Meliza Krasniqi emërohet ushtruese e detyrës së drejtoreshës në Institutin Albanologjik

Në mbledhjen e mbajtur më 20 qershor 2025, pas propozimit të Këshillit Shkencor, Këshilli Drejtues ka caktuar bashkëpunëtoren e lartë shkencore (prof. asoc. dr.), znj. Meliza Krasniqi, u.d. të drejtoreshës së Institutit Albanologjik.

Meliza Krasniqi (1979) është studiuese e letërsisë, përkthyese; ka doktoruar në letërsi. Është bashkëpunëtore e lartë shkencore në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ka botuar librat studimorë “Shkreli prozator” (2015), “Vepra e Musinesë” (2019), “kritika dhe letërsia” (2021) dhe “Shkrimtaret shqiptare 1954–1990” (2024), i cili u shpërblye me Çmimin “Ibrahim Rugova” për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë, dhënë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ka përkthyer nga anglishtja disa nga veprat më të rëndësishme të teorisë letrare, si “Aspekte të romanit” të E.M. Forster (2017), “Hyrje në poetikë” të Tzvetan Todorov (2018), “Narratologjia” e Mieke Bal (2021) dhe “Arti i fiksionit” i David Lodge, përkthimi i të cilit u shpërblye me Çmimin Kombëtar “Pjetër Bogdani” për përkthimin më të mirë të vitit 2022. Në vitin 2024 botoi librin për fëmijë “Më quajnë Nexhmije Pagarusha”.

Instituti Albanologjik-Prishtinë ka falënderuar u.d. drejtorin e deritashëm, bashkëpunëtorin e lartë shkencor (prof. asoc. dr.), z. Naim Berisha, për kontributin e dhënë në mbarëvajtjen e punëve në institucionin tonë kërkimor-shkencor./ KultPlus.com

Instituti Albanologjik organizon tryezë diskutimi për veprimtarinë shkencore të Prof. Shefqet Pllanës në folkloristikë

Instituti Albanologjik i Kosovës ka njoftuar se do të mbajë tryezën shkencore “Prof. Shefqet Pllana (1930 – 1994) dhe veprimtaria e tij shkencore në folkloristikë”.

Pjesë e këtij paneli diskutues do të jenë:

Leontina Gega – Musa
Profili shkencor i prof. Shefqet Pllanës në kontekst të filleve të folkloristikës institucionale

Liburn Jupolli
Digitalizimi i materialeve audio-folklorike: Rasti studimor i incizimeve audio-analoge të Shefqet Pllanës

Vlorë Fetaj Berisha
Shefqet Pllana, studiues i vajtimeve shqiptare në Kosovë

Kristina Perkola
Vlera historike e kontributit dhe veprimtarisë së Shefqet Pllanës në fushën e folkloristikës dhe etnomuzikologjisë

Arbnora Dushi
Prof. Shefqet Pllana, autor dhe redaktor në revistat e hershme shkencore në Kosovë

Takimi mbahet në sallën shkencore të Institutit Albanologjik i Kosovës, më 17 Prill, në ora 11:00./ KultPlus.com

Instituti Albanologjik shënoi 70-vjetorin e themelimit

Instituti Albanologjik i Prishtinës organizoi sot akademinë solemne në 70-vjetorin e themelimit. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.  Ai tha se ky institucion kaloi nëpër peripeci të ndryshme, njëjtë sikurse populli i Kosovës.

“Ndjehem i nderuar që marr pjesë  në këtë shënim. 70 vjetet e ndonjë institucioni shkencor ndoshta nuk duken shumë,  por ky institucion kaloi nëpër peripeci të ndryshme njëjtë sikurse një popull. Instituti paraqet Institutin e dritës”, tha ai.

Sipas tij, Instituti Albanologjik sot duhet të ruaj cilësinë e studimeve të mëhershme. Ai premtoi edhe përkrahje  për këtë institucion.   

“ E kaluar jonë, doket dhe zakonet nuk ishin të studiuara më parë. Ne shprehim mirënjohjen e thellë që ky Institut merret me shkencën, gjuhën dhe kulturën tonë. Instituti sot duhet të ruaj cilësinë e studimeve të mëhershme dhe të synojmë edhe më lartë. Duhet të synoi që të jetë në hap me kohën dhe nuk do të mungojë as përkrahja jonë. Jam i bindur që me punën që bëni do të ia dilni me këtë mision fisnik”, tha kryeministri Kurti.

Ndërsa drejtor i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, tha se gjatë këtyre viteve kishte sfida por edhe zhvillim të këtij Instituti.

“Niveli i shkencës është njëri ndër përparimet e një shtetit. Instituti ka zhvilluar 350 konferenca shkencore për çështje të rëndësishme. Në shënim të këtij përvjetori, kujtoj dhe falënderoj të gjithë albanologët që kanë dhënë dhe japin kontributin e tyre”,  u shpreh ai.

Kurse akademiku Rexhep Qosja, foli për kushtet dhe qëllimet e Institutit Albanologjik të rithemeluar më 1967.

“Ne jemi kujdesur për kushtet që na ofronte Instituti. Me rithemelimin e Institutit u hap rruga për bashkëpunim me studiues të ndryshëm me Shqipërinë”, u shpreh akademik Qosja.

Konferenca shkencore, “Albanologjia dje, sot dhe nesër” do të mbahet më 19, 20 dhe 21 qershor në objektin e Institutit Albanologjik në Prishtinë (IAP).

Instituti Albanologjik i Prishtinës është themeluar më 1 qershor 1953. Në fillim i kishte katër punonjës dhe një numër bashkëpunëtorësh të jashtëm. Pas një periudhe relativisht të shkurtër, me vendim të organeve shtetërore u mbyll (25 dhjetor 1955), për t’u rihapur  më 28 shkurt 1967. Puna në këtë institucion nuk u ndërpre as pas marrjes me dhunë të objektit më 8 mars 1994 nga organet e atëhershme pushtuese serbe./rtk/KultPlus.com