Klara Buda, shkrimtarja që promovon paqen mes Kosovës dhe Serbisë

“I bëj thirrje të gjithë personaliteteve të letërsisë, artit e kulturës që të shprehen në mbështetje të kësaj proteste, pasi ai vend që ka shkatërruar edukimin e ka shkatërruar përfundimisht të ardhmen”, thotë ajo.

Kështu shprehet ajo, pas organizimit të disa protestave në Shqipëri, nga studentët e këtij vendi. Sipas saj ata janë kategoria më e diskriminuar.

E zëshme, për të drejtat e studentëve dhe për të gjithë shqiptarët, ajo është tash e sa kohë.

Klara Buda punon që prej 1990 në Paris dhe nga 2011 e sot mes Parisit Prishtinës dhe SHBA-së. E angazhuar në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të njeriut, ajo ka milituar aktivisht për pavarësinë e Kosovës që prej vitit 1992 në Paris.

“Pëshpërimë gruaje”, është romani i shkrimtares Klara Buda, i cili pasqyron ngjarjet e viteve të 80-ta, në kohën kur shqiptarët në kushtet e lirisë së dhunuar, e po ashtu të diktaturës më të egër komuniste, mbahej gjallë pikërisht nga ideali i lirisë, raporton Kosovapress.

Ishte pikërisht ky roman i cili solli shkrimtaren në Kosovë, në kuadër të Panairit të Librit në Prishtinë, me ç’rast edhe promovoi këtë libër.

Një vit më parë nga panari i librit ajo u kthye me çmimin e veçantë për eseistikë, kritikë dhe publicistikë, që iu akordua librit të saj “Kosova mon amour”.

Te “Kosova mon amour” ajo trajton jo vetëm luftën e Kosovës dhe lobimin për pavarësinë e saj në Paris, por edhe totalitarizmin, tranzicionin shqiptar dhe lirinë e shprehjes.

“Liria dhe e vërteta janë dy binarët që bëjnë gazetarin ta kryejë misionin e tij të shenjtë të informimit. Çdo akt kompromisi që bën në jetën e tij, ia zvogëlon atij çdo herë nga pak lirinë e domosdoshme për ta mbrojtur të vërtetën. Por kurajoja për ta thënë këtë të vërtetë kur kjo përbën rrezik është ajo që ndan gazetarët e mëdhenj nga të vegjlit. Ndan ata që ia kanë kushtuar jetën misionit Nobel të gazetarit nga ata që livadhisin sa andej e këndej në këtë profesion “prostituta që kanë zëvendësuar seksin me shkrim…”.

Ajo në këtë libër analizon dhe kontributin e ish-presidentin Ibrahim Rugova, kritik letrar e politikan, në kontekstin dhe kohën e tij. Duke dëshmuar se si Buda e njohu çdo pjesë të Kosovës gjatë bombardimeve në mars të 1999, derisa raportonte prej Parisit, si gazetare e Radio Francës Internacionale. Aty po ashtu nuk mungon as portreti i William Walker-it, e po ashtu nuk lë pa përmendur edhe rrëfimet për tmerret që përjetuan gratë e Kosovës.

Nuk janë këto veprat e saj të vetme. Në romanin “Kloroform”, Buda përshkruan gjithë absurditetin e një sistemi liri-vrasës. Ku përmes një rrëfimi mjeshtëror, ajo pohon kështu pamundësinë e çdo sistemi, sado i tmerrshëm qoftë ai, për ta shkatërruar tërësisht idealin e lirisë.

Promovimet e librave të saj, si duket janë gjithmonë shkas, që ajo të vijë në Kosovë.

Në dhjetor të vitit 2017 ajo vjen në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, për të folur për katër veprat e saj: “Pëshpërimë gruaje”, “Kosova mon amour”, “Rrëfenja kuteliane”, të gjitha këto libra duke përfshirë edhe përkthimin e Klara Budës në frëngjisht “Mon village sait boire le raki”, të rrëfenjës “Fshati im e pi rakinë” të Mitrush Kutelit.

Duke mos harruar të përmendet, që në vitin 2017, Behgjet Pacolli kishte emëruar atë si Udhëheqëse të Këshillit për Promovimin e Paqes në mes të Kosovës e Serbisë.

Ani pse ka pranuar të ndihmojë qeverinë e Kosovës në fushën e promovimit të paqes, ajo nuk e ka ndaluar shprehjen e mendimit të saj kritik në mënyrë publike edhe kur kjo bie ndesh me aksionin e qeverive qoftë të Prishtinës apo të Tiranës.

Në fjalën e saj gjatë promovimit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ajo denoncoi:

•“Pastrimin etnik të shqipes” në Bibliotekë Kombëtare të Kosovës nga autoritetet serbe, në periudhën kohore (1993-1999) dhe kërkoi ri-kthimin kësaj Bibliotekë të gjithë këtyre veprave të censuruara e të larguara nga fondi shqip i bibliotekës së Kosovës.

•Taksën e librit mes Kosovës dhe Shqipërisë, ajo e quajti një pengesë që mund dhe duhet të tejkalohet për krijimin e një hapësire të përbashkët kulturore mes dy vendeve, sepse nuk ka të bëjë me ndonjë vështirësi. Por, ajo i ka quajtur demagogji, folklor dhe një fasade fallco e shumë të dëmshme, deklaratat e liderëve të Shqipërisë e të Kosovës. Dhe që të pa shoqëruara me aksione konkrete nuk i sjellin asgjë të mirë marrëdhënieve në të dy anët e kufirit, përpos që i shfaqin Evropës mungesën e seriozitetit të këtyre liderëve.

Ajo po ashtu ka kërkuar nga liderët shqiptarë “të aspiratë”, siç i quan ajo, për bashkim në mungesën e aksioneve serioze e konkrete për të arritur këtë aspiratë bën këtë shprehje një demagogji të dëmshme qe nuk i sjell asgjë të mirë mardhënieve në të dy anët e kufirit.

•Marrëveshje kulturore mes Kosovës dhe Shqipërisë me aktivitete të pakta e të varfra.

Ajo kërkoi që në kushtet për futjen e Serbisë në Evropë të futet edhe njohja e krimit të përsëritur në Kosovë nga forcat paramilitare dhe militare, kërkimi i faljes për krimet e luftës dhe dëmshpërblimi i viktimave shqiptare të Kosovës.

Ani pse, që nga viti 1990 ajo ndodhet në Paris, ajo ka pasqyruar përmes veprave të saj, situatën dhe gjendjen në Kosovë.

Përveç “Kosova mon Amour”, ajo tanimë ka çuar në shtyp zhvillimin e marrëdhënieve mes Kosovës Serbisë dhe botës, me Titull: “La Liberation du Kosovo, n’a pas eu lieu” (Clirimi i Kosovës ende duhet të ndodhë!) mbi pengesat dhe mangësitë që e kanë ngujuar në pikën e nisjes shtetin e ri të Kosovës. Ajo sapo ka përfunduar skenarin e filmit dokumentar mbi masakrën e Podujevës me titullin politikisht jo-korrekt: “Viktima, a duhet doemos të falë?”

Ajo është shpërngulur në Paris që prej vitit 1990, është laureate e një masteri në Histori Arti dhe Metoda të historisë dhe aktualisht kryen Doktoratën ne Filozofi dhe Mendim bashkëkohor. Ajo ka punuar për UNESCO-n, BBC-në dhe nga viti 1999, në Radio Francën Internacionale, ku drejtoi redaksinë shqipe si shefe departamenti deri në mbylljen e saj 2011.

Aktualisht shkrimtarja Buda është e fokusuar në shkrimin e fiksionit dhe atë kinematografik. Ajo është e angazhuar edhe në përkthimin dhe botimin frëngjisht të autorëve shqiptarë që u persekutuan në totalitarizëm, autorëve madhorë si Gjergj Fishta apo Anton Pashku. /KultPlus.com

Pas ‘Kosova mon amour’, Klara Buda rikthehet në Panairin e Librit në Prishtinë më ‘Pëshpërimë gruaje’

Alberina Haxhijaj

Sot po shënohet dita e dytë e Panairit të Librit në Prishtinë dhe në kuadër të kësaj dite organizatorët e panairit po sjellin edhe promovime të librave të ndryshme, duke filluar me librin “Pëshpërimë gruaje” nga Klara Buda, shkruan KultPlus.

Në hapësirën e stendës së ‘UET Press& Mapo’, shkrimtarja Klara Buda kishte zënë vend përkrah librit të saj “Pëshpërimë gruaje”. Ajo në kuadër të panairit priste lexuesit dhe të interesuarit për krijimtarinë e saj. Me buzëqeshje në fytyrë i përshëndeste të gjithë një nga një dhe nuk ngurronte që t’iu shkruante fjalë që i dilnin nga zemra gjersa firmoste librat e blerë nga të pranishmit.

Faktin se është e lumtur që po rikthehet edhe këtë vit në Panairin e Librit në Prishtinë e thekson që në fillim të intervistës së saj për KultPlus.

“Është një panair i organizuar shumë mirë dhe unë vet personalisht gjithmonë vi me libra dhe i prezantoj edhe këtu edhe në Tiranë. Mendoj se është shumë e rëndësishme të themi se krijimi i hapësirës kulturore në mes të Tiranës dhe Prishtinës, midis Kosovës dhe Shqipërisë është mënyra më e mirë për t’i bashkuar këto dy vende”, tha ajo fillimisht.

Sipas saj Panairi i Prishtinës është një panair i cili ka një histori të shkurtër pasi që edhe shteti i Kosovës është i ri, mirëpo sipas saj ajo që duhet vlerësuar është se panairi është më i vjetër se shteti i Kosovës. Sipas saj kjo tregon se libri dhe kultura në këtë vend është në origjinë të zhvillimit të shtetit të ri. Tutje ajo flet për bashkimin kulturorë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, dy vendeve ku mbetet edhe mendja e saj gjersa qëndron në Francë.

“Ajo që duhet të ndodh në radhë të parë është një bashkim kulturor pasi që ky është më i fuqishëm dhe jo deklarata se do bashkojmë shtetet e të tilla. Duhet që të largohet dogana për librin fillimisht në mënyrë që kur libri udhëton nga Tirana në Prishtinë apo anasjelltas të mos paguhet dogana. Gjëja e parë që duhet të bëhet është bashkimi kulturor, një bashkim i cili nuk mundet të kontestohet nga askush për faktin se kultura është një, gjuha është një”, theksoi ajo.

Në qershor të viti të kaluar, Klara Buda pati ardhur në Panairin e Librit në Prishtinë nga ku u kthye me çmimin e veçantë për eseistikë, kritikë dhe publicistikë, që iu akordua librit të saj “Kosova mon amour”. Libri tregon se si Buda e njohu çdo pjesë të Kosovës gjatë bombardimeve në mars të 1999, derisa raportonte prej Parisit, si gazetare e Radio Francë Internacionale.

Këtë çmim ajo e kujton me shumë dashuri dhe është mirënjohëse ndaj organizatorëve të panairit për vlerësimin. Ndërsa këtë vit në panair ajo erdhi me “Pëshpërimë gruaje” një homazh për dashurinë si akt rezistence, por në njëfarë mase edhe për mëmësinë pasi që personazhi kryesor detyrohet nga presioni politik që të abortojë fëmijën e vet, fryti i vetëm i dashurisë së saj me Adrianin i cili i përket një klase të përmbysur.

“Dashuria këtu është si formë rezistence por edhe si e vetmja ndjenjë e cila nuk mund të tjetërsohet nga politika pasi që është ndjenjë që lind jashtë dhe pavarësisht strukturës. Në atë sistem aq të rreptë edhe të dashurojë dhe ta shprehje se dashuroje një njëri të një klasë tjetër ishte në vetvete një akt rezistencë. E vetmja është dashuria e cila i bënë rezistencë totalitarizmit dhe që i mbijeton edhe frikës pasi që të gjitha ndjenjat e tjera tjetërsohen në totalitarizëm”, u shpreh ajo për KultPlus.

Përmes dashurisë së ndaluar në mes të dy të rinjve ajo trajton gjithë problematika e totalitarizmi. Gjatë ditëve sa do të zgjasë panairi do të ketë edhe promovime të librave të tjerë, ndërsa për të gjithë të pasionuarit pas librave panairi do të jetë i hapur deri më 10 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com

Klara Buda sjellë katër libra në Prishtinë: Mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të hiqet dogana e librit

Gili Hoxhaj

“Pëshpërimë gruaje”, “Kosova mon amour”, “Rrëfenja kuteliane” , të gjitha këto libra duke përfshirë edhe përkthimin e Klara Budës në frëngjisht “Mon village sait boire le raki”, të rrëfenjës ‘Fshati im e pi rakinë” të Mitrush Kutelit, kishin zënë vend sot në tavolinën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, e që kishin sjellë autoren nga Shqipëria në Prishtinë.

Klara Buda lë valixhen e saj me një anë, e nxjerrë librat për t’i ekspozuar titujt e veprave të saj tashmë të njohura për publikun prishtinas, ndërsa fjalimin e saj fillon me një hyrje të jashtëzakonshme, që lidhet me ardhjen e këtyre librave këtu.

“Dy librat e mi “Pëshpërimë gruaje” dhe “Rrëfenja kuteliane”, që i solla nga Tirana këtu, kur i mora nga bagazhi i autobusit dhe kur u përshëndeta me shoferin, më tha se nuk ia ka vlejtur për çmimin që u pagua që ta sjellë këtë pako këtu”, ishte historia me të cilën nisi autorja Buda.

Autorja e vazhdon fjalimin duke thënë se ka një mesazh për të gjitha ata që e ëndërrojnë bashkimin kombëtar duke shtuar se disa e proklamojnë, e të tjerë e përdorin për qëllime politike. “Në radhë të parë nëse ka ndonjë doganë që duhet të hiqet në Kosovë dhe Shqipëri është dogana e librit”, mesazhi i parë që autorja Buda e theksoi sot gjatë përurimit të librave.

Kurse përkthyesi dhe njohësi i shumë gjuhëve, Elvi Sidheri tha se është e vështirë të përmblidhet me pak fjalë e gjithë vepra e autores dhe mikës së tij, ndërsa e përuroi Klarën për përkthimin në frëngjisht, veprën e një autori të madh siç është Kuteli.

Abdullah Zeneli, në emër të shtëpisë botuese “Buzuku”, që në fillim tregoi se ndihet i nderuar në praninë e Klares, mirëpo për ta përforcuar edhe më shumë këtë, ai e ndërpreu fjalimin e tij, ndërsa ftoi piktoren Zake Prelvukaj që t’ia dhuroj një tufë lule, në nderim të mikeshës nga Parisi. Ndërkaq piktorja Zake Prelvukaj e falënderoi për gjithë kontributin e autores dhe shtjellimin e problematikës së Kosovës në veprat e saj.

Zeneli, në emër të botuesit tregoi për suksesin e librit të saj “Kosova mon amour”, duke shtuar se ky libër ishte e veçanta jo vetëm e Panairit të Prishtinës por një libër mjafti i kërkuar edhe në Panairin e Frankfurtit.


“Kam qenë i pranishëm në Panairin e librit në Frankfurt” dhe ky ishte një ndër librat më të shikuar në këtë panair. Në këtë libër lidheshin Prishtina, Kosova, Franca, Shqipëria. Autorja Klara Buda cila së fundmi ka sjellur në duart e lexuesit librin “Pëshpërimë gruaje” thotë se ky libër është pjekur për njëzete vite brenda saj, të cilin e quan një mikro-roman ku përmes dashurisë së dy të rinjve, ajo ka shtjelluar një reflektim të gjatë për diktaturën në Shqipëri.

“Unë kam pasur fatin që të shkoj direkt nga Tirana në Paris dhe në vitin nëntëdhjetë kjo ka treguar që nganjëherë rastësia i bën gjërat siç do vet. Por unë nuk e pash tranzicionin as kur u ktheva, edhe pse shkova nga një vend i diktaturës totalitare në një vend të demokracisë , ndërsa para vetës kisha dy faqe se çfarë ndodhte në Shqipëri dhe çfarë shihja në Francë”, thotë autorja Buda, e cila tregon se ky rrugëtim i ka shërbyer asaj drejt një zbulim të ri dhe një kthim prapa, dhe pikërisht nga kjo ka lindur libri i saj i ri ““Pëshpërimë gruaje”.

Ajo vazhdoi të tregoj se ky roman shtjellon një revoltë, që në Shqipërinë totalitariste nuk ka mundur te bëhet një zë. Autorja Buda sot në Prishtinë, tregoi se ky roman vjen tek lexuesi me një gjuhë shumë të thjeshtë duke u përpjekur që kështu të prek edhe brezat e rinj, që të njoftohen me realitetin e atëhershëm.

Në këtë libër ajo trajton një dashuri të ndaluar që vazhdon në mes dy të rinjve, të Almës edhe Adrianit, që i përkisnin dy etniteteve të ndryshme sociale. Të gjithë ata që duan të takohen me autoren Klara Buda në Prishtinë, ajo do të mbaj edhe një takim mё 21 dhjetor, nё ora 18:30 nё Soma Book Station./KultPlus.com

Klara Buda promovon katёr libra nё Prishtinё

Takimi me Klara Budёn ёshtё rezervuar ditёn e hёnё, nё ora 11:00 nё Bibliotekёn Kombёtare “Pjetёr Bogdani”, nё Prishtinё, sikurse edhe mё 21 dhjetor, nё ora 18:30 nё Soma Book Station.

UET, Pema dhe Ombra GVG organizojnë përurimin dhe firmosjen e librave tё autores shqiptare Klara Buda, shrkuan KultPlus.
“Pëshpërimë gruaje”, “Kosova mon amour”, “Rrëfenja kuteliane” dhe pёrkthimi i saj nё frёngjisht “Mon village sait boire le raki”, të rrëfenjës ‘Fshati im e pi rakinë” të Mitrush Kutelit do tё promovohen nё dy data dhe lokacione tё ndara.

Takimi me Klara Budёn ёshtё rezervuar ditёn e hёnё, nё ora 11:00 nё Bibliotekёn Kombёtare “Pjetёr Bogdani”, nё Prishtinё, sikurse edhe mё 21 dhjetor, nё ora 18:30 nё Soma Book Station./KultPlus.com

Klara Buda: Shqiptarët e Shqipërisë nuk lexojnë dot në gegnisht

Me dashuri flet për Kosovën, me dashuri flet edhe për ish presidentin Rugova, dhe me po aq dashuri e shijon vizitën e saj në Kosovë. Klara Buda e cila së fundi ka sjellë librin e saj “Kosova, Mon Amour”, libër që e dërgoi autoren deri në Panairin e Librit në Frankfurt, për KultPlus ka rrëfyer për rrumbullakimin e këtij libri, që ka pjesë edhe të bombardimeve të NATO-s në Kosovë. Si një qytetare e Parisit, ajo në këtë intervistë nuk ka lënë pa përmendur dhe debatet përçmuese mes Kosovës dhe Shqipërisë, e cila i ka porositë intelektualët e Tiranës, që të marrin parasysh se për një parisien, edhe kosovari edhe tiransi janë provincial.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Kosovarët po i merr malli deri sa po e merr vendimin ndonjë autor shqiptar që të shkruaj ose të publikoj ndonjë vështrim, antologji për autorët, shkrimtarët kosovarë. Pse gjithë ky boshllëk, gjithë kjo heshtje e autorëve të Shqipërisë, karshi autorëve të Kosovës?
Klara Buda:
Mendoj që pyetja juaj është shumë me vend, por arsyeja është më e gjerë se sa raporti midis autorëve të Kosovës ose të Shqipërisë, ose prania e autorëve kosovarë në shtypin e Shqipërisë. Është jo vetëm një neglizhencë ndaj autorëve të Kosovës, por është edhe një neglizhencë ndajautorëve të rinj shqiptarë që nuk kanë qenë pjesë e autorëve tashmë të publikuar gjatë periudhës së realizmit socialist.
Për mendimin tim, problemi është shumë më i gjerë, në Shqipëri autorët e pesëdhjetëvjeçarit, pas vendosjes së totalitarizmit deri në vendosjen e pluralizmit, kanë qenë të ndrydhur nga parimet e realizmit socialist dhe mënyra se si u zhvillua letërsia, dhe artet në përgjithësi kanë lenë gjurmë të thella në kritiken letrare, dhe sot e kësaj dite i kanë pasojat e tyre. Çfarë ndodhi? Edhe kritiket edhe estetët janë produkt, në pjesën më të madhe, të realizmit socialist. Nuk ka pasur një aksion të shtetit i cili në mënyrën më pozitive do duhej të krijonte një platformë të estetëve të rinj, të formuar në perëndim, ose estetë perëndimorë që do të ftoheshin dhe të cilët do të studionin dhe klasifikonin letërsinë shqipe që ekziston aktualisht e prodhuar gjatë gjithë këtyre pesëdhjetë vjetëve në të dy anët e kufirit politik..
Një parantezë, kjo është e domosdoshme të bëhet, pasi nuk mund ta dënosh gjithë këtë letërsi prodhuar në një shtrirje kohore 50 të vjecare, të kohës së diktaturës. Por sot. Njëzetë e sahtë vite pas rënies së totalitarizmit është shumë e rëndësishme që kjo letërsi të studjohet dhe të shqyrtohet, në nënyrë që të kategorizohet. Që këto vepra të vazhdojnë të jenë në programet shkollore shqiptare, por nxënësit duhët ta mësojnë se kjo është letërsi e realizmit socialist, ku vepraka personazhin pozitiv dhe atë negativ dhe do tu shpjegohen se si është ndërtuar kjo letërsi dhe cilat janë parimet të cilave i nënshtrohet ajo. Do të klasifikohet ajo pjesë e kësaj letërsi që ka qenë:
1- letërsi disidente, e cila është shkruar si e tillë ose është
2- letërsi disidente, midis rreshtave, pra nuk e kategorizon dot as në letërsi disidente as të realizmit socialist, këtu futen edhe një pjesë e veprave të Ismail Kadaresë,
3- Letërsia fortesisht realiste, romane madhorë si Lumi i vdekur i Jakov Xoxes, për të permendur vetëm një por që kanë pasur aq art të madh, sa që autorin e tyre nuk e kategorizon dot në letërsinë patetike me atë personazhin pozitiv, që shkonte në aksione me flamur dhe që digjte kishat dhe që bënte kinse revolucionarizimin e të gjitha sferave të jetës.
Sot në shkollat shqipe duhet të jenë të gjitha këto kategori të letërsisë shqipe të prodhuar në periudhën totalitare në Shqipëri, dhe ajo e Kosovës (pjesa e real sociaizmit gjithashtu) duhet të jetë e kategorizuar në një entitet për arsye të studimit në shkollë. Të gjitha këto vepra duhet të vihen të në kontekst. Aktualisht nuk ekziston asgjë e tillë, të gjitha këto vepra janë të vendosura në tekstet shkollore siç ka qenë në periudhën e realizmit socialist, tek tuk mund të jetë futur ndonjë autor i Kosovës. Ky është mendimi im në lidhje me pyetjen që më bëtë dhe që është një deduksion në raport me klasifikimin normal e të rëndësishëm të letërsisë që nuk është bërë.

Në Kosovë, gjithmonë ka pasur një lloj nostalgjie dhe një lloj dashurie për çfarë ndodh në Shqipëri. Në këtë trend të dashurisë së Kosovës për tokën mëmë që është më pozitive, vazhdohet të trajtohen autorët shqiptarë, mirëpo e njëjta nuk ndodh me autorët kosovarë në Shqipëri.
Akoma personazhet më të fuqishme, klanet më të fuqishme të Tiranës janë pikërisht këta estetë, këta kritikë që u formuan gjatë realizmit socialist, nuk e them këtë me përçmim, e them duke si konstatim të një fakti, pasishpesh herë këta nuk e kanë pasur mundësinë të riformohen dhe të rinjtë akoma nuk e kanë marr fuqinë për ta ndryshuar këtë realitet të fakteve. Nuk ka akoma njerëz që kanë pasur kohën ta rilexojnë këtë letërsi të Kosovës dhe ta vendosin në vendi që ajo meriton objektivisht.

KultPlus: Ju e quajtët më shumë si neglizhencë mos përfshirjen e letërsisë së Kosovës në Shqipëri, por edhe të mos publikimit të autorëve kosovarë atje, nëse e krahasojmë termin neglizhencë me përçmim, cila do të peshonte më shumë dhe cila ka më shumë të vërtetë?
Klara Buda:
Nuk dua ta besoj që ka përçmim.

KultPlus: E thua sepse është deklaratë publike apo mendon me të vërtetë kështu?
Klara Buda:
Mendoj që është neglizhencë, që ka ardhur sepse na ka marrë koha përpara dhe ende s’jemi ulur t’i vëmë pikat mbi i. Proceset janë aq të shpejta dhe elitat po çoroditën, nuk dua ta besoj që është përçmim, nuk mund ta them se është përçmim, nuk kam asnjë element, objektiv që të kemi një personalitet shqiptar që ka shkruar me përbuzje për letërsinë e Kosovës. Unë them se kjo vjen nga mosdija, autorët kosovarësepse të mos njohësh autorë si: Anton Pashku, Teki Dervishi tregon në radhë të parë injorancë, por kjo injorancë mbulon edhe letërsinë shqiptare të ndaluar gjatë realizmit socialist.Mund të them që ka një tendencë për ta rregulluar këtë gabim, vetë fakti që çmimi Kadare këtë vit iu dha Musa Ramadanit tregon se ka një shtytje për ta vlerësuar letërsinë e Kosovës, por kjo shtytje është ende e sipërfaqshme, diçka ndoshta është bërë për ta rregulluar një gabim, por ama nuk ka një studim të letërsisë së mirëfilltë me vlera të jashtëzakonshme të prodhuar në Kosovë, që të bëhet nga institucionet shqiptare për ta vlerësuar atë, sepse kjo do të vinte kur kjo letërsi të futej e të studiohej në shkolla.

KultPlus: Ju personalisht keni ardhur me librin “Kosova, Mon Amour”. Nëse do të guxonim të mendonim se ju nuk do të shkonit për të jetuar në Paris dhe do të ngeleshit në Shqipëri, mendoni se do të vinte ky libër, apo mund të mendohet se Parisi është qyteti që bëri që të hapësh sytë për Kosovën?
Klara Buda:
Kjo është një shansë që unë kam pasur, jam shumë e lumtur që ma bëni këtë pyetje, sepse tregoni një analizë tuajën shumë të hollë. Unë i shoh zhvillimet në Shqipëri dhe në Kosovë prej distancës shumëvjeçare, kjo ka qenë arsyeja që mbas njëzetë vitesh, në 2009 e kam shkruar një libër për diktaturën në Shqipëri. Pra, unë kam dashur pikërisht të analizoj përmes fiksionit se çfarë ka ndodhur në diktaturë njëzetë- tridhjetë vjet përpara, atëherë kur kam qenë unë studente. Është njësoj sikur të bëj një fotografi të asaj kohe dhe të ia jap brezit të sotëm që ta shikojë Shqipërinë se çfarë ka ndodhur në atë kohë, sepse nuk po ndodhë kjo as në shkollë, nuk po futet as në programet shkollore dhe brezi i ri shqiptar nuk e di se çfarë ka ndodhur njëzetë e shtatë vjet përpara në Shqipëri.

KultPlus: Dhe pikërisht këtë libër ju e promovuat edhe në Prishtinë, në anën tjetër shpesh herë bëhen debate për dallimet mes qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, sidomos kur kemi të bëjmë me dialektin, çfarë qasje keni në këtë drejtim?
Klara Buda:
Do duhej të komunikonin sa më shumë kuluturalisht, dhe unë personalisht si autore e kam këtë vizion, unë vij i promovoj librat e mi në Shqipëri dhe Kosovë, dhe do ta bëjë sa të kem frymë.
Unë mendoj që përdorimi i gegnishtes, meqë është gjuha e përdorur në Kosovë është një ndarje që krijon dhe moskuptim, por që krijon në një farë mase për një shtresë të paedukuar përçmim ndaj kosovarëve.
Çfarë ndodhi me vendosjen e standardit në Shqipëri, ishte një periudhë kur na u imponua standarti, dhe unë vetë e kam përjetuar këtë periudhë që kur një njëri që nuk arrinte të fliste standardin për atë kohë ishte i pakulturuar dhe i pamësuar, sepse nuk arrinte të fliste gjuhën e shkollës por fliste gjuhën e dialektit, dhe të gjithë atë që flisnin me aksentin e veriut dhe që flisnin gegnisht, dhe unë vetë në një kohë kur jetoja në Shqipëri, i quaja intelektualisht më pak të formuar, sepse kështu na edukuan që standardi është gjuha shqipe, se njeriu i shkolluar duhet të flas standardin.
Çfarë nuk e dinim ne që ndodhi në diktaturë, ishte fakti se regjimi duke imponuar vetëm standardin, dënoi pa parulla të mëdha, gjithë letërsinë e shkruar në gegnisht, ai dënoi vlerat më të mëdha të letërsisë shqipe dhe automatikisht letërsinë e kosovës, shkruar në gegnisht ePai brezi i ri nuk lexon dot gegnisht, pra nuk e lexon dot këtë vepër ka pengesë gjuhën për ta lexuar letërsinë e shkruar në gegnisht, para standartit,.
Unë personalisht për të lexuar Camajn, për të lexuar “Lahutën e Malsisë” të at Gjergj Fishtës kam harxhuar muaj të tërë. Shqiptarët e Shqipërisë nuk lexojnë dot në gegnisht, nuk e lexojnë dot At’ Gjergj Fishtën, përpos atyre që janë gjuhëtarë që mund të kalojnë në dy dialektet, kjo është pengesa e parë. Në mënyre vizionare elitat do duhej të mendojnë a do të ketë një rikthim prapa, a do të ketë një ripasurim të standardit, nuk po jap ndonjë ide, sepse nuk jam linguiste por shtrohet pyetja çfarë do të ndodhi me standardin?

KultPlus: Dhe pikërisht duke folur për gegnishten dhe standardin, shpesh herë kemi raste kur provojmë të kalojmë në jo origjinalitet, duke u munduar që ti përshtatemi palës tjetër. Si mendon, duhet ta ruajmë origjinalitetin?
Klara Buda:
Në radhë të parë më duhet të them që gegnishtja është një gjuhë më muzikore se toskërishtja e cila e ka furnizuar pothuajse tërësisht standardin. Unë kam provuar të shkruaj në gegnisht, por nuk mund të bëhesh diletante kur nuk ka një standard të shkrimit të gegnishtes. Kam përshtypjen se një gjë shumë e rëndësishme duhet të jetë krijimi i standardit të gegnishtes, të mos ketë vetëm një standard dhe mandej koha do ta tregoj.
Gjithmonë i kam kritikuar disa emisione në disa televizione shqiptare të cilat tallen me të folmen e Kosovës, pra çdo nate njerëzit shohin televizion se si bëhet humor me atë se si flasin kosovarët.
Nuk mund të imponohet në Kosovë standardi si u imponua në Shqipëri, e them këtë, sepse dënohet letërsia e shkruar në gegnisht, në radhë të parë dënohet një pjesë e jashtëzakonshme, e fuqishme e letërsisë shqipe që është baza që vërteton se ne kemi letërsi dhe komb, sepse një pjesë e mire e letërsisë në fillesat e saj është shkruar në gegnisht, nuk mundet që letërsia të filloj me standardin, sepse në qoftë se ne nuk e lexojmë më dot atë letërsi të krijuar para tij, atëherë ajo letërsi nuk do të ekzistojë. Është një fushë ku elitat do duhej të punojnë me përgjegjësi shumë të madhe.

KultPlus: Kemi elitë?
Klara Buda:
Kemi elita, por elitat po denigrohen, zëri i tyre nuk po dëgjohet. Politizimi i jetës kulturore po bën që politikanët të jenë ata zëdhënësit tanë në të gjitha fushat, kjo është për të ardhur keq, sigurisht që ne kemi elitat tona si çdo komb, duhet që institucionet e Shqipërisë dhe të Kosovës të krijojnë këto grupet e studimit për fushat e ndryshme të kulturës, shkencës dhe të artit. Duhet të ketë një dëshirë, një vullnet politik për të krijuar bërthama që do të studionin zhvillimin e kulturës shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë, të mos i lihet kjo rastësisë, të ketë studime të centralizuara, në kuptimin jo të detyruara por që shteti ta promovojë studimin e zhvillimit të kulturave tona.

KultPlus: Librin që e keni prezantuar tani edhe në Panairin e Librit në Frankfurt, është një libër që ka për titull “Kosova, Mon Amour”. Shumë herë autorët luftojnë në gjetjen e një titullit, sa në shpirt ke këtë dashuri për Kosovën, apo një titull i tillë i është dashur këtij libri?
Klara Buda:
Titulli është shprehje e gjithë librit dhe libri nuk është vetëm për Kosovën, libri është një përmbledhje, një përzgjedhje e artikujve e për Kosovën, por edhe për totalitarizmin dhe për letërsinë, ndaj dhe ju që e keni ditur përmbajtjen mi bëni këto pyetje edhe për fushën e letërsisë.
Të gjithë autorët tanë të përgjegjshëm në historinë e shkrimit shqip, e kanë trajtuar Kosovën si pjesë të rëndësishme të Shqipërisë, të mos harrojmë që ngjarje të mëdha të historisë kombëtare kanë ndodhur në territorin e Kosovës. Sot, dikush që është i ndërgjegjshëm për të ardhmen e kombit shqiptar, ai i kthen sytë patjetër kah Kosova, ai frymëzohet nga autorët e mëdhenj të letërsisë shqipe të cilët të gjithë kanë shkruar për Kosovën. Personalisht e kam thënë në libër, është fakt që kjo distancë 27 vjeçare që unë kam nga Shqipëria dhe që kam evoluar në perëndim më ka bërë që ta shoh me një sy analitik zhvillimin e Shqipërisë dhe të Kosovës, nga ana intelektuale shpesh herë në këtë stad ku kam arritur, ndihem më e afërt me intelektualet shqiptarë të Kosovës se sa më intelektualet shqiptarë të Shqipërisë, sepse Kosova duke u ndodhur fizikisht në ish-Jugosllavinë e madhe, që duam apo s’duam ta pranojmë, realiteti me shumë republika, madje edhe njerëzit që nuk shkonin në universitet, ata shkonin e bënin ushtrinë në Kroaci, në Slloveni ka bërë që shqiptari i Kosovës të jetë më mendjehapur, sepse kishte një shtet më të madh. Dihet, nuk është diçka e re që po e them unë se Jugosllavia e Titos ka qenë shumë më pak hermetike se sa Shqipëria e Enver Hoxhes, dhe kjo ka ndikuar në mendjehapjen e kosovarit në përgjithësi dhe të intelektualit kosovar në vecanti, megjithese ky shtet ishte diskriminues kundrejt shqiptareve.
Ky vizioni që unë personalisht e kam, ka krijuar një lidhje personale më të madhe qoftë timen si individ me njerëz prej Kosovës, çfarë më ka ndodhur në vitet e 90-ta në Paris, pjesa më e madhe e njerëzve, sigurisht nuk mund t’i përgjithësoj, sepse kam miq shumë të mirë nga Shqipëria që janë mendjehapur dhe që nuk futen në këtë kategorizim që po e bëj, por një pjesë e madhe e tyre duke qenë njerëz që vinin nga klasa në pushtet në Shqipëri kishin njëfarë indoktrinimi, pra nuk ishin aq mendjeahapur sa ishin shqiptarët e Kosovës.
Por çfarë ju them unë atyre intelektualëve të Tiranës që mund të tregohen diskriminues sot kundrejt kosovarëve, ju them se për një parisien, edhe kosovari edhe tiransi janë po aq provincialë. Pra, këtë lloj përçmimi ose neglizhimi që po ndodh midis Kosovës dhe Shqipërisë, mos të harrojmë që në krahasim me një vend të zhvilluar europian, në ketê rast moraa shëmbullin e parisienëve, pra për ta nejemi të gjithë provincialë, nda këto gjëra këtu duhet t’i relativizojmë.
Shpesh e shoh edhe në Kosovë, sepse çdo vend ka të mirat dhe të këqijat e veta, po flas me admirimin për intelektualët e Kosovës që i kam njohur në Paris dhe kanë qenë mendjehapur. Po shoh edhe një trend këtu në Kosovë, se për shembull ata që vijnë nga klasa intelektuale kosovare po përçmojnë ata që vijnë nga fshati e kanë vajtur dhe kanë evoluar në perëndim, pra këto mentalitete për mua janë shumë qesharake.
Për tu rikthyer tek pyetja juaj, “Kosova, mon amour” është një paralale që e kam bërë me një libër të Marguerite Duras që është një autore shumë e njohur, e letërsisë francez e cila e ka shkruar një libër që quhet “Hiroshima, mon amour” dhe kur një francez e shikon këtë titull, ai menjëherë e bën paralelen, është një dhimbje që krijohet, është një lidhje e dhimbjes, pra nuk është në kuptimin që do ta përkthenim fjalë për fjalë që kam një dashuri të madhe vetëm, por kam një dashuri me dhimbje, me brengë dhe me plagë. Kjo do të thotë “Kosova, mon amour”.

KultPlus: Ju keni dhënë një kontribut të madh për Kosovën në Paris, përmes punës suaj në radio, dhe libri ka copëza për krejt këtë kontribut, personalisht e prekët Kosovën para bombardimeve, apo pas tyre?
Klara Buda:
Në Shqipëri e kam njohur aq sa futej në Shqipëri deri në vitet e nëntëdhjeta, fati im ishte që në shtator të vitit nëntëdhjetë unë frymova dhe punova në Paris. Në vitin nëntëdhjetë e tre, kur kam qenë student në Sorbone është hapur emisioni i parë në gjuhën shqipe në Francë, dhe duke qenë gzetre çdo ditë në një emision në gjuhën shqipe që transmetohej nga Parisi për Kosovën, kam qenë e detyruar edhe për anën profesionale që të mësoj se çfarë po ndodh në Kosovë.
Pastaj unë kam qenë përherë e kyçur në aktivitetet e komunitetit të Kosovës, dhe aty ka ardhur dhjetëra herë presidenti I ndjereë Rugova, i shoqëruar nga stafi i LDK-së, sikurse edhe personalitete të shumta që punonin së bashku me Rugoven. Dhe në vitin 1995 unë kam ardhur në kufi me Kosovën në përbërje të shtypit të huaj për një vizitë në Maqedoni, në Shqipëri dhe në Kosovë, por jo edhe brenda Kosovës, pasi që nuk më dhanë vizën. Pra, unë nuk e kam vizituar asnjëherë Kosovën para bombardimeve të NATO-s. Mirëpo, duke punuar në radio në gjuhën shqipe, përgjatë tre muajve të bombardimeve, e them disa herë që e kam zbuluar Kosovën përmes bombardimeve.
“Kosova, mon Amour”, është pjesë e atdheut e që e kam zbuluar përmes bombardimeve dhe kjo më ka krijuar një relacion emocional më të madh se ai që kam pasur me Shqipërinë. Duke qenë e persekutuar në Shqipëri, mua atdheu im në një farë mënyrë, familjen time dhe mua, më ka denigruar në një farë mase.
Sigurisht që sot unë nuk kam ndonjë gjë kundër atdheut tim, sepse ajo ishte një kastë që dënoi një pjesë të madhe të shqiptarëve dhe jam e ndërgjegjëshme se nuk më vinte kjo e keqe nga atdheu im por nga kasta në pushtet. por zbulimi i kosovës nëpërmjet bombardimeve, ka krijuar lidhjen time të vecantë me këtë vend.

KultPlus: Dhe nga personalitetet e Kosovës, që tregon një dashuri shumë të madhe, është një person që shihet ta keni vlerësuar shumë. Bëhet fjalë për Ibrahim Rugovën, si e njohët Rugovën?
Klara Buda:
Rugova nuk është vetëm rezultat i një edukimi perëndimor. Rugova ka pasur edhe një fat të madh që të jetë afër që me një nga filozofët më mendjendritur francez, që është Roland Barthes. Kjo ka ndodhur me Rugovën, duke e pasur këtë filozof udhërrëfyes, ka bërë që Rugova të ecte më shpejtë se të ecte çdo njëri tjetër. Ka qenë një lidhje dhe një rastësi, sepse jo të gjithë njerëzit kanë studiuar me Roland Barthesin, edhe pse ka dhe filozofë të tjerë francezë të periudhës së Roland Barthesit, por që nuk kanë qenë botërisht kaq të vlerësuar si filozofi francez. E dyta është historia personale e Rugovës, të cilit edhe babën edhe gjyshin ia kanë vrarë serbët, është rritur në një çerdhe patriotike të luftëtarëve të lirisë të cilët janë vrarë dhe është si të thuash shprehje e mençurisë shqiptare për mbijetesë. Pra nëna dhe gjyshja e tij e panë se serbët janë aq të fortë dhe menduan se çfarë do të ndodh nëse ky fëmijë do të edukohet me vrullin luftarak shqiptar kundër serbëve, dhe ky do të vritej si të tjerët. Thjeshtë për të mbijetuar, këto e mësuan këtë njeri që të jetë i butë, më tepër të anoj kah zgjuarsia që të gjej rrugën e mbijetesës se sa të dali me pushkë. Ky është Rugova për mendimin tim.

KultPlus: Që po i bie që Rugovën fillimisht e mësuan femrat e familjes Rugova, para filozofit francez…?
Klara Buda:
Para filozofit francez e edukuan femrat e familjes Rugova, dhe them që është kjo mençuria e këtij kombi që i mëson liderët e vet të mbijetojnë, sepse nëse tek shqiptarët nuk do të kishte ndodhur rezistenca paqësore, masakra më e madhe do të ndodhte me ne shqiptarët. Pra shqiptarët do të zhdukeshin të parët, pa marrë vesh bota se çfarë po ndodhte, sepse kur ndodhën konfliktet me republikat e tjera kishin një vizibilitet më të madh, sepse ishin republika. Kjo për mua është mençuria popullore shqiptare që kombi shqiptar të mbijetoj ku u kanalizua në personalitetin e Rugovës, pra në kohën kur shqiptarët bënin rezistencën paqësore, rrinin urtë, kurseheshin vrasjet, republikat e tjera filluan luftën me Serbinë.
Mos të harrojmë që Rugova ka qenë shumë këmbëngulës, atë që shpesh njerëzit e injorojnë është fakti që Rugova ka kërkuar Pavarësinë e Kosovës shumë herë, më përpara se të gjithë të tjerët, dhe deri në fund, sado i mirësjellshëm, sado që ka qenë për gjuhën e dialogun, në çdo vend ka kërkuar pavarësinë e vendit të tij.
Më kujtohet, më tingëllon në vesh kur e ka pritur presidenti Jacques Chirac, para shumë gazetarëve të huaj, pjesë ku isha edhe unë, ai edhe në gjuhën shqipe dhe atë franceze ka kërkuar Pavarësinë e Kosovës.
Pra, ai ka qenë i butë por këmbëngulës, këmbëngulës për të drejtat e popullit të Kosovës. Kurse sot, në dialogun që ka hapur Evropa, Kosovë- Serbi nuk duhet sot që politikanët tanë për të qenë të mirësjellshëm të jenë edhe tolerant me temat e rendësishme për Kosovën, që Rugova nuk do t’i kishte toleruar kurrë.

Klara Buda promovon librin ‘Kosova mon amour’

Shkrimtarja dhe gazetarja Klara Buda promovon sot librin ‘Kosova mon amour’ në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Libri fitues i Çmimit të Panairit të 19-të të Librit në Prishtinë për eseistikë e kritikë letrare: “Kosova dashuria ime”, pra, “Kosova mon amour” është një cikël reportazhesh, analizash, intervistash dhe kujtimesh, të bazuara në arkivin e shkruar dhe audiovizuale të autores, e që zbulojnë fakte të pabotuara ndonjëherë nga RFI, meqë dilnin jashtë kuadrit të kësaj radioje franceze.

Siç shprehet Klara Buda: “Ngjarjet e luftës së Kosovës më kanë lënë gjurmë të thella, pasi i kam “filtruar” përmes trupit tim dhe i kam rufitur sikurse kafen e mëngjesit gjatë bombardimeve të NATOS mbi ish-Jugosllavinë, nga Marsi në Qershor 1999 gjatë përgatitjes e prezantimit direkt të edicionin shqip të lajmeve të Radio Francës Internacionale, në Paris.”

Ky libër, javën tjetër do të promovohet edhe në panairin e librit në Frankfurt.

Ndërsa sot, në ora 18:30 në Librarinë Dit’ Nat’ në Prishtinë, përveç promovimit do të bëhet ehe firmosja e librave nga autorja. / KultPlus.com