Shumica e këtyre qyteteve, 13, janë në Indi, vendin me popullsinë më të madhe në botë, ku rritja e shpejtë ekonomike mbështetet kryesisht në përdorimin e qymyrit dhe ku qindra miliona njerëz jetojnë në qytete të mbushura me trafik dhe ndotje.
Katër qytete të tjera janë në Pakistanin fqinj, një është në Kinë dhe një tjetër në Kazakistan. Vetëm një qytet jashtë Azisë është në këtë listë: N’Djamena, kryeqyteti i Çadit në Afrikën Qendrore – i cili është emëruar si vendi me ndotjen më të keqe të ajrit.
Ndërkohë, qytetet me ndotjen më të keqe në Amerikën e Veriut ishin të gjitha në Kaliforni.
Raporti nga IQAir, një kompani zvicerane që monitoron cilësinë e ajrit global, shqyrtoi veçanërisht materien e grimcave të imëta, ose PM2.5, një nga ndotësit më të vegjël dhe më të dëmshëm. PM2.5 vjen nga burime si djegia e karburanteve fosile, stuhitë e pluhurit dhe zjarret e egra.
Grimcat shkaktojnë irritim dhe inflamacion dhe janë lidhur me probleme të frymëmarrjes dhe sëmundje kronike të veshkave. Ekspozimi mund të shkaktojë kancer, goditje në tru ose infarkte dhe është lidhur me një rrezik më të madh për depresion dhe ankth. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se nivelet mesatare vjetore të PM2.5 nuk duhet të kalojnë 5 mikrogramë për metër kub.
Byrnihat, një qytet industrial në veri-lindje të Indisë, regjistroi një koncentrim PM2.5 prej 128.2 vitin e kaluar – më shumë se 25 herë standardi i OBSH-së.
Dymbëdhjetë qytete të tjera në listën e 20 më të ndoturave janë në Indi. Kryeqyteti i saj, Nju Delhi, u rendit si kryeqyteti më i ndotur në botë për të gjashtin vit radhazi, me një koncentrim PM2.5 prej 91.8. Raporti gjithashtu përfshiu gjashtë qytete satelitë – Faridabad, Loni, Delhi, Gurugram, Noida dhe Greater Noida – duke i renditur ato gjithashtu në listë.
Vetëm vitin e kaluar, një mbulesë e dendur tymi mbuloi Delhin, duke ndërprerë fluturimet, duke bllokuar pamjen e ndërtesave dhe duke i shtyrë autoritetet të shpallnin një “emergjencë mjekësore”. Megjithatë, përgjithësisht, India – vendi me popullsinë më të madhe në botë me 1.4 miliardë njerëz – ra nga vendi i tretë në të pestin në krahasim me vitin e kaluar, sipas raportit.
Por raporti thekson se ndotja e ajrit “mbetet një barrë e madhe shëndetësore… duke reduktuar shpresën e jetës me rreth 5.2 vjet”. Fqinjët e Indisë, Bangladeshi dhe Pakistani – të cilët kanë së bashku rreth 400 milionë banorë – ishin vendet e dyta dhe të treta më të ndotura në botë përsa i përket molekulave të PM2.5, sipas raportit.
Kina – që dikur mbante vendin e parë në renditjet globale të ajrit më të ndotur – ka shënuar një përmirësim të vogël, sipas raportit. Mesatarja vjetore kombëtare e PM2.5 në Kinë ka rënë nga 32.5 mikrogramë për metër kub në 31, me përmirësim të cilësisë së ajrit në qytetet e mëdha si Pekin, Shangai, Chengdu, Guangzhou dhe Shenzhen, tha raporti.
Kina është prodhuesi më i madh i dioksidit të karbonit në botë, por vitet e fundit ka zhvilluar një fushatë kundër ndotjes së ajrit, sidomos në qytetet që kanë nxitur rritjen e saj ekonomike, dhe ka shtuar ndjeshëm prodhimin e energjisë diellore dhe erë./ KultPlus.com
Instituti Albanologjik-Prishtinë ka botuar librin shkencor “Shkrime për letërsinë” të Dr. Gëzim Aliut, bashkëpunëtor i lart shkencor në Degën e Letërsisë-IAP, njëkohësisht dhe shkrimtar e prozator i njohur dhe i vlerësuar lartë nga kritika e specializuar dhe lexuesi i tashëm shqiptar.
“Shkrime për letërsinë” është një përmbledhje e punimeve studimore për shkrimtarë të ndryshëm e të vlershëm shqiptarë, për çështje dhe fenomene të veçanta të narratologjisë, dhe probleme të ndjeshme të albanologjisë dhe kulturës.
Recensues të këtij libri janë Dr. Fadil Grajçevci dhe Dr. Meliza Kransiqi, lektor i tij është Dr. Naim Berisha, ndërsa radhitjen kompjuterike dhe ballinën e ka realizuar Endrit Aliu.
“Shkrime për letërsinë” është libri i nëntë i autorit./ KultPlus.com
(Nga takimet në Gjermani me shkrimtarin Martin Camaj)
Shkruan: Jusuf Buxhovi
Poetin Martin Camaj e njihja që nga fëmijëria në saje të veprave “Nji fyll ndër male” dhe “Kanga e vrrinit”, të botuara në Prishtinë nga mesi i viteve të pesëdhjeta. Poezitë e Camajt ishin një frymëzim, që ndikoi përcaktimin tim për krijimtarinë, duke filluar nga vjershat për fëmijë, ato për të rritur dhe më vonë tek proza. Njoftimet që kishim për shkrimtarin Martin Camja, ishin paksa të censuruara nga shkaku i veprimtarisë së tij në Romë tek revista letrare “Shejza” e Koliqit, që kishte tretmanin e “shtypit emigrant antijugosllav”. Kjo kishte ndi-kuar që edhe dy përmbledhjet me poezi, të anashkalohen nga lektura shkollore, ku ishin për disa vite. Mosbotimi i tyre pa ndonjë anatemë politike, njëherësh e kishte qitë “në heshtje” edhe shkrimtarin, që kishte ndarë fatin e veprës. Kalimi i tij në Mynhen, studimet e suksesshme dhe punësimi në Universitetin Ludwig-Maximilian, si docent dhe më vonë profesor i albanologjisë, ku do të drejtojë edhe katedrën e këtyre studimeve dhe do të ndikojë që edhe në kuadër të revistës shkencore “Südost-Vorschungen“, të përfshihen tema nga albanologjia, ia kishin krijuar renomenë e një studiuesi serioz, por nuk ia kishin hapur rrugën veprave të tij letrare romanit “Djella”, poezive “Rrathët” dhe të tjera të botuar në Romë dhe Mynhen, t’u bashkohen “Kangës së vrrinit” dhe “Nji fyll ndër male”. Për to nuk kishte pasë ndonjë ndalesë “zyrtare”, por as prani në jetën letrare dhe kulturore të Prishtinës. Kontaktet me veprat e Camajt kishin studentët e tij në Universitetin e Mynhenit, ku ai ligjëronte dhe ata të rrallët që kthenin në bibliotekën e këtij Universiteti ose edhe në bibliotekën e madhe të “Südost Institut” për ndonjë hulumtim shkencor.
Duke shfletuar katalogun e “Südost Vorschungen“, hasa edhe në romanin „Djella“ të Martin Camajt. Aty ndesha edhe shënimet përcjellë-se për Camajn, ligjërues në Universitetin Ludwig-Maximilian, gjë që me një letër iu lajmërova, me dëshirën që sapo të ktheja në „Südost Institut“ për hulumtimet e mia për temën e magjistraturës rreth pasqyrimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në dokumentet gjermane, të cilat krahas Arkivit Politik të Ministrisë së Jashtme duhej të zgjeroheshin edhe në pikat tjera arkivore edhe të instituteve dhe bibliotekave të tyre, ku tashmë kisha dedikuar burime të shumta.
Nuk vonoi dhe Martin Camaj ma drodhi letrën. Ishte një letër e përzemërt, ku ai tregonte se kishte njohuri për punën time si korres-pondent i përhershëm i „Rilindjes“ i akredituar në Bon. Më shkruante se „Rilindjen“ bashkë me disa botime të tjera në gjuhën shqipe i merrte rregullisht, nëpërmes „Institutit juglinde“ të Mynhenit dhe seminarit të gjuhës shqipe pranë Universitetit Ludwig-Maximilian, ku ai ligjëronte. Me njëfarë mallëngjimi fliste për vitet e studimeve në Beograd dhe lidhjet letrare që kishte me Prishtinën, ku edhe i ishin botuar dy përmbledhjet nga mesi i viteve të pesëdhjeta, për ç’gjë falënderohej, meqë thoshte, ia kishin hapur rrugën për te thellësitë letrare, ai uji i pashtershëm, që shuan etjen e shpirtit. Më tha se në Bibliotekën e „Südost Institut“ si dhe në arkivin e Institutit të Europës Lindore (Osteuropa-Institut), me mbi 120 mijë dokumente nga hapë-sira e vendeve të Europës Lindore, ku përfshiheshin edhe Jugosllavia dhe Shqipëria, kishte shumë e shumë libra dhe dokumente që lidhen me shqiptarët dhe të kaluarën e tyre historike, kulturore dhe shoqë-rore-politike. Përmendi letërkëmbimin e De Radës me Gustav Meye-rin, një memorandum të Meyerit dërguar Kongresit të Berlinit dhe fuqive të mëdha europiane, po edhe shtypit gjerman, si dhe një Memorandum, manuscript, të Wilehm von Wiedit (Vilhelm von Vidit) nga viti 1917, dokument ky i mbetur në hije, po me interes të madh për studimin e kohës si princ i Shqipërisë dhe pas saj.
Diku në shtator të vitit 1977, në lokalet e seminarit të gjuhës shqipe të Universitetit Ludwig-Maximilian, kisha përpara poetin tim të dashur të fëmijërisë dhe të djalërisë, dhe poashtu, kisha përpara, një shkrimtar dhe një studiues, për veprat e të cilit kisha pak njohuri, pa i lexuar. Camaj, gjithë mallëngjim, zuri ngojë lidhjen shpirtërore me Kosovën, prej nga tha se „kishte shpërthye si shkrimtar“. Shtoi se aty i kishte rranjët…
Mbas pak, hapi çantën dhe ma la përpara një dosje të fryrë me letërkëmbimin e albanologut të madh gjerman Gustav Meyerit me De Radën si dhe disa letra dhe shënime të tjera nga Hora Arbëreshe, reagime gjatë dhe pas mbajtjes së Kongresit të Berlinit si dhe për ngjarjet që do ta përcjellin pavarësinë e Shqipërisë deri në vitin 1912. Aty ishte edhe fotokopja e manuskriptit „Albanishes Memorandum“ të Vilhelm von Vidit nga vitit 1917.
Pas një vizite kalimthi bibliotekës së madhe të Universitetit Ludwig-Maximilan dhe pajisjes me katalogjet e regjistrimeve në Bibliotekë, kaluam te Arkivi i Südost-Institutit. Arkivi, i themeluar në vitin 1930 nga Shteti i Lirë i Bajernit, ka mbi 160 mijë dokumente nga hapësira e vendeve të Europës Juglindore, ca prej tyre nga shekulli XIII, që kanë të bëjë me Mbretërinë e Bavarisë, Austrinë, me Austro Hungarinë, mandej, pjesën e Ballkanit e deri tek Rusia. Krahas tyre, janë përfshirë edhe mijëra dokumente nga Perandoria Osmane nga kalimi i saj në Ilirik, në shekullin XIV e deri te rrënimi mbas Luftës së Parë Botërore në “Dosja e Ilirikut”, (emërtim ky nga ai që i ishte dhënë provincës nga Perandoria e Romës në shekullin IV pas erës sonë e që kishte vazhduar edhe gjatë Bizantit për t’u kthyer në Ballkan, në gjysmën e dytë të shekullit XIX nga Perandoria Osmane nën trysninë e Rusisë). Në arkiv përfshihen disa nga raportet nga kryqëzata e tretë dhe ajo e katër 1200-1204, që lidhen me Barba-rosën si dhe Ludwigun kur ushtritë e tyre arrijnë Naisusin (Nishin) dhe prej andej i drejtohen Kostandinopojës, të cilën, në vitin 1202, do ta plaçkitin dhe shkatërrojnë për ta vendosur atë që quhet Perandori Katolike Perëndimore (1204-1267). Një pjesë e mirë e dokumenteve lidhen me luftuat austro-osmane të viteve 1696 dhe ato 1730 të drejtuara nga gjenerali Pikëllomëni, i cili nga Nishi depërtoi deri në Prishtinë e prej andej, një pjesë e forcave të tij i drejtohej Prizrenit, dhe tjetra, Shkupit, për t’u përfshirë në betejën vendimtare kundër Mustafë pashë Qypriliut, sadriazemit osman me rrënjët shqiptare. Aty, pos tjerave, pata rastin ta shoh edhe origjinalin e manuskriptit “Albanishe Memorandum” (Memorandumi shqiptar), të Princ Vidit nga viti 1917, të cilin Camaj e kishte fotokopjuar bashkë me të tjerat që m’i dha sapo u takuam.
Aty, për herë të parë, e mora ndore origjinalin e veprës “Die Sprache der Albanesen oder Schkipetaren” te Josef Ritter von Xylan-derit, nga viti 1833 të botuar në Frankfurt. Ky botim unikat, do t’u paraprijë veprave të tjera nga albanologë gjermanë: “Albanische Stu-dien” në tri vëllime e vitit 1856 e Georg von Hahn dhe “Etymologische Wörtebuch der albanesiaschen Sprache” (Fjalori Etimolgjik i gjuhës shqipe”) i Gustav Meyerit, botuar në Strasbur në vitin 1891 dhe të të tjerave të kësaj natyre që krijuan shkencën e albanologjisë.
E veçanta e librit të Xylanderit ka të bëjë me atë se është vepra e parë ndër më kompletet nga fusha e gjuhësisë për gjendjen e gjuhës shqipe, mbështetur mbi të folmet e arvanitasve të Greqisë e shkruar nga një gjeneral i Bavarisë, ndër ushtarakët më të njohur gjermanë të kohës, i cili la pas studime të çmueshme historike dhe gjuhësore për ç’gjë u pranua anëtarë i Akademisë së Shkencave të Suedisë.
Pasditen dhe deri në orët e mbrëmjes, e kaluam në shtëpinë e Martinit në Lenggris, një katund piktoresk në skaj Mynhenit. Na priti, bashkëshortja, Erica, mjeke e njohur. Aty u njoha edhe me biblik-tekën e madhe të Martinit me rreth dhjetë mijë libra në shqipe, gjermanishte, italishte, latinishte dhe serbishte. Krahas letërsisë, pjesa më e madhe e tyre ishin nga fusha e historiografisë, gjuhësisë, ku kishte edhe enciklopedi nga ajo gjermane e “Dudenit” me 32 libra, britanikja dhe të tjera.
Tha se kjo ishte pasuria e tij më e madhe dhe më e çmueshme. Mbas një pushimi, foli e tha se këto libra do të dëshironte të për-fundonin në Bibliotekën Universitare të Kosovës në Prishtinë, në ndërtesën, si tha, ndër më të bukurat e kontinentit.
Ia ktheva se biblioteka e tij do të pasuronte Bibliotekën e Univer-sitetit të Kosovës. Kjo i pëlqeu, por shtoi se “rruga nga Mynheni deri në Prishtinë asht e largët…”
Fillimisht mendova se e kishte te largësia, që nuk paraqiste ndonjë vështirësi në rrethanat e tanishme të transportit, por pas pak e kuptova se mendjen e kishte tek krijimi i kushteve për pranimin zyrtar të tyre kur dihej se mund të pengoheshin nga pushteti, ndonëse nga Jugosllavia, si emigrant politik shqiptar në vitin 1956, për në Itali ishte larguar në përputhje me të drejtën që karta e OKB-së u garantonte emigrantëve për të zgjedhur vendin që u përshtatej. Ishte, megjithatë, qëndrimi katërvjeçar në Romë dhe puna letrare në revistën letrare “Shejzat” e Koliqit, për të cilën zyrtarët e Shqipërisë dhe ata jugosllavë njësoj mendonin, se ishte pjesë e “propagandës së qarqeve shqiptaromëdha” në Perëndim! Edhe pse Martin Camaj në Jugosllavi zyrtarisht nuk ishte ngarkuar me ndonjë anatemë “të bashkëpunëtorit” të këtyre qarqeve, megjithatë, diçka e pathënë nga kjo politikë, kishte penguar veprën e Camajt të njihet në Kosovë, ku i kishte fillimet tejet të suksesshme me dy librat e poezive (“Nji fyll ndër male” dhe “Kangët e vrrinit”) të botuara nga mesi i viteve të pesëdhjeta në Prishtinë.
“Njoh Pajazit Nushin nga koha e studimeve në Beograd.”
Në një pliko kishte futë dy nga librat e fundit (romanin “Djella” dhe librin me poezi “Rrathët”) dhuratë për të. Më tha t’ia përcjellja dëshirën time që biblioteka e tij private me mbi 10 mijë libra t’i dhurohej Bibliotekës Universitare në Prishtinë, si fondacion i shkrimtarit.
Gjatë pushimeve të verës ktheva te profesor Pajazit Nushi, aso-kohe nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës. Ia dhashë librat e Martin Camajt dhe i tregova për dëshirën e tij që biblioteka e tij të përfundojë në Prishtinë.
Profesor Pajazit Nushi, i mori librat dhe i shfletoi me vëmendje. Lavdëroi përgatitjen teknike të librave, me ilustrime të piktorit Gje-losh Gjokaj dhe tha se kishte respekt për poezitë e tij të botuara në Prishtinë si dhe për punën shkencore në Beograd, me ç’rast përmendi disertacionin për Gjon Buzukun të mbrojtur në Universitetin e Beo-gradit tek albanologu Henrik Bariqi.
Pa ndonjë hamendje, më tha se dhurata e Martinit Bibliotekës sonë është e mirëseardhur dhe e çmueshme. Do të pranohet në marrëveshje me autorin në përputhje me procedurën zyrtare të donacioneve nga jashtë dhe se nuk shihte kurrfarë pengese të vinin në Prishtinë. Shtoi se do ta njoftonte profesor Ymer Jakën, Sekretar krahinor për arsim dhe kulturë si dhe Sekretariatin krahinor për marrëdhënie me botën, që udhëhiqej nga profesor Ukshin Hoti, që të kryheshin të gjitha veprimet e parapara me ligj.
“Të fala Martinit dhe uroji punë të mbarë letrare”.
Pas pushimeve vjetore në Prishtinë, në shtatorin e vitit 1978, ktheva prapë në Mynhen për hulumtime disaditëshe në Bibliotekën e “Südost- Institutit” dhe në “Arkivin e Institutit të Evropës Lindore”.
Puna e parë ishte takimi me Martinin. Nga Boni ia kisha dërguar një letër me ato që kisha biseduar me profesor Pajazit Nushin. Kjo e kishte gëzuar së tepërmi. Më tha se mezi priste që të viheshin lidhjet e duhura me institucionet e Kosovës për marrjen e librave.
“Librat atje më riatdhesojnë…”
Përkundër premtimeve që kishte marrë nga drejtuesit e Bibliotekës Universitare si dhe njoftimeve se ishte bërë kërkesa zyrtare në organet federative për t’i marrë si donacione, ato nuk kishin gjetur rrugën e Prishtinës, që Martini e zuri ngoje me më-dyshje kur e hapi punën e tyre.
Nga ato që Martini dinte, procedura nga Prishtina kishte filluar dhe, kur pritej t’u hapej rruga për në Prishtinë, kishin qenë ngjarjet e marsit të vitit 1981 (demonstratat në Prishtinë), që ua kishin mbyllur atë. Rezolutat e Kryesisë së RSF-së nga maji i vitit 1981 rreth “demonstratave armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe irreden-tizmit shqiptar” me qendër në Universitetin e Kosovës, siç kishte vu në shënjestër çdo gjë të kulturës, shkencës dhe arsimit kombëtar mbi bazat institucionale (Universitet, Akademi e Shkencave, Institute shkencore-hulumtuese, veprimtari botuese, teatër, balet, film e të tjera), kishte ngrirë të gjitha aranzhmanet dhe marrëveshjet kultu-rore dhe arsimore me jashtë, siç kishte pezulluar edhe studimet postdiplomike dhe ato hulumtuese shkencore të hulumtuesve nga Kosova jashtë deri tek një verifikim i ri nga organet federative!…
Edhe dy herë gjatë vitit 1980 takova Martinin në Mynhen. E mbante shpresa se do të vijë koha kur ai dhe librat e tij do të kthehen në Kosovë.
“Librat mund ta humbin rrugën, po jo edhe Martini…”
Dhe, përnjëmend, nga mesi i vitit 1991 u gjend për disa ditë në Prishtinë.
Natyrisht se adresa e parë ishte shtëpia botuese “Rilindja”, e cila, me vendimet e regjimit të Beogradit, ishte dëbuar me dhunë nga shtëpia e shtypit. Me disa nga shkrimtarët e viteve të hershme, u takua te “Elida”. Ndërsa, me dr. Rugovën, si Kryetar të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, u takua në barakën e Shoqatës. Ishte një përqafim i gjatë midis dy shkrimtarëve dhe studiuesve të rëndësi-shëm të letërsisë dhe njëherësh i dy intelektualëve, njërit të përfshirë në jetën politike dhe së shpejti, që në prill 1992, do të zgjidhej President i Parë i Republikës së Kosovës, ndërsa Martin Camaj, pas çmalljes disaditësh në Prishtinë, do të kthehet prapë në Gjermani, ku më 12 mars 1992 do t’i mbyllë sytë përgjithmonë.
(Shkëputje nga “Vitet e Gjermanisë”, 2024, faqe 116-119)./ KultPlus.com
Ansambli vokal “Harmonius” mbrëmë për herë të parë është prezantuar para publikut me koncertin “Këndo me ne” në Kishën Katolike “Shën Ndou”, nën drejtimin e dirigjentes Adelinë Ndreca- Kolaj, shkruan KultPlus.
Ky ansambël në përbërje nga: Aurela Krasniqi, Aurela Murtezaj, Urata Haziraj, Elona Sadiku, Saranda Ademi- Smajlaj, Fjolla Salihu- Kadiu, Fiona Shabani dhe Rita Hyseni solli një koncert të pasur artistik në paraqitjen e tij premierë, me një repertor që përfshin vepra të zgjedhura kryesisht nga muzika “Evergreen”, me mesazhe të fuqishme për gruan, fuqinë e gruas, dhe për bukurinë e jetës në përgjithësi.
“Harmonius Vocal Ensemble” përbëhet nga tetë vajza, dhe për mision ka kultivimin dhe promovimin e interpretimit vokal në një nivel të lartë artistik përmes një çasjeje të rafinuar ndaj muzikës. Pjesëmarrja e një publiku që kishte zënë çdo cep të sallës, ishte shenja e parë e kualitative e Oktetit “Harmonious”, pjesë e të cilit janë: katër soprano, dy mezzosoprano dhe dy alto.
Ndërkaq, interpretimi i tyre me zëra të jashtëzakonshëm që përcillnin një ndjeshmëri të veçantë, të kombinuar përkushtim estetik, solli një përjetim të rrallë artistik përmes veprave: Warrior- Kim Baryluk The Wyrd Sisters, True Colors- Billy Steinberg dhe Tom Kell, Autumn Leaves- Joseph Kosma, Wake me up- Tim Bergling (Avicii), Aloe Blacc, Michael Einziger, Egbert Nathaniel Dowkins Arr. Henrik Dahlgren, La Llorona- Adrian A. Cuello Piraquibis, Java Jive- Ben Oakland & Milton.
Vepra “Bring me Little Water, Sylvie”- nga Huddie W. Ledbetter solli një atmosferë të veçantë përmes mënyrës interpretative, që përcillej me një mënyrë elegante të të kënduarit e kombinuar me duartokitje me duar dhe trup, prekje delikate dhe tinguj të krijuar me këmbë. Kurse, vepra e fundit “What a Wonderful World”- nga George David Weiss & Bob Thiele, nën përcjelljen e pianistes Kristina Palokaj- Perkola e përfshiu në interpretim edhe publikun, duke dhuruar edhe atomosferën kulmore të koncertit.
Nën emcione të shumta, dirigjentja Adelinë Ndreca- Kolaj, pas koncertit tha se interpretimi i veprave të zgjedhura sipas shijes së profesionisteve ka qenë arsyeja e mirëpritjes së “Oktetit” nga ana e publikut.
“Ishte një emocion shumë i veçantë, bashkëpunimi pas një kohe shumë të gjatë me kor të tillë. Ka qenë një mbrëmje shumë e këndshme. Si gjithmonë vajzat e kanë treguar edhe njëherë sa të mrekullueshme janë. Paraqitja jonë ka qenë premierë, pas një miniprezantimi në muajin nëntor. Repertori ka pasur një laramani veprash. Kemi vendosur të këndojmë atë që neve na pëlqen, jo atë që presin të tjerët prej nesh të këndojmë. Për ta shiuar një vepër 100% duhet që ansambli fillimisht ta shijoj këngën që e këndon. Besoj që ja kemi dal”, ka thënë dirigjentja Ndreca-Kolaj.
Ajo më tutje tha se nëse kori gjen mbështetje, tendencat janë që performancat të vazhdojnë edhe në qytete të tjera, e pse jo, edhe jashtë kufijve të Kosovës.
“Gjithmonë kemi marrë komente të mira nga kolegët, por të kesh prezent një numër kaq të madh të njerëzve, për ne ka qenë një nder i madh. Normalisht, na ka bërë të ndihemi shumë mirë dhe na ka shtyen të vazhdojmë tutje me programe të tilla, me diçka jo shumë të zakonshme në Kosovë. Nëse kori gjen mbështetje, ka tendenca që të performojë edhe në qytete të tjera, e si dihet, pse jo edhe jashtë kufijve të Kosovës”, ka thënë dirigjentja Ndreca- Kolaj.
Ndërkaq, sopranoja Elona Sadiku ka thënë se ndihet krenare për nivelin e treguar artistik, qysh në paraqitjen premierë të “Harmonius Vocal Ensemble”.
“Performanca ka shkuar edhe më mirë se sa që e kam pritur, për faktin që “Harmonius Vocal Ensemble”është një ansambël i ri, andaj edhe pritshmëritë e mija kanë qenë më të pakta se sa ajo që është arritur sonte. Mund të them që ndiej krenari që jam gjendur mes disa grave dhe vajzave të mrekullueshme. Ishte një ndjenjë e mrekullueshme interpretimi përkrah tyre”, ka thënë sopranoja Sadiku, e lumtur për një pjesëmarrje të madhe të publikut në sallë.
“Si ansambël i ri jemi shumë të lumtur për prezencën e shumë njerëzve. Na kanë nderuar me prezencën e tyre, e ne besoj e kemi bërë po të njejtën gjë duke përçuar emocionet më të thella te ata”, ka përfunduar Sadiku.
“Harmonius Vocal Ensemble” është themeluar në tetor të vitit 2024./ KultPlus.com
Pranvera Hyseni, astronomja shqiptare nga Kosova, po përfaqëson vendin në njërën nga konferencat më të mëdha të shkencës planetare në Houston, Teksas, ku mbi 2 mijë shkencëtarë dhe studentë nga e gjithë bota ndajnë kërkimet e tyre më të fundit.
Pas muajsh analizash të familjeve të asteroideve nga të dhënat e mbledhura përmes teleskopit të NASA-s Infrared Telescope Facility, ajo do të prezantojë studimin e saj të enjten në mëngjes me temën: “Investigating The Distribution of Soluble Organic Matter Among Hydrated Asteroid Families”.
Përveç prezantimit të hulumtimit të saj, Hyseni do të ketë një vizitë private në NASA’s Johnson Space Center, duke përjetuar nga afër vendin ku zhvillohen misionet e fluturimeve njerëzore në hapësirë.
Si e vetmja përfaqësuese nga Kosova, ajo e konsideron këtë një moment të rëndësishëm për vendin, duke e vendosur Kosovën në hartën e shkencës planetare.
“Të shkruash për serenatën korçare është njësoj sikur të duash të tregosh një ëndërr që e ke parë në një natë maji, kur protomajaja ka çelur te pragu i portës dhe hëna ka dalë si një perëndeshë mbi fronin e blertë të malit të Moravës dhe përzien rrezet e saj të arta me lulet erëkëndshme, kurse zëri i bilbilave me jonet e veta e shpie shpirtin në lëndina përrallore…”. Këtë pasazh veçon në librin e tij të titulluar “Serenata, himni i dashurisë korçare” shkrimtari Vangjush Ziko, duke i sjellë Korçës në kujtesë atë që e bën të quhet qyteti i serenatave.
“Është e pafalshme që ta lëmë serenatën në harresë, edhe pse kjo gjini muzikore e spikatur vetëm në Korçë tashmë e ka mbyllur ciklin e saj”, thotë Ziko. Malli i mërgimit në Kanada, por edhe mosha afro 75-vjeçare, nuk e kanë lënë të qetë për të kërkuar rrënjët e serenatës korçare, brezat e këngëtarëve të saj, personazhet që edhe sot e kësaj dite Korça i mban për emblematikë etj. Qysh i ri, pas përfundimit të studimeve për letërsi në Moskë, Vangjush Ziko ka qenë aktiv në jetën kulturore të qytetit të tij të lindjes dhe pjesë të veprimtarisë artistike ka qenë edhe serenata. Jo më kot, ai na rikthen me nostalgji “jetën” e serenatës në Korçë.
Origjinaliteti i serenatës korçare
Origjinaliteti i serenatës korçare është i padiskutueshëm dhe ka të bëjë me rolin që ajo luajti në botën shpirtërore korçare. “Për hir të së vërtetës duhet pranuar se mjaft nga serenatat e krijuara e të kënduara në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX kanë qenë imitime të serenatave të huaja, jo vetëm të Qefalonisë në Greqi, por edhe të serenatave italiane dhe spanjolle”, përmend në librin e tij Vangjush Ziko. Sipas tij, këtë e dëshmojnë edhe tekstet e disa serenatave të përkthyera nga këngë greke prej Spiridon Ilos dhe Loni Llogorit. Kurse në këngën “Zyhra”, të kënduar nga këngëtari bohem Petro Dula ndihen motivet e këngëve orientale. “Nuk është aspak i çuditshëm apo i dënueshëm ndikimi i serenatës italiane apo qefaloniane në serenatën korçare. Qefalonia është porta nga hyri serenata në Gadishullin Ballkanik. Është meritë e të rinjve korçarë që e përqafuan të parët këtë risi të muzikës së lehtë europiane në vendin tonë”, na thotë Vangjush Ziko. Atij i kanë rënë në dorë tri fletore me tekste serenatash të shkruara prej serenatistit Sotiraq Mite. Në to, autori ka dëshmuar se mjaft prej serenatave janë origjinale në tekst e muzikë, e për disa të tjera pohon me sinqeritet se janë të përkthyera nga tekste të serenatave greke, italiane apo spanjolle. “Këto dëshmi flasin jo vetëm për raportet e serenatës korçare me serenatën mesdhetare, por edhe për sinqeritetin profesional dhe karakterin korrekt të një prej kantautorëve më të përkushtuar, më prodhimtarë dhe më popullorë, i quajtur princ i serenatës korçare, Sotiraq Mite”, thekson Ziko. Do të duhej patjetër njëfarë kohe, që kjo përvojë e re e mbartur të “alkimizohej” me shijen dhe me traditën muzikore vendase. Kështu, me krijimin e shoqërive kulturore zyrtare si klubi “Rilindja”, nën drejtimin e profesor Spiro Kondës, shoqëria “Djelmuria korçare”, shoqëria e Arteve të Bukura, e korit “Lyra” etj., filluan të krijohen e kompozohen shqip edhe këngë dashurie përveç këngëve patriotike. Serenata korçare nisi të marrë tipare origjinale. Kjo krijimtari mori hov veçanërisht në vitet ‘20 të shekullit të kaluar dhe në vazhdim kur po njiheshin edhe autorët e këtyre serenatave. Në vitet që pasuan, bëhet fjalë kryesisht për krijime të mirëfillta dhe me plot gojën mund të thuhet se bëhet fjalë tashmë për serenatën origjinale korçare. Origjinalitetin e saj, serenata korçare, në ndryshim nga kënga lirike, e ka edhe te vendi i interpretimit. Serenata është krijuar për t’u kënduar në rrugë, në skenën natyrore, nën një dritare apo ballkon dhe, detyrimisht kur bie mbrëmja. Këngëtari i serenatës, i mbështjellë nga velloja e natës dhe misteri, është i dashuruari poshtë dritares së të dashurës, e cila ka një emër të përveçëm. Apoteoza e serenatës është lëvizja e lehtë e perdes së dritares, që zëvendëson duartrokitjet dhe drithërimat e sallës. Serenata është shumë më modeste edhe për instrumentet muzikore. Asaj i mjafton një mandolinë apo kitarë. Në fillimet e saj i mjaftonte vetëm fyelli… Pas çastit të ekzekutimit të saj të parë, “premierës” nën dritare, serenata fiton “qytetarinë” e saj për t’u kënduar në rrugë, gosti, në dasma e kudo.
Serenata në shtatë breza
Sipas Vangjush Zikos, serenata korçare, gjatë ekzistencës së saj afro 150-vjeçare, numëron shtatë breza serenatistësh. Grupi i parë u përket viteve 1860-1880, ku merrnin pjesë Gaqo Marko, Spiro Ramizi, Nisi Piasto, Vani Mitko, Thoma Lako, L. Osmanlli etj. Një grup tjetër i njohur në kohën e vet përpara vitit 1913 ishte ai i Nodhi Lakos, këngëtar dhe instrumentist, Sotir Dakos, Petraq Pilkatit, Taqi Fundos. Ndërsa kantautori më i njohur i viteve ‘50 të shekullit të kaluar mbetet Sotiraq Mite. Grupe të tjera të reja të shekullit të kaluar janë “Trëndafili i kuq” me kantautor Sotiraq Qano, Naskë Kondili, Gjergji Peleshi, Naskë Bicolli, Nesti Miska, Aristidh Themeli etj. Vijojnë grupe të tjera serenatistësh, si ai i kantautorit Ilia Vinjau, grupi me Ridvan Shëllirën, grupi i kantautorit më në zë aktualisht në Korçë i Mihallaq Andreas, ai i Tomi Kondakçiut, i Nonda Kajnos, i Maksi Kullës, kantautorët e tjerë si Vaskë Gaqi, Ilia Peleshi, Vaskë Nico. Ata që kanë kënduar dhe vazhdojnë ta këndojnë serenatën korçare janë të panumërt në këtë qytet. Në Korçë janë të zakonshme familjet që kanë pasur nga dy apo tre breza serenatistësh. Një nga këto familje të vjetra këngëtarësh është edhe familja Bimbli. Ata këndonin familjarisht me burra dhe gra, zakonisht në oborr apo në shkallët e gurta të shtëpisë së tyre në qendër të qytetit te lulishtja e “Themistokli Gërmenjit”, që njihet edhe si një nga qendrat burimore më të hershme të serenatës korçare. Të moshuarit tregojnë edhe sot për atë traditë të bukur që kishin në rininë e tyre të largët për t’u mbledhur e për të kënduar tok në “pare” ose siç u quajtën më vonë edhe shoqëri. Ata mblidheshin për të kënduar dhe për t’u argëtuar duke ia shtruar me të gjithë të mirat, me sebep dhe pa sebep. Këndonin në dasma dhe fejesa, për të kremtuar ditët e emrit. Këndonin në kodrat e qytetit, te kafeneja e Shetros, tek lokal “Panda” dhe, mbi të gjitha, atje ku e kishte lezetin e saj serenata: nën dritaret dhe ballkonet e vajzave të dashuruara apo bukurosheve korçare të adhuruara. Kjo traditë e bukur e miqësisë dhe gëzimit kolektiv, e sebepeve dhe piknikëve mbeti një traditë e serenatistëve të të gjitha brezave në vite. Magjia e këngës korcare
Këngët kushtuar Korçës, Vangjush Ziko i quan me plot gojën serenata të vërteta dhe të merituara për këtë qytet që jo më kot, atëherë kur kishte lulëzuar serenata u quajt edhe “Paris i Vogël”. Me Korçën janë dashuruar dhe i kanë kënduar edhe të huajt që e kanë njohur këtë qytet, pasi kanë zbuluar bukurinë dhe magjinë e serenatës. “Serenatistët e vjetër tregojnë me krenari dhe buzëqeshje se nuk mbahet mend asnjë rast,asnjë incident në sokakët e Korçës të atyre viteve të largëta, që të kenë dalë pleq me dolloma ose plaka me shami në kokë dhe t’i kenë sikterisur apo mallkuar djemtë e serenatave kur u këndonin bijave apo mbesave të tyre. Vetëm në një rast, kur një bukuri e rrallë korçare dëgjoi se i këndonin poshtë dritares serenatë me pllaka gramafoni, doli dhe hodhi kovën me ujë mbi kokën e atij që kishte kurdisur veglën muzikore”, na rrëfen dëshmitë e qytetarisë Vangjush Ziko. Dashuria korçare kalonte sokakëve të qytetit me kitarën e hedhur në sup, duke ronitur xixëllimat e telave të saj të argjendta mbi kalldrëm. Grupi i serenatistëve, i veshur si për ditë të kremte, si dhëndurë me shamiçkën e bardhë në xhepin e vogël të xhaketës këndonte serenatën më të re. Dashuria korçare këndonte himnin e vet të pavdekshëm; Serenatën! Ridvan Shëllira, një serenatist i vjetër korçar, tregon një histori nga netët e panumërta kur këndonin me kitarë. “I kënduam një bukurosheje nga mëhalla e lumit e na dëgjoi pa e hapur dritaren. Pa e lëvizur perden fare. Ne ishim të sigurt se ajo na dëgjonte, sikur ia ndjenim në sokak frymëmarrjen e saj të shqetësuar. Puna ishte pse nuk na dha ndonjë shenjë, se serenata nuk impononte njeri. Por jo të gjitha vajzat që u këndonim përgjëroheshin për ne. Kur po largoheshim nga bukuroshja që nuk na përfilli, u hap një portë përkarshi. Del një i moshuar dhe na ftoi brenda se na kishte dëgjuar, por dëshironte akoma të këndonim. E kush nuk i ka ndier me shpirt serenatat! Kemi kënduar serenata edhe në vdekje, sepse serenata edhe pikëllimin e vdekjes e vë poshtë”. Për magjinë e serenatës tregojnë edhe një ndodhi tjetër. Familja e vjetër tregtare e Kaçadanëve në Korçë kishte përjetuar shumë fatkeqësi radhazi. Dera e kësaj shtëpie qëndronte vazhdimisht e mbyllur, i kishte pllakosur zija. Pareja e serenatistëve shkoi një mbrëmje dhe trokiti në portën e tyre. E hapi plaku i shtëpisë, por kur pa grupin e djemve me kitara dhe mandolinë u mbylli derën me nervozizëm. Ndërkohë, një nga djemtë kishte arritur të vinte këmbën dhe e kishte penguar derën të mbyllej plotësisht. Të rinjtë këmbëngulën të hyjnë brenda, duke i thënë plakut se kishin ardhur t’i jepnin asaj shtëpie çaste të gëzuara dhe ta prishnin atë zi që i rëndonte jo vetëm familjes, por edhe mëhallës dhe tërë qytetit. Plaku i lejoi më në fund të hynin dhe serenatat që u kënduan me gjithë shpirt e sfiduan vdekjen e zinë që kishte pllakosur shtëpinë e Kaçadanëve, e cila kishte djem e vajza të tjera për të martuar. Serenata ka lidhur me martesë edhe djem e vajza, pasi prindërit nuk pranonin në fillim dashurinë e tyre për shkaqe sociale, sepse ajo nuk ishte vetëm këngë e qejfeve, e mallit përvëlues dashuror, por edhe emancipimit dhe gëzimit të jetës.
Femrat serenatiste
Emancipimi që solli serenata në jetën e qytetit përfshiu edhe femrat korçare, të cilat nuk qëndruan vetëm duke i dëgjuar këngët e dashurisë pas perdes së dritares, por i krijuan dhe kënduan edhe vetë ato. “Serenata është një qelq ku brenda saj rreh një zemër e kristaltë”, ka thënë e para serenatiste korçare, Spanja Pipa. Spanja, që ishte me fat, sepse vinte nga një familje që e dashuronte muzikën, ishte nga të parat vajza që u ngjit në skenë dhe këndoi serenata para publikut korçar. Repertori i serenatave të saj nuk është i madh, por as i vogël. Ka të regjistruar në diskun e saj dhjetë këngët më të dashura për të, këngë që i kushtohen mallit të dashurisë. “Serenatat i këndojnë hapur dhe sinqerisht dashurisë. Shumë dhimbje që këndojnë serenatat janë dhimbje të asaj kohe kur dashuria duhej të mbahej e fshehtë”, thotë Spanja Pipa. Ajo kujton bashkëpunimet me Aleko Skalin e Pirro Manin kur flisnin për serenatën korçare dhe shpreheshin se gurët e rrugëve të Korçës ruajnë shumë kujtime, por edhe shumë të puthura. Vajzat korçare i kanë kënduar serenatat në mjediset e shtëpisë apo edhe në dasma për qejfet e tyre. Gjithashtu i kanë krijuar brenda mureve të shtëpisë dhe po atje i kanë kënduar dhe dashje pa dashje janë bërë pronë e grupeve të serenatistëve të qytetit. Vasilika Bimbli, sot në moshë të thyer, ka krijuar para më shumë se gjysmë shekulli serenatën e titulluar “Sikur ta dinte zemra jote”. Një tjetër pinjolle e kësaj familjeje, Jorgjeta Lalazi, këndon edhe sot në skenën korçare me zërin e saj të ëmbël e pasionant serenatat. “Korçarët e brezit tim nuk e harrojnë këngëtaren e talentuar Pavlina Nika, e cila është e para që ka kënduar përveç serenatave korçare, edhe serenatat spanjolle në skenë”, shkruan Vangjush Ziko. Këngëtare të tjera të serenatës dhe që vazhdojnë ta interpretojnë akoma janë edhe Eli Fara, Lazarela Deti, Mimoza Paraveli, Ermira Kola. Nuk mund të lihet pa përmendur Ermira Babaliu, aktualisht në emigrim në SHBA. Ajo jo vetëm e ka kënduar me shumë pasion serenatën, por është pikërisht kjo këngëtare, që cila në dekadat e fundit të shekullit të kaluar, kur “bilbilat” e serenatës u detyruan të heshtnin, të këndonin nëpër rrugë, që i mbajti të freskëta serenatat me koncertet e saj.
Bilbilat e serenatës heshtin…
Kantautorët dhe serenatistët e brezit të viteve ‘60-‘70, veçanërisht ata të brezit të gjashtë, tregojnë peripeci sa qesharake edhe të trishtuara. Serenata që kishte qenë për dekada me radhë një stoli e mbrëmjeve korçare, një sonatë hënore, shpallej e ndaluar, se prishte gjumin e qytetarëve, të vajzave që nuk duheshin “shqetësuar” sepse shumë prej tyre punonin në turnet e natës. Serenatat nëpër rrugë dhe oborre ishin bërë të padëshiruara për pushtetin e ri. Bilbilat e serenatës dalëngadalë heshtën, nuk u dëgjuan nëpër rrugët e Korçës këngët e tyre. Serenatat këndoheshin vetëm në mjedise të mbyllura. Serenatistët e atyre viteve kujtojnë se ata që guxonin të dilnin me kitarë rrugës, i merrnin dhe i mbyllnin për një natë në polici. Për peripecitë e tij si këngëtar i serenatave ka treguar edhe kantautori Mihallaq Andrea. Atij nuk iu dha e drejta për të vazhduar studimet e larta dhe punoi në një gurore. Veten e ka në personazh të një romani, dhe shprehet se në atë kohë ecte si një xhanaze dhe qante. Po çfarë kishte bërë? Vetëm kishte kënduar. Serenatistin Tomi Kondakçi e arrestuan dhe e burgosën duke ia ndërprerë për tetë vjet pasionin e tij për serenatën, por pa mundur t’ia shuajnë këtë pasion. E vërteta ishte se serenatat i pëlqenin shumë udhëheqës dhe militantë të partisë, sidomos korçarë, por ato i këndonin në rrethe të ngushta. Ky qëndrim i egër e përshpejtoi venitjen e parakohshme të serenatës në Korçë. Tani, në një periudhë që Vangjush Ziko e quan “Post-serenata”, kjo gjini muzikore nuk mund të krijohet më si dikur, me gjithë dëshirën e mirë dhe nostalgjinë që kemi për të. Ajo e mbylli ciklin e vet dhe atë mision historik të emancipimit shpirtëror, intim e shoqëror që pati në vitet e kaluara. Megjithatë, kantautorët e serenatës korçare bëjnë përpjekjet e tyre për rinovimin e saj, duke qenë në kërkim të atij kufiri që do ta mbante formalisht serenatën brenda kërkesave të gjinisë së saj. Por, shkëputja e serenatës nga sfondi i saj tipik, nga “skena” e rrugës po e shpie drejt gjinisë tjetër, këngës lirike që ngjitet në skenë dhe jo nën dritaren apo ballkonin e vajzës. Serenatës tani i mungon ritmi i trokitjeve të një zemre, që rreh e lumtur pas perdes së dritares, duke e ndier veten një perëndeshë, së cilës i kanë rënë në gjunjë dhe i betohen për adhurim të përjetshëm. / KultPlus.com
I kërkova mikut tim floqar, Ahmet Likës ndonjë dokument që lidhet me Rushan Beun, personalitet i lartë ushtarak dhe mik i afërt i Ataturkut. Ai ka ruajtur me kujdes skrupuloz, disa letra e fotografi interesante. Letra “flet” për dasmën në Stamboll të Myzejenit, vajzës së Rushanit. E ka nisur ta shkruajë Selman Hasa, daja i Rushanit nga Goskova më datën 18/8/1937 dhe e ka përfunduar të nesërmen, ditën e enjte. Ja si tregon Selmani:
Më 14/8/937, të shtunë u bëmë hazër të gjithë…Vajtmë në skelë të Ysqydarit…duallëm në Istambull…gjene hipmë otomobilrat. Më ora 7 vajtmë në Tokatlijan Hotel që ishte marë me qira për atë natë me 1400 lira turke…sallonet poshtë ishin bashkuar dhe ishte bërë një mejdan i madh sa selishta që kemi neve (dy killë farë)… Kur vajtmë neve, dhëndërri ishte atje me gjith t’ëmën e të vëllezërit. Për Myzejenin ishin bërë hazër tri oda që të nisej nuse. Neve, burrat e shtëpisë ndenjëm në sallonet për të pritur mysafirët. Për të nisur Myzejenin nuse kishin ardhur katër matmazele që më 7 e gjer më 10 të natës…Nga ora 20 e gjysëm allafrënga deri më ora 22 u mbushën sallonet me gra e burra ataturktë ftuar.
Kishte afër 600 shpirt të ftuar. Në mes të tyre ishte edhe çupa e Ataturkut…që e quakëshin Sabiha Gokçen. Më ora 22 erdhi nusja me gjith dhëndërrin…Ata gjezdisnë tërë sallonet pastaj i puthnë dorën Rushan Beut dhe Mynires dhe vjehrrës…Më tej çifti nisi dancin. Pas tyre filluan dancimin gjith të ftuarit…Edhe Rushan beu me Myniren dhe me vjehrrën lojtnë danc. Më ora 23 e gjysëm u hapnë bufetë për të ngrënë e për të pirë. Orkestra përbëhej prej 24 vetash. Tamam në ora 24 telefonuan që do të vinte Ataturku… Ai mezi erdhi në ora një të natës pasi ishte larg Istambullit një saat me automobil. Rushan beu, Mynirja, djemtë, nusja me dhëndërrin e pritën te porta e hotelit. Muzika i binte marshit dhe njerëzia durtrokiste. Sapo zuri vënd në trapezë, Qemal Ataturku. Ai mori në të djathtë të tij Rushan beun…në të mëngjër mori Myzejenin, dhëndërin dhe Myniren e pas saj ca ministra. Pasi ngriti një dolli dhe uroi çiftin, Ataturku dancoi me Myzejenë dhe ja dha Rushan beut i cili pasi bëri danc me çupën e tij e çoi atë te dhëndërri për të vazhduar dancin…Dasma u ndez. Të gjithë zunë të loznin danc. Ataturku u ngrit disa herë e bëri dancim me të tjerët…
Ataturku ndenji gjer në shtat e gjysëm të sabahut allafrënga pastaj u largua. Sa ishte në dasëm, shumë herë u përqafuan me Rushan beun. Ai foli në dasëm, uroi çiftin e miqtë, por foli edhe për dashurinë dhe miqësinë që paska patur ai për Rushan beun. Edhe Rushan beu iu përgjigj me një fjalim fort të bukur. Njerëzit që shoqëronin Ataturkun ishin ministra, deputetë dhe gjeneralë. Ataturku i dha 1000 lira turke Myzejenit për të blerë ndonjë gjë si dhuratë nga ay… Llafi i shkurtër është ky: Çupa jonë, Myzejeni u martua si një bijë pe mbreti…dhe vajti te një saraj që ka ndënjur bij e mbretit…Shtëpia e Myzejenit duket fare mirë nga neve. Është në majë të Çamllixhesë, më lart nga të tërë viset e Istambullit…Pe shtëpisë së Rushan beut është larg 10 minuta me otomobil, si Goskova me Porodinën. …Si ta këndoni juve këtë letër (të afërmit në Goskovë – F. Sh.) t’ia jepni Myrtezait. Dy ditë le të rrijë ne ata. Pasdaj t’ja u epni edhe Naxhiut. Të rrijë dy ditë në Floq, ta këndojnë mirë edhe ata. Pazdaj ta merrni dhe ta ruani gjer të vij unë… * * * Pasi u përcolla këtë fragment letre të nderuar lexues, po e shikoj me vëmendje fotografinë ku duket në vallëzim Ataturku me Myzejenin, vajzën floqare…Ky njeri, Mustafa Qemal Pasha, frymëzues dhe drejtues i revolucionit turk që rrëzoi sulltanin në nëntor të vitit 1922, president dhe themelues i Turqisë moderne, teformator i madh dhe mik i afërt dhe i sinqertë i shqiptarëve, pikërisht ky që po vallëzon me këtë vajzë nga Floqi i Korçës, pas një viti, më 10 nëntor 1938, në orën 9 të mëngjezit do të vdiste në pallatin Dollmabahçe në moshën 57 vjeçare./ KultPlus.com
Martin Camaj ishte shkrimtar, akademik dhe albanolog shqiptar.
Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore.
Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza.
Martini lindi në Dushman të Dukagjinit më 21 korrik 1927 në vendin e quajtur Telumë. Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nis të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë do t’i binte në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen – pse jo – për meshtari.
Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”, ku do kalonte edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit atbotë qe P. Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit mësojmë se arsimin fillor 5 vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet. Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në Kolegj. Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 – mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës.
Themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kap. Gjon Destanishtës dhe në gusht qe i detyruar me jetuar në ilegalitet deri sa ia arriti me ikë në Jugosllavi bashkë me Át Daniel Gjeçajn OFM dhe grupin e përbërë prej 36 vetësh. Kështu nuk pati më rast të kontaktojë me familjen, një vëlla i tij bëri 30 vjet burg. Kryen për tre muaj një kurs intensiv për mësuesinë në Pejë (1 korrik – 30 shtator 1949), mandej punon një vit (1949-’50) mësues në Tuz në shkollën “Mahmut Lekiq”.
Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh më 2 korrik 1955 duke dhënë provime diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 martohet në fillim ne bashki, mandej ne kishën ortodokse e më pas atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviç. Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Univ. të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç – kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë.
Në bashkëpunim me të dhe me mentorin e dytë prof. Rikard Kuzhmiç vendos të promovojë në filologji duke përzgjedhur si temë doktorate “Gjuha e Gjon Buzukut”. Kërkesa përkatëse e mentorëve të tij miratohet prej këshillit shkencor të atij fakultet në mbledhjen që u mbajt më 16 shkurt 1956.
Po atë vit, duke parë shëndetin në rënje të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të 1956) ku e shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë.
Nën mentoratin e Koliqit më 15 mars 1960 mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistes “Shêjzat” (që e redaktonte tash tre vite dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi.
Ndarja përfundimtare me Martinin ndodh në vitin 1968, dhe mbas kësaj date Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nandor të vitit 1987.
Prej 1965 deri në 1971 qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor. Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më dt. 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm, më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i emërtuar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindë. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Mynih.
Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.
Kërkimet akademike të Camajt u përqëndruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer.
Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981.
Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij.
Një përzgjedhje e poezive të tij e përkthyer në Anglisht nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe “Palimpsest”, Munich & New York 1991. / KultPlus.com
Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim një nismë për lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se në këtë marrëveshje do të angazhohen për avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në këtë fushë.
“Në mbledhjen e sotme i kemi 23 propozim vendime. Në mesin e tyre me rëndësi të veçantë do të jetë shqyrtimi i nismës për lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ndërmjet vendit tonë dhe SHBA-së. Në këtë marrëveshje do të angazhohemi për avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë me planifikim të mbrojtjes, qëndrueshmërisë strategjike dhe ngritjes së kapaciteteve strategjike ushtarake”.
Kurti tha se marrëveshja do të jetë e përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës dhe Departamentit amerikan të Mbrojtjes.
“Ministria e Mbrojtjes mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike për bashkëpunim me shtetet aleate e në koordinim me SHBA-në ka iniciuar lidhjen e marrëveshjes kornizë. Me këtë marrëveshje Kosova dhe SHBA angazhohen në avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes si: planifikim i mbrojtjes, qëndrueshmëri strategjike, si dhe ngritje e kapaciteteve strategjike ushtarake”.
Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci tha se qëllimi i marrëveshjes është për avancim të bashkëpunimit në këtë fushë dhe tha se nisma është në përputhje me qëllimet e integrimit euroatlantik të Kosovës.
“Në koordinim të plotë me SHBA-në ka iniciuar lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes. Qëllimi i kësaj marrëveshje është që të dyja palët të angazhohemi me avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes”.
“Një hap i tillë i bashkëpunimit është ndërmarrë në përputhje me qëllimet e integrimit më të gjerë euroatlantik, kërcënimet për sigurinë, rritjen e ndërveprueshmërisë, gjithmonë duke u mbështetur në partneritetin e fortë ekzistues në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”.
Për këtë Kurti paralajmëroi se do të flasë më gjerësisht Maqedonci në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë./ KultPlus.com
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vizitoi dje Kosovën për herë të parë pasi mori këtë detyrë. Ai takoi presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe trupat paqeruajtëse të NATO’s, KFOR.
Rutte ka takuar edhe komandantin e misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Enrico Barduani, i cili ndau pikëpamjet e tij mbi situatën aktuale të sigurisë në rajon, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës dhe për të mbështetur dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë të martës ka mbajtur edhe një tryezë diskutimi me gazetarë, ku ka theksuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës dhe misionit paqeruajtës në Kosovë, KFOR.
Sipas tij, misioni i NATO-s në Kosovë është kyç për sigurinë dhe stabilitetin e të gjitha komuniteteve. Megjithatë, ai nënvizoi se një zgjidhje e qëndrueshme paqësore duhet të jetë politike.
Gjatë kësaj konference, Rutte dha mesazhe të rëndësishme.
Mesazhet kryesore të tij ishin se KFOR mbetet faktor stabiliteti në Kosovë bashkë me SHBA-në dhe që NATO do të vazhdoj të kontribuojë për sigurinë në vend dhe rajon.
Rutte tha se aleanca është e gatshme t’i përgjigjet çdo zhvillimi të sigurisë në Kosovë. Por, shefi i NATO-s u kërkoi udhëheqësve që të veprimet që ndërmarrin të mos jenë në kundërshtim të angazhimeve paraprake, teksa kërkoi nga Kosova dhe Serbia fleksibilitet dhe kompromise në dialog.
“KFOR është plotësisht i gatshëm t’i përgjigjet çfarëdo zhvillimit të sigurisë. Në këtë kuptim, presim të vazhdojmë bashkëpunimin mes Prishtinës dhe KFOR-it, në përputhje me angazhimet e dekadave të fundit.”, u shpreh ai gjatë një konference me presidenten Osmani.
Ai po ashtu tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në aleancë dhe në misionin paqeruajtës në Kosovë, KFOR.
Gjatë një tryeze diskutimi në Prishtinë më 11 mars me gazetarë, pasi zhvilloi takime me krerët shtetërorë, Rutte tha misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ofron siguri dhe stabilitet për të gjitha komunitetet, por shtoi se zgjidhja për paqe afatgjatë është politike.
“SHBA-ja është e përkushtuar tërësisht në KFOR, në NATO. Presidenti [amerikan, Donald] Trump para dy javësh në Zyrën Ovale u takua me presidentin francez dhe kryeministrin britanik dhe u përkushtua për nenin 5 dhe NATO-n. E di që SHBA-ja është e përkushtuar në KFOR”, tha Rutte.
Çështja e rishqyrtimit të pozicionit të Ëashingtonit në Evropë ka nisur të qarkullojë pas deklaratave të bëra nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në shkurt, kur ka thënë se evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në kontinent do të zgjasë përgjithmonë.
Rutte tha se administrata Trump ka tejkaluar ngërçin sa i përket luftës së Rusisë kundër Ukrainës, duke mbajtur bisedime për përfundimin e luftës me Rusinë dhe Ukrainën. Ai tha se ka mundësi që administrata amerikane të tentojë të kontribuojë në zgjidhjen e ngërçit edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Le të shohim se çfarë roli mund të luajë SHBA-ja në këtë rajon, që të kemi një zgjidhje afatgjatë në rajon ku do të kishte raporte të mira fqinjësore dhe normalizim të situatës”, tha Rutte.
Para se të takohej me krerët shtetërorë të Kosovës, shefi i NATO-s qëndroi një ditë më parë edhe në Bosnje e Hercegovinë.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Rutte tha se kërkesa e tij për të gjithë politikanët në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, është që të veprojnë në mënyrë të parashikueshme.
“E dimë që për momentin në Bosnje e Hercegovinë ka tensione për shkak të rastit gjyqësor ndaj presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik. Dhe duke pasur parasysh faktin e tensioneve të vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë, mendoj se është në interesin e të gjithëve që të ulen tensionet. Mënyra më e mirë për të bërë këtë është që të jeni të parashikueshëm dhe të përmbaheni nga veprimet e njëanshme”, tha shefi i NATO-s.
Rutte foli edhe për marrëveshjen mes Kosovës dhe NATO-s që nuk ia lejon Forcës së Sigurisë së Kosovës që të shkojë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – pa miratimin e aleancës.
“Për aq kohë sa nuk ka një marrëveshje të re, duhet të respektojmë marrëveshjen ekzistuese. Marrëveshja thotë se nëse FSK-ja dëshiron të dislokohet diku, veçmas në veri, duhet të ketë dakordim paraprak me KFOR-in. Kur bëhet fjalë për Policinë e Kosovës, nëse janë afër kufirit, është e rëndësishme që të paktën ata të njoftojnë në kohë KFOR-in. Duam që kjo të vazhdojë dhe e di që Qeveria është e përkushtuar për këtë”, tha shefi i NATO-s.
“Sigurisht, nuk mund të parashikoni nëse gjërat do të ndryshojnë me kalimin e kohës. Por, nuk ka asgjë të re për të cilën mund t’iu njoftoj tani në këtë drejtim”, shtoi ai.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX. Ky mision, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë e vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkaq, i pyetur nëse forcat e mundshme paqeruajtëse të udhëhequra nga Evropa në Ukrainë mund të çojnë në ndryshimin e pranisë së KFOR-it në Kosovë ose në garancitë e sigurisë që NATO ofron në Kosovë, Rutte tha se ajo që nevojitet fillimisht në Ukrainë është një marrëveshje paqeje.
“Pastaj duhet të hartohet një mision për garancitë e sigurisë. Aktualisht, francezët dhe britanikët po marrin drejtimin e këtij debati. Më pas, duhet të shohim se çfarë do të thotë kjo për praninë e trupave në krahun lindor, por edhe këtu në Ballkanin Perëndimor. Por, deri atëherë do të kemi kaluar tri hapa përpara dhe nuk dua të flas për ‘çka nëse’”.
Komandanti i misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Enrico Barduani, dje mirëpriti Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe Zëvendës-sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska.
Sipas njoftimit të KFOR-it, gjeneralmajor Barduani ndau pikëpamjet e tij mbi situatën aktuale të sigurisë në rajon, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës dhe për të mbështetur dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Gjithashtu, Barduani u takua me ambasadorët e vendeve që kontribuojnë me trupa në KFOR, duke i falënderuar ata për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj misionit dhe stabilitetit rajonal.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë. Ne bashkëpunojmë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it./ KultPlus.com
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka qëndruar dje në Kosovë ku takoi zyrtarët e lartë shtetërorë si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Në vazhdën e këtyre takimeve Rutte ka takuar edhe ambasadorin e BE-së në Kosovë, Aivo Orav.
Orav njofton se u takua me Rutte dhe zëvendëssekretaren e NATO-s, Radmila Shekerinska, me të cilët riafirmoi mbështetjen që Bashkimi Evropian ka për misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
“Dje gjatë vizitës së tyre në Kosovë rikonfirmuan mbështetjen e BE-së dhe të NATO-s. Përballë sfidave gjeopolitike, qëndrimi në rrugën drejt BE-së është vendimtar. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet e vetmja rrugë drejt stabilitetit të qëndrueshëm”./ KultPlus.com
Admirali Giuseppe Cavo Dragone, Kryesues i Komitetit Ushtarak të NATO-s (CMC), ka qëndruar dje në Kosovë bashkë me delegacionin e udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Cavo Dragone, në një postim në platformën X, tha se e kanë lavdëruar përkushtimin e palëkundur të të gjithë personelit të KFOR-it, të cilët, tha ai, vazhdojnë ta ruajnë paqen dhe stabilitetin në Kosovë që nga viti 1999.
“Nën udhëheqësinë aktuale të Enrico Barduaniit, KFOR-i garanton ambient të sigurt, duke nxitur një Kosovë multietnike dhe demokratike”.
“Vlerësim i veçantë për Ekipin Ndërlidhës dhe Këshillues të NATO-s, tani të udhëhequr nga gjenerali Christian Nawrat, për rolin e tyre kryesor në këshillimin dhe mbështetjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke rritur stabilitetin rajonal”.
“Jemi krenarë për ju! Vazhdoni punën e jashtëzakonshme”, potencoi Admirali Giuseppe Cavo Dragone./ KultPlus.com
Në gushtin e vitit 1945, në SHBA u botua libri “Ferma e kafshëve” e shkrimtarit britanik George Orwell (Xhorxh Oruell). Rezultoi një sukses i madh, me mbi gjysmë milioni kopje të shitura që në vitin e parë. Libri u pasua 3 vjet më vonë nga një sukses edhe më i madh, romani “1984”.
Nga Mark Satta
Në vitet që pasuan, shkrimet e Oruell lanë një shenjë të pashlyeshme në mendimin dhe kulturën amerikane. Shitjet e këtyre 2 librave u rritën sërish në vitin 2013 kur Eduard Snouden zbuloi dokumente konfidenciale nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë e Shteteve të Bashkuara (NSA).
Po ashtu “1984“ u ngjit në krye të listës së librave të shitur nga “Amazon”, pas hyrjes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017. Si profesor i filozofisë, unë jam i interesuar të analizoj sesi idetë e Oruell mbeten aktuale edhe sot, përfshirë ato mbi totalitarizmin dhe socializmin.
Karriera e hershme
Xhorxh Oruell ishte pseudonimi i Erik Bler. I lindur në vitin 1903 në Indinë koloniale, Bler u transferua më vonë në Angli, ku falë disa bursave ndoqi shkollat më elitare të vendit. Pas mbarimit të shkollës, u bë një zyrtar shtetëror britanik, dhe punoi në Burma (sot Mianmari). Në moshën 24-vjeçare, Oruell u rikthye në Angli për t’u bërë shkrimtar. Gjatë viteve 1930, ai pati një sukses modest si eseist, gazetar dhe romancier. Në atë kohë shërbeu si një ushtar vullnetar në një milici të krahut të majtë, që luftoi përkrah republikanëve gjatë Luftës Civile në Spanjë.
Gjatë atij konflikti, Oruell e kuptoi nga afër se si propaganda mund të diktonte narrativat politike, dhe e bëri këtë duke vëzhguar rrëfimet e pasakta të ngjarjeve, të cilat ai i kishte përjetuar si dëshmitar okular.
Më vonë ai e përmblodhi me këtë fjali kuptimin e shkrimeve të tij nga Lufta Civile Spanjolle:”Çdo shkrim serioz që kam shkruar që nga viti 1936 është drejtuar, drejtpërdrejt ose tërthorazi, kundër totalitarizmit, dhe në favor të socializmit demokratik”.
Po çfarë është totalitarizmi?
Për Oruell, totalitarizmi ishte një rend politik i përqendruar tek pushteti dhe kontrolli i tij. Kjo ide shtjellohet nga antagonisti në librin “1984”, O’Brajan. Ky personazh imagjinar, është një zyrtar i fuqishëm qeveritar, që e përdor torturën dhe manipulimin për të kontrolluar mendimet dhe veprimeve të protagonistit, Uinston Smith.
O’Brajan e trajton dëshirën e tij për pushtet si një synim në vetvete. Ai është një përfaqësim i fuqisë për hir të vetë pushtetit. Shumë nga idetë kryesore të Oruell, kanë të bëjnë me atë me të cilën totalitarizmi është i papajtueshëm.
Në esenë e tij të vitit 1941, “Luani dhe njëbrirëshi: Socializmi anglez dhe gjeniu”, Oruell flet për “idenë totalitare, sipas së cilës nuk ekziston një gjë e tillë si ligji, por vetëm pushteti…”. Me fjalë të tjera, ligjet mund të kufizojnë fuqinë e një sundimtari.
Nga ana tjetër, totalitarizmi synon të zhdukë kufijtë e ligjit, përmes një ushtrimi të pacipë të pushtetit. Ngjashëm, në esenë e tij të vitit 1942 “Duke parë në retrospektivë luftën spanjolle”, Oruell argumenton se totalitarizmi synon të mohojë ekzistencën e fakteve neutrale dhe të vërtetës objektive.
Oruell e identifikon lirinë dhe të vërtetën si “garancitë” kundër totalitarizmit. Ushtrimi i lirisë dhe njohja e së vërtetës, janë të papajtueshme me kontrollin total të centralizuar që imponon totalitarizmi. Oruell e kuptoi se totalitarizmi mund të gjendet në politikë, si në të djathtë ashtu edhe në të majtë.
Për Oruellin, naz izmi dhe komunizmi ishin totalitariste. Për mendimit tim, vepra e tij na sfidon që t’i rezistojmë tundimit për t’i lejuar udhëheqësit të kenë sjellje totalitare, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike. Gjithashtu ajo na kujton se disa nga mjetet më të mira që kemi në dispozicion për t’i rezistuar totalitarizmit, janë thënia e të vërtetës dhe ruajtja e lirisë.
Çfarë është socializmi demokratik?
Në librin e tij të vitit 1937 “Rruga drejt skeles Uigan”, Oruell shkruan se socializëm do të thotë “drejtësi dhe liri”. Drejtësia së cilës i referohet ai, shkon përtej drejtësisë së thjeshtë ekonomike. Ajo përfshin gjithashtu drejtësinë sociale dhe politike.
Oruell e shpjegon më në detaje se çfarë nënkupton me socializëm tek “Luani dhe njëbrirëshi”. Sipas tij, socializmi kërkon “barazinë e përafërt të të ardhurave, demokracinë politike, dhe heqjen e të gjitha privilegjeve trashëgimore, sidomos në arsim”.
Duke specifikuar se çfarë nënkupton me “barazinë e përafërt të të ardhurave”, Oruell thotë më vonë në të njëjtën ese, se diferenca në të ardhura nuk duhet ta kalojë raportin 10 me 1. Duke e interpretuar këtë ide nga perspektiva e sotme, mund të thuhet se Oruell do ta konsideronte etike që presidenti i një kompanie të fitojë 10 herë më shumë se sa punonjësit e tij, por jo 300 herë më shumë, siç ndodh sot mesatarisht në Shtetet e Bashkuara.
Por në përshkrimin e socializmit, Oruell nuk merret vetëm me pabarazinë ekonomike. Shkrimet e Oruell tregojnë se koncepti i tij i preferuar i socializmit, dikton gjithashtu “demokracinë politike”. Siç e vë në dukje studiuesi Dejvid Douan, Oruell dallon “dy koncepte të demokracisë’.
E para i referohet fuqisë politike në dispozicion të njerëzve të zakonshëm. E dyta ka të bëjë me liritë liberale klasike, siç është ajo e mendimit. Të dyja konceptet e demokracisë duken të rëndësishme, për atë që Oruell nënkupton me socializmin demokratik.
Për Oruell, socializmi demokratik është një rend politik që siguron barazi sociale dhe ekonomike, duke e ruajtur gjithashtu lirinë e fortë personale. Unë besoj se përshkrimi i Oruell mbi socializmin demokratik, si dhe pranimi prej tij, se socializmi mund të marrë forma të ndryshme, mbeten të rëndësishme ende sot, pasi debati politik mbi socializmin në Shtetet e Bashkuara anashkalon shpesh shumë prej nuancave që përfshin në debat Oruelli.
Për shembull, shumë shpesh amerikanët e ngatërrojnë socializmin me komunizmin. Oruell na ndihmon të sqarojmë ndryshimin midis këtyre termave. Duke pasur parasysh nivelet e larta të pabarazisë ekonomike, sulmet politike ndaj së vërtetës dhe shqetësimet e reja mbi totalitarizmin, idetë e Oruell mbeten po aq të rëndësishme sot sa ishin 75 vjet më parë./ “The Conversation”
Promovimi i librit “E kaluara si strehë: Gjinia, migrimi dhe ideologjia te shqiptarët e Kosovës” nga Janet Reineck do të behet më 13 mars nga ora 17:00 në Librarinë ‘Dukagjini’.
Një diskutim i shkurtër për librin me antropologen Reineck. Në diskutim do të marrin pjesë antropologu Arsim Canolli dhe antropologia Lumnije Kadriu (përkthyese e librit në gjuhën shqipe). Do të ketë një koktej simbolik dhe mundësi për blerë librin me zbritje dhe të nënshkruar nga autorja.
Ndërhyrjet në infrastrukturën turistike të aventurës, synojnë të nxisin më tej eksplorimin e bukurive natyrore të Shqipërisë.
Një projekt inovativ ka marrë jetë përmes Platformës së Inovacionit në Turizëm (TIP), ku Çeta Hiking fitoi çmimin e parë për të realizuar Via Ferrata-n në Kuç, në rajonin e Vlorës.
Via Ferrata e parë në Shqipëri po ndërtohet për ngjitje në zona shkëmbore me instalime hekuri.
100 metrat e parë të këtij shtegu janë financuar nga GIZ, si dhe 150 metra shtesë u financuan nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH). Përmes një Memorandumi Mirëkuptimi mes GIZ, FSHZH dhe Bashkisë Himarë, ky produkt i ri po bëhet realitet.
E vendosur në një zonë ende të pashfrytëzuar e të paprekur nga turizmi, Via Ferrata në Kuç do të krijojë një eksperiencë unike përpara se turistët të zbresin drejt bregdetit jugor.
Ky zhvillim jo vetëm që do të diversifikojë ofertën turistike në rajon, por gjithashtu do të krijojë mundësi të reja ekonomike për banorët lokalë dhe operatorët turistikë, duke i dhënë zonës një dimension të ri tërheqës për vizitorët dhe aventurierët. /atsh/ KultPlus.com
Rreth 800 vjet më parë, një djalë 7-vjeçar i quajtur Onfim duket se ishte lodhur nga detyrat e shkollës dhe, në vend të tyre, vizatoi veten si një kalorës mbi kalë duke vrarë një armik. Onfim, i cili shkroi emrin e tij mbi këto skica argëtuese, bëri vizatime mbi më shumë se një duzinë copash të holla lëvore thupre në mesin e shekullit XIII. Aftësia e tij artistike u ruajt për shekuj falë tokës së lagësht dhe me pak oksigjen të Novgorodit, një shtet mesjetar sllavo-lindor që më vonë u bë pjesë e Rusisë.
I njohur si Gramota Nr. 200, autoportreti i Onfimit përfshin ushtrimet e tij me alfabetin cirilik mbi një vizatim ku duken një kalë, një armë e ngjashme me shpatë, një armik i mundur dhe, pranë një përfaqësimi të vetes, firma e tij: ОНѲИМЄ. Figuracionet e tij të thjeshta, një tregues i moshës 7-vjeçare, kanë shprehje të ashpra, bust të rrumbullakosur, këmbë të gjata dhe duar me më pak gishta sesa duhet.
Në vitin 1951, arkeologët në Novgorod zbuluan tekstet e para ruse të vjetra të shkruara në lëvore thupri, dhe deri më sot janë gjetur më shumë se 1200 të tilla. Përpara se letra të bëhej e disponueshme, lëvorja e butë e thuprës gërvishtej me mjete metalike ose kockore. Përmasat e këtyre teksteve ndryshojnë, por shumica janë afërsisht sa një kartolinë. Historiani rus Valentin Janin ka vlerësuar se mund të ketë mbi 20,000 tekste të tjera që ende nuk janë zbuluar nga toka me baltë të lagësht.
Qyteti i Novgorodit, që ndodhet në Rusinë perëndimore, rreth 160 kilometra në jug të Shën Petersburgut, ishte një qendër e rëndësishme tregtare gjatë periudhës mesjetare dhe, si rezultat, kishte nivele të larta të shkrim-leximit. Tekstet e shkruara në lëvore thupre nga Novgorodi trajtojnë kryesisht transaksione tregtare ose janë kopje të pasazheve nga Bibla.
Por puna e Onfimit është paksa ndryshe. Edhe pse ai ka shkruar psalme dhe himne, shumica e dorëshkrimeve të tij përmbanin vizatime figurative, dhe stili i tyre i thjeshtë e i këndshëm e ka bërë atë personin më të famshëm të teksteve të Novgorodit në lëvore thupre, si dhe krijuesin e disa prej veprave më të hershme artistike të prodhuara nga një fëmijë që janë zbuluar ndonjëherë.
Fatkeqësisht, nuk ka dëshmi historike që të tregojnë se çfarë ndodhi me Onfimin ndërsa u rrit. A u bë tregtar apo murg? A hipi ndonjëherë mbi kalë dhe vrau armiqtë e tij? Megjithëse nuk e dimë fatin e Onfimit, vizatimet e tij 800-vjeçare kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në histori. / INKL – Syri.net/ KultPlus.com
Leximi modelon trurin! Një njeri i apasionuar pas librave mund të dallohet nga anatomia e trurit, pasi leximi është në gjendje t’u japë formë dy zonave të hemisferës së majtë që janë të lidhura me tingujt dhe kategorizimin e informacioneve domethënëse.
Përsa i përket tiparit të parë, të tingullit, shkronjat dhe të lexuarit nuk i përkasin vetëm fushës vizive të të kuptuarit, por shkronjat janë tinguj.
Dhe kush lexon, ka një anatomi ndryshe, me lobin temporal në hemisferën e majtë që është në përmasa më të mëdha. Dhe këtë disa njerëz e kanë më të zhvilluar, ndërkohë që tek fëmijët, zona e trurit përgjegjëse për tingujt që është më e hollë, është simptomë e disleksisë.
Jennie nga BLACKPINK dhe ylli botëror i pop-it, Dua Lipa, kanë bashkuar forcat për të sjellë një nga bashkëpunimet më të pritura të vitit – “Handlebars”.
Kënga, e cila ka ngjallur menjëherë entuziazëm mes fansave të të dyja artisteve, vjen e shoqëruar me një videoklip spektakolar, i cili tejkalon pritshmëritë me pamjet e tij vizuale mahnitëse.
Me një stil të rafinuar dhe një estetikë unike, klipi ofron një përvojë vizuale të mbushur me skena të fuqishme, ngjyra të theksuara dhe efekte kinematografike të jashtëzakonshme.
Jennie dhe Dua Lipa shfaqen më karizmatike se kurrë, duke reflektuar një energji tërheqëse dhe një harmoni të përkryer në interpretimin e tyre.
“Handlebars” është një kombinim i veçantë i pop-it modern me elemente elektronike dhe ritme dinamike, ndërsa teksti i saj sjell një mesazh të fortë për vetëbesimin dhe lirinë.
Bashkëpunimi mes dy yjeve të muzikës ka marrë vlerësime të shumta, duke u konsideruar si një nga projektet më inovative të vitit.
Që në momentin e publikimit, videoklipi është kthyer në një sensacion, duke grumbulluar miliona shikime brenda pak orësh dhe duke u komentuar gjerësisht në rrjetet sociale.
Fansat e të dyja artisteve kanë përshëndetur këtë bashkëpunim, duke e cilësuar atë si një nga duetet më ikonike të kohëve të fundit.
Me këtë projekt të ri, Jennie dhe Dua Lipa konfirmojnë edhe një herë statusin e tyre si ikona globale të muzikës, duke lënë një shenjë të fortë në industrinë muzikore.
Mbetet për t’u parë se çfarë surprizash do të sjellin në të ardhmen dyshja e talentuar, por një gjë është e sigurt: “Handlebars” është vetëm fillimi i një suksesi të padiskutueshëm./rtv21/ KultPlus.com
Në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Itali, Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe Fondacionin Gramsci të Pulias, Festivali i Filmit Sudestival mirëpret kinematografinë shqiptare me një sesion të dedikuar.
Pas Romës, do të jetë në Monopoli, te Pulias, stacioni i radhës. Data 14 mars, në Teatrin Radar në Monopoli, do të jetë një ditë e gjatë kushtuar bisedave, debateve dhe shfaqjeve të disa prej veprave më të mira kinematografike që rrëfejnë historinë e Shqipërisë.
Në program parashikohet “Anuloje Ligjin” (Annula il decreto) nga Fabrizio Bellomo. Pas shfaqjes së filmit, do të ketë një bisedë me regjisoren Fabiola Ismaili (Aquile di Seta), Edon Qesari (Historian, Akademia e Shkencave e Shqipërisë), Prof. Claudia Villani (Historiane, Universiteti i Barit – Fondacioni Gramsci Puglia).
Filmi tjetër në program është “UDHA – Një gjak, një gjuhë, një besë” nga Alessandro Ferrantelli, i cili do të shfaqet në shqip me titra italisht. Kjo premierë italiane do të ndiqet nga një bisedë me Arbër Agalliu, Noè Andreano (kryetar i bashkisë së Casalvecchio di Puglia), prof. Lucia Martino.
Në mbrëmje do të shfaqet i mirënjohuri “Lulëkuqet mbi mure”, i regjisorit Dhimitër Anagnosti që do të ndiqet nga biseda me Vito Saracino (Fondacioni Gramsci i Pulias), Marinela Ndria dhe Eriona Vyshka (Arkivi Qendor Shtetëror i Filmit), Nicola Barbuti (Dabimus srl – Universiteti i Barit), Resmie Hallulli (Universiteti i Barit, Fondacioni Gramsci i Pulias). /atsh/ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me Këshillin e Atlantikut të Veriut, përcjell KultPlus.
Osmani e ka konsideruar këtë takim si jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe në një moment vendimtar.
Në vijim KultPlus ua sjell postimin e presidentes Osmani:
Një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm në një moment vendimtar me Këshillin e Atlantikut të Veriut (North Atlantic Council – NAC).
Patëm një diskutim përmbajtësor rreth zhvillimeve në Kosovë e rajon dhe riafirmova përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave euroatlantike dhe bashkëpunimit me NATO-n.
Forcat e NATO-s kanë rol të rëndësishëm për sigurinë jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin tonë, prandaj si partnere serioze e kredibile, Kosova do të vazhdojë të kontribuojë për paqen e stabilitetin afatgjatë./KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka pritur sot në takim sekretarin e përgjithshëm të Federatës Ndërkombëtare të Esports, Boban Totov, i shoqëruar nga kryetari i Federatës së Esports në Kosovë, Altin Preniqi.
Në këtë takim u disktuan për përgatitjet, progresin dhe punët që po bëhen drejt organizimit të Kampionatit Evropian të Esports në Kosovë.
Ngjarja më e madhe e Lojërave Elektronike në Evropë do të mbahet në Prishtinë në korrik të këtij viti. Me 45 shtete pjesëmarrëse dhe me mbi 250 lojtarë, ky kampionat do të sjell në Prishtinë garat e Counter-Strike 2 dhe Dota 2./ KultPlus.com
Fakulteti Filologjik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka njoftuar se Lindita Sejdiu Rugova është zgjedhur drejtoreshë e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, shkruan KultPlus.
“Profesoresha Lindita Sejdiu Rugova është zgjedhur drejtoreshë e Seminarit për një mandat dyvjeçar. Duhet theksuar se Prof. Sejdiu Rugova ka përvojë 23 vjeçare në organizimin e drejpërdrejtë të aktiviteteve të Seminarit”, thuhet në njoftimin e Fakultetit të Filologjisë.
Sekretar shkencor nga Këshilli i Seminarit u propozua Prof. asoc.dr. Muhamed Çitaku, kurse anëtarë të Këshillit u zgjodhën profesorët: Prof. dr. Bardh Rugova, Prof. dr. Avdi Visoka, Prof. ass. Dr. Gëzim Qerimi, Prof. ass. dr. Shpëtim Elezi, dhe Prof. ass. dr. Zahrije Kapllanaj.
Sekretare profesionale u emëruan MA. Liridona Bërkolli dhe Donika Elezkurtaj Bërveniku./ KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se është pasuruar me katër balerinë të rinj, të cilët tashmë janë pjesë e përhershme e institucionit të BKK, shkruan KultPlus.
Isa Gjocaj, Blerta Fanaj, Rigon Krasniqi dhe Erza Limani kanë nënshkruar kontratat e rregullta të punës, duke u bërë pjesë e trupës së baletit.
“Edhe pse këta balerinë kanë qenë të angazhuar prej kohësh si pjesë e jashtme e trupës sonë, është tejet e rëndësishme që tani kanë marrë statusin e të punësuarve në BKK-së.
Baleti Kombëtar i Kosovës ju uron suksese dhe mbarësi në karrierën e tyre artistike, me shpresën që angazhimi dhe puna e tyre do të sjellin vlera të reja për publikun dhe artin skenik në vend” thuhet në njoftimin e BKK./ KultPlus.com
Qendra e Botimeve Enciklopedike Albanologjike (QBEA) organizoi mbledhjen e Redaksisë Qendrore të projektit madhor “Historia e shqiptarëve”.
Në këtë takim pune përveç anëtarëve të kësaj redaksie akad. Pëllumb Xhufi, prof. Paskal Milo, prof. Ferit Duka, prof. Neritan Ceka mori pjesë dhe drejtori i QBEA-së dr. Arian Leka.
Qëllimi i kësaj mbledhjeje ishte shqyrtimi i mëtejshëm dhe përfundimtar nga redaksia qendrore i dy volumeve të para “Lashtësia” dhe “Mesjeta”, para se ato t’i nënshtrohen recensionimit.
Fillimisht drejtori i qendrës bëri një përshkrim lidhur me ecurinë e punës dhe gjendjen aktuale të dy vëllimeve të para të projektit madhor “Historia e shqiptarëve”. Dr. Leka informoi anëtarët e redaksisë qendrore mbi hapat që do të ndiqen lidhur me procesin fundor të redaktimit shkencor dhe proceset e tjera redaksionale- drejtshkrimore dhe stilistike.
Anëtarët e Redaksisë Qendrore vijuan më tej me diskutimet mbi çështje të përmbajtjes së dy veprave. Gjatë analizimit të vëllimit I – “Lashtësia” me 699 faqe dhe vëllimit II – “Mesjeta” me 722 faqe, prof. Paskal Milo dhe prof. Ferit Duka konstatuan se lënda shkencore e paraqitur sjell qasje të reja në përmbajtje, trajtime të pasuruara të temave ekzistuese e plotësime të tematikave të munguara, duke përmbushur kriteret shkencore të synuara. Veprat dëshmojnë fazat e qytetërimit shqiptar sipas periudhave, duke mbuluar në mënyrë̈ tërësore hapësirën e banuar nga shqiptarët gjatë gjithë̈ historisë̈ së tyre të lashtë dhe mesjetës.
Takimi i radhës së kësaj redaksie, që përmbyll këtë fazë pune do të zhvillohet më 20 mars 2025.