Në Bazilikën Shën Pjetri në Vatikan po mbahet funerali i Papa Françeskut me 200 mijë persona që po marrin pjesë.
Në këtë ngjarje po marrin pjesë edhe shumë figura të njohur politike nga mbarë bota.
Përveç Donal Trump, Biden e Zelenksy, në Vatikan u pa edhe princi William.
Princi i Uellsit foli shkurtimisht me Presidentin e SHBA, Donald Trump dhe Zonjën e Parë Melania Trump gjatë rrugës për në shërbim, thotë Kensington Palace, transmeton Klankosova..tv
William u takua dhe foli gjithashtu me presidentin francez Emmanuel Macron dhe gruan e tij Brigitte Macron përpara se të zinte vendin e tij për meshën funerale. /Klankosova.tv/ KultPlus.com
Presidenti amerikan, Donald Trump nuk do të ketë një vend në rreshtin e parë dhe do të ulet larg homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky në funeralin e Papa Françeskut, sipas protokollit të Vatikanit, bën të ditur tabloidi britanik ”The Sun”.
Udhëheqësit kryesorë botërorë janë sot në Romë për t’u bashkuar me dhjetëra mijëra katolikë që vajtojnë në funeralin e orkestruar me kujdes.
Italia po vendos një ”unazë çeliku” rreth Vatikanit për të ndihmuar në mbrojtjen e turmave deri në 200 000 persona dhe pothuajse 200 vizitorëve të huaj të profilit të lartë.
Këtu përfshihen presidenti Trump dhe gruaja e tij, Melania, dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, të cilët njoftuan se do të merrnin pjesë në funeralin e papës.
Nr.10 tha se kryeministri Keir Starmer do të marrë pjesë gjithashtu në funeral, së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni.
”Princi William do të jetë gjithashtu i pranishëm në funeralin e papës në emër të Mbretit”, njoftoi Pallati Kensington.
Mbreti Charles dhe mbretëresha Camilla i kanë bërë homazhe Papës në një deklaratë prekëse.
Protokollet e Vatikanit sugjerojnë që Trump mund të mos jetë në rreshtin e dytë të dinjitarëve të ulur përballë mbretërorëve dhe pleqësisë së kishës në pozicionin kryesor në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Në vend të kësaj, ai do të ulet në rreshtin e tretë së bashku me homologët e tij.
Funerali do të shënojë gjithashtu herën e parë që Trump dhe Zelensky takohen me njëri-tjetrin pas grindjes së tyre historike – dhe të shëmtuar – në Zyrën Ovale.
Por, të dy do të ulen larg njëri-tjetrit.
Kjo për shkak të protokollit të Vatikanit për të rregulluar vendet për dinjitarët e huaj në rend alfabetik.
Udhëheqësit amerikan, të cilit i pëlqen vëmendja, do të jetë më i zhgënjyer nga mbërritja e armikut politik dhe ish-presidentit Joe Biden, i cili do të ulet pranë tij në sheshin e Shën Pjetrit.
Trump – i cili u përplas me papa Françeskun për imigracionin – mbërriti në Romë në bordin e ”Air Force One” me një enturazh të madh sigurie.
Ndërsa Vatikani nuk ka publikuar ende asnjë detaj zyrtar mbi ulëset, funeralet e mëparshme papnore na japin një pamje të asaj se si do të dukej rregullimi i ulëseve.
Ata do të jenë midis delegacioneve nga më shumë se 130 vende – duke përfshirë 50 krerë shtetesh dhe 10 monarkë në fuqi, pozicionet e të cilëve do të dekretohen nga protokollet e lashta të kishës.
Rregullat e Vatikanit diktojnë që emrat e tyre të renditen nga organizatorët e funeraleve në frëngjisht – gjuha diplomatike ndërkombëtare.
Kjo do të thotë që Shtetet e Bashkuara – États-Unis në frëngjisht – do të jenë midis Etiopisë dhe Esvatinit, i njohur më parë si Svaziland, sipas protokollit të vendosur të ulëseve.
Mbretëria e Bashkuar përkthehet si Royaume-Uni në frëngjisht – duke e vendosur Keir Starmer në një kurs përplasjeje me një vend afër – ose ndoshta pranë – Rusisë.
Por, Starmer do të kursehet nga një takim i sikletshëm me Vladimir Putinin, i cili përfaqësohet në Romë nga ministrja e Kulturës Olga Lyubimova.
Kryepeshkopë, peshkopë dhe kardinalë të fuqishëm – të njohur si “princat” e kishës katolike – do t’u jepen vendet më të mira në ngjarjen spektakolare.
Ndërsa anëtarët e familjes mbretërore katolike do të zënë vendet e para.
Mbretërorët jokatolikë – përfshirë princin e Uellsit, mbretin dhe mbretëreshën e Suedisë dhe princin e Kurorës – do të jenë më pas, duke zënë vendet në rreshtin e dytë.
Një numër i madh i të pranishmëve do të mbërrijnë së bashku me dinjitarë të huaj, mbretërorë dhe disa nga figurat më me ndikim në botë.
Kjo rritje e vizitorëve të famshëm në vendin e vogël prej 0,44 km² ka nxitur një nga operacionet më komplekse të sigurisë që është nisur ndonjëherë.
Një njësi ushtarake e fshehtë me bazë në Itali po udhëheq detyrën ”sizmike” dhe do të përdorë teknologji anti dronë, snajpera, avionë luftarakë dhe madje edhe anije luftarake për të mbrojtur elitën botërore.
Trupat e specializuara që rrethuan Sheshin e Shën Pjetrit sot u panë duke mbajtur “bazuka dronësh” të epokës hapësinore të aftë për të çaktivizuar mjetet terroriste me një shpërthim valësh radioje.
Shefat e sigurisë besojnë se dronët përbëjnë kërcënimin më të madh për ceremoninë mortore.
Një nga specialistët e dronëve – i quajtur Giovanni – i tha dje gazetës ”The Sun” se ”pajisja ime mund të çaktivizojë dhe rrëzojë një dron pasi ta kem në shënjestër”.
”Teknologjia është shumë efektive dhe na mundëson të vëmë dronët nën kontroll dhe të zvogëlojmë kërcënimin. E kuptojmë se kemi një punë të rëndësishme për të bërë”, shtoi ai.
Snajperë me pushkë u panë gjithashtu të pozicionuar në çatitë me pamje nga Sheshi i Shën Pjetrit.
Avionët mbikëqyrës AWACS të NATO-s do të ndihmojnë gjithashtu në sigurimin e qiellit, si dhe në stacionet e sofistikuara kundër bllokimit të dronëve.
Shefi i policisë së Romës, Marcello Fulvi, tha se rreth 8 000 personel sigurie do të mbrojnë procesionin e varrimit.
Kjo do të përfshijë 2 000 xhandarë me uniformë të Vatikanit që patrullojnë rreth Sheshit të Shën Pjetrit dhe 1 400 oficerë të tjerë me rroba civile të vendosur në rrugë.
Diku tjetër, Garda Zvicerane do të jetë në dispozicion për të ndihmuar me rrjetin e mbikëqyrjes në funeral.
Ata njihen si një nga njësitë më të vjetra ushtarake në planet, si dhe më të voglat, dhe e kanë mbrojtur Papën që nga viti 1506.
Siguria tani ka filluar të rritet në vend, ndërsa mijëra njerëz i thonë lamtumirën e fundit papës.
Zyrtarët publikuan foto të Françeskut të veshur me rroba të kuqe, ndërsa mbante një rruzare brenda një arkivoli në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Papa 88-vjeçar vdiq të hënën e Pashkëve pasi pësoi një hemorragji cerebrale.
Funerali do të drejtohet nga dekani i Kolegjit të Kardinalëve, Giovanni Battista Re.
Pas funeralit, trupi i papës do të zhvendoset në vendin e varrimit jashtë Vatikanit.
Françesku do të jetë Papa i parë në më shumë se 100 vjet që do të varroset jashtë mureve të Vatikanit./ a.jor./atsh/ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani tashmë ka arritur në bazilikën “Shën Pjetri” në Vatikan.
E para e shtetit të Kosovës para fillimit të ceremonisë së varrimit të Papa Françeskut është përshëndetur me presidentin amerikan Donald Trump dhe Zonjën e Parë Melania Trump, para fillimit të ceremonisë së varrimit të Papës.
Papa Françesku vdiq në moshën 88 vjeç pasi pësoi një goditje në tru të hënën e Pashkëve, vetëm një ditë pasi u shfaq në të njëjtin shesh për t’u ofruar një bekim besimtarëve në pikën kulmore të kalendarit të krishterë.
Filloi, mes 140 000 të pranishmëve, ceremonia e varrimit të papa Françeskut.
Ndodhen në ceremoni edhe 160 delegacione nga e gjithë bota, liderë botërorë, familje mbretërore si edhe përfaqësues të besimeve të tjera fetare.
Arkivoli i papa Françeskut do të përshkohet nëpër Romë me një makinë të ashtuquajtur papamobile të konvertuar.
”Automjeti, të cilin papa e përdori gjatë njërit prej udhëtimeve të tij jashtë vendit, do t’u lejojë kalimtarëve ta shohin papën e ndjerë nga rruga”, thanë raportet.
Pas shërbimit mortor në sheshin e Shën Pjetrit, arkivoli i papa Françeskut do të përshkohet nëpër Romë përgjatë një rruge prej gjashtë kilometrash deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku papa do të prehet./ atsh/ KultPlus.com
Sot në të gjithë botën shënohet Dita e Pronësisë Intelektuale, me aktivitete të ndryshme që kanë për qëllim promovimin e të drejtës së pronësisë intelektuale dhe mbrojtjen e kësaj pronësie. Ndërsa, institucionet e Kosovës nuk kanë paralajmëruar ndonjë organizim për nder të kësaj dite.
Pronësia intelektuale që përfshinë pronësinë industriale dhe të drejtat e autorit, në Kosovë është e garantuar me ligj.
Ndërsa, që nga viti 2000 më 26 prill të çdo viti të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) kremtojnë Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, e cila organizohet nën juridiksionin e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (OBPI).
Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO), në shënim të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale përzgjedh një slogan për të frymëzuar komunitetin global të krijuesve, mbrojtësve të pasurisë intelektuale, por edhe për të evidentuar një aspekt të sistemit unik të bashkëpunimit ndërplanetar, sigurimit të vijimësisë së krijimtarisë.
Ndryshe për shënimin e Ditëve të Pronësisë Intelektuale dhe Ditës Botërore të Inovacionit dhe Kreativitetit, Ministria e Industrisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, sot, do të mbajnë një konferencë vjetore./rtk/ KultPlus.com
Shumë liderë botërorë dhe anëtarë të familjeve mbretërore do të marrin pjesë sot në funeralin e papa Françeskut.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, presidenti francez Emmanuel Macron, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe kancelari Olaf Scholz, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti Sergio Mattarella, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, princi William, mbreti Felipe VI i Spanjës dhe mbretëresha Letizia si dhe presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen kanë konfirmuar të gjithë pjesëmarrjen e tyre në funeral.
Udhëheqës të tjerë dhe anëtarë të familjeve mbretërore që do të marrin pjesë në funeralin e papa Françeskut janë edhe presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, presidenti argjentinas, Javier Gerardo Milei, presidenti ekuadorian, Daniel Noboa, presidenti filipinas Ferdinand Marcos Jr., presidenti polak Andrzej Duda, kryeministri irlandez Micheal Martin, presidenti kroat Zoran Milanoviq, presidentja moldave Maia Sandu, mbreti belg Philippe dhe mbretëresha Mathilde, princi i Kurorës i Norvegjisë Haakon dhe princesha e Kurorës Mette-Mar.
Udhëheqësi i Kishës Katolike u lind në Buenos Aires më 17 dhjetor 1936 nga prindër emigrantë italianë.
Ai studioi në Argjentinë dhe më vonë në Gjermani përpara se të shugurohej si prift jezuit në vitin 1969.
Pas më shumë se një dekade në papatin e tij, papa Françesku mbeti një figurë e admiruar, por edhe polemike.
Ai kërkoi të reformonte burokracinë e Vatikanit, të luftonte korrupsionin dhe të adresonte disa nga sfidat më urgjente të kishës.
Papa u shtrua në një spital në Romë në shkurt me bronkit, i cili u zhvillua në pneumoni bilaterale.
Ai doli pas 38 ditësh për të vazhduar shërimin e tij në rezidencën në Vatikan.
Papa Françesku vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare./ atsh/ KultPlus.com
Në mesin e fushatave brutale kundër popujve gjermanikë të Danubit, perandori Marcus Aurelius shkroi një sërë reflektimesh, që e vendosën atë në mesin e mendimtarëve më me ndikim të lashtësisë.
Në shekullin e dytë pas Krishtit, bota e perandorit Marcus Aurelius ishte në rrënim. Një murtajë e madhe shkatërroi Evropën perëndimore, ndërsa ai filloi një luftë të gjatë dhe të përgjakshme kundër fiseve gjermane përgjatë kufirit të Danubit. Përballë këtyre fatkeqësive, bashkë me pleqërinë dhe mendimet për vdekjen, perandori kërkoi ngushëllim tek filozofia.
Gjatë gjithë jetës së tij, veçanërisht në momente të çuditshme gjatë fushatës ushtarake, ai hodhi në letër betejat e tij personale, bindjet filozofike dhe njohuritë për të qenë një sundimtar dhe një person më i mirë. Nga kjo shprehje e sinqertë e introspeksionit dolën 12 libra që merren me jetën dhe gjendjen njerëzore. Në total ky koleksion quhet Meditimet.
Filozofi Perandor
I lindur në vitin 121 në një familje aristokrate në Romë, Marcus Aurelius mori një arsimim të shkëlqyer në retorikë dhe filozofi. Ai studioi greqisht dhe sidomos Homerin dhe Euripidin. Ndoshta kjo është arsyeja pse ai i shkroi Meditimet në greqisht dhe jo në latinisht, gjuha zyrtare e Perandorisë Romake.
Në moshë të re, ai u interesua gjithashtu për filozofinë, veçanërisht stoicizmin, një shkollë mendimi që lulëzoi në antikitet. Një nga parimet kryesore të tij thekson zhvillimin e forcës së brendshme dhe pranimin e atyre gjërave që janë jashtë kontrollit tënjeriut. E themeluar në Athinë nga Zeno i Citiumit, rreth vitit 300 p.e.s., stoicizmi u rrit për t’u bërë një nga filozofitë kryesore të botës së lashtë.
Ai lulëzoi në Romën e lashtë, me Ciceronin ndër studiuesit e tij kryesorë (dhe një burim i mirë informacioni mbi stoicizmin në Romë). Epikteti, një grek i skllavëruar më parë, u bë filozof stoik me shumë ndikim i studiuar nga Marcus Aureliusi. Në fakt, Meditimet kanë disa ngjashmëri me koleksionin e parimeve morale të Epiktetit, të quajtura Enchiridioni (Manual).
Por vepra e Marcus Aurelius-it i shton zërin e tij origjinal traditës filozofike të stoicizmit. Ai i shtoi peshë kësaj shkolle të mendimit dhe arriti të besojë se perceptimi është baza e njohurive të vërteta. Lumturia mund të gjendet nëpërmjet praktikës së virtytit dhe të udhëhequrit në çdo kohë nga arsyeja, përballë peripecive të jetës.
Besohet se Marcus Aureliusi i shkroi Meditimet si një formë introspeksioni dhe jo për konsum më të madh publik. Ato variojnë nga maksimat e hapura deri te disertacionet bindëse dhe nuk ka një organizim definitiv të veprës – megjithëse disa modele janë identifikuar, me tema të organizuara rreth filozofisë stoike.
Me mirënjohje
Vepra nis si një lloj rrëfimi, në të cilin Marcus Aureliusi falënderon të gjithë ata që ndikuan pozitivisht gjatë gjithë jetës së tij. Për shembull, ai vlerëson mësuesit e tij që e mbajtën larg nga besëtytnitë dhe veset dhe e kthyen drejt një jete më të mirë e të virtytshme. Më i rëndësishmi nga këta mësues, kujton ai, ishte Quintus Junius Rusticus, i cili korrigjoi karakterin e tij të vrullshëm dhe e prezantoi me filozofët stoikë.
Marcus Aurelius kujton gjithashtu jetën e tij në oborrin e Romës, ku mbërriti në moshën 17-vjeçare. Babai i tij birësues, perandori Antoninus Pius, kishte një mënyrë jetese modeste, dhe kështu i riu Marcus Aurelius nuk hyri në një botë veshjesh dhe jetese luksoze; ai nuk kishte as roje personale. Perandori i ardhshëm admiroi përkushtimin me të cilin babai i tij birësues drejtoi perandorinë dhe personalitetin e tij të qetë, por të vendosur.
Marcus Aurelius u ngjit në fron në vitin 161, duke bashkëqeverisur me vëllanë e tij birësues Lucius Verus deri sa vdiq Luciusi, në vitin 169. Ndërsa Marcus Aurelius nuk reflekton drejtpërdrejt për jetën e tij si perandor, ai prek tema të rëndësishme të lidhura me të, duke përfshirë peshën e përgjegjësive dhe nevojën për të respektuar drejtësinë. Ai pranon se duhet të marrë vendime në interesin më të mirë të njerëzve që qeveris. Ai shkruan: “Filloni çdo ditë duke i thënë vetes: Sot do të ndeshem me ndërhyrje, mosmirënjohje, pafytyrësi, pabesi, keqdashje dhe egoizëm… Asnjë nga këto gjëra nuk mund të më lëndojë, sepse askush nuk mund të më implikojë në atë që është poshtëruese”.
Ai pranon se pushteti mund të jetë një barrë dhe një tundim, duke theksuar rëndësinë e shmangies së arrogancës dhe ruajtjes së përunjësisë përballë autoritetit. Ai gjithashtu ofron njohuri se si të përballeni me situata të vështira, të ruani qetësinë e brendshme dhe të qëndroni të fokusuar në qëllimin tuaj, përballë pengesave.
Ndër vëzhgimet e tij më personale janë gjërat që duket se e shqetësojnë. Ai e pranon se e urren atë që shumica e qenieve njerëzore duket se e duan. Lojërat e gladiatorëve, për shembull, e neverisin; seksi reduktohet në “një kënaqësi të shkurtër”. Dhe ai nuk e kupton pse njerëzve u bëjnë përshtypje rrobat e purpurta të veshura nga senatorët dhe perandorët, kur këto janë thjesht “lesh delesh i lyer me gjak butaku”.
Ai përpiqet të qëndrojë i qetë në çdo moment dhe të mos shqetësohet me atë që fqinji i tij do të thotë, ose do të mendojë për të. Siç i kujton vetes: “Gjithmonë habitem: Ne të gjithë e duam veten më shumë se njerëzit e tjerë, por na bëhet vonë më shumë për mendimin e tyre, sesa për tonin.”
Familja luan një rol të vogël në shkrimet e tij, megjithëse ai është jashtëzakonisht mirënjohës për gruan, Faustinën e Vogël, vajzën e Antonius Pius. Ai e përshkruan atë si “aq të bindur, kaq të dashur dhe kaq të thjeshtë”. Burimet e tjera bashkëkohore nuk ishin aq të sjellshme me Faustinën. Historianë si Cassius Dio e kanë akuzuar për tradhti bashkëshortore me ushtarë dhe gladiatorë të pashëm. Megjithatë, në shkrimet e tij, Marcus Aurelius ka vetëm fjalë të mira për të. Të dy kishin 13 fëmijë së bashku, por vetëm gjashtë jetuan pas fëmijërisë. Kur Faustina vdiq, në vitin 175, perandori u pikëllua për humbjen e saj. Ai varrosi gruan e tij në Mauzoleumin e Hadrianit në Romë.
Lufta dhe Vdekja
Duke shkruar natë pas nate nga kampi i tij ushtarak përgjatë Danubit, Marcus Aurelius kthehet në tema më të errëta, duke përfshirë natyrën e luftës. Në pika të ndryshme, ai vë në dukje realitetin e tmerrshëm të luftimit: “A keni parë ndonjëherë një dorë ose këmbë të prerë, ose një kokë të prerë, të shtrirë diku larg trupit të cilit dikur i përkiste …?”
Por kur dita mbaron, ato përsiatje zbehen dhe mbizotëron realiteti. Filozofi i natës, duhet të jetë një udhëheqës ushtarak ditën. Ai e pranon se nuk është gjithmonë e lehtë. “Në agim, kur e ke të vështirë të ngrihesh nga shtrati, thuaji vetes: ‘Duhet të shkoj në punë—si qenie njerëzore’, edhe pse preferon që «të mblidhesh nën batanije».
Përgjatë Meditimeve, Marcus Aurelius përsërit, pothuajse deri në obsesion, idenë se të gjithë ndajnë përfundimisht të njëjtin fat në këtë jetë të shkurtër: vdekjen. “Jetët e njerëzve janë të shkurtra dhe të parëndësishme,” shkruan ai.
Ka reflektime mbi gjeneralët e mëdhenj të së kaluarës, si Aleksandri i Madh, Çezari dhe Pompei, dhe se si, pavarësisht nga triumfet e tyre, “edhe ata u larguan nga kjo jetë”. Gjithashtu përmenden edhe banorët anonimë të Pompeit dhe Herkulaneumit, që u mbytën nën hirin e malit Vezuv.
Mbi të gjitha, kërkimi më i madh i perandorit është të gjejë paqen e mendjes, ndërsa mediton se sa shpejt kalon jeta: “Ekzistenca na kalon si një lumë: “çfarë” është në rrjedhë të vazhdueshme, “pse” ka një mijë variacione.” Ai thotë se rruga më e mirë është të “bëni gjithçka sikur të ishte gjëja e fundit që po bënit në jetën tuaj”.
E megjithatë, vdekja i ofron Marcus Aureliusit një lloj çlirimi, një shans për t’u shkëputur nga një botë ku shumë injorojnë të vetmet vlera që ai njeh – ato të virtytit racional dhe të së mirës morale. Drama e vërtetë e filozofit-perandor është se ai përpiqet t’i dojë njerëzit e tjerë: “Gjërat e paracaktuara për ju – mësoni veten të jeni njësh me to. Dhe njerëzit që i ndajnë ato me ju – trajtojini me dashuri. Me dashuri të vërtetë.”
Të gjitha këto Marcus Aurelius ia thotë vetes pa ankth apo dëshpërim. Edhe vdekja duhet pranuar me mirënjohje: “Mos e shikoni vdekjen me përçmim, por mirëpriteni atë”. Vdekja është pjesë e skemës natyrore të gjërave, mendon ai, duke e krahasuar atë me “një ulli që piqet dhe bie. Duke lavdëruar nënën, duke falënderuar pemën ku u rrit.” Ai thotë të pranosh vdekjen “me gëzim dhe vërtetësi, mirënjohës ndaj perëndive nga thellësia e zemrës”.
Kur Marcus Aureliusi vdiq më 17 mars 180, në moshën 58-vjeçare, viktimë e murtajës, ai la pas një gjurmë të pashlyeshme. Shkrimet e tij kanë intriguar krerët e shteteve që nga Frederiku i Madh i Prusisë e deri te presidenti i SHBA Bill Clinton. Kur Wen Jiabao, kryeministri i Kinës midis 2003 dhe 2013, pretendoi se kishte lexuar Meditimet më shumë se njëqind herë, vepra u bë një nga klasikët grekë më të botuar në vend. /bota.al/ KultPluscom
Në mes tuaj kam qëndruar E jam duke përvëluar, Që t’u ap pakëzë dritë, Natënë t’ua bënj ditë. Do të tretem, të kullohem, Të digjem, të përvëlohem, Që t’u ndrinj mir’ e të shihni, Njëri-tjatërin të njihni. Për ju do të rri të tretem, Asnjë çikë të mos mbetem, Të digjem e të qanj me lot, Se dëshirën s’e duronj dot. Unë zjarrit nuk i druhem Dhe kurrë s’dua të shuhem, Po të digjem me dëshirë, Sa të munt t’u ndrinj më mirë. Kur më shihni se jam tretur, Mos pandehni se kam vdekur; jam i gjall’ e jam ndë jetë jam në dritët të vërtetë, Unë jam në shpirtit tuaj, Mos më kini për të huaj, M’është falurë durimi, Andaj po digjem si trimi, Se ma k’ënda t’u bënj mirë, Të mos mbeti n’errësirë. Jakëni rreth meje rrini, Flisni, qeshni, hani, pini, Në shpirt kam dashurinë, Pa digjem për njerëzinë, Lemëni të përvëlohem, nukë dua më të ftohem, Dua ta djek trupn’ e shkretë Për atë zotn’ e vërtetë. Me zjarr ta djek mushkërinë E të tretem për njerinë, Bashkë me gëzimt të tija të vete te perëndia. Unë dua njerëzinë, Mirësin’ e urtësinë, Në bëhi shokë me mua, Në më doni si u dua, Njëri-tjetërin në doni, Të paudhë mos punoni. O zëmëra fluturake, Qasju pakë kësaj flake! Mase krahët t’i përvëlon, Po dhe shpirtin ta shënjtëron. Unë duke përvëluar, Njerëzit i kam ndrituar. Kam qënë mik me njerinë, Andaj i di e më dinë. Gjithë tuajt’ i kam parë, Mëm’ e at’ e fis e farë, Si tani gjithë i kam ndër mënt, Që rrininë më këtë vënt. Edhe sot nër ju ata shoh, Se shpirtin e tyre ua njoh, Dhe unë si ju jam ndruar E jam përzjer’ e ndryshuar, Pa jam bërë shumë herë Zjar e uj’ e balt’ e erë. Jam një shkëndijë pej qielli dhe një drudhëzë pej dielli. Edhe ndër qiej fluturonj, Edhe brënda në det qëndronj, Shumë herë fle në baltë, Diku ndodhem dhe në mjaltë Bënem qëngj e kec i pirë, Lul’ e bar e gjeth i mbirë. Dua shumë fjalë t’u them, Po trëmbem mos i bënj ujem. E ku shkruhenë në kartë Fjalët’ e gjuhësë zjarrtë?/ KultPlus.com
“Vajtimi” është një ndër poezitë më të bukura të Viktor Hygosë, kushtuar boshllëkut që lë pas humbja e një personi të dashur. Që nga mungesa fizike, e deri tek ajo shpirtërore më së shumti në rrethin familjar, autori ka shkruar një elegji për vdekjen, e cila përjetohet si një ngulja e një thike të ftohtë drejt e në shpirt.
Padyshim kjo elegji ndihet më shumë e dhimbshme nga ata që e kanë përjetuar një humbje aq të madhe, sa ajo e një familjari apo miku mjaft të dashur. Nga vargu në varg, dhimbja bëhet edhe më e fortë, teksa autori mundohet të kalojë nga e përgjithshmja (mungesa në natyrë) tek e veçanta (mungesa më e madhe që ndihet në familje).
“Vajtimi”
O shtigje ku lirshëm valëvitet bari, Lugina, kodra e ti pyll që oshëtin! Çfarë është me ju e gjithë kjo heshtje varri?! Për atë që iku e jo më nuk ka kthim!
Po pse kjo dritare tash vonë rri e mbyllur? Dhe pse ky kopsht rri i heshtur e i shkretë? O shtëpi, ku është i zoti që gjithmonë miqtë i ka pritur? “Di vetëm që s’është e kurrë më s’do të jetë”.
E ti qen besnik, kush për ty do kujdeset? S’ka dorë të të ushqejë më, këtu njeri s’ka. Fëmija i gjorë qan e kërkon të atin e vejushë e zezë e qan e mallkon fatin.
Si iku ai kështu në errësirë? O dhimbje që godet pareshtur pamëshirë! Ku shkoi vallë? S’përgjigjet asnjëri, Veç zërit tim të trishtuar, një dhimbje, elegji…/ KultPlus.com
Boksierja nga Kosova, Donjeta Sadiku, ka shënuar fitore në çerekfinalen e turneut “Brussels Capital Tournament” që po mbahet në Belgjikë.
Në kategorinë deri në 60 kilogramë, Sadiku e ka mposhtur boksieren nga India, Sanju Sanju, me rezultat 5:0, duke siguruar kështu kualifikimin në gjysmëfinale të turneut.
Federata e Boksit e Kosovës ka njoftuar se Kosova përfaqësohet në këtë ngjarje me katër garues: dy boksierë dhe dy boksierë – Donjeta Sadiku (60 kg), Agnesa Veseli (48 kg), Taulant Jakupi (85 kg) dhe Donat Syla (90 kg).
Ekipi i Kosovës ka udhëtuar të enjten drejt Brukselit për të marrë pjesë në këtë turne të nivelit të lartë, i cili sjell në ring boksierë të talentuar nga e gjithë bota, dhe i cili mbahet nga 24 deri më 28 prill 2025./rtk/KultPlus.com
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt tryeza e rrumbullakët me temën “Studimet gjeografike mbi natyrën, shoqërinë dhe vendbanimet tona – pjesë e pandarë e albanologjisë, me qasje në sqarimin dhe argumentimin shkencor të shumë problemeve të saj”.
Kjo veprimtari u organizua nga njësia e përkohshme e kërkimeve gjeografike, pjesë e ASHSH-së, ku morën pjesë profesorë dhe pedagogë të gjeografisë nga disa universitete të vendit.
Akademik Neki Frashëri, kryetari i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike, në emër të Kryesisë së ASHSH-së, përgëzoi pjesëmarrësit e këtij forumi për kërkimet shkencore, duke konkretizuar edhe nisjen e mbarë të punës së njësisë së përkohshme të kërkimit gjeografik, e cila u zyrtarizua para pak javësh (më 6 mars 2025).
Objekti i diskutimeve të kësaj tavoline synon të drejtojë studimet gjeografike drejt Albanologjisë, me theks sqarimin e argumentimin shkencor në këndvështrimin gjeografik të shumë problemeve dhe tezave të saj.
Në fjalën e tij prof. dr. Perikli Qiriazi theksoi se një nga detyrat dhe synimet e mëdha të studimeve gjeografike komplekse e gjithëpërfshirëse për natyrën, shoqërinë, vendbanimet, trashëgiminë tonë natyrore e kulturore dhe shumë objekte të tjera gjeografike, është integrimi i tyre në fushën e Albanologjisë dhe forcimi i ndërveprimit me disiplinat e tjera. Ky ndërveprim ndihmon në sqarimin dhe argumentimin shkencor të shumë çështjeve dhe problemeve albanologjike.
Në këtë veprimtari shkencore u prezantuan tri studime nga prof. dr. Bilal Draçi, prof. dr. Pal Nikolli dhe prof. asoc. dr. Jostina Dhimitri, të cilat lidhen me studimet gjeografike mbi vendbanimet shqiptare; hartografinë historike në albanologji, si dhe këndvështrimet studimore gjeohistorike, metodologjike e modelet orientuese.
Gjatë prezantimit të punimeve shkencore u demonstruan stereotipat, u sqaruan paradokset dhe u ofruan platforma të reja për të kuptuar sfidat që hasin rajonet tona: nga shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe menaxhimi i rreziqeve mjedisore, deri tek dinamikat demografike dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore të vendbanimeve shqiptare.
Në diskutimin e saj dr. Majlinda Bufi, foli për rëndësinë e aktivitetit dhe theksoi problemet e bashkisë së Roskovecit, zgjidhja e të cilave kërkon bashkëpunim me studiuesit gjeografë. Tërhoqi vëmendjen projekti për kthimin e rezervuarit të madh të Kurjanit në një aset turistik. Për të mos u përballur me probleme natyrore e sociale, ajo theksoi se duhet të kryhet studimi gjeografik./atsh/KultPlus.com
Regjisorja greke Giota Koundouraki ka njoftuar se ka filluar provat me aktorët pë shfaqjen ‘Gratë e Kosovës’, bazuar në romanin e Ag Apollonit, ‘Një fije shkrepëse, një fije shprese’, përcjell KultPlus.
Koundouraki ka njoftuar se ndjehet e nderuar që i është besuar ky projekt, duke shfaqur fatin e shumë grave gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në vijim gjeni postimin e regjisores Giota Koundouraki:
GRATË E LUFTËS, GRATË E KOSOVËS Së pari e lexova librin në anglisht… Një roman historik tronditës… shkrimtari kosovar Ag Apolloni erdhi në Greqi në vjeshtë dhe nën Akropol së bashku me diplomatin e Kosovës Fitim Gllareva. Ne filluam një partneritet dhe miqësi të pathyeshme. Unë kam shkruar tashmë shfaqjen me titull GRATË E KOSOVËS bazuar në librin e Ag Apollonit NJË FIJE SHKREPËSE, NJË FIJE SHPRESE (pasi titulli është në shqip) dhe kam filluar provat me aktore të shkëlqyera dygjuhëshe… Me kokëfortësi i përmbahem pozicionit të grave dhe forcës së nënave në luftën e tmerrshme të Kosovës të viteve 1998-1999… personazhet në shfaqje janë historike dhe njëra prej tyre jeton ende në Kosovë… Është një nder të më besohet një detyrë kaq e rëndësishme… faleminderit Kosovë./KultPlus.com
Këngëtarja Elida Kryeziu ka publikuar sot këngën e saj të re “Engjulli im”, këngë kjo të cilën Kryeziu ia dedikon babait të saj, përcjell KultPlus.
“Kjo këngë është një fjalë e pathënë, një përqafim i munguar, një dhuratë për babain tim në ditëlindjen e tij. Ai nuk është më pranë me trup, por fryma dhe dashuria e tij jetojnë në çdo rrahje të zemrës sime. Këto vargje nuk janë vetëm të miat — janë të secilit që ka dashur fort e ka humbur. Uroj që kjo këngë të bëhet zë i ndjenjave tuaja dhe t’ju sjellë pak dritë në errësirën që lë pas mungesa”, ka shkruar Elida Kryeziu në profilin e saj në Facebook.
Në vijim KultPlus ua sjell këngën “Engjulli im”./KultPlus.com
Qyteti i gurtë i Gjirokastrës vijon të tërheqë turistë të shumtë vendas e të huaj.
Qendra muzeale e qytetit është destinacioni fillestar, pasi të gjithë turistët e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale një video me përshtypjet e disa prej turistëve që kanë vizituar gjatë prillit kalanë e Gjirokastrës.
“Kalaja e Argjirosë përmes fjalëve të vizitorëve që e shijojnë në çdo stinë e në çdo kohë”, shkruan Kumbaro.
Një turiste shprehet se “vijmë nga Franca, kjo është hera e parë në Shqipëri dhe në Gjirokastër, zbuluam këtë kala të mrekullueshme me një pamje magjike, është vërtet mbresëlënëse”.
Klara nga Gjermania tha se “na ka pëlqyer shumë përvoja këtu në kala. Është shumë bukur që mund të ecësh kudo dhe pamja është fantastike. Na pëlqen shumë”.
Një tjetër turist që vjen nga SHBA, tha se “jam me prejardhje kinezo-amerikane. Sapo kam ardhur në Shqipëri dhe më pas në Gjirokastër, është super bukur, moti e shihni vetë fantastik, kalaja është e mrekullueshme, pamjet janë fantastike”.
“Ne jetojmë në Londër kjo është hera e parë në Shqipëri, erdhëm dje dhe sot erdhëm në Gjirokastër. Deri tani po e shijojmë shumë, kalaja është e bukur e ruajtur shumë mirë, është e mahnitshme sa shumë histori ka këtu. Ka periudha të ndryshme shumë interesante, pamjet janë të jashtëzakonshme dhe vendi është ende i ruajtur shumë mirë”, tha një çift turistësh.
Sipas tyre, kalaja është vendi ideal për të shëtitur lirshëm.
“Nuk ka shumë informacion ngarkues , por sa duhet, tabelat informuese janë të qarta”, thanë ata.
Stacey nga Leeds, Angli, u shpreh se “na ka pëlqyer shumë këtu”.
Ndërsa Edmond Saushi nga Berati tha se “kam ardhur të vizitoj kalanë është hera ime dytë, është shumë bukur objektet duhen ruajtur janë gjëra të rralla”./atsh/KultPlus.com
Duke marrë parasysh mjedisin patriarkal në familjen Corleone, të rënduar nga konteksti mafioz dhe periudha historike, nuk na duket se skenari u jep personazheve femra vetëm rolet e grave të nënshtruara dhe pasive. Juristë, gjyqtarë, pedagogë, sociologë e psikologë pyesin veten prej vitesh nëse një film, me një regji që nuk ka asnjë mangësi, me një skenar novator, dhe një kujdes të përsosur ndaj mjedisit historiko-sociologjik, me një kolonë zanore të rafinuar të Nino Rota, pa përmendur mjeshtërinë e madhe të aktorëve, ka të drejtë t’i kthejë atentatorët në heronj “pozitivë”
Për herë të parë mafia po u tregohej njerëzve me një seriozitet historik dhe antropologjik. Për herë të parë aspekti njerëzor i mafiozit e bëri këtë të fundit një hero “pozitiv”. Skenat e dhunës brutale alternoheshin me momente poezie, duke e trazuar psikikën e spektatorit, dhe duke konkurruar me përsosmërinë stilistike. Kjo ishte tronditja që shkaktoi dalja në kinema e filmit “The Godfather” (Kumbari) në vitin 1972 me regjinë e Francis Ford Coppola, dhe skenar të Mario Puzo, bazuar në romanin e njohur me të njëjtin titull, botuar për herë të parë në vitin 1969. Të gjithë e mbajnë mend fillimin e filmit me siçilianin Bonasera (Salvatore Corsitto) që i kërkon Don Vito Corleones (i interpretuar nga një Marlon Brando tejet i zhytur në të thella), për të vrarë 2 të rinj amerikanë, që ishin fajtorë për çnderimin e vajzës së tij. Vito e kundërshton duke i thënë se ai ka qenë gjithmonë asnjanës, se nuk ka pranuar mbrojtje në të kaluarën, dhe tani “ti më kërkon të vras 2 njerëz, dhe nuk më quan as “Kumbar”.
Bonasera e kupton situatën, ulet në gjunjë i puth dorën dhe e thërret “Kumbar”, si një rit besnikërie dhe nënshtrimi. Ajo skenë zhvillohet e gjitha nën dritën e zbehtë të studios së DonVitos, dhe dëshmitarë ishin vetëm bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Në atë ditë të vitit 1946, po kremtohej në kopshtin e madh të shtëpisë dasma e së bijës.
Tonalitetet e gjysmë errësirës në atë skenë justifikohen objektivisht nga drita verbuese e një dite vere që vjen nga jashtë. Por në fakt, Francis Ford Coppola shtoi enkas tonalitet e errëta për arsye semantike. Ai i kërkoi drejtorit të fotografisë, Gordon Willis, të shmangë reflektimin e dritave të brendshme në bebëzat e syve të protagonistëve, për t’i bërë fytyrat e tyre më dramatike, më të ngurta dhe pa emocione. Simpatia e spektatorin për “mafiozin” në filmin “Kumbari” lind kur djali më i vogël i DonVitos, Michael (Al Pacino, që interpreton një vrasës-filozof me fytyrë intelektuali), u rikthye në shtëpi i dekoruar nga lufta dhe u fejua me May (interpretuar nga Diane Keaton), edhe pse nuk kishte lidhje me aferat kriminale të familjes, detyrohet që të marrë pjesë në to. Në fakt Don Vito synonte ta mbante atë “jashtë biznesit familjar. Por kur bie pre e një atentati që gati i mori jetën të kryer nga familjet rivale mafioze në Nju Jork, i riu Michael e gjen veten në qendër të botës së krimit.
Për të gjithçka fillon kur rastësisht shkon në spital për të vizituar të atin, që ishte shtruar atje pas atentatit. Çuditërisht, spitali ishte i shkretë, i gjithë stafi kishte ikur. Infermierët kishin lënë bukën në mes. Në hyrje nuk kishte asnjë polic.
Edhe pse ende jo një mafioz, si një oficer i dekoruar i ushtrisë Michael e kupton, se pacienti është lënë qëllimisht vetëm. Ai i kërkon infermieres së vetme që ndodhej në spital që ta ndihmojë: “Ti e di kush është babai im. Ata po vijnë që ta vrasin. Ju lutem më ndihmoni ta çoj në një dhomë tjetër”. Michael dhe infermierja e shtyjnë shtratin përmes një korridori derisa sa mbërrijnë në një bodrum. Më pas, aty shfaqet një i njohur i babait të tij, luleshitësi i lagjes, që mbante në dorë një buqetë me lule. Michael e dërgon në shkallët e spitalit, përpara derës së përparme të godinës. Pasi e fshehur të atin, Michael i bashkohet luleshitësit duke pozuar si një mafioz. Ai ngre jakën e palltos, dhe e fut dorën në njërën anë të gjoksit, si për të lënë të kuptohet se është i armatosur. Michael bën të njëjtën gjë. Është një leksion i vërtetë regjisure. Pak sekonda më vonë para spitalit mbërrin një krye–mafioz.
Ata i shohin të dy burrat në krye të shkallëve të spitalit. Mendojnë se janë 2 truproja të armatosur, ndaj largohen menjëherë. Kjo skenë është prova e parë e shkëlqyer, në të gjithë trilogjinë (The Godfather II 1974, The Godfather III në vitin 1990), i një sërë skenash të paharrueshme që Al Pacino do t’i sjellë në kujtesën e spektatorit.
Në atë moment shohim metamorfozën e Michael, nga një hero lufte në një vrasës, për të “shpëtuar” jetën e babait të tij, dhe për të “ndëshkuar” policinë e korruptuar: vrasjen në restorant të mafiozit Sollozzo dhe shefit të policisë Mccluskey që kishte miratuar atentatin ndaj Don Vitos, dhe që u përpoq ta eleminonte në spital. Skena, e ndërtuar me një suspansë të atillë që të lë pa frymë, shkakton ende sot shumë emocione. Michael shkon në tualet duke i lënë që të dy në tavolinë, pasi u kontrollua për armë nga Sollozzo. Në tualet, ai kërkon me ankth armën e fshehur. Më pas rikthehet në tryezë. Është shumë i tensionuar. Qëndron në një formë që krijon përshtypjen sikur nuk do të mundet ta realizojë hakmarrjen e tij. Kështu mendon spektatori. Më pas, si një gjarpër që bën sikur është në gjumë, nxjerr befas armën. Në fillim qëllon mbi Sollozzo-n dhe më pas mbi kapitenin e policisë. Që të dy i godet në mes të ballit.
Por Coppola është edhe një mësues poezie. Këtë e shohim tek joshja, sipas traditës në Italianë e Jugut, që i bën Michael Apollonias në Siçili, ku fshihet pas vrasjes së dyfishtë. Apo kortezhi i dasmës, midis shtëpive të qytetit, përgjatë urës së gurtë, një “fjongo e bardhë” pafajësie në mesin e një serie krimesh.
Një rindërtim filologjik i traditave popullore deri në detaje: skena përfundon me kremtimin e ceremonisë së përbetimit në latinisht. Kur bëhen bashkë Coppola dhe Puzo janë të paarritshëm, veçanërisht në shkrirjen e kundërtave të jetës. Besimit të krishterë dhe mëkatit vdekjeprurës; lindjes dhe masakrës; të mirës dhe së keqes; Parajsës dhe Ferrit. Gjatë pagëzimit të nipit, djalit të motrës Connie dhe bashkëshortit të saj Carlo Rizzi (i cili shpesh e rreh atë), Michael ekzekuton të gjithë krerët e tjerë të familjes rivale të Nju Jorkut, duke përfshirë Tession, një ish-besnik të Don Vitos, që më pas i bashkohet bandës rivale. Kohët e fundit, në një artikull të botuar në faqen e internetit të BBC-së, Nicholas Barber, kundërshtoi një shkrim të ekzagjeruar mbi filmin, që sipas tij ishte parë në mënyrë “feministe”, duke argumentuar se “nuk është e saktë të thuhet se gratë injorohen” nga Coppola. Në fakt siç e kujton edhe Barber filmi fillon me historinë e një vajze të çnderuar (vajza e Bonaseras). Unë do të shtoja edhe skena të tjera jo më pak të rëndësishme: nuses së tij të re Apollonia, Michael i kushton kohë duke e mësuar të ngasë makinën (jemi në vitin 1947!).
Po ashtu, Santino mbron motrën e tij kur ajo rrihet nga i shoqi Carlo. Infermierja mund të ikte ose të refuzonte ta ndihmonte Michael të shpëtonte Don Viton. Kay e verbuar nga dashuria për Michael, nuk e sheh se si jetojnë ata njerëz, por do të ndërgjegjësohet në “The GodfatherII”.
Duke marrë parasysh mjedisin patriarkal në familjen Corleone, të rënduar nga konteksti mafioz dhe periudha historike, nuk na duket se skenari u jep personazheve femra vetëm rolet e grave të nënshtruara dhe pasive. Juristë, gjyqtarë, pedagogë, sociologë e psikologë pyesin veten prej vitesh nëse një film, me një regji që nuk ka asnjë mangësi, me një skenar novator, dhe një kujdes të përsosur ndaj mjedisit historiko-sociologjik, me një kolonë zanore të rafinuar të Nino Rota, pa përmendur mjeshtërinë e madhe të aktorëve (Marlon Brando, Al Pacino, Diane Keaton, Robert Duvall, James Caan, Al Lettieri etj), ka të drejtë t’i kthejë atentatorët në heronj “pozitivë”. Për këtë arsye, shikimi i kryeveprave të cilat mund të frymëzojnë admirim tek adoleshentët, edhe në aspektet etike negative, duhet të udhëhiqet nga edukatorë ekspertë. Duke iu shmangur leximit sipërfaqësor dhe imitimeve të lehta emocionale, dhe duke bërë dallimin midis realitetit dhe trillimit, midis ligjit dhe krimit, ai që mbetet është arti i kinemasë. Ashtu si tek “Kumbari”. (konica.al)/KultPlus.com
Instagram ka nisur testimin e një metode të re të mbështetur nga inteligjenca artificiale për të zbuluar përdoruesit që pretendojnë një moshë të pavërtetë, njoftoi kompania mëmë Meta të hënën. Kjo masë është pjesë e përpjekjeve për të rritur sigurinë e adoleshentëve në platformë.
Sipas Metës, rrjeti social tani do të identifikojë në mënyrë aktive llogaritë që dyshon se i përkasin përdoruesve nën moshën e lejuar, edhe nëse ata kanë vendosur datëlindje të rreme gjatë regjistrimit.
Edhe pse Instagram ka përdorur më parë teknologji për të vlerësuar moshën, strategjia e re synon të jetë më gjithëpërfshirëse dhe e avancuar. Sistemi i ri do të analizojë sjelljen në platformë – duke përfshirë aktivitetin e llogarisë, përmbajtjen e ndarë dhe ndërveprimet me të tjerët – për të identifikuar llogaritë që mund të jenë të rreme sa i përket moshës.
Meta thotë se synon të mbrojë më mirë fëmijët dhe adoleshentët në internet, duke parandaluar qasjen e hershme në platformë përmes teknologjive të reja mbikëqyrëse./KultPlus.com
Një program që i përket Rrjetit Australian të Radios (ARN) për 6 muajt e fundit u është drejtuar dëgjuesve me një prezantuese të krijuar nga inteligjenca artificiale.
Sipas lajmit në mediat australiane, zëri i prezantueses të programit “Workdays with Thy”, i cili transmetohet 4 orë në ditë gjatë ditëve të javës në ARN, i ka habitur njerëzit.
Stacioni CADA i ARN krijoi një server të quajtur “Thy” duke përdorur softuer të inteligjencës artificiale të zhvilluar nga kompania e klonimit të zërit “ElevenLabs”.
Dëgjuesit dëgjuan transmetimet radiofonike për 6 muaj pa vënë në dyshim identitetin e vërtetë të prezantueses.
“Nëse dita juaj po ndihet pak e shurdhër, lejoni që Thy dhe CADA të jenë energjia dhe dridhja që do t’ju përmirësojnë humorin”, thuhet në faqen e internetit të programit.
Shkrimtarja Stephanie Coombes, një dëgjuese e programit, vuri në dyshim nëse prezantuesja Thy ishte “person i vërtetë”.
“Cili është mbiemri i Thy? Kush është ajo? Nga vjen? Nuk ka biografi të gruas që supozohet se prezanton këtë shfaqje”, shkroi Coombes në blogun e saj.
Nga ana tjetër, audio analiza e programit zbuloi se prezantuesja bënte të njëjtin tingull kur thoshte fjalët e “shkollës së vjetër” në emisione të ndryshme.
Zyrtari i ARN-së, Fayed Tohme, në deklaratën e tij mbi këtë temë, pranoi se inteligjenca artificiale u përdor për të krijuar zërin e Thy-t.
Tohme tha se prezantuesja Thy “tingëllon real dhe ka fansa të vërtetë edhe pse nuk është person i vërtetë”.
Revista australiane “Mediaweek” e komentoi situatën, duke thënë: “Nuk ka mikrofonë, as studio, vetëm kod dhe dridhje. Një eksperiment nga ARN dhe ElevenLabs që sfidon kufijtë e ‘radios live’”./KultPlus.com
Alfredo James Pacino ka lindur në New York City më 25 prill 1940. Ai ishte i vetmi fëmijë i emigrantëve italianë nga Sicilia, që u ndanë kur ai ishte një foshnjë. Pasi u ndanë, babai i tij u shpërngul në California dhe Pacino u rrit nga mamaja dhe gjyshërit e tij në Bronks.
Megjithëse disi i turpshëm si fëmijë, në adoleshencën e tij të hershme, Pacino zhvilloi një interes për aktrimin dhe më vonë u pranua në Shkollën e Mesme të Arteve Përformuese, transmeton tch.
Megjithatë, ai tregoi se ishte një student i dobët, duke dështuar në shumicën e lëndëve të tij para se ai përfundimisht ta braktiste shkollën në moshën 17-vjeçare.
Më pas, Pacino punoi shumë punë përpara se të shkonte në Greenwich Village në vitin 1959, për të ndjekur ëndrrat e tij për t’u bërë aktor. Në vitin 1962, në moshën 22-vjeçare, ai humbi mamanë, e cila u nda nga jeta. Ai kaloi disa vite në varfëri ekstreme dhe depresion gati për të vrarë veten. Ishte i pastrehë dhe konsumonte shumë alkool.
Por, do të ishte shfaqja e Pacino-s në një film të njohur më 1971-in, i quajtur “Panik in Needle Park”, që do ta vendoste karrierën e tij në një rrugë drejt suksesit. Portreti i Pacino-s i një heroi të droguar kapi syrin e Francis Ford Coppola, i cili ishte duke kërkuar aktorë për filmin “The Godfather”, bazuar në romanin e Mario Puzo.
Megjithëse ai kishte konsideruar yje të tillë si Robert Redford dhe Jack Nicholson për pjesën, Coppola përfundimisht zgjodhi Pacino-n, pak a shumë të panjohur, për të luajtur Michael Corleone.
I publikuar në vitin 1972, “The Godfather” ishte një sukses masiv dhe konsiderohet gjerësisht të jetë ndër filmat më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Pas këtij suksesi, karriera e tij dihet nga të gjithë si ka shkuar. / KultPlus.com
Presidenjta e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron këto ditë në Vatikan ku po merr pjesë në homazhet për Papa Françeskun.
Në vijim KultPlus ua sjell postimin e presidentes Osmani:
Sot, në bazilikën “Shën Pjetri” në Vatikan, së bashku me Presidentin Begaj, kardinalin e vetëm shqiptar, Ernest Simonin dhe delegacionet tona, bëmë homazhe për Shenjtërinë e Tij, Papë Françeskun, për të shprehur respektin e qytetarëve tanë ndaj përkushtimit të tij frymëzues për paqe, harmoni dhe dinjitet njerëzor në mbarë botën./KultPlus.com
Arkiva e negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit u shpall para disa ditësh pjesë e Regjistrit Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës nga UNESCO, duke e renditur kështu ndër trashëgimitë më të çmuara të njerëzimit.
Gjatë prezantimit të projektit të rilindjes së shkollës “Ismail Qemali” në Shkodër, kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, e cilësoi këtë një lajm shumë të bukur.
Rama theksoi se tashmë jo vetëm me zakon, por edhe me ligj Shkodra i ka dhënë botës një kontribut të drejtpërdrejtë për kulturën e saj.
“Dua të ndaj një lajm të para disa ditëve, që besoj që ju e keni marrë, por është një lajm shumë i bukur për të mos u përsëritur. Është lajmi që arkivi i Dinastisë Marubi u vendos përfundimisht në fondin e trashëgimisë kulturore botërore dhe paskëtaj mund të thuhet jo vetëm me zakon, por edhe me ligj që Shkodra i ka dhënë botës një kontribut të drejtpërdrejtë për kulturën e saj”, tha Rama.
Programi “Memory of the World” i UNESCO-s synon të ruajë dhe promovojë dokumentet më të rëndësishme të historisë njerëzore në të gjithë globin./atsh/KultPlus.com
Këtë muaj shënohet Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.
Në Kosovë ende nuk janë gjetur edhe 1641 persona të zhdukur në luftën e fundit.
KultPlus sot ju sjell këngën e njohur “Kur do t’pushoj kjo këngë” nga rock-grupi kosovar Jericho e cila ju kushtohet viktimave të pagjetura të luftës së fundit.
Teksti i këngës:
Kur do të pushoj ma kjo kangë Mërzinë kjo bukuri dot nuk e thanë
2x Sytë mu kan ronu Zemër rri me mu
Në vena gjaku i djallit po më lëviz Duart i hap e muret po i grithë
Jam lindur pranë lumit Në një tendë të vogël Dhe porsi lumi, që atëherë Kam lëvizur.
Ka kaluar shumë Shumë kohë e gjatë, por e di Ndryshimi do të vijë Po, do të vijë.
Është bërë e vështirë jetesa Ama frikësohem të vdes Se nuk e di ç’ka atje Qiellit përmes.
Shkoj në kinema Dhe zbres në qytet Dikush vazhdon të më thotë: “Mos u sorollat!”.
Pastaj shkoj te vëllau im I them: “Më ndihmo të lutem, vëlla” Por, nuk i intereson Më godet Dhe në dy gjunj më rrëzon. Ka kohë që kam menduar Se shumë gjatë s’mund të duroj Por, tash jam i kalitur Të vazhdoj.
Ka kaluar shumë Shumë kohë e gjatë, por e di Ndryshimi do të vijë Po, do të vijë. / KultPlus.com