Në Durrës vendoset instalacioni ‘Të besoj’, bëhet thirrje për luftë ndaj abuzimit seksual i fëmijëve

UNICEF Shqipëri ka vijuar me prezantimin e fushatës “Të Besoj” në qytetin e Durrësit ku në sheshin Liria, u organizua një aktivitet i heshtur me vendosjen e siluetave fëmijësh, që secila tregon një histori reale të abuzimit seksual.

“Isha 11 vjeç kur…më dhunuan seksualisht. Sot kam frike se nuk jam e virgjër dhe mendoj për probleme që do të më sjellë ky fakt. Mu deshën 8 vjet ta ndaj këtë ngjarje me dikë… deri më sot, nuk i kisha treguar njeriu”.

“Isha 12 vjeç…kur një burrë më i madh në moshë se unë më abuzoi seksualisht, dhe që prej asaj kohe kam probleme me seksualitetin. M’u deshën 12 vjet që të flas me dikë.”

Këto janë vetëm dy nga historitë e shumta të abuzimit seksual të fëmijëve në Shqipëri, që shfaqen në këtë instalacion, si prova të prekshme që fenomeni i Abuzimit Seksual të Fëmijëve është shumë here më i përhapur dhe shkatërrues sesa mendohet, i cili ndodh në sy të gjithëve dhe kërkon një ndërhyrje proaktive të menjëhershme. Rastet që u bënë të njohura për publikun së fundmi janë thjesht maja e ajsbergut. Sipas Policisë së Shtetit, 60% e rasteve të abuzimit seksual në Shqipëri kryhen kundër fëmijëve. Në shumicën e rasteve, abuzuesi është nga rrethi i besimit të fëmijës, ndërsa në 1/3 e rasteve është pjesëtar i familjes (Raporti Medialook, 2019). Një në dhjetë fëmijë raporton të paktën një përvojë të padëshiruar seksuale në internet, e iniciuar kryesisht nga një person i njohur nga fëmija.

Për ta adresuar këtë dukuri dhe për t’i dhënë fund Abuzimit Seksual në vend, UNICEF Shqipëri mirëpriti në këtë event Kordinatoren e Përhershme të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri Fiona McCluney, Kryetaren e Bashkisë Durrës Emiriana Sako si dhe Prefektin e Durrësit Roland Nasto.

“Nëpërmjet kësaj fushatë ne duam t’i japim fund heshtjes rreth abuzimit seksual dhe shfrytëzimit të fëmijëve të cilët presin përgjigje nga ne! Nëse ata do të ishin këtu sot, ata do të na kërkonin të ndërmerrnim masa për të ndaluar abuzimin seksual. Ata duhet të fillojnë të na besojnë dhe ne duhet të fillojmë t’i besojmë “, tha në fjalën e tij hyrëse Roberto De Bernardi, Përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri.

“Familja e Kombeve të Bashkuara mbështet plotësisht thirrjen e UNICEF për veprim të menjëhershëm. Ne i kërkojmë së bashku Qeverisë Shqiptare, Shoqërisë Civile, Sektorit Privat, profesionistëve të kujdesit ndaj fëmijëve dhe prindërve të dyfishojnë përpjekjet, të flasin hapur mbi këtë fenomen, të rrisin vigjilencën dhe të investojnë në punën parandaluese për të ardhmen e Shqipërisë”, përmendi në fjalën e saj përshëndetëse Fiona McCluney, Kordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.

“Shfrytëzimi seksual i fëmijëve është një krim me përmasa globale. Lufta ndaj këtij krimi kërkon reagim të koordinuar të institucioneve të ndryshme,  si edhe organeve ligj zbatuese të qeverive, përfaqësuesve të shoqërisë civile. Rastet e abuzimit seksual përbëjnë edhe rastet më të vështira për tu trajtuar dhe menaxhuar pasi fëmijët e ngacmuar seksualisht shfaqin tërheqje dhe mungesë gatishmërie për të denoncuar abuzuesit. Ne, të rriturit, duhet të përpiqemi të shmangim krijimin e tabuve rreth seksualitetit dhe të sigurohemi që femijet e dinë se kë të kontaktojnë nëse ata ndjehen të brengosur, të shqetësuar apo të trishtuar. Nepermjet programeve dhe qendrave, fokusi ynë do të jetë parandalimi i dhunës dhe mbrojtja e fëmijëve e kjo fillon që nga njësia bazë e shoqërisë, familja, më tej shoqëria dhe institucionet. Prioriteti ynë është forcimi i kapaciteteve dhe zgjerimi i shërbimeve për të arritur tek mbrojtja dhe mirëqenia e fëmijëve” deklaroi gjatë aktivitetit Emiriana Sako, Kryetarja e Bashkisë Durrës.

Në këtë takim e ka marrë fjalën edhe prefekti Roland Nasto i cili theksoi se dhuna kundër fëmijëve përbën shkelje të të drejtave të tyre, pengon zhvillimin dhe cenon gëzimin e të drejtave të tyre. Nasto deklaroi mbështetjen e plotë për fushatën e nisur nga UNICEF dhe shtoi se institucionet e shtetit dhe e gjithë shoqëria janë në luftë të vazhdueshme kundër këtij krimi të rëndë.

Instalacioni “Të Besoj” do të qëndrojë në Sheshin Liria për 12 ditë dhe më pas do të zhvendoset në qytete të tjera kryesore të Shqipërisë. Objektivat e fushatës janë: ndërgjegjësimi mbi problematikën e abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijës; nxitja e kulturës së ngritjes së zërit dhe raportimit  kundër kësaj dukurie; inkurajimi i autoriteteve për politika dhe veprime konkrete.

Qyteti i Durrësit bëhet qyteti i dytë në vend pas Tiranës që i bashkohet fushatës TëBesoj duke kontribuar në angazhimin e UNICEF për ti dhënë fund këtij krimi të shëmtuar. Mbledhja e historive, u zhvillua brënda disa javësh në sajë të mbështetjes dhe bashkëpunimit të ngushtë të Nisma ARSIS, Fondacionit “Together Albania”, si dhe Linjës Kombëtare të Ndihmës për Fëmijët “Alo 116”.

Të Besoj është një instalacion publik nga UNICEF Shqipëri, i cili pasqyron siluetat e disa fëmijëve të abuzuar seksualisht, ku secila prej tyre tregon një histori të vërtetë të ndodhur në Shqipëri. Pas çdo siluete, fshihet historia e një fëmijë të vërtetë, një personi të vërtetë, i cili ende vuan pasojat e abuzimeve që ka përjetuar. Historitë nuk përmbajnë emra të fëmijëve apo ndonjë informacion tjetër që mund të çojë në identifikimin e tyre. /atsh/ KultPlus.com

Amy Schumer vë në dispozicion numrin e saj të telefonit për viktimat e abuzimit seksual

Aktorja komike 39-vjeçare, Amy Schumer, e ka postuar numrin e telefonit në Instagram dhe Twitter, për t’iu mundësuar kështu ndjekësve të saj që mund të jenë viktima të abuzimit seksual, që ta kontaktojnë atë për çfarëdo që kanë nevojë.

Schumer e shprehi përkrahjen e saj për të gjitha gratë të cilat kanë folur hapur për eksperiencat e tyre të hidhura me abuzimin seksual dhe përdhunimin.

“Përshëndetje. Në çfarë kohë të çmendura po jetojmë, apo jo? Shumë gjëra janë duke ndodhur. Vetëm dua ta shfrytëzoj këtë mundësi ta vlerësoj guximin e të gjitha këtyre grave që po flasin hapur për keqtrajtimet që i kanë përjetuar nga komedianët apo persona të profesioneve tjera. Veçanërisht ato që nuk kanë qenë të moshës madhore. Në botë ekzistojnë burra të mirë. Por ka edhe burra të cilët i turpërojnë dhe abuzojnë gratë dhe vajzat e reja, për shkak të fuqisë dinamike ose për shkak se kur ata ishin në moshë të re, femrat nuk pranonin të flinin me ta. Por, pavarësisht arsyeve tuaja, dijeni se ne jemi duke iu vëzhguar. Ne qëndrojmë të bashkuara dhe nuk do ta pranojmë këtë lloj sjellje, pavarësisht nëse e thyeni ligjin ose jo. Unë jam në dispozicionin tuaj nëse dikush ka nevojë për përkrahje. Më kontaktoni dhe do të mundohem t’iu ndihmoj me aq sa kam fuqi. Numri im i telefonit është i postuar këtu”.

Ylli i filmit “Trainwreck”, Schumer, e cila është nënë e një djali, Gene, të cilin e ka me bashkëshortin Chris Fischer, vazhdimisht e shfrytëzon famën e saj për të mbështetur kauza të ndryshme të cilat i ka për zemër.

Në të kaluarën ajo I kishte nxitur njerëzit që të dhurojnë për organizatën bamirëse “Immigrant Families Together”, e cila i ndihmon dhe përkrahë familjet imigrante që janë shpartalluar. / KultPlus.com

Shkrimtarja e Harry Potter rrëfen për abuzimin seksual

Autorja e “Harry Potter”, JK Rowling ka publikuar një ese ku flet për herë të parë për dhunën dhe abuzimin seksual në jetën e saj, reagim ky që vjen pas kritikave që mori për komentet transfobike që bëri në media sociale, njofton KultPlus.

JK Rowling ka zbuluar përvojën e saj të abuzimit dhe sulmeve seksuale për herë të parë, në një ese të gjatë dhe shumë personale të shkruar si përgjigje ndaj kritikave për komentet e saj publike për çështje transgjinore.

Autorja zbuloi se ajo ishte “një e mbijetuar nga dhuna dhe abuzimi seksual”, duke përmendur këtë krahas besimit të saj në lirinë e fjalës dhe përvojës si mësuese, si arsye prapa pozicionit të saj, njofton Insajderi.

Ajo tha se kritikat “më kanë lënë një në një vend shumë të errët brenda kokës time, si kujtime për një sulm seksual që pësova në vitet 20-ta. Ai sulm ndodhi në një kohë dhe në një hapësirë ku unë isha e pambrojtur, dhe një njeri kapitalizoi në këtë mundësi. Nuk mund t’i mbyllja ato kujtime dhe e pata të vështirë të mbaja zemërimin dhe zhgënjimin tim për mënyrën se si qeveria ime po tregohen të lirshëm me sigurinë e grave dhe vajzave”.

Ajo gjithashtu konfirmoi për herë të parë se kishte pësuar abuzim fizik në të 20-tat. “Nëse mund të hysh brenda në kokën time dhe të kuptoni se çfarë ndjej kur lexoj për një grua trans që vdes në duart e një burri të dhunshëm, ju do të gjeni solidaritetin dhe fisnikërinë”, shkroi ajo. /theguardian/ KultPlus.com