Shtëpia e shahut, palestra e xhudos dhe palestra e gjimnastikës, projekte potenciale në Ferizaj

Ministri Çeku ka takuar kryetarin e Ferizajit, Agim Aliu në kuadër të vizitave në komuna të Kosovës për të diskutuar rreth projekteve kapitale në sport, kulturë, rini dhe trashëgimi kulturore, përcjell KultPlus.

Diskutimi filloi me infrastrukturën fizike në fushën e sportit, ku u fol për stadiumin e qytetit, shtëpinë e shahut, palestrën e xhudos dhe projekte të tjera. U dakorduan që të bëhet një studim i plotë i fizibilitetit në këtë komunë, përmes së cilit do të analizohet shtrirja hapësinore, kategoria e kapaciteti që nevojitet për komunën e Ferizajit në shumë aspekte.

Vazhduan tutje me sallën e sporteve në Gremë, ku operatori ekonomik do të vazhdojë punën dhe deri në fund të vitit pritet përfundimi i punëve. Qendra multifunksionale është një tjetër projekt i rëndësisë së lartë ku është marrë zotim që puna në terren të intensifikohet dhe dinamizohet.

Ministri Çeku i njoftoi edhe me punët që po bëhen në fushën e trashëgimisë kulturore. Ndërhyrjet emergjente dhe restauruese. Kisha katolike në Ferizaj është në proces të hartimit të projektit të restaurimit, ndërsa do të fillojnë restaurimi i ish-gjimnazit të vjetër Ismail Qemajli dhe restaurimi i “Xhamisë së Madhe”.

Po ashtu janë propozuar disa projekte potenciale si shtëpia e shahut, palestra e xhudos, e palestra e gjimnastikës. Komuna u zotua se e mbështesin investimin dhe janë të gatshëm ta sigurojnë lokacionin.

Në fund të takimit, të pranishmit u njoftuan për programet shtetërore që pritet të fillojnë vitin e ardhshëm, arti në shkolla dhe sporti në shkolla. Komuna e mirëpriti këtë iniciativë dhe shprehi gatishmërinë të bashkëpunojnë në zbatim të tyre./ KultPlus.com