Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka pritur homologun e tij nga Sllovakia, Peter Pellegrini, në Tiranë.
Begaj, në një konferencë për media, ka theksuar se ata kanë biseduar edhe për Kosovën, duke shpresuar se Sllovakia do të mbështesë Kosovën në anëtarësimin në akterët ndërkombëtar.
Sllovakia është njëra nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur Kosovën.
“Një temë tjetër e bisedimit tonë kishte të bënte me Kosovën. Shqipëria vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e stabilitetit rajonal, dhe e mbështet parezervë rrugëtimin e shtetit të ri, Kosovës. Për ne Kosova është një demokraci e qëndrueshme dhe një faktor stabiliteti i rëndësishëm.”
“E falënderova Z. Pellegrini që Sllovakia e ka njohur pasaportën e Kosovës nga viti 2012. Shqipëria shpreson në mbështetjen e Sllovakisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, për mundësinë e rishikimit të qëndrimit me Republikën e Kosovës”, ka thënë Begaj./ KultPlus.com
Mes mozaikëve dhe pamjes mbresëlënëse të liqenit të Ohrit, gjendet Bazilika Paleokristiane e Linit, një nga thesaret më të rëndësishme të trashëgimisë tonë kulturore.
E shkuara dhe e tashmja bashkohen në këtë vend unik, duke e bërë atë një destinacion tërheqës për vizitorë vendas dhe të huaj.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë publikoi foto nga ky monument kulture, ku duket se po frekuentohet nga vizitorë të shumtë, të cilët na kujtojnë se tashmë kemi të bëjmë me një turizëm gjithëvjetor.
Bazilika Paleokristiane e Linit u shpall Monument Kulture, Kategoria I, më 10 qershor të vitit 1973. Ajo daton prej shekullit V-VI pas Krishtit.
Bazilika paleokristiane e Linit, së bashku me mozaikët që ndodhen në të, gjendet në majën e kodrës së Shën Thanasit, që përbën gadishullin e Linit. Ajo u zbulua për herë të parë në vitin 1967 gjatë një ekspedite hulumtuese të punonjësve të muzeut lokal të Pogradecit, të cilët ndërmorën edhe një fushatë gërmimesh për ta nxjerrë në pah. Një kërkim më i hollësishëm i ndërmarrë më 1968 nga Instituti i Monumenteve në Tiranë nxori përfundimin se kjo bazilikë ishte një nga më të veçantat e zbuluara ndonjëherë në Shqipëri.
Ajo përbëhej nga 7 ambiente gjithsej, dyshemetë e të cilave ishin zbukuruar që të gjitha me mozaikë. Bazilika, së bashku me ambientet që e rrethonin atë, ishte ndërtuar për herë të parë në shek. VI pas Krishtit si rezidencë verore e peshkopëve të Lyhnidit (Ohri i sotëm).
Gërmimet kanë treguar se në shtresën arkeologjike që i përket shek. X-XI, ka gjurmë të një zjarri masiv. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, që përkon me pushtimin e zonës nga bullgarët, bazilika duhet të jetë djegur deri në themel pasi vihet re se muret e saj janë rrafshuar tërësisht. Pas djegies ajo nuk është rindërtuar më./ KultPlus.com
Lady Gaga, e lindur si Stefani Joanne Angelina Germanotta në Nju Jork, u rrit në një familje të pasur me prindër artistë dhe u nxit të ndjekë karrierën e saj muzikore që në moshë të vogël.
Ajo performonte fillimisht në teatër, luante në shfaqjet e shkollës së saj, dhe studionte në CAP21 përmes Tisch School of the Arts të NYU, para se ta linte shkollën për të ndjekur karrierën muzikore. Pas largimit nga një grup rock dhe prishjes së një kontrate me Def Jam Recordings, Gaga punoi si një kantautore për Sony dhe ATV Music Publishing. Prej andej, artisti diskografik Akon vuri re aftësitë e saj zanore dhe e ndihmoi të nënshkruante një marrëveshje të përbashkët me Interscope Records dhe me KonLive Distribution ku edhe filloi punën në albumin e saj të debutimit “The Fame”, shkruan KultPlus.
Albumi u lirua në vitin 2008 dhe u bë një sukses i menjëhershëm në mbarë botën. Në vitin 2009, ajo fitoi çmimin Grammy për këngën e saj “Poker Face”, dhe karriera e saj filloi të ndizet si një zjarr.
Gaga vazhdoi të publikonte album pas albumit dhe këngë pas kënge, duke përjetuar suksesin me këngë të tilla si “Bad Romance”, “Born This Way”, “Applause”, dhe shumë të tjera. Ajo gjithashtu u bë një ikonë e stilit dhe modës, duke sjellë stile të reja dhe të ndryshme në modën botërore.
Në vitin 2018, Gaga ishte në një prej rolave kryesore në filmin “A Star is Born”, ku ajo dëshmoi talentin e saj jo vetëm si këngëtare, por edhe si aktore. Roli i saj si Ally, i cili vë në pah aftësitë e saj vokale dhe emocionet e thella, solli një nominim për Oscar dhe fitoi çmime të tjera të rëndësishme në botën e kinemasë.
Përveç karrierës së saj muzikore dhe kinematografike, Gaga ka qenë një mbështetëse e pashoqe e të drejtave të LGBT, si dhe një zë i fuqishëm kundër dhunës dhe keqtrajtimit seksual. Ajo gjithashtu ka qenë një aktiviste e rëndësishme në fushën e shëndetit mendor, duke ndihmuar në hapjen e një linje telefoni të ndihmës psikologjike për ata që vuajnë nga ankthi, depresioni dhe vetëvrasja.
Nëse shohim në tërësi karrierën dhe jetën e Lady Gagës, kuptojmë që ajo është një personazh i cili ka arritur të bëhet një ikonë në muzikë, modë dhe kinema, ndërkohë që është angazhuar edhe në fusha sociale dhe humanitare.
Me një fanellë të shkruar “Be Kind” (të jesh i këndshëm) në koncertet e saj, Gaga ka kujtuar njerëzit që në kohët e vështira, mënyra më e mirë për t’i dhënë kuptim jetës është të tregohen të këndshëm dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin.
Sot, në ditën e saj të ditëlindjes, adhuruesit e saj vazhdojnë të urojnë dhe shpresojnë që ajo të vazhdojë të jetë një frymëzim dhe një zë i fuqishëm në muzikë, modë, kinema dhe në luftën për të drejtat dhe shëndetin e njerëzve në të gjithë botën./ KultPlus.com
Shkrimtari nobelist Mario Vargas Llosa në mbrotje të intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë shkruan: “Disa burra të matur që na paskan fort nderim për të drejtën ndërkombëtare, për të cilën ndërhyrja aleate në Jugosllavi na qenka një monstruozitet juridik sepse, sipas tyre, meqë Kosova qenka pjesë integrale e atij vendi dhe problemet e kosovarëve çështje e politikës së brendshme, bashkësia ndërkobëtare duke na sulmuar një komb sovran, ka vënë në pikëpyetje gjithë rendin juridik ndërkombëtar. Sipas këtij kriteri i bie që në emër të një sovraniteti abstrakt, Millosheviçit i duhet lënë dorë e lirë që me zjarr e hekur dhe shpërngulje të dhunshme ta pastrojë Kosovën prej dy milion kosovarëve meqë i prishin planet: gjë që, meqë ra fjala, kish nisur ta bënte para se të fillonin sulmet e NATO-s, me të njëjtin zell e bindje që Hitleri spastroi Europën nga Hebrenjtë.”
Një Luftë e Vonuar – *Shkrim i publikuar në vitin 1999
NATO-ja nuk lipset qortuar për ndërhyrjen në Jugosllavi, por për faktin që këtë ndërhyrje duhej ta kish kryer këtu e dhjetë vjet të shkuara, si dhe për gabimin e bërë duke shpallur se përjashtonte çdo ndërhyrje tokësore.
Të gjita këto i ndezën dritën e gjelbër diktaturës së Beogradit për të vënë në jetë planin për spastrimin etnik në Kosovë, një prej krimeve më të lemerishme kundër njerëzimit që janë kryer përgjatë këtij shekulli, i krahasueshëm për nga natyra, edhe pse jo nga numri, me Holokaustin e hebrenjve të realizuar nga Hitleri, ose me deportimin e popujve prej Stalinit, i cili ishte i vendosur në synimin e vet për të rusifikuar Bashkimin Sovjetik. Siç ka shkruar Alain Finkielkrahut, lufta në Kosovë ka nisur më 1989.
Ka nisur bash atëherë kur Sllobodan Millosheviçi, pasi u lëshua turravrap në fushatën frenetike të ekzaltimit nacionalist serb, gjë që i hapi rrugën e i dha mundësinë të shtjerë në dorë pushtet absolut (gjë që në të njëjtën kohë do të përshpejtonte shpërbërjen e Federatës Jugosllave) i hoqi statusin e autonomisë Kosovës, mbylli shkollat në gjuhën shqipe, i privoi shqiptarët nga çfarëdolloj e drejte e përfaqësimit publik dhe, ndonëse ata përbënin nëntëdhjetë përqind të popullsisë, i shndërroi në qytetarë të dorës së dytë, kundrejt mbetjes prej dhjetë përqind (pakicës serbe).
Në qoftë se vendet perëndimore do të kishin mbështetur që asokohe në Jugosllavi demokratët, të cilët vazhdonin t’i Bënin ballë makinës shtypëse të aparatçikut- i cili me synimin si e si të ruante e të konsolidonte pushtetin e kish këmbyer petkun e ideologjisë marksiste me atë të nacionalizmit dhe provokonte pa reshtur sllovenët, kroatët, boshnjakët e kosovarët me kërcënimin e një hegjemonie serbe mbi Federatën si dhe duke krijuar një klimë përçarjesh e ksenofobie për të frenuar me çdo kusht demokratizimin e Jugosllavisë, gjë që, pa një pa dy, do t’i jepte fund karrierës së tij politike- Europa do t’i kishte kyrsuer atijj vendi dyqind mijë të vrarët e Bosnjës dhe një oqean brengash e vuajtjesh që ka përbytur Ballkanin, doemos edhe vetë serbët.
Problemi nuk është thjesht Kosova, ashtu si edhe më parë nuk kishin qenë kulturat tjera që përbënin Federatën Jugosllave (Sllovenia, Bosnja e Kroacia) tashmë republika të pavarura. Problemi ka qenë dhe është, edhe sot e gjithë ditën, diktatura e Millosheviçit, burimi parësor i konflikteve etnike dhe i shpërthimit histerik të ndjenjave nacionaliste, njeriu që i ka vënë zjarrin mbarë Ballkanit. Në qoftë se në Beograd do të kishim një qeveri demokratike, ndarja do të kishte qenë aq paqësore sa edhe divorci midis Sllovakisë dhe Republikës Çeke, divorc që nuk pati qoftë edhe një të shtënë të vetme. Por ajo që ka më fort gjasë është se me një regjim demokratik Federata Jugosllave nuk do të shpërthente dhe ngrehina e saj do të Kish mbijetuar e mbështetur në një sistem të brendshëm fleksibël, të bashkëjetesës ndërmjet kulturave, religjioneve e traditave të ndryshme, sipas modelit zvicerran apo atij belg. Që do të kishte qenë zgjidhja e atyre udhëheqësve europianë, të cilët në mënyrë krejt të papërgjegjshme, si e si për të zotëruar zona të influencës politike e ekonomike, inkurajuan shpërbërjen e Jugosllavisë dhe arritën deri në aë pikë sa të mbështesnin ekonomikisht dhe të armatosnin lëvizjet nacionaliste lokale. Ishte pikërisht kjo miopi që i dha dorë regjimit të Millosheviçit i cili i shndërruar ashmë në simbol të nacionalizmit serb si dhe i mbështetur nga një fushatë e fuqishme e propagandistike që e paraqiste si viktimë të të tjerëve në sytë e opinionit publik, ia doli ta shpinte deri në fund spastrimin politik brenda vendit duke eliminuar çdo opozitë serioze dhe frymë kritike, madje kohë përpara se të fillonte nga Kosova. Është jashtë çdo dyshimi që bombardimet e NATO-s në kurriz të popullit jugosllav e favorizojnë jashtëzakonisht Millosheviçin, të cilit, kurrkush s’ka kurajon t’i kundërvihet, përndryshe damkoset si tradhëtar i atdheut. Por nisur nga ky realitet nuk mendoj se duhet ngutur për të nxjerrë ato farë argumentashm, që na i tundin sot para syve disa shpirtra të qashtër, kundër ndërhyrjes së NATO-s. Përkundrazi, përfundimi ku lipset të arrijmë të gjithë është se arsyeja e kësaj ndërhyrjeje, po qe se ajo dëshiron t’i japë fund njëherë e mirë gjithë spastrimeve etnike dhe krimevekolektive në Ballkan, duhet të jetë rrëzimi i regjimit autoritar të Millosheviçit dhe në vend të tij, krijimi në Beograd i një qeverie të lirisë e legalitetit.
Kësaj teze i kundërvihen disa zotërinj që Daniel Cohn Bendit, në një nga artikujt më të mirë që kam lexuar deri më sot për Kosovën, i quan “sovranitarët”. Cilët janë këta zotërinj? Disa burra të matur që na paskan fort nderim për të drejtën ndërkombëtare, për të cilën ndërhyrja aleate në Jugosllavi na qenkërka një monstruozitet juridik sepse, sipas tyre, meqë Kosova qenka pjesë integrale e atij vendi dhe problemet e kosovarëve çështje e politikës së brendshme, bashkësia ndërkobëtare duke na sulmuar një komb sovran, ka vënë në pikëpyetje gjithë rendin juridik ndërkombëtar.
Sipas këtij kriteri i bie që në emër të një sovraniteti abstrakt, Millosheviçit i duhet lënë dorë e lirë që me zjarr e hekur dhe shpërngulje të dhunshme ta pastrojë Kosovën prej dy milion kosoarëve meqë i prishin planet: gjë që, meqë ra fjala, kish nisur ta bënte para se të fillonin sulmet e NATO-s, me të njëjtin zell e bindje që Hitleri spastroi Europën nga Hebrenjtë.
Sovraniteti ka caqet e veta. Në qoftë se një qeveri merr nëpërkëmbë të drejtat më themelore të njeriut, si dhe kryen krime kundër njerëzimit përmes vrasjeve kolektive e spastrimit etnik, ashtu siç vepron Millosheviçi, atëherë vendet demokratike janë të detyruar të veprojnë për t’i ndaluar me çdo kusht këto soj krimesh. S’ka pikë dyshimi që çdo veprim i armatosur mbart pasoja të tmerrshme sepse e pësojnë edhe të pafajshmit. Por pacifizmi i pavend shpie ujë në mullirin e tiranëve dhe fanatikëve që i ndjekin, të cilët s’kanë asnjë skrupull moral që t’i ndalojë dhe, a posteriori, nuk vlen gjëkafshë tjetër veçse të vonojë aksionet ushtarake, që kësisoj shkaktojnë dëme të mëdha e të rënda sesa ato që do të donin t’i shmangnin me mosveprimin.
Në qoftë se Perëndimi demokratik do ta kishte bombarduar Hitlerin atëherë kur Çurçilli e kërkonte me ngulm, prej Luftës së Dytë Botërore nuk do të kishim pasur njëzet milionë të vrarë, por shumë herë më pak dhe Holokausti nuk do të kishte ndodhur. Në qoftë se gjatë Luftës së Gjirit Presidenti Bush nuk do të kish shpënë gjer në fund misionin e vet, duke e rrëzuar nga froni Sadam Hyseinin duke hapur rrugën Irakut drejt emancipimit politik, ndoshta edhe atje do të kishte ndodhur ajo që ndodhi më pas në Panama, pas rënies së tiranisë së Noriegës: vendosja e një regjimi që nuk iu kanoset fqinjëve, që qeveris në bazë të ligjit dhe respekton liritë e qytetarëve të vet. Natyrisht, këtu nuk bëhet fjalë që demokracitë e zhvilluara të ndërmarrin sistematikisht aksione ushtarake kundër gjithë atyre regjimeve autoritare që gjenden anembanë rruzullit tokësor. Kjo do të ishte një utopi dhe, për më tepër, askush nuk mund të na sigurojë që një demokraci e dalë nga gryka e pushkës hedh rrënjë ngaherë e jep frytet e veta (edhe pse në disa raste tejet të rëndësishme, si në atë të Gjermanisë e të Japonisë, ka ndodhur pikërisht kështu). Por të paktën, të kërkohet një rend botëror, në të cilin të mëtohet prej të gjithë regjimeve një minimum të drejtash njerëzore, si dhe sanksione të ashpra nga ana e kombeve demokratike kundër të gjithë atyre që i shkelmojnë haptazi këto të drejta, përmes persekutimeve religjioze, raciale apo etnike, si dhe vrasjeve e shpërnguljeve të pakicave kombëtare.
Sanksionet mund të jenë si ekonomike, ashtu edhe politike (në Afrikën e Jugut e në Haiti kanë rezultuar me sukses), por në raste të veçanta edhe ushtarake, si në Kosovë, kur lind nevoja t’i ndalet dora shfarosjes së një populli mbarë për shkak të delirit nacionalist të një tranit. Në këtë pikë s’ka se si të na bëhet më e qartë se fjala “shfarosje” i rri për bukuri pas shtatit operacionit që ka ndërmarrë Millosheviçi në Kosovë, operacion që ai e kishte nisur teksa në Rambuje zhvilloheshin negociatat, duke i shkuar kështu ndesh zotimit të marrë në tetor të vitit të shkuar, ndërkohë që në Kosovë ishin futur dyzet mijë trupa ushtarake dhe prej provincës tashme të izoluar ishin përzënë të gjithë përfaqësuesit e shtypit botëror.
Dëshmitë e mbledhura mes refugjatëve kosovarë në Maqedoni e Shqipëri, flasin për një plan të hartuar me gjak të ftohtë dhe të zbatuar me një përpikmëri shkencore. Në fshatrat e pushtuar të rinjtë janë ndarë nga fëmijët, të moshuarit e gratë e më pas janë ekzekutuar, ndonjëherë duke i shtërnguar t’i hapnin varret me duart e tyre. Të mbijetuarve iu është lënë një kohë e shkurtër në dispozicion për t’ia mbathur jashtë kufijve, pasi i kanë privuar më parë nga çfarëdolloj dokumenti vetjak. Regjistrat publikë janë shqyer e djegur ashtu si edhe çdo dokument tjetër i çfarëdoshëm që vërtetonte pronësinë e kosovarëv mbi shtëpi apo toka, madje deri në atë shkallë sa të venë në pikëpyetje jetesën dhe ekzistencën e tyre në ato troje. Faza e fundit e operacionit -kur sipas Komisarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, mëse gjysmë milion kosovarë janë përzënë jashtë kufijve dhe afro dyqind e pesëdhjetë mijë ndodhen të fshehur në brendësi të Kosovës- konsistonte në mbylljen e kufijve, në mënyrë që kosovarët e mbetur në vend të përdoren si mburoja njerëzore kundër bombardimeve dhe një ndërhyrjeje të mundshme tokësore nga ana e trupave aleate.
Gjithsesi, tashmë është mëse e qart që objektivi i Millosheviçit ka qenë e mbetet spastrimi etnik, shndërrimi i Kosovës në një provincë njëqind për qind serbe dhe ortodokse, ku të mos mbesë këmbë myslimani a shqiptari. Mos vallë ka ndonjë farë lidhjeje ndërmjet vonesës me të cilën bashkësia ndërkombëtare ka vepruar kundër Millosheviçit dhe faktit që viktimat e tij janë myslimanë? Kam frikë se po, ashtu siç ndodhi edhe në kohën e Hitlerit, me ngurrimin e aleatëve për t’i shpallur luftë Gjermanisë dhe faktit që viktimat e Holokaustit u bënë hebrenjtë. Jam mëse i bindur se sikur të kishte qenë e besimit të krishterë bashkësia njerëzore që ka hequr në kurriz mundimet e mujshitë që u shtrënguan të përballojnë bosnjakët dhe që po i vuajnë edhe sot e kësaj dite kosovarët, reagimi i opinionit publik e i qeverive perëndimore do të kish qenë më ishpejtë, dnërsa në shoqëritë perëndimore nuk do të ishin shfaqur ato segmente të angazhuara në përpjekje për t’i detyruar qeveritë e vendeve të tyra të mos rrinë duarkryq e të bëjnë sehir krimet. Kjo është diçka për të cilën heshtet ose që përshpëritet vesh më vesh në qarqe të caktuara e të besuara: Mos vallë jemi duke krijuar një Moloch mes nesh? Mos vallë duam të krijojmënjë regjim fondamentalist islamik në zemër të Europës, aleatë të Kadafit Sadam Hyseinit dhe të ajatollahëve të Iranit? Mos vallë në një farë mënyrë edhe sot e kësaj dit serbët janë duke luftuar, ashtu siç luftoi edhe princi Llazar më28 qershor 389 në kosovë kundër GJysmëhënës barbare e fanatike, armike e përjetshme e Europës së krishterë e të civilizuar? Edhe pse na duket se të gjitha këto hamendje nuk kanë gjasë të jenë të përnjëmendta, nuk mund të thuhet se mungojnë ata demokratë të ndjeshëm ndaj këtyre “argumenteve” dhe bash për këtë, sondazhet e kryera na kallëzojnë se segmentet që i kundërvihen ndërhyrjes ushtarake në, synimi i së cilës është të shpëtojë popullsinë kosovare nga asgjësimi, i kalojnë përqindjet e elektorale që kanë kapur rëndom partitë komuniste e neofashiste, të vëllazëruara sot, ashtu si në kohën e paktit Molotov-Ribentrop, në të ashtuquajturën fushatë pacifiste kundër NATO-s.
Nga libri Lufta kundër luftës (opinioni intelektual rreth luftës në Kosovë), fq. 15-20, Shtëpia Botuese Ora, Tiranë, 2001. / KultPlus.com
Nën moton “Fjalët lëvizin botën”, Panairi i Librit i Lajpcigut priti mijëra vizitorë në ditën e tij të parë.
Stenda e Shqipërisë u vizitua nga Ministri për Kulturë dhe Shoqëri të Lihtenshtajnit, Manuel Frick. Stenda, si edhe një vit më parë, gjendet në hapësirën e Tradukit, ku prezantohen botimet shqipe. Falë programeve tē përbashkëta me Traduki dhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, letërsia shqipe është më e pranishme në gjuhën gjermane mes përkthimeve të ndryshme.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shkroi në faqen e saj online se, panaire të këtij lloji në Europë ku bëhen bashkë lexues, autorë, përkthyes, shtëpi botuese e kritikë letrarë, mbërrijnë edhe si formë komunikimi mes kulturave të ndryshme dhe si mundësi prezantimi për t’u përcjellë letërsia shqipe në disa gjuhë të botës.
Në ditën e parë të panairit, autorët shqiptarë Elvin Nuri, Flogerta Krypi dhe Mimoza Ahmeti u bënë pjesë e një takimi me temën “Fjalë, Fjalë, Fjalë”, i cili tërhoqi vëmendjen e lexuesve.
Ndërsa sot, në stendën e Shqipërisë do të jetë aktiviteti me temë “Letërsia dhe gjeopolitika” mbi përkthimin në gjermanisht të romanit “Kur sunduesit grinden” nga Ismail Kadare. Në panel do të jenë Joachim Rohm, Adia Sakiqi, Mimoza Ahmeti si dhe përkthyesja Loreta Schillock.
Në këtë tryezë, do të diskutohet mbi vendin e Kadaresë në letërsinë botërore, mënyrën se si veprat e tij trajtojnë temat e pushtetit, historisë dhe lirisë, si dhe rolin e tij si një urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit./ KultPlus.com
Shfaqja e Teatrit Kombëtar të Kosovës, “Kamarja e Turpit”, sonte luan në festivalin “Java e Dramës Sllovene” në ora 19:30 në Prešeren Theatre Kranj, hall, Slloveni.
Autor i shfaqjes është Ismail Kadare. Dramatizimi nga Doruntina Basha. Regjisor i shfaqjes është Kushtrim Koliqi.
Në shfaqje luajnë: Adrian Morina, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Gresa Pallaska, Bislim Muçaj, Kosovare Krasniqi, Zana Berisha, Fiona Abdullahu, Art Pasha, Gentrit Shala, Florenta Bajraktari, Jehona Gashi./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që po mbahet në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj, tha se FSK është dëshmi e sakrificës.
E para e shtetit tha Kosova është e lirë falë sakrificës së dëshmorëve dhe martirëve.
“Ushtria nuk është thjesht një forcë e armatosur ushtria e jonë është një betim i përhershëm për atdheun tonë, është një përkushtim ndaj sigurisë dhe një garanci për paqen”, tha Osmani./ KultPlus.com
Kisha e Manastirit të Shën Mërisë në Dhërmi ruan vlera të çmuara të artit bizantin dhe pasbizantin, me piktura murale të realizuara në disa faza, nga shek. XII-XIII deri në shek. XVIII.
Në kuadër të punës së IKTK-së, për mbrojtjen dhe restaurimin e veprave të artit në të gjithë territorin, specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore zhvilluan një ekspeditë dokumentuese për hartimin e një projekti konservimi dhe restaurimi të pikturës murale.
Manastiri i Shën Mërisë, i vendosur në fshatin bregdetar të Dhërmiut ka një kishë te mrekullueshme ortodokse që qëndron si një dëshmi e trashëgimisë së pasur shpirtërore dhe arkitekturore të rajonit. Kjo strehë e qetë është e mbështjellë nga peizazhet mahnitëse të Rivierës, ku malet e thyer takohen me dallgët e kaltra të detit Jon.
Pas hyrjes, vizitorët shpesh befasohen nga atmosfera e qetë që përshkon kishën. Drita e butë që filtron nëpër dritaret me njolla shton ambientin eterik, duke e bërë atë një vend ideal për reflektim dhe qetësi. Brendësia krenohet me ikonografi të bukur fetare, e cila shfaq talentin artistik të artizanëve vendas që kanë kontribuar në ruajtjen e saj.
Peizazhi përreth është po aq magjepsës, me pamje panoramike që ofrojnë një sfond mahnitës për fotografimin dhe soditjen.
Manastiri i Shën Mërisë është një destinacion që ofron si pasurim kulturor ashtu edhe bukuri natyrore. Ai shërben si një kujtesë e traditave të pasura ortodokse të Shqipërisë, ndërsa ofron një mundësi unike për turistët që të lidhen me hijeshinë e qetë të kësaj zone të bukur./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski.
Osmani e uroi ambasadorin Kraevski për detyrën e tij të re dhe shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë ndaj Kosovës, veçanërisht në fuqizimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe integrimit euroatlantik të vendit tonë.
Në këtë takim, Osmani falënderoi Bullgarinë për mbështetjen e palëkundur në proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe inkurajoi vazhdimin e avokimit bullgar për fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Presidentja Osmani, në takim me ambasadorin e ri të Bullgarisë shtroi nevojën për heqjen e menjëhershme të masave të padrejta të BE-së, të cilat po i dëmtojnë qytetarët e Kosovës, pa dallim.
Në këtë kuadër, presidentja Osmani vlerësoi angazhimin e Bullgarisë për sigurinë rajonale dhe globale si dhe angazhimin e homologut të saj, presidentit bullgar Rumen Radev, që ta mbështesë vazhdimisht Kosovën në këtë drejtim.
Presidentja Osmani dhe ambasadori Kraevski diskutuan edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në ekonomi, arsim, kulturë, turizëm e fusha të tjera./ KultPlus.com
Ka ndërruar jetë në Berlin të Gjermanisë, veprimtari i çështjes kombëtare, Ahmet Metaj.
Ai u dallua për angazhimin e tij si organizator i demonstratave të vitit 1981. Ahmet Metaj ishte një zë i fuqishëm i çështjes shqiptare, duke dhënë një kontribut të çmuar në periudha të rëndësishme të historisë.
Ishte edhe themelues i shkollës Shqipe “Dituria” në vitin 1976 dhe i klubit “Bajram Curri” në vitin 1981 në Berlin.
Ceremonia e varrimit do të bëhet të dielën në ora 14;00 në fshatin Shushicë të Istogut./ KultPlus.com
Sot shënohen 26 vjet nga masakra e Izbicës së Skënderajt, e cila është një ndër më të mëdhatë në Kosovë, ku u vranë e u masakruan 147 qytetarë të këij fshati, përcjellë KultPlus.
Pas vrasjeve të civilëve, forcat serbe për të fshehur gjurmët, dhe për të mohuar atë se çka kishte ndodhur, të masakruarit i varrosën në lokacione të ndryshme në Kosovë dhe në Serbi.
Por, përpjekjen e serbëve për të fshehur atë se çfarë kishte ndodhur, NATO-ja e hodhi në dritë përmes satelitëve duke shfaqur fotografi të varrezave masive.
Këto ditë janë shënuar edhe përvjetorët e Masakrave të Krushës së Madhe, Krushës së Vogël dhe familjes Berisha në Suharekë./ KultPlus.com
E mban mënd, moj Marë, dashurin’ e parë? Njeri nuk e gjegji, se jeshmë te vegji. Unë pa ty s’rrojë, vij’ e të kërkojë; tl pa mua s’rroje, vij’ e me kërkoje. Në lule me erë putheshim ngahere, dhe si burr’ e grua losnim nënë ftua. Një ditë, të dyza losnim mbylla-syza: U fshyem pa dukur Cinë të besoj taninë, perëndin’ a dashurinë? Perëndi në këte jetë është dashuria vetë. —— Bukuria jote, leshërat e tua posi pëndë korbi, të gjata mbi thua,ballëtë si diell, faqetë si mollë,qafa jot’ e gjatë, mesi yt i hollë,sisëtë si shegë, dhëmbët si thëlpënjë,buzët si burbuqe, sytë si gështënjë, dora si dëborë, fjala jote mjaltë, kurmi yt i derdhur, shtati yt i naltë; gjithë më kënaqin, të tëra t’i dua, po zëmëra jote u bë gur për mua! —– Pika-pika bie shiu dhe dëbora flokë-flokë, vetëtin e fryn veriu, breshëri kërcet mi tokë! Le të fryjë er’ e ftohtë, s’ka ç’më bën dimëri mua: Dashuria më mban ngrohtë, se pushtoj atë që dua. Kur fryn era me tallas, kur bie dëbor’ e shi, sa flë njeriu me gas, kur ka mikenë në gji!/KultPlus.com
Sonte bie shi në Prishtinë, Lavanda është bërë qull në oborr të fakultetit, Pret vapën e verës për të lulëzuar, Fton kalimtarët për dashuri, me aromën e saj joshëse Por ata vrapojnë nën çadra me hapa të shpejtë. Këpus ca degë lule të pembe, lule të bardha Te Instituti i Historisë Nesër lulet do të bien, asgjë s’do të mbetet prej tyre Asgjë s’do të mbetet nga kjo mbrëmje. Pranvera paska ardh në Prishtinë E nuk e kisha pa.
Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe Musique de la Garde Républicaine e Francës performuan pak ditë më parë në një nga kishat më të vjetra franceze, kishën Val De Grace, në Paris.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga kjo natë speciale që solli një bashkim unik mes dy kulturave.
“Mbrëmje të paqtë me këtë moment krenarie. Një natë speciale në zemër të Parisit ku Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe Musique de la Garde Républicaine sollën një bashkim unik mes dy kulturave përmes muzikës së luajtur nga shërbëtorët e dy shteteve nën uniformë, të cilët bashkuan në një hapësirë mjeshtërinë e Kujtim Laros dhe magjinë e Georges Bizet”, u shpreh Rama.
Eventi ishte me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të kitaristit francez, Emmanuel Rossfelder, solist i njohur ndërkombëtar.
Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe Musique de la Garde Républicaine përcollën për publikun një përzgjedhjeje të larmishme repertori nga të dyja vendet./atsh/KultPlus.com
Është hapur Panairi i Librit në Lajpcig, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në industrinë e librit, përcjell KultPlus.
Edhe këtë vit, Kosova ka hapur stendën, e cila u përcoll me vizitorë të shumtë.
“Në ditën e hapjes se Panairit te Librit në Leipzig, stenda e Kosovës pati vizitorë të shumtë, të cilët u informuan për së afërmi me titujt e librave te ekspozuar te autorëve nga Kosova”, thuhet në njoftimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës./KultPlus.com
Jam i varfër, po i lirë, ndaj më pëlqen varfëria; kush do të rrojë më mirë, s’urdhëron dot veten e tia. Mbreti, sikur të më thotë: «Hajde në pallat me mua, të gëzosh dhe ti në botë, do t’i them: Zot, nukë dua; për të ngrën’ e për të pirë nukë mund të shes lirinë; i varfëri rron më mirë s’ai që do madhërinë. S’më duhet ergjëndi mua, dua lirinë dhe nderë, dua të bëj si të dua, jo si të duan të tjerë Kush mund e bën si do vetë, bën si thotë Perëndia, nukë ka në këtë jetë gjë m’e vyer se liria. (Andon Zako Çajupi)
”Shqiptarë të panjohur” është ekspozita e cila do te hapet më 3 prill në qendrën COD, në Tiranë.
Autori i kësaj ekspozite, shkrimtari dhe gazetari i njohur shqiptar Ben Blushi, përmes 42 fotografive na fton të shohim përtej sipërfaqes, të çmontojmë narrativën e zakonshme dhe të përqafojmë një Shqipëri më të pasur dhe më të gjerë, ku çdo individ, i njohur ose i panjohur, është pjesë e historisë dhe kulturës së vendit.
Kurator i ekspozitës është Rubin Kadiu. Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 3 – 30 prill 2025./KultPlus.com
Gjergj Qiriazi (1868-1912) ka lindur në manastir më 1868. Ai ndoqi shkollën greke në Manastir dhe kolegjin amerikan në Samokov. Pasi përfundoi kolegjin Gjergj Qiriazi filloi punë në Shoqërinë Biblike Britanike.
Pas vdekjes së të vëllait, Gjerasim Qiriazit më 1894, ai mori drejtimin e shkollës së vashave në Korçë, kurse më 1908 ishte delegat në Kongresin e Manastirit.
Gjergj Qiriazi ishte një nga themeluesit e gazetës “Bashkim’ i kombit” më 1909. Ai ka botuar një përmbledhje me vjersha fetare me titullin “Kënkë të shenjtëruara”, Sofje 1906.
Gjergj Qiriazi u shqua edhe në botimet e teksteve shkollore. Ai botoi një tekst për fizikën, “Fizika”, Bukuresht 1899, si dhe një numër artikujsh në organet e shtypit të kohës.
Gjergj Qiriazi ka vdekur në Manastir më 30 dhjetor 1912. / KultPlus.com
Një njeri pa mënd në kokë, mburrej e lëvdohej vetë, pandehte me të vërtetë q’ish i bukur e s’kish shokë, ndaj ishte shum’ i gëzuar. Vërtet pasqyra s’kishte mëshirë ta tregonte të shëmtuar. Po thosh: pasqyra nuk’ është e mirë. Nga kjo lajthitje që ta kërrejnë dhe të duket e vërteta, gjithë pasqyrat e shkreta kur i shikon, e rrëfejnë me një fytyrë shumë të ndyrë. Që të mos shohë kurrë pasqyrë, ç’punoi miku? U ngre dhe iku lark, ndëpër ara Për fat të keq, sheh përpara një liqen të pashënuar, me ujë fort të kulluar. Ndë këta ujë kur u shikua u zemërua, se prap ju duk fytyra si te pasqyra, Domethënë, me një fjalë, kjo përrallë Eshtë bërë për të tërë: për veten tonë, të gjithë ç’jemi këtë mendje kemi. Gjithë njerztë faje kanë, për ne si pasqyrë janë: ky njeriu faqeziu që qesh o mburr vetëhenë, është shpirti yne vetë,
Sa për liqenë ndë vënd të shkrete, me ujëkulluar, tregon librat qe ke shkruar./ KultPlus.com
Saranda është një perlë bregdetare në Shqipëri që rivalizon elitën mesdhetare, sipas një artikulli të botuar në revistën franceze “Journée Mondiale”.
SEKRETI MESDHETAR KU EVROPIANËT PO VERSHOJNË
E vendosur në bregdetin mahnitës jugor të Shqipërisë, Saranda shkëlqen si një diamant në detin Jon. Me mbi 270 ditë me diell në vit dhe ujëra të kristalta që rivalizojnë Karaibe, kjo parajsë bregdetare dikur e anashkaluar është bërë destinacioni i plazhit me rritjen më të shpejtë të Evropës Lindore.
Megjithatë, pavarësisht nga popullariteti i saj në rritje, Saranda ruan një bukuri autentike krahasuar me shumë pika të nxehta të Mesdheut.
“Saranda është jashtëzakonisht e bukur, vërtet mikpritëse dhe jashtëzakonisht e përballueshme”, tha Genti Mati, një operator turistik vendas që ka dëshmuar transformimin e qytetit.
NJË QYTET I NDËRTUAR MBI LEGJENDAT E LASHTA
Emërtimi “Saranda” rrjedh nga “Agioi Saranta”, që do të thotë “Dyzet shenjtorë” në greqisht, duke përkujtuar dyzet ushtarë romakë që refuzuan të hiqnin dorë nga besimi i tyre i krishterë dhe u martirizuan.
Manastiri i 40 Shenjtorëve, edhe pse pjesërisht i rrënuar, qëndron si një testament i kësaj legjende të fuqishme dhe ofron pamje panoramike.
Të apasionuarit pas historisë do ta gjejnë veten të magjepsur nga Kalaja e Lëkurësit, një kështjellë e shekullit XVI me pamje mahnitëse mbi bregdet.
Koha ideale për ta vizituar është gjatë perëndimit të diellit, kur deti Jon shndërrohet në një kanavacë me nuanca portokalli dhe rozë.
PLAZHE TË FSHEHURA QË RIVALIZOJNË PARAJSAT E LARGËTA
Ndërsa plazhet kryesore të Sarandës janë mahnitëse, magjia e vërtetë qëndron në thesaret e saj më pak të njohura bregdetare.
Plazhi Pulëbardha ofron rërë të bardhë dhe ujëra të cekëta bruz, perfekte për familjet.
Turistët aventurierë mund të eksplorojnë plazhet e fshehura që kërkojnë ecje të shkurtra, por që ofrojnë qetësi.
BUTRINTI: ATY KU NDESHEN HISTORITË E LASHTA
Vetëm 18 kilometra në jug shtrihet Parku Kombëtar i Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që pëshpërit histori që përfshijnë 3000 vjet.
Këto rrënoja të ruajtura në mënyrë të jashtëzakonshme shfaqin ndikimet greke, romake, bizantine dhe veneciane në një vend kompakt.
Teatri antik, me akustikë që të impresionon edhe sot, i transporton vizitorët në shfaqjet e mijëvjeçarëve të kaluar.
“Të ecësh nëpër Butrint është si të udhëtosh pas në kohë. Këtu mund të ndjesh praninë e çdo qytetërimi që ka lënë gjurmë”, tha Dr. Elena Kocaqi, arkeologe shqiptare.
SYRI I KALTËR
Në brendësi të Sarandës ndodhet një nga mrekullitë natyrore të Shqipërisë – Syri i Kaltër.
Ky burim natyror hipnotik ka ujëra blu intensiv që duket se pulsojnë nga thellësitë e saj 50 metra.
Uji ruan një temperaturë të 10°C gjatë gjithë vitit, duke ofruar freski gjatë eksplorimeve të verës.
Cilësia e tij eterike ngjall atmosferën mistike që gjendet në liqenet e shenjta anembanë botës.
NJË PARAJSË E USHQIMIT
Ushqimet e freskëta të detit dominojnë menutë, me ushqimet e ditës të pjekura në skarë apo thjesht me vaj ulliri dhe limon.
Mos humbisni gatimet tradicionale si tava e kosit dhe byreku, I mbushur me djathë ose spinaq.
PORTA DREJT DY BOTËVE
Vendndodhja strategjike e Sarandës e bën atë ideale për eksplorim.
Tragetet e rregullta lidhen me ishullin grek të Korfuzit në vetëm 30 minuta.
Ndërkohë, Riviera Shqiptare shtrihet drejt veriut me rrugë bregdetare që të kujtojnë bregdetin e Amalfit të Italisë.
Për ata që kërkojnë qëndrime më të gjata, Shqipëria ofron kushte të favorshme për viza nomade digjitale në krahasim me destinacionet e tjera evropiane.
KUR HISTORIA DHE NATYRA KRIJON MAGJI
Ashtu si kështjellat mesjetare që frymëzuan përralla apo shkretëtirat vullkanike që rivalizojnë peizazhet jashtëtokësore, Saranda ofron një kombinim të rrallë të bukurisë natyrore, historisë së pasur dhe përvojave autentike kulturore gjithnjë e më të vështira për t’u gjetur në Evropë.
Ndërsa dielli i Adriatikut shfaqet nën horizont dhe dritat fillojnë të vezullojnë përgjatë shëtitores së Sarandës, është e lehtë të kuptohet pse kjo perlë shqiptare ka rrëmbyer zemrat e turistëve që kërkojnë Mesdheun siç ishte dikur – i bukur, autentik dhe që pret për t’u eksploruar./atsh/KultPlus.com
Kompania mëmë e Facebook, Meta, po planifikon të prezantojë funksione të fuqizuara nga inteligjenca artificiale (IA) në Evropë, sipas një deklarate të kompanisë, e cila vjen pas një vonese për shqetësimet e ngritura nga mbikëqyrësi i teknologjisë së BE-së.
”Një chatbot i fuqizuar nga IA fillimisht do të jetë i disponueshëm në gjashtë gjuhë evropiane”, tha Meta.
Përfundimisht, kompania synon të ofrojë të njëjtën gamë karakteristikash si SHBA, tha kompania në një postim në blog të mërkurën që nuk specifikoi një afat kohor.
“Duke filluar nga kjo javë, Meta IA do të fillojë të përhapet në 41 vende evropiane, duke përfshirë ato në Bashkimin Evropian, si dhe 21 territore jashtë shtetit, duke shënuar zgjerimin tonë më të madh global të Meta IA deri më sot”, theksoi kompania.
Meta IA u prezantua në SHBA në vitin 2023, por kompania u përball me një pengesë në Evropë vitin e kaluar kur rregullatori i mbrojtjes së të dhënave të Irlandës kundërshtoi që kompania të përdorte postet publike të njerëzve për të trajnuar IA-në./KultPlus.com
Më poshtë mund të lexoni pjesë nga intervista me filozofin Isaiah Berlin. Në këtë pjesë, Berlin flet për rolin dhe rëndësinë praktike të filozofisë, si ajo ka ndikuar përgjatë historisë njerëzore dhe si mund të ndikojë në të ardhmen. Intervistues është filozofi anglez Bryan Magee, i cili gjatë viteve të 70-ta të shekullit 20, kishte realizuar një cikël intervistash me filozofë dhe studiues të filozofisë, për ta bërë filozofinë më të kapshme për publikun.
Intervista
Bryan Magee: Z. Berlin, a mund ti renditni disa arsye, pse dikush duhet të interesohet për filozofinë, në rast se nuk ka pasur mundësinë të njihet me të përgjatë procesit të edukimit, apo në përgjithësi gjatë jetës së tij?
Isaiah Berlin: Si fillim, kjo pyetje është intersante madje edhe në vetvete. Por, për ata që nuk pajtohen me këtë, më duhet të them se, filozofia i trajton dhe analizon në mënyrë kritike, supozimet apo pohimet, mbi të cilat shumë besime të zakonshme të përditshmërisë (opinione) kanë bazamentin, apo gjejnë mbështetjen e tyre. Bëhet fjalë për besimet, për të cilat njeriu nuk është se ka shumë dëshirë që ti gërmojë, sepse njerëzit thjesht nuk duan që mendimet dhe besimet e tyre të analizohen. Njerëzit fillojnë e ndihen jo komod në rast se i detyrojmë që në mënyrë kritike të analizojnë bazamentin, fundamentin e besimeve të tyre. Dhe pikërisht në lidhje me këtë, një nga detyrat themelore të filozofisë është analiza e mendimeve, besimeve apo analiza mbi të ashtuqujtuarën “mendje e shëndoshë”. Kjo detyrë e filozofisë, duket shumë e pasigurtë dhe në të njejtën kohë edhe shumë e komplikuar. Filozofët duke bërë një punë të tillë, provojnë tu mësojnë njerëzve vet-njohjen (self-knowledge). Shpesh her, duke bërë një punë të tillë, ata u tregojnë njerëzve në mënyrë mjaftë iluminuese, se çfarë ata besojnë dhe pse ata besojnë një gjë të caktuar? Dhe kjo paraqet një detyrë mjaft esenciale për filozofinë.
Magee: Pajtohem plotësisht me juve. Kur mendimet tona të zakonshme bëhen objekt analize dhe kritike, ndihemi si të thuash jo fort rehat me veten. Madje, kjo mund të arrijë deri në pikën sa të krijohet edhe një lloj rezistence ndaj analizave të tilla. Pse mendoni se ndodh kjo rezistencë tek njeriu, kur ai ballafaqohet me kritikën e mendimeve të tij?
Berlin: Së pari, mendoj se njerëzit nuk e kanë fort qejf kur analizohen tej mase, dhe së dyti, supozoj se, vet akti i të analizuarit e përjashton njëfar mënyre një lloj jete apo një qasje të caktuar mbi të jetuarit. Kjo është shumë e dukshme: Ta zëmë se njeriu është duke jetuar në një mënyrë të caktuar, ashtu si ai mendon se duhet të jetojë, dhe papritur ai ballafaqohet me pyetje të tilla si: Pse je duke vepruar kështu? A je i sigurtë se qëllimet që i ke vendosur vetes për jetën tënde, janë qëllimet e tua të vërteta? A je i sigurtë se veprimi jot nuk e kundërshton në një farë mënyre një lloj besimi moral që mbase ju duhet ta përqafoni? Apo, a jeni të sigurtë se disa nga vlerat dhe parimet tuaja, janë në kundërthënie me disa vlera dhe parime tjera dhe ju nuk jeni duke u përballur me këtë fakt?
Sepse ndonjëherë, kur zhytesh në dilema, je aq i frikësuar të ballafaqohesh me mendimet tua sy më sy, saqë ti i shmangesh përballjes dhe kërkon përgjegjësinë diku tjetër: tek shteti, tek mësuesit, tek shkolla, apo tek ndonjë grup apo komunitet ku ti bën pjesë. A mos vallë do të ishte më e udhës që ti vet personalisht, ta marrësh përgjegjësinë mbi supet e tua? Kjo mendoj se i shqetëson njerëzit, i mbush me antkh, dhe si rjedhojë në mënyrë të pavetëdishme dhe shumë të natyrshme zë fillin rezistenca për të cilën folët ju.
Në lidhje me këtë, ne duhet të kemi parasysh një gjë. Ky aspekt i kritikës-analizës, i ka dy anë të medaljes: Nga njëra anë, nëse të gjithë njerëzit do të ishin ‘intelektualë skeptik’, dyshues për çdo gjë, dhe në mënyrë të detajur të analizonin çdo mendim apo veprim të tyrin, ne do të përfundonim në një skepticizëm të skajshëm dhe jeta praktike do të ishte thuajse e pamundur. Nuk është e nevojshme që çdonjëri të ketë qasje të tillë kritike dhe skeptike ndaj jetës. Për këtë arsye, meqë filozofët e kanë si të thuash ‘profesion’ këtë lloj qasje kritike, është detyra e tyre që të merren me këtë punë. Por, ana tjetër e medaljes, na tregon qartë se, nëse këto gjëra (pohime, besime, opinione) nuk shqyrtohen, por lihen djerrë, atëherë shoqëritë bëhen të ngurta dhe të mbyllura. Besimet kthehen në dogma, imagjinata shtrembërohet, intelekti bëhet steril. Shoqëritë prishen si rjedhojë e mbështetjes së tyre në dogma, pa i dyshuar fare ato. Nëse imagjinata do të trazohet, nëse intelekti do të funksionojë, supozimet duhet të vihen në dyshim, supozimet duhet të sfidohen. I gjithë ky mozaik duhet të shikohet vazhdimisht, dhe jo nga shumë njerëz dhe as me intesitet të lartë, por megjithatë, mjaftueshëm sa për të mbajtur shoqërinë në lëvizje. Shoqëria lëviz me një farë shkalle ‘paricide’, ku fëmijët, në tërësi, vrasin, nëse jo baballarët e tyre, të paktën besimet e baballarëve të tyre dhe arrijnë në besime të reja. Dhe kështu ndodh zhvillimi, ky është progresi.
Magee: Mendoj se shumë njerëz hyjnë në filozofi, duke dashur tu tregohet se si të jetojnë, ose duan të marrin një shpjegim të botës, shpjegim të jetës ose diçka të tillë. Dhe më duket se, të hysh me atë dëshirë në filozofi, është heqje dorë nga përgjegjësia jote personale. Askush nuk duhet të synojë, që dikush apo diçka, t’ia mësojë sekretin e të jetuarit. Askush nuk duhet të synojë për gjetjen e përgjigjeve të gatshme dhe përfundimtare. Përkundrazi, është punë tjetër nëse dëshiron të kesh një sqarim të jetës, sqarim të çështjeve që të preokupojnë. E gjithë kjo, duhet të bëhet me qëllimin e vetëm: Vetëm njeriu apo individi vet, duhet të marrë vendime autonome dhe të jetë përgjegjës mbi veprimet dhe jetën e tij.
Berlin: Është shumë e dhimbshme kjo që po thua, dhe unë pajtohem plotësisht. Shumica e njerëzve duan të pasurohen me përgjigje të gatshme. Në lidhje me këtë, më kujtohet një fakt mbi shkrimtarin rus Ivan Turgenev: Kur Turgenev fliste për veprat e tij, ai thoshte se arsyeja pse ato nuk ishin aq te dashura për lexuesin sa mund të ishin potencialisht, lidhet me faktin se lexuesi rus i shekullit 19, dëshiron ti tregohet se si të jetohet, dhe qartazi kërkon të dijë kush është heroi e kush idioti, horri. Por Turgenev nuk e tregon këtë. Tolstoi, Dostojevski dhe shumë të tjerë e bënin një gjë të tillë. Ta zëmë, në veprat e Dickens-it fare lehtë mund të hetosh kush është i miri dhe kush jo. Turgenev thotë: unë vetëm sa i pikturoj qeniet njerëzore ashtu si janë, unë nuk e udhëzoj lexuesin, dhe as nuk e lë të kuptohet se në cilën anë qendroj unë. Dhe kjo e irriton lexuesin, e bezdis atë, e lë pezull dhe njeriu për nga natyra e urren këtë gjendje. Nuk është detyrë as e filozofit e as e shkrimtarit ti orientojë njerëzit si të jetojnë. Detyra e tyre është ti ballafaqojnë me mundësi, ti hapin njerëzit karshi jetës. Detyra e filozofit është ti tregoj njeriut për zgjedhjet që ai ka bërë, dhe pavarësisht se çfarë ka zgjedhur ai të bëj me jetën e vet, me besimet e tij, ai duhet të zhytet në to dhe të përshihet i tëri me përgjegjësi të plotë.
Magee: Më duket e pabesueshme, se si të ashtuquajturit njerëz të thjeshtë, mendojnë se kritika të tilla nga filozofia, janë thjeshtë abstrakte, madje e konsiderojnë atë edhe si një aktivitet shterp. Nëse nuk provon të dalësh nga kthinat e opinioneve tua ekzistuese, sidomos në fushën e moralit, politikës dhe fushës sociale, njeriu mbetet një i burgosur i cilësdo doktrine që ka përqafuar. Njeriu bëhet i burgosur i modeleve ekzistuese dhe modeleve të kohës së tij. Dhe sigurisht, këto ide filozofike që po diskutojmë, kanë pasur një ndikim shumë të madh në jetën praktike. Këtu kam parasysh Revolucionin Amerikan, Revolucionin Francez, Revolucionin Rus, ndikimin mbi religjionet anembanë botës, apo qoftë edhe mbi qeveritë Marksiste respektive. Këto janë vetëm disa shembuj, se si idetë filozofike, në mënyrën më të drejtpërdrejtë dhe të dukshme, kanë ndikuar konkretisht mbi jetën qenieve njerëzore. Pra, pikëpamja se kjo qasje e filozofisë, në dukje të parë abstrakte, nuk ka fare lidhje me jetën reale, më duket se është vetë pa lidhje me jetën reale, dhe thellësisht joreale.
Berlin: Ta kujtojmë poetin e madh gjerman Heine, i cili thoshte: Mos e nënvlerësoni filozofin përgjatë studimeve të tij. Ai është shumë i fuqishëm dhe madhështor. Mos e mendoni atë si të ishte një mësues i butë dhe pa ndikim, i shqetësuar vetëm me punët e tij triviale. Nëse Kanti nuk do ja priste kokën Zotit, me shumë mundësi as Robespier nuk do ja priste kokën mbretit. Metafizicienët e mëdhenjë gjerman-Fihteanët(J. Fichte), Shilingasit (F. Schelling), apo të tjerët, janë njerëz që një ditë nuk do të ndalen nga frika ose nga ndjekja e kënaqësisë, dhe do të shkatërrojnë shumë monumente të civilizimit tonë. Kur ky zemërim i madh metafizik do shpërthejë në botë, Revolucioni Francez do të duket thjesht një lojë fëmijësh, e kështu me radhë. Fuqia e ideve filozofike dhe metafizike është shumë e madhe.
Shkrimtari britaniko-amerikan, Salman Rushdie do të publikojë një përmbledhje me tregime të shkurtra në nëntor, vepra e tij e parë artistike që nga sulmi me thikë që i kushtoi atij dëmtimin e syrit të djathtë, në vitin 2022, njoftoi sot botuesi i tij.
Libri, i titulluar ”The Eleventh Hour” (“Ora e njëmbëdhjetë”), është një përmbledhje e pesë tregimeve dhe novelave të vendosura në tre vendet ku ai ka jetuar: vendlindja e tij Indi, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, ku ai tani jeton, sipas ”Penguin Random House”.
”Është një koleksion i tregimeve të shkurtra prekëse dhe mjeshtërore që na çon nëpër botë, nga lagjet e Bombeit në universitetet prestigjioze angleze dhe është planifikuar të dalë në treg më 4 nëntor”, tha botuesi.
”Tri tregimet e shkurtra në këtë vëllim, të gjitha të shkruara në 12 muajt e fundit, eksplorojnë tema dhe vende që më pushtojnë mendjen – vdekshmëria, Bombei, lamtumira, Anglia (veçanërisht Kembrixh), zemërimi, paqja, Amerika”, shpjegon autori 77-vjeçar në deklaratën për shtyp.
”Jam i kënaqur që këto histori, të cilat janë kaq të ndryshme nga njëra-tjetra në mjedisin, narrativën dhe teknikën e tyre, megjithatë arrijnë të dialogojnë me njëra-tjetrën dhe me dy historitë që shërbejnë si prolog dhe epilog për këtë treshe”, shtoi Salman Rushdie.
Autori i “Vargjet Satanike”, një vepër që i dha atij një fatwa nga Irani më shumë se 30 vjet më parë, duke e konsideruar librin blasfemues, u sulmua më 12 gusht 2022, në verilindje të Shteteve të Bashkuara, i goditur me thikë nga një libano-amerikan i dënuar në shkurt për tentativë vrasjeje./KultPlus.com