‘Nata me yje’, nga Vincent van Gogh

Piktura abstrakte me nunaca të forta të blusë dhe së verdhës ka intriguar shpesh herë artdashësit.

Van Gogh jetonte në një spital mendor të Francës, ku kurohej për sëmundje të shëndetit mendor kur pikturoi “Natën me yje”.

Ai u frymëzua nga pamja jashtë dritares së tij.

Vincent van Gogh ishte një piktor post-impresionist, puna e të cilit – e shquar për bukurinë, emocionet dhe ngjyrën – ndikoi shumë në artin e shekullit të 20-të. Ai luftoi me sëmundje mendore dhe mbeti i varfër dhe praktikisht i panjohur gjatë gjithë jetës së tij.

Van Gogh lindi më 30 mars 1853, në Groot-Zundert, Holandë. Babai i Van Gogh, Theodorus van Gogh, ishte një ministër i ashpër i vendit dhe nëna e tij, Anna Cornelia Carbentus, ishte një artiste humoristike, dashuria e së cilës për natyrën, vizatimin dhe bojëra uji iu transferua djalit të saj.

Van Gogh lindi saktësisht një vit pasi djali i parë i prindërve të tij, i quajtur gjithashtu Vincent, lindi i vdekur. Në një moshë të re – me emrin dhe datëlindjen e tij tashmë të skalitur në lapidarin e vëllait të tij të vdekur – Van Gogh ishte melankolik.

‘Mona Lisa’, protestuesit hedhin supë mbi pikturën e Da Vinçit

Protestuesit kanë hedhur supë në pikturën e mbrojtur me xham të Mona Lizës në Paris.

Piktura e shekullit të XVI-të nga Leonardo da Vinçi është një nga veprat më të famshme të artit në botë dhe mbahet në Luvër të Parisit.

Piktura mbrohet me antiplumb, kështu që nuk ka gjasa të jetë dëmtuar.

Një video shihen dy protestuese femra të veshura me bluza që thuhet “përgjigje ushqimore” duke hedhur supë mbi pikturën.

Më pas ata qëndrojnë përballë, duke kërkuar të drejtën për “ushqim të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm”, duke thënë se “sistemi ynë bujqësor është i sëmurë”.

Sigurimi i muzeut më pas shihet duke vendosur ekrane të zeza përpara tyre përpara se dhoma të evakuohet, shkruan BBC.

Kryeqyteti francez ka parë protesta nga fermerët ditët e fundit, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund rritjes së kostove të karburantit dhe për thjeshtimin e rregulloreve – të premten ata bllokuan rrugët kryesore brenda dhe jashtë Parisit.

Mona Lisa ka qenë pas xhamit të sigurisë që nga fillimi i viteve 1950, kur u dëmtua nga një vizitor që hodhi acid mbi të.

Në vitin 2019, muzeu tha se kishte instaluar një formë më transparente xhami antiplumb për ta mbrojtur atë.

Në vitin 2022, një aktivist hodhi tortë në pikturë, duke u kërkuar njerëzve të “mendojnë për Tokën”./Klan Kosova/ KultPlus.com

“Ecejaket e mija” e Bija Jasiqit shënoi hapjen e kauzës së ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit përmes artit

Vjollca Duraku

Me ekspozitën “Ecejaket e mija”, piktorja Bija Jasiqi mbrëmë shënoi hapjen e ekspozitës së dytë personale e cila këtë herë erdhi në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, e cila ishte si simbolikë paraprijëse e muajit mbi ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit, që zyrtarisht fillon në muajin tetor, shkruan KultPlus.

“Ecejaket e mija” është ekspozita e dytë personale e Bija Jasiqit, e cila shpërfaqë ecejaket e rrugëtimit të piktores, gjurmët e të cilave tashmë shiheshin të jenë ndaluar shpesh tek imazhi i gruas në përgjithësi.

Në njërën nga 16 pikturat e saj paraqitej tema e kancerit të gjirit, që për koincidencë qëlloi pak para fillimit të muajit tetor, i cili shënon muajin e ndërgjegjësimit për mbrojtje nga kanceri i gjirit. Kështu kjo ngjarje  mori kthesë duke u cilësuar si paraprijëse e një muaji shumë të rëndësishëm për qytetarët e vendit.

Ngjarja veçse filloi me ardhjet e vizitorëve, të cilët qenë të shumtë në numër. Përshëndetjet dhe përqafimet e tyre të ngrohta me piktoren krijuan një energji mjaft të bukur mes të pranishmëve. Bisedat e tyre të ngrohta, shikimi nga afër i pikturave të vendosura në tre anët e mureve e buzëqeshjet e të pranishmëve, i jepnin ngjarjes edhe karakter socializues.

Për të hapur zyrtarisht këtë ekspozitë, fjalën hyrëse e mori drejtoresha e mediumit KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila përveç falënderimeve për praninë e pjesëmarrësve, tha se ndihej e nderuar që piktorja në fjalë ekspozitën e kishte hapur në KultPlus Caffe Gallery, pasi pikturat i kishin sjellë vendit edhe më shumë ngjyrë dhe energji pozitive.

“Neve si KultPlus na ka nderuar me ardhjen e saj kjo zonjë e cila i ka sjell këto vepra me kaq shumë ngjyra, ashtu siç është edhe vetë personaliteti i saj. Bija Jasiqi është një grua që jo vetëm nga dukja, por besoj secili që e keni takuar e keni marr edhe energjinë pozitive që ajo shpërndanë. Ngjyrat e këtyre pikturave, përfaqësojnë pikërisht këtë gjë”, shprehet Pajaziti.

Drejtoresha Pajaziti, po ashtu tha se kjo ekspozitë në KultPlus Caffe Gallery, i paraprinë muajit tetor, muajit të ndërgjegjësimit për mbrojtje nga kanceri i gjirit.

“Në anën tjetër jemi të lumtur si KultPlus Caffe Gallery, që nëpërmjet ekspozitës së Bijes jemi duke i paraprirë muajit tetor, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Në mesin e pikturave e kemi edhe një pikturë që artistja ja ka dedikuar pikërisht kësaj kauze dhe nëpërmjet kësaj ekspozite po e nisim këtë rrugëtim për të ngritur vetëdijen për të gjitha gratë dhe pë t’i dhënë vëmendje kësaj kauze”, përfundoi Pajaziti.

Më pas fjala iu kalua piktores Bija Jasiqi e cila tha që meqë vlerësimi i artit është relativ, prania e shumë artëdashësve në këtë ngjarje, e begatonte edhe më shumë përmbajtjen dhe mesazhin e pikturave.

“Jam shumë falënderuese që keni ardhur. Këtë art që e kam punuar, unë e kam vlerësuar në mënyrën time, mirëpo vlerësimi i artit është relativ, do të thotë secili nga ju do ta begatoni si artdashës edhe përmbajtjen edhe mesazhet e këtyre pikturave. Besoj fuqishëm që s’do të hezitoni që të më tregoni atë çka e vëreni ju, sepse përmes jush unë do e plotësoj çka mundem”, ka thënë piktorja.

Ajo më tutje u shpreh e lumtur që njëra nga pikturat e saj do t’i dhurohej Organizatës Have Hope mbi ndërgjegjësimi e kancerit të gjirit, dhe se e vlerësonte reagimin e kësaj organizate që ta ketë këtë pikturë pjesë të sajën.

“Organizata Have Hope me drejtoreshën Arnisa Osmani janë lajmëruar të parët që ta kenë pjesë të tyre këtë pikturë. Unë kam menduar që do të ja dhuroj onkologjisë ose dikujt tjetër pasi në tetor fillon muaji i ndërgjegjësimit për mbrojtjen nga kanceri i gjirit, por tashmë u takon këtyre”, u shpreh Bija e cila tutje e ftoj Osmanin për një fjalë rasti.

Arnisa Osmani tha se është hera e parë që kauza e tyre po fillonte nëpërmjet artit dhe se krijimi i një vepre të tillë shënonte një vepër shumë të madhe për vet organizatën.

“Faleminderit shumë për këtë  vepër, pasi është hera e parë që nëpërmjet artit po hapet kauza kundër kancerit të gjirit, edhe pse nuk jemi në muajin tetor, unë gjithmonë them që tetori fillon me 1 tetor dhe mbaron më 30 shtator. E vlerësojmë shumë sepse për ne dhe organizatën tonë kjo është një vepër shumë e madhe”, ka përfunduar Arnisa.

Më pas në një prononcim për KultPlus, Bija tha se pikturat e saj gjithherë përmbajnë ngjyra të ndezura të cilat në njëfarë forme e paraqesin shpirtin e saj të ngrohtë. Ajo më tutje u shpreh se do të vazhdoj edhe më tutje me një krijimtari të tillë duke u bërë thirrje të gjithë pensionistëve që të jenë sa më aktiv.

“Ecejaket e mija më sjellën në art, dhe aty qe stacioni i fundit. Mirëpo nuk do të thotë që do të ndalem sepse kam zbuluar një teknikë të bukur një abstrakt modern dhe bashkëkohor, që ju pëlqeu shumë kolegëve të mijë. Do të vazhdoj të eci këtyre hapave t’u  bëj shumë motra dhe vëllezër këtyre pikturave. Unë jam mjaft në moshë dhe preferoj që të ju lë një mesazh të gjithë të moshuarve që të jenë aktivë si unë në krijimtari.”

“Rrapi i Prizrenit” (i vjetër mbi 500 vjet), “Lozonjarja e fishekzjarrëve”, “ Nëna gjidhënëse” ishin po ashtu piktura që binin në sy, e për të cilat Bija shpjegoi se çfarë ajo kishte shprehur.

Në mënyrë që ritmi i kësaj ngjarjeje të vazhdonte edhe më tej, u përkujdes band-i “Bulza me djemtë”, ku solistja Bulza Havolli, përmes këngëve të përzgjedhura shqipe në flladin e një nate vere, në ambientet e gjelbëruara të KultPlus Caffe Gallery, ishte qershia mbi torte e kësaj mbrëmjeje e cila u shijua pafund nga të pranishmit.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë ku edhe adhuruesit  e pikturës do të kenë mundësi t’i shohin për së afërmi dhe t’i blejnë pikturat e saj të cilat janë në shitje. / KultPlus.com

Kolë Idromeno, themeluesi i pikturës realiste shqiptare dhe arkitekti i veprave madhore të Shkodrës

Më 15 gusht 1860 lindi në Shkodër artisti Nikollë Idromeno.

I njohur ndryshe me emrin Kolë Idromeno, ishte piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant e kompozitor këngësh shkodrane. Mban titullin “Piktor i Popullit”.

Ishte i pari që realizoi shfaqjet kinematografike në Shqipëri, në 1919. Është themeluesi i shkollës realiste të pikturës shqiptare të shekullit XIX-XX. Në vitin 1883 realizoi tablonë “Motra Tone” që është dhe vepra e parë e rëndësishme realiste në pikturën shqiptare të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë.

Kolë Idromeno rrjedh prej një familjeje çame të ardhur nga Parga e Greqisë e të vendosur në Shkodër. Mësimet e para të artit i mori në studion e Pietro Marubbi-t, gjë që e vuri në kontakt me mediumin më të ri të kohës, fotografinë. Në moshën 16 vjeçare më 1875, ai shkon në Venecia ku kalon një periudhë të shkurtër studimi në Akademinë e Arteve të Bukura e më pas pranë studios së një artisti venecian. Pas kësaj përvoje, më 1878 ai kthehet në Shkodër ku shfaq interesat e dhuntitë e tij në disa fusha. U bë i njohur për projektet arkitektonike të një sërë ndërtesash publike e private në Shkodër si Kafja e Madhe, Banka Kombëtare, disa shtëpi në dy rrugët kryesore të qytetit. Arkitektura që propozon ai sjell disa tipare perëndimore kundrejt arkitekturës orientale që kishte depërtuar ndër shekuj.

Fondi i tij fotografik numëron 1300 negativë në xham në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe rreth 100 në Muzeun “Marubi”. / atsh / KultPlus.com

Piktori shqiptar që ka pikturuar me qindra herë Bekim Fehmiun: Ai është një mit i madh dhe një pikë referimi

Jeta Zymberi

Nëse ju bie rruga në sheshin e piktorëve në ishullin grek të Rodosit, ju mund të hasni në Bekim Fehmiun të pikturuar nga dora e artistit shqiptar që me vite jeton në Greqi, Diamant Shehu. Dashurinë, mallin dhe frymëzimin që mori nga vendlindja, ai e zbërthen në pikturat e tij mahnitëse.

Lindur në qytetin e Memaliajt, vitet e para të fëmijërisë i kaloi në fshatin e lashtë të Shehajt (i njohur tashmë si Anëvjosë), sipas tij fshati më i bukur në gjithë trevën shqiptare. Piktori Diamant (Elmas) Shehu i cili sot bënë një jetë boheme, është një vizionar që ka gjetur frymëzim të veçantë në peizazhin dhe trashëgiminë e tij kulturore, shkruan KultPlus.

Jeta e thjeshtë i ka ndihmuar të mbajë fokusin tek krijimi, pa ju nënshtruar rregullave dhe konvencioneve të shoqërisë. Që në kohën e tij të fëmijërisë, Diamanti manifestoi aftësinë e tij të jashtëzakonshme për të vizatuar dhe për të përdorur ngjyrat në mënyrë të mahnitshme. Në ato fusha të gjelbra dhe kodrat e Anëvjosës, ai gjeti burimin e parë të inspirimit për kreativitetin e tij të ardhshëm. Fshati i tij i lindjes nuk ishte vetëm një vendbanim, por një burim i pashtershëm për të nxjerrë në pah bukurinë natyrore dhe ritmet e jetës rurale.

Filloi të vizatoj që kur mban mend vetën. Me mbështetjen e babait të tij, që për të mbetet i paharruar, ai vazhdoi pandalur rrugën e pikturës.

“Babai gjeti te unë talentin dhe nuk u tërhoq kurrë, as kur mori vlerësim negativ për talentin tim. Andaj i jam mirënjohës përjetë”, shprehet Diamanti në një intervistë për KultPlus.

Përderisa përkrahja nuk i mungoi, ajo u kthye në punë e vullnet për të kaluar me sukses konkursin për pikturë në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe tutje shkollën e mbaroi në qytetin e Beratit me mësues, artistë të njohur të pikturës, skulpturës dhe grafikës.

“Ekspozitën e parë e kam hapur në vitin 1987 në SHQUP (Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë). Me rënien e sistemit totalitar kontakti me artin u bë më tepër shpirtëror, për më shumë se 20 vjet. Në vitet e para të demokracisë kam qenë në kërkim të vetvetes dhe në këtë periudhë deri në vitin e Zi për Shqipërinë, 1997, kam mbijetuar duke bërë punë nga më të ndryshmet”, shprehet Diamanti për një ndër periudhat më të vështira të jetës.

Sot, kur ne po bisedojmë me të, ai jeton dhe punon në sheshin e piktorëve në ishullin grek të Rodosit.

Ishulli grek i Rodosit, ky ishull i lashtë, i mbushur me pasuri historike dhe pamje natyrore të mahnitshme, i ofroi artistit një platformë për të shprehur ndjenjat e tij më të thella. Duke përdorur teknika të ndryshme dhe kombinime ngjyrash, Diamanti i dha jetë peizazheve të pafundme të ishullit, duke i dhënë atyre një dritë të re dhe një kuptim të thellë emocional.

Pikturat e tij kanë një shtrirje të gjerë, ndërsa për portretet që duket sikur janë pjesa dërmuese e punës së tij të përditshme, ai thotë se akoma nuk ka gjetur arsye tjetër për të punuar portrete ,veç atyre ekonomike.

“Portreti është gjini e vështirë nga ana teknike por vetëm si portret, pa u plotësuar me atmosferën historike dhe pa u kompozuar nga syri i artistit, ngelet larg artit”, shprehet Diamanti.

Edhe pse sot jeton në Greqi, ai ka mbetur i pandarë nga kujtimet e fëmijërisë së tij në Anëvjosë. Për artistin, kjo pjesë e jetës së tij është burimi i vërtetë i identitetit dhe frymëzimit të tij. Duke mbajtur gjallë trashëgiminë kulturore të fshatit të tij të lindjes, ai ka sjellë në jetë historinë dhe traditat e tij nëpërmjet pikturave.

Ndërsa kur flasim për portretet, aty ku piktori duket sikur ka zhytur veten dashje padashje, ai në këtë pikë ka një portret që e ka realizuar qindra herë.

Është portreti i aktorit të njohur shqiptar, Bekim Fehmiut, për të cilin piktori flet me superlativa dhe dëshmon se ka ruajtur lidhjen e fortë me identitetin shqiptar dhe e ka sjellë atë me pasion në punën e tij artistike.

“Bekim Fehmiu është një mit i madh dhe një pikë referimi për të gjithë ata artistë që e shikojnë se jeta e tyre artistike dhe kulturore ngjan për nga natyra dhe kushtet politike dhe shoqërore në të cilat duhet të gjej rrugën për të punuar dhe jetuar normalisht dhe duhet të bëhen ura lidhëse për popujt dhe politikën e stilit ballkanik, që punon për të kundërtën”, shprehet artisti Shehu.

Përkundër dashurisë së madhe për këtë aktor, Diamanti nuk e ka pasur fatin ta takoj fizikisht asnjëherë, por me figurën e tij artistike ai pohon se takohet çdo ditë.

“Takohem me të kur turistët serb thonë se është serb dhe kur ata shqiptarë e blejnë portretin e tij ,apo edhe kur vendasit grekë befasohen kur mësojnë kush është artisti që ka luajtur rolin e Odiseut përkrah të madhes Irene Papas. Por momentet më të mira i kam me bashkatdhetarët tanë të cilët befasohen kur mësojnë se jam shqiptar dhe marr guximin të pikturoj Bekim Fehmiun në Greqi”, shprehet Diamanti teksa ndan me ne edhe një moment shumë emocional kur një djalë nga Vlora, me profesion aktorë në Londër, po qante përballë portretit të Bekim Fehmiut derisa nuk po mund të merrte veten për tu shprehur nëse mund ta blinte atë portret.

Përmes pikturës së tij, Diamanti ka një synim, që figura e Bekim Fehmiut të njihet edhe nga populli artdashës grek dhe të largohet çdo pengesë fetare, ideologjike dhe kulturore ndaj krijimeve artistike të cilat përcjellin mesazhe që nuk përkojnë me këndvështrimin e ngushtë që kultivojnë për shekuj me radhë në Ballkan.

“Arti është shpirti i njeriut. E bukura do të duhet të kultivohet kudo dhe ajo duhet të triumfojë. Mbi të zakonshmen, të rëndomtën ,mbi atë që përmban kotësinë. Nëpërmjet artit mund të shkruajmë historinë njerëzore pa ftuar politiken në kuvend”, thotë piktori.

Krejt për fund, Diamanti ka zbuluar për KultPlus se është duke punuar për një ekspozitë individuale në grafikë dhe skulpturë të cilën do ta prezantojë në Ishullin e Rodosit ku jeton që nga viti 1997.

Përkundër jetës së vështirë e plot sfida, nëse do të kishte një gjë për të cilën do të kthehej në kohë dhe ta bënte ndryshe, Diamanti nuk është i kësaj natyre.

“Nuk do doja të shikoj prapa për të ecur përpara. Besoj se koha nuk kthehet më. Për më tepër besoj te thënia: Mos humb kohë për kohën që iku. / KultPlus.com

Piktori i dashuruar në fustanellat shqiptare (FOTO)

Në historinë e artit të pikturës është e rrallë që një piktor i njohur t’i jetë drejtuar me aq pasion dhe adhurim shqiptarëve.

Leon Gerôme (Zherom), në pikturën franceze të gjysmës së dytë të shekullit XIX, njihet si një piktor akademik dhe realist, që ka bërë aq shumë nudo („nu“) të njohura në temën erotike franceze, si dhe temën biblike dhe greko-romake. Por, ajo që ka mbetur si një gjurmë dalluese dhe e pashlyeshme dhe që është arritja e tij më e mirë pikturale, janë personazhet e tij arnautë, shqiptarët që ai i pikëtakoi në udhëtimet e tij në Egjipt.

Është e çuditshme, se ky piktor mund të ishte mjaftuar me dhjetëra tablo që pikturoi gjatë apo pas udhëtimit të tij të parë në Egjiptin modern të Mehmet Ali Pashës, por ato portrete e personazhe, veshur me fustanella të bardha, të hedhura aty si nga një dorë qiellore, midis piramidave, mamlukëve, beduinëve dhe koptëve të vjetër, e kishin tërhequr me një fuqi të pashpjegueshme. Ndoshta ishte dhe vetë enigma se përse ata njerëz me fizionomi të skalitur dhe të prerë, që qëndronin natyrshëm në sfonde shkëmbore e malesh, gjendeshin tashmë në ato toka rrafshore, mes shkretëtirës dhe duhive të erës që sillnin vetëm rërë. / Hejza / KultPlus.com

Art e piktura në veriun e tensioneve (VIDEO)

Piktura ndërton ura. Kjo moto pritet ta mbushë me njerëz e vepra artistike Qendrën e Kulturës “Kadri Kadriu” në lagjen Kroi i Vitakut, përtej Ibrit në Mitrovicë.

Ato do të punohen nga piktorë që u mblodhën aty të shtunën, raporton Klan Kosova.

“Me pas sa ma shumë të ri që e frekuentojnë, mos me qenë kjo larg për veriun e jugun se një Mitrovicë është. Me u ba një vend pikniku edhe për gjeneratat e reja”, deklaroi kuratori Veton Gusia i “Artistë për Artistë”.

Aktiviteti në këtë vend, që synohet të bëhet i përvitshëm, mori vlerësime pozitive. Nikoqiri i piknikut me ngjyra pret që kjo qendër arti të bëhet pikë frekuentimi nga të rinjtë.

“Kultura dhe arti është shpirti i popullit, në piedestal një popull e ngritë kultura dhe arti, andaj është shumë e rëndësishme sepse brezat e rijnë edukohen e frymëzohen”, tha Ali Kadriu, udhëheqës i QK “Kadri Kadriu”.

Organizimi artistik te Kroi i Vitakut u pa i rëndësishëm edhe për faktin se mbahet në një pjesë të Republikës ku tensionet nuk janë të rralla.

Të dielën do të shfaqen dokumentarë, e aktivitete do të ketë gjatë gjithë verës./KlanKosova/KultPlus.com

Piktura e Rubens, e humbur për disa shekuj, mund të shitet për 7.7 milionë dollarë

Një pikturë e piktorit Peter Paul Rubens, e humbur në histori, është rishfaqur me ndihmën e analizës me rreze X dhe tani mund të arrijë deri në 7.7 milionë dollarë në ankand muajin e ardhshëm.

Rubens përfundoi pikturën “Saint Sebastian Tended by Two Angels” më shumë se 400 vjet më parë.

Në këtë pikturë përshkruhet historia e ushtarit romak Sebastian, i shpuar nga shigjetat e ushtarëve dhe i lënë të vdiste pasi u konvertua në krishterim, përpara se engjëjt të ndërhynin mrekullisht.

Me gjasë e porositur nga fisniku dhe komandanti ushtarak italian Ambrogio Spinola, piktura besohej të ishte përfunduar rreth viteve 1606-1608 në Itali, ose rreth viteve 1609-1610 në Antwerp pasi Rubens të ishte kthyer në qytetin e tij të lindjes, shkruan CNN, përcjell Klankosova.tv

Piktura u zhduk nga historia në vitet 1730, derisa u rishfaq në Misuri në vitin 1963. Më vonë u ble nga pronari aktual në një ankand në vitin 2008, ku u identifikua gabimisht si një pikturë e Laurent de la Hyre, një artist francez.

Analiza me rreze X, e kryer në prill, zbuloi se piktura ishte vepër e Rubens dhe, më e rëndësishmja, versioni origjinal i kompozimit. Më parë, ai titull mbahej nga një pikturë në koleksionin e familjes Corsini, tani e varur në Galleria Corsini, Romë.

Analiza zbuloi ndryshime nën pikturën përfundimtare ndërsa Rubens skaliti dhe formoi dizajnin e tij në përsosmëri për herë të parë. Fillimisht, për shembull, Rubens pikturoi Shën Sebastianin me fytyrë nga ana tjetër, ndërsa ai hoqi një shigjetë tjetër që shponte kofshën e djathtë të shenjtorit në formën përfundimtare të pikturës.

Rubens ishte një nga piktorët më të famshëm dhe më të mëdhenj të shekullit të 17-të dhe një piktor që ishte me të vërtetë në ballë të zhvillimit të barokut si një stil arti.

Vepra e artit do të dalë në ankand në Londër më 5 korrik dhe vlerësohet se do të arrijë deri në 7.7 milionë dollarë./klankosova/KultPlus.com

“Buste de femme” e Pikasos në ankand

Piktura e Pablo Picassos “Buste de femme” (”Bust gruaje”), të cilën ai e krijoi dy vjet para vdekjes së tij në 1971, do të dalë sot në ankand në qytetin gjerman të Këlnit për një vlerë prej 1,5 milionë eurosh.

”Është hera e parë në të paktën 25 vjet që një pikturë e madhe e artistit spanjoll del në ankand në Gjermani”, sipas shtëpisë së ankandit ”Van Ham”.

Historianët e artit njohin në pikturë bashkëshorten e dytë të Pikasos, Jacqueline Roque (1927-86), nga pasuria e së cilës erdhi fillimisht.

Tani vjen nga një koleksion privat gjerman me një vlerë totale të vlerësuar prej 10 milionë eurosh.

Ai përfshin gjithashtu vepra nga Louise Bourgeois, Paul Klee, Sigmar Polke, Egon Schiele dhe Kurt Schwitters.

Picasso, i cili vdiq 50 vjet më parë, krijoi gjithsej 400 portrete të Roque, i cili ishte 46 vjet më e re.

Ish-shitësja e qeramikës më vonë i ndaloi fëmijët e tij të merrnin pjesë në shërbimin e varrimit të Picasso-s.

Ajo vdiq në vitin 1986./ atsh / KultPlus.com

Image shows painting named ‘Bust of a Woman’, by Pablo Picasso from 1971. It will go under the hammer in the city of Cologne, Germany, for the first time in 25 years at the value of between EUR 1.5 million (GBP 1.3 million) and EUR 2.5 million (GBP 2.2 million). (VAN HAM Kunstauktionen KG/Newsflash)

Hapet ekspozita ‘Përtej kufirit e portave-Pasdite e përjetshme’ në galerinë FAB

Artan Peqini ka çelur  ekspozitën e tij të dytë vetjake me piktura të titulluar “Përtej kufirit e portave-Pasdite e përjetshme”, me kuratore Najada Hamza.

Pikturat do të qëndrojnë të ekspozuara në galerinë FAB deri më 21 maj.

Artisti sjell atmosferën e pasditeve në kodrat e Apolonisë, ku njerëzit e ditëve të sotme përballen me paraardhësit e tyre, njerëzit e antikitetit, të cilët paraqiten si koka skulpturash të pikturuara.

Udhëtimi në kohë që sjell Artan Peqini, është si një mundësi që i jepet publikut të kohëve moderne për të kuptuar më mirë realitetin përreth.

Artisti thotë se, kjo ekspozitë ka në qendër fabulën e një udhëtimi të përhershëm, përtej portave e kufijve.

Individët e paraqitur në tablotë e Peqinit janë të paidentifikueshëm, duke lënë hapur mundësinë për t’u transformuar secili nga ne, në personazhet e pikturave të tij.

Ata vijnë pa fokus në portrete dhe me ngjyra që i afrohen terrakotës, me të cilën artisti ka punuar pjesën më të madhe të karrierës së tij.

Artan Peqini është pedagog i skulpturës e dekan i Fakultetit të Arteve të Bukura. Megjithëse i njohur më shumë për punën me skulpturën, vitet e fundit, artisti ja ka kushtuar pikturës./atsh/KultPlus.com

Piktura

Nga Burim Myftiu

Një pikturë e tmerrshme më kapi në krah
Me hijen e saj mbuloi çdo gjë
Rridhja në agoni
Si e kuqja, me trupin tim
Shpirti ma ndjeu një ankth

Në mesnatë gjumi më la
E keqja u nda
I riu diell, më zgjoi nga ëndrra
E ndjeva në frymën e
mëngjesit
Çdo gjë ishte e bukur
Ishte e ndritshme

Në këmbë
Me shpirt
Me forcë
E sfidoja hijen
Tërhiqja kufijtë e saj,
Për të hapur krahët
Për t’fluturuar lart
Për të ndjekur dritën e kaltër
Për të gjetur ajër

Me shpresë, me dritë

E ngrita penelin,
Për botën e re u nisa
Për t’ndjekur dritën
Harruar hijen, zgjuar me këngë
T’fluturoj lart
Të ndiej lirinë në zemrën time prap
Krijoj një botë të ndritshme përjetë. / KultPlus.com

Pogradeci dhe Parisi në pikturat e Anastas Kostandinit

Deri në datën 31 prill, artdashësit mund të vizitojnë në Pogradec, ekspozitën e Anastas Kostandinit (Taso), të titulluar “Qytetit, si pikturë, muzikë, arkitekturë”.

Artisti sjell në këtë ekspozitë 25 punime kushtuar qytetit të tij Pogradecit si edhe 16 punime që i përkasin Parisit.

Kjo ekspozitë ka ardhur në një formë tepër të veçantë, pasi është gërshetuar me muzikën, ku ka interpretuar Kuarteti “I.L.A 74” me një larmi muzike klasike.

“Kryetema e pikturës time, në mënyrë të padiskutueshme, është qyteti. Dua ta krahasoj qytetin tim me metropolet. Është një lloj ekstravagance, por mendoj se arti e ka këtë luks”, shprehet piktori, i cili duket se figurativisht ka zbuluar një rrugicë që lidh Pogradecin e vogël me Parisin e madh.

“Në këtë ekspozitë, Pogradecin dhe liqenin e pamë me sytë e piktorit Anastas Kostandini, nëpërmjet peisazheve të tij plot ngjyra, ku ndihej dashuria e madhe për të”, shprehet prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, i pranishëm në çeljen e ekspozitës.

“Qyteti i Tasos” gjendet në Galerinë e Arteve, Pogradec ku hyrja është e lirë për të gjithë./ atsh / KultPlus.com

Piktura me pluhur e fshehur pas derës rezulton të jetë ‘kryevepër’ e Brueghel

Piktura e rizbuluar nga piktori flamand i shekullit të 17-të, Pieter Brueghel i Riu, i fshehur për vite në një shtëpi familjare, do të paraqitet në ankand në Paris të martën dhe pritet të arrijë në 600,000 deri në 800,000 euro (649,000 deri në 865,000 dollarë).

Piktura “L’Avocat du village (Avokati i fshatit)” është një nga veprat më të mëdha të njohura të Brueghel, me përmasa 112 centimetra (44 inç) e lartë dhe 184 centimetra (72 inç) e gjerë, dhe ishte e panjohur në botën e artit si më e fundit. brezi i familjes që e kishte zotëruar atë që nga vitet 1900 mendoi se ishte false.

Familja, e cila dëshiron të mbetet e panjohur, i kishte kërkuar Malo de Lussac të ankandeve Daguerre Val de Loire të vlerësonte vlerën e shtëpisë së tyre, por në vend të kësaj zbuloi një kryevepër.

“E gjeta këtë pikturë (në shtëpi), pas një dere në dhomën e televizionit”, tha de Lussac për Reuters, duke e quajtur atë një nga surprizat më të mëdha në karrierën e tij.

“Fillova ta vlerësoja këtë dhomë dhe kur u ktheva, pashë këtë pikturë. Ishte një surprizë shumë e mirë për mua”.

De Lussac tha se ai beson se vepra arti ishte blerë si autentike, por gjatë disa brezave e kishte humbur plotësisht origjinalitetin e saj brenda familjes.

“Dhe kjo është ajo që është e pabesueshme,” tha ai. “Ne po ua kthejmë atyre këtë autenticitet duke thënë: “Në fakt vepra juaj e artit është e vërtetë”.

Brueghel i Riu, babai i të cilit Brueghel Plaku vdiq kur ishte vetëm 5 vjeç, nuk përdori një nga kompozimet e babait të tij për këtë pikturë siç bënte zakonisht, por rishikoi temën popullore të avokatit të fshatit.

Ekspertët e artit vlerësuan se vepra arti u pikturua midis 1615 dhe 1617./cnn/KultPlus.com

Rembrand van Rijn dhe rruga e mundimshme e djalit të mullixhiut për tu bërë një gjeni i pikturës

Një ndërmëndje, e cila do të hovte ngultaz dëshirimin e zotërimit të dramatikes si formë shprehjeje të së bukurës, na pjesëmerr solemnisht në memuaristikën e një personazhi shumë kompleks të penelit, ai është Rembrand van Rijn. E kush mund të shponte tejpërtej kërshërinë e dehjes prej tonaliteteve therëse më thekshëm se sa ai. Për shkak të ndjeshmërisë së tij, ai është mbiquajtur “një nga profetët e mëdhenj të civilizimit”. E zeza, okra, e kuqja, e verdha dhe e bardha, në ngjizjen e hyjshme të Rembrandit, kremtuan lindjen e një epoke që u turravrap të mbetej holandeze por kaploi të epërmen si e përbotshme si sprovë dhe testament . “Tabloja e Rembrandit ishte pikturuar si nga një dori prej zjarri, duhet të kesh vdekur disa herë që të mund të pikturosh si ai, Rembrandi depërton aq thellë, sa që thotë gjëra që nuk ka asnjë gjuhë të botës që mund ti mishërojë ato”, mbamendet t’i ketë shkruar në një letërkëmbim Van Gog, Teos më 1885.

In memoriam

Më 4 tetor 1669, vdiq në moshën 63-vjeçare Rembrand van Rijn. U shua shërbestari i penelit të zjarrit, i ngulmëti i një sprove të tjetërllojtë, i andjes për të ngërthyer në kaplimin e tij kumtues, 350 piktura, 1200 skica dhe rreth 300 gravura.

Ai do të mbamendet në memorin e ëndjes estetike, si një prej penelatave më të pazakonta të pikturës, një prej gjenive, jeta e të cilit ndonse në dukje e qetë, sëmboi hera-herës me spazme therëse e dhimbje, kaplimin e tij. Rrëfimtari më i njimendtë i këtyre sprovave, këtij rrebeshi është vetë piktura që la ky mjeshtër. Këto gjurmë të thella trishtimi dhe dramaciteti, përpjekjeje të vazhdueshme për të sfiduar, edhe me vetveten, i cekim gjithsekah nëpër cytjet kumtuese. Kësisoj gjejmë të plazmuar në tablonë e Rembrandit, ashpërsinë e penelatave, terrin përpirës që përgjohet nga një dritim tinzar, puhiz e cila hyn përmes lojës së tonaliteteve dhe pëlcet aty ku syri i piktorit shkrihet. Gjithqysh ai rendi si triumfalist në të asokohshmen plot gjallëri e trazim. Asçka nuk i’a ndali shkulmin e tij krijues. Asgjë nuk e vuri dot nën fre këtë pasion të hazdisur kumti. Një galeri e bollshme u bë hangari i të korrave të begata edhe pse gjithëkjo nuk mundi dot të shmangte fundin mjeran të këtij gjeniu tragjik, të cilin fati e ndëshkoi më rëndë se asgjë tjetër. Vdekjet i’u vunë nga pas duke e lënduar keqas “profetin e civilizimit”, deri sa mund të rrëzojnë përdhe 345 vite më parë, për ta rilindur në amshim.

Duke qenë një mjeshtër i barokut, tentoi gjithnjë të përflakte pjesët e përshkuara nga drita të objektit, ta lante në ar atë purtek të kurmit që ai qasej ta nxirrte faqe dritës, për ta kredhur krejtçka qarksaj në një terr të thellë. Teknikat e përdorura prej tij, e bëjnë këtë galeri të jashtëzakonshme të ndiqet gjithnje nga kontrasti i fortë dhe shkrirja therëse e ngjyres dhe dritës në të. Për ta bërë më përcaktuese këtë identitet koloristik, është vetë bota e tij shpirtërore ajo që rreket të lëvrij si një reliev i thyer, ku shtrirja artthënëse hapërdahet.

Shpirtërorja në pikturë

Është gati e pamundur të përshkruash në një tregimtore e të përshkosh në poret e sejciles prej tyre, të ndjesh ritmin dhe vërshimin e asaj limfe, që ai derdhi në krejt atë galeri që mban emrin e tij. E megjithatë gjallojnë disa prej gjithëtyre, që tregojnë forcën dhe energjinë, vlimin dhe pulsin, që trandën mish e shpirtë, e shkrepëtitën si vetëtimë, drita e së cilës feks sot e asaj dite, sa herë gjendemi të fokusuar prej këtij shpërthimi. Ato janë portretet, me kast autoportretet. Në “narcisizmin” e tij, Rembrandt skaliti njeriun që e do jetën. Nëpërmjet shikimit fisnik që depërton, tregon thellësinë e brendshme shpirtërore që kremton sakoha. Në thuajse të gjitha pikturat e Rembrandit, telajoja i ngjan një shtjelle përpirëse, plot gjallëri, ngjyra dhe tone që të dehin. Ai dinte shumë mirë si të kalonte nga njëri ton i ngjyrës në një tjetër, ndërsa emocionet lëvrijnë fuqishëm në pikturë, për të paraqitur të gjithë madhështinë dhe kushtrimin e një epoke iluminuese.

Arti i suksesshëm dhe jetë e trishtë

Artisti holandez, një ndër më të spikaturit në historinë e pikturës, nuk e njohu ndonjëherë mungesën e suksesit në art, por më shumë se çdokush u përball me dëshpërimin dhe dhimbjen. Piktura e tij nuk reflektoi si të vetvetishme jetën gjithë trishtim, por gjithqysh shkaktoi shumë emocione që përzihen me njëra-tjetrën. Ngjyra të theksuara, gjallëri dhe shumë jetë lëvrin brenda telajove të ndritshme të piktorit, ndërsa tonet e zbehta dhe të errëta “ngatërrohen” bashkë dhe në këtë përpjekje ngadhnjimtare për të treguar, ata shtangeshin duke lënë ato feksje flakëruese drite, që pakohen aty ku syri shterron dhe penelatat rrëzohen në errësirë. Piktura e lashtë, arti italian dhe flamand i Rilindjes, por edhe memoria artistike e Lindjes së Largët, ishin ndër më të preferuarat. Të thuash se ai nuk u moleps nga këto, është një përpjekje për ta zhvendosur suazën e epsheve të tij krijuese në një syprinë boshe më të rrafshët, por jo. Në pikturën e Rembrandt-it mund të gjesh detaje nga të gjitha këto rryma, ndërsa në vetvete, arti i tij shumë kompleks përfaqëson stilin e epokës së artë holandeze. Ai u dogj prej asaj llave përpirëse, duke u shndrruar në hi, dhe si një sfinks ai u rilind për të mbetur Rembrand Rembrand van Rijn.

Siç dihet, Rembrand u lind në Leiden të Holandës më 15 korrik 1606, në familjen e një mullixhiu. Familja u interesua aq shumë për edukimin e tij. Sakaq Rembrand nisi studimet në një shkollën latine. Kur ishte 14 vjeç u regjistrua në Universitetin e Leidenit. Por programi nuk i interesonte, dhe shumë shpejt ai e braktis shkollën për t’iu përkushtuar studimit të artit me mjeshtrin Jacob van Swanenburch dhe më pas në Amsterdam me Pieter Lastman-in, i njohur për profilin historik të pikturave të tij. Pas gjashtë muajsh, pasi përvetësoi gjithçka që i ishte dhënë për të mësuar, Rembrandt u kthye në Leiden ku u vlerësua aq sa në moshën 22-vjeçare mori nxënësit e tij të parë. Në vitin 1631 Rembrand u transferua në Amsterdam. Martesa e shpejtë me Saskia van Uylenburgh, kushërirën e një tregtari të veprave të artit, nxiti hovshëm karrierën e tij. I’u vu punës së portreteve, por edhe veprave me subjekt mistik dhe fetar, që ishin aq shumë të kërkuara asokohe. Mori famë si mësues i pikturës dhe studioja e tij u mbush me nxënës. Në shekullin e 20-të shumë studiues i atribuan atij edhe shumë piktura të kolegëve, duke i identifikuar ato me emrin e artistit të madh në një kohë të përfeksionimit të pikturës. Por, krejt në kundërshtim me suksesin e tij në pikturë, jeta familjare mori goditje të rënda. Që nga viti 1635 deri në vitin 1639 Saskia lindi katër fëmijë, nga të cilët arriti të mbijetonte vetëm djali i fundit, ndërsa ajo vetë vdiq në moshën 30-vjeçare. Hendrickje Stoffels, e cila ishte shërbyesja e familjes në vitin 1649, zëvendësoi figurën e gruas dhe u bë model për shumë piktura të artistit. Pavarësisht suksesit të tij financiar si artist, mësues dhe tregtar pikturash, prirja për të jetuar në bollëk e detyroi Rembrandin të falimentonte në vitin 1656.

Një koleksion i veprave të artit dhe antikuareve, që u konfiskuan para një ankandi, me qëllim shlyerjen e borxheve të tij, dëshmoi qartë për interesat e Rembrandt-it: piktura e lashtë, arti italian dhe flamand i Rilindjes, piktura e Lindjes së Largët, veprat bashkëkohore holandeze, armët dhe armatimet. Rezultatet e ankandit nuk ishin të pëlqyera, por probleme si këto nuk ndikuan në punën e tij. Madhështia e artistit u rrit vazhdimisht. E ndërsa jeta e tij personale vazhdonte të ishte e dëshpëruar e pa shpresë, artisti realizoi pikturat më të famshme “Nusja çifute”, “Bathsheba”, “Jakobi duke pagëzuar djemtë e Jozefit”, “Autoportret”. E dashura e tij e përhershme Hendrickje vdiq në vitin 1663 dhe djali i vetëm Titus vdiq në vitin 1668, në moshën 27-vjeçare. Njëmbëdhjetë muaj më pas artisti i 350 pikturave, 1200 skicave dhe rreth 300 gravurave, vdiq në Amsterdam, tash 345 vite më parë .

Rembrand kishte fatin e shumë gjenive të mëhershme e të mëvonë, të cilat shkëlqejnë me mungesën të gjallë dhe shpërthejnë me prekjen eterne të aktit të krijimit që skalitën në memorine e gjeneratave. / Albert Vataj / KultPlus.com

Vepra “të thjeshta si lojë” që të bëjnë të besosh se makina e udhëtimit në kohë ekziston

Uranik Emini

Është krahasuar me piktorin Pablo Picasso, i cili konsiderohet si një nga artistët më të mëdhenj të historisë, por kjo nuk e pengoi që shprehja më e perdorshme e artistit shqiptar, Nusret Salihamixhiq të jetë “kjo është e thjeshtë si një lojë” në çdo vepër që ai punonte, vepra që në radhë të parë përfshinin guximin në kohën kur po pikturonin dhe që përfshinin vlera shumëdimensionale, ngjyra voluminoze dhe piktura që lënë gjurmë në kohë që autori të mos harrohet kurrë, shkruan KultPlus.

Mbrëmë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës u hap ekspozita pikërisht me emrin “Loja” e artistit të shquar, Nusret Salihamixhiq, ku edhe në përpikmëri dhe vëndosshmëri u prezantuan veprat e autorit nëpër etapa të ndryshme të jetës, ekspozitë e cila është kuruar nga artisti tjetër i njohur, Jakup Ferri.

Planifikimi kërkon kohë dhe ekspozita të tilla nuk realizohen brenda muajve, gjithashtu kërkohet edhe punë e madhe, një punë që bëhet çdo ditë dhe gjithashtu gjatë gjithë këtij procesi ekziston frika se gjithë mundi dhe puna e bërë, madje edhe mund të dështojë. Por vendosmëria e të gjithë atyre që morën pjesë në këtë proces, rezultoi suksesshëm dhe Galeria po mirëpriste njerëzit që po vinin në tufë për të parë e për të mësuar më shumë rreth veprave të artistit Salihamixhiqit.

Në një linjë me gëzimin, mungesa për të shfaqej natyrshëm

Gruaja e Nusret Salihamixhiqit, Mybera Ferizi, kujtimet për burrin e saj i mbanë në një vend të veçantë, derisa mungesa për të është e madhe.

“Unë të gjitha kujtimet me Nusretin i kam të mira. Gjithë kohën që kemi kaluar bashkë, ai ka qenë duke punuar natë e ditë. Ka punuar si profesor, është rikthyer në shtëpi dhe ka kërkuar që buka të jetë gati, mund të them që deri në shtratin e vdekjes e ka mbajtur brushën në dorë. Ka lënë piktura që nuk ka askush, mund të them që askush në botë nuk ka lënë piktura sa ka lënë Nusreti. Ai ka punuar sikurse me qenë fabrikë. Secila pikturë e tij është unikat në stilin e vet, nuk ka bërë asnjëherë një të njëjtë”, u shpreh ajo për KultPlus. 

E pyetur mbi hapjen e kësaj ekspozite, Mybera me emocione në fytyrë tha se ndjehet shumë e lumtur për këtë gjë. “Nuk e di se a mundet të bëhet më madhështore. Një gëzim tepër i madh, e gjëja e vetme që më mungon është ai, emocionet gjithmonë janë të pranishme”. 

(Mos)gatishmëria për ekspozitë dhe synimi për të rinjtë

Edhe djali i tij, Fatos Salihamixhiqi, rrëfen për KultPus se nuk ndjeheshin të gatshëm si familje për të hapur një ekspozitë të tillë, jo sepse mungojnë veprat, nuk ishin të përgatitur e në fund vedosën të sipërfaqin punën, guximin dhe pasionin e madh që ka pasur babai i tyre për artin.

“Kjo është hera e parë që veprat e tij po prezantohen në publik pas vdekjes së tij. Këto punime janë punime që janë punuar në faza të ndryshme, në etapa të ndryshme. Këtë seleksionim e ka bërë Jakup Ferri, në bazë të përzgjedhjes së tij e ka bërë për veprat që artisti ka realizuar në vitet 1960-70-80. Unë jam shumë falëndrues ndaj Dhuratës, e cila me një punë të palodhur ka bërë të pamundurën të mundurën. Unë nuk kam qenë i interesuar që në këtë kohë të hap këtë ekspozitë, nuk kam qenë unë i pëgatitur jo pse nuk kemi pasur vepra. Por e kam pasur të pamundur që t’i them jo Dhuratës dhe Jakupit”.

Sa i përket pjesës në qoftë se këto piktura janë në shitje apo jo, Fatosi thotë se për këtë gjë nuk është biseduar akoma asgjë, pasi qëllim kryesor dhe si mision kanë t’ia mundësojnë studentave, artistëve e njërëzve të ndryshëm t’i shohin ato dhe të mësojnë prej këtyre veprave.

“Këtu do të shihet guximi se si një artist si Nusreti në vitet 60-ta ka pas guximin që të bëjë vepra që vështirë është të bëhen në ditët e sotme. Për atë kohë ka qenë guxim, kështu që është shembull për gjeneratat e reja që të mos ketë paragjykime por të kenë lirinë e shprehjes në punën e tyre”.

Ideja, bashkëpunimi dhe realizimi

Drejtoresha ekzekutive e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, Dhurata Ramosaj, tregon se si erdhi nga ideja e deri te bashkëpunimi me familjarët për të risjellë veprat e Nusretit. 

“Ideja ka ardhur nga ne si udhëheqës të Galerisë së Ministrisë së Kulturës, Jakup Ferri ka qenë i ftuar. E kemi ftuar para dy viteve që të jetë pjesë e programit, pasi ekziston një procedurë e gjatë që shkon nga ftesa, pranimi e pastaj deri te ekspozita. Kemi pasur shumë kënaqësi që fillimsiht familja ka pranuar që të ekspozojë profesorin i cili nuk jeton më, e gjithashtu edhe Jakupin, i cili me qef e ka pranuar këtë obligim të ri si kurator. E deri sot i kemi vendour bashkarisht të gjitha se si do të vendosen pikturat, si do të prezantohet, si do të bëhet PR, të gjithë bashkë kemi ardhur te ideja finale”. 

Ramosaj gjithashtu njofton se data 5 maj është vendosur bashkarisht me familjen dhe gjithë të tjerët

“Data, ka qenë vjet e vendosur që të mbahet në maj. Ne kemi fatin që kjo ekspozitë të jetë e hapur edhe nga vizituesit e Manifestas, e ne jemi munduar që të jemi edhe pranë artistëve të rinj, studentëve por pse jo edhe turistat me pa një autor sikurse Nusreti. Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 26 korrik të këtij viti.Sa i përket mënyrës së shitjes duhet të vendosë familja, ne e kemi hapur si promovim dhe familja duhet të vendosë për një gjë të tillë”.

Kujtime pozitive nga fëmijëria, të përhershme në sirtar

Për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, vizita në këtë ekspozitë e ka rikthyer në kohë, atëherë kur atelia e babait të tij vizitohej shpesh herë nga axha Nusret, siç e quan ai, e përveç bisedës, arti e pikturat shtoheshin takim pas takimi.

“Kjo është një ekspozitë shumë e rëndësishme. Ne duhet t’i çmojmë vlerat e artistëve tanë, të cilat janë legjenda të kryeqytetit dhe jo vetëm. Nusret Salihamixhiqi është një piktor i veçantë me karakter botëror, e unë kam pasur fatin që ai dhe babai im të jenë miq të mirë. Unë jam rritur me pikturat e tij, ne e kemi thirrur atë axha Nusret e sot jam shumë i emocionuar sepse një numër të madh të pikturave që po i shoh unë janë të kohës kur unë nuk kam lindur dhe po e shoh atë ndërlidhshmërinë e fillesave të pikturimit të Nusretit, e deri te pikturat e tij të mëvonshme. Një kohë ai është thirrur edhe piktor më i madh se Pikaso, këto janë legjendat e kryeqytetit tonë, ky është Nusreti me të cilin duhet të mburremi ne të gjithë”, tha ai për KultPlus.

Kujtimet me artistin, Rama i ka në memorie si një gjë pozitive që do t’i mbajë me vete gjithmonë.

“Unë e mbaj mend shumë herë edhe në atelenë e babait kur vijke axha Nusret. Ai tërë kohën pinte cigare dhe mbante një brushë në dorë. Gjatë gjithë kohës ka qenë duke punuar, duke bërë skica, duke bërë art e kritika konstruktive. Babai im, Kadrush Rama dhe Nusreti kanë pasur një miqësi të mirë. Era e ngjyrave të ndryshme, buzëqeshja e shakatë që kanë bërë me njëri tjetrin, i kam në memorie si një gjë pozitive që i mbaj në vete gjithmonë”.

 “Rikthimi” i Nusret Salihamixhiqit

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ndau me lexuesit e KultPlus emocionet e veçanta për rikthimin e Salihamixhiqit në Galerinë e Ministrisë, pas afër 11 vitesh kur ai ishte në një ekspozitë në Galerinë Kombëtare.

“Jam shumë i lumtur që Galeria e Ministrisë pas një kohe shumë të gjatë, e pas ekspozitës së fundit të Nusret Salihamixhiqit, pra, pas afër 11 vitesh e kemi edhe një herë në Galerinë e Ministrisë një nga emrat më të mëdhenj të artit bashkëkohor e pamor në vendin tonë. Ai është një figurë emblematike, të paktën për mua personalisht ndër më të mirët e vendit tonë dhe jo vetëm. Nusreti është një artist i botës shqiptare, por me përmasa ndërkombëtare, i vlerësuar edhe nga kritikët ndërkombëtarë”.

Vëllimin e madh të veprave të artistit e veçon edhe Çeku, që thotë se kjo e bën të dallueshëm nga të tjerët.

“Nusreti përpos që ka ekspozuar shumë, ka krijuar edhe shumë. Nuk dallohet vetëm për nga stili i tij shumë i veçantë, ka qenë shumë i guximshëm në kohën kur ka punuar, por dallohet edhe për nga vëllimi i krijmtarisë, ka lënë shumë vepra mbrapa”.

Blerja e veprave të artit nga artistët vendor

Çeku njofton se ka filluar cikli i parë i blerjes së veprave nga artistët vendor, derisa shumë shpejt do të aktivizohet edhe një formë tjetër e blerjes së këtyre veprave.

“Ne në Galerinë Kombëtare kemi një pjesë të vogël, por familja e cila vazhdon me shumë zell ta ruajë e t’i mirëmbajnë veprat e tij, po vazhdojnë të bëjnë një kontribut të jashtëzakonshëm. Ne tashmë e kemi nisur ciklin tonë të parë të blerjes së veprave nga artistët tanë vendor, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i ndarë mbi 1 milionë euro për blerjen e veprave. Tashmë konkursi për blerje është i hapur dhe artistët mund të aplikojnë. Shumë shpejt do të aktivizohet edhe forma tjetër e blerjes së veprave që është përmes blerjes direkte dhe unë besoj që Salihamixhiqi dhe emra të tjerë duhet të jenë pjesë e koleksionit të shtetit me vepra të reja, sepsa disa i kemi në Galerinë tonë”.

Çeku lartësoi edhe një herë tjetër figurën madhështore të artistit, duke thënë se së shpejti do të botohet edhe një monografi me të gjitha veprat e Salihamixhiqit.

“Numri i madh i njerëzve të pranishëm këtu, anëtarë të familjes së tij, kritikët dhe fakti që ekspozita është kuruar nga artisti ynë Jakup Ferri e bën shumë madhështore këtë ngjarje. Prandaj unë besoj që kjo duhet të ketë vazhdimësinë e saj dhe një vazhdimësi që ne veçse e kemi nisur para ca kohësh me një vendim të Ministrisë, është botimi i monografisë së Nusret Salihamixhiqit, Galeria jonë e Ministrisë është duke punuar në këtë monografi me disa nga artistët, dizajnerët dhe fotografët më të mirë dhe shumë shpejti do ta kemi monografinë e të gjitha veprave të Salihamixhiqit të botuar”.

Muezu i Artit Bashkëkohor

Rama deklaroi se ekziston një bashkëpunim i mirëfillt me Ministrinë e Kulturës, e ata bashkë po punojnë edhe në Muzeun e Artit Bashkëkohor.

“Ne kemi një bashkëpunim të mirëfillt me Ministrinë e Kulturës, e pikëriht sot po bisedonim që piktorët e kryeqytetit e legjendave të tjera të artit, ju duhet një muze që t’i kemi të mbrojtura në mënyrë institucionale në galeri, nëpër muze të kryeqytetit. Jemi duke punuar në këtë aspekt, i kemi vendos zonat e jemi pajtu me MKRS-në për pikat, në këtë rast të Teatrit të Operas dhe Baletit. Tani jemi pajtuar edhe pikat edhe të Muzet të Artit Modern, gati janë termat e referencës dhe shumë shpejti do të kemi konkurse ndërombëtare për dizajnimin, e më pastaj dikur në vitin e ardhshëm edhe fillimin e ndërtimit të tyre”.

Ndërkaq, i pari i Kulturës njoftoi për KultPlus se janë në fillet e para të konceptimit të Muzeut të ardhshëm të Artit Bashkëkohor, i cili është një institucion që Kosova nuk e ka dhe duhet ta ketë.

“Është një institucion kombëtar i kulturës për të cilin ne si ministri e kemi për detyrë që ta iniciojmë, por gjithsesi edhe me Komunën e Prishtinës për shkak të lokacionit ku duhet të ndërtohet ky muze. Tashmë e kemi konceptin fillestar dhe në ditët në vijim do të ngritet Këshilli Inicues i Muzuet të Artit Bashkëkohor, ku do të përbëhet nga emrat më eminent të artit tanë bashkëkohor, të emrave që i kemi edhe me karrierë ndërkombëtare dhe nga të tjerë. Besoj që ky këshill do t’i vëjë themelet e këtij koncepti edhe përmbajtësor se çfarë muzeu bashkëkohor të artit duhet të kemi, por edhe të konceptit arkitektonik se çfarë ndërtese duhet të bëhet. Ky institucion i ri i artit pamor duhet të jetë hapësira e re e shtetit tonë për të sigurar edhe një vend për mirënjohjen që duhet t’ia bëjmë emrave sikurse Nusret Salihamixhiqi, por jo vetëm. Ky muze do të shërbejë parasegjithash në komunikimin ndërkombëtar në sferën e artit, prandaj këtu jemi në hapat e parë por unë jam shumë optimist që gjatë mandatit tonë qeverisës do të jemi shumë afër e ndoshta edhe afër realizinit përfundimtar të këtij muzeu”, deklaroi Çeku.

Pikturat e Nusretit të japin një ndjenjë se ju po kaloni në një botë paralele, apo edhe dimension tjetër. Përmes ngjyrave, skicave, vijave, ideve të menduara, domosdo të “detyrohet” të vish në përfundim se kjo vepër është diçka jashtë kornizës së mendjes, pra, vërtetohej se imagjinata e njeriut mund të kalojë çdo kufi njerëzor.

Momenti kulminant ishte atëherë kur me shkronja të vogla dhe stil të veçantë shiheshin edhe 4 numra që kishte shkruar Nusreti, e që ishin pikërisht vitet në të cilat kishte realizuar këto vepra (1953,1960, 1973 etj), atëherë gjithçka ndryshonte dhe udhëtimi i njerëzve nëpër kohë dukej gjithnjë më i besueshëm, vepra që sipërfaqnin diçka që i përket së ardhmes, prandaj gjithsesi arti është gënjeshtra që na mundëson të kuptojmë të vërtetën.

E njohur si kërcimtare dhe koreografe moderne amerikane, Martha Graham kishte thënë se asnjë artist nuk është përpara kohës së tij. Artisti është në kohën e tij, vetëm se të tjerët janë pas kohës, prandaj neve na duhen vite të arrijmë në kohën e Nusretit dhe ai do të na presë me brushë në dorë dhe vepra të reja.

Ekspozitën “Loja” mund ta vizitoni deri më 26 korrik 2022 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. /KultPlus.com

E harruar nën pluhurin e depos, piktura 400-vjeçare që mund të vlejë miliona dollarë

Një pikturë 400-vjeçare, e cila sipas ekspertëve mund të vlejë miliona dollarë, është zbuluar në një depo të braktisur në Australi.

Vepra e artit e quajtur “Still Life” (Jetë e Qetë), u mbajt për shumë vite në muzeun “Akademia Woodford” në Uellsin e Ri Jugor, por përgjatë viteve kishte mbetur gjithnjë në hije.

Piktura e vlefshme i përket Epokës së Artë holandeze, e realizuar në shekullin e 17-të, dhe u zbulua mes një koleksioni prej 60 000 pikturash, pjesë e veprave të muzeut të cilat iu dhuruan Fondit Kombëtar të Australisë.

Piktura tregon një tavolinë të mbuluar përgjysmë nga një shtrojë e bardhë e zhubrosur, një kek i filluar, arra, bukë dhe enë qelqi.

Piktura “Still Life” para se të restaurohej/ Fondi Kombëtar i Australisë
Vepra i atribuohet Gerrit Willemsz Heda, djali i piktorit të famshëm holandez të shekullit të 17-të, Willem Claesz. Heda, njihet si një nga mjeshtrit e mëdhenj të epokës së artë holandeze, por megjithatë ekspertët janë ende duke e hetuar origjinën e saktë të “Still Life”.

Nënshkrimi i Hedës mbi pikturë, është shumë i ngjashëm me atë të babait të tij dhe ndaj dyshimet janë, se kjo vepër e rrallë, mund të jetë edhe një bashkëpunim babë e bir.

Sipas ekspertëve, vlera e veprës së artit është ende në diskutim, por ekspertët besojnë se mund të vlejë miliona dollarë.

Zëdhënësja e kompanisë që ka marrë përsipër restaurimin dhe kujdesin për pikturën, ka pohuar për publikun se zakonisht veprat e Hedës vlerësohen nga 2,9 deri në 3,7 milionë dollarë.

Momenti kur gjatë procesit të pastrimit, mbi vepër u gjet nënshkrimi i artistit
“Të gjeja një pikturë autentike të shekullit të 17-të në depon time në National Trust më la pa frymë”, është shprehur për mediat menaxherja e koleksioneve të National Trust, Rebecca Pinchin.

Piktura do të shfaqet për herë të parë për publikun, në Festivalin Australian të Trashëgimisë 2022, në Woodford Academy, më 14 maj. / KultPlus.com

Artistja Mihrije Sadiku do të prezantojë sot 13 piktura në KultPlus Caffe Gallery

13 piktura të punuara me teknikën akril në pëlhurë do të ekspozohen në KultPlus Caffe Gallery më 17 dhjetor me fillim nga ora 18:00.

Artistja Mihrije Sadiku preferon që pikturat e saj të flasin për vetën pasi beson se “piktura vlen 1000 fjalë”, e pikërisht me ekspozitën personale do të prezantojë 13 piktura të punuara gjatë dy viteve të fundit.

“Dëshiroj që pikturat e mia të ju dhurojnë kënaqësinë që unë ndava me to, sa herë që shiqoni, qoftë në shtëpitë apo lokalet afariste tuaja apo edhe në ekspozita si kjo”, ka thënë artistja.

Përpos 13 pikturave që i ka realizuar, Sadiku gjithashtu ka punuar edhe në disa ekspozita kolektive dhe personale të realizuara në Kosovë e Evropë që nga vitet 2000.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë. /KultPlus.com

Mbyllet gara, pikturat e nxënësve me temë kundër trafikimit me njerëz në ekspozitë

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka organizuar sot ceremoninë përmbyllëse të garës nacionale për pikturën më të mirë në nivel të arsimit të mesëm të ulët me temë kundër trafikimit me njerëz.

Me këtë rast, në objektin e MAShT është hapur edhe ekspozita me punime të nxënësve që kanë marrë pjesë në këtë garë dhe do të jetë e hapur për një muaj.

Nagavci tha se përmes kësaj ekspozite përveç që po promovohet talenti i fëmijëve po jepet edhe një mesazh shumë i rëndësishëm kundër trafikimit me njerëz.

Naim Muja, nga Ministria e Punëve të Brendshme, tha se fitues janë të gjithë nxënësit që kanë marrë pjesë në këtë garë, teksa tha se si institucione po i bashkërendojnë aktivitetet në parandalimin e trafikimit me njerëz.

Ndërsa, Fehmi Gjata, nga Policia e Kosovës, tha se Policia prioritet të angazhimit e ka organizimin e aktiviteteve parandaluese. /KultPlus.com

U gjet e varur në kishën e New York-ut, piktura baroke e humbur prej kohësh

Një pikturë baroke e shekullit të 17-të, e humbur prej kohësh, po ekzaminohet nga historianët e artit pasi u pa e varur në një kishë të New York-ut.

Thomas Ruggio, profesor asistent i arteve pamore në Kolegjin Iona, tha se po vizitonte Kishën e Familjes së Shenjtë në New Rochelle në fillim të këtij viti kur një pikturë në mur i ra në sy.

“E kuptova menjëherë se ishte pikturë baroke italiane. Dhe disi i hodha njw vështrim tw dytw. Pse është këtu? U ngrita menjëherë dhe fillova ta fotografoja me celularin tim”, tha Ruggio për WABC-TV, transmeton KultPlus.

Ruggio i ndau këto imazhe me historianët e artit në Itali dhe Manhattan, të cilët shpejt e identifikuan këtë pikturë si një vepër të humbur prej kohësh nga mjeshtri fiorentin – Cesare Dandini, e titulluar Holy Family with the Infant St. John.

Ndërkaq, kisha në një deklaratë u shpreh se piktura ishte dhuruar diku në fillim të viteve 1960 nga një ish-imzot, i cili e kishte blerë nga një galeri e paidentifikuar në Londër.

Famullia ra dakord ta huazojë pikturën në Kolegjin Iona, i cili tha se do të ekspozohet në kampusin New Rochelle për tre muajt e ardhshëm. / KultPlus.com

‘Rojtari’ shqiptar i piktorit serb konfiskohet në Beograd

“Rojtari”, vepër e piktorit të njohur serb, Paja Jovanoviq, është konfiskuar në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd, kanë raportuar mediat në Serbi. Një udhëtar kishte tentuar ta kontrabandonte veprën duke e fshehur në bagazh.

“Një 39-vjeçar nga Beogradi, duke marrë bagazhet u nis drejt daljes së aeroportit nëpër zonën e gjelbër, ku kalojnë ata që s’kanë çfarë të deklarojnë për doganim. Kur bagazhet e tij u kontrolluan, midis gjësendeve personale u gjet edhe vepra e kornizuar ‘Rojtari’, me dimensione 70 me 56 centimetra”, kanë njoftuar autoritetet doganore të Serbisë.

“Rojtari” muajin e kaluar u shit në ankand në “Dorotheum” të Vjenës.

Në fakt, edhe kjo vepër, njashtu si shumë të tjera të Jovanoviqit (16 qershor 1859 – 30 nëntor 1957), paraqet shqiptarin. Piktori i njohur ka një seri veprash ku portretizohen shqiptarët në Egjipt me kostume të dallueshme tradicionale.

Pos veprës, doganierët të premten kanë gjetur te ky udhëtar edhe faturën origjinale me shumën prej 137 mijë eurosh, përfshirë edhe taksat. Më 7 qershor, vepra tashmë e konfiskuar, arriti të shitej për 110 mijë euro në njërën prej shtëpive më të njohura të ankandeve, “Dorotheum”, e themeluar në vitin 1707. Pos “Rojtarit” – në po të njëjtin ankand të veprave të shekullit XIX – u shit edhe vepra tjetër e Jovanoviqit, e titulluar “Albaneze” që paraqet ushtarin shqiptar, me dimensione 16 me 12 centimetra. U vlerësua prej 12 mijë deri në 16 mijë euro, në ankand shpresuan ta shisnin për 20 mijë euro, por e kaloi edhe këtë shifër, tek e arriti çmimin prej 38 mijë eurosh, përfshirë edhe taksat. Edhe “Rojtari” theu rekord. U llogarit të shitej për 20 deri në 30 mijë euro, por arriti trefishin.

Por, një ditë pas konfiskimit, autoritetet e kryeqytetit të Serbisë kanë dalë me plane për “Rojtarin”.

Nënkryetari i Beogradit, Goran Vesiq, të shtunën ka thënë se kjo vepër do të ekspozohet për publikun e gjerë. Ka bërë me dije se ajo do të zërë vend në Muzeun e Qytetit të Beogradit. Ka zbuluar edhe një tjetër detaj: vetë qeveria lokale e kryeqytetit serb, kishte synuar ta blinte atë në ankandin e shtëpisë austriake.

“Nuk kemi guxuar ta zbulojmë faktin që ishim të interesuar ta blejmë këtë vepër, sepse do t’ia rrisnim çmimin. E kemi lutur një kompani perëndimore që vepron në Beograd që ta blejë atë dhe t’ia dhurojë Muzeut të Qytetit të Beogradit. Ajo ishte e gatshme ta paguajë deri në 50 mijë euro në ankand, por ajo arriti çmimin prej 110 mijë eurosh”, ka thënë Vesiq.

Veprat e mjeshtrit Paja Jovanoviq, ka kohë që ofrohen për shitje nga shtëpi të njohura ankandesh. Vetëm “Dorothemum” ka shitur 12 vepra të këtij autori. Muajin e kaluar, Dimitra Reimüller, kuratore e artit të klasicizmit në këtë shtëpi, kishte zbuluar se si kishte arritur te ta vepra “Rojtari”.

“Edhe kjo vepër i përkiste një koleksioni privat. Erdhi te ne nga Italia dhe ishte në pronësi të së njëjtës familje mbi 100 vjet. Hulumtuan për prejardhjen dhe e rikonstruktuam historinë. Sipas të gjitha gjasave, është blerë, gjegjësisht i është porositur direkt artistit”, kishte thënë Reimüller për mediat në Serbi.

Në prillin e vitit 2018, u thye rekordi në çmimin e një pikture të Jovanoviqit. Vepra “Dy bashibozukë para portës” u shit mbi gjysmë milioni euro në ankandin e shtëpisë së njohur londineze të ankandeve, “Sothby’s”. Paja Jovanoviq llogaritet të ketë bërë tetë piktura me temë shqiptare, ndër të cilat veprat: “Lufta e gjelave”, “Zbukurimi i nuses” apo “Shqiptari me duhan”. Edhe në “Dy bashibozukët para portës” dallohen lehtë kostumet shqiptare. /koha/ KultPlus.com

Oktapodi pikturon vepër arti në akuariumin e Floridas (VIDEO)

Një akuarium në Florida postoi videon e një oktapodi i cili e shfaq anën e tij artistike duke përdorur tentakulat e tij për të krijuar një pikturë.

Akuariumi në Tampa postoi një video në Facebook që e tregon oktapodin duke krijuar një pikturë në një kanavacë të mbështjellë me plastikë me ndihmën e një personi, transmeton KultPlus.

Akuariumi tha se “sesioni i pikturimit” ishte planifikuar të përkonte me ngjarjen e Javës Cephalopod të objektit.

Struktura ftoi përdoruesit e Facebook-ut që të ndajnë faktet e tyre të preferuara të oktapodit që do të futen në një vizatim për ta fituar pikturën. / KultPlus.com

Artisti që shpenzon qindra orë për të sjellë portrete që duken si fotografi

Në shikim të parë, punimet e Emanuele Dascanios duken sikur të ishin fotografi. Mirëpo, ky mendim ndërron sapo sheh artistin italian që merr lapsin në dorë dhe nis të vizatojë, duke shfaqur kështu aftësitë e tij të jashtëzakonshme artistike.

Portretet që ai realizon, disa prej të cilave i kanë marrë kohë deri në 780 orë për t’i përfunduar, përmbajnë një kombinim të grafitit dhe qymyrit, për të sjellë kështu kompozime hiperrealiste, përcjell KultPlus.

Dascanios shquhet për portretizim aq të detajuar sa që nuk harron të paraqesë çdo fije të flokut e çdo rrudhë, duke të dhënë përshtypjen se pamja është shkrepur nga aparati fotografik, shkruan My Modern Met.

Edhe pse puna e Dascanios është bashkëkohore, ajo përmban edhe elemente klasike. Subjektet që portretizohen nga dora e tij, ngjajnë me pikturat e Caravaggio, artistit të njohur të shekullit të 16-të.

Piktori italian Gianluca Corona, i ka mësuar atij teknikat e vajit të mjeshtrave të vjetër që punonin gjatë Rilindjes. Që atëherë Dascanio i ka përkthyer këto aftësi në vepra monokromatike që padyshim mashtrojnë syrin me saktësinë e tyre ekstreme. / KultPlus.com

Emilie Preyer, magjistarja e natyrës së qetë

Natyra e qetë, ku dominojnë frutat janë një arritje e të magjishmes përmes penelit. Gjithçka në atë që mëkon këto fotografim joshës të frutave dhe jo vetëm, tregon për një punë delikate dhe një finesë e admirueshme.

Ngjyrat dhe drita, tonet dhe subjekti duket se nuk ndryshojnë dukshëm nga një punë në tjetrën, por ajo që të befason është ëndja që të rrëmbën në kërshëri rendëse në këtë pranverë të begatë të jetësimit të saj në tablo. Emilie Preyer, u lind më 6 qershor 1849 në Dusseldorf , vdiq më 23 shtator 1930.

Piktura e Emilie Preyer i përket Shkollës së Dusseldorfit dhe në vetvete ky shtresim estetik qaset të përafrojë jetën dhe penelata e kësaj gruaje e ka sjellë atë përsosmërisht duke aplikuar me mjeshtëri teknikën e realizimit. Fati i keq i të qenit grua nuk mundi ta vriste ëndrrën e saj për pikturën. Nën drejtimin dhe shembullin e babait ajo kishte përfunduar trajnimin dhe përvetësimin e sekreteve të telajos, penelit dhe ngjyrave në gjysmën e kohës së përcaktuar. Si në shumë vende edhe në vendlindjen e piktores së ardhme, për gratë studimet universitare ishin një “mollë e ndaluar”. Po i ati duke pikasur talentin e të bijës dhe duke shfrytëzuar autoritetin e tij arrin ta përfshojë të bijën në një trajtim universitar jozyrtar në Akademinë Mbretërore të Arteve në Dusseldorf.

Gjatë periudhës 1866-1867 ajo do të përvetësonte dijet e artit të telajos nga Heinrich Mücke dhe peizazhiti, Hans Fredrik Gudemësuar. Ekspozita e parë e pikturave të Emilie Preyer do të niste rrugëtimin e ballafaqimit me artëdshësit në vitin 1866 në dyqanin e Artit “Bismeyer & Kraus” dhe galerinë e Eduard Schulte, për të vazhduar më pas me të tjerë sfida të prezantimit në Berlin, Dresden dhe Dusseldorf. /albertvataj/ KultPlus.com

‘Moshe: Një tregim në vazhdim’ nga Orhan Kurtolli, një mospajtim për atë se çfarë po ndodhë

Era Berisha

Pikturat e vendosura në muret shumëngjyrëshe po merrnin frymë nën ashpërsinë kaotike të ngjyrave intensive të cilat përplasnin vëmendjen e të pranishmëve në mëdyshjen e zbulimit të enigmës së fshehur e cila ndoshta është një gjëegjëzë e shkëlqyer e veprave artistike të Orhan Kurtollit që mbrëmë erdhën në ekspozitën e titulluar ‘Moshe: një tregim në vazhdim’, të kuruar nga Albert Heta në Klubin e Boksit, shkruan KultPlus.

Në një hapësirë që i ngjasonte një labirinti që nuk kishte një rezultat apo përfundim të menduar, audienca fillimisht pati rastin t’i admiroj dy piktura të përmasave të mëdha të cilat ishin të vendosura në hyrje të ekspozitës e po një lloj si ambienti, këto piktura po portretizonin një gjendje fort të ngatërruar e cila shprehej në një dominim të ngjyrës së verdhë që stimulonte emocione dhe ndjenja të strukura në thellësinë e ndezur nga prezenca verbuese e pikturave.

Ndërkohë, disa piktura të cilat ndodheshin në kënde të vetmuara, ishin pikërisht ato që komunikonin një vetmi e një brengë të errët por që frymonin në ngjyra krejtësisht të gjalla. Ngjyra rozë që kishte kapluar atmosferën në këto piktura, po rrëmbente edhe kuriozitetin e secilit për të soditur britmat e heshtura të cilat mbyteshin brenda trubullimës së shkaktuar nga plotësimi shpirtëror i qetësisë së pikturave.

Tutje në vazhdim ndodheshin edhe piktura të cilat vinin në kontrast me pikturat e mëparshme për arsye se tani në një imazh monokromatik po shfaqej një përsosje e pandryshuar e gjendjes së njeriut në boshllëkun e mendimeve çoroditëse të cilat ishin të rafinuara kujdesshëm nga mëndafshi i penës që ka mbizotëruar mbi kanvaset e definuara në kënde nga një vijë e bardhë që përshtatej këndshëm me prapavijën e murit të bardhë.

Kurse krejt në fund të ekspozitës, të vendosura ishin piktura të cilat dukshëm dëshmojnë edhe periudhën kohore të tyre. Prandaj, për të folur më shumë rreth përmbajtjes së tyre, për KultPlus foli artisti Orhan Kurtolli, i cili tregoi se përmbajtja e tyre ndahej në tre faza.

“Një pjesë janë nga një cikël më i hershëm, një pjesë janë piktura pak më të vjetra që kanë të bëjnë kryesisht me preokupimin tim në pikturë, me kaosin urbanistik që ka ndodhur në qytet dhe pasojat e atij kaosi. Disa punime reflektojnë një tjetërsim apo tërheqje në vetmi. Pastaj, piktura më të qeta nga tërë ajo tollovi që është formuar në qytetin tonë dhe në fund shfaqet një cikël i pikturave që datojnë qysh nga viti 1970, të realizuara në mënyrë mjaft interesante sepse kam qenë shumë i ri kur i jam rikthyer pasionit tim përsëri”, thotë Kurtolli.

Sipas tij, ky tregim ende po vazhdon sepse ‘Moshe: një tregim në vazhdim’ është ekspozita e tretë personale e artistit e cila erdhi si pasojë e një bisede të zhvilluar me kuratorin i cili ka përzgjedhur këto punime të gatshme që vulosën pikënisjen e kësaj ekspozite.

“Pikturat janë realizuar pa menduar për një ekspozitë sepse janë thjesht një punë të cilën unë e zhvilloj në një vazhdim më ndryshe nga ekspozitat e kaluara por me probleme të njëjta. Ndërsa, ajo se çfarë dominon është situata dhe atmosfera surreale ku gërshetohet nostalgjia dhe situatat e tanishme ku unë si krijues jam munduar ta reflektojë një mospajtim për atë se çfarë po ndodhë”, thotë Kurtolli për KultPlus.

Tutje ai ka falënderuar miqtë dhe artistët që ishin prezent në ekspozitë ku ai shpresonte se të gjithë janë ndarë të kënaqur.

“U ndjeva mirë sepse ishte një hapje jo e rëndomtë sepse papritmas u hap dera dhe filloi ekspozita e cila do të qëndroj për një muaj”, përfundon ai.

Kjo ekspozitë konsiderohet shfaqja e parë e një projekti hulumtues në vazhdim sepse artisti tashmë ka realizuar dy ekspozita personale ndërsa ekspozita e tretë me emrin “Moshe: Një tregim në vazhdim” është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK, x-print dhe DZG.

“Moshe: Një tregim në vazhdim” është pjesë e Programit Hapësinor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë. / KultPlus.com