U akuzuan se i “bëri të famshme mafia shqiptare”, Bebe Rexha i përgjigjet ashpër ndjekëses

27 Gusht, 2020 - 11:51 am


Artistët shqiptarë tash e disa vite kanë arritur që të shfaqin talentin e tyre jashtë vendit e madje me këtë talent edhe të korrin suksese të mëdha. Artistet shqiptare që tashmë kanë arritur famën botërore, Bebe Rexha, Dua Lipa e Ava Max e Rita Ora, kanë dëshmuar shumë herë që mund të arrini gjëra të mëdha pavarësisht nga vendi që vini e nga ai që jetoni.

Por suksesi i artisteve shqiptare dhe fama që kanë marrë ato jo çdo herë mirëpritet nga njerëzit. Së fundmi në rrjetin social Twitter, një përdoruese e quajtur Bethany Joan nëpërmjet një statusi ka akuzuar vajzat shqiptare se fama e tyre është arritur nëpërmjet pagesave me shuma të mëdha parash.

“Ju mund të keni vërejtur një shpërthim të pazakontë dhe të papritur të yjeve të popit shqiptar që kishin një shtyrje të jashtëzakonshme në skenën kryesore të Top 40 në territoret e ShBA-së dhe Evropës. Këto artiste përfshirë: Dua Lipën, Bebe Rexhën, Ava Maxin dhe Rita Orën, nuk erdhën rastësisht, shuma të mëdha parash janë dhënë për t’i bërë ato të famshme. Pse?”, shkroi ajo.

Ndërkaq në një status tjetër ku ajo kishte publikuar një fotografi të përbashkët të vajzave shqiptare dhe krahas kësaj foto kishte vendosu edhe një tjetër të disa djemve me maskë me simbole kombëtare duke shkruar: “Rritja e papritur e yjeve të muzikës pop dhe lidhja e tyre me mafian shqiptare”.

Statusit të Bethany Joan i është kundërpërgjigjur artistja shqiptare me famë botërore Bebe Rexha. Ajo ka ironizuar me faktin se dikush mund të mendojë që tregu i huaj arrihet nëse vetëm ke para.

“Sinqerisht kjo është budallallëk. Po ashtu nëse e gjeni “numrin e mafias” që thoni se na bëri të famshëm a do të ma dërgoni edhe mua? Unë kam një këngë solo të re që do të dalë së shpejti. Ndoshta ata mund të ndihmojnë dhe “të më blejnë një hit” siç pretendon ti. Shumë për të qeshur. Mos e anashkalo atë që femrat shqiptare kanë punuar shumë për këtë”, ka shkruar Bebe Rexha në Twitter. / KultPlus.com

Të ngjajshme