Në Tiranë u përkujtua poeti Xhevdet Bajraj

Ambasada e Kosovës në Tiranë organizoi mbrëmjen homazh kushtuar poetit Xhevdet Bajraj.

Pakëz më shumë se një muaj nga kalimi në amshim, Xhevdet Bajraj u kujtua në Tiranë në një mbrëmje poetike.

Shkrimtarë, publicistë dhe miq thanë se Bajraj i kushtoi jetën poezisë dhe me shumë ndjenjë e lartësi njerëzore.

Ata theksuan se poezia e Bajrajt është thirrje për liri, këngë e pambarimtë për Kosovën dhe për shqiptarinë.

Publicisti Halil Matoshi e quajti Bajrajn poetin më të madh të Kosovës:

“Në secilin variant, sille nga ta sjellësh, Xhevdeti është më i madhi! Megjithëse, ka jetuar në Meksiko Siti dhe ndoshta shumë njerëz në Kosovë nuk e kanë trajtuar qysh e meriton”, tha ai.

Poet i veçantë i letrave shqipe dhe shprehës i një dimensioni tjetër të lirisë, u cilësua Bajraj nga studiuesja Alda Bardhyli, drejtuese e Qendrësë Kombëtare të Librit dhe Leximit:

“Ndryshe nga ajo liria që flet Ali Podrimja, Azem Shkreli, apo Din Mehmeti. Flet për një liri që është e brendshme. Është një liri e një sfere tjetër, është një liri që të gjithë e kërkojmë dhe që është kërkimi i përjetshëm i poezisë”.

Ambasadori i Kosovës, Skënder Durmishi në mbrëmjen poetike homazh për poetin Bajraj tha se nderimi i intelektualëve tregon emancipimin shoqëror.

“E kam dëgjuar thënien se një shoqëri vlerësohet për nivelin e emancipimit për aq sa i nderon krijuesit, artistët, intelektualët në radhët e veta. Besoj që është një hap edhe kjo në atë drejtim që edhe ata që nuk e kanë lexuar sa duhet, ku bëj pjesë unë, por që e dimë që na nderojnë krijuesit”, shtoi Durmishi.

Gazetari Aleksandër Çipa tha se duke u njohur me eseistikën dhe publicistikën e Bajrajt në vendet amerikanolatine, e çmon atë si përfaqësuesin më të shquar të ekspresionit shqiptar në botë./ rtk / KultPlus.com

Bukuritë e rralla të faunës së Kosovës, prezantohen në një ekspozitë në Tiranë

Bukuritë e rralla të faunës së Kosovës u prezantuan mbrëmjen e djeshme në ekspozitën e Wildlife Albanian Photographers, të çelur në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë.

“Ekspozita e jetës së egër shqiptare” u organizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Kosovës. Po ashtu ky aktivitet u mbështet edhe nga kompanitë “Stone Castle’ “Birra Peja”, Bibaj Group, si dhe miq të Ambasadës, Deiton Musolli dhe Fatos Mustafa.

Kjo ekspozitë në 30 fotografitë e paraqitura prezanton bukuritë e rralla të faunës së Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare të realizuara nga fotografë shqiptarë. Po ashtu këto fotografi kanë për qëllim promovimin dhe mbrojtjen e faunës në trevat shqiptare përmes fotografisë.

Ekspozita e parë e llojit të tillë në Tiranë e organizuar nga Ambasada, Ministria e Kulturës dhe Wildlife Albanian photographers ka për qëllim promovimin dhe mbrojtjen e faunës në trojet Shqiptare.

Në këtë ekspozitë u paraqitën specie që janë të rrezikuara disa prej tyre për zhdukje dhe ka nga ato foto që janë shkrepur për herë të parë në Kosovë.

Pjesë e ekspozitës ishin fotografitë e realizuara nga fotografët Arian Mavriqi, Granit Hyseni,  Jetmir Troshani, Besnik Hyseni, Aurora Piroviç, Qendrim Saqipi, Lulzim Demaj, Sefer Aliqkaj, Vangjel Jorgo, Edmond Kaceli, Lutfi Muharremi, Meriton Dajakaj, Eno Gaqe, Lufti Ibrahimi, Fatos Lajçi, Ridvan Sokoli, Blerdi Malushi, Ramadan Abdiu, Preurat Kastrati, Besnik Hallaqi.

Ekspozita të ngjashme do të vazhdojnë të organizohen nga Ambasadat e Kosovës nëpër botë, ekspozita e radhës do të jetë në Londër në shtator të këtij viti/ATSH/KultPlus.com