26 vite nga Beteja e Grykës së Llapushnikut

Sot, shënohet 26 vjetori i Betejës së Llapushnikut, të zhvilluar në më 7-9 maj të vitit 1998 mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pushtuesve serbë, shkruan KultPlus.

Kjo betejë zgjati tre ditë dhe konsiderohet ndër betejat më të ashpra, që është zhvilluar në kuadër të luftës së popullit shqiptarë për liri.

Beteja e Grykës së Llapushnikut, ësht një ndër ngjarjet më me rëndësi që u zhvillua në atë kohë, e cila bëri një kthesë të madhe duke e shndërruar aktivitetin e UÇK-së nga një organizim gueril në një organizim më të lartë ushtarak./KultPlus.com

Studentë të arkitekturës “zbulojnë” ndërtesat historike të Shkodrës

Një grup studentësh të Arkitekturës i janë bashkuar nismës së bashkëpunimit midis Drejtorise Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Universitetit Polis e Bashkisë Shkodër, me në fokus rilevimin e godinave që janë klasifikuar si pjesë e trashëgimisë historike e Shkodrës.

Grupi i studentëve zhvilloi rikonicionin dhe njohjen paraprake me 20 pasuri kulturore të integruara në Qendrën Historike si dhe bënë një përcaktim paraprak të dimensioneve dhe gabariteve teknike të tyre, që do pasohen në një fazë të dytë nga hartimi i projekteve të restaurimit.

Në terren u trajtua përdorimi i fotogrametrisë, programeve “Meshroom” dhe “Cloudcompare” dhe i instrumentave specifike si nivelues lazer apo meter lazer, si pjesë e rëndësishme e procesit teknik.

Organizatorët e këtij aktiviteti falënderuan për bashkëpunimin e mbështetjen të gjithë pronarët e pasurive kulturore, të cilët mikpritën me durim e kujdes grupin e arkitektëve të ardhshëm./atsh/KultPlus.com

Ndahen çmimet letrare “Vexhi Buharaja 2024”

Në 104-vjetorin e lindjes së dijetarit Vexhi Buharaja, në ambientet e bibiliotekës së qytetit të Beratit, u mbajt Çmimi Letrar Kombëtar “Buharaja 2024”.

Kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo, i pranishëm në këtë event tha se, në këtë edicion të pestë, pjesëmarrja ishte rritur, cilësia po ashtu dhe kishte një shpërndarje më të gjerë gjeografike.

Konkurrentët nga trevat shqipfolëse si Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi , por edhe nga vende të tjera si Itali, Kanada dhe SHBA prezantuan krijimet e tyre, që nga esetë, poezitë, përkthimet etj.

Fitues në poezi u shpall Nurie Emrullai dhe Agron Tufa, ndërsa në përkthim Myrteza Bode. Aktori Ervin Bejleri solli për pjesëmarrësit në sallë, vargje nga krijimtaria e Vexhi Buharasë.

Çmimi Letrar Kombëtar “Buharaja” tashmë është bërë traditë e Beratit./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani mëson pilotimin e helikopterit në Teksas

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se në Fort Worth në Teksas, ka vizituar kompaninë e helikopterëve Bell.

Osmani ka treguar se ka mësuar për herë të parë pilotimin e helikopterit, me pilotin më me përvojë të kompanisë, Joseph Decapite, që kishte shërbyer në Kosovë para 15 vitesh si pjesë e ushtrisë amerikane.

“Në Fort Worth të Teksas, vizita në kompaninë e helikopterëve Bell dhe mësimi i parë në pilotim të helikopterit me pilotin më me përvojë të kompanisë, Joseph Decapite, i cili kishte shërbyer në Kosovë para 15 vitesh si pjesë e ushtrisë amerikane”, ka shkruar Osmani.

Mozaiku i Antigonesë, i hapur për publikun deri në fund të majit

Tashmë është i vizitueshëm për publikun mozaiku në Parkun Arkeologjik të Antigonesë.

Mozaiku i Kishës Paleokristiane Antigone është me përmasa 7.8 x 3.8 metra dhe sipërfaqe 30 m2. Datohet në shek. VI pas Krishtit. Dyshemeja e altarit është e shtruar me mozaikë me tesera të kuqe, të bardha e të zeza. I gjithë mozaiku dhe panelet janë të borduruar me një buzinë me motive floreale dhe gjeometrike. Paneli qendror paraqet imazhin e një qënieje njerëzore me kokën e një qeni apo ujku.

Në një postim në rrjetet sociale, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bëri të ditur se, hapja e mozaikut u bë e mundur përmes një bashkëpunim ndërinstitucional mes Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtorive Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, për t’i dhënë publikut një mundësi më shumë, për t’u njohur me pasurinë e fondit të mrekullueshëm të mozaikëve që sitet arkeologjike dhe muzetë administrojnë. Mozaikët do të qëndrojnë të hapur deri në fund të muajit maj./atsh/KultPlus.com

Regjisori i njohur amerikan David Fincher, sot feston ditëlindjen e 62-të

Regjisori amerikan David Fincher, sot feston 62 vjetorin e lindjes. Ai lindi më 10 maj 1962 në Denver, Colorado. Është regjisor, producent filmi dhe aktor amerikan.

Ai filloi në vitin 1980 si animator te kompania Industrial Light and Magic, ku punoi 4 vjet. Ndërsa në vitin 1986, së bashku me disa regjisorë të tjerë e themeloi firmën për prodhimin e filmave Propaganda Films. Fincher xhiroi në atë kohë edhe video për artistët si Michael Jackson, Madonna, George Michael, Aerosmith ose Rolling Stones. Përveç videove ai prodhoi ai edhe klipe reklamash.

Në vitin 1992, ai filloi xhirimet me filmin “Alien”. Ky film nuk mori kritika të mira duke u bërë dështim për box office/kino. Nga ky dështim u „shfajësua“ disa vite më vonë, kur doli se në çfarë kushtesh katastrofike u prodhua filmi.

Filmi i tij „Seven”,  tre vite më vonë mundi t’i bindte të tjerët dhe të besonin tek aftësitë e David Fincher. Filmi ka qenë shumë i suksesshëm. Filmat e tij të tjerë janë: The Game dhe Fight Club, të cilët ishin të suksesshëm dhe morën kritika të mira./KultPlus.com

Revista amerikane “YardBarker”: Shqipëria mes 20 vendeve mahnitëse për të vizituar në Ballkan

Vendet e Ballkanit janë një pjesë ende e panjohur e Evropës, të pasura me histori, kulturë dhe peizazhe mahnitëse.

Ballkani karakterizohet nga njerëzit e sjellshëm dhe mikpritës, ushqimi i shijshëm dhe pijet unike.

Pranvera është një kohë fantastike për të planifikuar një udhëtim. Piku i sezonit turistik nuk ka ardhur ende, kështu që turmat do të jenë më të pakta dhe çmimet më miqësore për buxhetin.

Pra, ku duhet të shkoni saktësisht gjatë këtij sezoni?

Revista e përditshme amerikane “YardBarker” ka rekomanduar 20 qytetet më të mira në Ballkan për të vizituar gjatë pranverës, mes tyre Tiranën, Sarandën dhe Beratin.

Tiranë, Shqipëri

Ky është ndoshta kryeqyteti më i çuditshëm në Ballkan. Arkitektura italiane nga periudha e Musolinit është e ndërthurur me blloqe të epokës komuniste dhe mbetjet historike të së kaluarës së saj të larmishme si një fortesë osmane dhe vend i mbyllur nën regjimin e diktaturës komuniste për 50 vjet.

Këto ditë qyteti është plot jetë. Nga zona në trend e Bllokut në parkun e madh të qytetit të Tiranës dhe monumentet dhe muzetë e pafund për t’u eksploruar.

Tirana ka pësuar shumë ndryshime vitet e fundit, falë rritjes së madhe turistike të Shqipërisë.

Këto përpjekje kanë pasur sukses, pasi numri i vizitorëve vazhdon të rritet me miliona çdo vit.

Kjo do të thotë se qyteti po rritet në popullaritet, kështu që vizitojeni vendin përpara qershorit për një përvojë më të qetë.

Gjithashtu, muaji qershor është shumë më i këndshëm për sa i përket temperaturave.

Sarandë, Shqipëri

Saranda është quajtur si kryeqyteti jozyrtar i “Riverës Shqiptare”.

Ujërat e kristalta bruz rivalizojnë ato të Greqisë, baret e plazhit mund t’ju japin ndjesinë sikur ndodheni në plazhet e Tulumit dhe veshjet në shëtitoren e mbrëmjes do t’ju bëjnë të mendoni se është ”Java e Modës” në Milano.

Berat, Shqipëri

Ky qytet antik njihet për shtëpitë tradicionale të bardha të stilit osman.

Dritaret e shtëpive duket sikur ju vëzhgojnë ndërsa arrini ose shëtisni në shëtitoren buzë lumit, një aktivitet i preferuar i mbrëmjes për vendasit.

Në Berat do të keni mundësinë të eksploroni kishën bizantine, xhaminë osmane dhe një kështjellë me pamje mahnitëse!/atsh/KultPlus.com

“Në zbulim të thesareve të Shqipërisë” – Bylisi, në median britanike Channel 4 

“Në zbulim të thesareve të Shqipërisë” titullohet dokumentari i realizuar nga Bettany Hughes, që do të shfaqet premierë këtë të shtunë në kanalin televiziv britanik Channel 4.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, teksa ndau në rrjete sociale pasazhe të filmit dokumentar të përgatitur nga profesoresha britanike Bettany Hughes.

“Rrëfimin e radhës për thesaret e Shqipërisë, profesoresha britanike Bettany Hughes e përcjell nga një prej qyteteve më epike të Ilirisë, siç është Bylis”, shkroi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro njofton se këtë të shtunë, në datë 11 maj, në orën 19:00 do të transmetohet për miliona shikues të Channel 4, kjo anë e turizmit historik e arkeologjik që ofron Shqipëria, përmes një udhëtimi në trojet ilire.

Vitin e kaluar Hughes realizoi dokumentarin “Mrekullitë e Shqipërisë”, që u transmetua gjithashtu në kanalin Channel 4. Ajo solli bukuritë e Shqipërisë, që nga qytetet mahnitëse romake, tek arkeologjia e Mesjetës së Hershme, nga xhevahiret e qytetërimit osman, deri te bunkerët brutalë komunistë.

Ndërsa në muajin prill të këtij viti u shfaq premierë një tjetër dokumentar promovues për Shqipërinë turistike “Në zbulim të thesareve të Shqipërisë”, në të cilin profesoresha Bettany Hughes, erdhi si rrëfimtare e vendit tonë jo vetëm përmes peizazheve dhe të dukshmes, por duke i qëmtuar shpirtin, historinë dhe duke i prekur mikpritjen.

Shqipëria vitet e fundit po qëndron në fokus të medieve të huaja, për sa i takon eksplorimit të bukurive dhe potencialeve natyrore turistike, që ofron. Duke e cilësuar një nga perlat sekrete të Evropës që ia vlen të zbulohet jo vetëm për bregdetin, Shqipëria po tërheq vëmendjen e shumë vizitorëve nga vende të ndryshme të botës./ KultPlus.com

Screenshot

Besa Kokëdhima nuk kalon në finalen e Eurovision Song Contest

Sonte ka filluar nata e dytë gjysëmfinale e Eurovision Song Contest, shkruan KultPlus.

Në këtë edicion të festivalit, Shqipëria u përfaqësua me këngën ‘Titan’ të këngëtares Besa Kokëdhima.

Performanca e saj u realizua bukur, teksa këngëtarja kishte zgjedhur një fustan të shndritshëm.

Pavarësisht performancës së saj të mirë, ajo nuk arriti të hyjë në dhjetëshen e parë të finalistëve./ KultPlus.com

Rama ndan pamje nga ceremonia tradicionale e çmimit “Karli i Madh”: Krenar për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ceremonia tradicionale e çmimit “Karli i Madh” që u zhvillua në Aachen, Gjermani, ku ishte i ftuar kryesor.

“Krenar për Shqipërinë”, shkroi Rama përbri videos të publikuar në rrjetin social Facebook.

Kryeministri Rama u ftua të mbajë fjalën kryesore në ceremoninë tradicionale, gjatë së cilës u ndal te toleranca duke sjellë në vëmendje shembullin e Shqipërisë me shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Çmimi “Karli i Madh” (Charlemagne Prize) konsiderohet si një nga nderimet më të rëndësishme europiane dhe që prej vitit 1950, me këtë çmim janë nderuar individë dhe institucione me kontribut të spikatur në bashkimin dhe përparimin e Evropës.

Këtë vit, çmimi ndërkombëtar “Karli i Madh” iu akordua Kryerabinit Pinchas Goldschmidt, President i Konferencës së Rabinëve të Evropës, për rolin e tij të rëndësishëm në promovimin e dialogut dhe tolerancës ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare në Evropë./ KultPlus.com

Publikohet libri që besohet se paraqet përqasjen e Trump për sigurinë kombëtare

Disa nga idetë që janë pjesë e librit tregojnë se ndihmat e ardhshme për Ukrainën do të kushtëzohen nga pjesëmarrja e Kievit në bisedimet për paqe me Rusinë. Një tjetër pikë thotë se shtetasve kinezë do t’u ndalohet e drejta të blejnë prona brenda një hapësire prej 80 kilometrash nga ndërtesat e qeverisë amerikane. Libri gjithashtu thotë se në sektorin e sigurisë kombëtare duhet të emërohen vetëm bashkëpunëtorët e Donald Trump-it.

Një nga disa grupet që kanë lidhje me ish-presidentin amerikan dhe që përpiqen të hedhin bazat për një administratë të dytë të Trump, nëse kandidati i pritshëm republikan fiton në nëntor, ka publikuar një libër të ri përmes së cilit synon të artikulojë axhendën e ardhshme të sigurisë kombëtare që në qendër ka politikat e institutit të së djathtës së skajshme ‘America First’.

Agjencia e lajmeve ‘Associated Press’ njofton se disponon një kopje të librit, ndërsa publikimi i tij do të bëhet të enjten. Ashtu si “Projekti 2025” i Fondacionit ‘Heritage’, Instituti ‘America First’ po bën përpjekje të ndihmojë zotin Trump të shmangë gabimet e vitit 2016, kur ai hyri në Shtëpinë e Bardhë kryesisht i papërgatitur.

Projekti i institutit në fjalë ka punuar për të hartuar dhjetëra urdhra ekzekutivë dhe për të hartuar një program përgatitor për të emëruarit e ardhshëm politikë. ‘Heritage’ ka ndërtuar një bazë të dhënash të personelit dhe ka ofruar programet e veta të politikave.

Të dy grupet theksojnë se janë të pavarur nga fushata e Trump, e cila është përpjekur vazhdimisht të distancohet nga publikime të tilla. Zyrtarët e ekipit elektoral të zotit Trump këmbëngulin se të vetmet politika të mbështetura nga ish-presidenti janë ato që kandidati republikan i artikulon vetë.

Megjithatë Fred Fleitz, redaktori i librit, vuri në dukje se ai dhe gjenerali në pension Keith Kellogg, i cili shërbeu për një kohë si ushtrues i detyrës së këshilltarit të Trump për sigurinë kombëtare dhe shkroi disa nga kapitujt e librit, kanë qenë në kontakt të shpeshtë me ish-presidentin.

“Shpresojmë se këto qëndrime janë të ngjashme me ato të tij. Ne nuk po flasim në emër të tij, por unë mendoj se ai do të pajtohet me librin”, tha zoti Fleitz, i cili më parë shërbeu si drejtues në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Ai tha se shpreson se libri do të shërbejë si një udhëzues për qasjen e të djathtës së skajshme “America First” për sigurinë kombëtare.

“Është një strategji e madhe”, shtoi zoti Kellogg. “Nuk fillohet puna nga politikat, por me strategjitë. Kjo është ajo që ne kemi bërë.”

Grupi vlerëson se politikat aktuale të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara janë një dështim si rezultat i qasjes “globaliste” dhe mbështetjes për ndërhyrje në konfliktet e jashtme, në kurriz të interesave kombëtare të Amerikës.

Libri ofron disa udhëzime se si një administratë e ardhshme e Trump mund t’i qaset çështjeve të politikës së jashtme, siç është lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Ish-presidenti Trump ka thënë se nëse do të fitonte zgjedhjet, ai do ta zgjidhte konfliktin përpara ditës së inaugurimit në janar, por nuk ka pranuar të thotë se si do ta bëjë këtë.

Kapitulli i librit mbi luftën shpenzon më shumë kohë duke diskutuar se si filloi konflikti, se sa si t’i jepet fund atij. Megjithatë, libri thotë se SHBA-ja duhet të kushtëzojë ndihmën e ardhshme ushtarake me pjesëmarrjen e Ukrainës në bisedimet e paqes me Rusinë.

Ai parashikon që ushtria ukrainase do të humbasë terren me kalimin e kohës dhe këshillon që SHBA nuk duhet të vazhdojë “të dërgojë armë në një ngërç që Ukraina përfundimisht do ta ketë të vështirë ta fitojë”. Por sapo të arrihet një marrëveshje paqeje, libri thotë se SHBA-të do të vazhdojnë të armatosin Ukrainën si një pengesë për përpjekjet e tjera të Rusisë.

Autorët duket se mbështesin një kornizë në të cilën Ukrainës “nuk do t’i kërkohet të heqë dorë nga qëllimi për të rimarrë të gjithë territorin e saj”. Por Ukraina do të duhet të pajtohej me idenë “se kjo do të kërkonte një sukses të ardhshëm diplomatik që ndoshta nuk do të ndodhë para se Presidenti rus Vladimir Putin të largohet nga detyra”.

Libri e pranon se ukrainasit “do ta kenë të vështirë të pranojnë një paqe të negociuar që nuk ua kthen të gjithë territorin, të paktën tani për tani, ose pa mbajtur Rusinë përgjegjëse për gjakderdhjen që ajo shkaktoi në Ukrainë. Mbështetësit e tyre gjithashtu do ta kenë problem këtë. Por siç tha Donald Trump-i gjatë një interviste në televizionin amerikan CNN në vitin 2023, “‘Unë dua që njerëzit të mos vdesin’. Kjo është gjithashtu pikëpamja jonë. Është një hap i parë i mirë.”

Libri fajëson presidentin demokrat Joe Biden për luftën dhe përsërit pretendimin e zotit Trump se presidenti Putin nuk do të kishte nisur kurrë sulmin kundër Ukrainës nëse zoti Trump do të kishte qenë në detyrë. Argumenti i tij kryesor në mbrojtje të këtij pretendimi është se zoti Putin e shihte ish-presidentin Trump si të fortë dhe vendimtar. Në fakt, zoti Trump u afrua me udhëheqësin rus dhe hezitoi ta sfidonte atë.

Në vijim, libri sugjeron se Putin mund të bindet të pranojë bisedimet për paqe nëse presidenti Biden dhe udhëheqës të tjerë të NATO-s pranojnë të shtyjnë anëtarësimin në NATO të Ukrainës për një periudhë të gjatë. Libri sugjeron që Shtetet e Bashkuara në vend të kësaj duhet të krijojnë një “arkitekturë sigurie afatgjatë për mbrojtjen e Ukrainës”. Libri nuk jep asnjë shpjegim se çfarë do të nënkuptonte kjo.

Libri është kritik ndaj periudhës së tranzicionit gjatë të cilës Trump merrte detyrën në vitin 2016, duke thënë se kishte mungesë të përgatitjes për këtë.

“Tranzicioni i trazuar i viteve 2016/2017 nuk i shërbeu mirë Presidentit Trump dhe kombit dhe ngadalësoi avancimin dhe zbatimin e agjendës së tij”, shkruajnë autorët. Për shembull, ata vërejnë se para zgjedhjeve, ekipi i tranzicionit të demokrates Hillary Clinton kishte paraqitur më shumë se 1000 emra për verifikimin e ardhshëm të sigurisë para se të emëroheshin, ndërsa ekipi i Trump paraqiti vetëm 25 emra.

Grupi thotë se ka identifikuar afërsisht 1200 pozicione të lidhura me sigurinë kombëtare që do t’i duhet të plotësojë administrata e ardhshme dhe e nxit atë të jetë gati qysh në ditën e parë, përfshirë bashkëpunëtorët e zotit Trump që janë besnik ndaj qasjes “America First”.

“Nuk bëhet fjalë për hakmarrje ndaj njerëzve apo përpjekje për të politizuar pozitat qeveritare. Ka të bëjë me sigurimin që punonjësit e qeverisë të bëjnë punën e tyre dhe ta mbajnë politikën jashtë punës së tyre”, tha zoti Fleitz.

Libri përshkruan Kinën si kërcënimin më urgjent të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Pekini, sipas librit është i etur për t’i zënë vendin Shteteve të Bashkuara si fuqia kryesore e botës. Libri propozon një politikë të ashpër që mbështetet në qasjet si gjatë viteve të presidencës Trump ashtu edhe nga administrata e presidentit Biden, me qëllim që t’i bëjë politikat e Pekinit “përgjithësisht pa ndonjë vlerë për amerikanët”.

Libri rekomandon gjithashtu një kontroll më rigoroz të kompanive kibernetike dhe teknologjike në pronësi të kundërshtarëve të SHBA-së, veçanërisht Kinës, për t’u siguruar që nuk po mbledhin informacione konfidenciale. Ai gjithashtu rekomandon që shtetasve kinezë t’u ndalohet blerja e pronave brenda një hapësire prej 80 kilometrash nga çdo pronë e qeverisë amerikane.

Libri bën thirrje për kufizime vizash për studentët kinezë që dëshirojnë të studiojnë në Shtetet e Bashkuara dhe për ndalimin e platformës për shpërndarjen e videove ‘TikTok’ dhe aplikacioneve të tjera kineze për shkak të shqetësimeve për privatësinë e të dhënave personale. Ish-presidenti Trump, megjithatë, është shprehur kundër një ligji që do të detyronte shitjen e platformës ‘TikTok’, ose do të bllokonte qasjen në të të amerikanëve.

Pikëpamjet e analistëve për atë se si duket një politikë e bazuar tek parimet e përqasjes “America First” shpesh pasqyrojnë qëndrimet personale të shkrimtarëve.

Për Ellie Cohanim, ish-zyrtare e Departamentit të Shtetit të zotit Trump, e ngarkuar me monitorimin dhe luftimin e antisemitizmit, “America First” duket më shumë si një listë me objektiva të dëshiruara nga ushtria izraelite.

SHBA duhet t’i dërgojnë Izraelit një skuadrilje me aeroplanë F-35 të firmës “25 Lockheed Martin”, një skuadrilje të avionëve F-15 EX të firmës Boeing dhe një skuadrilje helikopterësh sulmues “Apache E”, shkroi zonja Cohanim.

SHBA duhet t’i japë Izraelit disa nga miliarda dollarët e saj nga fondet ushtarake në monedhën izraelite, në mënyrë që Izraeli t’i shpenzojë ato brenda vendit. Uashingtoni gjithashtu duhet t’i shtyjë shtetet arabe të mbulojnë shpenzimet për rindërtimin e Gazës dhe të pranojnë që Izraeli të lërë mënjanë dialogun politik me palestinezët në pritje të një periudhe të pacaktuar deradikalizimi të detyrueshëm për popullin palestinez, shkroi ajo. /VOA/ KultPlus.com

Skena gjigante nën tingujt e këngës “Titan”, Besa Kokëdhima performon në natën e dytë të “Eurovision 2024” 

Shqipëria përfaqësohet nga Besa Kokëdhima me këngën “Titan”.

Performanca e saj sapo u realizua, teksa këngëtarja kishte zgjedhur një fustan të shndritshëm.

Aktualisht dihen 16 finalistët e parë, ku 10 vende kaluan gjysmëfinalen e parë që ishin: Serbia, Portugalia, Sllovenia, Ukraina, Lituania, Finlanda, Qipro, Kroacia, Irlanda, Luksemburgu.

Ndërsa 6 vendet si Franca, Italia, Anglia, Gjermani, Spanja dhe Suedia shkojnë automatikisht në finale. / KultPlus.com

Franca kërkon largimin e celularëve nga shkollat

Ministrja franceze e Arsimit, Nicole Belloubet synon të eksperimentojë që nga viti i ardhshëm shkollor detyrimin që nxënësit të lënë smartfonët jashtë mureve të shkollës, mundësisht në dollapë të veçantë.

”E kam thënë disa herë se do të doja shumë që nxënësit tanë të mund të shkonin në shkollë pa telefon. Ne i dimë efektet e dëmshme që mund të sjellë kjo”, deklaroi ministrja duke marrë parasysh krijimin e dollapëve të posaçëm për telefonat.

”Kështu e imagjinoj, do të doja ta përjetonim nga viti i ardhshëm”, shtoi ajo.

Franca tashmë ndalon përdorimin e telefonave i në shkollë, por i takon çdo institucioni individual të përcaktojë metodat specifike të pajtueshmërisë me këtë rregull.

Belloubet beson, ndër të tjera, se ”ne duhet të mendojmë më mirë për përdorimin e mjeteve dixhitale në klasë, në veçanti tabletat dhe kompjuterët që vihen në dispozicion të studentëve”. / KultPlus.com

Koncert në Akademinë e Arteve me rastin e Ditës së Evropës

Java e Evropës u përmbyll sonte në Tiranë me një koncert në Akademinë e Arteve me rastin e Ditës së Evropës.

I pranishëm në këtë koncert, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja në fjalën e tij u shpreh i emocionuar për pjesëmarrjen në këtë koncert.

“Është një emocion i rrallë për mua, megjithëse jam në një sallë ku në moshën tuaj, kemi formësuar për herë të parë konceptin e Shqipërisë si gjithë Evropa, protestat e Akademisë së Arteve, gjithë Lëvizjen Studentore dhe është një emocion i vërtetë”, tha Gonxhja.

“Sot një emocion tjetër ishte që për herë të parë si ministër i kësaj ministrie të re më duhej të propozoja në parlament për ratifikim marrëveshjen me BE për ato nota që ne do të dëgjojmë në këtë sallë sot”, tha Gonxhja.

“Emocionin e kam jo sepse jam me të vërtetë përfaqësues i palës së qeverisë shqiptare që bashkë me kolegun tim Gonzato organizojmë Javët Kulturore ndërkombëtare, për rastin e Javës së Evropës, së bashku mbështesim një nga aktivitet më të bukura të vitit, për Shqipërinë dyer hapur për shtëpinë tonë, për ju të gjithë që të ndjeheni si në shtëpinë tuaj, por sepse është me të vërtetë shumë emocionuese që ne të kalojmë një natë së bashku sot falë jush orkestra e të rinjve të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Gonxhja.

Ndërsa, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato në fjalën e tij u shpreh se, “gjatë kësaj jave donim të kujtonim së pari e mbi të gjitha veten tonë, Bashkimin Evropian, për vlerat që kanë frymëzuar projektet e BE-së e të cilat mbeten në themel të tyre, demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, siç janë të sanksionuara në Kartën e të Drejtave Themelore. Janë vlera të përbashkëta vlera që na bëjnë të fortë e të bashkuar”.

“Po kështu na mundësojnë që të thellojmë në mënyrë të vazhdueshme bashkëpunimin tonë, ndërkohë që respektojmë specifikat e shteteve tona, gjuhët, kulturat, sistemet kombëtare të solidaritetit dhe të demokracisë”, u shpreh Gonzato.

“Kësisoj kemi moton “Bashkim në Diversitet”, që e bën BE-në një projekt kaq unik. Në këtë frymë Java e Evropës këtë vit u përqendrua tek disa prej vlerave themelore, gjithëpërfshirja, diversiteti dhe të drejtat e njeriut. Objektivi ynë ishte të portretizonim një Evropë. Evropën që përfshin Shqipërinë, ku gjithkush të ndihet si në shtëpi. Ku nuk ka rëndësi sesi dukesh, se kë do, si lutesh dhe ku ke lindur”, tha Gonzato./atsh/ KultPlus.com

Pamje nga Kepi i Rodonit

Kepi i Rodonit është një tjetër perlë e Adriatikut që fton të gjithë pushuesit për të shijuar jo vetëm plazhin e mrekullueshëm, por edhe historinë që mbart ky vend.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Kepi i Rodonit në Durrës.

Kepi i Rodonit ka formën e një trekëndëshi midis gjirit të Rodonit e atij të Lalëzit, formon një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik.

Ky xhevahir i natyrës është një vend jashtëzakonisht interesant mbi të gjitha për vendndodhjen e tij piktoreske: një kep shkëmbor që shtrihet drejt detit, formuar nga shkëmbinjtë e rrethuar me bimësi mesdhetare dhe lule aromatike.

Në këtë vend çdo vizitor gjen të ndërthurur më së miri historinë, me natyrën dhe detin. Në pjesën verilindore të Kepit ndodhet një ndër objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, kalaja e Skënderbeut.

Kepi i Rodonit është një tjetër perlë e Adriatikut që fton të gjithë pushuesit për të shijuar jo vetëm plazhin e mrekullueshëm, por edhe historinë që mbart ky vend.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Kepi i Rodonit në Durrës.

Kepi i Rodonit ka formën e një trekëndëshi midis gjirit të Rodonit e atij të Lalëzit, formon një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik.

Ky xhevahir i natyrës është një vend jashtëzakonisht interesant mbi të gjitha për vendndodhjen e tij piktoreske: një kep shkëmbor që shtrihet drejt detit, formuar nga shkëmbinjtë e rrethuar me bimësi mesdhetare dhe lule aromatike.

Në këtë vend çdo vizitor gjen të ndërthurur më së miri historinë, me natyrën dhe detin. Në pjesën verilindore të Kepit ndodhet një ndër objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, kalaja e Skënderbeut. / KultPlus.com

Zbulime të reja arkeologjike në Durrës

Arkeologët nxorrën në dritë mozaikë dhe afreske të reja gjatë gërmimeve në territorin e një shkolle, e cila u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 në Durrës dhe po rindërtohej.

Sipas arkeologut Luan Përzhita, që udhëheq misionin, gërmimet kanë zbuluar gjurmët e një pishine të brendshme të një vile të periudhës romake, e para e llojit të saj e zbuluar nga gërmimet arkeologjike në Shqipëri.

Sipas zotit Përzhita pishina është e dekoruar në të gjithë sipërfaqen e saj me afresk të një niveli të lartë artistik shumëngjyrësh.

“Unikaliteti i kësaj strukture, sipas arkeologut Përzhita, qëndron dhe në dyshemenë e saj të shtruar me një mozaik të ruajtur shumë mirë, me motive gjeometrike, të punuar me tesera mermeri, guri , qelqi dhe qeramike”, thotë arkeologu Përzhita.

Ai shton se “në afërsi të pishinës, është zbuluar një monument hidrik i përbërë nga dy vaska të cekëta të shtruara me llaç hidroizolues dhe në pjesën veriore të kantierit të gërmimit u zbulua një dysheme me tulla, me përmasa të mëdha e cila mund të jetë dyshemeja e një terme, duke marrë parasysh krahasimet me ndërtimet e ngjashme të periudhës në Mesdhe”.

Sipas arkeologut janë evidentuar edhe disa linja muresh që lidhen me kompleksin arkitektonik të zbuluar në këtë sektor.

“Lartësia e konsiderueshme e ruajtjes së tyre na lë të nënkuptojmë që ky monument mund të ketë qenë i ndërtuar me dy kate”, tha arkeologu Përzhita.

Sipas tij me shumë interes janë zbulimet në pjesën perëndimore, ku veçohen fragmente të dekorimit të mureve dhe tavaneve të vilës, të punuara me stuko me motive të ndryshme, antropomorfe dhe floreale ku nuk mungojnë gjurmët e afreskut.

Gërmimet arkeologjike në këtë zonë shtrihen në një sipërfaqje prej 1200 m2 dhe në këtë fazë kanë dhënë një panoramë të veçantë të organizmit urban të zonës duke premtuar gjetje të reja.

Pak kohë më parë në këtë zonë u zbulua një banesë e shtruar me mozaikë me motive floreale, e cila solli bllokimin e vijimit të punimeve për themelet e shkollës së re që po ndërtohej, marrjen në mbrojtje të zonës dhe fillimin e misionit arkeologjik.

Arkeologët besojnë se kanë të bëjnë me një pjesë të qytetit ku banonin shtresat elitare të shoqërisë dhe gjatë gërmimeve janë gjetur edhe objekte të tjera arkeologjike si enë , një statujë dhe figurina.

Gjetjet arkeologjike sipas arkeologëve i përkasin shekujve I-IV të erës sonë me pikën kulmore të zhvillimit të një rezidence elitare në shekujt I-II e.s. e cila ndodhej poshtë themeleve ku ishte ndërtuar shkolla që u shkatërrua nga tërmeti që goditi Durrësin në vitin 2019.

Arkeologët mendojnë se edhe rezidenca elitare u shkatërrua nga tërmeti i shekullit të IV të e.s, i cili përmendet në burimet antike. /VOA/ KultPlus.com

”Toosh”, vepra artistike e krijuar nga Arianit Beqiri

“Toosh” quhet vepra e re artistike krijuar nga Arianit Beqiri, e cila ka në fokus dhunën e vrasjen ndaj grave.

Në një fotografi, mund të shihni një poster i një gruaje, i vendosur në një poligon të gjuajtjes me armë, i qpuar nga goditjet e plumave. Pas këtij posteri, janë edhe dy postera të tjerë, me distanca të ndryshme prej njëra-tjetrës, si pritje që ato të jenë shënjestrat e radhës nga burrat e tyre.

Të bashkëlidhur mund ta gjeni foton e veprës, pra atë në poligon dhe posteri i cili është përdorur për këtë vepër.

Koncepti:

Toosh, instalacion, 64x43cm, 2024

Gratë janë bë poligon i gjuajtjes për burrat. Vrasjet e grave janë të shumëta edhe nëse do të ishte vetëm një e tillë.

“Le të mos e prekim jetën as me majat e gishtave.

Le të mos njohim as dashurinë në mendjen tonë.

Le të mos e dimë kurrë ndjenjën e një puthjeje femërore, as në ëndrrat tona.”

— Fernando Pessoa

/ KultPlus.com

‘Sofra e Varrit’ nga Mentor Zymberaj me prezantim në Stamboll

Filmi kosovar me regji të Mirak Zymberaj e skenar të Mentor Zymberaj, “Sofra e Varrit” pati nderin të prezantohet në ‘GALA Short Film Competition’ në Stamboll ku u vlerësua lartë nga artistët vendor e ndërkombëtarë dhe të pranishmit në Natën Solemne.

“Filmi vazhdon rrugëtimin artistik duke shpalosur historinë tonë anë e kënd botës”, ka bërë të ditur Mentor Zymberaj. / KultPlus.com

Nobelisti Arno Penzias: Historia e pabesueshme që e çoi tek Teoria e Big Bang-ut

Studimi i fizikantit, fitues i çmimit Nobel, Arno Allan Penzias, ndihmoi në sigurimin e dëshmive të padiskutueshme të thelbit dinamik, në zhvillim, të pikës së origjinës së universit, duke konfirmuar teorinë e Big Bang-ut si një shpjegim i pranuar gjerësisht i origjinës dhe evolucionit të kozmosit. Por jo vetëm kaq, falë kontributit të tij u konsolidua baza shkencore e të kuptuarit tonë të universit dhe puna e tij mbetet një shtyllë themelore në kozmologjinë moderne.

Historia e pabesueshme e jetës së tij

Bota mundi të njihte gjeniun e tij të madh falë një historie të pabesueshme që përfshiu familjen e tij në prag të Luftës së Dytë Botërore, kur së bashku me prindërit dhe vëllain më të vogël jetonin në Gjermaninë naziste, e cila shpejti do të shkaktonte atë pjesë të dhimbshme të historisë që të gjithë e njohim.

Në prag të Luftës së Dytë Botërore, një pronar dyqani bojërash në Belleville, New Jersey dëgjoi një trokitje të drojtur në derë. Ishte një emigrant gjerman 28-vjeçar i quajtur Leo Gelbart, i cili shkonte shtëpi më shtëpi duke kërkuar ndihmë nga anëtarët e komunitetit hebre të qytetit, në mënyrë që të sillte familjen Penzias, të përbërë nga Karl dhe Justine dhe djemtë e tyre Arno dhe Guenther, nga Gjermania, për t’i shpëtuar regjimit nazist.

Për ta e vetmja alternativë ndaj kampit të përqendrimit ishte arratisja. Por për ta bërë këtë, atyre u nevojiteshin një sërë deklarimesh: dokumente zyrtare që vërtetonin ekzistencën e një të afërmi dhe një rrjet sigurie financiare në Shtetet e Bashkuara. Gelbart dyshohet se dha dokumentin e parë, duke pretenduar se miku Karl Penzias ishte kushëriri i tij. Por si kamarier nuk kishte para të mjaftueshme për të qenë garant financiar i familjes. Kështu ai po kërkonte dikë që të firmoste deklaratën e dytë dhe të merrte përgjegjësinë për familjen, nëse do të ishte e nevojshme.

Ndihma që ndryshoi historinë

Tregtari i bojërave pranoi t’i ndihmonte: “Do të jem i lumtur t’u jap një dorë derisa të jenë në gjendje të mbajnë veten,” shkroi ai në deklaratë. Kështu, familja Penzias u shpërngul në Amerikë nga Gjermania, jo me pak vështirësi, dhe Arno, djali i madh, u bë një nga fizikantët dhe astrofizikanët më të mëdhenj në botë. Në vitin 1978, së bashku me Robert Woodrow Wilson, ai fitoi Çmimin Nobel në Fizikë për zbulimin, në vitin 1964, të rrezatimit kozmik të sfondit mikrovalor, mbetjet e një shpërthimi që i dha jetë universit rreth 14 miliardë vjet më parë. Ai shpërthim, i njohur si Big Bang, është sot shpjegimi i pranuar gjerësisht për origjinën dhe evolucionin e universit.

Jeta e Arno Allan Penzias

Ai lindi në Mynih në vitin 1933, kur filloi ngritja e Hitlerit në pushtet. Në vitin 1938 familja u mblodh me hebrenj të tjerë që mbanin pasaporta polake dhe u detyrua të hipnin në një tren për t’u larguar në Poloni. Por treni u vonua dhe zyrtarët polakë ua shpallën të pavlefshme pasaportat para se të arrinin në kufi. Në vitin 1939, ndërsa po nxitonin të organizonin nisjen për në Amerikë, prindërit e Arnos dërguan dy djemtë e tyre të vegjël në Angli falë Kindertransport, një nismë humanitare britanike falë së cilës u shpëtuan 10,000 fëmijë, kryesisht hebrenj, nga territoret naziste.

Të dy kaluan nëpër familje të ndryshme kujdestare derisa Karl dhe Justine Penzias, falë ndihmës së marrë nga pronari amerikan i bojës, arritën të kishin të gjitha dokumentet e nevojshme për t’u larguar për në Shtetet e Bashkuara. Thuhet se në udhëtimin me anije për të kaluar Oqeanin Atlantik, siç raporton National Geographic, ata u mbijetuan uraganeve të forta dhe sulmeve të nëndetëseve gjermane.

Mundësia për të qenë në gjendje të studionte

Me të mbërritur në Nju Jork, familja u vendos në Bronx dhe Arno ishte në gjendje të studionte në Shkollën e Lartë Teknike të Brooklynit, e të diplomohej në City College, duke përfunduar, pas shërbimit ushtarak, një doktoraturë në fizikë në Universitetin e Kolumbias. Më pas ai iu bashkua Bell Laboratories ku nga viti 1972 mbajti postin e drejtorit të departamentit të kërkimit të radiofizikës, duke punuar në projekte pioniere, përfshirë komunikimet satelitore dhe fibrat optike.

Ai gjithashtu dha mësim në universitete të shumta amerikane, duke përfshirë Princeton dhe Kembrixh. Ai u bë anëtar i Shoqatës Amerikane të Astronomisë dhe Shoqatës Amerikane të Fizikës, si dhe i Unionit Ndërkombëtar Astronomik. Në vitin 1965, ndërsa me Robert W. Wilson po përpiqej të reduktonte zhurmën e sfondit të pranishëm në komunikimet me satelitët artificialë, ai zbuloi rrezatim të vazhdueshëm në 4.35 cm i cili, së bashku me rrezatimin e zbuluar pak më vonë në 20.7 cm, disponohej në një kthesë rrezatimi termik rreth 3°K. Për këtë zbulim, i cili përbën një nga të dhënat kryesore në mbështetje të teorisë kozmogonike të Big Bang-ut, të dy u nderuan me Çmimin Nobel për Fizikë në vitin 1978, së bashku me urimet e presidentit të atëhershëm Jimmy Carter. Pikërisht në përgjigje të atij telegrami ai i shkroi presidentit mirënjohjen, që pati mundësinë të jetonte në Shtetet e Bashkuara.

Fjalët prekëse

“Kam mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tridhjetë e nëntë vjet më parë pa para, si refugjat nga Gjermania naziste. Për mua dhe familjen time, Amerika përfaqësonte një strehë të sigurt, një vend të lirë plot mundësi. Në një kohë kur premtimet dhe rëndësia e institucioneve amerikane shpesh vihen në dyshim, ndihem i detyruar të dëshmoj se si është realizuar premtimi amerikan në përvojën time personale të jetës. Jam thellësisht krenar që jam amerikan dhe shumë mirënjohës për Amerikën dhe popullin amerikan. Përfitoj pra nga rasti, t’ju shpreh juve, si përfaqësues i popullit amerikan, një pjesë të vogël të falënderimit tim për të gjithë amerikanët”. (bota.al) / KultPlus.com

Etno Fest rikthehet nga 10-18 gusht


Festivali Etno Fest së shpejti vjen në fshatin Kukaj. Edicioni i 14-të për këtë vit do të mbahet nga 10 deri më 18 gusht.

“Bashkohuni me ne për një udhëtim të paharruar në botën e tingujve të vjetër dhe frymës së lashtë! Një festë e mrekullueshme e muzikës, ushqimit tradicional dhe artit tradicional po ju pret!”, thuhet në postimin e bërë nga festivali. / KultPlus.com

Osmani: Vizioni për Europën e kompletuar, të lirë dhe në paqe, më afër realitetit kur të gjithë aspirantët i bashkohen BE’së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se derisa populli i Kosovës iu bashkua sot qytetarëve europianë në shënimin e Ditës së Europës, vizioni për një  “Europë të tërë, të lirë dhe në paqe” do t’i afrohet edhe më shumë kësaj me anëtarësimin e vendeve që aspirojnë e përkushtohen që të jenë pjesë e Bashkimit Europian.

“Ky vizion i afrohet realitetit kur të gjitha vendet aspirante dhe të përkushtuara të anëtarësohen në BE. Kosova gjithmonë do ta konsiderojë BE-në jo vetëm si një union , por si një fener vlerash – vlera që ne i mbrojmë dhe përpiqemi t’i mbajmë çdo ditë”. / KultPlus.com

Tirana shpallet “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut” për vitin 2025

Tirana është shpallur Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025.

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Blendi Gonxhja ka reaguar për lajmin në facebook duke thënë sa më poshtë se do të mbështerin aktivisht organizatat dhe skenën e pavarur artistike.

“Si MEKI, ne do mbështesim aktivisht organizatat dhe skenën e pavarur artistike, e në vijim jemi zotuar të rrisim këtë mbështetje duke adresuar çdo sfidë me të njëjtin ritëm siç po rritet dinamizmi i kryeqytetit tonë. Vizioni jonë për të ardhmen – një vizion që feston diversitetin, gjithëpërfshirjen dhe shkëmbimin e ideve midis popujve tanë”, ka thënë ai.

Tutje, Gonxhja është shprehur se në bashkëpunim me Unionin për Mesdheun, Anna Lindh Foundation dhe Bashkinë e Tiranës, janë gati të shkëlqejnë në skenën ndërkombëtare të kulturës dhe dialogut.

“Viti 2025 premton plot aktivitete që do të nxisin krijimtarinë, promovimin e dialogut, ndërgjegjes qytetare e përqafimit të fuqisë transformuese të artit e kulturës”,ka shtuar ai./KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me shqiptarët e Amerikës në Teksas: Janë ambasadorë të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në rrjete sociale, ka njoftuar se së fundmi po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo ka bërë të ditur se në Teksas ka takuar shqiptarë të cilët i ka quajtur si ura më e fuqishme e aleancës së Kosovës me ShBA-të.

“Përgjatë kohërave sfiduese, ata ishin dhe janë ambasadorë të Kosovës, avokatë të kauzave tona dhe përkrahës të vendosur të aspiratave tona kombëtare”, ka shkruar Osmani./KultPlus.com

Premiera “Para perëndimit”, dëshmi autentike e teatrit kërkues shqiptar

Nga Aleksandër Çipa

Ka ditë që e kam ndjekur në skenën e teatrit Metropol premierën e dramës “Para perëndimit” ( Vor Sonnenuntergang). Kjo vepër, prej disa dekada, mbetet në lartësi suksesi nëpër teatro të ndryshme të botës.

Si një ndër më të rëndësishmet vepra të nobelistit gjerman Gerhart Hauptman, në teatrin shqiptar, e sjell regjisorja Andia Xhunga Çobani. Pasohet në këtë mënyrë surprizuese, varfëria referuese e teatrit shqiptar ndaj këtij autori të jehonshëm.

Ende nuk më është eklipsuar shija dhe përjetimi prej kësaj shfaqjeje. Jam rrëmbyer në gjendje të përthyeshme dhe të vijueshme, në përjetime empatish dhe antipatish, të imponuara prej lojës së aktorëve që mishërojnë një galeri befasuese karakteresh. Seicili prej tyre është në karakterin e vet hauptmanian, i karakterizuar atipikisht në lojë, si në perimetrin ilustrues familjar, ashtu edhe në regjistrin krahasimtar shoqëror.

Përgjegjësia skenike e aktorëve në këtë premierë, sqima për çdo grimasë, lëvizje, dialog, adresim përdorim i hapësirës, objektit dhe çdo reagim, i bëjnë në harmoni të plotë me kostumografinë, skenografinë apo ndriçimin minimalist, duke evidentuar aktorin dhe duke i dhënë forcë aksionit skenik, duke sjellë një konfigurim risues në skenën “Shakespeare” të Teatrit Metropol.
Një produksion që me elegancë konceptimi dhe zotësi perceptimi për lëndën autoriale të Hauptmanit, ia ka dalë të sjellë versionin skenik shqip të dramës.

Emra të njohur dhe përcjellës profesionistë të teatrit, në vend dhe në botë, kanë bërë me dije se autori i dramës është një ndër eksponentët e famshëm të natyralizmit poetik teatror.

Një premierë spektakolare, rrëmbyese dhe mbajtëse e fuqishme në emocion. Ajo e mban këtë ndikim tek spektatori i çdo nate shfaqjeje, prej më shumë se dy javë rresht.
Më saktë, sikundër e cilëson regjisori i njohur Albert Minga, ky është një : ”Spektakël i mrekullueshëm. Aty gjen gjithçka, çfarë duhet të ketë një produksion teatror cilësor”.

Vepra e nobelistit është shkruar në vitin 1932. Kohë e largët, e pasuar nga shumë epoka… Por kohezioni i saj me të përditshen aktuale të shoqërisë sonë është befasues.
Intuita dhe drejtleximi regjisorial prej Xhunga Çobani, është premisa përcaktuese e këtij suksesi që nuk rresht së konfirmuari nga spektatori për çdo mbrëmje në teatrin e kryeqytetit shqiptar.

Aktorë si Trebicka në rolin Mathais Clausen, shënon regjistrin më të lartë karakterial, me një sukses tronditës. Ai rrëmbeu dhe po trondit bukurisht, për çdo natë, publikun duke na konfirmuar imponueshëm se teatri ynë është në jetë dhe mundësi surprizuese artistike dhe interpretimi.

Vepra mbart kumtin e një himni për lirinë dhe të drejtën e individit si në shoqëri, por veçanërisht në familje. Madje në këtë të dytën individi, pamvarësisht nga raporti dhe pozicioni hierarkik dhe gjenealogjik, gëzon dhe duhet të mishërojë lirinë e vet përcaktuese, pa iu nënshtruar marrëdhënies dhe sidomos tabusë, aq më tepër asaj të moralit tradicional ose klasik. Fataliteti nwnshtrues prej mendwsisw tradicionale dhe sidomos presionit mental familjar, nw subjektin e kwsaj drame pwrbwn njw model letrar tw shumwçmuar.

Në këtë subjekt dramaturgjik, kasta e aktorëve të përzgjedhur prej regjisores, si Ilirda Bejleri, Elia Zaharia, Yllka Mujo, Sokol Angjeli, Luli Bitri, Pjerin Vlashi, Aleks Seitaj etj., ia dalin të komportohen në funksione individuale si në një finalizim të suksesshëm ansambli. Secili me fuqinë individuale, Elia Zaharia me ndjeshmërinë e skajshme, Yllka Mujo që mbetet e pakrahasueshme, Luli Bitri në një dimension krejt të ri të saj, Alex Seitaj befasues dhe gjithë të tjerët, i shkrinë talentet dhe uniken e tyre në një ansambël që frymonte si një trup solid interpretuesish.

Ata janë pjestarë të subjektit të një katastrofe familjare e cila shpërfaq edhe thelbin bjerës social, edhe atë të raporteve brenda kurorës gjenealogjike.

Ky dekor, të cilin regjisorja nuk e ofron si peizazh nga distanca, por e fokuson në detaje nga brenda familjes dhe shtëpisë, e bën edhe më evidente krizën e përplasjes për vetëzgjedhjen dhe lirinë e “prijësit familjar”, në marrëdhënie me pinjollët dhe rrethuesit e tjerë.
Protagonisti 70-vjeçar Mathais Clausen ( Alfred Trebicka) është i rënë në dilemën e zgjedhjes mes dashurisë dhe rrethanës së refuzimit të pengimit prej bashkëpjestarëve trashwgimtarw të familjes. Raportet e dominuara nga refuzimi familjar, të dashurisë së tij me Inken ( Ilirda Bejleri), dhe sidomos arsyeja determinuese e kërcënimit të trashëgimisë financiare bëhen thelbi dhe pika kulmore e dramës.

Në këtë dramë, Trebicka vjen i pakrahasueshëm dhe të kujton përcaktimin e Cvajkut për Dostojevskin kur shton se : “ …triumfi i forcës jetësore të shpirtit mbi një trup të dërmuar e të sëmurë”, prej pengimit, shpërthen. Në këtë moment admirimi për artin e tij, për mjeshtërinë e tij, në shfaqjen me aq shpwrthime psikologjike, bëhet përtej së zakonshmes.
Regjisorialisht në këtë thelb është investuar jo vetëm intensiteti i lojës, por cilësisht është përqëndruar shpërfaqja e karaktereve, aq sa të duket se në mjedisin e ngushtë familjar ka më tepër karaktere, diferenca psikologjike dhe kontraste gjendjesh, se objekte skenike.
Kjo është një ndër arsyet e suksesit të fuqishëm të dramës në të gjitha netët e shfaqjeve. Këto karaktere japin shpalosje specifikash antroposociale dhe familjare. Të gjithë janë tipikisht të evidentueshëm karakterialisht: Klesta Shero, Roerd Toçe, Ligoraq Riza, Genc Fuga, Vasjan Lami, Elona Hyseni, Kastriot Ramollari,, Artur Vera,Laura Hoxha.


Kanë një energji specifike, që vjen si meritë individuale e tyre, por edhe prej kërkesës regjisoriale. Kësi cilësish dhe arsyesh dramaturgjike në këtë prurje, e mbajnë të mbërthyer publikun, e përfshijnë atë në pritjen e episodit pasues dhe sidomos të marrëdhënies që ndwrton krejt vepra skenike.Shpesh në ecurinë e lojës aktoriale, plastika jo vetëm si në maksimum tek Trebicka, por edhe tek partneria e tij Inken ( Bejleri) e cila ndryshe, në këtë rol ofron jo vetëm forcën, temperamentin, emocionin drithërues, por edhe aftësinë komplementare interpretuese si instrumentiste në piano, përbën një komponent skenik dhe gjetje regjisoriale ndikuese.
Duhet thënë se muzika e sjellë prej kompozitorit Endri Sina, madje edhe në lojën e aktores Bejleri, i shtojnë sharmin kësaj premiere dhe thyejnë tabunë si për normën tradicionale teatrore, ashtu edhe për puritanët klasikë. Elementet regjisorialë, racionaliteti skenik në këtë shfaqje, bëhen mishërim i cilësishëm realizues dhe mund të konsiderohen realisht, si një dëshmi autentike e teatrit kërkues shqiptar./tema/KultPlus.com