Kryeministri Kurti në ditën ndërkombëtare të fotografisë, vlerëson lartë fotografët shqiptarë

Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar lartë fotografët shqiptarë, sot me rastin e shënimit të ditës ndërkombëtare e fotografisë.

Përmes një postimi në Facebook, Kryeministri Kurti thotë se fuqia e fotografisë është e madhe.

“Ishin fotografët që përmes fotografive dëshmuan para botës vuajtjet e maltretimet, vrasjet e masakrat mbi popullin shqiptar nga shteti i Serbisë”, shkruan Kurti.

“Po ashtu, ishin fotografët ata që kapën shumë momente gëzimi e fytyra të qeshura në Kosovën tonë të lirë”.

Poemë për babanë e për vete

Poezi nga Dritëro Agolli

Im ate token shume e donte
Sic donte nene e grua
Per token lodhej dhe rekonte
Dhe djersen derdhte krua

Kur plis me plis hidhte hapin
I kishte hapi hije
Dhe zogjte e malit udhe i hapnin
Me fjale hiresie

Kur grushtin mbushte plot me fare,
Mahnitej kush e shihte,
Dhe era ndalte frymen ne are,
Qe qejfin mos ja prishte

Ne kembe si ne kater klecka
Ne gur ngrinte hardhucka
Pergjonte lart ne shelg rebecka
Me thonjte me majucka.

Me sqep lejleku bente harqe
Rreth rruzullit te diellit
Dhe dukej sikur ndillte paqe
nen kaltersine e qiellit

Po ati im mbi plisa ecte
Me shpirt te madherishem
Dhe tokes shpirt me shpirt i jepte
Nga shpirti i cuditshem

kur prane molles ulej qete
te hante buke e gjize
Nuk feshferinin gjethe e flete
Nuk pipetinte drize

Me token rrinte dite e nate
Ne vape, ere e mjegull
Ndaj nga pasardhesit im ate
Kerkonte djerse e rregull

Nuk kish syze dijetari
Dhe rafte me deftere,
Po udhe ihapte shkencetari
Me nam te madh e vlere

Ky shkencetar qe njihte dhene
Ne fusha pas me mori;
”mesoje biro abecne
ne brazdat qe le plori

Mesoje biro abecene
E gjithe abeceve
Atje ku plisat shpinen ngrene
Pas plugut e pas qeve….”

Pa dale mire nga pelena
Me dha ne dore hostene
Dhe shfryu si era ne bedena;
”Tani permbyse dhene/

Permbys dhene, dheu s’ankohet
Kur plori ia kruan shpinen,
Po qesh, lot valle dhe gezohet
Dhe gazi cmend luginen.

Dhe te harbuar marrin vrapin
Kercejte radhe-radhe
Dhe sythat syte e vegjel hapin
Per ditezen e bardhe”…

Nje dite i lodhur, i menduar,
I thashe me ngadale:
“Per se kaq shpejt m’i ke mesuar
Kaq pune e brenge e halle?”

Ai nga buzet llullen hoqi
E foli dy-tri fjale:
“Qe mos ta haje qeni shkopin.
Pellumbi im, o djale!”

Pastaj u ngrit te perkedhelte
Balashin dhe Kazilin,
Qe nxirrnin gjuhen si lepjet
Dhe shelgjet i lepinin.

Ata i bindeshin tim eti,
Sic binden dy femije,
Me ta e lidhte fort nje jete
Me qindra mijera fije…

Dhe nuk ia prishnin qejfin kurre
ne vape,ere, e mjegull,
leronin, mbillnin, mbanin grure;
Im ate donte rregull…

Pastaj babai ne plis mbeshtetur
Kendonte fill i vetem,
Sikur perpiqej per ta gjetur
ne kenge te verteten:

“Qe nga maja e malit
Ta shtira dylbine,
Pas drites se llambes
Ta pashe stoline.

Me gjysmen e ballit
Te derdhej shamia,
M’u ne doren time
Sec me ngriu dylbia.

Me eren e malit
Desha te te vinja,
Sarhosh sec me bere,
Mbeta neper brinja.

Qete m’i zu zekthi,
Kali malet mori,
Maje grurit mbata,
C’te bej une i gjori!…

Qe nga maje e malit
Ta shtira dylbine,
Them te vij pas teje,
Them ta shes shtepine…”/ KultPlus.com

Vdes ylli i “Godfather”

John Aprea është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare.

Ylli i “Godfather” vdiq i rrethuar nga familja në fillim të këtij muaji, sipas TMZ-së.

Aktori i lindur në New Jersey u transferua na New York në vitin 1960 për të ndjekur ëndrrat e tij pasi luajti futboll në shkollë dhe jetoi në Itali për disa vjet me familjen e tij.

Më pas ai u transferua në Los Angeles dhe luajti një vrasës me pagesë në filmin “Bullitt” të Steve McQueen dhe luajti si një bos mafioz në mini-serialin NBC të vitit 1981, “The Gangster Chronicles”.

Gjatë karrierës së tij, ai luajti gjithashtu si patriarku i një familjeje italiano-amerikane me shumë breza në NBC’s “The Montefuscos” në vitet 1970, si dhe interpretoi në shfaqjen televizive “Knots Landing” në 1988.

Aprea fillimisht bëri audicionin për rolin e Michael Corleone në “The Godfather” pasi u takua me regjisorin Francis Ford Coppola ndërsa ai ishte duke banuar në Los Angeles.

Roli përfundimisht i shkoi Al Pacinos, por Aprea u rrëmbye për vazhdimin e filmit. Të gjitha vargjet e Apreas si Tessio i ri në film u folën në italisht./KultPlus.com

Syri i Kaltër në Sarandë, 4220 vizitorë brenda një dite

Parku natyror “Syri i kaltër” në Sarandë vijon të jetë ndalesa e një numri të lartë turistësh edhe gjatë këtij sezoni veror.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se Parku Natyror i Syrit të Kaltër, ndër destinacionet më të vizituara, ka mirëpritur plot 4220 vizitorë vetëm në një ditë përgjatë muajit gusht.

“Specialistët e zonave të mbrojtura kujdesen përherë për të ofruar një eksperiencë sa më të plotë për kureshtarët e turistët”, vlerësoi Kumbaro.

“Syri i kaltër” ndodhet pranë fshatit Muzinë, pranë rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda.

Ai është një pasuri natyrore e Shqipërisë, i cili me vendimet e muajit janar 2022 ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të “Parkut Natyror”, me një sipërfaqe të rritur në 293 hektarë, për të mbrojtur më mirë Monumentin e Natyrës me të njëjtin emër që mban brenda parkut.

Vitet e fundit “Syri i Kaltër” ka tërhequr shumë vizitorë nga vende të ndryshme të botës./atsh/KultPlus.com

Historia e Maya Angelou, autores që frymëzoi Bill Clinton e shumë autorë të tjerë

“Ti nuk mund t’i kontrollosh gjithë ngjarjet që të ndodhin, por mund të vendosësh të mos prekesh prej tyre”.

Prindërit e autores së njohur u divorcuan kur ajo ishte vetëm 3 vjeçe. Për 4 vitet në vazhdim, Maya dhe fëmijët e tjerë u rritën nga gjyshja dhe prindërit nuk i vizituan asnjëherë. Më pas një ditë, e ëma i detyroi fëmijët të zhvendoseshin në qytet për të jetuar me të.

Disa muaj pas zhvendosjes, kur Maya ishte vetëm 7 vjeçe, abuzohej fizikisht dhe përdhunohej nga i dashuri i nënës së saj. Pas këtyre ngjarjeve, ajo informoi fillimisht vëllanë dhe ai më pas i tregoi gjithëfamiljes. I dashuri i nënës së tyre u shpall fajtor, por u dënua vetëm me një ditë burg. Katër ditë pas lirimit, ai u gjend i vdekur dhe shumë veta dyshuan se xhaxhai i Mayas mund ta kishte vrarë.

E shokuar nga çfarë ndodhi, Maya nuk foli për 5 vite me radhë dhe u kthye të jetonte sërish me gjyshen e saj. Gjatë kësaj periudhe heshtjeje, ajo zbuloi botën e mrekullueshme të letërsisë dhe për vite të tëra u përfshi në librat magjikë të Shakespeare dhe Dickens.

Maya ndoqi shkollën në heshtje të plotë, por me mbështetjen e mësuesve dhe vëllait të saj, i dha fund heshtjes. Më vonë ajo u zhvendos në New York, ku studioi kërcimet afrikane. Shumë shpejt e gjeti veten duke kërcyer dhe duke kënduar në klubet e natës. Realizoi edhe një tur në Europë, si dhe nxori albumin e saj të parë muzikor “Miss Calypso”.

Kur dëgjoi Martin Luther King Jr. të fliste, Maya u frymëzua të bëhej një aktiviste. U angazhua nëmbledhjen e fondeve për të siguruar të drejtat e njerëzve dhe udhëtoi nëpër botë si shkrimtare dhe prezantuese në radio. Organizoi gjithashtu marshime dhe protestoi për të garantuar të drejtat e njerëzve. Pas atentatit të Martin Luther King Jr. Maya ra në depresion të thellë.

Sërish ajo u përfshi në botën e librave, por këtë herë, në vend të rolit si lexuese, filloi të shkruante për dhimbjen dhe fëmijërinë e saj. Maya realizoi një sërë skenash, kompozoi muzikë dhe shkruajti mjaft vepra që u bënë edhe filma, duke u bërë kështu femra e parë me ngjyrë që realizonte filma me veprat e saj.

Edhe pse nuk ndoqi një shkollë të lartë, ajo sërish fitoi çmime të shumta nderimi, nga të cilat edhe tre çmime Granny për albumin e saj muzikor. Me veprat e saj, Maya frymëzoi miliona njerëz në botë, duke përfshirë Bill Clinton, Oprah Winfrey, J. K. Rowling, Kanya West dhe plot të tjerë.

Maya Angelou ndërroi jetë në 28 maj 2014. Në funeralin e saj, ajo u nderua si “mësuese e jashtëzakonshme”./KultPlus.com

Nis Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Kulturën dhe Letërsinë Shqiptare

Ditën e sotme ka nisur edicioni i 42-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Kulturën dhe Letërsinë Shqiptare, me çrast është shënuar edhe përvjetori i 50-të i Seminarit të Albanologjisë.

Përgjatë këtij seminari, do të zhvillohen aktivitete të shumta, ku përveç tryezave shkencore, janë organizuar edhe vizita në Prekaz, ekskurzione, shfaqje të filmave e shumë ngjarje të tjera, për të gjithë pjesëmarrësit.

Në hapjen e kësaj ngjarje, drejtori i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, tregoi për sfidat që ka kaluar organizimi i seminarit ndër vite.

“Më lejoni të iu them se është seminari me traditën më të gjatë në hapësirat shqiptare. Para 50 vitesh, në fillim kur qendra e studimeve për të huaj mori këtë emër që ka edhe sot, ishin shumë burra hijerëndë që ishin ulur në radhë të pare të amfiteatrit të Fakultetit Filozofik, aspak të lumtur që ndiqnin fjaët e rektorit Idriz Ajeti dhe kërkonin ndonjë gabim që të sulmonin në ndonjë mbledhje partie”, u shpreh Kraja për fillimet e Seminarit.

Ndërsa, drejtori i Seminarit, profesori Bardh Rugova ka çmuar kontributin e akademikut Rexhep Ismajli si themeluesi i Seminarit, duke thënë se ai ka bërë të hapen dyert e albanologjisë në piedestal botëror.

Kurse, Qerim Qerimi, i cili është rektor i Universitetit të Prishtinës, tha se në Kosovë e në Shqipëri na duhet një frymë e përbashkët zhvillimi dhe vizioni për dijen në përgjithësi, e sidomos për albanologjinë. Ndaj në pesë dekadat e ardhshme e më tutje, ky bashkëpunim duhet forcuar.

I pranishëm ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

“I nisur me nisma si hartimi i tekstit të mësimit të gjuhës shqipe për të huaj, sot ky seminar nën ombrellën e tij trajton jo vetëm gjuhën shqipe, por edhe letërsinë dhe gjithë kulturën shqiptare. Kjo përgjegjësi e zgjeruar dhe shumë e nevojshme vjen edhe si testament i rrugëtimit të vështirë që seminari pati ndër vite e dekada”, ka deklaruar Çeku.

Tutje, ai tha se që kur Idriz Ajeti ka themeluar Seminarin, tash për 50 vite dhe 22 edicione, Seminari ka afirmuar gjuhën shqipe. Ai tregoi se në vitin 1981 u pamundësua mbajtja e Seminarit për shkak të përgjigjes së regjimit serb ndaj demostratave të atij viti, kur u mbyll edhe Universiteti.

Një tryezë e veçantë gjatë ditëve të Seminarit do t’i kushtohet veprës letrare të kolosit shqiptar, tashmë të ndjerë, Ismail Kadare.

Organizatorët kanë bërë të ditur se sivjet të ftuar janë disa prej figurave më eminente të albanologjisë e gjuhës në botë, si gjuhëtari Brian Joseph, akademiku Ranko Matasoviq, profesori Jose Manuel Floristan Imizcoz, ligjëruesi Phil Hubbard, që kthehet në ngjarje pas 47 vjetësh, albanologu Rexhep Ismajli e historiani Oliver Jens Schmitt./KultPlus.com

Shkodra gjithnjë e më tërheqëse në sytë e turistëve, tashmë edhe për sportet e aventurës me varka

Shkodra po kthehet gjithnjë e më tërheqëse në sytë e turistëve vendas e të huaj jo vetëm për atraksionet historike, por tashmë edhe për sportet e aventurës me varka.

Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, teksa ndau pamje nga sportet ujore që turistët po zhvillojnë në këto ditë gushti në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna.

Rama tha se turistët po ushtrojnë sportet e aventurës me varka, kanoe, paddle boards, mbi lumin Buna dhe liqen, që pak e nga pak do të rijetësohet me mjete lundruese të të gjitha llojeve.

Drini Xhafa, themelues i “Drini Times”, tha se ky aktivitet zhvillohet në Shirokë që në vitin 2020. Kjo nuk është thjesht një mënyrë për të bërë sport, por për të bërë një eksplorim shumë të magjishëm në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna”.

“Fillon në Shirokë dhe bëhet në një trajktore mbi 26 km, ku turistët mund të eksplorojnë pjesë të liqenit të Shkodrës, pjesën e zambakëve në liqenin e Shkodrës, të ligatinës që është e mbushur me vegjetacion të dendur me zogj të ndryshëm dhe peshq”, tha Xhafa.

Lumi Buna, vijon Xhafa, përbën një risi për turizmin e paeksploruar të Shqipërisë, ku çdo pjesëmarrës që kemi pasur deri tani është ndier i privilegjuar dhe i habitur se përse nuk eksplorohet një destinacion i tillë.

“Është një perlë, shumë shpesh e krahasuar me lumin Amazona”, tha Xhafa.

Një turist tha se “jam këtu prej 7 ditësh, kemi vizituar Kalanë, liqenin këtu, do të shkojmë në liqenin e Komanit dhe më pas do të kthehemi në Holandë”.

“Është shumë këndshëm, shumë mikpritje, sidomos nëse shkon në restorante. Çmimet? Nëse i krahason me Gjermaninë janë shumë të lira”, tha ai.

Tashmë Shkodrës me bukuri të shumta natyrore dhe historike i është shtuar dhe lundrimi me kanoe, varka, padle boards duke u kthyer në turizmin e aventurës për turistët që e vizitojnë çdo vit.

Në lundrimin me kanoe në lumin Buna mund të vëzhgosh shpendët të cilët ndodhen anës lumit. Në kallamishte ka disa lloje: çafka e vogël të bardhë (Egretta garzetta); pula e ujit (Gallinula chloropus); kllinza e zallit (Tringa glareola) apo shumë baltakë të tjerë që mund të vrojtohen lehtësisht me sy ose me mjete optike, teleskop apo dylbi.

Liqeni i Shkodrës ofron mundësi argëtimi dhe kënaqësie për të gjithë turistët që dëshirojnë të shijojnë turizmin aktiv. Ai është liqeni më i madh në Gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ekosistemi i liqenit ushqen faunën dhe florën e pasur dhe unike, duke e shndërruar atë në një qendër të rëndësishme biodiversiteti në Evropë./atsh/KultPlus.com

Gonxhja: Vera Zheji, zëri ikonë i Radio Tiranës

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të zërit ikonik të Radio Tiranës, Vera Zheji.

“Në kujtim të Vera Zhejit, zërit ikonë të Radio Tiranës, Teto Sandrës tek “Shi në Plazh” dhe pedagoges së fjalës artistike në degën e teatrit që ka nxjerrë artistë të mëdhenj nga Instituti i Lartë i Arteve (sot UAB)! Lamtumirë mjeshtre”, shkruan Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Vera Zheji u nda nga jeta dy ditë më parë në moshën 91-vjeçare. Vera Zheji krijoi emisione të ndryshme e mjaft të ndjekura në radio, si “Bota e përrallave”, “Universiteti popullor i radios”, “Enciklopedia e radios e disa të tjera”, të cilët u identifikuan me mënyrën e saj unikale të të lexuarit e të folurit.

Vera Zheji tregoi edhe talentin e saj në aktrim, kur mori pjesë në komedinë “Shi në plazh” e pjesë të tjera teatrore./atsh/KultPlus.com

Hapet ekspozita “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno”

Dita Botërore e Fotografisë festohet çdo vit më 19 gusht, me synimin për të bërë homazhe për fotografët që kontribuan në fushët e fotografisë, dhe për të inkurajuar njerëzit që të merren me artin, sipas “The Economic Times”.

Fotografët gjithashtu bëjnë homazhe për pionierët e këtij arti që i frymëzuan ata të merren me fotografinë.

Francezët, Louis Daguerre dhe Joseph Nicephore Niepce zhvilluan procesin e parë fotografik në vitin 1837 që u quajt ‘Daguerreotype’.

Muzeu “Marubi”, si çdo vit më datë 19 gusht, feston celebrimin e artit të fotografisë përmes organizimit të ngjarjeve të ndryshme në Ditën Botërore të Fotografisë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se këtë vitit celebrimit të kësaj date i paraprin hapja e ekspozitës “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno”.

Ekspozita hapet sot në orën 19:00.

Në historinë e fotografisë shqiptare përmendet fototeka “Marubi” në Shkodër, e cila përfshin fotografi të vjetra mbi 150 vjet, e të cilat ruhen ende edhe sot./atsh/KultPlus.com

Çlirimi i Shkupit 112 vjet më parë nga kryengritësit shqiptarë

Më 19 gusht “Times “, raporton se kryengritësit shqiptarë me 12.000 burra kishin çliruar Shkupin të enjten e kaluar, kishin marshuar në Selanik.

Nga Shkupi grupe kryengritësish marshuan drejt Tetovës, Kumanovës e Preshevës dhe i çliruan edhe këto qytete, duke liruar gjithashtu të burgosurit.

Një grup kryengritësish u drejtua për në Velesh. Udhëheqësit kryesorë të kryengritjes të cilët hynë në Shkup ishin, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Zefi i Vogël, dhe Bajram Daklani.

Hasan Prishtina kishte deklaruar: “Kush qëllon një plumb vetëm për kënaqësi do të varet: ruani ata për TURQIT. Ky është urdhër”./BW / KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Fotografisë

Fotografia i ka fillimet te shpikja e Dagerrotipit (Daguerreotype), një proces fotografik i zhvilluar nga Joseph Nicephore Niepce dhe Louis Daguerre në vitin 1837, që më vonë u patentua nga qeveria franceze dhe shpikja u prezantua si “dhuratë për botën”, më 19 gusht të 1839, ndaj kjo ditë sot njihet si Dita Botërore e Fotografisë.

Me kalimin e viteve dhe me ndihmën e jashtëzakonshme të teknologjisë, fotografia ka evoluar shumë dhe sot pothuajse të gjithë janë të pajisur me një kamerë përmes të cilës mund t’i ‘ngrijnë’ momentet.

Në historinë e fotografisë shqiptare vlen të përmendet fototeka “Marubi”, e cila përfshinë fotografi të vjetra 150 vjet, e të cilat ruhen në Shkodër.

Arti i fotografisë është padyshim i veçantë. Në hisotrinë e popullit shqiptar, ka hyrë fotografia e cila u shkrep na Bllacë të Maqedonisë dhe u bë simbol i refugjatëve të Kosovës, gjatë vitit 1999. Në kolonën e mijëra njerëzve, që u detyruan të largoheshin me dhunë nga vendlindjet e tyre,   ndër ta ishte edhe Sherife Luta, nga fshati Ivajë i Kaçanikut, fotoja e së cilës kishte goditur botën. /KultPlus.com

Bill Clinton për Kosovën: E dua këtë vend dhe gjithnjë do e dua këtë vend

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara së bashku me ish-sekretaren Madeleine Albright, kishin festuar para disa viteve, më 21 qershor, së bashku me kosovarët “Ditën e Çlirimit”, shkruan KultPlus.

Albright në fjalimin e saj, kishte treguar sa rëndë e kishte përjetuar robërimin e kosovarëve, më 1999.

“Një djalë i vogël aty mbante një letër në të cilën shkruante unë e dua Amerikën dhe unë dua të kthehem në Kosovë. U ndala dhe bisedova me nënën e tij e cila më tregoi se gjyshi i djaloshit kishte vdekur derisa gjyshja nuk dihet nëse është e gjallë ka ngelur në Prishtinë. Pastaj hyra edhe në një tend kishte fëmijë e gra dhe iu thashë keni durim sepse do të ktheheni në Kosovë dhe se NATO do iu ndihmojë të bëni jetë normale.Falë burrave dhe grave në KFOR ne e mbajtëm premtimin”, kishte deklaruar Albright.

E ndjera e kishte pranuar se liria nuk do të ishte e mundur pa shefin e saj, presidentin Clinton. Në natën më kritike, ky e kishtë marr në telefon.

“Presidenti Clinton donte të sigurohej që Kosova do jetë e sigurtë.Në natën kur nisën bombardimet më thirri në mes të natës dhe më tha Medllin avionët u nisën ne po e bëjmë veprimin e duhur. Unë ia ktheva po Zotëri President pajtohem plotësisht me ju”.

Në skenën që ishte bërë në formë të shenjës së NATO-s, për të nderuar intervenimin e aleancës në Kosovë, fjalën e kishte marrë edhe Clinton që më 1999 ishte presidenti 42 i SHBA-së.

“Faleminderit që na u bashkëngjitët. Falenderoj popullin e Kosovës për mikpritjen e mrekullueshme që më bëtë mua dhe Hillarit. E dua këtë vend dhe gjithnjë do e dua këtë vend, është nderi më i madh në jetën time që kam qendruar me ju për liri dhe kundër spastrimit etnik. Jam krenar që jam këtu me Madelaine dhe gjeneralin. Faleminderit që jeni me mua këto. Kam një poster të vogël në zyrën time në New York, është një pamje e Prishtinës pas luftës. Kam një fotot të Madaleine të Westler dhe Tony Bleir. Çdo ditë e shoh atë foto për t’i kujtuar vetes cili ka qenë qëllimi kryesor i politik. Më kujtohen fytyrat e qytetarëve që takova para 20 vitesh në shkollën filler në Ferizaj. 79 ditë të bombardimeve nga NATO e kanë fituar luftën, por vetëm qytetarët e Kosovës e kanë fituar Paqen. Pas 20 vitesh mund t’ju them se ju e keni fituar paqen. Në kohët e paqes, ne nuk dimë çfarë të vlerësojmë. Themi çfarë duhet të kishim bërë më parë. Por shikoni, kujtohuni pak për Murin e Berlinit. Shumë mendojnë se do të jemi miq, e shumë menduan se do të ndodhte ashtu, por ka shumë pak humbje dhe fitore në kohë paqeje. S’doja që shekulli i 20-të të përfundonte ashtu, prandaj u munduam të ndalnim dhunën në Bosnje”, ka thënë mes tjerash në fjalimin e tij Clinton. /KultPlus.com

“Daily Express”: Vizitoni Dhërmiun e magjishëm / “TripAdvisor”, Shqipëria përvoja më e mirë

Ky fshat bregdetar ka një plazh të mahnitshëm dhe një jetë të gjallë të natës, dhe është shumë më pak i populluar me vizitorë se Greqia, shkruan Hannah Broughton në të përditshmen britanike “Daily Express”.

Mund të jetë e vështirë të gjesh destinacione të reja dhe emocionuese për të pushuar – që ende ofrojnë diell dhe det, veçanërisht nëse dëshironi të qëndroni brenda Evropës.

Shumë vendpushime me diell në kontinent priren të jenë të mbipopulluara me turistë gjatë muajve të verës.

Dhërmiu është një fshat i bukur bregdetar në qarkun e Vlorës, Shqipëri – i cili është po aq magjepsës sa Greqia – por nuk është aq i mbushur me turistë sa destinacionet e afërta si ishulli grek, Korfuzi.

Ai është pjesë e qarkut të Himarës dhe ndodhet rreth 40 minuta larg me makinë nga qyteti i Vlorës – qyteti i tretë më i madh në Shqipëri.

Plazhi ka një rrip idilik të bardhë rëre – që bie në kontrast të përkryer me detin e kristaltë bruz.

Ju mund të paguani për një shtrat dielli në plazh ose, për ata që preferojnë një përvojë më natyrale, ekzistojnë hapësira për të vendosur një peshqir dhe për t’u shtrirë në rërë.

“Për mua Shqipëria ka qënë përvoja më e mirë. Çmime të arsyeshme, por mbi mesataren”, tha Alexandre S nga “TripAdvisor”

“Një vend shumë i qetë – për ata që duan të pushojnë. Gjithashtu baret dhe restorantet kanë çmimin e duhur për cilësinë që ofrojnë”, shtoi ai.

Shumë ekspertë të udhëtimit e kanë krahasuar përvojën e Dhërmiut me Santorinin e Greqisë, por me kosto më të përballueshme.

Fshati bregdetar ka shtëpi të bardha, kisha me kupolë blu – dhe është një nga vendet më të bukura në Shqipëri për të zbuluar arkitekturën vendase.

Shumica e njerëzve që jetojnë në fshat janë etnikisht grekë – dhe kjo kulturë është e dukshme përreth fshatit, kështu që nuk është çudi që shpesh Dhërmiu të krahasohet me Santorinin.

Përveç plazheve me rërë dhe arkitekturës së tij të mrekullueshme – fshati ofron një jetë mjaft të gjallë nate.

Me baret dhe klubet e plazhit, ka shumë opsione për vizitorët që duan të kalojnë momente të bukura.

Fshati bregdetar ofron edhe shumë restorante – ku shërbehet kuzhina tradicionale shqiptare me një shije unike.

Ushqimi shqiptar ka ngjashmëri me atë grek, duke përfshirë jogurtin, ullinjtë, qepët, arrat dhe hudhrat në shumë prej pjatave.

Nëse jeni duke kërkuar për një destinacion pushimi me një klimë të nxehtë, një plazh të bukur dhe jetë të gjallë nate, mos kërkoni më larg se Dhërmiu!/atsh/KultPlus.com

78-vjetori i lindjes së Bill Clinton, mikut të shqiptarëve

Bill Clinton, i lindur William Jefferson Clinton më 19 gusht 1946, ishte një politikan amerikan që shërbeu si Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara nga viti 1993 deri në 2001, shkruan KultPlus.

Ai lindi në Hope, Arkansas. Clinton ishte i njohur për personalitetin e tij karizmatik, arritjet politike dhe polemikat gjatë kohës së tij në detyrë

Bill Clinton luajti një rol të rëndësishëm në konfliktin e Kosovës, i cili ndodhi në fund të viteve 1990. Konflikti përfshiu shqiptarët etnikë që kërkonin pavarësinë nga Serbia, gjë që çoi në një goditje brutale nga qeveria jugosllave nën presidentin Slobodan Millosheviç.

Situata u përshkallëzua në një krizë humanitare me abuzime të shumta të të drejtave të njeriut dhe zhvendosje të njerëzve.

Udhëheqja e Bill Klintonit ishte e rëndësishme në avokimin për ndërhyrjen e NATO-s për të ndaluar dhunën dhe për të mbrojtur popullsinë civile në Kosovë. /KultPlus.com

Rama: Bjeshkët e Namuna në Tropojë, zgjohen çdo ditë me zërat e eksploruesve të maleve tona

Bjeshkët e Namuna në Tropojë janë shndërruar gjithmonë e më shumë në një destinacion mjaft të preferuar turistik.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale, pamje nga Bjeshkët e Namuna në Tropojë, ku vera ka ndryshuar peizazhin e ashpër të dimrit duke sjellë pamje baritore, ndërsa liqenet alpine dhurojnë ngjyrën e kaltër.

Rama u shpreh se, Bjeshkët e Namuna në Tropojë zgjohen çdo ditë me zhurmën e këmborëve dhe zërat e eksploruesve të maleve tona.

Turizmi malor po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj edhe në zonat që dikur ishin pothuajse të panjohura.

Bjeshka e Doberdolit është një bjeshkë e bukur e vendosur në lartësitë e maleve të Tropojës, 2200 m mbi nivelin e detit.

Bjeshkët e Tropojës dallohen për larmishmërinë e bimësisë dhe klimën e shëndetshme duke tërhequr vit pas viti vizitorë./atsh/KultPlus.com

‘Kënga ngrihej më lart se ne, ne tundeshim në erë duke kënduar’

Fragment nga romani ‘Nata e Ustikës’ i Petro Markos:

Më duket se motori e rralloi forcën, – më thoshte Iloja.

U ngritëm të tërë më këmbë. Shikonim të gjithë lart, nga bukaporta e mbyllur.
-Sa natë e gjatë! – tha mbase kot, siç fliste kot Taqi.
Me duar të varura e të rënduara rrinim si ata besimtarët fanatikë që shikojnë ndaj qiellit. Lart dëgjoheshin zëra. Lart kishte jetë. Lart kishte erë dhe horizont. Kishte të qeshura dhe shakara.
Sa ndenjëm ashtu, s’dihet. Vetëm kur Iloia tha: “Pse s’ulemi?”, atëherë shikuam të gjithë nga ai dhe lëvizëm. Qeshnim. E pse të mos qeshnim? Ishim akoma gjallë. E kaluam Adriatikun. E kaluam vdekjen…
– Zoti e di se ku jemi!
– Unë them të shtrohemi e të hamë… Të hamë sa jemi këtu e sa i kemi këto ushqime… Më mirë t’i kemi në bark sesa…
Asnjë nuk e kundërshtoi këtë mendim. Mistoja çeli valixhen. Vuri përpara ushqimet. Cilido me mundime afrohej, merrte ç’i pëlqente… Edhe unë mora bukë e kaçkavall. Më pëlqente shumë kaçkavalli. Është si ullinjtë. Po të hash bukë e ullinj, s’ngopesh së ngrëni. Ashtu edhe me kaçkavallin… Po ujë? Ku ka ujë? Ç’bëra që hëngra kaq shumë.
Dhe pasi u paqosëm mirë, sikur të mos na kishte ngjarë natën asgjë, secili nisi të tregonte ato që kishte menduar gjatë natës.
Mistoja tha: – Isha i sigurt qind për qind se do të mbyteshím… Vrisja mendjen… dhe gjithnjë mallkoja veten që nuk sulmuam qysh në korridorin e burgut. Ose do të ishim vrarë, ose do të kishim shpëtuar… po do të linim nam.
Iloja tha: – As për një çast nuk e mendova vdekjen.
– Kadriu – unë kam frikë nga deti. Mirë që nuk e shihja. Kam udhëtuar natën me vapor. S’ka tmerr më të madh.
Alqi – Mua më ishte ngulitur në tru se si do të vinte siluri, si do të fundoseshim… si do të shuhej drita e nuk do të shikonim më njeri-tietrin.
Pastaj Mahmuti – Unë e ndieja veten mirë se isha në mes dhe falenderoja ata që na lidhën. Se, duke qenë të lidhur, më dukej vetja dhjetë herë më guximtar.
Tahiri – Që kur më zunë, e mora parasysh vdekjen… Prandaj gjithë natën s’më ra ndër mend mortja…
Bexhetit, kur i erdhi radha të thoshte edhe ai se ç’kishte menduar gjatë natës, duke qeshur, foli: – ja, i thatë ju të gjitha.
Kurse Taqi e tha që në fillim: -Unë flija.
Të gjithë kishin kaluar nga biruca nr. 8 Kishin biseduar ca minuta. Pastaj ishin caktuar në kaushet dhe qelitë e ndryshme. Përves Ilos dhe Kadriut, që ishin komunistë, ne të tjerët ishim si gjithë të burgosurit. Tani që na lidhte një zinxhir, tani që rrugën e kishim të përbashkët, do të njiheshim më shumë. Nata që kaluam sikur na afroi. Morëm frymë nga njëri-tjetri; u përgatitëm të vdisnim bashkë. Tani duhej të jetonim bashkë.
Bukaporta u hap. Ne u ngritëm më këmbë, kthyem kokat lart e pamë qiellin plot dritë. Pamë shumë ushtarakë e marinarë që na dukeshin… – si dukeshin ashtu? Këmbë të mëdha e kokë të vogla… sikur ishin gati për të na shtypur… Pamë litarë dhe direkun… Po ç’thoshin? Qeshnin me ne që u dukeshim si miza?
Pritëm e pritëm. Heshtjen tonë e prishi Iloja:
– Këtu kushedi se ku jemi e kushedi ku do të na shpien… Lart kokën, si shqiptarë që jemi…
Vinçi me magjen e madhe në formë vagoni minierash u fut në bukaportë, u ul poshtë gjer në dyshemenë e hambarit tonë. Ne bëmë mënjanë. Zbritën me të shpejtë nga shkalla disa karabinierë.
Na urdhëruan të futeshim në atë magje. Ne ngurruam. Po ara na kërcënuan e na thanë se ashtu do të dilnim më kollaj. Me një mijë mundime u futëm, gati njëri mbi tjetrin. Ata lart vazhdonin të qeshnin.
Vinçi ngrihej. Ne tundeshim në erë. Iu afruam bukaportës.
Pastaj na kthyen nga bankina. E, kur ishim mbi bankinën, na lanë aty në erë.
Përposh nesh britma. Hodha sytë, e, ç’të shikoje! Mijëra njerëz me grusht na kërcënonin.
– Spie! Spie!
– (It.: Spiunë! Spiunë!)
– A morte le spie che hanno causato miliaia di morti.
– (It.: Vdekje spiunëve që kanë shkaktuar me mijëra të vdekur).
– Traditori! Spie di un cane!
– (It.: Tradhëtarë! Spiunë të qenit!)
Po kjo? Ç’është kjo pritje në tokën italiane? Ne vareshim në erë e lëkundeshim si kufoma e Hamidit…
Një fishkëllimë e gjatë bilbili… Turma sikur deshi të na hante. Po ja që ne ishim lart. Vareshim e tundeshim në ajër.
Pushoni! Pushoni… – Vala zemërake e turmës sikur ra në bunacë. – Pushoni! Këta shqiptarë të mallkuar, këta banditë, këta spiunë na morën në qafë… Morën më qafë mijëra e mijëra bij të Italisë, se kapërcenin vijën e parë e i tregonin grekut pozitat tona… Pastaj na sulmonin nga shpina… – bërtiste me sa kishte në kokë një oficer aty mbi vapor.
Turma e ngriti më lart se ne, gjer në qiell, sharjen dhe mallkimin.
– Vdekje spiunëve! Vdekje banditëve!
U hutova. Nga fundi i detit, tani në qiell. Ç’kishin me ne? ç’kishte me ne ai oficer që lehte si i tërbuar?
– Ne nuk jemi banditë! – bërtiti me fuqi dhe me një italishte të bukur Mistoja. – Banditë janë ata që na zunë derën… që na vrasin, që na varin, që na arrestojnë.
Iloja, që ishte ngjitur fare me mua e ngriti zërin më lart:
– Ja ku janë banditët… ja ku janë kasapët e popullit italian! –dhe me të dyja duart e lidhura tregonte oficerin dhe karabinierët.
Ata poshtë, sikur do të na hanin me dhëmbë. Ne lart këndonim. I pari ia nisi Iloja:

Avanti, popolo,
alla riscossa
bandiera rossa
triomfera…

Lëshoje vinçin! Lëshoje shpejt! – urdhëronte oficeri me duar e këmbë…
Kënga ngrihej më lart se ne. Përhapej më tej vaporit nga shikonin të shastisur. Turma kishte heshtur e na shikonte gjithashtu e shastisur.
Ne tundeshim në erë duke kënduar. / KultPlus.com

Macron: Alain Delon më shumë se një yll, ishte një monument francez

Figura të njohura i kanë bërë homazh yllit francez të filmit, Alain Delon – i cili vdiq në shtëpinë e tij në Douchy – i rrethuar nga tre fëmijët dhe familja e tij, në moshën 88-vjeçare, sipas “The Independent”.

I konsideruar si “Brigitte Bardot mashkull”, Delon shpesh ka luajtur rolin e zemrave romantike në klasiket si, “Plein Soleil”, “Le Samouraï” dhe “Rocco and His Brothers”.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se – aktori luajti role legjendare dhe e bëri botën të ëndërronte – gjë që e forcoi figurën e tij si një ikonë kombëtare.

“Melankolik, popullor, i fshehtë, ai ishte më shumë se një yll: ai ishte një monument francez”, shkroi Macron në platformën X.

“Ne besojmë se ai ishte i pavdekshëm… talenti i tij, karizma e tij, atmosfera e tij e bënë atë të destinuar për një karrierë në Hollywood në një moshë të re, por ai zgjodhi Francën”, tha ne X ministrja franceze e Kulturës, Rachida Dati.

Në fillim të këtij viti, djali i tij Anthony tha se Delon ishte diagnostikuar me limfomë të qelizave B, një lloj kanceri.

“Fëmijët e tij, Alain Fabien, Anouchka, Anthony, si dhe qeni i tij Loubo, janë thellësisht të pikëlluar për të njoftuar vdekjen e babait të tyre”, tha familja e tij në një deklaratë.

Aktori kishte qenë në gjendje të keqe shëndetësore vitet e fundit, dhe kishte pësuar një goditje në 2019.

Gazeta “Le Parisian” e quajti Delon “një legjendë të kinemasë”, ndërsa “Liberation” e përshkroi atë si “një figurë udhëheqëse e kinemasë, simbol i mashkullorisë, aktor me karizëm të çmendur”.

“Mirupafshim mik. Një koleksion i mrekullueshëm filmash, një personalitet i jashtëzakonshëm dhe magjepsës. Bukuria nuk mjafton për të shpjeguar evolucionin e jashtëzakonshëm të talentit të tij. Ai ishte ylli i fundit. Samurai”, shkroi shkrimtari dhe regjisori francez Philippe Labro, pas lajmit për vdekjen e tij.

Me sy të mrekullueshëm blu, Delon nganjëherë përmendej si “Frank Sinatra francez” për pamjen e tij të bukur. / KultPlus.com

Legjenda Delon kur u pyet se çfarë do të dëshironte të dëgjonte pas vdekjes: Prindërit e mi së bashku (VIDEO)

Legjenda e kinematografisë franceze Alain Delon ka ndërruar sot jetë në moshën 88-vjeçare. Producenti dhe aktori francez Alain Delon ndërroi jetë pas problemeve shëndetësore, ndërsa lajmi u konfirmua nga tre fëmijët e tij.

KultPlus ua rikujton një pjesë të një interviste të tij dikur më parë, kur u pyet se “nëse Zoti ekziston, çfarë do të dëshironte Delon të dëgjonte nga Zoti pas vdekjes?”, ai u përgjigj se do donte ti dëgjonte këto fjalë: “Ngaqë kjo është një nga pendimet më të mëdha të tuat, – Unë e di – eja dhe unë do të të dërgoj tek nëna dhe babai, dhe kështu për herë parë, ti do ti shohësh ata së bashku.” / KultPlus.com

Kur Alain Delon fitoi çmimin “Palma e artë” në Kanë (FOTO)


Legjenda e kinematografisë franceze Alain Delon ka ndërruar sot jetë në moshën 88-vjeçare. Producenti dhe aktori francez Alain Delon ndërroi jetë pas problemeve shëndetësore, ndërsa lajmi u konfirmua nga tre fëmijët e tij.

KultPlus kujton kohën kur Alain Delon, miti i kinematografisë franceze u nderua me çmimin “Palma e Artë” për karrierën në edicionin e 72 të festivalit të Kanës.

Aktori francez Alain Delon pati marr çmimin “Palma e Artë” për karrierën në edicionin e 72 të festivalit të Kanës. Aktori pati marr këtë çmim në moshën 83 vjeçare.

Shfaqja e tij e parë në ekranin e madh daton në vitin 1957 me “Godot” ndërsa në karrierën e tij numëron 95 filma si aktor, 30 si producent dhe 3 si regjisor. Interpretimi i parë i suksesshëm është ai i të riut Tom Ripple në “Krim në dritë të diellit”. / KultPlus.com

’Ushtarë, m’hapni shtatoren që të shoh edhe një herë Shkodrën’

Poezi nga Jeronim De Rada

Fryu era e maleve
dhe rrëzoi hijen e lisit:
gjaku im mbetet lumit t’Vodhit!
Ushtarë, m’hapni shtatoren
që të shoh edhe një herë
Shkodrën dhe time motër
te dritarja përkundruall.
Më atje nuk do të zgjohem
luleve që valvit era,
posi valë që s’kanë mbarim.
Do të mblidhen shokët mbrëmjes
brenda vatrash në atdhe:
Unë i le si ëndërzë!/ KultPlus.com

Ismail Kadare: Pas ikjes së Agollit, letërsia shqipe i ka gjithmonë e më të vështira humbjet e tjera si e Arapit

Pas vdekjes së shkrimtarit Fatos Arapi, të shumta kanë qenë mesazhet plor dhimbje për këtë humbje të madhe për letërsinë shqipe.

Një mesazh plot dhimbje e krenari e pati përcjellë edhe shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare. Ai pati vlerësuar jetën dhe veprën e Fatos Arapit si “një jetë dhe krijimtari dramatike të shtrirë në dy epoka” e cila sipas tij “do të jetë e veçantë dhe e çmuar në kroniken e gjatë të letërsisë shqipe”.

Mesazhi i plotë i shkrimtarit Ismail Kadare:

“Pas ikjes së Dritëro Agollit, letërsia shqipe i ka gjithmonë e më të vështira humbjet e tjera, të dhimbshme si kjo e Fatos Arapit.
Shkrimtar i rëndësishëm, me një jetë dhe krijimtari dramatike të shtrirë në dy epoka, Fatos Arapi, mik dhe koleg i dashur, u bë pjesë e pandarë e kalendarit letrar shqiptar të shekujve XX e XXI. Dëshmia e tij artistike do të jetë e veçantë dhe e çmuar në kronikën e gjatë të letërsisë shqipe”.

Fatos Arapi u nda nga jeta në moshën 89 vjeçare. Ai i përket brezit të shkrimtarëve të shquar të shekullit të 20, një poet dhe prozator i thellë, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqiptare. /KultPlus.com

6.3 milionë vizitorë, Rama: Shqipëria turistike vazhdon të rritet me shpejtësi

Shqipëria turistike numëron 6.3 milionë vizitorë në 7 muajt e këtij viti, ose 1.2 milionë më tepër se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur numri i vizitorëve ishte 5.3 milionë.

Kryeministri Edi Rama publikoi statistikat, teksa vuri në dukje se Shqipëria turistike po vazhdon të rritet me shpejtësi, bashkë me nevojat e padiskutueshme, pritshmëritë e natyrshme, pretendimet e mirëkuptueshme, kritikat e pashmangshme apo edhe sulmet që i bëhen nga burime të llojllojshme keqinformimi apo dizinformimi.

“Ndër të gjitha pritshmëritë, më e padiskutueshmja është rishikimi i mëtejshëm i formulës së administrimit të plazheve, ku më mbizotëruesja është nevoja jo vetëm për më shumë hapësira publike, po edhe për një shfrytëzim shumë më të përgjegjshëm të hapësirave të administruara nga subjektet private”, tha ai.

Rritja e mëtejshme e numrit të vizitorëve, theksoi Rama, ka rritur paralelisht edhe peshën e sfidës së pastërtisë, ku janë bërë përmirësime të mëtejshme, po ku duhet bërë dhe do të bëjmë më shumë akoma padiskutim, duke nxjerrë mësime të reja e marrë masa të reja.

“Ka pasur eksese kundërproduktive me çmimet në zona të caktuara, përkatësisht Vlorë e Sarandë, ku është regjistruar krahasuar me vjet edhe rritja më e lartë e numrit të njësive restorant/bar me rreth 40% njësi të reja, ndërsa rritja e tyre në shkallë vendi është 37%”, shtoi Rama.

Por, vijoi ai, ndërkohë që xhiroja në të gjithë pjesën tjetër të vendit është rritur me afro 40%, në këto zona ajo është rritur me më pak se 20%, pikërisht edhe si pasojë e rritjes eksesive të çmimeve, të cilat u korrektuan pjesërisht duke nisur nga gjysma e dytë e korrikut – një mësim për të mos u harruar nga operatorët në tregun e lirë, të cilëve nga sezoni i ardhshëm do t’u imponohet afishimi i çmimeve në hyrje të çdo lokali.

Sipas Ramës, infrastruktura e zhvilluar më tutje nga viti i kaluar, qoftë ajo rrugore apo ajo e furnizimit me energji e me ujë, si edhe masat e marra për mbrojtjen e ujërave larës kanë dhënë kontribut të padiskutueshëm në rritjen e cilësisë së sezonit, por është po kaq i padiskutueshëm volumi i madh i punës që mbetet për t’u bërë në këto drejtime për “Shqipërinë Turistike 2030”.

Më tej, kryeministri vuri në dukje se rritja e lartë e numrit të vizitorëve në zonat malore dhe liqenet e lumenjtë e vendit, nga veriu në jug, falë jo vetëm imazhit të ri joshës të Shqipërisë po dhe përmirësimeve të konsiderueshme të infrastrukturës e rritjes së numrit të njësive të shërbimit, ashtu sikundër edhe në qytetet jobregdetare me në krye Tiranën, është lajmi më i bukur i këtij sezoni.

“Edhe keqinformimi e dizinformimi kanë pasur rritjen e tyre në çdo drejtim, falë shpejtësisë marramendëse të gënjeshtrës në kohën që jeton bota e sotme e kanaleve, portaleve e socialeve, por ashtu siç dielli nuk mbulohet dot me shoshë, as e vërteta e këtij vendi që bëhet më i mirë, më tërheqës, më i sigurtë në rrugën drejt majës së “SHQIPËRISË2030” nuk zhbëhet dot nga askush”, tha ai.

Të dhënat tregojnë edhe vendet me numrin më të madh të vizitorëve, ku kryesojnë Kosova, Maqedonia, Italia, Spanja, Anglia, Franca, etj./ KultPlus.com

Australi, program kundër izolimit social

Të ardhurat e kufizuara financiare mund të çojnë në izolim social. Por një bibliotekë në Melburn të Australisë po përpiqet t’i trajtojë këto dy probleme, duke mbledhur ata që duan të mësojnë të gatuajnë dhe ofruar kurse trajnimi për një buxhet të përballueshëm.

Nga jashtë duket si një bibliotekë e zakonshme, por brenda ndodhet një dhomë ku nuk duken librat. Dhjetëra njerëz po mësojnë në atë dhomë. Biblioteka ofron kurse gatimi me kosto të përballueshme përveç një dreke falas në fund të ditës.

Gloria Khoury merr pjesë rregullisht në klasat e trajnimit dhe përveç të mësuarit për të gatuar me një çmim të arsyeshëm, ajo është gjithashtu këtu për të bërë miq të rinj.

“Isha e vetmuar dhe doja të lidhesha me njerëz të tjerë. Ndonjëherë na duhet një vend ku mund të ndërveprojmë me njerëz të tjerë dhe për të kaluar një kohë të mirë së bashku”, thotë zonja Khoury.

Edhe pjesëtarët e tjerë të klasës i vlerësojnë njohjet e reja.

“I largon njerëzit nga izolimi dhe ndihmon tek shëndeti mendor. Kemi një grup vërtet të mirë pjesëmarrësish”, thotë Nigel Pernu, krijuesi i programit “Cook to Connect”.

“Kam takuar shumë njerëz nga vende të ndryshme, gjë që e bën programin shumë interesant”, thotë pjesëmarrësja Wain Wan Lee.

Organizatorët e kursit të gatimit duan që pjesëmarrësit të ndërveprojnë me njëri-tjetrin ndërsa mësojnë gatime të reja. Trajnimi ofron gatimin e ushqimeve të përballueshme ndërsa është rritur kostoja e jetesës.

“Duke patur parasysh situatën aktuale, përpiqemi t’i mësojmë pjesëmarrësit si të gatuajnë ushqime të përballueshme”, thotë zoti Pernu.

“Pasiguria ushqimore është një problem kyç për momentin. Shumë australianë përpiqen të kursejnë çdo dollar që kanë”, thotë dietologia Jane Duyker me programin “Cook to Connect”.

Ky program e trajton çështjen në nivel lokal, por veprimtarët thonë se kjo përpjekje duhet të zgjerohet.

“E drejta për ushqim, për një dietë dinjitoze, të përballueshme dhe të shëndetshme është një e drejtë njerëzore dhe kjo është përgjegjësi e çdo niveli të qeverisjes”, thotë Dr. Olivia Ball, anëtare e asamblesë bashkiake të qytetit të Melburnit. /VOA/ KultPlus.com

Uji i Ftohtë në Tepelenë deri dje vendndalim autobusësh, sot destinacion turistik

Qyteti i Tepelenës ka njohur zhvillim vitet e fundit, teksa po shndërrohet në një magnet që vetëm thith vizitorë vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga vendi i njohur si Uji i Ftohtë, ku dikur ndalonin shoferët për t’u freskuar, e sot është ngritur një pikë agroturistike.

Kushdo që udhëton drejt jugut të Shqipërisë nuk mund të mos ndalojë tek ky burim.

“Uji i Ftohtë në Tepelenë, deri dje një vendndalim autobusash për të njomur fytyrën, sot është kthyer në një destinacion turistik me një hotel të ngritur plot shije nga duart e një emigranti, ku vizitorë nga tërë bota rezervojnë ditë pushimi”, tha Rama.

Shqipëria u vizitua në periudhën janar-korrik tëk ëtij viti nga 6.3 milion turistë, 1.2 milionë më shumë se në të njëjtën periudhë të 2023-shit./ KultPlus.com