Amire Demolli hapi ekspozitën e parë personale, Pantina: Veprat e artistes janë befasuese dhe inkurajuese për gjeneratat e reja

“Hyjnesha në fron”, “Dea Dardanica”, “Unaza e Princeshës”, “Përkrenare Ilire” e vepra të tjera që prekin në lashtësinë e kulturës dhe historisë shqiptare, janë veprat që përbëjnë ekspozitën “E kaluara drejt përjetësisë- Artefakte” të Amire Demollit, që në mbrëmjen e së hënës sapo hapi portën e kësaj përvoje, duke shënuar kështu ekspozitën e parë personale, shkruan KultPlus.

Nën tingujt e violinës, dhe në shoqëri të kuratorit të kësaj ekspozite Xhevdet Pantina, sikurse edhe nga Skënder Boshtrakaj, Amire Demolli është shprehë të jetë e lumtur dhe falënderuese për ata që besuan në punën dhe artin e saj, e veçanërisht Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sporte që edhe e ka mbështetë këtë ekspozitë.

Kurse kuratori i ekspozitës Xhevdet Pantina ka thënë para të pranishmëve se pavarësisht se kjo ekspozitë është ekspozita e parë e autores, arti i Amire Demollit, sipas tij sjell një veçori të këtyre punimeve, të cilat janë befasuese dhe inkurajuese për gjeneratat e reja.

Ndërkohë, përderisa kjo ngjarje kulturore për audiencë në masë të madhe kishte mantelbardhët, pasi që Demolli është edhe kirurge në Kirurgjinë Plastike, Skënder Boshtrakaj ka thënë se duke parë punën e saj artistike, na bën të besojmë që kemi të bëjmë edhe me një kirurge të besueshme, që nesër, sipas tij, mund t’ia besojmë edhe trupin tonë.

“Amire Demolli ka lidhë një momentum, atë të mjekes së re në frontin e kujdestaritë, me frontin tjetër, atë të ateliesë”, ka thënë Boshtrakaj, i cili ka thënë se ndërlidhja e mjekësisë me artin, sikurse që ka bërë në këtë rast Amire Demolli është një shembull i mirë për gjeneratat e reja.

Amire Demolli studimet dhe masterin për pikturë i ka përfunduar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, e cila në të njëjtën kohë ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë dhe aktualisht është në specializim në Klinikën e Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“E kaluara drejt përjetësisë- Artefakte” është ekspozitë e hapur për të gjithë ata që duan ta shohin nga afër, ekspozitë që përfshinë 15 vepra të punuara në teknika të ndryshme, por që dominon akrili në pëlhurë./ KultPlus.com

Demolli së shpejti do të hapë ekspozitën e saj, synon promovimin e vlerave dhe trashëgimisë kulturore

Artistja Amire Demolli do të hap ekspozitën e saj personale “e kaluara drejt përjetësisë ARTEFAKTE”, shkruan KultPlus.

Me fillim nga ora 20:00, më 18 korrik do të bëhet edhe hapja e kësaj ekspozite në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Siç thotë Demolli për KultPlus, ajo ka 15 piktura me tematikë të trashëgimisë kulturore (artefakte dhe kështjella).

“Qëllimi im është promovimi i vlerave dhe trashëgimisë kulturore që kemi”, ka thënë Demolli, duke shtuar gjithashtu se synim ka që të dërgojë këtë ekspozitë edhe jashtë kufijve.

“Promovimi i këtyre vlerave në vendet evropiane do të ishte ideale”, përfundoi ajo. Ndërkaq, akoma nuk është bërë e ditur se për sa kohë do të qëndrojë e hapur kjo ekspozitë. /KultPlus.com