Motive me diell

Poezi nga Ismail Kadare

Mbi liqenjte e Lures po bie mbrëmja
Muzgu rrjedh nga majat e pishave neper trungjet e kalbur
Grumbullohet ne pellgje te vegjël
Kullon pastaj neper furçen tende te dridhshme.

Shpejto.
be vone.

Kap ç’te kapesh nga ngjyrat qe dridhen
E fergellojne,
Duke ikur plot alarm nga mbremja qe i ndjek

Kap motive me diell…
Neper furçen tende kurre nata mos kullofte. /KultPlus.com

Shtohen të pasionuarit pas kulturës dhe historisë në Kalanë e Kaninës

Kalaja e Kaninës ka pritur se fundmi vizitorë të shumtë, nga vendi dhe bota.

Vizitorët kanë mundur të prekin nga afër muret që ruajnë shekuj të tërë krenarie, legjendash dhe kujtimesh, duke pasur një përvojë që prek jo vetëm shqisat, por edhe shpirtin.

Kalaja e Kaninës gjendet vetëm 3 km larg qytetit bregdetar të Vlorës dhe kjo afërsi e ka bërë atë një nga destinacionet më të vizituara të turizmit kulturor dhe historik.

Historia e ndërtimit të kalasë nis prej shekullit IV para Krishtit, përcjell periudhat e Antikitetit dhe të Mesjetës (bizantine, veneciane, turke), së bashku me teknikat respektive të ndërtimit.

Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3,6 hektarësh. Përballë saj është deti Adriatik, që duket si në pëllëmbë të dorës. Kjo fushëpamje i mrekullon të gjithë vizitorët e Kaninës.

Në kala është edhe teqeja, më parë në vend të saj ka qenë një kishë dhe me ardhjen e Sulejman Pashait, admirali i madh e ktheu në teqe./atsh/KultPlus.com

Hapet konferenca shkencore “Java e Albanologjisë” në Prishtinë

Sot në Institutin Albanologjik të Prishtinës u hap konferenca shkencore “Java e Albanologjisë”, me pjesëmarrjen e figurave të rëndësishme nga Kosova dhe Shqipëria. Në ceremoninë hapëse morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i ASHAK-ut, akademik Mehmet Kraja, dhe ambasadori i Shqipërisë, Petrit Malaj.

Fjalën përshëndetëse e mbajti nikoqiri Naim Berisha, i cili theksoi rëndësinë e albanologjisë në ndriçimin e identitetit kombëtar. Kryeministri Kurti dhe ambasadori Malaj vlerësuan kontributin e studiuesve shqiptarë dhe rëndësinë e bashkëpunimit akademik ndërmjet dy vendeve.

“Z. Naim Berisha, në cilësinë e nikoqirit e mbajti fjalën hapëse dhe falënderuese për të pranishmit. Ndër të tjera, ai shprehu nevojën për një qasje sa më të dinjitetshme në raport me albanologjinë, si dije për dhe rreth shqiptarëve. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Sh.T. Z. Albin Kurti i përshëndeti të pranishmit, studiuesit, profesorët dhe organizatorët e konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, 16/2025”, thuhet në njoftimin e Institutit Albanologjik.

Konferenca do të zgjasë pesë ditë dhe përfshin sesione nga fusha të ndryshme si historia, letërsia, gjuhësia, folkloristika dhe etnologjia. Sot po mbahet sesioni i parë me temën “Ndërthurja e identitetit fetar te shqiptarët”./KultPlus.com

“Supreme Voice Festival” në Vlorë, në skenë 80 fëmijë nga 8 vende

Supreme International “Voice Festival” zgjodhi Vlorën, si stacionin e parë të Shqipërisë, për të realizuar këtë festival.

Supreme International Voice Festival është një aktivitet me patentë ndërkombëtare, produksioni i së cilës i besoi nismës së mësueses Albana Tushe Çuro për të bërë bashkë rreth 80 fëmijë artistë nga Shqipëria, Hungaria, Italia, Rumania, Kanadaja, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Aktiviteti Supreme International Voice Festival pati mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Bashkisë Vlorë etj.

Juria ndërkombëtare prej gjithë pjesëmarrësve të mrekullueshëm zgjodhi të vlerësonte me çmimin Grand Prix Supreme Voice, Ilda Nuhiun nga Kosova. Ndërsa Brisejda Yzeiri e Shqipërisë, mori çmimin Supreme Child Voice Grand Prize./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani në darkën e Kongresit Amerikan dhe AP të NATO-s: Mirënjohje e përjetshme për miqtë tanë të lirisë dhe paqes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në SHBA, me ftesë të Kongresit Amerikan, për të marrë pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka mbajtur një fjalim në darkën e organizuar nga Kongresi Amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s.

Në adresimin e saj para udhëheqësve të lartë të Kongresit dhe përfaqësuesve të vendeve anëtare të NATO-s, Presidentja Osmani theksoi se paqja nuk trashëgohet, por ndërtohet, mirëmbahet dhe mbrohet vazhdimisht.

“Sot përfaqësoj një Kosovë të lirë dhe sovrane, një tokë që dikur ishte e shkatërruar nga lufta, por që sot flet me gjuhën e paqes, shpresës dhe mirënjohjes. Ushtarët amerikanë dhe aleatët e NATO-s erdhën në Kosovë jo për lavdi, por sepse besonin në të drejtën themelore të çdo njeriu për të jetuar i lirë nga shtypja”, tha Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani: “Në momentet më të brishta, ata nuk na ofruan strehë vetëm për shtëpitë tona, por edhe për ëndrrat tona. Falë tyre, fëmijët e Kosovës më në fund flenë të sigurt. Falë tyre, një shtet u ngrit nga hiri”.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se ushtarët amerikanë që erdhën me uniformë dhe qëndruan me vendosmëri, gjithmonë do ta kenë një shtëpi në Kosovë./ KultPlus.com

‘Mes lotëve zbulova brenda vetes një buzëqeshje të pathyeshme’

Poezi nga Albert Kamy

E dashura ime,
në mes të urrejtjes
zbulova brenda vetes një
dashuri të pathyeshme.

Mes lotëve zbulova brenda vetes një buzëqeshje të pathyeshme.
Mes kaosit zbulova brenda vetes një qetësi të pathyeshme.
Në mes të dimrit kam kuptuar, më në fund, se brenda vetes kam një behar të pathyeshëm.

Dhe kjo më bën të lumtur.
Sepse kjo vërteton se s’ka rëndësi se sa ashpër
më kundërvihet bota
ngase brenda vetes
kam diç më të fortë,
diç më të mirë që sakaq
më shtyn të shkoj përpara./KultPlus.com

Azem Shkreli: Mes nesh kanë hyrë shumë varre dhe gjak

(Bisedë me “Naša Borba”, marrë nga vepra “Zoti nuk është shqiptar”, 1996)

● Kohë më parë morët shpërblimin për libër të vitit. Ku ndodhet momentalisht, krijimtaria shqiptare, në ç’drejtim ecën dhe a ka sot kushte në kosovë për t’u marrë seriozisht me vlera të njëmendta artistike?
► Krijimtaria artistike shqiptare në Kosovë edhe në këto kushte të vështira po dëshmon vitalitetin e saj, jo vetëm të ekzistencës, po edhe të zhvillimit e të avancimit të vlerave. Krijimtaria, në veçanti letërsia, mund të vështirësohet, por është e papengueshme. Krijuesi i mirëfilltë, shkrimtari i mirëfilltë, në të gjitha kushtet dhe në të gjitha situatat është shkrimtar. Tekefundit, krijimtaria artistike shumë herë nuk është rezultat i ndjenjës së mirëqenies. Shkrimtari e prodhon vetë lirinë e vet krijuese, vetë akti krijues është çlirim dhe liri.
Është e vërtetë se klima krijuese te ne është e rënduar mjaft, e ngushtuar, e ngarkuar me pasoja të vrazhdta të gjendjes në të cilën ndodhemi. Vlerat që arrijnë të krijohen dhe të ngrihen mbi këto vështirësi e pengesa, japin apriori provë të qëndrueshmërisë së tyre. Autorë vlerash të tilla, si çdo kulturë tjetër, ka edhe krijimtaria jonë dhe ata janë të papushtueshëm Kjo kurrsesi nuk do të thotë se dhuna e represioni të cilat në esencë janë antikulturë dhe anticivilizim, nuk e kanë lënduar ndjeshëm edhe kulturën dhe krijimtarinë tonë artistike, se nuk i kanë dëmtuar ndjeshëm vlerat, sepse, ato atë punë e atë qëllim kanë kurdo që pushteti i njërit i përdor ndaj kulturës dhe identitetit të tjetrit.

Tym cigaresh

Poezi nga Sibilla Aleramo
Përktheu Aida Baro

Tym cigaresh.
Buzëqeshje të lehta.
E sërish tym,
fjolla të lehta,
nga buzët e mia,
çdo mbrëmje
pak minuta,
nga ballkoni i tij,
nga dritarja ime,
fjolla të lehta,
çelin buzëqeshje
dhe zërin s’ma njeh
dhe zërin s’ia njoh,
vetëm,
përmes fjollave të tymit
më pëlqejnë sytë e tij,
i pëlqejnë sytë e mi,
çdo mbrëmje
pak minuta,
një përshëndetje
fjollash tymi
lehtësi e hijshme gjestesh,
pikë e heshtur zjarri
ngrihet mbi kopshtin e përgjumur,
dhe asgjë tjetër,
ja kështu,
ndërsa pranë abazhurit
puna pret,
pak minuta,
çdo mbrëmje
për ca mbrëmje,
fjolla të lehta
fjolla të lehta./KultPlus.com

Netët Korçare të Poezisë, festival ku takohen shpirtrat krijues

Fundjavën që lamë pas Korça mblodhi poetë nga e gjithë bota për edicionin e 29-të të Festivalit Ndërkombëtar të Autorëve “Netët Korçare të Poezisë”.

Në këtë festival, ku interpretohen vepra të ndryshme të poezisë, simbolikë e veçantë është edhe mbjellja e një peme në Parkun e Poetëve, në nderim të trashëgimisë së fjalës së shkruar.

Poeti Laureat i festivalit u shpall Sadik Bejko, i cili mbolli pemën tradicionale në Parkun e Poezisë. Çmimi Kurora e Poezisë shkoi për poeten Maklena Nika. Çmimi Poezia më e Bukur iu dha poetit Tsvika Nir (Izrael). Çmimi “Dritëro Agolli” iu dha poetit Dinos Kubatis (Greqi). Çmimi “Asdreni” shkoi për poetin Zyhdi Dervishi dhe Çmimi Special shkoi për poeten Rakela Zoga me motivacionin: “Për këndvështrimin origjinal, për përcjelljen e vlerave universale përmes kumtit poetik.

Netët Korçare të Poezisë konsiderohen si një festë e fjalës së bukur. Në këtë edicion, morën pjesë 34 poetë nga Italia, Franca, Izraeli, Monako, Greqia, Kosova dhe Shqipëria, të cilët sollën me vete jo vetëm vargje të frymëzuara, por edhe tingujt dhe ndjesitë e vendeve të tyre.

Korça, edhe një herë, u shndërrua në një skenë të hapur, në një udhëtim shpirtëror që bashkon nëpërmjet gjuhës universale të artit. Disa nga pjesëmarrësit ishin: Angela Valenti Durazzo, Bardhosh Gaçe, Pierre Ech-Ardour, Helena Halilaj, Albin Lushi, Maklena Nika, Sadik Bejko, Raimonda Moisiu – Sade, Tsvika Nir, Entela Kasi, Vlora Konushevci etj.

Netët Korçare të Poezisë u zhvillua me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, bibliotekës publike “Thimi Mitko” Korçë, Bashkisë Korçë dhe PEN Albania.

“Le të jetë ky edicion një tjetër dëshmi se poezia nuk është e mbyllur në libra, ajo jeton në rrugë, në zëra, në takime si ky. Dhe mbi të gjitha, ajo jeton brenda nesh, sa herë që zgjedhim të dëgjojmë me zemër”, u shpreh në fjalën e saj drejtorja e QKLL-së, Alda Bardhyli./atsh/KultPlus.com

Fondacioni “Akili” me aktivitetin kulturor “Flatrat që ndryshojnë botën” 

Më 1 qerashor, Fondacioni “Akili” do të organizojë aktivitete kulturore në kuadër të aktivitetit “Flatrat që ndryshojnë botën”. 

Përgjatë këtij aktiviteti, në ora 11:00 do të mbahet një punëtori krijuese me pikturat dhe ngjyrat, punime që do të prezantohen në ekspozitën që do të hapet në ora 19:00, ku më pas do të ndahen edhe certifikata për pjesëmarrësit.

Aktiviteti i këtij fondacioni do të shoqërohet me muzikë përgjatë gjithë kohës./ KultPlus.com 

Androniqi Zengo Antoniu ndër të parat profesioniste të artit pamor shqiptar

Më 26 maj të vitit 1913 lindi ikonografja, piktorja dhe mësuesja dardhare, Androniqi Zengo Antoniu.

Studimet e larta i kreu në Shkollën e Arteve të Bukura në Athinë, ku spikati për rezultate të shkëlqyera dhe ku së bashku me të motrën do të cilësohej ndër të parat femra profesioniste të artit pamor shqiptar.

Androniqi restauroi pikturat murale të Shën Mërisë, të Shën Thanasit në Korçë, të Shën Kollit në Hoçisht etj.

Kthimi në atdhe e gjen Androniqin në Korçë në rolin e mësonjëses pranë shkollës femërore. Në vitin 1937, në kuadrin e festimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Zengo çel ekspozitën e parë të saj ndërsa ekspozita e dytë u çel një vit më vonë, duke kaluar përmasat lokale, duke e shndërruar Androniqin në model frymëzimi për gratë.

Emri i saj do të përmendej në galeritë apo në panairet më të suksesshme të kohës. Në vitin 1940, Zengo do të nderohej në Bari të Italisë për veprën “Kalaja e Petrelës”. Pjesë e ekspozitës ishin edhe zëra unikë të pikturës shqiptare, sikurse Vangjush Mio dhe Zef Kolombi. Artistja do të vlerësohej gjatë periudhës së komunizmit brenda dhe jashtë vendit për punën e saj krijuese. Në pikturat e saj mbizotërojnë portretet, peizazhi, dashuria për kostumet dhe vendlindja e saj, Dardha./atsh/KultPlus.com

Himni i bukurisë

Poezi nga Sharl Bodeler

Bie prej qiellit a ngrihesh prej humnerës së thellë,
O Bukuri! Shiki yt hyjnor dhe i djallëzuar,

Krimin me mirësinë ngatërruar, përherë na e ndjell,
Duke i ngjarë aq shumë shijes së verës së bekuar.

Sytë e tu strehojnë çdo perëndim dhe aurorë;
E si një natë e stuhishme parfume shpërndajnë;
Pthjet e tua janë melhem, goja jote një amforë,
Që i bën trima vogëlushët e heronjtë të qajnë.

Gurgullon honeve të zi a yjeve të zjarrtë digjesh?
Fati i magjepsur të ngjitet pas fundeve si një qen;
Ti gjithcka në botë sundon e askujt s’i përgjigjesh,
E kudo, rastësisht, gjëmën dhe harenë shpërthen.

Bukuri, ti marshon mes kufomave që ke përçmuar;
Nga xhevahirët e tu, Tmerri nuk ka më pak magji,
E Krimi, mes gjithë stringëllave të tua më i çmuar,
Mbi barkun tënd, krenarisht vallëzon plot dashuri.

Flutura e natës e verbuar pas teje, të vjen afër, qiri,
Fërfëllin, ndizet e thotë: I bekuar qofsh pishtar!
I dashuruari ethshëm përkulet mbi të dashurën e tij,
Si ai i plagosuri për vdekje përkëdhel të tijin varr.

S’ka rëndësi nëse Parajsën apo Ferrin ke për nënë,
O Bukuri! Mostër e frikshme, e paanë, e lindur e lirë!
Vallë buzëqeshja jote, syri yt, këmba, hapur ma lënë
Portën, për atë pafundësi kurrë të njohur aq mirë?

S’ka rëndësi je Djall apo Zot! Ëngjëll a Sirenë të jesh,
S’ka rëndësi nëse zanë me sy kadife që xixëllojnë butë,
O parfum, ritëm, kthjelltësi, o e vetmja ime mbretëreshë!
Bën universin më pak të shpifur, më pak të rëndë çdo minut’./ KultPlus.com

Heidegger: Fati juaj nuk mund të ndryshohet, por mund të sfidohet

Martin Heidegger lindi në Messkirch, në një familje të borgjezisë së ulët e në gjendje të mirë ekonomike, gjë që i mundësoi shkollim solid në universitetin e Freiburg-ut ku kreu teologjine dhe filozofinë, ndoqi mësime të matematikës, të shkencave natyrore si dhe histori, shkruan KultPlus.

Emërohet profesor dhe më 1927 shkruan veprën kryesore « Qenia dhe koha » (Sein und Zeit). Gjatë vitit 1933, kyqet në krahun e social-nacionalistëve mirëpo pas disa muajsh tërhiqet dhe për shkak të kësaj, i ndalohen tekstet dhe mësimdhënia.

Nga kjo kohë, ai do të kthehet në univerzitet vetëm pas luftës, më saktësisht, në vitin 1950/51. Heidegger është themeluesi i egzistencializmit e filozofia e tij, i ka themelet e veta në çështjen e qenies e këtu nën « qenie » nuk bëhet fjalë për njeriun si që mendohej gjer vonë por për të qenunit – jam – egzistencë, që edhe është epiqendra e persiatjeve dhe platformës filozofike të tij.

Kur flet për fatin, filozofi gjerman thotë: “Fati juaj nuk mund të ndryshohet, por mund të sfidohet”. /KultPlus.com

Hollywood-i “zbarkon” në Shqipëri

Shqipëria nuk është më thjesht një destinacion i bukur, por tashmë edhe një partner i besueshëm për prodhime filmike.

Për herë të parë, përmes nismës “Fam Tour Albania”, Shqipëria po pret emra të mëdhenj të industrisë globale të filmit si HBO, Warner Brothers, Amazon, Disney, Paramount, NBC-Universal e shumë të tjerë.

Përfaqësuesit e këtyre studiove po zhvillojnë një tur disaditor në qytete të ndryshme për të zbuluar nga afër bukuritë natyrore, historinë dhe traditat, lokacionet unike dhe mundësitë e shumta që Shqipëria ofron për xhirime dhe bashkëprodhime ndërkombëtare.

Këto vizita në terren do t’u hapin rrugën projekteve të reja, investimeve dhe bashkëpunimeve që mund ta kthejnë vendin tonë në një qendër të re të produksionit filmik në Evropë.

Ndërkohë në takimin që liderët e studiove filmike mbajtën në Tiranë, ministri Gonxhja theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të ndërtuar një ekosistem konkurrues për industrinë kreative, përmes stimujve fiskalë, reformave ligjore dhe investimeve në talente e infrastrukturë moderne.

“Catalyst Story Institute”, një nga institucionet më prestigjioze amerikane për zhvillimin e talenteve krijues, tashmë është pjesë e këtij vizioni me hapjen e qendrës Tirana Training Institute duke kontribuar në formimin profesional dhe ndërkombëtarizimin e sektorit./atsh/KultPlus.com

Hapet Muzeu Etnografik Memaliaj, një tjetër hapësirë kulturore dhe destinacion për turistët

Në qytetin e Memaliajt ka hapur dyert një tjetër qendër me rëndësi kulturore dhe historike, Muzeu Etnografik, një iniciative e Bashkisë Memaliaj që synon të ruajë, promovojë dhe të bëjë të njohur trashëgiminë shpirtërore dhe materiale të zonës.

Ceremonia e përurimit të muzeut u zhvillua në prani të qytetarëve, përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe të ftuarve të tjerë.

Kryetari i Bashkisë së Memaliajt, Albert Malaj vuri në dukje rëndësinë që ka kjo nismë për jetën kulturore të qytetit dhe për ruajtjen e identitetit.

“Vizitorët e parë patën mundësinë të udhëtojnë në kohë përmes objekteve, veshjeve tradicionale, veglave të punës dhe kujtimeve që flasin për jetën dhe zakonet e paraardhësve tanë”, deklaroi Malaj.

Ai theksoi gjithashtu se ky muze përfaqëson një dritare të hapur drejt historisë dhe mënyrës së jetesës së brezave të kësaj treve.

Muzeu Etnografik i Memaliajt përmban një koleksion të pasur objektesh tradicionale, përfshirë veshje popullore, vegla të përdorura në punët bujqësore, elementë të jetës së përditshme dhe dekorime që pasqyrojnë trashëgiminë dhe zakonet vendase.

Kjo hapësirë synon jo vetëm të ruajë këto objekte me vlerë, por edhe të shërbejë si një mjet edukimi për brezat e rinj dhe një atraksion për turistët që dëshirojnë të njohin më nga afër trashëgiminë kulturore të Memaliajt.

Kryetari i Bashkisë ftoi qytetarët e Memaliajt, si dhe turistët vendas e të huaj, të vizitojnë muzeun, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm në ndërtimin e një identiteti më të fortë kulturor dhe promovimin e vlerave autentike të qytetit.

Ky zhvillim i ri kulturor vjen pas hapjes së Muzeut të Minatorit rreth një vit më parë dhe tashmë është kthyer në një prej atraksioneve më të vizituara të qytetit. Ky muze u kushtohet minatorëve të Memaliajt dhe historisë së industrisë minerare që ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e zonës. Vizitorët aty mund të shohin nga afër objekte origjinale të përdorura gjatë dekadave të punës në minierë, dokumente arkivore, uniforma, fotografi dhe materiale të tjera që pasqyrojnë përditshmërinë dhe sfidat e punëtorëve të nëntokës.

Me këto dy institucione të rëndësishme, Muzeun Etnografik dhe atë të Minatorit – Memaliaj po afirmohet si një pikë referimi për turizmin kulturor në jug të Shqipërisë, duke ofruar jo vetëm histori dhe kujtesë kolektive, por edhe një mundësi për të reflektuar mbi rrënjët, traditat dhe zhvillimin e një komuniteti me histori të pasur./atsh/KultPlus.com

96 vite më parë lindi Miles Davis, artisti që bëri histori në muzikën xhaz

Miles Davis ka qenë kompozitor i shquar i muzikës xhaz. Ai është konsideruar si një nga figurat me më së shumti ndikim në historinë e xhazit në shekullin 20, shkruan KultPlus.

Vitet 50 kanë qenë shumë të suksesshme për të. Me albumin “Kind of blue”, ai arriti t’i shesë 5 milionë kopje në ShBA.

Davis ndihmoi në ngjalljen e popullaritetit të muzikës xhaz. /KultPlus.com

Media irlandeze “RSVP Live”: Turistët zgjedhin Shqipërinë si destinacionin më të mirë për të vizituar këtë verë

Maldivet janë një destinacion ëndrrash për shumë turistë, por është gjithashtu një udhëtim i gjatë dhe i kushtueshëm, shkruan Blathin de Paor në të përditshmen irlandeze “RSVP Live”.

Plazhet e pastra me rërë të bardhë dhe ujërat e kristalta tërheqin vizitorë nga e gjithë bota.

Megjithatë, udhëtimi atje përfshin fluturime të gjata dhe kosto të mëdha.

Një javë qëndrimi në një nga vilat e saj të famshme mbi ujë – gjatë pikut të sezonit mund të kushtojë 2300 euro për dy persona – pa marrë në konsideratë koston e fluturimeve.

Për fat të mirë, ekziston një alternativë shumë më afër Irlandës – Shqipëria, e cila sipas ekspertëve të udhëtimeve është e ngjashme me Maldivet.

Shqipëria, një perlë e fshehur, është ende e përballueshme dhe pa turma vizitorësh – krahasuar me destinacione të tjera të njohura.

Me plazhet e saj marramendëse dhe ujërat bruz, Riviera Shqiptare ofron një arratisje spektakolare buzë detit.

Dhe megjithëse popullariteti i saj po rritet, ajo mbetet një destinacion evropian i përballueshëm.

Qëndrimet luksoze buzë detit mund të gjenden për vetëm 23 euro nata, ndërsa ushqimi është i përballueshëm, me vakte të plota dhe pije që shpesh kushtojnë rreth 18 euro.

Shqipëria është bërë një sensacion viral në mediat sociale, me video që tregojnë ngjashmërinë e saj të habitshme me Maldivet.

Fluturimet nga Irlanda në Shqipëri janë çuditërisht të lira. Ndërsa, aktualisht nuk ka fluturime direkte nga Dublini në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), disa linja ajrore ofrojnë linja me një ndalesë, duke përfshirë “Lufthansa”, nëpërmjet Mynihut ose Frankfurtit, “Brussels Airlines”, nëpërmjet Brukselit dhe “Swiss Airlines”, nëpërmjet Zyrihut.

Çmimet e udhëtimeve vajtje-ardhje mund të fillojnë nga afërsisht 142 euro.

Kohëzgjatja e fluturimit ndryshon, por zakonisht varion nga 5 orë e 20 minuta deri në mbi 8 orë, në varësi të ndalesave.

Gjithashtu, turistët mund të fluturojnë për në Korfuz, Greqi, dhe të marrin një traget për në bregdetin e Shqipërisë për rreth 18 euro në secilin drejtim.

Kjo alternativë u lejon turistëve të vizitojnë të dy destinacionet pa ndikuar në buxhetin e tyre.

Me çmimin e saj të përballueshëm të pakrahasueshëm, peizazhet spektakolare dhe popullaritetin në rritje, Shqipëria eshte një nga vendet më të mira për pushime verore për turistët irlandezë në vitin 2025./atsh/KultPlus.com

Osmani në Dayton të SHBA’së: Me ndihmën e aleatëve po i forcojmë themelet e një rajoni më të sigurt

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Ajo ka thënë se reformat tona dhe investimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë po e pozicionojnë Kosovën si partnere mes vendeve që ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe sigurisë.

Ajo ka shkruar në Facebook se me mbështetjen e aleatëve strategjikë, do forcojnë themelet e një rajoni të sigurt.

“Në vazhdën e aktiviteteve në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në SHBA, sot pata nderin të jem folëse në panelin për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Reformat tona dhe investimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë po e pozicionojnë Kosovën si partnere mes vendeve që ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe sigurisë.  Me mbështetjen e aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe aleatëve të tjerë, po forcojmë themelet e një rajoni më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe të përkushtuar ndaj vlerave demokratike”, ka shkruar Osmani në Facebook. / KultPlus.com

‘Të lutem, ndiqi ëndrrat, pavarësisht idealeve të tua, ti mund të bëhesh ai që dëshiron të bëhesh’

Thënie mbi jetën nga mbreti i popit Michael Jackson:

“Përpara se të më gjykosh, përpiqu fort të më duash”.

“Të lutem, ndiqi ëndrrat! Pavarësisht idealeve të tua, ti mund të bëhesh ai që dëshiron të bëhesh”.

“Unë mund ta pranoj dështimin. Secili nga ne dështon në diçka përgjatë jetës së vet, por unë nuk mund ta pranoj dot të mos e provoj sërish”.

“Gjithmonë beso tek vetja. Pavarësisht nëse të tjerët rreth teje po tregohen negativë, apo po të përçojnë energji negative, mos i merr parasysh mendimet e tyre, sepse ti do të bëhesh, ashtu siç ti beson se do të bëhesh”.

“T’i japësh dikujt një pjesë të zemrës tënde, është shumë herë më me vlerë se t’i japësh gjithë pasurinë e botës”.

“Nëse ti nuk beson tek vetja jote, asgjë e mirë nuk do të të ndodhë në jetë. Nëse ti nuk beson tek vetja, kush tjetër do të të besojë ty?”

“Le të ëndërrojmë për një të nesërme ku do të dashurojmë me shpirt, dhe do ta njohim dashurinë si të vërtetën e vetme që buron nga zemra për çdo krijesë”.

“Është më mirë të dështosh duke qenë vetvetja, se sa të korrësh sukses duke imituar të tjerët”.

“Dikush dikur tha “Shpirti është ai që ka rëndësi””.

“Jini modestë, besoni tek vetja juaj dhe mbusheni zemrën tuaj me dashurinë e gjithë botës”

– Michael Jakson/ KultPlus.com

“Bujtina e Jufkave” në Dibër, Rama: Shembull frymëzues i zhvillimit rural

“Bujtina e Jufkave” në Dibër, që nisi fillimisht si një sipërmarrje e vogël familjare për prodhimin e jufkave të famshme dibrane, sot është shndërruar në një bujtinë për pritjen e turistëve.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale shembullin frymëzues të kësaj bujtine, që frekuentohet nga turistë vendas e të huaj.

“”Bujtina e Jufkave” në Dibër është një tjetër shembull frymëzues i zhvillimit rural, ku tradita, mikpritja dhe dashuria për vendin e natyrën harmonizohen për të krijuar një përvojë unike për vizitorët vendas dhe të huaj”, shkruan Rama.

Në videon e publikuar nga Rama, e zonja e bujtinës tha se “ky agroturizëm lindi si ide për të rritur sa më shumë të ardhurat në familje dhe për të shtuar një atraksion për Dibrën dhe vendin tonë. Ky është një biznes familjar, ku shërbejmë unë, bashkëshorti dhe fëmijët. Shërbejmë më tepër gatimet tradicionale tipike të Dibrës, turistët janë shumë të kënaqur me gatimet tona”.

Ajo u shpreh se “bujtina jonë shquhet për gatimet tradicionale, jufkat dhe trahananë, e shumë produkte të tjera që i prodhojmë nga ferma jonë, por edhe nga bashkëpunimi me fermerët e zonës ku marrim qumështin, vezët, miellin, grurin, frutat e perimet”.

“Kemi edhe hotelin ku turistët kalojnë natën në ajër të pastër dhe peizazh të bukur”, shtoi ajo, duke i bërë thirrje të rinjve të kthehen në vendin e tyre për të investuar sa më shumë.

Transformimi i zonave rurale në peizazhe atraktive ka nxitur krijimin e agroturizmeve, si model i ri i zhvillimit rural në Shqipëri./ KultPlus.com

Parku Kombëtar i Vjosës, destinacion unik për aventurë dhe turizëm të qëndrueshëm

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur sot se Parku Kombëtar i Vjosës, në brigjet e lumit të fundit të egër në Europë, është një destinacion që tërheq turistë nga çdo cep i botës, si dhe vendas që janë të apasionuar pas aventurës.

Parku Kombëtar i Vjosës ofron një eksperiencë unike për turistët vendas dhe të huaj që janë të apasionuar pas natyrës dhe aventurës.

Ky park përfshin peizazhe të paprekura, kanione të thella, ujëvara spektakolare dhe biodiversitet të pasur, duke e bërë atë një destinacion ideal për ecje në natyrë, rafting, kajak, kamping dhe fotografi natyrore.

“Çdokush që viziton këtë park, largohet me një kujtim të paharruar dhe me dëshirën e madhe për t’u rikthyer”, tha ministrja Kumbaro, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të këtij thesari natyror unik në Shqipëri.

Shqipëria vazhdon të shënojë rritje të qëndrueshme në sektorin e turizmit, me 820 mijë vizitorë të huaj vetëm gjatë muajit prill 2025.

Kjo e çon në 2,45 milionë numrin total të turistëve që kanë hyrë në vend gjatë katër muajve të parë të këtij viti.

Rritja është dëshmi e stabilitetit dhe konsolidimit të Shqipërisë si një destinacion turistik në rritje në Europë./ KultPlus.com

Rama: Në brigjet e lumit të fundit të egër në Europë, turistë nga çdo cep i botës

Këtë të diel brigjet e lumit Vjosë, zemra e Parkut Kombëtar u mbushën me vizitorë nga e gjithë bota. Nga adhurues të natyrës, deri tek aventurierët me kanoe e turistë që kërkojnë qetësinë, Vjosa ofron një eksperiencë të rrallë dhe të paprekur nga civilizimi modern.

Kryeministri Edi Rama përcolli foto nga Parku Kombëtar i Vjosës, ndërsa theksoi se ai po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj e vendas të pasionuar pas aventurës.

“Kjo e diel në Parkun Kombëtar të Vjosës, në brigjet e lumit të fundit të egër në Europë, ku turistë nga çdo cep i botës dhe vendas të pasionuar pas aventurës gjejnë eksperiencën unike”, tha ai.

Me rrjedhën e saj të lirë përmes kanioneve, pyjeve të dendur dhe fushave të gjelbra, Vjosa është cilësuar si lumi i fundit i egër në Europë. Kjo veçori e bën atë një magnet për turistët që kërkojnë autenticitet, biodiversitet dhe aktivitete të qëndrueshme në natyrë.

Autoritetet shpresojnë që përmes promovimit dhe ruajtjes së Vjosës si Park Kombëtar, Shqipëria të kthehet në një destinacion model për ekoturizmin në Ballkan dhe më gjerë./ KultPlus.com

Ata që dashurojnë akoma

Poezi nga Fatos Arapi

Ata qe s’kane buke,
kur te kujtojne buken,
ty dhe mua le te kujtojne.
Ata qe s’kane zjarr,
kur te kujtojne zjarrin,
ty dhe mua le te kujtojne.
Te pagjumet e botes,
me syrin hapur si nata,
ne mesnaten e tyre
ty dhe mua le te kujtojne.
Ata qe kane vdekur
dhe dashurojne akoma,
ty dhe mua le te kujtojne./ KultPlus.com

Poezia e Naim Frashërit kushtuar hapjes së mësonjëtores shqipe në Korçë

Naim Frashëri

O vëllezër shqipëtarë
Gëzohi! që erth kjo ditë,
Kaq’ e mir’ e kaq’ e mbarë
Që sjell gjithë mirësitë.

Hapu, hapu errësirë,
Pa jakë tëhu o dritë!
Se arriti koh’ e mirë,
U gdhi nata u bë ditë

Lumja ti moj Korç’ o lule!
Q’i le pas shoqet e tua
Si trimi në ball u sule,
Ta paçim për jetë hua

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël sa e gjerë
Sa e lehtë sa e lirë!
Sa e bukur sa e vlerë! / KultPlus.com