Violinisti i njohur Shkëlzen Doli do të interpretojë himnin në ndeshjen Kosovë – Angli

16 nëntor, 2019 – Ndeshja e nesërme Kosovë – Angli ka tërhequr vëmendjen e madhe jo vetëm të opinionit në Kosovë, por edhe atij botëror.

“Mikëpritja e jashtëzakonshme e popullit të Kosovës ndaj tifozëve të shumtë anglezë, por edhe flamujt dhe pankartat për mirëseardhjen e “Tre Luanëve” kanë bërë që Kosova të jetë në qendër të vëmendjes nga media britanike. Ndërkohë, organizimi i ndeshjes është duke shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, derisa me praninë e tij këtë ngjarje do ta nderojë edhe violinisti i njohur shqiptar, Shkëlzen Doli. Ai do të bëjë interpretimin e himnit të Kosovës , gjë e cila pa dyshim do të jetë emocionuese”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, transmeton KultPlus.com


Shkëlzen Doli është anëtar i Filharmonisë së Vjenës dhe Operës shtetërore të Austrisë. Ai ka ndjekur me sukses karrierën e një muzikanti klasik duke ruajtur lidhjet e tij të forta me muzikën autoktone shqiptare, me të cilën ai është rritur dhe edukuar.

“Shkëlzen Doli ka lindur në Elbasan dhe është rritur në Gjakovë.  Përveç shfaqjeve të shumta si solist, Shkëlzen Doli ka performuar edhe me ansamble të njohura të Filharmonisë së Vjenës si: “Wiener Virtuosen”, “Toyota Master Players”, “The Philharmonics” për muzikën bashkëkohore, “Ensemble Wiener Collage”etj. Përveç Evropës, Shkëlzen Doli ka performuar në Amerikën e veriut dhe në atë të jugut, Rusi, Afrikë, Izrael, Emiratet e Bashkuara Arabe, Indi, Kinë, Taiwan, Kore të jugut, Japoni etj” thuhet më tutje në njoftimin e FFK-së. /KultPlus.com

Alkent Pozhegu realizon mozaik me fara me portretet e Dua Lipës e Shkëlzen Dolit (FOTO)

Rekordi për Mozaikun më të madh me fara tashmë i takon artistit Alkent Pozhegu. Ishte mozaiku i tij me fara me portretin e Rita Orës që bëri që Pozhegu të futet në Librin e Rekordeve Guinness, shkruan KultPlus.

Mozaiku i cili shfaq imazhin e Rita Orës është 300 m² dhe është arritur duke përdorur misër, grurë, farë luledielli dhe fasule.



Për Alkent Pozhegun, ky ishte rekordi i dytë në Guinnes pas atij në vitin 2014 ku ai punoj një tjetër mozaik nga drithërat. Ky mozaik sportiv kishte dimensionet 20×25 m, me një hapësire 500 metra katrorë. Për këtë punim ai ka përdorur 2500 kilogramë drithëra për të krijuar emrat e dy futbollistëve – Messi dhe Ronaldo. Në mozaik janë edhe simbolet e klubeve Real Madrid dhe Barcelona.

Por Alkenti nuk e ka ndërmend të ndalet. Ai tashmë ka realizuar portretet e dy figurave të shquara të muzikës shqiptare. Atë të Dua Lipës dhe Shkëlzen Dolit.

Materiali me të cilin janë punuar këto portrete janë: fasule, farë luledielli, grurë dhe oriz, por si duket këto portrete janë realizuar në dimensione më të vogla dhe pa pretendimin që të thyejnë ndonjë rekord. /KultPlus.com

Shkëlzen Doli e Flaka Goranci me koncert mbresëlënës në Vjenë

Një mbrëmje mbresëlënëse artistike është mbajtur të premten në kishën katolike shqiptare para komunitetit shqiptarë dhe austriak në Vjenë të Austrisë.

Nën tingujt e violinistit të mirënjohur Shkëlzen Dolit dhe mezosopranos Flaka Gorancit, në Vjenë të Austrisë filloi kremtimi i 25 vjetorit të themelimit të Misionit Katolik Shqiptarë në Austri.

Dy artistët tanë të udhëhequr nga dirigjenti Michael Maciaszczyk dhe orkestra e Dhomës (Das Österreichische Kammerorcheste) për rreth dy orë para publiku shqiptar dhe austriak, dhuruan një koncert të paharrueshëm të muzikës klasike duke interpretuar vepra të njohura të kompozitorëve me famë botërore e deri të veprat e pavdekshme shqiptare si: Baresha e kompozime tjera shqiptare.

Të pranishëm ishin: Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në qeverinë e Kosovës, Anton Berishaj, Ambasadori i Shqipërisë, Roland Bimo, ai i Kosovës, Sami Ukelli, ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, krerë të kishës katolike në Austri, si dhe miq dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme austriake dhe shqiptare.

Ky jubile do të zgjasë tre ditë dhe është organizuar nga famullitari i kishës katolike shqiptare në Austri, Don Nikson Shabani në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri.

“Misioni është themeluar në vitin 1993. Komuniteti shqiptarë katolikë numëron mbi 1300 familje me mbi 6 mijë besimtarë”, theksoi Don Niksoni para të pranishmeve, njofton “albinfo.ch”.

Meshtari, don Nikson Shabani tregoi se ai është gjithmonë pranë komunitetit katolik në qendrat më të rëndësishme në Austri e deri në Pragë e Bratislavë me aktivitete fetare dhe kulturore.

“Kemi gjithmonë besimtarë të mirë dhe të devotshëm. Pjesa më e madhe e të rinjve të komunitetit tonë punojnë dhe veprojnë në të gjitha sferat e shoqërisë. Janë mirë të integruar dhe japin kontributin e tyre për të mirën e shoqërisë dhe vendit ku jetojnë duke filluar nga doktor shkence, deri të biznesmen të suksesshëm. Janë familjarë të mirë, punëtorë të mëdhenj dhe atdhetar dhe fetar të cilët bartin me krenari identitetin e tyre shqiptarë duke mos e mohuar asnjëherë për atë se çfarë janë”.

Kremtimi i 25 vjetorit do të vazhdojë edhe më aktivitete të tjera fetare dhe kulturore. Gjatë ditës së shtunë parashihet të mbahet një simpozium, ndërkohë në mbrëmje do të jetë mesha e shenjtë. Po ashtu edhe ditën e diel në mesditë do të mbahet mesha e udhëhequr nga ipeshkvi, imzot Dodë Gjergji për të vazhduar më pas në përmbyllje në një koncert familjar me këngëtarin, Malësorin.

Aktivitetet e kremtimit të themelimit të Misionit Katolik Shqiptarë në Austri janë pjesë e “Javëve të Kulturës Shqiptare” në Austri të cilat kanë filluar nga 13 nëntor dhe do të zgjasin deri me 8 dhjetor./ KultPlus.com

Tingujt magjik të Shkëlzen Doli dhe këngët e mirëfillta shqipe, jehuan mbrëmë në Gjakovë

Gjakova, qytet i muzikës, mbrëmë pati një festë muzikore.

Violinisti me famë botërore, e anëtar i Filarmonisë së njohur të Vjenës, në Pallatin e kulturës “Asim Vokshi” kishte ftuar qindra miq nga të gjitha anët ku flitet shqip duke i befasuar se nuk ishte rastësi ky takim me ta për t’ua prezantuar Ansamblin muzikor që do të mbaj emrin e tij.

Për dy orë ai dhe orkestra e përzgjedhur nën dirigjimin e mjeshtrit Alfred Kaçinari, e me këngëtarë të ftuar, tregoi dhe dëshmoi për të satën herë cilësitë e një mjeshtri të rrallë.

Kënduan Edi Furra, veterani Ismet Peja, Gentian Gojani, Vesa Smolica, Grupi Polifonik nga Himara, grupi muzikor “Ashikët” e duke e përfunduar koncertin me këngën e njohur “Është Kosova, është Shqipëria…” në shenjë të shënimit të ditëlindjes së heroit kombëtar Skënderbeut.

Sipas drejtorit artistik të këtij ansambli, Ruzhdi Sadiku, do të vazhdojnë punën duke shpallur audicione për solistë e instrumentist si dhe për valltarë e valltare për ta bërë një ansambël të kompletuar e për të pasur paraqitje çdo mujore në Gjakovë e hapësirat gjithëshqiptare e për të vazhduar edhe më përtej./ KultPlus.com

Shkëlzen Doli themelon Ansambël me emër të tij, nesër koncert në Gjakovë

I njohur Shkelzen Doli, sot në Gjakovë në një konferencë për media ka bërë të ditur se nga nostalgjia për Gjakovën, i kthehet asaj por edhe Kosovës dhe më gjërë, pasi ka vendosur që të themeloj një ansambël muzikor me emrin e tij.

Shkelzen Doli, që ka bërë emër në Filarmoninë e njohur të Vjenës, i lindur në Shqipëri e familja e tij me prejardhje gjakovare, këtë herë erdhi në mesin e gjakovarëve dhe hapi zemër për të kumtuar lajmin se nga sot ai e themelon ansamblin muzikor të cilit i dha edhe emrin e vet.

Për këtë hap që ndërmori violinisti i famshëm, në një konferencë për medie folën miqtë e Dolit, gazetari Skënder Gola dhe instrumentisti i njohur Ruzhdi Sadiku. Ata bënë të ditur se ansambli muzikor po nis me qëllim që ta begatoj muzikën shqipe dhe si i tillë do të jetë vend që do t’ i tuboj këngëtarët dhe instrumentistët e më vonë edhe vallëtarëtmë në zë të trevave shqiptare, këndej dhe matan Drinit, siç do të thoshte Dritëro Agolli i njohur.

Ansambli i posathemeluar Shkelzen Doli, do të jap nesër mbrëma koncertin e parë mu para gjakovarëve në Pallatin e Kulturës “AsimVokshi” me fillim nga ora 20.00./KultPlus.com

KONCERTI I ANSAMBLIT FILARMONIK I VJENES – Violinisti Shkelzen Doli, duke performuar gjate nje koncerti me Ansamblin Filarmonik te Vjenes, me rastin e Vitit te Ri, ne Pallatin e Kongreseve./r/n/r/nCONCERT OF VIENNA PHILHARMONIC ENSEMBLE – Albanian Violinist Shkelzen Doli, performing during a concert with the Vienna Philharmonic Ensemble, on the occasion of the New Year, at the Palace of Congresses.

“Baresha”, një këngë që s’përsëritet (VIDEO)

Nexhmije Pagarusha, me interpretimet e saj, ka marrë epitetin e “Bilbilit të Kosovës”. Ajo muzikës shqiptare, i ka sjellë një kryevepër që dëgjohet me emocionet e njëjta edhe pas gati një gjysmë dekade që kur është interpretuar për herë të parë, shkruan KultPlus.

Kënga ”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj. Këngë shekullore dhe vështirë e përsëritshme është konsideruar kjo kryevepër e këngëtares.

“Baresha” cilësohet si kënga më e mirë e artistes Pagarusha dhe në të njëjtën kohë kënga më e mirë e realizuar në kulturën e muzikës në Kosovë. Ndërsa edhe më pranë publikut e ka sjellë videoklipi i realizuar në vitin 2012. Fillimisht ideja për realizimin e klipit të kësaj kënge ka ardhur nga Muzeu Kombëtar si pjesë e prezantimit të trashëgimisë shpirtërore të Kosovës. Videoklipi i kësaj kënge është realizuar në bashkëpunim me Kooperativa dhe është përkrahur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Zëri hyjnor i këngëtares së madhe, përcillet me pamjet e disa vendeve më të bukura të Kosovës. I gjithë ky bashkë dyzim ia shton edhe më tepër rëndësinë e kësaj këngë për kulturën kosovare. Ndërsa lëvizjet e mahnitshme të balerinave të Baletit Kombëtar të Kosovës, vetëm se e sjellin më afër tregimin e tekstit të kësaj kënge. Me veshje të anës së Rugovës, e me pamje nga atje kjo këngë del më autentike se çdo këngë tjetër.

Duke qenë një këngë që gëzon vlera të larta artistike, atëherë këtij kompozimi artistik mund t’i përgjigjen vetëm artist të mirëfilltë. Këtë e arrin Shkëlzen Doli me violinën e tij. KultPlus ju sjellë interpretimin e mahnitshëm të violinistit të njohur, i cili këtë këngë e ka shoqëruar edhe me videoklip.

Kjo vepër ishte interpretuar edhe nga solistja Joana Kaimi, së bashku me Orkestrën Popullore. Ky version është përpunuar për Violinë, orkestër popullore nga Gerti Druga. KultPlus ju sjellë pamje nga ky interpretim.

Krahas instrumenteve të tjera, kjo këngë është interpretuar edhe me anë të kitarës. Një interpretim të tillë e kanë sjellë dy kitaristët Arben Hoxha dhe Vendim Thaqi. KultPlus ju sjellë këtë version nga interpretimi i kitaristëve në Tirana International Guitar Festvali.

Krejt në fund po ju sjellim interpretimin e të madhes Nexhmije Pagarusha. Po ashtu KultPlus ju përcjellë edhe videoklipin dhe tekstin e kësaj kënge.


Heej kam rrit shtatin
nder këto male
bashk’ me qingja e me dele
dhe bylbyla nder zabele
mbas kumonës lojë e gëzime
si shqiponja ime

refreni:

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m ‘veshët o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali çka u ba
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali çka u ba
o lujn bareshat në shulla

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m’veshet o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali cka u ba
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali çka u ba
o lujn bareshat në shulla

naninaninainaina naninanina…

2.
Heej po tingëllojnë
shumë kumona
gurgllon prroi malore
nalt ne qiell bjeshka me bore
n’bjeshk’ dashnija vjen me malle
sot nji fyell u kalle.

refreni:

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m’veshet o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali çka u ba?
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali çka u ba?
o lujn bareshat në shulla

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m’veshet o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali çka u ba
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali çka u ba
o lujn bareshat në shulla

naninaninainaina naninanina…