Ekspozitë në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të nobelistit Gabriel García Márquez

Në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të Gabriel García Márquez (1927-2014), më datë 26 prill 2024, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çeli një ekspozitë, e cila risjell në vëmendje krijimtarinë e shkrimtarit të mirënjohur kolumbian, botuar në gjuhën shqipe.

I konsideruar si një nga autorët më të rëndësishëm të shekullit të 20-të, veçanërisht në gjuhën spanjolle, ai u nderua me Çmimin Nobel në Letërsi në vitin 1982. Pas vdekjes së G. G. Márquez-it në prill 2014, presidenti i Kolumbisë e quajti atë “kolumbiani më i madh që ka jetuar ndonjëherë”.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Hollin kryesor të BKSH-së. / KultPlus.com

Shkëndija e magjishme e Ermonelës

Shkruan: Jonida Xhyra-Endorf

Para dy vitesh pata parë në kinema dokumentarin Fuoco sacro[1] dhe isha mrekulluar. Në kërkim të zjarrit të shenjtëtë këndimit, regjisori Jan Shmid-Garr (Schmidt-Garre)[2] fokuson me kamerën e tij gjatë provave, para dhe pas shfaqjeve, tri soprano me famë botërore: kanadezen Barbara Henigen (Hannigan *1971), lituanezen Asmik Grigorian (*1981) dhe shqiptaren Ermonela Jaho (*1974). Tri soprano nga tri kultura të ndryshme, të cilat i bashkon shkëndija e shenjtë që arrijnë t’ia përçojnë publikut.

Kanadezja Barbara Henigen, soprano dhe dirigjente njëkohësisht, ka bërë emër në interpretimin e muzikës bashkëkohore. Në dokumentar paraqitet ndër të tjera një debutim i saj, gjatë të cilit ajo dirigjon dhe këndon njëkohësisht. Lituanezja Asmik Grigorian është e pashoqe në rolin e Salomesë nga opera me të njëjtin emër e Riçard Shtrausit (Richard Strauß 1864-1949), rol i cili i dha famë brenda një nate. Ndërsa skenat me Ermonelën, të filmuara në operën e Mynihut, janë nga Madama Butterfly dhe Traviata, por vend më të gjerë zënë përgatitjet për rolin e Motër Anxhelikës (Suor Angelica) nga Triptiku (Il Trittico)[3] i Puçinit (Giacomo Puccini 1858-1924). Konkretisht ariet Senza mamma dhe ajo finale jepen të plota si në shfaqje. Shpirti i sfilitur i murgeshës e zotëron skenën nën interpretimin tronditës të sopranos shqiptare.

Qysh prej vitit 2001 Ermonela Jaho debuton rregullisht në operën e Mynihut. Ndërtesa e operës në sheshin Maks Jozef (Max Joseph), në zemër të Mynihut, është një ndërtesë e stilit klasicist, që i ngjason një tempulli grek. Shkallët e gjera dhe kolonat gjigande të stilit korintik me timpanonin e dyfishtë mbi krye e zotërojnë sheshin. Kompleksi historik i rezidencës[4] në një krah, pallati në stilin e rilindjes italiane në krahun tjetër, i cili deri në vitin 2009 ka shërbyer si postë (ndoshta posta më e bukur në botë), dalja në rrugën Maksimilian, një rrugë e kushtueshme dhe luksoze si në një dekor filmi, dhe monumenti i mbretit Maks Jozef[5] në mes të rrotullames me plloça guri, ravijëzojnë një kornizë të bukur, e cila në njëfarë mënyre “të akordon” përpara se të ngjisësh shkallët për të hyrë në ndërtesën e operës. Gjatë një shfaqjeje në janar të vitit 1823 dekori i skenës kishte marrë zjarr dhe, duke qenë se uji për të shuar zjarrin kishte ngrirë nga të ftohtët, mbreti Maks, i cili ishte i pranishëm në shfaqje, kishte dhënë urdhër që zjarri të shuhej me birrë, duke konfiskuar në vend fuçitë e birrës në birrarinë që ndodhej pranë teatrit. Me skeptrin në dorë, ulur në fronin e tij të gurtë përpara operës, ai me sa duket kishte vendosur të vigjilonte përjetësisht përpara saj. Kur del nga ndërtesa, pasi nën magjinë e muzikës ke rrugëtuar nëpër kthinat e fshehta të shpirtit, edhe në ato që përndryshe kurrsesi nuk i përshkon dot aq lehtë, sheshi të duket i magjishëm, si nga një botë tjetër. Por pikërisht ky rrugëtim është kaq kapriçioz dhe zë fill vetëm në momentet fatlume, kur shkëndija hyjnore e muzikës arrin të përçohet deri tek spektatori. Shpirti është dorështrënguar me thesaret që fsheh dhe rrëzëllimin e tyre.

E kisha ndjekur Ermonela Jahon disa herë në operën e Mynihut dhe më prekte thellë ajo prezenca e tërësishme në skenë nën petkun e çdo roli. Edhe ajri mbushej me shpirt. Motër Anxhelikën e pata parë përpara dokumentarit në fjalë, i cili filloi të shfaqej nëpër kinema në vitin 2022. Filmimet gjatë provave për arien Senza mamma me maestro Petrenkon[6] dhe ai lot i bukur i sopranos, që shkëlqente kaq qartë në ekranin e madh të kinemasë, më lanë një ndjesi të papërshkrueshme me fjalë, prandaj mezi prisja ta përjetoja sërish në skenë atë rol, tashmë edhe me ndjesitë që më kishte dhënë dokumentari.

Në mozaikun e operave të Puçinit Triptikushquhet për veçantinë e bashkimit nën një titull të tri operave njëaktëshe: Palltos (Il Tabarro) Motër Anxhelikës dhe Xhani Skiçit(Gianni Schicchi), përmbajtjet e të cilave nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Palltoja është drama e një martese të shkatërruar mes Xhorxhetës dhe Mikelit, e cila zhvillohet në mjedisin proletar të një anijeje lumore në Parisin e shekullit të 20-të. Xhani Skiçi është një komedi e trazuar sipas një episodi nga Komedia hyjnore e Dantes, qerthulli i të cilës është trashëgimia dhe makutëria për ta shtënë në dorë atë. Në mes të këtyre dy skajeve vendoset historia e trishtë e Motër Anxhelikës, një vajze të sërës së lartë, e cila syrgjynoset në një manastir, si dënim për sjelljen në jetë të një fëmije të paligjshëm.

Ngjarjet e tri operave njëaktëshe të Puçinit zhvillohen jo vetëm në mjedise krejt të ndryshme, por dhe në kohë të ndryshme, përkatësisht në fillim të shekullit të 20-të, në shekullin e 17-të dhe në shekullin e 13-të. Në shtjellën e dramaturgjisë episodike të tyre, përçuar përmes xhelozisë, mallit apo makutërisë, i mbetet dëgjuesit të kërkojë fillin e tyre lidhës emocional duke rrëmuar në shpirtin e vet. Ndoshta ky fill lidhës është dashuria për një fëmijë dhe përballja emocionale me humbjen e tij. Në operën e parë, vajza e Xhani Skiçit, Laureta, pret një fëmijë dhe për këtë arsye i përgjërohet të atit në arien e famshme O mio babbino caro(Babushi im i dashur)[7] që të gjejë një zgjidhje, si të përfitojë bashkë me të dashurin e saj nga trashëgimia e ungjit të pasur. Tek Palltoja Xhorxheta ka humbur një fëmijë, humbje e cila e ndryshon katërcipërisht martesën dhe jetën e saj. Ndërsa tek Motër Anxhelika protagonistja mëson se djali i saj i paligjshëm ka vdekur para dy vjetësh dhe për t’u bashkuar me të në parajsë ajo helmon veten. Ndoshta filli emocional qerthullon rreth të qenit i burgosur brenda një hapësire të mbyllur, brenda një anijeje tek Palltoja, një manastiri tek Motër Anxhelika apo brenda dhomës së të vdekurit tek Xhani Skiçi.

Qysh nga koha e universitetit isha një vizitore e rregullt e operës. Shkoja atje me një njeri të dashur, por po aq mirë shkoja edhe vetëm. Çmimi i biletave për nxënës dhe studentë ishte po aq sa ai i atyre të kinemasë dhe, përveç kësaj, në mbrëmje, gjysmë ore para fillimit të shfaqjes, në biletarinë e operës shiteshin për studentët biletat e mbetura. Natyrisht kjo gjë nënkuptonte që duhej të llogarisje më shumë kohë dhe të mbaje radhën. Në kokën time radha padashur ishte e lidhur me gurë dhe bidona vajguri, por çuditërisht dhe me muzikë. Dyqani i vajgurit në lagjen ku isha rritur në Elbasan ishte përbri shkollës së muzikës, në të cilën unë kisha qenë nxënëse për tetë vjet rresht. Ndryshe nga radha fjalamane e fëmijërisë, e cila më ka mbetur në kujtesë bashkë me përzierjen e tingujve në sfond, si para fillimit të një koncerti, ajo përpara operës ishte një radhë e rregullt, pa asnjë incident, një radhë për të hyrë në një botë tjetër.

Më kishte qëlluar në biletarinë e mbrëmjes, që si studente të përfitoja me çmimin e një bilete për studentë edhe bileta shumë të shtrenjta për vende në parket apo në ballkon. Pikërisht në momente të tilla, tek e shihja veten të ulur pranë ndonjë zonje, e cila përreth qafës mbante varur një gjerdan perlash, që mbulonte mbase të ardhurat e mia vjetore si studente, më fekste pa dashur ndër mend ajo radha e vajgurit.

Megjithatë vendi im i preferuar qysh nga ajo kohë dhe më pas ka mbetur galeria. Në galeri skenën dhe orkestrën i ke si në pëllëmbë të dorës dhe atmosfera është më e çlirët. Shpesh më rastiste, që në radhën e fundit, nga e cila skena nuk shihej më, në poltronat që ishin vetëm për dëgjim, të shikoja studentë të konservatorit, të cilët me partiturën përpara e ndiqnin operën nga fillimi në fund duke shfletuar me kujdes. Madje këto vende kishin dhe një dritëz të vogël për ndriçim. Ishte si të thuash një bibliotekë e një lloji të veçantë.

Këtë muaj Ermonela Jaho debutoi tri herë në Mynih me Motër Anxhelikën dhe unë pata fat ta shikoj pikërisht mbrëmjen e fundit. Ishte një mbrëmje në mënyrë të panatyrshme e ngrohtë për muajin prill dhe të dukej sikur Mynihu ishte katapultuar në gusht. Kur i hodha një sy të fundit planit të këngëtarëve debutues, që si gjithmonë është i varur në çdo kat, lexova me krenari përveç emrit të Ermonelës dhe atë të Granit Musliut, një këngëtari të ri nga Kosova, të cilin gjithashtu e kisha ndjekur në skenë. Ishte ndoshta një krenari naive, që unë megjithatë, edhe kur nuk e shprehja me fjalë, e ndieja thellë dhe më mbushte. Në vitet 2001-2002, për gjysmë viti rresht, Muzeumi i Kulturës Popullore në Mynih kishte organizuar një ekspozitë me titullin “Shqipëria – pasuria dhe larmia e një kulture të vjetër” (Albanien – Reichtum und Vielfalt alter Kultur). Po për një gjysmë viti, në metronë e universitetit mbeti i varur një poster, në të cilin shihej një malësor me kostum popullor shqiptar dhe përbri tij titulli i ekspozitës. Asokohe banoja pranë universitetit dhe më duhej ta merrja metronë mbase edhe disa herë në ditë. Megjithatë asnjëherë nuk kaloja pa i buzëqeshur së brendshmi atij malësori kryelartë, që më mbushte me një krenari të paqme, sa herë që e kundroja. Një ritual i tillë ishte pak a shumë dhe leximi i emrit të Ermonelës, megjithëse e dija fare mirë që ai ishte atje, në krye të listës.

Kisha një vend në galeri dhe rondeli në formë patkoi dukej sikur po thyhej nga larmia e ngjyrave. Skena gri në formën e një hinke ishte konceptuar nga regjia[8] si një tunel në kohë dhe mbeti e pandryshuar për të tri pjesët. Ana e hapur e hinkës parakupton të shkuarën, gryka e ngushtë të tashmen dhe fundi i saj të ardhmen, për të cilën askush nuk e di se ç’do t’i sjellë. Palltoja mbyllet me klithmën e Xhorxhetës, kur zbulon nën pallto të dashurin e vdekur. Lëkundja e anijes dhe e valëve, që perceptohet përmes lojës së orkestrës në pjesën e parë, i lë vendin tingëllimit të brishtë të kambanave në sfond, të cilat shpërfaqin atmosferën mistike të manastirit. Motra dy vjet më e madhe e Puçinit ka qenë priore në një manastir pranë vendlindjes së tij dhe, sipas biografëve të kompozitorit, kur vendosi të shkruajë operën, ai filloi të shkonte shpesh për vizitë në këtë manastir.[9]

Jeta e reglementuar e murgeshave në manastir përçon atmosferën e përshpirtshme të këtij mjedisi. Motër Kiarën e ka pickuar grerëza. Motër Anxhelika është njohëse e mirë e bimëve mjekësore dhe e di, që dhimbjen e pickimit të grerëzës mund ta qetësojë vetëm verdhashka. Trishtimi për vdekjen e murgeshës Bianka Roza nën tonet e një rekuiemi është parapërgatitës. Ndërkohë, kur murgeshat e tjera e pyesin motër Anxhelikën për një dëshirë që mund të ketë, ajo mohon çdo të tillë (sono qui per servire).[10] Megjithëse ndodh shumë pak, ngërçi dhe brenga e shpirtit të saj sikur rrinë pezull në skenë.

Lajmërimi për vizitën e princeshës, emtës së motër Anxhelikës, e bën brengën më të rrokshme, ndërkohë që kontrasti i atmosferës ndjehet përmes picikatove të orkestrës. Është pikërisht kjo emtë, e cila vendosi që e mbesa, për të larë mëkatin e sjelljes në jetë të një fëmije të paligjshëm, të mbyllet në manastir. Emta kërkon nga motër Anxhelika miratimin për heqjen dorë nga pasuria në favor të motrës së saj më të vogël, Ana Violës, e cila së shpejti do të martohet. Habia e bukur e motër Anxhelikës, që motra e saj më e vogël po martohet, është e vetmja rreze dielli në këtë atmosferë të rëndë. Qashtërsia e habisë së motër Anxhelikës (la piccola Anna Viola, la sorellina, la piccina)[11] tretet si një pikë uji në shkretëtirë në pyetjet vijuese për të birin. Karshi këtyre pyetjeve drithëruese (Perchè tacete? Perchè? Perchè? È morto?)[12] të një shpirti të vuajtur emta qëndron pa lëvizur, me një ngurtësi të frikshme, sikur të ishte një shtyllë betoni. Klithma e motër Anxhelikës për vdekjen e të birit të rrëqeth shpirtin. Mua pa dashur më jehoi ndër mend vajtimi i Ajkunës “T’u shkimtë drita ty, o mori hanë!”. Bashkë me të edhe grimca kujtimesh nga fëmijëria, kur një nëne i ndodhte një fatkeqësi e tillë, dhe dëgjoja të thonin se ishte zemërplasur, shpirtpërvëluar. Ishin fjalë që nuk i përktheja dot. Në filmin dokumentar të sipërpërmendur Ermonela Jaho sqaron, që në këtë klithmë ishte dhimbja për humbjen e prindërve, të cilët u larguan nga jeta brenda një kohe të shkurtër njëri pas tjetrit. Aty në skenë ajo ishte piskama e gjamës, e humbjes pa kthim, që në rastin fatlum, kur arrinte ta përçonte atë shkëndijën hyjnore përmes muzikës, ishte balsam për shpirtin, për shpirtin e secilit në sallë, me humbje apo dhimbje nga më të ndryshmet.

Një marsh i qetë dhe i trishtuar i paraprin aries Senza mamma, e cila është diçka midis një ninulle dhe një vajtimi të pashpresë (E tu sei morto senza sapere quanto t’amava questa tua mamma!)[13] Në fillim të aries sopranoja qëndron akoma e shtrirë dhe pa lëvizur në pozicionin pas klithmës së dhimbjes. Melodia është e mbushur me një mall të pikëlluar dhe ngërçin e një shpirti të humbur. Në dokumentar, gjatë provave për këtë skenë, dirigjenti Petrenko, pa e fshehur mallëngjimin e tij, i thotë Ermonelës, se në këtë pianissimo të saj ai bashkë me orkestrën do të zhduket krejt në sfond. Nën lojën e reduktuar të orkestrës rrathët e pikëllimit përhapen heshtur si sumbulla loti bashkë me thirrjen që motër Anxhelika i drejton të birit për të folur me të në fund të aries (Parlami, parlami, amore, amore, amor!)[14]

Është një ninullë, një vajtim apo një ninullë-vajtim? Në një punim për vajtimet studiuesi Ramadan Sokoli i krahason këto të fundit “me ato lulet e egra që mbijnë vetvetiu nëpër varreza e çelin ndërmjet fijeve të barit, ku qëndrojnë përkohësisht pa i vaditur askush, derisa të veniten e t’u bien gjethet përtokë.”[15] Pas aries Senza mamma atmosfera sakrale bëhet shumë e ndjeshme për të dominuar më pas arien finale. Motër Anxhelika përgatit helmin dhe gjatë përgatitjes së tij duket sikur ngërçi çlirohet shkurt. Shumë shpejt ajo ndërgjegjësohet për mëkatin e kryer dhe dhimbja bëhet shpërthyese: “Ah, son dannata!”[16] Motër Anxhelika i lutet Shën Mërisë që të mos e dënojë, por ta bashkojë me të birin lart në qiell. Lutja e saj pranohet. Nën zërat e engjëjve qielli hapet dhe motër Anxhelikës i fanepset i biri që vjen ta marrë. Zgjidhja e regjisë është që në vend të vegimit të Shën Mërisë, pas vogëlushit qëndron emta me ngurtësinë e saj të pashoqe.

Krijohet një atmosferë e frikshme, e cila skajohet deri në një ekstazë religjioze dhe nën ngulçet e një shpirti të torturuar që largohet kësaj bote ndjehen dy glisandot e fundit, dy oi që të hyjnë nën lëkurë. Edhe herën e parë kur e kisha parë operën, ato dy oi më kishin drithëruar shpirtin. Në një intervistë pas shfaqjes së Triptikut në Barcelonë[17] Ermonela Jaho i quan ato dy oi një vajtim të shpirtit të saj për humbjen e prindërve, duke përmendur vajet me oi të nënave shqiptare të Jugut.[18] Ishin pikërisht ato dy oi, që shponin aq thellë, që arrinin deri tek dhimbja e humbjes dhe ishin njëkohësisht balsam për të, një katarsis shpirtëror, sado e ndryshme të ishte dhimbja e humbjes tek secili në publik. Në skenën e fundit të dokumentarit, duke dëgjuar arien finale të motër Anxhelikës të kënduar nga ajo vetë, Ermonela Jaho na jep mundësinë, përtej rolit, të përjetojmë katarsisin e saj. Natyrisht në shqip. Është vërtet një fat i rrallë, një moment brilant i papërsëritshëm. Nga duartrokitjet për motër Anxhelikën, pas përfundimit të Xhani Skiçit, kur e gjithë trupa doli në skenë për t’u përkulur para publikut, ndjehej, që shumë në sallë kishin mbetur shpirtërisht tek ajo dhimbja e humbjes pa kthim, tek ato dy oi të pakrahasueshme, të pangjashme, të patjetërsueshme të Ermonelës.

Pas një mbrëmjeje të tillë, kur në ditët vijuese kllapa e të përditshmes me stresin dhe vogëlsirat e saj më shtrëngonte fort, mua më dukej sikur mund të përballoja më lehtë gjithçka, kur kisha mundësi të çukisja nga pak me kursim atë ç’ka kisha përjetuar, rrëzëllimin e magjishëm të shkëndijës hyjnore të muzikës.

Në ritualin tim të zakonshëm, kur dilja nga teatri, i hidhja gjithmonë një sy mbretit Maks në fronin e tij të gurtë. Me skeptër në dorë ai vigjilonte heshturazi, por i patundur në misionin e tij për ta mbrojtur me çdo kusht teatrin, qoftë edhe duke sakrifikuar birrën, e cila në Bavari nuk ishte thjesht një pije alkoolike, por bënte pjesë tek ushqimet bazë, sikurse dhe buka. Ndoshta ngaqë ai dhe bashkëkohësit e tij e kishin ditur që foleja e shkëndijës hyjnore, teatri, ishte po aq i rëndësishëm sa buka dhe birra, sepse përcillte në të gjitha kohërat shpresën që njerëzit, pasi të dilnin prej andej, të bëheshin pakëz më të mirë me njëri-tjetrin. / KultPlus.com

[1] Schmidt-Garre, Jan (2021) Fuoco sacro. Suche nach dem heiligen Feuer des Gesanges. Barbara Hannigan, Asmik Gregorian, Ermonela Jaho.

[2] Jan Schmidt-Garre (*1962) regjisor dhe producent gjerman.

[3] Triptiku i Puçinit është shfaqur për herë të parë në vitin 1918 në Nju Jork.

[4] Rezidenca e dikurshme e fisnikërisë bavareze në qendër të Mynihut është një kompleks ndërtesash, që sot shërben si një nga muzeumet më të rëndësishme të artit në Europë.

[5] Max Joseph (1756-1825) nga dera e Vitelsbahëve (Wittelsbach).

[6] Kirill Petrenko (*1972), një dirigjent ruso-austriak, i cili qysh prej vitit 2019 drejton Filarmoninë e Berlinit.

[7] Në rolin e Lauretës debuton sopranoja francezo-daneze Elsa Dreisig (*1991).

[8] Regjia e Triptikut është realizuar nga regjisorja hollandeze Lotte von de Beer (*1981).

[9] Marotti, Guido & Pagni, Ferruccio (2008) Giacomo Puccini als Freund. Detmold, f. 84v.

[10] Ilustrimet nga libreti janë marrë nga linku i mëposhtëm, i cili në vijim do të citohet shkurt libreti: https://www.murashev.com/opera/Il_trittico_(Il_tabarro,_Suor_Angelica,_Gianni_Schicchi)_libretto_Italian_German

[11] Po aty.

[12] Po aty.

[13] Po aty.

[14] Po aty.

[15] Sokoli, Ramadan (2007) Gjamët, vajtimet e përmotshme dhe elegjitë. Në: Gjurmime albanologjike: folklor dhe etnologji, 2007/37, f.11.

[16] Libreti, shih më sipër.

[17] https://www.youtube.com/watch?v=N5Nxr0Vx9Xk&t=543s

[18] Në artikullin e sipërpërmendur studiuesi Ramadan Sokoli shpjegon: “P.sh. nga  pikëpamja  muzikore,  në  Shqipërinë  Jugore, kemi kryesisht dy stile vajtimesh: ‘me zë dhe me bote’. Jonet e vajtueshme  ‘me  zë’  shtjellohen  me  një  gorgezh  tipik  nëpërmjet  shkapërdimeve  mbi  disa  rrokje  ose  pasthirrma,  duke  kaluar  nga  regjistri  i  gjoksit në regjistrin e kokës (pak a shumë si tek i ashtuquajturi ‘jodler’, i alpeve të Evropës Qendrore). Zakonisht shkapërcimet e këtij gorgezhi bëhen në intervalin e sekstës së madhe apo septimës së vogël me rrokjen ‘oi’.  Ky  element  tipik  që  ndihet  edhe  në  muzikën  instrumentale  të  Shqipërisë  Jugore,  sidomos  ndër  pjesët  e  ashtuquajtura  ‘e  qarë’ ose  ‘kaba’,  vritet  në  mbarim  të  çdo  vargu,  por  rëndom  edhe  në  mes  të  vargjeve.” (f. 39)

Pajisja e re mjekësore në Kosovë, Jahjaga: Një teknologji e para këtij lloji që do të ndryshojë jetën e pacientëve


Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, së fundmi ka bërë të ditur se është inauguruar skaneri “Spect/Pet/Ct” në klinikën e mjekësisë nukleare, përcjellë KultPlus.

”Për vite me radhë, qytetarët e Kosovës kanë udhëtuar jashtë shtetit për diagnostikimet e nevojshme. Nga sot, kjo nuk do të jetë e nevojshme, pasi që ky shërbim do të kryhet në pragun e shtëpisë së çdo qytetari në nevojë, duke ulur kostot dhe përmirësuar ndjeshëm cilësinë e kujdesit shëndetësor”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.

Më poshtë gjeni postimin e plotë:

Me shumë krenari sot inauguruam skanerin SPECT/PET/CT në vlerë të 1.5 milion Eurove në Klinikën e Mjekësisë Nukleare, një teknologji e para këtij lloji në ShSKUK që do të ndryshojë jetën e pacientëve dhe familjeve të tyre. Kjo arritje, e cila nuk është e para dhe as nuk do të jetë e fundit, është bërë e mundur falë bashkëpunimit të jashtëzakonshëm mes Fondacionit Jahjaga dhe Fondacionit Filantropik Alwaleed në Riyadh të Arabisë Saudite, të udhëhequr nga Lartësia e Tij, Princi Alwaleed Bin Talal AlSaud. 🤝

Për vite me radhë, qytetarët e Kosovës kanë udhëtuar jashtë shtetit për diagnostikimet e nevojshme. Nga sot, kjo nuk do të jetë e nevojshme, pasi që ky shërbim do të kryhet në pragun e shtëpisë së çdo qytetari në nevojë, duke ulur kostot dhe përmirësuar ndjeshëm cilësinë e kujdesit shëndetësor.

Jam e bindur se ky është vetëm fillimi i shumë arritjeve të tjera që do të realizojmë së bashku! Së bashku për një të ardhme më të shëndetshme dhe më të lumtur për të gjithë qytetarët tanë.

Gjithmonë përpara, për një Kosovë më të mirë për të jetuar!
📷 Ekrem Krasniqi / KultPlus.com

226 vite nga lindja e piktorit të shquar francez, Eugène Delacroix

Ferdinand Victor Eugène Delacroix, artist dhe piktor francez, lindi më 26 Prill 1798 në Charenton-Saint-Maurice, Francë, në departamentin e Luginës së Marne, jo larg nga Parisi. Ai mbaroi studimet e para, duke u bërë i dashur për klasikët e leximit, në shkollën e mesme Louis-le-Grand, ndërsa në 1815 filloi mësimin e tij me Pierre-Narcisse Guérin, duke admiruar Zhak-Louis David dhe stilin e tij neoklasik.

Më 1819 atij  iu porosit një pikturë me temë fetare, “Virgjëresha e Mesisë”, në të cilën mund të shihet një ndikim rafaelian, ndërsa nja dy vjet më vonë daton “Virgjëresha e Zemrës së Shenjtë”. I interesuar për stilin shumëngjyrësh dhe të hijshëm të Pieter Paul Rubens, ai është shumë i mahnitur nga “Rrapi i Meduzës” nga miku i tij Théodore Géricault, i cili e çon atë të bëjë “Varka e Dantes”, veprën e tij të parë të shkëlqyeshme që do të pranohet, më 1822, në Sallonin e Parisit: piktura Delacroix bën bujë dhe nuk vlerësohet nga bota akademike, pavarësisht se është blerë nga Galeria e Luksemburgut.

Më 1825 Eugène Delacroix bëri një udhëtim në Britaninë e Madhe, ku ai ishte në gjendje të vizitonte Richard Bonington dhe Thomas Lawrence: gjatë kësaj përvoje ai zbuloi me kuriozitet përdorimin e ngjyrës tipike të artit britanik të asaj periudhe, që e çoi atë të hartojë dhe përfundojë “Portretin e Louis-Auguste Schwiter”, portreti i vetëm i dimensioneve imponuese të jetës së tij.

Ndërkohë, ai iu përkushtua edhe bërjes së litografive që përshkruanin vepra nga William Shakespeare dhe vizatimin frymëzues nga “Faust” i Goethe; temat e dhunshme dhe sensuale shfaqen në “Lufta e Gjaurit dhe Hasanit” dhe në “Gruaja me papagall”, përfunduar në mes 1826 dhe 1827. Menjëherë pas kësaj, piktura “Vdekja e Sardanapalus” portretizon mbretin e famshëm të rrethuar Asir, ndërsa ai vëzhgon ushtarët që vrasin konkubinat e tij dhe shërbëtorët e tij.

Më 1829 Eugène Delacroix pikturoi “Vrasja e Peshkopit të Liège”, një përqëndrim i temave romantike të frymëzuara nga Walter Scott në të cilin përfaqësohet vrasja e Louis of Bourbon.

Piktura më e famshme nga Eugène Delacroix

Një vit tjetër, në vend të kësaj, ai përfundon atë që do të konsiderohet njëzëri, puna e tij më e rëndësishme, përkatësisht “Liria që udhëheq popullin”; në pikturën e tij më të famshme, parizianët shihen në krah ndërsa marshojnë duke mbajtur flamurin francez trengjyrësh: në plan të parë shtrihen kufomat e ushtarëve që veprojnë si kundërpeshë ndaj gruas që përfaqëson pavarësinë dhe lirinë.

Piktura është blerë nga qeveria franceze, megjithëse konsiderohet tepër revolucionare nga disa zyrtarë që, rrjedhimisht, parandalojnë shfaqjen e saj publike.

Udhëtimi për në Afrikën e Veriut

Më 1832 Delacroix, pas pushtimit francez të Algjerisë, shkoi në Afrikën e Veriut pasi kishte kaluar nga Spanja, duke qenë pjesë e një misioni diplomatik në Marok: këtu ai nuk iu përkushtua shumë studimit të artit vendor, por më thjeshtë, ai ka mundësinë që të shkëputet nga mjedisi shtypës parizian, ndërsa gëzon mundësinë për të rënë në kontakt me një kulturë të lashtë.

I frymëzuar dhe i lirë, gjatë këtij udhëtimi ai përfundon më shumë se njëqind vizatime dhe piktura të ndikuara nga popullsia vendase, prej nga ai mbetet i futur. Në Algjer, për shembull, ai portretizon disa gra pa u zbuluar (është piktura “Gratë e Algjerisë në banesat e tyre”), por padyshim se ai duhet të merret me vështirësitë në gjetjen e grave myslimane në dispozicion për t’u shfaqur. Në Tangier, në vend të kësaj, ai krijon disa skica të qytetit.

Kthimi në Paris

Nga viti 1833 e tutje artisti francez ishte marrësi i një numri të madh projektesh që synonin të dekoronin ndërtesa të ndryshme publike në qytetin e Parisit: në atë kohë ai filloi të punojë në Dhomën e Deputetëve të Palazzo Borbone, në Salon du Roi, dhe më vonë ai gjithashtu merret me afreskimin e bibliotekës së Palazzo del Lussemburgo dhe atë të Palazzo Borbone.

Më 1834 ai përshëndeti Jeanne-Marie le Guillou, qeveria e cila do të kujdeset për të për pjesën tjetër të ditëve të tij, duke kontribuar në mbrojtjen e intimitetit të tij me respekt dhe përkushtim. Më 1838 ai ekspozoi në Sallonin “Furia e Medeas”, duke shkaktuar një ndjesi të thellë: të përfaqësohesh është një skenë e marrë nga mitologjia Greke, në të cilën njeriu e sheh Medejën në aktin e grabitjes së fëmijëve të saj për t’i vrarë ata me një kamë që është e pangopur dhe duke marrë hak, në këtë mënyrë, ndaj braktisjes së Jasonit.

Gjithashtu kjo pikturë është blerë nga Shteti, që më pas do të dërgohet në Lille, në Muzeun e Arteve të Bukura (megjithëse Eugène Delacroix do të preferonte që ajo të ekspozohej, së bashku me “Masakrën e Scio” dhe “Varkën e Dantes”) në Galerinë e Luksemburg).

Dekori i Kishës së Saint-Denis del Santo Sacramento daton që nga 1843, duke përfshirë një “Mëshira” të madhe; në fund të viteve 1940 Delacroix punoi në tavanin e galerisë Apollo në Louvre: ndërkohë, përveç shtëpisë së tij pariziane, piktori kishte filluar të frekuentonte një vilë në fshatin Champrsay, ku mund të pushonte larg nga mundi i qytetit.

Vitet e fundit

Duke filluar nga 1857 ai është i përkushtuar për Kapelën e Agnes në Saint-Sulpice. Në ndërkohë, ai duhet të përballet me gjedjen shëndetësore, të përkeqësuar nga angazhimi i rëndë që sjell kjo lloj pune. Më 1862 Delacroix merr pjesë në krijimin e Société Nationale des Beaux-Arts, nga të cilat bëhet mik i tij Théophile Gautier: në komitet ka edhe Puvis de Chavannes dhe Carrier-Belleuse, ndërsa lista e ekspozuesve përfshin, ndër të tjera, Gustave Doré dhe Léon Bonnat.

Eugène Delacroix vdiq më 13 gusht 1863 në Paris: trupi i tij u varros në varrezat Père Lachaise. /KultPlus.com

​Festivali Hënor i Dritës në Sofje mbahet nga 9 deri 12 maj

Njëzet e dy vepra arti me drita do ta shndërrojnë Sofjen në një galeri të hapur në mbrëmje nga 9 deri më 12 maj 2024 gjatë edicionit të tretë të Festivalit Hënor të Dritës, thanë organizatorët. Programi përfshin hartën e projeksionit me video dhe statike, instalime drite, përvoja zhytëse dhe një shfaqje me laser, e cila do të ndriçojë disa nga ndërtesat dhe parqet e njohura të Sofjes.

Më shumë se 20 artistë nga e gjithë bota do të prezantojnë artin e tyre në rrugën e ecjes prej 4,5 kilometrash. Një zonë e re e festivalit do të prezantohet për edicionin e këtij viti, në South Park 2.

Qasja në të gjitha veprat e artit do të jetë pa pagesë dhe dritat do të ndizen nga ora 21:00 deri në mesnatë në secilën nga katër netët.

Në mënyrë që banorët dhe vizitorët të shijojnë në maksimum festivalin e artit, Komuna e Sofjes do të caktojë zona për këmbësorë dhe frekuencë të shtuar të linjave të transportit publik.

Vendet e përfshira në rrugën e festivalit prej 4,5 kilometrash janë fasada e Hotel Hyatt Regency Sofia; ndërtesa e Galerisë Kombëtare; fasada e stilit të pallatit të Akademisë Bullgare të Shkencave (e cila është pjesë e programit të ngjarjes për herë të parë); Kopshti Knyazheska; Bulevardi Car Osvoboditel; Galeria Kombëtare/Pallati; fasada e Agjencisë Shtetërore të Arkivave; Largo; Muzeu Historik Rajonal; ndërtesa në rrugën 4 Knyaz Alexander I; Sheshi Slaveykov ku monumenti i Petko dhe Pencho Slavejkov do të marrë jetë për të na kujtuar lidhjen prekëse mes dy poetëve.

Në Muzeun Historik Rajonal, shtatë finalistët në edicionin e dytë të konkursit Ndërkombëtar të Hartave të Projeksionit, i cili këtë vit mbahet me temën “Mitet dhe Legjendat”, do të konkurrojnë në mënyrë krijuese. Në konkurs morën pjesë artistë nga 18 shtete dhe tre fituesit do të shpallen në natën e fundit të festivalit.

Kopshti i Qytetit do të transformohet për herë të dytë pasi të gjithë janë sfiduar të marrin pjesë në një seminar “Pikturë me dritë” (në datat 10 dhe 12 maj). Prezantuesit do të pikturojnë me dritë në hapësirë krijimet e pjesëmarrësve dhe spektatorët do të marrin në celular punimet e tyre unike.

Rruga do ta çojë audiencën në vendndodhjen e re të festivalit – South Park 2, ku tetë vepra arti do i presin të gjithë vizitorët.

Organizatori dhe ekipi kryesor artistik pas projektit është studioja bullgare e efekteve vizuale MP-STUDIO, në partneritet me një nga festivalet më të famshme të dritës në botë, ‘Festival of Lights International Productions GmbH’. Veprimtaria do të mbahet me mbështetjen e Parlamentit Evropian në Bullgari dhe Përfaqësimit të Komisionit Evropian në Bullgari, Komunës së Sofjes, Ministrisë së Turizmit dhe me mbështetjen financiare të Programit të Krijimit të Fondit Kombëtar të Kulturës./tv21/KultPlus.com

“Dasma e Skënderbeut”, festa e përvitshme me vënien në skenë të martesës në Ardenicë

573 vite më parë, në Manastirin e Ardenicës është organizuar martesa e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu me Donikn.

Çdo 26 prill është bërë traditë që banorët e Ardenicës organizojnë festën lokale në përkujtim të dasmës së madhe. Tradita ri-inskenohet nga dy gjimnazistë te veshur me kostume popullore.

Ky organizim është një mundësi që tradita të përçohet edhe për brezat e rinj.

Ardenica është zona turistike me e rëndësishme e qytetit të Lushnjës, ndaj festa të tilla organizohen edhe për promovimin e saj.

Në këtë ditë, përveç këngëve dhe valleve popullore, organizohet edhe panairi i gatimeve tradicionale./tch/KultPlus.com

“Ka Ende Nesër” – Filmi italian që ia kaloi “Barbie” sa i përket fitimeve

“Barbie” i Greta Gerwig mund të jetë filmi më i suksesshëm financiarisht i drejtuar ndonjëherë nga një regjisore femër dhe filmi me fitimin më të madh gjatë vitit 2023.

Por ai u mposht në të ardhura në Itali nga një film tjetër, i realizuar gjithashtu nga një grua dhe që flet drejtpërdrejt në lidhje me përvojën femërore.

‘There’s Still Tomorrow’ (C’è Ancora Domani), nga aktorja, shkrimtarja dhe këngëtarja 50-vjeçare Paola Cortellesi, tani po publikohet në të gjithë Evropën, përfshirë Britaninë e Madhe. Filmi u bë një fenomen në Itali vitin e kaluar, duke marrë prodhuar më shumë para se Barbie dhe Oppenheimer.

Që nga muaji i kaluar, ai kishte nxjerrë rreth 31.5 milion paund në kinema, ishte filmi më i madh në vend i vitit 2023 dhe filmi më i suksesshëm i realizuar ndonjëherë nga një grua italiane. Cortellesi i thotë BBC News se ende nuk mund ta besojë suksesin e tij.

“Askush nuk mund ta kishte parashikuar ndonjëherë valën e pjesëmarrjes dhe dashurisë nga audienca për këtë film,” thotë ajo.

“Unë kam qenë aktore për gati 30 vjet, dhe kam shkruar skenarë për 10 vitet e fundit, tani kam bërë filmin tim të parë në moshën 50-vjeçare. Dhe për të ndarë ekranin dhe paratë me një film të madh si Barbie, që gjithashtu ka të bëjë me përvojat e grave, duhet të jetë një gjë e mirë.”

Megjithatë, një pjesë e arsyes që ‘There’s Still Tomorrow’ mund të ketë arritur një rekord të tillë në Itali, është se heroina, Delia, (e luajtur gjithashtu nga Cortellesi) vuan abuzim të dhunshëm fizik dhe emocional nga i shoqi.

Në film, Delia është një shtëpiake dhe nënë që jeton në varfëri në Romën e pasluftës në vitin 1946, viti kur gratë italiane morën për herë të parë pjesë në votime.

Megjithatë, historia e filmit rezonon me audiencën bashkëkohore italiane. Sipas statistikave të fundit të policisë, 120 gra u vranë në Itali në vitin 2023 , rreth një në çdo tre ditë. Raporti tha se pak më shumë se 50% e tyre u vranë nga partnerët ose ish-partnerët. Një e katërta e tyre u vranë nga fëmijët e tyre – në 89% të atyre rasteve, ishte djali i tyre.

Çështja e femicidit shpërtheu në Itali në nëntor 2023, disa javë pas publikimit të ‘There’s Still Tomorrow’. Protesta masive u zhvilluan për vrasjen e studentes 22-vjeçare Giulia Cecchettin, e dyshuar se u vra nga ish-i dashuri i saj, i cili është në pritje të gjyqit.

Funerali i saj u ndoq nga mijëra njerëz dhe vdekja e saj shkaktoi protesta të mëdha dhe thirrje për më shumë mbrojtje për gratë. Cortellesi thotë se filmi i saj tenton pjesërisht të eksplorojë një mentalitet kulturor që ajo argumenton se “ka vazhduar për mijëvjeçarë”.

Të ashtuquajturat “krime pasioni” u kriminalizuan në Itali vetëm në vitin 1981 dhe në korrik 2023, gjyqtarët në Romë u bënë tituj në mbarë botën kur një kujdestar shkolle u lirua nga akuza për përkëdheljen e një nxënëseje 17-vjeçare, sepse sulmi seksual zgjati më pak se dhjetë sekonda.

Një “kërkim i shkurtër” është bërë trend në Instagram dhe TikTok në Itali, së bashku me hashtagun #10secondi.

“Tema e vrasjes së grave është fatkeqësisht shumë, shumë aktuale, veçanërisht në Itali,” shpjegon Cortellesi.

“Por femicidja është shpesh fundi tragjik i diçkaje që nuk fillon në atë mënyrë. Ajo që ne nuk dimë është historia që kulmon me një akt të tmerrshëm dhune dhe një vdekje të një gruaje çdo 72 orë në Itali. Ne mundemi vetëm konkludojmë një histori dhune e cila shpesh as nuk u paraqitet autoriteteve para se të përshkallëzohet.”

Regjisorja thotë se temat e dhunës ndaj grave kanë qenë pjesë e skenarit të saj prej vitesh, si dhe në punën e saj në skenë dhe ekran si aktore, ndonëse thotë se nuk e ka përjetuar vetë.

“Doja të bëja një film bashkëkohor të vendosur në të kaluarën në mënyrë që të krahasoja çfarë ka ndryshuar dhe çfarë ka mbetur e njëjtë,” shpjegon ajo.

“Ne tani, si gra, mund të kemi disa të drejta dhe garanci, por ajo që nuk ka ndryshuar në shoqëri është ky mentalitet që shtrembëron dashurinë dhe e kthen atë në zotërim. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për edukim më të mirë.”

“There’s Still Tomorrow” mund të zhvillohet në vitin 1946, xhiruar bardhë e zi (një shenjë për kineastët klasikë italianë të periudhës) dhe trajton një temë si dhuna në familje, por një humor ironik ende përshkon historinë, diçka që regjisorja thotë se beson se ka ndihmuar audiencën të lidhet me filmin.

“Kur kam shkruar skenarë në të kaluarën, kam përdorur të njëjtën lloj gjuhe,”, thotë ajo.

“Nuk është komedi në vetvete, është përdorimi i gjuhës së komedisë për të folur për disa tema shumë serioze. Mendoj se duke përdorur humorin mund t’i hapni këto tema. Ju e dini që njerëzit do të shpresojnë të empatizohen dhe të marrin anën e heroinës suaj, pa qenë unë konfrontues në gjuhën time kinematografike.”

Kur ‘There’s Still Tomorrow’ u shfaq për herë të parë në Itali, botimi i industrisë në gjuhën angleze Screen Daily e quajti atë “një përrallë sentimentale të vuajtjes dhe vetëflijimit”, duke shtuar se Cortellesi “e ekzekuton atë me stil”.

“Dhuna në familje… nganjëherë koreografizohet në një kërcim grotesk dhe befasues,” tha kritiku i Screen Daily, Allan Hunter , duke shtuar: “Momentet romantike më të tej mbushura janë nën ndikimin e … humorit të thatë”./BBC/KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës me dy shfaqje në New York

Baleti Kombëtar i Kosovës, do të realizojë edhe një paraqitje tjetër të rëndësishme ndërkombëtare.

Përveç premierës “Tango Nights” e cila do të shfaqet si premierë në New York të SHBAve në datën 31 maj, BKK në po të njejtin qytet, me dt 6 qershor, do të shfaq edhe baletin “Shtegtimi”, shfaqje kjo e cila është dhënë si premierë në Kalabri të Italisë, vitin e kaluar. / KultPlus.com

Hyn në fuqi udhëzimi administrativ, në cigare do të vendosen ilustrime për efektet negative

Të enjten ka hyrë në fuqi Udhëzimi Administrativ që përcakton rregullat për vendosjen e fotografive apo ilustrimeve të tjera dhe tekstit – mesazhit informues për efektet negative të duhanit, në paketimet e produkteve të duhanit dhe të ndërlidhura me duhanin.

Ky udhëzim derivon nga Ligji për Kontrollin e Duhanit, dhe u nënshkruar nga ministri i Shëndetësisë.Sipas MSH-së, aplikimi i vërejtjeve të kombinuara apo paralajmërimeve për rreziqet nga duhani është masë që, bazuar në dëshmitë shkencore, në vende të ndryshme ku është aplikuar, ka ndikuar në uljen e përdorimit të duhanit, sidomos nga të rinjtë.

“Përmes vendosjes së vërejtjeve shëndetësorë në produktet e duhanit synohet të ngritën njohuritë e duhanpirësve për efektet shëndetësore negative që shkakton përdorimi i produkteve të duhanit dhe, gjithashtu, synohet të inkurajohet ndërprerja e pirjes së duhanit si dhe dekurajimi i nisjes ose ri-nisjes së pirjes së duhanit”, thuhet në komunikatën e MSH-së.

 / KultPlus.com

Rama takohet me Bekim Jasharin, diskutojnë për krijimin e monumentit të Adem Jasharit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se është takuar me Bekim Jasharin, për të folur për krijimin e monumentit të heroit Adem Jashari.

Rama është shprehur se ka qenë kënaqësi të bisedojnë me Jasharin për zgjedhjen e lokacionit dhe angazhimin e familjes Jashari në procesin e krijimit e monumentit të Adem Jasharit.

“Për kryeqytetin, është njëkohësisht një privilegj dhe përgjegjësi e madhe të kemi shtatoren e heroit tonë dhe të nderojmë sakrificën e familjes Jashari për lirinë që ne sot gëzojmë”, ka shtuar ai./KultPlus.com

Akil Gjakova humb garën e tij në Evropianin e Kroacisë

Xhudisti kosovar, Akil Gjakova, ka përfunduar garën në Kampionatin Evropian të xhudos që po mbahet në Zagreb të Kroacisë.

Ai pësoi humbje nga xhudisti bullgar, Mark Hristov, me Waza-ari, në kategorinë deri në 73 kilogramë.

Ndryshe, edhe xhudisti Dardan Cena është eliminuar, pasi pësoi humbje në luftën e parë nga Manuel Parlati, në kategorinë deri në 73 kilogramë. / KultPlus.com

Reflektime mbi rolin dhe rëndësinë e lirisë së fjalës

Fllanza Hoxha

Ibrahim Berisha, “E drejta e thënies”, Kosova Pen Center, Prishtinë, 2023

I.

     Në kohërat e vjetra, e drejta e thënies është shpallur si një nga vlerat më të larta qytetare dhe një prej themeloreve të demokracisë moderne. Është një fushë e lirisë individuale, e cila reflekton shkëlqimin dhe forcën e një shoqërie. Përtej thjeshtësisë së saj, e drejta e thënies është një testament për vlerën e çdo zëri unik dhe të ndryshëm, i cili kontribuon në mozaikun e një shoqërie të ndryshme dhe të pasur kulturore. Nëpërmjet artit, e drejta e thënies shpesh paraqitet si një simbol i lirisë dhe shpirtit kreativ të individit. Artistët e përdorin atë si një mjet për të shprehur mendime, ndjenja dhe përceptime, duke e bërë atë një ngjyrë të rëndësishme në paletën e tyre krijuese. Përmes muzikës, pikturës dhe letërsisë, ata ngrejnë zërin për të mbrojtur dhe për të promovuar lirinë e shprehjes në çdo kohë dhe vend. Megjithëse e drejta e thënies është një vlerë themelore, ajo vazhdon të ballafaqohet me sfida dhe kufizime në shoqëri të ndryshme. Censura, kufizimet ligjore dhe ndëshkimi për opinionet e lira janë disa prej sfidave me të cilat individët mund të përballen. Megjithatë, kjo nuk e shuajti zërin e lirisë së shprehjes, por e forcoi atë, duke ua bërë me shenjë qytetarëve ta mbrojnë dhe ta promovojnë këtë të drejtë themelore.  
     Në aspektin letrar, e drejta e thënies është një temë që shpesh trajtohet në letërsi për të theksuar rëndësinë e lirisë së shprehjes për krijuesit e letërsisë. Shkrimtarët shpesh përdorin letërsinë për të reflektuar dhe për të sfiduar normat shoqërore dhe politike, duke i dhënë zë mendimeve të tyre në mënyra të ndryshme. Për shkrimtarët, e drejta e thënies është thelbësore për të shprehur përceptimet e tyre mbi botën dhe për të shprehur kritikën sociale në mënyra të ndryshme, duke ndikuar në ndërgjegjësimin e lexuesve dhe në diskursin shoqëror. Në poezinë dhe prozën letrare, e drejta e thënies shpesh trajtohet si një temë qendrore, duke theksuar lirinë e autorit për të shprehur veten dhe për të shfaqur realitetin nga perspektiva e tyre individuale. Kështu, letërsia bëhet një mjet i fuqishëm për të shpalosur kritikën sociale, për të reflektuar mbi çështje komplekse shoqërore dhe për të frymëzuar ndryshime në shoqëri përmes fjalës së shkruar. Në fund të fundit, e drejta e thënies është thelbësore për zhvillimin e letërsisë si një mjet i fuqishëm për të shprehur dhe për të ndikuar në shoqëri.  
     Ibrahim Berisha, në librin e titulluar “E drejta e thënies” mundohet të pasqyrojë sipas mënyrës së tij këtë të drejtë themelore. Libri zbulon një realitet të përjetshëm në shoqërinë tonë, ku liria e shprehjes është një sfidë që ka ndikuar thellësisht në zhvillimin kulturor dhe shoqëror. Historikisht, shqiptarëve në Kosovë u është mohuar liria për të thënë dhe për të shkruar lirshëm, duke e kufizuar ndjeshëm aftësinë e tyre për të shprehur mendimet dhe për të publikuar të vërtetat. Kjo mungesë e lirisë së shprehjes ka lënë gjurmë të thella në shoqërinë tonë, duke krijuar një atmosferë të frikshme dhe të pabarabartë për shprehjen e opinionit dhe për shfrytëzimin e informacionit. Libri “E drejta e thënies” fokusohet në fenomenet kulturore që janë prodhuar si rezultat i kufizimeve të lirisë së shprehjes. Nëpërmjet analizës së këtyre fenomeneve, ne zbulojmë se si censura dhe ndëshkimet për shprehjen e lirë kanë ndikuar në krijimin e një klime të tensionuar dhe në frenimin e zhvillimit të kulturës së lirisë së mendimit dhe fjalës. 
     Edhe pse sot ka pasur progres në lirinë e shprehjes në Kosovë, pasojat e mungesës së lirisë së shprehjes janë ende të dukshme në komunikimet publike. Në shkrimin e sotëm, refleksionet mbi këtë mungesë shfaqen në çdo sferë të jetës shoqërore, duke përfshirë mediat, politikën dhe kulturën. Kjo bën që shoqëria të përballet me sfida të vazhdueshme në rrugën drejt një shoqërie të hapur dhe të lirë. Megjithatë, nënshtrimi ndaj lirisë së shprehjes nuk ka qenë vetëm një problem i kaluar. Edhe sot, ka raste kur individët censurohen ose ndëshkohen për opinionet e tyre dhe këto raste theksojnë nevojën për vazhdimin e luftës për lirinë e fjalës dhe për respektimin e saj si një vlerë themelore shoqërore dhe demokratike.  

Ibrahim Berisha, në një prej eseve “Liria apo i lirë” brenda këtij librit, ngre pyetje për kuptimin rreth këtyre nocioneve. Si duhen kuptuar, si “liri për të bërë diçka apo lirinë e plotë për të bërë çfarë apo si dëshironi?”. Ai referohet te emrat e njohur botëror, si Ciceroni e George Orwell, i pari përkufizon se “liria është mundësi për të jetuar si do vetë”, dhe i dyti, i cili thotë se “liria ka të bëjë me të drejtën për t`u thënë njerëzve atë që nuk duan të dëgjojnë”.  
     Ibrahim Berisha e problematizon edhe më shumë çështjen rreth mundësisë së zotërimit të lirisë, duke pyetur nëse qeveria është kërcënimi kryesor për ta prekur atë. Po ashtu, “sistemet e vendeve nuk mund të krijohen dhe të funksionojnë pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të intelektualëve politikë me diskursin e tyre moralizues”. Prandaj, Ibrahim Berisha, në këtë libër u siguron një vend të gjerë intelektualëve dhe diskuton mbi rolin e tyre, duke thënë se “me intelektualët pa frymë kritike e origjinalitet profesional, frymëmarrja kolektive e secilit vend është e dobët dhe pa shenja se do të forcohet. Pa një plan real dhe pa një përgjegjësi për punët, nuk mund të ketë reformë, ndryshime”.

II.

     Ibrahim Berisha (1955) është gazetar, poet, prozator, sociolog i komunikimeve dhe publicist. Në skenën letrare u shfaq me librin poetik “Gur që nuk prekesh” në vitin 1982, ndërsa një vit më vonë botoi “Fryma e shiut” një përmbledhje tregimesh, disa prej të cilave u përkthyen dhe u botuan në disa vende të Evropës. Pra, ai ka shkruar në poezi e prozë si dhe publicistikë e gazetari. 
     Pjesë e botimeve publicistike vlerësohet të jetë edhe libri në fjalë “E drejta e thënies” (2023), që ndërtohet prej shtatëmbëdhjetë eseve, të cilat fokusohen në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtës së thënies, që janë instrumente të rëndësishme për të theksuar rëndësinë e lirisë së shprehjes në shoqërinë tonë. Këto ese shpesh argumentojnë se liria e shprehjes është një nga bazat themelore të një shoqërie demokratike dhe të lirë. Përmes analizës së rasteve konkrete dhe debatit intelektual, ato sjellin në vëmendje nevojën për mbrojtjen dhe përhapjen e lirisë së fjalës në të gjitha format e saj, duke përfshirë edhe ato që mund të jenë provokuese për disa individë. 
     Autori përdor disa shembuj për të ilustruar rëndësinë e kësaj të drejte themelore. Ibrahim Berisha analizon historinë dhe shembujt e mëparshëm të censurës dhe kufizimit të lirisë së shprehjes për të argumentuar se çfarë ndikimi ka kjo në zhvillimin e shoqërisë dhe në lirinë individuale. Në këtë mënyrë, ai nxit ndërgjegjësimin e publikut dhe angazhimin për të mbrojtur dhe për të promovuar këtë të drejtë të jetës së shoqërisë. Gjithashtu, nxit debatin intelektual dhe vë në dukje rëndësinë e lirisë së shprehjes për zhvillimin e mendimit kritik dhe për dialogun shoqëror.
     Disa prej këtyre eseve janë:
     “Prishtinasit: Prishtina”, një shkrim për historinë e këtij kryeqyteti, që shpalos një mozaik të ndryshëm të zhvillimeve dhe sfidave që ky qytet ka përjetuar nëpërmjet kohërave. Përveç aspekteve të urbanistikës dhe arkitekturës së varfër të kryeqytetit, shkrimi reflekton mbi mungesën e një monografie të dedikuar për të, duke theksuar nevojën për të dokumentuar dhe për të përmirësuar njohuritë tona mbi historinë dhe trashëgiminë e tij kulturore. Gjithashtu, flet për ekzistimin e shkollave, kulturën aristokrate, artin, gazetat dhe revistat, për aspekte të korrupsionit në historinë e kryeqytetit, që përqendrohet në ndikimin e zhvillimit urbanistik e deri te keqpërdorimi dhe përfitimi nga copyright;
     “Universiteti: Studentët, Masivja, Identiteti”, me theks të veçantë për themelimin e Universitetit të Prishtinës dhe historikut të tij nëpër kohë dhe situatat e krijuara politike, që përshkruajnë një realitet të dhimbshëm në historinë e arsimit në Kosovë gjatë periudhës së regjimit të dhunshëm. Kjo politikë e ashpër e regjimit kufizoi lirinë e shprehjes dhe e privoi popullatën shqiptare në Kosovë nga mundësia për të mësuar në gjuhën e tyre amtare. Si rrjedhojë, mësuesit dhe arsimtarët u bënë pjesë e një rezistence të vazhdueshme kundër politikave të diktaturës, duke rrezikuar gjithçka për të mbrojtur të drejtën e arsimimit në gjuhën shqipe. Pastaj pasonin përjashtimet dhe dënimet drastike të studentëve, veçanërisht në nivelin e arsimit të lartë, që kjo tregon për një situatë të rëndë dhe të padëshirueshme për komunitetin arsimor dhe studentët.
     Kjo konsiderohej një sfidë e madhe në zhvillimin e arsimit dhe shkencës në Kosovë, duke krijuar një brengë të thellë për të ardhmen e një brezi të tërë të rinjsh. Ndërkohë, përjashtimet dhe ndëshkimet e tilla treguan për një regjim jonjerëzor dhe të padrejtë, që përdori arsimin si një mjet për të kufizuar lirinë e individëve dhe për të ushtruar kontroll mbi shoqërinë. Në këtë kontekst, konflikti midis autoriteteve arsimore dhe regjimit u bë thelbësor për ruajtjen e identitetit dhe të drejtave themelore të popullatës shqiptare në Kosovë;
     “Risia pa të vërteta”, autori shtron pyetjen “Pse në Kosovë, thuajse tipike është gjuha e korruptuar publike?”.
     Gjuha e korruptuar, zakonisht, përfaqëson një situatë ku gjuha është përdorur në mënyrë të rreme, manipulative apo të papastër për përfitime personale, për të mbuluar veprime të dyshimta ose për të marrë kontroll mbi informacionin dhe përceptimin publik. Ky term mund të aplikohet në një gamë të gjerë kontekstesh, përfshirë politikën, median, biznesin apo edukimin. 
     Në shoqërinë moderne, gjuha e korruptuar mund të jetë një shqetësim i madh për të drejtat demokratike dhe për rendin social. Përdorimi i manipulimit dhe desinformimit përmes gjuhës mund të çojë në zbehjen e besueshmërisë së institucioneve dhe në rritjen e cinizmit publik. Prandaj, është e rëndësishme për të identifikuar dhe përballuar këtë fenomen, duke promovuar transparencën, llogaridhënien dhe integritetin në komunikimin publik. Në këtë mënyrë, mund të ndërtohet një shoqëri më e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme, ku gjuha përdoret për të ndërtuar kuptimin dhe për të promovuar bashkëpunimin dhe mirëkuptimin.

III.

     Esetë tjera të këtij libri titullohen “Shkrimtarët “shtetërorë”: kori dëshpërues”, “Të shenjtit: Fama e dozave të mëdha”, “Denacifikimi”, “E drejta e shkelur: Pa RTP”, “Dëshira për të mashtruar”, “Komunikimi: familja këtu, fëmijët larg” etj., të cilat përshkruajnë disa tema të rëndësishme dhe qasje të shkrimtarit në librin e tij, duke shtrirë gamën e tij të interesave dhe reflektimeve në lidhje me lirinë, luftën, librin, leximin, akademizmin, të drejtën e autorit, plagjiaturën, teknologjinë dhe familjen. Shkrimtari nxit reflektim mbi këto tema në një mënyrë kritike dhe analitike, duke e shqyrtuar ndikimin e tyre në shoqëri dhe në jetën individuale. 
     Liria dhe lufta janë tema që shkrimtari trajton në librin e tij, duke e shqyrtuar kuptimin dhe rëndësinë e tyre në kontekstin e shoqërisë së sotme. Autori përpiqet të kuptojë se si liria është ndikuar nga zhvillimet teknologjike dhe si lufta për të drejtat e njeriut ka ndryshuar nëpër kohë; tregon se si akademizmi fiktiv nuk është thjesht një problem në nivel individual, por ka ndikim të thellë në mënyrën se si dijet janë prodhuar, interpretuar dhe përdorur në shoqërinë tonë. Kjo analizë na lejon të reflektojmë mbi nevojën për transparencë, integritet dhe kritikë të shëndetshme në fushën e shkencës dhe për të zhvilluar strategji për të parandaluar përhapjen e praktikave të këqija të akademizmit fiktiv. 
     Gjithashtu, shkrimtari i përkushtohet edhe temës së të drejtës së autorit dhe plagjiaturës, të nxitur nga teknologjia, duke shqyrtuar se si ndryshimet teknologjike kanë ndikuar në mënyrën se si kuptohet dhe mbrohet e drejta e autorit në botën moderne. 
Në fund, ai shqyrton ndryshimet në familje dhe bërthamën sociale shqiptare, duke vënë në dukje përdorimin e teknologjisë dhe shpërfaqjen e familjes në një kontekst të ndryshuar komunikues-emocional. Kjo analizë e gjerë e shkrimtarit shërben për të sjellë në vëmendje sfidat dhe mundësitë që shoqëria ka përpara, duke nxitur një diskutim të nevojshëm dhe reflektim për të ardhmen.


Shënim:
Punimi është prezantuar në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, studimet MA, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë./KultPlus.com






Martesat mes gjinisë së njëjtë, zotohet Kurti: Shumë shpejt do t’i siguroj personalisht votat për Kodin Civil

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar zgjidhje sa i përket Kodit Civil, i cili deri më tani nuk ka kaluar në Kuvend për shkak se një pjesë e deputetëve të VV-së kanë dalë kundër.

Kryeministri Albin Kurti në një ngjarje të organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë në Berlin ka folur për Projektligjin për Kodin Civil, duke deklaruar se “vetë ai do të sigurojë votat”, për të kaluar ky projektligj, transmeton gazeta online Reporteri.net.

Në Kodin Civil parashihet ligj i veçantë për lejimin e bashkësive civile ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë. Kurti tha se është një ndër dy “gjërat që duhet të ndodhin” që Kosova të ketë sukses në kërkesën e saj për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Kurti është zotuar se Kosova pas Malit të Zi, do të bëhet vendi i dytë në Ballkan që u mundëson qytetarëve të drejtën e bashkimit civil të të njëjtit seks. Kurti tha se për këtë do të kërkojë mbështetje edhe nga partitë opozitare.

“Ne, qeveria e Kosovës, kemi zotime ndaj Këshillit të Evropës për të nënvizuar se i çmojmë dhe respektojmë vlerat e përbashkëta të të drejtave të njeriut mbi të cilat është ndërtuar. Ne do t’i mbajmë dhe do të tregojmë në këtë mënyrë se do të forcojmë institucionet. Qeveria jonë në këto tre vite në detyrë ka treguar se zhvillimi social-ekonomik dhe progresi demokratik ecin paralelisht. Ata nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin. Ata kushtëzojnë njëri-tjetrin pozitivisht.

Më lejoni t’ju jap një shembull. Kosova do të synojë që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas fqinjëve tanë Mali i Zi, duke u ofruar qytetarëve të saj të drejtën e bashkimit civil të të njëjtit seks. Ne do të punojmë shumë për ta kaluar këtë në të ardhmen shumë të afërt. Për këtë unë personalisht do të ndërtoj një shumicë parlamentare – dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë.

Ne e bëjmë këtë sepse është e drejtë, sepse është në kushtetutën tonë dhe sepse e dimë që Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka nxjerrë aktgjykime duke kërkuar që kjo të bëhet. Ne e dimë se ka vende në Këshillin e Evropës për një kohë të gjatë që e kanë injoruar gjykatën për këtë. Kosova do të jetë ndryshe. Në këtë mënyrë duam të frymëzojmë të tjerët”, ka thënë Kurti nga Gjermania.

Projektkodi Civil më 16 mars të 2022, ishte kundërshtuar nga një pjesë e madhe e deputetëve, për shkak të nenit i cili mendohet se çon drejt martesave të së njëjtës gjini.

Projektkodi Civil atë kohë  nuk kaloi në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës. Mospajtimet e deputetëve ishin lidhur me nenin që do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tashmë disa herë ka përsëritur se Projektkodi Civil do të miratohet në Kuvendin e Kosovës së shpejti./ KultPlus.com

epa10664551 Prime Minister of Kosovo Albin Kurti attends a session titled ‘In the Spotlight: Future of Kosovo’ at GLOBSEC Security Forum in Bratislava, Slovakia, 31 May 2023. EPA-EFE/MARTIN DIVISEK

Antologjia e poezisë shqipe e përkthyer në rumanisht fiton çmimin e Panairit të librit “LIBREX 2024” në Rumani

Antologjia e poezisë shqipe, e hartuar nga Dr. Luan Topçiu dhe Dr. Renata Topçiu-Melonashi, e përkthyer në rumanisht ka fituar çmimin e panairit të librit “LIBREX 2024, në qytetin e Jashit në Rumani.

Vlerësimi i kësaj vepre të rëndësishme është dhe një nder dhe vlerësim jo vetëm për hartuesit dhe përkthyesit e saj, por për kulturën shqiptare dhe poezinë shqipe në të gjitha kohërat dhe në të gjitha trevat

Panairi i Librit LIBREX 2024 u zhvillua në kryeqendrën kulturore të Rumanisë, në qytetin e Jashit, nga datat 10-14 prill 204. Këtë vit ishte edicioni i 29 i këtij panairi me pjesëmarrjen e 76 Shtëpive Botuese nga gjithë Rumania. Në ceremoninë e mbylljes së aktivitetit u krye ceremonia e ndarjes së Çmimeve nga Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, filiali Jash, zoti Cassian Marian Spiridon dhe Kryetari i Bashkisë së qytetit të Jashit, Mihai Chirica.

Juria akordoi 15 çmime të rëndësishme sipas gjinive letrare.

Këtë vit Shtëpia Botuese e ALAR-it mori çmimin Laurențiu Ulici për antologji letrare për botimin e Antologjisë së poezisë shqipe nga zanafilla deri në ditët e sotme me koordinuar Dr. Luan Topçiu dhe Dr. Renata Topçiu – Melonashi. Antologjia e poezisë shqipe (700 faqe) dhe me 63 autorë shqiptarë që nga zanafilla dhe deri më sot është botuar nga Shtëpia Botuese e ALAR, Asdreni, me një studim hyrës nga kritiku dhe shkrimtari Marius Chelaru, kryeredaktor i revistës “Poezia”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë.

Në këtë mënyrë, juria LIBREX shpërbleu vlerën e botimit të antologjisë së poezisë shqipe në rumanisht. Vlerësimi i kësaj vepre të rëndësishme është dhe një nder dhe vlerësim jo vetëm për hartuesit dhe përkthyesit e saj, por për kulturën shqiptare dhe poezinë shqipe në të gjitha kohërat dhe në të gjitha trevat.

Anëtarë të jurisë ishin Eugen Munteanu, Prof. Dr. në Fakultetin e Letërsisë të Universitetit “Alexandru Ioan Cuza” Jash, Ioan Holban, shkrimtar, drejtor i Teatrit “Luceafărul” Jash, Petru Nicu Gavrilută, profesor PhD në Fakultetin e Filozofisë dhe Shkencave Politike të Universitetit “Alexandru Ioan Cuza” në Jash, Cassian Maria Spiridon, shkrimtar, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, filiali Jash, Florin Cîntic, historian dhe shkrimtar, Valeriu Stancu, shkrimtar dhe Dragoş Pătrașcu, artist figurativ dhe profesor universitetit në UNAGE Jash./tema/KultPlus.com

Presidentja priti në takim Sekretaren e Përgjithshme të Alwaleed Philanthropies

Sot në mëngjes, Presidentja Osmani i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed Philanthropies, cila udhëheq delegacionin e kësaj organizate që po viziton Kosovën.

Alwaleed Philantropies janë në Republikën e Kosovës për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nën patronatin e Presidentes së Kosovës ku do të dorëzohet një donacion i rëndësishëm për shëndetin e qytetarëve tanë në QKUK nga ana e Alwaleed Philanthropies.

Presidentja Osmani ka falënderuar në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës Alwaleed Philanthropies të udhëhequr nga Princi Alwaleed Bin Talal Al Saud, për këtë donacion që do të ketë efekt të jashtëzakonshëm në shëndetin e qytetarëve tanë si dhe ka ofruar bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për realizimin e projekteve të tjera që janë në interes të qytetarëve të Republikës./ KultPlus.com

“Traktati i Fshehtë i Londrës”, copëtimi i Shqipërisë në favor të fqinjëve

Më 26 prill 1915, u firmos Pakti i Londrës.

Italia nënshkroi Paktin e Londrës me fuqitë e Antantës, Britaninë, Francën dhe Rusinë.

“Traktati i Fshehtë i Londrës”, siç njihet ndryshe ky pakt në historiografi, ishte një ngjarje me peshë të madhe në historinë e Shqipërisë, pasi përfshinte plane për ndarjen territoriale të vendit.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell 2 nenet që prekën drejtpërdrejt Shqipërinë.

Neni 6, sipas të cilit, “Italia do të marrë sovranitetin e plotë mbi Vlorën, ishullin e Sazanit dhe territorin përreth”.

Neni 7 përcaktonte se, “pjesa qendrore e Shqipërisë është e rezervuar për krijimin e një shteti të vogël të pavarur autonom dhe Italia nuk do të kundërshtojë ndarjen e Shqipërisë së Veriut dhe Jugut midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë”.

Kongresi i Lushnjes, vite më vonë, vendosi pas shumë diskutimesh që të bëheshin protesta të ashpra, kundër vendimit të Fuqive të Aleatëve, për zbatimin e Paktit të fshehtë të Londrës./ atsh / KultPlus.com

Akil Gjakova triumfon në raundin e parë

Akil Gjakova e ka nisur me fitore Kampionatin Evropian në Zagreb të Kroacisë.

Në raundin e parë, xhudisti kosovar e ka mposhtur një kundërshtar të fortë, të renditur i 28-ti në botë, sllovenin Marin Hojak.

Gjakova garon në kategorinë -73 kilogramë.

Xhudisti më i mirë i Kosovës, në raundin e 1/32-ve do të luftojë ndaj bullgarit Mark Hristov./ KultPlus.com

Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale

Sot në të gjithë botën shënohet Dita e Pronësisë Intelektuale, me aktivitete të ndryshme që kanë për qëllim promovimin e të drejtës së pronësisë intelektuale dhe mbrojtjen e kësaj pronësie.

Pronësia intelektuale që përfshinë pronësinë industriale dhe të drejtat e autorit është e garantuar me ligj.

Që nga viti 2000 më 26 prill të çdo viti të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) kremtojnë Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, e cila organizohet nën juridiksionin e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (OBPI).

Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO), në shënim të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale përzgjedh një slogan për të frymëzuar komunitetin global të krijuesve, mbrojtësve të pasurisë intelektuale, por edhe për të evidentuar një aspekt të sistemit unik të bashkëpunimit ndërplanetar, sigurimit të vijimësisë së krijimtarisë./atsh/KultPlus.com

Nderohen me çmime nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit akademikët nga Kosova

Akademikët nga Kosova, Fejzullah Krasniqi dhe Naser Sahiti, u nderuan me çmimin “Vepra më e mirë studimore” për librin “Proceset dhe ciklet termodinamike” me motivacionin:

“Një vepër që pasqyron zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë së termodinamikës, fokusuar në problemet konkrete të ngrohjes, përmes një analize dhe sinteze të detajuar të proceseve më të rëndësishme termodinamike, duke shenjuar një arritje në studimet shqiptare”.

Edhe Akademiku Anastas Angjeli u nderua me çmimin “Vepra më e mirë studimore” për Kolanën “Ditari i tranzicionit” me motivacionin:

“Një vepër madhore, e cila sjell në kujtesë në mënyrë integrale historinë e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë të pas viteve 90-të. Kjo kolanë pasqyron një begati diturish, në lidhje me reformat, zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë”.

Këto çmime u dhanë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Panairin e 3-të mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, të mbajtur nga data 23-25 prill në Tiranë./tema/KultPlus.com

Ndërhyrje mirëmbajtjeje në këmbanoren e kishës “Fjetja e Shën Mërisë” në Berat

Specialistët e mirëmbajtjes së Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat janë duke kryer ndërhyrjen për mirëmbajtjen në çatinë e këmbanores së kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, sot Muzeu Ikonografik “Onufri”.

Ndërhyrja konsiston në heqjen e tjegullave, zbërthimin e elementeve drusore të degraduar për t’i zëvendësuar ato me elemente drusore të tjerë, sipas të njëjtit konfigurim, duke ruajtur karakteristikat e kësaj çatie.

Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” pozicionohet në një vend dominues të lagjes “Kala”, e ndërfutur midis banesave të shumta dhe që dikur përfshi­hej në kompleksin e mitrop­olisë, gjurmë të të cilit ruhen edhe sot. Nga datimi i ruajtur mbi një nga portat e naosit, kisha është rindërtuar në vi­tin 1797 dhe përbën një nga monumentet më përfaqë­suese të arkitekturës pasbi­zantine në qytetin e Beratit.

Mjaft i spikatur është kon­servimi i mirë i ikonostasit me gdhendje druri dhe lyer me ar, i datuar në vitin 1806 dhe ku sot janë ekspozuar ikonat më të famshme të piktorëve më të njohur pasbizantinë në Shqipëri./atsh/KultPlus.com

Vdes mësimdhënësja e muzikës, Bahtishah Shehu Baruti

Ka vdekur në moshën 83-vjeçare mësimdhënësja e muzikës Bahtishah Shehu Baruti.

E ndjera kishte edukuar shumë breza në qytetin e Mitrovicës.

Lajmin për vdekjen e saj e kanë të ditur familjarët.

“Varrimi i të ndjerës bëhet me datë 26.04.2024 në varrezat e Prishtinës në Dragodan – me drekë, ora 13:00.E pamja mbahet 2 ditë  (27 dhe 28 prill, ditë e shtunë dhe e dielë) Vendi: Hotel Grand  Ora: 09:00-17:00”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

Perandorët romakë me prejardhje ilire

Shqiptarët padyshim se i takojnë trungut të popujve më të lashtë si për nga historia ashtu edhe për nga gjuha. Mirëpo shqiptarët janë një ndër popujt të cilët më së paku e kanë të dokumentuar historinë e vet kombëtare.

Periudha e hekurit por edhe ajo antike janë periudha shumë të lavdishme të ilirëve si paraardhësit tanë. A ishin të civilizuar? Me çfarë teknike dhe si i ndërtuan vendbanimet e veta? Nëse dimë se muret ciklopike janë karakteristikë e ndërtimeve ilire atëherë shtrohet pyetja si u skalitën ata gurë gjigand? Kush ishin ata që i skalitën me aqë precizitet dhe në fund me çfarë makinerie apo teknike i ngriten blloqet shumëtonëshe deri në ato lartësi të mëdha?

Dimë për kulturën helene dhe romake dhe padyshim se këto kultura kanë mbërrit edhe në Ilirik. Ato këtu gjetën kulturën ilire e cila ka dhënë kontributin e vet në kulturën e gjithëmbarshme botërore. Helenët, trojet e ilirëve i quanin barbare, derisa Roma nuk mundi t’i pushtojë me lehtësi por iu deshtë të bëjë luftëra të cilat zgjatën pothuaj 300 vite ku më të njohurat janë Lufta e Parë, Dytë dhe e Tretë Iliro-Romake kur përfundimisht bie Mbretëria e Ardianëve dhe i gjallë bie rob Mbretit Gent. Pasojnë disa kryengritje të cilat zgjasin deri në vitin 6-7 të erës së re e që pas shuarjes së kryengritjeve, Roma me qëllim që më lehtë ta kontrollojë këtë territor formon dy provinca të reja: Dalmacinë dhe Mezinë.

Nuk duhet harruar se fillimisht Roma kishte rregullim: Mbretëror (735-509 p.e. re), Republikan (500 p.e.re – 27 p.e.re) por me ardhjen e Cezarit (50 pe.re) e përfundimisht nga Augusti (27 p.e. re) fillon era e rregullimit të ri shtetëror pra Perandorisë Romake që udhëhiqet nga perandori i cili sipas një rregulli vinte nga radhët e ushtrisë. Ky rregullim zgjati deri në vitin 350 të erës sonë kur edhe Perandoria ndahet në atë Lindore dhe Perëndimore. Në këtë periudhë falë shkathtësisë së tyre luftarake, guximit dhe ambicies për pushtet u bë e mundur që për perandorë romakë të bëhen edhe shumë ushtarakë të lindur në Iliri dhe që shumë lehtë vërtetohet identiteti i tyre ilir madje ata edhe inkurajonin dhe ndihmonin ilirët tjerë që të ngriten dhe avancohen në ushtri. Andaj për një periudhë të gjatë kohore ia arritën që shumë ilirë të mbajnë poste dhe funksione shumë të larta perandorake.

Në periudhën Perandorake (27 p.e.re – 395) në fron janë ulur plot 27 ilirë prej të cilëve më të njohurit janë: Diokleciani dhe Konstantini i Madh, e që Aurel Viktori (320-390) për ta do të shkruante: “Atëdheu i të gjithë këtyre ka qenë Iliriku, edhepse pak të qytetëruar kanë qenë shumë të dobishëm për shtetin” (N.Ceka, Ilirët). Pra, këta perandorë janë puro iliro/shqiptar, sllavët në Ilirik filluan dyndjen në shek.VI-VII dmth dy shekuj pas Perandorit të fundit ilir. Këtu po sjellim listën e Perandorëve Romak që kanë lindur në Ilirik apo kanë prejardhje ilire:

1. Trajanus Decius (249 – 251), Gaius Messius Quintus Taianus Decius, ka lind në Budallija (Sirmium) sot fshati Martiniqi (Mitrovica e Sremit, Serbi)

2. Hostilianus (251), Gaius Valens Hostilianus Messius Quintus, djali i Deciusit, ka lind në Sirmium.

3. Claudius II Gotikus (268 – 270), Marcus Aurelius Claudius Gothicus, është nga rrethi i Sirmiumit ose nga Dardania. Për perandor zgjedhet pasi i mund Gotët në vitin 268 afër Naissusit.

4. Quintilus (270), Marcus Aurelius Claudius Quintillus, ka lind në Sirmium, është vëllai i Claudit II, vetëm 77 ditë ka qëndruar në fron.

5. Aurelianus (270 – 275), Lucius Domitius Aurelianus, ka lind në Sirmium sot Mitrovica e Sremit, njihet me atë se Perandorisë Romake ia ribashkon Mbretërinë e Galëve.

6. Probus (276 – 282), Marcus Aurelius Probus, ka lind në Sirmium, është i pari që lejoi që hardhit Italiane të mbillen në vende tjera të Perandorisë si në Ilirik, Galici, Britani dhe Spanjë.

7. Diocletian (284 – 305), Gaius Aurelius Valerius Diocletianus, ka lind në Dioclea sot Dukla afër Podgoricës. Një ndër perandorët më të rëndësishëm të Romës. Pas një kaosi të madh shumëvjeçar ai ia arriti që Perandorinë ta vëj në rregull. Duke qenë i vetëdijshëm se Perandoria ishte shumë e madhe dhe që ishte shumë e vështirë të udhëhiqej nga një njeri i vetëm është i pari që vendos të ndajë pushtetin krijon Diarkin (dy AUGUSTË që sundojnë njëri në Lindje e tjetri në Perëndim) dhe kjo ishte fillimi i ndarjes së Perandorisë në atë Lindore dhe Perëndimore.

8. Maximianus Herculius (285 – 305), Marcus Aurelius Valerius Maximianus Herculius, ka lind në Sirmium. Ilir, mik dhe bashkësundues me Dioklecianin. Së bashku me Dioklecianin jep dorëheqje nga froni por që pas një viti (306) kthehet prapë në fron dhe e ndihmon në ngritje Konstantinin e Madh. Nga froni e rrëzojnë më 308.

9. Galerius (305 – 311), Gaius Galerius Valerius Maximianus, ka lindur në Felix Romuliana sot Gamzigrad afër Zajeçarit. Sundoi nga Sirmiumi, ka qenë i pamëshirshëm ndaj të krishterëve madje të gjitha barbarizmat që i vishen Dioklecianit janë rezultat i përndjekjeve të tija. Për grua kishte vajzën e Dioklecianit.

10. Constantius I Chlorus (305 – 306), Flavius Valerius Constantius, ka lind në Ilirik në vitin 250. Është babai i Konstantinit të Madh.

11. Flavius Severus II (306 – 307), Flavius Valerius Severus II, ka lindur në Naissus, ka ndarë fronin me Konstantin Klorin.

12. Licinius (308 – 324), Gaius Valerius Licianus Licinius, ka lindur në afërsi të Felix Romuliana, mbretëroi në lindje, së bashku me Konstantinin e Madh sollën Ediktin e Milanit. Zhvillon dy luftëra kundër Konstantinit të Madh të cilat i humbet të dyja dhe në fund ekzekutohet.

13. Maximinus Daia (311 – 313), Gaius Galerius Valerius Maximinus, ka lindur në afërsi të Felix Romuliana, mbahet mend si persekutues i madh dhe se nuk ka pranuar sistemin tetrark të mbretërimit.

14. Constantinus I i Madh (312 – 337), Flavius Valerius Constantinus, ka lindur në Naissus (Nishi i sotëm). Më 313 nënshkruan Ediktin e Milanit me të cilin lejohet toleranca fetare dhe praktikimi i lirë i fesë së krishterë. Është themelues i Konstantinopolit dhe me ardhjen e tij vie deri te një paqe sociale pas një periudhe të gjatë të persekutimeve fetare.

15. Constantinus II (337 – 340), Flavius Iulius Constantinus, ka lind në Sirmium dhe është djali i dytë i Konstantinit të Madh. Babai i vet e bën Cezar të pjesës lindore të Perandorisë kurse dy vëllezërit tjerë pjesën tjetër.

16. Vetranio (350), i ilindur në Mezi, për Cezar e emëroi Konstanti II me kërkesën e vajzës së Konstantinit të Madh. Mirëpo nuk ndenji shumë në fron vetëm dhjetë muaj kur edhe datyrohet të largohet.

17. Iovianus (363 – 364), Flavius Iovianus Augustus, ka lindur në Singidunum (Beogradi i sotëm) dhe në fron qëndroi vetëm tetë muaj.

18. Valentinianus I (364 – 375), Flavius Valentinianus, ka lind në Cibala (sot Vinkovci, Kroaci). Fronin e ka ndarë me vëllanë Valensin. Ka mbretëru perëndimin.

19. Valensi (364 – 378), Flavius Valens, ka lind në Cibala (Vinkovci, Kroaci). Fronin e ka ndarë me vëllanë Valentinianin I. Ka mbretëru lindjen.

20. Gratianus (375 – 383), Flavius Gratianus Augustus, ka lind në Sirmium. Është djali i Valentinianit I.

21. Valentinianus II (383 – 392), Flavius Valentinianus II, ka lind në Trir është djali i Valentinianit I i cili ka qenë nga Cibala (Kroaci).

22. Constantinus III (421), Flavius Constantius Augustus, ka lind në Naissus, është babai i Valentinijanit III

23. Valentinianus III (425 – 455), Flavius Placidius Valentinianus, djali i Constantinus III, njihet si perandori i fundit perëndimor me origjinë ilire.

24. Marcianus (450 – 457), Flavius Marcianus, ka lind në Iliri, ka mbretëru në lindje.

25. Anastasius I (491 – 518), Anastasius, ka lind në Dyrrachium, Durrës, Shqipëri.

26. Iustin I (518 – 527), Flavius Iustinius, ka lindur në Bederiana të Dardanisë (Leban, Serbi).

27. Iustinianus I (527 – 565), Flavius Petrus Sabbatius Iustinianus, ka lind në Tauresium të Dardanisë. Justiniani I është imperatori i fundit latin.

(Gazeta Shqiptare, Gazmend Çitaku, publicist dhe përkthyes). /KultPlus.com

Arti bizantin, domethënia e “Metamorfozës” e pikturuar nga Onufri

Muzeu i Artit Mesjetar ka nisur një cikël të ri, titulluar “Zbulo ikonën bizantine”, përmes të cilit publiku mund të njihet me ikonat, domethënien dhe rregullat me të cilat funksiononte arti bizantin.

Shpërfytyrimit ose Metamorfoza, është një ikonë e shekullit XVI, e pikturuar nga mjeshtër Onufri për baltakinin e ikonostasit të kishës “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në qytetin e Beratit.

Ikona e Shpërfytyrimit përbën çelësin e teologjisë orthodhokse për sa i përket shfajqes hyjnore.

MKAM shpjegon se tek kjo ikonë shihen tre fasha, në pjesën e sipërme kemi figurën e Krishtit në qëndër dhe nga anash dy profetët Moisiu dhe Ilia. Në qëndër të panelit shihet ngjitja në malin Tabor dhe më pas largimi prej tij. Dhe në pjesën e poshtme janë tre apostujt, Pjetri, Joani dhe Jakovi me qëndrime të frikësuara.

Veshja e Krishtit është gjithmonë e bardhë duke treguar pastërtinë, gëzimin dhe lavdinë. Qëndrimi i tij është i qetë dhe duke bekuar, kurse dy profetët janë përkulur ndaj tij. Pjesëmarja e tyre në këtë skenë simbolizon fjalën dhe veprën në Dhiatën e vjetër. Fjala u përhap nga profeti Ilia kurse vepra tek ligjet e shkruar që ju dhanë Moisiut. Ngjarja ndodh në mal sepse mali është simbol i bashkimit të tokës me qiellin. Prapa figurës së Krishtit shohim tre mandorla që simbolizojnë Trinitetin nga të cilat dalin rreze drite shumë të forta dhe duke u bazuar tek shkrimet e shenjta që “Perëndia është Dritë”, jo në materie por në energji. Tre dishepujt të cilët ndodhen poshtë janë të verbuar dhe të trembur nga ky ndriçim vezullues të cilin nuk e kishin hasur me parë.

Pra kjo skenë tregon shfajqen e natyrës hyjnore të Krishtit, përveç asaj njerëzore. Në fashën qëndrore te ikonës, Onufri me mjeshtërinë e tij paraqet dy herë Krishtin me dishepujt: në të majtë duke ju treguar vendin e ngjarjes dhe në të djathtë duke iu shpjeguar rreth ngjarjes./atsh/KultPlus.com

‘Të martohesh dhe të themelosh një familje është shkalla e fundit që mund të presë një burrë’

Franz Kafka, shkrimtari i madh i shekullit të kaluar, i lindur në Pragë por një novelist më shumë i dashuruar në të shkruarit në gjuhën gjermane, në letrën kushtuar babait ka hapur zemrën e tij.

Kafka ka pasur një raport të tmerrshëm me babanë e tij, dhe kjo sipas kësaj letre për fajin e këtij të fundit, pasi ai nuk ka dashur asgjë dhe aski që Kafka ka pëlqyer a ka treguar interesim, gjatë jetës së tij.

Në letrën që është e përkthyer edhe në gjuhën shqipe, Kafka në një pjesë flet për krijimin e familjes. Kafka gjithmonë dëshironte të martohej më vonë ndërsa disa tentime i dolën të dështuara.

“Të martohesh, të themelosh një familje, ti pranosh fëmijët e tu që të lindin, ti bësh të jetojnë në këtë botë të pasigurt dhe madje, nëse është e mundur, ti udhëzosh ndopak, kjo është jam i sigurt për këtë, shkalla e fundit që mund të presë një burrë. Fakti që shumë njerëz ia arrijnë kësaj aq lehtë në dukje, nuk është një provë e së kundërtës, sepse së pari, nuk ka aq shumë që ia arrijnë vërtet, dhe së dyti, ky numër i vogël nuk ‘bën’ në përgjithësi asgjë, por ‘pëson’ diçka: vetëkuptohet se nuk është këtu kjo shkalla e fundit për të cilën po flas, por kjo mbetet shumë e madhe dhe e respektueshme (aq më tepër që nuk është e mundur të shquhet qartë ndërmjet të bësh dhe të pësosh). Dhe së fundmi nuk bëhet fjalë madje për këtë shkallë të fundit, bëhet fjalë vetëm për një përafrim të largët, por të ndershëm, nuk është vërtet e nevojshme të marrësh fluturimin për të arritur në mes të Diellit, por ka rëndësi të zvarritesh mbi tokë derisa të gjesh një vend të vogël ku Dielli të shndrisë nga njëherë dhe ku është e mundur të ngrohesh nga pak”.

Kjo është vetëm një pjesë nga libri i Shtëpisë Botuese Pema, përkthyer nga Urim Nerguti, për librin “Brief an den Vater” të Kafkës ku tregohen edhe situatat më komplekse e agresive mbi raportin mes Kafkës dhe babait të tij, një Kafkë më ndryshe se Franzi të cilin e shijon dhe lexon mbarë universi, shkruan KultPlus.

Kafka flet më shumë për martesën, për familjen, dhe jo vetëm, brenda letrës. Kafka vdiq në vitin 1924 në moshën 40-të vjeçare, nga tuberkulozi. / KultPlus.com