Nga poezitë aktuale të Agron Elezit:
(Shkruar nga Muharrem Elezi – shkrimtar, nënkryetar i lidhjes se shkrimtarëve të Kosovës, dega në Gjilan)
Në traditën e poetëve të mëdhenj, nga Homeri te Dante, nga Naimi te Migjeni, poezia nuk ka qenë vetëm zbukurim i fjalës, por një akt profetik edhe i ndërgjegjes shoqërore. Kjo poezi e Agron Elezit, “Lutja para Seancës së Kuvendit”, qëndron në të njëjtën linjë të thirrjes së ndërgjegjes kolektive përballë krizave historike, politike dhe morale.
Në një aktualitet ku institucionet kosovare janë në bllokadë për shkak të egos së ngushtë të liderëve, poeti ngre zërin si zë i ndërgjegjes kombëtare, duke e kthyer lutjen e tij në një manifest politik shpirtëror. Ai e percepton poezinë si lutje, por lutja këtu është një akt publik, një gjest i madhërishëm poetik që i tejkalon muret e parlamentit dhe flet me gjuhën e zemrës ndaj një kombi që rrezikon të vetëshkatërrohet nga Brenda; jo më nga pushtuesi, por nga mosmarrëveshjet mes bijve të vet.
Poema ka një strukturë lutëse, por ritmike dhe e qëndrueshme, si një psalm i shekullit XXI. Ajo përbëhet nga një seri thirrjesh drejtuar Zotit, ku çdo varg është një element moral, institucional dhe filozofik:
“Na jep busullën e së vërtetës
drejt yjeve të mrekullive të mbijetesës”
Kjo është një gjuhë e cila kombinon metaforën biblike me shqipen e gjallë dhe të thellë gegë. Një zgjedhje stilistike që nuk është rastësore, por me vetëdije të qëllimshme, për ta rrënjosur poezinë në realitetin autentik shqiptar.
Thelbi i kësaj poezie është një klithmë, jo vetëm lutje. Një klithmë që ngrihet nga vetëdija e një populli që, edhe pasi ka dalë nga skllavëria shekullore, rrezikon të fundoset nga mosmarrëveshjet e brendshme, nga inati politik dhe nga etja për pushtet.
Pyetja që ngrihet nëntekstualisht është tronditëse:
“Si është e mundur që pas shekujve të dhimbjes, prap po përsëritet historia?”
Poeti, si një orakull modern, paralajmëron se mungesa e burrërisë për të falur, mungesa e dinjitetit për të respektuar, dhe verbëria e lakmisë për pushtet, po i kthen shqiptarët mbrapsht; nga ëndrra e shtetit në makthin e përçarjes.
Ky tekst nuk është vetëm një poezi, por një program etik, një vizion utopik i mundshëm për politikën shqiptare, ku “qeverisjet shërbejnë, e nuk sundojnë”. Kjo është një poetikë e drejtësisë dhe urtësisë, e cila synon të kujtojë se kombi pa drejtësi, pa mëshirë dhe pa përulësi, është një anije pa drejtim.
“Lutja para Seancës së Kuvendit” është një poezi me potencial institucional, e cila mund të lexohet në fillim të çdo seance parlamentare jo si rit fetar, por si akt i vetëdijes kolektive. Ajo është dëshmi se poeti, me intuitën e tij, është më aktual se vetë politikanët. Poeti sheh më larg sepse e ndien më thellë. E pikërisht kjo është vlera e veprës: nuk jep zgjidhje teknike, por jep shpirt dhe busull morale – atë që politikës së sotme shqiptare i mungon më së shumti.
Në fund, kjo poezi është një akt shprese, por edhe një akt ndërgjegjjeje historike. Një pasqyrë e gjendjes sonë politike, por edhe një dritë e mundësisë që zëri i poetit të bëhet zëri i arsyes në Kuvendin e Kombit.
Ashtu qoftë!
Lutja Para Seancës së Kuvendit
O Zot!
Udhëheqna me ernat e arsyes
dhe velat e përgjegjësisë
me ligjet që nuk vrasin, por shërojnë
Udhëheqna drejt ishujve të paqes dhe dashurisë
me qeverisjet që shërbejnë, e nuk sundojnë
Shpëtona o Zot
Nga mjerimi i stuhive mendjemëdha
nga valët e liga të lakmisë dhe mashtrimit
Mos lejo djalli me na çmend e me na përça
me vorbullat joshëse të tradhëtisë dhe tundimit
Na jep busullën e së vërtetës
drejt yjeve të mrekullive të mbijetesës:
Na jep urtësi me folë
e guxim me vepru
Zemër me shërby
e shpyrt m’u mëshiru
Thellësi me peshë t’votës
e lartësi prej shenjtori
Na jep burrni me falë, Zot
e dinjitet me respektu
Na i bo sytë largpamës si t’shqiponjës
mos me lanë mendjen e ultë n’maxhe t’bukës
Na i bo veshët të mprehtë si t’ujkut
me i dëgju edhe djallëzitë ma t’thella t’nëntokës
Plotësoje o Zot amanetin e rilindasve
fjalët e shenjta të dijetarëve shpyrt-bardhë
që n’këtë risk tonin dhe t’pasardhësve
të ndërtojmë një shtet dhe shoqëri të mbarë
Ashtu u boftë!/ KultPlus.com