Biblioteka ‘G.Schiro’ siguron fondet për ruajtjen e kulturës arbëreshe

Edhe këtë vit janë miratuar fondet për ruajtjen e kulturës dhe historisë në Bibliotekën G.Schiro në Horën e Arbëreshëve.

Pjesa më e madhe e këtyre fondeve do të shkojnë për të zgjeruar librin dhe trashëgiminë multimediale të bibliotekës historike arbëreshe.

Pas kërkesës për kontribut, të datës 16 shkurt 2021 nga Administrata Komunale e Horës në Departamentin Rajonal të Trashëgimisë Kulturore dhe Mjedisore, Biblioteka G. Schirò do të marrë një kontribut prej 5,000 eurosh të dhënë në përputhje me Ligjin Rajonal të 20 Shtatorit 2006, që lidhet me “Transferimin e burimeve të zakonshme tek autoritetet vendore për krijimin, funksionimin dhe zgjerimin e bibliotekave. Pjesa më e madhe e financimit do të përdoret për të rritur trashëgiminë e librit dhe multimedias.

Kryebashkiaku Rosario Petta tha: “Edhe këtë vit, financimi për mbikëqyrjen e trashëgimisë kulturore për bibliotekën tonë u arrit të sigurohej.

Kjo është gjithashtu pjesë e veprimeve programatike dhe planifikuese që synojnë forcimin dhe rritjen e institucionit tonë, në rastin konkret të librit të çmuar dhe trashëgimisë kulturore që mbahet në bibliotekën tonë komunale.

Falë zyrave që ndoqën procedurat për angazhimin e tyre dhe qëllimin e ndjekur, edhe një herë për komunën tonë dhe për përdoruesit që do të gëzojnë shërbime të mëtejshme përmirësimi” /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Përpjekjet e Institutit të Gjuhësisë për mbrojtjen e kulturës arbëreshe

 

Më 22 shkurt 1973 drejtuesi i Institutit të Gjuhësisë e Letërsisë, profesor Androkli Kostallari, kishte hartuar një raport të hollësishëm rreth zhvillimeve të jetës kulturore e të trashëgimisë ndër arbëreshët e Italisë.

Në atë dokument propozohej se duheshin bërë disa ndërhyrje urgjente për të mbrojtur, studiuar dhe përvetësuar pasurinë gjuhësore e arkivore që ruhej ndër arbëreshët që jetonin në disa lokalitete të Italisë. Dokumenti prej 11 faqesh, dëshmon një pjesë të fushatës për të intensifikuar kontaktet dhe marrëdhëniet me këtë komunitet shqipfolës në Itali.

Pjesa e parë e vitit 1973, dominohet nga këto iniciativa dhe kulmon me një ekspeditë në terren, ku mblidhen të dhëna të hollësishme rreth zhvillimeve gjuhësore, letrare, kërkimeve shkencore e arkivore në 95 fshatrat e lokalitetet arbëreshe në Itali.

Në raport veç informacioneve të mbledhura mbi komunitetin arbëresh, vendet ku jetonin, ruajtjen e gjuhës dhe traditave, nevojave të tyre për informacion e literaturë nga Shqipëria, Kostallari veçon nevojën për të shtënë në dorë lëndën arkivore që ata ruanin, në arkivat personale dhe të bibliotekave në lokalitetet ku jetonin.

Pjesa e parë e dokumentit

PARASHTRESË MBI PËRMIRËSIMIN E PUNËS SONË ME ARBËRESHËT NË FUSHËN E SHKENCAVE ALBANOLOGJIKE

Sipas të dhënave të Vjetarit të Përgjithshëm të vitit 1961, tashti në Itali ka 95 fshatra e lokalitete me popullsi arbëresh. Prej tyre, 55 me një popullsi prej 135 811 banorësh e ruajnë të gjallë gjuhën shqipe, këngët, veshjet e zakonet shqiptare, ndërsa 40 me një popullsi prej 182 182 banorësh e kanë humbur gjuhën plotësisht ose pothuajse plotësisht, por ruajnë akoma mjaft elementë të vetëdijes kombëtare. Këto koloni arbëreshe ndodhen në Kalabri, në Sicili, në Molize etj., sidomos në provincat e Katanzaros, Tarantos, Potencës, Kampobasos, Foxhias, Palermos etj. Fshatra të veçuara ndodhen edhe në provincat e Avelinos e të Peskarës.

Në të kaluarën arbëreshët e Italisë kanë ruajtur me fanatizëm veçoritë e tyre dalluese kombëtare dhe kanë qenë aktivë edhe në përpjekjet për çlirimin e Shqipërisë. Por në shekullin tonë, e sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, me procesin e shpejtë të italianizmit dhe me shtimin e emigrimit brenda e jashtë Italisë, rreziku i humbjes së individualitetit të tyre kombëtar është bërë shumë i madh.

Ky rrezik në ditët tona i ka shqetësuar shumë sidomos shtresat intelektuale të atjeshme, të cilat po bëjnë përpjekje të ndryshme për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe, për ta përdorur atë në shkrim e për të përhapur gjuhën tonë letrare edhe ndër të rinjtë. Këto iniciativa të veçuara kohët e fundit kanë marrë një karakter më të organizuar, por ato janë në përgjithësi të dobëta e përfshijnë rrethe shoqërore jo shumë të gjera. Megjithatë ato shënojnë një fazë të një zgjimi të ri kombëtar tek arbëreshët, që, me sa duket, lidhet edhe me shkaqe të brendshme edhe me ndikimin e realizimeve të Republikës Popullore të Shqipërisë.

Kështu, sot, megjithëse kërkesat për ta futur shqipen zyrtarisht në shkollat fillore të fshatrave arbëreshe nuk kanë gjetur përkrahje në qarqet qeveritare, në një varg komunash nga famullitarët, mësuesit e nga intelektualë të tjerë ka filluar t’u mësohet fëmijëve arbëreshë shkrimi e leximi i shqipes.

Kleri arbëresh në këtë lëvizje gjuhësore-letrare e kulturore në përgjithësi mban një qëndrim pozitiv dhe është mjaft i lidhur me masat fshatare. Me iniciativën e personaliteteve më të njohura ose të grupeve të caktuara kanë filluar të ngrihen shoqata e rrethe të ndryshme kulturore si Shoqata e mësuesve shqiptarë të Italisë (AIADI me qendër në Lungro-Kozencë), Lidhja e Bashkësive italo-shqiptare (UCIA në S. Demetrio Korone), Shoqata kulturore italo-shqiptare (ACIA në Kastrovilari), Rrethi “A. Lupinaro” në Specano Albaneze, Rrethi “Gennaro Plaço” në Çivita, Rrethet kulturore në Frashineto e në Vakarico Albaneze, Rrethi kulturor-folkloristik në S. Demetrio Korone, Rrethi “Jeronim De Rada” në S. Kosmo Albaneze, Rrethi kulturor “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në S.

Kostantino Albaneze të Potencës, Rrethi kulturor në Kastrorexhino etj. Nga këto organizma kanë filluar të botohen organe të ndryshme, disa prej të cilave përmbajnë materiale me vlerë të mirë gjuhësore, shkencore e letrare. Këto organe gjallërojnë ndjenjat kombëtare të popullsisë së atjeshme arbëreshe, ngrenë lart cilësitë e larta të kombit shqiptar, përhapin njohuri për historinë e popullit tonë, për kulturën e traditat e tij të lashta, si edhe për sukseset e tij të sotme. Në faqet e tyre inkurajohen shkrimtarët e rinj arbëreshë, ndër të cilët kanë dalë edhe mjaft poetë me talent, si edhe studiuesit e gjuhës e të folklorit arbëresh.

Ndër këto organe mund të përmendim sidomos revistën “Zgjimi”, drejtuar prej vitesh nga avokati Albino Greko, “Vatra jonë”, drejtuar që nga 1967-ta nga prifti i S. Kostantino Albaneze (Potenca) Antonio Bellusci, “Gjuha jonë e bukur” me nëntitullin “Zëri i shqiptarëve të Molizes e të Kapitanatës” në Ururi (Kampobaso), “Gjella”, e përdyjavshme etniko-kulturore-gjuhësore që botohet në Ururi, “Arza”, revistë humoristike-satirike që botohet nga Rrethi “Jeronim De Rada”, “Gluha”, organ i shoqatës BAMKU në Katanxaro, “Zëri i Arbëreshëvet”, organ i ACIA në Kozenca dhe “Zjarri”, revistë kulturore e përmuajshme, që del në S. Demetrio Korone (Kalabri).

Revista “Zjarri” botohet nga një shoqatë të rinjsh formuar kohët e fundit që kërkon të ngjallë një lëvizje të përgjithshme laike për ruajtjen dhe zhvillimin e traditave kombëtare arbëreshe e sidomos të gjuhës shqipe. Kohët e fundit filloi të botohet edhe një organ i ri nga të rinj përparimtarë arbëreshë në Sicili. Në përgjithësi vihet re që tek arbëreshët ka një farë rigjallërimi të studimeve albanologjike. Ndër ta janë dalluar edhe studiues linguistë e folkloristë si G. Schirò (Romë), G. Ferrari (Bari), E. Giordano, V. Selvaggi, F. Solano, Luca Perrone, A. Bellusci e të tjerë.

Disa prej këtyre kanë marrë pjesë edhe në Konferencat tona të Studimeve Albanologjike dhe kur janë kthyer atje kanë shkruar e kanë folur mirë, me dashuri e respekt për vendin tonë e për arritjet tona të fushën e shkencave albanologjike. Këta studiues, të cilët, pavarësisht nga gjendja e tyre shoqërore, kanë një dashuri të sinqertë për atdheun e të parëve, kanë bërë edhe një varg botimesh të rëndësishme dhe marrin herë pas here iniciativa të dobishme. Ata përpiqen të mbajnë disa lidhje shkencore me ne, na dërgojnë edhe veprat e tyre, kërkojnë përkrahjen e vlerësimin tonë për punën e tyre.

Nga institucionet tona shkencore janë bërë përpjekje për t’i furnizuar me botimet tona albanologjike dhe për të botuar ndonjë punim të tyre të veçantë; kjo është pritur me mirënjohje prej tyre, pro ka qenë një ndihmë e pamjaftueshme dhe jo gjithnjë sistematike.

Veprimtaria jonë në këtë drejtim është penguar edhe nga një farë ngurrimi për t’i ndihmuar për shkak të disa kontakteve që për një arsye apo për një tjetër, ata detyrohen të kenë edhe me Koliqin e Valentinin. Kështu, megjithëse disave prej tyre (sidomos E. Giordanos, G. Ferrarit, G, Schiroit-junior etj.), u është dhënë prej nesh një ndihmë e ndjeshme, në përgjithësi, sipas udhëzimeve të organeve përkatëse, nga ana jonë kundrejt gjithë kësaj lëvizjeje kulturore-gjuhësore arbëreshe është mbajtur më shumë një qëndrim pasiv.

Duke u munguar mbështetja dhe ndihma jonë aktive e sistematike, forcat kulturore të atjeshme ose e kanë dobësuar veprimtarinë e tyre ose herë-herë janë lënë të tërhiqen edhe nga fashistët e tipit të Koliqit a të jezuitit Z. Valentini, duke kontribuar në veprimtarinë e institucioneve që drejtojnë ata, si “Instituti i studimeve shqiptare” pranë Universitetit të Romës dhe “Qendra ndërkombëtare e studimeve shqiptare” pranë Universitetit të Palermos, dhe në ndërmarrjet e këtyre institucioneve (sesione shkencore, vjetarë, botime etj.).

Krahas kësaj, duhet pasur parasysh edhe një aspekt tjetër. Ndër arbëreshët gjenden ende shumë dorëshkrime, dokumente, materiale e vepra të pabotuara me interes, ndonjëherë me rëndësi të dorës së parë për studimet albanologjike – për gjuhësinë, folklorin, etnografinë e historinë tonë, materiale këto që kanë pësuar humbje të shumta në këta 50 vjet e që mund të pësojnë edhe humbje të reja ose të bien në duar personash të padëshirueshëm.

Ne jemi shumë të interesuar t’i shtiem në dorë këto materiale, sidomos epistolarin e Kamardës, veprat e pabotuara të Marko La Pianës, materiale të ndryshme të De Radës dhe materiale të shumta të shpërndara në arkivat e bibliotekat komunale të atjeshme, që ne i dimë se ekzistojnë, por nuk i njohim akoma konkretisht. (Mjaft materiale të tilla mblodhi vite më parë në familje të ndryshme një italian me emrin Gangale që punon në Universitetin e Kopenhagës në Danimarkë, duke grumbulluar një arkiv të pasur materialesh e dorëshkrimesh).

Duhet thënë që edhe sot, për shkak të mungesës së kontakteve të drejtpërdrejta, ne e njohim pak gjendjen tek arbëreshët, forcat e tyre përparimtare, rrethet kulturore e shkencore të tyre, personalitetet e tyre kryesore të afirmuar dhe të rinjtë me perspektivë që po dalin në arenën e lëvizjes së sotme gjuhësore-kulturore të atjeshme.

Me përjashtim të dy vizitave të kufizuara që janë bërë tek arbëreshët nga studiuesit tanë përpara shumë vjetësh, atje nuk ka vajtur asnjë grup studiuesish nga albanologët tanë (sidomos nga gjuhëtarët, folkloristët e etnografët) për t’u njohur nga afër me gjithë zhvillimin e atjeshëm e për të formuar një ide të saktë mbi jetën dhe njerëzit. Shënojmë se këto vitet e fundit kanë filluar të venë rregullisht tek arbëreshët e Italisë grupe të gjera studiuesish e studentësh nga shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë.

Në këto kushte ne mendojmë se del nevoja e organizimit dhe e zhvillimit të një veprimtarie të gjerë e sistematike aktive në drejtime të ndryshme për të fuqizuar përpjekjet për ruajtjen e gjuhës amtare e për zhvillimin e kulturës kombëtare ndër arbëreshët e Italisë, për njohjen e tyre me veprimtarinë letrare, shkencore e kulturore tonën, për vendosjen e lidhjeve të ndryshme e të përhershme me ta, për shkëputjen e një pjese të inteligjencës së tyre nga bashkëpunimi dhe ndikimi prej elementëve armiq e reaksionarë. Këtu dalin edhe një sërë detyrash e punësh të ngutshme për t’u kryer qoftë në planin thjesht shkencor albanologjik, qoftë në planin kombëtar kulturor e politik.

Në këto rrethana ne mendojmë se hallka nga duhet të kapemi për të depërtuar tek arbëreshët pa i shqetësuar organet zyrtare italiane është në radhë të parë fusha e shkencave albanologjike e sidomos fusha e gjuhës, folklorit e etnografisë. Me qëllim që për të ardhmen të hartohet një plan pune sa më real e i saktë, me afat të gjatë dhe i shumanshëm, mendojmë se, si hap i parë, duhet të shkojë tek arbëreshët një grup studiuesish i përbërë të paktën prej dy gjuhëtarësh, një folkloristi e një etnografi për të njohur situatën konkrete drejtpërsëdrejti. Kjo në kushtet e sotme mund të realizohet pa ndonjë vështirësi të veçantë, duke marrë parasysh lidhjet tona miqësore me disa nga studiuesit kryesorë arbëreshë./ Shkrimi është botuar në Shqiptarja.com (print) në 30 janar 2016. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Kultura arbëreshe pjesë e guidave turistike italiane

Në udhëzuesin e ri të Komunës së Civita-s, për promovimin turistik të saj, zënë vend të rëndësishëm elementet e kulturës materiale dhe jomateriale arbëreshe, të cilat u ofrohen turistëve si asete me vlera të veçanta.

Ky botim i ri informues, që drejtohet nga kryetari i komunës Alessandro Tocci, është realizuar në kuadër të projektit:

“Të kujtojme të shkuarën për një të ardhme më të mirë”. Civita që ndryshe quhet edhe “vendi i shkëmbinjve”, në udhët drejt bukurive natyrore të tij ka shumë qetësi, që imponohet edhe nga “heshtja e gurëve antikë”, ka potenciale të mëdha turistike që lidhen me historinë, vlerat artistike dhe me traditat, zakonet, ngjyrat, gatimet, mëyrën e jetesës së banorëve të tij arbëreshë, transmeton KultPlus.

Vitet e fundit kjo zonë ka patur shumë vizitorë, dhe në udhëzuesin e ri janë përfshirë intinerare të shumta turistike, fakte historike, kalendari i festave popullore, emërtimet e traditës fetare, e deri tek veçoritë e ushqimit dhe verës. Historia e komunitetit arbëresh që e popullon zonën, u “flet” vizitorëve edhe nëpërmjet arkitekturës karakteristike të shtëpive prej guri, të cilat krijojnë një stil të fortë mesjetar.

Shtatë nga këta banesa njihen me emrin “Case Kodra” (shtëpitë Kodra), të ashtuquajtura në kujtim të artistit shqiptar Ibrahim Kodra, i cili i përfshiu në punimet e tij artistike në disa tablo të njohura. / KultPlus.com

Koordinatori Hoti: Të angazhohemi të gjithë që ta shpëtojmë gjuhën dhe kulturën arbëreshe

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, ka takuar udhëheqës të bashkive, qytetarë arbëreshë dhe ka vizituar institucione shkollore në Kalabri.

Hoti vizitoi bashkinë e San Benedetto Ullando dhe takoi kryetaren e saj Rosaria Amalia Capparelli me të cilën bisedoi për Programin Nacional për Rininë dhe arbëreshët e Kalabrisë.

“Është kënaqësi të jem këtu me ju, por nuk është e lehtë të shoh se si gjuha arbëreshe po shkon duke u harruar. Ne bashkë me ju duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë që kjo gjuhë të shpëtoj. Ne në Kosovë jemi duke implementuar Programin Nacional për Rininë, i cili ka tri shtylla kryesore, kreativitetin kulturor dhe mendimin kritik, diturinë dhe sportin. Ju arbëreshët mund të fitoni shumë nga ky program, sidomos në pjesën e kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik”, tha Hoti duke shpjeguar më në detaje programin.

Ndërsa, kryetarja Capparelli pasi falënderoi Koordinatorin Hoti për vizitën, shprehi gatishmërinë e saj për bashkëpunim për Programin Nacional për Rininë. Ajo tha se “ne e vlerësojmë shumë vizitën në bashkinë tonë dhe interesimin për ne arbëreshët, për çka ju falënderojmë shumë. Unë si kryetare jam e gatshme të bashkëpunoj me ju për këtë program dhe çdo projekt tjetër nga i cili do të mund të përfitonim”.

Hoti gjithashtu vizitoi edhe kolegjin italiano-shqiptar në San Demetrio Corone, ku u takua me drejtoreshën e kësaj shkolle Concetta Smeriglio. Ata biseduan për Programin Nacional për Rininë dhe mundësitë që ky program të inkuadrohet edhe për nxënësit arbëresh, italianë dhe të kombësive tjera. Drejtoresha mirëpriti programin dhe tha se është një mundësi e mirë për nxënësit meqë ai parasheh aktivitete jashtëkurrikulare. Ajo tha se e veçantë e tij është tek gjithë përfshirja.

Këtu Hoti takoi edhe disa nga mësimdhënësit nga të cilët u njoftua për bibliotekën e kolegjit e cila përveç librave në gjuhën italiane, posedon edhe libra në gjuhën shqipe e arbëreshe, në formatin e shtypur dhe atë elektronik. Klan Kosova/ KultPlus.com

Meta inicion “U’ jam Arbëresh”, ta ruajmë e promovojmë trashëgiminë kulturore arbëreshe

Presidenti i Republikës, Ilir Meta inicioi sot nismën që ka ndërmarrë “U’ jam Arbëresh” me mbajtjen e takimit të parë të këtij Forumi në Institucionin e kreut të shtetit.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të Forumit, mes të cilëve ishin të pranishëm ministri i Diasporës Pandeli Majko, kryetari i Bashkisë së Shën Mitrit Salvatore Lamirata, Padre Pietro Lanza i Kishës italo-arbëreshe, konsulli i Nderit Aldo Marino, akademikë, historianë, albanologë dhe intelektualë të shquar, Neritan Ceka, Paskal Milo, Tritan Shehu, Moikom Zeqo, Aurel Plasari, Pëllumb Xhufi, Nasho Jorgaqi, Gjovalin Shkurtaj, Shezai Rrokaj, etj., presidenti i Republikës vuri në dukje se:

“Kanosja reale e zhdukjes së kësaj gjuhe do të ishte një humbje e madhe jo vetëm për arbëreshët, të cilët e ruajtën atë me besnikëri të pashoqe dhe dashuri për gjashtë shekuj, por edhe për Shqipërinë, Italinë dhe për gjithë trashëgiminë dhe kulturën europiane e botërore.”

Më tej presidenti Meta nënvizoi se për të mos lejuar që të ndodhë kjo humbje, për të dhënë një kontribut konkret dhe në vazhdimësi të ruajtjes e zhvillimit të gjuhës dhe kulturës arbëreshe, por edhe për të forcuar lidhjet midis dy brezave të rinj dhe jo vetëm, nga të dyja anët e Adriatikut, unë besoj se jemi edhe në këtë forumi e në çdo nismë tjetër.

“Ky forum ka disa objektiva, ku ndër më parësoret janë nxitja, ruajtja, dhe zhvillimi i gjuhës së folur dhe asaj letrare arbëreshe e po kështu, edhe mësimi i saj në shkolla.” – theksoi presidenti Meta.

Në vijim, pjesëmarrësit në takim diskutuan dhe paraqitën mendimet e tyre rreth arritjes dhe zbatimit të objektivave të rëndësishme të Forumit “U jam Arbëresh”.

Presidenti të Republikës në Forumin “U jam Arbëresh”, ka thënë se Ideja për të ngritur një forum në mbështetje të arbëreshëve ka qenë në mendjen dhe në zemrën time prej të paktën një viti.

Kjo bashkësi, e larguar nga atdheu pas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut, krijoi dhe mban gjallë identitetin e vet kombëtar prej gati gjashtë shekujsh.

Gjatë të gjithë periudhës pas largimit, arbëreshët, krahas ruajtjes së trashëgimisë së tyre, u bënë edhe mbështetësit kryesorë të atdheut të tyre të ri, por edhe të atdheut që lanë pas.

U jemi mirënjohës gjithashtu për figura të shquara të letërsisë sonë si Jeronim De Rada, Gavril Dara dhe Zef Serembe, ashtu si edhe për faktin se ata përgatitën dhe frymëzuan shumë intelektualë të ndritur shqiptarë si Aleksandër Xhuvani dhe Luigj Gurakuqi, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për arsimin dhe pavarësinë e vendit tonë.

Cilido që studion veprimtarinë e figurave të ndritura që lindën prej bashkësisë arbëresh, që prej gjysmës së parë të shekullit të 19-të, do të bindej se projekti i parë i Rilindjes shqiptare, që ishte një projekt thellësisht europian, u formulua nga mësuesit dhe ish-studentët e Kolegjit të Shën Mitrit, më se gjysmë shekulli përpara se ai të merrte formë ndër intelektualët e Shqipërisë.

Urat historike dhe kulturore nuk u rrënuan kurrë, as në momentet më të errëta të historisë sonë./koha.net/KultPlus.com