KultPlus ua risjell një fragment nga kryevepra e Leo Tolstoy, ‘Anna Karenina’.
“Zemra e trembur dhe e ngazëllyer i tha se ishte ajo. Kishte qëndruar dhe po bisedonte me një zonjë në anën tjetër të sheshit. Si në të veshur, ashtu edhe në sjelljen e saj nuk kishte asgjë të veçantë, por Levini e njohu menjëherë mes tollovisë si trëndafilin mes hithrave.
Sheshi shëndriste nga ajo, buqëshja e saj ledhatonte çdo gjë përreth. “Pse, a mundem t’i afrohem, ti qëndroj pranë në akull?” tha me vete. Ai vend i saj iu duk i shenjtë, aty s’mund të shkelte këmba e tij; qe një qast sa për pak iku, aq u frik.
Me sforcim të madh e përmbajti veten, arsyetoi: meqë rreth saj silleshin gjithfarë njerëzish, edhe ai mund të shkonte të bënte patinazh. U lëshua tatëpjetë kodrës, u përpoq të mos e shihte, siç bëjmë me diellin, por ja që e shihte, siç e shohim diellin edhe pa e vështruar.”/KultPlus.com
Ka qenë seriali i parë në gjuhën shqipe i realizuar në Kosovë, i cili në vitet e 80-ta, mbërthente të gjithë fëmijët para ekranit televiziv, që të shihnin aventurat e Fidanit, i cili ikë nga shtëpia, shkruan KultPlus.
Ky serial është realizuar me skenar të Ibrahim Kadriut dhe regji të Sadedin Prekazit, kurse muzika e këtij seriali është punuar nga Musa Piperku, ku kënga e këtij seriali ishte shndërruar në një hit për atë kohë.
Mirëpo, mbi këtë serial, edhe pse i pari i këtij lloji në Kosovë, nuk ka të dhëna në faqen e Qendrës së Kinematografisë së Kosovës, sikurse që nuk ka të dhëna as në faqet tjera online. Përpos në Wikipedia, që ka informacione të pakta, mbi këtë serial nuk ka ndonjë informatë më të thellë.
KultPlus ka siguruar fotografi të papara deri më tashti, ku shihet Faruk Begolli përgjatë xhirimeve të këtij seriali, ku këto fotografi janë realizuar në banesën e kameramanit Veton Berisha, ku një pjesë e këtij seriali është xhiruar po në banesën e Vetonit./ KultPlus.com
Janari i 2025 tregon se sitet kulturore dhe muzetë nuk njohin sezon, sa i takon vizitueshmërisë. Ato kanë mirëpritur 21.800 vizitorë dhe turistë në muajin që lamë pas.
Të huajt janë ato që vazhdojnë të tregojnë interes për historinë dhe kulturën e vendit tonë. “Shtëpia me Gjethe” është një prej destinacioneve më të frekuentuara në kryeqytet, duke u renditur ndër pesë destinacione kulturore më të vizituara për muajin Janar.
“Jam nga Spanja. Shqipëria më ka impresionuar me historinë dhe kulturën e saj. Është një vend që do ia sugjeroj edhe miqve të mi”.
“Muzeu me gjethe është ndër të parët që vizitoj me miqtë e mi prej të cilëve mësova se Shqipëria ka pasur një nga regjimet më të egra të diktaturës”.
Në muajin që lamë pas, ky muze mirëpriti 2261 vizitore ose 9% më shumë se Janari i 2024.
“70% janë të huaj, 30% janë vizitorë vendas. Italia vijon të mbajë numrin e parë. Në Janar është çuditërisht Turqia në vend të dytë dhe në vend të tretë Anglia”, tha Etleva Demollari, drejtuese e muzeut.
Në vendin e parë si më i vizituar renditet muzeu “Gjergj Kastrioti” në Krujë me 4000 vizitorë, ndjekur nga Parku Arkeologjik i Shkodrës me mbi 3800, Kalaja e Gjirokastrës me mbi 2800, muzeu “Shtëpia e me Gjethe”, dhe muzeu “Onufri” me 1928 vizitorë./KultPlus.com
Dashuri që vjen aq vonë, më sill të paktën prehje : ti dashuri e vonuar, nga ç’udhë endacake vjen tek vetmia ime ? Dashuri që më ke kërkuar pa të kërkuar, nuk di kush vlen më shumë : fjala që do të më thuash apo ajo që unë s’e them dot… Dashuri… Nuk ke ftohtë ti ? Jam Hëna : Kam vdekjen e bardhë dhe të vërtetën e largët… Mos m’i jep trëndafilat e tu të freskët ; jam shumë e ngrysur për trëndafila. Më jep detin… Dashuri që vjen aq vonë, ti s’më ke parë dje kur këndoja në fushën me grurë… Dashuri e heshtjes dhe lodhjes sime Të paktën sot, mos më bëj të qaj./KultPlus.com
Promovimi i i artit, trashëgimisë kulturore dhe sportit, mbetet një nga vizionet e bashkisë së Durrësit, që çdo vit nxitet përmes shpalljes së thirrjeve për projekte përgjatë këtij viti.
Kryebashkiakja e këtij qyteti, Emiriana Sako ka bërë me dije sot se institucioni që ajo drejton mbetet i angazhuar për promovimin e artit, kulturës, trashëgimisë dhe sportit.
“E udhëhequr nga vizioni për ta shndërruar qytetin në një qendër të rëndësishme kulturore, turistike dhe sportive, shpall Thirrjen për Projekte për vitin 2025. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Komuniteteve Fetare, kjo iniciativë synon të krijojë një mjedis frymëzues dhe mbështetës për komunitetin artistik, kulturor dhe sportiv”, thotë Sako.
Sipas saj, qëllimi i kësaj thirrjeje është gjallërimi i jetës kulturore dhe sportive të qytetit, si dhe nxitja e zhvillimit ekonomik vendor, duke kontribuar në pasurimin e identitetit dhe dinamizmit të Durrësit.
“Thirrja për aplikimin e projekteve kulturore ka për qëllim mbështetjen e projekteve që realizohen brenda territorit të Bashkisë Durrës, përfshirë festivale, inovacione teknologjike për promovimin e trashëgimisë kulturore, promovimin e sportit dhe aktivitetet sportive, në sektorin e industrive krijuese, publikime që lidhen me pasurinë kulturore të Durrësit dhe shumë të tjera. Projektet e pranuara duhet të zbatohen në vitin buxhetor 2025”, thuhet në postimin e Sakos në rrjetet sociale.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit nënvizon se periudha e aplikimit për projektet vijon deri më 25 shkurt 2025, ndërsa aplikimet mund të dorëzohen në formën e printuar pranë Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun pranë Bashkisë Durrës ose në adresën e e-mail-it: [email protected]./KultPlus.com
“Të shkruash nuk është aspak punë… Dhe kur njerëzit më thonë se sa e dhimbshme është të shkruash, nuk e kuptoj sepse është njësoj si të rrokullisesh nga mali që e njeh. Është çliruese. Është e këndshme. Është një dhuratë dhe paguhesh për atë që dëshiron të bësh.”
“Nëse do të provosh, shko deri në fund. Përndryshe, as mos filloni. Kjo mund të nënkuptojë humbjen e të dashurave, grave, të afërmve e ndoshta edhe të mendjes suaj. Mund të nënkuptojë të mos hani për tre ose katër ditë. Mund të nënkuptojë të ngrihesh në një stol parku. Mund të nënkuptojë burg.”
“Si shkruani, si krijoni?” Jo, u thashë atyre. Ju nuk provoni. Kjo është shumë e rëndësishme: të mos provoni, as për Cadillacs, krijimin apo pavdekësinë. Ju prisni, dhe nëse nuk ndodh asgjë, prisni edhe pak.”
“E dini se çfarë më intereson? Çfarë do të shkruaj nesër mbrëma. Kjo është gjithçka që më intereson, poezia e radhës, vargu tjetër i ndyrë. Ajo që është e kaluara është e kaluar, nuk dua të merrem me të, ta lexoj dhe të luaj me të, dhe të kënaqem me të. Ka ikur, ka përfunduar. Nëse nuk mund të shkruash rreshtin tjetër… Epo, je i vdekur.”
“Unë kam qene i bekuar me një jetë të mjerë, kjo është e gjitha. Një jetë e ndyrë për të shkruar.”
“Jetoni pak dhe blijini vetes një makinë shkrimi.”
“Të mos shkruash nuk është mirë, por të përpiqesh të shkruash kur nuk mundesh është më keq.”
“Shkrimtarët janë njerëz të dëshpëruar dhe kur pushojnë së qeni të dëshpëruar, pushojnë së qeni shkrimtarë”.
Ai pyeti: “Çfarë e bën një njeri shkrimtar?” “Epo,” thashë, “është e thjeshtë. Ose shkruan në letër, ose hidhesh nga një urë.”
“Kur shkruani, fjalët tuaja duhet të shkojnë kështu – Bim! Bim! Bim! Çdo rresht duhet të jetë plot me një lëng të shijshëm, me shije. Duhet të jenë plot pushtet, duhet të të bëjnë të kthesh një faqe.” / Përktheu Taunita Xhukolli / KultPlus.com
Sot ka vdekur në moshën 90- vjeçare, profesori universitar Muhamed Kërveshi.
Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij të cilët kanë njoftuar se Kërveshi ka vdekur pas një sëmundje të shkurtër.
Muhamed Kërveshi lindi në Mitrovicë më 1935. Shkollën fillore e kreu në Pejë, ndërsa gjimnazin në vendlindje. U largua nga Kosova për të studiuar filozofi në Universitetin e Beogradit dhe më pas kreu studimet pasuniversitare në Zagreb. U rikthye në Kosovë, në Prishtinë, ku mbrojti më pas edhe doktoraturën.Ka dhënë mësim në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës./KultPlus.com
Në këtë fotografi shihen dy aktorët e mëdhenj Abdurrahman Shala si dhe Faruk Begolli në skenat e filmit “Era dhe Lisi”.
“Era dhe lisi” është një film shqiptar i realizuar nga Kosovafilmi në vitin 1979. Regjisor i këtij filmi ishte Besim Sahatçiu.
Abdurrahman Shala (25 tetor 1922 – 9 mars 1994) ishte aktor, producent, dhe skenarist filmi i gjeneratës së parë në kinematografinë kosovare. U lind në Vushtrri, ndërsa vdiq në Prishtinë. Abdurrahmani punoi si drejtor i parë i studios së parë filmike të Kosovës, të quajtur Kosovafilmi. Ai gjithashtu themeloj dhe udhëhiqi Unioni i Artistëve të Filmit të Kosovës – UAFK deri në vitin 1990.
Faruk Begolli lindi më 14 shkurt të vitit 1944 në Pejë dhe vdiq më 23 gusht të vitit 2007. Ai ishte një nga aktorët e mirënjohur në ish Jugosllavi duke arritur një famë shumë të madhe në mbarë Ballkanin dhe me gjerë.
Fotografitë në të cilën janë bërë së bashku dy aktorët janë publikuar më parë në :Albanian Vintage Photography, people, city, culture and history./ KultPlus.com
Pas një pauze të gjatë, formacioni origjinal i grupit legjendar të heavy metal “Black Sabbath” do të performojë sërish këtë vit.
Grupi do të mbajë koncertin e tyre të parë me formacionin origjinal në 20 vjet, në Birmingham, i cili do të jetë një rikthim në skenë.
Në këtë event special më 5 korrik, anëtarët e grupit Ozzy Osbourne, Tony Iommi, Geezer Butler dhe Bill Ward do të luajnë sërish bashkë.
“Black Sabbath”, pionierët e muzikës heavy metal që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës, u bënë të njohur në mbarë botën për tingujt e tyre të errët dhe të rëndë dhe këngët si “War Pigs”, “Paranoid” dhe “Iron Man” u bënë ikonike.
Pas performancës së tyre të fundit së bashku në vitin 2005, grupi ka performuar në formacione të ndryshme, por jo në formacionin e tyre origjinal.
Përveç Black Sabbath, koncerti do të shfaqë edhe ikona të tjera të muzikës rock dhe metal, duke përfshirë Metallica, Slayer, Pantera, Alice in Chains, Lamb of God dhe Anthrax.
Të gjitha të ardhurat nga ky event do të dhurohen për organizata të ndryshme humanitare./KultPlus.com
Ndoshta të dua. Ndoshta të dua shumë. Por pikërisht për këtë arsye ndoshta do të jetë më mirë që të mbetemi ashtu siç jemi. Ndoshta një burrë dhe një grua janë më pranë njëri-tjetrit kur nuk jetojnë bashkë dhe e dinë se vetëm ekzistojnë, kur i janë mirënjohës njëri-tjetrit vetëm sepse ekzistojnë dhe sepse njëri e di që tjetri ekziston. Dhe lumturisë së tyre kjo i mjafton.
Marrë nga: Beti Njuma & Biblioteka e librave të harruar / KultPlus.com
Filmi kinez i animuar “Nezha 2” u bë filmi me fitimin më të lartë në vend të enjten, me më shumë se 5.8 miliardë juanë (796.32 milionë dollarë).
Filmi për një djalë mitik me fuqi magjike dhe arte të jashtëzakonshme marciale ka kaluar rekordin e mëparshëm. Ishte filmi “Beteja e Liqenit Changjin”, një epikë e Luftës Koreane e vitit 2021, i shpallur nga platforma e biletave në internet Maoyan.
“Nezha 2” është vazhdimi i hitit të vitit 2019 “Nezha”, i cili është filmi i pestë kinez me fitimet më të larta. Filmi “Nezha 2” ka më shumë se dhjetë ditë që është në ofertë dhe fitimet totale pritet të vazhdojnë të rriten.
Ndër 10 filmat me fitimet më të larta të të gjitha kohërave në Kinë, është vetëm një film hollivudian. “Avengers: Endgame” siguroi vendin e nëntë me fitime prej 4.25 miliardë juanë në vitin 2019./KultPlus.com
Faruk Begolli dhe Bekim Fehmiu edhe pas kaq vitesh vazhdojnë të jenë figura të vlefshme në artin skenik shqiptar dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.
Bota e artit me këta dy artistë mori kthesë të madhe, duke i bërë kështu gjurmët e tyre të pashlyeshmë në këtë botë aq të veçantë.
Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.
Është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit që ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura janë “Prova speciale”, “Odissea”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra.
Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shou, Dirk Bogart, Irene Papas e të tjerë. Në rolet e tij, Fehmiu ka interpretuar në disa gjuhë.
Ndërkaq, si një ndër aktorët më të famshëm shqiptar nga Kosova në Jugosllavi, Begolli studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd ku diplomoi në vitin 1966.
Ai është bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitet e 90-ta ka bashkëthemeluar Teatrin “Dodona” në Prishtinë.
Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke filluar me ‘Pogled u Zenicu Sunca’ (1966), për të bashkëpunuar pastaj me regjisorin Purisa Dordevic në filmat e tij ‘Podne’ (Mesditë), ‘Jutro’ (Mëngjesi) dhe ‘San’ (Ëndrra).
Rolet e tij të spikatura përfshijnë ‘Bitka na Neretvi’, ‘Cuvar plaze u zimskom periodu’ dhe Dervis i Smrt (Dervishi dhe Vdekja), si dhe rrolet në filmat e njohur Kosovar të viteve të 70ta dhe 80ta si ‘Kur pranvera vonohet’ (1980), ‘Era dhe Lisi’ (1979), ‘Të Ngujuarit’ (1972), ‘Si të vdiset’ (1972), ‘Proka’ (1984) etj.
KultPlus ju sjell një video kur Bekim Fehmiu e intervistonte Faruk Begollin, një intervistë kjo që e emocionon shumë këtë të fundit, teksa shprehet: Isha i përgatitur për këtë intervistë, por jam shumë i emocionuar që po intervistohem nga një artist siç është Bekimi, thotë ndër të tjera Begolli. / KultPlus.com
Dashnia asht punë. M’falni, por dikush duhet me thanë t’vërtetën! S’asht magji, as dramë, as poezi. S’asht dritë që s’shuhet, as natë që rri pezull.
Me dashtë do me thanë me qenë aty, përditë, përnatë. Me e pa tjetrin n’ditët e tij ma t’kqija e mos me ia kthy shpinën. Me pasë durim kur flakët veniten e me i fry gacave, edhe kur fryma t’pakohet. Nganjiherë asht andërr e butë, si lëkura e nji fëmije. Nganjiherë thikë e mprehtë, që hyn thellë e s’del.
Por shpesh herë asht te gjanat e vogla që s’presin duartrokitje. Me ta mbushë telefonin, me ta afru karrikën, me t’i kujtue ilaçet. Asht “A ke hangër?” Se n’fund t’ditës, s’ka randësi sa të mëdha i kemi andrrat, sa fort mundohemi me ia dalë, me punu, me u rrëzu, me u çu prapë.
Dashnia asht ajo që t’i çel sytë n’mëngjes. Nejse. Mue m’i çel sytë aroma e kafes. Pa kafe s’ka send. Dashnia pra, asht edhe kafe!/KultPlus.com
Artistët e vërtetë nuk vdesin kurrë. I tillë është aktori Faruk Begolli.
Me talentin e tij ai shkriu role të mëdha për të mbetur kështu një ndër figurat më të ndritura të kinematografisë shqiptare.
Figura e tij prej një djali tërheqës dhe plot sharm, ka bërë që ai ende të mbetet një ndër figurat më të dashura të artit shqiptar. Shumë nga fotografitë e tij, qoftë ato të ndara nga rolet e tij të shumta, apo fotografi të rastit, janë ende shumë të pëlqyera nga publiku që e deshi fort.
KultPlus, i ka përzgjedhur disa fotografi të Begollit ku ai shfaqet në momente të ndryshe gjatë karrierës së tij, qysh nga rinia e hershme e deri në ditët e fundit. Faruk Begolli lindi më 14 shkurt të vitit 1944 në Pejë, Kosovë, dhe vdiq më 23 gusht të vitit 2007, ishte një nga aktorët e mirënjohur në ish Jogosllavi duke arritur një famë shumë të madhe në mbarë Ballkanin dhe me gjerë. Ai studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd dhe diplomoi në vitin 1966.
Faruk Begolli ishte gjithashtu një figurë e rëndësishme e Teatrit dhe Kinematografisë Kosovare. Ishte bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku edhe punoi si pedagog i lëndës së Aktrimit. / KultPlus.com Në vitet e 90-ta ai së bashku me Enver Petrovcin themeluan Teatrin “Dodona” në Prishtinë, në këtë Teatër ai angazhonte studentët e tij dhe aktorë të tjerë duke inskenuar shfaqje të ndryshme teatrale. Teatri “Dodona” u bë Teatri më i njohur në Kosovë gjatë këtyre viteve duke vazhduar deri më tani.
Sot, në përvjetorin e vdekjes, kujtojmë dhe nderojmë kontributin e fotografit Gjon Mili. Trashëgimia e Milit jeton përmes imazheve të tij mahnitëse dhe ndikimit që ai vazhdon të ketë në botën e fotografisë.
Gjon Mili ishte një fotograf dhe artist shqiptaro-amerikan i njohur për punën e tij novatore në fushën e fotografisë. Ai lindi në Shqipëri në vitin 1904, por familja e tij emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1923, ku Mili përfundimisht u bë një figurë e shquar në botën e artit.
Puna e Milit karakterizohej nga përdorimi i dritës dhe lëvizjes, të cilat ai i përdori për të kapur imazhe dinamike që shpesh krahasoheshin me pikturat. Ai punoi për revistën Life për shumë vite dhe ishte i njohur për portretet e tij të artistëve dhe muzikantëve të famshëm, duke përfshirë Pablo Picasso, Duke Ellington dhe Igor Stravinsky.
Mili ishte gjithashtu një pionier në fushën e fotografisë stroboskopike, e cila përfshin përdorimin e një drite strobe për të kapur lëvizjen në një imazh të vetëm. Ai e zhvilloi këtë teknikë në vitet 1940 dhe e përdori atë për të krijuar imazhe mahnitëse të kërcimtarëve dhe atletëve në lëvizje.
Një nga bashkëpunimet më të famshme të Milit ishte me shkencëtarin dhe shpikësin e njohur, Dr. Harold Edgerton. Së bashku, ata zhvilluan një metodë për të fotografuar lëvizjen e një plumbi gjatë fluturimit, të cilën e përdorën për të krijuar një seri imazhesh goditëse.
Mili vazhdoi të punojë si fotograf dhe artist gjatë gjithë jetës së tij dhe puna e tij është ekspozuar në galeri dhe muze në mbarë botën. Ai vdiq në vitin 1984, por puna e tij novatore dhe novator vazhdon të frymëzojë dhe të ndikojë sot fotografët dhe artistët./ KultPlus.com
Ekranet më kaplojnë me krahët tinëzare drejt thellësive të horizontit të trazuar në rrugëtimin tim në kopshtet holograme në grabitje dhe kafshim të frutës së ndaluar
Nën joshjen e lojërave shkëlqyese të LED-it në hartën e dëshirave, në thesaret e magjepsura lëkurat shkëlqejnë, sytë e mi përndjekin rrengjet e ekstazit buzët e fshehura
Ah, imazhi i saj, ujëvarë freskie e hatashme rrëshqet kodrës sime të thepisur, vullkanike përcjellur me ato klithma të pashmangshme të epsheve të pangopura të spërkatjeve magmatike
Flas me pëshpëritje në ëndërr, në deliri mbi jastëkun e akullt të moralit, zakonit çdo rrokje derdhet porsi mjaltë erë-bliri nga emri i saj odë e poezive të Erosit
Mbetur mes yjeve, si kometë që sillet vërdallë me bisht të çmendur, zhveshur dhe eksituar tundoj mbi planetin e kuq, në vorbullën e përdalë në dashurinë hileqare në aktin e korruptuar
Por si mund ta grabit një poet yllin? me fjalë, me ndjenja, me mençuri të egër? apo të betohet me Dionisin dhe djallin të kapërcej qiellin të thyej ekranin.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset.
“Një takim i frytshëm me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, ku diskutuam mbi zhvillimet e fundit dhe rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë”, ka shkruar Osmani.
Osmani ka shkruar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të përbënte një fitore jo vetëm për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe për vetë Evropën dhe vlerat e saj themelore./KultPlus.com
Vitrina e butikut në Zhanë d’Ark mjegullohet prej hukamës së fshesares që thith’ mirfilli nji gacë natore. Mbështetë në shisën rrumeqe lidhun me spagë thasësh, kapërdin’ si n’jerm tymnajën djallëzore, mandej shkundë hinin e dalldisë që i mpinë rranzat e kofshëve t’epshume marrisht nga vikama e drujtë e manekinit. Krejt përhupshëm, i ngjeshet edhe ma fort vitrinës e harrohet n’nji përqafje krahësh kallkan, ku varet nji etiketë me ulje çmimi…
Po semafori din veç me përqeshë e ajo përmendet tue shtypë me thembër bishtin e fikun të andrrës. / KultPlus.com
Mendoni se letra e vetme e bukur e dashurisë është ajo e Tatjanës drejtuar Onjeginit? Duhet të lexoni edhe letrën e shkrimtarit Erich Maria Remarque drejtuar të dashurës së tij, Marlene Dietrich, dhe me siguri do ta rimendoni edhe një herë se cila është më e bukura.
Ndjenjat e pastra dhe fjalët e bukura të Remark të emocionojnë, të depërtojnë në shpirt dhe të rrënqethin. Për më tepër, ju ftojmë ta lexoni letrën e tij:
“Shpirti im, qielli im i dashur, ti më ke shkruar kaq e kaq letra të bukura e, unë përsëris atë që të kam thënë gjithmonë : shkrimtarët nuk duhet të shkruajnë letra dashurie. Sepse ka të tjerë që shkruajnë shumë më bukur se ata.
Ti më quan “Rezonancë që merr frymë” – e si do të mund të arrija unë vallë, të gjeja një figurë të tillë kaq prekëse? Ti arrin dhe ke atë aftësinë magjike që t’i thuash dikujt se sa shumë e si e dashuron atë – kurse unë, unë e di, mund ta arrij atë në mënyrë të plotë.
Sa mirë ndjehem kur ti më thua se, edhe pse je vetëm, ndjehesh e qetë dhe e lumtur. Unë këtë kam uruar vazhdimisht për ty. Nuk kam uruar kurrë që ti të ndjehesh e mërzitur dhe fatkeqe. Kam dashur gjithmonë që ti të jesh e lumtur në formë vezulluese, plot dritë dhe e bukur si kurrë herë tjetër dhe dua që kjo gjendje e jotja të jetë e dukshme edhe së largu, në kilometra, dhe që ti ta dish me siguri absolute që dikush tjetër nuk jeton në këtë botë, veçse për ty.
Sot gjeta dhe lexova edhe një herë poemën tonë të Gëtes. E lexova dhe e rilexova vërtet me një emocion të thellë : A s’është e vërtetë që fati po na bashkon? A nuk po na lidh ai përjetë? Nuk e di, ti je motra apo nusja ime? Ti njeh me imtësi çdo pjesë të qenies sime. Ti ndjen tek unë dhe nerving më të hollë. Ti lexon çdo gjë në shikimin tim. Me gjakun tënd hyn në brendësinë time.
Hyn në gjakun tim të ngrohtë që rrjedh në deje dhe ecën si i çmendur në drejtimin tënd e që, me krahët e tua prej engjëlli, gjoksin tim shëron. Po, e dashura ime, a nuk është pikërisht kështu?
Nganjëherë më ndodh të eci i vetmuar nën shi e të mendoj e ndiej që lidhja jonë është gjithmonë e fortë, e askush nuk mund ta prishë atë. Në ato çaste ndiej të vij dikush drejt meje me hapa të lehtë dhe ajo je ti. Atëherë unë jetoj një ndjenjë të veçantë lumturie që asnjë qenie tjetër njerëzore nuk e ka jetuar. E, atëherë, ndiej që së bashku me ty, të kthehen tek unë vitet e rinisë që lufta e dhunshme m’i mori dhe, ato vite je ti që vjen e m’i shumëzon me dy. E kështu ti bëhesh në të njëjtën kohë aventura dhe gruaja ime.
Ti je bërë për mua e unë jam bërë për ty. Nuk mund të jetë ndryshe. Nuk je vetëm ti ajo rezonanca që unë ndiej e thith si ajër, por i tillë jam edhe unë. E di? Unë jam një pasqyrë konkave që kap plot ethe dritën tënde, e mbledh atë plotësisht në gjoks dhe, duke e djegur fort, e dërgoj krejt refleksin në drejtimin tënd.
Herë të tjera më duket vetja si një merimangë që end një pëlhurë vezulluese, të trëndafiltë e plot reflekse, – një pëlhurë mendimesh, ndjenjash, pune, fjalësh ngrohtësie, e cila do të të kapë e pastaj të bëhet banesa jote, – e mbushur plot gjëra, të cilat ty të mungojnë.
O drita ime e dashur! E di? Nganjëherë unë nuk mund të ulem për të shkruar librin që kam nisur, të cilin e urrej, sepse ai më largon prej teje. Në atë moment tërhiqem nga studioja, nxjerr fotografitë e tua dhe i vendos në radhë para meje edhe pse e di që kjo gjë nuk më qetëson, përkundrazi, e bën më të rëndë gjendjen.
Por megjithatë, edhe pse këtë e di, nuk ndërroj mendje e, duke i vështruar ato, nis e flas me ty. Pastaj ndiej që gjendja ime shpirtërore bëhet edhe më e rëndë, sepse është një gjest i vështirë ky, i padurueshëm, por edhe i mrekullueshëm.
Më pas, unë tërhiqem përsëri aty tek vendi im, ulem aty tek vendi im në tavolinën e shkrimit për të vazhduar librin. Ja, tani ndalova përsëri, sepse ndiej që dora s’po më bindet. Më duaj! Më thuaj që ti më do. Kjo fjalë më bën mirë, më shëron. Kur ti më thua që më do, unë gjej forcë e shkruaj edhe më bukur e më shpejt. Sepse unë nuk jetoj veçse për dashurinë tënde.
Më duaj, puma” (e quante ai me përkëdheli Marlene Dietrich)! / KultPlus.com
Sot janë bërë 81 vite nga lindja e një ndër figurave më të rëndësishme të teatrit dhe kinematografisë kosovare, Faruk Begolli.
Si një ndër aktorët më të famshëm shqiptar nga Kosova në Jugosllavi, Begolli studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd ku diplomoi në vitin 1966.
Ai është bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitet e 90-ta ka bashkëthemeluar Teatrin “Dodona” në Prishtinë.
Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke filluar me ‘Pogled u Zenicu Sunca’ (1966), për të bashkëpunuar pastaj me regjisorin Purisa Dordevic në filmat e tij ‘Podne’ (Mesditë), ‘Jutro’ (Mëngjesi) dhe ‘San’ (Ëndrra).
Rolet e tij të spikatura përfshijnë ‘Bitka na Neretvi’, ‘Cuvar plaze u zimskom periodu’ dhe Dervis i Smrt (Dervishi dhe Vdekja), si dhe rrolet në filmat e njohur Kosovar të viteve të 70ta dhe 80ta si ‘Kur pranvera vonohet’ (1980), ‘Era dhe Lisi’ (1979), ‘Të Ngujuarit’ (1972), ‘Si të vdiset’ (1972), ‘Proka’ (1984) etj./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Mynih, ka njoftuar se është takuar për herë të parë me përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen.
“Në takimin tim të parë me Përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen, diskutuam mbi zhvillimet e fundit në vend dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit”, ka shkruar Osmani.
Tutje, ajo është shprehur se do të vazhdojnë të punojnë me aleatët tanë, që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës sonë./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Mynih, u takua me anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Željko Komšić.
“Në Mynih, u takuam me anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Željko Komšić”, u shpreh Osmani.
Osmani u shpreh se gjatë takimit kanë diskutuar për situatën e sigurisë në rajon, thellimin e bashkëpunimit tonë për të ardhmen euro-atlantike të shteteve tona dhe rëndësinë që Kosova dhe Bosnje e Hercegovina të përparojnë tutje në këtë rrugëtim./KultPlus.com
Botimet REA sjell para lexuesve librin më të ri të poetes Dije Demiri – Frangu me titullin “Ama dorën”. I konceptuar në tri kaptina “Kur isha mbret”, “Dashuria është kontinent” dhe “Lagjja që s’flet”, ky libër paraqet vlera të reja letrare duke shënuar avancimin e letërsisë shqipe për fëmijë, në kuptimin e zgjerimit të gamës tematike të saj dhe krijimit të një semantike, por edhe të stilit të ri letrar.
Poetja e ka funksionalizuar dhe e ka ruajtur qasjen pedagogjiko-psikologjike, duke faktorizuar rolin e fëmijës, si dhe rolin e informacionit të lojës në jetën e tij. Gjithsesi këto janë kapërcime kualitative në një kontekst më të gjerë të letërsisë shqipe për fëmijë.
Libri me poezi për fëmijë “Ama dorën”, është një udhëtim unik i bukurisë dhe madhështisë së imagjinatës së fëmijës. Një hapësirë e pafund poetike, e shtresuar përbrenda psikologjisë dhe imagjinatës së fëmijës. Për më tepër, Dije Demiri-Frangu, përmes poezisë me motive urbane, poezisë së dashurisë, lojës, motivit të vdekjes (fare pak i trajtuar në letërsinë tonë për fëmijë), sjellë situata të rralla të jetës në ambiente të ndryshme si dhe krijon meditime mbi to. Përmes krijimtarisë së saj, e posaçërisht përmes këtij libri mjaft interesant, autorja ndihmon në ndërtimin e perceptimit të ri estetik mbi jetën dhe botën e fëmijës sonë.
Libri “Ama dorën”, është përkrahur për botim nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës, ndërsa mund ta gjeni në libraritë “Artini” dhe Dukagjini” në Prishtinë.
Shënime për autoren:
Dije Demiri Frangu është profesoreshë në Fakultin e Filologjisë, Dega e Letërsisë Shqipe. Ka magjistruar dhe doktoruar në shkencat filologjike. Ka botuar 14 vepra, duke përfshirë poezinë për fëmijë e të rritur, si dhe studimet letrare. Poezia e saj është vlerësuar nga kritika. Gjithashtu, është prezantuar në shumë antologji.
Ka botuar këto vepra: “Buzëqeshja s’është larg” (1981), “Flurudhë” (1985), “Ta shoh botën si gotën” (1987), “Gjithësia si qershia” (1989), “Këmbët e erës” (1995), “Prekja e vdekjes” (2000), “Nar det regnar over havet“ (2002), “Shpirti i luleve” (2007), “Tallje e bukur” (2009), “Letërsia për fëmijë” (2009, 2011, 2019), “Zemra që të bie tamam” (2019), “Qumështi i poezisë” (2019), “Gabimi i shqisave” (2022), “Ama dorën” (2024)./KultPlus.com