të papërcaktuar, për shkak se një pjesë e vendeve anëtare të bllokut nuk janë ende të gatshme për përdorimin e tij.

EES, i cili u krijua në nëntor të vitit 2017, është sistem i paparapë për udhëtarët nga vendet joanëtare të bllokut.

Komisionarja e BE-së për punë të brendshme, Ylva Johanson, e bëri të ditur lajmin të enjten, por nuk tregoi se kur mund të hyjë ai në fuqi.

Me sistemin EES, të gjithë qytetarët nga vendet jo anëtare që udhëtojnë për në BE, duhet t’i regjistrojnë në një sistem të veçantë digjital hyrjet dhe daljet e tyre në dhe nga territori i vendeve të BE-së. Në vendkalimet kufitare, ata duhet të lënë edhe të dhënat personale, përfshirë edhe gjurmët e gishtërinjve dhe të dhënat e tjera biometrike.

Ky sistem është konsideruar si i nevojshëm për ta rritur sigurinë e Bashkimit Evropian, për të pasur një kontroll se kush hyn në BE, si edhe për t’i luftuar dhe sanksionuar keqpërdorimet nga ata që mund të hyjnë pa viza, por pastaj nuk i respektojnë rregullat.

Por, disa ekspertë të vendeve anëtare kanë paralajmëruar se ky sistem ka mundësi t’i rrisë pritjet edhe ashtu të gjata në kufijtë e jashtme të Bashkimit Evropian.

Ndër vendet të cilat nuk janë gati për të nisur me 10 nëntor zbatimin e këtij sistemi, janë përmendur Gjermania, Franca dhe Holanda.

Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të BE-së do të punojnë për të përgatitur zbatimin e këtij sistemi, por data se kur do të nisë kjo nuk është përmendur.

Ky sistem nuk është njëlloj sikur sistemi ETIAS, i cili do të duhej të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.

ETIAS është një sistem i cili u kërkon shtetasve të vendeve të treta të regjistrohen në sistemin e saj para se të udhëtojnë drejt BE-së dhe të presin konfirmimin. Konfirmimin e marrin për një periudhë trivjeçare. /REL/ KultPlus.com

 ‘Bord de mer’ e Claude Monet u kthehet pronarëve pas 83 vitesh

 Një pikturë e piktorit francez me famë botërore, Claude Monet, e zhdukur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që mendohet se ishte vjedhur nga nazistët, iu kthye mbesave të pronarëve të saj të vërtetë pas 83 vitesh.

Sipas lajmeve të medias amerikane, një çift që jetonte në Austri ishte në kërkim të pikturës së Monet, “Bord de mer”, një nga veprat e tij të hershme, pasi ajo u zhduk nga magazina e tyre.

Byroja Federale e Hetimit (FBI) tha se një pikturë e një çifti që po largohej nga shtëpia e tyre në Vjenë gjatë Luftës së Dytë Botërore, u ble në ankand në vitin 1941.

Për pikturën mendohej se është vjedhur nga nazistët gjatë luftë dhe në vitin 1941 sërish është zhdukur, ndërsa më pas është rishfaqur në vitin 2016 në një ekspozitë në Francë. Vepra u ble më vonë nga një tregtar i gjërave antike me qendër në New Orleans, SHBA.

Duke mësuar se tregtari në fjalë ia shiti këtë pikturë një çifti që jetonte në shtetin e Uashingtonit, FBI nisi një hetim mbi rastin.

Çifti nxori në ankand veprën e Monet në Houston në vlerë prej mbi 500 mijë dollarë, por ia dorëzoi FBI-së pasi mësoi historinë e pikturës.

Edhe pse pronarët e vërtetë të veprës dhe fëmijët e tyre punuan gjatë gjithë jetës për të gjetur veprën, piktura “Bord de mer” iu kthye mbesave të tyre 83 vjet pasi u vodh./KultPlus.com

Shqipëria në qendër të vëmendjes në BIG Event Paris

Zv. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Sokol Duma, përfaqësoi vizionin e MEKI në eventin prestigjioz të organizuar nga BPI France (Banka Publike e Investimeve), ku u diskutuan tema kyçe për inovacionin dhe ekonominë kreative në Evropë.

Gjatë MasterClass-it me temën “Ndërthurja e Kulturës dhe Inovacionit në Shqipëri”, Duma ndau vizionin e tij për një Shqipëri ku kultura dhe teknologjia bashkëpunojnë për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe turizmin.

Ai theksoi potencialin e madh të industrisë kreative në Shqipëri, që mund të sjellë 600-700 milionë euro të ardhura dhe të krijojë 70-80 mijë vende pune në vit.

Në fjalën e tij, Duma diskutoi rolin e inovacionit, me theks të veçantë tek Inteligjenca Artificiale (AI), dhe rëndësinë e përmirësimeve në infrastrukturën dixhitale dhe energjetike për zhvillimin e kësaj industrie. Inovacioni teknologjik dhe kulturor mund të çojë në zhvillime që ndryshojnë rrënjësisht ekonominë, ashtu siç kanë bërë në të kaluarën shpikjet revolucionare si shtypi apo televizioni.

Duke i lidhur këto përparësi me zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, Shqipëria është e përkushtuar për të promovuar destinacione natyrore dhe kulturore unike./ KultPlus.com

Në fakultetin e Filologjisë u mbajt ‘Ora e shkrimtarit’ me Naim Kryeziun

Të mërkurën në sallën “Idriz Ajeti” në Fakultetin e Filologjisë u mbajt Ora e Shkrimtarit me Naim Kryeziun. 

Në këtë aktivitet letrar të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës morën pjesë studentë, profesorë, shkrimtarë dhe dashamirës të shumtë të librit.  

Aktiviteti letrar u moderua nga shkrimtari Ibrahim Berisha, i cili e prezantoi Naim Kryeziun si përkthyes, studiues e profesor i letërsisë gjermane në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. 

Në fillim të fjalës së tij, Berisha e vlerësoi angazhimin dhe kontributin e Naim Kryeziut në fushën e studimit të letërsisë krahasimtare, duke e dalluar librin e tij monografik për Hajnrih Hajnen, por edhe veprat tjera të përkthyera, madje duke e cilësuar si njërin ndër përkthyesit më të mirë nga gjuha gjermane në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. 

Në fushën e përkthimit letrar Naim Kryeziu ka përkthyer nga shqipja në gjermanisht vëllimet me poezi “Ndiz dritën magjike”, të Sali Bashotës, “Zogj të plagosur” të Agim Vincës dhe librin antologjik “Atëherë poeti tha” të poetëve Ali Podrimja, Ibrahim Berisha, Sali Bashota dhe Basri Çapriqi. Ndërkaq, nga gjermanishtja në shqip ka përkthyer librin e autores zvicerane Yvonne-Denise Köchli me titullin “Gra, edhe sa vjet doni të prisni?”, më pas romanin “Dyshimi” të shkrimtarit të shquar zviceran Friedrich Dürrenmatt, veprën eseistike me titullin “Vetëdija e fjalëve” të nobelistit Elias Kaneti, veprën “Shtatë legjendat” të shkrimtarit zviceran Gotfrid Kelerit, librin “Aforizma dhe citate të autorëve gjermanë, austriakë dhe zviceranë” etj.  

Për përkthimin e veprës me titullin “Vetëdija e fjalëve” të nobelistit Elias Kaneti i është dhënë çmimi i dytë nga Kancelaria Federale e Austrisë. Naim Kryeziu është marrë dhe merret vazhdimisht edhe me botimin e punimeve shkencore në fushën e letërsisë e të përkthimit letrar. 

Në ligjëratën e tij mjaft interesante, Naim Kryeziu, ofroi shembuj karakterizues që ndërlidhen me përkthimin e poezisë, prozës, esesë, dramës etj. Në këtë drejtim, fokusi i përqendrimit ishte te metoda e përkthimit dhe te rëndësia e një vepre që përkthehet me pasion dhe kënaqësi. Temë-dilemat shtrohen në relacione të caktuara: cili është kushti themelor për një përkthim të saktë,çfarë do të thotë të përkthesh një vepër, cilat janë sfidat e përkthimit letrar, pastaj a mund të përkthehet edhe poezia, a mund të zëvendësohet përkthyesi nga inteligjenca arificiale dhe si arrijmë deri te përkthimet e suksesshme? 

Më fund të ligjëratës nga të pranishmit iu bën shumë pyetje Naim Kryeziut, kryesisht pyetje për 
rëndësinë e përkthimeve të deritanishme, por edhe për projektet e reja në të ardhmen, ndërsa në përgjigjen e tij, përkthyesi Kryeziu, e dalloi projektin e Antologjisë së poezisë moderne shqipe në gjermanisht, i cili do të botohet në vitin e ardhshëm. 

Projekti Ora e Shkrimtarit, i cili gjatë muajve tetor dhe nëntor do të organizohet në disa qendra të Kosovës është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.    /KultPlus.com

Wilde: Gratë adhurojnë kur bien në dashuri, por kur humbasin adhurimin e tyre, ato humbasin gjithçka

KultPlus sjell disa nga thëniet e Oscar Wilde:

Të moshuarit besojnë se dinë, të moshës mesatare dyshojnë se dinë, të rinjtë mendojnë se i dinë të gjitha.

Përvoja është emri që u japim gabimeve tona.

Askush nuk është aq i pasur, sa të mund të blejë të kaluarën e vet.

Pas gotës së parë, i shikon gjërat ashtu siç do të doje të ishin. Pas gotës së dytë, i shikon gjërat ashtu siç nuk janë. Në fund i shikon gjërat ashtu siç janë në realitet, dhe kjo është gjëja më e shëmtuar në botë

Dallimi i vetëm ndërmjet shenjtorit dhe mëkatarit është që çdo shenjtor ka një të kaluar dhe çdo mëkatar një të ardhme.

Gratë adhurojnë kur bien në dashuri, por kur humbasin adhurimin e tyre, ato humbasin gjithçka.

Burrat gjithmonë duan të jenë dashuria e parë e një gruaje – gratë duan të jenë romanca e fundit e një burri.

Asnjë artist i madh nuk i sheh ndonjëherë gjërat si ato janë në të vërtetë. Nëse ai e bën këtë, ai do të jetë më artist.

Fytyra e njeriut është autobiografia e tij. Fytyra e një gruaje është vepra e saj artistike.

Dallimi në mes letërsisë dhe gazetarisë është se gazetaria është e palexueshme dhe letërsia nuk lexohet./KultPlus.com

Giuseppe Verdit, jo vetëm një kompozitor i madh i operës, por edhe politikan, vreshtar dhe i pasionuar i kuzhinës

Nga Albert Vataj

Ju mund të gumëzhitni me “La donna è mobile” në gjumë, dhe sigurisht e dini që Aida, Rigoletto dhe Nabucco nuk janë varietete të rrushit italian. Por a e dini se kompozitori i operës me famë botërore Giuseppe Verdi ishte gjithashtu një vreshtar, një deputet dhe një ushqimor i etur? Ne kemi zbuluar aspekte dhe fakte pak të njohura për kompozitorin.

1. “Nuk e di nëse kuarteti është i bukur apo jo, por e di që është një kuartet.”

Vetëm në moshën 60-vjeçare, Verdi shkroi kuartetin e tij të parë me harqe; gjoja nga mërzia se i duhej të ndalonte punën për Aidën. Kuarteti i tij i vetëm me harqe u shkrua në një dhomë hoteli në Napoli, megjithëse ai në fakt ishte i bindur se muzika instrumentale ishte “gjë e gjermanëve dhe kuarteti i harqeve një bimë që nuk i përshtatet klimës italiane”. Megjithatë, ai e prezantoi veprën e tij në mbrëmjen e 1 prillit 1873 (si një shaka 1 prilli?) në një darkë për miqtë, të cilët megjithatë me turp u kërkoi të mos i zinte gjumi. Por kur mbaroi, të ftuarit madje kërkuan që pjesa të përsëritej. Verdi tha: “Nuk e di nëse kuarteti është i bukur apo jo, por e di që është një kuartet”. Kërkesa minimale e plotësuar.

2. Goditje fatale dhe rrëzim

Bota e muzikës ishte pothuajse më e varfër nga kryeveprat e shumta operistike dhe meloditë tërheqëse. Në të 30-at e tij, Verdi ra në depresion pasi gruaja e tij e dashur Margherita dhe dy fëmijët e tij të vegjël vdiqën të gjithë brenda dy viteve. Kur opera e tij “Un giorno di regno” dështoi, ai thuhet se u zotua të mos kompozojë më kurrë. Menaxheri i teatrit dhe libretisti, Bartolomeo Merelli, megjithatë, arriti të ndryshojë mendje. Pasoi hiti i parë botëror i Verdit, “Nabucco”.

3. Verdi kundër Ëagner

As Aida pothuajse nuk arriti asgjë: Verdi fillimisht hodhi poshtë komisionin për një operë të bazuar në historinë e vajzës së mbretit etiopian. Vetëm kur zbuloi se vepra do t’i ofrohej Richard Ëagner-it, ai pranoi. Megjithëse ata ishin kompozitorët më me ndikim të operës në kohën e tyre dhe nuk u takuan kurrë personalisht, Verdi dhe Wagner kultivuan njëfarë mospëlqimi për njëri-tjetrin. Verdi tha për rivalin e tij: “Ai gjithmonë, pa nevojë, zgjedh rrugën e pashkelur, përpiqet të fluturojë atje ku një njeri i arsyeshëm do të ecte me rezultate më të mira”.

4. Giuseppe dhe Giuseppina

Në vitin 1839 Verdi takoi këngëtaren jashtëzakonisht të suksesshme të operës, Giuseppina Strepponi, e cila tashmë ishte mjaft e pavarur ekonomikisht në atë kohë për të financuar arsimimin e tre vëllezërve dhe motrave të saj dhe për të mbështetur nënën.

Të dy fillimisht jetuan së bashku në Paris dhe Itali, por më pas u martuan. Sindikata pati krizat e veta jo më pak për shkak të asaj që ndoshta nuk ishte thjesht një marrëdhënie platonike midis Verdit dhe primadonës Teresa Stolz. Një pajtim më në fund ndodhi ndërsa Verdi po punonte për Otello (operën e tij të parafundit).

Giuseppina tregoi se ishte një partnere e besueshme dhe negocioi për burrin e saj në Londër, për shembull. Shkrimtari hungarez Dezső Szomori tha për një takim me Verdis në 1894: “Një çift i bukur dhe simpatik që janë plakur së bashku në botën e muzikës”.

5. Verdi, politikani

Operat e Verdit me siguri mund të interpretohen politikisht – gjë që e bë atë shumë bashkëkohës. Prandaj, censuruesit përpiqeshin rregullisht të ndërhynin në veprat e tij. Por deri më sot, nuk mund të vërtetohet përfundimisht se sa shumë Verdi ishte i interesuar për politikën. Megjithatë, në vitin 1861, ai u zgjodh deputet në parlamentin e ri italian në Torino, ku shërbeu deri në vitin 1865.

6. Viva Verdi

Emri Verdi ishte megjithatë politik: në vitet e Risorgimento, lëvizjes së bashkimit italian, ai u përdor edhe si një frazë manifestimi. “Viva Verdi” u përkthye si “Viva Vittorio Emanuele Re d’Italia” (“Rroftë Vittorio Emanuele, Mbreti i Italisë”). Vittorio Emanuele II, Mbreti i Sardenjës-Piemonte në atë kohë, u bë kreu i lëvizjes së bashkimit. Me këtë slogan, mbështetësit mund t’i bënin homazhe mbretit.

7. Bujku i Shën Agatës

Verdit i pëlqente të flirtonte me faktin se ai ishte në të vërtetë një “fermer opere” dhe preferonte jetën e thjeshtë në fshat. Pas sukseseve të tij të para financiare, ai ndërtoi Villa Sant’Agata pranë vendlindjes së tij, ku iu përkushtua bujqësisë: ai mbarështoi kuaj, mbolli hardhi dhe ndërtoi pellgje në formën e inicialeve të tij G dhe V, të cilat ekzistojnë edhe sot.

8. Verdi i pasionuar i kuzhinës

Kompozitori me famë botërore Giuseppe Verdi, me sa duket ishte ai që ne sot do ta quanim një të pasionuar të të ngrënit. Në letra të shumta ai shkruante për pasionin e tij për ushqimin, jepte këshilla gatimi, fliste për receta dhe anekdota nga kuzhina. Ai u dërgonte miqve proshutë dhe djathë si një lloj ambasadori për rajonin e tij dhe organizonte dreka në vilën e tij. Specialiteti i tij me sa duket ishte rizoto alla Milanese.

9. Shtëpia Verdi

“Ndër veprat e mia që më pëlqen më shumë është shtëpia që kam ndërtuar në Milano për të strehuar këngëtarë të moshuar.” Në vitin 1889, Verdi porositi ndërtimin e një shtëpie pensionesh për muzikantët e varfër. Rreth moshës 50-vjeçare, vetë Verdi ishte aq i pavarur financiarisht sa ishte në gjendje të tërhiqej. Meqenëse mund të kujtonte kohë të ndryshme, sjellim në vëmendje ai u përfshi shumë në shoqëri dhe organizoi trajtime ushqimore për të varfërit. Rastësisht, shtëpia e tij e të moshuarve, Casa Verdi, ende strehon artistë dhe muzikantë edhe sot./ KultPlus.com

Kur Zogu falënderonte Ataturkun për telegramin e ngushëllimit me rastin e ndarjes nga jeta të nënës së tij

Nga Aurenc Bebja

Francë – 25 Nëntor 2022

“Istanbul” ka botuar, të hënën e 2 dhjetorit 1934, në ballinë, telegramin e falenderimit të mbretit Zog drejtuar askohe Mustafa Kemal Ataturkut me rastin e ndarjes nga jeta të nënës së tij Sadije (25 nëntor 1934), të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Burimi: gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Shkëmbim telegramesh

Në përgjigje të telegramit që Presidenti i Republikës i kishte dërguar me rastin e vdekjes së nënës së tij, Mbreti Zogu i Shqipërisë sapo i ka dërguar Gazit këtë shkresë :

Shkëlqesia e Tij Kemal Ataturku

President i Republikës turke

Ankara

Shumë i prekur nga ana e Shkëlqesisë suaj në marrjen pjesë në zinë time të madhe, ju kërkoj të pranoni falënderimet e mia më të sinqerta.

Zogu./ KultPlus.com

Ndërhyrje konservuese në Vilën e Athinasë në Apoloni dhe në Bazilikën B në Bylis

Misioni “Korpusi i Mozaikëve”, këtë vit është përqëndruar tek Vila e Athinasë në Parkun Arkeologjik Apoloni dhe Bazilika B në Parkun Arkeologjik Bylis.

Çdo vit në këto parqe ndërhyhet në një mozaik, në konservimin e tij, si edhe kryhet një studim i imtësishëm për mënyrën e ndërtimit, atelienë që ka punuar për të, materialet dhe teknikat.

Ky është një mision unik në Shqipëri, për të patur një korpus mozaikësh të Shqipërisë, i cili na njeh me këtë pasuri të paçmueshme.

Ky bashkëpunim midis dy institucioneve,  Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Qendrës Kombëtare për Studime Shkencore, Lindja dhe Mesdheu, CNRS- Paris, – Universiteti Sorbone-Paris IV ALCP është një pasuri shkencore dhe teknike për mozaikët në monumentet shqiptare.

Ekipi i “Korpusit të Mozaikëve” përbëhet nga 4 anëtarë, Marie- Patricia Reynolds, Anne Cavè, Klejdi Zguro dhe Didier Dubois./atsh/KultPlus.com

Botohet kompleti i librave të autorit Musa Ramadani

Krijimtaria e librave të autorit Musa Ramadani tani mund të gjindet në një komplet të plotë. Përvjeç librave të botuar më parë, në këtë komplet janë edhe dy drama që nuk kanë qenë të botuara më parë, përcjell KutlPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur Agron Gashi në një postim në Facebook.

Në vijim gjeni postimin e plotë:

MIRË SE ERDHE, MAESTRO!

Sot, të gjithë krijimtarinë e tij, botuar nga botues të ndryshëm, në kohë dhe vende të ndryshme, falë mbështetjes materiale të Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës, angazhimit të botuesit dhe përkushtimit të familjes, e keni në këtë komplet. Gjithashtu, edhe dy drama të pabotuara më parë.

Të lumtë, Berat Dakaj!/KultPlus.com

Së shpejti vjen premiera e pestë e BKK-së, “Terminal”

Baleti Kombëtar i Kosovës tashmë ka filluar provat për premierën e pestë të BKK për vitin 2024, “Terminal”, përcjell KultPlus.

Menjëherë pas kthimit nga Koreja e Jugut, balerinët e BKK-së kanë nisur përgatitjet për premierën “Terminal”, e cila pritet të shfaqet në muajin nëntor të këtij viti.

Koreografia vjen nga Evgeny Kozlov & Romane Petit. Muzika bëhet nga Andreas Moustoukis. Asistent i shfaqjes është Sead Vuniqi, ndërsa udhëheqëse e provave, Luljeta Ademi. Kostumografia është bërë nga Elva Bella, ndërsa videografia nga Feodoridi Maria. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në takimin me Kasanof kërkon nisjen e Dialogut Strategjik me SHBA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur në takim sot zv/Ndihmës Sekretarin e SHBA’së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.

Osmani ka thënë se është i nevojshëm dialogu strategjik me SHBA’në “si hap i rëndësishëm në fuqizimin e partneritetit”.

“Në takim u diskutua për forcimin e mëtejshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për t`i përmbushur synimet e përbashkëta strategjike. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj të thellë për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve ndaj Kosovës, duke shtruar nevojën e  dialogut strategjik me SHBA-në, si një hap i rëndësishëm në fuqizimin e partneritetit, kërkesë kjo që ka vite që është përcjellë nga Presidentja Osmani.”, thuhet në njoftimin e ZPRK’së.

Osmani ka folur për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke potencuar se një Kosovë e integruar në Aleancën Veri-Atlantike forcon sigurinë e vendit, por kontribuon edhe në stabilitetin e rajonit.”

Presidentja Osmani ka diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Në takimin me Kasanof, Presidentja Osmani diskutoi edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, siç është fusha e mbrojtjes dhe sigurisë.”

Kjo është vizita e parë e Kasanof në Kosovë./ KultPlus.com

“Testamenti” i Leka Bungos, komedia e zezë shfaqet edhe në teatrin “Zihni Sako” në Gjirokastër

“Testamenti” komedia e zezë e autorit dhe regjisorit Leka Bungo po shfaqet prej disa ditësh në skenën e teatrit “Zihni Sako” të Gjirokastrës.

Aktori i njohur Viktor Zhusti në rolin e Kuqos, solli një personazh që jeton në bunker me mendje të izoluar, komunist ende i lidhur me të kaluarën.

Ngjarjet që përshkojnë “Testamentin” nisin në vitin 1941 që prej themelimit të partisë komuniste e deri ne vitin 1990 kur regjimi diktatorial përmbyset.

Vepra përmes monologut të Zhustit analizon thellë realitetin politik, moral dhe etik të shoqërisë shqiptare në më shumë se 50 vjet. Situatat e humorit gati absurde ofrohen në rrethanat kur personazhit të vetëm të komedisë i duhet të jetojë rrethana dramatike të njëpasnjëshme.

“Një emocion krejtësisht i veçantë sepse për herë të parë në Gjirokastër kam ardhur i emëruar si aktor në vitin 1964  dhe fiks pas 60 vitesh  është kjo shfaqje po në skenën e teatrit  të Gjirokastrës dhe kjo gjë më krijoi një lidhje dhe një emocion  krejtësisht të veçantë dhe si duket  edhe spektatorët e ndjenë këtë dhe  prandaj edhe reagimi i tyre  ka qenë i veçantë dhe  emocional. Sidoqoftë unë i jam mirënjohës  dhe falënderues publikut  ku shkojmë dhe japim  shfaqje por  publikut të Gjirokastrës është një gjë krejtësisht e veçantë sepse unë  ndihem gjirokastrit”, thotë aktori.

Viktor Zhusti e ka cilësuar rolin e tij tek “Testamenti” si një ndër më të vështirët dhe më të arrirët e karrierës së tij artistike.

“Është një gjë krejt e veçantë nga të gjitha rolet që  kam bërë deri tani  por mesa duket  publiku e kupton sarkazmën e Bungos, paralelizmin  e kohëve  që nga diktatura, demokracia, neodemokracia, etj  edhe e pranon dhe reagon  në mënyrë tepër pozitive, ju e patë sot reagimin e sallës që ishte krejtësisht i veçantë”, shton ai.

Shfaqja në Gjirokastër ishte pjesë e turit artistik të komedisë “Testamenti”, e cila është prezantuar me sukses në disa skena teatrore, në qytete të ndryshme./TopChannel/KultPlus.com

“The white book” i autores Han Kang, shpërfaq pikëllimin brenda një qyteti të shkatërruar

Han Kang, fituesja e fundit e Çmimit Nobel për Letërsi pati sjellë dimensione të dyfishta të pikëllimit dhe kujtesës në romanin me titull “The White book”.

Ky libër vjen i përkthyer nga Deborah SmithDo ndërsa u publikua në Amerikë nga Hogarth në vitin 2019, transmeton KultPlus.

Një grua endet nëpër rrugët me borë në një qytet evropian i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore pësoi një zhdukje të madhe të njerëzve. Gjatë kësaj periudhe kur qyteti braktiset, ajo kujton vëllanë dhe motrën që nuk i takoi kurrë: fëmija i parë i nënës së saj vdiq “më pak se dy orë në jetë”. Vajza e vogël kishte një fytyrë të bardhë.

Han Kang, një shkrimtare nga Korea e Jugut në këtë libër sjellë dimensione të dyfishta të pikëllimit dhe kujtesës, duke ballafaquar përjetimin personal me atë historik. Në këtë libër më 128 faqe ajo ka arritur të modifikoj një libër dimri të përbërë nga fragmente të bukura dhe tërheqëse. Proza e saj shfaqet në një sekuencë jashtëzakonisht të lëvizshme të meditimeve mbi shkatërrimin, zhdukjen dhe rilindjen. Në mes të imazheve të akullit dhe hirit, orizit dhe kripës, reve dhe hënës, te të gjitha “gjërave të bardha” që nënkuptojnë vajtim në traditat koreane dhe në traditat e tjera aziatike, gruaja mëson se si “të ndez një qiri për të gjitha vdekjet dhe shpirtrat që ajo mund t’i kujtoj, duke përfshirë edhe shpirtin e saj”./ KultPlus.com

Feminizmi dhe zhvillimi i tij në tri valët e mëdha

Gratë kanë qenë ato që gjatë gjithë kohës u është dashur të luftojnë për të drejtat e tyre. Të luftojnë për atë që do të duhej ta kishin e të konsiderohej asgjë më pak e as më shumë se normale.

Feminizmi si frymë ka ekzistuar qysh moti, sepse njeriu është i lindur dhe i prirur të kërkojë e të mbrojë lirinë e vet, kur ajo mirret apo tenton të mirret nga të tjerët pa të drejt, shkruan KultPlus.

Në vijim, KultPlus ju sjell një histori të shkurtër rreth zhvillimit të feminizmit ndër vite.

Charles Fourier, një socialist utopik dhe filozof francez, i njihet merita se ka shpikur fjalën “féminisme” në vitin 1837 [5]. Fjalët “féminisme” (“feminizëm”) dhe “féminist” (“feminist”) për herë të parë u paraqitën në Francë dhe Hollandë në vitin 1872[6], Në Britani të Madhe në vitet 1890ta, dhe në Shtetet e Bashkuara në vitin 1910[7][8], dhe Fjalori Anglisht i Oksfordit e liston vitin 1852 si viti kur për herë të parë u paraqit fjala “feminist”[9] ndërsa vitin 1895 për fjalën “feminizëm” [10].

Varësisht nga momenti historik, kultura dhe vendi, feministet në mbarë botën kanë pasur shkaqe dhe qëllime të ndryshme. Shumica e historianëve feministë nga perëndimi pohojnë se të gjitha lëvizjet që punojnë për të marrë të drejtat e grave duhet të konsiderohen si lëvizje feministe. /KultPlus.com

UNICEF: Një ndër tetë vajza përdhunohet ose abuzohet seksualisht para moshës 18 vjeçare

Më shumë se 370 milionë vajza dhe gra, ose një ndër tetë në mbarë botën, kanë përjetuar përdhunim, ose abuzim seksual para moshës 18 vjeç, tha të mërkurën UNICEF, Agjencia e OKB-së për Fëmijët.

Kjo shifër arrin në 650 milionë, ose një ndër pesë, nëse llogariten format “pa kontakt direkt” të dhunës seksuale, si abuzimi në internet ose ai verbal, njofton UNICEF-i në sondazhin e parë global të këtij lloji.

Sipas raportit, ndërsa vajzat dhe gratë janë më të prekurat, 240 milionë deri në 310 milionë djem dhe burra, ose rreth 1 ndër 11, kanë përjetuar përdhunim ose sulm seksual gjatë fëmijërisë.

“Shkalla e kësaj shkeljeje të të drejtave të njeriut është e jashtëzakonshme dhe ka qenë e vështirë që të vlerësohet plotësisht për shkak të stigmës, sfidave të dokumentimit të rasteve dhe investimeve të kufizuara në mbledhjen e të dhënave,” tha UNICEF-i në prezantimin e raportit.

Publikimi i tij vjen në prag të një konference globale për t’i dhënë fund dhunës kundër fëmijëve që do të mbahet në Kolumbi muajin e ardhshëm.

UNICEF tha se përfundimet e raportit nxjerrin në pah nevojën urgjente për një veprim të intensifikuar global, përfshirë forcimin e ligjeve dhe ndihmën ndaj fëmijëve në mënyrë që ata të njohin dhe raportojnë dhunën seksuale.

UNICEF thotë se dhuna seksuale i kapërcen kufijtë gjeografikë, kulturorë dhe ekonomikë, por shton se Afrika Nën-Sahariane ka numrin më të madh të viktimave, me 79 milionë vajza dhe gra të prekura, ose 22%.

Azia Lindore dhe ajo Juglindore pasojnë me 75 milionë, ose 8%. Në të dhënat për gratë dhe vajzat, UNICEF vlerësoi se 73 milionë, ose 9%, ishin të prekura në Azinë Qendrore dhe Jugore; 68 milionë, ose 14%, në Evropë dhe Amerikën e Veriut; 45 milionë, ose 18%, në Amerikën Latine dhe Karaibe, dhe 29 milionë, ose 15%, në Afrikën Veriore dhe Azinë Perëndimore. Rajoni i Oqeanisë, me 6 milionë, kishte numrin më të madh të prekur nga përqindja, me 34%.

Rrezikshmëria më e lartë, me 1 ndër 4 vajza ose gra të prekura, ishte në “mjedise të brishta”, përfshirë ato me institucione të dobëta, ku janë të vendosura forca paqeruajtëse të OKB-së ose me një numër të madh refugjatësh, sipas raportit.

Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it Catherine Russell e quajti dhunën seksuale ndaj fëmijëve “një njollë në ndërgjegjen tonë morale”.

“Shkakton trauma të thella dhe të qëndrueshme, shpesh kryhet nga dikush të cilin fëmija e njeh dhe e beson, në vende ku duhet të ndihet i sigurt”, tha zonja Russell.

UNICEF-i tha se rastet më të shumta të dhunës seksuale mes moshave të mitura, ndodhin gjatë adoleshencës, veçanërisht midis moshës 14 dhe 17 vjeç, dhe ata që e vuajnë atë ekspozohen janë më të prirur të preken nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, abuzimi me alkool dhe drogë dhe probleme të shëndetit mendor.

“Pasojat amplifikohen kur fëmijët nuk e tregojnë menjëherë përvojën e tyre … ose e mbajnë plotësisht të fshehtë abuzimin,” thotë raporti.

UNICEF-i thotë se rritja e investimeve në mbledhjen e të dhënave është e nevojshme për të përcaktuar shkallën e plotë të problemit, duke pasur parasysh mangësitë e vazhdueshme të të dhënave, veçanërisht për djemtë.

UNICEF-i tha se i ka bazuar vlerësimet për përvojat e vajzave dhe grave në sondazhet kombëtare të kryera në periudhën 2010 – 2022 në 120 vende dhe rajone. Ndërsa vlerësimet për djemtë dhe burrat janë bazuar në një gamë më të gjerë burimesh për të dhënat dhe tek disa metoda indirekte. /VOA/ KultPlus.com

Fjalët e Qiririt

Naim Frashëri

Në mes tuaj kam qëndruar
e jam duke përvëluar,
që t’u ap pakëzë dritë,
natënë t’ua bënj ditë.

do të tretem, të kullohem,
të digjem, të përvëlohem,
që t’u ndrinj mir’ e të shihni,
njëri-tjatërin të njihni.

për ju do të rri të tretem,
asnjë çikë të mos mbetem,
të digjem e të qanj me lot,
se dëshirën s’e duronj dot.

unë zjarrit nuk i druhem
dhe kurrë s’dua të shuhem,
po të digjem me dëshirë,
sa të munt t’u ndrinj më mirë.

kur më shihni se jam tretur,
mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall’ e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,

unë jam në shpirtin tuaj,
mos më kini për të huaj,
m’është falurë durimi,
andaj po digjem si trimi,

se ma k’ënda t’u bënj mirë,
të mos mbeti n’errësirë.
jakëni rreth meje rrini,
flisni, qeshni, hani, pini,

në shpirt kam dashurinë,
pa digjem për njerëzinë,
lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,

dua ta djek trupn’ e kretë
për atë zotn’ e vërtetë.
me zjarr ta djek mushkërinë
e të tretem për njerinë,

bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
unë dua njerëzinë,
mirësin’ e urtësinë.

në bëhi shokë me mua,
në më doni si u dua,
njëri-tjetërin në doni,
të paudhë mos punoni.

o zëmëra fluturake,
qasju pakë kësaj flake!
mase krahët t’i përvëlon,
po dhe shpirtin ta shënjtëron.

unë duke përvëluar,
njerëzit i kam ndrituar.
kam qënë mik me njerinë,
andaj i di e më dinë.

gjithë tuajt’ i kam parë,
mëm’ e at’ e fis e farë,
si tani gjithë i kam ndër mënt,
që rrininë më këtë vënt.

edhe sot nër ju ata shoh,
se shpirtin e tyre ua njoh,
dhe unë si ju jam ndruar
e jam përzjer’ e ndryshuar,

pa jam bërë shumë herë
zjar e uj’ e balt’ e erë.
jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.

edhe ndër qiej fluturonj,
edhe brënda në det qëndronj,
shumë herë fle në baltë,
diku ndodhem dhe në mjaltë

bënem qëngj e kec i pirë,
lul’ e bar e gjeth i mbirë.
dua shumë fjalë t’u them,
po trëmbem mos i bënj ujem.
e ku shkruhenë në kartë
fjalët’ e gjuhësë zjarrtë? / KultPlus.com