Ferizaj ka mirëpritur ekspozitën personale të mjeshtrit të fotografisë dhe “Nderit të Qytetit”, Hazir Reka, një ngjarje kulturore që bashkoi artdashës, miq e bashkëqytetarë për të parë nga afër punën e tij të vyer.
Fotografitë e Rekës janë dëshmi vizuale të historisë së përjetuar bashkë nga ferizajasit nga ngjarjet e mëdha historike e kulturore, te përditshmëria e thjeshtë e njerëzve të zakonshëm. Përmes objektivit të tij, Reka ka ruajtur jo vetëm imazhe, por edhe emocionet, atmosferën dhe frymën e kohës, duke ndërtuar një arkiv të gjallë që do t’i shërbejë brezave të ardhshëm.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, e vlerësoi lart kontributin e fotografit, duke e quajtur punën e tij një pasuri kulturore të qytetit:
“Fotografitë e Hazirit janë kujtesa jonë e përbashkët. Ato flasin me një gjuhë universale për atë që kemi përjetuar si komunitet dhe do të jenë udhërrëfyese edhe për ata që do të vijnë pas nesh.”
Hazir Reka, i cili prej dekadash ka dokumentuar momente kyçe të jetës në Ferizaj, ka fituar respekt e mirënjohje jo vetëm për mjeshtërinë teknike, por edhe për ndjeshmërinë e tij ndaj subjektit dhe përkushtimin në ruajtjen e identitetit kulturor. Ekspozita e tij është më shumë sesa një ngjarje artistike është një rikthim në kujtimet kolektive të qytetit, një përjetim i historisë në formën më të pastër vizuale./KultPlus.com