Taso me ekspozitë vetjake në Wismar të Gjermanisë

Piktori i mirënjohur shqiptar Anastas Kostandini, ka çelur një ekspozitë vetjake, në Wismar të Gjermanisë, të titulluar “Një piktor nga Pogradeci, viziton Wismar-in”. Ekspozita ka gjetur jehonë edhe në mediet gjermane, mes të cilëve Wismar TV, në kronikën e të cilit thuhej se, ekspozita e veçantë do të zbukurojë muret e Muzeut Historik Schabbell, deri më 15 tetor.

Në tekstin shoqërues të ekspozitës kuratorja ka shkruar: “Ekspozita në Wismar tregon një prerje tërthore të punës së tij me piktura vaji dhe grafika. Shikuesi fiton njohuri për peizazhin shqiptar, jetën dhe punën e njerëzve në fshat dhe në impiantet industriale. Por gjithashtu nuk mungojnë natyrat e qeta, peizazhet e qytetit si edhe autoportrete të artistit. Gjithashtu një pamje e portit të Wismar-it, të cilën artisti e fotografoi gjatë një vizite në 2014-ën.”

Anastas Kostandini i njohur me emrin e artit Taso, lindi më 29 korrik 1954 në Pogradec, ku jeton e punon sot e kësaj dite. Ai u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, për art monumental në 1978 dhe njihet si njëri prej autorëve të mozaikut në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar./ atsh / KultPlus.com

Pogradeci dhe Parisi në pikturat e Anastas Kostandinit

Deri në datën 31 prill, artdashësit mund të vizitojnë në Pogradec, ekspozitën e Anastas Kostandinit (Taso), të titulluar “Qytetit, si pikturë, muzikë, arkitekturë”.

Artisti sjell në këtë ekspozitë 25 punime kushtuar qytetit të tij Pogradecit si edhe 16 punime që i përkasin Parisit.

Kjo ekspozitë ka ardhur në një formë tepër të veçantë, pasi është gërshetuar me muzikën, ku ka interpretuar Kuarteti “I.L.A 74” me një larmi muzike klasike.

“Kryetema e pikturës time, në mënyrë të padiskutueshme, është qyteti. Dua ta krahasoj qytetin tim me metropolet. Është një lloj ekstravagance, por mendoj se arti e ka këtë luks”, shprehet piktori, i cili duket se figurativisht ka zbuluar një rrugicë që lidh Pogradecin e vogël me Parisin e madh.

“Në këtë ekspozitë, Pogradecin dhe liqenin e pamë me sytë e piktorit Anastas Kostandini, nëpërmjet peisazheve të tij plot ngjyra, ku ndihej dashuria e madhe për të”, shprehet prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, i pranishëm në çeljen e ekspozitës.

“Qyteti i Tasos” gjendet në Galerinë e Arteve, Pogradec ku hyrja është e lirë për të gjithë./ atsh / KultPlus.com