‘Edhe lisat nga erërat lëkunden por, rranjët të mbjelluna i kanë thellë’

10 Tetor, 2022 - 9:45 pm

Poezi nga Fitim Majkovci

e lënduar
e mërzitun, e thyer
kurrë e nënshtruar
edhe tronditje ke për t’ndje,
me paletë ngjyrash n’duar
të sotmen, ke me pikturu
edhe ma të bardhë se dje.

ka me kalu kohë,
kur ti s’e din as kush je?
kurora s’ka me tu lëkund ama
në mesin e përjetimeve të randa
paqja ka me kanë fitore.

mos prit mesazh prej një poezie
veç ik e gjej ngushëllim
në kangën që ta shkundi zemrën
në kafenë që gjete shpëtim.

mos u ndiej e fyer, të lutem,
qaj, bërtit, e fytin shtjerr
se edhe lisat nga erërat lëkunden
por, rranjët të mbjelluna i kanë thellë.

mos u dërrmo as mos u përhumb
vetëm leje ndjenjën të t’marrë
e kur ndjenja të vret si plumb
merre zemrën tërhiqe zvarrë.

zvarrë diku përtej vetës
përtej vetës dhe përtej jetës
përtej jetës ku takon me vdekjen
tek vdekja ku engjëjt preken.

leje atje, mos shiko prapa
ti vazhdo jeto në tokë
në këtë tokë ku robi duhet
duhet, ruhet dhe ëndërron.

do jesh lënduar dhe e mërzitur,
do jesh thyer por kurrë nënshtruar,
edhe tronditje ke për t’ndje
por, me paletë ngjyrash n’duar
të sotmen, ke me pikturu
edhe ma të bardhë se dje.

mos prit mesazh prej një poezie
veç ik e gjej ngushëllim
në kangën që ta shkundi zemrën
e në kafenë që gjete shpëtim.

të lutem! / KultPlus.com

Të ngjajshme