Adam Balogh & Ádám Banda, dyshja hungareze që solli një harmoni mbresëlënëse në ‘Chopin Piano Fest’

Era Berisha

Një depërtim i thellë e i mbushur me emocione nga më të ndryshmet ishte vendosur mbrëmë pikërisht përbrenda shpirtit të pranishëm me rastin e interpretimit të pianistit Adam Balogh dhe violinistit Ádám Banda të cilët me prezencën e tyre skenike sollën një program të larmishëm të veprave botërore mbi atmosferën në ‘Chopin Piano Fest’, me ç’rast komplesksiteti i magjishëm i tingujve dhe butësia hyjnore e melodive u ndërlidhën mahnitshëm për të lënë gjurmë në kujtesën e gjithsecilit, shkruan KultPlus.

Tash e shtatë net, Salla e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare po mbledh rreth vetes një numër të madh të artdashësve të muzikës klasike dhe jo vetëm. Skena e rrethuar me lule shumëngjyrëshe tashmë e njohur për çdokënd po ndriçohej nga gjithsej katër reflektorë në ngjyrë të ngrohtë, teksa në prapavijë dukshëm dallohej logoja e festivalit që vjen e ndriçuar nga po ashtu katër reflektorë në ngjyrë të bardhë. Një hijeshi unike e ambientit në gërshetim me padurimin e të pranishmëve për të dëgjuar sa më parë interpretimin e dy instrumentistëve, veçse po krijonte atë ëmbëlsinë e njohur në ambient.

Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha e cila tregoi se kjo mbrëmje vjen në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë në Kosovë.

“Mirëserdhët në mbrëmjen e shtatë me radhë të këtij edicioni. Ne kemi shumë kënaqësi që në këtë mbrëmje kaq të veçantë, të kemi dy muzicientë virtuoz që janë nga Hungaria, si rezultat i një bashkëpunimi të gjatë që kemi me Ambasadën Hungareze në Kosovë. Përmes këtij bashkëpunimi dymbëdhjetë vjeçar, ne kemi vendosur që të kemi edhe një bashkëpunim reciprok me një festival tjetër në Hungari, “Cziffra“ në përkushtim të pianistit legjendar, Christian Georges Cziffra”, thotë Luzha.

Sipas saj, në dy vitet e fundit po shënohet 100 vjetori i lindjes së pianistit, Christian Georges Cziffra.

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Dr. József Bencze gjithashtu i uroi organizatorët për këtë mbrëmje dhe për gjithë punën e tyre përgjatë tërë edicioneve të këtij festivali.

Pianisti Adam Balogh dhe violinisti Ádám Banda dolën në skenë me një buzëqeshje dhe shumë shpejt u mirëpritën nga publiku me duartrokitje të shumta. Ora shënoi fiks 20:20 kur tingulli i parë u lëshua me veprën “Rhapsody No.1 for violin and piano, sz.86, BB 94” të kompozitorit hungarez Béla Bartók. Ky interpretim nga dy instrumentistët hungarez të cilët sollën një energji aq unike në skenë, bëri që përgjatë gjithsej dhjetë minutave, secili i pranishëm të lëshonte fokusin drejt dyshes. Dy parë duar po dëshmonin vazhdimisht për njohuritë muzikore të tyre, ndjeshmërinë që buron nga brendësia shpirtërore si dhe për ndikimin e posaçëm tek audienca.

Ndërkaq, pjesa e parë e programit të pasur për këtë mbrëmje solli shumë shpejt edhe veprën tjetër “Violin Sonata No.1 in G-dur, Op.78” të kompozitorit gjerman Johannes Brahms, vepër kjo që po ashtu përgjatë njëmbëdhjetë minutave dukej se nuk kishte asnjë fund. Interpretimi i dyshes, vepër pas vepre sillte një emocion krejtësisht ndryshe por njëkohësisht edhe aq të mrekullueshme. Me tinguj që luhatnin herë nëpër shpejtësi të pakapshme nga syri i pranishëm e herë tjera nëpër një ngadalësi të veçantë, po krijonte një përshtypje se performimi në piano e violinë është aq i lehtë. Por kjo dukshëm binte poshtë atëherë kur një kompleks i melodive kaplonte atmosferën vrullshëm nën gjallërimin flakërues që vinte nga interpretimi i dyshes.

Por, pjesa e dytë e mbrëmjes solli diçka krejtësisht ndryshe nga e para. Me vepra diversive nga kompozitorët e njohur si: Richard Georg Strauss, Percy Grainger, Johann Sebastian Bach, Ferruccio Busoni, Igor Stravinsky, Frédéric Chopin dhe Nathan Milstein, mbrëmë violina dhe pianoja ishin shndërruar në dy trupa që krijonin vija melodish krahas dy instrumentistëve në skenë. Njëra në ngjyrë kafe dhe tjetra bardh e zi, ato kapnin emocionin e publikut dhe në secilën herë veçse shkonin duke shpërthyer në tinguj akoma edhe më shumë.

Në ndërkohë po të shikoje në veçanti tërë prezencën skenike të pianistit Adam Balogh, atëherë do të vëreje një qetësi të pakrahasueshme. Në pamje dukej sikur pianoja gjigande para tij nuk ishte aspak e vështirë për tu zotëruar, teksa në anën tjetër muzika që buronte nën lojën e tij mjeshtërore binte në kontrast të dallueshëm me qëndrimin e tij. Një vijë melodike që çoroditej mes tingujve të rëndë e të lehtë, fundi i së cilës shënohej me një lëvizje të dorës së tij të majtë, po dhuronte një ndjenjë të jashtëzakonshme përgjatë tërë veprave. Pianisti Balogh me një mënyre të habitshme kapte vëmendjen e të pranishmëve dhe e drejtonte tek vetja me një lehtësi të paparë. Kjo dhe jo vetëm e bënte atë që të kishte një vend specifik në zemrën e çdo njeriu.

Në anën tjetër, ishin pikërisht shprehjet e fytyrës së violinistit Ádám Banda ato të cilat tregonin për gjithë mundin e tij artistik. Violina në duart e tij në çdo sekondë të jepte një imazh aq të bukur saqë instrumenti që përballonte pozicione të ndryshme të lëvizjes së harkut të linte një përshtypje se ishte hyjnor. Me një interpretim ndryshe nga e zakonshmja, violinisti Banda solli tinguj që tingëllonin sikurse po fluturonin e po njëlloj ishte edhe harku nën posedimin e tij që shpalosi një shpejtësi të paarritshme. Po ashtu, ishte edhe frymëmarrja e tij që dëgjohej në disa momente ajo që dëshmoi për lënien e shpirtit të tij në skenë.

Edhe pse në të shumtën e rasteve, ishte violinisti Banda ai i cili mori gjithë vëmendjen për shkak të pozicionimit të tij në skenë, ai shpeshherë kthente kokën e tij prapa për të komunikuar me sy me pianistin Balogh i cili qëndronte i ulur në ulësen prapa trupit të violinistit. Ky komunikim që gërshetohej edhe me komunikimin në publik, arriti që të krijonte një lidhje mes tyre. Mbrëmë, pianisti Balogh, violinisti Banda dhe publiku u futën në karuselin e muzikës klasike dhe përjetuan një mbrëmje me rotacione të ndryshme muzikore.

Kështu, krejt në fund ishte improvizimi i veprës “Nocturne in C#-mol” nga kompozitori Frédéric Chopin ajo që kishte ardhur dedikim ndaj “Chopin Piano Fest”, ngase është përshtatur për violinë dhe piano. Kjo vepër që shënoi fundin e kësaj nate e cila mbaroi fiks në orën 22:03, përmbylli një program të tërë veprash që erdhën nëpërmjet dyshes së talentuar.

Pas gjithë asaj performance të pianistit Balogh dhe violinistit Banda, duartrokitjet dhe brohoritjet për dedikimin e tyre ndaj këtij festivali nuk po mbaronin. Qysh nga fillimi i interpretimit të veprave të njohura botërore e deri në fund të tyre, publiku ishte ai që i përcolli ata me një emocion të pashoq. Ndërsa, kur nata shënoi fundin ishin të pranishmit ata që u ngritën në këmbë dhe me buzëqeshje i përcollën të dy instrumentistët deri në prapaskenë me një mori duartrokitjesh si dhe buqeta lulesh.

Për të treguar më shumë rreth programit të përzgjedhur dhe bashkëpunimin me violinistin, për KultPlus foli pianisti Adam Balogh.

“Publiku ishte kaq i mrekullueshëm dhe ishte më mirë se që e kemi pritur ne. Pjesa e parë e programit ishte shumë tradicionale dhe pjesa e dytë kishte shumë transkriptime. Është hera e parë që luaj me violinistin Banda dhe ai është vërtetë i mrekullueshëm dhe i talentuar. Gjithashtu, ky ishte një projekt shumë i shpejtë për t’u bashkuar me të sepse kishim bërë vetëm disa prova, por ishte një përvojë shumë e mirë për të dy ne”, shpalos ai.

Ndërsa, pianisti Agron Shujaku për KultPlus është shprehur se shprehja artistike e të dy instrumentistëve ishte diçka që ai nuk e kishte dëgjuar shumë moti.

“Unë isha në mëdyshje që të vija në këtë koncert por e kuptova shumë shpejt që nuk kam gabuar që kam ardhur. Ishin dy artistë që më prekën me atë interpretimin e tyre shumë suptil. Zakonisht nuk më pëlqejnë dyshet në violinë dhe piano por me të vërtetë ata ishin të mahnitshëm. Ajo se çfarë e bënë të veçantë interpretimin e tyre, është ndjenja e shprehjes artistike shumë suptile, diçka që moti nuk kam dëgjuar dhe mungon shumë tek ne”, thotë Shujaku.

Po ashtu, drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula për KultPlus tha se programi ishte tejet interesant si dhe instrumentistët dukshëm dëshmuan për virtuozitetin e tyre.

“Jam vërtetë e kënaqur që shpalosen vlerat të interpretimit pianistik nëpërmjet virtuozitetit që erdhi sonte në skenë. Koncerti ishte i jashtëzakonshëm me violinistin dhe pianistin të cilët bashkëpunonin muzikalisht në një nivel shumë të lartë. Edhe programi ishte tejet interesant e sidomos me sonatën e fundit që erdhi shumë bukur”, thotë Pula.

‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 8 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e tetë e këtij festivali vjen më datë 25 maj ku do të interpretojë pianisti austriak, Stefan Vladar në një mbrëmje “Piano Recital” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com