Këto ditë vere, koreografi i shquar me origjinë shqiptare, Angelin Preljocaj, do të sjellë në skenë një nga krijimet e tij më të reja koreografike.
Vepra “Helikopter / Licht” është një balet që sfidon gravitetin përmes fuqisë së trupit, efekteve të dritës dhe muzikës bashkëkohore.
“Helikopter / Licht” është një përjetim vizual dhe fizik që eksploron kufijtë e perceptimit, në një vepër që lëviz mes errësirës së kohës sonë dhe shpresës për rilindje.
Koreografi Preljocaj do ta vërë në skenën e Théâtre de l’Archevêché, në Aix-en-Provence (France), në datat 30 dhe 31 korrik 2025.
Angelin Preljocaj pak kohë më parë u pranua zyrtarisht si anëtar i Akademisë së Arteve të Bukura të Francës. Ai ka lindur në Francë, më 19 janar 1957 dhe filloi të studionte baletin klasik përpara se t’i përkushtohej kërcimit bashkëkohor. Në dhjetor 1984 Preljocaj themeloi kompaninë e tij.
Që nga fillimet e tij, ai ka krijuar 61 vepra koreografike, duke filluar nga solo në formacione më të mëdha duke përfshirë Romeo & Juliet, Borëbardha, Liqeni i Mjellmave. Atij i pëlqen të alternojë balete të mirënjohur narrativë me pjesë më abstrakte./atsh/
