‘Ishte vetë arti’, Margarita Xhepa rrëfen takimin e fundit me Mirush Kabashin: Më buzëqeshi dhe më tha se do bënim film tjetër

Aktorja Margarita Xhepa ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit të madh, Mirush Kabashi. Nëpërmjet një lidhje ‘skype’ për Report Tv, ajo foli për karakterin e Mirush Kabashit, duke e përshkruar atë si një njeri shembullor që jetonte për artin gjë që e tregonte në çdo rol të tij.

“I dashur, i sinqertë. Më fliste dhe buzëqeshte. Ishte një bashkëshort dhe prind shembullor. Po ashtu shembullor për kolegët e teatrit. Me atë buzëqeshjen e tij, me atë humorin e hollë. Ishim duke xhiruar në një azil pleqsh në Kavajë “Ne dhe Lenini”. Ai kishte një personazh të dorës së dytë, por ai shkëlqen edhe aty. Ai ishte një merak i jashtëzakonshëm, ai merrej dhe me detajet më të holla. Kishte pasion, e donte artin, shumë serioz në punë. Bënte vërejtje nga më të mirat, më të mençurat. Sepse ai ishte vetë arti. Ai sikur ishte vetë arti. E bënte gjithmonë çdo rol të vërtetë”- tha Xhepa.

Ajo theksoi se Kabashi ishte aq i përqendruar ndaj artit saqë kudo që e takonte, vetëm për atë fushë fliste kudo që shkonte.

“Ai ka qenë gjithmonë i shqetësuar në kuptimin e mirë për teatrin dhe kinemategrafinë. Studionte metoda nga më modernet sesi të rritej më shumë arti shqiptar. Meraku i tij ishte që gjithmonë duhet të evoluojmë. Vërejtjet e tij ishin të mençura. Edhe në plazh që jemi takuar njëherë ishte me bashkëshorten e tij, edhe aty fliste për artin. Ishte i pazakontë. Ishte i përkushtuar për artin, kishte merak të jashtëzakonshëm, i qëndiste karakteret e roleve të tij. Ai kishte merakun e veçantisë, e shikonte jetën me seriozitetin më të madh”- tha aktorja.

Ndërsa më tej ajo rrëfeu edhe takimin e fundit me “Mjeshtrin e Madh”, duke treguar se Kabashi i kishte shprehur dëshirën për të pasur edhe role të tjera me të.

“Kur mora vesh se ishte i sëmurë, nuk e pyeta fare sesa e rëndë ishte. Vetëm e takova, më buzëqeshi i buzëqesha i thashë po ku je se na mori malli kur do bëjmë ndonjë film tjetër.  Po më tha, do ta bëjmë patjetër i kemi disa skenarë do jesh edhe ti Margarita se edhe ti je e përkushtuar ndaj artit.  Ai mori shumë nga brezi ynë. Plejada e artistëve, ka qenë një përkushtim i jashtëzakonshëm. Ai do mbetet i paharruar në memorien e popullit tonë me veprat e tij”- përfundoi aktorja./Shqiptarja.com/KultPlus.com

Seriali ‘Besa’, aktorët: Politikanët rrënojnë, ndërsa artistët ndërtojnë ura

Në botë kurdo që përmendet besa, dihet se fjala është për shqiptarët. Popull, ky i cili shquhet për këtë virtyt i cili është mbajtur në piedestal për shekuj me radhë. Por a ekziston akoma besa mes nesh si popull? Kësaj pytje, më së miri i përgjigjet seriali “Besa”!

Për Nistori-in kanë folur një pjesë e kastingut të këtij seriali, Mensur Safqiu dhe Refet Abazi, por edhe skenaristi Igor Stomeinov.

Ky serial, me fjalët e vet aktorëve i ka thyer barrierat ndërkulturore në Ballkan të cilat ndër vite thuajse arritën të prekin qiellin. Në këtë serial marrin pjesë aktorë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Sërbia, Kroacia, Shqipëria, etj.

Sa i përket tematikës së serialit dhe në veçanti emrit të tij, aktorët e intervistuar së bashku me skenaristin patën shumë për të thënë.

Mensur Safqiu në lidhje me bashkpunimin ndërkombëtar në këtë serial, potencoi se “Arti e ka një mision, arti jeton në të ardhmen, jo në politikën ditore. Arti gjithmonë paraprinë dhe ndërton ura midis njerëzve. Politikanët rënojnë, bëjnë lufta, arti ndërton”.

Nga ana tjetër Refet Abazi shtoi se: “Ajo e cila është shumë e rëndësishme në këtë serial, është se besa më së shumti është prezente tek personazhet jo shqiptarë në këtë serial”. Ai tregoi që po të njëjtët kishin ngelur të magjepsur nga pesha që ka besa tek shqiptarët. Refeti poashtu shtoi se motori i cili e ka shtyrë personazhin kryesor në serial ishte bindja nga besa e dhënë.

Igor Stomeinov, skenaristi i serialit ndau me ne se vet ishte rritur në vend i cili i kishte lejuar të familjarizohet mjaft mirë me besën shqiptare nga ku e mori dhe inspirimin për të emëruar serialin. Por ai potencoi se: “Besa si fjalë, në përgjithësi është e lidhur me trashëgiminë shqiptare, por ajo në realitet u takon gjithë shteteve jugore në Ballkan, jo shteteve, por kombeve të Ballkanit jugor. Pra atë e kemi edhe në Sërbi, në Mal të Zi, sedi, madje edhe në Itali. Pra, në përgjithësi, ideja e besës nuk erdhi nga kombi, por nga personi, nga njerëzit të cilët e mbajnë fjalën. Pra ishte diçka që më emocionoi mua, që më dha idenë për t’a bërë këtë serial.”

Për të gjithë ata që duan ta ndjekin sezonin e dytë të këtij seriali, i cili në vete përmban shumë filma artistikë, seriale, filma vizatimorë, dokumentare, të gjitha këto mund t’i ndjekin në platformën Gley. /KultPlus.com