Përfundoi procesi i restaurimit dhe konservimit i ikonës “Burimi Jetëdhënës” me origjinë nga Manastiri i Shën Pjetrit, Vithkuq, Korçë.
Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Fjoralba Prifti, tha për ATSH-në se janë dashur pothuaj dy vjet për restaurimin e kësaj ikone nga Qendra e Restaurimit dhe Studimit të Ikonave, Laboratori i Restaurimit, pranë MKAM.
Ikona “Burimi Jetëdhënës”, me origjinë nga Manastiri i Shën Pjetrit dhe Pavlit, i përket shek. të 18-të dhe është vepër e autorëve Kostandin dhe Athanas Zografi, vëllezërit nga Korça.
Ikona ka pasur shumë problematika, si rënie gruntit dhe të shtresës pikturale. Kishte dëmtime të panelit të drurit nga insektet drungrënëse. Verniku ishte tejet i oksiduar dhe kishte krijuar ishullime. Për shkak të këtyre problematikave të shumta që mbarte, u desh një kohëzgjatje e procesit të restaurimit dhe konsolidimit.
Drejtoresha e MKAM tha se, pas ndërhyrjes restauruese si dezifektimit, konsolidimit dhe pastrimit të vernikut të oksiduar, në fund u krye ritokimi dhe rillakimi./atsh/KultPlus.com
“Kalorësi i Babunjës”, statuja prej bronzi e zbuluar në Babunjë të Lushnjës, vjen nga lashtësia në skenat ndërkombëtare.
Pas restaurimit në Institutin Getty dhe ekspozimit në Los Angeles, ky dëshmitar i epokës arkaike ndodhet tani në Muzeun e Historisë së Natyrës në Vjenë, një ambasador 14 cm i trashëgimisë sonë mijëravjeçare.”
Kështu shkruan Gonxhe në rrjetet sociale. /KultPlus.com
“Jeta nuk do të thotë ta gjesh veten apo të gjesh çfarëdo tjetër”, thotë Bob Dylan, “Bëhet fjalë për krijimin e vetes”. Në moshën 78-vjeçare, muzikanti kalon në një fazë të re të vetë-krijimit me filmin intrigues, magjepsës, hutues e ndonjëherë ekzaltues – “Rolling Thunder Revue: A Bob Dylan Story by Martin Scorsese review” të regjisorit Martin Scorsese. Kjo do të thotë se Scorsese ka mbikëqyrur edhe editimin e arkivit filmik dhe se bashkëpunoi me Dylanin në një akt tjetër artistik të vetë-riformimit, shkruan kritiku i filmit Peter Bradshaw.
Filmi flet për turneun e koncerteve të quajtur “Rolling Thunder Revue”, që u mbajt në SHBA dhe në Kanada në vitin 1975 – turneu 57-ditësh ku trubaduri u shfaq me grim të bardhë në fytyrë e me një listë të jashtëzakonshme të akteve mbështetëse, ku përfshiheshin Joan Baez, Joni Mitchell, Roger McGuinn, Ronee Blakley, “Ramblin” Jack Elliott, Bob Neuwirth dhe violinistja Scarlet Rivera. Vendet ku luanin nuk ishin arena masive; ishin salla dhe hapësira të vogla, me publicitet ndonjëherë të kufizuar në fletushka të shpërndara gjatë ditës tek banorët e qyteteve të vogla, në të cilat autobusi i turneut i stilit të Ken Keseyt do të kalonte me Dylanin e buzëqeshur në timon. Mundohuni të paramendoni se po ndodh tani.
Çfarë nënkuptonte për Dylanin, që të udhëheq këtë ngjarje në një si thashetheme muzikore që gjarpëronte nëpër Amerikën që po e merrte veten nga turpi i skandalit Watergate dhe që po bëhej gati për festimin e 200-vjetorit të pavarësisë?
“Ishte aq moti sa që nuk kisha lindur”, thotë sot Dylani ironik, duke ngritur supet. Të gjitha paraqitjet e tij në intervista janë shumë qesharake, me zë të thatë si bari i prerisë.
Filmi nuk mëton të na tregojë qartazi se për çfarë bëhet fjalë. Ka diçka të çuditshme dhe djallëzore aty. Pamjet e koncerteve dhe të prapaskenave duket se janë marrë nga i njëjti arkiv i materialeve që formoi bazën e filmit të gjatë dhe të dështuar të vitit 1978 – për këtë turne, “Renaldo and Clara” – të cilin ai shkroi me të ndjerin Sam Shepard (i cili është intervistuar në dokumentar). Ashtu si ai film, “Rolling Thunder Revue” ka disa karaktere që nuk mund të jenë bash faktikë. Xhirimet i atribuohen filmbërësit dispeptik i cili në fakt është artisti i performancave dhe komediani Martin Von Haselberg, bashkëshorti i aktores dhe këngëtares Bette Midler. Një politikan i caktuar është intervistuar dhe ju mund të thoni: “Prit, ai djalë duket si aktori Michael Murphy”! Dhe është aktori Michael Murphy. Mund të jetë kjo një komedi moderne dell’arte në të cilën, me ndihmën diskrete të Scorseses, Dylan po tërhiqet prapa maskave që mund ta lejojnë të tregojë një të vërtetë më të madhe?
Mbase po. Scorsese hedh më shumë aludime me copëzat nga filmat që në një mënyrë kanë të bëjnë me performancat skenike: “The Vanishing Lady” (1893) nga Georges Melies, “Children of Paradise” (1945) nga Marcel Carnes dhe “Latcho Drom” (1993) nga Tony Gatlif. Ndonjëherë gjysmë-kujtimi kreativ është pak i errët dhe ka raste kur unë do ta kisha bërë më shumë si një realizëm të drejtpërdrejtë dokumentar. Por, nuk bën të ankohem kur gjithë kjo është aq e mahnitshme, si një kapsulë kohore dhe si një shfaqje unike me Dylanin dhe me paraqitje të lavdishme nga Baez, Mitchell dhe gjithashtu Patti Smith – e cila në fakt nuk ishte anëtare i turneut “Rolling Thunder”.
Allen Ginsberg, një tjetër figurë me rëndësi e viteve 1970, shfaqet në turne, sa egoist aq edhe i nënshtruar nga rëndësia e Dylanit. Është një intervistë e mirë me aktoren Sharon Stone, e cila si e re duket se ka qenë pak në turneun me “Rolling Thunder”. Ajo është intervistuar për përvojat e saj – përfshirë shpërthimin në lot kur zbuloi se kënga e Dylanit, “Just Like a Woman”, përkundër fjalëve që ai i kishte thënë, nuk i dedikohej asaj!? A mund të ndodhte kjo meqë ishte e vetmja femër e re, në udhëtim tek e cila Bob mund ta përdorte atë varg?
Pjesa më emocionale e filmit është kënga e Dylanit, “Hurricane”, për boksierin Rubin “Hurricane” Carter i cili u burgos gabimisht për një vrasje. Kjo këngë dhe turneu “Rolling Thunder” ishin pjesë e rëndësishme e momentumit që e përmbysi dënimin për Carterin – megjithëse nuk do të lirohej edhe për 10 vjet.
Për fund, kjo është një përvojë e mrekullueshme, që të zhyt përsëri në vitet 1970. Ka pasion aty. E, pa marrë parasysh se sa kaotike apo të zymta bëhen gjërat, askush nuk ka dyshime se muzika ka rëndësi. /KultPlus.com
Nga ky vend do të ndërmendim atë çka pyet Hëlderlini në elegjinë e tij “Bukë dhe verë” (VI strofa):
Pse pra po heshtijnë dhe ata, teatrot e shenjta antike?
Pse nuk po i lëvdojnë ata Zota që po kcejnë rrëmujën gaztare?
Vendit të lashtë të shfaqjes së zotave u është privuar e drejta të përmenden në fjalë, në atë fjalë siç ka qenë ajo dikur. Po si ka qenë pra, ajo? Në ligjërim, ajo ka qenë fqinjësi me zotat. Ligjërimi i ka lejuar vetes të thotë atë mbi të cilën është drejtuar vështrimi i folësit, sepse qysh më parë kësaj, ajo tashmë i ka përndriçuar ata. Të tillë përndritje e brendshme i ka kallur folësit dhe dëgjuesit në thellësinë e pafundme të barrës ndërmjet zotave dhe njerëzve. Përmes gjithë kësaj barre (rëndësire), ka prirë sundueshëm e, megjithatë pushtetshëm, ajo çka është edhe më e lartë se zotat dhe njerëzit, sikundërse flet për këtë Antigona:
Sepse jo Zeusi, që më shpalli kumtin,
(Porse një tjetër, që më dëfteu Nevojën)
Sepse jo ç’prej asaj dite dhe jo ç’prej asaj mbrëmjeje, po pa prâ, çdo herë
Shplohet ai që dëften Nevojën dhe askush ende nuk ka
Përbiruar vështrimin përmatanë, nga ai erdhi për t’u shfaqur.
Enigmë mbetet fjala poetike e llojit të këtillë, rrëfimi i së cilës çdo herë kthehet tashmë në heshtje. E mjaftueshme do jetë, nëse do të lëmë thjesht poezinë vetë të na e thotë enigmën e këtyre fjalëve dhe tani, hidhemi te poezinë me titull:
Fjala
Prej çudish larg dhe ëndrrash plim
Sillja sinoret e vendit tim
Nornën e ngrysur ma priste zemra
N’ burim t’m’i gjente ato emra –
T’i ngërthej fort këtu ia dola
Tash përmes kufijsh lulojn’ ata…
Sos udhëtimesh ktheja pas
Tue gjetë i’ thesar brishtan t’begatë
Më foli prajshëm norna n’fund:
“Nuk fle asgjë aty përfund!”
Prej duarsh thesari më iku tej
Dhe s’munda n’visin tim ta kthej…
Kështu të zehërt njoha tabunë
Gjësende s’ka ku fjala s’bun.
Poezia u shfaq për së pari në numrat 11 dhe 12 të “Buletinit të artit” gjatë vitit 1919. Më vonë (1928) Shtefan George e përfshiu atë në përmbledhjen e fundit të poezive të fundit të botuar prej tij, me titull “Mbretëria e re”.
Poezia është ndërtuar prej shtatë strofash distike. Strofa e fundit jo vetëm që përmbyll poezinë, ajo njëkohësisht edhe e kyç atë. Kjo duket prej faktit që vargu përmbyllës për së pari, flet vetëm për atë se çfarë qëndron në titull: “Fjala”. Ky varg përmbyllës thotë:
Gjësende s’ka ku fjala s’bun.
Të lind tundimi ta riformulosh vargun përmbyllës në një shprehje me përmbajtje të qartë: nuk ka gjëra atje ku mungon fjala. Aty ku diçka mungon, aty ka vend zbrazëtia, humnera. Të ndërpresësh diçka do të thotë: diçka t’i heqësh, diçka t’i privosh. Privimi i diçkaje don të thotë mungesë. Ku nuk mjafton fjala, aty nuk ka gjësende. Vetëm fjala që ka pushtet, u jep gjësendeve qenie.
Ç’domethënie ka fjala, në çfarë është e zonja ajo?
Çfarë është gjësendi, çfarë nevoje ka ai për fjalën për qenien e tij?
Ç’domethënie ka këtu qenia, në çfarë ajo na del këtu në rolin e huasë, e cila përcakton gjësendin prej fjalës?
Pyetje pas pyetjesh, të cilat nën dëgjimin e parë dhe leximin e poezisë nuk e zgjojnë arsyetimin tonë. Në fillim, ne ma s’pari jemi të mbërthyer thjesht me gjashtë strofat e para: ato na rrëfejnë për përvojën origjinale e të maskuar të përvojës së poetit. Sigurisht, këmbëngulëse tingëllon strofa përmbyllëse. Ajo na shtrëngon të shqetësohemi në meditime. Prej saj, ne për së pari veçse dëgjojmë atë çka, n’akord me titullin, kuptimësohet poetikisht me gjithë këtë poezi: “Fjala”.
A ka vallë ndosend më alarmuese dhe më të rrezikshme për poetin, sesa marrëdhënia me fjalën? Si zor. A krijohet vallë kjo marrëdhënie për së pari vetëm prej poetit apo fjala vetë prej vetes dhe për veten kërkon poezinë, në atë farë feje që vetëm përmes këtij kërkimi poeti bëhet ai kush mundet të jetë? E gjitha kjo dhe ende një tjetërçka, na bën të mendojmë për çfarë dhe na lë të kredhur në mendime. Bashkë me këtë gjë ne arsyetojmë, para se të biem në mendime. Sepse gjëja mbështetet tani sall në një varg të vetëm të të gjithë poezisë. Këtë varg përmbyllës për më tepër, ne dhe e kemi shndërruar në thënie. Kuptohet, ndërhyrja jonë është e diktuar jo prej arbitraritetit lakuriq. Përkundrazi, ne për pak sa nuk jemi të shtrënguar drejt riformulimit, pasi menjëherë vërejmë, që vargu i parë i strofës përmbyllëse mbaron me dy pika. Ai na bën të presim që në vargun pasardhës do të thuhet diçka. Ndër të tjera, një ngjashmëri të tillë e gjejmë dhe në strofën e pestë. Në fund të vargut të saj të parë, në mënyrë analoge, qëndrojnë dy pikat:
M’u përgjigj norna më n’fund:
“Asgjë nuk fle aty përfund”.
Me dy pikat diç nis të hapet. Ajo çka vijon pas tyre, kumbon, duke u shprehur gramatikisht, në indikativ: “Asgjë nuk fle aty…” Përveç kësaj, thënia e nornës së ngrysur është mbyllur në thonjëza.
Ndryshe është në vargun përmbyllës. Vërtet që në fund të vargjeve të saj të para, këtu qëndrojnë gjithashtu dy pikat. Ajo që vijon, sidoqoftë, nuk është thënë në indikativ dhe nuk qëndron mes thonjëzash. Ku qëndron ndryshimi ndërmjet strofës së pestë dhe të shtatë? Në strofën e pestë, norna e ngrysur diçka kumton. Kumtimi – është një lloj i thënies, njëfarë zbulimi. Në ndryshim nga kjo, toni përmbyllës i strofës është i koncentruar në fjalën “tabu”.
Tabu nuk është thënia, por, ndoshta, ka gjasë të jetë, sidoqoftë, ndofarë shprehjeje. Tabuja është e lidhur me mohimin. Të mohosh, të porositësh, (“porositësi”) – është nënprodukt nga folja pohoj (me pranue, me dëftue). Më thanë – është po ajo fjalë, sikundërse me (kall)zue, e ngjashme me foljen latine dicere, me diktue, kjo është po ajo fjalë në greqishten e vjetër deiknumi – me kallzue. Me tregue, me dëftue do të thotë: me dhanë me pa, me e qitë në dukë, në dritë. Pikërisht, ky dëftim që po hapet e shpërfaqet, përbën kuptimin e fjalës tonë të vjetër kall-zoj, flas. Dëftoj, kallzoj dikë do të thotë: me e tradhtue dikënd, me e ekspozue në gjyq. Në tabunë si moh-im, qeveris vetë thania. Në çfarë mënyre? Me refuzue do të thotë: me e lanë pretendimin mbi diçka, me heqë dorë prej diçkaje. Përderisa tabuja e njohur është njëfarë lloji i shprehunisë (thanies), ai mund të ndërkallet në letër me anë të dy pikave. Ndërkaq që ajo çka pason pas tyre, jo detyrimisht duhet të jetë thanie. Dy pikat mbas fjalës “tabu” nuk hapin asgjë në kuptimin e thanies apo të pohimit, por këto dy pika na hapin tabunë – si diçka të thanë – për atë në të cilën ato përhapen. Mbi çfarë gjëje përhapen këto dy pika? Ndoshta mbi ato prej të cilave tabuja urdhëron të hiqet dorë.
Dhe t’zehërt unë njoha tabunë
Gjësende s’ka ku fjala s’bun.
Por si mund të bëjë vaki kjo? Mos vallë poeti heq dorë prej asaj që gjësende s’ka ku fjala s’bun? Në asnjë mënyrë. Prej kësaj, poeti e ka aq të pamundur të shkëputet, saqë ai madje, bie dakord drejtazi me të shprehurën. Pra, ajo mbi të cilën tabuja e njohur u përhap me anë të dy pikave, nuk mundet kurrësesi të jetë shprehje e asaj prej së cilës poeti hoqi dorë. Në të, përkundrazi, duhet të jetë shprehur ajo, të cilën poeti e anashkalon. Por të njohësh tabunë do të thotë pa diskutim: të heqësh dorë prej diçkaje. Gjegjësisht, vargu përmbyllës duhet të thotë prapëseprapë atë prej së cilës poeti hoqi dorë. Po dhe jo.
Si mund t’ia gjejmë anën kësaj? Ajo që na bën të vrasim mendjen më së shumti, është vargu përmbyllës, i cili kërkon që ta dëgjojmë atë në tërësi dhe më qartë, – gjithë strofën, sikundër, veçanërisht, atë që duke e mbyllur poezinë, njëkohësisht edhe e hap.
Dhe t’zehërt unë njoha tabunë
Gjësende s’ka ku fjala s’bun.
Poeti njohu tabunë. Njohu këtu do të thotë: provoi. Provoi atë, nëse e themi në latinisht, qui vidit, ai që sheh diçka, e vëren dhe kurrë më nuk i shqitet sysh ajo çka pa. Të njohësh do të thotë: të mbërrish atë çka ke parë. Këndej hyn ajo për të cilën ne gjakojmë, e pikërisht lëvizja drejt një drejtimi të caktuar, drejt një udhe. T’i vihesh një kupti-mësimi të tillë do të thotë: të provosh, të mësohesh.
Nëpër cilën udhë ka rrugëtuar poeti që mbërrin kuptimin e tabusë së vet? Përmes cilit vis e shpie udha që ka sosur? Si e mbërriti kuptimin e tabusë poeti? Strofa përmbyllëse na jep kallzimin. Po si kështu? Ashtu sikundërse na e thonë gjashtë strofat e mëparshme. Këtu poeti na flet për vendin e tij. Këtu ai na flet për udhëtimet e tij. Strofa e katër nis:
Sos udhëtimesh ktheja pas
“Sos” është përdorur këtu në kuptimin e vjetër, i cili thotë: të vetmen herë. Ajo na jep të kuptojmë ashiqare pikëmbërritjen e jashtëzakonshme e të veçantë. Prandaj rrëfimi për të jo vetëm fillon prerazi me këtë “sos”, por njëkohësisht veçohet shkoqur nga udhëtimet e mëparshme; në fakt, vargu i fundit i që i paraprin drejtpërsëdrejti strofës së tretë, përmbyllet me retiçencë. E njëjta gjë ka vend në vargun e fundit të strofës së shtatë. Kësisoj, gjashtë strofa, duke u përqendruar përreth të shtatës, janë të zbërthyer me shenja përmbyllëse, të qarta dy herë me nga tre strofa, në dy triada.
Udhëtimet e poetit, për të cilat flet triada e parë, – janë të një lloji tjetër, nga sa është ai i vetmi, të cilit i kushtohet e gjithë triada e dytë. Që të mund të dimë t’i kuptimësojmë udhëtimet e poetit, veçanërisht atë të jashtëzakonshmin, i cili e solli në njohjen e tabusë, ne duhet të mendojmë paraprakisht mbi vendndodhjen e këtij vendi, përmes të cilit kalon udha e poetit.
Dy herë, në vargun e dytë të strofës së parë dhe në vargun e dytë të strofës së gjashtë, poeti thotë: “vendi im”, “viset e mia”. Ky vend i Tij, është si sfera e sigurt e poezisë së tij. Ajo çka ka nevojë kjo sferë e tij, janë emrat. Për çfarë?
Në vargun e parë jep përgjigjen:
Prej çudish larg dhe ëndrrash plim
Emra për ato çka poeti ka parë e ndeshur në viset e largëta, për mrekullitë ose për ato që i shtiren poetit në ëndrra. Edhe të parat, edhe të dytat, me sigurinë e tij, poeti i merr për të vërteta që kanë të bëjnë me të, për atë çka janë, por në atë mënyrë që ai nuk do ta mbajë për vete këtë thelbësi, por ta paraqesë atë. Për këtë, ajo ka nevojë për emërtime. Këto fjalë, përmes të cilave ajo çka tashmë ekziston dhe konsiderohet ekzistuese bëhet aq e prekshme dhe konkrete, sa lulon para kohe duke kaltëruar, dhe mbretëron kështu në kufijtë e visores poetike si e bukura. Thelbi i emrave që paraqesin fjalën. Ata shpërfaqin atë që tashmë ekziston, paraqitjen. Në masën e asaj që shpërfaqin paraqitjen, emrat na dëshmojnë pushtetin që ata përcaktojnë mbi gjësendet. Poeti krijon vetë duke u nisur nga nevoja e vet për emra. Që të mundë t’i përftojë ato, ai duhet t’i gjejë me anë të udhëtimeve atje ku kërkimi i tij gjen kënaqësinë e dëshiruar. Kjo ngjet në sinoret e vendit të tij. Sinori ndan duke ngërthyer, duke përcaktuar dhe kufizuar vendndodhjen e sigurtë të poetit. Ndanë sinorit të visit të tij poetik – në mos po ky është vetë ai kufi? – është gurra, prej së cilës norna e zymtë, hyjnesha e lashtë e fatit, nxjerr emrat. Me këto emra ajo i jep poetit ato fjalë, të cilat ai me besim e siguri në vetvete i pret si paraqitje që ravijëzojnë atë çka ai konsideron si ekzistuese, të qenë-sishme. Pretendimi i poetit për mbretërimin e fjalës së tij, përmbushet. Lulëzimi dhe shkëlqimi i poezisë së tij bëhet i vërtetë. Strofa e fundit e triadës së parë nis me një “ngërthej”:
T’i ngërthej fort këtu ia dola
Tash përmes kufijsh lulojn’ ata…
Përqendrojmë vëmendjen tonë mirë në këmbimin e karakteristikës kohore të foljes në vargun e dytë të kësaj strofe krahasuar me të parën. Ai flet tashmë në prezencë. Pushteti i poetit u realizua plotësisht. Ai mbërriti qëllimin dhe plotmërinë. Asnjë lloj mosrrokjeje, asnjë lloj dyshimi nuk e lëkund më sigurinë e poetit në vetvete.
Derisa herëdokur të mos i ndodhë të provojë diç krejt tjetër. Për këtë flitet në triadën e dytë, e cila është ndërtuar me një gjegjësi të përpiktë me të parën. Simptomat e saj janë si vijojnë: vargjet e fundit të dy triadave përmbajnë fjalën “këtu”. Të parës “këtu” në fund të strofës së dytë, i paraprin një vizë shumëkuptimëshe. Para të dytës, “këtu” gjithaq i paraprin një shenjë: thonjëzat në strofën e pestë.
Prej të vetmit udhëtim të veçantë, poeti sjell në sinoret e vendit të vet tashmë jo “prej çudish t’largta, ëndrrash plym”. Pas udhëtimit të bukur, ai i avitet gurrës së nornës me një thesar. Prejardhja e thesarit mbetet e errët. Poeti thjesht e mban në duar këtë thesar. Prehur ndër pëllëmbët e tij thesari, as nuk i është shtirur në ëndërr dhe as nuk është sjellë prej së largu. Por në të njëjtën kohë, thesari i çuditshëm është “i shtrenjtë” dhe “delikat”. Prandaj, hyjneshës së fatit i del punë ta kërkojë gjatë emrin e thesarit dhe në fund të fundit, e kthen poetin duarthatë, duke i bërë me dije:
“Nuk fle asgjë aty përfund”.
Emrat që prehen në gurrë, konsiderohen si diçka të fjetura, të cilët duhen zgjuar që të mund të gjejnë zbatim në cilësinë e paraqitjes së gjësendeve. Emrat dhe fjalët janë të ngjashme me rezervat e përhershme, të cilat janë në korrelacione gjegjëse me gjësendet dhe se qëllimisht nxirren nga gurra për të paraqitur këto gjësende. Por kjo gurrë, prej së cilës shprehja poetike e ka shteruar gjer më tash fjalën, të cilën e paraqet në cilësinë e emrit të gjithçkaje ekzistuese, tashmë asgjë nuk dhuron.
Çfarë kumti i jepet më këtë poetit? Veçse faktit që, në duart e tij margaritarit nuk i gjendet emër? Veç faktit që, edhe pse margaritari mbeti pa emër, ai prapëseprapë mund të mbetet në duart e poetit? Jo. Ngjet diç tjetër, tronditëse. Të trondit jo fakti se thesarit nuk i gjendet emri, dhe as përvjedhja e emrit. Të trondit fakti që, me mosshfaqjen e emrit zhduket thesari. Kështu pra, është pikërisht fjala ajo që e mban thesarin në praninë e tij; ajo e nxjerr për së pari, e bart atë në prani dhe në prani e ruan. Fjala papritmas zbulon pushtetin e saj tjetër, të epërm. Dhe nuk është një ngërthim i emërtuar në praninë, tashmë të paraqitur, nuk është më mjet për paraqitjen e të dhënës së blatuar. Përkundrazi, vetë fjala – është dhuruesi i pranisë, d.m.th., qenies, në të cilën diçka rezulton si ekzistuese.
Këtë pushtet tjetër të fjalës poeti e sheh/ndesh papritmas. Tok me të, fjala që ka një pushtet të tillë, mungon. Thesari prandaj rrëshqet e përvidhet. Por megjithë këtë, ai prapë nuk shkërmoqet, nuk shndërrohet në hiç. Ai mbetet thesar, të cilin poeti, ndofta, nuk do të mundë ta ruajë kurrë më në vendin e tij.
Prej duarsh thesari më iku tej
Dhe s’munda n’visin tim ta kthej. . .
A kemi vallë të drejtë të shtyhemi në interpretimet tona aq larg, saqë t’i japim fund udhëtimit të poetit në gurrën e nornës? Me sa duket, po. Sepse përmes një përvoje të re poeti, qoftë dhe tërthorazi, sheh një pushtet të ri të fjalës. Ku e shpie poetin dhe krijimtarinë e tij të mëparshme kjo arritje? Poeti është i shtrënguar të ndahet me pretendimin e tij, që sipas kërkimit vetjak, me gjithë sigurinë e tij se do të gjendet emri për emërtimin e asaj çka ai quante si ekzistuese të njëmendët. Dhe në këtë hamendje, dhe në këtë pretendim, ai është i shtrënguar që tash e paskëtaj, të heqë dorë. Poeti duhet të shkëputet nga pretendimi për ta patur fjalën nën pushtetin e tij si mishërim të emrit që me anë të tij, fikson të gjitha gjësendet. Shkë-putja si dorë-heqje nga ky pushtet është njëfarë rrëfimi që shpreh vetveten:
Gjësende s’ka ku fjalë s’ka.
Derisa gjatë interpretimit të gjashtë vargjeve të para të poezisë ne ndoqëm se si udhëtimi i dha poetit zotërimin e tabusë, për ne njëkohësisht u qartësua disi dhe vetë tabuja. Vetëm disi; sepse e shumta mbetet ende e errët në këtë poezi, dhe para së gjithash – ai thesar, emri i të cilit u refuzua. Prandaj poeti nuk mund të thotë se çfarë thesari është ai. Përpos kësaj, a e kemi guximin t’ia qëllojmë se për çfarë aludimesh bën fjalë vetë poezia. Poezia bën aludime. Ne i ridëgjojmë ato, duke ndërdëgjuar të kredhur në mendime. Këtë kërkesë ne do ta kënaqim, nëse meditojmë mbi diçka që tash për tash duhet të na motivojë në mënyrën më të thelluar.
Hulumtimi në përvojën e poetit me fjalën, d.m.th., kundrimi në përgjërimin e provuar të poetit na cyt tek pyetja: përse kur poeti e njohu tabunë, nuk mund të ndahej nga ligjërimi? Përse shpreh me këtë rast përgjërimin? Përse shkruan madje një poezi me titullin “Fjala”? Përgjigje: sepse kjo tabu e njohur – është përgjërimi i vërtetë dhe jo një ndarje e thjeshtë nga ligjërimi; së këndejmi, nuk është një memecëri e thjeshtë. Si dorëheqje tabuja mbetet ligjërim. Kështu ajo e ruan marrëdhënien me fjalën. Përderisa fjala e tregoi veten në një pushtet tjetër, të epërm, marrëdhëniet me fjalën gjithashtu duhet të pësojnë ndryshime. Ligjërimi mbërrin një tjetër harmoni, një “melos” tjetër, një tjetër ton. Fakti që përgjërimi merret nga poeti pikërisht në këtë kuptim, këtë na e dëshmon vetë poezia, ku për përgjërimin është thënë që fjala filloi të këndojë. Sepse kjo poezi është një këngë. Ajo është përfshirë në pjesën përmbyllëse të botimit të fundit të poezive Shtefan Georges. Kjo pjesë e fundit të librit të tij të fundit mban emërtimin “Kënga” dhe nis me prologun:
Çfarë është ende mendim dhe çfarë ndërtoj ende
Çfarë dashuroj ende të ravijëzuar me një kontur.
Ky rrëfim kutimëson, ndërton, dashuron: admirimi i qetë ngazëllues, veneracioni i hareshëm, ditirambet, lavdet: laudare. Emërtimi latin i poezisë këndonjëse, Lieder – në gjermanisht – laudes, lëvdata. Të flasësh me të tilla lëvdata do të thotë: të këndosh. Këngëtimi – është përfshirja e rrëfimit në këngë. Mjafton të harrojmë kuptimin e lartë të këngës si ligjërim, dhe ajo bëhet një tingëllim i vonuar i atij që e artikulon apo e shkruan.
Me “Këngët”, të fundit të mbledhura nën një titull të tillë të librit me poezi, poeti del përfundimisht jashtë sinoreve që e karakterizonin me parë rrethin e tij. Ku? Në tabu, përgjërim, të njohura prej tij. Një dije e këtillë ka qenë sprovë e papritur në atë moment kur një pushtet krejt tjetër i fjalës depërtoi tek ai dhe ia tronditi sigurinë e ligjërimit të mëparshëm në vetvete. Enigmatikja, e frikshmja pikasi tek poeti pikërisht atë që, vetëm fjala i lejon gjësendet të jenë gjësende.
Që nga ky moment poeti është i grishur t’i përgjigjet këtij misteri, mezi të deshifrueshëm, vetëm me kuptimësimin deshifrues të fjalëve. Një gjë e tillë bëhet e mundur vetëm kur fjala krijuese kumbon në tonin e këngës. Ne mund ta dëgjojmë këtë ton veçanërisht mprehtë në njërën nga këngët, e cila pa titull për herë të parë botohet në pjesën e fundit të librit të fundit të poezive (“Mbretëria e e Re”, fq. 137):
Në qetësinë dhe paqen
E të bardhës ditë
Tek bef përshfaqet
Frika e papritur
Frymën e sigurt rebelon
Kështu mbi shkëmb
Kryeneçin trung
Krenar e të drejtë
Sërish urragani
E kalb përtokë:
Kështu dallg’ e detit
Nën kujë e rrënkim
Me forcë të egër
Sërish hyn përdhunë
Në moluskun harruar qëkur.
Ritmi i kësaj kënge është po aq madhështor, sikundërse i qartë. Mjafton ta cekim me një shënim. Ritmi, ndër të tjera, nuk është rrymë dhe as rrjedhë, por harmonizim. Ritmi ëshë ai shtrat prehjeje, i cili bart harmoninë në lëvizjet e kërcimit dhe këngëtimit dhe me këtë i jep këtij shtrati të prehet në vetvete. Ritmi përcakton prehjen. Në një këngë të sapodëgjuar harmonizimi rrëfen vetveten, nëse ne nuk jemi të vëmendshëm në akordin e përgjithshëm, i cili në tre imazhe na këndon në këto tre strofa: fryma e sigurtë dhe shpërfaqja e papritur e frikës, një trung dhe uragani, deti dhe molusku.
Megjithatë është i çuditshëm në këtë këngë shenja e vënë nga autori si e vetmja, përveç pikës në fund. Këto janë dy pikat në fund të vargut të fundit. Një shenjë e tillë, në një vend të tillë është akoma më i çuditshëm, ngase të dyja strofat, e mesmja dhe e fundit, dallojnë nga e para në të dy rastet sepse nisin që në fillim me fjalën “kështu”
Kështu mbi shkëmb
Kryeneçin trung
Dhe:
Kështu dallg’ e detit
Nën kujë e rrënkim
Duket se të dyja këto strofa, duke pasuar të parën, i janë nënshtruar asaj në mënyrë të njëllojtë. Por nuk është ashtu. Dy pikat në fund të strofës së dytë na shtrëngojnë ta shpiem strofën pasardhëse përmbyllëse direkt tek e para, duke e tërhequr në po ato marrëdhënie edhe strofën e dytë. Strofa e parë ka parasysh sigurinë e poetit të zgjuar nga shpresa e tij e mëparshme. “Frika e papritur” sidoqoftë, nuk e shkatërron atë. Frika megjithatë e rrapos atë përtokë, ashtu si urragani – trungun, me qëllim që poeti të hapet ndaj asaj çfarë këndon strofa e tretë, e cila pason menjëherë dy pikat e hapura. Edhe njëherë tjerë tjetër me zhaurimën e panjohur deti e shkatërron veshin e poetit, të quajtur “një molusk të harruar qëkur”; sepse poeti ka mbetur deri më tash pa dhuntinë e kulluar të fjalës së pushtetshme. Në vend të kësaj vetëbesimi i tij në dispozicion të njohjes është ushqyer me emrat që nxirrte norna.
Tabuja e njohur (provuar) – nuk është një largim cullak nga pretendimi, porse një shndërrim i ligjërimit në thuajse zhaurimën e mistertë të joneve këngëtuese të një rrëfimi të parrëfyeshëm. Tanimë ne mund të jemi në gjendje ta mendojmë mirë strofën e fundit, që ajo vetë të mundë të flasë asisoj që në të, të mund të përmblidhet gjithë poezia. Nëse kjo na jepet, së paku në një masë të vogël, ne do të mund ta dëgjonim mirë në momentet më të qarta titullin e poezisë “Fjala”, duke kuptuar se si strofa përmbyllëse jo vetëm e mbyll poezinë, jo vetëm e rihap, por tok me të deshifron dhe misterin e fjalës.
Dh t’ zehërt unë njoha tabunë
Gjësende s’ka ku fjala s’bun.
Strofa përmbyllëse flet për fjalën në formën e përgjërimit. Vargu i fundit vetë në vetvete është njëfarë ligjërimi: vetë-dorëheqje… e pikërisht nga pretendimi për diçka. E kuptuar kësodore, tabuja ruan karakterin e mohimit: “Gjësende s’ka”, d.m.th., gjësendet mungojnë; “fjalë s’ka”, d.m.th., nuk ka fjalë në përdorim. Sipas rregullave nga një mohim i dyfishtë përftohet pohimi. Tabuja thotë: gjësendi është vetëm atje, ku është mundësuar fjala. Tabuja flet pohueshëm. Refuzimi i thjeshtë jo vetëm nuk e shterron ekzistencën e tabusë, por në tërësi as nuk e përmban atë. Tabuja, sigurisht, ka anët negative, por njëkohësisht edhe pozitive. Vërtet, të flasësh për anët këtu është punë me mjaft rrezik. Ngase do të barabiteshin njëri me tjetrin mohimi me pohimin dhe do të hapej kësisoj rrëfimi udhëheqës në tabu. Por të para së gjithash, duhet të mendohemi thellë. Dhe prapë është pakë. Duhet medoemos të kuptimësojmë se çfarë tabuje ka parasysh strofa përmbyllëse. Është një tabu e një lloji unikal; sepse ajo bën pjesë jo tek zotërimi i ndofarë gjëje. Tabuja e njohur/provuar si refuzim i vetvetes ndaj diçkaje, si përgjërim, ka të bëjë sërish me fjalën. Tabuja e njohur/provuar e shpie marrëdhënien e poetit ndaj fjalës në rrugën drejt asaj se çfarë pikërisht e prek ligjërimin si çdo ligjërim. Ne e ndjejmë që në këtë vetë-refuzim marrëdhënia ndaj fjalës mbërrin pothuajsë “një intimitet të pamatshëm”. Enigmatika e strofës përmbyllëse na rrit dhe na transformon. Ne as nuk marrrin mundin ta dëshifrojmë, por vetëm lexojmë, duke përqendruar në të gjithë mendimin tonë.
Le të mendojmë pak për tabunë e njohur si për një refuzim të vetes ndaj diçkaje.
Interpretimi gramatikor – “vetes” – këtu qëndron në rasën dhanore dhe ka parasysh poetin. Ajo çka i refuzon ai vetes qëndron në rasën parafjalore. Pra është fjala për pretendimin mbi mbretërinë e fjalës. Ndërmjet atij dhe këtij refuzimi na përshfaqet një tipar tjetër. Dorëheqja ia lë veten në dorë pushtetit të lartë të fjalës, që për herë të parë u jep gjësendeve mundësinë të jenë gjësende. Fjala është kushtëzim i gjësendeve si gjësende. Ne do të deshnim që ta quanim këtë pushtet të fjalës dorëzani (Bedingnis). Kjo fjalë e vjetër është zhdukur nga përdorimi ynë. Gëte e njihte mirë. Por dorëzania në kontekstin tonë është tjetër gjë nga ligjërimi për kushtëzimet, në cilësinë e të cilit e kuptonte Gëte dorëzaninë. Kushti është arsye ekzistente për diçka që ekziston. Kushti argumenton dhe arsyeton. Ai kënaq gjendjen për arsyetim. Por fjala nuk i argumenton gjësendet. Fjala i lejon gjësendet të kenë praninë si gjësende. Dhe le të jetë ky lejim dorëzani. Poeti nuk na shpjegon se çfarë është dorëzania e fjalës. Por poeti e dënon veten, d.m.th., ligjërimin e tij me këtë mister të fjalës. Në këtë vetë-dënim të tillë që shkëput, poeti e refuzon në vetvete atë pretendim të cilin e kishte dëshiruar më parë. Vetë-refuzimi e ndryshoi kuptimin e tij. “Vetë” shpreh këtu – tashmë gramatikisht – jo subjektin, por objektin, dhe pretendimi tanimë qëndron jo në rasën parafjalore, por në dhanore. Në ndryshimin e kuptimit gramatikor të lokucionit “t’a refuzosh në vetvete pretendimin” me “t’ia refuzosh vetes pretendimin” – shprehet shndërrimi i vetë poetit. Ai ia lejoi vetes, d.m.th., vetes së tij në të ardhmen edhe ligjërimin e mundshëm në parapritën e misterit të fjalës, në dorëzaninë e gjësendeve tek fjala.
Vetëm tek vetërefuzimi që ndryshon karakterin negativ të refuzimit për-mbahet ende vendi i parë (mëparshëm). Ndërkaq bëhet gjithë e më e qartë që përgjërimi i poetit është aspak ndofarë “jo”-je, por “po”-ja. Vetërefuzimi – me sa duket vetëm i dorëheqjes dhe vetmënjanimit – është në të vërtetë jo-refuzim në vetvete: mister i fjalës. Ky jorefuzim në vetvete mund të flasë vetëm në një mënyrë të tillë, sikundër ai flet: “me qenë”. Nga kjo grimëkohë fjalës i mbetet veçse me qenë: dorëzani për gjësendet. Kjo “me qenë” lejon të jetë ajo që është dhe – si – marrëdhënia mes fjalës dhe sendit tashmë është është: asnjë gjësend nuk është është pa fjalën. Kjo “është” i premton vetes përgjërimin në “me qenë”-ën e saj. Prandaj nuk lypet madje asnjë ribërje shtesë e vargut përmbyllës në shprehje, që me këtë mandej, të mund të zbulojë në të “është”-n. “Me qenë” sjell deri tek ne këtë “është” më kulluar, sepse është e maskuar.
Gjësende s’ka ku fjalë s’bun.
Në këtë jo-refuzim në vetvete përgjërimi e shpreh veten si një refuzim i tillë, i cili ia di për nder tërësisht misterit të fjalës, të cilit i detyrohet. Betimi me jo-refuzim në vetvete, falë asaj, me të cilën ajo është borxhlie me vetveten. Këtu banon tabuja. Tabuja e njohur/provuar është borxh i falenderuar dhe tok me të është vetë mirënjohje 4. Tabuja e provuar nuk është as dorëheqje e thjeshtë, dhe as humbje.
Mirëpo përse është kaq i pikëlluar poeti?
kështu të zehërt njoha tabunë
E bën vallë të pikëllohet poetin njohja/provimi i tabusë? Apo pikëllimtar qe vetëm mësimi i njohjes? Në rastin e fundit pikëllimi, që sapo ia ka rënduar shpirtin, mund t’i kishte kaluar sërish, përserisa aq shpejt ai pranoi tabunë si diçka, të cilës ai i detyrohej; sepse asaj, të cilës i detyrohesh diçka, i je mirënjohëse: ajo shërben si shkak gëzimi. Tonin e gëzimit ne e dëgjojmë në një këngë tjetër. Kjo poezi është gjithashtu pa titull. Porse kjo poezi përmban një shenjë të vetme të rrallë, saqë ne këtë këngë jemi të detyruar ta dëgjojmë për shkak të fqinjësisë së saj të brendshme me këngën “Fjala”. Ajo është (“Mbretëria e Re”, fq. 125):
I kujt hap guximtar
Zgjon shpeshtinën magjike
Në zemër të mbretërisë kreshnike?
Çfarë klithme kushtruese
me bririn e argjendtë trumbetar
lëshon korijes gjumashe të Skazit?
Çfarë pshërëtime e heshtur
mu përvodh shpirtit tim
me barrën e një pikëllimi të ri?
Shtefan George i shkruan rëndom të gjitha fjalët me shkronja të mëdha, me përjashtim të atyre në fillim të vargut të poezisë. Por në këtë poezi, pothuajse në mes të saj, në fund të strofës së mesme, është shkruar një fjalë me germë kapitale. Kjo fjalë është: Skaz. Poeti mund ta kishte marrë atë në cilësinë e titullit më atë kuptim të përligjur që, Skaz, si një e shkuar e një kopshti magjik, bart kumtin e prejardhjes së fjalës.
Strofa e parë këndon hapin si udhëtim përmes visit të Skaz-it. Strofa e dytë këndon klithmën që zgjon Skaz-in. Strofa e tretë këndon psherëtimën, shfryrja e së cilës përvidhet në shpirt. Në hap (d.m.th., në udhëtim), kushtrim dhe psherëtimë dëgjohet vrulli i pushtetit të fjalës. Misteri i saj jo vetëm e alarmoi të shkuarën shpresëmirë të shpirtit; ajo njëkohësisht hoqi nga shpirti një barrë të rëndë pikëllimi që kanosej ta kërruste atë përtokë. Kësisoj, nga marrëdhëniet e poetit me fjalën u zhduk pikëllimi. Ajo përçiku veçse njohjen e tabusë. Gjithka do të kishte qenë kështu, nëse pikëllimi do të kishtë qenë e kundërta e thjeshtë polare e gëzimit, nëse barra e rëndë dhe pikëllimi do të kishin qenë e njëjta gjë.
Mirëpo sa më i gëzuar të jetë gëzimi, aq më i kulluar është pikëllimi i përgjumur në të. Gëzimi dhe pikëllimi derdhen depërtueshëm në njëri-tjetrin. Kjo lojë e tyre e ndërsjelltë që i nguc ato kundër njëri-tjetrit dhe që e lejon largësinë të jetë afër dhe afërsinë të jetë larg, është dhimbja. Prandaj edhe njëra edhe tjetra, gëzimi i epërm dhe pikëllimi i thellë, secili në vetvete është i sëmurë. Por tek dhimbja aq burrëruese është burrëria e vdekëtarëve, sa prej saj – dhimbjes – ajo përfton qendrën e saj të rëndesës. Ajo i përmban vdekëtarët me gjithë luhatjet në prehjen e ekzistencave të tyre. Gjendja që i përgjigjet dhimbjes, përmes saj dhe me akordin e përcaktuar nga ajo, është mu njajo “Barrë e rëndë në shpirt”. Barra mund të të kërrusë shpirtin, por ajo mundet edhe të të humbasë atë që mblidhet me mundim dhe të të ndërkallë në shpirt një “pshërëtimë të heshtur”, ta zbukurojë me petk të bukur, i cili e josh atë në një grimëçast tek marrëdhënia me fjalën dhe me këtë rrobë meshe të mbrojë.
Duhet të mendojmë, e tillë është ideja e strofës së tretë të poezisë së fundit që dëgjuam. Me psherëtimën e heshtur të hidhërimit të rëndë që sapo kaloi, pikëllimi fryn mbi vetë tabunë; sepse ajo atij i përket, nëse e kuptimësojmë këtë tabu nga qendra e tij e rëndesës. Ky është jo-refuzim në vete i misterit të fjalës, e asaj fjale që është dorëzani e gjësendeve.
Si mister ajo mbetet largësi, si mister i rrokshëm ajo largësi është afër. T’ia pranëvesh këtë largësi një afërsie të tillë do të thotë të mos e refuzosh në vetvete misterin e fjalës. Për këtë mister nuk mjaftojnë fjalët, d.m.th., nuk mjafton ai ligjërim, i cili t’i ndihmonte ekzistencës së gjuhës – që të jepte fjalë (besë).
Thesari, të cilin nuk e përftoi vendi (atdheu) i poetit, bën fjalë për ekzistencën e gjuhës. Deshifrimi i papritur i pushtetit dhe madhështisë së fjalës, thelbit të saj, deshi të hyjë në fjalën vetjake. Por në fjalë, në emërtimin e krijesës së fjalës, kemi refuzim.
Po çfarë nëse fjala është e vetmja për krijesën e gjuhës, është pikërisht ai thesar, i cili është krejt afër poetit, sepse duke qenë në pëllëmbët e tij, pavarësisht si i pakapshëm dhe si i parrokshëm na del i përlargët në afërsinë e afërt? Për shkak të kësaj afërsie thesari është misteriozisht i njohur për poetin, ngase ndryshe ai nuk mund të këndonte për të: “një thesar brishtan t’begatë”.
I begatë do të thotë: i fuqishëm për të garantuar, i fuqishëm për pasuri, i fuqishëm për të arritur dhe për të realizuar. Por këtu qëndron dhe begatia jetësore e fjalës që në rrëfim, d.m.th., në kallzim ajo e sjell në shpërfaqje gjësendin si gjësend.
Brishtan (i brishtë) do të thotë, në akord me emrin e lashtë brydhtësi/brylltësi, të njëjtën gjë sikundërse: delikat, i mirëbesueshëm, i dhembshëm, i prekshëm, i hareshëm. Kujdesi, dhënia e ndihmës dhe çlirimi, por pa arbitraritet dhe dhunë, pa babëzi dhe dominim.
Thesar i brishtë e i begatë – është një krijesë e mistertë fjale (realizim), e cila, duke folur nga gjendja e saj e padukshme dhe tashmë e pashprehur, na jep gjësendin si gjësend.
Përderisa njohja e tabusë e ka ngarkuar veten me misterin e fjalës, poeti e mban thesarin përmes një tabuje të njohur tashmë prej tij, në kujtesën e tij kuptimësuese.Kësisoj thesari bëhet ajo që poeti si thënës e parapëlqen më shumë se çdo gjë tjetër, ia vë vlerën mbi gjithçka tjetër. Thesari shndërrohet kuptimësimi i denjë vetjak për poetin. Sepse çfarë mund të jetë më e denjë për mendimet e thënësit, se sa fshehja e vetë ekzistencës së fjalës, fjala që përvidhet për fjalët?
Duke e dëgjuar pezinë si këngë në kumbim me këngë të përafërta, në ia lejojmë vetes të themi përmes poetit dhe bashkë me të, atë çka është e denjë për t’u kuptimësuar në poezi.
T’i lejomë t’i themi vetes çka është e denjë për mendimin, pra – të mendojmë.
Duke e dëgjuar poezinë, ne kridhemi në mendime mbi poezinë.
Kësisoj – është: poezia dhe mendimi.
Ajo që me qasjen e parë duket si mbishkrim i njëfarë teme: “poezia dhe mendimi”, del se është ai para-shkrim, në të cilin që në lashtësi janë regjistruar fatet e qenies tonë historike. Në këtë parashkrim është konturuar përkatësia e ndërsjelltë e poezisë dhe mendimit. Ngjashmëria e tyre është më e hershme se sa prejardhja. Duke u kthyer me mendime kësaj ngjashmërie, në mbërrijmë atë që në lashtësi është e denjë për mendimin dhe për të cilën meditimi kurrë nuk është i mjaftueshëm. Është kjo një gjë e denjë për mendimin, ajo që e përndriti papritmas poetin dhe të cilën ai nuk e refuzoi në vetvete, duke thënë:
Gjësende s’ka ku fjala s’bun.
Pushteti i fjalës përndizet si dorëzani e materializimit të gjësendeve. Fjala nis të ndriçojë si ai koleksion, i cili për herë të parë ndërkall të pranishmin në praninë e tij.
Fjala tepër e lashtë për një kuptimësim të pushtetit të fjalës, për ligjërimin, quhet Logos: rrëfim, i cili, duke kallzuar, i jep thelbit të shfaqet në kushtin e tij kjo është.
Gjithashtu fjala Logos si fjalë për rrëfimin është njëkohësisht fjala për qenien, d.m.th., për praninë e të pranishmes. Rrëfimi dhe qenia, fjala dhe gjësendi me njëfarë strehe, mezi të rrokshme në mendje dhe në një mënyrë të paimagjinueshme i përkasin ndërsjelltësisht njëri-tjetrit.
Çdo ligjërim thelbësor ndërdëgjohet në këtë përkatësi të ndërsjelltë të rrëfim/kallzimit dhe qenies, të fjalës dhe gjësendit. Të dyja, poezia dhe mendimi, janë i njëjti kallzim, sepse ato i besojnë misterit të fjalës si më të denjat e kuptimësimit të vet dhe në këtë mënyrë janë gjithmonë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.
Me qëllim që në mënyrë proporcionale të thellohemi në këtë denjësi për kuptimin, sikundër i flet ky mendim poezisë dhe t’i shkosh në fund këtij mendimi, le t’ia kalojmë harresës qysh këtë moment gjithçka që kemi folur. Ne dëgjojmë poezinë. Ne tani bëhemi edhe më të kredhur në mendime, në masën e asaj mundësie që, duke e dëgjuar, ne e kemi më të lehtë dëgjimin tonë, sa më thjeshtë që kjo poezi këndon në akordin e këngës së tij.
Ikona e këngës shqiptare Vaçe Zela, lindi më 7 prill 1939, me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut.
Këngët e saj ndër vite mbeten të preferuara edhe sot nga publiku. Ajo i dhuroi publikut dhe muzikës shqiptare, zërin e saj të artë.
KultPlus sonte ua risjell videon dhe tekstin e këngës “Rrisim jetë tonë” nga Vaçe Zela.
Rrjedhin o mëngjeset, rrjedhin si ujëvara, ja kështu mes njerëzve, jeta jonë hedh hapat
Hyj dhe unë mes tyre, shtoj një fjalë, një kënge, është kjo këngë e jetës, për ty Shqipëri, për ty Shqiperi moj nanë
Më merr në krahët e tua, si merr femijën nëna, qe ballin të ma puthi, edhe dielli edhe hëna.
Une marr nga drita jote, ti merr nga zemra ime, dhe dorë për dore rendim, e shtrenjta jeta ime.
Rrjedhin o buzëmbrëmjet, rrjedhin kaltërojnë, në një kënd të globit, rritim jetën tonë
Hyj dhe unë mes tyre, shtoj një fjalë, një këngë, është kjo këngë per jetën, për ty Shqipëri, për ty Shqipëri moj nanë.
Më merr në krahët e tua, si merr femijën nëna, qe ballin të ma puthi, edhe dielli edhe hëna.
Une marr nga drita jote, ti merr nga zemra ime, dhe dorë për dore rendim, e shtrenjta jeta ime/ KultPlus.com
Baletet “Kaleidoscope” dhe “Suitë në Re” do të ngjiten premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, për tre netë me radhë, më 26, 27 dhe 28 maj.
Publiku do të përjetojë dy botë të ndryshme të baletit që bashkëjetojnë mbi të njëjtën skenë, duke sjellë emocione, estetikë dhe reflektim përmes lëvizjes.
Koreografi kanadez Peter Quanz, i njohur ndërkombëtarisht për krijimtarinë e tij të sofistikuar, sjell për herë të parë në Shqipëri veprën “Kaleidoscope”, një koreografi që magjeps me shpërthimin e ngjyrave, formave dhe energjisë.
Kjo vepër, e krijuar fillimisht për American Ballet Theatre në vitin 2005, është një manifestim i shpirtit që transformohet në çdo sekuencë, duke sjellë një realitet të ri koreografik sa herë që skena merr frymë.
“Është hera e parë që vij në Shqipëri. Baleti që do të sjellim në skenë është krijuar në vitin 2005 për Teatrin Amerikan të Baletit, dhe sot, pas kaq shumë vitesh, mbetet po aq aktual. Kjo është hera e parë që vihet në skenën shqiptare dhe jam shumë i lumtur që sjell një frymë të tillë. Vepra vjen si premierë me skenografi të përshtatur për teatrin tuaj dhe kostumografi tërësisht të re. Si një kaleidoskop i vërtetë, çdo lëvizje sjell një pamje të re; çdo sekuencë, një bukuri që zhduket e lind sërish”, thotë koreografi Peter Quanz:
Pas këtij udhëtimi vizionar me “Kaleidoscope”, publiku zhytet në një univers krejtësisht ndryshe me “Suitë në Re”, një krijim origjinal nga koreografi Alvaro Dule.
“Jam këtu për herë të parë për një krijim të ri në trupën e Teatrit të Baletit të Shqipërisë. Vepra koreografike ‘Suitë në Re’ është frymëzuar nga muzika, e cila është e harmonizuar në një tonalitet. Kjo kërkon një simetri dhe një dialog me muzikën. Vepra ndërtohet përmes solove, duke treguar një dialektikë mes akademizmit të kërcimtarëve dhe strukturës baroke, të sjellë sot me një frymë të re. Kemi në skenë muzikë live”, thotë koreografi Alvaro Dule.
Bazuar në muzikën baroke të Handel-it, ky balet ndërthur klasiken me bashkëkohoren, përmes një ndjeshmërie elegante dhe një ndërtimi koreografik që lëviz nga solo të thella në duete të ndjera, e deri te harmonia e një kuinteti.
Pesë balerinë të trupës së TKOB-së i japin jetë një vepre ku trupi flet, ndjen dhe rrëfen, duke lidhur epokat përmes bukurisë së baletit./KultPlus.com
Komisioni Evropian i kërkoi sot kompanisë së veshjeve online “Shein” të respektonte ligjin e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e konsumatorit, pas një hetimi nga autoritetet kombëtare ku u gjetën disa shkelje.
Akuzat përfshijnë zbritje të rreme, përdorimi i afateve të rreme për të ushtruar presion mbi konsumatorët për të blerë, informacion të humbur ose të pasaktë, etiketa mashtruese të produkteve, si dhe detaje të fshehura të kontaktit.
“Të gjitha kompanitë që kontaktojnë konsumatorët e BE-së duhet të veprojnë sipas rregullave tona”, tha Michael McGrath, komisioneri i BE-së përgjegjës për mbrojtjen e konsumatorit.
“Ne nuk do të hezitojmë të vendosim platformat e tregtisë elektronike përpara përgjegjësisë, pavarësisht se ku ndodhen”, tha ai.
“Shein” u themelua në Kinë dhe tani ka selinë në Singapor.
“Ligjet e BE-së për mbrojtjen e konsumatorit nuk janë opsionale – ato duhet të zbatohen në të gjitha rastet”, shtoi McGrath.
Hetuesit kanë kërkuar informacione të mëtejshme nga “Shein” për të vlerësuar nëse përdorimi i renditjeve, rishikimeve dhe vlerësimeve në platformën e shitjeve me pakicë online është në përputhje me ligjin e BE-së.
Kompania e veshjeve ka një muaj kohë për t’iu përgjigjur akuzave dhe për të propozuar përmirësimet.
Nëse shkeljet nuk adresohen, autoritetet kombëtare kanë mundësinë të vendosin gjoba sipas ligjit kombëtar./KultPlus.com
“Jerëm” është një dramë psikologjike e fuqishme që eksploron kapacitetin njerëzor për mbijetesë, falje dhe plagët e thella që lë pas dhuna. Përmes syve të Erës, një gruaje të qëndrueshme por të brishtë, publiku futet në një realitet distopik ku viktimat dhe autorët e dhunës janë të ndërlidhur, dhe kufijtë mes fajit dhe pafajësisë bëhen të turbullt.
Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, në bashkëprodhim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në rolet kryesore luajnë aktorët: Luli Bitri, Genc Jakupi, Gresa Pallaska, Irena Aliu, Adem Karaga, Jonida Vokshi, Edon Rizvanolli.
Producentë të filmit janë Leonora Lushtaku dhe Ismet Sijarina, ndërsa koproducentë janë Dejan Iliev dhe Florenc Papas. Në këtë projekt janë të angazhuara shtëpitë filmike Thumbs Up nga Kosova, DMF DOO Production nga Maqedonia e Veriut dhe Tunnel Film nga Shqipëria./KultPlus.com
Më 8 qershor, në Prishtinë do të mbahet koncerti organizuar nga Opera e Kosovës dhe Filharmonia e Kosovës, ku do të performojë soprano e mirënjohur shqiptare, Ermonela Jaho, përcjell KultPlus.
Në vijim gjeni postimin e Operës së Kosovës:
Më 8 qershor, Opera e Kosovës dhe Filharmonia e Kosovës kanë kënaqësinë të sjellin në Prishtinë një nga emrat më të mëdhenj të skenës operistike botërore – ERMONELA JAHO.
E njohur për zërin e saj dhe interpretimet emocionuese në skenat më të njohura të botës, Jaho do të ngjitet në skenë si soliste e shoqëruar nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhe ajo e Operës së Kosovës. Një mbrëmje me emocione të forta dhe një përvojë e paharrueshme./KultPlus.com
Jeton Neziraj është një prej dramaturgëve më të njohur të Kosovës, dhe shfaqjet e tij përpos sukseseve brenda dhe jashtë vendit, kohëve të fundit janë bërë edhe mollë sherri.
Me një qasje të guximshme, tekstet e Nezirajt që shpesh herë prekin zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë edhe ato politike, jo për të gjithë po vlerësohen si tekste që duhet promovuar, dhe të njëjtat shpesh herë po pengohen që të ngjiten para audiencave të caktuara.
“Të gjashtët kundër Turqisë” është shfaqja me tekst të Jeton Neziraj që është përcjellë me zhurmë në Prizren, dhe e njëjta për dy herë është penguar të shfaqet në këtë komunë. Herën e parë ishte anuluar me arsyetim të problemeve teknike, kurse herën e dytë nuk ishte futë në repertor, ashtu edhe sikur ishte premtuar.
Dhe krejt kjo pengesë sipas Qendrës Multimedia ka ardhë si rezultat i përmbajtjes së shfaqjes, e që trajton arrestimin e gjashtë mësuesve turq, arrestim që pat ndodhë në vitin 2018 në Kosovë dhe të njëjtit u patën deportuar në Turqi.
Dhe po për të njëjtën shfaqje, tentativë pengese kishte edhe në Sarajevë, ku aktorët e kësaj shfaqje janë prezantuar në Teatrin Kombëtar të Sarajevës, dhe drejtuesit e këtij institucioni nuk u janë nënshtuar presioneve për të anuluar këtë shfaqje, duke qëndruar mbi faktin se arti nuk njeh censurë.
“Të gjashtët kundër Turqisë” duket që nuk është shfaqja e vetme me tekst të Neziraj që po krijon zhurmë, pasi që edhe shfaqja “Fluturimi me teatrin e Kosovës”, po me tekst të këtij autori që ishte paraparë që të shfaqej në Ferizaj me regji të Agon Myftarit duket që po përballet me pengesa.
Regjisori i kësaj shfaqje Agon Myftari ka njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale për këto pengesa, e që ai i adreson në Drejtorinë e Kulturës së kësaj komune. Sipas tij, naga ana e drejtorisë kanë kërkuar ndërhyrje në tekst, sikurse që më pas janë arsyetuar edhe për mungesë buxheti.
Kjo shfaqje do të duhej të prezantohej më 7 qershor, dhe sipas Myftarit ata tashmë kanë shtyrë shfaqjen për 14 qershor, në mënyrë që të kenë hapësirë për zgjidhjen e problemeve me institucionin në fjalë.
Kurse autori i tekstit Jeton Neziraj nëpërmjet rrjeteve sociale ka shkruar se: Madje, sic kam kuptuar, këto taktika shantazhi, komuna dhe zyrtarët komunal i kan ndërmarrë në bashkëpunim dhe koordinim me Shoqatën e Veteranëve të UÇK-së. Dhe kjo vetëm sa e bënë edhe më shqetësuese çështjen e censurës. Sepse, faktorë të jashtëm, shoqata e grupacione parapolitike janë lejuar dhe ftuar të përfshihen dhe e të diktojnë politikat programore të teatrit.
Ndërkohë, “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës është një komedi politike, satirike dhe shpesh absurde – mbi një nga ngjarjet më serioze të këtij shekulli: lindjen e shtetit të Kosovës e pasqyruar nga një trupë teatrore që po përpiqet ta gjejë rrugën e vet drejt të ardhmes, shtetformimit dhe mbijetesës./ KultPlus.com
Më 2 dhe 3 qershor, Prishtina do të jetë mikëpritëse i zërave nga e mbarë bota në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, përcjell KultPlus.
Në njoftimin e Presidencës së Republikës së Kosovës thuhet se do të marrin pjesë panelistë nga më shumë 45 shtete.
Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:
Panelistë nga më shumë se 45 shtete do të marrin pjesë në edicionin e tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë!
Më 2 dhe 3 qershor, Prishtina bëhet edhe këtë vit vendtakimi i zërave nga e mbarë bota, të cilët do të ndajnë vizionin e tyre për “Kodin e Sigurisë për Brezin Tonë”! #WPSRKS2025./KultPlus.com
Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa është shpallur si artistja më e kilikuara në Mbretërinë e Bashkuar për vitin 2024. Raporti i “Phonographic Performance Limited”, e renditi Dua Lipën si artisten më të klikuar.
Për Dua Lipën kjo është hera e dytë që ajo merr këtë titull. Në vitin 2020 ajo u rendit po ashtu si artistja më e dëgjuar nga britanikët.
“Është një nder i vërtetë të emërohem artistja më e klikuar në Mbretërinë e Bashkuar për herë të dytë. Viti 2024 ishte një vit i jashtëzakonshëm dhe jam shumë mirënjohëse për të gjithë ata që kanë mbështetur muzikën time në radio, televizion dhe në vende të ndryshme në të gjithë vendin”, tha e emocionuar Dua Lipa.
Sipas raportit këngët e Dua Lipës klikohen mesatarisht 400 herë në ditë dhe më e preferuara në gjithë repertorin e saj është “Houdini”.
Lipa zbriti nga “froni” Ed Sharen, i cili për tre vjet mbajti titullin si këngëtari më i preferuar në Britani. Raporti e renditi Ed Sharen në vendin e tretë, kurse në vend të dytë Taylor Swift. Në vendin e katërt u rendit David Guetta, kurse në vendin e pestë Coldplay./KultPlus.com
Edhe pse po afron 50-vjetori i vdekjes së Pier Paolos Pasolinit, ka ende shumë elementë misteriozë që rrethojnë natën e fundit të shkrimtarit, poetit dhe regjisorit, i gjetur pa jetë më 2 nëntor 1975 në plazhin e Idroscalos, në Ostia.
Gjysmë shekulli pas vrasjes së tij, trashëgimia e tij intelektuale do të shqyrtohet nga studiues dhe institucione gjatë eventit ”Një poet që nuk vdes”, konferenca e parë kombëtare kushtuar 50-vjetorit të vdekjes së Pier Paolo Pasolinit.
Pasolini vdiq, por trashëgimia e tij jeton, pasi sot në ”Teatro del Lido di Ostia” organizohet eventi i konceptuar nga Maura Locantore dhe Angelo Favaro, një mundësi për të reflektuar mbi identitetin dhe trashëgiminë kulturore të njërit prej protagonistëve më me ndikim të shekullit XX në Itali.
Roli i Qendrës së Studimeve ”Pasolini” të Casarsa della Delizia është vendimtar, e cila, së bashku me Komitetin Kombëtar të 100-vjetorit të Pasolinit, po drejton një rrjet institucional që përfshin Departamentin e Kulturës të Romës, Municipio X të Ostias dhe Ministrinë e Kulturës.
Zgjedhja e Ostias, vendi ku u vra Pasolini, synon t’i japë një ngarkesë emocionale konferencës, e cila do të përfundojë më 2-3 nëntor në Casarsa, vendlindja e nënës së tij dhe vendi i varrimit të poetit.
Konferenca, me kontribute nga studiues si Guccini, Donzelli, Pierangeli, Tomassini, Nisini, Panetta, Chiesi dhe Gurreri, do të kulmojë në një tryezë të rrumbullakët diskutimi të udhëhequr nga Rino Caputo.
Ndër ekspertët e pritur, Lucia Annunziata, Giulio Ferroni, Gianni Cuperlo dhe Ninetto Davoli, në një dialog midis brezave me studentët.
Kanë filluar punimet për restaurimin e ”Casa Pasolini”, shtëpisë së parë romane të poetit dhe regjisorit, për përdorim publik.
Ajo ndodhet në rrugën ”Giovanni Tagliere”, në periferinë verilindore të kryeqytetit, pak hapa larg burgut ”Rebibbia”.
Apartamenti, i banuar nga Pasolini midis viteve 1951 dhe 1954 së bashku me nënën e tij, gjatë periudhës kur ai dha mësim në një shkollë në Ciampino, është objekt i një projekti të rëndësishëm vlerësimi.
Qëllimi është të restaurohet apartamenti si një vend i gjallë kulture dhe kujtese./KultPlus.com
Me lodhi mundimi në shpirt tërë jetën Ta them lakuriq të vertetën. Po s’munda ta them ngaherë të plotë, Se ishte zuskë kjo bote. Tani më vjen keq për aq sa gënjeva, Megjithëse gënjyen dhe Adami dhe Eva Të parët genjeshtarë të mjerë Dhe kjo me jep ngushellim herë-herë. /KultPlus.com
Mbi liqenjte e Lures po bie mbrëmja Muzgu rrjedh nga majat e pishave neper trungjet e kalbur Grumbullohet ne pellgje te vegjël Kullon pastaj neper furçen tende te dridhshme.
Shpejto. be vone.
Kap ç’te kapesh nga ngjyrat qe dridhen E fergellojne, Duke ikur plot alarm nga mbremja qe i ndjek
Kap motive me diell… Neper furçen tende kurre nata mos kullofte. /KultPlus.com
Kalaja e Kaninës ka pritur se fundmi vizitorë të shumtë, nga vendi dhe bota.
Vizitorët kanë mundur të prekin nga afër muret që ruajnë shekuj të tërë krenarie, legjendash dhe kujtimesh, duke pasur një përvojë që prek jo vetëm shqisat, por edhe shpirtin.
Kalaja e Kaninës gjendet vetëm 3 km larg qytetit bregdetar të Vlorës dhe kjo afërsi e ka bërë atë një nga destinacionet më të vizituara të turizmit kulturor dhe historik.
Historia e ndërtimit të kalasë nis prej shekullit IV para Krishtit, përcjell periudhat e Antikitetit dhe të Mesjetës (bizantine, veneciane, turke), së bashku me teknikat respektive të ndërtimit.
Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3,6 hektarësh. Përballë saj është deti Adriatik, që duket si në pëllëmbë të dorës. Kjo fushëpamje i mrekullon të gjithë vizitorët e Kaninës.
Në kala është edhe teqeja, më parë në vend të saj ka qenë një kishë dhe me ardhjen e Sulejman Pashait, admirali i madh e ktheu në teqe./atsh/KultPlus.com
Sot në Institutin Albanologjik të Prishtinës u hap konferenca shkencore “Java e Albanologjisë”, me pjesëmarrjen e figurave të rëndësishme nga Kosova dhe Shqipëria. Në ceremoninë hapëse morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i ASHAK-ut, akademik Mehmet Kraja, dhe ambasadori i Shqipërisë, Petrit Malaj.
Fjalën përshëndetëse e mbajti nikoqiri Naim Berisha, i cili theksoi rëndësinë e albanologjisë në ndriçimin e identitetit kombëtar. Kryeministri Kurti dhe ambasadori Malaj vlerësuan kontributin e studiuesve shqiptarë dhe rëndësinë e bashkëpunimit akademik ndërmjet dy vendeve.
“Z. Naim Berisha, në cilësinë e nikoqirit e mbajti fjalën hapëse dhe falënderuese për të pranishmit. Ndër të tjera, ai shprehu nevojën për një qasje sa më të dinjitetshme në raport me albanologjinë, si dije për dhe rreth shqiptarëve. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Sh.T. Z. Albin Kurti i përshëndeti të pranishmit, studiuesit, profesorët dhe organizatorët e konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, 16/2025”, thuhet në njoftimin e Institutit Albanologjik.
Konferenca do të zgjasë pesë ditë dhe përfshin sesione nga fusha të ndryshme si historia, letërsia, gjuhësia, folkloristika dhe etnologjia. Sot po mbahet sesioni i parë me temën “Ndërthurja e identitetit fetar te shqiptarët”./KultPlus.com
Supreme International “Voice Festival” zgjodhi Vlorën, si stacionin e parë të Shqipërisë, për të realizuar këtë festival.
Supreme International Voice Festival është një aktivitet me patentë ndërkombëtare, produksioni i së cilës i besoi nismës së mësueses Albana Tushe Çuro për të bërë bashkë rreth 80 fëmijë artistë nga Shqipëria, Hungaria, Italia, Rumania, Kanadaja, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
Aktiviteti Supreme International Voice Festival pati mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Bashkisë Vlorë etj.
Juria ndërkombëtare prej gjithë pjesëmarrësve të mrekullueshëm zgjodhi të vlerësonte me çmimin Grand Prix Supreme Voice, Ilda Nuhiun nga Kosova. Ndërsa Brisejda Yzeiri e Shqipërisë, mori çmimin Supreme Child Voice Grand Prize./atsh/KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në SHBA, me ftesë të Kongresit Amerikan, për të marrë pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka mbajtur një fjalim në darkën e organizuar nga Kongresi Amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s.
Në adresimin e saj para udhëheqësve të lartë të Kongresit dhe përfaqësuesve të vendeve anëtare të NATO-s, Presidentja Osmani theksoi se paqja nuk trashëgohet, por ndërtohet, mirëmbahet dhe mbrohet vazhdimisht.
“Sot përfaqësoj një Kosovë të lirë dhe sovrane, një tokë që dikur ishte e shkatërruar nga lufta, por që sot flet me gjuhën e paqes, shpresës dhe mirënjohjes. Ushtarët amerikanë dhe aleatët e NATO-s erdhën në Kosovë jo për lavdi, por sepse besonin në të drejtën themelore të çdo njeriu për të jetuar i lirë nga shtypja”, tha Presidentja Osmani.
Sipas Presidentes Osmani: “Në momentet më të brishta, ata nuk na ofruan strehë vetëm për shtëpitë tona, por edhe për ëndrrat tona. Falë tyre, fëmijët e Kosovës më në fund flenë të sigurt. Falë tyre, një shtet u ngrit nga hiri”.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se ushtarët amerikanë që erdhën me uniformë dhe qëndruan me vendosmëri, gjithmonë do ta kenë një shtëpi në Kosovë./ KultPlus.com
E dashura ime, në mes të urrejtjes zbulova brenda vetes një dashuri të pathyeshme.
Mes lotëve zbulova brenda vetes një buzëqeshje të pathyeshme. Mes kaosit zbulova brenda vetes një qetësi të pathyeshme. Në mes të dimrit kam kuptuar, më në fund, se brenda vetes kam një behar të pathyeshëm.
Dhe kjo më bën të lumtur. Sepse kjo vërteton se s’ka rëndësi se sa ashpër më kundërvihet bota ngase brenda vetes kam diç më të fortë, diç më të mirë që sakaq më shtyn të shkoj përpara./KultPlus.com
(Bisedë me “Naša Borba”, marrë nga vepra “Zoti nuk është shqiptar”, 1996)
● Kohë më parë morët shpërblimin për libër të vitit. Ku ndodhet momentalisht, krijimtaria shqiptare, në ç’drejtim ecën dhe a ka sot kushte në kosovë për t’u marrë seriozisht me vlera të njëmendta artistike? ► Krijimtaria artistike shqiptare në Kosovë edhe në këto kushte të vështira po dëshmon vitalitetin e saj, jo vetëm të ekzistencës, po edhe të zhvillimit e të avancimit të vlerave. Krijimtaria, në veçanti letërsia, mund të vështirësohet, por është e papengueshme. Krijuesi i mirëfilltë, shkrimtari i mirëfilltë, në të gjitha kushtet dhe në të gjitha situatat është shkrimtar. Tekefundit, krijimtaria artistike shumë herë nuk është rezultat i ndjenjës së mirëqenies. Shkrimtari e prodhon vetë lirinë e vet krijuese, vetë akti krijues është çlirim dhe liri. Është e vërtetë se klima krijuese te ne është e rënduar mjaft, e ngushtuar, e ngarkuar me pasoja të vrazhdta të gjendjes në të cilën ndodhemi. Vlerat që arrijnë të krijohen dhe të ngrihen mbi këto vështirësi e pengesa, japin apriori provë të qëndrueshmërisë së tyre. Autorë vlerash të tilla, si çdo kulturë tjetër, ka edhe krijimtaria jonë dhe ata janë të papushtueshëm Kjo kurrsesi nuk do të thotë se dhuna e represioni të cilat në esencë janë antikulturë dhe anticivilizim, nuk e kanë lënduar ndjeshëm edhe kulturën dhe krijimtarinë tonë artistike, se nuk i kanë dëmtuar ndjeshëm vlerat, sepse, ato atë punë e atë qëllim kanë kurdo që pushteti i njërit i përdor ndaj kulturës dhe identitetit të tjetrit.
Tym cigaresh. Buzëqeshje të lehta. E sërish tym, fjolla të lehta, nga buzët e mia, çdo mbrëmje pak minuta, nga ballkoni i tij, nga dritarja ime, fjolla të lehta, çelin buzëqeshje dhe zërin s’ma njeh dhe zërin s’ia njoh, vetëm, përmes fjollave të tymit më pëlqejnë sytë e tij, i pëlqejnë sytë e mi, çdo mbrëmje pak minuta, një përshëndetje fjollash tymi lehtësi e hijshme gjestesh, pikë e heshtur zjarri ngrihet mbi kopshtin e përgjumur, dhe asgjë tjetër, ja kështu, ndërsa pranë abazhurit puna pret, pak minuta, çdo mbrëmje për ca mbrëmje, fjolla të lehta fjolla të lehta./KultPlus.com