Mbrëmja e solistëve solli në Chopin Piano Fest edhe tingujt e fizarmonikës, një interpretim mjaft i rrallë në vendin tonë

Vjollca Duraku

Me mbrëmjen e solistëve është shënuar edhe koncerti i parafundit i festivalit Chopin Piano Fest Prishtina. Risia e mbrëmjes ishte performanca me fizarmonikë e cila dha tinguj të padëgjuar deri më tani në festival, pasi interpretimi me këtë instrument në vendin tonë është mjaft i rrallë, shkruan KultPlus.

Si zakonisht hapjen e koncertit e bëri drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha, e cila u uroi mirëseardhje të pranishmëve dhe e informoi publikun për pikat të cilat do të interpretoheshin.

Më pas, me tinguj muzikor, hapjen e festivalit e bëri fizarmonicisti Shkumbin Miftari i cili interpretoi veprat Gernika të Gorka Hermosa-s, Tango të Astor Piazzolla-s dhe Dark Eyes-  Charles Magnate, i cili publikut në sallë u dhuroi tinguj të lartë duke u pasuar me pauza, tinguj të ulët, e herë ritme konstante shumë të bukura për veshët e dëgjuesve.

Pika pasuese e mbrëmjes u prezantua nga pianistja Njomza Xhaferi me veprat M. Ravel- Gaspard de la nuit: Ondine, F Chopin-Andante Spianato et Grande Polonaise Brilliante op.22. Kjo pikë interpretuese filloi me tinguj të qetë të cilët krijoheshin vetëm me dorën e majtë të pianistes. Tingujt u duk sikur u kompletuan kur në lojë u kyç edhe dora tjetër e pianistes Xhaferi.

Ndërsa të tretët në radhë të performancës ishin flautistja Nina Shala dhe pianistja Lirika Pula Kasapolli me veprat e  Alfred  Casella- Barcarolla et Scherzo dhe Gaubert: Madrigale dhe Sicilienne. Pianoja në këtë rast kishte rolin më shumë të shoqëruesit. Ishte flauti ai i cili e kishte barrën kryesore që e bënte veprën të kishte peshë. Tingujt e lehtë që dhuronte flauti në prapavijë me disa lule të bukura të skenës, krijonin imazhe mendore të një parku mbretëror.

Pas këtij interpretimi pikën e fundit para publikut e dhuruan Njomza Kastrato dhe Dite Hysaj me Piano Duo të cilat interpretuan pikat e  M.Raavel-Ma mére I’Oye dhe A.Piazzola- The Fo të dyja njëkohësisht në një piano. Kjo pikë ishte mjaftë e veçantë pasi në piano interpretonin katër duar me një harmoni të shkëlqyer.

Pas përfundimit të pikës interpretuese të gjithë artistët dolën në skenë dhe e përshëndetën publikun në sallë me përulje, e të cilët gjatë gjithë kohës duartrokisnin.

Pas koncertit pianistja Lirika Pula-Kasapolli për KultPlus ka thënë se për të ishte kënaqësi interpretimi në festival, pasi Chopin Piano Fest është një prej festivaleve më dinjitoze.

“Ishte një kënaqësi shumë e madhe për të luajtur para publikut të Chopin Piano Fest, një prej festivaleve më dinjitoze, i cili është i organizuar në mënyrën më të mirë. Ne ishim me fat që u ftuam për të performuar në këtë mbrëmje”, ka thënë Kasapolli.

 Ndërsa pianistja Njomza Kastrati, gjithashtu ka falënderuar drejtoreshën Lejla Pula për ftesën për pjesëmarrje në festival i cili i kishte lënë shumë mbresa.

“Është shumë ndjenjë e mirë. Është hera e parë për mua që kam luajtur në Chopin Piano Fest. E falënderoj profesoreshën Lejla, e cila na ka ftuar dhe me këtë jemi shumë të kënaqura. Është ambient i ngrohtë dhe është shumë interesant.

Ajo më tutje e shpjegoi edhe teknikën e punës me të cilën interpretoi me Piano Duo “Quhet piano me katër duar, dhe ka shumë vepra të shkruara për të. Pjesa e parë ishte nga Raveeli, kurse pjesa e dytë nga Piazzola. Ne me Ditën bëjmë duo që disa vite. Këtë program pothuajse e kemi luajtur edhe me një koncert tjetër. Por, është si teknikë pak e vështirë shkaku i punës dhe angazhimeve tjera në jetën e përditshme. Mirëpo jemi mësuar me njëra tjetrën dhe është impresionuese puna së bashku”, ka thënë Kastrati.

Ndërsa drejtoresha artistike e Festivalit Chopin Piano Fest, Leja Pula, për KultPlus ka thënë se është shumë e lumtur që kanë arritur ta realizojnë një mbrëmje aq të bukur siç ishte Mbrëmja e Solistëve, në të cilën u paraqitën muzikantë të cilët janë duke e ndërtuar karrierën e tyre.

“Më vjen shumë mirë që arritëm ta realizojmë këtë mbrëmje shumë të bukur. Janë solistët shqiptarë që na sollën vepra të ndryshme, me ngjyra të ndryshme dhe të karaktereve të ndryshme. Ishte një atmosferë e mrekullueshme këtu dhe po më vjen mirë që në skenën tonë të Chopin Piano Fest të paraqiten edhe këta muzikantë të cilët po e ndërtojnë karrierën e tyre si në Kosovë ashtu edhe jashtë vendit”, u shpreh drejtoresha Lejla Pula.

Ajo më tutje bëri të ditur se fizarmonika ishte risia e mbrëmjes, dhe ndihej shumë e lumtur pasi kishin arritur që skenës në Prishtinë t’i sillnin një instrumentist i cili ka arritur suksese të mëdha në skenat ndërkombëtare.

“Fizarmonika është vërtetë një instrument  i cili nuk dëgjohet shumë shpesh në skenën tonë. Është një artist i mrekullueshëm i cili ka studiuar në Tiranë dhe i cili ka mbërritur suksese shumë të mëdha në garat ndërkombëtare, dhe jemi shumë të lumtur që si organizatorë kishim rast që ta prezantojmë atë në skenën tonë”, ka shtuar drejtoresha e festivalit.

Ajo më tutje potencoi dëshirën e saj që Prishtinën ta shndërrojë në një qendër muzikore botërore gjatë festivalit Chopin Piano Fest.

“Unë si drejtoreshë artistike kam dëshirë që Prishtina të shndërrohet në një qendër muzikore botërore gjatë muajit të Festivalit të Chopin. Shpresoj që e kemi arritur këtë synim të cilin e kemi pasur”, ka përfunduar Lejla Pula.

Festivali Chopin Piano Fest, koncertin e radhës dhe të fundit të kësaj maratone të muzikës klasike do ta prezantojë më 9 qershor në të cilin do të performoi pianistja Avery Gagliano, e cila në vitin 2020 ishte fituese e çmimit të parë të Konkursit Ndërkombëtar të Pianos në ShBA. /KultPlus.com

“Chopin Piano Concertos” me Martin Kasik dhe Kuartetin e harqeve ‘Wihan’ në ‘Chopin Piano Fest’

Edicioni i 12-të i festivalit të muzikës klasike ‘Chopin Piano Fest’ tashmë ka filluar rrugëtimin e tij të suksesshëm, përcjell KultPlus.

Festivali më i madh i muzikës klasike i organizuar në Kosovë, këtë vit pritet të ketë 15 koncerte, masterklase, punëtori, gara të ndryshme e aktivitete kulturore. Do të jenë të ftuar kompozitor e pianistë nga vende të ndryshme të Evropës të cilët do të shpalosin para publikut kosovar veprat më të mëdha në piano.

Ndërkaq të mërkurën do të performojnë Martin Kasik dhe Kuarteti i harqeve ‘Wihan’, nën “Chopin Piano Concertos”, koncert ky që vjen në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Çeke në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:00.

Edicioni i sivjetshëm do të sjellë muzikantë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Franca, Austria, Gjermania, Italia, Hungaria, Holanda, Sllovenia dhe Spanja. / KultPlus.com

Duo në flaut dhe piano me Jana Machalett, Enkelejda Zajmi-Gorani dhe Pauline Post, sonte në Chopin Piano Fest

Edicioni i 12-të i festivalit të muzikës klasike ‘Chopin Piano Fest’ tashmë ka filluar rrugëtimin e tij të suksesshëm, përcjell KultPlus.

Festivali më i madh i muzikës klasike i organizuar në Kosovë, këtë vit pritet të ketë 15 koncerte, masterklase, punëtori, gara të ndryshme e aktivitete kulturore. Do të jenë të ftuar kompozitor e pianistë nga vende të ndryshme të Evropës të cilët do të shpalosin para publikut kosovar veprat më të mëdha në piano.

Ndërkaq sonte do të performojnë Jana Machalett, Enkelejda Zajmi-Gorani, Pauline Post në flautë dhe piano, koncert ky që vjen në bashkëpunim me Ambasadën e Holandës në Kosovë, duke filluar nga ora 20:00.

Edicioni i sivjetshëm do të sjellë muzikantë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Franca, Austria, Gjermania, Italia, Hungaria, Holanda, Sllovenia dhe Spanja. / KultPlus.com

Adam Balogh & Ádám Banda, dyshja hungareze që solli një harmoni mbresëlënëse në ‘Chopin Piano Fest’

Era Berisha

Një depërtim i thellë e i mbushur me emocione nga më të ndryshmet ishte vendosur mbrëmë pikërisht përbrenda shpirtit të pranishëm me rastin e interpretimit të pianistit Adam Balogh dhe violinistit Ádám Banda të cilët me prezencën e tyre skenike sollën një program të larmishëm të veprave botërore mbi atmosferën në ‘Chopin Piano Fest’, me ç’rast komplesksiteti i magjishëm i tingujve dhe butësia hyjnore e melodive u ndërlidhën mahnitshëm për të lënë gjurmë në kujtesën e gjithsecilit, shkruan KultPlus.

Tash e shtatë net, Salla e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare po mbledh rreth vetes një numër të madh të artdashësve të muzikës klasike dhe jo vetëm. Skena e rrethuar me lule shumëngjyrëshe tashmë e njohur për çdokënd po ndriçohej nga gjithsej katër reflektorë në ngjyrë të ngrohtë, teksa në prapavijë dukshëm dallohej logoja e festivalit që vjen e ndriçuar nga po ashtu katër reflektorë në ngjyrë të bardhë. Një hijeshi unike e ambientit në gërshetim me padurimin e të pranishmëve për të dëgjuar sa më parë interpretimin e dy instrumentistëve, veçse po krijonte atë ëmbëlsinë e njohur në ambient.

Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha e cila tregoi se kjo mbrëmje vjen në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë në Kosovë.

“Mirëserdhët në mbrëmjen e shtatë me radhë të këtij edicioni. Ne kemi shumë kënaqësi që në këtë mbrëmje kaq të veçantë, të kemi dy muzicientë virtuoz që janë nga Hungaria, si rezultat i një bashkëpunimi të gjatë që kemi me Ambasadën Hungareze në Kosovë. Përmes këtij bashkëpunimi dymbëdhjetë vjeçar, ne kemi vendosur që të kemi edhe një bashkëpunim reciprok me një festival tjetër në Hungari, “Cziffra“ në përkushtim të pianistit legjendar, Christian Georges Cziffra”, thotë Luzha.

Sipas saj, në dy vitet e fundit po shënohet 100 vjetori i lindjes së pianistit, Christian Georges Cziffra.

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Dr. József Bencze gjithashtu i uroi organizatorët për këtë mbrëmje dhe për gjithë punën e tyre përgjatë tërë edicioneve të këtij festivali.

Pianisti Adam Balogh dhe violinisti Ádám Banda dolën në skenë me një buzëqeshje dhe shumë shpejt u mirëpritën nga publiku me duartrokitje të shumta. Ora shënoi fiks 20:20 kur tingulli i parë u lëshua me veprën “Rhapsody No.1 for violin and piano, sz.86, BB 94” të kompozitorit hungarez Béla Bartók. Ky interpretim nga dy instrumentistët hungarez të cilët sollën një energji aq unike në skenë, bëri që përgjatë gjithsej dhjetë minutave, secili i pranishëm të lëshonte fokusin drejt dyshes. Dy parë duar po dëshmonin vazhdimisht për njohuritë muzikore të tyre, ndjeshmërinë që buron nga brendësia shpirtërore si dhe për ndikimin e posaçëm tek audienca.

Ndërkaq, pjesa e parë e programit të pasur për këtë mbrëmje solli shumë shpejt edhe veprën tjetër “Violin Sonata No.1 in G-dur, Op.78” të kompozitorit gjerman Johannes Brahms, vepër kjo që po ashtu përgjatë njëmbëdhjetë minutave dukej se nuk kishte asnjë fund. Interpretimi i dyshes, vepër pas vepre sillte një emocion krejtësisht ndryshe por njëkohësisht edhe aq të mrekullueshme. Me tinguj që luhatnin herë nëpër shpejtësi të pakapshme nga syri i pranishëm e herë tjera nëpër një ngadalësi të veçantë, po krijonte një përshtypje se performimi në piano e violinë është aq i lehtë. Por kjo dukshëm binte poshtë atëherë kur një kompleks i melodive kaplonte atmosferën vrullshëm nën gjallërimin flakërues që vinte nga interpretimi i dyshes.

Por, pjesa e dytë e mbrëmjes solli diçka krejtësisht ndryshe nga e para. Me vepra diversive nga kompozitorët e njohur si: Richard Georg Strauss, Percy Grainger, Johann Sebastian Bach, Ferruccio Busoni, Igor Stravinsky, Frédéric Chopin dhe Nathan Milstein, mbrëmë violina dhe pianoja ishin shndërruar në dy trupa që krijonin vija melodish krahas dy instrumentistëve në skenë. Njëra në ngjyrë kafe dhe tjetra bardh e zi, ato kapnin emocionin e publikut dhe në secilën herë veçse shkonin duke shpërthyer në tinguj akoma edhe më shumë.

Në ndërkohë po të shikoje në veçanti tërë prezencën skenike të pianistit Adam Balogh, atëherë do të vëreje një qetësi të pakrahasueshme. Në pamje dukej sikur pianoja gjigande para tij nuk ishte aspak e vështirë për tu zotëruar, teksa në anën tjetër muzika që buronte nën lojën e tij mjeshtërore binte në kontrast të dallueshëm me qëndrimin e tij. Një vijë melodike që çoroditej mes tingujve të rëndë e të lehtë, fundi i së cilës shënohej me një lëvizje të dorës së tij të majtë, po dhuronte një ndjenjë të jashtëzakonshme përgjatë tërë veprave. Pianisti Balogh me një mënyre të habitshme kapte vëmendjen e të pranishmëve dhe e drejtonte tek vetja me një lehtësi të paparë. Kjo dhe jo vetëm e bënte atë që të kishte një vend specifik në zemrën e çdo njeriu.

Në anën tjetër, ishin pikërisht shprehjet e fytyrës së violinistit Ádám Banda ato të cilat tregonin për gjithë mundin e tij artistik. Violina në duart e tij në çdo sekondë të jepte një imazh aq të bukur saqë instrumenti që përballonte pozicione të ndryshme të lëvizjes së harkut të linte një përshtypje se ishte hyjnor. Me një interpretim ndryshe nga e zakonshmja, violinisti Banda solli tinguj që tingëllonin sikurse po fluturonin e po njëlloj ishte edhe harku nën posedimin e tij që shpalosi një shpejtësi të paarritshme. Po ashtu, ishte edhe frymëmarrja e tij që dëgjohej në disa momente ajo që dëshmoi për lënien e shpirtit të tij në skenë.

Edhe pse në të shumtën e rasteve, ishte violinisti Banda ai i cili mori gjithë vëmendjen për shkak të pozicionimit të tij në skenë, ai shpeshherë kthente kokën e tij prapa për të komunikuar me sy me pianistin Balogh i cili qëndronte i ulur në ulësen prapa trupit të violinistit. Ky komunikim që gërshetohej edhe me komunikimin në publik, arriti që të krijonte një lidhje mes tyre. Mbrëmë, pianisti Balogh, violinisti Banda dhe publiku u futën në karuselin e muzikës klasike dhe përjetuan një mbrëmje me rotacione të ndryshme muzikore.

Kështu, krejt në fund ishte improvizimi i veprës “Nocturne in C#-mol” nga kompozitori Frédéric Chopin ajo që kishte ardhur dedikim ndaj “Chopin Piano Fest”, ngase është përshtatur për violinë dhe piano. Kjo vepër që shënoi fundin e kësaj nate e cila mbaroi fiks në orën 22:03, përmbylli një program të tërë veprash që erdhën nëpërmjet dyshes së talentuar.

Pas gjithë asaj performance të pianistit Balogh dhe violinistit Banda, duartrokitjet dhe brohoritjet për dedikimin e tyre ndaj këtij festivali nuk po mbaronin. Qysh nga fillimi i interpretimit të veprave të njohura botërore e deri në fund të tyre, publiku ishte ai që i përcolli ata me një emocion të pashoq. Ndërsa, kur nata shënoi fundin ishin të pranishmit ata që u ngritën në këmbë dhe me buzëqeshje i përcollën të dy instrumentistët deri në prapaskenë me një mori duartrokitjesh si dhe buqeta lulesh.

Për të treguar më shumë rreth programit të përzgjedhur dhe bashkëpunimin me violinistin, për KultPlus foli pianisti Adam Balogh.

“Publiku ishte kaq i mrekullueshëm dhe ishte më mirë se që e kemi pritur ne. Pjesa e parë e programit ishte shumë tradicionale dhe pjesa e dytë kishte shumë transkriptime. Është hera e parë që luaj me violinistin Banda dhe ai është vërtetë i mrekullueshëm dhe i talentuar. Gjithashtu, ky ishte një projekt shumë i shpejtë për t’u bashkuar me të sepse kishim bërë vetëm disa prova, por ishte një përvojë shumë e mirë për të dy ne”, shpalos ai.

Ndërsa, pianisti Agron Shujaku për KultPlus është shprehur se shprehja artistike e të dy instrumentistëve ishte diçka që ai nuk e kishte dëgjuar shumë moti.

“Unë isha në mëdyshje që të vija në këtë koncert por e kuptova shumë shpejt që nuk kam gabuar që kam ardhur. Ishin dy artistë që më prekën me atë interpretimin e tyre shumë suptil. Zakonisht nuk më pëlqejnë dyshet në violinë dhe piano por me të vërtetë ata ishin të mahnitshëm. Ajo se çfarë e bënë të veçantë interpretimin e tyre, është ndjenja e shprehjes artistike shumë suptile, diçka që moti nuk kam dëgjuar dhe mungon shumë tek ne”, thotë Shujaku.

Po ashtu, drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula për KultPlus tha se programi ishte tejet interesant si dhe instrumentistët dukshëm dëshmuan për virtuozitetin e tyre.

“Jam vërtetë e kënaqur që shpalosen vlerat të interpretimit pianistik nëpërmjet virtuozitetit që erdhi sonte në skenë. Koncerti ishte i jashtëzakonshëm me violinistin dhe pianistin të cilët bashkëpunonin muzikalisht në një nivel shumë të lartë. Edhe programi ishte tejet interesant e sidomos me sonatën e fundit që erdhi shumë bukur”, thotë Pula.

‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 8 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e tetë e këtij festivali vjen më datë 25 maj ku do të interpretojë pianisti austriak, Stefan Vladar në një mbrëmje “Piano Recital” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Arben Ramadani & Armend Xhaferi mbrëmë erdhën “Pa kornizë”, sollën një koncert që doli përtej limiteve

Era Berisha

Një mprehtësi e thellë e tingullit jo të zakonshëm që buronte lehtësisht dhe sillte një emocion të pakrahasueshëm që vendosej pikërisht përbrenda qenies së njeriut, erdhi mbrëmë nëpërmjet mbizotërimit të dy instrumentistëve kosovar, pianistit Arben Ramadani dhe kitaristit Armend Xhaferi, të cilët mbrëmë pushtuan skenën me madhështinë e muzikës xhaz e cila për herë të parë shkeli me këmbë në festivalin “Chopin Piano Fest”, shkruan KultPlus.

Në edicionin e dymbëdhjetë të festivalit, kjo është hera e parë që muzika xhaz ka një hapësirë tejet të veçantë në programin e larmishëm të tyre. E kjo ndërhyrje dukshëm solli me vete edhe një publik krejt ndryshe mbrëmë në sallën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare. Ndonëse ndriçimi ishte i njëjtë si në katër netët paraprake, përsëri ishin dritat e ngrohta përreth dhe sipër skenës ato të cilat dukshëm iu vinin në ndihmë publikut i cili shikonte me ëndje interpretimin e dy instrumentistëve në skenë. Me reflektorë me ngjyrë të bardhë që vinin në pah logon e dizajnit në prapaskenë dhe dritën natyrale e cila gjithmonë rri e vendosur sipër hapësirës në publik, të pranishmit mirëpritën me duartrokitje e buzëqeshje një mbrëmje e cila vulosi këtë edicion me kujtime të paharrueshme.

Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha e cila u shpreh se ndjehet mjaft e kënaqur që në mbrëmjen e pestë të këtij edicioni, është një natë krejtësisht ndryshe nga të tjerat, madje për të gjithë festivalin në përgjithësi.

Për të pranishmit të cilët nuk kishin dëgjuar akoma talentin e mirënjohur të dy instrumentistëve, ishte prezent dhe një libërth që përmbante fakte dhe informacione për pjesëmarrësit në edicionin e 12-të të Chopin Piano Fest. Ndërkaq, përpara se koncerti të shënonte fillimin e tij, skena ishte pushtuar nga tela të cilët janë të njohur për skenën e një koncerti xhaz. Të gërshetuar mes vete, ata ndihmonin për një audio më të mirë të kitarës që pas pak do të pushtohej nga kitaristi Armend Xhaferi.

Në skenë, doli kitaristi Armend Xhaferi i cili e nisi koncertin me një interpretim të dy pjesëve të xhazit dhe e përfundoi atë me një pjesë të vetë kompozimit të tij. Ky interpretim që u shoqërua gjithandej me një qetësi absolute nga ana e publikut, solli melodi të cilat i dhanë jetë skenës dhe e gjallëruan atë në një mënyrë tejet të çoroditur. Ishin tingujt ata të cilët këndshëm rrotulloheshin në atmosferë për të kapluar kështu gjithë vëmendjen e të pranishmëve ndaj vijës melodike sa të butë e të lehtë aq edhe intime.

Ndërkaq, kitara e cila ishte shndërruar në një trup të dytë në skenë krahas kitaristit, ishte ajo që mori vështrime ziliqare. E bukur në pamje, por madhështore në ndezjen e saj, ajo kaploi çdo shpirt të pranishëm nën vorbullën e saj magjike. E interpretimi mahnitës nga kitaristi Xhaferi bëri që pjesa e parë e kësaj mbrëmjeje të jehojë në plot katër muret e vendit dhe jo vetëm.

Gishtërinjtë mbi kitarë dukeshin se kishin marrë një elektrizim të tyrin i cili të jepte ndjenjën se nuk do të kishte fund. Që nga fillimi e deri në përfundim, ata nuk pushonin lëvizjet e tyre precize të kontrolluara nga vetë kitaristi. Ndërsa, ishin vetë shprehjet e fytyrës së tij dhe luhatjet e lehta trupore të cilat dëshmonin për një pasion të zjarrtë për muzikën xhaz. Përgjatë gjithë natës, ti nuk mund të definoje se kush kënd e kishte kapluar në një rënkim melodish. Kitara kitaristin apo e kundërta.

Gjithashtu, pjesa e dytë solli pianistin Arben Ramadani për një rikthim të fuqishëm në skenën shqiptare. Pas rreth shtatë vitesh, ai përsëri shkeli skenën shqiptare dhe e pushtoi atë me një interpretim të pashoq në piano. Prezenca e tij skenike dhe ndryshe nga të gjithë interpretuesit e tjerë, po tregonte për një talent që rrallëherë e gjejmë në mesin tonë. Pianoja përballë tij dhe ai përballë pianos, ishte një dyshe e mrekullueshme që qysh në sekondën e parë tërhoqi dëgjuesin e pranishëm pas vijës melodike.

Meloditë e pastra që vinin ëmbëlsisht nga instrumenti gjigand arrinin të hynin lehtazi përbrenda shpirtit të gjithsecilit. Me një kompleks tingullor, pianisti interpretoi vepra të cilat erdhën krejtësisht ndryshe nga që e prisnim. Introverte në thelb, por aq të fuqishme në atmosferë, veprat e performuara sollën një koncert pianistik që asnjëherë nuk është shfaqur më parë. Nata e mbrëmshme dukshëm la përshtypje të jashtëzakonshme tek publiku kosovar dhe kjo vërehej më së miri edhe atëherë kur të gjithë sytë e pranishëm nuk po largoheshin aspak nga skena e cila ishte e dekoruar me lule shumëngjyrëshe të cilat njëlloj portretizonin llojllojshmërinë e tingujve dhe melodive që buronin nga pianoja.

Eleganca e pianistit Arben Ramadani nuk erdhi vetëm nëpërmjet qëndrimit të tij skenik, ajo u shfaq dhe në lojën e tij pianistike. Vija e tij melodike që posedonte një qartësi të paparë po e fuste publikun në një drithërimë sa të lehtë aq edhe frymëzuese. Karakteristik në lëvizjet e tij, pianisti zotëronte një teknikë autentike të vetën, gjë kjo që të gjithë sallën e shndërroi në pronësinë e tij muzikale. Me sy e vesh drejt skenës, të pranishmit u magjepsën pas jo vetëm instrumentit bardh e zi, por edhe pas pianistit që këtë instrument e bënte të dukej i vogël në krahasim me talentin e tij.

“Chopin Piano Fest” po vazhdon që edhe në natën e pestë të tij të dëshmoj një kapacitet të lartë të profesionistëve kosovarë në muzikë, për të cilët publiku dukej se ishte i etur për t’i parë e dëgjuar.

Kështu, krejt në fund, vepra e cila përmbylli natën në mënyrë fenomenale ishte kënga “Martesa jonë”. Kjo këngë e dëgjuar sa e sa herë përmes zërave më të njohur shqiptarë, mbrëmë erdhi nga dueti unik i pianistit Ramadani dhe kitaristit Xhaferi. Interpretimi i tyre aq i afërt me njëri-tjetrin erdhi në një nivel që se kishim dëgjuar e parë më herët. Një emocion i rrallë në skenë u ngjall nga kjo dyshe e cila gërshetoi pianon dhe kitarën në një këngë shqipe që shënoi fundin e kësaj mbrëmje madhështore.

Ky koncert në thelb përmbante disa vepra popullore dhe “Nokturna” të kompozitorit Frédéric Chopin, në fakt nuk kishte një përmbajtje të saktë të programit, për arsye se dyshja me dëshirën e tyre sollën improvizime në vepra të ndryshme të xhazit. Kjo ndodhi me qëllim që gjithçka të ishte spontane jo vetëm në skenë por edhe në muzikë. Kjo padyshim që solli një koncert tejet unik, duke filluar nga vetë programi që ishte i titulluar “The story of Arben” dhe “The story of Armend”. Ndërsa vetë koncerti erdhi në emërtimin “Pa kornizë”, një emërtim ky i saktë për këtë mbrëmje që me të vërtetë doli përtej limitit dhe solli një interpretim shpirtëror dhe tejet personal të vetë instrumentistëve.

Pas këtyre perfomancave të shumta ku secila erdhi në një frymë ndryshe, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta ato të cilat u bënë pjesë kyçe në hapësirën e publikut i cili u ngrit në këmbë dhe vazhdonte të falënderonte të dy instrumentistët.

Për të treguar më shumë rreth natës së mbrëmshme, për KultPlus foli dirigjenti Edon Ramadani i cili e vlerësoi lartë këtë dyshe.

“Kjo është diçka e re përbrenda festivalit. Është diçka shumë e bukur sepse edhe unë shpesh kam eksperimentuar dhe jam adhurues i të dy zhanreve, klasikes dhe xhazit. Arbeni është një pianist shumë i veçantë duke marrë parasysh se në interpretimin e tij ka edhe shumë ngjyrime të impresionizmit dhe klasicizmit. Ai është edhe një njohës shumë i mirë i polifonisë së barokut dhe të gjitha këto ai i shfrytëzon shumë bukur dhe krijon një stil unik të vetes si xhaz pianist”, thotë Ramadani.

Sipas tij, publiku kosovar e mirëpret shumë mirë muzikën xhaz dhe natyrisht është shumë i etur për të dëgjuar këtë zhanër në mungesë të koncerteve dhe festivaleve xhaz.

Ndërkaq pianisti Arben Ramadani për KultPlus tregoi emocionet e tij për një rikthim në vendin e tij si dhe bashkëpunimin me kitaristin.

“Është shumë emocionues rikthimi pas shumë viteve në një vend ku unë kam lind dhe kam performuar në prani të audiencës shqiptare. Unë ende e ndjej veten këtu dhe jam i lidhur në njëfarë mënyre mistike me këtë vend. Andaj, ky ka qenë rast shumë i qëlluar. Ne me Armendin kemi ushtruar dje dhe menjëherë kishim një interaksion të paparë me të në muzikë”, thotë ai.

Arbeni tregoi tutje se programi ka qenë jo i planifikuar por një improvizim i hapur, gjithmonë duke u bazuar në disa shtylla.

Po ashtu, kitaristi Armend Xhaferi për KultPlus shpalosi përshtypjet e tij pas një koncerti të tillë.

“Kjo është hera e parë që po marr pjesë në një festival të muzikës klasike. Ishte një kënaqësi e madhe për të performuar me Arbenin sepse kemi pasur dëshirë qysh herët që të performojmë së bashku. Kryesisht ideja ishte që të mos shkojmë me muzikë të përgatitur që në njëfarë mënyre të nxjerrim muzikën që na është mbledhur në shpirt tash e sa vite. Donim që muzika të dilte spontanisht”, thotë Xhaferi i cili tutje tregoi se kjo është hera e parë që ata të dy interpretojnë së bashku në një koncert.

Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 10 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e gjashtë e këtij festivali vjen më datë 20 maj ku do të interpretojë pianisti gjerman, Florian Uhlig në një mbrëmje “Piano Recital” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

“Recital në piano” me François Dumont solli mbrëmë një lojë madhështore në ‘Chopin Piano Fest’

Era Berisha

I vendosur thellë në brendësinë e pianistit François Dumont, qëndronte besueshmëria e mrekullueshme që ai e posedonte në vetvete. Me një qëndrueshmëri në skenë, prezencë të pakrahasueshme dhe një pasion që i fliste vazhdimisht publikut, ai solli vepra jashtëzakonisht të vështira në realizim por aq të bukura në pamje, me ç’rast zotëroi jo vetëm çelësat bardh e zi para tij por të gjithë vëmendjen e gjithsecilit duke arritur një kulminacion nëpërmjet së cilës dukshëm dallohej fundi i çdo vepre mahnitëse, shkruan KultPlus.

Si në secilin koncert, hapësira në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare qëndronte e njëjtë. Me katër drita të ngrohta që vinin në pah punën e palodhshme të pianistit në skenë, dy reflektorë në ngjyrë vjollcë që shndrisnin mbi perdet bardh e zi të cilat portretizonin dizajnin e festivalit, dritën natyrale e cila vinte sipër nga dritarja e madhe rrethore mu në mes të vendit si dhe lulet e renditura poshtë në skenë, po krijohej një atmosferë e ngrohtë mes të pranishmëve që po prisnin me padurim shënimin e fillimit të këtij koncerti.

“Mirëserdhët në edicionin e dymbëdhjetë të Chopin Piano Fest. Ne jemi shumë të lumtur që në këtë mbrëmje po bashkëpunojmë me Ambasadën Franceze në Kosovë për të sjell një pianist të vërtetë të skenave botërore siç është pianisti Dumont i cili njëkohësisht është fitues i garave të Chopin”, thotë Luzha.

Ndërkaq, ambasadorja e Republikës së Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel po ashtu ka shprehur kënaqësinë e saj rreth këtij bashkëpunimi dhe e uroi festivalin për edicionin e 12-të.

Pas këtyre fjalimeve, në sallë mbizotëroi heshtja për të sjellë në skenë me duartrokitje të shumta pianistin i cili fiks në orën 20:20 lëshoi tingullin e parë të veprës së parë për këtë mbrëmje. Me një program tejet të pasur dhe të larmishme në renditje, pianisti Dumont solli veprat e kompozitorit të njohur Frédéric Chopin si: “Impromtu n.3 op.51”, “Impromptu n1. Op.29”, “Nocturne op.48 n.1”, “Ballade n.1 op.23”, “Nocturne op.9 n.2”, “Ballade n.3 op.47”. Ndërkaq, pjesa e dytë e mbrëmjes përfshiu veprat si: “Ballade n.2 op.38”, “Largo (Variation on Bellini’s Puritani, from Hexameron)”, “Fantaisie-impromptu”, “Impromptu n.2 op.36”, “Scherzo n.3 op.39”, “Mazurka op.63 n.2” dhe “Ballade n.4 op.52”.

Tash e katër net festivali ka sjell mbrëmje të cilat kanë lënë gjurmë në kujtesën e secilit por kësaj here ishte më ndryshe. Lëvizjet e tij precize në secilin moment dëshmuan për talentin e tij i cili shfaqej ëmbëlsisht në notat nga më të lehtat e deri ato më të rëndat. Por veçantia e tij qëndronte tek përzierja e qetësisë dhe ashpërsisë në një ndërlidhje të magjishme e cila solli tinguj dhe melodi që nuk u shqiteshin shpirtit të pranishëm.

Lëvizjet e gishtërinjve të tij herë në një rëndim të rëndomtë e herë vetëm në prekje tejet të lehta të çelësave, pozicionimi i këmbëve të tij varësisht veprës, vështrimet e tij që dukshëm tregonin për një dashuri që i dedikohej vetëm instrumentit të pianos, fuqia e tij pianistike që i portretizohej në mbylljen e syve dhe magjinë e interpretimit, shpalosën një dhunti që vështirë se e shohim shpesh. Përveç kësaj, performimi i tij përgjatë pothuajse dy orëve të veprave të vetëm një kompozitori, nuk solli aspak një monotoni. Përkundrazi, niveli i lartë artistik i tij herë frymonte në një melankoli dhe herë tjera sillte një frymë më të ashpër, por qetësia e interpretimit e tij arriti që këtë mbrëmje ta fuste në një strehë ku fluturonin tingujt në secilin cep. Sytë e të pranishmëve pothuajse po kapnin secilën notë të dhuruar dhe po i mbanin ato në mendje, e kjo vërehej dhe atëherë kur kokat e tyre lëviznin në një vijë me kokën e pianistit.

Në anën e djathtë e në anën e majtë, po kthehej koka e pianistit Dumont i cili vazhdonte interpretimin e tij të mahnitshëm të melodive nga më të butat ndonjëherë. Nuk ishte vetëm vendi ai i cili po hipnotizohej nga këto vepra që në një mënyrë brilante erdhën mbrëmë dhe vallëzuan me publikun i cili tash e sa kohë është i etur për koncerte klasike të këtij niveli. Ndërkaq, kur performanca e tij artistike  arrinte kulmin në fundin e çdo vepre, dora e tij e majtë qëndronte në ajër për ca çaste dhe ajo qetësi hyjnore nuk do të krahasohej me asnjë moment tjetër përgjatë mbrëmjes. Në anën tjetër, me dorën e djathtë të tij ai prekte gjithë çelësat bardh e zi në një rrjedhë të lehtë e që njëkohësisht shpalosi një teknikë tejet të bukur, përshtypjet e së cilës dalloheshin edhe në mesin e të pranishmëve.

Madhështia e lojës pianistike të pianistit mbrëmë po ndikonte tek çdo njeri i pranishëm. Shprehjet e fytyrave në publik tregonin për një entuziazëm të pashoq e kjo vinte pikërisht nga talenti i Dumont që ai e kishte përbrenda vetes. Një inspirim për shumë kë e një shembull për tu ndjekur, pianisti mbrëmë rrëmbeu zemrat e gjithsecilit duke i lënë kështu ata me momente që do të kujtohen për një kohë të gjatë dhe me një ëndje do të fshihen në katër muret e kujtesës sonë.

Tashmë ishte radha e publikut që të interpretojë një numër të madh të duartrokitjeve dhe fishkëllimave të cilat ndërlidheshin në një harmoni që e riktheu pianistin për të dytën herë në skenë. Ndërsa, falënderimet për të nuk munguan as edhe pas përfundimit të koncertit, me ç’rast ishin fotografitë dhe buzëqeshjet e shumta që zunë vend pas mbylljes së notave të fundit për këtë mbrëmje.

Pianisti François Dumont për KultPlus foli rreth emocioneve të tij pas një koncerti të tillë si dhe komunikimit me audiencën.

“Ishte diçka shumë e fortë për mua që isha këtu sonte sepse takova njerëz shumë të ndjeshëm dhe emocionalë që reagojnë ndaj muzikës. Festivali është i mrekullueshëm sepse tregon diversitetin e muzikës së Chopin dhe sigurisht është një festival jashtëzakonisht cilësor. Publiku këtu është shumë spontan dhe bujar në dëgjimin dhe vlerësimin e tyre, kështu që për mua si interpretues ishte shumë e bukur dhe një moment i këndshëm”, thotë Dumont.

Sipas tij, ai ndjeju një lidhje shumë të natyrshme, sepse me disa audienca kur ai luan, ndjehet pak një pengesë e vogël, por që këtu nuk kishte fare një barrierë e tillë.

Pianistja Zana Badivuku-Basha për KultPlus tha se pianisti ka arritur të realizojë vepra të një niveli shumë të lartë.

“Prej biografisë së këtij artisti, e pamë që ai zotëron një numër të madh të veprave të kompozitorëve të njohur. Sonte e patëm rastin të shohim një opus shumë të gjerë, duke përfshirë katër balada, mazurkat, nokturnat e famshme dhe ne ishim me të vërtetë shumë të pasionuar pas tingullit të tij, tingull ky që na ofrojë nuanca të ndryshme që nga më të lehtat e deri në kulminacione”, thotë Badivuku-Basha.

Sipas saj, pianisti me shumë lehtësi realizonte veprat e nivelit shumë të lartë si dhe veprat që ishin mjaft të vështira në teknikë, por që për veshin e dëgjuesit dalin si shumë të thjeshta.

Po ashtu për KultPlus pianistja Valbona Pula-Petrovci tregoi përshtypjet e saj rreth interpretimit të pianistit që sipas saj ishte i mrekullueshëm.

“Ishte një performancë vërtetë e mrekullueshme dhe mua po më vjen mirë që iu është mundësuar publikut ta dëgjojë një mbrëmje të tërë me veprat e Chopenit të cilat edhe dallohen për një sensibilitet të jashtëzakonshëm e mes tjerash më vjen mirë që ky është edicioni i dymbëdhjetë dhe që interesimi i publikut është i jashtëzakonshëm, gjë kjo që tregon se publiku është i etur për ngjarjet të tilla kulturore”, thotë Pula-Petrovci.

‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 11 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e pestë e këtij festivali vjen më datë 18 maj ku do të interpretojnë Arben Ramadani në piano dhe Armend Xhaferi në kitarë në një mbrëmje ‘Jazz & Improvisation’ në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Pianisti Martín García García hapi ‘Chopin Piano Fest’ me vepra dhe interpretim të nivelit botëror

Era Berisha

Edicionin e tij të 12-të, festivali ‘Chopin Piano Fest’ e nisi mbrëmë me interpretimin e pianistit nga Spanja, Martín García García, i cili nën tingujt romantik solli vepra që lanë gjurmë të dukshme në tërë historinë e rrugëtimit të festivalit. Me vepra të cilat në vete përmbanin vija melodike aq të pasura, gjallëria dhe shpejtësia e pakrahasueshme e pianistit do të ishin ato rrënjët e dalluara të talentit të tij që për tërë natën sollën tinguj të cilat lulëzonin midis dinamikës dhe ndjeshmërisë, me ç’rast emocioni që portretizohej pa shkujdesje në çdo moment, arriti të vulosë edhe kulminacionin e secilës kryevepër, shkruan KultPlus.

Për dallim nga edicioni i kaluar, Amfiteatri i ri i Bibliotekës Universitare ishte i mbushur cak më cak. Fytyra të shumta të të rinjve, atyre në moshë si dhe të fëmijëve po përshkonin tërë sallën e cila dukshëm kishte përdorur tërë hapësirën e mundshme. Me karrige të shtuara në numër, dy reflektorë në ngjyrë vjollcë që kanë qenë dëshmitar për punën e palodhshme të pianistit, dritave të ngrohta të vendosura gjithandej, dritës natyrale që vinte pingul nga qielli mbi kokën e të pranishmëve si dhe perdet në ngjyrë të zezë që portretizonin dizajnin e këtij edicioni të festivalit, kanë krijuar një atmosferë të ngrohtë që po rriste emancipimin e publikut i cili me padurim po priste të përjetonte një natë të mbushur me plot veçanti.

Hapjen e festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha artistike Lelja Pula e cila fillimisht tregoi për bashkëpunimin e parë me Zyrën e Bashkimit Evropian, pastaj shpalosi edhe një nga risitë më të veçanta të këtij edicioni.

“Sivjet e fillojmë festivalin me një ditë shumë të veçantë për të gjithë ne, në ditën e Evropës duke shënuar edhe për herën e parë bashkëpunimin tonë me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ndihemi të nderuar me ardhjen e pianistit virtuoz nga Spanja, Martín García García i cili është një nga fituesit e çmimit të garave të Chopeni-t në Varshavë në vitin 2021, një nga konkurset më të mëdha e më të rëndësishmet në botë. Njëkohësisht jemi të privilegjuar të jemi pjesë e projektit SYNERGY së bashku me pesë festivalet më të rëndësishme nga rajoni. Qëllimi kryesor i festivalit është prezantimi dhe kultivimi i vlerave të mirëfillta artistike muzikore por edhe vlerave të muzikës së vendit tonë”, thotë Pula.

Sipas saj, i gjithë programi koncertal që është përgatitur për publikun, ka për synim të paraqes çaste të paharruara të përjetimit artistik, ku përgjatë një muaji përmes 14 koncerteve shpalosen programet e larmishme të nivelit më të lartë artistik.

Drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha foli rreth kontributit që ky festival ka sjell përgjatë 12 viteve në një sallë e cila nuk është e duhur për këto koncerte.

“Rrugëtimi i gjatë prej 12 viteve ka qenë i mundur vetëm falë përkrahjes së shumë institucioneve dhe siç e dimë ne ende nuk e kemi një sallë koncertale. Por për këto vitet e fundit, për fat të mirë, kemi gjetur hapësirën që na ka ofruar Universiteti i Prishtinës, në një sallë e cila nuk është për koncerte por ne e kemi shndërruar në një të tillë. Përpos punës tonë akademike, mundohemi që edhe me këtë festival të ofrojmë një kontribut gjithë shoqërisë tonë dhe komunitetit artistik”, thotë Luzha.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti ka thënë se ky festival është një dritare lidhëse ndërmjet artit kosovar dhe veprave kulmore artistike ndërkombëtare.

“Ky festival këtë vit po organizohet për të dymbëdhjetën herë dhe mbajtja në jetë me sukses për një periudhë kaq të gjatë të kësaj ngjarjeje kulturore në këtë mënyrë dhe shndërrimi në një ngjarje tradicionale, paraqet në vetvete sukses të veçantë. Ky festival tradicionalisht ka sjell në vendin tonë, artistë të mirënjohur ndërkombëtarë nga mbarë bota, duke shërbyer kështu si një dritare ndërlidhëse ndërmjet artit kosovar dhe veprave kulmore artistike ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, Chopin Piano Fest ka mundësuar ndër vite që përveç prezantimit të veprave nga artistë ndërkombëtarë, përpara artdashësve të Kosovës, të ofrojë mundësi të përkryer edhe për artistë të rinj nga Kosova në mënyrë që ata të prezantohen me kontributet e tyre artistike para emrave të njohur ndërkombëtarë”, thotë Sahiti.

Sipas tij, për UP-në, ngjarjet si kjo sjellin freski në aktivitete të zakonshme akademike dhe po ashtu ndihmojnë në pasurimin e jetës kulturore për studentët dhe mësimdhënësit.

Tutje, ambasadori Tomáš Szunyog ka uruar ditën e Evropës dhe në të njëjtën kohë ka përgëzuar të pranishmit për këtë aktivitet.

“Është kënaqësi dhe privilegj që jam këtu në këtë mbrëmje për hapjen e këtij edicioni në Prishtinë. Sot ne festojmë Ditën e Evropës dhe jam shumë mirënjohës që ju na leni të shijojmë muzikën tuaj në këtë rast të veçantë. Jam i kënaqur që shoh një kulturë të tillë shkëmbimi. Në fund të fundit, muzika dhe kultura na lidh të gjithëve dhe kjo mbrëmje nuk do të jetë ndryshe nga ajo”, thotë Szunyog.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku e konsideroi këtë festival si njërin ndër më të rëndësishmit si dhe e cilësoi atë si një nga ngjarjet që ka kontribuar në futjen e Kosovës në hartën botërore.

“Besoj që nuk ka mënyrë më të mirë për të shënuar një ditë kaq të rëndësishme për shtetin tonë dhe për të treguar ambiciet tona evropiane sesa me një koncert pianistik, me rastin e hapjes ‘Chopin Piano Fest Prishtina’. Është një nga festivalet më të rëndësishme në vendin tonë dhe një nga ngjarjet që ka ndikuar e kontribuar që Kosova të futet në hartën jo vetëm evropiane por edhe botërore. Unë vetëm dua të shpreh mirënjohjen time të thellë personale dhe institucionale për profesoreshën Lejla, Besa dhe të tjerët. Andaj, do të doja të ju ftoja që me një duartrokitje ta shprehim mirënjohjen tonë për punën kolosale që kanë bërë sepse ky organizim nuk është më vetëm një festival por është një histori”, thotë Çeku.

Pas këtyre fjalimeve, në sallë mbizotëroi heshtja për të sjellë në skenë fillimisht një vepër e cila vuri në shënjim solidarizimin me Ukrainën me një mesazh për paqe, dashuri dhe mirësi në mes njerëzish.

Martín García García, pianisti nga Spanja me veprat e kompozitorit të njohur J.S.Bach të titulluara “Prelude and Fugue g-mol BWW, Book II”, “Prelude and Fugue C-dur BWW, Book I” dhe “Prelude and Fugue D-dur BWW, Book I”, solli një fillim që lehtazi kaploi të pranishmit në befasi me përqendrimin preciz të tij. Skena u shndërrua në trupin e tij të dytë dhe hija e atij trupi krijoi një çati mbi të pranishmit të cilët ishin dëshmitarë për ritmin dinamik, kërcimet trupore të tij si dhe ato të kokës me ç’rast kaçurrelat e tij kërcenin në një hap me meloditë që pa ndalur krijuan një atmosferë magjike.

Lëvizjet e tij të gishtërinjve, pozicionimi i trupit herë afër çelësave bardh e zi e herë sa më larg tyre, fuqia ndëshkuese kundrejt çelësave dhe tasteve, vështrimet e tij drejt instrumentit gjigand para tij si dhe djersët që i rrëshqitnin nga vetullat, shpalosën efikasitetin e këtij pianisti i cili me talentin e tij mbrëmë e strehoi një numër të madh njerëzish, trupat e të cilëve ishin kthyer në statuja muzesh teksa sytë e tyre fluturonin në drejtim të skenës. Ndërsa veshët e të pranishmëve përjetonin melodi e tinguj që jehonin përbrenda shpirtit të njeriut, pianisti vazhdonte të interpretonte me një butësi e cila dallohej në fytyrën e tij.

Pianisti García García përgjatë dy orëve interpretimi të veprave të njohura të kompozitorëve botërorë si: Johann Sebastian Bach, Frédéric Chopin dhe Franz Liszt, shpalosi një program i cili tregoi për nivelin e tij të lartë artistik. Herë në frymë romantike e herë në atë më të ashpër, në çdo moment, ai pushtoi vendin me lojën e tij pianistike. Vetëm një piano mjaftoi që shprehjet e tij të fytyrës të ndërronin nga sekonda në sekondë për të sjell kështu tinguj që hapnin krahët në drejtimin e publikut dhe vallëzonin me dashurinë që shihej në sytë e tyre për interpretimin e momentit. Ndërkaq, lidhja e veçantë e pianistit me pianon e zezë u vërejt edhe në komunikimin e tij artistik me të pranishmit të cilët kishin ngulitur vëmendjen e tyre drejt skenës. Performanca e tij plot fuqi ripushtonte vetveten në secilën herë që meloditë ndërronin kahje, tingujt rëndoheshin dhe zemrat fillonin të rrihnin më shpejt.

Madhështia unike e interpretimit pianistik, mjeshtëria e atij që e zoton skenën, ndërlidhja e një emocioni me tingullin, lëvizjet në kërcim me notën, pasioni i vizatuar në shprehjet e fytyrës, puna e palodhshme pa një partiturë para, lënia e shpirtit përballë botës melodike, ishin këto vetëm disa nga pjesët kyçe që publiku ka arritur të përjetojë. Njeriu i pranishëm tërhiqej vazhdimisht nëpër skutat magjike të lojës interpretuese të pianistit i cili mbrëmë i derdhi ato me një lehtësi të paparë.

Ndërkaq, ishin duartrokitjet e shumta e të panumërueshme, ato të cilat po ashtu u futën nëpër heshtjet e shumta në sallë. Në çdo mesin e një vepre, duartrokitjet pëlcitnin papritmas dhe ishin pikërisht heshtjet precize brenda veprës ato që u mbushën me falënderimet nga ana e publikut që i shpërfaqën në një mënyrë tejet të ëmbël. Si një pjesë e një enigme, edhe publiku u shndërrua në copëzën e fundit, për të kompletuar kështu një natë e cila përherë do të mbetet unike në llojin e vetë.

Pas gjithë kësaj performance të mrekullueshme të tij, brohoritjet mbizotëruan vendin. Ato nuk po pushonin interpretimin e tyre duke vazhduar me minuta të shumtë dhe si një falënderim i mëtejshëm, ishte kthimi i pianistit për të dytën herë në sallë për të sjell edhe copëza tjera artistike.

Misteri i magjisë pianistike do të jetë ai që do e përndjek piansitin Martín García García nëpër çdo vend që ai shkel. Ndërsa, mrekullia që ai solli mbrëmë në festivalin ‘Chopin Piano Fest’ do mbetet për ne një mister i paharrueshëm dhe gjurmët e tij do të mbesin brenda katër mureve të shpirtit artdashës.

Pianisti Martín García García për KultPlus foli rreth emocioneve të tij pas një koncerti të tillë.

“Ndihem shumë mirë sepse nuk e prisja një reagim kaq pozitiv dhe ndjeva një pritje shumë të ngrohtë. Ata iu përgjigjën aq mirë gjithçkaje që i dhashë audiencës, kështu që jam shumë mirënjohës që më patën sonte këtu. Kosova është një vend shumë interesant në botë. Sa herë që vizitoj një vend të ri, më vijnë disa ide dhe këtë herë është shumë interesante, sepse ndihem sikur ky vend meriton shumë më tepër nga koha ime”, thotë García García.

Sipas tij, ai pranoi ofertën e drejtoreshës së festivalit për arsye se ndjeu një intuitë tejet të bukur.

Po ashtu, për të treguar më shumë rreth përzgjedhjes së këtij artisti për këtë natë, për KultPlus foli drejtoresha artistike Lelja Pula.

“Unë këtë pianist e kam dëgjuar në muajin tetor kur isha prezente në një festival dhe ai ishte në raundin e tretë dhe në fund ai e fitoi praktikisht çmimin e dytë të atij festivali por për mua personalisht ai ishte më i miri dhe mua më pëlqej jashtëzakonisht shumë performanca e tij. Isha e mahnitur dhe e kontaktova menjëherë dhe ai pa asnjë hezitim e pa asnjë pyetje, me shumë dëshirë ka ardhur këtu”, thotë Pula.

Sipas saj, kjo sallë ndonëse nuk është më e duhura, së paku ka një akustikë të mirëfilltë që është shumë e rëndësishme për një koncert të tillë.

“Kemi 14 koncerte brenda kornizës një mujore, me programe të ndryshme dhe risinë me një mbrëmje të improvizimit ‘jazz’ me Arben Ramadanin dhe Arben Xhaferin, e kjo do të jetë padyshim shumë interesante. Pastaj do të kemi më shumë duo, trio, instrumente nga më të ndryshmet, pastaj një Kuintet nga Katanja. Besoj që shija e secilit do të ketë vend në këtë edicion”, përfundon ajo.

Gjithashtu, pianistja Alberta Troni për KultPlus tregoi përshtypjet e saj rreth natës së parë në festivalin ‘Chopin Piano Fest’.

“Shpresoj që publiku është ndarë shumë i kënaqur pasi që pianisti është duartrokit shumë gjatë dhe është kthyer shumë gjatë duke u kthyer dy herë për të luajtur përsëri. Jemi shumë të gëzuar që filluam me një vullnet të bukur këtë edicion dhe faktikisht përzgjedhja e këtij pianisti ishte tejet e bukur, i cili ka fituar garën e Chopen-it në Varshavë. Relativisht i ri por ai është një pianist virtuoz që koncerton nëpër të gjitha vendet e botës. Ajo që më pëlqeu ishte që filluam me një pianist shumë të njohur dhe publiku ishte shumë i entuziazmuar”, thotë Troni.

‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 13 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e dytë e këtij festivali vjen më datë 12 maj ku do të interpretojë Bernardo Brizani dhe Misbah Kacamaku në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com

Sonte fillon ‘Chopin PianoFest Prishtina’

Edicioni i 12-të i festivalit të muzikës klasike Chopin Piano Fest do të filloj sonte dhe në ceremoninë hapëse do të jetë i ftuar për të interpretuar, Martin Garcia Garcia, pianist nga Spanja.

Martín García García është pianist i lindur në Gijón, Spanjë, në vitin 1996. Ai filloi studimet e tij muzikore në moshën 5-vjeçare, me Natalia Mazoun dhe Ilyà Goldfarb. I diplomuar në Shkollën e Muzikës Reina Sofía, ai studioi atje për më shumë se një dekadë me Galina Eguiazarova – ku edhe morri çmimin për Studentin më të Mirë të katedrës nga Madhëria e Saj Mbretëresha Sofía. Ai kreu studimet Master në Piano në Mannes School of Music në Nju Jork.

Martín ka fituar çmimet e para në disa konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare, duke theksuar fitoren e tij në Konkursin Ndërkombëtar të Pianos në Cleveland 2021 dhe Çmimin e tij të 3-të në Konkursin Ndërkombëtar të XVIII të Chopin të Pianos (dhe çmimin special për Koncertin më të Mirë). Ai mori çmimin e parë në Institutin dhe Festivalin Ndërkombëtar të Tastierës 2018, të mbajtur në Nju Jork ku edhe banoi dy vite, duke përfunduar trajnimin e tij artistik me pianistin e shquar Z. Jerome Rose.

Festivali më i madh i muzikës klasike i organizuar në Kosovë, këtë vit pritet të ketë 15 koncerte, masterklase, punëtori, gara të ndryshme e aktivitete kulturore. Do të jenë të ftuar kompozitor e pianistë nga vende të ndryshme të Evropës të cilët do të shpalosin para publikut kosovar veprat më të mëdha në piano.

Festivali do të filloj sot me 9 maj dhe do të zgjas plot një muaj deri me 9 qershor.

Ceremonia hapëse sot do të filloj nga ora 19:00 në hapësirën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare.

Drejtore artistike e këtij festivali është Lejla Haxhiu-Pula.

Edicioni i sivjetshëm do të sjellë muzikantë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Franca, Austria, Gjermania, Italia, Hungaria, Holanda, Sllovenia dhe Spanja. / KultPlus.com

Të hënën fillon ‘Chopin PianoFest Prishtina’

Chopin Piano FEST Prishtina 2022 e nis rrugëtimin e sivjetmë më 9 maj 2022, me dy deri në tre netë ngjarjesh gjatë çdo jave të muajit deri në koncertin përmbyllës, më 8 qershor 2022. Festivali do të ofrojë koncerte, masterklasë me studentë, konkursin tradicional të Çmimit Special si dhe konkursin kompozicional ‘Për nder të Chopin-it’.

Edicioni i sivjetshëm do të sjellë muzikantë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Franca, Austria, Gjermania, Italia, Hungaria, Holanda, Sllovenia dhe Spanja.

Festivali do të mbledhë pianistë të shquar vendas dhe ndërkombëtar, që interpretojnë jo vetëm veprat e Chopin-it, por edhe kompozitorë të tjerë të njohur, klasikë dhe bashkëkohorë.

Të ftuarit do të prezantohen me kompozime për solo piano dhe ansamble muzikore për piano (trio, duo, sekstet). Niveli i lartë artistik i programit është përgatitur nga drejtoresha artistike e festivalit Lejla Haxhiu-Pula dhe do të ofrojë përjetime të reja të interpretimit të repertorit kryesor të muzikës për piano siç u veprua edhe në edicionet e fundit, ku performuan pianistë të mëdhenj botëror.

Qëllimi i Chopin Piano FEST nuk është vetëm të ofroj emra të rinj, por edhe të sjell muzikantët më të mirë në Kosovë, të krijojë miqësi dhe rrjete bashkëpunimi. / KultPlus.com

Publikohet programi për edicionin e sivjetëm të ‘Chopin PianoFest Prishtina’

Chopin Piano FEST Prishtina 2022 e nis rrugëtimin e sivjetmë më 9 maj 2022, me dy deri në tre netë ngjarjesh gjatë çdo jave të muajit deri në koncertin përmbyllës, më 8 qershor 2022. Festivali do të ofrojë koncerte, masterklasë me studentë, konkursin tradicional të Çmimit Special si dhe konkursin kompozicional ‘Për nder të Chopin-it’.

Edicioni i sivjetshëm do të sjellë muzikantë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Franca, Austria, Gjermania, Italia, Hungaria, Holanda, Sllovenia dhe Spanja.

Ndërkaq sot është bërë i ditur edhe programi tejet i pasur dhe i larmishëm i këtij edicioni, program ky të cilin mund ta shihni më poshtë:

Pra, festivali do të mbledhë pianistë të shquar vendas dhe ndërkombëtar, që interpretojnë jo vetëm veprat e Chopin-it, por edhe kompozitorë të tjerë të njohur, klasikë dhe bashkëkohorë.

Të ftuarit do të prezantohen me kompozime për solo piano dhe ansamble muzikore për piano (trio, duo, sekstet). Niveli i lartë artistik i programit është përgatitur nga drejtoresha artistike e festivalit Lejla Haxhiu-Pula dhe do të ofrojë përjetime të reja të interpretimit të repertorit kryesor të muzikës për piano siç u veprua edhe në edicionet e fundit, ku performuan pianistë të mëdhenj botëror. / KultPlus.com

‘Chopin PianoFest Prishtina’ fillon më 9 maj

Chopin Piano FEST Prishtina 2022 e nis rrugëtimin e sivjetmë më 9 maj 2022, me dy deri në tre netë ngjarjesh gjatë çdo jave të muajit deri në koncertin përmbyllës, më 8 qershor 2022. Festivali do të ofrojë koncerte, masterklasë me studentë, konkursin tradicional të Çmimit Special si dhe konkursin kompozicional ‘Për nder të Chopin-it’.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se edicioni i sivjetshëm do të sjellë muzikantë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Franca, Austria, Gjermania, Italia, Hungaria, Holanda, Sllovenia dhe Spanja.

Festivali do të mbledhë pianistë të shquar vendas dhe ndërkombëtar, që interpretojnë jo vetëm veprat e Chopin-it, por edhe kompozitorë të tjerë të njohur, klasikë dhe bashkëkohorë.

Të ftuarit do të prezantohen me kompozime për solo piano dhe ansamble muzikore për piano (trio, duo, sekstet). Niveli i lartë artistik i programit është përgatitur nga drejtoresha artistike e festivalit Lejla Haxhiu-Pula dhe do të ofrojë përjetime të reja të interpretimit të repertorit kryesor të muzikës për piano siç u veprua edhe në edicionet e fundit, ku performuan pianistë të mëdhenj botëror.

Qëllimi i Chopin Piano FEST nuk është vetëm të ofroj emra të rinj, por edhe të sjell muzikantët më të mirë në Kosovë, të krijojë miqësi dhe rrjete bashkëpunimi. / KultPlus.com

Pianistja Zoya Shuhatovic në përmbylljen e edicionit të 11-të të Chopin Piano Fest: Ishte sikur kur të hapet një dritare dhe të hyn drita brenda në jetë

Era Berisha

Edicionin e tij të 11-të, festivali Chopin Piano Fest e përmbylli mbrëmë me një interpretim nga pianistja amerikane Zoya Shuhatovic, e cila para publikut solli tingujt romantik të kompozitorëve botërorë si: W.A.Mozart, P.I Tchaikovsy dhe F.Chopin. Këto vepra të cilat përmes melodive shpalosën shprehjen thelbësore të artit emocional ku ritmi dhe dinamika e performanacës erdhën si një trokitje në derë të shpirtit të pranishëm që u ndërlidh butësisht me strofullën e zemrës si një gajtan i hollë, shkruan KultPlus.

Dy organizatoret e këtij festivali, drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha dhe drejtoresha artistike Lelja Pula si dhe kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ishin ata që hapën natën e mbrëmshme me disa fjalë rasti. Kurti përgëzoi festivalin, organizatorët, artisten mysafire dhe ofroi mbështetje më të qëndrueshme në të ardhmen për skenën e pavarur kulturore në Kosovë. Ndërsa, Luzha dhe Pula i uruan të pranishmëve një natë të këndshme.

Po ashtu, një falënderim të posaçëm për realizimin e këtij festivali dhe bashkëpunimin kulturor në mes të dy vendeve shprehu edhe Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.

Foleja e interpretimeve pianistike të këtij festivali përgjatë një muaji të suksesshëm, ishte hapësira e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare. Andaj, mbrëmë ishin dy reflektorët e bardhë që vunë në pah shpejtësinë e gishtërinjve të pianistes e cila me një pamje që vezullonte nga koka e deri tek këmbët, para publikut doli me një nivel të lartë të besimit në vetvete. E kjo u dëshmua kur qetësia absolute që pasonte në sekondat e para të performimit, tronditi atmosferën papritmas në një dridhje muzikore që depërtoi tek të pranishmit qysh në fillim me veprën e titulluar ”Fantasia C minor K475” nga kompozitori W.A.Mozart.

Hapi ritmik i harmonive, meloditë e lehta e të rënda, tingujt qetësues e të lëmuara si dhe teknika fleksibile e rafinuar dhe e ashpër, ishin këto veçantitë e pianistes e cila mbrëmë me një vendosmëri të dukshme, krijoi një urë lidhëse të tejdukshme mes të pranishmëve, ndjenjat e së cilëve drithëroheshin nën përleshjen e harmonive mahnitshëm të dhuruara nga performanca e Shuhatovic.

Trajtimi i instrumentit bardh e zi nga dy duart e pianistes, erdhi në një mënyrë që së bashku me uljen e saj në buzë të stolit, ngushtica e shpinës, krahët e saj të relaksuar që nganjëherë çlodheshin dhe ngriheshin lart kur përdorte tërë forcën e saj, pianistja solli ledhatinë e egër të tingujve romantik që po pushtonin hapësirën vazhdimisht e që njëkohësisht dhuroi iluzioni se në fakt ishin lëvizjet shpirtërore që vinin nga brendësia e saj, të cilat flakëruan mbi çelësat e pianos.

Shuhatovic përgjatë dy orë interpretimi, me një mirëdashje mbrëmë ka puthur çdo notë deri në një përsosmëri e performuar në një mënyrë që pulsonte gjatë tërë mbrëmjes. Me çdo tundje të lehtë të kokës së saj, shpirti i saj dilte në pah për të luajtur me emocionet e të pranishmëve duke i pushtuar ata me luhatje të melodive dhe copëza talenti që kur bashkoheshin së bashku tejkalonin dhuntinë që veçse ekzistonte brenda saj.

Pas gjithë kësaj performance spektakolare të pianistes, duartrokitjet e brohoritjet kishin zënë vendin e tyre në atmosferë. Ato nuk po pushonin interpretimin e tyre duke vazhduar me minuta të shumtë e duke e rikthyer pianisten në skenë për disa herë radhazi. Ky interpretim ishte më se i duhur e i domosdoshëm për talentin e rrallë që Shuhatovic kishte pritur shumë gjatë që ta sjell tek ne.

Po ashtu, mbrëmë u shpall edhe Çmimi Special i Chopin Piano Fest, çmimi tradicional që iu nda pianistes së re Lisa Sahatqiut ku juria profesionale e përbërë nga pianistja Ardita Statovci dhe Zoya Shuhatovic kishte marrë këtë vendim pas vlerësimit të performancës së tre pianisteve të reja që aplikuan në këtë garë si: Elsa Gashi, Lisa Sahatciu dhe Melisa Ibrahimi.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth performimit të saj, për KultPlus foli pianistja Zoya Shuhatovic.

“Jam e lumtur. Kjo është gjëra më e rëndësishme që mund të them pas më shumë se një viti në qetësi të plotë e ku nuk kam luajtur asgjë. Ishte sikur kur të hapet një dritare dhe të hyn drita brenda në jetë, sikur kam rimarrë fuqinë për jetën time”, ka thënë Shuhatovic.

Sipas saj, ajo ka dëshiruar shumë që të marrë pjesë në këtë koncert por nuk ka funksionuar që dy herë që ajo ka tentuar e tash për herë të tretë ajo po ndjehet shumë e lumtur dhe e entuziazmuar që kjo u bë e mundshme.

“Njerëzit janë shumë të mirë dhe të shoqërueshëm këtu dhe ata gjithmonë duan që të të mbështesin e të të ndihmojnë. Kjo është një ndjesi shumë e mirë”, ka thënë Shuhatovic për KultPlus.

Për Shuhatovic, ‘Dumka’ dhe ‘Sonata’ janë veprat me të dashura të saj por që nuk mund ta definoj arsyen pse.

“Zemra ime është e bashkangjitur me këto vepra dhe i ndjej shumë më shumë se sa pjesët e tjera. Një artist nuk mund të shpjegoj se pse dashuron muzikën”, thekson ajo.

Ndërsa, drejtoresha artistike Lelja Pula, për KultPlus foli rreth emocioneve të cilat ajo po i ndjen pas një përmbyllje kaq të suksesshme të edicionit të 11-të të Chopin Piano Fest.

“Edicionin pas pandemisë e filluam me shumë rezerva pasi që ishte festivali i parë pas kësaj që ngjau për një vit e gjysmë. Kemi përgatitur një program jashtëzakonisht voluminoz me 10 mbrëmje soliste nga artistë ndërkombëtar jashtëzakonisht të mirë dhe të njohur pastaj katër mbrëmje me mbi 50 studentë dhe një ditë të tërë me mbi 60 nxënës nga të gjitha shkollat e muzikës në Kosovës”, thotë Pula.

Sipas saj, për të është jashtëzakonisht me rëndësi që gjithë artdashësit të ndeshen me vlera kulmore artistike e ky është një mision i saj për të cilin ajo mendon se është shumë i rëndësishëm për shpalosjen e vlerave nga të gjitha anët e botës në skenën e Prishtinës, në skenën e ‘Chopin Piano Fest-it’.

“Mendoj se vërtetë duhet të ndihemi që jemi pjesë e botës kulturor-muzikore evropiane dhe botërore dhe që kemi vlera pasi që ne kemi shumë talent, një shkollë pianistike që funksion por edhe jemi një shtet i ri i cili ka shumë sfida dhe ballafaqohet me probleme të jashtëzakonshme. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se në mungesë të sallës koncertale, ne improvizojmë, por besoj që ia dalim falë entuziazmit të madh dhe mirënjohjes së madhe që marrim nga publiku”, përfundon Pula për KultPlus.

Kështu, i erdhi fundi edicionit të 11-të të Chopin Piano Fest, që për një muaj të tërë, suksesshëm na dhuroi muzikë klasike me veprat më të bukura nga kompozitorë të njohur dhe pianistë të talentuar nga e tërë bota që vendosën të shpalosin talentin e tyre pikërisht në qytetin e Prishtinës. / KultPlus.com

Sonatat klasike nën interpretimin e Gabriele Carcanos përkëdhelen mbrëmë secilin të pranishëm në Chopin Piano Fest

Era Berisha

Gabriele Carcano, pianisti italian mbrëmë në festivalin e Chopin Piano Fest, solli para publikut një interpretim pianistik me sonata klasike të cilat rrallë herë dëgjohen në kryeqytetin e Kosovës. Performimi gjallërues e llojllojshmëria e tingujve që dhuroheshin nga timbri shpirtëror i pianistit, shpalosi një thjeshtësi dinamike që zotëroi skenën, atmosferën dhe njëkohësisht joshi publikun me melodi të cilat përkëdhelnin vështrimin e tyre në çdo sekondë, shkruan KultPlus.

Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare tash e një muaj është shndërruar në shtëpinë e interpretimeve pianistike, të cilat vihen ende më shumë në pah me inkuadrimin e reflektorëve ngjyrë vjollcë, ata të ngrohtë të vendosur anash në sallë, por të cilët humbnin efektin e tyre kur drita natyrale e cila vinte nga dritarja rrethore në mesin e objektit, depërtonte në ambient. Kjo dritë natyrale sa vinte e zvogëlohej duke rritur kështu edhe entuziazmin e të pranishmëve në një nivel më të lartë e njëkohësisht dallohej ende më shumë edhe loja madhështore e gishtërinjve të pianistit, me ç’rast ai filloi interpretimin e sonatave klasike njëra pas tjetrës, duke goditur atmosferën menjëherë në sekondën e parë.

Tashmë, si çdo herë, hapjen e kësaj nate të festivalit Chopin Piano Fest, e nisi drejtoresha artistike Lelja Pula, e cila është shprehur se po ndjehej mjaft e lumtur që po i afroheshin fundit të festivalit me një sukses tejet të madh. Ajo poashtu për publikun dhuroi disa informacione mbi pianistin që pas pak do të dilte në skenë e ta zotëronte atë plotësisht me thumbime të vazhdueshme performuese.

Me një shpejtësi, siguri në vetvete dhe një ndreqje të shpejtë të syzave të tij, para të pranishmëve doli pianisti Gabriele Carcano. Vepra e parë e titulluar ‘Sonata op.14 nr.1 E-dur’ nga L.V.Beethoven, e interpretuar nga pianisti, solli një frymë sa klasike po aq edhe të prekshme, ku meloditë e tingujt u zgjuan papritmas si një cicërimë e butë e zogjve, një tingëllimë e bukur magjepsëse. Lëvizjet precize të tij mbi çelësat e pianos binin me një butësi të jashtëzakonshme, një përkëdhelje që qetësisht kaplonte edhe qelizat e secilit njeri.

Sonatat klasike të Beethoven dhe alegrot e plota, u shpalosën para publikut me lëvizje të ngadalta, një lëvizje vallëzimi mes çelësave të instrumentit bardh e zi dhe gishtërinjve të pianistit. Performanca e tij, mbrëmë dhuroi një ringjallje të notave dhe tonit që në vete ngërthenin një bukuri të tillë që edhe mjalta e sheqerosur nuk do të mund të krahasohej me veçantinë e këtyre veprave që këndonin serenata për publikun dhe endeshin në atmosferë si një agim i hershëm që zinte vend në momentet më të rralla.

Notat qiellore që pasonin çdo moment, kishin një krenari aq të madhe e ngjasonin me një vetëtimë, melodia e së cilës pushtoi hapësirën papritmas në një cungim të vështrimit të publikut dhe në një përqafim të ngushtë të fijeve delikate shpirtërore. Luhatjet e kokës, shprehjet e fytyrës, kërcimet e lehta trupore dhe efikasiteti e serioziteti i teknikës së pianistit, dëshmoi se interpretimi pianistik, sado që gjallërohet nga skena bukur e krijuar, në fakt lulëzimi i vërtetë në llojllojshmërinë e ngjyrave melodike, vjen nga brendësia e trupit të pianistit, nga thellësia e kockave të tij që posedonte një talent unik, ekzistenca e së cilit ishte ulur shkëlqyeshëm në shtresën ajrore të sallës.

Gishtërinjtë e tij po fluturonin mbi çelësa si dallëndyshet që interpretojnë në livadhin e tyre, ndërsa duart e tij ndërronin kahje si një shushurimë e gjetheve të stinës së vjeshtës, të cilat kanë dy anë krejtësisht ndryshe por frymojnë si një eufori e tërbuar. Carcano përgjatë dy orë performimi të veprave të njohura nga kompozitorët botërorë si: L.v.Beethoven, Matteo Manzitti dhe Schumann, kapi dukshëm vëmendjen e çdokujt me një kujdes të pavetëdijshëm, për arsye se ai ishte futur në botën e tij melodike, aty ku qenia njerëzore futet në pasionin e vetmuar teksa shpirti ngritet e del jashtë si një narrator i mbrëmjes.

Heshtja afër fundit të çdo vepre, dëshironte vëmendjen fizike dhe emocionale të njeriut, për ti dhuruar atyre një dridhje intime që ecte ngadalë mbi lëkurë derisa futej përtej e arrinte destinacionin e saj. Andaj, edhe pianisti mbrëmë krijoi një urë të padukshme mes botës hyjnore të tingujve, aty ku shumica ishin futur dhe botës imagjinare, aty ku njeriu mbyll sytë e tij e vazhdon të rindjejë e ripërjetoj emocionet lehtësisht të dhuruara nga interpretimi pianistik.

Pas gjithë kësaj nate të paharrueshme, ishte radha që publiku të krijoj një performim gërshetues mes duartrokitjeve e brohoritjeve që nuk po ndaleshin dot, derisa edhe vetë pianisti me një buzëqeshje që zmadhohej çdo herë kur ai dilte nga prapaskena për të falënderuar publikun që e riktheu atë tri herë në skenë.

Pianisti italian Gabriele Carcano i cili për herë të parë performoi në Prishtinë, për KultPlus foli rreth natës së mbrëmshme dhe emocioneve të tij pas interpretimit pianistik.

“Është gjithmonë një ndjenjë e çuditshme pas një koncerti, sepse kur je në skenë dhe luan e performon, nuk dëgjon asgjë që audienca është duke dëgjuar. Pra, është shumë e vështirë që të dish se si disa gjëra kanë ndodhur por me eksperiencë kam vërejtur që disa herë kam një përshtypje për atë se cfarë bëra e që është krejtësisht ndryshe nga ajo që ka dalur në skenë”, thotë Carcano.

Sipas tij, një artist që performon dhe del nga skena, ai ndjehet që ka dhuruar gjithçka por në fakt ai nuk e din se si ka shkuar në të vërtetë, prandaj nevojitet ekzistenca e publikut.

“Je aq shumë brenda performancës, saqë nuk dëgjon asgjë tjetër sepse je duke performuar nga brendësia jote dhe kjo është një ndjenjë e veçantë dhe prandaj e dua shumë. Interpretimi në Prishtinë shkoi shumë mirë dhe pashë shumë studentë të muzikës që ishin shumë të entuziazmuar dhe përkrahës. Andaj, kurioziteti i publikut është gjëja më e mirë që ndodh e sidomos kur ata vështrojnë dhe dëshirojnë të kuptojnë se çka po ndodh”, ka thënë Carcano për KultPlus.

Për Carcanon, skena dhe hapësira ishte tejet e mirë dhe akustika ishte e duhur. Ndërsa, secila pjesë e interpretuar ka ngritjet dhe uljet e tyre, por fundi i koncertit për të është gjithmonë momenti kur publiku inkuadrohet më shumë.

“Vëmendja e publikut, fytyrat e reja në publik dhe reagimet e tyre të menjëhershme ndaj muzikës, janë këto gjëra që do ti mbaj në mend kur mendoj për të ardhur e performuar në Prishtinë”, përfundon Carcano për KultPlus.

Chopin Piano Fest do të prezantojë koncertin e fundit për edicionin e 11-të të tij. Nata e fundit e këtij festivali, vjen nesër ku do të interpretojë pianistja amerikane Zoya Shuhatovich në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. Ndërsa, në këtë natë do të shpallet edhe fituesja e Çmimit Special të Chopin Piano Fest. / KultPlus.com

Ndërlidhja e muzikës instrumentale me atë vokale mbrëmë solli një natë sublime në Chopin Piano Fest

Era Berisha

Depërtimi i thellë në emocione të papërshkrueshme të cilat janë të vendosura pikërisht në brendësinë shpirtërore, erdhi pikërisht nga mbizotërimi i dy zërave të njohur shqiptar si: sopranoja Marjana Leka dhe tenori Armaldo Kllogjeri ku së bashku me pianisten kosovare Lejla Pula, mbrëmë atmosfera në Chopin Piano Fest u lëkund në madhështinë hyjnore të melodive dhe kompleksitetin e magjishëm të ndërlidhjes së interpretimit instrumental dhe vokal me ç’rast performimi në romancat, ariet, duetet operistike si dhe këngët e bukura shqipe përcollën ndjenja të fuqishme, energjia e së cilave la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e të pranishmëve, shkruan KultPlus.

Tash e katër net, Salla e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare ka mbledhur rreth vetes një numër të madh artdashës të muzikës klasike. Skena që veçse është e njohur për publikun, dje erdhi me disa ndryshime të vogla. Njëra nga dritat e ngrohta që zakonisht është e vendosur në skajin e majtë të sallës tani qëndronte mbi skenë për të vënë në pah ende më shumë lojën mjeshtërore të pianistes Lejla Pula. Kurse, dritat ngjyrë vjollcë dhe lulet shumëngjyrëshe në skenë ishin dy veçanti që i shtonin një hijeshi unike ambientit.

Po ashtu, për të pranishmit prezent ishte edhe një libër që përmbante fakte dhe informacione tejet të veçanta për pjesëmarrësit në edicionin e 11-të të Chopin Piano Fest. Andaj, para se koncerti të fillonte, publiku pati rastin që të informohet rreth atyre që pas pak do të dilnin në skenë për ta pushtuar atë pa mëshirë me zëra që ngërthenin në vete talentin e mirënjohur të tyre.

Hapjen e festivalit Chopin Piano Fest e nisi drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha e cila u shpreh se ndjehet mjaft e kënaqur që mbrëmë atmosfera po ndërronte pak me inkuadrimin e dy zërave që vinin mysafirë nga Shqipëria e bashkë me profesoreshën Lejla Pula. Ajo tutje theksoi se ngjarja është njëra nga eventet që shënon 22 vjetorin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës.

Në skenë me një hijeshi të pakrahasueshme doli pianistja Lejla Pula e cila nisi koncertin me një interpretim pianistik  të veprës ‘Vocalise op.34 nr.14’ nga kompozitori i njohur rus Sergei Rachmaninoff. Ky interpretim erdhi si homazh për viktimat e pandemisë dhe dëshmorëve për Çlirimin e Prishtinës e të Kosovës dhe u shoqërua me një heshtje absolute të publikut ku pianistja e gjallëroi kompozimin e shkruar duke i dhënë jetë në skenë. Performimi i saj bëri që të gjitha njohuritë muzikore, vizionin personal të muzikës dhe imagjinatën e njeriut ta rrotullojë vazhdimisht nën zgavrën e melodive dhe tingujve që buronin nga gishtërinjtë e saj.

Luhatjet e vogla të kokës, ritmi dhe dinamika e trupit të pianistes bënin që edhe flokët e saj që ngjasonin me valët e detit të dilnin nga kontrolli dhe së bashku me shpirtin e saj, mbrëmë shpërthyen melodi e tinguj nga ato më të butat e deri tek ato të vrazhdat që vazhdimisht buronin nga çelësat bardh e zi të pianos të cilat për 1 orë e gjysmë u mbizotëruan nga talenti i saj. Përvoja e saj e gjatë në interpretimin pianistik ka kaluar edhe nevojën për hapësirë të nevojshme të frymëmarrjes ku në fakt tërë qenia e saj ishte shndërruar në një frymëmarrje të vetme që i dhuronte frymë secilit nga ne.

Në ndërkohë, ndryshe nga çdo natë tjetër ku tingujt e pianos kanë dominuar netët e festivalit, mbrëmë në skenë për t’iu bashkangjitur pianistes Lejla Pula, doli tenori Armaldo Kllogjeri i cili fillimisht vendosi dorën mbi piano për të krijuar një kombinim ende më të veçantë. Ai solli vepra nga më të ndryshmet që i përkasin kompozitorëve botërorë dhe shqiptarë duke dëshmuar kështu vlera të larta artistike. Zëri i tij i lartë ishte një zë që këndonte midis baritonit dhe alto dhe që nga fillimi e deri në fund, futi publikun në një lojë vokale ku ai në njëfarë mënyre po shprehte një hidhërim verbalisht dhe njëkohësisht edhe emocione aspiruese.

Notat e tij të larta posedonin një timbër të shkëlqyeshëm dhe e futnin publikun në një drithërimë të papërshkruar. Aftësitë e tij të interpretimit vinin në dy aspekte magjike: tmerruese e të ëmbël dhe gërshetimi i tyre arrinte në një tingëllimë ku emocionet e ftohta therrëse që pasonin nga thellësia e shprehjeve të fytyrës të tij jepnin një iluzion se me zërin e tij të fortë ai mashtronte rrëqethet e trupit të publikut duke i manipuluar ato me meloditë që befas kaplonin atmosferën si një vetëtimë e zhurmshme që vazhdimisht bubullonte në ajër.

Pastaj, eleganca e natës së mbrëmshme erdhi në formë tjetër, ku sopranoja Marjana Leka me një delikatesë të lezetshme hedhte hapat në drejtim të dy talenteve tashmë të pranishëm në skenë. Leka magjepsi dhe joshi publikun me një zë që pothuajse shpoi daullet e veshit të të pranishmëve me mprehtësinë e zërit të lartë që u shpalos jashtëzakonisht bukur. Vokali i saj që herë lëvizte nën butësinë fisnike e herë në një fuqi voluminoze ku karakteristika e veçantë e saj ishte zëri i kristaltë që tërë kohën gozhdoi publikun në vend duke rrëmbyer vëmendjen e tyre për mos ta lëshuar atë gjatë gjithë natës.

Kryevepra e natës së mbrëmshme ishte ndjesia që furishëm depërtoi te publiku i cili nuk pati kohë të rikuperonte veten deri në fund të natës. Kjo ndjesi erdhi nga kënga ‘’Lule borë” nga kompozitori shqiptar Simon Gjoni, një vepër kjo që papritur mahniti rrahjet e zemrave të pranishme duke i futur ato në grackën e melodive të cilat krijuan gulçime tek publiku. Zëri i kombinuar i tenorit dhe sopranos që u shoqërua nga interpretimi pianistik përnjëherë la gjurmë të virtytshme në atmosferë duke sjell duartrokitjet e publikut ende pa mbaruar vepra.

Inkuadrimi i publikut në pjesën e dytë të koncertit ishte një sheqerkë e domosdoshme që u shkri tërësisht në interpretimin e tri talenteve në skenë. Duartrokitjet e publikut në koordinim me rimtin sollën emocione dhe ndjenja që kishim kohë pa i ndjerë thellësisht e për të cilat çdo herë malli rritet e rritet për t’i dëgjuar e përjetuar secilën herë më ndryshe.

Kështu, krejt në fund, vepra e cila përmbylli natën në mënyrë fenomenale ishte kënga ‘’Po t’jemi bashkë ne të dy’’. Kjo këngë e dëgjuar sa e sa herë përmes zërave më të njohur shqiptar, mbrëmë erdhi nga dueti i Kllogjerit dhe Lekës, të cilët portretizuan pikërisht kuptimin e këngës e cila shpalos dialogun mes dy të dashuruarve që ëndërrojnë për bashkim. Interpretimi i tyre i ngrohtë dhe aq i afërt erdhi në një nivel që nuk kishte vend për definim. Emocionet dhe ndjenjat që u ngjallën tek dëgjuesit ishin me të vërtetë madhështore duke verbuar kështu dritën e syve tanë në errësirën shumëngjyrëshe të melodive e tingujve që buronin nga brendësia shpirtërore e tenorit, sopranos dhe pianistes në skenë.

Krahas veprave të kompozitorëve shqiptarë, në skenë u interpretuan edhe disa nga vepra që rrallë dëgjohen nga publiku shqiptar e që janë në kuadrin e nivelit botëror si: ‘’Torno a Surriento’’, ‘’Dicitencello vui’’, ‘’Granada’’, ‘’Sogno’’, ‘’Vorrei morire’’, ‘’E lucevan le stelle”, ‘’Song to the moon’’, ‘’Nessun Dorma’’, ‘’Tace il labbro’’ dhe ‘’Brindisi’’, duke dëshmuar kështu se ndërlidhja e muzikës instrumentale me atë vokale krijuan një natë sublime që vështirë se harrohet dot.

Pas këtyre performancave të shumta ku secila erdhi në një frymë të shquar e ëmbëlsisht trullosëse, duartrokitjet dhe brohoritjet që tashmë ishin pjesë kyçe e atmosferës që nga fillimi i interpretimit të veprave shqiptare erdhën nga publiku i cili në fund u ngrit në këmbë për pesë minuta rresht dhe nuk pushuan së ndaluri interpretimin që u shoqërua me buzëqeshjet e ngulitura në fytyrat e tyre e që ishin të njëjta me ato të tre performuesve të cilët skenën e mbushën me buqeta lulesh të shumta.

Për të folur më shumë rreth natës së mbrëmshme, për KultPlus foli sopranoja Marjana Leka, e cila e cilësoi atë shumë të bukur sepse vjen pas një shkëputje jo të shkurtër prej pandemisë.

“Ishte një kënaqësi e vërtetë sepse publiku na priti shumë mirë dhe ne u munduam të japim maksimumin e emocioneve për këtë natë që na kishte munguar kaq kohë. Mua posaçërisht më pëlqeu Rusalka ‘’Song to the moon’’ nga Dvorak por edhe veprat shqiptare”, thotë Leka.

Sipas saj, atmosfera dhe komunikimi me publikun ishte shumë i bukur kurse ajo tashmë numëron disa bashkëpunime me po të njëjtit performues.

“Është gjithmonë bukur të këndosh këtu sepse merr shumë kënaqësi nga publiku”, thekson Leka për KultPlus.

Ndërsa, tenori Armaldo Kllogjeri për KultPlus është shprehur se për të është gjithmonë kënaqësi e veçantë dhe shumë e madhe që të jetë pjesë e aktiviteteve në Kosovë.

“Ishte një publik i këndshëm dhe unë sa herë vij në Prishtinë për të performuar muzikë klasike ndjehem gjithmonë i vlerësuar nga publiku që është shumë entuziast dhe nuk pushon me duartrokitje”, thotë Kllogjeri.

Sipas tij, programi është ndërtuar nga disa pjesë të cilat janë këngë napoletane por ka edhe arie të operave të ndryshme. Andaj, ai i pëlqen të gjitha por ariet janë më të bukura dhe janë më të rëndësishme.

‘’Gjëja më e rëndësishme në këtë aktivitet është që publiku vjen dhe na dëgjon’’, thekson ai.

“Unë në këtë aktivitet do veçoja kultivimin e muzikës klasike dhe për vet faktin e festivalit që neve na bënë pjesë sepse kjo muzikë në Kosovë sa vjen dhe e rigjallëron rininë duke e bërë atë për vete”, përfundon Kllogjeri për KultPlus.

Po ashtu, pianistja Lejla Pula është shprehur se për të kjo natë është një rikthim në skenë pas një periudhe disa vjeçare.

‘’Për mua është një rikthim në skenë pas një periudhe disa vjeçare, përpos pandemisë. Unë për herë të parë performova në këtë sallë dhe jam jashtëzakonisht e lumtur dhe ndjehem shumë e kënaqur që sonte i përjetuam së bashku interpretimet e disa arieve më të bukura dhe më të vështira të literaturës operistike’’, thotë Pula.

Sipas saj, është e vështirë ti ndajë veprat mirëpo ajo i veçoi veprat si: ‘’E lucevan le stelle’’ nga Puccini dhe ‘’Nessun Dorma’’ nga Puccini sepse këto janë thjesht arie aq të njohura dhe më të vështirat që ekzistojnë.

“Për mua personalisht është gjithmonë kënaqësi që të shoqëroj nivelin e lartë të dy artistëve në skenë dhe gjithashtu e kisha një ngarkesë sepse qysh vitin e kaluar unë dëshiroja që ta shënoj 250 vjetorin e kompozitorit Beethoven me interpretimin e një pjese të tij”, përfundon Pula për KultPlus.

Chopin Piano Fest gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 12 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e pestë e këtij festivali, vjen më datë 16 qershor ku do të interpretojë pianisti francez Jerome Granjon në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com

Interpretimi pianistik i Gergely Kovács zotëroi fuqishëm mbrëmë atmosferën në Chopin Piano Fest

Era Berisha

I vendosur thellë në kockat e Gergely Kovacs, me një krenari madhështore qëndronte talenti i tij unik në performimin pianistik që mbrëmë skenën, çelësat e pianos, atmosferën dhe venën kryesore të njeriut, e pushtoi me një thjeshtësi zhurmuese që magjishëm zotëronte vëmendjen e të pranishmëve duke i futur ata në joshjen tunduese të tingujve të cilat rigonin mbi atmosferë në valsin e çmendurisë melodike, shkruan KultPlus.

Hyrja në skenën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare për shumë kë që po vinte për herë të parë, do ti dukej e mahnitshme ku përveç hapësirës së gjerë dhe karrigeve të shumta që mundësonin shijimin e performancës së pianistit Kovacs në secilin kënd, dritat e ngrohta, ato me ngjyrë vjollcë dhe ato natyrale në mesin e objektit, ishin disa veçanti të vogla që ndikonin fuqishëm në prezantimin e lojës mjeshtërore të duarve të pianistit, me ç’rast fytyrat e të rinjve po bënin rrotullime sa në një anë e në tjetrën duke vëzhguar atmosferën pak para se të fillonte ajo se çka secili e priste me padurim.

Tash e tri net, hapjen e festivalit Chopin Piano Fest, e nisi drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha, e cila është shprehur se tashmë janë bërë si një familje në këtë festival i cili hap dyert për artin dhe artistët në përgjithësi. Ndërsa, i pranishëm ishte edhe Ambasadori József Bencze nga Ambasada e Hungarisë i cili doli në skenë për një fjalë rasti. Ai kryesisht është shprehur se po ndjehej mjaft i kënaqur që ishte i pranishëm dhe uroi për një natë të këndshme.

Me një besim dhe siguri të plotë në vetvete, para publikut u shfaq pianisti Gergely Kovacs, lëvizjet e së cilit tronditën qetësisht atmosferën qysh në fillim me veprat e kompozitorit të njohur botëror Johann Sebastian Bach. Gjatësia dhe krahët e tij po vinin në pah ende më shumë aftësitë e tij performuese ku pjesa e sipërme e trupit të tij ishte futur brenda një hipnotizimi ku fuqia e pamasë dhe e jashtëzakonshme e melodive dhe tingujve, po goditnin atmosferën brenda sekondave të cilat iknin pamëshirë duke na lënë me ndjenjën që koncerti të mbaronte sa më shpejt e të rifillonte përsëri pa ndaluar.

Efikasiteti i teknikës së Kovacs sa vinte e shtohej në një nivel të lartë që vazhdimisht prodhonte lëvizje të koordinuara dhe të rrjedhshme të cilat jepnin imazhin se rënia e duarve të tij nga shpatullat drejt çelësave po arrinin një shkallë tunduese ku palëvizshmëria e qetësisë melodike dhe kaosi i çoroditur i tingujve, vinin me një grumbull emocionesh të pa përshkruara që rrafshonin komplet mendimet e njeriut duke i lënë ata me një ndjenjë të vetme; padukshmërinë verbuese.

Eleganca e goditjeve të tasteve, shpejtësia e dridhjes së kokës, vështrimi përpjetë, brazda e vetullave, kërcimet e lehta trupore, shkelja e fuqishme e këmbës së majtë në platformë pas çdo përfundimi të secilës vepër, së bashku me këpucët e tij vezulluese që merrnin formë ndryshe ndriçuese sa herë që lëviznin në petale, arrestonin vëmendjen e të pranishmëve me një përkujdesje ku shpërqendrimi ishte dorëzuar komplet në luftën e admirueshme me fokusin e bebëzave të syrit që ishin të mahnitura pas performimit unik të pianistit e të cilat herë mbylleshin në një vetmi melodish e herë të tjera posedonin një dritë që tërë kohës përcjellte stuhinë e tingujve të shpalosur.

Kovacs, përgjatë dy orëve interpretimi të veprave të njohura nga kompozitorë botërorë si: Johann Sebastian Bach, Frédéric Chopin dhe Franz Liszt, dëshmoi talentin përmes lojës së tij pianitsike, qëndrimit të pëllëmbës dhe gishtave të lakuar, me ç’rast tingujt po vallëzonin herë në një ritëm të lartë ku atmosfera kaplohej në befasi të veçantë që vetëm performanca piantistike sjell, e herë në një ritëm të butë ku dinamika e melodive ndizte aortën e njeriut duke manipuluar jo vetëm me zemrën e të pranishmëve por edhe çdo strukturë delikate shpirtërore.

Mbështetja instiktive e audiencës për të dëgjuar lojën madhështore të pianistit dhe tundja e kokës së tyre në ritmin e melodive ishin specialiteti i mbrëmjes ku shpejtësia e rrufeshme e gishtërinjve të tij dhe qetësia e vetmuar atraktive po dhuronte një performancë që ndikonte thellë në një pa përmbajtje entuziaste të shprehjeve të fytyrës, duke e bërë publikun ta përjetoi talentin tërheqës që Kovacs posedonte e që pikërisht ka zgjedhur që ta shpalos në këtë skenë duke na lënë me një zinxhir inspirimi dhe njëkohësisht me momente që do të na vijnë pas një kohë të gjatë e që do të mbërthehen lezetshëm në skajet e kujtesës tonë.

Kështu, krejt në fund, pas dy orë interpretimi që fluturuan papritmas, ishte radha e të pranishmëve që ta mbizotëronin atmosferën në skenë me duartrokitje e brohoritje që sollën buzëqeshjen e pianistit dhe rikthimin e tij rreth tri herë nga prapaskena për të falënderuar publikun për dy minutëshin interpretues të tyre.

Për të treguar më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe performancës unike të tij, për KultPlus foli pianisti Gergely Kovacs.

“Jam mjaft i lodhur dhe është duke u bërë shumë nxehtë këtu por unë thjesht e dashurova këtë natë sepse është e mrekullueshme të performosh përsëri live para një audience pas një kohe të gjatë me pandeminë, e posaçërisht me këta njerëz të mirë përreth, reagimet e të cilëve ishin mahnitëse”, thotë Kovacs.

Sipas tij, ai ka vetëm përvoja të mira sepse të gjithë personat janë shumë të mirë dhe të sjellshëm, ndërsa reagimet në publik ishin shumë natyrale dhe atij i pëlqen kur ndodh komunikimi mes performuesit dhe të pranishmëve, duke e bërë atë të ndihet mjaft i lumtur.

“Unë nuk kam asnjë vepër të preferuar, por janë disa pjesë që unë i frikësohem më shumë dhe janë disa pjesë që unë nuk frikësohem fare t’i luaj, por unë e dashuroj këtë repertor në mënyrë të barabartë”, përfundon Kovacs për KultPlus.

Chopin Piano Fest gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 13 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e katërt e këtij festivali, vjen më datë 14 qershor ku do të interpretojnë sopranoja Marjana Leka, tenori Armaldo Klogjeri dhe pianistja Lejla Pula në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com

Pianisti austriak Stephan Möller nderoi Beethovenin në Prishtinë me një mori rënkime melodike

Era Berisha

Energjia e brendshme shpirtërore e cila portretizohej në interpretimin e pianistit Stephan Moller, shpalosi spektrin e një dëshpërimi dhe krize të thellë përmes së cilës pianisti gjeti një gjuhë me publikun duke i folur shpirtërisht secilit prej tyre për karakterizimin sharmant të kontrastit të veprave të Beethovenit, ku ndjenjat më të thella të cilat janë fshehur brenda qenies njerëzore u plasaritën në lojën e duarve që ngjanin në kthetrat e një tigri, të cilat furishëm rrjedhnin në melodi e tinguj, shkruan KultPlus.

Mbizotërimi i ngjyrës së kuqe nga tapeti i shtruar në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare, dritat e ngrohta të vendosura në skaje të sallës dhe reflektorët me ngjyrë të vjollcë po krijonin një atmosferë që pa marrë parasysh se mbetet e njëjta çdo herë, mos durimi i të pranishmëve për të dëgjuar talentin e pianistit Stephan Moller, ishte prezent dhe dallohej në fytyrat e secilit. Pas një pritje të shkurtër, publiku në ulëset e tyre priti pianistin austriak me duartrokitje të cilat intensitetin e tyre e shtonin pas çdo përfundimi të veprës së interpretuar nga ai.

Hapjen e natës së mbrëmshme të festivalit Chopin Piano Fest, e nisi drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha dhe drejtoresha artistike Lejla Pula, të cilat janë shprehur se ndjehen mjaft të lumtura që pavarësisht se kjo është hera e dytë që pianisti prek skenën e Prishtinës, ai mezi ka pritur për të performuar përsëri.

Ndërsa, është bërë e ditur se për nder të 250 vjetorit të lindjes së Ludwig van Beethoven, kjo mbrëmje sjell interpretimin e disa sonatave më të njohura të Beethovenit nga pianisti austriak dhe njëkohësisht vjen si pjesë e projektit të tij ‘32 sonata të Beethoven në 32 qytete të ndryshme’.

Pas këtyre informacioneve dhe urimeve për një natë të këndshme, heshtja absolute që tashmë është bërë pjesë kyçe e të pranishmëve, zuri vendin e saj në një pakufizim përjetësie që përcolli këtë natë së bashku me ndërrimin e ngjyrës së qiellit nga e kaltër e hapur në atë të mbyllur që vërehej nga dritarja rrethore e vendosur në mesin e objektit.

Në skenë, me një qëndrim të pakrahasueshëm, hedhje të hapave precize, kostum të denjë që portretizonte instrumentin bardh e zi si dhe pozita e tij e përuljes falënderuese dhe e uljes në karrigen e posaçme, veçse ishte fakti i parë që dëshmoi për një njeri që ka lindur për të performuar në piano. Moller nisi interpretimin e tij me veprën ‘Sonate G-Dur, op.31 Nr.1’, një fillim ky që nisi me melodi lozonjare dhe të lehta e humoristike por që aspak nuk po e parashikonte fundin e këtij koncerti.

Ndërveprimi i vazhdueshëm me pianon e vinte në pah lojën mjeshtërore të Moller, me ç’rast pozita e tij herë i afrohej afër instrumentit në një përqafim të afërt ku pothuajse i rrethonte komplet çelësat e pianos e herë tjetër shpina e tij shndërrohej në një vijë vertikale që largohej plotësisht nga çelësat për të sjellë melodi të cilat karakterizoheshin nga kthjelltësia e pastër që ato posedonin. Në ndërkohë, shprehjet e tij të fytyrës ishin kryevepra e cila shpaloste ndjeshmërinë artistike të Moller, për të cilin, përhumbja totale nën botën e tingujve diversive, ishte shndërruar në një vepër arti duke bërë që shikimi i tij as për një sekondë të vetëm të mos kthehej nga audienca por të futej thellë në ekstazën hyjnore që e kishte kapluar atë përgjatë gjithë natës.

Gishtërinjtë së bashku me vështrimin e tij po i qëndronin besnik çelësave bardh e zi kurse tingujt dhe meloditë që po përhapeshin në atmosferë, hynin në copëzën më të ndjeshme të shpirtit, aty ku edhe vështrimi më introvert nuk do mund të depërtonte. Ndikimi dramatik vinte rrjedhshëm nga sonatat e pianos që luanin mes vete në një ndërlidhje komplekse mjaft të pasur. Orientimet e  lëvizjeve stoike të trupit të tij,  ndonëse dukeshin precize e të vrazhda, ato i jepnin një frymë të mprehtë pasurore që nuk mungoi as për një moment të vetëm.

Moller, përgjatë dy orë interpretimi të veprave të njohura nga kompozitori Ludwig van Beethoven, shfaqi një posedim unik të interpretimit ku e tërë qenia e tij njerëzore dhe shpirtërore u rrëmbye vrullshëm nga lëvizjet e papritura e të paparashikuara për publikun. Kurse, lëvizjet e vogla të fytyrës së tij në dy anë, lëvizja e vetullave në një tkurrje përqendrimi dhe lëvizjet e tij trupore që dukeshin të dalura jashtë kontrollit, pasqyronin një univers të tërë ku publiku ishte bërë një me heshtjen dhe Moller ishte shndërruar në një pikturë lëvizëse që po admirohej për ngjyrat e ndezura e të thella muzikore të cilat ai i dhuronte me aq pasion.

Interpretimi në një nivel të madhështisë artistike dallohej edhe atëherë kur ai mbyllte sytë dhe shpirti i tij dilte jashtë guaskës me një adrenalinë dhe energji që vazhdimisht grabiste rrahjet e zemrave të audiencës duke i drejtuar ata drejt një fundi që do të lë një prekje pothuajse të mistershme në kujtesën tonë. Andaj, vepra e fundit e titulluar ‘Sonata op.57, f-mol, ‘Appassionata’, dhuroi një gërshetim të dëshpërimit, hidhërimit dhe dhimbjes, që Moller e solli në një nivel që ngjasonte tërësisht me ndjenjat që vetë Beethoven kishte ndjerë kur ka krijuar këtë kompozim.

Kështu, krejt në fund, pas dy orë interpretimi, fokusi i syve të njeriut sa vinte e zvogëlohej në një errësirë ku drita e vetme do të ishte Moller, pianisti që po i dedikonte melodi qenies njerëzore me një pasion që flakërohej nën zjarrin e tingujve të pashoq duke krijuar një përshtypje se meloditë vinin nga cicërima zogjsh të dashuruar marrëzisht pas muzikës.

Pas kësaj elegance të mahnitshme performimi dhe ndjenjave të pashpjegueshme, të pranishmit për 5 minuta interpretuan një ndërlidhje të duartrokitjeve dhe brohoritjeve që u shndërruan në një frymë që solli buzëqeshjen e shumëpritur të pianistit. Fytyra e tij jo vetëm që vezullonte nga pikët e djersës që po i binin, por buzëqeshja e tij vazhdonte të gjallërohej tutje sa herë që ai kthehej për ta falënderuar publikun për duartrokitjet e pa ndalura.

Për të folur më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe atij interpretimi magjik, për KultPlus foli vetë pianisti, Stephan Moller, i cili numëron herën e dytë të performimit në Prishtinë.

‘’Ishte një mbrëmje e mrekullueshme, në njërën anë jam pak i mërzitur që mbaroi por në anën tjetër është një ngritje e mentalitetit dhe vërtet do të doja të filloja përsëri të luaj. Unë nuk jam i lodhur fare sepse muzika jep energji dhe nuk merr, e sidomos rrahjet muzikore dinamike”, thotë Moller.

Sipas tij, të gjitha sonatat e Beethoven janë të bukura dhe në fakt janë si fëmijët e tij dhe nuk mund t’i veçonte, por ajo që ai specifikoi ishte sonata e 31 që ka shumë aspekte të perfeksionit dhe prandaj ai edhe e ndjen atë më së shumti kur e luan.

“Më ka marrë kohë pak që të vija këtu, por unë u ndjeva si në shtëpi dhe shpresoj se nuk do të jetë hera e fundit sepse ishte shumë interesante që të ndjeja rezonancën e publikut që ishte shumë më e fortë në pjesën e dytë sepse pjesët e karakterit të errët u pëlqyen më shumë sesa ato të karakterit të lehtë dhe humoristike në pjesën e parë. Prandaj, ishte shumë e mirë që performova në këtë rend”, përfundon Moller duke na lënë me shpresë që shpejt do të përjetojmë një tjetër performancë nga ai.

Chopin Piano Fest gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 14 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e tretë e këtij festivali, vjen më datë 10 qershor ku do të interpretojë pianisti hungarez Gergely Kovács në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

Botohen vepra të frymëzuara nga Chopin, përmbledhen 8 vepra pianistike nga kompozitorë shqiptar

Libri i titulluar “Vepra të frymëzuara nga Chopin”, ngërthen në vete tetë vepra pianistike 8 vepra pianistike të kompozitorëve Kosovarë që ishin pjesëmarës në garat e kompozimit në Chopin Piano Fest Prishtina dhe vepra tjera me karakter të ngjajshëm, përcjell KultPlus.

Këshilltari i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporit, Liburn Jupolli, përmes një postimi në rrjetin social facebook, ka bërë të ditur se ai ishte pjesë e librit ‘Vepra të frymëzuara nga Chopin’, me veprën “Micro-suite balkanique”, e cila ka fituar çmimin e dytë në garën kompozitoriale të konservatorit Chopin në Paris me drejtor Peter Vizard.

Kjo vepër është shkruar posaçërisht për këtë garë dhe është interpretuar në të njëjtin vit në Paris nga pianistja e re Soyeon Kwon, gjatë studimeve bachelor të Jupollit në vitin 2014. / KultPlus.com

Pianistja Tutu Aydınoğlu, me kryevepra virtuoze bëri hapjen e Chopin Piano Fest

Era Berisha

Edicionin e tij 11-të, festivali Chopin Piano Fest e nisi mbrëmë me një interpretim nga pianistja turke Tutu Aydınoglu, e cila solli për publikun vepra që nuk janë luajtur më herët. Këto vepra ngërthyen në vete një gjallërim të elegancës pianistike dhe ekuilibrit performues ku larmia dhe kontrastet e shumta brenda pjesëve të luajtura shpalosën një dinamikë dhe timbër të ngjyrosur në melodi e tinguj, të cilat janë shkrirë tërësisht në kryeveprën e ndjenjave që tempon e tyre nuk arrinin ta definonin për asnjë sekondë të vetme, shkruan KultPlus.

Ajo se çka dallohej në hyrje të Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare, ishin fytyrat e shumta e të rinjve të cilët prisnin me padurim daljen në skenë të pianistes së njohur turke, Tutu Aydınoglu. E ky padurim që ndërlidhej ëmbëlsisht me inkuadrimin e reflektorëve me ngjyrë të vjollcë që njëkohësisht portretizonin ngjyrën e dizajnit së fletushkave të këtij festivali, dritave të ngrohta të vendosura gjithandej dhe drita natyrale e cila vinte pingul nga qielli mbi kokën tonë si një ndërhyrje rasti, e rritnin emancipimin e të pranishmëve në nivel më të lartë, duke luajtur kështu me fluturat që tashmë kishin nisur një interpretim të veçantë në stomakun tonë.

Hapjen e festivalit Chopin Piano Fest e nisi drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha dhe drejtoresha artistike Lelja Pula, të cilat janë shprehur se ndjehen mjaft të lumtura që pavarësisht sfidave të shumta, mbrëmë nisi një rrugëtim i gjatë një mujor. Ato kryesisht u shprehen falënderuese ndaj të pranishmëve duke i uruar atyre një natë të këndshme.

Pas këtyre fjalimeve, në sallë mbizotëroi heshtja për 2 minuta, për të sjellë në skenë pianisten e njohur Tutu Aydınoglu. Interpretimi i veprës ‘Sonata no 2 OP.23’ nga F.Chopin, solli një fillim që nuk la vend e as kohë për një parashikim se si do të përfundonte. Lëvizjet e mprehta të gishtërinjve, fuqia dhe përqendrimi preciz që ajo posedonte, ritmi dinamik i trupit të saj që shndërrohej në një ekzistencë të vetme dhe kërcimet e lehta të tërë qenies së saj që vinin papritmas dhe pa menduar, krijuan përshtypjen se pianistja dhe kjo vepër ishin në një kozmos unik të vetmuar ku meloditë e vrazhda e të rënduara ndëshkonin atmosferën me një hungërimë që dëgjohej nga performimi i saj.

Këto emocione herë luhatnin në një frymë të tragjedisë duke na rikujtuar kështu instinktin primal për të dëgjuar këto vepra, e herë në një frymë melankolike që përçonte ndjenja të ta pakrahasueshme për çdo kë që e çmon instrumentin bardh e zi. Pianistja mbrëmë dhuroi një performancë frymëzuese me vështrimin e saj, luhatjet e tërë trupit, qetësinë filluese që mashtronte publikun, shtypjen e petaleve me këmbë me një pasion që vështirë gjendet sot, ajo ende vazhdonte të sillte tingujt duke rrëmbyer vëmendjen e fijeve të zemrës së njeriut me një shpejtësi e cila depërtonte vrullshëm në damarin e dorezës të shpirtit tonë.

Aydınoglu përgjatë një orë interpretimi të veprave të njohura të kompozitorëve botërorë si: Frédéric Chopin dhe Franz Liszt, shpalosi një talent të rrallë jo vetëm me interpretimin nga dy duar por edhe njërës, duke krijuar kështu një muzikë që rrotullohej në vorbullën e prekjeve të çelësave bardh e zi, të cilat përjetuan një gërshetim të prekjeve të lehta dhe të çmendura, aty ku pothuajse gishtërinjtë puthnin çelësin me një butësi të tërbuar dhe aty ku gishtërinjtë ndëshkonin çelësat në një eufori ngjyrimi, për të përfunduar kështu në një ekstazë të papërmbajtur melodish.

Madhështia dhe bukuria unike e mjeshtërisë së interpretimit pianistik do të mbetet gjithmonë njëra ndër mrekullitë e botës. Kjo mrekulli më së miri përjetohet edhe atëherë kur dëgjuesi mbyll sytë dhe futet në botën e errësirës duke u përhumbur pas melodive dhe tingujve të cilat gjendjen shpirtërore të njeriut e tërheqin pas vetes sikur një magnet i inatosur që vendos të të shqetësoj me talentin që rrjedhshëm shkrihet tërësisht nga personi që performon.

Po njëlloj, ishte edhe pianistja që mbrëmë solli një magji të vërtetë me interpretimin e saj që ngjasonte me atë të Lee Ru-ma, i njohur me emrin ‘Yiruma’, duke kapur vëmendjen e të pranishmëve me performimin e linjave melodike që buronin vazhdimisht e sidomos nga vepra ‘Le festin d’Ésope (Aesop’s Feast), Op. 39 No. 12’, që shënoi fundin e kësaj nate duke lënë pas momente të bukura të cilat do të na përcjellin si një hije që asnjëherë nuk të lë të harrosh ekzistencën e saj.

Pas gjithë kësaj performance të mrekullueshme të pianistes, duartrokitjet e brohoritjet kishin zënë vendin e tingujve. Ato nuk po pushonin interpretimin e tyre duke vazhduar me minuta të shumtë, intepretim ky më se i duhur e i domosdoshëm për talentin e rrallë që Aydınoglu zgjodhi ta sjell tek ne.

Pianistja turke Tutu Aydınoglu, për KultPlus foli rreth natës së mbrëmshme që ishte frymëzuese për shumë kë.

“Ky është koncerti im i parë pas pandemisë dhe ndjehem shumë e lumtur sepse njëkohësisht është edhe recitali im i parë pas një muaj e gjysmë me situatën pandemike. Wshtë e mrekullueshme për ti ndjerë njerëzit në skenë”, thotë Aydınoglu.

Sipas saj, ky është qëndrimi i dytë i saj në Prishtinë dhe ajo po ndjehet shumë e lumtur sepse performimi në skenë është një ndjenjë e mrekullueshme, e pikërisht kur kalohet nga koncerti online në atë fizik.

“Është diçka spektakolare. Je duke luajtur dhe përnjëherë të vjen instikti. Pastaj ka duartrokitje dhe kjo është shumë e rëndësishme për një artist sepse është një lumturi shumë e madhe”, përfundon Aydınoglu për KultPlus.

Ndërsa, drejtoresha artistike, Lejla Pula tregoi se ajo është shumë e lumtur që pak a shumë janë kthyer në ndjenjën e normalitetit.

“Akti i interpretimit është vërtetë diçka unike sepse në artin interpretativ të muzikës, pa interaksion mes interpretuesit dhe dëgjuesve, nuk mund të ringjallet ajo çka shkruhet në një vepër muzikore”, thotë Pula.

Ajo tutje ka falënderuar pianisten që solli një program ku pjesa e dytë u interpretua për herë të parë.

“Tutu është një pianiste e mrekullueshme nga Turqia që erdhi me një program ku pjesa e dytë është interpretuar për herë të parë. Janë vepra shumë interesante të cilat interpretohen shumë rrallë dhe nuk dëgjohen shpesh në Prishtinë duke sjell kështu një virtuozitet të lartë pianistik dhe instrumental”, thotë Pula.

Sipas saj, pianistja ka pasur shumë dëshirë që të performojë dhe tashmë pas 2 vite pritje, ajo erdhi duke realizuar një koncert të mrekullueshëm dhe prandaj Pula ndjehet mirënjohëse ndaj saj dhe bashkëpunimit me Ambasadën Turke dhe Ministrinë e Kulturës.

“Shpresoj që të gjitha mbrëmjet do të shkojnë mbarë. Kurse, sonte vepra që më la përshtypje më së shumti ishte Sonata e Chopen e cila është vërtetë një kryevepër por interesante për mua ishte edhe vepra e Alkanit që ishte një zbulim për publikun tonë dhe bravo për pianisten që solli veprën me një virtuozitet të spikatur”, përfundon Pula për KultPlus.

Gjithashtu, i pranishëm në këtë mbrëmje ishte edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha i cili për KultPlus foli rreth kësaj nate, të cilën ai e cilësoi si tejet interesante.

“Është shumë interesant për të përshkruar këtë natë. Gjatë natës i mbylla sytë dhe performanca e pianistes në njëfarë mënyre më morri me vete dhe sapo isha lart e dalloja vetën se isha poshtë. Performanca e saj ishte tepër ritmike dhe shumë e shpejt”, thotë Berisha.

Sipas tij, brenda performancës ekzistonte një tragjedi që ndoshta portretizoi mllefin e muzikantëve nga mos performimi në skenë në vitin paraprak, andaj edhe është shprehur përmes kësaj performance.

“Përveç performancës së pianistes, më la përshtypje mikpritja e publikut sepse u dallua edhe gjatë pauzave por edhe në fund se sa performanca është pëlqyer. Sidomos, duartrokitjet e pa ndalura në fund për 2 minuta, ishte diçka që tregoi shumë që njerëzve i mungojnë performancat e tilla artistike”, përfundon Berisha për KultPlus.

Chopin Piano Fest gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 15 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e dytë e këtij festivali, vjen më datë 07 qershor ku do të interpretojë pianisti austriak Stephan Möller në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com

Shtyhet mbatja e festivalit Chopin Piano Fest

Është shtyrë edhe një herë mbajtja e Festivalit Chopin Piano Fest, si pasojë e zhvillimeve të reja në lidhje me situatën pandemike në Evropë por edhe në Kosovë, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e Chopin Piano Fest në Facebook.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e tyre të plotë:

Të dashur

Me keqardhjen më të madhe, na duhet t’iu njoftojmë, për shtyerjen e sërishme të edicionit të 11të të Festivalit ChopinPianoFEST Prishtina 2020, për shkak të zhvillimeve të reja në lidhje me situatën e #COVID19 gjithandej në Evropë, Kosovë dhe në kryeqytetin tonë Prishtina.

Përkundër dëshirës tonë të madhe, për të organizuar edicionin e 11-të të festivalit me 14 koncerte live, sepse misioni I festivalit tonë është ofrimi i performancave pianistike audiencës entuziaste në Prishtinë, e përkundër faktit se kishim bërë të gjitha përgaditjet e duhura për mbajtjen e këtij edicioni në Nëntor, duke respektuar të gjitha masat anti COVID-19, të  parapara nga Qeveria dhe institucionet përkatëse, jemi shumë të pikëlluar që për shkak të situatës së fundit, me qëllim të evitimit të rrezikimit të jetëve të artistëve tanë pjesëmarrës dhe audiencës sonë të dashur, na duhet të marrim këtë vendim me zemër të thyer.

Ne jemi të përgaditur dhe gati, që kurdo që situate do të përmirësohet dhe të lejojë mbajtjen e festivalit, ashtu sic është planifikuar me koncertet live, ne do ta realizojmë atë dhe programin e përgaditur me shumë dashuri, pasion dhe energji.

Ne i falënderojmë të gjithë artistët pjesëmarrës për gatishmërinë e tyre për të ardhur në Prishtinë, në nëntor dhe për mirëkuptimin që koncertet e tyre të realizohen në një kohë tjetër më të përshtatshme. Ju lutem qëndroni me shëndet, kujdesuni për veten dhe për të dashurit tuaj duke respektuar masat e parapara për të parandaluar infektimin dhe përhapjen e COVID-19.

Ne shpresojmë të shihemi së shpejti dhe të iu mirëpresim me muzikën e bukur të përgaditur për ju.

Bordi i ChopinPianoFEST Prishtina 2020!/KultPlus.com

Pianisti Eric Ferrer solli mesazhe paqeje dhe dashurie në Prishtinë

Fotografitë: Arben Llapashtica

Chopin Piano Fest në Prishtinë, në mbrëmjen e së mërkurës kishte përzgjedhë që të sjellë pranë audiencës kosovare francezin Eriz Ferreri, i cili për më shumë se një orë tregoi mjeshtërinë nën tingujt e pianos, tinguj të cilët magjepsën të pranishmit, shkruan KultPlus.

Mjeshtri i pianos Ferreri i cili luan në piano që nga mosha pesë vjeçare theu edhe rregullat e festivalit, i cili duke parë entuziazmin e krijuar në sallë, nuk përfilli pushimin e shkurtë që i është ofruar, duke sjellë kështu një mbrëmje melodike me vepra të ndryshme të Chopen.

Këtë paraqitje pandërprerë nga pianisti francez e ka vlerësuar edhe Besa Luzha, drejtoreshë artistike e këtij festivali, e cila ka potencuar  se përgjatë dhjetë viteve sa po shënon ky festival, të rralla janë paraqitjet e pianistëve që nuk përdorin pushimin e shkurtë.

Poashtu Luzha ka thënë se nuk ka pas raste që në një mbrëmje të veçantë të prezantohet komplet mbrëmja me vepra të Chopen, pasi që, sipas saj, interpretuesit në të shumtën e rasteve kombinojnë vepra të kompozitorëve të ndryshëm.

Pas përfundimit të koncertit, publiku nuk i ndali duartrokitjet për disa minuta, e për të nderuar publikun për duartrokitjet,  pianisti Eric Ferrer u kthye përsëri në skenë dhe luajti edhe një vepër të Francis Poluenc e cila titullohej “Dream of Love”. Ai u mundua të flasë edhe në shqip ku tha se këtë vepër e prezantoi në shenjë kontributi  për  Kosovën,  dhe se përmes kësaj vepre dërgon mesazh paqeje dhe dashurie për Kosovën.

E mysafiri i mbrëmjes Eric Ferrer tha se e do Kosovën,  dhe se për të ishte një nderë që të luaj në festivalin Chopin Fest pasi që sipas tij shqiptarët janë një komb i madh,  dhe paqja është shumë e rëndësishme për të rinjtë.

“Jam shumë, shumë i lumtur që shohë sonte kaq shumë të rinj që kanë ardhur për të dëgjuar Chopin. E dua muzikën, i dua njerëzit, e dua pianon dhe unë kur të luaj dërgoj mesazh nga zemra ime dhe mesazhi i natës së sotme është paqja dhe dashuria” tha Eric Ferrer për KultPlus.

Gjatë kësaj nate nga veprat e Chopin-it  u luajtën veprat si: Mazurkas, Valses, Etudes, sikurse që janë  luajtur dhe dy balada. E loja e këtyre veprave,  sipas drejtoreshës së këtij  festivali  Lejla Haxhiu-Pula u cilësua si performancë jashtëzakonisht e bukur dhe sipas saj loja e këtyre veprave është mirëpritur shumë mirë edhe nga publiku.

“Ishte një atmosferë jashtëzakonisht e bukur, publiku i cili ishte mbledhur sonte këtu e ka mirëpritur jashtëzakonisht bukur. Ky pianist po vjen për herë të parë në Kosovë dhe është jashtëzakonisht i kënaqur me mikpritjen, me sallën, me publikun dhe po ashtu me ne organizatorët. Neve është duke na ardhur mirë që po i përjetojmë këto qaste të bukura me  këta artistë të njohur” tha për KultPlus  Haxhiu-Pula.

Ndërsa sonte duke filluar nga ora 20:00 në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Qendrore Universitare në Prishtinë me piano do të luaj pianisti norvegjez Hakon Austbo. G. Mujaj / KultPlus.com

Me një koncert të mrekullueshëm, Chopin Piano Fest Prishtina përfundon rrugëtimin e 9-të

Alberina Haxhijaj

Mbrëmja e fundit e edicionit të 9-të të Chopin Piano Fest Prishtina, mirëpriti pianistin italian Giovani Bellucci – që aktualisht konsiderohet si një ndër pianistët më të shquar të kohës. Pianisti Giovanni Belluci u shoqërua nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës duke sjellë kështu një mbrëmje të paharruar në Prishtinë. Një mbrëmje të denjë përmbyllëse për këtë edicion të festivalit i cili e bëri Prishtinë gjatë këtij muaji, qendër për zbarkim e pianistëve më të njohur nga vende të ndryshme.

Koncerti u hap më veprën e Ludwig Van Beethoven një kompozitor të cilin Frédéric Chopen, emrin e të cilit e mbanë festivali nuk është se e kishte të preferuar. Një vepër e cila reflektoi një bashkëpunim të bukur në mes të orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, dirigjuar nga Boian Videnoff dhe pianistit, interpretim ky i cili u mirëprit me duartrokitje të shumta nga publiku. Kështu pianisti Giovanni Belluci, u rikthye në skenë për të sjellë një interpretim të shkurtër nga kompozitori Chopin.

“Në momentin që luan në një shtet të ri në të njëjtën kohë je kureshtar të zbulosh ndjenjën që të jep publiku. Në këtë rast të veçantë, ishte edhe një orkestër, moment ky i veçantë për të takuar edhe muzikantët kosovarë”, u shpreh pianisti për KultPlus.

Përgjatë këtyre 14-të koncerteve, miqtë e këtij festivali ishin ata që e lehtësuan mbarëvajtjen e tij. Një mik i tillë është edhe Ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, ambasada e të cilit mundësoi ardhjen e pianistit të shquar.

Pjesa e dytë e koncertit solli kompozitorin Franz Schubert, një vepër monumentale dhe me një kohëzgjatje që është rimodeluar gjatë gjithë kohës. Vepër kjo e cila ishte shumë kërkuese për orkestrën dhe mund të vërehej qartë edhe nga të pranishmit. Vepër që ngjallë admirim në secilën pjesë e që u mirëpritën mjaftë bukur nga publiku. Drejtuesja Organizative e Festivalit, Besa Luzha pas mbylljes së festivalit një prononcim për KultPlus, shpalosi punën e bërë gjatë këtij edicioni.

“Mbrëmja e sonte ishte një përmbyllje kulminante e sjellë shumë bukur jo vetëm nga pianisti por edhe nga orkestra e filharmonisë. Kjo ishte një mbrëmje e këndshme dhe e denjë e këtij festivali maratonik siç e kemi pasur këtë vit. Vështirësitë kanë qenë në aspektin financiar pasi që akoma shumë prej institucioneve nuk i kanë realizuar donacionet, mirëpo për gjërat e tjera miqtë tanë na kanë ndihmuar shumë. Gjatë këtij edicioni kemi pasur shumë energji dhe kemi marrë shumë mbështetje diçka që është edhe shtytje tutje për ne për të tejkaluar çdo pengesë, për të sjellë mbrëmje të mrekullueshme dhe për ti tregojmë botës se jemi një vend që i çmojmë vlerat kulture dhe dimë t’i promovojmë vlerat e vërteta artistike”, përfundoi Luzha.

Ky ishte edicioni i 9-të i Chopin Piano Fest Prishtina, i cili paraqiti para publikut kosovar gjithsej 14 mbrëmje muzikore. Secila më e mirë se tjetra dhe secila me prurje të reja artistike./ KultPlus.com

Janos Balazs, piansiti që shpalosi shpirtin e kompozitorëve përmes interpretimit në Chopin

Alberina Haxhijaj

Janos Balazs, pianisti më i shpërblyer hungarez, ka qenë prurja e radhës e Chopin Piano Fest Prishtina për edicionin e tij të 9-të. Piasnisti, Janos Balazs, repertori i të cilit shtrihet nga Baroku dhe Romanticizmi deri në muzikën e shekullit XX dhe që është një ndjekës i Georges Cziffra, solli në Prishtinë një program jashtëzakonisht të pasur, shkruan KultPlus.

Të gjitha veprat e kompozitorit Chopin ishin të luajtura mjeshtërisht dhe prezantonin shpirtin e kompozitorit. Mirëpo pianisti njëkohësisht shfaqte edhe dramaticitetin dhe energjinë që ka kompozitori Liszt. Duke treguar mjeshtërinë e tij pianistike edhe të kompozitorët e tjerë që solli.

Kjo është hera e dytë që pianisti, Janos Balazs, po performonë në Kosovë. Ai në intervistën e tij dhënë për KultPlus pas koncertit tregoi se për të është shumë e rëndësishme që të sjellë vepra që kanë një histori prapa tyre dhe që tregojnë shpirtin e kompozitorit.

“Është shumë e rëndësishme që brenda programit të ngërthesh në vete vepra të lumtura dhe ato që janë më dramatike, pastaj vepra të gjata dhe disa të shkurtra kështu në një mënyrë do kesh vëmendjen e publikut. Zakonisht sjellë vepra të shkurtra por që kanë një histori prapa tyre”, tha pianisti për KultPlus duke shtuar se veprat që i ka sjellë sonte ishin mjaft të vështira pikërisht për ndryshimet që kanë veprat nga njëra-tjetra, e që sjellin edhe emociono të kundërta.

“Më pëlqen që të luaj këtu sepse të gjithë janë shumë shpirtmirë. Prishtina ka më të vërtetë nevojë për një festival të tillë të këtij kualiteti të lartë. Prandaj edhe vi dhe luajë këtu sa herë që më ofrohet mundësia. E di që nuk mund të them se është më i mirë në botë mirëpo është një kujtim shumë i bukur për mua dhe unë çdoherë pres më padurim që rikthehem”, përfundoi ai.

Mirëpo pianoja në të cilën performoi pianisti Janos Balazs dhe që ka mirëpritur artistë të njohur ndërkombëtarisht pikërisht në kuadër të këtij festivali, nuk i përmbushë kërkesat e artistëve dhe të festivalit. Kështu organizatorët e festivalit kanë vendosur që të kërkojnë të holla për blerjen e një piano të re.

“Gjatë koncerteve kemi parë që kjo piano është shumë e vogël dhe nuk mundet të sjellë tinguj që sjellë një piano e madhe. Prandaj kemi menduar që të ngrisim një fondacion për blerjen e një piano të re e cila do kushtonte rreth 150 mijë euro. Mjafton që 150 mijë persona të na dhurojnë nga një euro, për të pasur një piano të tillë. Mirëpo shpresojmë që edhe komuna edhe institucionet do të na ndihmojnë”, tregoi drejtuesja organizative e festivalit, Besa Luzha e cili ftoi të pranishmit në koncert por edhe të tjerët që ti përkrahin në këtë iniciativë.

Sot në kuadër të këtij festivali do të jenë dy koncerte. Në ora 12:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare do të jetë koncerti me nxënësit e shkollave të muzikës. Ndërsa në ora 20:00 në të njëjtin vend do jetë pianisti nga Rusia, Vitaly Pisarenko./ KultPlus.com

Artistët nga Shqipëria sollën gërshetim të mahnitshëm muzikor në Chopin Piano Fest (FOTO)

Gili Hoxhaj

Para objektit ku po mbahet tash e disa net “Chopin Piano Fest Prishtina”, vizitorët e shohin të shkruar pikërisht emrin e këtij festivali, dritat e kuqe pranë hyrjes veçse janë një ftesë më shumë për të hyrë në një festival ku interpretuesit e veprat janë të zgjedhura. Ky festival që është bërë pikëtakim i dëgjuesve me interpretues të huaj e vendor po e vazhdon traditën tashmë në edicionin e 9-të të tij.

Pas emrave të njohur vendor e interpretuesish nga vende si Portugalia, Franca, Austria, Kroacia, Maqedonia, mbrëmë ky festival solli dy instrumentistë nga Shqipëria. Për ata që janë adhurues të muzikës klasike dhe e ndjekin atë, këta dy emra nuk janë të panjohur për shkak që aktiviteti i tyre është i shtrirë në rajon e më gjerë. Ata kanë interpretuar edhe në shumë vende të botës. Klaidi Sahatçi në violinë e Merita Rexha Tërshana në piano u sollën një lojë bindëse publikut prishtinas.

Veprat që ata kishin zgjedhur tregonin për përkushtimin e tyre për t’i dhuruar më të mirën nga loja publikut të Kosovës. Vepra e tyre e parë mbrëmë erdhi si një rrugëtim nga i cili publiku nuk do ndahej lehtë. Ata interpretuan Sonatën nr. 9 op.47 të Bethoovenit, e njohur ndryshe edhe si “Sonata Kreutzer”. Këtë vepër kompozitori i njohur Bethooven ia kishte dedikuar violinistit George Bridgetower, me të cilin e solli edhe premierë në orët e hershme të ditës së 24 majit të vitit 1803 në Augarten Theatre. Pas një zënke me Bridgetower, pas performances Bethooveni kishte vendosur t’ia dedikoi një violinisti tjetër që quhet Rodolphe Kreutzer.

Vepra si e tillë ishte një përzierje emocionale sa që tingujt vijnë në trajta më ndryshe, herë më të qetë e herë më të fuqishëm, e që kombinimi i lojës së këtyre dy interpretuesve arrinte t’i përmbushte kërkesat e kësaj vepre. Pas kësaj, ata të dy sollën një sonatë tjetër nga kompozitori César Franck. (Sonata A-dur) për piano dhe violinë, është vepër të cilën kompozitori e kishte shkruar në moshën 63 vjeçare, në vitin 1886 si dhuratë e martesës për violinistin belg, Eugène Ysaÿe. Kjo vepër kërkon tejet përkushtim, e bagazh interpretues andaj dhe rëndom është luajtur nga pianist e violinist të njohur. Krejt në fund dyshja nga Shqipëria sollën veprën (Nocturno Posthumous Cis-mol) të kompozitorit më virtuoz në histori, Frédéric Chopin. Me këtë vepër si përfundim i koncertit, ata u kthyen për të dytën herë në skenë nga duartrokitjet e publikut, një pjesë e të cilëve edhe u ngrit në këmbë.

Të dy instrumentistët nga Shqipëria edhe nga eksperienca e tyre e shpeshte e interpretimit së bashku, dëshmonin një komunikim e harmoni të interpretimit, që dhuronte një gërshetim të rrallë artistik mes dy instrumentesh. Shpesh tingujt e violinës zgjateshin, e të pianos rëndoheshin por edhe në disa raste tingujt e instrumenteve vinin të ndarë nga njëra-tjetra, duke lënë publikun të shijoi lojën e vetëm njërit nga interpretuesit, për ta bërë më pas bashkimin e tingujve edhe më të bukur. Kur instrumentistit arrinin notën e fundit, duart e tyre shkëputeshin me ngadalësi nga instrumenti, duke i dhënë publikut edhe në momente të fundit një ndjesi artistike. Merita Rexha Tërshana është një nga pianistet më aktive në skenën muzikore shqiptare. Ajo tregoi për KultPlus se fakti që Festivali Chopin Piano Fest e ka në qendër të tij pianon, ajo e kishte pranuar më shumë kënaqësi ftesën e këtij festivali.

“Chopini është një nga kompozitorët e mi të preferuar, ashtu si për shumë pianist andaj është shumë kënaqësi që erdha këtu. Dy sonatat që interpretuam janë dy sonata impenjative dhe më të interpretuarat sa i përket këtij formati dhe fakti që janë aq të njohura gjithnjë përpiqesh t’i bësh gjërat më ndryshe nga ajo që janë mësuar ta dëgjojnë publiku”, u shpreh pianistja Merita e cila tha se ndihet e kënaqur me rezultatin pasi që edhe dhanë dhe morën emocione për publikun.

Klaidi Sahatçi përveç interpretimit e tingujve të plotë, u prezantua edhe me një lojë elegante e me muzikalitet tejet të theksuar. I vendosur në këmbë pranë pianistes, përveç duarve, ai shpesh lëvizte dhe këmbët duke bërë hapa mbrapa e përkulje të lehta. Sahatçi tregoi se u ndje shumë mirë me praninë e publikut të Prishtinës, për të cilin tha se ishte shumë i vëmendshëm gjatë koncertit dhe tek ata ndihet dhe pozitiviteti me të cilin vjen në koncert, e që atyre si artistë u ka dhënë frymëzim që të japin maksimumin.

“Vepra e Chopinit ishte një homazh për Festivalin dhe është një melodi shumë e bukur dhe funksionon mirë edhe me violinën pasi që i jep diçka edhe më ndryshe nga pianio, kurse veprat e tjera mendoj se janë më të rëndësishmet sa i përket reportorit violinistik dhe pianistik dhe për këtë doja që t’i prezantoja publikut të Prishtinës vepra më me peshë, ndërsa edhe këto dy vepra ishin edhe emocionalisht shumë të forta” tregoi violinisti Klaidi Sahatçi.

Chopin Piano Fest në mbrëmjen e radhës sjellë “Podium artistik”, me studentët e Pianos, në Fakultetin e Arteve të UP-së. Mbrëmja mbahet të enjten dhe fillon nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qendrore Universitare./ KultPlus.com

Sopranot kosovare nën tingujt e pianos, sollën perla të muzikës operistike në Chopin Piano Fest (FOTO)

Gili Hoxhaj

Chopin Piano Fest po vazhdon të mbaj mbrëmjet koncertale, në të cilat po i sjellë publikut prishtinas, artistë nga vende të ndryshme të botës dhe nga vendi. Mbrëmja e kaluar ishte e mbushur pikërisht me zërat e sopranove kosovare dhe lojën e pianistes po ashtu nga Kosova.

Publiku i cili kishte zënë çdo vend të ulëseve të Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, tashmë po priste daljen e interpretuesve në skenë. Piano e vendosur në skenën e kësaj salle, kësaj herë po mirëpriste pianisten, Pranvera Hoxha. Ajo me tingujt e saj në piano, do të përcillte lojën e dy sopranove që më zërin e tyre, do t’i sillnin publikut veprat e kompozitorëve të njohur, duke krijuar kështu një mbrëmje të pasur vokalo-pianistike. Në pamundësi që në këtë mbrëmje të interpretojnë tenori Liridon Sadriu dhe pianistja Lirika Pula, interpretueset arritën që të plotësojnë këtë mungesë. Ky fakt kishte bërë që pianistja Pranvera Hoxha ta përgatis programin për një kohë jo dhe shumë të gjatë. Ajo tregoi për KultPlus se mbrëmë u ndje shumë e kënaqur nga bashkëpunimi me sopranot e njohura nga vendi.

“Puna ka qenë mjaft intensive këto ditët e fundit mirëpo besoj kemi dhënë emocione për publikun, çka është parë edhe prej publikut. Për mua është gjithnjë kënaqësi kur dal në skenë dhe aq më tepër kur bashkëpunoj me artiste si Jeta dhe Adelina”, tregoi Pranvera Hoxha për KultPlus.

Për pianisten Pranvera Hoxha, sa ka qenë kënaqësi, aq ka qenë edhe sfidë puna me sopranot. Shpesh kur zëri i sopranove ngrihej, tingujt e saj zbuteshin për t’i mundësuar depërtimin e jehonës së zërit të tyre. Në anën tjetër jo dhe në pak raste zëri i sopranove mbërtheu sallën. Jeta Çitaku ishte ajo që hapi mbrëmjen duke sjellë kështu arie të njohura për publikun e Prishtinës. Përmes zërit të saj, e një ndjeshmërie në lëvizje e interpretim erdhën veprat e Puccinit, Mozartit, Bizzetit e Verdit,.

“Ne me Adelinën së bashku kemi ndarë një repertor që kryesisht janë perla të literaturës operistike duke përfshirë vepra të kompozitorëve të njohur”, tha Çitaku.

Ajo për publikun po ashtu solli edhe një nga këngët më të njohura arbëreshe, që ka një histori të fuqishme prapa vetes. “Moj e bukura more”, në interpretimin e sopranos Jeta Çitaku, rrëmbeu mjaft duartrokitje nga të pranishmit. Sopranoja Jeta Çitaku tha se përfshirja e kësaj vepre në programin e interpretimeve të mbrëmshme është një vlerësim dhe konsideratë ndaj publikut.

“Kur performon para publikut tënd është konsideratë dhe vlerësim kur interpreton në gjuhën tënde, mendoj edhe jashtë madje edhe më shumë andaj edhe e kemi si synim që të promovojmë muzikën tonë”, tregoi sopranoja Çitaku.

Adelina Paloja me interpretimet e saj, bëri që jo pak herë publiku t’i dhuronte duartrokitje të fuqishme. Karakteristikat e zërit të saj, bën që zëri i saj të shpërndahej me shpejtësi brenda sallës. Ajo solli arie të njohura të kompozitorëve si Catalani, Puccini, Dvorak, Lehar, Mozzart. Ajo tha se ndihet shumë e kënaqur nga ky koncert ndërsa tregoi se për ta sjellë këtë koncert i është dashur shumë punë intensive deri mbrëmë.

“Një program i tillë impenjativ e ka edhe rrezikun e vet që të performosh secilën arie për një mbrëmje por jam përpjekur t’i gërshetoi në atë formë që të jenë edhe atraktive për publikun, natyrisht kur e sheh këtë impakt të publiku s’ka se si të mos ndihesh ndryshe përveçse e kënaqur”, tregoi Adelona Paloja, e cila po ashtu tregoi edhe për bashkëpunimin me pianisten Pranvera Hoxha, duke thënë se ndajnë një energji të ndërsjellët që e bën që punën e saj të funksionoi më mirë.

Chopin Piano Fest do të vazhdoi sonte koncertin e radhës në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare ndërsa do të interpretojnë instrumentist nga Shqipëria, Klaidi Sahatci në violinë dhe Merita Rexha- Terisha në piano./ KultPlus.com