Në familjen e Kujtim Paçakut: Të jesh rom në Kosovë do të duhet të shihet si krenari dhe jo si problem

11 Qershor, 2020 - 12:54 pm

Arbër Selmani
Fotografitë: Nok Selmani

Nëpër lagjen Qyt Mahalla në Prizren, shëtisim me Denurin 22 vjeçar.

Ndjenja është e tillë: duket se po ecën me mendjen e trupin e Denurit por me fytyrën e Kujtim Paçakut, një prej mbrojtësve e avokuesve më të fuqishëm të të drejtave të komunitetit rom në Kosovë, dikur edhe deputet në Parlamentin e Kosovës. Denuri, një nga tre djemtë e Kujtimit – i cili ndërroi jetë para dy vitesh, padyshim që ka trashëguar tipare të fytyrës së babait të tij. Artikulimin e oratorinë, Denuri poashtu i ka me vete gjatë gjithë kohës, njëjtë sikur Kujtimi.

Shumë nga Kujtimi, sot është te Denuri. Patjetër, në qiellin ku jeton Kujtim Paçaku, është transmetuar edhe energjia e fëmijëve të Kujtimit.

“Babi shumicën e kohës thoshte – mëso, unë jam në gjendje edhe këpucët e mia me i shitë që ty me t’i siguru librat dhe mundësitë e shkollimit. Ky është argumenti me të cilin gjithmonë jam motivu, dhe argumenti ku pushon arsyetimi i babit për rëndësinë e arsimit” tregon Denur Paçaku.

“Ndikimi i babit te unë ka qenë sidomos në fushën e shkollimit, ka qenë shumë i përkushtuar për shkollën. Ai e ka ditur që shkollimi sjellë shumë të mira, dhe krahas familjes ka qenë ndikim i madh që unë të vazhdoj studimet” thotë Denuri.

*

Kujtim Paçaku u lind me 12 prill 1959 në Prizren. Në Prishtinë kreu studimet në Akademinë e Arteve – Dega e Muzikës dhe studimet postdiplomike në Pedagogjinë Muzikore. Paçaku kreu edhe Akademinë e përshpejtuar për Aktrim dhe Regji në Klasën e Prof. Faruk Begollit. Diplomoi në romologji në Sorbonën e famshme në Paris. Gjatë studimeve krijoi oktete e kore të shumta.

Pëveç aktiviteteve të shumta në shoqëri kulturore si ajo “Agimi”, ishte mësues në Duhël e Bllacë në vitin 1986. Punoi si gazetar në korrespondent në shumë gazeta dhe media europiane.

*

Kujtimi ishte rom, Kujtimi është rom edhe sot, pa marrë parasysh hapësirën në të cilën banon shpirti i tij. Gjatë gjithë jetës, Kujtimi nuk e mohoi identitetin e tij dhe të qenit rom i Kosovës, rom i Parisit, e dikur rom i tërë botës.

Duke nisur me organizata joqeveritare e duke u bërë deputet në Parlamentin e Kosovës, Kujtimi ndër vite u shndërrua në epitomën dhe kryefjalën e mbrojtjes së të drejtave të komunitetit rom në Kosovë. Dhe si e do rendi, Kujtimi u angazhua për të drejtat e komunitetit me anë të plot platformave, kundër racizmit, ksenofobisë e diskriminimit.

“Për mua sot nuk është problem që jam rom, nuk paraqet problem në asnjë fushë të jetës. Paragjykimet ekzistojnë, si në aspektin racial njëjtë edhe në aspektin edukativ, social e ekonomik. Të jesh rom në Kosovë do të duhet të shihet si krenari dhe jo si problem. As romët nuk duhet të krijojnë autoparagjykime përpara shoqërisë në përgjithësi, por edhe pjesa tjetër e shoqërisë nuk duhet të krijojë paragjykime mbi romët” tregon Denuri.

Në shtëpinë e Kujtim Paçakut, ka heshtje mes librash, njerëz mes kujtimesh, arritje mes sakrificash. Denuri shpesh i largon gjësendet e Kujtimit, meqë gjithçka është e freskët, njëjtë edhe dhimbja për humbjen e një babai, e një familjari, kryefamiljari.

E nisim intervistën, dhe afër e kemi telefonin e Kujtimit. Telefonin prej të cilit tash e dy vite nuk dëgjohet zëri. Por Denuri ka zë, njëjtë sikur familja e tij, sikur nëna e tij, sikur romët në Prizren dhe në tërë Kosovën.

“Në Prizren, romët mes vete janë shumë të bashkuar. Të gjithë luftojmë diskriminimin, dhe promovojmë sidomos shkollimin si faktor të rëndësishëm të zhvillimit edhe të komunitet tonë. Arsimimi është i rëndësishëm për neve. Është për t’u çmuar angazhimi i aktivistëve, artistëve, gazetarëve, aktorëve, OJQ-ve, vullnetarëve, të cilët punojnë vazhdimisht që komuniteti të zhvillohet dhe kësisoj të kundërshtohet çdo mangësi e çdo diskriminim dhe vështirësi që romët mund ta hasin në jetën e tyre të përditshme në këtë qytet” tregon Denuri.

Ecja në Prizren, e konfirmon edhe Denuri, është puthje mes plot gjuhëve e kulturave. Dëgjon turqisht, shqip, anglisht, dëgjon edhe gjuhën rome. Bashkëjetesa i shkon për shtat Prizrenit, njëjtë si edhe ngjyra-ngjyrat e etniteteve.

“Paragjykime ka dhe ka pasur, por nuk duhet t’i gjeneralizojmë. Paragjykimi është hipotezë, qëndrim i pabazuar në fakte. Në shumicën e rasteve, diskriminimi vjen pikërisht pse dikush paragjykon për mua dhe unë autoparagjykoj. Diskutimi kësisoj për romët më pas bëhet i vështirë. Çdo qytetar i Kosovës duhet ta përceptojë komunitetin rom si pjesë përbërëse të shtetit” tregon Denuri, i lindur në vitin 1998, kohë kur do të nisnin kthesa të mëdha në historinë e Kosovës, duke mos e lënë edhe komunitetin rom jashtë ndryshimeve, goditjeve, turbulencave.

Kujtim Paçakun duhet ta studioni më shumë, ta kuptoni mirë shumëdimensionalitetin e punës së tij me komunitetin rom. Lufta në Kosovë ka qenë tmerr, thoshte Kujtim Paçaku në një intervistë për Historinë Gojore – Oral History Kosovo, në vitin 2014.

“Në qoftëse tërë Kosova është gëzuar në qershor të vitit ’99 për çlirimin e Kosovës, ne jemi gëzuar tri-katër vite më vonë, sepse ka pas shumë partizanë të cilët nuk kanë dhënë aspak ndoshta kontribut luftës kosovare…..[…]… Ato çka ka ndodhë në luftë, nuk guxojmë t’i harrojmë. Por duhet t’i kujtojmë ato me kokë përpara për të filluar ta zhvilluar Kosovën. Domethënë, ne (romët) kemi qenë ata që më së voni jemi gëzuar lirisë. Më së voni sepse gjuha, informatat e gabuara të marrura ad-hok mbi romët kush kanë qenë. A kanë qenë bashkëpuntorët e serbëve, apo nuk kanë qenë bashkëpuntorët e serbëve. Asnjëherë, as serbët sot nuk flasin që romët kanë qenë bashkëpuntorë të tyre. As shqiptarët nuk flasin mbi romët që kanë dhënë kontribut për shqiptarët. Ne e dijmë me emra, shumë romë kanë dhënë kontribut shqiptarëve në luftë, por pak është promovu kontributi i romëve. Por mos t’flasim për luftë…”

*

Denuri është vazhdimësi e një familjeje të shëndoshë. Denuri, djali i Kujtimit. Kujtimi, djali i parafundit i Durmishit dhe Saimes. Të gjithë të shkolluar. Kujtimi, rreth viteve 90-të martohet me Shpresën. Edhe Shpresa, një grua e shkolluar nga Skënderaj.

Edhe Shpresën e takojmë, patjetër, një grua e përmbajtur e cila e potencon se është krenare me bashkëshortin e saj, sado që jeta është vështirësuar me ikjen e Kujtimit. Për të, dhe për romët e Kosovës të lënë anash dhe shpesh të neglizhuar e diskriminuar institucionalisht e nga vetë qytetarët.

“Me Kujtimin jemi njoftu para luftës, ai ka punu atëherë në Radio Prizren, ka pasur emisionin e tij në gjuhën rome, me muzikë. Unë prej Skënderajt erdha të jetoj në Rahovec, krejt familja. Babain e kam pasur fotograf, ndër të parët e asaj ane. Më pas martohemi dhe vijnë fëmijët” na tregon Shpresa Paçaku.

“Ka qenë njësoj për të gjithë. Ka lonë fjalë të mira për gjithkë, pa marrë parasysh a ishin njerëzit romë a shqiptarë. Lufta, sikur për krejt, edhe për neve ishte e vështirë, por me kalimin e kohës u mësuam me i tejkalu pasojat. Gjatë luftës kemi qëndru në këtë shtëpi, në Prizren, bashkë me prindërit e Kujtimit që ishin me neve. Gjatë luftës, nuk ka pasur probleme. Ai e la punën kur të gjithë i lanë punët, për shkak të asaj kohe. Hiç hiç, ka shkru, nuk ka nejt pa punu, e ka nxjerrë kafshatën e gojës për veten dhe për neve familjarët e tij” vazhdon Shpresa, gruaja e Kujtim Paçakut.

“Pas luftës, normal që ishte e vështirë për të gjithë, edhe për romët, edhe për të gjithë ata që e përbëjnë këtë shoqëri. Paramendojeni ata që humbën familjarët, në aspektin emocional, për ta nuk ishte e lehtë ta vazhdonin jetën e të ktheheshin pas luftës. Nuk ka qenë e vështirë vetëm për romët, lufta ishte e vështirë për të gjithë” e shoqëron Denuri më pas tregimin e Shpresës, nënës së tij.

**

Shpresa është e lirë si rome, ndjehet e sigurtë në Prizren si rome, në një lagje ku bashkëjetojnë të gjithë pa dallim.

“Pas luftës, filluan me ardhë këta të jashtit, u hapën disa OJQ, një e hapi edhe Kujtimi. Fëmijët, gjithmonë ka dashtë me i shkollu. Kur e ka taku ndonjë fëmijë gjithmonë e pyeste –Qysh e ki emrin, a po shkon në shkollë? Kujtimi nuk i ka kqyrë punët e të tjerëve, gjithmonë ka aspiru me ecë përpara me punët e tij” na tregon Shpresa, nëna e Denurit, dhe tani gjyshja e një Kujtimi të vogël bebe, meqë tek nipi i familjes ata e ripërtërinë emrin e Kujtim Paçakut.

“Sot veç mbiemrin kur e shohin – Paçaku, na tregojnë të mburremi me faktin që jemi familjarë të Kujtimit, unë shoqja e tij e këta fëmijët e tij. Këtu në Prizren, pa asnjë problem, jetoj që 26 vite, jemi adaptu dhe nuk ka asnjë pakënaqësi. Është vështirë kur nuk e ke njeriun e jetës, por njeriu po u msohke me u ballafaqu me gjithçka në jetë” tregon Shpresa.

*

Kujtim Paçaku ia kushtoi tërë jetën e tij mbrojtjes së kauzës rome, përparimin dhe përmirësimin e jetës së romëve kudo në Kosovë. Energjia e tij nuk shterrej, por shpërndahej në botën e secilit rom në Kosovë.

Një burrë si Kujtimi, me plot botë, na solli edhe disa poezi. Po e veçojmë këtë:

Testament

Kur të vie ajo ditë
E fundit, në tepihun e jëtës sime
Ju lus:
Së paku atje të qëndroj

V
E
R
T
I
K
A
L
I
SH
T

Meqë gjithë jetën
S`më lanë se s`më lanë të ngrihem në këmbë!

Të njëjtën poezi, Denuri e dashuron, e ka në korridorin e shtëpisë së tij, të varur në mur, duke cakërruar sytë me të saherë kalon kah kjo pjesë e shtëpisë. Në po këtë korridor, e nisim intervistën, përballë portretit të Kujtim Paçakut dhe gjësendeve tjera. Afër, kemi librarinë me plot literaturë ku pushuan sytë e Kujtimit.

Dalim edhe në oborrin e shtëpisë, afër qenushes Dafi, e cila tash e dy vite i bën shoqëri njerëzve që jetojnë në këtë shtëpi.

“Jemi kon duke ecë, dhe kur i ka ra në mend Kujtimit diçka, osht ndalë dhe i ka shkru. Kemi pasë gjuhë të përbashkët, asnjë konflikt me askënd. E përfytyroj shpesh, më vjen disi zëri i tij” tregon Shpresa, 53 vjeçare, e cila përfundoi shkollën e mesme të mjekësisë në Skenderaj dhe më pas zgjodhi Kujtimin si bashkëudhëtarin e jetës, ku ndjenja e fortë për romët ishte kryefjalë.

TEKSTI NË GJUHËN ROME

TEKSTI NË GJUHËN SERBE

(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e KultPlus/YIHR dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)

Të ngjajshme