Fotografi nga protesta studentore e 1 tetorit 1997 (FOTO)

Protestat e 1 tetorit të vitit 1997 kanë luajtur rol të madh në atë se si sot është formuar shoqëria kosovare. Kanë kaluar 26-të vite qëkur studentët e Universitetit Paralel asokohe të Prishtinës, protestuan për të drejtat e tyre, dhe për të drejtat e njeriut kosovar në Kosovën e atëhershme.

Lëvizja Studentore e 1997 e drejtuar nga Bujar Dugolli, Milot Cakaj, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Hajrullah Koliqi, Fetah Jagxhiu, Ahmet Gecaj dhe Albin Kurti, e përkrahur dhe nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, si dhe nga disa profesorë, i pati dhënë fund politikës paqësore të popullit shqiptar ndaj regjimit serb.

Kjo lëvizje vlerësohet se ka sensibilizuar opinionin ndërkombëtar se UÇK-ja buronte nga populli liridashës i Kosovës.

Me 1 tetor 1997, mijëra studentë por edhe nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë të shumtë kishin protestuar në Prishtinë për të kërkuar lirimin e objekteve të UP-së nga regjimi serb, i cili i kishte dëbuar studentët shqiptarë nga objektet e tyre universitare.

Fotografitë në këtë tekst janë marrë nga Prishtina Film Rolls në Instagram./ KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve

Sot, shënohet Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve.

Me qëllim të sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar për rritjen e pjesëmarrjes së grupmoshave të vjetra (moshuara) në popullsinë e përgjithshme dhe pasojave nga një zhvillim i tillë, me qëllim të zhvillimit të një shoqërie për të gjitha moshat, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 14 dhjetor 1990, vendosi 1 tetorin si Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve.

Dita Ndërkombëtare e të Moshaurve është si vazhdimësi e planeve dhe nismave, siç ishte Plani Ndërkombëtar i Veprimit për Moshimin, i cili u miratua në vitin 1982 në Vjenë.

Shënimi i parë i kësaj dite fillon nga 1 tetori i vitit 1991, viti në të cilin Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Parimet e Kombeve të Bashkuara për të Moshuarit, ndërsa në vitin 2002, në Madrid u miratua Plani (II) Ndërkombëtar i Veprimit për Moshimin në kërkim të mundësive për përgjigje të këtyre sfidave./KultPlus.com

81 vite nga lindja e veprimtarit të shquar shqiptar, Jusuf Gërvallës

Sot janë bërë 81 vite nga lindja e veprimtarit të shquar shqiptar, Jusuf Gërvalla.

Jusuf Gërvalla ka lindur në Dubovik, më 1 tetor 1943. Ai ka qenë veprimtar, shkrimtar dhe muzikant shqiptar, si dhe themelues i grupit irredentist Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.

Lindi në Burrëmadhi, në komunën e Deçanit. Shkollimi i lartë tij vijoi në Prishtinë e Ljubjanë, më pas punoi si gazetar në Shkup e Prishtinë. Një nacionalist i zëshëm, hyri në radarin e Policisë sekrete jugosllave, duke u shtytur të kërkonte azil në Gjermani ku themeloi Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës që më pas u nda në dy fraksione Lëvizja Popullore e Kosovës dhe Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, të mbramin e kryesonte Gërvalla.

Më 18 janar 1982, Jusufi bashkë me të vëllanë, Bardhoshin, dhe Kadri Zekën u vranë nga shërbimi sekret Jugosllave në lokalitetin Untergruppenbach pranë Shtutgartit në Gjermaninë Perëndimore asokohe.

Disa prej veprave letrare të tij të cilat janë të botuara: Fluturojnë e bien (1975), Kanjushë e verdhë (1978), Shtëpia në kornizë, Skena nga jeta e fshatit, Shenjat e shenjta (1979), Jusuf Gërvalla: Vepra Letrare, PrishtinëOra, 1992/KultPlus.com

Presidentja Osmani udhëtoi për vizitë pune në Gjermani, takohet me Presidentin Steinmeier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Gjermani. Gjatë kësaj vizite do të ketë takim pune me presidentin e Gjermanisë, Frank Walter- Steinmeier.

Gjithashtu, Presidentja Osmani do të realizojë takime të ndara me ministra e deputetë gjermanë.

Presidentja Osmani do të jetë  folëse në sesionin Dialogu i Liderëve në kuadër të Berlin Global Dialogue me ç’rast do të diskutojë në temën: “Rimendimi i qëndrueshmërisë – përgjigjja ndaj ndryshimeve gjeopolitike”.

Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja Osmani do të marrë pjesë edhe në ceremoninë hapëse të Festivalit Shqiptar të Gastronomisë në Berlin me ç’rast do të mbajë fjalim para pjesëmarrësve.

Ndryshe, Presidentja Osmani vizitën zyrtare bilaterale në Gjermani me ftesë të Presidentit Steinemier e ka realizuar në shtator të vitit 2021 ku është pritur me nderime ushtarake. Pas vizitës zyrtare bilaterale, ajo gjatë kësaj periudhe tre vjeçare ka pasur edhe një sërë takimesh pune e telefonata me Presidentin Steinmeier, i cili është përkrahës i fuqishëm i të ardhmes euroatlantike të vendit tonë./KultPlus.com

27 vite nga protestat studentore të vitit 1997

Sot janë bërë 27 vite nga prostestat e Lëvizjes Studentore të vitit 1997.

Më 1 tetor 1997, Lëvizja Studentore kishte organizuar protesta, për të kundërshtuar pushtimin serb në Kosovë, si dhe për të rikthyer studentët në objektet universitare, të cilët atëkohë ishin dëbuar nga regjimi serb i cili në krye kishte Sllobodan Millosheviqin.

Në fillim të viteve të 90-ta, regjimi serb kishte vendosur masa të dhunshme, duke imponuar plan-planprogram serb, e po ashtu duke dëbuar studentë e profesorë shqiptar nga Universiteti i Prishtinës.

Kjo ngjarje shënon një datë të rëndësishme të asaj kohe, e cila ishte paraprijëse për rrjedhën e ngjarjeve të tjera deri në qlirimin dhe pavarësimin e shtetit të Kosovës. /KultPlus.com

Media italiane “Gaeta.it”: Gjithnjë e më shumë italianë po zgjedhin Shqipërinë për pushime

Gjithnjë e më shumë italianë po zgjedhin Shqipërinë, por a është vërtet një vend i përshtatshem për të jetuar atje?

Kohët e fundit, shumë italianë kanë zgjedhur të jetojnë në një vend jashtë BE-së – që ofron një kosto më të ulët jetese dhe që nuk është shumë larg vendit të tyre, shkruan Mattia Senese në një artikull të botuar në të përditshmen italiane “Gaeta.it”.

Shumë prej tyre, në fakt, kanë treguar interes për vendet e Ballkanit, veçanërisht Shqipërinë.

Vitet e fundit, numri i turistëve italianë është rritur në mënyrë dramatike, pavarësisht se ata jetojnë në anën tjetër të Adriatikut.

Kostot e qëndrimit në Shqipëri janë pothuajse sa gjysma e atyre në Itali.

Kjo është arsyeja pse shumë prej tyre kanë zgjedhur Shqipërinë për të jetuar. Por, a ia vlen vërtet?

Shqipëria ka një ekonomi në zhvillim dhe për momentin shumë shërbime kanë ende një kosto shumë të ulët.

Gjatë verës, në mes të korrikut dhe gushtit, ju mund të merrni me qira një dhomë për dy persona në një hotel – me mëngjesin e përfshirë – për më pak se 70 euro.

Një ditë në plazh me çadër dhe shezlong kushton më pak se 20 euro për dy persona.

Gjithashtu, ju do të keni mundësi të vizitoni plazhe të bukura dhe detin e kristaltë, si Dhërmiu, Himara dhe Saranda.

Një vakt në një restorant lokal kushton mesatarisht 25 euro për dy persona, çmimi është pak më i lartë nëse porosisni peshk – dhe më pak nëse i referohemi një picerie.

Sipas analistëve, italianët e shohin Shqipërinë e sotme me njëfarë melankolie – në fund të fundit, deti Adriatik, plazhet, kuzhina, kthejnë pas në kohë vendpushimet italiane me çmimet e 20 viteve më parë.

Sipas një studimi të fundit, shumë italianë kanë hequr dorë nga pushimet në vendin e tyre – për shkak të çmimeve të larta, duke preferuar destinacionet e huaja.

Për të bërë një krahasim, një javë në Shqipëri për dy persona kushton 500 euro – një shifër e paimagjinueshme në Itali, ku e njëjta shumë do të shpenzohej vetëm për hotelin.

Pra, përgjigjja do të ishte: Po, Shqipëria është shumë e përshtatshme dhe ia vlen të përfshihet në listën e destinacioneve të pushimeve për vitin e ardhshëm./atsh/KultPlus.com

Vjosa në programin “Njeriu dhe Biosfera”, Kumbaro firmos dosjen që do të dorëzohet në UNESCO

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro firmosi sot dosjen e përgatitur për t’u dorëzuar në UNESCO për përfshirjen e Parkut Kombëtar Lumi Vjosa në programin “Njeriu dhe Biosfera”.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Kumbaro theksoi se “nuk mund ta nisja më mbarë këtë javë se sa duke firmosur dosjen që po nisim në UNESCO. Vjosa do të regjistrohet në kategorinë e re “Njeriu dhe biosfera”. Është një nga kategoritë më interesante që ka UNESCO, kur bëhet fjalë për zona të mbrojtura natyrore, ku njeriu bashkëjeton me natyrën. Pas një pune shumë të gjatë që ka ecur paralel me planin e menaxhimit të parkut kombëtar të Vjosës. Ka ecur paralel me përgatitjet për qendrën e vizitorëve, punën për të cilën e nisim brenda vitit”.

“Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me ekspertët e unionit ndërkombëtar për zonat e ruajtura natyrore dhe me ekspertët e UNESCO-s dosjen e kanë bërë gati. Tani fillon një proces bashkëpunimi me ekspertë e UNESCO-s në Paris dhe me besimin e plotë se në mbledhjen e ardhshme të Komitetit të Trashëgimisë Natyrore, Vjosa do të marrë edhe këtë patentë të re. Për ta rritur emrin e vet për t’i përfshirë komunitetet, por edhe për të ardhur me produkte te reja për secilën nga zonat që shtrihen në pellgun e Vjosës, përfshirë të gjitha bashkitë e qarkut Gjirokastër, nga Libohova, Dropulli, Gjirokastra deri në lumin Drino, Përmet, Këlcyrë, Tepelenë, Memaliaj, por edhe Fier, Selenicë e Vlorë, për të shkuar në grykëderdhjen e saj”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro shprehu falënderimet për të gjithë aktorët që nga shoqëria civile, deri tek banorët lokalë që kanë ruajtur të paprekura vlerat e Vjosës.

“Kjo dosje është kontribut i tyre”, shtoi ajo.

Dosja për përfshirjen e Parkut Kombëtar të Lumi Vjosa në programin “Njeriu dhe Biosfera” është një punë e imtësishme dhe e mirëkoordinuar e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura me ekspertët e UNESCO dhe Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës, IUCN, që shkon paralelisht me miratimin e Planit të Integruar të Menaxhimit dhe Qendrën Multifunksionale të Vizitorëve të Vjosës, duke krijuar shtigje të reja për krijimin e produkteve të turizmit në përputhje me zhvillimin e qëndrueshëm dhe ruajtjes së vlerave të trashëguara nga komunitetet lokale./atsh/ KultPlus.com

Ngrohja e oqeaneve është pothuajse dyfishuar që nga viti 2005

Shkalla e ngrohjes së oqeaneve është pothuajse dyfishuar që nga viti 2005 dhe më shumë se një e pesta e sipërfaqes së oqeaneve në botë do të përjetojë një valë të fortë nxehtësie në vitin 2023, sipas një raporti nga Observatori Evropian ”Copernicus”, i botuar sot.

“Ngrohja e oqeaneve mund të konsiderohet rojtarja jonë e ngrohjes globale”, thuhet në raport.

”Ajo është rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga vitet ’60. Dhe që nga viti 2005, shkalla e ngrohjes së oqeaneve është dyfishuar”, tha gjatë një videokonference oqeanografja, Karina Von Schuckmann duke paraqitur raportin mbi gjendjen e oqeaneve./ atsh/ KultPlus.com

Poezia e lamtumirës dedikuar Aleksandër Moisiut nga piktorja Veronica Haigh

Nga Aurenc Bebja, Francë – 3 Janar 2022

“Drama” ka botuar, në prill të 1935, në faqen n°126, poezinë e piktores Veronica Haigh dedikuar asokohe Aleksandër Moisiut me rastin e ndarjes nga jeta të aktorit të famshëm me origjinë shqiptare, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Burimi : Drama, prill 1935, f.126
Burimi : Drama, prill 1935, f.126

LAMTUMIRË DHE AVE ALEKSANDËR MOISI !

Në këtë vdekje të vetme sa vdekje ka!

Kështu vdes drita e ditës me një yll të vetëm

Dhe gjysma e njerëzimit tani fshihet

Pas disa të rënëve prej këtyre syve;

Mbret, subjekt, lypës, shenjtor, poet dhe klloun,

Të gjithë në këtë përmbysje janë goditur.

Por, duke menduar për vdekjen e Moisiut, është e vërtetë

Që me vdekjen e tij vdesin edhe një turmë,

Por kush vajton Moisiun, nuk e vajton më shumë

Si Hamleti, Fedja apo një mori

heronjsh të rënë – Jo! Kush e njihte nuk ka zgjidhje

Por duke vajtuar Moisiun, vajtojmë më shumë zërin e tij.

Sa aktor i mrekullueshëm është ky aktor akoma!

Duke na mashtruar, që të mos harrojmë fuqinë e tij;

Këtu ai shtrihet i pajetë, që mund të shkaktohet nga arti,

Vdekja i ka ofruar atij një pjesë (rol) tjetër,

Të cilën ai e interpreton me mjeshtëri të palëkundur.

Pjesa tjetër është heshtje – Gjithkush është ende.

VERONICA HAIGH

https://www.darsiani.com/la-gazette/drama-1935-poezia-e-lamtumires-dedikuar-aleksander-moisiut-nga-piktorja-veronica-haigh/ / KultPlus.com

Burimi i fotografisë : Aleksandër Moisiu në “Hamletin”, Teatro (1910), f.996

Rama: Pamje plot adrenalinë nga Mali i Tomorit

Mali i Tomorit ofron mundësinë për të eksploruar sporte të ndryshme si shëtitje, kalërim, kanoe dhe ski, e deri te ngjitjet në këmbë përmes shpateve që janë krijuar enkas për këtë disiplinë.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje ku disa të apasionuar pas shëtitjeve me motor ngjisin shpatet e malit 24216 metra të lartë.

“Pamje plot adrenalinë nga Mali i Tomorit”, shkruan kryeministri në postimin në rrjetet sociale.

Tomori është një mal në verilindje të qytetit të Çorovodës në Shqipëri. Me majën më të lartë 2416 metra ngrihet vetmitar në një rrafshinë pa fqinjë që ta rivalizojnë dhe zotëron kështu pamjen nga të gjitha pikat e horizontit.

Kjo e bën atë madhështor, si e bëjnë të bukur livadhet malore, e të frikshëm majat e thepisura shkëmbore, humnerat e thella dhe stuhitë e befasishme./atsh/ KultPlus.com

Fragment nga ‘Anna Karenina’, Leo Tolstoy

KultPlus ua risjell një fragment nga kryevepra e Leo Tolstoy ‘Anna Karenina’

“Zemra e trembur dhe e ngazëllyer i tha se ishte ajo. Kishte qëndruar dhe po bisedonte me një zonjë në anën tjetër të sheshit. Si në të veshur, ashtu edhe në sjelljen e saj nuk kishte asgjë të veçantë, por Levini e njohu  menjëherë mes tollovisë si trëndafilin mes hithrave.

Sheshi shëndriste nga ajo, buqëshja e saj ledhatonte çdo gjë përreth. “Pse, a mundem t’i afrohem, ti qëndroj pranë në akull?” tha me vete. Ai vend i saj iu duk i shenjtë, aty s’mund të shkelte këmba e tij; qe një qast sa për pak iku, aq u frik.

Me sforcim të madh e përmbajti veten, arsyetoi: meqë rreth saj silleshin gjithfarë njerëzish, edhe ai mund të shkonte të bënte patinazh. U lëshua tatëpjetë kodrës, u përpoq të mos e shihte, siç bëjmë me diellin, por ja që e shihte, siç e shohim diellin edhe pa e vështruar.”/KultPlus.com

‘Miku im më i mirë është ai i cili e nxjerr më të mirën nga unë’

Dhjetë thënie inspiruese nga Henry Ford:

“Dështimi është vetëm mundësia që të fillosh edhe njëherë në mënyrë më të mençur”

“Miku im më i mirë është ai i cili e nxjerr më të mirën nga unë”

“Mos e gjej gabimin, por gjeje ilaçin; gjithsecili mund të ankohet”

“I vetmi gabim i vërtetë është ai prej të cilit ne nuk mësojmë asgjë”

“Jeta është një varg i përvojave, ku secila prej tyre na bënë më të mëdhenjë, edhe pse kjo është e vështirë për tu kuptuar. Sepse bota ishte ndërtuar për ta zhvilluar karakterin, prandaj ne duhet ta mësojm se pengesat dhe shqetësimet të cilat i durojmë, na ndihmojnë në marshimin tonë përpara”

“Një biznes që nuk bënë asgjë tjetër përveç parasë, është një biznes i varfër”

“Paratë nuk e ndryshojnë njeriun, ato vetëm e demaskojnë atë. Nëse një njeri për nga natyra është vetiak, arrogant ose lakmitar, paratë vetëm i shpërfaqin këto, kjo është e gjitha”

“Nuk ke nevojë të mbash ndonjë pozitë për të qenë një lider”

“A dëshironi ta dini shkaktarin e luftës? Është kapitalizmi, lakmia, uria e ndyrë për dollarë. Largojëni kapitalistin dhe do ta largoni edhe luftën nga toka”

“Një idealist është personi që i ndihmon të tjerët të jenë prosperues”. /KultPlus.com

‘Kur ra zilja m’zuri frika, profesori hyri n’mësim’ nga Eranda Libohova (VIDEO)

Eranda Libohova është këngëtare shqiptare e cila ka lindur në Tiranë. Ajo ka një karrierë të bujshme muzikore, me mbi 10 albume me këngë shqipe. Ne spektaklin “Kënget e Shekullit” përzgjidhet në dhjetë këngetaret më të mira.

Sonte, për të gjithë adhuresit e këngës së saj, KultPlus ju sjell këngën “Lemza”:

Kur ra zilja m’zuri frika
profesori hyri n’mësim
për qudi se s’më ra pika
kur ai thirri emrin tim
unë as një fjalë se kisha mësuar
se mbrëmë në takim isha me të
por nisi lemza e bekuar
n’dërras të zezë shihja dy sy
ohoho oho mos më mundo
oho të lutem mos
ohoohoo
lalalalalalalalalalalalalalalalalalalaalala

Ç’ më kujton kaq shpesh more djalo
o lem moj lemzë më lerë të qetë
turpi i madh kur sdin një fjalë
edhe lemzën kisha n’rend
lem moj lemzë se mbarova
çdo mësim do ta mësoj
po t’jap fjalën po mbarova
në takim me shpesh do të shkoj, në takim më shpesh do të shkoj, në takim më shpesh do të shkoj

ohoho oho mos më mundo
oho të lutem mos
ohoohoo
lalalalalalalalalalalalalalalalalalalaalala/ KultPlus.com

Ka poetë që s’dinë të përkthejnë

Lasgush Poradeci

S’ka gjuhë që s’mund të përkthejë, por ka poetë që s’dinë të përkthejnë, ashtu siç ka poetë që s’dinë të bëjnë poezi. Po a ka gjuhë më pak poetike se frëngjishtja që i ka të gjitha fjalët oksitone? Po mos ka qenë pengesë kjo gjuhë që të nxjerrë poetë aq të mëdhenj? Po a ka gjuhë më pak poetike se anglishtja, me gjithë ato fjalë monosilabike? Po mos ka qenë pengesë kjo gjuhë për ata poetë të mëdhenj të Anglisë?

Ku pyet poeti! Dhe ca më pak s’pyet poeti shqiptar! Se shqipja ka mundësira të pakufishme për të krijuar dhe për të përkthyer. Ajo ka fjalë të shkurtra, të gjata, oksitone, paraoksitone, proparaoksitone, ç’të duash ka! Nga mundësitë që krijon gjuha shqipe ua kalon shumë gjuhërave të botës dhe mund të krahësohet me gjermanishten. Prandaj s’ka faj gjuha, po ku është poeti?

(Marrë nga profili i Marie Poradeci) / KultPlus.com

‘Ditët evropiane të trashëgimisë kulturore’, çelet në Korçë ekspozita “Ikonat e Diço Zografit”

Në kuadër të ditëve evropiane të trashëgimisë kulturore është çelur në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë ekspozita me titull “Ikonat e Diço Zografit, koleksioni i Muzeut Historik Kombëtar”. Ideja për organizimin e kësaj ekspozite lindi nga hulumtimet e bëra në fondet e pa ekspozuara të Muzeut Kombëtar Historik duke nxjerrë në dritë veprat e ikonografit të cilat janë kryesisht ikona të ikonostasit të kishës së Shën Kollit në Elbasan.

Në javën e Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore, Tema e vitit 2024 “Rrugë, rrjete, dhe lidhje”, qëndron më së miri në aktivitetin e organizuar midis Muzeut Historik Kombëtar dhe Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, ku trashëgimia jonë kulturore tregon lidhjen e thellë midis popujve, kulturave dhe promovon në mënyrën e duhur rrjetet dhe bashkëudhëtimet e vlerave të përbashkëta në shekuj, si janë ato midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. / BalkanWeb/ KultPlus.com

Shkrirja e akullnajave nga ndryshimet klimatike ‘përplas’ shtetet/ Zvicra dhe Italia rishikojnë kufirin në Alpe

Zvicra dhe Italia kanë rivizatuar një pjesë të kufirit të tyre në Alpe për shkak të shkrirjes së akullnajave, të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.

Një pjesë e zonës së prekur do të jetë nën Matterhorn, një nga malet më të larta të Evropës, dhe afër një numri vendpushimesh të njohura të skive.

Seksione të mëdha të kufirit zvicerano-italian përcaktohen nga kreshtat e akullnajave ose zona me borë të përhershme, por shkrirja e akullnajave ka bërë që këta kufij natyrorë të zhvendosen, duke çuar në përpjekjen e të dy vendeve për të korrigjuar kufirin.

Zvicra miratoi zyrtarisht marrëveshjen për ndryshimin të premten, por Italia ende nuk e ka bërë të njëjtën gjë. Kjo pason një projekt-marrëveshje nga një komision i përbashkët zvicerano-italian në maj 2023.

Statistikat e publikuara shtatorin e kaluar treguan se akullnajat e Zvicrës humbën 4% të vëllimit të tyre në vitin 2023, humbja e dytë më e madhe ndonjëherë pas shkrirjes rekord të vitit 2022 prej 6%.

Një raport vjetor lëshohet çdo vit nga Rrjeti Zviceran i Monitorimit të Akullnajave (Glamos), i cili ia atribuon humbjet rekord verërave shumë të ngrohta të njëpasnjëshme dhe reshjeve shumë të ulëta të borës të dimrit të vitit 2022. Studiuesit thonë se nëse këto modele të motit vazhdojnë, shkrirja vetëm do të përshpejtohet.

Të premten, Zvicra tha se kufijtë e ripërcaktuar ishin hartuar në përputhje me interesat ekonomike të të dyja palëve.

Mendohet se qartësimi i kufijve do t’i ndihmojë të dy vendet të përcaktojnë se cili është përgjegjës për mirëmbajtjen e zonave specifike natyrore.

Kufijtë zvicerano-italian do të ndryshohen në rajonin e Plateau Rosa, strehën Carrel dhe Gobba di Rollin – të gjitha janë afër Matterhorn dhe vendpushimet e njohura të skive duke përfshirë Zermatt.

Ndryshimet e sakta të kufijve do të zbatohen dhe marrëveshja do të publikohet pasi të dyja vendet ta kenë nënshkruar.

Zvicra thotë se procesi i miratimit për nënshkrimin e marrëveshjes është në proces në Itali.

Vitin e kaluar, Glamos paralajmëroi se disa akullnaja zvicerane po zvogëlohen aq shpejt sa nuk ka gjasa që ato të shpëtohen, edhe nëse temperaturat globale mbahen brenda objektivit të rritjes prej 1,5 gradë celcius të marrëveshjes së Parisit.

Ekspertët thonë se pa një reduktim të gazeve serrë të lidhur me paralajmërimin global, akullnajat më të mëdha si Aletsch – që nuk është në kufi – mund të zhduken brenda një brezi.

Një çizme dhe pajisje ngjitjeje që i përkisnin një alpinisti gjerman u gjetën së bashku me mbetjet e tyre në një akullnajë – alpinisti ishte zhdukur që nga viti 1986.

Një numër zbulimesh janë bërë në akullnajat zvicerane në vitet e fundit për shkak të shkrirjes dhe tkurrjes së shpejtë të tyre.

Korrikun e kaluar, mbetjet njerëzore të gjetura pranë Matterhorn u konfirmuan se ishin ato të një alpinisti gjerman të zhdukur që nga viti 1986.

Alpinistët që kalonin akullnajën Theodul mbi Zermatt vunë re një çizme dhe crampona që dilnin nga akulli.

Në vitin 2022, rrënojat e një avioni që u rrëzua në vitin 1968 dolën nga akullnaja Aletsch.

Dhe trupi i alpinistit të zhdukur britanik Jonathan Conville u zbulua në vitin 2014 nga një pilot helikopteri i cili vuri re diçka të pazakontë ndërsa dërgonte furnizime në një strehë malore në Matterhorn./ Top Channel/ KultPlus.com

Shqiptarët, më jetëgjatët në rajon/ Raporti i OKB: Në Shqipëri, jetëgjatësia mesatare 79.6 vjeç

Shqiptarët po jetojnë më gjatë. Sipas të dhënave më të fundit nga organizata e kombeve të bashkuara, Shqipëria ka një jetëgjatësi mesatare prej 79.6 vjec. Kjo e rendit Shqiperinë me jetegjatesine më të lartë në rajon dhe disa vende të Europës, duke treguar një përmirësim të ndjeshem të cilësisë së jetesës së popullatës.

Një stil jetese i shëndetshëm, duke u kujdesur më shumë për vetem, është një ndër faktorët kryesor që ndikon në rritjen e jetëgjatësisë.

“Komponentet jane një diete e balancuar, gjithnje dhe me shune kemi persona qe duan te ushqehen shendetshem. Gjithashtu aktiviteti fizik. Menaxhimi i stresit dhe oret e mjaftueshme te gjymit”

Pavarësisht indikatorëve gjenetikë për të zhvilluar një sëmundje, mjekët nutricionistë thonë se regjimi ushqimor ndikon drejtpërdrejt në mirëqënien e organizmit tonë.

“Regjimi ushqimor mesdhetar rekomandoher nga vete OBSH, jo vetem per te mbajtur nje peshe trupore te mire, por per te parandaluar te gjitha semundjet qe vine nga mbipesha dhe nje mike shume e mire e mire e jetegjatesise. Edhe siguria ushqimore eshte nje faktor. Ushqimet me pesticide nuk jane në benefit të organizmit.”

Nga ana tjetër, faktorët ekonomikë dhe socialë kanë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e jetëgjatësisë së shqiptarëve.

“Të dyja bashkë bëjnë të mundur që njerezit të ndihen me mire, që plakja të mos jetë proces i dhinbshem, jo me semundje dhe plage sociale. kur fëmijët janë mirë nga ekonomia edhe të moshuait ndihen mirë.”

Sipas OKB, rritja e jetëgjatësisë i atribuohet përmirësimeve në infrastrukturën shëndetësore dhe aksin më të mirë në kujdesin shëndetësor.

Për sociologun Gëzim Tushi, tek tëmoshuarit shqiptarë po ndryshon gjithnjë dhe më shumë mentaliteti i jetës.

“Une e quaj që ata po e spostojnë plakjen e tyre nëpërmjet jetes aktive sepse nuk do të thotë duke i mbushur jetët me ditë, por ditët me jetë.”

Sipas sociologut, shtimi i të moshuarve që jetojnë më gjatë, rrit peshën sociale dhe autoritetet duhet të rrisin vëmendjen ndaj politikave të ndryshme për përmirësimin mëtejshëm të jetës për këtë kategori./abcnews.al/ KultPlus.com

Festivali Kombëtar Tipologjik i Sazeve mbledh në Leskovik e Ersekë dhjetra grupe muzikore

 Leskoviku i traditave gjallërohet nga Festivali Kombëtar Tipologjik i Sazeve.

Bashkia Kolonjë ndau në rrjetet sociale fotografi nga ky aktivitet, në të cilin me dhjetëra grupe performuan nën rrapin shekullor.

Leskoviku i traditës, i sazeve, i instrumenteve popullore do të mirëpresë dhe sot në natën e dytë instrumentistë e këngëtarë virtuozë për të kulmuar mbrëmjen e 1 tetorit, në qendër të qytetit të Ersekës

Kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, shkroi në faqen e tij online: “Për dy netë rresht ky festival frymon në djepin ku mori jetë, Leskovikun e traditës, për të kulmuar natën e tretë në Ersekë”.

Grupet muzikore nga qytete të ndryshme të Shqipërisë sollën meloditë autentike popullore përmes instrumenteve tradicionale, duke ruajtur dhe promovuar trashëgiminë muzikore të vendit.

Ky festival, i kthyer tashmë në një traditë të rëndësishme, tërheq vëmendjen jo vetëm të banorëve vendas, por edhe vizitorëve të shumtë, duke ofruar një përvojë unike të muzikës dhe kulturës shqiptare./ ATSH/ KultPlus.com

Pamje nga Alpet shqiptare, bukuria e Bjeshkëve të Kelmendit

Kelmendi, Njësia Administrative në Malësinë e Madhe është kthyer në një prej destinacioneve që nuk njeh stinë.

I rrethuar nga fshatra turistikë, me histori shekullore, ushqimet karakteristike, mikpritje, arkitekturë alpine e kanë shndërruar Malësinë e Kelmendit një një udhëtim të paharruar për turistë të shumtë.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga bjeshkët e Kelmendit teksa turistët eksplorojnë natyrën mahnitëse edhe në këtë fund shtatori.

Zona ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik, që nga turizmi i aventurës, tek ai i vëzhgimit dhe duke vijuar me kulinarinë dhe trashëgiminë e pasur kulturore dhe historike të zonës.

Eksplorimi i shpellave, lundrimi me kajak në lumin Cem, ecjet në terrenet e pashkelura, kalërimi mes magjisë së natyrës unike, zona e Kelmendit ka shumë për të ofruar.

Tamara, qendra e Kelmendit, vetëm 46 kilometra nga Kopliku, është një prej fshatrave më të frekuentuar në veri. Rruga që të çon drejt Tamarës përveç infrastrukturës moderne të ofron edhe pamje mahnitëse të “Leqeve të Hotit”.

Razma, Boga, Zona e Recit në Komunën e Shkrelit, Lepusha, Vermoshi, Selca, janë të tjera pika turistike të njohura në Komunën e Kelmendit.

Turistët vendas e të huaj mund të eksplorojnë shpella të ndryshme në gjithë Malësinë e Madhe të cilat u ofrojnë edhe të dhëna jetësore të popullimit mijëravjeçare ku më të njohurat janë shpellat në Kelmend, Shkrel, Kastrat e Gruemirë./ atsh/ KultPlus.com

Nis rrugëtimi i Miss Globe, 50 bukuroshet e botës do udhëtojnë në gjithë Shqipërinë

Nis rrugëtimi i Miss Globe, eventi i njohur për Botën si një nga Top eventet e bukurisë dhe i renditur në Europë në treshen e Platformave më të mira të Beauty Pageant.

Vajzat pjesëmarrëse pasi u mirëpritën në Rinas, u akomoduan në Durrës. Nën sloganin “Turizëm në çdo stinë” ky është viti i 21-të i organizimit të The Miss Globe dhe ku ndër këto vite në Shqipëri kanë qenë pjesëmarrëse mbi 900 vajza.

Turi i The Mis Globe nis me Lezhën, Malësinë e Madhe, Gucinë, Vlorën, Dhërmiun, Himarën e Beratin. Një tur shumë interesant e i ngjeshur me aktivitet i pret të bukurat e Globit pas fotografive për revistën zyrtare dhe finalja e madhe do të jetë në Tiranë, në 15 Tetor në Parkun Olimpik Feti Borova.

The Miss Globe është eventi më i rëndësishëm në këtë mes-vjeshtë shqiptare, për të na sjellë emocione të bukura dhe energji pozitive./ Balkanweb/ KultPlus.com

40 pjesëmarrës në Panairin e Artizanatit dhe Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër

40 artizanë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut u bënë bashkë në Gjirokastër, në kuadër të Panairit të Artizanatit dhe Trashëgimisë Kulturore.

Artizanët ekspozuan punime dhe produkte të ndryshme. Disa prej tyre vinin për herë të parë në këtë panair dhe u shprehën shumë të kënaqur nga mikpritja gjirokastrite.

U vu re se pati interes për punimet e dorës si çantat, kurorat, fustanet etj., të cilat ishin punuar me cilësi.

Panairi i Artizanatit dhe Trashëgimisë Kulturore tashmë është kthyer në një traditë për qytetin e gurtë. Interesi ka qenë i lartë sidomos nga turistë që duan të njohin më shumë punimet artizanale që prodhohen në trevat shqiptare për të cilat pati edhe demonstrime “live” të punimeve të tyre.

Aktiviteti u organizua në kuadër të Javës së Trashëgimisë Kulturore./atsh/KultPlus.com

“Ditët e librit arbëresh”, të ftuar edhe akademikë nga Italia

Nën moderimin e prof. Diana Kastratit u hap sesioni i parë i veprimtarisë “Ditët e Librit Arbëresh”. Drejtuesja e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, Diana Kastrati, bëri një prezantim të të ftuarit special në këtë aktivitet, antropologut Mario Bolognari.

Prof. Bolognari mbajti një lectio magistralis, me temë: “Jeta, vdekja, ringjallja. Simbolika dhe ritualiteti i kostumit femëror arbëreshe”. Në kumtesën e tij ai foli për dinamikat e migrimit në Itali dhe se si kjo ka ndikuar në komunitetin e arbëreshëve, që për një moment u duk se u zhduk.

Ai foli për vështirësitë e komuniteteve arbëreshe edhe në karrierën e tij akademike duke filluar prej vitit 1972, kur iu propozua të shkonte në jug të vendit dhe aty kuptoi se gjuha tradicionale arbëreshe po shkonte drejt heshtjes dhe kështu lindi libri “Heshtja e Traditës” (1978).

Prof. Bolognari bëri një hyrje të zhvillimeve politike dhe ecurisë së legjislacionit dhe pikëpyetjeve që ka prodhuar Ligji 482/1999. Ai foli në kumtesën e tij për funksionet e veshjes në faza të ndryshme të jetës prej lindjes deri në vdekje, përgjatë gjithë ciklit jetësor të njeriut.

Konkretisht, ai u ndal në funksionet e veshjes arbëreshe, në faza të ndryshme të ciklit jetësor dhe konceptimit ad hoc të veshjes për këto faza të jetës, por edhe përtej saj duke u bërë shoqëruese të gruas arbëreshe edhe në jetën e përtejme. Ligjërata u përmbyll me një hapësirë për pyetje drejtuar prof. Bolognari-t që sollën diskutime e debat mbi temën e prezantuar./atsh/KultPlus.com

‘Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi’

Poezi nga Migjeni

Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta
që t’shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tan jetën e vet derisa të vdesin.

e mbi ta n’ajri, si në qesendi,
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta
shkëlqejnë. e mjerimi mirfilli ndien tradhti.
mjerimi ka vulën e vet t’shëmtueme,
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme,
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen ta mshefin –
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,
t’mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës
mbi t’cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm
me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.

mjerimi s’ka fat. por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese
t’shkyem dhe të coptuem me t’dalun bese.

mjerimi tërbohet n’dashuni epshore.
nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, t’qelbta, t’ndyta, t’lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; t’verdhë e pisa,
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
dhe aty zajnë fillin t’marrët, shërbtorët dhe lypsat
që nesër do linden me na i mbushë rrugat.

mjerimi në dritzën e synit t’kërthinit
dridhet posi flaka e mekun e qirit
nën tavan t’tymuem dhe plot merimanga,
ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga,
ku foshnja e smume qan si shpirt’ i keq
tu’ ndukë gjitë e shterruna t’zezës amë,
e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq,
mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë.
foshnj’ e saj nuk qesh, por vetëm lëngon,
e ama s’e don, por vetëm mallkon.
vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
ku foshnjën përkundin lot edhe të fshamit!

mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,
ku nuk mund t’u prishet qetsia zotnive
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.

mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet,
don ta msojë t’i iki grushtit q’i kërcnohet,
atij grusht që n’gjumë e shtërngon për fytit
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit
dhe fetyrën e fëmis e mblon hij’ e vdekjes,
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.
nji fryt kur s’piqet dihet se ku shkon
qashtu edhe fëmia n’bark t’dheut mbaron.

mjerimi punon, punon dit e natë
tu’ i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri n’gjujë, n’baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.
shpërblim qesharak! për qindenjë afsh
në ditë – vetëm: lekë tre-katër dhe “marsh!”.

mjerimi kaiher’ i ka faqet e lustrueme,
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,
trupin përmendore e një tregtis s’ndytë,
që asht i gjikuem të bijë në shtrat vet i dytë,
dhe për at shërbim ka për të marrë do franga
ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.

mjerimi gjithashtu len dhe n’trashigim
-jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
por eshtnat e shtrembta e n’gjoks ndoj dhimbë,
mund që t’len kujtim ditën e dikurshme
kur pullaz’ i shpis u shemb edhe ra
nga kalbsin’ e kohës, nga pesha e qiellit,
kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za
plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit,
ish zan’ i njeriut që vdiste nën tra.
kështu nën kambët’randë t’zotit t’egërsuem –
thotë prifti – vdes ai që çon jetë të dhunuem.

dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash
mbushet got’ e helmit në trashigim brezninash.
mjerimi ka motër ngushulluese gotën.
në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
n’fyt për me harrue nandhetenand’ halle.
e gota e turbull, gota satanike
tu’ e ledhatue e pickon si gjarpni-
dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni,
nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike.
tê gjitha hallet skami n’gotë i mbyt
kur njiqind i derdh një nga një në fyt.
mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina
dhe bajnë tym si hejt q’i ban shkrum shkreptima.

mjerimi s’ka gëzim, por ka vetëm dhimba,
dhimba paduruese qe t’bajnë t’çmendesh,
që t’ap in litarin të shkojsh fill’ e t’varesh
ose bahe fli e mjerë e paragrafesh.

mjerimi s’don mshirë. por don vetëm të drejt!
mshirë? bijë bastardhe e etënve dinakë,
t’cilt n’mnyrë pompoze posi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu’ ia lëshue lypsiti një grosh të holl’ n’shplakë.

mjerimi asht një njollë e pashlyeme
n’ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj./ KultPlus.com

Panairi i Librit për Fëmijë prej 2 deri më 6 tetor, shumë aktivitete brenda kryeqytetit

ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë janë në përgatitjet e fundit për Panairin e Librit për Fëmijë që do të mbahet prej 2 deri më 6 tetor, shkruan KultPlus.

Përgjatë këtyre ditëve është paraparë një program i pasur i aktiviteteve, kurse ceremonia e hapjes së këtij panairi do të jetë më 2 tetor, prej orës 12:30 në sheshin “Zahir Pajaziti”, lokacion që do të përfshijë edhe aktivitetet e tjera përgjatë panairit.  

Festivali dhe Panairi i Librit per Femije organizohet nga ETEA dhe biblioteka “Hivzi Sulejmani” me mbeshtetjen e Zyres Zvicerane per Bashkepunim ne Kosove, Ministrise se Kultures, Rinise dhe Sportit, Komunes se Prishtines, Presidences se Republikes se Kosoves dhe IPKO.

Programi kulturor i Festivalit dhe Panairit te Librit per Femije zhvillohet ne bashkepunim me Dokufest, Teatri Dodona, Bonevet, Terre des hommes, SOS Fshatrat, Galeria Kombetare e Kosoves, ShFMU “Prenk Jakova”, TOKA, Yoga me Dodona, J Coders, Kosova Makers League, etj. Ndersa, prezente do te jene shtepite botuese nga Kosova, Shqiperia dhe Maqedonia e Veriut, si Dukagjini, Albas, Magjia e Librit, Galdimi – A Editions, Logos A, Berati, Pegi, Fan Noli. / KultPlus.com