Nën magjinë e ‘Bareshës’, shënohet  mes emocionesh të forta 100-vjetori i lindjes së kompozitorit Rexho Mulliqi

Flonja Haxhaj

100-vjetori i lindjes së kompozitorit të mirënjohur shqiptar, Rexho Mulliqi, u shënua mbrëmë me koncertin e Filharmonisë së Kosovës, e cila për të nderuar këtë figurë që i dha shumë muzikës artistike shqiptare, i parapriu edhe sezonit që do t’iu kushtohet tërësisht veprimtarisë së kompozitorit Mulliqi, shkruan KultPlus.

Koncerti i organizuar për të shënuar një ditëlindje jubliare, solli magjinë e veprave që u përkasin stile të ndryshme, por në fund emocionet më të shumta publiku i përjetoi kur në skenë u jetësua ‘Baresha’ për orkestër simfonike.

Para një publiku që kishte zënë çdo cep të Sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Antoin Marugier, u përcoll magjia e veprave të Beethoven, Prokofiev dhe Mulliqit.

Po ashtu, në rolin e solistit u rikthye edhe koncert-mjeshtri i Filharmonisë së Kosovës Visar Kuçi, i cili luajti “Koncert për violinë nr. 1” nga Prokofievi.

Pas performancës që dhuroi pafund emocione në publik, për KultPlus foli dirigjenti Antoine Marguier, i cili drejtoi Filharmoninë e Kosovës për herën e tij të dytë. E ndonëse skena në të cilën ai performoi mbrëmë mund të jetë shumë më e vogël nga ato që ai është mësuar të punojë, Marguier shprehet se më shumë se kaq për të është e rëndësishme emocioni që përçohet e që jo gjithmonë ka të bëjë me përmasat e skenës.

“Nuk ka skenë më të vogël, çdo skenë është e madhe, skena është vendi ku shpreh dëshirën e kompozitorit, kështu që ka gjithmonë të njëjtat përmasa kudo që të jetë sepse gjithmonë është më i rëndësishëm emocioni që shfaqet kur takohen interpretuesit, kompozitori e që nuk është në mesin tonë dhe publiku”, tha Marguier.

Më tutje ai foli edhe për kompozitorin Rexho Mulliqi, muzikën e të cilit, Marguier thotë se filloi ta studiojë pak javë më parë. 

“Unë nuk e kam njohur deri më tani kompozitorin Rexho Mulliqi. Fillova të studioja për të pak javë më parë dhe pata kohën të zbuloja këtë lloj muzike dhe shprehjet e tij. Gjithashtu njerëzit këtu dhe orkestra më treguan për të dhe sigurisht nuk është kurrë e lehtë të vij si i huaj nga një kulturë tjetër dhe të vendos këmbët e mia në një muzikë të re në vendin e muzikës”, tha më tutje Marguier duke falënderuar edhe pjesëtarët e orkestrës për bashkëpunimin.

Në këtë koncert të një rëndësie të madhe kombëtare, pjesa e parë ishte e rezervuar për pianisten Vesa Berisha, e cila në vitin e kaluar fitoi garën ‘Pianisti i ri 2022’. Ajo u paraqit suksesshëm duke iu bashkëngjitur orkestrës në interpretimin e kohën e parë të “Koncertit për piano nr. 3” nga Beethoveni.

Ndërkaq, ajo ndau për KultPlus emocionet e kësaj nate, e që sipas saj përjetohen rrallëherë.

“Ka qenë një emocion që rrallëherë mund të përjetohet. Jam shumë me fat dhe e vlerësoj shumë mundësinë që më është dhënë që të performoj me Filharmoninë e Kosovës”, tha pianistja Berisha, e cila më tutje vlerësoi lart edhe punën me dirigjentin Antoine Marguier.

Për të folur rreth këtij koncerti që iu kushtua kompozitorit që i dha shumë muzikës artistike shqiptare, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha për KultPlus se ky koncert është një koncert kompleks, marrë parasysh stilet e ndryshme të veprave që u luajtën.

“Ky është një koncert kompleks meqë janë shpalosur stile të ndryshme, vepra të kompozitorëve të ndryshëm duke filluar nga Bethoveeni që është një botë në vete, më pas Prokofievi i cili në botën e muzikës artistike konsiderohet si një kompozitor shumë i veçantë në stilin e tij dhe natyrisht këtu Visar Kuçi ka bërë një punë të mrekullueshme. Është e pashmangshme të përmendet që meqë është edhe ditëlindja e kompozitorit tonë të madh Rexho Mulliqi, e kemi parë të arsyeshme që në vigjilje të 100-vjetorit t’ia kushtojmë këtij kompozitori”, u shpreh Jashari, i cili mes tjerash tha se Filharmonia e Kosovës do të mundohet që me mundësitë e sa të bëjë promovimin e veprave të Mulliqit edhe jashtë vendit.

Ndërkaq, në sezonin artistik të vitit 2023, Filharmonia e Kosovës do t’ia kushtojë veprimtarisë artistike muzikore të Rexho Mulliqit./ KultPlus.com

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës me koncert në Obiliq

Në kuadër të programit “Filharmonia në lëvizje” dhe organizimit të koncerteve në qytete të tjera të Kosovës, Orkestra Frymore e Filharmonisë më 10.11.2022 prej orës 19:00 do të mbaj koncert në Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri” në Obiliq, përcjell KultPlus.

Në koncert do të interpretohen vepra të kompozitorëve të huaj dhe vendor në dirigjimin e Baki Jasharit dhe Lirjona Sylejmanit.

Hyrja në koncert është e lirë! / KultPlus.com

Të shtunën jepet premiera e veprës ‘Monade’ nga Robert Bisha, bashkëpunim mes Fondacionit Lumbardhi dhe Filharmonisë së Kosovës

Flonja Haxhaj

Të shtunën, më 17 shtator, Kino Lumbardhi në Prizren do të jetë nikoqire e veprës ‘Monade’ të kompozitorit, Robert Bisha, një vepër kjo e bashkë-komisionuar nga Fondacioni Lumbardhi dhe Filharmonia e Kosovës, shkruan KultPlus.

Vepra e cila shënon edhe fillimin e sezonit të Filharmonisë së Kosovës dhe 70-vjetorin e krijimit të Kino Lumbardhit, është një suitë simfonike për piano, orkestër, kor, solistë dhe multi-media.

Për të folur më shumë për këtë vepër, sot është mbajtur një konferencë për media ku kanë qenë prezentë vetë kompozitori, Robert Bisha, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari dhe drejtuesi i Fondacionit Lumbardhi, Ares Shporta.

Jashari thotë se është i lumtur për hapjen e sezonit të Filharmonisë së Kosovës me këtë vepër, ndonëse filharmonia ka realizuar tashmë dy koncerte në fillim të shtatorit, më 5 shtator me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës dhe koncerti i dytë ishte pak ditë më parë i Korit të Filharmonisë së Kosovës e që u realizua në Kishën Shën Ndou.

“Tani jemi në prag të një projekti jashtëzakonisht të rëndësishëm, të veçantë dhe të madh të Filharmonisë së Kosovës, bëhet fjalë për një vepër vokalo-instrumentale të kompozitorit shqiptar, Robert Bisha. Ditëve të fundit, Filharmonia e Kosovës ka qenë jashtëzakonisht e angazhuar në përgatitjen e një vepre shumë të veçantë, për nga përmbajtja për nga formacioni, pjesëmarrësit, tematika, ishte një përvojë më e ndryshme për Filharmoninë e Kosovës bazuar në programet paraprake”, u shpreh Jashari, i cili ndër të tjerash tha që në fillim, pjesëtarët e filharmonisë ishin pak skeptikë pasi morën me vonesë programin por kanë bashkëpunuar duke e njohur kapaxitetin dhe stilin e kompozitorit Bisha.

Ndërkaq, Ares Shporta nga Fondacioni Lumbardhi tha vepra që shënon edhe fundin e festimeve të 70-vjetorit të hapjes së Kino Lumbardhit, e ka sjellë bashkëpunimin mes Filharmonisë së Kosovës dhe Fondacionit Lumbardhi në një nivel të ri të bashkëpunimit tashmë 5-vjeçar.

“Ky është një bashkëpunim i ri mes Prizrenit, Kino Lumbardhit dhe Robertit i cili e ka mbajtur koncertin e vetëm të vitit të parë pandemik, një piano solo për 50 veta në një distancë në bahçe. Mirëpo biseda që nisi atëherë në Prizren u zgjat edhe e gjeti veten në mes të diskutimit se si duhet me kremtu 70-vjetorin e Kino Lumbardhit që trajton një 70-vjetor të një institucioni interesant me faza të ndryshme në një kontekst kontradiktor dhe me e pa se si mundemi që edhe muzikën edhe filmin, më shumë muzikën me e trajtu në  mënyrë të re, në një hapsirë që është mësuar vetëm me u konsumu dhe jo me u prodhu dhe me u diskutu.”, tha Shporta, përcjell KultPlus.

E krejt në fund fjalën e mori edhe kompozitori Robert Bisha, i cili rikthehet në Prizren pas dy vitesh me një mision tjetër të veçantë.

“Jam shumë i kënaqur që kam pasë mundësi në njëfarë mënyre me e vënë në dispozicion se çka është backgroundi im apo se çka është dhuntia ime në dispozicion të Fondacionit Lumbardhi me të cilin kam nderin që bashkëpunoj përgjatë këtyre viteve dhe gjithashtu edhe në dispozicion të filharmonisë me të cilën pata nderin të punoj këto ditë.”, deklaroi Bisha.

“‘Monade’ ndahet në tetë pjesë, numër simbolik për mua sepse çdo koncert e bëj në tetë pjesë. Janë të gjitha kohë që shpjegojnë, që ka një narrativë të tyre nga pastoralet deri te pjesa e fundit, kanë një historik të tyre që sheh apo mundohet me e pa Prizrenin si nga detaji, por edhe si nga sipër apo edhe mundohet që Prizrenin ta shohin nga pikëpamja e vetë”, u shpreh më tutje kompozitori Bisha, duke folur për pikësynimin poetik të asaj se çka sjell ‘Monade’.

Kujtojmë që koncerti ‘Monade’ mbahet të shtunën (17 shtator) nga ora 20:00 në Kino Lumbardhi./ KultPlus.com

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës me koncert në Teatrin “Adriana”

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës të mërkurën (08.06.2022) prej orës 18:00 mban koncert në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, përcjellë KultPlus.

Me vepra nga kompozitorë vendor e të huaj, koncerti do të drejtohet nga dirigjentët Baki Jashari, Lirjona Sylejmani dhe Hajrullah Syla.

Ky koncert përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Ferizajit.

Hyrja është e lirë! / KultPlus.com

Koncerti i Orkestrës Frymore të Filharmonisë së Kosovës jehoi mbrëmë në tinguj jo të zakonshëm, intensiv dhe tejet goditës

Era Berisha

Interpretimi i Orkestrës Frymore së Filharmonisë së Kosovës mbrëmë pushtoi atmosferën vepër pas vepre. Kryeveprat botërore e shqiptare erdhën nën dirigjimin mahnitës të Baki Jasharit, Lirjona Sylejmanit dhe Hajrullah Sylës, të cilët me mjeshtërinë e tyre kontrolluan instrumentet frymore duke sjell kështu një mori melodish të cilat qysh në sekondën e parë të lëshimit, kapluan vëmendjen e gjithsecilit e njëkohësisht dolën përtej limiteve për të prekur atë ajkën e perfeksionit, shkruan KultPlus.

Ky koncert portretizoi një literaturë muzikore që mbrëmë Orkestra Frymore e mirëpriti publikun që ta përjetojë në një mënyrë tejet unike, duke filluar nga veprat e kompozitorëve botërorë si: Johann S.Bach, Georges Bizet, Leonard Bernstein, Frank Erickson, Jan Van Der Roost, John Fannin, Jacob De Haan, Samuel R.Hazo dhe Klaus Badelt, për të vazhduar me magjinë e kompozitorit shqiptar Rexho Mulliqi, “Baresha”, një vepër kjo e cila mbrëmë erdhi e aranzhuar nga dirigjenti Hajrullah Syla ku me meloditë nga klarinisti Shkumbin Bajraktari dhe atyre që vinin nga instrumentet frymore, koncerti jehoi në tinguj jo të zakonshëm por mjaft intensiv dhe tejet goditës.

Pasi që të pranishmit kishin zënë vendin e tyre në një numër të madh në karriget e vendosura në Qendrën ‘Bogdani Polis’, qetësia e tyre e njohur ishte shoqëruesi i pandashëm i tingujve dhe melodive për gjatë gjithë natës. Vallëzimi i notave muzikore erdhi papritmas kur instrumentistët dolën në skenë dhe nisën nxehjen e tyre paraprake. Nuk donte aq shumë që instrumentet të viheshin në funksion të gjatë për të dëshmuar kështu talentin e pronarëve të tyre që me krenari i mbanin ato pranë vetes. Shndritja e instrumenteve dallohej qysh në momentin kur dhe nisin notat e para të veprës “Carmen Suite” nën dirigjimin e Lirjona Sylejmanit.

Nën dritat e ngrohta të vendosura pingul mbi skenë, vija melodike e veprës së parë flakëroi tërë sallën brenda një emocioni. Nuk është e mundur që dikush të mos njihte qoftë edhe një copëz të asaj vepre e cila nuk lë vend e as fjalë për ta përshkruar. Të tilla ishin edhe veprat e tjera si: “Uverturë Jubiloso”, “Flashing Ëinds”, “Fanfare Nueve”, “Oregon”, “Piratët e Karaibeve” dhe “Mambo”, të cilat vunë në pah teknikën e posaçme të manovrimit të instrumenteve frymore, interpretimin e secilit instrumentist jo vetëm në instrument por edhe në elementet koreografike, pozicionimi i trupit të tyre në përshtatje me çdo notë muzikore si dhe shpirtin e tyre kreativ që dukshëm dallohej në shprehjet e fytyrave të tyre.

Ndonëse programi i këtij koncerti shpalosej radhë pas radhe, dukshëm vërehej që publikut iu kishte munguar një rrjedhë e tillë artistike dhe ata mezi pranonin që të viheshin ballë për ballë me vepra të fuqishme e të njëpasnjëshme. Në një kontrast të ëmbël me të tjerat, vepra “Arioso” e aranzhuar nga kompozitori Jacob De Haan dhe nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, arriti që zemrat e të pranishmëve ti qetësojë pak me melodi jashtëzakonisht të lehta që i ngjasonin pikërisht zanave që shfaqën vetëm në një përrallë. Për disa minuta, “Arioso” solli një qetësi hyjnore dhe përçoi një ndjeshmëri të papërjetuar më parë.

Por, qershia mbi tortë për këtë koncert do të ishte vepra e titulluar “Arabeska” që erdhi nën dirigjimin e Baki Jasharit. Tingujt mistik të muzikës dhe motivet abstrakte e shpërfaqura në këtë vepër shpalosën një sensualizëm delikat me goditje të fuqishme dhe tradicionale të cilat dëshmuan për pikën më të lartë të këtij programi për këtë koncert. Një turne tingujsh mbizotëruan hapësirën jo vetëm të vendit por edhe të çdo trupi dhe mendjeje të pranishme. E veçantë në llojin e saj, “Arabeska” fluturoi mes unikes, perfeksionit dhe rrallësisë.

Ajo se çfarë la më së shumti përshtypje në këtë koncert ishte natyrisht dhe vepra “Baresha”, një vepër shqiptare që erdhi e aranzhuar nga dirigjenti Hajrullah Syla i cili së bashku me klarinistin Shkumbin Bajraktari sollën një version të mrekullueshëm. Kurioziteti në publik sa vinte e shtohej me ç’rast nuk munguan as fotografitë dhe videot të cilat ishin bërë pjesë kyçe mes njerëzish. Me buzëqeshje të shumta dhe admirim në sytë e tyre, të pranishmit mirëpritën veprën brohoritje të shumta.

Pas çdo vepre, duartrokitjet e zjarrta që morën të tri dirigjentët dhe Orkestra Frymore, ishin dëshmi për talentin e rrallë të tyre. Të vendosur në këmbë, duart e të pranishmëve trokitnin ende pa ndalim, gjë kjo që flet për emocionet e paharrueshme që ata i dhuruan për gjatë gjithë këtij koncerti sa intensiv e i rëndë, aq edhe i rrallë e i nevojshëm për çdokënd.  

Për të na folur më shumë rreth realizimit të aranzhimit të veprës shqiptare ‘Baresha’, për KultPlus ka folur dirigjenti Hajrullah Syla.

“Koncerti shkoi jashtë mase mirë ngase jemi përgatit me mjaft mund në provat që i kemi pasur. Ky formacion që keni parë nuk është dhe aq i zakonshëm tek ne, andaj kemi filluar një rrugëtim mjaft interesant me pjesën frymore të Filharmonisë që besoj që do të vazhdoj ende, ngase Kosovës i ka munguar një i tillë. Ne e dimë që një i tillë ekziston vetëm në Forcën e Sigurisë të Kosovës, kështu që tash e kemi edhe në Filharmoninë e Kosovës”, thotë Syla.

Sipas tij, për formacione të tilla zakonisht veprat janë nga kolonat zanore të filmave por në këtë rast edhe pse programi ka përmbajtje të veprave të tilla, është kujdesur që të jenë edhe vepra serioze të kompozitorëve të cilët kanë shkruar për formacione tjera por që janë adaptuar për orkestrën frymore.

“Aranzhimi për ‘Baresha’ është bërë në një periudhë shumë të shkurtër sepse e kemi pa të nevojshme që të ketë diçka shqip dhe ideja për atë vepër ka qenë që të sillet në këtë formacion e të ketë një muzikë të cilën publiku shumë e dëshiron. Vepra tregon me të vërtetë vlera të larta muzikore dhe interpretimi i klarinistit Shkumbini, ishte po ashtu tejet e mirë”, përfundon Syla.

Po ashtu, dirigjentja Lirjona Sylejmani për KultPlus shpalosi përshtypjet e saj pas një koncerti të tillë.

“Për mua ka qenë një kënaqësi shumë e madhe e sidomos duke marrë parasysh formacionin me instrumente frymore. Në fakt, kanë qenë ditë shumë të ngarkuara me prova intensive të cilat në fund sigurisht që ia ka vlejtur ngase të tre ne, dirigjentët, e shijuam jashtë mase performancën e sotme”, thotë Sylejmani.

Ndërsa klarinisti Shkumbin Bajraktari tregoi për veprën “Baresha” dhe interpretimin e saj në një aranzhim të ri.

“Është një ndjenjë e veçantë dhe po ndjehem shumë i privilegjuar që më është dhënë mundësia që të performoj në Filharmoninë e Kosovës. ‘Baresha’ ka qenë dhe vazhdon të jetë ikonë e jona dhe tash është shndërruar në njëfarë simfonie. Përndryshe, kjo vepër ka qenë e shkruar për orkestër harqesh por dirigjenti Hajrullah Syla e ka adaptuar dhe riaranzhuar për klarinetë dhe orkestër frymore”, thotë Bajraktari.

Sipas tij, tash e tri javë është dhënë maksimumi që kjo vepër të adaptohet më së miri.

“Vepra ‘Baresha’ neve na flet të gjithëve në shpirt por kësaj here unë me të vërtetë e dhashë maksimumin tim dhe besoj që ia kam arritur e që kjo nuk do të jetë hera e fundit që do ta luajmë”, thotë ai.

Gjithashtu, muzikologia Rreze Kryeziu për KultPlus foli rreth përshtypjeve të saj për këtë program me vepra kaq të famshme.

“Ky koncert ishte shumë i nevojshëm duke nisë edhe nga vetë përzgjedhja e programit, program ky tejet atraktiv dhe jo pak sfidues edhe për instrumentistët ku duke marrë parasysh që kishim orkestrën frymore, nevojitet goxha kondicion sidomos për një program të tillë. Sa i përket pjesës së interpretimit, kolegët kanë bërë një punë të shkëlqyer që po vazhdon të dëshmohet në vazhdimësi. Ajo se çfarë është më karakteristike dhe më e rëndësishme për ne, është kur arrijmë të evidentojmë një numër kaq të madh të interpretuesve”, thotë ajo.

Sipas saj, pjesa që la më së shumti përshtypje ishte inkuadrimi i kompozitorëve shqiptarë me veprën “Baresha”, një nga veprat antologjike që erdhi nga orkestra frymore dhe solisti Shkumbin Bajraktari i cili konsiderohet se ka realizuar një interpretim të shkëlqyeshëm.

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës zhvilloi këtë koncert premierë në kuadër të sezonit 2021/2022, në Qendrën ‘Bogdani Polis’ (Katedralja “Nënë Tereza”) në Prishtinë. / KultPlus.com

‘Prishtina Vocal Fest’ ndan çmimet për kompozitorët e rinj në vepra korale

Prishtina Vocal Fest mbrëmë ka ndarë çmimet e konkursit per kompozitorët e rinj për vepra korale, përcjell KultPlus.

Vlerësimi i këtyre veprave të kompozitorëve është bërë nga juria profesionale e përbërë nga: Baki Jashari, kompozitor dhe dirgjient; Edon Ramadani, dirigjent; si dhe nga Kushtrim Gashi, kompozitor dhe dirigjent.

Ndërkaq, çmimet e ndara janë si në vijim:

Çmimi i parë, 500.00€ – Ersan Januzi me veprën MBASE

Çmimi i dytë, 300.00€ – Fjolla Gashi me veprën ZGJIMI

Çmimi i tretë, 100.00€ – Leutrim Sahiti me veprën ATDHEU.

Fotografitë: Adi Beqiri. / KultPlus.com

Me tinguj romantik në qiell të hapur, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës pushtoi mbrëmë Prishtinën

Era Berisha

Interpretimi i Orkestrës Harkore të Fakultetit të Arteve, Orkestrës Simfonike të Filharmonisë së Kosovës dhe debutimi i kitaristës Tringa Sadiku, mbrëmë përmes veprave të larmishme të kompozitorëve botërorë erdhi me inkuadrimin e melodive që flakëruan skenën si një ndezje qiriri që ngjasonte me perëndimin e diellit, tingujve që i dhanë frymë të pranishmëve me energjinë e pakrahasueshme dhe harmoninë e krijuar përmes përkëdheljeve të instrumenteve, nën qiellin e hapur, mbizotëruan atmosferën me një përkulje ekstravagante të kaplimit shpirtëror dhe lojën mjeshtërore e marrëzore të performuesve, shkruan KultPlus.

Ky koncert portretizoi një literaturë muzikore që fillimisht mbrëmë Orkestra Harkore e Fakultetit të Arteve shënoi nisjen e këtij koncerti fantastik me veprën e kompozitorit botëror Bela Bartok, ‘Valle Folklorike Rumune’, nën dirigjimin e Edon Ramadanit, për të vazhduar me interpretimin e Orkestrës Simfonike të Filharmonisë së Kosovës, duke filluar nga veprat e kompozitorëve romantik si: Johannes Brams, Antonio Vivaldi dhe Robert Schumann, nën dirigjimin e bullgarit Svilen Simeonov, ku krahas tyre në rolin e solistes ka debutuar kitaristja Tringa Sadiku, duke sjell kështu vepra premierë të cilat ndezën atmosferën si një raketë ndriçuese që digjej nën ajrin e qytetit të Prishtinës.

Sheshi ‘Zahir Pajaziti’, mbrëmë kishte një pamje krejtësisht ndryshe ku në fundin e Amfiteatrit ishte vendosur skena gjigande e cila ishte mbështjellë tërësisht në të zezë, ndërsa përballë saj në një kontrast ngjyrash, qëndronin karriget e bardha që rëndom përshtateshin me gjelbërimin e veçantë të pemëve prapa tyre, e që mbrëmë u mbushën komplet duke kaluar edhe numrin e paramenduar.

Në skenë, të veshur me të zeza e me një qëndrim preciz filluan të dilnin instrumentistët e Orkestrës Harkore të Fakultetit të Arteve ku së bashku me instrumentet e tyre diversive me ngjyrë kafe e të kuqe të errët, filloi interpretimi i tyre dhe pasuan meloditë e qeta e të buta që lëviznin nëpër shkallë të ndryshme të harmonive, me ç’rast krijuan një ndjesi pothuajse të frikshme për arsye se ofruan tinguj të një natyre vetjake ku së bashku me dirigjentin dhe krahët e tij që ngjasonin me krahët e zogjve që po interpretonin një fluturim në qiell dhe manovrimi i instrumenteve harkore që dukeshin si trupa të dytë në skenë krahas studentëve, ata shënuan nisjen e koncertit me një frymë që përthithi atmosferën në një puthje muzikore unike.

Flladi i butë si një dhuratë që shoqëronte të nxehtin e atmosferës, reflektorët e bardhë që binin horizontalisht para shikimit të publikut dhe reflektorët me ngjyrë portokalli që po vinin në pah lojën mjeshtërore e serioze të instrumentistëve, kishin kapluar ambientin në një përqafim të kënaqshëm. Po ashtu, mbrëmë një shkrirje absolute e seriozitetit, energjisë dhe saktësisë në një ndjesi të vetme, Orkestra Simfonike e Filharmonisë së Kosovës, pushtoi skenën me një madhështi dhe precizitet që solli një heshtje të melodive të kthjellura e të këndshme për tu dëgjuar e përhumbur tërësisht në brendësinë e papërsëritshme të tingujve.

Ndërsa, dirigjenti Svilen Simeonov ishte ai që solli çmendurinë e lëvizjeve të kokës dhe trupore të tij para publikut kosovar që me një adhurim në sy po e vështronin lojën e tij dhe së bashku me fletat e repertorit muzikor që nuk po rrinin dot në një vend për shkak të erës, dëshmoi se mprehtësia e tingujve therr vrazhdë zemrën e njeriut të pranishëm, meloditë hyjnore thumbojnë shpirtin e të pranishmëve dhe talenti i tij gëlltit tërësisht ajrin në qytetin e Prishtinës në një guaskë simfonike.

Të gjitha elementet e veçanta të skenografisë tani nuk kishin më asnjë efekt për shkak se ishte radha e debutimit të kitaristes Tringa Sadiku, e cila në rolin e solistes solli një interpretim premierë të kompozitorit Antonio Vivaldi, duke prezantuar talentin e saj që lehtësisht rrjedhte në skenë e që vezullonte me një shkëlqim engjëllor që dhuroi iluzionin se i vetmi yll prezent në qiell që vërehej ishte ai që po pasqyronte kitaristen në skenë, një yll që dhuroi një shpërthim melodish me një përmbajtje tejet të ëmbël e jashtëzakonisht të freskët.

Ky koncerti i parë i Filharmonisë që erdhi pas dy vjetësh në ambient të hapur, u përmbyll me veprën e famshme të kompozitorit Wolfgang Mozart, të titulluar ‘’Rondo Alla Turca’’, një vepër kjo që u interpretua në bashkëpunim me publikun i cili me duartrokitjet, brohoritjet dhe fishkëllimat e tyre, iu bashkëngjitën interpretimit qysh nga sekondat e parë e deri në çastin e fundit, duke krijuar një situatë që përthekoi vetminë totale të gjuhës simfonike duke lënë gjurmë perandorake në kujtesën e të pranishmëve.

Ndërsa, për të treguar rreth pjesëmarrjes së Orkestrës Harkore të Fakultetit të Arteve dhe dirigjimin e veprave të performuara, për KultPlus foli dirigjenti Edon Ramadani.

“Jemi ftuar nga menaxhmenti i Filharmonisë për të ardhur mysafirë në këtë koncert edhe pse kjo në fakt ka qenë vetëm një pjesë e shkurtër nga koncerti jonë paraprak, sepse këtu ishte vetëm Orkestra harkore e Fakultetit të Arteve. Procesi i provave ka qenë i pazakontë sepse vetëm tri javë para koncertit kemi filluar me prova fizike e që në kushte normale do të duhej dy herë prova në javë gjatë gjithë vitit universitar”, thotë Ramadani.

Sipas tij, shtatë pikat e performuara të valleve rumune folklorike të Bartokut ishin mjaft dinamike e dallonin shumë me njëra-tjetrën duke dëshmuar talentin e tyre për një ardhmëri të ndritur. Andaj, koncerti për të ishte tejet i mirë e Filharmonia e Kosovës tingëlloi mjaft bukur sonte sidomos pas një kohe shumë të gjatë të performancave në ambient të mbyllur.

“Ne e shijuam këtë skenë gjigande me ndriçim dhe me zërim kurse natyrisht ka kaluar kohë e gjatë kur kemi pasur një numër të madh të publikut si kjo natë dhe më në fund po i kthehemi normalitetit”, ka thënë Ramadani.

Kurse, për të treguar përshtypjet e tij të performimit në Prishtinë, për KultPlus foli dirigjenti Svilen Simeonov.

“Unë po ndjehem shumë i lumtur që më në fund kemi gjetur një mënyrë për të krijuar një proces të provave të jashtëzakonshme sepse veprat që i performuam janë shumë të vështira për shkak të dinamikës dhe energjisë së tyre. Po ashtu, ishte shumë nxehtë, gjatë gjithë kohës por reagimi i publiku më bëri mjaft të lumtur”, thotë Simeonov.

Sipas tij, i gjithë programi ka ardhur për herë të parë në Prishtinë me vetëm një javë prova për një publik që nuk ka pasur rastin ti dëgjoj më parë këto vepra specifike.

Gjithashtu, kitaristja Tringa Sadiku e cila mbrëmë debutoi në rolin e solistes, për KultPlus foli rreth përshtypjeve të saj për koncertin.

“Koncerti ka qenë një ndjenjë përtej asaj që e përjetojmë në përditësi. Puna me Filharmoninë dhe dirigjentin bullgar kanë qenë të mrekullueshme dhe ndihem shumë me fat që kisha mundësinë të jem pjesë e këtij eventi madhështor”, ka thënë Sadiku.

Po ashtu, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari është shprehur mjaft i lumtur që më në fund i janë kthyer normalitetit duke e cilësuar koncertin si koncerti i parë postpandemik.

“Përshtypja është e veçantë sepse ky koncert ka ndodhur ende në një fazë të pasigurtë të lirimit të masave ku kemi shfrytëzuar rastin e parë të mundshëm, gati ta quajmë edhe koncerti i parë postpandemik, por pjesëmarrja e madhe e qytetarëve dhe reagimi i tyre na ka bërë të ndihemi mirë”, thotë Jashari.

Sipas tij, koncerti ka qenë një impakt shumë domethënës në relacion me një muzikë jo të masave por një muzikë e zgjedhur klasike që në botë ka një publik të limituar në krahasim me zhanret e tjera të muzikës.

“Ishte një rikthim, një moment ku e ndjeva në publik një harresë të pandemisë sikur të gjithë dëshironin ti iknin asaj, duke iu rikthyer ndjenjave të tyre në botën reale me duartrokitje e brohoritje dhe jo ajo botë e izolimit që na përcolli për më shumë se një vit”, përfundon Jashari për KultPlus.

Filharmonia e Kosovës e solli këtë koncert përmbyllës të sezonit 2020/2021 në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës. / KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës solli koncertin ‘Frymë’, Jashari: Pandemia na ka ndalë frymën, ne dhuruam frymë përmes instrumenteve frymore

Era Berisha

Kulminacioni i kryeveprave madhështore nga kompozitorët botërorë dhe shqiptarë u jetësuan sonte nga talenti i mahnitshëm i instrumentistëve që frymuan së bashku në një frymëmarrje të vetme nën shoqërinë e melodive dhe tingujve, të cilat u ndezën nën vrazhdësinë e ëmbël të instrumenteve duke përmbledhur kështu një gamë perfekte të zgjedhur për koncertin e titulluar ‘Frymë’, që shtëpinë e gjeti në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.

Koncerti ‘Frymë’, që portretizoi literaturën muzikore të shkruar për ansamble të instrumenteve frymore të drunjta dhe të tunxhit nga periudha e klasicizmit deri tek muzika bashkëkohore, sot ka shpalosur talentin e mirënjohur të kuintetit frymor dhe kuintetit të tunxhit së Filharmonisë së Kosovës, në instrumentet e posaçme diversive qysh nga instrumentet e drunjta frymore si: flauta, obo, klarinetë, fagot dhe korno e deri tek instrumentet metalike si: trumbeta, tromboni dhe tuba që rezultuan në një ndërlidhje ku secila vepër ekzistoi në një frymë ndryshe nga tjetra.

Pasi që të pranishmit zunë vendet e tyre duke mbushur komplet karriget në një numër specifik, pasoi një qetësi ku dëgjoheshin vetëm hapat e shkundura e të lehta të kuintetit frymor të cilët nisën edhe ringjalljen e tyre e cila pasoi në një flakërim të instrumenteve të drunjtë frymore që në skenë u shndërruan në ‘trupa’ të dyta të instrumentistëve.

Atmosfera e ngrohtë në një mot të tillë që po shoqërohej me pikat e shiut të cilat binin në dritare, u gjallërua komplet me veprat e kompozitorëve më të famshëm të botës duke filluar nga: Mozart, Rossini, Donizetti, Chretien, Thuille, Rota, Kompanek dhe Ewazen, për të vazhduar me kompozitorët shqiptarë si: Esat Rizvanolli që ka përpunuar këngën ”N’mjedis t’ballit”, Valton Beqiri i cili këtë natë solli premierën e veprës ‘Hamsa’, të shkruar enkas për kuintetin e tunxhit dhe Meriton Ferizi i cili ka ripërpunuar posaçërisht veprën që sonte u performua nga kuinteti frymor me numrin më të madh të instrumenteve, e e cila është pagëzuar me titullin ‘Pak a shum ship’, që jehonën e tre këngëve shqipe folklorike , e la të tërësisht të zbathur nëpër shpirtin e çdo njërit.

Ky gërshetim mes 11 instrumentistëve që janë të ndarë në kuntetin frymor dhe kuintetin e tunxhit kanë ngërthyer temat më të popullarizuara nga muzika botërore e deri tek ajo me motive folklorike shqiptare, duke na prezantuar me një miks jo të zakonshëm për Filharmoninë e Kosovës por duke krijuar një urë artistike nëpërmjet së cilës shpaloset llojllojshmëria e tingujve të pakrahasueshëm.

Kështu, krejt në fund koncerti i Ansamblit frymor të Filharmonisë së Kosovës, përmbylli këtë natë magjike me performancën e kuintetit të tunxhit nëpërmjet veprës ‘Killer Tango’ nga Kompanek, e cila me hijeshinë e saj madhështore depërtoi deri në shtresën e fundit të njeriut, deri në atë pikën ku vërehet kocka, duke çarë kështu komplet ndjenjat e mbyllura brenda në një rrotullim emocionesh mahnitëse.

Duartrokitjet e shumta, jo vetëm pas secilës vepër të interpretuar por edhe në fund të koncertit nuk munguan për asnjë sekondë të vetme, kurse në anën tjetër buzëqeshjet të cilat dalloheshin nga sytë e më të moshuarve e deri tek të rinjtë, ishin skulptura arti të vendosura përgjatë gjithë kësaj nate artistike.

Ndërsa për të na folur më shumë rreth realizimit të koncertit në një kohë të tillë, në një prononcim për KultPlus, ka folur drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari.

“Duke u bazuar në situatën pandemike, Filharmonia e Kosovës është detyruar ta ndërrojë komplet agjendën e saj. Publiku e njeh Filharmoninë në dy segmente: 1.orkestrën e madhe simfonike dhe 2. korin, si dhe kombinimet të cilat kanë arritur deri në mbi 120 performues në skenë, por kjo tashmë nuk është e mundur ku edhe kori që është njësia e dytë e Filharmonisë, muajve të fundit është prezantuar në ansamble pra në grupe më të vogla pikërisht për shkak të situatës”, tregon Jashari.

Sipas tij, domethënia e emrit të koncertit ‘Frymë’, vjen pikërisht nga pandemia e cila na e ka ndalur frymën dhe pikërisht është ky virus i cili sulmon frymëmarrjen, prandaj ata kanë dashur që publikut ti dhurojnë frymë përmes instrumenteve frymore.

Premiera e koncertit është cilësuar si një koncert jo i zakonshëm për Filharmoninë e Kosovës, ku për Jasharin ishte një kombinim mjaft interesant i veprave që u prezantuan, ku secila nga to është premierë në zhanre të ndryshme duke përfshirë kompozitorë të ndryshëm.

“Ishte një laramani programore, një risi për publikun pra diçka që nuk është parë më herët, sepse siç dihet Filharmonia e Kosovës në plan programin e saj sezonal apo vjetor vazhdimisht me koncerte që kanë qenë një herë në muaj është prezantuar me kapacitetin e saj të plotë si orkestër simfonike dhe natyrisht kjo praktikë është tashmë prezente në të gjithë botën”, shpreh Jashari.

Tutje, ai ka folur edhe për masat e reja në këtë situatë pandemike ku gjithmonë ekziston rreziku.

“Kësaj radhe, në kemi qenë shumë strikt në zbatimin e rregullave dhe nuk kemi lejuar asnjë karrige më shumë sesa nevojitet, duke shfrytëzuar vetëm hapësirën e lejuar deri në më pak se 80 persona duke llogaritur 11 instrumentistët në skenë. Gjithashtu, ne kemi qenë nën kuotën e lejuar edhe pse kemi pas shumë kërkesa, e kemi mbyllur atëherë kur numri ka arrirë në 70”, shpalos Jashari.

Ndërsa, arsyeja se pse Filharmonia e Kosovës ka mbajtur tre koncertet e fundit në Atelienë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, e që gradualisht po zhvendosen nga Salla e Kuqe në Atelie, por që përsëri mbetet problem madhor jo vetëm për Filharmoninë dhe publikun por edhe për mbarë kulturën muzikore kosovare në Prishtinë, e tregon edhe vetë drejtori.

“Është e sata herë që po e mbajmë në Atelie, sepse akustika për muzikën klasike është shumë më e mirë sesa në Sallën e Kuqe dhe ka qenë shokuese kur 1 muaj më parë kemi zbuluar se vendosja e binave e ka dëmtuar aspektin akustik. Por kjo nuk është një sallë koncertale dhe publiku natyrisht që ka vështirësi në shikueshmëri dhe përjetim, mirëpo ne kemi vendosur që bina të mos vendoset, sepse dukshëm ka tingëlluar më mirë”, përfundon Jashari.

Po ashtu, për të folur më shumë rreth provave dhe se si kjo periudhë ndikon tek instrumentistët, në një prononcim për KultPlus, i pranishëm ishte anëtari i kuintetit të tunxhit, Avni Krasniqi.

“Ideja për të realizuar erdhi bashkërisht me drejtorin e institucionit të Filharmonsië, e që është jo vetëm nevojë e kohës por edhe nevojë permanente për të pasur formacione të tilla që funksionojnë në kuadër të Filharmonsië së Kosovë, sepse siç e dimë jemi në një periudhë pandemie, prandaj puna normale na është pamundësuar për shkak të masave, sepse siç dihet Filharmonia ka një numër të konsiderueshëm të instrumentistëve ndërsa hapësira është shumë e vogël”, tregon Krasniqi.

Sipas tij, provat kanë shkuar shumë mirë e të cilat kanë zgjatur rreth një muaj dhe kanë pasur një program të ri është përzgjedhur për këtë koncert. Po ashtu, ata janë munduar që të zgjedhin veprat më të bukura duke bërë një përzierje të veprave të huaja dhe shqiptare.

Tutje ai ka folur rreth situatës pandemike e cila po ndikon tek secili instrumentist dhe jo vetëm.

“Si instrumentistë, për fatin e keq pandemia ka ndikuar tek secili nga ne por në këtë rast e kemi pasur një lehtësim sepse ansambli ynë është në një numër të vogël me 5 anëtarë dhe kemi pasur mundësi që të zhvillojmë provat, por që në përgjithësi ka ndikuar negativisht tek të gjithë muzicientët dhe artet tjera”, shpreh Krasniqi.

Përshtypjet e tij mbi këtë natë që u shijua jashtëzakonisht nga të pranishmit, ishin shumë të mira, jo vetëm për frymën e Filharmonisë por edhe për institucionet dhe skenën muzikore

“Ka qenë një mbrëmje shumë e rëndësishme për ne dhe tani u shndërrua në një natë të mrekullueshme edhe pse sonte kemi qenë dy ansamble por ne kemi luajtur si dy ansamble, duke u munduar që secili të përcjellë emocionin nga programi i tyre i cili ka integruar dy ansamble në një tërësi të mahnitshme”, përfundon Krasniqi.

Filharmonia e Kosovës ka prezantuar këtë koncert në kuadër të sezonit 2020/2021./ KultPlus.com

Jashari merr mandatin e katërt në Filharmoninë e Kosovës, premton ndërtimin e objektit të Filharmonisë së Kosovës

Suada Qorraj

Për tre mandate udhëhoqi institucionin më të lartë të muzikës klasike, Filharmoninë e Kosovës, kurse ditën e djeshme, pas një procesi të gjatë përzgjedhjeje, Baki Jashari mori në duar drejtimin e këtij institucioni për të katërtën herë me radhë, shkruan KultPlus.

Por, historia e këtij institucioni dhe puna e ndërtuar ndër vite nuk kufizohet vetëm në mandate e numra, e shkuara, por dhe e ardhmja mbajnë në vete shumë më tepër se kaq. Rrugëtimin e Filharmonisë ndër vite e ka shpalosur në një intervistë për KultPlus drejtori i këtij institucioni, Baki Jashari.

“Në këto 15 vite, që nga viti 2006 kur unë për herë të parë kam ardhur në krye të këtij institucioni, ka ndryshuar shumëçka. Nëse krahasohet me kushtet në të cilat ka filluar puna atëherë, ky ndryshim ka ndodhur në disa sfera, duke filluar nga rritja e kapaciteteve interpretuese të dy njësive të Filharmonisë, ku një dekadë më parë numri i instrumentistëve ka qenë i vogël. Përgjatë këtyre viteve është avancuar edhe profilizimi programor i Filharmonisë”, ka thënë Jashari.

Ai kujton dhe kohën kur njësitë interpretuese të Filhamronisë, orkestra dhe kori, në fillet e punës së këtij institucioni duhej të kompletoheshin me një numër të madh të instrumentistëve, që kapnin pothuajse gjysmën e orkestrës, nga Shqipëria dhe Maqedonia. Por, sipas tij kjo gjë tashmë ka ndryshuar dhe Filharmonia sot është në një situatë më të avancuar.

“Publiku me kalimin e viteve është rritur vazhdimisht, madje në vitin 2019 për ne ka qenë një befasi,  ku publiku që ka përcjellë koncertin tonë të mbajtur në sheshin Skënderbeu ishte me në numër tejet të madh, prej 2 mijë e 500 personave” pohoi tutje Jashari, teksa kujtonte vitet e tij të mëparshme në krye të këtij institucioni.

Ndonëse kanë kaluar njëzet vite që nga themelimi i saj, Filharmonia e Kosovës ka hasur në pengesa e ngecje, të cilat i kanë pamundësuar funksionimin adekuat që duhet të gëzoj një institucion i tillë. Ky institucion ende nuk ka një objekt në të cilën mund të mbajë prova e të prezantojë koncerte. Por, krahas kësaj, shqetësuese mbetet edhe infrastruktura ligjore, ngase ky institucion ende funksionon me ligjin e vitit 2006 që është i ndërtuar mbi rregulloren e UNMIK-ut.

“Ajo që ka mbete ngecje është mungesa e infrastrukturës ligjore, por dhe objektit. Që nga viti 2009, kur dhe ka filluar si projekt, nuk është ndërtuar objekti i Operas dhe Baletit të Kosovës, dhe ky projekt vazhdon të mbetet një projekt vetëm në letër. Njëkohësisht edhe kur flasim për strukturën ligjore, vlen të ceket se ne ende funksionojmë me ligjin e vitit 2006, edhe pse në vitin e kaluar ligji i ri kishte kaluar të gjitha fazat përgatitore, zhvillimet politike në vend ndikuan në pezullimin e këtij procesi dhe sollën infrastrukturën ligjore në pikën zero”, tregon Baki Jashari për KultPlus.

Tutje drejtori i Filharmonisë së Kosovës ka thënë se bashkëpunimin me Fakultetin e Arteve për këtë institucion është me rëndësi të veçantë, sidomos për plotësimin e kuadrove si me instrumentistë ashtu edhe me koristë. Krahas kësaj, qenësore përgjatë këtyre viteve ka qenë edhe bashkëpunimi me festivale ndërkombëtare muzikore,  sepse, sipas tij, një bashkëpunim i tillë ka sjellë para publikut programe, dirigjentë, solistë me renome ndërkombëtare.

Për Jasharin, një ndër sukseset më të mëdha të Filharmonisë është struktura e publikut, por dhe përfaqësimit që bëhet në orkestër, sepse dominohet nga moshat e reja, që nëse krahasohet me vendet e tjera, atëherë mund të konsiderohet si një ndër pikat më pozitive të këtij institucioni.

“Edhe pse muzika që luhet në Filharmoni nuk është muzikë e estradës, muzikë e masave të gjera, prapë ka gjetur mbështetje të madhe dhe interesim të madh të publikut,  dhe unë e konsideroj këtë një sukses të madh të Filharmonisë,  sepse ne nuk jemi institucion për vetveten tonë, ne jemi institucion publik që duhet tu ofroj qytetarëve artin e vërtetë”, deklaroi tutje Jashari.

I pyetur se çka do të ndryshoj në mandatin e tij të katërt në institucionin më të lartë të muzikës klasike në vend, Jashari pohoi se do të avancohen përmbajtjet programore, do të bëhet kompletimi i stafit, që ndonëse ka pasur progres ka ende shumë punë për tu bërë. Tutje ai ka shtuar se në mandatin e tij të katërt do të punoj për të rregulluar edhe statusin e koristëve,  sepse, sipas tij nuk përkon më të drejtat e tyre të përfaqësimit.

“Bashkërisht me menaxhmentin do ti bëjmë lëvizjet e duhura që gjatë këtij mandati të punohet sa më shumë që është e mundur në ndërtimin e objektit vetanak të Filharmonisë së Kosovës, pavarësisht se si do të quhet, objekt i teatrit, apo objekt i operës së baletit, ne duhet ta dimë që Filharmonia është institucion i pavarur, e ka ligjin e vet, e ka një infrastrukturë ligjore dhe duhet ti ketë edhe kushtet e punës që sot nuk i ka”, deklaroi ai teksa tregonte për punën që pritet të bëjë në tre vitet e ardhshme.

Baki Jashari deklaroi për KultPlus se Filharmonia tash e njëzet vjet funksionon në një objekt me qera, i cili po ashtu nuk posedon kushtet adekuate të punës, sepse rritja e kapaciteteve ka pamundësuar punën me dy turne.

Krejt në fund, Jashari ka folur edhe për rizgjedhjen e tij si drejtor i Filharmonisë,  duke potencuar se ai ka konkurruar si çdo kandidat tjetër, me të vetmen përparësi, përvojën shumëvjeçare në këtë institucion.

“Rizgjedhja ime në këtë mandat shënon edhe mandatin tim të fundit,  sepse në kuptimin e viteve unë jam afër pensionimit”, ka përfunduar kështu intervistën Baki Jashari./ KultPlus.com

Baki Jashari zgjedhet për të katërtën herë në krye të Filarmonisë së Kosovës

Baki Jashari është zgjedhur drejtor i Filarmonisë së Kosovës dhe këtë pozitë po e bart mbi supe për të katërtën herë me radhë, shkruan KultPlus.

Nga konkursi për pozitën e drejtorit të Filarmonisë së Kosovës i cili është hapur në dhjetor të vitit të kaluar, Jashari ka dalë kandidati më i suksesshëm duke grumbulluar 96.05 pikë.

Jashari do të jetë në krye të këtij institucioni për një mandat trevjeçarë me mundësi vazhdimi.

Filharmonia e Kosovës është institucioni më i lartë i muzikës klasike në Republikën e Kosovës.

Brenda tij funksionojnë dy njësi, orkestra simfonike dhe kori i Filharmonisë të cilat së bashku numërojnë rreth 120 anëtarë.

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës u themelua pas luftës së fundit në Kosovë në vitin 2000. / KultPlus.com

Koncerti i Filharmonisë së Kosovës për Pagarushën mbahet në Shkup, Jashari: Nuk ka ndonjë vend në Kosovë ku do të mund ta mbanim koncertin

Medina Pasoma

11 soliste dhe 50 instrumentistë të Filharmonisë së Kosovës do të marrin vendet e tyre në skenë për të nderuar figurën e madhe të Nexhmije Pagarushës. Mirëpo, nderimi për Bilbilin e Kosovës nuk do të ndodh në vendin e saj. Koncerti “Për Nexhin” më 19 dhjetor do të mbahet në Sallën e Filharmonisë së Shkupit në Maqedoninë e Veriut, shkruan KultPlus.

Pikërisht për të marrë detajet për këtë koncert dhe arsyet e zhvendosjes së saj në Shkup, e jo në ndonjë vend të Kosovës, prej ku edhe e merr buxhetin institucioni publik, Filharmonia e Kosovës, Baki Jashari në një intervistë për KultPlus ka treguar për këtë zhvendosje të koncertit nga Prishtina në Shkup.

Jashari shpjegoi se kësaj radhe kanë vendosur ta kujtojnë Nexhmije Pagarushën nëpërmjet koncertit përkujtimor, duke e përfunduar vitin me nderimin për të.

“Bazuar në rolin e saj të madh në muzikën burimore, tradicionale, popullore, mjeshtërisë që askush s’ka mundur t’ia tejkaloj interpretimeve të saja, faktit që ka qenë solo këngëtare dhe Bilbil i Kosovës,  për angazhimin e saj nëpër dekada, ne si Filharmoni e Kosovës e kemi konsideruar nder dhe obligim ta kujtojmë me një koncert e disa aktivitete”, tha Baki Jashari.

Në anën tjetër, Filharmonia e Kosovës është institucion publik shtetëror dhe si i tillë buxheti i saj rrjedh nga taksapaguesit kosovarë. E pavarësisht kësaj, premierën e koncertit “Për Nexhin” ata do ta japin në Maqedoninë e Veriut.

Arsyet pse do të dëgjohen meloditë e veprave artistike për Bilbilin e Kosovës në Shkup dhe jo në Prishtinë, Baki Jashari i ndau me KultPlus. Ai përmendi dy koncertet paraprake të Filharmonisë, në të cilën kishin pasur rastin që të testojnë strukturën ndërtuese të sallës në Shkup.

“Një ndër arsyet ka qenë akustika e mrekullueshme, meqë ajo sallë është pikërisht për Filharmoninë.  E dyta ka qenë hapësira, ku lejohet të përdoret 30% i kapacitetit prej 1000 ulëseve. Përmes hulumtimeve tona e kemi vlerësuar se atje do të kemi publik prej 240 personash”, sqaroi Jashari.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës pyetjes se nëse e kanë shqyrtuar mundësinë që ta organizojnë në një vend tjetër në Kosovë përveç Sallës së Kuqe në Prishtinë, Jashari ka treguar analizat që i kanë bërë si institucion, që i ka dërguar deri te ky vendim.

 “E kemi diskutuar brenda strukturave të Filharmonisë mirëpo, bazuar në formatin e orkestrës simfonike me 60 instrumentistë dhe 11 solistë, nuk ka ndonjë vend jo vetëm në Prishtinë, por askund në Kosovë as në vendet ku ne kemi qenë më parë, si në Prizren, Pejë, Gjilan, Gjakovë”, ka thënë Jashari.

Tutje, ai theksoi se edhe stina e dimrit ka ndikuar që të merret ky vendim, sepse, sipas tij, nëse do të ishim në muajt me temperatura të larta,  koncerti do të mund të mbahej në një hapësirë të hapur.

“Ti mundesh të bësh një program të tillë me këngët e Nexhmije Pagarushws edhe me një orkestrinë të vogël, me një kuartet, me 4-5 njerëz (muzikantë) dhe në llogari që hapësira t’i dedikohet publikut. Por ja që këngët e këtij projekti janë të dizajnuara për orkestër simfonike. Për ta pasur atë mundësi do të duhej ndoshta ta bëjmë në Stadiumin e Qytetit. Ose sikur tw ishim nw muajt qershor e korrik,  ne nuk do ta diskutonim fare Shkupin”, u shpreh drejtori i Filharmonisë së Kosovës.

Baki Jashari shtoi se po të bëhej koncerti në Kosovë, ata do të duhej të mendonin se kë ta “privilegjonin” për të pasur mundësinë e ndjekjes së koncertit, në një formacion prej 40-50 njerëzish në publik. Kurse për përbërjen e veprave të koncertit, Jashari ka shpjeguar më tej se me çfarë vepra do të prezantohet ky koncert.

“Ky koncert është konceptuar me 11 soliste gra dhe në program do të jenë perlat e muzikës tonë tradicionale, qytetare, të lehtë, popullore dhe në mesin e tyre edhe disa që pikërisht i ka kënduar Nexhmije Pagarusha si “Perëndeshë e bukurisë”, “Dashnor t’u bana”, “E kujtoj atë takim”, detajoi Jashari.

Ai theksoi se koncerti do të përcillet drejtpërdrejtë në rrjete sociale, teksa ka gjasa edhe të transmetohet në natën e Vitit të Ri nga ndonjë televizion vendor. Poashtu për shkak të masave anti-covid që priten të merren në Maqedoninë e Veriut, koncerti “Për Nexhin” i cili planifikohej të mbahej në ora 17:00, do të filloj në ora 15:00 në Sallën e Filharmonisë në Shkup.

Përgjatë koncertit i cili do të mbahet me numër të kufizuar të pjesëmarrësve, do të interpretohen vepra nga Rexho Mulliqi, Çesk Zadeja, Avni Mula, Lorenc Antoni, Palok Kurti, Kristo Kono, Rauf Dhomi, nën orkestrimin e Valton Beqirit, Kreshnik Aliçkajt dhe Gridi Krajës.

Në anën tjetër, me zërat e tyre të pranishëm nën dirigjimin e Gridi Krajës do të jenë solistet Adelina Paloja – soprano, Ardita Ukaj – soprano, Arta Jashari – soprano, Besë Krasniqi – mexosoprano, Dea Hamdiu – alto, Diellza Sylejmani – alto, Elikonë Hysaj – mexosoprano, Ilvije Dragusha – Murtezaj – soprano,
Kaltrina Miftari – soprano, Selvije Marteti – Xhemshiti – soprano, Shkurtë Hykaj – soprano.

Ky koncert organizohet nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Arta Jashari: Hajde Lab këndoma naj kangë se sonte kam dalë me siguru insulinen për babin tim, dirigjentin dhe kompozitorin Baki Jashari

Solo këngëtarja e njohur Arta Jashari ka postuar një fotografi ku shihet e veshur me maskë dhe rroba mbrojtëse, ku postimit i ka bashkangjitur edhe një mbishkrim ku tregon arsyen e daljes së saj, shkruan KultPlus.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Jasharit.

”Hajde Lab knoma naj kange se kjo eshte jeta ime qe 3 jave . Edhe une jom solokengtare/ muzikante sikur ti – vec me nja 3 diploma, 2 prej tyre evropiane e kam lan karrieren ne Berlin per me i kontribu Kosoves . Sonte kam dal me lyp nje cope letre per me siguru insulinen per Drejtorin , dirigjentin, kompozitorin Baki Jashari – babin tim si qytetar i Republikes se Kosoves”, thuhet në mbishkrimin e postimit.

(Postimi i Arta Jasharit është publikuar pa ndërhyrje në tekst) / KultPlus.com

Visar Kuçi dëshmoi virtuozitetin e tij në koncertin që hapi sezonin e Filharmonisë së Kosovës

Gili Hoxhaj

Filharmonia e Kosovës me të gjitha ulëset e zëna e një koncert bindës mbrëm shënoi hapjen e sezonit të ri koncertal 2018/2019, shkruan KultPlus.

Ky koncert erdhi pikërisht në datën e humbjes së Bahri Çelës, njërit nga themeluesit e Filharmonisë së Kosovës. Për dirigjentin e madh kosovar, disa fjalë përkujtimi ndau drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, i cili tha se Çela do të mbahet në mend për punën e tij kolosale në fushën pedagogjike si në edukimin e mesëm, ashtu edhe në fakultetin e muzikës në Prishtinë, ku ndikoi fuqishëm në krijimin e brezave të tërë të kuadrit profesional që nga vitit 1978 e deri në pensionimin e tij në vitin 2006. Ai tha se Filharmonia e Kosovës do ta mbaj në mend Bahri Çelën si një ndër themeluesit e këtij institucioni ndërsa për 3 vite radhazi realizoi koncerte me orkestrën kamertale të sapoformuar ndërsa me punën e tij të palodhshme, ai konsolidoi nivelin interpretativ të kësaj orkestre dhe vuri themelet drejt zhvillimit të mirëfilltë të orkestrës simfonike të Filharmonisë së Kosovës.

“Po ashtu do ta kujtojmë për mënyrën e tij jashtëzakonisht insistuese, të veçantë, shpesh herë jo dhe të lehtë në relacion me interpretët por gjithnjë në shërbim të përgatitjeve sa më cilësore të koncerteve korale, orkestrale dhe atyre vokalo-instrumentale”, tha ndër të tjera Jashari.

Bahri Çela

Pas një minutë heshtje në nderim të figurës dhe personalitetit të Bahri Çelës, orkestra simfonike përballë me dirigjentin spanjoll Fernando Briones veçse nisi rrugëtimin drejt zbërthimit të dy veprave kolosale. Ndryshe nga mbrëmjet e kaluara, mungonte karriga ku ulej violinisti e koncert-mjeshtëri Visar Kuçi, në vend të saj, pranë kolegëve erdhi e u pozicionua violinisti Kuçi, i cili ndryshe për më shumë se gjysmë orë në këmbë gjatë lojës së tij solistike me violinë, përcjellë nga orkestra mrekulloi publikun. Ata sollën veprën “Koncert për violinë dhe orkestër nr. 1 në a – mol, Op.77” të Dimtri Shostakovich, vepër kjo e kompozuar në vitin 1947-48, në kohën e viteve të pasluftës në Rusinë Sovjetike dhe si e tillë në atë kohë u ndesh me censurën, ndërsa kompozitori nuk e nxori në pah deri në zbehjen e mjedisit kufizues për veprën. Vepra si e tillë erdhi në katër pjesë: Nocturne: Moderato, Scherzo: Allegro, Passacaglia: Andante – Cadenza (attacca), Burlesque: Allegro con brio – Presto.

Violinisti Kuçi kishte përvjelur mëngët e këmishës, e në krah si zakonisht mbante violinën. Ndryshe nga kostumet me të cilat paraqitet zakonisht në ulëset së bashku me orkestrën simfonike të Filharmonisë së Kosovës, kësaj herë identifikohej me këmishën e bardhë. Duartrokitjet me të cilat pritet në skenë do të jenë shumëfish më të fuqishme pas mbarimit të interpretimit të tij. Vepra e cila ecën me ritëm më të ngadaltë e ndjeshmëri të lartë në pjesën e parë, vjen e bëhet më e gjallë e me tinguj me të përshpejtuar. Kuçi me mjeshtëri artistike, lëvizte harkun mbi violinë, i cili ecte herë përmes skajeve të telave, e herë duke shtrirë harkun përmes tyre në lëvizje më të shpejta. Pas pjesës së parë vepra ecën me një implus më të shtuar ritmik. Shprehja e fytyrës së Kuçit luhatej bashkë me tingujt. Një buzëqeshje mes dirigjentit spanjoll e Kuçit ishte sinjali më i mirë që Kuçi të vazhdonte bindshëm në pjesën tjetër të veprës që ishte me ritëm më të përshpejtuar. Kulminante ishin momentet kur salla “pushtohej” në muzikalitetin e violinës, derisa dirigjenti pushonte lëvizjet e duarve, duke bërë instrumentistët të shkëputen nga instrumentet, e që e mbanin publikun të përqendruar tek violinisti Kuçi. Kuçi shpesh me sytë e mbyllur do ta bënte thellë të prekshme veprën, me vetullat e ngrysura e përkulje në njërin krahë së bashku me violinën, Kuçi dominonte qetësinë e sallës së përqendruar. Në pjesën “Passacaglia”, ai arrin ta transmetoj thellësinë emocionale të veprës, e arrin të nxjerrë lirinë shprehëse që kjo pjesë ia dhuron solistit. Me këtë muzikalitet, Kuçi arrin deri në finalen e Burlesque, ku tashmë publikun e gjente nën emocionin e mbarimit të veprës. Me më shumë se një minutë duartrokitje e buqeta lulesh, Kuçi së bashku me dirigjentin u kthyen përsëri në skenë, e cila bëri që gjithë orkestra të ngrihej në këmbë.

Kësaj vepre kërkuese, Kuçi i ishte përgjigjur me shumë përkushtim duke i kushtuar mjaft shumë kohë dhe i kishte kërkuar shumë koncentrim. Në një koncert të këtij formati, ai tashmë po prezantohet për të tretën herë ndërsa shton se ka më shumë se një dekadë që dëshiron ta luaj këtë vepër.

“Hera e parë kur e kam dëgjuar veprën ka qenë para 15-16 vitesh dhe që nga atëherë kam pasur dëshirë ta luaj por në atë kohë rrethanat ishin ndryshe ndërsa unë isha akoma student dhe gjithnjë e kam njohur si vepër dhe e kam ditur por kur e kam marrë ta ushtrojë që ishte para disa muajve, që nga muaji shkurt e kam ditur që është koncerti dhe kam filluar ta analizojë por që ta ushtrojë i kam pasur dy faza shtatë javëshe me punë intensive dhe në fund doli shumë mirë tërë puna. Kjo vepër ka qenë shumë e vështirë edhe për orkestrën por shumë mirë e kanë realizuar, duke pasur parasysh edhe një grevë gati dhjetë ditore”, tregoi Kuçi për KultPlus, ndërsa tha se puna me dirigjentin spanjoll ka qenë shumë produktive duke shtuar se Fernando Briones është një prej dirigjentëve me një energji pozitive dhe me një qasje e vizion krejt tjetër dhe është një nga ata që dëshiron shumë të kontribojë për Filharmoninë e Kosovës, ndërsa në kuadër të bashkëpunimeve me të Kuçi ka pasur një prezantim edhe në Spanjë dhe thotë se mund të kenë edhe bashkëpunime tjera në të ardhmen.

Pjesa e dytë e koncertit solli një vepër po ashtu të rëndësishme të Ludwig Van Beethoven “Simfonia Nr.7 në A-dur, op.93”, e cila konsiderohet po ashtu si një vepër impenjative e ndarë në katër pjesë. Kjo vepër ishte kompozuar në 1811 dhe 1812 dhe vet Beethoveni e konsideronte si një nga veprat më të mira të tij. Kjo simfoni e cila mbizotëroi sallën në pjesën e dytë të koncertit, erdhi në përzierje tingujsh të orkestrës, e më lëvizje e valëzim të shpeshtë të duarve të dirigjentit drejt tyre. Dirigjenti spanjoll Fernando Briones tashmë bashkëpunon për herë të dytë me Filharmoninë e Kosovës ndërsa ky bashkëpunim ishte më i lehtë pasi që tashmë veçse njiheshin më njëri tjetrin.

“Mendoj se si Beethoveni ashtu dhe Shostakovic kanë bërë revolucion në muzikë në elemente të ndryshme, ka qenë një punë shumë e madhe për ta sjellë këtë koncert dhe rezultati ishte shumë i mirë edhe pse gjithmonë ekziston mundësia për më mirë. Visari është një muzikant dhe person fantastik dhe ishte fantastik sonte”, u shpreh Briones.

Profesoresha Lejla Pula në një prononcim për KultPlus tha se përshëndet fillimin e sezonit të Filharmonisë së Kosovës, e cila në çdo koncert po e dëshmon interesimin e madh të publikut të moshave të ndryshme ndërsa mes fjalësh kujtoi edhe veprimtarinë e kolegut të saj Bahri Çela. Ajo tha se Kuçi gjithmonë e dëshmon angazhimin e përkushtimin e tij muzikor ndërsa mbrëmë me shumë përkushtim e virtuozitet veprën e Shostakovuic.

“Na tronditi dhe na pikëlloi lajmi për vdekjen e kolegut tonë Bahri Çelës i cili ishte edhe njëri nga themeluesit e Filharmonisë së Kosovës dhe ka kontribuar si koleg i imi në drejtimin e dirigjimit edhe në sukseset e korit dhe të orkestrës. Do të na mungojë shumë prezenca e tij dhe do të jetë i përhershëm kujtimi i tij. Pastaj u ndërlidh në program koncerti i Shostakovuic nr.2 në a-mol të cilin më shumë mjeshtëri dhe virtuozitet dhe përkushtim që e interpretoi violinisti ynë i mirënjohur që është edhe koncert- mjeshtër i Filharmonisë së Kosovës i cili sjellë një freski sa herë që paraqitet dhe unë e përshëndes angazhimin e tij dhe përkushtimin e tij muzikor që e ka treguar edhe sonte”, u shpreh Pula për KultPlus, duke thënë se ky koncert ishte me shumë kërkesa të mëdha muzikore dhe teknike, ndërsa dirigjenti me shumë kujdes e prirje diti të komunikoi me solistin dhe orkestrën ndërsa tha se u emocionua shumë nga interpretimi i veprës së dytë të cilën e adhuron që nga shkolla e mesme.

“Më mrekullon qetësia dhe koncentrimi i publikut, i cili ishte i përqendruar në një vepër e cila nuk ishte dhe shumë e lehtë, i përket pjesës së parë të shekullit 19-të dhe është e vështirë për ta përcjellur dhe me këtë përkushtim e meritojmë këtë sallë koncertale e cila është një projekt që po afrohet dhe shpresoj që të realizohet”, përfundoi Pula./ KultPlus.com

Baki Jashari, edhe një mandat në krye të Filharmonisë së Kosovës

Baki Jashari, i cili përgjatë disa viteve po qëndron në krye të Filharmonisë së Kosovës, sot mori dritën e gjelbër për edhe një mandat me gjithsej 4 vite për ta drejtuar këtë institucion, shkruan KultPlus.

“Ministria e Kulturës, Rinis dhe Sporteve të Republikës së Kosovës bënë njoftimin për kandidatin e suksesshëm, të rekomanduar nga KD i Filharmonisë së Kosovës, për pozitën e Drejtorit në Filharmoninë e Kosovës, Baki Jashari”, thuhet në vendimin e MKRS-së./ KultPlus.com