Në Kosovë sot po shënohet Dita Kombëtare e Personave të Zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. Për këtë ditë janë organizuara aktivitete të ndryshme nga institucionet qendrore e lokale.
Ndërkaq, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka kërkuar zbardhjen e fatit të të gjithë të zhdukurve në Kosovë.
“Në ditën e Personave të Zhdukur në Kosovë, ne bëjmë thirrje për ripërtëritje të përpjekjeve për të zbardhur fatin e të gjithë të zhdukurve. Në veçanti në këtë ditë ne qëndrojmë me të gjitha ato familje që presin përfundimin e këtij procesi. Shërimi i plagëve të së kaluarës do të ndihmojë në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore për të gjithë”, ka shkruar misioni i OSBE-së në Kosovë, duke e përmbyllur postimin me #NeverForget.
Në Kosovë llogariten mbi 1600 persona të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë më 1998-1999. Presidentja Vjosa Osmani në reagimin e sotëm ka thënë se Serbia vazhdon të flet mbi varreza masive dhe refuzon t’i hapë arkivat me informacione për personat e zhdukur. / KultPlus.com
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në bashkëpunim me Trashëgiminë Kulturore pa Kufij, Shqipëri (CHwB Albania) dhe Fondazione Santagata per l’Economia della Cultura planifikojnë të mbajnë dëgjesë publike mbi Planin e Menaxhimit për ish-Burgun e Spaçit.
Ministri i MEKI-t, Blendi Gonxhja njoftoi në rrjetet sociale se qëllimi i takimit është prezantimi dhe diskutimi së bashku me palët e interesit i temave të trajtuara në Planin e Menaxhimit të ish-Burgut të Spaçit, si ruajtja e këtij monumenti si vendi më simbolik i kujtesës së mizorisë së regjimit komunist në Shqipëri dhe të akteve të shumta të rezistencës së qytetarëve shqiptarë, përqasjet për realizimin e muzeut të kujtesës, mekanizmat e organizimit dhe implementimit të një strukture të përshtatshme menaxhuese të sitit, etj.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e tij të jashtëzakonshme, ka ardhur koha që Spaçi t’u kthehet qytetarëve shqiptarë dhe kjo dëgjesë do të paraqesë planin e menaxhimit, zbatimi i të cilit do të mundësojë ndryshimin dhe realizimin e vizionit për të ardhmen e Spaçit”, u shpreh Gonxhja.
Mbi të gjitha, sipas tij, plani i menaxhimit, është konceptuar pas një analize të detajuar të pasurisë kulturore, të vlerave dhe statusit të saj të ruajtjes, si dhe pas një raundi konsultimesh me grupet e interesit që përfshinin më shumë se 50 individë: ish të burgosur politikë; profesionistë të institucioneve të ruajtjes së kujtesës, advokimit dhe kërkimit në Shqipëri; drejtorë të muzeve dhe zonave muzeale brenda dhe jashtë vendit, përfaqësues dhe anëtarë të komunitetit të Mirditës, artistë dhe profesionistë të kulturës, mësues e profesorë historie. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e Ditës së të Pagjeturve ka thënë se rreth 1600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, shumë prej tyre fëmijë që iu morën nënave nga djepi.
Presidentja ka thënë se Serbia vazhdon të fle mbi varreza masive dhe refuzon t’i hapë arkivat ku gjenden informacionet për kosovarët e zhdukur.
Në fund Osmani thotë se e vërteta do të triumfojë.
“Rreth 1600 te zhdukur me dhunë akoma na mungojnë. Shumë prej tyre fëmijë që ua morën nënave nga djepi. Serbia akoma fle mbi varreza masive e refuzon t’i hapë arkivat ku gjinden informatat për më të dashurit tanë. Por e vërteta dhe drejtësia do të triumfojnë sërish!”, ka shkruar presidentja Osmani. / KultPlus.com
Tirana do të mikpresë ceremoninë zyrtare të hapjes së Javëve Kulturore Ndërkombëtare.
Lajmin e bëri të ditur sot kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj feste në 1 maj, ora 20:00 në sheshin “Skënderbej”.
Veliaj theksoi se “Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin rrugëtimin e tyre të tretë në Shqipëri, plot me surpriza dhe stacione të reja”.
“Qytetet shqiptare janë gati të mikpresin kulturat e të tjerëve, të cilat vijnë me dëshirën për të përçuar vlerat dhe traditat e tyre e për të nxitur shkëmbimin kulturor dhe frymëzuar inovacionin. Ejani të bëheni pjesë e hapjes zyrtare të Javëve Kulturore Ndërkombëtare 2024”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.
Javët Kulturore Ndërkombëtare (JKN) është një nismë e ish-Ministrisë së Kulturës 2022, që sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e vendeve të ndryshme të botës.
Nëpërmjet këtij projekti vendet njihen më mirë, forcohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritet oferta e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat. JKN e shndërron skenën e aktiviteteve kulturore në vend në një arenë ndërkombëtare shumëkulturore dhe shumëdisiplinore./ KultPlus.com
Falë mbështetjes së programit EU4Culture, po del në dritë një tjetër thesar i vyer i trashëgimisë kulturore, rrënojat e Kishës së Shën Mërisë, në Sh’Mri të Mamurrasit, të shpallura Monument Kulture, Kategoria l, në vitin 1973.
DRTK Shkodër bën me dije se, ndërhyrja konsiston në restaurimin dhe konsolidimin e mureve të kishës, restaurim i pikturës murale si dhe vendosja e një strehe metalike tek pjesa e absidës aty ku gjendet edhe piktura murale.
Ky monument po restaurohet dhe rijetësohet për t’i rikthyer vlerat këtij objekti kishtar të shekullit XV, si dhe për t’ia kthyer besimtarëve por edhe Kurbinit një tjetër destinacion turistik. / KultPlus.com
Në Kosovë sot shënohet 27 Prilli – Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur. Kanë kaluar më shumë se 25 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, ende nuk dihet fati i më shumë se 1.600 të pagjeturve.
Për këtë ditë do të mbahen disa aktivitete.
Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Shoqatën ” 27 Prilli 1999 Mejë”, në shënim të 27 prillit, Ditës së Personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, mbahen këto aktivitete:
Ora 10:00- Homazhe pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës (para Kuvendit të Republikës së Kosovës)
Ora 12:00- Arritja në Kompleksin Memorial në Mejë, (Mejë, Komuna e Gjakovës)
Ora 12:15- Vendosja e kurorës së përbashkët (Memoriali në Mejë)
Ora 12:20- Tubim përkujtimor në shënim të Ditës së Personave të Zhdukur me Dhunë (Kompleksi Memorial në Mejë) / KultPlus.com
Më 27 prill 1999 forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.
Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.
Grumbullimi i meshkujve në grupe nga mosha 15-60 vjeçare filloi në orët e hershme të mëngjesit, në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës duke i ekzekutuar të gjithë meshkujt shtëpi për shtëpi.
Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Millosheviqit më 27 prill 1992.
Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja.
Pas luftës, gjatë viteve 1999-2001 një pjesë e tyre është gjetur në varreza të ndryshme masive në Kosovë dhe për të tjerët janë marrë informata se gjenden në Serbi.
Mirëpo edhe përkundër kërkesave nga Qeveria e Kosovës të nxitura nga shoqata të ndryshme humanitare dhe të afërmeve të të ndjerëve organet serbe kanë zvarritur dorëzimin e tyre./ KultPlus.com
Më 19 janar 1900, lindi Skënder Luarasi, “Nder i Kombit” dhe ndër personalitetet më përfaqësues të inteligjencës shqiptare të shekullin XX.
Biri i patriotit të shquar, Petro Nini Luarasi, do të ndiqte shembullin e të atit në përkushtimin e tij ndaj çështjeve kombëtare. Përmes pendës së tij të spikatur, trashëgojmë shumë vepra të natyrës shkencore, shoqërore, kombëtare, si edhe monografi të figurave monumentale në historinë dhe letrat shqipe, si psh. Isa Boletini, Ismail Qemali, Motrat Qiriazi, Migjeni etj.
Skënder Luarasi e nisi aktivitetin letrar që në moshën 17-vjeçare. Ai ishte arsimtar, publicist, gazetar, përkthyes, dramaturg dhe si drejtues e bashkëpunëtor i disa organeve të shtypit. Për bindjet republikane e antifashiste ai u burgos nga regjimi monarkist dhe vuajti kampet e përqëndrimit fashist. Pas çlirimit ndërmori nismën për themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe qëndroi si anëtar i kryesisë së saj deri në nëntor 1949.
Në vitet 1946-1950, ushtroi detyrën e deputetit. Më pas e përjashtuan për disa vjet nga Lidhja e Shkrimtarëve, duke e akuzuar ‘’për veprimtari armiqësore’’, duke e etiketuar si ‘’historian borgjez’’ e ‘’oportunist’’ dhe pati censure e pengesa në botimin e veprave.
Më poshtë mund të shihni një vjershë e shkruar prej tij gjatë kohës kur ishte nxënës në shkollën e Negovanit, si edhe një foto e tij me Petro Markon, Iliaz Pashajn, Mehmet Shehun dhe Lumi Ebron./KultPlus.com
Ti qan e loti vetëtin Qerpikëve të tu; Elmazi i vesës në agim Prej vjollcës shket ashtu. Ti buzëqesh,ç’i ëmbël gaz shkëndrit në sytë e tu; Sarifi zbehet n’atë çast nga flakë e tyre blu.
Purpurn e reve ruan ti, kur Dielli perëndon dhe errësira pa kufi Nis botën e mbulon Kështu dhe vështrimi yt Djeg retë e shpirtin tim; Le t’erret!Brenda meje ndrit I zjarrti perëndim! / KultPlus.com
Një histori dashurie e denjë për një poemë të lartë. Një poet rebel për një ngjarje emblematike. Një piktori i madh për ta jetësuar; në imazh, në figurë, në tablo, në ngjyra, në dritëhije, në kryevepër një ngjarje kapërcyell që mishëron pasion, dashuri, rrezik dhe vetë misterin e një legjende.
Në këtë skenë nga poema e Lord Bajronit “The Corsair”, Gulnare e bukur, një anëtare i haremit të Pashait, viziton fshehurazi Corsairin e burgosur ose piratin Conrad. Ata bien në dashuri, dhe Gulnare përfundimisht thur planin për vrasjen e pashait dhe lirimin e të dashurit të saj.
Eugène Delacroix e tërhoqi shumë Bajroni, në poezitë e të cilit artisti gjeti lëndën emocionale dhe ekzotike që kërkonte. Në orientimin e skenave si kjo, ai kapi betejat e zemrës, duke përputhur përdorimin e tij novator të ngjyrës dhe aplikuar lirshëm furçat me tema të papara dhe të diskutueshme.
Victor Eugène Delacroix (26 Prill 1798 – 13 Gusht 1863), ishte një figurë e rëndësishme e pikturës romantike franceze. Ai konsiderohej si lider i shkollës romantike franceze. Përdorimi i shprehës i penelave dhe studimi i efekteve optike të thellësisë së ngjyrave, formoi punët e impresionistëve, ndërsa pasioni i tij për ekzotiken frymëzoi artistët e Simbolizmit.
Delacroix e ekspozoi këtë akuarel në Sallonin e vitit 1831. Pasi mësoi teknikën e bojërave të ujit nga miqtë e tij britanikë. Ai e përdori atë si vepër arti të pavarur, ashtu edhe si një medium për skicimin e natyrës. Ai e përshkroi me lehtësi qasjen e tij, duke thënë, “Sharmi i veçantë i akuareleve, përkrah të cilit pikturat e bojërave të vajt, gjithmonë shfaqet e ndryshkur dhe e verdhë, kjo për shkak të transparencës së natyrshme të letrës”.
Episode from “The Corsair” by Lord Byron; Eugène Delacroix (French, 1798 – 1863); about 1831; Watercolor, brown ink, touches of gouache, over graphite underdrawing; 24.3 x 19.2 cm (9 9/16 x 7 9/16 in.); 97.GC.30
Historia e ngjarjes “The Corsair”
“The Corsair”, botuar në vitin 1814, tregon historinë e Conrad, një pirat i egër dhe i pamëshirshëm i Egjeut, virtyti i vetëm i të cilit ishte dashuria që ndjen për Medoran e butë. Në pamjen e parë nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në lidhjen e tyre, na thotë Bajroni, por nën pjesën e jashtme, të qetë, ka pasion, krenari dhe një thirrje mashtrimi, të llogaritur, karakteristika që e veçojnë atë nga burrat e tjerë. I keqtrajtimi në moshën e fëmijërisë, i përndjekur dhe i frikësuar, Conrad është një hero i vetmuar tragjik, i cili nuk është i destinuar të shijojë kurrë paqen dhe lumturinë.
“The Corsair” ishte një sukses i menjëhershëm, duke konfirmuar rëndësinë e Bajronit si poeti më i njohur dhe me ndikim i brezit të tij.
“The Corsair” është një legjendë në vargje nga Lord Byron, botuar në vitin 1814 nga John Murray në Londër, e cila ishte jashtëzakonisht e popullore dhe me ndikim në ditët e saj, duke shitur dhjetë mijë kopje në ditën e parë të shitjes.
Poezia është e ndarë në këngë (si Komedia hyjnore e Dantes). Ajo tregon historinë e korsairit, një pirat i pamëshirshëm dhe gjakësor i Egjeut, siç Bajron citon: “ai, njeri i vetmisë dhe i misterit”, i cili e njeh veten si një “zuzar””.
Shumë amerikanë besuan se poema e Lord Byron, “The Corsair”, bazohej në jetën e piratit Jean Lafitte .
Komploti përqendrohet rreth personazhit kryesor të Corsair, Conrad, një pirat.
Kënga e parë rrëfen planin e Conrad për të sulmuar pashain Seyd dhe për të vjedhë pasuritë e tij. Gruaja e tij, Medora, megjithatë, është e vendosur ta bindë atë të braktisë planin dhe të mos e nisë misionin. Ai lundron nga ishulli i tij në Detin Egje për të sulmuar pashain në një ishull tjetër.
Kënga e dytë përshkruan sulmin. Të maskuar, Conrad dhe shpura e tij fillojnë sulmin e tyre kundër pashait, duke e rrethuar dhe infiltruar në pallatin e tij. Sulmi shkon mirë dhe sipas planit. Por Conrad ndërkohë dëgjon klithmat e grave në haremin e pashallëkut dhe ai përpiqet ti lirojë ato. Devijimi nga plani mundëson që forcat e pashallëkut të organizohen për një kundërsulm. Ata janë në gjendje të vrasin shumicën e sulmuesve dhe të kapin Conrad. Gulnare, skllavia i pashallëkut, hyn vjedhurazi në qelinë e burgut ku dergjej Conrad dhe i bën me dije përpjekjen për ta shpëtuar atë. Kjo është pjesë e mirënjohjes për tentativën e tij për ta shpëtuar atë dhe shoqet e saj.
Në këngën e tretë dhe të fundit, Gulnare inicon planin e arratisjes, duke tentuar të sfidojë vendimin e pashait për lirimin e Conrad. Plani nuk ka sukses. Pasha kërcënon ta vrasë atë dhe Conrad. Gulnare përpiqet të bindë Conrad për të vrarë Seyd. Ajo arrinë të fusë fshehurazi një thikë në qelinë e tij, me të cilën ai të vrasë pashain. Conrad, megjithatë, nuk pranon të vrasë pashain në këto kushte. Ai pranon ta vrasë atë vetëm në një luftë të ndershme. Ajo është e vendos dhe arrin ta vrasë e vetme pashain. Tashmë ata të dy janë në gjendje të shpëtojnë. Conrad merr Gulnare në shtëpi me vete. Pas kthimit të tij, ai zbulon se gruaja e tij, Medora ka ndërruar jetë për shkak të pikëllimit dhe dëshpërimit, duke besuar se Conrad kishte vdekur. Në skenën e fundit, Conrad niset vetëm nga ishulli, duke mos u martuar me Gulnare: “Ai la një emër të Korsairit në kohë të tjera, / Lidhur me një virtyt dhe një mijë krime”.
Një poemë dhe një pikturë për të përjetësuar një pirat sa gjakatar dhe të pamëshirshëm aq dhe të ndershëm dhe fisnik. Një dashuri që miksohet me kurthe, intriga, plane dhe gjak merr jetë në një terren tejet armiqësor por të dritur nga dielli i pasionit. /albertvataj/KultPlus.com
Kryebashkiaku Veliaj ka pritur sot në zyrën e tij muzikantin gjerman dhe njëkohësisht producentin e muzikës elektronike, Paul Kalkbrenner.
Ai dhe personalitete të muzikës tekno do të performojnë sot në mbrëmje për qytetarët duke elektrizuar kryeqytetin me hitet e tyre.
“Jam këtu me Paul Kalkbrenner. Ai vjen gjithashtu nga Gjermania por nga Gjermania Lindore, kështu që ne shqiptarëve që vijmë nga Lindja na kupton perfekt. Ka qenë ylli i Tomorrow Land dhe shumë festivaleve, por ndonjëherë nëse nuk shkojmë dot tek festivalet, sjellim festivalet këtu. Paul do jetë me ne në darkë. Një falënderim të madh të gjithë atyre që na kanë mbështetur dhe një ndjesë atyre që ndoshta do kenë pak zhurmë, por do ia vlejë, se do kënaqemi pa fund, pa fund”, tha Veliaj. / KultPlus.com
Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër. shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër. Në mallin tënd ky karafil i egër,- Ti do të më dashurosh patjetër!
Në sytë e tu diej të vegjël e ndezën natën dhe ditën e ndezën. Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?- Ti do t’më dashurosh patjetër.
Kapërcej ty e kapërceva veten, dhe përtej vetes kapërceva jetën, dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,- I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:
Sopranoja shqiptare Elbenita Kajtazi e cila ka shënuar një sukses të madh nëpër teatro të njohura evropiane, së fundmi ka realizuar një ëndërr të kahmotshme të saj, shkruan KultPlus.
Me përkrahjen e shumë miqve artdashës dhe sponsorëve të shtëpive operistike në Gjermani, mbrëmë është mbajtur koncerti inaugurues i nismës së nisur nga Kajtazi, ku edhe u mblodhën gjithsej 14.000 Euro.
Ajo këtë nismë/bursë e ka emërtuar si “Bajar Berisha Stipendium”.
“Fituesi i parë i këtij edicioni është kontrabasisti Fitim Ukiqi, student i mrekullueshëm i cili studion në Akademinë muzikore në Darmstadt, Gjermani. Studentë si Fitimi, të përkushtuar dhe të cilët nuk heqin dorë kurrë nga ëndrrat e tyre, pa marrë parasysh, se përpara çfarë sfidash gjenden, meritojnë t’i përkrahim. Talentë të tillë si Fitimi do të jenë përfitues të edicioneve të ardhshme”, ka shkruar Kajtazi.
Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:
Një ëndërr e imja e kahmotshme morri jetë mbrëmë.
Suksesi im i deritanishëm është rezultat i mbështetjes së madhe që kam marrë nga shumë njerëz, të cilët sot i konsideroj familje. Një ndër të parët që besoi shumë në mua ishte profesori im i nderuar, tashmë i ndjerë, Bajar Berisha.
Ka dhjetë vite që jetoj dhe veproj në Gjermani dhe gjatë kësaj kohe kam ndihmuar dhe përkrahur studentë të ndryshëm, që sot edhe bëjnë karrierë nëpër botë. Këtë përkrahje mendova ta vazhdoj përmes themelimit të një burse për studentë shqiptarë nga të gjitha trojet tona, të cilët studiojnë në një nga degët e arteve të bukura në Gjermani.
Si falënderim dhe mirnjohje për mbështetjen e pakursyer që kam marrë nga profesori dhe dirigjenti ynë i mirënjohur Bajar Berisha, kam vendosur që bursën ta emërtoj “Bajar Berisha Stipendium”.
Me përkrahjen e shumë miqve tanë artdashës dhe sponsorëve të shtëpive operistike në Gjermani, mbrëmë është mbajtur koncerti inaugurues i kësaj nisme, ku edhe u mblodhën gjithsej 14.000 Euro.
Fituesi i parë i këtij edicioni është kontrabasisti Fitim Ukiqi, student i mrekullueshëm i cili studion në Akademinë muzikore në Darmstadt, Gjermani. Studentë si Fitimi, të përkushtuar dhe të cilët nuk heqin dorë kurrë nga ëndrrat e tyre, pa marrë parasysh, se përpara çfarë sfidash gjenden, meritojnë t’i përkrahim. Talentë të tillë si Fitimi do të jenë përfitues të edicioneve të ardhshme.
Dua të falënderoj nga zemra të gjithë miqt dhe përkrahësit e mi që besuan në synimin tim dhe nuk më lëshuan dorën në këtë iniciativë dhe e bënë të mundur realizimin e kësaj nisme: Leonie dhe Lars Bogdahn, The Studios Brand Design, Organizatën ODA e.V. Hamburg, në krye më Muhamet Idrizin, bashkëshortin tim Ardian Gega i cili kësaj mbrëmje i kushtoi veprën “Trembem” për soprano, kontrabas dhe piano, me tekst të Emin H. Daka, pianisten e mrekullueshme shqiptare Elda Laro, e cila iu bashkëngjit kësaj iniciative me shumë përkushtim, pianisten Camille Lemonnier, si dhe Albert Bisakun, i cili mahniti të ftuarit gjermanë me ushqime tradicionale shqiptare.
Në ditët e ardhshme do t’i ndajmë me ju të gjitha informacionet e nevojshme për mënyrën e aplikimit për të fituar bursën për vitin 2025. / KultPlus.com
U zhvillua në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit masterclass dyditor i kërcimit bashkëkohor me trupën e baletit.
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, nëpërmjet Akademisë Teatrale vazhdon të sjellë në Shqipëri emra të njohur të skenave botërore, me qëllim që trupa jonë e Baletit dhe jo vetëm, të rrisë cilësinë e saj artistike.
Këtë radhë ishin Stefan Zeromski, asistenti i koreografit të shquar të kërcimit bashkëkohor çek Jiri Kylian dhe solisti i parë në Teatrin e Lionit, Edi Blloshmi, që zhvilluan një masterclass dyditor me trupën e Baletit të TKOB-së, duke sjellë eksperiencat e tyre dhe teknikat më të mira.
Të tilla masterclass-e organizohen mbi bazën e përvojave më të suksesshme ndërkombëtare. Ato kanë në fokus të rinjtë shqiptarë e të huaj, si dhe fuqizimin e potencialit të tyre në skenën e TKOB-së dhe përtej saj. / KultPlus.com
Ministria e Ekonomisë, përmes Projektit të Kosovës për Ekonomi Digjitale (KODE), ka organizuar aktivitetin “Shkolla e 100-të” e lidhjes së 100 shkollave me infrastrukturë moderne telekomunikuese, rrjet të sigurt e të menaxhueshëm të dedikuar vetëm për qëllime arsimore, e me mbulueshmëri të rrjetit në të gjithë objektin e shkollës, duke ndikuar kështu në aftësimin dhe përgatitjen e gjeneratave të reja për konkurrencën globale, njoftojnë nga Ministria e Ekonomisë.
Në aktivitetin e mbajtur sot në Shkollën e Mesme Profesionale në Shtime, ministrja Rizvanolli theksoi se infrastruktura jonë digjitale, si dhe sektori ynë i shkëlqyeshëm i TIK-ut, e vendosë Kosovën në rend të parë, e në pozicion konkurrues me shtetet evropiane.
Ajo pohoi se sipas raportit “Emerging Europe”, raport i konkurrueshmërisë i 23 vendeve të Evropës Qendrore e Lindore, përshirë vende si Estonia të cilat janë lidere të IT-së, Kosova renditet e para në rajon për konkurrueshmëri dhe e 11-ta në mesin e 23 shteteve. E para në rajon, e dyta në total pas Rumanisë për infrastrukture dhe e para në rajon për numër të studentëve të IT-së për 100,000 banorë.
Po ashtu, bëhet e ditur se ajo theksoi që Kosova është duke kaluar në një periudhë të zhvillimeve të hovshme teknologjike, andaj është koha e përkryer për të korrur rezultatet e tyre.
Ajo njoftoi se sa i përket infrastrukturës në sektorin e TIK-ut, veçanërisht qasjes në internet, vitin e kaluar kemi arritur 100% mbulueshmëri të vendbanimeve me internet të shpejtësisë së lartë. Kjo e vendosë Kosovën në top 8 shtetet Evropiane, krahas Zvicrës e Shteteve Nordike.
“E përgjatë lidhjes së vendbanimeve me internet, përmes projektit KODE kemi nxitur më shumë se 10 milionë euro investime nga sektori privat dhe kemi gjeneruar kursime të fondeve publike. Rezultatin e këtyre kursimeve po e festojmë sot, me to kemi lidhur 100 shkollat fillore e të mesme me internet brezgjerë të shpejtësisë së lartë, e kemi instaluar rrjetet e brendshme në objekte shkollore”, theksoi Ministrja Rizvanolli dhe njoftoi se deri në fund të vitit 2024, në rrjetin e internetit do të lidhen edhe 114 shkolla të Kosovës.
Ministria e Ekonomisë si dikaster përgjegjës për politikat dhe strategjitë kombëtare për sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), deri në vitin 2030 ka për synim që Kosova të jetë një vend modern digjital me ekonomi të avancuar digjitale, administratë publike efektive duke siguruar përdorimi i zgjuar i infrastrukturës. / KultPlus.com
Qëndrimin e tij në Berlin, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhdillur një takim bilateral me ministren e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock.
“Marrëdhëniet dypalëshe, reformat demokratike, integrimi evropian i Kosovës, me theks te procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës, dhe energjia ishin çështjet kryesore për të cilat u diskutua. Në lidhje me këtë të fundit, kryeministri e njoftoi ministren Baerbock me suksesin e ankandit të parë diellor prej 100 MË, dhe për përgatitjet që po bëhen për ankandin e radhës me energji të erës prej 150 MW”, thuhet në njoftim.
Më tej, kryeministri Kurti falënderoi shtetin gjerman për ndihmën e madhe vit pas viti, rolin aktiv në zhvillimin dhe përparimin e Republikës së Kosovës dhe për partneritet të afërt. Ai shprehu mirënjohje për përkrahjen e Gjermanisë për kandidaturën e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe theksoi rëndësinë kyçe të mbështetjes së qeverisë gjermane deri në anëtarësimin e plotë. / KultPlus.com
Në mesin e fushatave brutale kundër popujve gjermanikë të Danubit, perandori Marcus Aurelius shkroi një sërë reflektimesh, që e vendosën atë në mesin e mendimtarëve më me ndikim të lashtësisë.
Në shekullin e dytë pas Krishtit, bota e perandorit Marcus Aurelius ishte në rrënim. Një murtajë e madhe shkatërroi Evropën perëndimore, ndërsa ai filloi një luftë të gjatë dhe të përgjakshme kundër fiseve gjermane përgjatë kufirit të Danubit. Përballë këtyre fatkeqësive, bashkë me pleqërinë dhe mendimet për vdekjen, perandori kërkoi ngushëllim tek filozofia.
Gjatë gjithë jetës së tij, veçanërisht në momente të çuditshme gjatë fushatës ushtarake, ai hodhi në letër betejat e tij personale, bindjet filozofike dhe njohuritë për të qenë një sundimtar dhe një person më i mirë. Nga kjo shprehje e sinqertë e introspeksionit dolën 12 libra që merren me jetën dhe gjendjen njerëzore. Në total ky koleksion quhet Meditimet.
Filozofi Perandor
I lindur në vitin 121 në një familje aristokrate në Romë, Marcus Aurelius mori një arsimim të shkëlqyer në retorikë dhe filozofi. Ai studioi greqisht dhe sidomos Homerin dhe Euripidin. Ndoshta kjo është arsyeja pse ai i shkroi Meditimet në greqisht dhe jo në latinisht, gjuha zyrtare e Perandorisë Romake.
Në moshë të re, ai u interesua gjithashtu për filozofinë, veçanërisht stoicizmin, një shkollë mendimi që lulëzoi në antikitet. Një nga parimet kryesore të tij thekson zhvillimin e forcës së brendshme dhe pranimin e atyre gjërave që janë jashtë kontrollit tënjeriut. E themeluar në Athinë nga Zeno i Citiumit, rreth vitit 300 p.e.s., stoicizmi u rrit për t’u bërë një nga filozofitë kryesore të botës së lashtë.
Ai lulëzoi në Romën e lashtë, me Ciceronin ndër studiuesit e tij kryesorë (dhe një burim i mirë informacioni mbi stoicizmin në Romë). Epikteti, një grek i skllavëruar më parë, u bë filozof stoik me shumë ndikim i studiuar nga Marcus Aureliusi. Në fakt, Meditimet kanë disa ngjashmëri me koleksionin e parimeve morale të Epiktetit, të quajtura Enchiridioni (Manual).
Por vepra e Marcus Aurelius-it i shton zërin e tij origjinal traditës filozofike të stoicizmit. Ai i shtoi peshë kësaj shkolle të mendimit dhe arriti të besojë se perceptimi është baza e njohurive të vërteta. Lumturia mund të gjendet nëpërmjet praktikës së virtytit dhe të udhëhequrit në çdo kohë nga arsyeja, përballë peripecive të jetës.
Besohet se Marcus Aureliusi i shkroi Meditimet si një formë introspeksioni dhe jo për konsum më të madh publik. Ato variojnë nga maksimat e hapura deri te disertacionet bindëse dhe nuk ka një organizim definitiv të veprës – megjithëse disa modele janë identifikuar, me tema të organizuara rreth filozofisë stoike.
Me mirënjohje
Vepra nis si një lloj rrëfimi, në të cilin Marcus Aureliusi falënderon të gjithë ata që ndikuan pozitivisht gjatë gjithë jetës së tij. Për shembull, ai vlerëson mësuesit e tij që e mbajtën larg nga besëtytnitë dhe veset dhe e kthyen drejt një jete më të mirë e të virtytshme. Më i rëndësishmi nga këta mësues, kujton ai, ishte Quintus Junius Rusticus, i cili korrigjoi karakterin e tij të vrullshëm dhe e prezantoi me filozofët stoikë.
Marcus Aurelius kujton gjithashtu jetën e tij në oborrin e Romës, ku mbërriti në moshën 17-vjeçare. Babai i tij birësues, perandori Antoninus Pius, kishte një mënyrë jetese modeste, dhe kështu i riu Marcus Aurelius nuk hyri në një botë veshjesh dhe jetese luksoze; ai nuk kishte as roje personale. Perandori i ardhshëm admiroi përkushtimin me të cilin babai i tij birësues drejtoi perandorinë dhe personalitetin e tij të qetë, por të vendosur.
Marcus Aurelius u ngjit në fron në vitin 161, duke bashkëqeverisur me vëllanë e tij birësues Lucius Verus deri sa vdiq Luciusi, në vitin 169. Ndërsa Marcus Aurelius nuk reflekton drejtpërdrejt për jetën e tij si perandor, ai prek tema të rëndësishme të lidhura me të, duke përfshirë peshën e përgjegjësive dhe nevojën për të respektuar drejtësinë. Ai pranon se duhet të marrë vendime në interesin më të mirë të njerëzve që qeveris. Ai shkruan: “Filloni çdo ditë duke i thënë vetes: Sot do të ndeshem me ndërhyrje, mosmirënjohje, pafytyrësi, pabesi, keqdashje dhe egoizëm… Asnjë nga këto gjëra nuk mund të më lëndojë, sepse askush nuk mund të më implikojë në atë që është poshtëruese”.
Ai pranon se pushteti mund të jetë një barrë dhe një tundim, duke theksuar rëndësinë e shmangies së arrogancës dhe ruajtjes së përunjësisë përballë autoritetit. Ai gjithashtu ofron njohuri se si të përballeni me situata të vështira, të ruani qetësinë e brendshme dhe të qëndroni të fokusuar në qëllimin tuaj, përballë pengesave.
Ndër vëzhgimet e tij më personale janë gjërat që duket se e shqetësojnë. Ai e pranon se e urren atë që shumica e qenieve njerëzore duket se e duan. Lojërat e gladiatorëve, për shembull, e neverisin; seksi reduktohet në “një kënaqësi të shkurtër”. Dhe ai nuk e kupton pse njerëzve u bëjnë përshtypje rrobat e purpurta të veshura nga senatorët dhe perandorët, kur këto janë thjesht “lesh delesh i lyer me gjak butaku”.
Ai përpiqet të qëndrojë i qetë në çdo moment dhe të mos shqetësohet me atë që fqinji i tij do të thotë, ose do të mendojë për të. Siç i kujton vetes: “Gjithmonë habitem: Ne të gjithë e duam veten më shumë se njerëzit e tjerë, por na bëhet vonë më shumë për mendimin e tyre, sesa për tonin.”
Familja luan një rol të vogël në shkrimet e tij, megjithëse ai është jashtëzakonisht mirënjohës për gruan, Faustinën e Vogël, vajzën e Antonius Pius. Ai e përshkruan atë si “aq të bindur, kaq të dashur dhe kaq të thjeshtë”. Burimet e tjera bashkëkohore nuk ishin aq të sjellshme me Faustinën. Historianë si Cassius Dio e kanë akuzuar për tradhti bashkëshortore me ushtarë dhe gladiatorë të pashëm. Megjithatë, në shkrimet e tij, Marcus Aurelius ka vetëm fjalë të mira për të. Të dy kishin 13 fëmijë së bashku, por vetëm gjashtë jetuan pas fëmijërisë. Kur Faustina vdiq, në vitin 175, perandori u pikëllua për humbjen e saj. Ai varrosi gruan e tij në Mauzoleumin e Hadrianit në Romë.
Lufta dhe Vdekja
Duke shkruar natë pas nate nga kampi i tij ushtarak përgjatë Danubit, Marcus Aurelius kthehet në tema më të errëta, duke përfshirë natyrën e luftës. Në pika të ndryshme, ai vë në dukje realitetin e tmerrshëm të luftimit: “A keni parë ndonjëherë një dorë ose këmbë të prerë, ose një kokë të prerë, të shtrirë diku larg trupit të cilit dikur i përkiste …?”
Por kur dita mbaron, ato përsiatje zbehen dhe mbizotëron realiteti. Filozofi i natës, duhet të jetë një udhëheqës ushtarak ditën. Ai e pranon se nuk është gjithmonë e lehtë. “Në agim, kur e ke të vështirë të ngrihesh nga shtrati, thuaji vetes: ‘Duhet të shkoj në punë—si qenie njerëzore’, edhe pse preferon që «të mblidhesh nën batanije».
Përgjatë Meditimeve, Marcus Aurelius përsërit, pothuajse deri në obsesion, idenë se të gjithë ndajnë përfundimisht të njëjtin fat në këtë jetë të shkurtër: vdekjen. “Jetët e njerëzve janë të shkurtra dhe të parëndësishme,” shkruan ai.
Ka reflektime mbi gjeneralët e mëdhenj të së kaluarës, si Aleksandri i Madh, Çezari dhe Pompei, dhe se si, pavarësisht nga triumfet e tyre, “edhe ata u larguan nga kjo jetë”. Gjithashtu përmenden edhe banorët anonimë të Pompeit dhe Herkulaneumit, që u mbytën nën hirin e malit Vezuv.
Mbi të gjitha, kërkimi më i madh i perandorit është të gjejë paqen e mendjes, ndërsa mediton se sa shpejt kalon jeta: “Ekzistenca na kalon si një lumë: “çfarë” është në rrjedhë të vazhdueshme, “pse” ka një mijë variacione.” Ai thotë se rruga më e mirë është të “bëni gjithçka sikur të ishte gjëja e fundit që po bënit në jetën tuaj”.
E megjithatë, vdekja i ofron Marcus Aureliusit një lloj çlirimi, një shans për t’u shkëputur nga një botë ku shumë injorojnë të vetmet vlera që ai njeh – ato të virtytit racional dhe të së mirës morale. Drama e vërtetë e filozofit-perandor është se ai përpiqet t’i dojë njerëzit e tjerë: “Gjërat e paracaktuara për ju – mësoni veten të jeni njësh me to. Dhe njerëzit që i ndajnë ato me ju – trajtojini me dashuri. Me dashuri të vërtetë.”
Të gjitha këto Marcus Aurelius ia thotë vetes pa ankth apo dëshpërim. Edhe vdekja duhet pranuar me mirënjohje: “Mos e shikoni vdekjen me përçmim, por mirëpriteni atë”. Vdekja është pjesë e skemës natyrore të gjërave, mendon ai, duke e krahasuar atë me “një ulli që piqet dhe bie. Duke lavdëruar nënën, duke falënderuar pemën ku u rrit.” Ai thotë të pranosh vdekjen “me gëzim dhe vërtetësi, mirënjohës ndaj perëndive nga thellësia e zemrës”.
Kur Marcus Aureliusi vdiq më 17 mars 180, në moshën 58-vjeçare, viktimë e murtajës, ai la pas një gjurmë të pashlyeshme. Shkrimet e tij kanë intriguar krerët e shteteve që nga Frederiku i Madh i Prusisë e deri te presidenti i SHBA Bill Clinton. Kur Wen Jiabao, kryeministri i Kinës midis 2003 dhe 2013, pretendoi se kishte lexuar Meditimet më shumë se njëqind herë, vepra u bë një nga klasikët grekë më të botuar në vend. / KultPluscom
PEN Qendra e Kosovës mbështet dhe solidarizohet me çdo nismë që angazhohet për paqe dhe stabilitet në vendet e dalura nga ish-Jugosllavia.
Me këtë rast PEN Qendra e Kosovës përkrah edhe iniciativën e PEN Qendrave të vendeve nga ish-Jugollavia, të cilat shprehin shqetësimin për aktet destabilzuese që regjimi serb i Beogradit ka ndërmarrë dhe ndërmerr ndaj Kosovës, siç ishte rasti i sulmit në Banjskë në shtatorin e vitit 2023, ndaj vendeve të tjera në Ballkan si në Bosnjë e Hercegovinë e Mal të Zi. / KultPlus.com
Në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të Gabriel García Márquez (1927-2014), më datë 26 prill 2024, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çeli një ekspozitë, e cila risjell në vëmendje krijimtarinë e shkrimtarit të mirënjohur kolumbian, botuar në gjuhën shqipe.
I konsideruar si një nga autorët më të rëndësishëm të shekullit të 20-të, veçanërisht në gjuhën spanjolle, ai u nderua me Çmimin Nobel në Letërsi në vitin 1982. Pas vdekjes së G. G. Márquez-it në prill 2014, presidenti i Kolumbisë e quajti atë “kolumbiani më i madh që ka jetuar ndonjëherë”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Hollin kryesor të BKSH-së. / KultPlus.com
Para dy vitesh pata parë në kinema dokumentarin Fuoco sacro[1] dhe isha mrekulluar. Në kërkim të zjarrit të shenjtëtë këndimit, regjisori Jan Shmid-Garr (Schmidt-Garre)[2] fokuson me kamerën e tij gjatë provave, para dhe pas shfaqjeve, tri soprano me famë botërore: kanadezen Barbara Henigen (Hannigan *1971), lituanezen Asmik Grigorian (*1981) dhe shqiptaren Ermonela Jaho (*1974). Tri soprano nga tri kultura të ndryshme, të cilat i bashkon shkëndija e shenjtë që arrijnë t’ia përçojnë publikut.
Kanadezja Barbara Henigen, soprano dhe dirigjente njëkohësisht, ka bërë emër në interpretimin e muzikës bashkëkohore. Në dokumentar paraqitet ndër të tjera një debutim i saj, gjatë të cilit ajo dirigjon dhe këndon njëkohësisht. Lituanezja Asmik Grigorian është e pashoqe në rolin e Salomesë nga opera me të njëjtin emër e Riçard Shtrausit (Richard Strauß 1864-1949), rol i cili i dha famë brenda një nate. Ndërsa skenat me Ermonelën, të filmuara në operën e Mynihut, janë nga Madama Butterfly dhe Traviata, por vend më të gjerë zënë përgatitjet për rolin e Motër Anxhelikës (Suor Angelica) nga Triptiku (Il Trittico)[3] i Puçinit (Giacomo Puccini 1858-1924). Konkretisht ariet Senza mamma dhe ajo finale jepen të plota si në shfaqje. Shpirti i sfilitur i murgeshës e zotëron skenën nën interpretimin tronditës të sopranos shqiptare.
Qysh prej vitit 2001 Ermonela Jaho debuton rregullisht në operën e Mynihut. Ndërtesa e operës në sheshin Maks Jozef (Max Joseph), në zemër të Mynihut, është një ndërtesë e stilit klasicist, që i ngjason një tempulli grek. Shkallët e gjera dhe kolonat gjigande të stilit korintik me timpanonin e dyfishtë mbi krye e zotërojnë sheshin. Kompleksi historik i rezidencës[4] në një krah, pallati në stilin e rilindjes italiane në krahun tjetër, i cili deri në vitin 2009 ka shërbyer si postë (ndoshta posta më e bukur në botë), dalja në rrugën Maksimilian, një rrugë e kushtueshme dhe luksoze si në një dekor filmi, dhe monumenti i mbretit Maks Jozef[5] në mes të rrotullames me plloça guri, ravijëzojnë një kornizë të bukur, e cila në njëfarë mënyre “të akordon” përpara se të ngjisësh shkallët për të hyrë në ndërtesën e operës. Gjatë një shfaqjeje në janar të vitit 1823 dekori i skenës kishte marrë zjarr dhe, duke qenë se uji për të shuar zjarrin kishte ngrirë nga të ftohtët, mbreti Maks, i cili ishte i pranishëm në shfaqje, kishte dhënë urdhër që zjarri të shuhej me birrë, duke konfiskuar në vend fuçitë e birrës në birrarinë që ndodhej pranë teatrit. Me skeptrin në dorë, ulur në fronin e tij të gurtë përpara operës, ai me sa duket kishte vendosur të vigjilonte përjetësisht përpara saj. Kur del nga ndërtesa, pasi nën magjinë e muzikës ke rrugëtuar nëpër kthinat e fshehta të shpirtit, edhe në ato që përndryshe kurrsesi nuk i përshkon dot aq lehtë, sheshi të duket i magjishëm, si nga një botë tjetër. Por pikërisht ky rrugëtim është kaq kapriçioz dhe zë fill vetëm në momentet fatlume, kur shkëndija hyjnore e muzikës arrin të përçohet deri tek spektatori. Shpirti është dorështrënguar me thesaret që fsheh dhe rrëzëllimin e tyre.
E kisha ndjekur Ermonela Jahon disa herë në operën e Mynihut dhe më prekte thellë ajo prezenca e tërësishme në skenë nën petkun e çdo roli. Edhe ajri mbushej me shpirt. Motër Anxhelikën e pata parë përpara dokumentarit në fjalë, i cili filloi të shfaqej nëpër kinema në vitin 2022. Filmimet gjatë provave për arien Senza mamma me maestro Petrenkon[6] dhe ai lot i bukur i sopranos, që shkëlqente kaq qartë në ekranin e madh të kinemasë, më lanë një ndjesi të papërshkrueshme me fjalë, prandaj mezi prisja ta përjetoja sërish në skenë atë rol, tashmë edhe me ndjesitë që më kishte dhënë dokumentari.
Në mozaikun e operave të Puçinit Triptikushquhet për veçantinë e bashkimit nën një titull të tri operave njëaktëshe: Palltos (Il Tabarro) Motër Anxhelikës dhe Xhani Skiçit(Gianni Schicchi), përmbajtjet e të cilave nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Palltoja është drama e një martese të shkatërruar mes Xhorxhetës dhe Mikelit, e cila zhvillohet në mjedisin proletar të një anijeje lumore në Parisin e shekullit të 20-të. Xhani Skiçi është një komedi e trazuar sipas një episodi nga Komedia hyjnore e Dantes, qerthulli i të cilës është trashëgimia dhe makutëria për ta shtënë në dorë atë. Në mes të këtyre dy skajeve vendoset historia e trishtë e Motër Anxhelikës, një vajze të sërës së lartë, e cila syrgjynoset në një manastir, si dënim për sjelljen në jetë të një fëmije të paligjshëm.
Ngjarjet e tri operave njëaktëshe të Puçinit zhvillohen jo vetëm në mjedise krejt të ndryshme, por dhe në kohë të ndryshme, përkatësisht në fillim të shekullit të 20-të, në shekullin e 17-të dhe në shekullin e 13-të. Në shtjellën e dramaturgjisë episodike të tyre, përçuar përmes xhelozisë, mallit apo makutërisë, i mbetet dëgjuesit të kërkojë fillin e tyre lidhës emocional duke rrëmuar në shpirtin e vet. Ndoshta ky fill lidhës është dashuria për një fëmijë dhe përballja emocionale me humbjen e tij. Në operën e parë, vajza e Xhani Skiçit, Laureta, pret një fëmijë dhe për këtë arsye i përgjërohet të atit në arien e famshme O mio babbino caro(Babushi im i dashur)[7] që të gjejë një zgjidhje, si të përfitojë bashkë me të dashurin e saj nga trashëgimia e ungjit të pasur. Tek Palltoja Xhorxheta ka humbur një fëmijë, humbje e cila e ndryshon katërcipërisht martesën dhe jetën e saj. Ndërsa tek Motër Anxhelika protagonistja mëson se djali i saj i paligjshëm ka vdekur para dy vjetësh dhe për t’u bashkuar me të në parajsë ajo helmon veten. Ndoshta filli emocional qerthullon rreth të qenit i burgosur brenda një hapësire të mbyllur, brenda një anijeje tek Palltoja, një manastiri tek Motër Anxhelika apo brenda dhomës së të vdekurit tek Xhani Skiçi.
Qysh nga koha e universitetit isha një vizitore e rregullt e operës. Shkoja atje me një njeri të dashur, por po aq mirë shkoja edhe vetëm. Çmimi i biletave për nxënës dhe studentë ishte po aq sa ai i atyre të kinemasë dhe, përveç kësaj, në mbrëmje, gjysmë ore para fillimit të shfaqjes, në biletarinë e operës shiteshin për studentët biletat e mbetura. Natyrisht kjo gjë nënkuptonte që duhej të llogarisje më shumë kohë dhe të mbaje radhën. Në kokën time radha padashur ishte e lidhur me gurë dhe bidona vajguri, por çuditërisht dhe me muzikë. Dyqani i vajgurit në lagjen ku isha rritur në Elbasan ishte përbri shkollës së muzikës, në të cilën unë kisha qenë nxënëse për tetë vjet rresht. Ndryshe nga radha fjalamane e fëmijërisë, e cila më ka mbetur në kujtesë bashkë me përzierjen e tingujve në sfond, si para fillimit të një koncerti, ajo përpara operës ishte një radhë e rregullt, pa asnjë incident, një radhë për të hyrë në një botë tjetër.
Më kishte qëlluar në biletarinë e mbrëmjes, që si studente të përfitoja me çmimin e një bilete për studentë edhe bileta shumë të shtrenjta për vende në parket apo në ballkon. Pikërisht në momente të tilla, tek e shihja veten të ulur pranë ndonjë zonje, e cila përreth qafës mbante varur një gjerdan perlash, që mbulonte mbase të ardhurat e mia vjetore si studente, më fekste pa dashur ndër mend ajo radha e vajgurit.
Megjithatë vendi im i preferuar qysh nga ajo kohë dhe më pas ka mbetur galeria. Në galeri skenën dhe orkestrën i ke si në pëllëmbë të dorës dhe atmosfera është më e çlirët. Shpesh më rastiste, që në radhën e fundit, nga e cila skena nuk shihej më, në poltronat që ishin vetëm për dëgjim, të shikoja studentë të konservatorit, të cilët me partiturën përpara e ndiqnin operën nga fillimi në fund duke shfletuar me kujdes. Madje këto vende kishin dhe një dritëz të vogël për ndriçim. Ishte si të thuash një bibliotekë e një lloji të veçantë.
Këtë muaj Ermonela Jaho debutoi tri herë në Mynih me Motër Anxhelikën dhe unë pata fat ta shikoj pikërisht mbrëmjen e fundit. Ishte një mbrëmje në mënyrë të panatyrshme e ngrohtë për muajin prill dhe të dukej sikur Mynihu ishte katapultuar në gusht. Kur i hodha një sy të fundit planit të këngëtarëve debutues, që si gjithmonë është i varur në çdo kat, lexova me krenari përveç emrit të Ermonelës dhe atë të Granit Musliut, një këngëtari të ri nga Kosova, të cilin gjithashtu e kisha ndjekur në skenë. Ishte ndoshta një krenari naive, që unë megjithatë, edhe kur nuk e shprehja me fjalë, e ndieja thellë dhe më mbushte. Në vitet 2001-2002, për gjysmë viti rresht, Muzeumi i Kulturës Popullore në Mynih kishte organizuar një ekspozitë me titullin “Shqipëria – pasuria dhe larmia e një kulture të vjetër” (Albanien – Reichtum und Vielfalt alter Kultur). Po për një gjysmë viti, në metronë e universitetit mbeti i varur një poster, në të cilin shihej një malësor me kostum popullor shqiptar dhe përbri tij titulli i ekspozitës. Asokohe banoja pranë universitetit dhe më duhej ta merrja metronë mbase edhe disa herë në ditë. Megjithatë asnjëherë nuk kaloja pa i buzëqeshur së brendshmi atij malësori kryelartë, që më mbushte me një krenari të paqme, sa herë që e kundroja. Një ritual i tillë ishte pak a shumë dhe leximi i emrit të Ermonelës, megjithëse e dija fare mirë që ai ishte atje, në krye të listës.
Kisha një vend në galeri dhe rondeli në formë patkoi dukej sikur po thyhej nga larmia e ngjyrave. Skena gri në formën e një hinke ishte konceptuar nga regjia[8] si një tunel në kohë dhe mbeti e pandryshuar për të tri pjesët. Ana e hapur e hinkës parakupton të shkuarën, gryka e ngushtë të tashmen dhe fundi i saj të ardhmen, për të cilën askush nuk e di se ç’do t’i sjellë. Palltoja mbyllet me klithmën e Xhorxhetës, kur zbulon nën pallto të dashurin e vdekur. Lëkundja e anijes dhe e valëve, që perceptohet përmes lojës së orkestrës në pjesën e parë, i lë vendin tingëllimit të brishtë të kambanave në sfond, të cilat shpërfaqin atmosferën mistike të manastirit. Motra dy vjet më e madhe e Puçinit ka qenë priore në një manastir pranë vendlindjes së tij dhe, sipas biografëve të kompozitorit, kur vendosi të shkruajë operën, ai filloi të shkonte shpesh për vizitë në këtë manastir.[9]
Jeta e reglementuar e murgeshave në manastir përçon atmosferën e përshpirtshme të këtij mjedisi. Motër Kiarën e ka pickuar grerëza. Motër Anxhelika është njohëse e mirë e bimëve mjekësore dhe e di, që dhimbjen e pickimit të grerëzës mund ta qetësojë vetëm verdhashka. Trishtimi për vdekjen e murgeshës Bianka Roza nën tonet e një rekuiemi është parapërgatitës. Ndërkohë, kur murgeshat e tjera e pyesin motër Anxhelikën për një dëshirë që mund të ketë, ajo mohon çdo të tillë (sono qui per servire).[10] Megjithëse ndodh shumë pak, ngërçi dhe brenga e shpirtit të saj sikur rrinë pezull në skenë.
Lajmërimi për vizitën e princeshës, emtës së motër Anxhelikës, e bën brengën më të rrokshme, ndërkohë që kontrasti i atmosferës ndjehet përmes picikatove të orkestrës. Është pikërisht kjo emtë, e cila vendosi që e mbesa, për të larë mëkatin e sjelljes në jetë të një fëmije të paligjshëm, të mbyllet në manastir. Emta kërkon nga motër Anxhelika miratimin për heqjen dorë nga pasuria në favor të motrës së saj më të vogël, Ana Violës, e cila së shpejti do të martohet. Habia e bukur e motër Anxhelikës, që motra e saj më e vogël po martohet, është e vetmja rreze dielli në këtë atmosferë të rëndë. Qashtërsia e habisë së motër Anxhelikës (la piccola Anna Viola, la sorellina, la piccina)[11] tretet si një pikë uji në shkretëtirë në pyetjet vijuese për të birin. Karshi këtyre pyetjeve drithëruese (Perchè tacete? Perchè? Perchè? È morto?)[12] të një shpirti të vuajtur emta qëndron pa lëvizur, me një ngurtësi të frikshme, sikur të ishte një shtyllë betoni. Klithma e motër Anxhelikës për vdekjen e të birit të rrëqeth shpirtin. Mua pa dashur më jehoi ndër mend vajtimi i Ajkunës “T’u shkimtë drita ty, o mori hanë!”. Bashkë me të edhe grimca kujtimesh nga fëmijëria, kur një nëne i ndodhte një fatkeqësi e tillë, dhe dëgjoja të thonin se ishte zemërplasur, shpirtpërvëluar. Ishin fjalë që nuk i përktheja dot. Në filmin dokumentar të sipërpërmendur Ermonela Jaho sqaron, që në këtë klithmë ishte dhimbja për humbjen e prindërve, të cilët u larguan nga jeta brenda një kohe të shkurtër njëri pas tjetrit. Aty në skenë ajo ishte piskama e gjamës, e humbjes pa kthim, që në rastin fatlum, kur arrinte ta përçonte atë shkëndijën hyjnore përmes muzikës, ishte balsam për shpirtin, për shpirtin e secilit në sallë, me humbje apo dhimbje nga më të ndryshmet.
Një marsh i qetë dhe i trishtuar i paraprin aries Senza mamma, e cila është diçka midis një ninulle dhe një vajtimi të pashpresë (E tu sei morto senza sapere quanto t’amava questa tua mamma!)[13] Në fillim të aries sopranoja qëndron akoma e shtrirë dhe pa lëvizur në pozicionin pas klithmës së dhimbjes. Melodia është e mbushur me një mall të pikëlluar dhe ngërçin e një shpirti të humbur. Në dokumentar, gjatë provave për këtë skenë, dirigjenti Petrenko, pa e fshehur mallëngjimin e tij, i thotë Ermonelës, se në këtë pianissimo të saj ai bashkë me orkestrën do të zhduket krejt në sfond. Nën lojën e reduktuar të orkestrës rrathët e pikëllimit përhapen heshtur si sumbulla loti bashkë me thirrjen që motër Anxhelika i drejton të birit për të folur me të në fund të aries (Parlami, parlami, amore, amore, amor!)[14]
Është një ninullë, një vajtim apo një ninullë-vajtim? Në një punim për vajtimet studiuesi Ramadan Sokoli i krahason këto të fundit “me ato lulet e egra që mbijnë vetvetiu nëpër varreza e çelin ndërmjet fijeve të barit, ku qëndrojnë përkohësisht pa i vaditur askush, derisa të veniten e t’u bien gjethet përtokë.”[15] Pas aries Senza mamma atmosfera sakrale bëhet shumë e ndjeshme për të dominuar më pas arien finale. Motër Anxhelika përgatit helmin dhe gjatë përgatitjes së tij duket sikur ngërçi çlirohet shkurt. Shumë shpejt ajo ndërgjegjësohet për mëkatin e kryer dhe dhimbja bëhet shpërthyese: “Ah, son dannata!”[16] Motër Anxhelika i lutet Shën Mërisë që të mos e dënojë, por ta bashkojë me të birin lart në qiell. Lutja e saj pranohet. Nën zërat e engjëjve qielli hapet dhe motër Anxhelikës i fanepset i biri që vjen ta marrë. Zgjidhja e regjisë është që në vend të vegimit të Shën Mërisë, pas vogëlushit qëndron emta me ngurtësinë e saj të pashoqe.
Krijohet një atmosferë e frikshme, e cila skajohet deri në një ekstazë religjioze dhe nën ngulçet e një shpirti të torturuar që largohet kësaj bote ndjehen dy glisandot e fundit, dy oi që të hyjnë nën lëkurë. Edhe herën e parë kur e kisha parë operën, ato dy oi më kishin drithëruar shpirtin. Në një intervistë pas shfaqjes së Triptikut në Barcelonë[17] Ermonela Jaho i quan ato dy oi një vajtim të shpirtit të saj për humbjen e prindërve, duke përmendur vajet me oi të nënave shqiptare të Jugut.[18] Ishin pikërisht ato dy oi, që shponin aq thellë, që arrinin deri tek dhimbja e humbjes dhe ishin njëkohësisht balsam për të, një katarsis shpirtëror, sado e ndryshme të ishte dhimbja e humbjes tek secili në publik. Në skenën e fundit të dokumentarit, duke dëgjuar arien finale të motër Anxhelikës të kënduar nga ajo vetë, Ermonela Jaho na jep mundësinë, përtej rolit, të përjetojmë katarsisin e saj. Natyrisht në shqip. Është vërtet një fat i rrallë, një moment brilant i papërsëritshëm. Nga duartrokitjet për motër Anxhelikën, pas përfundimit të Xhani Skiçit, kur e gjithë trupa doli në skenë për t’u përkulur para publikut, ndjehej, që shumë në sallë kishin mbetur shpirtërisht tek ajo dhimbja e humbjes pa kthim, tek ato dy oi të pakrahasueshme, të pangjashme, të patjetërsueshme të Ermonelës.
Pas një mbrëmjeje të tillë, kur në ditët vijuese kllapa e të përditshmes me stresin dhe vogëlsirat e saj më shtrëngonte fort, mua më dukej sikur mund të përballoja më lehtë gjithçka, kur kisha mundësi të çukisja nga pak me kursim atë ç’ka kisha përjetuar, rrëzëllimin e magjishëm të shkëndijës hyjnore të muzikës.
Në ritualin tim të zakonshëm, kur dilja nga teatri, i hidhja gjithmonë një sy mbretit Maks në fronin e tij të gurtë. Me skeptër në dorë ai vigjilonte heshturazi, por i patundur në misionin e tij për ta mbrojtur me çdo kusht teatrin, qoftë edhe duke sakrifikuar birrën, e cila në Bavari nuk ishte thjesht një pije alkoolike, por bënte pjesë tek ushqimet bazë, sikurse dhe buka. Ndoshta ngaqë ai dhe bashkëkohësit e tij e kishin ditur që foleja e shkëndijës hyjnore, teatri, ishte po aq i rëndësishëm sa buka dhe birra, sepse përcillte në të gjitha kohërat shpresën që njerëzit, pasi të dilnin prej andej, të bëheshin pakëz më të mirë me njëri-tjetrin. / KultPlus.com
–
[1] Schmidt-Garre, Jan (2021) Fuoco sacro. Suche nach dem heiligen Feuer des Gesanges. Barbara Hannigan, Asmik Gregorian, Ermonela Jaho.
[2] Jan Schmidt-Garre (*1962) regjisor dhe producent gjerman.
[3] Triptiku i Puçinit është shfaqur për herë të parë në vitin 1918 në Nju Jork.
[4] Rezidenca e dikurshme e fisnikërisë bavareze në qendër të Mynihut është një kompleks ndërtesash, që sot shërben si një nga muzeumet më të rëndësishme të artit në Europë.
[5] Max Joseph (1756-1825) nga dera e Vitelsbahëve (Wittelsbach).
[6] Kirill Petrenko (*1972), një dirigjent ruso-austriak, i cili qysh prej vitit 2019 drejton Filarmoninë e Berlinit.
[7] Në rolin e Lauretës debuton sopranoja francezo-daneze Elsa Dreisig (*1991).
[8] Regjia e Triptikut është realizuar nga regjisorja hollandeze Lotte von de Beer (*1981).
[9] Marotti, Guido & Pagni, Ferruccio (2008) Giacomo Puccini als Freund. Detmold, f. 84v.
[10] Ilustrimet nga libreti janë marrë nga linku i mëposhtëm, i cili në vijim do të citohet shkurt libreti: https://www.murashev.com/opera/Il_trittico_(Il_tabarro,_Suor_Angelica,_Gianni_Schicchi)_libretto_Italian_German
[18] Në artikullin e sipërpërmendur studiuesi Ramadan Sokoli shpjegon: “P.sh. nga pikëpamja muzikore, në Shqipërinë Jugore, kemi kryesisht dy stile vajtimesh: ‘me zë dhe me bote’. Jonet e vajtueshme ‘me zë’ shtjellohen me një gorgezh tipik nëpërmjet shkapërdimeve mbi disa rrokje ose pasthirrma, duke kaluar nga regjistri i gjoksit në regjistrin e kokës (pak a shumë si tek i ashtuquajturi ‘jodler’, i alpeve të Evropës Qendrore). Zakonisht shkapërcimet e këtij gorgezhi bëhen në intervalin e sekstës së madhe apo septimës së vogël me rrokjen ‘oi’. Ky element tipik që ndihet edhe në muzikën instrumentale të Shqipërisë Jugore, sidomos ndër pjesët e ashtuquajtura ‘e qarë’ ose ‘kaba’, vritet në mbarim të çdo vargu, por rëndom edhe në mes të vargjeve.” (f. 39)
Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, së fundmi ka bërë të ditur se është inauguruar skaneri “Spect/Pet/Ct” në klinikën e mjekësisë nukleare, përcjellë KultPlus.
”Për vite me radhë, qytetarët e Kosovës kanë udhëtuar jashtë shtetit për diagnostikimet e nevojshme. Nga sot, kjo nuk do të jetë e nevojshme, pasi që ky shërbim do të kryhet në pragun e shtëpisë së çdo qytetari në nevojë, duke ulur kostot dhe përmirësuar ndjeshëm cilësinë e kujdesit shëndetësor”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.
Më poshtë gjeni postimin e plotë:
Me shumë krenari sot inauguruam skanerin SPECT/PET/CT në vlerë të 1.5 milion Eurove në Klinikën e Mjekësisë Nukleare, një teknologji e para këtij lloji në ShSKUK që do të ndryshojë jetën e pacientëve dhe familjeve të tyre. Kjo arritje, e cila nuk është e para dhe as nuk do të jetë e fundit, është bërë e mundur falë bashkëpunimit të jashtëzakonshëm mes Fondacionit Jahjaga dhe Fondacionit Filantropik Alwaleed në Riyadh të Arabisë Saudite, të udhëhequr nga Lartësia e Tij, Princi Alwaleed Bin Talal AlSaud. 🤝
Për vite me radhë, qytetarët e Kosovës kanë udhëtuar jashtë shtetit për diagnostikimet e nevojshme. Nga sot, kjo nuk do të jetë e nevojshme, pasi që ky shërbim do të kryhet në pragun e shtëpisë së çdo qytetari në nevojë, duke ulur kostot dhe përmirësuar ndjeshëm cilësinë e kujdesit shëndetësor.
Jam e bindur se ky është vetëm fillimi i shumë arritjeve të tjera që do të realizojmë së bashku! Së bashku për një të ardhme më të shëndetshme dhe më të lumtur për të gjithë qytetarët tanë.
Gjithmonë përpara, për një Kosovë më të mirë për të jetuar! 📷 Ekrem Krasniqi / KultPlus.com
Ferdinand Victor Eugène Delacroix, artist dhe piktor francez, lindi më 26 Prill 1798 nëCharenton-Saint-Maurice, Francë, në departamentin e Luginës së Marne, jo larg nga Parisi. Ai mbaroi studimet e para, duke u bërë i dashur për klasikët e leximit, në shkollën e mesme Louis-le-Grand, ndërsa në 1815 filloi mësimin e tij me Pierre-Narcisse Guérin, duke admiruar Zhak-Louis David dhe stilin e tij neoklasik.
Më 1819 atij iu porosit një pikturë me temë fetare, “Virgjëresha e Mesisë”, në të cilën mund të shihet një ndikim rafaelian, ndërsa nja dy vjet më vonë daton “Virgjëresha e Zemrës së Shenjtë”. I interesuar për stilin shumëngjyrësh dhe të hijshëm të Pieter Paul Rubens, ai është shumë i mahnitur nga “Rrapi i Meduzës” nga miku i tij Théodore Géricault, i cili e çon atë të bëjë “Varka e Dantes”, veprën e tij të parë të shkëlqyeshme që do të pranohet, më 1822, në Sallonin e Parisit: piktura Delacroix bën bujë dhe nuk vlerësohet nga bota akademike, pavarësisht se është blerë nga Galeria e Luksemburgut.
Më 1825 Eugène Delacroix bëri një udhëtim në Britaninë e Madhe, ku ai ishte në gjendje të vizitonte Richard Bonington dhe Thomas Lawrence: gjatë kësaj përvoje ai zbuloi me kuriozitet përdorimin e ngjyrës tipike të artit britanik të asaj periudhe, që e çoi atë të hartojë dhe përfundojë “Portretin e Louis-Auguste Schwiter”, portreti i vetëm i dimensioneve imponuese të jetës së tij.
Ndërkohë, ai iu përkushtua edhe bërjes së litografive që përshkruanin vepra nga William Shakespeare dhe vizatimin frymëzues nga “Faust” i Goethe; temat e dhunshme dhe sensuale shfaqen në “Lufta e Gjaurit dhe Hasanit” dhe në “Gruaja me papagall”, përfunduar në mes 1826 dhe 1827. Menjëherë pas kësaj, piktura “Vdekja e Sardanapalus” portretizon mbretin e famshëm të rrethuar Asir, ndërsa ai vëzhgon ushtarët që vrasin konkubinat e tij dhe shërbëtorët e tij.
Më 1829 Eugène Delacroix pikturoi “Vrasja e Peshkopit të Liège”, një përqëndrim i temave romantike të frymëzuara nga Walter Scott në të cilin përfaqësohet vrasja e Louis of Bourbon.
Piktura më e famshme nga Eugène Delacroix
Një vit tjetër, në vend të kësaj, ai përfundon atë që do të konsiderohet njëzëri, puna e tij më e rëndësishme, përkatësisht “Liria që udhëheq popullin”; në pikturën e tij më të famshme, parizianët shihen në krah ndërsa marshojnë duke mbajtur flamurin francez trengjyrësh: në plan të parë shtrihen kufomat e ushtarëve që veprojnë si kundërpeshë ndaj gruas që përfaqëson pavarësinë dhe lirinë.
Piktura është blerë nga qeveria franceze, megjithëse konsiderohet tepër revolucionare nga disa zyrtarë që, rrjedhimisht, parandalojnë shfaqjen e saj publike.
Udhëtimi për në Afrikën e Veriut
Më 1832 Delacroix, pas pushtimit francez të Algjerisë, shkoi në Afrikën e Veriut pasi kishte kaluar nga Spanja, duke qenë pjesë e një misioni diplomatik në Marok: këtu ai nuk iu përkushtua shumë studimit të artit vendor, por më thjeshtë, ai ka mundësinë që të shkëputet nga mjedisi shtypës parizian, ndërsa gëzon mundësinë për të rënë në kontakt me një kulturë të lashtë.
I frymëzuar dhe i lirë, gjatë këtij udhëtimi ai përfundon më shumë se njëqind vizatime dhe piktura të ndikuara nga popullsia vendase, prej nga ai mbetet i futur. Në Algjer, për shembull, ai portretizon disa gra pa u zbuluar (është piktura “Gratë e Algjerisë në banesat e tyre”), por padyshim se ai duhet të merret me vështirësitë në gjetjen e grave myslimane në dispozicion për t’u shfaqur. Në Tangier, në vend të kësaj, ai krijon disa skica të qytetit.
Kthimi në Paris
Nga viti 1833 e tutje artisti francez ishte marrësi i një numri të madh projektesh që synonin të dekoronin ndërtesa të ndryshme publike në qytetin e Parisit: në atë kohë ai filloi të punojë në Dhomën e Deputetëve të Palazzo Borbone, në Salon du Roi, dhe më vonë ai gjithashtu merret me afreskimin e bibliotekës së Palazzo del Lussemburgo dhe atë të Palazzo Borbone.
Më 1834 ai përshëndeti Jeanne-Marie le Guillou, qeveria e cila do të kujdeset për të për pjesën tjetër të ditëve të tij, duke kontribuar në mbrojtjen e intimitetit të tij me respekt dhe përkushtim. Më 1838 ai ekspozoi në Sallonin “Furia e Medeas”, duke shkaktuar një ndjesi të thellë: të përfaqësohesh është një skenë e marrë nga mitologjia Greke, në të cilën njeriu e sheh Medejën në aktin e grabitjes së fëmijëve të saj për t’i vrarë ata me një kamë që është e pangopur dhe duke marrë hak, në këtë mënyrë, ndaj braktisjes së Jasonit.
Gjithashtu kjo pikturë është blerë nga Shteti, që më pas do të dërgohet në Lille, në Muzeun e Arteve të Bukura (megjithëse Eugène Delacroix do të preferonte që ajo të ekspozohej, së bashku me “Masakrën e Scio” dhe “Varkën e Dantes”) në Galerinë e Luksemburg).
Dekori i Kishës së Saint-Denis del Santo Sacramento daton që nga 1843, duke përfshirë një “Mëshira” të madhe; në fund të viteve 1940 Delacroix punoi në tavanin e galerisë Apollo në Louvre: ndërkohë, përveç shtëpisë së tij pariziane, piktori kishte filluar të frekuentonte një vilë në fshatin Champrsay, ku mund të pushonte larg nga mundi i qytetit.
Vitet e fundit
Duke filluar nga 1857 ai është i përkushtuar për Kapelën e Agnes në Saint-Sulpice. Në ndërkohë, ai duhet të përballet me gjedjen shëndetësore, të përkeqësuar nga angazhimi i rëndë që sjell kjo lloj pune. Më 1862 Delacroix merr pjesë në krijimin e Société Nationale des Beaux-Arts, nga të cilat bëhet mik i tij Théophile Gautier: në komitet ka edhe Puvis de Chavannes dhe Carrier-Belleuse, ndërsa lista e ekspozuesve përfshin, ndër të tjera, Gustave Doré dhe Léon Bonnat.
Eugène Delacroix vdiq më 13 gusht 1863 në Paris: trupi i tij u varros në varrezat Père Lachaise. /KultPlus.com
Njëzet e dy vepra arti me drita do ta shndërrojnë Sofjen në një galeri të hapur në mbrëmje nga 9 deri më 12 maj 2024 gjatë edicionit të tretë të Festivalit Hënor të Dritës, thanë organizatorët. Programi përfshin hartën e projeksionit me video dhe statike, instalime drite, përvoja zhytëse dhe një shfaqje me laser, e cila do të ndriçojë disa nga ndërtesat dhe parqet e njohura të Sofjes.
Më shumë se 20 artistë nga e gjithë bota do të prezantojnë artin e tyre në rrugën e ecjes prej 4,5 kilometrash. Një zonë e re e festivalit do të prezantohet për edicionin e këtij viti, në South Park 2.
Qasja në të gjitha veprat e artit do të jetë pa pagesë dhe dritat do të ndizen nga ora 21:00 deri në mesnatë në secilën nga katër netët.
Në mënyrë që banorët dhe vizitorët të shijojnë në maksimum festivalin e artit, Komuna e Sofjes do të caktojë zona për këmbësorë dhe frekuencë të shtuar të linjave të transportit publik.
Vendet e përfshira në rrugën e festivalit prej 4,5 kilometrash janë fasada e Hotel Hyatt Regency Sofia; ndërtesa e Galerisë Kombëtare; fasada e stilit të pallatit të Akademisë Bullgare të Shkencave (e cila është pjesë e programit të ngjarjes për herë të parë); Kopshti Knyazheska; Bulevardi Car Osvoboditel; Galeria Kombëtare/Pallati; fasada e Agjencisë Shtetërore të Arkivave; Largo; Muzeu Historik Rajonal; ndërtesa në rrugën 4 Knyaz Alexander I; Sheshi Slaveykov ku monumenti i Petko dhe Pencho Slavejkov do të marrë jetë për të na kujtuar lidhjen prekëse mes dy poetëve.
Në Muzeun Historik Rajonal, shtatë finalistët në edicionin e dytë të konkursit Ndërkombëtar të Hartave të Projeksionit, i cili këtë vit mbahet me temën “Mitet dhe Legjendat”, do të konkurrojnë në mënyrë krijuese. Në konkurs morën pjesë artistë nga 18 shtete dhe tre fituesit do të shpallen në natën e fundit të festivalit.
Kopshti i Qytetit do të transformohet për herë të dytë pasi të gjithë janë sfiduar të marrin pjesë në një seminar “Pikturë me dritë” (në datat 10 dhe 12 maj). Prezantuesit do të pikturojnë me dritë në hapësirë krijimet e pjesëmarrësve dhe spektatorët do të marrin në celular punimet e tyre unike.
Rruga do ta çojë audiencën në vendndodhjen e re të festivalit – South Park 2, ku tetë vepra arti do i presin të gjithë vizitorët.
Organizatori dhe ekipi kryesor artistik pas projektit është studioja bullgare e efekteve vizuale MP-STUDIO, në partneritet me një nga festivalet më të famshme të dritës në botë, ‘Festival of Lights International Productions GmbH’. Veprimtaria do të mbahet me mbështetjen e Parlamentit Evropian në Bullgari dhe Përfaqësimit të Komisionit Evropian në Bullgari, Komunës së Sofjes, Ministrisë së Turizmit dhe me mbështetjen financiare të Programit të Krijimit të Fondit Kombëtar të Kulturës./tv21/KultPlus.com
573 vite më parë, në Manastirin e Ardenicës është organizuar martesa e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu me Donikn.
Çdo 26 prill është bërë traditë që banorët e Ardenicës organizojnë festën lokale në përkujtim të dasmës së madhe. Tradita ri-inskenohet nga dy gjimnazistë te veshur me kostume popullore.
Ky organizim është një mundësi që tradita të përçohet edhe për brezat e rinj.
Ardenica është zona turistike me e rëndësishme e qytetit të Lushnjës, ndaj festa të tilla organizohen edhe për promovimin e saj.
Në këtë ditë, përveç këngëve dhe valleve popullore, organizohet edhe panairi i gatimeve tradicionale./tch/KultPlus.com