Në Durrës vendoset instalacioni ‘Të besoj’, bëhet thirrje për luftë ndaj abuzimit seksual i fëmijëve

UNICEF Shqipëri ka vijuar me prezantimin e fushatës “Të Besoj” në qytetin e Durrësit ku në sheshin Liria, u organizua një aktivitet i heshtur me vendosjen e siluetave fëmijësh, që secila tregon një histori reale të abuzimit seksual.

“Isha 11 vjeç kur…më dhunuan seksualisht. Sot kam frike se nuk jam e virgjër dhe mendoj për probleme që do të më sjellë ky fakt. Mu deshën 8 vjet ta ndaj këtë ngjarje me dikë… deri më sot, nuk i kisha treguar njeriu”.

“Isha 12 vjeç…kur një burrë më i madh në moshë se unë më abuzoi seksualisht, dhe që prej asaj kohe kam probleme me seksualitetin. M’u deshën 12 vjet që të flas me dikë.”

Këto janë vetëm dy nga historitë e shumta të abuzimit seksual të fëmijëve në Shqipëri, që shfaqen në këtë instalacion, si prova të prekshme që fenomeni i Abuzimit Seksual të Fëmijëve është shumë here më i përhapur dhe shkatërrues sesa mendohet, i cili ndodh në sy të gjithëve dhe kërkon një ndërhyrje proaktive të menjëhershme. Rastet që u bënë të njohura për publikun së fundmi janë thjesht maja e ajsbergut. Sipas Policisë së Shtetit, 60% e rasteve të abuzimit seksual në Shqipëri kryhen kundër fëmijëve. Në shumicën e rasteve, abuzuesi është nga rrethi i besimit të fëmijës, ndërsa në 1/3 e rasteve është pjesëtar i familjes (Raporti Medialook, 2019). Një në dhjetë fëmijë raporton të paktën një përvojë të padëshiruar seksuale në internet, e iniciuar kryesisht nga një person i njohur nga fëmija.

Për ta adresuar këtë dukuri dhe për t’i dhënë fund Abuzimit Seksual në vend, UNICEF Shqipëri mirëpriti në këtë event Kordinatoren e Përhershme të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri Fiona McCluney, Kryetaren e Bashkisë Durrës Emiriana Sako si dhe Prefektin e Durrësit Roland Nasto.

“Nëpërmjet kësaj fushatë ne duam t’i japim fund heshtjes rreth abuzimit seksual dhe shfrytëzimit të fëmijëve të cilët presin përgjigje nga ne! Nëse ata do të ishin këtu sot, ata do të na kërkonin të ndërmerrnim masa për të ndaluar abuzimin seksual. Ata duhet të fillojnë të na besojnë dhe ne duhet të fillojmë t’i besojmë “, tha në fjalën e tij hyrëse Roberto De Bernardi, Përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri.

“Familja e Kombeve të Bashkuara mbështet plotësisht thirrjen e UNICEF për veprim të menjëhershëm. Ne i kërkojmë së bashku Qeverisë Shqiptare, Shoqërisë Civile, Sektorit Privat, profesionistëve të kujdesit ndaj fëmijëve dhe prindërve të dyfishojnë përpjekjet, të flasin hapur mbi këtë fenomen, të rrisin vigjilencën dhe të investojnë në punën parandaluese për të ardhmen e Shqipërisë”, përmendi në fjalën e saj përshëndetëse Fiona McCluney, Kordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.

“Shfrytëzimi seksual i fëmijëve është një krim me përmasa globale. Lufta ndaj këtij krimi kërkon reagim të koordinuar të institucioneve të ndryshme,  si edhe organeve ligj zbatuese të qeverive, përfaqësuesve të shoqërisë civile. Rastet e abuzimit seksual përbëjnë edhe rastet më të vështira për tu trajtuar dhe menaxhuar pasi fëmijët e ngacmuar seksualisht shfaqin tërheqje dhe mungesë gatishmërie për të denoncuar abuzuesit. Ne, të rriturit, duhet të përpiqemi të shmangim krijimin e tabuve rreth seksualitetit dhe të sigurohemi që femijet e dinë se kë të kontaktojnë nëse ata ndjehen të brengosur, të shqetësuar apo të trishtuar. Nepermjet programeve dhe qendrave, fokusi ynë do të jetë parandalimi i dhunës dhe mbrojtja e fëmijëve e kjo fillon që nga njësia bazë e shoqërisë, familja, më tej shoqëria dhe institucionet. Prioriteti ynë është forcimi i kapaciteteve dhe zgjerimi i shërbimeve për të arritur tek mbrojtja dhe mirëqenia e fëmijëve” deklaroi gjatë aktivitetit Emiriana Sako, Kryetarja e Bashkisë Durrës.

Në këtë takim e ka marrë fjalën edhe prefekti Roland Nasto i cili theksoi se dhuna kundër fëmijëve përbën shkelje të të drejtave të tyre, pengon zhvillimin dhe cenon gëzimin e të drejtave të tyre. Nasto deklaroi mbështetjen e plotë për fushatën e nisur nga UNICEF dhe shtoi se institucionet e shtetit dhe e gjithë shoqëria janë në luftë të vazhdueshme kundër këtij krimi të rëndë.

Instalacioni “Të Besoj” do të qëndrojë në Sheshin Liria për 12 ditë dhe më pas do të zhvendoset në qytete të tjera kryesore të Shqipërisë. Objektivat e fushatës janë: ndërgjegjësimi mbi problematikën e abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijës; nxitja e kulturës së ngritjes së zërit dhe raportimit  kundër kësaj dukurie; inkurajimi i autoriteteve për politika dhe veprime konkrete.

Qyteti i Durrësit bëhet qyteti i dytë në vend pas Tiranës që i bashkohet fushatës TëBesoj duke kontribuar në angazhimin e UNICEF për ti dhënë fund këtij krimi të shëmtuar. Mbledhja e historive, u zhvillua brënda disa javësh në sajë të mbështetjes dhe bashkëpunimit të ngushtë të Nisma ARSIS, Fondacionit “Together Albania”, si dhe Linjës Kombëtare të Ndihmës për Fëmijët “Alo 116”.

Të Besoj është një instalacion publik nga UNICEF Shqipëri, i cili pasqyron siluetat e disa fëmijëve të abuzuar seksualisht, ku secila prej tyre tregon një histori të vërtetë të ndodhur në Shqipëri. Pas çdo siluete, fshihet historia e një fëmijë të vërtetë, një personi të vërtetë, i cili ende vuan pasojat e abuzimeve që ka përjetuar. Historitë nuk përmbajnë emra të fëmijëve apo ndonjë informacion tjetër që mund të çojë në identifikimin e tyre. /atsh/ KultPlus.com

Reagon UNICEF në Serbi pas postimit të flamurit ‘Autochthonous’ nga Dua Lipa

UNICEF në Serbi ka reaguar pas postimit të bujshëm të Dua Lipës.

Dua Lipa ditë më parë iu bashkua nismës së shqiptarëve, të cilët kërkojnë vendosjen e Kosovës në hartë nga “Apple”

Menjëherë pas këtij postimi, këngëtarja u “bombardua” nga komentet e shumta të serbëve, të cilët ia mbushën positmin me frazën “Kosova është Serbi”.

Pas kësaj, Dua publikoi flamurin “Autochthonous”, me të cilin sërish nxiti reagime të serbëve, madje kësaj radhe me hov më të madh.

Në gjithë këtë ngjarje, ka reaguar dega e UNICEF në Serbi, e cila thotë se Dua Lipa nuk është ambasadore e tyre dhe qëndrimet e saj nuk janë të UNICEF.

Të dashur miq, faleminderit që treguat postimin nga këngëtarja Dua Lipa. Ne dëshirojmë t’ju informojmë se Dua Lipa nuk është një Ambasadore e UNICEF dhe nuk flet për UNICEF. Si shumë të tjerë, ajo ka mbështetur punën tonë për fëmijë, për të cilën jemi mirënjohës. Pikëpamjet që ajo shpreh janë të vetat dhe nuk ndahen ose miratohen nga UNICEF”, thuhet në postim. / KultPlus.com