Përkujtohet Pjetër Arbnori, figurë e shquar e politikës shqiptare

Muzeu “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot shkrimtarin, përkthyesin dhe politikanin Pjetër Arbnori, i quajtur gjithashtu “Mandela i Ballkanit”, për shkak të kohës prej 28 vitesh kaluar në burgjet e diktaturës komuniste.

Pjetër Arbnori lindi më 18 janar të vitit 1935 në qytetin e Durrësit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat partizane vranë babain e tij dhe qëndrimi antikomunist i familjes së tij do të ishte shkak që Pjetër Arbnorit t’i mohohej e drejta për të vazhduar shkollën e lartë, edhe pse të mesmen e kishte përfunduar me rezultate të shkëlqyera.

Duke mos u pajtuar asnjëherë me vijën politike të regjimit komunist, ai dhe intelektualë të tjerë krijuan në fshehtësi Lëvizjen Social-Demokrate, e cila u zbulua nga Sigurimi i Shtetit.

Fillimisht atij iu dha dënimi me vdekje, por ky dënim iu kthye në 25 vjet burg, sepse autoritetet shpresonin akoma që nëpërmjet Arbnorit të zbulonin pjesëtarë të tjerë të organizatës së fshehtë ku ai bënte pjesë. Pas përfundimit të dënimit, ai u ridënua, duke vuajtur 28 vite në burgun e Burrelit.

U lirua në vitin 1989, vit ku tashmë ndihej era e ndryshimit. Ishte mjaft aktiv në luftën për rrëzimin e regjimit komunist si dhe bashkëthemelues i Partisë Demokratike në Shkodër. Në vitet 1992-1997 shërbeu si Kryetar Kuvendi.

Pas vitit 1997 ai bëri përpjekje që censura e shtetit në media të eleminohej. Ndryshimet në ligj që pasuan në këtë fushë u quajtën “Amendamenti Arbnori”.

Pjetër Arbnori shkroi: “Kur dynden vikingët”, “Bukuroshja me hijen”, “E bardha dhe e zeza”, “E panjohura”, “Vdekja e Gebelsit” “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, “Letër nga burgu”etj.

Vdiq në Itali, në korrik të vitit 2006./atsh/KultPlus.com

Kryeministri Kurti publikon listën e aseteve të trashëgimisë kulturore që janë restauruar

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përmes rrjeteve sociale ka treguar për investimet që Qeveria e Kosovës ka bërë për trashëgiminë kulturore, duke i vlerësuar si më të lartat ndonjëherë.

“Në tri vjet qeverisje, janë restauruar mbi 100 asete të trashëgimisë kulturore — më shumë se në dy dekadat pararendëse bashkë.”,  ka shkruar Kurti nqë Facebook, duke publikuar listen e monumenteve të restauruara:

“Në pjesën e parë të këtij viti, kanë përfunduar restaurimet në:

Kullën e familjes Tafolli në Çadrak të Suharekës

Shkollën historike shqipe “Ismail Qemali” në Ferizaj

Mullirin e fshatit Majac të Podujevës i ndërtuar në shek. XIX

Mullirin e Cal Malushit në fshatin Kotradiq të Pejës

Ndërtesën e shkollës së parë shqipe në Pejë

Muzeun e Hidroelektranës në Prizren

Hamamin e Gazi Mehmed Pashës në Prizren – faza e parë

Kullën e Gjyle Kadrisë në fshatin Rastavicë, Deçan, e ndërtuar në shek. XIX

Shtëpinë Kullë të Vesel Godenit në Viti

Kullën e Zeqë Ramë Sadrisë në Brovinë në Gjakovë.

Ndërkaq punimet po vazhdojnë e janë drejt përfundimit në:

Shtëpinë e Hynilerëve në Prishtinë

Rezidencën e Presidentit Ibrahim Rugova

Shtëpitë tradicionale të Janjevës

Shtëpinë e familjes Kryeziu në Gjakovë, e cila karakterizohet me arkitekturë tradicionale të fundit të shek. XVIII

Shtëpinë e Adem Aga Gjonit në Prizren, e karakterizuar nga arkitektura tradicionale e shek. XVIII

Shtëpitë tradicionale të familjes Hajdini, në lagjen e quajtur Terziaj në Gjilan

Shtëpinë e familjes Safqi në Prishtinë, e ndërtuar rreth vitit 1800

Shtëpinë tradicionale të familjes Sylejmani brenda qendrës historike në Prishtinë, e ndërtuar në vitin 1880

Shtëpinë e familjes Kirajtani, një prej shtëpive më të veçanta të Prizrenit

Shtëpinë e familjes Munik në Prizren

Qendrën Kulturore Hebraike në Qendrën Historike të Prizrenit

Shtëpitë tradicionale në rrugën Marin Barleti në Prizren

Kishën Katolike në Ferizaj

Xhaminë në Turbohovc të Istogut

Kullën e Tal Belit në Krelan të Gjakovës

Postën e Vjetër në Mitrovicë./KultPlus.com

Inva Mula risjell në Korçë “MIK Festival”, me edicionin e shtatë

“MIK Festival” vjen së shpejt me edicionin e shtatë te tij, me një program të pasur artistik. Festivali muzikor i themeluar nga sopranoja e njohur Inva Mula nis më 11 korrik në Korçë, ku do të bëjë bashkë artistë të njohur shqiptarë e ndërkombëtarë.

Një nga pikat e forta të këtij edicioni do të jetë opereta shqiptare “Agimi”. Me festivalin rikthehet pas 70 vitesh në qytetin e Korçës opereta e parë skenike “Agimi”.

MIK Festival tashmë ka krijuar traditë në një qytet si Korça, ku kultura është shumë e rëndësishme. Do të jenë katër mbrëmje të dedikuara për të përcjellë tek publiku muzikën e kultivuar dhe emrat më në zë të skenës lirike. Festivali nis nga teatri “Andon Zako Çajupi” me “Udhëtim artistik me pianistin dhe muzikologun Red Radoja”, me “Nën tingujt e trios nga Maqedonia e Veriut”, që vijnë Dëshira Ahmeti soprano, George Petrushevski në oboe dhe Jordan Petrushevki në piano.

Më 12 korrik po te teatri i Korçës do të jetë opereta me 3 akte, “Agimi”, me muzikë nga Kristo Kono, libreti nga Kol Jakova, regjia Inva Mula, dirigjente Suzana Turku, koreografia Bardhi Pojani.

Më 13 korrik vjen tek Poli i Jugut në Drenovë koncerti gala “Inva e Friends” që prezanton romantikët e muzikës franceze. Nën dirigjimin e maestros Jean Michel Ferran, të ftuar janë Blerta Zhegu, Ramona Tullumani, Dëshira Ahmeti, Simona Karafili, Gjergji Mani, Ionela Mani, Igli Tuta.

Më 14 korrik festivali MIK do të zhvendoset në oborrin e kishës së Shën Kollit në Voskopojë, me një tjetër aktivitet./atsh/KultPlus.com

“Rozafa” kthehet në skenë filmi për dokumentarin e Robert Budinës e Luigjina Shkupës

Kalaja Rozafa është shndërruar në një skenë filmi, ku po xhirohet dokumentari “Gjej Za”.

Ky film dokumentar përbën një thirrje personale për të reflektuar mbi përvojën e emigracionit dhe sfidat që ka përjetuar si pjesë e një diasporës, vajza shkodrane Luigjina Shkupa e cila ka emigruar nga Shkodra qysh në moshën tre vjeçare dhe aktualisht po përfundon studimet në Universitetin e Filmit në Mynih, Gjermani.

Nën drejtimin e regjizorit, Robert Budina, si produksion i ERA Film, dokumentari “Gjej Za” fokusohet në eksplorimin e identitetit dhe trashegimisë kulturore. Përmes një rrugëtimi nëpër historinë dhe kulturën e Shqipërisë, Luigjina synon të zbulojë rrënjët e identitetit të saj kulturor dhe thelbin shpirtëror të popullit shqiptar.

Nën një kontekst historik, me në sfond Kështjellën e Shkodrës, ajo dëshiron të kuptojë vetveten përmes kontekstit kulturor dhe të shpalosë dilemën se a është e mundur të shpëtojmë nga strukturat kulturore që na janë trashëguar.

Dokumentari “Gjej Za” zbulon thellësinë e identitetit të saj në kontekstin e një Shqipërie të shkuar dhe të sotme./atsh/KultPlus.com

Akademia e Shkencave, konferencë shkencore për 200-vjetorin e vdekjes së Bajronit

Akademia e Shkencave të Shqipërisë zhvilloi sot konferencën shkencore “Bajroni dhe bajronizmi në botën shqiptare”. Kjo konferencë iu kushtua 200-vjetorit të vdekjes së poetit anglez G. G. Bajron, paraprirësit të romantizmit europian, që, me veprën e tij, zgjoi interesin kulturor të kontinentit të vjetër për popujt e vjetër të Ballkanit, shqiptarët e grekët para së gjithash, dhe trashëgiminë e tyre të kryehershme.

Në fjalën e tij të hapjes, sekretari shkencor Shaban Sinani tha se, ardhja e romantizmit europian në botën shqiptare pas disa shekujve harrimi në fatin e saj të braktisur, në përbërje të supershtetit otoman, ishte një faktor rizgjimi.

“Shqiptarët, grekët, spanjollët, popujt e lashtë të Mesdheut që ai njohu, iu paraqitën Perëndimit si lavdi e historisë, model i virtytit dhe shkëlqim i trashëgimisë. Përmes veprës së Bajronit Europa ritakoi e rinjohu gjuhën shqipe, identitetin e shqiptarëve, folklorin dhe veshjet e tyre, virtytet dhe cenet, rendin shoqëror e jetesën tradicionale, që ajo vetë i kishte humbur prej zhvillimit industrial”, u shpreh Sinani.

Në konferencë përshëndeti edhe akademik Mehmet Kraja, kryetar i ASHAK -ut, bashkorganizuese e konferencës shkencore ndërkombëtare. Kreu i Akademisë së Shkencave e Arteve në Kosovë u shpreh se, ky përvjetor është një homazh për këtë figurë të jashtëzakonshme të letërsisë botërore dhe po ashtu homazh për përkthyesin Skënder Luarasin, të cilit i takon merita kryesore që Bajronit i dha një vend kaq të rëndësishëm në letërsinë shqipe, si të ishte pjesë e saj.

Në konferencë ishin të pranishëm përmes kumtesave edhe akademikë arbëreshë si Altimari e Mandala./atsh/KultPlus.com

57 vite nga vdekja e Vivien Leigh, aktores fituese të çmimit Oscar

Sot, 8 korrik 2024, është 57 vjetori i vdekjes së Vivien Leigh.

Aktorja britanike pati një karrierë të jashtëzakonshme në Hollywood, duke luajtur në filma kaq të mrekullueshëm si Gone with the Wind, A Tramcar Named Desire dhe Tovarich për të përmendur vetëm disa, transmeton KultPlus.

Mirëpo, mes karrierës së saj të shquar të aktrimit, jeta e saj ishte e mbushur me skandale. Dhe gjithçka filloi në vitin 1937 kur ajo takoi për herë të parë Sir Laurence Olivier.

Olivier dhe Leigh patën një lidhje të menjëhershme. Dy aktorët e rinj u takuan pak para se të mbërrinin në xhirimet e filmit të vitit 1937, Fire Over England.

Leigh u pushtua nga “sharmi dhe magnetizmi” i tij, sipas biografisë së saj. Olivier ndihej i “tërhequr” ndaj saj si “asnjë grua tjetër”.

Megjithatë, kishte dy probleme të mëdha: të dy ishin të martuar.

Leigh ishte martuar me Herbert Leigh Holman pesë vjet më parë në 1932. Ndërkohë, Olivier ishte martuar me Jill Esmond për shtatë vjet në atë moment. Megjithatë, ai më vonë rrëfeu se “u vendos” për Esmondin, nga frika se nuk do të gjente ndonjë “më mirë” se ajo. Marrëdhënia e tyre megjithatë u raportua se nuk ka qenë “intime” pavarësisht se kishin një fëmijë së bashku.

Dy aktorët vendosën se nuk mund të lejonin që diçka si martesa të pengonte lidhjen e tyre.

Pa kaluar shumë kohë, dyshja filluan të kalonin gjithnjë e më shumë kohë së bashku jashtë ekranit. Ata përfundimisht iu nënshtruan tërheqjes së tyre ndaj njëri-tjetrit dhe filluan një lidhje të fshehtë. Megjithatë, ata nuk mund të ishin gjithmonë bashkë.

Leigh dhe Olivier ishin së bashku për 15 vjet të tjera, por përfundimisht u divorcuan në vitin 1960 pas vitesh grindje dhe një martesë spirale.

Në maj të vitit 1967, Leigh mësoi se tuberkulozi i saj ishte kthyer dhe ishte më keq se kurrë. Ajo u detyrua të pushonte në shtrat për disa javë.

Më 8 korrik 1967, burri i Leigh në atë kohë, Jack Merivale, u largua nga shtëpia e tyre për të interpretuar në një shfaqje, duke e lënë atë në shtrat. Kur u kthye e gjeti të vdekur në dysheme.

Kur Olivier dëgjoi për vdekjen e Leigh, ai nxitoi nga spitali në të cilin ndodhej – ndërsa po trajtohej për kancerin e prostatës – për t’i nderuar.

Ai “qëndroi dhe u lut për falje për të gjitha të këqijat që kishin lindur mes tyre”./ KultPlus.com

TIFF me identitet të ri vizual në edicionin e 2024

Pas një pune të gjatë disa mujore Tirana International Film Festival (TIFF) shpalli versionin përfundimtar të identitetit të ri vizual për edicionin e 22-të të tij.

Posteri është konceptuar dhe realizuar nga Babak Safari, student i doktoraturës në fushën e Arteve të Bukura dhe Konservimit të Artit në Akademinë Polako-Japoneze të Teknologjisë së Informacionit. Autori i posterit ka mbi 13 vjet përvojë profesionale si drejtor artistik dhe dizajner grafik i pavarur duke bashkëpunuar me vende të tilla si SHBA, Italia, Polonia, Gjermania, Kanadaja, Australia, Brazili, Greqia dhe Britania e Madhe. Punimet e tij janë paraqitur ose vlerësuar në mbi 70 bienale, festivale dhe ekspozita ndërkombëtare.

Posteri zyrtar i TIFF 2024, me sloganin e ri “duket i thjeshtë, mbetet kompleks”, ndërthur artin dhe teknologjinë në një mënyrë artistike. Ai tregon një dorë të lidhur me një kamerë filmike, duke simbolizuar shkrirjen e krijimtarisë njerëzore dhe teknologjive të reja.

Duke marrë frymëzim nga “2001: Një Odisea Hapësinore” e Stanley Kubrick, përdorimi i ngjyrave të kuqe dhe blu ndihmon në balancimin e ngacmimit dhe besimi: e kuqja simbolizon energjinë dhe entuziazmin, ndërsa bluja përcjell qetësi dhe besim.

Slogani i festivalit, “duket i thjeshtë, mbetet kompleks”, flet për natyrën e dyfishtë të filmave: duken të drejtpërdrejtë në shikim të parë, por që përmbajnë shtresa të ndërlikuara mesazhesh.

Si slogani ashtu edhe dizajni vizual i kujtojnë audiencës se filmat e festivalit nuk janë vetëm tërheqës vizualisht, por edhe të pasur në thellësi dhe kuptim.

Qasja artistike dhe konceptuale e këtij posteri fton shikuesit të eksplorojnë sferën e ndërlikuar dhe krijuese të filmave. Ai përcjell me mjeshtëri mesazhin e festivalit dhe thekson rëndësinë e inteligjencës artificiale në të ardhmen e artit të filmit./atsh/KultPlus.com

Rama: Berati i një mbi një dritareve dhe mijëra turistëve çdo ditë e më shumë

Berati, qyteti i një mbi një dritareve, po mirëpret një numër gjithnjë e më të lartë turistësh, në të gjitha stinët e vitit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të turistëve që vizitojnë pikat më atraktive të qytetit.

“Berati i një mbi një dritareve dhe mijëra turistëve çdo ditë e më shumë”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Berati, tashmë qytet i UNESCO-s, të ofron ndër të tjera plot shtëpi të epokës otomane, struktura mbresëlënëse të kështjellës dhe kishave mistike dhe xhamive, të vendosura në krah të kodrave dhe maleve që kanë në mes lumin Osum.,

Kalaja e Beratit është një nga atraksionet më piktoreske në zonë. Kjo kështjellë e epokës romake ulet sipër një kodre shkëmbore në bregun e majtë të lumit Osum me pamje nga qyteti i Beratit.

Numri i vizitorëve ka ardhur gjithnjë e në rritje dhe ky sezon veror ka pritshmëri të lartë jo vetëm në Berat por edhe në destinacionet e tjera turistike të vendit./atsh/KultPlus.com

Berati, 16 vjet në trashëgiminë botërore të UNESCO-s

Komiteti i Trashëgimisë Botërore në konferencën e mbajtur në Kanada, më 8 korrik të vitit 2008, e vlerësoi Beratin si një shembull të rallë të arkitekturës tipike osmane e njëkohësisht dëshmitar i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore.

Në raportet e vlerësimit më 8 korrik 2008, UNESCO zyrtarisht u shpreh se, Berati ishte një ndër qytetet e diversitetit të shoqërive urbane në Ballkan, duke vlerësuar më tej edhe mënyrën e jetesës në banesat popullore urbane gjatë periudhës klasike osmane, në vazhdimësi me kulturat mesjetare që i kishin paraprirë.

Më 8 korrik 2008 qyteti i Beratit iu bashkangjit listës prej 600 vendesh të tjera të trashëgimisë botërore.

Berati, për shkak të objekteve muzeale me vlera të mëdha kombëtare, do të shpallej qytet-muze në vitin 1961. Kështjella, ura me 7 harqe e Goricës, katedralja “Fjetja e Shën Mërisë”, Muzeu Onufri, Epitafi i Gllavenicës, Kodiku i Purpurt i Beratit etj, përbëjnë pasurinë historike të qytetit 2400-vjeçar.

Vendi ynë aderon që prej vitit 1958 në UNESCO (Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara)./atsh/KultPlus.com

Pajtim Statovci fiton Çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë në Berlin

Shkrimtari i njohur shqiptar, Pajtim Statovci dhe përkthyesi i tij gjerman, Stefan Moster, kanë marrë Çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë për këtë vit, i cili kap vlerën e 35 mijë eurove dhe i është ndarë atij për romanin “Macja ime Jugosllavi”.

Çmimi është dhënë nga Shtëpia e Kulturave Botërore në Berlin dhe Fondacioni Elementarteilchen.

Statovci ka lindur në vitin 1990 në Kosovë dhe në moshën 2 vjeçare është shpërngulur në Finlandë. Ai është bërë i njohur me disa vepra të tij letrare që viteve të fundit janë pe¨rkthyer në gjuhët e ropiane, mes tjerash, edhe në gjuhën gjermane.

Së fundmi ka pasur diskutime për punën e jurisë së Çmimit Ndërkombëtar të Letërsisë vitin e kaluar. Duke shkruar për punën konfidenciale të panelit, dy ish-anëtarë jurie patën pretenduar në gazetën javore “Die Zeit” se çmimi i vitit 2023 nuk bazohej në kritere letrare, por më tepër në kritere politike.

Shtëpia e Kulturave Botërore e hodhi poshtë këtë. Arsyeja e nominimit të librit ishte cilësia e tij e jashtëzakonshme letrare.

Në roman tregohet se si Eminja rritet në ish Jugosllavi në vitet 1980, më pas ikën në Finlandë me familjen e saj. Bekimi (protagonisti i romanit) nuk ka shumë dëshirë të merret me origjinën dhe familjen e tij. Në fund ai e bën këtë, sepse Statovci e vë përballë historinë e Bekimit (me identitet seksual “queer”) me atë të nënës së tij, e cila është rritur në Kosovën rurale dhe është martuar me një burrë të dhunshëm në moshë të re.

Është një roman tërësisht “evropian”, thuhet në laudation e jurisë, të prezantuar nga shkrimtarët Asal Dardan dhe Cia Rinne. “Një roman që thyen konvencionet e tregimeve autofiktive me temë migracionin”, shkruan gazeta gjermane Tages Zeitung.

Në Finlandë, tregimet letrare të migrimit lexohen rrallë, thotë Stefan Moster, i cili ka marrë çmimin si përkthyesi i romanit./KultPlus.com

‘Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra, t’i përqafoja flokët e dendura’

Poezi nga Ismail Kadare

Ti ishe për mua

Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske

Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
T’i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
Se gjithë grekët kur ra Troja.

Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
Ti, e shtrenjta ime etruske. / KultPlus.com

Tri urat e Zerzebilit, monumente kulture në Gjirokastër

Tri urat e vogla mbi përroin e “Zerzebilit”, Gjirokastër, janë monumente kulture,  Kategoria I dhe shumë interesante për t’u vizituar. DRTK Gjirokastër mori masat që urat të jenë të lira nga vegjetacioni për të mikpritur vizitorë vendas e të huaj.

Ura pranë shkëmbit është e ndërtuar me gurë gëlqerorë të rregullt të lidhur me llaç gëlqere, me një hark guri në mes, parapet me mur guri gëlqeror të lidhur me llaç gëlqere, e shtruar me kalldrëm me gurë të zinj dhe të bardhë, përkatësisht nga dy radhë dhe është relativisht në gjendje të mirë.

Ura në pjesën e sipërme ka një ndërhyrje të mëvonshme ku duket prania e një trau.

Tri urat e Zerzebilit, monumente kulture në Gjirokastër

Ura në Dunavat është e transformuar tërësisht. Aty ka ndërhyrje me beton dhe ekzistojnë vetëm shpatullat e urës.

Ndërsa ura e mesit është e ndërtuar me gurë të zinj, me një hark guri në mes dhe përdoret nga kalimtarët dhe në ditët e sotme vjen mjaft e dëmtuar. Ura është e rënë në një gjatësi 2,5 m dhe gjerësi 2m.

Urat në qytetin e Gjirokastrës janë ndërtuar për të lidhur dy lagje të saj. Përrenjtë që përshkojnë qytetin kanë detyruar ndërtimin e një sërë urash të vogla, tre Urat e Vogla mbi Përroin e Dunavatit u ndërtuan nga Aqif Zerzebili, një person i kamur që donte të lidhte lagjet Manalat e Cfakë me pjesën tjetër të qytetit./oranews/KultPlus.com

A gjuhen pëllumbat

Nga Ali Podrimja

Pëllumbat a gjuhen bre?

Ulem në rend të dytë
pse shoh më larg e
dëgjoj më mirë
pse kam zë më të fortë

Vetveten s’e ha nga mëria
as shtyhem me brryla
Më shlirë e kam se në rend të parë

Si gjuhen pëllumbat bre?

Nga karrigia ima lëvizëse
për mrekulli mat kokat tullace
dhe barqet e fryra

Është rrenë e kulluar
se unë Ali Podrimja
jam qytetar i rendit të dytë
në Planetin Ka Ka

A gjuhen pëllumbat bre? / KultPlus.com

Kamy: Liria pa kufi është e kundërta e lirisë

“Vetëm tiranët mund të ushtrojnë lirinë pa limite; dhe për shembull, Hitleri ishte relativisht një njeri i lirë, i vetmi në të gjithë perandorinë e tij.

Por nëse duam të ushtrojmë një liri të vërtetë, nuk mund të ushtrohet vetëm në interes të individit që e ushtron. Liria ka patur gjithmonë si kufi, lirinë e të tjerëve.

Dua të shtoj që ajo ekziston dhe ka një kuptim vetëm nëse limitohet nga liritë e të tjerëve. Një liri që sjell vetëm të drejta, nuk do të ishte liri, por vetëm tirani. Por, nëse sjell të drejta dhe detyrime, është një liri që ka përmbajtje dhe mund të jetohet.

Pjesa tjetër, liria pa limite nuk jetohet dhe ka si çmim vdekjen e të tjerëve. Liria me limite është e vetmja gjë që bën të bashkëjetojnë atë që e ushtrojnë dhe ata në favor të të cilëve ushtrohet.” / KultPlus.com

Rama ndan pamje nga lumi i Shalës

Parku natyror i luginës së Shalës edhe këtë sezon veror vijon të jetë ndër destinacionet që nuk mungojnë në itinerarin e turistëve vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga lumi i Shalës gjatë kësaj fundjave, i mbushur me vizitorë dhe turistë, që shijojnë bukuritë natyrore dhe bëjnë plazh pranë tij.

I cilësuar nga turistët dhe mediet e ndryshme ndërkombëtare si Tajlanda shqiptare, lumi i Shalës tërheq çdo vit e më shumë vizitorë vendas e të huaj.

Lugina e Shalës, një zonë e virgjër lumore, e cila vetëm vitet e fundit është futur në guidat e agjencive turistike, po tërheq një vëmendje të jashtëzakonshme, për shkak të natyrës së paprekur dhe mundësive të shumta që ofron.

Aventurierët mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës.

Për të shkuar në lumin e Shalës duhet të udhëtoni me varkë përmes bukurive natyrore të liqenit të Komanit. Ndërkohë, shtimi i bujtinave dhe krijimi i infastrukturës së përshtatshme për pritjen e turistëve të shumtë në këtë destinacion ka rritur numrin e turistëve./ KultPlus.com

Herman Hesse, letër një artisti të ri

I dashur J. K.,

Të falenderoj për mesazhin që më dërgove me rastin e Vitit të Ri. Ai është i trishtueshëm e dëshpërues dhe e kuptoj atë mjaft mirë. Megjithatë, ka aty një frazë ku ti thua se të është ngulitur në mendje ideja se një kuptim dhe një mision kanë qenë caktuar për ty dhe për jetës tënde dhe se ti vuan nga moszbulimi i këtij kuptimi dhe nga mospërmbushja e këtij misioni.

Pavarësisht, kjo më duket inkurajuese, sepse është e vërtetë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, dhe të lutem që t’i kujtosh e t’i meditosh herë pas here shënimet që do të shkruaj në lidhje me këtë subjekt. Këto reflektime nuk janë të miat, ato janë po aq të vjetra sa bota dhe bëjnë pjesë në atë që njerzit kanë shprehur si më pozitive për veten dhe misionin e tyre.
Atë që ti bën në jetë, dua të them, jo vetëm si artist, por gjithashtu dhe si njeri, burrë e baba, mik, komshi, etj., pra, e gjitha kjo vlerësohet në funksion të “kuptimit” të përjetshëm të botës dhe sipas kritereve të drejtësisë së përjetëshme, jo duke iu referuar disa matjeve të vendosura njëherë e përgjithmonë, por duke i aplikuar veprimeve të tua, aftësinë tënde, të veçantë e personale. Kur Zoti do të gjykojë, ai nuk do të pyesi : “A ke qenë një Hodler, një Picasso, një Pestalozzi, një Gotthelf ? Përkundrazi ai do të pyes : “A ke qenë dhe a je në të vërtetë J. K.-ja për të cilin ti ke trashëguar disa predispozita ? I pyetur në këtë mënyrë, askush nuk do mundet që t’i flasë për egzistencën dhe gabimet e veta pa ndjerë tmerr e turp ; pak a shumë ai mund të përgjigjet : “Jo, s’kam qenë ky njeri, por të paktën jam përpjekur që të bëhem i tillë brenda mundësive të mia.” Po t’i thotë ato me sinqeritet, ai do të jetë i justifikuar e do të dalë i fituar nga prova.


Nëqoftëse ti shqetësohesh nga imazhe të tilla si “Zoti” apo “gjykatësi i përjetshëm”, lëri ato qetësisht menjanë, sepse ato s’kanë shumë rëndësi. E vetmja gjë që ia vlen është fakti që secili prej nesh është depozitues i një trashëgimie dhe mbajtësi i një misioni ; secili nga ne ka trashëguar nga nëna dhe babai, nga stërgjyshërit e tij të shumtë, nga populli i tij, nga gjuha e tij, disa veçanti të mira apo të këqia, të këndshme apo të pakëndshme, disa talente dhe disa difekte, dhe të gjitha këto të mbledhura sëbashku na bëjnë të jemi këto që jemi, ky realitet i përveçëm që quhet J.K., në rastin tënd. Kështu pra, këtë realitet të përveçëm, secili nga ne duhet ta vërë në pah, ta jetojë deri në fund, ta çojë deri në pjekuri, dhe më sëfundi, ta perfeksionojë sa të jetë e mundur. Në lidhje më këtë mund të citojmë shembuj mjaft mbresëlënës e që i gjejmë me bollëk në historinë universale dhe historinë e artit. Ashtu siç shohim që në shumë përralla ka shpesh një perzonazh që është idioti i familjes, i paafti, dhe ndodh që atij t’i jepet roli kryesor. Është pikërisht besnikëria në vetë natyrën e tij që i bën individët e tjerë, më të zgjuar se ai, e të favorizuar nga suksesi, të duken mediokër.
Kështu, në fillim të shekullit të kaluar jetonte në Frankfort familja Brentano, e pasur me individualitete mjaft të zotë. Nga njëzet fëmijët që kishte në atë kohë, dy prej tyre sot janë të shquar : poetët Klement dhe Betina Brentano. E pra, këto vëllezër e motra të shumtë qenë të gjithë të zgjuar, interesantë më tepër se mesatarja, mendje të ndritura, talente të klasit të parë. Vetëm i madhi i fëmijëve ishte dhe ashtu mbeti, i leshtë dhe gjithë jetën e tij e kalojë në shtëpinë e prindërve, një shpirt i qetë i vatrës familjare për të cilin nuk kishte ndonjë rrugëzgjidhje ; katolik, ai respektonte të gjitha detyrat e besimtarit ; si djalë dhe si vëlla tregohej i matur e babaxhan, dhe në mes të bandës së lumtur e mëndjemprehtë të vëllezërve e motrave, ku shpesh shpërthente ekstravaganca, ai bëhet gjithnjë e më shumë qendra e heshtur dhe e qetë e familjes, një lloj guri i çmuar familiar që rrezatonte paqe e mirësi. Vëllezërit dhe motrat e tij flasin për këtë leshko, për këtë qenie foshjore, me një respekt, një dhëmshuri të tillë, si për asnjë tjetër. Pra, dhe atij gjithashtu, këtij budallai, këtij idioti, i kishte qenë caktuar një kuptim dhe një mision dhe ai i kishte përmbushur ato më mirë se të gjithë vëllezërit e motrat e tij të ndritur.

Shkurt, kur dikush ndjen nevojën për të justifikuar jetën e tij, nuk është niveli i përgjithshëm i aksionit të tij, parë nga pikëpamja objektive, që ka rëndësi, por më shumë fakti që vetë natyra e tij, ajo që i ka qenë dhënë, të shprehet sa më sinqerisht që të jetë e mundur në egzistencën dhe në aktivitetin e tij. Tentativa të panumërta na kthejnë vazhdimisht nga kjo rrugë ; më e forta prej tyre është ajo që në brendësi të vetes sonë na bën të besojmë  se mund të ishim dikush krejt tjetër nga ai që jemi në realitet dhe kështu fillojmë të imitojmë modele dhe të ndjekim ideale që jo vetëm nuk duhen, por as që mundemi t’i arrijmë. Kjo tentativë është veçanërisht e fortë tek personat e pajisur me aftësi superiore, tek ata, ajo paraqet shumë më tepër rrezik se një egoizëm i thjeshtë me rreziqet e tij vulgare, sepse ajo shfaqet me pamjet e një fisnikërie shpirtërore e morale.
Në një moment të jetës, çdo djalë i ri ka ëndërruar të drejtojë një karrocë me kuaj apo një lokomotivë, të bëhet gjuetar apo gjeneral, dhe më vonë, të bëhet një Gëte apo Don Zhuan ; kjo është një tentative e natyrshme, e pashmangshme në zhvillimin normal të individit dhe një mënyrë për t’u vetë-edukuar : imagjinata, si të thuajsh, duke kërkuar në të errët, merr kontakt me mundësitë e së ardhmes. Por jeta nuk i plotëson këto dëshira dhe idealet e fëmijërisë e të rinisë vdesin vetvetiu. Megjithatë, ne vazhdojmë përherë me dëshirën për të bërë gjëra për të cilat nuk jemi bërë dhe përpiqemi t’i imponojmë natyrës sonë kërkesa që e dhunojnë atë. Të gjithë ne reagojmë në këtë mënyrë. Por në të njejtën kohë, në momentet e një vetëdije të mbrendshme e ndjejmë gjithnjë e më shumë se nuk ka rrugë që do të na çojnë jasht vetes sonë, drejt diçkaje tjetër, se duhet ta përshkojmë jetën me aftësitë e dobësitë që janë tonat e thjesht personale dhe ndodh që disa herë të bëjmë përparime, të realizojmë diçka që deri mëparë nuk ishim të zotët ta bënim, dhe për një çast, pa hezituar, e aprovojmë dhe kënaqemi me veten. Sigurisht që kjo kënaqësi nuk ka asgjë të qëndrueshme ; megjithatë, pas kësaj, pjesa më intime e vetes sonë s’tenton gjë tjetër veçse të ndjehet e rritur dhe e pjekur në mënyrë të natyrshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të jemi në harmoni me botën dhe nëqoftëse arrijmë që ta njohim këtë gjendje, eksperienca që mund të bëjmë do të jetë akoma më e thellë.

Kur them se misioni që i besohet çdo individi është i ndryshëm për secilin prej tyre, nuk kam aspak parasysh atë që diletantët e artit, të vjetër e të rinj, quajnë mbrojtja dhe afirmimi i individualitetit e origjinalitetit të tyre. Kuptohet vetvetiu se kur një artist e bën artin profesion dhe qëllim të jetës së tij, i duhet të fillojë nga mësimi i gjithshkaje që i shërben mjeshtrisë ; ai s’duhet të mendojë se do t’i duhet që ta shmangë këtë nxënie me qëllim që të ruaj origjinalitetin dhe personalitetin e tij të vyer. Shembujt të tillë nuk mungojnë. Përpjekja personale për të asimiluar atë që kemi mësuar është një detyrë fillestare, si në fushën e artit, ashtu dhe në atë të jetës së përditëshme. Duhet që fëmija të mësojë të hajë, të jetë i pastër, i duhet mësuar shkrimi e këndimi. Studimi i gjithshkaje që duket se ia vlen të mësohet nuk bëhet pengesë në zhvillimin e individualitetit, përkundrazi e favorizon dhe e pasuron atë. Më vjen turp që të shkruaj të zezë mbi të bardhë gjëra të tilla kaq të qarta, por kemi mbrritur në atë pikë ku askush nuk duket se ka instiktin e të reaguarit sipas rregullave natyrale dhe e zëvëndëson këtë instikt me një kult primitif të së jashtëzakonshmes dhe absurdes. Në art, nuk jam aspak armik i së resë, përkundrazi, dhe ti e di mirë, por në fushën e moralit, domethënë kur është fjala për sjelljen e njeriut në lidhje me detyrën që i bie të kryej, modat dhe shpikjet e reja më duken të dyshimta dhe jam krejt mosbesues kur dëgjoj njerëz të arsyeshëm të flasin për morale të reja, etika të reja, sikur të flisnin për moda apo stile në art.


Në botën aktuale i kërkojnë njeriut akoma tjetër gjë, dhe kjo kërkesë është e përhapur nga partitë politike, nga vende apo profesorë të moralit universal. I kërkojnë njeriut që ai të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga vetevetja dhe nga ideja që nëpërmjet tij, diçka personale dhe e veçantë mund të ketë kuptim ; e bëjnë të kuptojë se ai duhet që t’i adaptohet një lloj humanizmi normal apo ideal që do të jetë ai i së ardhmes, që duhet të transformohet në një nga ingranazhet e makinerisë, në një nga gurët e ndërtesës, mes miliona gurëve të tjerëve, po aq të ngjashëm. Nuk do të doja që të shprehesha mbi vlerën morale të kësaj kërkese : ajo ka anën heroike e madhështore të saj. Por nuk besoj në atë. Vënia në rresht e individëve, me gjithë dëshirën e mirë, është në kundërshtim me natyrën dhe nuk të çon në paqe e në gjakftohtësi, por në fanatizëm dhe në luftë. Në fund të fundit, flitet për një kërkesë prej murgu dhe ajo është legjitime kur bëhet fjalë për murgjit, për njerëz që kanë hyrë të lirë nën urdhrat fetare. Megjithatë, nuk besoj që kjo kërkesë, që është e lidhur me modën, do mund të paraqesë një rrezik serioz për ty.

Shoh që letra është kthyer pothuajse në një disertacion. Do të bëj disa kopje dhe kur të më jepet rasti do t’ia lexoj gjithashtu dhe personave të tjerë. Mendoj se nuk do të kesh ndonjë kundërshtim.
Përktheu YD / KultPlus.com

Filmat politikë dominojnë Festivalin e Filmit të Mynihut

Një prodhim shumëkombësh që përshkruan në detaje udhëtimin e dy kushërinjve palestinezë që largoheshin nga atdheu i tyre për në Gjermani, mori sot çmimin e bashkëprodhimit në Festivalin e Filmit të Mynihut.

”Regjisori danezo-palestinez Mahi Fleifel “To a Land Unknown” e çon audiencën e tij në një botë në të cilën protagonistët nuk mund të shmangin të bëjnë gjënë e gabuar”, tha juria kur fitoi çmimin CineCoPro prej 100 000 eurosh (108 000 dollarë).

Historia tregon për dy të rinj të bllokuar të detyruar të kalojnë çdo kufi për të arritur ëndrrën e tyre për një jetë të sigurt në Evropë – pa letra dhe pa para.

Franca, Gjermania, Greqia, Holanda, Palestina, Katari, Arabia Saudite dhe Mbretëria e Bashkuar ishin të gjitha të përfshira në prodhim.

Një sërë çmimesh të tjera u ndanë të shtunën, ditën e parafundit të festivalit, me filmin më të mirë ndërkombëtar për një prodhim sllovako-hungarez “An Explanation for Everything” në të cilin një i ri dështon në finalet e tij pasi bie në dashuri, ndoshta për shkak të politikë.

Çmimi CineMasters është 50 000 euro.

Ndër kontributet gjermane, çmimin e audiencës e fitoi produksioni gjermano-sllovak “Führer und Verführer” i Joachim A Lang me Robert Stadlober, Fritz Karl dhe Franziska Weisz.

Ai përqendrohet te ministri i Propagandës naziste Joseph Goebbels, i cili kreu vetëvrasje në vitin 1945.

“Samia” e regjisorit gjerman Yasemin Samdereli, e cila tregon për një grua sprintere somaleze që ëndërronte të merrte pjesë në Lojërat Olimpike, ishte fituese në seksionin ndërkombëtar.

Fituesit e tjerë përfshinin “Simón de la Montaña” nga regjisori argjentinas Federico Luis; “Lars er LOL” nga Eirik Sæter Stordahl nga Norvegjia; “Viet and Nam”, nga regjisori vietnamez Minh Quy Truong; “Sad Jokes” nga Fabian Stumm i Gjermanisë dhe “Petra Kelly – Act Now!” nga regjisorja gjermane Doris Metz. / KultPlus.com

Gonxhja: Mbështetje potencialit agroturistik, me grante e paketa zhvillimore

Konispoli, skaji më jugor i vendit, është kthyer vitet e fundit në  pol të zhvillimit agroturistik, falë punës së fermerëve dhe mbështetjes së qeverisë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, ndau në rrjete sociale pamje nga Konispoli, ku shihen peizazhe të mrekullueshme të fushave, me sipërfaqe të tëra toke të mbjella me pemë frutore, si dhe foto nga objektet historike e karakteristike, të zonës që tërheqin interesin e vizitorëve të shumtë.

“Konispol ku komuniteti vlerëson investimin e shtetit për ujin vaditës dhe infrastrukturën rrugore, kaq afër Butrintit dhe kufirit, Cukës së Ajtojit dhe detit, arkeologjisë dhe, me peisazhe magjike dhe panorama natyre e toke të kultivuar nga ferma frutore, vreshta e ullinj në brezare, bart potencial agroturistik e ekonomik që do të ketë vëmendjen e duhur dhe të menjëhershme për mbështetje me grante e paketa urgjente përparësie zhvillimore”, shkroi Gonxhja.

Gjithashtu, vijoi ministri, programe të rijetësimit të objekteve historike e karakteristike, itinerare kulturore e kulinarie, plane për struktura shërbimi e kujdesi për banorët dhe vizitorët e shumtë, janë një tjetër aspekt i mbështetjes së qeverisë.

Gonxhja u ndal edhe në investimet në zonat e banimit dhe qendra interesi të trashëgimisë, për promovim e traditës e bashkëjetesës.

“Infopoint dhe kalendar aktivitetesh, mbështetje projektesh zejtarie, artizanati e start-up rural, rritje të konsumit e kërkesës për prodhimin e shkelqyer të trevës, rikualifikim urban, bujtina e hotele, celula mikpritjeje brenda fermave me eksperienca shijimi e aventure. Punojmë së bashku me Bashkinë e Konispolit, FSHZH, MBZHR, MTM, MSHPV, IKTK, BMF, AADF dhe partnerët për zhvillimin e agroturizmit dhe ekonomisë lokale”, deklaroi Gonxhja./ KultPlus.com

Blick sqaron tërë ngjarjen për lëndimin e Xhakës

Është një sekret i ruajtur rreptësisht që Granit Xhaka e zbuloi pas eliminimit të hidhur kundër Anglisë. Kapiteni zviceran luajti edhe kundër “Tre Luanëve” – pavarësisht një çarje muskulore. Por sa rrezik morën Xhaka dhe mjekët me aktivizimin e tij?

“Nga ana mjekësore, është një lëndim i vogël”, tha mjeku sportiv i Klinikës Hirslanden, Walter O. Frey, për Blick. Megjithatë: “Ajo dhemb. Ndihet si një thikë që të shpon”. 

Rreziku për dëmtime të mundshme të mëtejshme, që Xhaka e mori me pjesëmarrjen e tij, ishte pra i vogël dhe i pranueshëm. 

“Shansi që të ndodhin dëmtime të tjera është shumë i vogël – sidomos me ngrohje të mirë dhe intensive. Por nëse sot ai çalon si një 85-vjeçar për në banjë, ai vetë e di që dje ishte tepër”, shtoi më tej Frey.

Është e rëndësishme që Xhaka tani të marrë kohën për të shëruar plotësisht lëndimin. Diçka që ai do të ketë kohë të bëjë pas përfundimit të Europianit. Diçka që ai nuk mundi të bënte në një javë e gjysmë të fundit.

Ndodhi tre ditë para ndeshjes së 1/8 kundër Italisë. Kombëtarja stërvitej për goditjet nga penalltia në prag të fazës së eliminimit, kur Xhaka ndjeu një shqetësim në aduktorë. Të nesërmen ai nuk u stërvit me ekipin për arsye sigurie. Kundër kampionëve në fuqi, ai udhëhoqi ekipin si zakonisht në Olympiastadion në Berlin. Pas disa minutash loje, ai ndaloi papritur. Tani edhe të tjerët e kuptuan: Kapiteni ishte i dëmtuar.

Xhaka vrapoi drejt vijës anësore për të marrë qetësues për dhimbjet. Këto nuk e humbën efektin e tyre. Një çerek ore më vonë, Xhaka bëri një sprint prej 40 metrash për të nisur presionin. Kjo i dha siguri: kofsha e tij e mbante. Xhaka bëri një ndeshje të shkëlqyer, si gjithmonë në këtë Europian. Në fokus ishin të tjerët: Remo Freuler me golin e tij për 1-0, Ruben Vargas me gjuajtjen e tij në kënd, pasi Xhaka i tha: “Gjuaj!”

Të nesërmen pas triumfit kundër kampionëve në fuqi, Xhaka dha një konferencë për shtyp. Kapiteni ishte në humor të mirë, foli elokuent. Dhe tha: “Për fat të mirë, kemi mjekë shumë të mirë. Dhe: “Ne do të bëjmë një MRI të hënën dhe të shohim çfarë është saktësisht. Por tani kam shtatë ditë kohë për t’u trajtuar.”

Ndërsa lojtarët të hënën shijuan një ditë të lirë, Xhaka iu nënshtrua ekzaminimit mjekësor. Mbrëmjen e kaloi me një duzinë shokësh të ekipit në restorantin Vivaldi, restorantin italian të preferuar nga futbollistët në Stuttgart.

Të nesërmen trajneri Murat Yakin dha informacion për kundërshtarin e çerekfinales Anglinë. Përpara kësaj, drejtori i mediave i SFV Adrian Arnold dha qetësi të rreme në rastin e Xhaka. MRI-ja nuk kishte zbuluar ndonjë lëndim – gjë që nuk ishte e vërtetë. Që kapiteni kishte një këputje të fibrave të muskujve në aduktorë, nuk duhej të dinte askush jashtë kampit të Zvicrës. Përveç Bayer Leverkusen: klubi i Xhakës ishte i informuar për çdo hap.

Dyshimet e para se ndoshta gjërat nuk ishin në rregull dolën të enjten. Dy ditë para ndeshjes kundër Anglisë, Xhaka ende nuk u stërvit plotësisht me ekipin. Zakonisht është seanca më e rëndësishme në përgatitjen e një ndeshjeje, në të cilën mediat nuk lejohen gjatë gjithë stërvitjes.

Të premten SFV raportoi se Xhaka kishte përfunduar stërvitjen përfundimtare.

Pavarësisht se sa e rëndë ishte lëndimi i muskujve: dyshime se Xhaka do të luajë kundër Anglisë nuk kishte. Në vitin 2021 ai kishte humbur çerekfinalen e Europianit kundër Spanjës për shkak të një pezullimi me karton të verdhë, këtë herë kapiteni donte të ishte patjetër aty. Për ekipin ai është i pazëvendësueshëm: në rolin e tij si organizator i lojës në pozicionin e gjashtë, por edhe si lider i padiskutueshëm i kësaj kombëtareje.

Xhaka e udhëhoqi ekipin kundër Anglisë. Ishte ndeshja e tij e 61-të këtë sezon. Nuk vërehej shumë lëndimi i tij. Ai me vetëdije shmangu pasimet e gjata dhe goditjet nga distanca, siç shpjegoi më vonë. Menjëherë pas pushimit, ai shkoi te vija anësore për t’u rregulluar fashën në kofshën e majtë nga mjekët. Ndoshta edhe mori qetësues për dhimbjen.

Kapiteni i duroi 120 minuta dhe ishte si gjithmonë një nga më të mirët e një kombëtareje që përsëri ishte e fortë. Ai nuk mori pjesë në penallti. Akanji dështoi, kombëtarja humbi në lotari. Përsëri çerekfinalja ishte stacioni i fundit. Ëndrra e madhe për një sukses të madh u shua. Për Granit Xhaka ishte një dhimbje e dyfishtë./ KultPlus.com

Nga brigjet e Vjosës ku çdo ditë grupe vizitorësh zbulojnë hiret e saj

Turistë të huaj dhe vizitorë vendas, çdo ditë e më shumë po rrisin interesin të eksplorojnë Parkun Kombëtar të Vjosës, për eksperiencat e veçanta që ofron nga peizazhet e bukura natyrore, deri tek rafting dhe sportet e aventurës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente të adhuruesve të sporteve ujore, të cilët gjejnë në Vjosë një oaz freskie dhe mundësi për rafting.

“Nga brigjet e Vjosës ku çdo ditë grupe vizitorësh zbulojnë hiret e saj mes kulturës, sporteve në natyrë, traditës e historisë”, shkroi Rama.

Vjosa fillon në Greqi si Aoos, përpara se të kalojë në Shqipëri, duke gjarpëruar nëpër male dhe në fund të arrijë në detin Adriatik.

Gjatë rrugës, lumi kalon nëpër fusha të blerta dhe përgjatë shpateve malore duke krijuar kanione mbresëlënëse, ishuj rëre dhe kthesa të mrekullueshme.

Bukuria dhe domethënia e lumit e kanë fituar emrin “Zemra Blu e Evropës”.

Në 13 mars 2023 lumi i Vjosës, i fundit i egër në Europë, u shpall nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “Park Natyror”./ KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës përmbyll sezonin me “Koncert për paqe”: një unifikim i dhimbjes, mëshirës, paqes dhe mirëkuptimit 

Era Berisha

Mbrëmë qytetarët e Prishtinës, mu në sheshin “Skënderbeu”, kanë qenë dëshmitarë të një nate të mbushur me përplot magji. Skena gjigande e vendosur në qendër, ka mikpritur interpretimin e mbi 200 muzikantëve. Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, Kori i Operës së Kosovës nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, Kori i Universitetit “Haxhi Zeka” nga Peja nën dirigjimin e Hysen Nimanit, sopranoja Adelina Paloja, tenori Liridon Sadriu dhe baritoni Safet Berisha, kanë ngulitur në kokën e të gjithëve një koncert i cili ka dalë përtej unikes. Talenti i tyre u shfaq në një tango me perfeksionin, kësisoj duke e lënë një vulë të pashlyeshme përbrenda secilit pjesëmarrës, shkruan KultPlus. 

Koncerti parashihej të fillonte në orën 20:30, mirëpo karriget ishin mbushur nga qoshi në qosh qysh nga ora 20:00, ndërsa instrumentet e vendosura në skenë po pritnin që mjeshtërit e tyre t’i merrnin ato në dorë. Audienca pati rastin ta shijojë zhdukjen e përkohshme të diellit dhe me entuziazëm priste shushurimën e instrumenteve nga muzikantët që dolën në skenën e mbuluar në të zezë, akoma pa shënuar ora 21:00. 

Reflektorët në ngjyrë të kaltër të vendosur mbi skenë dukej se e qanin në gjysmë ajrin me drejtimin e tyre, por asisoj ishin edhe muzikantët që dolën duke marshuar në skenë. Hapat e tyre të qëllimshëm, zhurmonin atmosferën këndshëm, duke shënuar fillimin e veprës “Njeriu me armë: Meshë për paqe” e kompozitorit Karl Jenkins, e krijuar në vitin 1999 dhe dedikuar viktimave të Kosovës. Është një vepër anti-luftë bazuar në meshën katolike të cilën kompozitori e gërsheton me burime të tjera, me tekst të përzgjedhur nga historiani Guy Wilson.  

Nën dirigjimin e veçantë të Baki Jasharit, koncerti portretizoi një literaturë muzikore, me vepra të fuqishme që u interpretuan për nder të të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës dhe 248-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Koncerti u emërtua “Koncert për Paqe” me të cilin Filharmonia e Kosovës përmbylli sezonin 2023/2024. Bashkë me korin në skenë u ngjit edhe Jeffrey M. Hovenier, ambasador i SHBA-ve në Kosovë. 

Anash skenës, dy ekranet mundësuan një vështrim më të detajuar të Orkestrës së Filharmonisë në skenë, si dhe duarve të dirigjentit Jashari, i cili me krahët e tij bënte harqe sa në të djathtë e sa në të majtë. Shkopi i tij në dorën e djathtë, lëvizte me shpejtësi sa poshtë e lartë, njashtu edhe telat e instrumenteve që pushtoheshin pa ndalë nga dhuntia e bukur e shpirtrave të gjallë prapa tyre. Në anën tjetër, të bashkuar në një unitet që çdo herë lë mbresa, Kori i Filharmonisë së Kosovës, Kori i Operës së Kosovës dhe Kori i Universitetit “Haxhi Zeka”, dhuruan spektakle që frymonin nëpërmjet teksteve dedikuar për paqe, dashuri e dhimbje.  

Ndërkohë, publiku ishte i shoqëruar nga një fllad i lehtë i cili zgjonte kohë pas kohe disa rrëqethë, por kjo nuk ndodhte vetëm për atë arsye. Ishte energjia, paraqitja dhe ekselenca e sopranos Adelina Paloja, tenorit Liridon Sadriu dhe baritonit Safet Berisha, të cilët i dhanë jetë të dyfishtë këtij koncerti të jashtëzakonshëm. Si yje në skenë, qëndronin solistët, që kapluan atmosferën nga çasti në çast. Serioziteti i notave që buronin nga thellësia e tyre, portretizoheshin dukshëm dhe në shprehjet e fytyrave të tyre. Për të kënduar për tema te caktuara, do të thotë të bëhesh një me tekstin, mesazhin dhe esecnës e veprës, dhe këtë më së miri, arrinin ta bënin solistët, të cilët kanë shkrirë telat e zërit drejt të pranishmëve nëpërmjet një madhështie modeste. 

Veprat e interpretuara si: “The call to prayers”, “Kyrie”, “Save me from Bloody Men”, “Sanctus”, “Hymn before action”, “Charge!”, “Angry flames”, “Agnus Dei”, “Now the guns have stopped”, “Benedictus” si dhe “Better is peace”, transmetuan një performancë që doli përtej pritshmërive. Puna e palodhshme, përkushtimi, dhe dashuria për atë se çfarë përfaqëson muzika, ishte e vulosur në sytë e 200 muzikantëve, të cilët mbrëmë dëshmuan një pasion të zjarrtë i cili zor se do shuhej ndonjëherë, edhe nëse bota do të digjej ngadalë. 

Prapavija në skenë pati të vendosur një ekran që ndërronte disa imazhe, por më e fuqishmja apo konstantja, qe ajo e një zogu, që shërbente si një thirrje për paqe dhe liri. Reflektorët ndërronin ngjyrat nga të kaltër, në të bardhë, në të kuqe e herë në të portokalltë, që përkonin me stilin e njëmbëdhjetë veprave dhe intensitetin e tyre që shpesh kapte publikun në befasi, duke i shtyrë ata për të lëvizur papritmas. Po ashtu, ajo që këta muzikantë dinë të bëjnë më së miri, është përkëdhelja e lehtë e shpirtit të pranishëm, nëpërmjet prekjeve ledhatuese të instrumenteve përpara tyre, duke krijuar një harmoni bukur të qetë, porsi ninullë. 

Pas përfundimit të gjithë këtij koncerti mbresëlënës, për një fjalë rasti, në skenë doli Jeffrey M. Hovenier, ambasador i SHBA-ve në Kosovë, i cili falënderoi Filharmoninë e Kosovës, që e lejoi të jetë pjesë e tyre për këtë mbrëmje. 

“Nëpërmjet veprave, ne ecëm nga lutja për mëshirë, në përgatitjen për luftë dhe përjetimin e tmerreve të luftës, dhe më pas përfunduam me një mirëkuptim dhe marrëveshje se gjithmonë ka paqe. Unë nuk mund të mendoj për ndonjë vepër tjetër që është më e përshtatshme për një diplomat për të kënduar, sesa “Njeriu me armë: Meshë për paqe”. Vepra qe shumë e ndjeshme për ta kënduar së bashku. Këta prapa meje, janë njerëzit e mi, dhe unë dua t’i falënderoj shumë që më lejuan të jem pjesë e tyre sonte. Muzikantët e Filharmonisë, janë shumë të talentuar dhe ju të gjithë duhet të jeni krenarë për ta”, ka thënë ai. 

Ai tutje tregoi se koncerti ishte paraparë të epej më 4 korrik, por për shkak te motit dhe vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare, koncerti u shty për mbrëmjen e djeshme.

Pjesa përmbyllëse e koncertit solli interpretimin e dy marsheve amerikane “The Washington Post” dhe “The Stars and Stripes Forever” nga John Philip Sousa, të shoqëruar në fund me fishekzjarrë, pjesë e traditës amerikane për shënimin e Ditës së Pavarësisë që nga viti 1777. Fishekzjarrët e shumtë shumëngjyrësh shënuan fundin e një nate të paharrueshme, me kujtime që do vërshojnë përherë në rrjedhën e të bukurave, siç ishte edhe portretizimi nga “Koncert për paqe” për dy orë të plota.

Ndërsa, për të treguar rreth pjesëmarrjes si soliste në këtë koncert, për KultPlus foli sopranoja Adelina Paloja. 

“Përjetova një nga momentet më emocionale të karrierës sime solistike. Atmosfera ishte magjike që nga momenti i parë. Qielli i hapur i Prishtinës dhe yjet e ndritshëm krijuan një skenë të përsosur që po e ndjeja teksa po përgatitesha prapa skenës me emocionet dhe përgjegjësinë e madhe që më priste për të interpretuar veprën madhështore të Karl Jenkins, “The Armed Man: A Mass for Peace”, dedikuar viktimave të luftës në Kosovë. Përmes zërit tim reflektoja figurën e femrës shqiptare vetëflijuese e heroinë historikisht, e ne së bashku si një trup artistësh me mbi 200 muzikantë e mijëra pjesëmarrës në audiencë, ngaqë kemi përjetuar edhe vetë luftën, bëmë dedikimin e thirrjen për paqe edhe si një kujtesë e fuqishme e kostos së luftës që përjetuam”, thotë Paloja. 

Sipas saj, teksa këndonte pjesët e ndryshme të veprës në gjuhen latine, frënge dhe angleze, ndjente peshën e historisë dhe dhimbjen e luftërave të kaluara. Por gjithashtu, ndjente shpresën dhe dëshirën për një të ardhme më të mirë. Pra, çdo frazë muzikore ishte një lutje për paqe, një thirrje për bashkim dhe mirëkuptim. 

“Atmosfera në shesh ishte elektrizuese, me interpretim brilant të Orkestrës dhe Korit të Filharmonisë, të Operas si dhe të Fakultetit të Arteve të Universitetit Haxhi Zeka, udhëhequr shkëlqyeshëm nga dirigjenti prof.Baki Jashari, me dy dirigjentët e korit Hysen Nimani dhe Hajrullah Syla, që së bashku krijuam një përjetim artistik fisnik e krenar. Mbrëmja përfundoi me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe shprese për të ardhmen, me angazhimin e drejtorit Dardan Selimaj për vizionin e kësaj mbrëmjeje dhe çdo detaj të mirë menduar, në bashkëpunim me aleatin tonë ShBA, ku në pjesë artistike pjesëmarrës në Kor ishte edhe vetë ambasadori Jeffrey M. Hovenier. U ndava me emocionin që kurorëzuam së bashku një koncert që do të mbahet mend gjatë si një nga ngjarjet më të paharrueshme në historinë kulturore të Prishtinës”, përfundon ajo. 

Kurse, për të treguar përshtypjet e tij rreth gjithë këtij koncerti, për KultPlus foli dirigjenti i Korit të Universitetit “Haxhi Zeka” nga Peja, Hysen Nimani. 

“Fakulteti i Arteve i Universitetit ‘Haxhi Zeka’ ka pasur një periudhë të jashtëzakonshme, duke u shquar për një sërë arritjesh të rëndësishme. Kohët e fundit, Kori i Fakultetit të Arteve prezantoi krahas Filharmonisë së Kosovës para një audience gjigande në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë, një ngjarje që përmbush krenari të madhe për të gjithë ne. Ky bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës, i dyti deri tani, ishte një sukses falë përkushtimit dhe punës së përbashkët me të gjitha instancat menaxheriale, duke përfshirë Dardan Selimaj, dirigjentin Baki Jashari, Hajrullah Syla dhe solistët e talentuar: sopranon Adelina Paloja, tenorin Liridon Sadriu dhe baritonin Safet Berisha”, ka thënë ai. 

Dekani i Fakultetit të Arteve dhe dirigjent i Korit, Nimani, theksoi se kori ka marr pjesë vazhdimisht në koncerte dhe festivale të ndryshme ndërkombëtare, si në Gjermani, Kroaci, Greqi dhe shumë koncerte ne vend dhe jashtë vendit si dhe në konkurse të ndryshme. Këto arritje, sipas tij, pasqyrojnë përkushtimin dhe talentin e jashtëzakonshëm të studentëve dhe stafit, duke shërbyer si një shembull për të gjithë. 

Gjithashtu, dirigjenti i Korit të Operës së Kosovës, Hajrullah Syla, për KultPlus foli rreth përpjekjeve për të sjellë këtë koncert. 

“Vepra ‘The Armed Man a Mess for Peace’ është njëra ndër veprat më madhore që i është dedikuar viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Çdo herë që ne e interpretojmë këtë vepër, kemi një emocion të veçantë pasi që kemi qenë edhe dëshmitarë të luftës së fundit dhe përjetimeve që kemi pasur ne si popull nga paramilitarët serbë. Interpretimi i mbrëmshëm ishte një emocion sikurse për herën e parë kur e kemi realizuar këtë vepër”, thotë ai. 

Sipas tij, sa i përket procesit të provave, ka qenë jo edhe aq i vështirë pasi që Orkestra dhe Kori i Filharmonisë, e kanë pasur të përgatitur, por sigurisht bashkimi i dy koreve siç ishin: Kori i Operës së Kosovës dhe Kori i Fakulteti të Arteve “Haxhi Zeka” nga Peja, ka qenë pak sfidues pasi që ishte një numër tejet i madh i interpretëve të kësaj vepre. 

“Gjithashtu, për ne ka qenë nder dhe kënaqësi që ta kemi edhe ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, i cili është një zë shumë i mirë dhe që me shumë dëshirë iu bashkua koreve që ishin pjesë e koncertit. Ky rrugëtim për të arritur deri në koncert ka qenë mjaft i këndshëm dhe me një peshë të madhe duke e ditur që ne do të dalim në skenë para një audience të madhe në sheshin ‘Skënderbeu’. Aq sa u pa, publiku e priti mjaft mirë paraqitjen tonë”, përfundon Syla. 

Ky koncert është mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasada Amerikane, Komuna e Prishtinës dhe RTK. 

Fotografitë: Enes Sahiti / KultPlus.com

“Dhuro zërin”, Timo Flloko me poezinë e Kadaresë për bibliotekën audiodigjitale për fëmijët që nuk shikojnë

Aktori i njohur Timo Flloko iu bashkua nismës “Dhuro zërin” për pasurimin e bibliotekës audiodigjitale për fëmijët që nuk shikojnë.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastriliu në një postim në rrjetet sociale.

Manastirliu u shpreh se “aktori Timo Flloko me poezinë “Kohë e pamjaftueshme” të Ismail Kadaresë solli një nga thesaret e letërsisë shqipe në bibliotekën audiodigjitale për fëmijët që nuk shikojnë, duke iu bashkuar nismës sonë “Dhuro zërin””.

Aktori Timo Fllloko ndau disa momente nga takimi i fundit me shkrimtarin e madh Kadare, disa ditë përpara se ai të ndërronte jetë në moshën 88-vjeçare nga një arrest kardiak, më 1 korrik të këtij viti.

Ministrja Manastriliu i bën apel të gjithëve të dhurojnë zërin e tyre, duke u shprehur se nëse dhuron zërin vetëm një herë, ai mund të dëgjohet mijëra herë.

Nismës “Dhuro zërin” i janë bashkuar emra të njohur të artit dhe kulturës, që me zërin e tyre kanë pasuruar bibliotekën audiodigjitale për fëmijët që nuk shikojnë./ KultPlus.com

Artistja polake e muraleve në Kapshticë dhe Qafë Thanë: Shqipëria e mahnitshme

Artistja polake Maria-Rosa Szychowska po realizon edhe muralen në fasadën e godinës në pikën kufitare e doganore të Qafë Thanës.

Pas asaj të realizuar në Kapshticë, Szychowska po punon për muralen në Qafë Thanë, duke mundësuar një imazh të veçantë për turistët dhe qytetarët që lëvizin në të dy anët e kufirit.

Artistja polake “tha se “isha në Kapshticë javën e kaluar për rreth 10 ditë për të realizuar muralen, tani jam në Qafë Thanë për të pikturuar këtë muralen përfaqëson disa lule të zonës, e quajtura bozhur në shqip dhe do të sjellë shumë ngjyra dhe jetë në këtë godinë”.

“Do pikturoj edhe në pjesën ballore kur vjen nga Maqedonia e Veriut, kështu që mund të shikoni një pamje të bukur kur të mbërrini në Shqipëri”, tha ajo.

Szychowska u shpreh se “në Kapshticë ishte puna ime e parë. E dashuroj Shqipërinë, është e mahnitshme për shumë arsye”.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole zhvilloi një vizitë në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku u takua me artisten polake Szychowska.

“Pikat e kalimit kufitar të Kapshticës dhe Qafë Thanës, si dy pikat kryesore të lëvizjes së qytetarëve në juglindje të vendit, kanë marrë të gjitha masat për një mjedis sa më mikpritës, në nisje të sezonit turistik veror”, tha Jole.

Jole u shpreh se edhe ky sezon veror po shënon një numër të lartë qytetarësh e turistësh që po kalojnë në këto dy pika kufitare.

Muralet janë kthyer në atraksionin më të ri turistik në disa qytete të vendit, ku syri kureshtar i qytetarëve mahnitet nga ngjyrat, ndërthurja e elementëve dhe sidomos nga mesazhet që transmeton ky art./atsh/ KultPlus.com

Regata Brindisi-Vlorë, rekord garuesish shqiptarë dhe italianë me 50 vela

Në Vlorë u zhvillua edicioni i 13-të i “Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë”, në të cilën morën pjesë një numër rekord garuesish me plot 50 vela.

Garuesit përshkuan për disa orë Kanalin e Otrantos për të mbërritur në Gjirin e Vlorës.

Ishte një garë plot emocion, e cila dhuroi momente magjike në ekuipazhet e velistëve italianë, por edhe ata shqiptarë, të cilët ashtu si edhe vitet e tjera garuan si profesionistë të vërtetë.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ndau në rrjetet sociale momente nga ceremonia e mbrëmjes së djeshme ku u ndanë çmimet e Regatës Brindizi-Vlorë në edicionin e saj të 13-të.

“I lumtur që çdo vit numri i velierave pjesëmarrëse vazhdon të shtohet, duke e bërë këtë event gjithnjë e më spektakolar”, tha Dredha.

Ky aktivitet vlerësohet si një nga aktivitetet më të mëdha mes dy brigjeve të Adriatikut dhe përbën një moment kulmor në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve që lagen nga i njëjti det.

“Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë”, lindi në 2011-ën, në përvjetorin e 20-të të zbarkimit të emigrantëve shqiptarë në Brindisi, si një moment dhe si një mënyrë domethënëse për të kujtuar dhe përshkuar të njëjtin itinerar të shpresës për një ditë të re dhe të ardhme ndryshe.

Ky mesazh, kjo simbolikë, përcillen çdo vit në fillim korriku në atë pikënisje me kahje të kundërt që starton nga Brindisi për të mbërritur në Vlorë dhe anasjelltas, si dëshmi e ndryshimit dhe rrugës së vlerave të përbashkëta./ KultPlus.com