Androkli Kostallari, akademiku që “unifikoi” gjuhën shqipe

Androkli Kostallari është njëri ndër gjuhëtarët më të shquar shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të shkuar, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në lartësimin e gjuhës shqipe dhe në ngritjen e gjuhësisë shqiptare në nivelin e vendeve të tjera të Europës Lindore. Student i shkëlqyer i Universitetit “Lomonosov” të Moskës (1949-1954) dhe ndjekës i zhvillimeve në gjuhësinë botërore, ai arriti të kishte një formim teorik të admirueshëm.

Njihte shumë mirë gjuhësinë tradicionale dhe rrymat gjuhësore strukturaliste e passtrukturaliste që lulëzonin në Perëndim dhe këto njohuri u përpoq t’ua përcillte studentëve e bashkëpunëtorëve të rinj shkencorë, duke arritur të kishte te brezat e rinj të gjuhëtarëve një ndikim që nuk e ka pasur asnjë gjuhëtar tjetër i brezit të tij. Për gati 40 vjet, që nga viti 1953, kur ishte ende student, e deri më 1991 punoi pa u lodhur duke lënë prapa një veprimtari të pasur botuese, që përfshin fjalorë llojesh të ndryshme, 16 monografi dhe një numër të madh shkrimesh. Vetëm monografitë, referatet e artikujt e tij, të botuara në katër vëllime nga Akademia jonë e Shkencave, arrijnë më shumë se 2 mijë faqe, pa llogaritur këtu leksionet e shkruara universitare e pasuniversitare që ka mbajtur në Tiranë e Prishtinë. Që nga viti 1957, kur u vu në krye të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, e deri më 1990, punoi me ngulm për ngritjen e këtij institucioni dhe për organizimin dhe drejtimin e punës shkencore të tij, duke u dalluar si drejtues energjik e i palodhur.


Me themelimin e Akademisë së Shkencave më 1972, Androkli Kostallari u zgjodh akademik dhe anëtar i presidiumit të saj. U dekorua më 1959 me Urdhrin e Punës të Klasit të Dytë për veprimtari të shquar në fushën e shtypit, në vitin 1972 me Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë për ndihmesa të shquara në fushën e arsimit e të kulturës dhe më 1974 mori Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë për veprën “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”.

Këtë çmim mori edhe për “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”. Për merita në fushën e arsimit, më 1987 u nderua me titullin e lartë “Mësues i Popullit”. Emri i tij u bë i njohur edhe jashtë botës shqiptare. Ai e ka përfaqësuar denjësisht gjuhësinë tonë në botën shkencore europiane. Më 1960 u zgjodh anëtar i Komitetit Ndërkombëtar të Shkencave Onomastike (CIOS), më 1963 u bë anëtar dhe për disa vjet nënkryetar i Komitetit të Studimeve për Europën Juglindore (AIESEE), qe edhe anëtar i redaksisë së “Atlasit të Gjuhëve të Europës”. Për punën e tij në fushën e teorisë së gjuhës letrare, Universiteti i Goteborgut (Suedi) i ka dhënë titullin Doctor honoris causa në shkencat filologjike dhe Magjistër i arteve të lira.

Me gjithë këto merita, Androkli Kostallari mbeti një njeri tepër modest, që kurrë nuk u mburr dhe as i shfrytëzoi këto merita për përfitime vetjake. Jetoi thjesht dhe jo pa shqetësime e privacione, për shkak të mjeteve monetare të pamjaftueshme për të mbajtur familjen dhe të mungesës së kushteve për punë në shtëpi. Megjithatë, këto nuk e penguan të punonte pa u lodhur dhe të ndërtonte marrëdhënie korrekte pune e shoqërore. Nuk la cep të Shqipërisë pa shkelur në kërkim të fjalës së rrallë ose në veprimtari shkencore, prandaj nuk kishte njeri që të mos e njihte, ashtu si ai i njihte me emër mësuesit e përkushtuar të gjuhës shqipe që përpiqeshin të mblidhnin fjalë të reja ose të merreshin me punë shkencore. Fushat kryesore të veprimtarisë shkencore dhe pedagogjike të tij qenë leksikologjia e leksikografia, fjalëformimi, onomastika, gjuhësia e përgjithshme dhe teoria e gjuhës letrare. Po vendin e kreut në këtë veprimtari e zënë studimet për fjalëformimin, ku spikatin monografitë e punimet për fjalët e përbëra në gjuhën shqipe, një kategori fjalësh me të cilat gjuha jonë është shumë e pasur, por deri atëherë pothuajse e pastudiuar. Ai ishte i bindur se gjuha shqipe i ka të gjitha mundësitë për të përballuar, me mjetet e veta, nevojat e shprehjes në të gjitha fushat e veprimtarisë ligjërimore. Pastërtia e leksikut të gjuhës së shkruar nëpërmjet krijimeve të reja e, sidomos, nëpërmjet aktivizimit të fjalëve shqipe nga leksiku popullor, ka qenë njëri nga qëllimet kryesore të punës së tij shkencore.

Ai përgatiti një bërthamë leksikografësh, që do të bëheshin bashkautorë të “Fjalorit të gjuhës së stome shqipe” (1980) me 41 mijë fjalë, fjalori më i madh shpjegues i gjuhës shqipe i hartuar deri më sot. Ky fjalor, që u udhëhoq në çdo fazë të tij nga A. Kostallari përbën arritjen më madhore të leksikografisë shqiptare. Ai qe edhe bashkautor i një fjalori të vogël shqip-rusisht (të botuar më 1951, kur ishte ende student) dhe redaktor i të parit fjalor rusisht-shqip me 25 mijë fjalë. Një aspekt tjetër në këtë fushë qe edhe puna si bashkautor në hartimin e mbi 30 fjalorëve terminologjikë shqip-gjuhë të huaja, me të cilët shqipes iu zgjerua frymëmarrja edhe në fushë të terminologjisë. Fushë e rëndësishme e veprimtarisë shkencore të Androkli Kostallarit ka qenë edhe historia e formimit dhe e zhvillimit të gjuhës letrare shqipe si dhe veçoritë ndërtimore e funksionale të saj, të cilat i ka trajtuar në një varg studimesh, që mbeten model i analizës shkencore.

Mori pjesë në komisionin hartues të “Ortografisë së gjuhës shqipe” (1956), kryesoi komisionin hartues të “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes” (Projekt, 1976); ishte kryetar i komisionit organizues të Kongresit të Drejtshkrimit (1972), ku mbajti referatin kryesor; kryesoi komisionin për hartimin e “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (1973), të “Fjalorit drejtshkrimor” (1976) dhe të doracakëve të tjerë normativë. /KultPlus.com

Agim Vinca shkruan për Androkli Kostallarin, figurën e shquar të gjuhësisë shqiptare

Agim Vinca / 2015

(Grimca kujtimesh dhe mendimesh për profesor Androkli Kostallarin, 1922-1992)

Profesor Androkli Kostallarin e kam takuar për herë të parë në fillim të viteve ’70, kur fillova punën si asistent në Fakultetin Filozofik (sot: Fakulteti i Filologjisë) të Universitetit të Prishtinës. Ishte koha kur, si rezultat i nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, ardhja e profesorëve nga Tirana për të mbajtur ligjërata në Prishtinë ishte bërë pothuajse dukuri e përditshme. Patën ardhur profesorët e shquar Eqrem Çabej, Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Vehbi Bala, Myzafer Xhaxhiu, Qemal Haxhihasani, Jup Kastrati, Alfred Uçi, Dalan Shapllo e të tjerë, nga “të vjetrit” dhe Nasho Jorgaqi, Jorgji Gjinari, Anastas Dodi, Jorgo Bulo, Jani Thomai, Xhevat Lloshi, Remzi Përnaska e të tjerë, nga ata që në atë kohë ishin si të thuash “të rinj” ose, së paku, pak më të rinj se plejada e profesorëve veteranë të gardës së vjetër.

Në mesin e atyre që do të gjendeshin shpesh në auditorët e Universitetit të Prishtinës, në mesin e studentëve dhe kolegëve të tyre pedagogë, i gjallë e dinamik dhe plot sharm, ishte pa dyshim edhe drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë dhe profesor i Universitetit të Tiranës, albanologu i shquar, Androkli Kostallari.

Pas atij takimit të parë më duket të vitit 1972, kur unë isha djalë i ri, një student i posadiplomuar i zgjedhur asistent i Letërsisë Shqipe, që kishte filluar të merrej edhe me shkrime dhe të botonte në shtypin dhe periodikun letrar të Shkupit dhe të Prishtinës (më vonë edhe në atë të Tiranës), më befasoi me pohimin e tij se më kishte përfytyruar ndryshe nga shkrimet që kishte lexuar dhe sidomos nga një polemikë e zhvilluar me një kolegun tim të studimeve qysh gjatë kohës kur ishim studentë lidhur me krijimtarinë letrare të Kadaresë dhe disa probleme të tjera të letërsisë.  “A ti je Agim Vinca? – më pat thënë në takimin e parë Profesor Kostallari. – Të kam përfytyruar më të madh, gati gjigant… Gjithë atë polemikë që bëtë me atë Ibrahim Rugovën!”.

Unë u skuqa në fytyrë, sepse nuk e prisja një gjë të tillë. Ishte befasi për mua që shkrimet e mia polemike (dhe të tjera), të botuara në revistën “Fjala”, ishin lexuar edhe në Tiranë, madje edhe nga njerëz të rryer të shkencës, çfarë ishte Profesor Kostallari.

Në Tiranë atëbotë, për arsyet që dihen, polemika si lloj letrar pothuajse nuk ekzistonte, por kjo s’do të thoshte se shkrimet e tilla nuk lexoheshin dhe nuk pëlqeheshin.

Nga takimi i parë me Profesor Kostallarin, ai i vitit 1972, mbaj mend edhe një detaj, që e ruaj të freskët në kujtesë edhe pas gati gjysmë shekulli.

Profesori pat mbajtur një ligjëratë me studentët e Shkallës III të Gjuhësisë, në orët e pasdites, sepse të gjithë ata që ndiqnin këtë nivel të studimeve ishin në marrëdhënie pune. Unë atëbotë, si beqar që isha, pjesën më të madhe të ditës e kaloja në Fakultet, ku përgatisja provimet e Shkallës III dhe bëja edhe punën e sekretarit të Degës së Letërsisë, shef i së cilës ishte Profesor Rexhep Qosja, njëri nga miqtë e ngushtë të Profesor Kostallarit, i cili një vit a dy më herët kishte qenë anëtar i komisionit para të cilit Qosja e pat mbrojtur temën e doktoratës. Është vendi të thuhet këtu diçka që nuk është thënë ndonjëherë publikisht dhe që dihet nga fare pak njerëz, kurse unë vetë e kam dëgjuar nga Profesor Qosja. Teksti që ne lexojmë edhe sot e kësaj dite në përfundim të mbrojtjes së temave të doktoratës, ajo formula e famshme “e pagëzimit”, me të cilën mbyllet akti solemn i mbrojtjes së temave dhe i marrjes së titujve nga kandidatët, është formuluar nga dora e Androkli Kostallarit. Dhe kjo ka ndodhur pikërisht në vitin 1971, kur Rexhep Qosja mbrojti disertacionin e tij “Asdreni, jeta dhe vepra e tij”, që ishte tema e parë e doktoratës e mbrojtur në gjuhën shqipe në këtë institucion. Kur merr fund mbrojtja publike në Amfiteatrin e Madh të Fakultetit, para një auditori jashtëzakonisht të gjerë dhe kur komisioni pesanëtarësh i përbërë nga Aleks Buda, Idriz Ajeti, Ali Hadri, Jashar Rexhepagiqi dhe Androkli Kostallari tërhiqet për të marrë vendim, papritmas shfaqet problemi i formulimit të tekstit të vendimit. Është Profesor Kostallari ai që ulet dhe e shkruan atë, tekstin të cilin ne në Universitetin e prishtinës e lexojmë edhe sot e kësaj dite pikë për pikë pa asnjë ndryshim.

Por të kthehemi te ai takimi i ’72-shit, kur Profesori pat ardhur për të mbajtur një cikël ligjëratash për studentët pasuniversitarë. Ishte e udhës që atë ta shoqëronte shefi i Degës së Gjuhës Shqipe dhe kolegu i tij gjuhëtar, Profesor Idriz Ajeti. Pas ligjëratës gati dyorëshe, që u ndoq me interesim të madh nga të pranishmit, studentë e të tjerë, pushuam pak në kabinetin e profesor Idrizit dhe pastaj ata të dy – dhe unë bashkë me ta, dolëm nga Fakulteti dhe u nisëm në drejtim të hotelit “Bozhur” (si quhej atëherë hoteli kryesor i Prishtinës, që pas luftës do të marrë emrin “Iliria”), ku ishte vendosur Profesori. Kur dolëm te shkallët e Fakultetit dielli ishte në perëndim e sipër, horizonti kishte marrë një ngjyrë të kuqërremtë si zjarr (ishte fillimi i vjeshtës) dhe nga shkallët e Fakultetit krijohej një pamje mbresëlënëse, që nxiste emocione. Atëbotë në oborrin e Fakultetit kishte shumë pak vetura, kurse ndërtesat e larta ishin edhe më të pakta, kështu që nga pozita tek gjendeshim ne të dilte përpara një pamje e gjerë e madhështore: sikur ta kishe në pëllëmbë të dorës krejt Kosovën.

Në atë çast, Profesor Kostallari, me gjallërinë që e karakterizonte, shqiptoi fjalët:

“Eh, Rrafshi i Kosovës! Tërë Jugosllavinë e mban me bukë!”.

Nuk e di në e bëri këtë ngaqë vërtet u entuziazmua nga pamja që kishim para sysh, apo edhe si një “provokim” të vogël politik ndaj shoqëruesit të tij kosovar, Profesor Ajetit, i cili, i zënë në “befasi” nga kjo deklaratë e papritur, u përgjigj në mënyrën e vet:

“Jo, jo, krejt Jugosllavinë!… Kosovën po”.

Unë që ndodhesha krejt rastësisht në shoqërinë e këtyre dy kolosëve, natyrisht heshta. Nuk thashë gjë. Por intimisht isha me Profesor Kostallarin, fjalët e të cilit kishin një mesazh të fuqishëm politik e kombëtar dhe si të tilla do të më nguliten përgjithmonë në kujtesë.

Momenti i dytë që dua të evokoj me këtë rast është një takim i mëvonshëm. Me Bajram Krasniqin e ndjerë ishim në bufenë e Institutit Albanologjik, kur papritmas në derë u shfaq figura e Profesor Kostallarit. Kthehej nga Beogradi, ku kishte marrë pjesë në një konferencë shkencore me karakter ballkanik dhe evropian. Pas përfundimit të konferencës, me disa kolegë të tjerë pjesëmarrës në konferencë, kishin ardhur në Prishtinë të na takonin ne që nuk mund të shkonim më në Tiranë si dikur, para vitit 1981. Në bisedë e sipër, duke dashur të na inkurajonte mua dhe Bajramin, që na donte si njerëz dhe si studiues, na tha: “Hajt se do të rregullohen punët. As djalli nuk është aq i zi sa duket!”. “Nuk duket sa është i zi, Profesor!” – iu përgjigjëm pothuajse njëzëri unë dhe Bajrami. Ashtu edhe doli. Situata në Kosovë erdhi duke u përkeqësuar nga viti në vit e nga dita në ditë, gjersa mori përmasat e një apartheidi të vërtetë. “Djalli” po tregonte orë e çast se s’kish ndërmend të ndalej pa e bërë të vetën: mbylljen e institucioneve tona arsimore, shkencore, kulturore, informative e të tjera, që kishte si synim final heqjen e autonomisë së Kosovës dhe dobësimin e faktorit shqiptar në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi.

Do ta takoja edhe shumë herë të tjera, në Prishtinë dhe në Tiranë, ku ai na priste në zyrën e tij në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë kur shkonim për kërkime shkencore ne pedagogët e Universitetit të Prishtinës, që na hapeshin dyert e institucioneve dhe na ruheshin vendet në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare, ku, falë angazhimit të tij dhe të të tjerëve, trajtoheshim si “vëllezër”; edhe në hotel “Dajti”, ku vinte të darkonte me ne, tok me zëvendësin e tij, Koço Bihikun e ndonjë tjetër, sidomos në fillim dhe në përfundim të qëndrimit tonë në Tiranë, por edhe në raste të tjera. Bisedat silleshin kryesisht rreth punës sonë kërkimore, rreth temave në të cilat punonim, rreth sigurimit të literaturës, por flisnim (ose më drejt: fliste ai, kurse ne të tjerët dëgjonim) edhe për probleme të tjera të jetës shkencore, ku mbizotëronin, sigurisht, temat nga gjuhësia dhe letërsia.

Vetëm për një gjë nuk u “pajtuam” me Profesor Kostallarin: për Mitrush Kutelin. Kur unë, që sapo hyja në botën e shkencës, mendoja të merrja për punim të magjistraturës prozën e Kutelit, ai më sugjeroi të mos e bëja këtë me pretekstin se Kuteli kishte qenë “anëtar i Gardës së Hekurt të Antoneskut!”. Me njohuritë që kisha atëbotë, as nuk e dija se ç’ishte “Garda e hekurt”, e as kush ishte gjeneral Antonesku (kryeministër i Rumanisë në vitet 1940-1944 dhe aleat i Hitlerit, i ekzekutuar pas luftës). Më vonë do ta mësoja. Por intuita më thoshte se s’duhej të ishte e vërtetë akuza për Kutelin dhe, me gjithë respektin që kisha për Profesor Kostallarin, përsëri zgjodha Kutelin për temë magjistrature. (Vite më vonë, kur unë mendoja se kjo gjë ishte harruar, ai gjeti një rast të ma ndërmendte me fjalët: “Ti, nuk më dëgjove!”).

Nuk e di përse ndaj një shkrimtari si Mitrush Kuteli, që shquhej veç të tjerash edhe për gjuhën e tij të pasur, si në planin leksikor, ashtu edhe në atë frazeologjik e stilistikor, kishte këtë qëndrim Androkli Kostallari? A ishte refleks i qëndrimit zyrtar ndaj Kutelit apo ndonjë hatërmbetje personale (se, helbete, njerëz jemi!), nuk mund ta them me siguri, por mund të pohoj me gojë plot, madje edhe me mburrje, se bëra mirë që nuk e dëgjova Prof. Kostallarin në këtë pikë.

Mitrush Kuteli, sikurse edhe Lasgush Poradeci, me të cilët na ndante ose, më mirë, na bashkonte, liqeni fantastik, “gjoli”, si i themi ne andej, që lag brigjet e Ohrit, të Strugës dhe të Pogradecit bashkë me Shën Naumin pranë, qenë dhe mbetën dy nga shkrimtarët e mi të adhuruar.

Sidoqoftë, Profesor Kostallari, sa arrita ta njoh unë, ishte një njeri me inteligjencë të rrallë dhe me një logjikë të hekurt, që mbështeste me shpinë për muri këdo që mund ta kontestonte mendimin e tij shkencor, veçanërisht për çështje të gjuhës letrare, term që përdorej atëherë në vend të termit të sotëm “gjuhë standarde”. Inteligjenca e tij e lindur shoqërohej edhe me një elokuencë të rrallë, të lindur e të kultivuar, që spikaste veçanërisht kur ai mbante ligjërata para studentëve, kur kumtonte në tubime shkencore, por edhe në jetën e përditshme. Ishte më elokuenti ndër gjuhëtarët tanë, ndoshta ngaqë ishte marrë ngapak edhe me letërsi. Nuk do ta harroj kurrë një ligjëratë të tij për Bogdanin, mbajtur në Amfiteatrin e Vogël të Fakultetit Filologjik në Prishtinë, të cilën, po qe se do ta karakterizoja me një fjalë të vetme, atëherë do të më hynte në punë fjala: brilante! Të gjithë ata që i kam dëgjuar të flasin e të shkruajnë për Bogdanin, më parë dhe më pas, më janë dukur të zbehtë e minorë karshi asaj ligjërate të shkëlqyer të Kostallarit, e cila në të vërtetë ishte një studim shkencor për kontributin e Bogdanit në konsolidimin e shkrimit shqip dhe sidomos në fushën e fjalëformimit, që ishte fushë e specializimit të Profesorit.

Pasioni i tij për gjuhën shqipe dhe pasurinë e saj leksikore ishte i paparë. Në biseda me njerëz të zonave të ndryshme, veçanërisht nga viset këndej kufirit, shfrytëzonte rastin të pyeste për emrat e vendbanimeve, për emërtimet e bimëve, të kafshëve, të veglave të punës etj. Posa dëgjonte ndonjë fjalë të re, të panjohur, të rrallë, nga brumi popullor, nxirrte skedën dhe e shënonte. Kështu pat vepruar edhe me mua kur i thashë se në vendlindjen time, në Veleshtë, për shtëpinë përdhese përdoret fjala “përtrollzë”, të cilën unë e kisha futur edhe në poezi; me fjalën “bërrole” për kallirin e misrit të zhvoshkur nga kokrrat, e ndonjë tjetër që nuk më kujtohet tani.

Pas rënies së sistemit komunist në Shqipëri në fund të viteve ’90 dhe sidomos pas vitit 1992, kur vdes, Androkli Kostallari do të sulmohet shumë dhe shpesh, si rrallë ndonjë personalitet tjetër nga fusha e shkencës, herë-herë edhe nga ndonjë nga ish-bashkëpunëtorët e tij. Askush ose pothuajse askush nuk e mori në mbrojtje. Kurse ai vetë nuk kishte si të mbrohej.

Opinionet për Androkli Kostallarin si njeri e shkencëtar dhe vlerësimet për të janë kundërthënëse, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Në Kosovë, madje, edhe më shumë. Por të gjithë studiuesit objektivë thuajse pajtohen në një pikë. Profesor Androkli Kostallari është posaçërisht i merituar për hartimin e Rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe(Projekt, 1967) (më vonë edhe të librit Drejtshkrimi i gjuhës shqipe – 1973), ku ai ishte kryetar i komisionit, kurse anëtarë: Prof. Mahir Domi, Prof. Eqrem Çabej dhe B. shk. Emil Lafe, si dhe i Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe (1980), me 40 mijë fjalë, vepër e një ekipi të gjerë gjuhëtarësh, leksikografë e të tjerë, në krye të të cilit qëndronte po ashtu Prof. Kostallari.

Por merita e tij më e madhe, që mund të konsiderohet kurora e punës së tij jo vetëm shkencore, por edhe kombëtare, është përgatitja dhe organizimi i Kongresit të Drejshkrimit, që u mbajt në Tiranë në nëntor të vitit 1972, në të cilin u kurorëzuan përpjekjet shekullore të kombit shqiptar për të pasur një gjuhë të përbashkët letrare. Aq i madh ka qenë roli i Androkli Kostallarit për organizimin dhe rezultatin e këtij Kongresi, sa ai, siç theksonte Jorgo Bulo, “u identifikua me emrin e tij, për të mirë me gjallje të tij dhe për të keq sidomos pas vdekjes së tij, nga kundërshtarët provincialë të vendimeve të atij Kongresi”.