Nesër sopranoja Besa Llugiqi interpreton rolin e Marguerite në Sofie, ndan skenën me 300 artistë

Nesër, në National Palace of Culture të Sofies, sopranoja e njohur Besa Llugiqi do të interpretoj rolin e Marguerite, një koncept regjisorial nga Ognian Draganoff , “FAUST ” Ch.Gounod, shkruan KultPlus.

Ngjarja do të zhvillohet me një pjesëmarrje prej 300 artistësh në skenë, ku personazhet do të këndojnë në petkun e kukullave.

Këtë e ka bërë të ditur sopranoja Llugiqi përmes një postimi në facebook, e cila me këtë rast u ka uruar mirëseardhje të gjithë atyre që duan ta ndjekin nga afër këtë përformancë.

“Këtë të diel më 22.10 në National Palace of Culture, Sofia do të interpretoj rolin e Marguerite , një koncept interesant regjisorial nga Ognian Draganoff , “FAUST ” Ch.Gounod vjen krejt ndryshe e trajtuar . Në petkun e kukullave këndojmë personazhet tona në një produksion gjigand me 300 pjesmarrës artist në skenë …

Kostumet , skenografia , artistët , regjia e gjitha që ky produksion ngërthen , përulësisht me kontributin e tyre mundohen me ju ofru madhështisë që mbanë kryevepra e Goethe- s .

Jeni të mirëseardhun !“, ka shkruar sopranoja në Facebook./KultPlus.com

Besa shqiptare, rregulli i artë dhe shpëtimi i hebrenjve

Shqiptarët shpëtuan të paktën 3280 hebrenj gjatë holokaustit. Gjatë viteve 1933-1944, Shqipëria shpëtoi jo vetëm hebrenjtë vendas, por edhe të gjithë ata që mundën ta arrinin Shqipërinë nga vendet e tjera të Europës. Fakti është se në Shqipëri u shpëtuan të gjithë hebrenjtë dhe ata nuk u cenuan, nuk u dorëzuan, nuk u penguan të hynin; nuk pati ligj që kufizonte si numër futjen e tyre në Shqipëri.

Shpëtimi qe i plotë dhe vërtetohet edhe nga një fakt paralel: pas kapitullimit të ushtrisë italiane në shtator 1943, dhjetëra mijëra ushtarë italianë u fshehën në familjet shqiptare dhe u shpëtuan. Tërë popullata shqiptare, pavarësisht nga besimet fetare veproi drejtpërsëdrejti (shpëtuesi) dhe tërthorazi (p.sh. familjet fqinje) si një kulturë e bashkuar duke e kundërshtuar Holokaustin dhe shpëtuar tërë hebrenjtë ku ajo arrinte. As edhe një hebre ekziston i humbur për shkak të Holokaustit në Shqipëri. Njëkohësisht, ishin 14 hebrenj që ranë dëshmorë si pjesëtarë të njësive luftarake kundra-fashiste shqiptare ose u vranë nën zjarrin e luftës. Shqipëria ishte një arkë shpëtimi për hebrenjtë e përndjekur.

Gjurmët e shpëtimit gjenden në qytetet e fshatrat e Mitrovicës, Prishtinës, Gjilanit, Deçanit, Pejës, Gjakovës, Shkodrës, Krujës, Tiranës, Beratit, Kavajës, Durrësit, Elbasanit, Librazhdit, Korçës, Dibrës, Burrelit, Fierit, Lushnjës, Vlorës, Delvinës, Përmetit, Gjinokastrës, etj.. Hebrenjtë drejtoheshin drejt Shqipërisë e tokave shqiptare, sepse e dinin se aty si nga populli ashtu edhe nga qeveria nuk kishte përndjekje të tyre, nuk kishte përbuzje fetare apo kombëtare, nuk kishte gjenocid ndaj kombeve të tjerë, se Shqipëria ishte strehë e sigurt. Ata e dinin se shqiptarët kishin besë, zbatonin këtë Rregull të Artë, se i hapnin derën mikut dhe kujtdo që ishte në nevojë dhe se hebrenjtë vendas jetonin si gjithë të tjerët. Sipas regjistrimit të popullatës në vitin 1931, Shqipëria qendrore kishte 204 hebrenj. Sipas dokumenteve, rajoni i Kosovës kishte 409 hebrenj vendas deri në pushtimin e ish-Jugosllavisë në prill 1941.

Ata hebrenj, bashkë me të tjerët që vinin nga ish-Jugosllavia dhe vendet e tjera dhe që u futën në Kosovë, shpëtuan duke u zhvendosur në Shqipërinë e brendshme me ndihmën e qeverisë dhe popullit shqiptar. Një listë prej të paktën 3280 hebrenjsh të shpëtuar nga shqiptarët deri në fund të Luftës II Botërore është dorëzuar në Yad Vashem. Në këtë numër nuk përfshihen hebrenjtë që hynë në Shqipëri me pasaporta jo të vërteta apo me emra të tjerë, ata që hynë fshehtas (p.sh. u fshehën në fshatrat pranë kufirit shtetëror), ata që nuk janë zbuluar akoma në dokumente të tjera, si dhe ata që nuk njihen me emër. Kjo e fundit është për t’u theksuar sepse është e zakonshme të shohësh lista në arkiva, të cilat kanë për një emër përbri numrin e njerëzve që e shoqëroi atë kryetar grupi ose familje, nën titullin “bashkë me familjen e tyre”. Institucioni Yad Vashem në Jeruzalem, deri më tani ka njohur zyrtarisht 69 shqiptarë si “Fisnikë të Kombeve” në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. Këta hebrenj të shpëtuar janë ata që i mbijetuan Holokaustit nëpërmjet ndihmës shqiptare, që u martuan, lindën e vazhduan rrjedhën e tyre të jetës në Shqipëri e vendet e tjera. Hebrenjtë që mbetën në Shqipëri pas mbarimit të Luftës II Botërore lanë gjurmë në fusha të ndryshme të jetës shqiptare dhe kujtohen me respekt.

Përgatitur nga: Samir Lolja. /KultPlus.com

Gati prezantimi publik i 5 projekteve finaliste për muzeun e ‘Besës’

Pas shpalljes së konkursit ndërkombëtar dhe përzgjedhjes së finalistëve, Ministria e Kulturës është gati për prezantimin publik të pesë projekteve nga do të dalë fituesi, që do ta kthejë shtëpinë-monument të Libohovitëve, në një muze e që do të mbajë emrin kuptimplotë “Besa”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri një ftesë publike përmes rrjeteve sociale për të marrë pjesë në këtë prezantim për ngritjen e muzeut më të ri në Tiranë.

Prezantimi publik i 5 projekteve do të bëhet në datën 26 qershor 2023, në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit.

Pesë skuadrat finaliste janë: EAA (Emre Arolat Architecture), Oppenheim Architecture, Schneider & Schumacher, Cook Haffner Architecture Platform AS & Archispace si dhe MVRDV & IRi & OVE Arup&Partners Ireland Ltd & Martha Schwartz Partners.

Muzeu kushtuar institucionit të besës, do të ngrihet në godinën e njohur si Shtëpia e Libohovitëve, Monument Kulture, që ndodhet në krah të Kalasë së Tiranës dhe Sarajeve të Toptanëve.

Muzeu do të jetë një destinacion i ri në qytet për të gjithë ata që duan të njihen me atë faqe të lavdishme të historisë së shqiptarëve, siç ishte mbrojta që ata u bënë hebrenjve.

Ky bëhet muzeu i dytë pas atij të Vlorës që i kushtohet rolit të shqiptarëve në ruajtjen e hebrenjve në periudhën e Holokaustit./KultPlus.com

Imazhe nga koncerti magjik i Besa Llugiqit në Bullgari

Sopranoja e njohur Besa Llugiqi, njëherit edhe një nga artistët më të respektuar në botën e muzikës klasike, me zërin e saj magjik është shfaqur në Bullgari, me një koncert recital tejet të veçantë, shkruan KultPlus.

Në koncertin i cili u mbajt më 25 mars në shtetin e Bullgarisë, u performua muzikë nga Schumann dhe Strauss, si dhe u interpretuan poezi të përzgjedhura nga poetët shqiptarë kushtuar jetës dhe dashurisë së gruas, në mënyrë mjeshtërore nga aktori Sveti Peniaski.

KultPlus ju sjell Imazhe nga koncerti magjik i Besa Llugiqit në Bullgari./KultPlus.com

Seriali “Besa” me shtatë nominime në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Në botë kurdo që përmendet besa, dihet se fjala është për shqiptarët. Popull, ky i cili shquhet për këtë virtyt i cili është mbajtur në piedestal për shekuj me radhë.

Seriali “Besa” së fundmi është nominuar gjithsej shtatë herë në Festivalin e Filmit në Sarajevë, përcjell KultPlus.

Seriali “Besa”, i cili ka të bëjë me Uros Peric një biznesmen i vogël nga Beogradi. Ai vret një vajzë të një bosi mafioz shqiptar në një aksident automobilistik. Për të shpëtuar familjen e tij, ai detyrohet të kryejë krime për mafian. serial, me fjalët e vet aktorëve i ka thyer barrierat ndërkulturore në Ballkan të cilat ndër vite thuajse arritën të prekin qiellin.

Në këtë serial marrin pjesë aktorë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Kroacia, Shqipëria, etj. Njëri ndër ta është edhe aktori i njohur Arben Bajraktaraj i cili është nominuar në një nga kategoritë më të rëndësishme në Festivalin e Filmit në Sarajevë, “Aktori më i mirë”.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë aktori, teksa ai ka cilësuar ekipin e serialit “Besa”, fantastik.

“7 nominime për Besën në SFF 2022!
Midis tyre, ‘Aktori më i mirë’ – thanks produksionit & cast&crew fantastik!!!
Dashuri”, ka shkruar Bajraktaraj në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Seriali ‘Besa’ po kompleton sezonën e dytë, sonte jepet episodi i fundit

Në botë kurdo që përmendet besa, dihet se fjala është për shqiptarët. Popull, ky i cili shquhet për këtë virtyt i cili është mbajtur në piedestal për shekuj me radhë, transmeton KultPlus.

Seriali “Besa”, i cili ka të bëjë me Uros Peric një biznesmen i vogël nga Beogradi. Ai vret një vajzë të një bosi mafioz shqiptar në një aksident automobilistik. Për të shpëtuar familjen e tij, ai detyrohet të kryejë krime për mafian. serial, me fjalët e vet aktorëve i ka thyer barrierat ndërkulturore në Ballkan të cilat ndër vite thuajse arritën të prekin qiellin.

Në këtë serial marrin pjesë aktorë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Sërbia, Kroacia, Shqipëria, etj.

Sezona e dytë e këtij seriali pritet që të përfundojë sonte, kur edhe do të shfaqet episoda e fundit me fillim nga ora 21:00. Platforma “Grey” është vendi ku edhe mund të shikohet ky serial. /KultPlus.com

Seriali ‘Besa’, aktorët: Politikanët rrënojnë, ndërsa artistët ndërtojnë ura

Në botë kurdo që përmendet besa, dihet se fjala është për shqiptarët. Popull, ky i cili shquhet për këtë virtyt i cili është mbajtur në piedestal për shekuj me radhë. Por a ekziston akoma besa mes nesh si popull? Kësaj pytje, më së miri i përgjigjet seriali “Besa”!

Për Nistori-in kanë folur një pjesë e kastingut të këtij seriali, Mensur Safqiu dhe Refet Abazi, por edhe skenaristi Igor Stomeinov.

Ky serial, me fjalët e vet aktorëve i ka thyer barrierat ndërkulturore në Ballkan të cilat ndër vite thuajse arritën të prekin qiellin. Në këtë serial marrin pjesë aktorë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Sërbia, Kroacia, Shqipëria, etj.

Sa i përket tematikës së serialit dhe në veçanti emrit të tij, aktorët e intervistuar së bashku me skenaristin patën shumë për të thënë.

Mensur Safqiu në lidhje me bashkpunimin ndërkombëtar në këtë serial, potencoi se “Arti e ka një mision, arti jeton në të ardhmen, jo në politikën ditore. Arti gjithmonë paraprinë dhe ndërton ura midis njerëzve. Politikanët rënojnë, bëjnë lufta, arti ndërton”.

Nga ana tjetër Refet Abazi shtoi se: “Ajo e cila është shumë e rëndësishme në këtë serial, është se besa më së shumti është prezente tek personazhet jo shqiptarë në këtë serial”. Ai tregoi që po të njëjtët kishin ngelur të magjepsur nga pesha që ka besa tek shqiptarët. Refeti poashtu shtoi se motori i cili e ka shtyrë personazhin kryesor në serial ishte bindja nga besa e dhënë.

Igor Stomeinov, skenaristi i serialit ndau me ne se vet ishte rritur në vend i cili i kishte lejuar të familjarizohet mjaft mirë me besën shqiptare nga ku e mori dhe inspirimin për të emëruar serialin. Por ai potencoi se: “Besa si fjalë, në përgjithësi është e lidhur me trashëgiminë shqiptare, por ajo në realitet u takon gjithë shteteve jugore në Ballkan, jo shteteve, por kombeve të Ballkanit jugor. Pra atë e kemi edhe në Sërbi, në Mal të Zi, sedi, madje edhe në Itali. Pra, në përgjithësi, ideja e besës nuk erdhi nga kombi, por nga personi, nga njerëzit të cilët e mbajnë fjalën. Pra ishte diçka që më emocionoi mua, që më dha idenë për t’a bërë këtë serial.”

Për të gjithë ata që duan ta ndjekin sezonin e dytë të këtij seriali, i cili në vete përmban shumë filma artistikë, seriale, filma vizatimorë, dokumentare, të gjitha këto mund t’i ndjekin në platformën Gley. /KultPlus.com

Besa e shqiptarëve

Nga: Lovro Mihaçeviq (1883-1907)
Përktheu (fragment nga vepra “Nëpër Shqipëri): Anton Filipaj

Për të dëshmuar çfarë ështê besa shqiptare, po rrëfej edhe njê shembull. Një të premte mbrëma, pasi muslimanët kanë dalur nga xhamia, kanë bërë hoka ndërmjet vetes në oborr të xhamisë, mirëpo loja ka përfunduar me gjak. Dy prej tyre në lojë e sipër, janë fjalosur, pasi janë ngatërruar, kanë nxjerrë revolet nga brezi, njëri prej tyre ka vrarë shokun dhe duke përshkuar nëpër popull është bërë tym.

Me të shpejtë ka rënë muzgu e ai duke ikur ka parë një bullë (grua me veshje muslimane) në derë të avllisë, i është ofruar dhe i ka kërkuar besë, ta pranoj[ at natë në konak pasi ka rënë në gjak. Bulla i ka dhënë besë dhe në besë e ka futur në shtëpi duke mos e ditur se ke po e pranon në shtëpi të vet dhe kujt po i jep besë, e as vrarësi nuk e ka ditur, as në mend nuk i ka vajtur prej kujt ka marrë besë, kujt i ka rënë në dorë dhe në shtëpinë e kujt është strehuar.

Babai dhe dy vëllëzërit e të vrarit kanë ndjekur e kërkuar vrasësin, por nuk e kanë arritur, ashtu të lodhur e të kastiguar janë kthyer në shtëpi. Nëna u ka bërë gati darkën dhe u ka shtruar sofrën, pasi nuk e ka parë djalin e tretë, i ka pyetur se ku është ai? Ata i treguan se çfarë ka ndoshur, si është vrarë para xhamisë dhe si e kanë ndjekur vrasësin, por ai u ka shpëtuar duke ikur nëpër popull e u është fshehur diku në terr. Nëna kur ka dëgjuar çfarë i kanë treguar, i ka rënë hija e vdekjes në fytyrë e i është ngrirë gjaku në denj, por sekretin e vet nuk e ka zbuluar.

Vrasësi i birit të saj ka qenë në duart e saja, mirëpo ajo e ka marrë në besë e besa është e shenjtë, nuk guxohet të shkelet. Pasi kanë hangër darkë, kanë marrë mashkujt lopatat dhe kanë shkuar të varrosin në varreza para xhamisë birin e vrarë. Tani nëna ka shfrytëzuar momentin, e ka nxjerrë djaloshin përjashta, i ka dhênë për rrugë një copë bukë e nëj dorë djathë dhe e ka pêrcjellur jashta avllisë duke i thënë: “Na kêtê bukë, le ta keshë për rrugë, të kam marrë në besë dhe besën e kam mbajtur, shko tash, shporru qofsh mallkuar, se ma vrave loqkën e zemrës”. /Telegrafi /KultPlus.com

AJO rikthehet fuqishëm me ‘’Besa’’, ku traditën dhe nostalgjinë i solli përmes artit të bukur të Jazz-it

Muzika si çdo art tjetër, funksionon dhe transmetohet tek të tjerët përmes ndjenjave dhe atmosferës që përçon.

Mbrëmë, Vjolla Robelli- AJO, arriti që përmes performancës së saj, që zuri vend në Kino Armata, të argëtoj publikun duke i dhuruar një emocion të fuqishëm përmes këngëve të realizuara nga ajo, shkruan KultPlus

Dikur e njohur për muzikën dhe stilin e saj të veçantë, Vjollca Robelli- Mripa tani me emrin artistik AJO, është kthyer në skenë me shumë risi e muzikë të re

AJO, pas një pauze u rikthye me albumin ‘’Besa’’, që gjithsej përmban gjashtë këngë. Tematika që trajtohet në këto këngë është kryesisht ajo shqiptare që përcillet edhe me një nostalgji, mirëpo këngëtarja ka shkruar edhe kënduar edhe për jetën dhe përvojën personale.

Koncerti filloi me këngën ‘’AJO’’, duke u ndjekur më pas me këngët tjera të albumit, tri prej të cilave ishin të aranzhuara si ‘’Baresha’’, ‘’Zare’’ dhe ‘’Zogo’’. Kurse tri të tjerat ishin të shkruara nga vetë këngëtarja, e cila tha se është ndikuar nga jeta e saj private dhe jo vetëm. Kënga ‘’Burrnesha’’, trajtonte fatin e një gruaje që prindërit e kishin fejuar qysh në djep, e që këngëtarja pohoi që kënga të jetë e bazuar në ngjarje të vërtetë. Këngën ‘’Nëna’’, këngëtarja deklaroi ta ketë shkruar gjatë shtatzanisë së saj. ‘’Kam dashur të tregoj se cfarë ndjen një nënë gjatë periudhës së shtatzanisë, kësaj periudhe magjike’’, u shpreh këngëtarja për publikun. Ndërsa, kënga ‘’Besa’’, flistë për traditën tonë si komb, për atë që ishim e nuk jemi më.

Publiku si për të shfaqur mallin për muzikën dhe mungesën e AJO-së,  nuk u kursyen me duartrokitje, herë në fillim të performancës, herë në fund të saj e shumë shpesh përcillin performancën me duartrokitje, me këndim e entuziasëm.

Artistja për KultPlus, tregoi se inspirimi kryesor i albumit, është prejardhja e saj dhe në përgjithësi kultura dhe traditat shqiptare që thotë se dëshiron të ia tregoj botës.

Edhe pse një këngëtare shqiptare që jeton dhe vepron në Londër, rrënjët shqiptare janë shumë të theksuara në muzikën e saj. Këngëtarja tenton që traditën, historinë dhe muzikën tonë ta inkuadroj në stilin dhe artin e saj, kështu duke realizuar një kryevepër muzikore në historinë e muzikës së saj./KultPlus.com

Bekim Fehmiu për gazetën Vreme: Për shkak të besës, shqiptarët kanë paguar me kokë

Bekim Fehmiu, një ndër aktorët më të mëdhenj shqiptarë që pati famë kudo nëpër botë, në vitin 2001 ka dhënë një intervistë për gazetën serbe “Vreme”. Aty ai ka biseduar edhe për besën, virtyt ky që dallon te shqiptarët.

“Jo vetëm për mua, por edhe për të gjithë shqiptarët, besa është vlera më e lartë etike njerëzore. Besa ishte më e fortë se cilado qoftë marrëveshje. Për shkak të besës, shqiptarët nëpër histori kanë paguar me kokë edhe për shkak të lajthitjeve të veta. Besa ishte tipari që cilësoi shqiptarët dhe i bëri ata të çmueshëm në raport me botën që rrethonte ata…”, ka thënë ai.

Gjurmët e Bekim Fehmiut në kinematografinë e huaj dhe atë shqiptare janë të mëdha. Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.

Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, që ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura të Bekim Fehmiut janë “Prova speciale”, “Odiseu”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra. Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shou, Dirk Bogart, Irene Papas e të tjerë. Në rolet e tij, Fehmiu ka interpretuar në disa gjuhë.

Në anën tjetër revista njëjavorshe “Vreme” u publikua për herë të parë më 29 tetor në vitin 1990. Shumica e stafit në gazetën me qendër në Beograd, ishin gazetarë nga Politika dhe NIN. Ajo karakterizohet si “një revistë pa gënjeshtra, urrejtje ose paragjykim” dhe ka kundërshtuar mobilizimin nacionalist për luftërat jugosllave. / KultPlus.com

Përse besa e shqiptarit është vetëm një legjendë?!

Poezi e shkruar nga Arben Duka.

Sot asgjë në Shqipëri,
nuk është si njëherë,
sepse fjala besë e nder,
nuk ka asnjë vlerë!

Po sistemi që jetojmë,
s’e sheh si të metë,
besa rron nëpër legjenda,
se s’është e vërtetë!

Dhe për nderin e shqiptarit,
s’kam pse ju flas kot,
sepse po të jesh i ndershëm,
të quajnë idiot!

Nga ata-që këto vite,
vendin kanë drejtuar,
karakteri i shqiptarit,
është deformuar!

Vërtet që kemi arritur,
në një ditë të keqe,
se të shumtëve u shkon mëndja,
për kurthe e leqe!

Iku me besën e nderin,
edhe burrëria,
ndaj si monument u ngrit,
vetëm ligësia!

Janë shpërfytyruar krejt,
të rinjtë dhe të vjetrit,
mendojnë sa më të thellë,
t’ja bëjnë gropën tjetrit!.

Që nga majë e piramidës,
gjer tek vegjëlia,
tipari më kryesor,
është hipokrizia!

Flasin me radhë hipokritët,
për bashkëjetesë fetare,
po shqiptarët fe e Zot,
nuk besojnë fare!

Pisllëku dhe pabesia,
tani quhen vlera,
nderohet pederastia,
dhe vese të tjera!

Mashtrimi dhe spihunllëku,
sërish quhet vlerë,
dhe në fakt s’jemi në krizë,
jemi në humnerë!

S’diskutohet që jetojmë,
në kohë mizore,
kemi humbur që të gjitha,
ndjenjat njerëzore!

Injoranca e bën ligjin,
jo njerëzit e ditur,
sepse vetëm budallenjtë,
mund t’i mbash të shtypur!

Nëse vlera kemi patur,
i ka marrë lumi,
se rri në ballë të trapezit,
vulgu edhe llumi!

Një rikthim tek kohë e burrit,
nuk kam asnjë shpresë,
besa rron nëpër legjenda,
se nuk kemi besë!

E vështirë që të dalim,
nga gjithë kjo humnerë,
nderi rron nëpër legjenda,
se nuk kemi nder!

Serbia e Kroacia ‘porosisin’ një serial mbi mafinë dhe besën shqiptare

Tony Jordan, një shkrimtar dhe një skenarist i njohur britanik, po punon në një projekt televiziv që merret me mafian shqiptare.

Ai është bashkuar me Antenna Group për të prodhuar “Besa” – një seri prej 45 minutash e ndarë në 12 episode.
PRVA në Serbi, Planet TV në Slloveni dhe RTL në Kroaci e kanë ‘porositur’ një projekt të tillë.

Produksioni do të punojë deri në muajin shtator kur edhe mendohet të fillojë transmetimi i serialit, fillimisht në këto tri shtete, shkruan UkAlbanians.

Peter Smith nga Antenna Group ka thënë se drama do të trajtojë çështjen e identitetit, moralit dhe lidhjeve ndërnjerëzore. Gjithçka do të fokusohet në kodin moral të shqiptarëve, në lidhjen mes besës dhe mafisë.

Antenna Group po punon që më pas seriali të shpërndahet gjithandej nëpër Evropë dhe në shtetet ku një temë e tillë do të zgjonte interesim. / KultPlus.com