“Birmingham Mail”: Saranda – qyteti mesdhetar i shkëlqyer për pushime në plazh

Shqipëria është destinacioni ideal për të gjithë pushuesit që kërkojnë det, rërë dhe mot me diell.

Saranda, një qytet bregdetar në jug të vendit i ofron të treja – dhe është jashtëzakonisht i përballueshëm, shkruan e përditshmja britanike “Birmingham Mail”.

Qyteti mesdhetar ka një vijë bregdetare mbi 285 milje dhe është i bekuar me 300 ditë me diell në vit.

Destinacioni i fshehtë i pushimeve në Rivierën Shqiptare është i njohur për plazhet me rërë, ujërat e pastër dhe atmosferën e qetë.

Saranda ndodhet në një gji të hapur në detin Jon dhe ka një klimë mesdhetare, me temperatura maksimale deri në 34 gradë Celsius në korrik dhe gusht, duke e bërë atë një vend të shkëlqyer për pushime në plazh.

Larg bregut të Sarandës, turistët do të kenë mundësi të eksplorojnë Kalanë e Lëkurësit që ofron pamje të mrekullueshme dhe vendin e përsosur për një darkë në muzg në restorantin e kalasë.

Gjithashtu, adhuruesit e historisë mund të zbulojnë mbetjet e qytetit antik të Butrintit, një trashëgimi botërore e UNESCO-s.

Saranda është gjithashtu qyteti më i afërt me ujërat blu të burimit të Syrit të Kaltër, një fenomen natyror pranë Muzinës.

Pushuesit mund të ecin përgjatë kalimit malor të Llogarasë ose të bëjnë një udhëtim ditor në ishullin e afërt të Ksamilit, i cili shpesh krahasohet me Maldivet.

Shëtitorja e qytetit është e mbushur me restorante, dyqane dhe bare dhe turistët britanikë mund të shijojnë pijet lokale me çmime të lira.

Një kafe kushton rreth 200 lekë (ekuivalente me 1,70 paund), një litër birrë vendase është rreth 250 lekë (2,11 paund), ndërsa kostoja për një birrë të vogël të importuar fillon nga rreth 120 lekë (1 paund).

Në Sarandë nuk ka ende një aeroport, kështu që mënyra më e shpejtë për të arritur atje është të fluturoni drejt Tiranës dhe më pas të merrni një autobus ose taksi.

Fluturimet direkte nga Aeroporti i Birminghamit drejt Aeroportit të Tiranës me kompaninë “Ryanair” kushtojne 12,99 paund./atsh/KultPlus.com

Projekti për turizmin i BB, vijon në Sarandë, Gjirokastër, Berat dhe Përmet

Banka Botërore vlerëson ecurinë e kënaqshme të zbatimit të programit të turizmit, që mbështetet nga BB me një kredi 71 milionë dollarë.

Vlerësimi i fundit i Bankës për Programin për Zhvillim të Integruar Urban dhe Turizmin që prek katër bashki Sarandë, Gjirokastër, Berat dhe Përmet nxjerr në pah edhe investimet konkrete që janë kryer si dhe ato që janë ende në proces.

Sipas BB punimet civile të rrugës me kalldrëm të këmbësoreve dhe aksesit të makinave Kalaja e Beratit dhe shëtitores dhe shkalleve të Sarandës, përmirësimi i integruar urban dhe i ndriçimit në Përmet, rruga me kalldrëm e Pazarit të Gjirokastrës, Sistemi i Muzeve dhe punime rehabilitimi në kalanë Gjirokastër kanë përfunduar. Ndërkohë punimet civile të përmirësimit të integruar urban në Berat, Sarandë dhe Gjirokastër janë duke u zbatuar.

Përsa i takon punimeve për përmirësimin e zonave turistike të Bënjës dhe pikave panoramike përgjatë korridorit turistik janë në vazhdim; dizajni për përmirësimin e zonës turistike të Zvërnecit është finalizuar dhe janë kontraktuar punimet civile; konsulenca e projektimit për sitet turistike të Kalasë së Gjirokastrës si dhe Kalasë së Borshit, Kalasë së Kaninës dhe Shpellës së Spillesë janë në zbatim.

“Konsulenca për Strategjinë e Kërkimit dhe Zhvillimit të Tregut ka përfunduar. Shërbimet e konsulencës për partneritetin e menaxhimit të destinacionit, Zhvillimin e Tregut për Jugun e Shqipërisë, Zhvillimin e Produkteve Turistike dhe Sistemi i Statistikave të Turizmit janë aktualisht në zbatim”, thuhet në përmbledhjen e Bankës Botërore.

Projekti për turizmin nisi në vitin 2016 me një financim 71 milionë dollarë dhe u bë efektiv në vitin 2017. Fillimisht data e parë e mbylljes ishte 31 korriku 2022, por më pas u shty për 31 korrik 2025. Aktualisht për këtë projekt janë disbursuar deri tani 42 milionë usd./atsh/KultPlus.com

Atmosfera e fundvitit në Sarandë, Rama: Ndër më të bukurat sipas Forbes, Traveler dhe European Best Destinations

Magjia e festave të Fundvitit ka përfshirë edhe qytetin bregdetar të Sarandës, duke e renditur tregun e Krishtlindjeve ndër më të mirët në Europë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimet e botuara në Forbes, Traveler dhe European Best Destinations, të cilat kanë përshkruar atmosferën festive në qytetin e  Sarandës, i cili është destinacioni i mijëra turistëve vendas e të huaj gjatë sezonit veror, por jo vetëm.

“Saranda destinacion edhe në dimër. Atmosfera festive e Krishtlindjeve sarandiote, ndër më të bukurat sipas Forbes, Traveler dhe European Best Destinations”, shkruan Rama.

Në tregun e Krishtlindjes në Sarandë mbizotërojnë dekorime vezulluese, shesh patinazhi, karusel, kasolle druri dhe skena për muzikë dhe aktivitete të ndryshme kulturore në këto ditë festash.

Vitet e fundit Saranda po tërheq gjithnjë e më shumë turistët e huaj, shkak për këtë janë bërë edhe investimet e rëndësishme si shkallaret, bulevardi, ndriçimi, sinjalistika, që i kanë dhënë tjetër pamje qytetit bregdetar./Atsh/KultPlus.com

Rama: “Solar”, eventi më i madh muzikor në Sarandë

Festivali i muzikës “Solar” do të pushtojë Sarandën për tre ditë, nga e premtja në të dielë 25-27 gusht.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale videon promovuese të këtij festivali, që është eventi më i madh muzikor në bregdet në këtë fund gushti.

“Sarandan magjike këtë fundjavë do të pushtohet nga festivali i muzikës Solar, për tre ditë nga e premtja në të dielë, eventi më i madh muzikor në bregdet në këtë fund gushti ku sezoni vazhdon me flukse të papara turistike”, u shpreh ai.

“Solar Music Festival” do të sjellë në qytetin e bukur mesdhetar të Sarandës DJ të nivelit botëror, artistë dhe muzikantë të njohur e jo vetëm.

Ky festival do të jetë kombinimi i muzikës së mirë, festave të jashtëzakonshme në anije, si edhe të pushuarit në plazh përgjatë ditës.

Festivali do të ketë një program argëtues të jetës së natës ndryshe nga festivalet e tjerë. /atsh / KultPlus.com

“Kinemaja shëtitëse” nis sezonin e 7-të nga Saranda

Në Sarandë nisi aktiviteti kinematografik “Open Cinema” i cili mbrëmë pati shfaqjen e parë dhe që do të vazhdojë për tri netë rresht.

Ky është sezoni i 7-të i këtij aktiviteti i quajtur ndryshe “Kinemaja shëtitëse nëpër Shqipëri”. Filmat e fundit të kinematografisë shqiptare dhe jo vetëm, emra të njohur të skenës dhe ekranit, yjet e këngës dhe muzikës shqiptare, do të performojnë para ekranit të madh të kinemasë. Qytetarët e Sarandës por edhe vizitorët e shumtë që gjenden aty në këtë sezon veror, do të përjetojnë çaste magjike që do të sjellë ky show kinematografik.

“Open Cinema” vjen përmes financimit të Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare Kinematografike, Bashkisë Sarandë si edhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, i cili siguron materiale arkivore siç janë filmat e vjetër shqiptarë që ngjallin nostalgji tek shikuesit.

Kinemaja shëtitëse nisi rrugëtimin e saj me shfaqjen e filmit të Herion Mustafarait, “Çkrepja”, me interpretimin e emrave të njohur si Bujar Asqeriu dhe Lulzim Zeqja./atsh/KultPlus.com