79 vjet nga lindja e veprimtarit Jusuf Gërvalla

Më 1 tetor të vitit 1943 lindi Jusuf Gërvalla. Ka qenë veprimtar, shkrimtar dhe muzikant shqiptar, si dhe themelues i grupit irredentist Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.

Sot në ditëlindjen e tij, KultPlus ju sjell një pjesë të shkëputur nga gazeta ”Liria”, nga Jusuf Gërvalla, që daton në gusht të vitit 1981.

Qyqarinë e tyre nuk e preku as vajtimi i djepeve shqiptare, loti i nënave e as malli i burrave shqiptarë, që u dëbuan nga vatrat stërgjyshore dhe morën në sy shkretëtirat e Anadollit. Tradhtarët ishin gjithnjë këtu, të pranishëm kudo, si biberi në tavë…

E di mirë Beogradi se nuk gjendet dot ilaç për ta shëruar te populli ynë kujtimin e vrasjeve e të plagosjeve, as akullin e burgjeve të kësaj pranvere…

Kur ushtria e milicia fashiste mbulojnë në gjak Kosovën, duke shkelur mbi popullsinë e pambrojtur, ata çirren: “Të distancohemi nga nacionalistët, shovinistët, reaksionarët e kundërrevolucionarët shqiptarë, që duan të rrezikojnë revolucionin dhe integritetin territorial të Jugosllavisë”!

— Jusuf Gërvalla, “Tradhëtarët e vjetër dhe tradhëtarët e rinj”, gazeta “Liria”, nr. 4-5, gusht 1981. / KultPlus.com

Akademi tematike për vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka në ‘Flakën e Janarit’

Në manifestimin e “Flakës së Janarit” në Gjilan, do të mbahet Akademia tematike për vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në 40-vjetorin e rënies së tyre.

Në këtë manifestim, që është i përvitshëm, pritet të marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, derisa Akademia do të fillojë nga ora 19:30.

Më 17 janar janë mbushur 40 vjet nga atentati ndaj vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës. /KultPlus.com

Kurti për vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën: Kujtimi për këta heronj është i pashlyeshëm

Në 40 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, vizitoi kullën e familjes Gërvalla në Dubovik.

Aty u pritën nga Suzana Gërvalla, bashkëshortja e Jusuf Gërvallës dhe Donika Gërvalla, e bija e tij, si dhe familjarë e miq të veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare.

Nga aty, Kryeministri Kurti, Presidentja Osmani dhe Zëvendëskryeministrja Gërvalla, bën homazhe dhe vendosen kurorë me lule, te varrezat e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës.

“Ne erdhëm sot në Dubovik, në 40 vjetorin e vrasjes së trefishtë në Shtutgart, më 17 janar 1982, kur u vranë Kadri Zeka e Jusuf e Bardhosh Gërvalla, që të vizitojmë kullën e lindjes, jetës dhe rritjes së tyre, por edhe varrin ku prehen ata, për të treguar kujtimin e pashlyeshëm dhe nderimin e pafund që kemi për këta heronj, të cilët na e dëshmojnë një luftë edhe para luftës çlirimtare. Meqenëse në vitet e ‘80-ta shqiptarët jo vetëm që persekutoheshin e burgoseshin, por edhe vriteshin nga regjimi i atëhershëm okupator, për shkak se dëshironin liri, republikë, demokraci e përparim”, tha kryeministri.

Tutje Kurti deklaroi se ata do të bashkëpunojnë edhe me shtetet e tjera, veçanarisht me Republikën Federale të Gjermanisë për të zbardhur të vërtetën.

“Si institucione të Republikës, si Qeveri e Kosovës, ne do të bashkëpunojmë me shtetet e tjera, në veçanti me Republikën Federale të Gjermanisë, në mënyrë që të marrim vesh sa më shumë e që të zbardhet e vërteta edhe sa i përket edhe urdhërdhënësve edhe ekzekutorëve, bindjet dhe orientimi dhe qendra e të cilëve natyrisht se dihet, mirëpo emrat e përveçëm të atyre natyrisht se duhet të ndriçohen dhe asisoj të mundësohet drejtësia e ndëshkimi, tha ai.

Kurti theksoi se jemi të vetëdijshëm për kufizimet që kemi, që pas kaq shumë kohësh të arrijmë përnjëherë të zbardhim gjithë ato vrasje, meqenëse janë të shumta, ndërkohë që edhe regjimet, të cilët kanë marrë pjesë në ato vrasje, nuk është se kanë vdekur përfundimisht e në plotni.

Në nderim të tre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare, i pari i ekzekutivit, sot, në 40 – vjetorin e vrasjes së tyre, organizon Akademi Përkujtimore në Prishtinë. /KultPlus.com

Kënga ‘Oj Kosovë, oj nana jonë’ po jehonte në dasmën e Kadri Zekës, dy javë përpara vrasjes së tij (VIDEO)

Më 17 janar 1982 është pikërisht dita kur edhe u vranë mizorisht vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, shkruan KultPlus.

Kadri Zeka kishte festuar dasmën e tij pikërisht më 2 janar të atij viti, vetëm dy javë para se të vritej tinëzisht nga shërbimi sekret jugosllav.

Kënga “Oj Kosovë, oj nana jonë” po jehonte në dasmën e Zekës, videon të cilën mund ta shikoni më poshtë: /KultPlus.com

Kur Jusuf Gërvalla i këndonte nënës: Sa fort më mundon vetmia, o nanë

I lindur në Pejë, Gërvalla ndërroi jetë në Gjermani në vitin 1982.

Ai njihet si këngëtar dhe bashkë me Bardhosh Gërvallën na lanë disa melodi e këngë të cilat e bëjnë të pavdekshëm talentin dhe zërin e këtij njeriu.

Jeta e Jusuf Gërvallës ka qenë e vështirë, vdekja e tij ka qenë tragjike. Për këtë është thënë e shkruar shumë dhe do të thuhet e do të shkruhet shumë. Por, edhe shkrimtari J. Gërvalla pësoi vështirësira të mëdha. Për poetin, prozatorin dhe dramaturgun Gërvalla është thënë e shkruar relativisht pak. Vepra e tij letrare nuk është tepër e njohur, me gjithë botimin shembëllor që ia bëri J. Gërvallës më 1992 Sabri Hamiti (Jusuf Gërvalla: Vepra letrare. “Ora”, Prishtinë, 1992). Opinioni e respekton dhe adhuron dëshmorin e kombit, simbolin e luftës për liri, shembullin e kurajës prej qytetari dhe intelektuali, ndërsa duket se e harron shkrimtarin e rëndësishëm që ishte dhe mbetet. Roli i tij prej simboli të qëndresës e hijesuaka faktin se ishte poet i dorës së parë.

Në letërsi, ai nuk i takonte qarkut të “lapidaristëve” të poezisë fjalëpakë që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore.

Sa fort më mundon
Vetmia, o nanë
E votrën braktisa një ditë
N’vendlindje ështe vjeshtë
Tani është vonë
Më presin të korrat e brengat

N’mendime më ke tretur
Tani, o nanë
Për birin që të la në vetmi
Shikimi përhera kah dera përgjon
Trokitje të lehta dëshiron.

Kthehu shpejt më ke pas thënë
Se brengat më kanë molisur
Të presin shokët një varr nën bli
Porositë e babit tënd

Kaluan pranvera e vjeshta o nanë
Që kur ti e ndjell veç një kthim
Nëse vetë nuk do të mundem
Do i them birit tim
Në vendlindje le të shtrojë çdo gëzim

Të lutem jeto me shpresa o nanë
Se dikush një ditë do të trokllojë
Në atë vatër ku së pari zëri im jehoi
Andej nipat do të ngrejnë shtëpinë. / KultPlus.com

40 vjet nga vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës

17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë mizorisht vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, është një datë e dhimbshme në historinë e shqiptarëve.

Edhe pse kanë kaluar 39 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me ta.

Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre. Pas kroatëve në ekzil, Qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova.

Atentati ka ndodhur derisa drejtuesi i veturës (BMW 316, targa: HN CY 353) nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit. Në mot me borë, diku në 40 metrat e para vetura ka ndaluar pasi që nga një vend ndërtim në anë të djathtë, një person nga një distancë pre tre metrave ka shtënë. Krahas kësaj, një person tjetër ka gjuajtur dhe ju ka afruar asaj për të vërtetuar se ia kanë arritur qëllimit. Fqinjët, të frikësuar nga krismat, i shohin dy persona të gjinisë mashkullore duke ikur.

Vetura ka mbetur e ndezur, pasi që drejtuesit i kishte mbetur këmba në pedalin e gazit. Si pasojë e kësaj, vetura ka vazhduar më tutje të ecën derisa përplaset me një garazhe. Gjatë kësaj kohe, drejtuesi ka vdekur, ndërsa pas përplasjes është fikur motori. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur të vdekur drejtuesin e makinës, Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, i goditur nga gjashtë plumba, Kadri Zekën i vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje me plumba.

Der Spiegel (25 janar 1982) për motivin e krimit shkruan se identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: “Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit”.

Edhe për autorët e vrasjes pati shënjime. Në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdes, i kishte pëshpëritur policisë:”Ka qenë UDB-ja”.

Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat e kalibri 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: “E tëra dukej si pas një ekzekutimi”.

Ishte metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thoshte snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgart-i, Siegfried Hübner: duhet qëlluar me katër plumba, “tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjeprurëse”, shkruan KP. Koha dhe atentati ishte kulminacion i grindjeve të shërbimit sekret jugosllav me kundërshtarët e regjimit në botën e jashtme në këto vite.

Gjatë kësaj kohe shtetasit jugosllavë në ekzil i kanë sulmuar ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e qeverisë jugosllave. Reagimet kriminele dhe terroriste të Beogradit në këto raste kanë qenë gjithnjë të ngjashme./ KultPlus.com

Rikthehet seria e koncerteve ‘Peja Jazz’, vazhdon promovimi i këtij zhanri

“Anibar” dhe kinemaja “Jusuf Gërvalla” këtë dhjetor po e vazhdojnë organizimin e “Peja Jazz” – serisë së koncerteve që lindi si shpresë në kohën kur pandemia COVID-19 goditi skenën e kulturës gjithandej globit.

Një vit më vonë “Peja Jazz” rikthehet për ta vazhduar qëllimin e promovimit të muzikës jazz dhe shndërrimin e qytetit të Pejës në stacion për adhurues të këtij zhanri. 

Programi i sivjetmë është shtrirë përtej rajonit duke sjellë para publikut bandeonistin italian, Daniele di Bonaventura, një muzikant i jashtëzakonshëm, shoqëruar nga miku i tij prej 30 vjetësh, kitaristi Roberto Zechini. 

Publiku do ta prekë nga afër edhe performancën e “AJS Quartet” nga Tirana, me Gent Rushi, Ermal Rodi, Emilijan Dhimo dhe Roni Gjura. “AJS Quartet” tash dhjetë vjet, përveçse njihet si grupi më i suksesshëm i xhaz-skenës shqiptare, është edhe avokues i xhazit bashkëkohor ballkanik. 

Rrugëtimi i sivjetmë do të përmbyllet me kitaristin shkodran Kejdi Barbullushi, student në Vjenë dhe një nga muzikantët e dalluar të gjeneratës së re të muzikantëve shqiptarë. Në “Peja Jazz” vjen me formacionin e tij të themeluar së voni, bashkë me dy multiinstrumentistë të xhaz-skenës kosovare: Visar Kuçi dhe Enes Beu.

Programi “Matinée” sivjet zëvendësohet me “MirëmënJAZZ”, si thirrje për t’i kaluar mëngjeset së bashku duke risjellë fonotekën e “Peja Jazz” dhe jo vetëm.

Ju mirëpresim nga 15 deri më 17 dhjetor në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”. 

Ky edicion i “Peja Jazz” është kuruar nga Dardan Selimaj. /KultPlus.com