Shoqata që u bë ‘shtëpi’ e kulturës për studentët shqiptarë në Beograd

15 nëntori i vitit 1957 do të shënonte themelimin e Shoqatës Letraro Muzikore të studentëve shqiptarë në Beograd, shkruan KultPlus.

Studentët shqiptarë të Universitetit të Beogradit ishin bashkuar me qëllim të themelimit të një vatre kulturo-artistike që do të ruante dhe promovonte vlerat shqiptare.

Mesnëntori i këtij viti unifikoi ndihmën e profesorëve në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Beograd, Anton Çetta, Idriz Ajeti dhe veprimtarëve të tjerë për themelimin e kësaj shoqate, që do të titullohej “Përpjekja”.

“Përpjekja” bashkoi rreth vetes shumë emra të njohur të letërisë, kulturës e çështjes atdhetare kombëtare.

Atë kohë, si studenti më i vjetër i Katedrës, kryetar i shoqatës u zgjodh Latif Berisha, sekretar Zekeria Cana dhe kryetar i Këshillit Artistik, Muhamed Kërveshi.

Vite më vonë, në kremtimin e 20 vjetorit të themelimit të Shoqatës “Përpjekja”, profesori Anton Çetta kishte treguar për idenë e lindjes së këtij emri.

“Me erdhën një grup studentësh për t’u këshilluar për themelimin e një shoqate studentore dhe se çfarë emri duhet t’i venin. Atëherë, vazhdoi profesori, unë u thash se ata kishin ardhur për të studiuar, për t’u përpjekur për t’i mbaruar studimet, për të dhënë ndihmesën e tyre për zhvillimin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në ish Jugosllavi, prandaj shoqata le ta marrë emrin, “Përpjekja”, kishte thënë Çetta.
Anëtarë dhe veprimtarë të “Përpjekjes” ishin ata që më vonë do të bëheshin shkrimtarët dhe poetët e njohur të Kosovës: Muhamed Kërveshi, Fahredin Gunga, Din Mehmeti, Agim Gjakova, politikani Riza Sapunxhiu, historiani, Zekeria Cana, piktorët: Muslim Mulliqi, Xhelosh e Mikel Gjokaj, shkenctari i njohur, Dervish Rozhaja, aktorët e njohur në tërë hapësiren e ish Jugosllavisë: Bekim Fehmiu, Faruk Begolli, Enver Petrovci e të tjerë. / KultPlus.com

Qendra Kulturore “Peja” organizoi akademi letrare në nderim të shkrimtarit Muhamed Kerveshit

Me organizim të përbashkët të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës të cilën e përfaqëson Shyqeri Galica dhe Qendrës Kulturore “Peja, në sallën e kuvendit komunal në Pejë, sot u mbajt akademi letrare për të nderuar krijimtarinë dhe kontributin e Muhamed Kerveshi.

Me këtë rast u paraqiten me kumtesa e Besim Rexhaj dhe Abdyl Kadolli të cilët përmblodhën punën, krijimtarinë dhe kontributin e Kerveshit gjatë jetës së tij. Folësit paraqiten fakte, argumente dhe kujtime nga krijimtaria e Kerveshit në letërsi, përkthime dhe në shkencën e letërsisë në përgjithësi.

Me këtë rast, kryetari i Pejës z.Gazmend Muhaxheri i ndau Mirënjohje Komunale, Muhamed Kërveshit për të shprehur falënderime për kontributin e tij të çmuar ndër vite.

Profesori (tashmë në pension), mjeshtri i kitarës z.Luan Sapunxhiu dhe nxënësit e shkollës së muzikës “Halit Kasapolli” interpretuan pika artistike./ KultPlus.com

Akademi letrare për profesorin Muhamet Kërveshi në Pejë

Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës dhe Qendra Kulturore e Pejës, këtë të shtunë organizojnë akademi letrare për poetin, kritikun, shkencëtarin e pedagogun Muhamed Kërveshi, në sallën e Kuvendit komunal të Pejës.

Për Kërveshin dhe veprimtarinë e tij letrare, shkencore e pedagogjike do të flasin kolegë e studiues, kurse, pos deklamimeve të vargjeve të tij, do të ketë edhe pika muzikore-artistike.

Shkrimtari, studiuesi e pedagogu Kërveshi është ndër emrat më të shquar të letërsisë shqiptare.
Akademia mbahet në përkujdesje të kryetarit të komunës së Pejës, Gazmend Muahxheri. Kjo akademi do të fillojë në ora 12 këtë të shtunë./ KultPlus.com