‘A e din se dashninë e parë s’ia rrëfeva as ditarit’

10 Nëntor, 2021 - 11:30 pm

Poezi nga Rozafa Shpuza

A e din se
biçikletën e msova para abetares
e gjunjt e coptuem prej rrëzimit i lyva me pështym
tue i hukatë fort, prejse m’erdh marre me qa…
A e din se
renda mbas makinës së ujit
pa e ditë se mirazhet e zhegituna t’asfaltit
kishin me u ba oazi i tana fantazive t’mia…
A e din se
çdo dimën nana m’thuri me gjypner nji xhup t’ri,
me lesh t’shkepun prej xhupash t’vjetër
e ndër ato motive naziqe
u kapërthyen qindra dëshira t’pacake…
A e din se
krijova kukull pecet
tue i ba kryq krandet e shisës rrumeqe
e si krye i vuna nji pull të tabares së tim eti…
E e din se
shtatin e mata me metër rrobaqepsish
e vizat n’mur i shkruva me laps plumçit…
A e din se
çimçakezin e sajova me qirat e ditlindjeve
të festueme pa torta
e për mbramje t’maturës flokët i ngriva me birrë…
A e din se
dashninë e parë s’ia rrëfeva as ditarit
e tash kujtesa mënon me ma ripërtërie shijen e saj…
A din se
ma ka anda me hapë albumet me foto n’sepie
e kajherë ndihem n’faj pse s’isha n’dasëm t’prindve t’mi…

Ti tana i din, malli jem
veç sot pata mall me ia rrefye vedit.

(nandor 2021) / KultPlus.com

Të ngjajshme