Agron Polovina sjell 38 piktura në një ekspozitë të veçantë verore në Pogradec

Në qytetin e Pogradecit është hapur ekspozita e piktorit të njohur Agron Polovina, një emër që prej kohësh ruan lidhje të ngrohta shpirtërore e profesionale me këtë vend. Dashuria e tij për Pogradecin, tregon vetë autori, lindi që në vitet e Liceut Artistik, kur pedagogu Gjergji Lako e afroi me peizazhet, kulturën dhe atmosferën unike të qytetit.

Ekspozita përfshin 38 punime, kryesisht peizazhe, por edhe tablo që pasqyrojnë veshjet tradicionale shqiptare, të realizuara gjatë udhëtimeve të artistit në zona të ndryshme të vendit. Një vend të veçantë zënë pesë kompozime të reja, të prezantuara pas një periudhe të gjatë, të cilat ndërthurin frymëzimin nga trashëgimia e Pogradecit me reflektime mbi realitetin e sotëm shqiptar, transmeton KultPlus.

Piktori Arben Golemi, mik dhe bashkëpunëtor i hershëm i Polovinës, e cilëson atë një peizazhist të spikatur dhe artist të formuar në mënyrë të plotë. Vlerësime ka dhënë edhe piktori Vagjo Vasili, duke e përshkruar si një krijues me ndjeshmëri të hollë dhe mjeshtëri të veçantë.

Ekspozita do të jetë e hapur gjatë gjithë muajit gusht, duke ftuar artdashësit dhe vizitorët të zbulojnë nga afër punën e një artisti që e lidh thellë dashuria për qytetin buzë liqenit./KultPlus.com

12 artistë pikturojnë gjatë pandemisë Shqipërinë nga Jugu në Veri

Ekspozita “Plein air” është çelur në Muzeun Historik Kombëtar. 12 piktorë janë bërë bashkë për të sjell përmes tablove të tyre peizazhin e Shqipërisë nga Jugu në Veri. Piktori Agron Polovina rrëfen përpjekjet e artistëve për të promovuar natyrën shqiptare përmes artit figurativ.

“Rrugëtimi i artistëve të Plein air ka qenë në të gjithë Shqipërinë, por unë do të veçojë krijimet e realizuara në Veri të vendit, në Liqenin e Prespës dhe në bregdet. Kjo ekspozitë është një ftesë për njerëzit për të udhëtuar, për të njohur vendin, por përse jo edhe për ta zbukuruar jetën e tyre”, shprehet piktori Agron Polovina.

Piktorët Buron Kaceli, Kujtim Buza, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Xheneta Kadillari edhe të tjerë artistë, prezantojnë veprat e krijuara në këtë periudhë të vështirë pandemie, si një ushqim shpirtëror për artdashësit

“Unë personalisht kam shëtitur, si asnjëherë tjetër. Kam plotësuar boshllëqet që ka krijuar ambienti gjatë pandemisë. Mendoj se kjo ekspozitë është një ftesë për publikun, sepse të parët direkt një vepër arti nga afër është e pakrahasueshme me çdo mënyrë tjetër”, thotë Xheneta Kadillari.

Ekspozita vazhdon të qëndrojë hapur në Muzeun Historik Kombëtar./Shqiptarja.com/ KultPlus.com

Agron Polovina u prezantua me 25 vepra në Galerinë “Vilson Kilica” të Fierit

Në një mbrëmje artistike, ku kryefjala ka qenë arti i pikturës realiste, mjeshtri i peizazhit shqiptar Agron Polovina ka mbledhur miq, kolegë, adhurues të pikturës, njerëz të artit, kulturës, trashëgimisë dhe nxënës shkollash.

Rrugëtimi artistik i Agron Polovinës është ndalur në Fier, ku në galerinë “Vilson Kilica”, ai ka hapur ekspozitën e tij personale, të radhës. Një mbrëmje me miqtë dhe për miqtë, për të prezantuar veprat e tij, realizuar kohët e fundit, ku mjeshtëria e ngjyrave, bashkuar me magjinë e formave, janë ngjizur natyrshëm në pikturën që Polovina ka krijuar tani më me identitetin e vetë.

Mbrëmjen e djeshme, galeria e qytetit të Fierit solli për publikun 25 veprat në pikturë, në një mbrëmje që ka mbajtur nën emocionet e peizazhit të pranishmit, të cilët i bashkon dashuria e pazëvendësueshme për artin e pikturës. Abaz Hado, kritik arti, në cilësinë e kuratorit të kësaj ekspozite theksoi në fjalën e tij se piktura e Agron Polovinës është po aq realiste, sa dhe moderne,  e strukturuar fort dhe në mënyrë profesionale.

“Piktura e Agron Polovinës është pikturë realiste, sepse ai jeton dhe punon në një qytet, ku çdo piktor e ka ëndërr të punojë në atë Beratin e bukur me veçanti karakteristike. Ai vjen gjithashtu nga një shkollë realiste, që nuk e braktis vetveten për hir të një kërkese dhe me tendencë të kohës për transformim deri në abstraksion. Arti i tij synon realizmin dinamik, që afron me pas impresionizmin si pëlqim, por që më tej afron dhe në simbolikë që e bëjnë një pikturë ekspresioniste, me element të dukshëm simbolikë”, ka thënë Abaz Hado në hapje të kësaj ekspozite. Ai më pas vlerësoi se veprat e Polovinës janë vepra që nuk kërkojnë të përcaktohen detyrimisht në një drejtim apo rrymë.

Në këtë hapje, të pranishmit i përshëndeti edhe vet autori Polovina, kurse kjo ekspozitë do të rri e hapur për disa ditë./KultPlus.com